Samiti përfundoi – Çfarë do të mbetet në kujtesë?

g20 merkelSamiti i G20-s dënoi qartë dhe njëzëri dhunën e pakuptimtë të demonstruesve në Hamburg. Ndërkohë në sallën e samitit mungonte uniteti i plotë në çështjen e klimës dhe tregtisë së lirë.

Në fund të samitit të G20-s në Hamburg kancelarja Angela Merkel pati edhe një takim të veçantë. Ajo falënderoi në një nga hollet e panairit, ku u mbajt samiti përfaqësuesit e policisë, që ditët e fundit siguruan punimet e samitit. Shkallëzimin e dhunës nga kundërshtarët militantë të globalizimit e dënoi edhe kancelarja. „Kush vepron kështu, ai nuk do të shprehë kritikë për politikën. Kush vepron kështu, e vendos veten jashtë bashkësisë demokratike.” Merkel premtoi ndihma për viktimat e dhunës.

Por banorët e lagjeve të Hamburgut, Schanzenviertel apo Altona, ku u shkatërruan dyqane dhe u vu zjarri automjeteve nuk mbetën të kënaqur me punën e policisë. Kritika ka pasur edhe ndaj kryebashkiakut të Hamburgut, Olaf Scholz që kishte thënë më parë se e garanton sigurinë. Megjithatë në fortesën, ku u takuan 19 krerët e shteteve dhe qeverive të G20-s, nuk depërtoi ndonjë demonstrues. 20.000 forca policore nga e gjithë Gjermania dhe shtetet fqinje mundën ta pengonin këtë.

Pa ujdi në mbrojtjen e klimës

Në fund të samiti vendet pjesëmarrëse të G20-s ranë dakord për një deklaratë përfundimtare që mbetet e mjegullt në disa pjesë të saj. Ujdi kishte në çështjen e rregullimit të tregjeve financiare e bllokimit të burimeve të financimit të terrorizmit e evazionit fiskal. Ky është edhe qëllimi bazë i G20-s i krijuar e përfolur si “qeveri botërore” në kulmin e krizës financiare në vitin 2008.

Por tek tema e ngrohjes globale konsesusi mori fund. Këtu ishin vetëm 19 vende të bashkuara, sepse SHBA e ka bërë të ditur largimin nga Marrëveshja e Klimës. Presidenti Donald Trump nuk donte të pranonte në Hamburg objektivin e reduktimit të emetimeve të gazrave ndotës.

“Aty ku mungon konsesusi, duhet të shqiptohet dasia”, tha Merkel që shprehu keqardhjen për largimin e SHBA-së nga kjo marrëveshje. “Jam mirënjohëse, që të gjithë krerët e qeverive dhe vendeve të tjera e shohin Marrëveshjen e Parisit si të pakthyeshme”, tha Merkel. Presidenti Trump u mjaftua vetëm me kontributin amerikan për vendet e tjera që duan të përdorin me teknologji të pastër energjitë fosile.

Trump lë përshtypje të mirë tek Putini

Presidenti amerikan, Donald Trump nuk u shqetësua nga ky izolim ndërkombëtar. Ai e falëndoroi me superlativa kancelaren Merkel për stilin e saj të drejtimit të samitit, një drejtim “fantastik”, sipas Trump. Skenën e Hamburgut ai e përdori për takime bilaterale. Takimi i parë i Trumpit me Putinin, sipas administratës amerikane ishte i suksesshëm. Trump ka biseduar për përzierjen ruse në fushatën zgjedhore të SHBA-së, por Putini ka hedhur poshtë këto fajësime. Putin tha në një konferencë për shtyp pas takimit, se është vendosur baza për një bashkëpunim të mëtejshëm. Përshtypja e Putinit është se “Trumpi i televizioneve dallon shumë nga Trumpi në realitet.”

Tregtia e lirë: SHBA bën lëshime

Ndërsa në çështjen e tregtisë së lirë, vendet pjesëmarrëse të G20-s arritën të kishin një ujdi, përkundër rezistencës amerikane ditë me radhë. Samiti pranon tregtinë e lirë dhe kërkon të forcojë instrumentet që vihen në funksionim, kur kjo tregti e lirë rrezikohet. Si arbitër do të mbetet edhe në të ardhmen Organizata Botërore e Tregtisë. Po ashtu përmendet në deklaratën përfundimtare edhe mundësia e hyrjes në tregje, një kritikë për Kinën, që përpiqet të mbrojë firmat e saj nga konkurrenca e investitorëve të huaj.

Donald Trump u shpreh kundër marrëveshjeve multilaterale, sepse sipas tij ato “nuk janë të drejta” për SHBA. Ai kërkon marrëveshje bilaterale, si psh me Britaninë e Madhe që kërkon të dalë nga BE. Megjithatë samiti ia doli të ketë një ujdi në këtë drejtim. “Përmes tregtisë së përbashkët ne mund të arrijmë më shumë se vetëm”, tha Merkel, një qëndrim që u nda nga të gjithë pjesëmarrësit.

Partneritet me Afrikën

Kancelarja Merkel arriti të realizonte edhe një dëshirë të saj në samit. G20 do të çojë përpara investimet për Afrikën. Përmes investimeve të drejtpërdrejta të firmave kërkohet t’i jepet hov ekonomisë afrikane. Shtetet e G20-s duan të ndihmojnë vendet afrikane me shtimin e financimeve që të mundësohen investimet e të krijohen perspektiva ekonomike. Plani “Compact with Africa” është pjesë e strategjisë së BE-së kundër valëve të migrimit nga kontinenti afrikan. Investimet gjermane në Afrikë përbëjnë vetëm 1% të investimeve të huaja në kontinent, listën e kryeson Kina, që nuk merret shumë gjatë me çështjet e mirëqeverisjes në vendet afrikane.

Oxfam nuk shikon komponenten sociale në samit

G20 ra po ashtu dakord të luftojë më fort epidemitë në botë dhe të mbështesë arsimimin e grave. Gratë dhe arsimi janë elementë kyç të zhvillimit dhe mirëqenies, thuhet në deklaratën përfundimtare të samitit. Në samit morën pjesë edhe organizata të shumta të shoqërisë civile. Jörn Kalinski nga Oxfam, organizatës për ndihmën e zhvillimit theksoi se „po bëhet gjithnjë e më e qartë, se G20 nuk është një grup homogjen, se interesat e vendeve të ndryshme bien gjithnjë e më shumë ndesh me njëri-tjetrin.” Oxfam kërkonte që tema “e padrejtësisë sociale” të vendosej në axhendën e samitit. Por kjo nuk u bë. Në bisedë me Deutsche Wellen, Kalinski tha se, kjo padrejtësi sociale po e hedh në erë unitetin brenda shoqërive, dhe “ky është një rrezik për demokracinë”.

Ndërkohë Donald Trump, në ditën e dytë të samitit u përfaqësua nga vajza e tij, Ivanka. Një stil i ri. “Kjo është brenda kuadrit të së mundurës”, u shpreh presidentja e samitit, Angela Merkel, pa lëvizur asnjë qerpik. Vitin e ardhshëm samitin e G20-s e organizon Argjentina. (dw)

Mbyllet takimi i G20-ës në Hamburg

g20Takimi i 20 vendeve më të zhvilluara të botës u mbyll të shtunën në një atmosferë protestash të dhunshme dhe me Presidentin Donald Trump në qendër të vëmendjes.

Mes arritjeve të zotit Trump, ishin një takim i ngrohtë me presidentin rus, Vladimir Putin, një marrëveshje për armëpushim të pjesshëm për Sirinë dhe një premtim për përshpejtimin e marrëveshjes tregëtare me Britaninë.

Por komunikata përfundimtare e takimit nxorri në pah qëndrimet e ndryshme me disa udhëheqës të 20-es për ndryshimin e klimës dhe një reagim ndaj perceptimit të tyre për politikën “Amerika e para” të presidentit Trump, që shihet gjerësisht si izolacioniste. Në deklaratën e tyre, udhëheqësit ranë dakord të “luftonin proteksionizmin”.

Në ditën e fundit të takimit, President Trump u takua me udhëheqësit e Britanisë, Indonezisë, Singaporit, Japonisë dhe Kinës.

Në një sesion për gratë sipërmarrëse, presidenti bëri një gjest pajtues ndaj organizatore së takimit të nivelit të lartë, kancelares gjermane Angela Merkel, ndoshta kritikja më e zëshme në takim ndaj politikave të Preisdentit Trump për tregëtinë dhe klimën.

Presidenti Trump e vlerësoi kancelaren Merkel për organizimin e takimit, megjithë protestat e vazhdueshme dhe u përshkallëzuan në Hamburg dhe përfshinë djegien e makinave dhe plaçkitjen e bisneseve.

Takimi i fundit i ditës i zotit Trump ishte me Presidentin kinez Xi Jinping, me të cilin ai pritej të trajtonte çështjen e vështirë të Koresë së Veriut. Zoti Trump ka kritikuar udhëheqjen kineze duke thënë se nuk e ka përdorur ndikimin tek Koreja e Veriut për ta bindur të heqë dorë nga provat me raketa.

Presidenti dhe delegacioni që e shoqëronte, u larguan nga Hamburgu menjëherë pas takimit me presidentin Xi.

Takimi Trump-Putin

Ishte pjesa që pritej më me padurim ndër aktivitetet e samitit të G20-tës. Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump u ul për herë të parë përkrah udhëheqësit të Rusisë, në kuadrin e samitit dyditor. Fryma e takimit ishte miqësore, dhe siç u shpreh Presidenti Trump, SHBA-ja pret “gjëra pozitive në marrëdhënien ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”. Zoti Putin tha se ishte “kënaqësi” që takoheshin personalisht dhe Presidenti Trump u përgjigj se ndjehej “i nderuar” që u takuan.

Takimin zgjati më shumë se dy orë, shumë më tepër nga ç’ishte parashikuar, saqë Presidentit Trump iu desh të shtynte për të shtunën një takim të planifikuar me kryeministren britanike Theresa May.

Megjithë tonin miqësor të takimit, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha se udhëheqësi amerikan e kishte pyetur vazhdimisht zotin Putin lidhur me akuzat se Rusia kishte n ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar.

Rusët kanë mohuar çdo lloj ndërhyrjeje në procesin e zgjedhjeve.

“Presidenti Trump tha se kishte dëgjuar pohime të prera nga Presidenti Putin se nuk ishte e vërtetë dhe se autoritetet ruse nuk kishin ndërhyrë në zgjedhje dhe zoti Trump tha se i pranon këto pohime (të zotit Putin). Kaq”, tha Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Në fund të takimit të nivelit të lartë, zoti Putin u tha gazetarëve se duhet të pyesnin zotin Trump nëse ai i pranonte apo jo pohimet e tij.

Zyrtarët amerikanë nuk e kanë konfirmuar përshkrimin e zotit Lavrov për përgjgjen e Presidentit Trump ndaj komenteve të zotit Putin. (voa)

Kosovë: Certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit

zgjedhjet ksTë shtunën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, certifikoi rezultatet e votimeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit duke i hapur rrugën procesit të ngritje së institucioneve të reja.

Përfundimisht, koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën ka fituar 33.74 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje 27.49 për qind ndërsa koalicioni i Lidhjes Demokratike, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, ka fituar 25.53 për qind.

Në bazë të këtyre rezultateve, koalicioni i parë ka 39 vende në parlamentin 120 vendesh, Lëvizja Vetëvendosje ka 32 vende dhe koalicioni LDK-AKR- Alternativa, ka 29 vende. Lista Serbe ka fituar 9 vende nga 10 gjithsej sa i takojnë komunitetit serb.

Nga dita e sotme, vendi ka një afat prej tridhjetë ditësh për mbledhjen e parë të parlamentit.

Asnjë nga koalicionet parazgjedhore dhe partitë politike nuk e ka numrin e mjaftueshëm të deputetëve për ta formuar qeverinë dhe kjo e ka bërë sfidues këtë proces dhe ka nxitur shumë debate por edhe kontakte nën rrogoz.

Sipas kushtetutës, presidenti i propozon parlamentit kandidatin për kryeministër nga radhët e koalicionit që është fitues i zgjedhjeve. Nëse kabineti i propozuar prej tij nuk siguron votat e mjaftueshme, përkatësisht së paku 61 vota, atëherë presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër dhe nëse as herën e dytë nuk formohet qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Tashmë është e qartë që presidenti i vendit do t’i jap fillimisht mandatin kandidatit të koalicionit të Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë dhe Nismës për Kosovën, Ramush Haradinaj. Por, ai bashkë me koalicionin e tij dhe deputetët e pakicave kombëtare ka 59 deputetë, dy më pak se sa votat e nevojshme për krijimin e qeverisë dhe është vënë në përpjekje për të siguruar të paktën edhe dy vota nga partitë tjera. Zyrtarë të këtij koalicioni pohojnë të kenë siguruar votat e mjaftueshme.

Ndërsa lëvizja Vetëvendosje e cila u rendit e dyta në këto zgjedhje shpreson në dështimin e koalicionit të udhëhequr nga Ramush Haradinaj për të krijuar qeverinë, ndërsa u ka bërë thirrje partive politike të koalicionit ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, që t’i fillojnë bisedimet për formimin e qeverisë së re të Kosovës. Tashmë ka pasur biseda ndërmjet këtyre forcave politike por ende nuk ka ndonjë marrëveshje.

Sipas ekspertëve të kushtetutës presidenti i vendit duhet të kujdeset për qëndrueshmërinë e funksionimin demokratik të kushtetutës dhe institucioneve të vendit dhe mbi bazën e kësaj në herën e dytë, nëse ndodhë, duhet të gjykojë se cili grup mund të krijojë koalicionin e ardhshëm qeverisës. (voa)

Maqedoni, qeveria ribalancon buxhetin

qeveria RMQeveria e Maqedonisë ka bërë ribalancimin e buxhetit, duke shkurtuar fonde për vete dhe duke i alokuar ato për nevoja themelore të qytetarëve. Parlamenti pritet pas pak javësh ta miratojë ribalancimin e buxhetit. Ndërkohë, ekspertët thonë se qeverisë do t’i duhet të hyjë në borxhe të reja për shpenzimet e domosdoshme dhe për ruajtjen e qëndrueshmërisë ekonomike.

Qeveria e Maqedonisë ka bërë mjaft shkurtime të buxhetit që kishte planifikuar qeveria e kaluar. Kryeministri Zoran Zaev u tha mjeteve të informimit se me ribalancin e buxhetit një përqindje e madhe e shpenzimeve joproduktive për reklamim, udhëtime e të tjera janë alokuar për nevojat themelore të qytetarëve.

Qeveria e re ka zbuluar se janë rreth 400 milione euro borxh i brendshëm që është fshehur nga pushteti i kaluar. Por shifra pritet të rritet edhe më tej, ndërsa 23 milionë euro, sipas zotit Zaev janë borxhe të fshehura për fatura të energjisë elektrike të institucioneve shtetërore, si dhe disa miliona të tjerë për fatura të tjera.

Një gjë që krijon një lloj pasigurie në çështjen e projektimit të buxheteve është padyshim çështja e censusit, që në Maqedoni nuk është realizuar që ga viti 2002.

Kryeministri Zaev thotë se do të angazhohet që censusi të bëhet brenda dy viteve të ardhshëm. “Kjo do të ndihmonte për projektime të ndryshme sociale, siç është ndihma për fëmijët pa përkujdesje”, thotë zoti Zaev.

Ndërkaq, ekspertët vlerësojnë se qeverisë do t’i duhet të hyjë në borxhe të reja për të ruajtur qëndrueshmërinë ekonomike dhe sociale.

Qeveria e Maqedonisë me ribalancin e buxhetit parashikon vazhdimin e ndërtimit të infrasrtukturës rrugore, përkatësisht autostradat e filluara Kërçovë – Ohër dhe Milladinovc-Shtip.

Nga ana tjetër, do të ndërpriten reklamat në rrjetin televiziv CNN për çka qeveria e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski kishte lidhur kontratë prej 950 mijë eurosh. Poashtu do të shkurtohen financimet për organizatat joqeveritare, për një pjesë të të cilave qeveria e kaluar ishte treguar mjaft bujare.

Sipas pritjeve, parlamenti i vendit dpas tre javësh do ta miratojë ribalancin e buxhetit. (voa)

Turqi: “Marshimi për Drejtësi” fuqizon opozitën

marshimi turqiUdhëheqësi i partisë kryesore të opozitës në Turqi ka nisur një ecje prej 450 kilometrash nga kryeqyteti i vendit, Ankaraja drejt Stambollit, për të protestuar kundër kalimit të vendit, sipas tij, në një sistem njëpartiak. I ashtuquajturi “Marshim i Drejtësisë” vjen pak kohë para përvjetorit të përpjekjes së dështuar të grushtshtetit në korrik të vitit të kaluar. Ngjarjet e 2016-s sollën një reagim të ashpër nga Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, që çoi në një fushatë të gjërë kundër atyre që Erdogan mendon se ishin të implikuar. Marshimi po bëhet një pikë qendrore e fuqishme për opozitën.

Dita e 20-të e “Marshit për Drejtësi” dhe Kemal Kiliçdarolu ende ka energji në hapat e tij.

Kreu 68-vjeçar i Partisë Popullore Republikane është kritikuar shpesh si udhëheqës i paefektshëm opozitar.

Tani, Kiliçdarolu po nxit lëvizjen kundër Presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe shtypjes një vjeçare të lëvizjeve apo grupeve që nuk janë dakord me pikëpamjet e tij politike.

“Ky marshim tashmë ka bërë një ndryshim. Për 20 ditë, dhjetëra mijëra njerëz po ecin së bashku duke shpallur të njëjtin mesazh të drejtësisë, është një reflektim i rritjes së ndërgjegjes dhe diçka pozitive tashmë po rezulton nga kjo nismë”, thotë protestuesi i opozitës Volkan Yosunlu.

“Adalet” do të thotë drejtësi, dhe ky është mesazhi i thjeshtë i marshuesve. Ata thonë se po përpiqen të shtrijnë mesazhin e tyre përtej vijave politike, për të kthyer vëmendjen tek mijëra njerëzit që janë burgosur dhe kanë humbur vendet e punës nga fushata shtypëse e Erdoganit pas grushtit të shtetit.

“Janë arrestuar deputetë, shumë gazetarë dhe akademikë. Sistemi arsimor është shkatërruar. Edhe sistemi gjyqësor është gjithashtu nën trysni të madhe. Kështu që të gjithë së bashku, njërëz nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, kërkojmë drejtësi”, thotë Zeynep Altiok, nënkryetare e Partisë Popullore Republikane.

Presidenti Erdogan akuzon marshuesit për tradhëti dhe bashkëpunim me grupet terroriste.

Por, ndërsa marshimi vazhdon, ai tërheq gjithnjë e më shumë përkrahës.

“Njerëzit po na japin mbështetje të madhe. Na përshëndesin dhe na urojnë më të mirën, na përqafojnë me dashuri, me sy të përlotur na thonë:”Zoti ju ndihmoftë”. Pra kemi parë një një mbështetje fantastike nga njerëzit. Kemi patur edhe disa reagime negative por deri tani ato kanë qënë kryesisht pozitive”, thotë një marshuese.

Erdogan ende gëzon përkrahje të konsiderueshme në vend. Mbështetësit e tij shpesh sfidojnë marshin e opozitës me këngë dhe shenja me katër gishta që simbolizojnë mbështetjen e tyre për presidentin.

Përçarjet politike në Turqi ka të ngjarë të thellohen, ndërkohë që më shumë njerëz i bashkohen marshimit. Marshuesit pritet të mbërrijnë në Stamboll të dielën, mes pritshmërive të mëdha dhe madje edhe ankthit. (voa)

Dy zona natyrore shqiptare përfshihen në UNESCO

malet shqiperiKomiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCOS, i mbledhur në Krakovë të Polonisë, tha se miratoi zgjerimin e zonës së Trashëgimisë Botërore të pyjeve të vjetër të Ahut me dy zona nga Shqipëria. Zona e Lumit të Gashit në Tropojë dhe Zona e Rrajcës në Përrenjas janë përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Pyjet e Ahut në Rrajcë janë pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, i cili është kthyer tashmë në një destinacion turistik në Juglindje të Shqipërisë. Ndërsa Zona e Mbrojtur “Lumi i Gashit ishte përfshir nga autoritetet shqiptare si Rezervë Strikte Natyrore kategoria I-rë, IUCN, në vitin 1996.

Zona ka një sipërfaqe prej 3.000 ha dhe është e vendosur në verilindje të Alpeve Shqiptare në Qarkun e Kukësit, rrethi i Tropojës, larg qendrës së banuar. Studiues të njohur shqiptarë të natyrës dhe Agjensitë e Zonave të Mbrojtura në Kukës dhe Elbasan punuan për dosjen e dy zonave natyrore shqiptare që tashmë do të mbrohen nga UNESCO.

Sipas studiuesve shqiptarë këto zona përfaqësojnë aktualisht ‘ishujt’ e fundit me pyje të virgjëra natyrore që kanë mbetur në Shqipëri. Në Listën e Pasurive Botërore të Unesco-s janë përfshirë nga Shqipëria Qyteti Antik i Butrintit,

Qytetet historike të Gjirokastrës dhe Beratit. që mbrohen në seri, si dhe në Pasurinë Gojore Botërore është pranuar edhe Isopolifonia shqiptare. Shqipëria pritet të dorëzojë në UNESCO edhe dosjen për emërimin e pjesës shqiptare të Liqenit të Ohrit pasi pjesa maqedonase e këtij liqeni, ku ndodhen edhe dy të tretat e sipërfaqes, është pjesë e Trashëgimisë Botërore që prej vitit 1979. (voa)

Mikullovci: Mund të ndodhë gjithçka, por kurrë që unë të votoj për PAN-in

Adem MikullovciAdem Mikullovci, në Kosovë njihet në radhë të parë si aktor. Por, ai mbahet mend edhe si delegat i Kuvendit të Kosovës në kohën e shpalljes së Deklaratës së 2 korrikut, 1990.

Tani, Mikullovci është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Si deputeti më i vjetër, ai së bashku me deputetin më të ri të përbërjes së ardhshme të legjislativit do të drejtojnë seancën e parë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës.

Në një bisedë të shkurtë për Radion Evropa e Lirë, Adem Mikullovci beson se Vetëvendosje do të formojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe përjashton çdo mundësi që ai ta votojë ndonjë kandidat për kryeministër nga subjektet tjera politike.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Mikullovci, ju keni qenë delegat i Kuvendit para luftës, ndërkohë që siguruat votat të jeni edhe tani deputet i Kuvendit të Kosovës. A prisni që Kuvendi i Republikës së Kosovës të arrijë të shmang ngërçin institucional, që po paralajmërohet rreth formimit të Qeverisë?

Adem Mikullovci: Unë pres që gjithsesi të kalohet ky ngërç sepse duhet të formohet Qeveria e re dhe të vazhdojë punën Kuvendi në përbërjen e legjislacionit të ri. Besoj shumë që PAN-i nuk do t’i ketë votat, nuk do ta formojë Qeverinë.

Qeverinë do ta formojmë ne si partia më e votuar, me numrin më të madh të deputetëve, pa koalicion me askënd. Kështu që pres që pas disa ditësh, Presidenti i Kosovës ta emërojë Albin Kurtin si kryeministër, si kandidatin më të votuar dhe Kurti ta formojë Qeverinë e re.

Radio Evropa e Lirë: Emri juaj është lakuar kur flitet për votën për kandidatin e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj. Do të votoni për zotin Haradinaj?

Adem Mikullovci: Unë nuk po kuptoj si ka mund të lakohet emir im në media. Por, them se unë jam aktor dhe kam profesion të studioj karakteret e njerëzve, psikologjinë e njerëzve, qëndrimet e njerëzve, dhe njerëzit më pa karakter, më të ndytë, hiena, qentë e luftës janë ata njerëz që kërcejnë nga një parti në tjetrën sipas nevojës të rastit për përfitime personale. Mund të ndodhë gjithçka në jetë, por një nuk mund të ndodhë, që unë të votoj për PAN –in, pra të ndërroj ideologjinë time.

Pse iu kam bashkëngjitë unë Vetëvendosjes – për me qenë pjesëtarë i një partie që po vjen, që do të sjellë ndryshime për të mirë, dhe këto ndryshime do t’i sjellë Vetëvendosja.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Mikullovci, ju si deputeti më i vjetër në Kuvend, a jeni i gatshëm të ndërmjetësoni në negociata në mes partive politike rreth koalicioneve të reja?

Adem Mikullovci: Jo. Pse të përzihem unë në mes tyre. Ata kanë bërë koalicione krye më vete. Ata i kanë programet e veta, planet e veta. Ne si Vetëvendosje nuk kemi nevojë fare të përzihemi në marrëveshjet e tyre, në planet e tyre. Ne e kemi programin tonë 40 pikësh, të cilin e ka paraqitur Albin Kurti dhe Vetëvendosje për Qeverinë e re, dhe absolutisht nuk ka nevojë që unë të përzihem në punët e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Po ju, si Vetëvendosje, do të bëni koalicion me ndonjë parti?

Adem Mikullovci: E këtë nuk e di. Nuk di si do të vjen puna. Ndoshta do të detyrohemi, pas dështimit që do të ndodh me PAN-in, e që mendoj se do të ndodhë. Por edhe nëse bëjmë koalicion, ne do ta bëjmë në një mënyrë tjetër, plan tjetër, program tjetër.

Gjykata Speciale, Kosova pret emrat e të akuzuarve

Dick MartyRaporti i senatorit zviceran Dick Marty, për Këshillin e Evropës i ka kushtuar Kosovës shumë. Pretendimet e tij për krime lufte dhe tregti me organe e zbehën imazhin e saj.

Kjo e shtyu Kuvendin që në emër të Kosovës të mbështesë krijimin e Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së.

Por tani pikëpyetja më e madhe ngelet se kush do të jenë të akuzuarit dhe sa do ta prekë e kaluara skenën e tashme politike të Kosovës, e cila prej kohësh pret emrat e të akuzuarve.

Shumë aktakuza mund të jenë të dhimbshme. Bekim Blakaj merret me dokumentimin e të gjitha krimeve të luftës. Shumë krime janë përmendur, por aktakuzat e para ai i pret në vjeshtë.

“Sigurisht, ato duhet të jenë të bazuara në pretendimet në raportin e Dick Marty, por konkretisht për incidente të caktuara nuk besoj që dikush në Kosovë të ketë informata”, thotë Blakaj.

Beogradi UÇK-në ende e konsideron si organizatë teroriste dhe shpesh herë ka dhënë alarmim për krimet e shqiptarëve. Nga ana tjetër, shumë shqiptarë nga Kosova presin një kërkim falje nga Serbia.

Milovan Dreçun, deputet në Kuvendin e Serbisë, thotë se Beogradi do t’i mbajë edhe aktakuzat serbe. Por nëse ato gjykohen në Hagë do të heq dorë.

“Nuk ka pajtim pa u gjykuar të gjitha krimet e luftës, përfshirë ato të UÇK-së terroriste, sikurse janë gjykuar edhe individë nga organet e sigurisë serbe që kanë kryer krime”, thotë Dreçun.

Gjatë luftës së Kosovës, sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtare, janë vrarë rreth 13.517 persona, prej të cilëve 10.415 shqiptarë, 2.197 serbë, 528 romë, boshnjakë dhe të tjerë.

Fati i 1.658 personave ende nuk dihet. Shumë viktima u transferuan në Serbi dhe ende nuk është pranuar nga palët as numri i saktë i viktimave.

/ Top Channel

Këshilli i Ministrave vendos blerjen e energjisë nga KESH-i

fletorja zyrtareKëshilli i Ministrave vendosi “blerjen e energjisë elektrike nga KESH në kushtet e një viti të pafavorshëm hidrik”.

Blerja e energjisë elektrike do të bëhet në zbatim të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim.

Niveli në liqenin e Fierzës ka zbritur në 272 m ndërsa prurjet janë tejet të ulëta.

/ Top Channel

Si votohet nё Gjermani?

sistemi i votimitNjё ditё dhe dy kryqe vendosin pёr katёr vjet. Kaq zgjat njё periudhё legjislative nё Gjermani. Mё 24 shtator do tё votohet pёr Bundestagun e ri. Por si funksionon zgjedhja e pёrfaqёsuesve tё popullit?

Fjalia mё e cituar pёr sistemin elektoral nё Gjermani ёshtё: Deputetёt zgjidhen pёrmes „zgjedhjeve tё pёrgjithshme, tё lira, tё barabarta dhe me votё tё fshehtё”. Kёshtu ёshtё përcaktuar nё ligjin themeltar nё nenin 38, paragrafi 1. Kjo do tё thotё, tё gjithё ata qё kanё mbushur moshёn madhore (janё tё paktёn 18 vjeҁ) lejohen tё japin votёn e tyre pavarёsisht nga pasuria, arsimi apo bindja politie qё kanё. Secili ka tё drejtё tё japё dy vota – njё pёr njёrin kandidat (vota e parë), dhe tjetra pёr njё parti (vota e dytё). Zgjedhja ёshtё e fshehtё. Deri kёtu gjithҁka ёshtё e qartё. E megjithatё sistemi gjerman elektoral nuk ёshtё si ai amerikan, britanik apo zviceran.

Gjermania, njё demokraci e pёrfaqёsuar

Dallimi mё i rёndёsishёm ёshtё, se forma gjermane e drejtimit politik nuk ёshtё direkte, por e pёrfaqёsuar. Nё tё deputeti luan njё rol qendror. Ai ёshtё si tё thuash pёrfaqёsuesi i vullnetit tё popullit. Zvicra konsiderohet si pёrfaqёsuesja klasike e demokracisё direkte. Zviceranёt i vendosin ligjet me referednum popullor. Nё Gjermani vendimet politike merren vetёm pёrmes pёrfaqёsuesve tё popullit, pra prej deputetёtve. Kjo ёshtё njё pёrgjegjёsi e madhe pёr secilin deputet tё zgjedhur.

Ligji themeltar, kushtetuta gjermane, e thekson nё mёnyrё tё veҁantё kёtё rol dhe e formulon: “Ju jeni pёrfaqёsues tё tё gjithё popullit, nuk jeni tё kushtёzuar me mandate dhe udhёzime, por i nёnshtroheni vetёm ndёrgjegjes suaj.” Por edhe votuesit tё thjeshtё ligji themeltar i jep funksionin e kontrollit. Kush mendon, se zgjedhjet nuk janё zhvilluar si duhet, ka tё drejtё t’i kontestojё ato.

Bundestagu

Qё nga viti 2002 Bundestagu Gjerman ka tё paktёn 598 deputetё. Gjysma e mandateve – 299 – u kalon kandidatёve, qё kanё marrё shumicёn e thjeshtё tё votave nё 299 qendra elektorale. Ata janё tё zgjedhur direkt. Pёr gjysmёn tjetёr tё mandateve, pra 299, vendosin po ashtu zgjedhёsit, por jo duke votuar drekt kandidatin, por partinё. Partitё i kanё dёrguar kandidatёt e tyre pёr Bundestagun nё tё ashtuquajturat lista tё landeve. Secila nga 16 degёt e partive nё lande pёrcakton pozicionet pёr politikanёt.

Listat e landeve nё varёsi tё madhёsisё sё landit pёrfshihen nё listёn federale, ku regjistrohen kandidatёt kryesorё. Angela Merkel edhe sivjet sёrish ndodhet nё vendin e parё tё listёs sё CDU-sё, Martin Schulz pёr herё tё parё kryeson listёn e SPD-sё. Shumё e rёndёsishme ёshtё, qё jo populli, por deputetёt zgjedhin nё fund kancelarin apo kancelaren.

Pragu i pesё pёrqindёshit

Njё veҁori nё ligjin elektoral gjerman pёrbёn pragu i pesё pёrqindёshit pёr pёrfaqёsimin parlamentar. Edhe nё vende tё tjera ka njё kuotё tё tillё minimale pёrfaqёsimi – 3,25 pёrqind nё Izrael apo 10 pёrqind nё Turqi. Nё Gjermani pesё pёrqindёshi ёshtё i kushtёzuar historikisht. Synimi ёshtё tё pengohet njё copёzim i pejzazhit partiak si nё vitet 1920, qё vёshtirёsoi stabilitetin e qeverieve tё mazhorancёs. Megjithatё kritikёt argumentojnё, nё kёtё mёnyrё shumё vota mbeten pa pёrfaqёsim. Mё 2013-n ishin gati shtatё milionё vota zgjedhёsish. Prej vitesh diskutohet pёr kёtё klauzolё bllokimi, sidoqoftё ajo do tё vazhdojё tё jetё e vlefshme edhe mё 24 shtator. (dw)