Kancelarja gjermane Angela Merkel flet për raporte të komplikuara me Turqinë. Në konferencën pas pushimeve ajo u prononcua edhe për Poloninë, refugjatët dhe disa çështje të tjera.
Kancelarja gjermane Angela Merkel kërkon mirëkuptim nga bashkëqytetarët me origjinë turke në Gjermani për veprimet e saj ndaj qeverisë në Ankara. “Unë me shumë dëshirë do të kisha raporte më të mira me Turqinë, por duhet të shohim realitetin”, tha Merkel të martën (29.08) në Berlin, në konferencën e shtypit pas pushimeve të verës. Ajo foli për një “fazë shumë të komplikuar” në raportet gjermano-turke.
Për shkak të arrestimit të shtetasve gjermanë në Turqi, ka qenë “për fat të keq” i domosdoshëm edhe riorientimi në raportet me këtë vend, tha Merkel. Përmirësimi i raporteve varet nga “respektimi i rregullave të shtetit juridik”, shpjegoi kryetarja e CDU-së. “Ne nuk shohim momentalisht që kjo po ndodh në Turqi.” Përveç kësaj, ekziston edhe një kërkesë shumë e qartë e qeverisë gjermane që gjermanët e arrestuar për shkaqe politike të lirohen menjëherë.
Aktualisht sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme, nën masa arresti në Turqi po mbahen 10 persona me nënshtetësi gjermane, ndër ta edhe gazetarët Deniz Yücel dhe Mesale Tolu si dhe aktivisti i të drejtave të njeriut Peter Steudtner.
Kërkesa e qartë ndaj Varshavës
Jashtëzakonisht e qartë kancelarja ishte edhe ndaj qeverisë në Poloni dhe sjelljes së saj ndaj shtetit juridik. “Kjo është një temë serioze, sepse ndër parimet elementare për bashkëpunim në BE është respektimi i shtetit juridik” tha Merkel. Uniteti i BE-së është shumë i rëndësishëm edhe për shkak të daljes së Britanisë së Madhe, por kjo nuk do të thotë se mund të anashkalohet respektimi i shtetit juridik. Merkel do të dëshironte raporte shumë të mira me Poloninë, sepse raportet me këtë vend fqinj janë shumë të rëndësishme. Por ne nuk mund të mbyllim gojën dhe të mos themi asgjë, për shkak të ruajtjes së qetësisë. Kjo është një prej bazave të bashkëpunimit në BE. Merkel beson se qëndrimet e BE-së do të thuhen shumë qartë në Varshavë edhe gjatë vizitës së Komisionerit Jean-Claude Juncker, të mërkurën (30.08).
Komisioni i BE-së ka kërcënuar me sanksione Poloninë, për shkak të reformës së kontestuar juridike. Ka nisur madje edhe një procedurë për heqjen e të drejtës së votës së saj në nivelin evropian. Por për këtë kërkohet vendimi unanim i vendeve anëtare të BE-së. Në Gjermani po diskutohet edhe për mundësinë e shkurtimit të mjeteve financiare për shkak të mosrespektimit të shtetit juridik. Polonia i ka hedhur poshtë kritikat si të “pabaza”.
Merkel mbron politikën ndaj refugjatëve
Kancelarja foli edhe për politikën ndaj refugjatëve. Ajo kundërshtoi përshtypjet se ka hequr dorë nga politika e saj e mirëseardhjes për refugjatët. Merkel thotë se masat e fundit ndaj refugjatëve janë në frymën e njëjtë si mirëpritja në vitin 2015. Ajo tha se hapja e kufijve në vitin 2015 për refugjatët në nevojë ishte e domosdoshme, për shkak të gjendjes së rëndë humanitare të tyre.
Por tani kërkohen masa të tjera dhe zgjidhje afatgjate. Evropianët mund të jetojnë në siguri dhe mirëqenie, vetëm nëse shikojnë edhe problemet në vendet e tjera dhe përballen me zhvillimin e tyre ekonomik. Merkel përsëriti kritikat ndaj vendeve të BE-së, të cilat kundërshtojnë politikën e shpërndarjes së refugjatëve. Solidariteti nuk do të thotë vetëm të ndihmosh një vend, por duhet të ndihmohen të gjitha vendet. Në këtë rast edhe Italia dhe Greqia, që po përballen më së shumti me valën e refugjatëve ilegalë.
bc/kle/jj (afp, rtre, ape, Phoenix)