Kryemadhi merr drejtimin e LSI e sulmon Ramën

lsiNë Shqipëri Konventa e LSI-së zgjodhi mbrëmë në unanimitet, zonjën Monika Kryemadhi si drejtuesen e re të partisë. Zonja Kryemadhi nuk pati asnjë rival dhe votimi u krye formalisht përmes ngritjes së duarve me kartonat jeshil në favor. Ajo pason në këtë post zotin Petrit Vasili i cili dha dorëheqjen papritur javën e shkuar pas vetëm gati 7 javësh në drejtimin e partisë, duke zëvendësuar themeluesin e saj zotin Ilir Meta, i cili u tërhoq pas zgjedhjes si President i ardhshëm i vendit.

Ndërsa zgjedhja e zonjës Kryemadhi, bashkëshorte e zotit Meta, dhe një politikane me karrierë të gjatë, ishte thjesht një procedurë për t’u plotësuar, ranë në sy tonet shumë të ashpra kundrejt kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, ku ministrat e LSI-së vazhdojnë të jenë ende pjesë. Zonja Kryemadhi foli për një pushtet të kapur sipas saj nga oligarkët dhe krimi. “Ne do të jemi një forcë udhëheqëse opozitare. Ne do të jemi ata që do ta çojmë për skrap qeverinë e krimit të organizuar dhe të shitblerjes së votave. Edi Rama me paratë e drogës mund të blejë opozitën e deritanishme, mund të blejë edhe një ndërkombëtar, por me gjithë paratë e rruzullit tokësor, heshtjen e LSI-së kurrë nuk ka për ta blerë”.

Zonja Kryemadhi madje kërkoi ndjesë “për pjesën tonë të bashkëqeverisjes me Rilindjen e Edi Ramës. Ne nuk folëm hapur dhe qartë që kur nisëm të konstatonim që shqiptarët po keqqeveriseshin, e bëmë këtë në emër të fjalës së dhënë për të respektuar marrëveshjen që kishim për të qeverisur së bashku me socialistët. Ky ishte gabimi ynë që nuk reaguam fort, që kur nisëm të konstatonim që Shqipëria po kthehej në një plantacion droge. Ne nuk e ngritën zërin sa duhet kur Shqipëria po jepej e gjitha me koncesion. Ne duhet të kishim parandaluar këtë me masa ekstreme deri në bllokimin e parlamentit”.

Kryetarja e re e LSI-së paralajmëroi një opoztë të ashpër ndaj qeverisë së re. “Beteja jonë në parlamentin e ardhshëm do të jetë pikërisht ajo kundër kësaj kaste që ka marrë në dorë timonin e makinës së krimit dhe të drogës. Këtë herë tolerancë zero ndaj çdo veprimi të dyshimtë. Kundër çdo praktike korruptive dhe favori shtetëror ndaj të fortëve dhe oligarkëve. Përballë nesh nuk është një kundërshtar politik, por një kundërshtar i armatosur me krimin, me drogën dhe me arrogancën e korrupsionin, të gatshëm për të blerë çdo gjë me qëllimin e vetëm pushtetin dhe mbajtjen e pushtetit të tyre”, u shpreh zonja Kryemadhi. (voa)

Shirley Cloyes DioGuardi: Ekstradimi i fajtorëve për përdhunimet në Kosovë, të jetë kusht i negociatave

Shirley DioGuardiAfro dy dekada pas luftës në Kosovë, megjithë ndryshimet e shumta, disa nga plagët mbeten të hapura. Por për një nga kapitujt më të vështirë të saj, filloi të flitet vetëm vitet e fundit. Bëhet fjalë për përdhunimin e mijëra grave dhe vajzave nga forcat serbe dhe heshtjen që e mbështolli për vite me radhë këtë aspekt të dhimbshëm. Ekspertja e çështjeve të Ballkanit, Shirley Cloyes DioGuardi ka shkruar një kapitull për Kosovën, në një libër që sjell rastet e konflikteve të ndryshme të botës, ku përdhimi është përdorur si instrument i genocidit. Në një intervistë me kolegen Keida Kostreci, ajo flet për tronditjen që pësoi kur mori vesh përmasat e kësaj ane të luftës dhe për kompleksitetin e saj në një shoqëri ku ky krim lufte ndodhte në kushtet e një shoqërie patriarkaliste që e stigmatizon përdhunimin, si një turp për gruan dhe familjen dhe komunitetin.

Zëri i Amerikës: Zonja Dioguardi, kapitulli juaj në librin “Gratë dhe gjencodi”, i hedh një vështrim të hollësishëm përdhunimit, si armë lufte kundër grave në Kosovë. Në fillim desha të dija, cilat janë vëzhgimet tuaja në këtë kapitull për këtë aspekt aq të dhimbshëm të luftës?

Shirley Cloyes Dioguardi: Para së gjithash desha të them se ky libër dhe kapitulli im i titulluar “Thyerja e heshtjes së stërgjatur të përdhunimit gjenocidal në Kosovë”, erdhën në një kohë shumë të përshtatshme. Unë e fillova këtë proces në 2014-ën rreth gjashtë muaj pasi kisha lexova një artikull të shkëlqyer nga gazetarja nga Kosova Hana Marku dhe po zbuloja për herë të parë se përdhunimi si gjenocid në Kosovë, më në fund po bëhej pjesë e diskutimit publik. Ajo që zbulova është se që nga konventa e parë e Kombeve të Bashkuara kundër genocidit në vitin 1948 dhe deri kur ndodhi lufta e Bosnjes 1994-1995, falë gazetarëve ndërkombëtarë dhe lokalë, organizatave të grave në kontekstin e luftës së Bosnjës, për herë të parë përdhunimi nuk po konsiderohej më si diçka anësore që ndodhte në luftë, por tashmë konsiderohej si krim lufte. Pra bëhet fjalë për një hendek 45 vjeçar.

Dhe pastaj i bëra pyetjen vetes se pse në kontekstin e luftës së Kosovës, nuk iu kushtua kaq shumë vëmendje, në kohën që po ndodhte. Kishte disa arsye, por një nga arsyet kryesore ishte se komuniteti ndërkombëtar ishte aq i përqendruar tek përpjekjet për një zgjidhje mes Serbisë dhe Kosovës në Rambuillet, një zgjidhje për të cilën mund të isha ndoshta një nga të paktët njerëz që mund ta dija se Millosheviçi nuk do ta pranonte.

Vëmendja ishte atje megjithëse kishin dalë disa njoftime gjatë ofensivës serbe në verën e vitit 1998 dhe veçanërisht nga një doktoreshë që përfaqësonte Fondacionin e OKB-së për Popullsinë që i kishte paralajmëruar të gjithë: “Nuk po i kushtoni vëmendje përdhunimeve të shumta që po ndodhin në Kosovë”.

Për këto arsye në fillim ne nuk e morëm informacionin deri në fund të luftës. Por ndodhi edhe diçka tjetër.

Ai realitet u gërshetua me një realitet tjetër tragjik, për të cilin unë nuk isha në dijeni dhe kjo ishte një kulture turpi, e nderit të patriarkisë, të një shoqërie të mbizotëruar nga burrat, që do të mohojë realitetin e përdhunimit dhe pastaj të hedhë poshtë viktimat.

Sigurisht që jo të gjithë burrat e bëjnë këtë. Unë kombinova studimin tradicional me historinë gojore dhe doja që të përfshija analizën e grave të mençura që kemi në gjithë Kosovën, si gazetarja Hana Marku që përmenda më lart, Nora Ahmetaj që është një studiuese me peshë dhe punon për çështje të të drejtave të njeriut, Linda Gusia që është sociologe në Universitetin e Prishtinë, që më dhanë informacion të jashtëzakonshëm që ishte i nevojshëm për mua sepse doja të dija se çfarë po ndodhte në terren, si në shoqërinë rurale ashtu edhe atë urbane.

Zëri i Amerikës: Ky ishte një element shumë i dhimbshëm kur lexoje për të në kapitullin tuaj, sepse pjesa që duket e vështirë për ta trajtuar është se në një krizë të tillë, kur vendi është në rrezik, e gjithë popullsia është në rrezik, vëmendja nuk është shumë e përqendruar tek këto çështje. A mendoni se kjo është arsyeja që edhe ishte shumë e vështirë që të trajtohej dhe u zgjat procesi që të paktën të fillonte të pranohej ai realitet, ato krime që kishin ndodhur?

Shirley Cloyes Dioguardi: Po, dhe prandaj mendoj që është aq e rëndësishme që ta pranojmë tani se Serbia kishte synimin të vriste të gjithë shqiptarët, burra, gra dhe fëmijë. Por ashtu si forcat paraushtarake dhe ushtarake nën kontrollin e Millosheviçit, vepruan në Bosnje, ata bënë të njëjtën gjë në Kosovë. I ndanë burrat nga gratë, i morën burrat dhe djemtë dhe i vranë dhe përdhunuan gra dhe vajza. Përdhunimi është i lidhur me gjininë, kështuqë ka ardhur koha që vendi ta kuptojë që viktimizimi i kësaj natyre i grave, ishte një akt i qëllimshëm për të shkatërruar shoqërinë dhe është koha që të kuptohet se këto gra nuk ishin thjesht viktima, ato duhen nderuar si të mbijetuara, dhe anëtare të një rezistence dhe nëse ka diçka që më ngjall keqardhje të thellë, është kur shoh – dhe dua ta theksoj përsëri jo të gjithë burrat e bëjnë këtë – refuzimin që u bëjnë grave që i mbijetuan përdhunimit dhe torturës, burrat, familjet apo komunitetet e tyre. Kjo, në sytë e mi bie ndesh me thelbin e botës shqiptare që kam njohur unë, janë dy realitete të ndryshme. Në një botë shqiptare që njeh Besën, që njeh tolerancën fetare, që pavarësisht nga feja e gjithësecilit synimet shqiptare janë të përbashkëta, nuk mund t’u kthehet shpina grave brenda këtij procesi.

Nuk mund të ketë një lartësim të viktimave meshkuj të luftës, luftëtarëve të lirisë dhe të përjashtohen gratë që u përdhunuan dhe u torturuan dhe shumë prej tyre ishin luftëtatare të lirisë.

Pra është koha që historia e këtyre grave të bëhet pjesë e historisë së luftës.

Gjëja tjetër që më tronditi erdhi nga dy burime. Dhe kjo është jo vetëm që kontributi i grave u anashkalua, ose u la në hije në pjesën më të madhe por edhe i disa burrave. Dhe pati një arsye për këtë, sepse kur hynë Kombet e Bashkuara dhe perëndimi në përgjithësi, nga njëra anë pozita e gruas u forcua në kuptimin që kishte në sferën publike u bënë përpjekje për barazi gjinore, një angazhim për të respektuar traditën evropiane që të paktën një e treta e parlamentit duhet të ishin femra për shembull, pati një përpjekje për të dokumentuar përdhunimin e gruas, por në të njëjtën kohë komuniteti ndërkombëtar po shtypte si gratë, edhe burrat në diskutimet e tyre për luftën. Dhe ajo që ndodhi gjatë këtij procesi, ishte lartësimi veçanërisht i disa anëtarëve të UÇK-së dhe i atyre që ata mendonin se do të ndiqnin objektivat që kishin vendosur ata.

Ka ardhur koha, sipas mendimit tim që popullsia e Kosovës, pavarësisht nga gjithkush në Perëndim që ta fillojnë këtë dialog dhe ta vazhdojnë përtej pikës ku jemi sot.

Zëri i Amerikës: Kjo është një nga ato çështje ku mendoj se ndeshen nevoja për përparimit politik të statusit të një vendi dhe përballja me një çështje të mprehtë sociale. A është bërë kjo më e lehtë, me kalimin e kohës?

Shirley Cloyes Dioguardi: Po, në disa këndvështrime dhe kosovarët mund t’i përgjigjen më mirë kësaj pyetjeje. Por në disa drejtime po dhe kemi pasur përpjekje që në vitin 2012 dhe ka pasur një përpjekje nga gratë e të gjitha pjesëve të shoqërisë që thanë “mjaft më”. Ne duam që ato gra që vuajtën nga përdhunimi dhe tortura të jenë të përfshira në ligjin për viktimat, për luftëtarët e lirisë ose veteranët, që të kenë mbështetje, kompensime dhe ka pasur një farë suksesi, që do të thotë që gratë që janë përdhunuar janë integruar në grupin a atyre që kanë mbështetjen e shoqërisë. Në vitin 2014 ishte peticioni që qarkulloi që i kërkonte Kombeve të Bashkuara të bënin diçka, organizimi i të cilit u drejtua nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga. Por po aq sa ka njerëz që i vlerësojnë këto arritje, dhe unë jam një prej tyre, ka shumë të tjerë që mund të thonë se është pak vonë për OKB-në. Ata qeverisnin nga viti 1999 deri në vitin 2008 dhe mund ta kishin bërë këtë punë, por ndërkohë organizatat që kanë ndihmuar gratë edhe që nga pushtimi e më tej dhe që kanë dokumentuar se çfarë u ndodhi atyre që janë përdhunuar, që i kanë ndihmuar si MedicaKosova, qendra e rehabilitimit, Rrjeti i Grave në Kosovë, pra aftësia për t’u marrë me këtë, tani qendron brenda vendit.

Por ajo që vazhdon të ekzistojë është frika e shumë grave që të flasin dhe pse ndodh kjo? Për shkak të stigmatizimit të përdhunimit. Përdhunimi duhet të destigmatizohet. Ky nuk është kërcënim ndaj burrërisë, apo nderit të familjes.

Pra ka ardhur koha që t’u njihet dhimbja atyre grave dhe që të shihen jo vetëm si viktima por si njerëz që dhanë kontribute të mëdha, si pjesë e rezistencës gjatë luftës. Ato bënë aq shumë gjatë luftës dhe vuajtën aq shumë prandaj ka ardhur koha që të dëgjohet zëri i tyre.

Dhe do të shtoja gjithashtu që faktori tjetër ishte minimizimi i numrit të personave që u lejuan të jenë pjesë e procesit të negociatave dhe atyre nuk iu dha mundësia nga komuniteti ndërkombëtar të ishin pjesë e negociatave. Unë citoj në libër Veprore Shehun që ishte drejtore ekzekutive e Medica Kosova që thotë se një ambasador i huaj i kishte thënë “gratë nuk mund të përfshihen në diskutimet për planin Ahtisaari sepse ne nuk duam të fyejmë tranditën shqiptare”.

Pra përsëri kemi një ndërthurje të interesit të komunitetit ndërkombëtar për të shtypur ata që do të sfidonin rezultatin përfundimtar për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb nga njëra anë dhe nga ana tjetër stigmatizmi i vazhdueshëm i grave që ishin përdhunuar.

Zëri i Amerikës: Ju e përfundoni kapitullin duke thënë se askush nuk është sjellë para drejtësisë dhe doja të dija mendimin tuaj se sa e rëndësishme është kjo për të vendosur drejtësinë në vend dhe për t’u sjellë një farë paqeje këtyre grave, vajzave dhe mbesave të tyre?

Shirley Cloyes Dioguardi: Unë mendoj se është diçka thelbësore. Unë u befasova që mora vesh vetëm rreth periudhës 2014-2015 se ishin vetëm pak gra që shkuan para Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës për ish-Jugoslavinë që folën për përdhunim. Qeveria e Kosovës nuk dha të njëjtën mbështetje si ajo e Bosnjës. Unë isha e angazhuar në dy nga gjyqet kryesore ndaj shqiptarëve në gjykatë dhe as nuk isha në dijeni për gratë që kishin folur atje, prandaj duhet ta pranojmë që për të ecur përpara, shoqëria e Kosovës si një e tërë duhet të mbështesë rihapjen e kësaj çështjeje. Unë kam bindje të thellë që shkaktarët që të gjithë i dimë se cilët janë, që vazhdojnë të jetojnë pa probleme në Serbi, duhet të dërgohen para drejtësisë. Kjo mund të realizohet, por është e nevojshme që gratë që të flasin, duhet të mos jenë më në një ambjent që i bën të kenë frikë, duhet që ato të lartësohen, duhet të mbështeten, duhet t’i njihet dhimbja, historitë e tyre duhet të vlerësohen. Unë e di që mund të sigurojmë mbështetjen e firmave ligjore, sidomos në Londër, për të shkuar përpara me këto çështje, por do të na duhet të përballemi me vendimin se ku do të mbahe raundi i proceseve të para. Mund të jetë në Kosovë, por mund të jetë në Serbi. Dhe a do të lejojë Serbia ekstradimin e fajtorëve? Po të kisha qenë unë pjesë e negociatave, ekstradimi i këtyre kriminelëve do të ishte pjesë e kushteve për të vazhduar negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit. Disa prej atyre që ishin përfshirë janë ekstraduar por në gjyqet e tyre, përdhunimi as nuk është përmendur. Prandaj për mua ky është kapitulli i fundit dhe duhet ta çojmë përpara, por do të kërkojë bashkëpunim intensiv dhe mbështetje në gjithë Kosovën, si nga gratë edhe nga burrat.

Zëri i Amerikës: Si u përfshitë ju në shkruartjen e këtij kapitulli?

Shirley Cloyes DioGuardi: Ndoshta isha e destinuar ta shkruaja. Një mikes sime, Selma Leydesdorff që ishte shefe e Departamentit të Historisë Gojore në Universitetin e Amsterdamit, iu kërkua të kontribuonte tek ky libër “Gratë dhe Genocidi”. Ajo është eksperte për Bosnjën dhe ka shkruajtur një libër për masakrën e Srebrenicës, për gratë e Bosnjës. Ajo më kërkoi që të bashkëpunoja për kapitullin për Kosovën. Në fund, për arrsye personale ajo u tërhoq dhe redaktorja më kërkoi mua të vazhdoja. Ju siguroj, që nuk nuk do të kisha mundur ta shkruaja këtë artikull nëse disa nga gratë gazetare në Kosovë nuk do të kishin filluar të shkruanin për këtë çështje dhe ta kthenin atë në një çështje publike. Dhe në atë moment mendova: “O zot, që nga hera e parë që dëgjova për këtë çështje kur kaloja kufirin në gusht të vitit 1999, nuk e dija që ndoshta deri në 20 mijë gra ishin përdhunuar gjatë luftës”. Tashmë ishte koha e duhur.

Qytetarëve të Ohrit u kërkohet të mos u besojnë lajmeve të rrejshme rreth tërmeteve

Ohri-anijeQendra për Menaxhim me Kriza (QMK) u kërkon qytetarëve të Ohrit dhe pushuesve që të mos u besojnë thashethemeve që kanë për qëllim të nxitin panikë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Nga kjo qendër thonë se tërmetet janë të paparashikueshme prandaj kërkojnë nga qytetarët që të jenë të qetë dhe të vëmendshëm. QMK-ja kërkon nga qytetarët që të respektojnë udhëzimet e veprimit në raste tërmetesh, duke shtuar se janë të gatshëm që të reagojnë për të gjitha rastet.

Nga kontrollet e kryera deri tani, janë ndaluar dy objekte të viteve të 30-ta të shekullit të kaluar që të përdoren si strehë. Deri tani janë paraqitur 205 dëme në numrin 195.

Kujtojmë se Ohri është goditur nga mëse 800 tërmete në këto dy javë të fundit. Më i fuqishmi ishte 5.1 shkallë Rihter që shkaktoi dëme të pakta sipërfaqësore. /Telegrafi/

Osmani: LDK-ja e hapur për bisedime me Vetëvendosjen, por edhe me AAK-në e Nismën

Osmani“Kemi zhvilluar një takim inicial me grupin parlamentar të LDK-së ku unanimisht është vendosur që nuk do të ketë koalicion me PDK-në apo me PAN-in. Po ashtu është thënë që LDK-ja do të jetë e hapur për të diskutuar me Vetëvendosjen, por edhe me AAK-në dhe Nismën, në qoftë se ato shkëputen nga PDK-ja”, thotë Vjosa Osmani, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe femra më e votuar në zgjedhjet e 11 qershorit.

Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Osmani flet edhe në lidhje me mundësinë që ajo të marrë postin e kryetares së LDK-së.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Osmani, ku e shihni Lidhjen Demokratike të Kosovës pas zgjedhjeve të 11 qershorit, në koalicion me PAN-in, Vetëvendosjen apo në opozitë?

Vjosa Osmani: Votuesi i LDK-së, tash më shumë se çdo herë tjetër ka qenë i qartë, në raport me secilin prej nesh se e kundërshton çdo lloj bashkëpunimi me PDK-në, dhe rrjedhimisht edhe me një koalicion ku bën pjesë PDK-ja, që në këtë rast është koalicioni PAN.

Pra, absolutisht asnjë anëtar i LDK-së, qoftë në lidership, qoftë anëtar i thjeshtë, nuk ka mandat që të negociojë me PAN-in ose PDK-në dhe nuk ka mandat që të arrijë marrëveshje koalicioni me këtë parti, e cila e ka dëshmuar, për vite me radhë, në fakt që nga ekzistenca e saj, që është kundërshtari ynë kryesor politik dhe është e pamundur që të arrihen suksese evidente në një koalicion me një parti të tillë.

Prandaj, përgjigja e qytetarëve në raport me LDK-në ka qenë e qartë dhe nuk ka mënyrë që do të mund të arsyetohej çfarëdo koalicioni me PDK-në apo me PAN-in. Pra, kjo është tërësisht e përjashtuar.

Sa u përket opsioneve të tjera, besoj që brenda dy-tre ditësh do të ketë certifikim final të rezultateve. Tashmë kemi pasur një takim inicial me grupin tonë parlamentar dhe përveç që unanimisht është vendosur që nuk do të ketë koalicion me PDK-në apo me PAN-in, po ashtu është thënë që LDK-ja do të jetë e hapur për të diskutuar me Vetëvendosjen, por edhe me AAK-në dhe Nismën, në qoftë se ato shkëputen nga PDK-ja.

Cili do të ishte rezultati final i bisedave të tilla për formimin e Qeverisë është herët të thuhet.

LDK-ja e ka një program si anëtare e Partive Popullore Evropiane, brenda kornizave të të cilit patjetër duhet të qëndrojë, shkaku i ideologjisë si parti e qendrës së djathtë dhe ka një program qeverisës për të cilin patjetër që do të insistojë që të realizohet, pa marrë parasysh se a po flasim me VV-në, AAK-në apo Nismën. Dhe, me cilëndo nga këto që do të mund të ketë përafrime më të mëdha programore, natyrisht që shanset do të jenë më të mëdha për qeverisje.

Tani, ka një numër të madh të njerëzve brenda LDK-së, që preferojnë që LDK-ja të qëndrojë në opozitë dhe të përqendrohet në reforma gjatë këtyre viteve. Mirëpo, për shkak të konstelacioneve të numrave tani në Kuvend, LDK-ja natyrisht që duhet të angazhohet pozitivisht që të bisedojë edhe me VV-në, por në qoftë se AAK-ja dhe Nisma shkëputen nga PDK-ja edhe me ato të shihet se cila do të jetë mundësia që LDK-ja të ketë një rol të rëndësishëm në hapjen e rrugëve të Kosovës, qoftë në Bashkimin Evropian në përgjithësi në perspektivën e saj euro-atlantike.

Pra, për momentin nuk ka përgjigje përfundimtare se cili do të jetë rezultati apo epilogu i bisedimeve me Vetëvendosjen apo potencialisht me AAK-në dhe Nismën, në qoftë se shkëputen nga PDK-ja, por si mundësi ekzistojnë.

Radio Evropa e Lirë: Mbi bazën e cilave kritere apo kushteve politike LDK-ja do të përfshihej në një koalicion të ri qeverisës?

Vjosa Osmani: Siç e thash, primare për LDK-në është që të respektohen prioritetet programore, që LDK-ja tashmë i ka ndërtuar për vite me radhë, e jo vetëm gjatë kësaj fushate dhe gjatë këtyre zgjedhjeve, sepse janë prioritete qeverisëse dhe janë korniza programore që janë ndërtuar së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, që janë pjesë e Partive Popullore Evropiane. Ato janë prioritete qeverisëse që ne besojmë fuqishëm që do ta çojnë Kosovën përpara dhe i hapin rrugët e Kosovës.

Prandaj, këto janë kriteret tona dhe duhet të shikohet se sa do të mund të arrihet pajtim me Vetëvendosjen apo edhe me AAK-në dhe Nismën, për këto prioritete.

Natyrisht që çështjet tjera pastaj shumë më letë mund të determinohen, në qoftë se ka pajtim për programin dhe orientimet e tjera qeverisëse.

Radio Evropa e Lirë: Parashihni krizë eventuale sa i përket formimit të institucioneve të reja, sidomos të Qeverisë?

Vjosa Osmani: Krijuesi i krizës këtu mund të jetë vetëm presidenti i vendit [Hashim Thaçi], i cili fatkeqësisht po e keqinterpreton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë që vetëm fituesi i zgjedhjeve mund të mandatohet edhe në qoftë se dështon për herë të parë.

Në fakt, vendimi i Gjykatës është i qartë dhe në qoftë se koalicioni PAN, si fitues i zgjedhjeve dështon të krijojë numrat në përpjekjen e parë, atëherë Presidenti e ka obligim kushtetues që mandatin t’ia jap cilësdo parti e cila i ka 61 deputetë pas vetes, e jo domosdoshmërish vetëm fituesit të zgjedhjeve dhe në qoftë se ata nuk kanë më shumë se 59 deputetë, siç është dëshmuar deri më tani.

Pra, në qoftë se Presidenti i vendit dëshiron të vazhdojë të shkelë funksionin e vet si garantues i unitetit qytetar dhe të funksionimit të institucioneve, atëherë mund të vazhdojë ta bëjë këtë sepse fatkeqësisht po e ka të pamundur të zhveshë petkun e tij partiak.

Megjithatë, natyrisht se do të përballet me kërkesat e deputetëve për të interpretuar një shkelje të tillë kushtetuese.

Pra, besoj që është e qartë, që në qoftë se koalicioni PAN dështon për herë të parë, atëherë Presidenti patjetër duhet ta mandatojë këdo që i ka 61 deputetë të nënshkruar, dhe nuk do të kishte krizë në një rast të tillë.

Radio Evropa e Lirë: Marrë parasysh rezultatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit, a konsideroni se LDK-ja duhet t’i nënshtrohet tash një procesi të ri të reformave dhe të udhëheqjes së saj?

Vjosa Osmani: Procesi i reformave është i vazhdueshëm dhe kushdo që e mendon se ai mund të kryhet brenda dy-tri vjetësh e ka gabim. Unë jam në favor të një procesi të reformave që fillon nga poshtë, nga baza, nga nëndegët, që vazhdon në degë dhe në fund e përfshinë edhe lidershipin e LDK-së, sepse kjo është e vetmja mënyrë që ato reforma të jenë substanciale dhe të jenë të pranuara nga qytetarët sepse kjo do të thotë që po dëgjohet baza, po dëgjohet elektorati ynë.

Çfarëdo injorimi i zërit të qytetarëve, çfarëdo injorimi i asaj që e kërkon baza, natyrisht që e dëmton LDK-në. Kur saktësisht me datë, nuk është me rëndësi, kur ndodhin ndryshimet. Me rëndësi është që ato kur të ndodhin, të ndodhin ashtu si duhet.

Prandaj, unë tani jam në kontakt të përditshëm me nëndegët, me strukturat tona, për të parë se çka saktësisht po kërkon elektorati i LDK-së, sa i përket reformave dhe konfrom kërkesave të tyre do të duhej të silleshim.

Radio Evropa e Lirë: Sa jeni ju e gatshme të merrni timonin e udhëheqjes së LDK-së?

Vjosa Osmani: Sikur çdo herë tjetër që e kam thënë, e tëra që unë duhet ta përsëris është që nuk ka rëndësi posti që e kam, me rëndësi është që unë të jem pjesë e një procesi të ndryshimeve pozitive dhe reformave të thella në LDK.

Për këtë jam angazhuar për vite me radhë dhe për këtë do të vazhdoj të angazhohem pavarësisht pengesave që do të jenë. Tek e fundit, nuk është me rëndësi emri dhe mbiemri i kryetarit të partisë, me rëndësi është që LDK-ja të rikthehet si fuqi e parë në vend, dhe për këtë unë do ta jap kontributin tim, pavarësisht pozitës që e kam.

Radio Evropa e Lirë: Do të thotë që jeni e gatshme të udhëhiqni LDK-në?

Vjosa Osmani: Unë jam e gatshme që të vazhdoj të jem anëtare e devotshme e LDK-së, ashtu siç kam qenë deri më tani dhe të bëhem pjesë e cilitdo ekipi që e ka seriozisht procesin e reformave.

Radio Evropa e Lirë: Vetëm pjesë e ekipit apo të udhëhiqni një ekip, një parti, në këtë rast LDK-në?

Vjosa Osmani: Cilindo rol që e kërkon baza, që e kërkon elektorati dhe që do ta çonte LDK-në drejt kthimit si fuqi e parë politike në vend.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, ju do të mund ta bëni një gjë të tillë?

Vjosa Osmani: LDK-ja për ta bërë një gjë të tillë duhet ta merr seriozisht secilin anëtar të vet edhe në qoftë se ai anëtar pas vetes e ka vetëm një votë. Duhet t’i bashkojë të gjitha fuqitë, duhet t’i bashkojë të gjitha gjeneratat, mos të ketë logjikë përjashtuese por logjikë të bashkimit dhe atëherë besoj se qytetarët do ta shihnin fuqinë e vërtetë të LDK-së.

Radio Evropa e Lirë: Këto çështje që që i përmendët, po ndodhin apo jo në LDK?

Vjosa Osmani: Po ndodhin në disa raste. Në disa raste nuk është e kënaqshme mirëpo secili prej nesh do të duhet të jap kontribut që në të vërtetë gjithëpërfshirja të jetë sa më prezent, në të gjitha degët e LDK-së, që njerëzit të mos ndihen të përjashtuar dhe siç e thash, pavarësisht gjeneratave, të ketë një kohezion, një bashkim të brezit të pavarësisë dhe brezit të republikës dhe vetëm atëherë ndaj LDK-së do të kthehej besimi, që qytetarët e kanë pasur në të kaluarën.

Sulmon edhe mushkonja Tigër, dezinsektimi vetëm në zonat me pushues

Përveç, harrjeve mushkonja Tigër është një tjetër problem për pushuesit në Divjakë. Ndonëse dezinsektimi është kryer dhe vazhdon, ai kryhet vetëm në zonën e plazhit  dhe jo në të gjithë Divjakën

“Ne dezinsektojmë në një sipërfaqe të reduktuar vetëm 15 ha dhe jo në të gjithë parkun”, shprehet një nga përgjegjësit.

Në një raport të detajuar  të Ministrisë së Shëndetësisë mbi dezinsektimin në zonën e Divjakës theksohet se në programin e dezinsektimit janë përcaktuar vetëm 15 ha nga 5000 ha që është e gjithë sipërfaqja e zonës së plazhit.

Për këtë sipërfaqe do të duhej që dezinsektimi të bëhej me helikopter nga lart për shkak të dendësisë së pyllit, por kjo nuk lejohet për të mos dëmtuar speciet e shumta që gjenden në ketë zonë, përfshirë edhe Pelikanin Kaçurrel.

Në të është vendosur të përdoret vetëm lëndë biologjike dhe jo insekticide dhe dezinsektimi të kryhet nga toka, vetëm nëpër puseta apo pellgje me ujë të ndenjur si dhe në zonat ku ka banorë.

Por në raport theksohet gjithashtu se programi i kontrollit biologjik të larvave të mushkonjave nga Ministria e Shëndetësisë mundëson një sipërfaqe të kufizuar për shkak të një buxheti të caktuar.

/ Top Channel

Presidenti Macron: çfarë pushteti ka ai?

presidenti MacronSa pushtet ka Emmanuel Macroni për ta vënë në jetë politikën e tij? Shumë gjëra kërkohet që të bëhen ndryshe në Francë. Këtë Presidenti të paktën e bëri të ditur në fjalimin e tij për gjendjen e “Grande Nation”.

Për të matur sasinë e pushtetit të Presidentit francez, të cilin disa politologë e citojnë si “monark republikan” ose “si një lloj mbreti”, duhet analizuar pushteti i tij. Në Paris ai nis që në daljen e tij në Pallatin Elysee përballë publikut. Përpara se të dalë Presidenti, del një shërbëtor me veshje të posaçme dhe me doreza të bardha, i cili njofton mbërritjen e “Monsieur le Président de la République” dhe të gjithë të pranishmit ngrihen në këmbë. Të gjithë. Kjo është pamja e jashtme. Pushteti i vërtetë i Presidentit francez, i parë në detaje, është i habitshëm dhe i kalon kompetencat e të gjithë kryetarëve të tjerë të shteteve evropiane.

Politika e jashtme dhe e sigurisë

Presidenti në Francë përcakton politikën e jashtme dhe është kryekomandant i Forcave të Armatosura. Ai mund të vendosë i vetëm për përdorimin e armëve bërthamore. Për Francën, është Presidenti vetë që i drejton të gjitha delegacionet franceze në të gjitha takimet e rëndësishme evropiane dhe ndërkombëtare. Ambasadorët francezë në botën e jashtme akreditohen nga Presidenti i shtetit.

Vendimet për personelin

Presidenti i shtetit francez emëron (dhe shkarkon!) kryeministrin dhe ministrat e tij. Monsiéur le Président drejton mbledhjet e kabinetit dhe lejohet madje të përcaktojë rendin e ditës së tyre. Veç kësaj ai ka të drejtë të shpërbëjë edhe Parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të reja.

Bashkëvendosja në drejtësi

Ajo që në Gjermani dhe në shumë shtete të tjera është e papërfytyrueshme për shkak të ndarjes së rreptë të pushteteve, është e mundur në Francë. Këtu, Presidenti i shtetit madje mund të emërojë edhe anëtarët e Këshillit Kushtetues (Conseil constitutionnel) – deri dhe Presidentin e tij. Me këtë ai përcakton peshën politike që vendos si interpretohet kushtetuta.

Politika e brendshme

Presidenti i shtetit francez mund të kthejë mbrapsht projektligje dhe të kërkojë një debat të dytë për projektligjet. Kjo kërkesë, sipas nenit 10 të kushtetutës, atij nuk mund t’i kundërshtohet.

Presidenti francez mund t’i drejtohet në çdo kohë me mesazhe Parlamentit dhe të ushtrojë në këtë mënyrë ndikim në politikë. Në rast krize, kur duket se funksionimi i rregullt i shtetit nuk është më i garantuar, kushtetuta franceze lejon me nenin 16, që Presidenti të ushtrojë pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv. Për gjendjen e jashtëzakonshme nuk ka kohëzgjatje maksimale. Themeluesi i republikës së pestë aktuale, Charles de Gaulle i aplikoi rregullat për gjendjen e jashtëzakonshme pas puçit të gjeneralëve në Algjeri në vitin 1961.

Kufizimi i pushtetit

Meqenëse Presidenti francez përcaktohet në zgjedhje direkte nga populli dhe jo nga partitë, ai nuk ka pse tregohet i kujdesshëm as ndaj partisë së tij. Disa herë megjithatë ka ndodhur, që Kryeministri, si njeriu i dytë në shtet, e detyroi Presidentin e shtetit që të bëjë kompromise. Shkaku: kryeministri ishte nga kampi kundërshtar politik dhe Presidenti i shtetit nuk e kishte me vete shumicën parlamentare. Juristët e së drejtës së shtetit e quajnë këtë “kohabitacion”. Me fjalë të tjera: një martesë politike e imponuar.

Për këtë përqendrim pushteti, kohët e fundit është diskutuar shumë dhe janë ushtruar edhe kritika të ashpra.

Këto kritika mbështeten para së gjithash nga pyetja që shtrohet me ankth, se çfarë mund të kishte bërë me këtë post Marine le Peni, po t’i kishte fituar zgjedhjet. Në vitin 2008 u ndërmorr një reformë kushtetuese, me të cilën u forcua roli i Këshillit Kushtetues. Në vitin 2002, kohëzgjatja e mandatit të Presidentit francez u shkurtua nga shtatë në pesë vjet. Kjo në një kohë kur Presidenti francez gëzon “imunitet” juridik, për aq kohë sa është në post. Një shkarkim është i mundur vetëm në raste “shkeljesh të rënda”, kur në Parlament votojnë për këtë dy të tretat e deputetëve.

Paratë dhe luksi

Presidenti francez nuk duhet t’i japë llogari askujt, si vepron ai me kontributet shtesë, përveç të ardhurave të tij prej rreth 240.000 eurosh në vit (80.000 euro më pak se Angela Merkel). Këtu bën pjesë banimi në Pallat ose në vila pushimesh. Këtu bëjnë pjesë edhe të gjitha vaktet. Dhe një qilar vere i mbushur plot në Pallatin Elysèe. (dw)

Kosovë: Arrestime për vrasjen e dy policëve 13 vjet më parë

Prokurori i shtetitNë Kosovë, Prokuroria e Posaçme tha se janë arrestuar katër persona gjatë një operacioni në kërkim të të dyshuarve për vrasjen e dy zyrtarëve të policisë në vitin 2004.

Në operacionin në shkallë të gjerë ishin përfshirë 35 zyrtarë policorë ndërkombëtarë dhe 100 zyrtarë policorë nga Kosova, që ishin vënë në kërkim të shtatë të dyshuarve për vrasjen e dy zyrtarëve dhe tentim vrasjen e dy të tjerëve në vitin 2004.

Arsim Rustolli, pjesëtar i Shërbimit Policor të Kosovës dhe polici nga Gana, Kojo Essuman, që shërbente në policinë e Misionit të Kombeve të Bashkuara qenë vrarë më 23 mars të vitit 2004 , derisa ishin në një patrullim të përbashkët në një fshat të komunës së Podujevës, në veri të Prishtinës.

Prokuroria tha të hënën se dy veta janë arrestuar me urdhër të gjykatës në operacionin e sotëm gjatë të cilit u arrestuan edhe të tjerë për armëmbajtje pa leje, Një person tjetër pritet të ekstradohet nga një shtet i jashtëm dhe të arrestohet gjatë ditës në lidhje me të njëjtin rast, thuhet në njoftim por pa u dhënë hollësi të tjera.

Në lidhje më këtë vrasje qenë arrestuar 13 persona, por 12 syresh u lanë të lirë në mungesë provash dhe njëri që dënuar në vitin 2007 me 30 vjet heqje lirie. (voa)

Themeluesja e xhamisë liberale Seyran Ates akuzon Turqinë

Seyran AtesNjëra nga themelueset e xhamisë liberale në Berlin akuzon tërthorazi qeverinë turke si përgjegjëse për kërcënimet me vdekje ndaj saj.

Themeluesja e xhamisë liberale Seyran Ates akuzon tërthorazi qeverinë turke si përgjegjëse për kërcënimet me vdekje ndaj saj. Mediat e afërta me qeverinë turke thonë se xhamia e re “Ibn-Rushd-Goethe-Moschee” e hapur para pak javësh në Berlin, është pjesë e lëvizjes së Fetullah Gülen. Vetë iniciatorja e xhamisë liberale, Seyran Ates shprehet se „kjo krijon pastaj përshtypjet: Gülenistë, terroristë, dhe të jashtë- ligjshëm”.

Pas themelimit të xhamisë në qershor kemi marrë kërcënime të hapura me vdekje, tha avokatja Ates. Tani ajo mbrohet gjatë gjithë kohës nga policia. Mediat nuk janë të lejuara të bëjnë tani xhirime në xhami gjatë faljes, për shkak se nga hera e fundit shumë njerëz që kanë qenë prezent janë kërcnuar dhe janë sulmuar në rrugë. Në xhaminë e Berlinit burrat dhe gratë mund të falen bashkë.

Lideri i partisë së Gjelbërt Cem Özdemir akuzon presidentin turk Rexhep Taijp Erdogan për nxitje të frikës mes turqve në Gjermani. Kushtetuta gjermane mbron lirinë e fesë. Qeveria gjermane duhet të ta bëjë këtë të qartë „Sulltanit në Bosfor”, tha Özdemir gjatë vizitës së tij në xhami, ku shprehu edhe mbështetjen morale për të.

Kritika të ashpra vijnë edhe nga peshkopi protestant i Berlinit, Markus Droge që thotë: Forma, me të cilën Seyran Ates kërcnohet, fyet dhe diskreditohet, është e papranueshme. Ai është „i tronditur” nga fakti se Seyran Ates është në mbrojtje nga policia për shkak të kërcënimeve. Çdo njeri duhet të ketë të drejtën të predigojë fenë e vet sipas interpretimit të tyre. “Kjo duhet të vlejë edhe për jetën e myslimanëve në Gjermani”, kërkon Droge. (dw)

Mosmarrëveshjet mes Sllovenisë dhe Kroacisë për kufirin

Slloveni KroaciKomisioni Evropian pret nga Sllovenia dhe Kroacia të zbatojnë në tërësi vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit. Gjykata në Hagë ka vendosur që problemet rreth kufirit të zgjidhen sipas librave kadastrale.

Nënkryetari i parë i Komisionit Evropian, Frans Timermans është përfaqësuesi i parë i KE që paraqet publikisht qëndrimin për vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit, lidhur me mosmarrëveshjet mes Kroacisë dhe Sllovenisë për vijën kufitare. “KE në këtë moment e pranon vendimin përfundimtar dhe pret që palët t’a zbatojnë këtë vendim”, tha Timermans. Past takimit të komisionerëve evropianë në Strasburg, ai tha se KE gjithmonë është angazhuar për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve mes vendeve anëtare të BE. BE ka ndërmjetësuar në konfliktin mes Kroacisë dhe Sllovenisë në kohën kur ka nisur procesi i arbitrazhit në vitin 2009.

„Ne përshëndesim vendimin e kryeministrave të Sllovenisë dhe Kroacisë që të takohen me 12 korrik. Komisioni Evropian shpreson se kryeministrat do të dakordohen për zbatimin sa më të mirë dhe më të shpejtë të vendimit të Gjykatës”. Në KE thonë se ata do të mbikqyrin procesin e zbatimit të vendimit.

Kryetari i Partive Popullore Evropiane, Manfred Weber thotë se Sllovenia dhe Kroacia duhet të vazhdojnë dialogun dhe të gjejnë rrugën më të mirë për zgjidhjen e problemeve dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës. Por ai sugjeron që BE të mos mbështetë asnjërën prej palëve.

Vendimi i bazuar në drejtësinë ndërkombëtare

Tanja Fajon thotë për Deutsche Wellen se vendimi për kontestin kufitar mes Kroacisë dhe Sllovenisë është marrë mbi bazat e të drejtës ndërkombëtare dhe ai duhet të repsektohet nga palët. Fajon-i pohon se institucionet evropiane duhet të ushtrojnë presion ndaj palëve për të zbatuar vendimin. „Asnjë vendim nacional nuk guxon të jetë mbi të drejtën ndërkombëtare. Sllovenia dhe Kroacia janë dakorduar që t’i zbatojnë këto ligje dhe vendimet. Tërheqja e Kroacisë nga procesi në Gjykatën e Arbitrazhit nuk është pranuar nga gjykatësit ndërkombëtarë. Ata kanë marrë një vendim përfundimtar dhe këtu nuk bëhet fjalë për Kroacinë apo Slloveninë, por për të drejtën ndërkobmëtare. Në të ardhmen Kroacia do të jetë në kontest me Gjykatën e Arbitrazhit dhe jo me Slloveninë”, pohon Fajon.

Sipas saj, Gjykata e Arbitrazhit është vendi i duhur për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve rreth kufijëve në Ballkanin Perëndimor – nëse këto vende nuk merren vesh mes vete me marrëveshje bilaterale. Ballkani ka nevojë për një instrument të fuqishëm, që do të respektohet nga palët. Ndryshe sërish mund të shpërthejnë konfliktet dhe të cënohet stabiliteti, thotë Tanja Fajon në bisedë me DW.

Interëesat e përbashkëta

Ndërsa Dubravka Shujica nga Partia Evropiane Popullore e Kroacisë, thotë se palët duhet të zgjidhin problemin me bisedime bilaterale. “Kroacia i beson drejtësisë ndërkombëtare, por vetëm kur kjo drejtësi është e pastër dhe në harmoni me rregullat ligjore. Komisioni Evropian e ka ndihmuar procesin e arbitrazhit, por ai nuk ka kurrfarë kompetencash mbi këtë Gjykatë”, thotë ajo.

Shujica pohon se Sllovenia dhe Kroacia janë vende fqinje, anëtare të BE dhe NATO-s, që kanë shumë tema të përbashkëta. Ajo mendon se Kroacia është e hapur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. “Qëllimi primar i Kroacisë është ruajtja e interesave nacionale dhe këtë do ta bëjë gjithmonë. Por ne duam të ruajmë edhe raportet e mira fqinjësore me vendet tjera. Ndaj jemi të interesuar që problemet t’i zgjidhim me dialog bilateral”, pohon Shujica, në bisedë me DW.

Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit

Gjykata e Arbitrazhit në Hagë ka vendosur që problemet rreth kufirit mes Sllovenisë dhe Kroacisë të zgjidhen sipas librave kadastrale nga koha e ish-Jugosllavisë. Kjo i mundëson Sllovenisë edhe dalje në detin Adriatik. Kroacia ka kërkuar tërheqjen nga procesi, për shkak të disa informacioneve, se vendimi në favor të Sllovenisë është marë para dy vitesh, ndërsa tani është kumtuar. Pala kroate mendon se ka pasur keqpërdorime gjatë këtij procesi, gjë që pala sllovene e ka hedhur poshtë.

Gjykata e Arbitrazhit është përmendur deri tani shpesh edhe si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, por edhe Kroacisë dhe Serbisë.  (dw)

Harrjet, problemi i verës

shqiperi pushimeInsekti që njihet me emrin harrje në gjuhën popullore, i shfaqur masivisht këtë vit në Divjakë, është  shndërruar në problem për pushuesit.

Nga pickimi i tyre qytetarët janë mbushur me puçra të mëdha në lëkurë të shoqëruara këto me kruarje. Ekspertët  thonë se nuk janë të rrezikshme përsa kohë nuk transmetojnë sëmundje infektive, pasi sëmundja që ato përhapin nuk është në Europë, theksojnë ata.

Specialistja Enkelejda Dikolli ndodhet në Tropojë për të parë rastet atje.

“Është agresiv. Ka qenë gjithmonë i pranishëm në vendin tonë, por ndjeshmëria këtë vit ka qenë më i lartë dhe në varësi të personave që pickohen, shkakton reaksione alergjike të forta. Nga pickimi kruarjet mund të vazhdojnë deri pas 48 orësh dhe shenjat, si gunga e kruarjet ka raste deri në tre javë”, thotë Dikolli.

Përveçse në Divjakë, harrjet këtë vit jane ndeshur edhe në Shirokë, Lezhë, Orikum e vende të tjera, pasi ato zhvillohen në ato zona ku ka ujë të rrjedhshëm. Zhvillimi i tyre fillon që në muajin mars, por pikun e arrijnë në qershor dhe fluturojnë në turma.

“Personat e ndjeshëm të shmangin ekspozimin në kulmin e aktivitetit të harrjeve, që është në mëngjes nga ora 9 deri në orën 10 dhe në mbrëmje me freskimin e kohës, ku janë shumë aktive. Po ashtu këshillohet edhe përdorimi i lëndëve larguese, si kremi apo në formë spraji”, thotë ajo.

Sipas Dikollit, desinsektimi që po bëhet për mushkonjat nuk ndikon aspak për harrjet. Për këtë insekt nuk ka shumë njohuri në vendin tonë. Vetëm tani specialistët tanë nën konsulencë edhe të ekspertëve të huaj janë duke monitoruar situatën për të ngritur me pas një program desinsektimi, ashtu sikurse dhe për mushkonjat.

/ Top Channel