Tubim i lëvizjes për bojkotin e garës Basha – Selami

PatoziGrupi i nismëtarëve të një lëvizje politike brenda partisë demokratike zhvilluan në mbrëmje një takim të gjerë publik me qindra përkrahës, duke bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të të shtunës për postin e kryetarit të kësaj partie.

Besnik Mustafaj, një nga themeluesit e PD-së, tha para auditorit se ai nuk do të marrë pjesë në votimet e të shtunës, sepse nuk dëshironte të bëhej pjesë e një gare farsë midis konkuurentëve Lulzim Basha dhe Eduard Selami. Ai tha se zhvillimet e të shtunës do ta futin këtë lëvizje brenda PD-së në një etapë të re.

“Me marrëveshjen me Edi Ramën, Basha nuk shkatërroi vetëm PD-në por gjithë të djathtën shqiptare – tha zoti Mustafaj. – Duke i kërkuar dhe imponuar PD-së zgjedhje të lira e të drejta, garë të ndershme e transparente, kthimin e saj në një hapësirë lirie dhe debati, lëvizja jonë do të sjellë ringritjen e të djathtës shqiptare dhe këtë nuk mund tja mohojë as Rama as Basha”.

Një tjetër pjesëtar i kësaj lëvizje, Astrit Patozi, tha në tubim se ata po përpiqen ta shërojnë Partinë Demokratike nga garat farse, sepse ajo ka nevojë për garë të drejtë dhe jo për farsa.

Ai u bëri thirrje demokratëve që të refuzojnë garën e 22 korrikut Basha – Selami, sepse ato nuk janë zgjedhjet e tyre, zgjidhja e hallit të Bashës për të mbajtur karrigen e kryetarit.

“Humbja dërrmuese e Bashës më 25 qershor dhe fitorja e pamerituar e Ramës u ka ulur kokën demokratëve. Nëse 22 korriku nuk do të ndalet, asgjë nuk do të jetë më si më parë. Ne nuk mund të bëhemi pjesë e një maskarade që synon rrëmbimin në mes të ditës të mandatit të kryetarit të PD-së” – tha zoti Patozi.

Tubimi i zhvilluar në Tiranë ishte i fundit pas një serie takimesh në rrethe dhe një ditë para zgjedhjeve në partinë demokratike për postin e kryetarit. (voa)

BFI-ja shprehet që është kundër çerdhes fetare në Shkup

BFINë lagjen Gazi Babë të Komunës së Çairit në Shkup funksionon një kopsht për fëmijë i quajtur “Bleta” i cili u mëson të vegjëlve edhe rituale fetare. Denoncimi i një mësimi të tillë u bë fillimisht në rrjetet sociale. Alsat M inspektoi objektin ku ndodhet ky kopsht.

Sipas informacioneve të siguruara në rrethana anonimati, mësuam se bëhet fjalë për një kopsht i cili funksionon të paktën që nga viti 2014. Burimet shtojnë se edukimi në kopsht nuk është i orientuar vetëm nga modeli fetar, por mësohen gjuhë të huaja, aktivitete fizike dhe zbavitëse.

Megjithatë, një kopsht për fëmijë i quajtur “Bleta” me adresë në Shkup nuk figuron as në listën e kopshteve publike dhe as të atyre private. Ministria për Punë dhe Politikë Sociale ka ndërmarrë inspektime për të verifikuar nëse kopshti është i regjistruar, kush qëndron pas tij, cili është aktiviteti zyrtar dhe mbi çfarë baza shkel mbi dispozitat Kushtetuese të shtetit laik. Deri më tani nga dikasteri i Punës dhe Politikës Sociale nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare si përfundim nga inspektimet në terren. Nga Komuna e Çairit, aty ku edhe graviton kopshti thonë se për një institucion të tillë edukativ nuk janë në njohuri.

”Vlerësoj se nuk duhet të shpejtohet në këtë rast dhe të flitet për situata hipotetike, por çështja duhet të verifikohet dhe t’i kalohet ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale e cila ka kompetencën e plotë”, deklaroi Kushtrim Alla, Zëdhënës i Komunës së Çairit.

Bashkësia Fetare Islame nga ana tjetër dënon veprimet e tilla. I pari i BFI-së Sulejman Rexhepi thekson se kopshtet fetare në Maqedoni nuk janë të lejuara dhe se një veprim të tillë do ta luftojë në mënyrë institucionale.

”Pa pëlqimin tonë atë veprim nuk mundet ta bëj askush dhe as të mos i ik mendja për diçka të tillë. Neve nuk lejojmë që fëmijët tanë të pavetëdijshëm të na infektojë ndokush. Sa është informim dhe edukim aq mund të jetë edhe helmim. Unë ju garantojë dhe i them atyre që me të gjitha organet e mija i kundërvihemi njëzëri”, tha Sulejman Rexhepi, Kryetar i BFI-së.

Video materialet dhe fotografitë e publikuara ditë më parë në rrjete sociale përshkruajnë aktivitete e të vegjëlve në kopsht. Mes mësimit dhe aktiviteteve fëmijët mësojnë edhe ritualet fetare islame, si lutjet, faljen, ritualet e haxhxhit dhe këndimin e sureve nga libri i shenjt Kurani. Referuar Kushtetutës së vendit, Maqedonia është shtet laik ndërsa mësim-besimi fetar nuk është i lejuar në paralelet parashkollore dhe shkollat fillore. / Alsat-M

Gara në PD, fushata e zotit Basha

BashaNë Shqipëri drejtuesi i Partisë Demokratike Lulzim Basha po kërkon një mandat të dytë në krye të forcës kryesore opozitare në votimet që do të mbahen nesër. Pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 25 Qershorit dhe kritikave të forta nga brenda, që e bëjnë atë përgjegjësin kryesor, zoti Basha gjatë gjithë fushatës i është përmbajtur qëndrimit se rezultati ishte diktuar nga shitblerja e votës. Ai nuk i është përgjigjur akuzave të shumta për mënyrën se si ka drejtuar partinë apo dhe organizimin e garës për kryetarin, ndërsa premton se në të ardhmen vendimmarrja do t’i kalojë anëtarëve të thjeshtë:

E vetmja dalje publike e zotit Basha është ajo pas zgjedhjeve të 25 qershorit kur përfundoi procesi i numërimit. Pasi nuk pranoi të jepte dorëheqjen por zgjodhi formulën e “ngrirjes” nga detyrat e tij organizative, ai shpalli rikandidimin për të mbrojtur projektin e tij të “Republikës së Re”. Përballë furisë së kritikave të ashpra nga shumë eksponentë të partisë të cilët sipas tij nuk punuan asnjë ditë për fitoren, zoti Basha zgjodhi heshtjen duke refuzuar komentet publike. Në garë, përballë tij pati vetëm një rival, zotin Eduard Selami, ndërsa Astrit Patozi nuk pranoi të futej, pasi një sërë garancishë që ai kishte kërkuar u refuzuan.

Fushata e zotit Basha u zhvillua e mbyllur, dhe për publikun u servirën vetëm pamjet dhe deklaratat e përzgjedhura nga stafi i tij. Mediat asnjëherë nuk u pranuan të ndiqnin takimet dhe as ato pak raste debati që zhvilloi me rivalin tjetër në garë Selami, pas kërkesës së këtij të fundit.

Në takimet e para të fushatës së tij zoti Basha deklaroi se “Marr përgjegjësitë e mia dhe pranoj përgjegjësitë e mia në këtë proces. Gabimet e mia janë të gjitha politike, sepse prej minutës së parë asgjë se kam bërë për veten time, për pushtetin tim, apo për karriken time, por gjithcka e kam vënë në funksion të Partisë Demokratike dhe demokratëve të thjeshtë”.

Por edhe gjatë vazhdimit të fushatës nuk u mësua se cilat ishin këto përgjegjësi dhe gabime. Opozita pësoi një nga humbjet e saj më të thella, por për zotin Basha rezultati ishte ndikuar nga shitblerja e votës: “Maxhoranca e dalë nga këto zgjedhje është një maxhorancë fiktive sepse nuk reflekton vullnetin e qytetarëve, por reflekton shtrembërimin e këtij vullneti përmes shit-blerjes së votës që tashmë është provuar katërcipërisht si varrmihësja e demokracisë tonë të brishtë”

Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013, opozita ka humbur mbi 200 mijë vota. Megjithatë sipas zotit Basha, edhe demokratët nuk kishin dalë për të votuar në këmbim të parave: “Në Tiranë, vetëm për të mos dalë në votime, plani ka qenë 5 deri 15 familje opozitare për qendër votimi, pagesa 200 mijë lekë për familjar, jo për votues”.

Pas tre muajsh protesta opozita vendosi të hyjë në zgjedhje pas marrëveshjes së zotit Basha me kryeministrin Rama, një marrëveshje që sipas tij ishte bërë nën trysninë ndërkombëtare, por që nuk mund të përsëritet: “Marrëveshja e 18 majit na diktoi provën nën presionin ndërkombëtar, me Edi Rama Kryeministër, prova dështoi. Ajo që ne kishim thënë u provua, nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, është armik i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kur flas për përballje totale, për zgjedhje të lira e të ndershme, sigurisht që s’ka asnjë shans lloj bashkëpunimi politik apo koalicioni me Edi Ramën. I vetmi shans është përballja dhe fitorja përmes përballjes”.

Ndonëse rrallë, të paktën në atë pjesë të bërë publike të fushatës së tij, zoti Basha ka sulmuar dhe kundërshtarët e tij të shumtë në parti, figura që u lanë jashtë listës së kandidatëve. “Çelësi është shpirti i pastër i demokratit. i atij që nuk pyet se kur me vjen radha për t’u bërë deputet por vjen në betejë sa herë ka betejë për vlerat për të cilat kemi lindur dhe luftojmë”

Zoti Basha ka mbrojtur projektin e tij të Republikës së Re e cila sipas tij nënkupton që fuqia e vendimmarrjes t’i kalojë anëtarëve të partisë: “Republika e Re është një raport i ri midis shtetit dhe qytetarit, se që këtej e tutje jo thjesht rekomandimet, por përcaktimet e përfaqësuesve për deputetë, për bashki dhe për këshilltarë bashkiakë, dhe çdo zyrë të zgjedhur publike apo brenda Partisë Demokratike duhet të vijnë me një anëtar-një votë nga anëtarët e PD”

Rivali në garë Selami është shprehur për një garë me kushte të pabarabarta. Kundërshtarët e zotit Basha kanë ndërmarrë një tur në disa qytete ndërsa flasin për një garë farsë me një rezultat të paracaktuar. Vetë zoti Basha i ka mëshuar shpesh idesë së bashkimit, por në rast fitoreje, ai rrezikon të ketë frenat e një partie të përçarë si kurrë më parë. (voa)

LDK: Refuzojmë çdo bashkëpunim me koalicionin e Haradinajt

LDKLidhja Demokratike e Kosovës, tha sot në Prishtinë se është e bashkuar rreth qëndrimeve dhe refuzimit, siç thuhet, të plotë për çfarëdo bashkëpunimi me koalicionin e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Kjo u bë e ditur pas mbledhjes së kësaj partie me kryetarët e degëve të saj në Kosovë, ku është diskutuar edhe për qëndrimet e kësaj partie kundër përfshirjes në një qeveri me Partinë Demokratike të Kosovës që është në koalicion me zotin Haradinaj.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje kanë refuzuar ftesën e zotit Haradinaj për bisedime për krijimin e qeverisë duke theksuar se po presin që koalicioni i tij të dështojë në përpjekjet për ngritjen e qeverisë, meqë nuk i ka votat e mjaftueshme. Kjo ka bërë që zoti Haradinaj të kërkojë vota individualisht tek deputetë të caktuar të koalicionit të Lidhjes Demokratike me Aleancën Kosova e Re.

Tashmë janë mbushur dyzet ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme që nuk siguruan një fitues që do të ishte në gjendje të krijojë institucionet e reja. (voa)

Kosova, treg i “dallavereve” me naftë

NaftaSektori i derivateve të naftës, i njohur dhe si tregu më fitimprurës në Kosovë, karakterizohet me parregullsi të shumta, që nga importi e deri të shitja më pakicë e këtij produkti.

Kosova nuk posedon rafineri të derivateve të naftës, kështu që ky produkt pothuajse më i kërkuari në Kosovë, importohet nga vendet e rajonit dhe të Evropës. Kurse, janë evidentuar edhe raste të kontrabandës me naftë dhe derivate të saj në pjesën veriore të Kosovës, në kufirin me Serbinë.

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, shumë herë ka shfaqur shqetësimin se 97 për qind e naftës që hyn në Kosovë nuk kontrollohet, po vetëm bëhet përshkrimi i analizave.

Fadil Berjani, kryetar i kësaj shoqate tha për Radion Evropa e Lirë se vazhdimisht është kërkuar që kontrolli i cilësisë së derivateve të naftës të realizohet qysh në pikat kufitare.

Karburantet e lëngëta të naftës janë duke hyrë në Kosovë me cilësi të dobët, dhe është duke u manipuluar me këtë produkt nëpër pikat e karburanteve brenda territorit të Kosovës. Për këtë problem duhet të merren masa sa më shpejtë që është e mundur”, tha Berjani.

Në përpjekje për të përmirësuar dhe vendosur rend në sektorin e naftës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në muajin shkurt të këtij viti, ka miratuar një Udhëzim Administrativ për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës, në bazë të të cilit monitorimi i cilësisë së karburanteve bëhet në pikat doganore dhe jo nga trupat inspektues, pasi që nafta të ketë hyrë në tregun e Kosovës.

Për shkak të dyshimit të cilësisë së naftës, ka disa ditë që mbi 40 maune me këtë produkt janë bllokuar në terminalin doganor në Morinë. Në një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i kësaj agjencie, Adriatik Stavileci tha se që nga marrja e përgjegjësisë, sipas udhëzimit administrativ, Dogana ka aplikuar sistemin e kontrolleve të bazuara në analizat e riskut.

Rasti i fundit, thotë ai, është ndërlidhur më tejkalimin e parametrave të lejuar për disa dërgesa të naftës.

Sipas analizave, tejkalimi i parametrave është shumë i lartë, prandaj mostrat janë dërguar edhe një herë për super analizë në një laborator jashtë shtetit të Kosovës”, tha Stavileci.

Maunet e bllokuara në kufi, u përkasin tri kompanive që në Kosovë konsiderohen më të mëdhatë në këtë sektor.

Ky rast është shqetësues, thotë Fadil Berjani, duke mos i siguruar klientët për cilësi të naftës në tregun e Kosovës, e cila importohet nga vende te ndryshme të Evropës.

Kjo tregon për mallin e dyshimtë. Do të thotë, bllokohen mbi 30 autobote, të gjitha kanë dalë jo konform ligjeve. Kjo është shqetësuese. Pikat karburanteve në brendi të territorit të Kosovës nuk janë duke e përzierë derivatin, por derivati po hynë me cilësi të dobët”, tha Berjani.

Në anën tjetër Lulzim Syla, kryeinspektor i Tregut në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, thotë se kompetent për kontroll të cilësisë së naftës në kufi është Dogana e Kosovës, kurse inspektorati i MTI-së është kompetent për monitorimin e cilësisë së naftës brenda tregut të Kosovës.

Ai tregon se ky trup inspektues, vazhdimisht kontrollon tregun për parregullsi eventuale.

Ne si inspektorë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, vitin e kaluar kemi marrë rreth 580 mostra, nga ky numër 34 kanë dalë jo konform udhëzimit administrativ. Problemi më i madh, ka qenë jo me sulfurin, por më pikën e ndezjes. Mirëpo, sido që të jetë, një parametër sa do i vogël që devijon, ne si Inspektorat jemi të detyruar ta procedojmë lëndën në gjykatat kompetente”, thotë Syla.

Cilësia e dobët e derivateve të naftës, mungesa e territoreve të lira për të vepruar, krijimi i privilegjeve për kompani të caktuara të naftës, moskontrollimi gjithnjë me rastin e zhdoganimit të këtij produkti, mosfiskalizimi i këtyre operatorëve ekonomikë, që llogariten me qarkullim milionësh, janë vetëm disa nga parregullsitë që përmenden vazhdimisht në këtë sektor. (rel)

Haradinaj shënjestron deputetët për formimin e Qeverisë

RamushKoalicioni PAN dhe kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka vënë në shënjestër deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, në kuadër të përpjekjeve për sigurimin e votave të nevojshme për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Këto përpjekje politike kanë sjellë mbështetjen e parë verbale që i është dhënë Haradinajt për formimin e Qeverisë nga tabori rival, Lidhja Demokratike e Kosovës, përkatësisht nga Teuta Rugova, bija e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, i cili ishte dhe themelues i LDK-së.

Megjithatë, Teuta Rugova nuk ka thënë se do ta votojë apo jo Haradinajn, por i ka bërë thirrje LDK-së që të veprojë siç do të vepronte presidenti Rugova, përkatësisht që të mos bllokohet procesi i formimit të Qeverisë.

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj ka vizituar të premten, familjen Rugova dhe deputeten e zgjedhur Teuta Rugova [LDK]. Sipas një komunikate të AAK-së, Haradinaj ka marrë mbështetjen e familjes Rugova, dhe rrjedhimisht edhe të deputetes Teuta Rugova për formimin e Qeverisë.

Në anën tjetër, në rrjetin social Facebook Teuta Rugova, ka shkruar se drejtuesit e LDK-së nuk duhet të jenë pengesë për formimin e institucioneve të vendit.

Unë kërkoj nga strukturat udhëheqëse të LDK-së, që në Qeverinë e gjerë dhe stabile që po kërkohet nga miqtë tanë të përhershëm, SHBA-të dhe BE-ja, në marrëveshjen e koalicionit, para ndarjes së përgjegjësive qeveritare të vendosen prioritetet për qytetarët e Kosovës, e që janë: formimi i ushtrisë, zgjidhja e problemit të demarkacionit që do të rezultonte me liberalizim vizash, reforma zgjedhore dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës“, ka shkruar Rugova.

Nga koalicioni PAN, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës,Enver Hoxhaj kishte paralajmëruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se synohen marrëveshje me disa deputetë dhe jo me parti politike jashtë koalicionit PAN.

Andaj, pretendimet e Haradinajt që t’i sigurojë mbi 61 vota për formimin e Qeverisë, nuk kanë të bëjnë vetëm me Teuta Rugovën, por edhe deputetë të tjerë.

Ndërkohë, analistët politikë e cilësojnë si jo normale sjelljen e deputetëve, në rast se veprojnë kundër politikave partiake.

Analisti Imer Mushkolaj tha për Radion Evropa e Lirë se veprimet e tilla duhet të quhen me emrin ‘kontrabandë e njerëzve’.

Mund të tingëllojë vrazhdë, mirëpo nuk ka se ka shprehje tjetër më të përshtatshme. Të paktën kështu mendoj unë, duke pas parasysh se edhe po që se këta deputetë nuk kontrabandohen në subjektin tjetër politik apo kampin tjetër politik”, tha Mushkolaj. Sipas tij, nëse deputetët do të merrnin vendime jashtë qëndrimeve të proklamuara të subjekteve të tyre, atëherë kjo do të mund të interpretohej edhe si keqpërdorim i vullnetit të votuesve.

Kalimet nga një subjekt politik në tjetrin, në këtë kohë, sipas analistit Mushkolajt, mund të ndikojnë negativisht edhe në përbërjen e Qeverisë.

Besoj që edhe ata deputetë të cilët mund ta kenë ndarë mendjen për t’ju bashkuar PAN-it apo mendojnë ta bëjnë një gjë të tillë, duhet ta mendojnë mirë ketë veprim të tyre për shkak se është përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe“, u shpreh Mushkolaj.

Ndërkaq, Petrit Zogaj, analist dhe drejtor ekzekutiv i organizatës “Fol”, tha për Radion Evropa e Lirë tha se sistemi politik në Kosovë, por edhe rezultatet e zgjedhjeve, po e imponojnë një ‘gjueti’ politike të disa partive dhe deputetëve për të marrë vota që do të mundësonin krijimin e Qeverisë.

Edhe deputetët e kanë mundësinë që individualisht të pajtohen për një program që do ta votonin në Kuvendin e Kosovës. Në këtë rast, (rastin me Teuta Rugovën) nuk po e shoh një gjë të tillë”, tha Zogaj.

Për analistin, Zogaj marrëveshje ndërmjet dy apo më shumë subjekteve politike, mund të konsiderohen normale nëse ka dakordim për një program qeverisës, kurse marrëveshjet individuale dhe të papublikuara lënë shije të keqe.

Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve, nisma fillestare për formimin e Qeverisë i takon koalicionit PAN, që përbëhet nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma. Kandidati këtij koalicioni për postin e kryeministrit, është lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Krahas votave nga partitë e shumicës shqiptare, Haradinajt i mbetet të bisedojë edhe me partitë e komuniteteve pakicë, të cilat edhe ashtu janë kategori kushtetuese dhe duhet të jenë pjesë e Qeverisë së Kosovës. (rel)

Kosovë, katër të akuzuar për vrasjen e dy policëve në 2004

prokuroria ksProkuroria e Posaçme e Kosovës tha se një prokuror ndërkombëtar ngriti të premten akuzë kundër katër shtetasve të Kosovës, nën dyshimet për përfshirjen në vrasjen e dy zyrtarëve të policisë në vitin 2004.

Arsim Rustolli, pjesëtar i Shërbimit Policor të Kosovës dhe polici nga Gana, Kojo Essuman, që shërbente në policinë e Misionit të Kombeve të Bashkuara, u vranë më 23 mars të vitit 2004, kur ishin në një patrullim të përbashkët në një fshat të komunës së Podujevës, në veri të Prishtinës. Një përkthyes lokal ishte plagosur në atë incident.

Dy nga të akuzuarit qenë arrestuar më 5 korrik të këtij viti në një operacion në shkallë të gjerë në të cilin qenë përshirë 35 zyrtarë policorë të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit dhe 100 zyrtarë policorë nga Kosova. Një ditë më pas, një nga të akuzuarit është ekstraduar nga Gjermania. I akuzuari i katërt ndodhët në burg për vrasje dhe vepra tjera penale.

Në lidhje më këtë vrasje qenë arrestuar 13 persona, por 12 syresh u lanë të lirë në mungesë provash dhe njëri që dënuar në vitin 2007 me 30 vjet heqje lirie. (voa)

Tërmet në Turqi e Greqi – të paktën dy të vdekur

termetiNjë tërmet i fuqishëm rrëzoi një ndërtesë mbi turistët në një bar në ishullin turistik Kos në Greqi dhe shkaktoi panik në bregdetin turk të premten herët, duke vrarë dy veta dhe lënduar rreth 200 të tjerë.

Ekipet e shpëtimit thanë se dy veta nga Turqia dhe Suedia vdiqën gjatë rrëzimit të Klubit “White Corner”, kur një tërmet prej 6.5 shkallësh goditi rreth orës 1 e 30 duke dridhur ishujt grekë dhe bregdetin turk të Egjeut në një rajon ku aktiviteti sizmik është i zakonshëm. Pushuesit e vdekur nuk u identifikuan.

Qindra veta ishin në ose afër klubit të popullarizuar, White Corner në qytetin e vjetër Kos, kur ndërtesa pjesërisht u rrëzua.

Të paktën pesë veta pësuan lëndime të rënda derisa turistët dhe banorët lokal vrapuan jashtë ndërtesës, disa syresh madhe duke u hedhur nga ballkonet. Zyrtarët thanë se pese të lënduarit u transportuan me helikopter në një spital në ishullin e Kretës.

Zona e vjetër e qytetit në Kos, plot me bare e klube argëtimi, u mbush me tulla dhe copëra të ndërtesave. Hotelet e ishullit mbetën me xhama të thyer dhe dëmtime tjera duke detyruar qindra turistë të kalojnë pjesën tjetër të natës përjashta, duke u shtrire në plazh me batanije të ofruara nga personeli.

Në mesin e ndërtesave të dëmtuara ishte edhe një xhami e vjetër, minarja e së cilës u rrëzua si dhe një fortesë e shekullit të 14-të në hyrje të portit kryesor të ishullit. Rrugët përgjatë bregut të detit u vërshuan.

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 10 kilometra në jug të Bodrumit në Turqi dhe rreth 16 kilometra në verilindje të Kosit në një thellësi prej 10 kilometrash.

Autoritetet turke thanë se rreth 70 veta janë trajtuar në spitalet në zonën turistike në Bodrum për shkak të lëndimeve të lehta, të shkaktuara kryesisht gjatë ikjeve të njerëzve. Por dëmet janë të vogla dhe ata presin që jeta t’i kthehet normalitetit shumë shpejt.

Greqia dhe Turqia shtrihen në një zonë aktive sizmike. (voa)

Cem Özdemir: “Erdogani do të krijojë Turqinë edhe në Gjermani”

Cem OzdemirIntervistën e zhvilluan kryeredaktorja e DW, Ines Pohl dhe moderatori Jaafar Abdul-Karim

Në intervistë për DW, kandidati kryesor i partisë ekologjistë “Të Gjerlbërit”, Cem Özdemir, kritikon ashpër Turqinë. Gjermania duhet t’i japë fund politikës së saj naive.

Politikani ekologjist Cem Özdemir u pozicionua qartë edhe ndaj sanksioneve kundërj Rusisë: Sanksionet kundër Rusië në krizën e Ukrainës “duhet të ashpërsohen”, kërkon Cem Özdemir, gjatë një interviste televizive për DW. Gjendja në Ukrainën lindore aktualisht po përshkallëzohet, “ndaj unë nuk shoh ndonjë shkas për t’i shfuqizuar sanksionet.”

“Turqia duhet të largohet nga Këshilli i Europës”

Lidhur me grindjen gjermano-turke për të drejtën e deputetëtve gjermanë që të vizitojnë bazën e NATO-s Konya (Turqia ua ka ndaluar atyre këtë), sipas Özdemir, presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan nuk mban qendrim konform NATO-s, por sillet “si një rrëmuajxhi në birrari”. Özdemir kërkon lidhur me këtë një përgjigje të qartë nga kuartieri qendror i NATOS në Bruksel. Kjo grindje nuk është thjeshtë mes kancelares Angela Merkel dhe Erdoganit, por një grindje mes NATO-s dhe Turqisë.

I pyetur se ç’qëndrim do të mbante Özdemir lidhur me vazhdimin e bisedimeve për antarësimin e Turqisë në BE, ai thekson: “Këto bisedime do t’i lija aty ku janë, në sirtarin e fundit të frigoriferit”. Nëse Truqia rivendosë dënimin me vdekje, thekson Özdemir, atëherë “bisedimet me të janë tërësisht të ndërprera, e “Turqia do të duhej të largohej nga Këshilli i Europës.”

Duke u pozicionuar lidhur me politikën e integrimit të migrantëve në Gjermani Özdemir tërhoqi vëmendjen edhe se, ka shtete si Turqia apo edhe Rusia nën Vladimir Putinin, që “duan me vetëdije, që qytetarët e tyre të mos integrohen këtu. Në këtë drejtim ai nënvizoi qartazi, që Gjermania nuk duhet të tregohet naive dhe se nuk duhet toleruar krijimi i “një shteti paralel”. Özdemir e kritikoi politikën e kancelares Angela Merkel ndaj Turqisë. Sipas tij, kur Merkeli hodhi më 2005 idenë e krijimit të një partneriteti të privilegjuar sa i  përket çështjes së antarësimit të Turqisë në BE, ajo me këtë kontribuoi, që forcat reformuese në Turqi nuk u mbështetën më. Po ashtu, sipas Özdemir, gjatë krizës së refugjatëve nga viti 2015 Merkel ishte çdo dy ditë tek Erdogani, për të vënë në lëvizje paktin BE-Turqi. Gjatë kësaj periudhe Erdogani e ka ndjerë veten si një politikan i rëndësishëm i rangut botëror. I ndëshkuar në momentin e gabuar dhe i shpërblyer për çështjen e gabuar, i përshkroi shkurtimisht Özdemir gabimet e Merkelit në politikën ndaj Turqisë.

Cem Özdemir është një ndër figurat qendrore të partisë ekologjiste “Të Gjerlbërit”, i angazhuar në politikë qysh në vitin 1994. Asokohe Özdemir bashkë me Leyla Onur ishin të parët deputetë të Bundestagut me prejardhje truke. Politikani karizmatik Özdemir në bisedë me kryeredaktoren e DW-së, Ines Pohl dhe moderatorin Karim Abdul Jafar, lidhur me prejardhjen e tij shpjegoi shprehjen jam një “schwab Anadolli”. Me këtë ai ka parasysh vendin e origjinëss ë prindërve të tij dhe lidhjen e ngushtë të tij me vendlindjen e tij në Urach të Baden Vyrtenbergut. 52 vjeçari Özdemir është antarësuar në partinë ekologjiste në vitin 1981 dhe më 2008 kandidoi për kryesinë e partisë, ku dhe fitoi duke drejtuar partinë bashkë me Claudia Roth. Në zgjedhjet për Bundestagun 2017 ai kandidon sërish për drejtimin e partisë bashkë me Katrin Göring-Eckardt. (dw)

Ç’mendojnë të rinjtë në Perëndim për të ardhmen e Ballkanit?

ballkaniStudentë nga Ballkani në Gjermani flasin për DW se si e shohin ata të ardhmen e vedeve të tyre, dhe çfarë i bashkon e ndanë nacionalitet në vendet ballkanike.

RYCO është projekti më i prekshëm në kuadër të nismës së Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Organiazata rajonale për bashkëpunimin e të rinjve në vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas modelit të organizatës gjermanio-franceze të rinisë ka krijuar strukturën e saj me seli në Tiranë, prej nga do të koordinohen projektet për aktivitete të përbashëkta të të rinjve në rajon. “Qëllimi ynë kryesor është që të mbështesim të rinjtë dhe oragnizatat jo qeveritare që t’ju krijojnë të rinjve mundësi shkëmbimi. Do t’u japim mundësinë për lidhje atyre që ende kanë dyshime e paragjykime ndaj njeri-tjetrit”, u shpreh në intervistë për DW drejtori ekzekutiv i RYCO, Djuro Blanusa.

Të ambjentuar me jetën në Perëndim studentët nga Ballkani, në Gjermani preokupohen për zhvillimet në atdheun e tyre, i shohin ato me sy kritik, por edhe shprehin mendimet e tyre si për gjendjen aktuale në rajon, ashtu edhe për të ardhmen e tij. Ç’mendojnë të rinjtë për rajonin e Ballkanit, çfarë i lidhë apo i ndanë ata, si e shohin ato të ardhmene tij? DW bisedoi me disa studentë nga Ballkani në Gjermani.

Diversiteti dhe gjallëria është Ballkani për mua, thotë studentja Xhevaire Jusufi nga Duseldorfi. Në pyetjen se çfarë kanë të përbashkët këto vende, ajo përmendi kokëfortësinë dhe muzikën. Për të ardhmen e rajonit të Ballkanit ajo mendon se mund të jetë shumë e ndritshme nëse diversiteti dhe multietniciteti do të shihen si diçka pozitive. Gjenerata e re e disaporës për te është shumë e rëndësishme, sepse ata mund të jeni si ambasadorë të vendeve nga e kanë prejardhjen.

“Ballkani për mua është vend historik me kultura të ndryshme me ifluencë nga orienti dhe oksidenti”, thotë Pleurat Mulaku. Si të përbashkët ai sheh traditën, ushqimin dhe gjuhën në vende të caktuara. Për të ardhmen, studenti me prejardhje nga Kosova, thotë se do të jetë pozitive nëse konfliktet marrin fund. Ai mendon se gjenerata e tij, e cila nuk është drejtpërdrejt e prekur nga lufta tani e ka mundësinë që të ecë përpara, sepse sikurse thotë ai, kjo gjeneratë është rritur jashtë “hasmërisë direkte”.

Malësore Qorraj, e cila studion farmacinë, e sheh Ballkanin si rajon nga vijnë prindërit e saj. Të përbashkët vendet e Ballkanit sipas saj kanë historinë. Malësorja e sheh si problem kryesor të Ballkanit prespektivën jo të mirë për të rinjtë dhe largimin e tyre nga vendi. “Të hapin gojën, e jo të rrinë gjithë kohës në internet. Të jenë aktivë që të mos presin zgjidhjet e problemeve t’ua sjell dikush”, është mesazhi i saj për të rinjtë.

Studentja nga Maqedonia Arjeta Rushiti thotë, se “Ballkani paraqet një burim konfliktesh historike dhe kulturore”. Ajo shpreson në zbehjen e ndjenjave nacionaliste dhe që vendet ta konsiderojnë njëri-tjetrin si fqinj e jo si armiq, e me këtë të shtohet edhe bashkëpunimi midis tyre. Studentja nga Kërçova mendon që prindërit kanë rolin kyç në edukimin e fëmijëve tyre, që të mos u inponohen gjeneratave të reja me mendime negative për kombesitë tjera.

Arber Bajrami