Kurti në Bruksel: Nuk jemi kundër dialogut në parim, por jemi kundër dialogut pa parime

albinLëvizja Vetëvendosje ia ka shpalosur prioritetet e programit qeverisës komisionarit për zgjerim, Johanes Hahn, në Bruksel.

Të enjten, delegacioni i përbërë nga Albin Kurti, Visar Ymeri e Shpend Ahmeti, kanë përmbyllur një takimin treditësh atje.

Kurti ka thënë se qëndrimi i tyre për demarkacionin, i shpalosur para Hanit, ishte se VV-ja nuk e fajëson Malin e Zi, por Qeverinë e Kosovës, teksa theksoi se ai më shumë ka qenë ndryshim kufiri se përcaktim kufiri.

Lideri i Vetëvendosjes tha se duhet të bëhet dialog me Bashkimin Evropian për dialogun me Serbinë.

Gjatë këtyre ditëve, delegacioni ka takuar edhe shefin e Delegacionit për Kosovën, Tonino Piculla, raportuesen për vizat, Tanja Fajon, dhe deputetë tjerë të partive socialiste dhe demokrate evropiane.

Zyrtarët evropianë, pas këtyre takimeve, kanë përsëritur se ata nuk do të ndërhyjnë në procesin e formimit të qeverisë në Kosovë, por do të vazhdojnë bashkëpunimin me qeverinë e re. (koha)

Fleckenstein: Tani duhet të hapen negociatat me Shqipërinë

Knut

Eurodeputeti gjerman, Knut Fleckenstein vlerëson zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe e sheh të hapur rrugën për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë. Ai pret që Rama të dijë si të përdorë pushtetin.

Deutsche Welle: Zoti Fleckenstein, zgjedhjet përfunduan ishte një atmosferë ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme. Çfarë note do t’i jepnin zgjedhjeve parlamentare kësaj here?

Knut Fleckenstein: Ne nuk shpëndajmë nota, por përshtypja ime e përgjithshme është se ato në masë të madhe ishin të rregullta. Megjithatë kam dëgjuar edhe për raste si blerja e votës, dhe kjo duhet parë si të luftohet, sepse është një çështje se si do të organizohet një vend, madje deri diku edhe një çështje nderi për një vend.

Kreu i opozitës Basha, i cili e pranoi humbjen, foli megjithatë për një garë jo të barabartë, ai theksoi se ka pasur blerje të votës…sa shqetësues ishte ky fenomen?

Konkretisht nuk mund të them diçka, na duhet të presim edhe raportin përfundimtar të ODHIR-it. Akuza të tilla unë i kam dëgjuar nga të gjitha palët, kundër njëra-tjetrës. Por më duhet të jem i kujdesshëm këtu dhe të pres vlerësimin e OSBR-ODHIR-it.

A mund të thuhet, se Shqipëria përfundimisht me këto zgjedhje e mbyll epokën e fushatave e zgjedhjeve konfliktuale? Sa ndikoi marrëveshja Rama-Basha në këto zhvillime?

Sigurisht ajo ka luajtur rolin e saj. Dhe unë jam i gëzuar që mund të themi, se zgjedhjet kaluan kryesisht në një atmosferë paqësore, ashtu siç duhet të jetë, dhe se këtu kryeminitri Rama dhe Basha me ujdinë e tyre dhanë një kontribut të madh për këtë.

Edi Rama është triumfuesi i këtyre zgjedhjeve me një përqëndrim  të ri pushteti, ai kapi shumicën absolute. Çfarë rreziqesh përmban një përqëndrim i tillë i pushtetit?

Shumicat absolute gjithmonë e mbajnë një rrezik me vete, pra që qeveritë e ekzagjerojnë, por në shumë vende ka qeveri që qeverisin me shumicë absolute. Parimisht kjo nuk përbën problem, ai fillon e bëhet i tillë, kur qeveria e keqpërdor këtë pushtet që ka, por për këtë nuk kemi të dhëna për momentin.

A do të thotë kjo se do të jetë më e vështirë në këto kushte për opozitën që të luajë rolin e saj monitorues kundrejt qeverisë? 

Jo, nuk ka pse të jetë kështu. Opozita gjithmonë është në një numër më të vogël se qeveria, ndryshe nuk do ishte opozitë. Por po qe se i llogarisni deputetët të gjithë bashkë, – nuk e di nëse do të ketë koalicione -, por nëse nuk ka, atëherë opozita në parlamentin e ri do të ketë më shumë se 50 vetë, pra sigurisht që është një opozitë e madhe. Më e vështirë bëhet atëherë, kur mazhoranca bëhet shumë më e fuqishme dhe opozita zvogëlohet.

Rama e ka tani “timonin” e pushtetit, siç kërkoi në fushatë, në mënyrë që të kishte më shumë liri për të zbatuar reformat e thella. Çfarë prisni tani nga qeverie e re Rama?

Kryeministri Rama e ka tani rrugën e hapur, për të mbetur tek imazhi tij, dhe nëse ai di ta përdorë si duhet këtë pushtet, ai do të gjejë shumicën që i duhet edhe në parlament. Këtë tani Rama duhet ta vërtetojë. Detyrat që qëndrojnë para qeverisë janë zbatimi i vërtetë i reformës në drejtësi, ajo duhet të çojë përpara luftën kundër drogës, korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar. Në pikë tjetër e rëndësishme do duhet të jetë trajtimi i çështjes së vështirë të pronës dhe gjetja e një zgjidhjeje për këtë. Rama nuk ka për t’u ankuar, se tavolina e tij e punës do të jetë plot.

I shikoni tani të plotësuara më në fund të gjitha kushtet që BE të japi dritën e gjelbër për të hapur negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në vjeshtë?

Sa i përket atmosferës këto zgjedhje ishin shumë më të kënaqshme, se të mëparshmet. Kur dëgjoj vëzhguesin tonë, zotin Kukan që ishte aty, përmirësimi është i dukshëm. Besoj se nuk ka si bëhet ndryshe, veçse ta themi qartë se tani duhet që të hapen negociatat. Ndoshta do të kalojnë pak javë e muaj derisa të ulen të gjithë në një tavolinë, por nuk duhet të vendosim pengesa të reja, sepse kjo nuk do ishte e drejtë. (dw)

Maqedoni: Prokurorisë Speciale i skadon afati për ngritjen e aktakuzave

katica 1Një ditë para skadimit të afatit për ngritjen e padive për lëndë që dalin nga bisedat e përgjuara. Prokuroria Speciale Publike në Maqedoni informon opinionin për punën e saj gjatë këtij mandati.

“PSP ka ngritur 17 aktakuza  për 18 raste kundër 94 personave, ndërsa numri i përgjithshëm është 20 aktakuza”, ka thënë prokurorja speciale Katica Janeva. Ajo po ashtu ka thënë se për mungesë të bashkëpunimit Prokuroria Speciale Publike nuk ka mundur të vazhdojë me disa procedura. “Ka shumë lëndë që duhej të hapeshin por që nuk janë hapur akoma. Unë nuk vendosa ta hap lëndën Shkupi 2014. Aty janë kërcënuar të drejtat e gjithë qytetarëve”, u shpreh Janeva. Sipas saj ka shumë vepra për t’u ripunuar dhe PSP-ja do të vazhdojë të punojë me të njëjtin ritëm që kanë punuar deri tani. Ajo theksoi gjithashtu se puna do të vazhdojë edhe pas 1 korrikut dhe asgjë nuk mund ta ndalë në misionin e vet.

Prokurorja Speciale Katica Janeva e pyetur  në lidhje me rastin “Monstra” tha se ata nuk kanë marrë përgjigje ende nga Këshilli i Prokurorëve, nëse janë kompetente për këtë lëndë apo jo. Janeva shfaqi bindjen se Gjykata do t’u kushtojë vëmendje dëshmive të PSP-së dhe bazave në të cilat ata i parashtrojnë aktakuzat, me pritje se do t’i mbështesë dhe konfirmojë aktakuzat, me qëllim që ato të gjejnë epilog gjyqësor. “Vendi ku duhet të kryqëzohen argumentet tona me ato të mbrojtjes është salla e gjykatës”, thekson prokurorja speciale Katica Janeva.

Janeva ka thënë se do të kërkojë paraburgim për një lider të partisë politike. Në prezantimet të cilat PSP ua ka ndarë mediave shihet se në rastin “Titanik”, ekipi i Janevës kërkon paraburgim për Nikolla Gruevksin, Martin Protugjerin, Kiril Bozhinovskin, Mile Janakieskin dhe Gordana Jankulloskën.

Ekspertët: Prokurorisë speciale duhet t’i vazhdohet mandati

Sipas ekspertit juridik Bekim Kadriu me mbarimin e afatit kohor prej 18 muajsh për ngritje e aktakuzave nuk mbaron puna e PSP-së. Zgjidhja ideale sipas Kadriut do të ishte vazhdimi i mandatit lidhur me ngritjen e aktakuzave për të cilën duhet një konsensus politik.

“Për këto tri vite e gjysmë që do t’i ngelin PSP dy kompetenca të saj do të jenë shumë të rëndësishme – prokuroria speciale të vazhdojë të bëjë hetimin e rasteve dhe të dëgjojë bisedat që i ka në posedim me qëllim të zhvillimit të procedurës hetimore parapenale deri në fazën e ngritjes së aktakuzës. Mirëpo meqë ka pengesë ligjore për ngritjen e aktakuzës, por në momentin kur përgatitet aktakuza atëherë PSP duhet lëndën ta bartë të prokuroria e përgjithshme. Kompetenca e dytë ka të bëjë me përfaqësimi i lëndëve të PSP “, thotë Bekim Kadriu.

Eksperti i së drejtës penale Andrej Bozhinovski thotë se lënda “Target” është burim i të gjithë hetimeve tjera që janë pjesë e bombave, dhe se afati i Speciales nuk do të ishte i përmbushur nëse nuk do të përmbyllej lënda “Target”. “Mendoj se nuk është e pranueshme të ketë afat prej 18 muajsh në raport me vëllimin e hetimit që PSP duhet të udhëheqë. Rastit “Target” është qendra e të gjithë hetimeve të tjera që janë pjesë e bombave. Mendoj se pa mbarimin e “Target” mandati i Speciales nuk është i përmbushur derisa nuk hetohet se kush, çfarë ka përgjuar”, thotë ekspert i së drejtës penale Andrej Bozhinovski.

Shumica parlamentare ka informuar koordinatorët e partive politike parlamentare se  është e nevojshme që të arrihet një marrëveshje politike mbi ligjet e PSP-së. Koordinatori i Grupit parlamentar të LSDM-së Tomisllav Tunteva ka bërë të ditur se ligji për PSP-në do të futet në procedurë parlamentare gjatë javës së ardhshme.

Mandati i PSP-së është katër vite me të drejtë të vazhdimit një vit për prokurorët. (dw)

Prokuroria Speciale e Maqedonisë ngre 17 aktakuza të reja kundër 101 personave

katicaProkurorja Speciale e Maqedonisë, Katica Janeva, njoftoi se gjatë ditës së sotme dhe nesër (të premten), do të dorëzojë në gjykatë 17 aktakuza të reja për 18 lëndë, kundër 94 personave fizikë dhe 7 persona juridikë, krahas tri akuzave të ngritura paraprakisht.

Prokuroria Speciale është duke punuar për vetëm 10 muaj. Aktpaditë janë rezultat i punës së ekipit të Prokurorisë Speciale për të krijuar kushtet për sundim të drejtësisë dhe sigurimit të barazisë së qytetarëve të Maqedonisë para ligjit dhe Kushtetutës”.

Dita e sotme e as 1 korriku nuk ndryshon asgjë që ky institucion të vazhdojë punën e tij. Ky institucion do të vazhdojë të zbardh drejtësinë”, tha para gazetarëve Janeva.

Ajo bëri të ditur se në të gjitha këto raste janë të përfshirë ish-zyrtarë të lartë të shtetit, për të cilët ka dyshime serioze se kanë bërë shkelje të ligjit, gjegjësisht keqpërdorim të autorizimit zyrtar.

Megjithatë, në 20 akuzat që ka ngritur Prokuroria Speciale nuk janë përfshirë rastet të cilat janë me interes për shqiptarët, siç është rasti ‘Monstra’, ku ishin të vrarë 4 të rijnë maqedonas dhe një peshkatar në afërsi të liqenit të Smillkovës.

Prokurorja Speciale Katica Janeva tha se institucioni që ajo drejton nuk kanë marrë përgjigje ende nga Këshilli i Prokurorëve, nëse “Specialja” është ose jo kompetente për këtë lëndë.

Për shkak të mos bashkëpunimit të institucioneve të caktuara, ne nuk kemi mundur të vazhdojnë me disa veprime. Ka shumë lëndë që janë dashur të hapen por që nuk janë hapur. Se si do të rrjedh ritmi i kësaj Prokurorie unë vendos. Unë vendosa të mos e hap lëndën ‘Shkupi 2014’. Aty janë kërcënuar të drejtat e gjithë qytetarëve. Ka shumë vepra”, theksoi Prokurorja Speciale Publike, Katica Janeva.

Janeva tha se deri më tani ekipi i saj ka arritur të dëgjojë vetëm 45 për qind të materialeve të përgjuara.

Prokurorja Speciale Katica Janeva tha se është e bindur se ajo dhe ekipi i saj, edhe pas skadimit të afatit ligjor, në bazë të të cilit është themeluar ky institucion, e që ka të bëjë me ngritjen të akuzave, do të vazhdojë me punë gjersa të zbardhen të gjitha rastet për të cilat ka indicie se funksionarë të lartë të shtetitjanë përfshirë në veprime kriminale.

Janeva përgënjeshtroi informacionet në disa rrjete sociale dhe media online, se Prokuroria Speciale ka ngritur akuzë kundër ndonjë funksionari të partisë shqiptare Bashkimit Demokratik për Integrim e cila kishte bashkëqeverisur me partinë e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Nga materiali elektronik, i cili u është shpërndarë medieve, bëhet e ditur se Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë kërkon paraburgim për 18 të akuzuar, në mesin e të cilëve janë edhe ish-kryeministrin i Maqedonisë Nikolla Gruevski, shefi i kabinetit të tij, Martin Protugerin, ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë,Kiril Bozhinovski, si dhe ish-ministrat Mile Janakieskin,Gordana Jankulloska dhe Elizabeta Kamceska. Po ashtu thuhet se kërkohet paraburgim edhe për ish-zyrtarë të lartë të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim , si dhe drejtues të komunave.

Prokuroria Speciale Publike u themelua si rrjedhojë e marrëveshjes politike mes forcave politike në Maqedoni me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, duke pasur si detyrë hetimin e rasteve pas publikimit të bisedave të përgjuara.  (rel)

Kosovë: KQZ shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve

KQZNë bazë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit në Kosovë, asnjë subjekt politik nuk mund ta formojë i vetëm qeverinë. Nevojiten koalicione, ku duhet të përfshihen edhe pakicat.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat u mbajtën më 11 qershor. Koalicioni PAN, që përbëhet nga Partia Demokratike të Kosovës, (PDK) Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma, ka fituar 34 % të votave dhe ka siguruar 39 vende në parlament. Lëvizja Vetëvendosje, e cila garoi e vetme në zgjedhje, ka fituar 27 %, duke siguruar kështu 32 mandate. Ndërsa, koalicioni LAA që përbëhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Kosovës e Re (AKR ) dhe Alternativa, ka fituar 25.7 % të votave, duke siguruar 29 vende në parlament. 20 vende janë të garantuara për pakicat, ku 10 mandate janë fituar nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, që morë mbi 5% të votave. Pjesëmarrja në votime ishte 41.30%. Parlamenti i Kosovës ka 120 deputetë dhe mandati i një deputeti zgjat katër vjet.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se në vonesën e shpalljes së rezultateve përfundimtare ka ndikuar procesi i rinumërimit të rreth 500 vendvotimeve, ku ka pasur mospërputhje të votave në kuti me regjistrat e komisionerëve.

Në zgjedhje morën pjesë 700 mijë votues, nga mbi 1.8 milionë banorë, sa ka Kosova. 52 mijë fletëvotime u shpallën të pavlefshme, njoftoi KQZ.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, konstituimi i legjislaturës së re duhet të bëhet brenda 30 ditëve, por bazuar nga deklarimet e udhëheqësve politik, kjo mund të ndodhë qysh javën e ardhshme.

Koalicioni fitues i zgjedhjeve PAN e ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryeministër, i cili brenda 15 ditëve duhet të paraqesë para parlamentit kabinetin qeveritar, që për t’u aprovuar duhet të marë më së paku 61 vota të deputetëve. Nëse kjo nuk arrihet, Presidenti i Republikës së Kosovës brenda dhjetë ditësh, emëron një kandidat tjetër sipas së njëjtës procedurë. Dhe nëse as herën e dytë mandatari për krijimin e qeverisë nuk e arrin numrin prej 61 votash në parlament, atëherë, Presidenti i shpall zgjedhjet e reja.

Subjektet politike në këtë fazë janë duke vazhduar konsultimet për koalicionet e mundshme qeveritare, sepse në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, asnjë subjekt politik nuk mundet ta formojë i vetëm qeverinë. Tash për tash akoma nuk dihet sesa do të zgjasë arritja e një marrëveshjeje koalicioni. Ndërkohë, Bashkimi Evropian, nëpërmjet komisarit për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, pret që Kosova të mos vonohet por të formojë institucionet e reja.

“Shpresoj që të mos marrë kohë me muaj krijimi i institucioneve sikurse herën e kaluar në vitin 2014, sepse Kosova ka nevojë për reforma. Institucionet e reja duhet të vazhdojnë me reforma sa i përket agjendës evropiane dhe implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, sikundër edhe përmbushjen e kushteve për liberalizim të vizave”, është shprehur Johanes Hahn. (dw)

LSI, Vasili dorëhiqet e propozon Kryemadhin

VasiliNë Shqipëri kryetari i LSI-së Petrit Vasili, i zgjedhur vetëm pak javë më parë, njoftoi sot dorëhejen duke propozuar zëvendësimin e tij me Monika Kryemadhin. Zoti Vasili e motivoi vendimin e tij me faktin se LSI-ja do të riorganizohet për t’ju përshtatur rolit dhe detyrave të reja në opozitë. Zgjedhje e kreut të ri të partisë është parashikuar të bëhet të mërkurën e ardhshme nga Konventa e LSI-së

LSI-ja ndërron sërish drejtimin e saj, ndërsa këtë here, përgatitet, që pas 8 vitesh në pushtet, të fillojë një jetë të re në opozitë. “Ky rol i ri kërkon energji të reja, intensitet shumë të lartë edhe se më parë, sepse kjo përgjegjësi duhet zhvilluar, nuk janë përgjegjësi që lidhen vetëm me LSI por janë përgjegjësi që duhet t’i zhvillojmë në funksion të drejtë për interes të qytetarëve shqiptar. Ndaj në këtë funksion, personalisht kam vendosur që të paraqes dorëheqjen si kryetar i LSI”, bëri të ditur sot kryetari Petrit Vasili.

Një vendim i papritur kur mendohet se LSI-ja e kishte projektuar zotin Vasili dhe si kryeministër të saj të ardhshëm në rast të fitores në zgjedhje. Ai lë kështu drejtimin e partisë pas pak më shumë se një muaj e gjysëm në krye të saj. Vetëm pak javë, gjatë së cilave ai u angazhua në fushatën elektorale, por duke mbetur disi në hije pas rikthimit në skenë të themeluesit të saj, Ilir Meta, i cili kish dhënë dorëheqjen pas zgjedhjes së president i ardhshëm i vendit. Për zotin Meta, i cili formalisht do të duhet shkëputet nga LSI-ja, menjëherë me marrjen e detyrës së Kreut të Shtetit, ndarja me partinë duket se nuk do të jetë shumë e dhimbshme. Bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi pritet të jetë kryetarja e ardhshme.

Zoti Vasili tha se kishte qenë ai që e kishte propozuar atë “si kandidate për Kryetare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, bazuar jo thjesht në pozicionin e Zv. Kryetares që ajo mbulon aktualisht por në radhë të parë për kualitetin politik të jashtëzakonshëm. Së dyti bazuar edhe në kualitetin e jashtëzakonshëm organizativ. Dhe së treti, besoj si një shkak më madhor, zonja Kryemadhi ka qenë një politikane aktive e cila nuk është bërë pjesë në asnjë rast e ekzekutiveve shqiptare në këto 8 vite”.

Zonja Kryemadhi, ka hyrë në politikë që në fillim të viteve ’90 dhe që prej asaj kohë ka zhvilluar një jetë shumë aktive duke qenë drejtuese e forumeve të ndryshme si të partisë socialiste ashtu dhe më pas të LSI-së. Vështirë që në zgjedhjen e saj e cila duhet të votohet nga Konventa të mërkurën e ardhshme, ajo të hasë në ndonjë rivalitet të mundshëm brenda partisë. (voa)

Shkup, prokuroria kërkon paraburgim për Nikolla Gruevskin

prokuroria e posacme RMProkuroria e posaçme e Maqedonisë ka bërë të ditur të enjten se do të ngrejë akuza kundër 94 personave fizikë dhe shtatë juridikë. Lëndët burojnë nga skandali i bisedave të pëgjuara telefonike, për çka prokuroria tashmë ka proceduar një numër rastesh në gjykatë. Në lidhje me akuzën e re Prokuroria e Posaçme do të kërkojë masa paraburgimi për tetëmbëdhjetë vetë, në mesin e të cilëve janë edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-drejtori i Shërbimit të Sigurimit, Sasho Mijallkov, ish-sekretarët e përgjithshëm të qeverisë Martin Protugjer dhe Kiril Bozhinovski, ish-ministrat e Transportit, Punëve të Brendshme dhe Kulturës, Mile Janakievski, Gordana Jankullovska dhe Elizabeta Kançevska Milevska. Kjo masë është kërkuar edhe për ish-zëvendës kryeminisrtit Vlladimir Peshevski dhe disa figura të tjera të njohura për opinionin publik maqedonas.

Rastet kanë të bëjnë me financimin e paligjshëm të partive, për manipulime të pronave, dëmtime të pronave të tjerëve, për shkatërrimin e paligjshëm të pajisjeve të përgjimit, për nxitje dhune dhe një sërë akuzash të tjera.

Por, ish-kryeminstri Gruevski, i cili është kryetar i partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, tha menjëherë më pas në një konferencë për gazetarët se Prokuroria e Posaçme është bërë një zyrë e Lidhjes Social Demokrate në pushtet dhe se akuzat paraqesin përndjekje të kundërshtarëve politikë. Zoti Gruevski theksoi se synimi është “që të thyhet VMRO-DPMNE-ja me qëllim të dobësimit të Maqedonisë, por se kjo nuk do të kalojë”, u shpreh ai, duke shtuar se “konstruktiviteti i shfaqur deri më tash, përfundon sot”.

Prokurorja e posaçme, Katica Janeva u tha gazetarëve se edhe për tre vjetë të ardhshme kjo prokurori do të punojë në hapjen e lëndëve të reja parahetimore dhe gjyqsore, ndërsa ajo shpreson se institucionet shtetërore do ta zgjasin mandatin e Prokurorisë së posaçme.

Kjo prokurori u themelua si rezultat i Marrëveshjes së Përzhinës të arritur verën e vitit 2015 ndërmjet katër partive më të mëdha politike dhe të ndihmuar nga SHBA dhe BE. Qëllimi i themelimit të saj ishte dhënia fund e krizës dy vjeçare që kishte përfshirë vendin pas skandalit të përgjimeve. Dhe përqendrimi i veprimtarisë së prokurorisë është bërë pikërisht mbi mijëra bisedat e përgjuara telefonike që asaj ia ka dorëzuar Lidhja Social Demokrate, atëherë në opozitë. Zonja Janeva ka bërë të ditur se vetëm pak mbi gjysma e këtyre bisedave janë analizuar dhe përpunuar. (voa)

Prokuroria: 9 vite burg për ish-kryebashkiakun e Vlorës

Shpetim GjikaProkuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë në Vlorë kërkoi sot dënimin me nëntë vite burg të ish Kryetarit të Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika.

Prokuroria e Vlorës njoftoi se në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të një procedimi penal nisur në vitin 2014, kërkoi dënimin e të pandehurit Shpëtim Gjika me 9 vite burgim, për kryerjen e veprave penale të shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe ndërtimit të paligjshëm.

Për ish shefen e Urbanistikës së Bashkisë së Vlorës Doriana Sulaj dhe për ndërtuesin Artur Haxhi Prokuroria kërkoi dënimin me 6 vite burgim. Prokuroria ka kërkuar edhe konfiskimin e kompleksit 11-katësh të ndërtuar në lagjen “Hajro Çakërri”, ne Vlorë, për të cilin u hetuan zyrtarët e lartë në Bashkinë e Vlorës dhe ndërtuesi.

Ish – kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika u arrestua në shkurt të vitit 2015 por më pas u la i lirë për shkak të gjendjes shëndetësore dhe u hetua nën masën e “detyrimit për paraqitje” nga Prokuroria e Vlorës. (voa)

Histori suksesi të imigrantëve në Silicon Valley

histori suksesi pakistaneziSilicon Valley në Kaliforni, e njohur si qendra globale e zbulimeve nga fusha e teknologjisë së lartë, është njëkohësisht një vitrinë e historive të suksesit për emigrantët. Në vitin 2013, dy biznese imigrantësh ishin në mesin e 5 sipërmarrjeve të Silicon Valley-t; tani ato janë bërë kompani të rëndësishme të rajonit. Por si e arritën suksesin në industrinë konkurruese të teknologjisë këta imigrantë të porsaardhur në Amerikë?

Silicon Valley në Kaliforni siguron një platformë prej nga ëndërrat shndërrohen në realitet. Ky është synimi që i kanë vënë vetes shumë emigrantë të sapoardhur në Amerikë. Të tjerë kanë ëndërra edhe më të mëdha.

Qasar Younis është një rast i tillë, ai është zyrtari kryesor i një prej firmave më të mëdha sipërmarrëse në Silicon Valley, “Y Combinator”.

Dikur ai ishte vetëm një fëmijë nga një fshat i prapambetur i krahinës Punjab të Pakistanit. Younis thotë se gjithmonë e dinte se do të kishte sukses në Silicon Valley:

“Mendoj se Silicon Valley është një vend i veçantë për mua; nëse i hedh një vështrim mbarë zonës, më tepër se gjysma e kompanive këtu janë krijuar nga emigrantët.”- thotë Younis.

Dikur fillestar në biznes dhe në nevojë për fonde, Younis tani drejton firmën “Y Combinator”, e cila u vjen në ndihmë kompanive të sapokrijuara që të rrisin biznesin e tyre.

Younis është pronari i një sipërmarrjeje kapitaliste – një investitor, i cili kur beson se një kompani e re do të ketë sukses, i jep asaj fonde, në shkëmbim të aksioneve në kompani. Younis u shndërrua nga pronar i një biznesi të ri, në një sipërmarrës, ndërsa një tjetër pakistanez, Dilawar Syed, bëri të kundërtën.

Freshdesk është një kompani me bazë në San Francisco, e cila ndërton aplikacione interneti, duke i ndihmuar bizneset të menaxhojnë shërbimin e klientëve. Presidenti i kompanisë, Dilawar Syed, thotë se Silicon Valley është më tepër sesa një rajon; është një mënyrë e të menduarit, që u krijon imigrantëve mundësi të mëdha.

“Mendoj se Silicon Valley është unike, pikërisht për shkak të këtij ekosistemi, këtu gjenden disa faktorë që u krijojnë mundësi njerëzve të zhvillohen, duke marrë risk mbi vete; ata shpesh dështojnë, por më pas arrijnë sukses, shumë shpesh në mënyrë spektakolare.”

Pra, cili është sekreti i suksesit në Silicon Valley?

“Merr mbi vete rrezik, pa patur frikë se mund të dështosh.” – thotë Syed.

“Së pari, bëhu inxhinier, së dyti, fillo një kompani tënden, në vend që të punosh për të tjerët.” – thotë Younis.

Këto ishin dy histori suksesi nga Silicon Valley, që shpresojnë të frymëzojnë brezin e ri të sipërmarrësve. (voa)

Sulme kibernetike në Ukrainë, Evropë dhe SHBA

sulme kibernetikeAi që u cilësua nga kryeministri i Ukrainës si një sulm kibernetik “i paprecedent” në vendin e tij, është përhapur tani në Shtetet e Bashkuara, tha sot kompania farmaceutike Merck.

“Konfirmojmë se rrjeti i kompjuterave të kompanisë sonë u sulmua sot si pjesë e një hakerimi global. Organizata të tjera janë prekur gjithashtu”, tha kompania Merck përmes një deklarate në Twitter.

Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare tha se po i monitoron sulmet dhe është në kontakt me partnerët e brendshëm dhe ndërkombëtarë.

“Jemi të gatshëm të mbështesim çdo kërkesë për ndihmë”, thuhet në deklaratë.

Bankat, zyrat qeveritare dhe aeroportet në Ukrainë ishin të parat që njoftuan për sulmin kibernetik. Zëvendës kryeministri i Ukrainës, Pavlo Rozenko publikoi një fotografi në Twitter të martën me pamjen e ekranit të kompjuterit të tij të mbyllur, duke thënë se selia e qeverisë ishte mbyllur.

Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se autoritetet në Ukrainë besojnë se sulmet kibernetike mund të kenë ardhur nga Rusia. Megjithatë, kompania ruse e naftës Rosneft njoftoi gjithashtu të jetë sulmuar në të gjitha degët e saj, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

Një numër kompanish të tjera evropiane kanë njoftuar se kanë qënë gjithashtu objekte të sulmeve kibernetike, përfshi gjigandin britanik të reklamave WPP dhe grupin industrial francez Saint-Gobain.

Ekspertët e informatikës e kanë identifikuar virusin si një program që përdoret zakonisht për të kërkuar një pagesë, duke mbajtur “të bllokuara” të dhënat në kopjuter, derisa të mbërrijë pagesa tek autorët e sulmit kibernetik. (voa)