Statistika e popullsisë për Kumanovën më 1919, ja sa shqiptarë kishte, e as një maqedonas

kumanove2Në dy dekadat e para të shek. XX në Kosovë, e cila deri në vitin 1912 kishte statusin administrativ të vilajetit me kryeqendër Shkupin, në kuadër të Perandorisë Osmane, u përpunuan statistika të popullsisë nga provenienca të ndryshme. Pos organeve administrative osmane, që bënë regjistrimin e popullsisë së Vilajetit të Kosovës, edhe organet administrative serbe, malazeze, bullgare e austro-hungareze hartuan statistika të popullsisë së Kosovës në harkun kohor të viteve 1913-1918.

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, i cili u formua më 1 maj të vitit 1918 në Shkodër, ishte një organizatë shqiptare në gjirin e së cilës u mblodhën intelektualë e prijës të shquar shqiptarë nga Kosova dhe vise të tjera shqiptare. Qëllimi i këtij Komiteti ishte çlirimi dhe bashkimi i Kosovës (Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Tetovës, Gostivarit, Kaçanikut, Ferizajt, Gjilanit, Prishtinës, Vushtrrisë, Mitrovicës, Pazarit të Ri, Rozhajës, Pejës, Plavës, Gucisë, Gjakovës, Prizrenit) me Shqipërinë. Me të përfunduar Lufta e Parë Botërore (nëntor 1918), në janar të vitit 1919 Fuqitë Aleate (SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Italia) u mblodhën në Paris për të vendosur mbi paqen në Evropë e rrjedhimisht edhe ndryshimin e kufijve të saj.

Gjatë kësaj kohe, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me kryetar Hoxhë Kadri Prishtinën, u tregua mjaft aktiv që Konferencës së Paqes në Paris t’i ofronte prova të pa kontestueshme për shqiptarësinë e Kosovës, mizoritë serbo-malazeze e bullgare, që ishin ushtruar ndaj shqiptarëve në vitet 1912-1918 si pasojë e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, të cilat copëtuan Kosovën dhe vise të tjera shqiptare në kurriz të monarkive pushtuese ballkanike. Në këtë kontekst, ky Komitet i dërgoi kësaj Konference edhe statistika të popullsisë, të cilat argumentonin se popullsia e përgjithshme e Kosovës dominohej nga shqiptarët. Sipas një statistike të popullsisë së Kosovës, të hartuar nga ky Komitet, e cila është e përafërt me regjistrimet e mëparshme dhe konsiderohet e besueshme, sepse tregon për zvogëlimin e popullsisë së përgjithshme të kësaj treve si pasojë e kolonizimit serb, vrasjeve dhe emigrimit të shqiptarëve e popujve të tjerë gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, Kosova kishte një popullsi të përgjithshme prej 1.065.960 banorë, nga e cila 881.989 (82.74%) ishin shqiptarë, 99.952 (9.37%) serbë, 47.781 (4.48%) bullgarë, 30.462 (2.85%) boshnjakë, 3.955 (0.37%) turq, 1.115 (0.10%) hebrenj, 650 (0.06%) grekë dhe 56 (0.005%) vlleh.

Në këtë statistikë të popullsisë, pos 18 qendrave administrative, përfshihej edhe numri i përgjithshëm i popullsisë së Kumanovës dhe rrethinës. Sipas kësaj statistike në Kumanovë dhe viset përreth kishte 47.506 banorë, prej të cilëve 33.126 frymë ose 69.73% ishin shqiptarë, 11.562 frymë ose 24.33% ishin bullgarë, 2.226 frymë ose 4.68% ishin serbë dhe 592 frymë ose 1.24% ishin turq. Pra, në këtë qendër të Kosovës banonin vetëm katër komunitete kryesore etnike: shqiptarët, bullgarët, serbët dhe turqit. Duhet theksuar se statistika në fjalë u përdor nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, për t’i tërhequr vëmendjen Konferencës së Paqes në Paris mbi padrejtësitë e saj ndaj shqiptarëve të Kosovës e viseve të tjera shqiptare dhe për të bashkuar këtë trevë (Kumanovën) me Shqipërinë. (ina)

Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e 24 gushtit 2017

albin_kurtiI nderuari kryesues i seancës konstituive,

Të nderuar deputetë,

 

Ne jemi përfaqësuesit që nuk po arrijmë të bëhemi ligjvënës, ne jemi deputetët që kemi ngelur pa Kuvend. E, deputeti i betuar pa Kuvend të konstituar është sikurse qytetari pa shtet, është refugjat paçka se në tokë të vet, sikurse ne këtu pa Kuvend, paçka se në sallë kuvendi.

 

Janë bërë gati dy muaj e gjysmë që prej zgjedhjeve të 11 qershorit, shteti i Kosovës nuk ka as kuvend se lëre më qeveri të re.

 

Po jetojmë në kohë të hipokrizive të mëdha. Tashmë për të gjithe u bë e qartë se krerët e PDK-së flasin atë që s’janë. Ata thonë se i kanë numrat, dhe nuk vijnë në kuvend për t’i provuar e dëshmuar. Ata thonë se kanë i fituar zgjedhjet, dhe nuk guxojnë të nxjerrin para votës kandidatët e tyre. Por, jo vetëm kjo. Ata thonë se janë institucionalistë e shtetndërtues, a në fakt ata janë duke sabotuar institucionin më të lartë të Republikës, Kuvendin e Kosovës. Ata thonë se janë për demokraci, e në fakt nuk po e pranojnë votën e qytetarëve, të cilët masivisht kanë vendosur për ndryshim. Ata thonë se janë me partnerët nderkombetarë, por në fakt ata po qortohen haptazi e ashpër prej ndërkombetarëve për sjelljet e tyre anti-demokratike dhe për sabotimin e Kuvendit që po bëjnë. Pra, pavarësisht fjalëve që i thonë, ata janë jo thjesht humbës të zgjedhjeve, por janë kundër institucioneve, kundër demokracisë, dhe kundër modeleve të mira.

 

Ne kemi dëgjuar se z. Veseli është kandidati i PAN-it për kryetar të Kuvendit. Urdhëroni z. Veseli, matuni! Propozojeni z. Veseli e le të matet se a i ka votat. Kuvendi duhet të konstituohet. Salla është plot. Matuni. Më 11 qershor nuk keni dashur që të mateni si i nominuar për kryeministër të PDK-së, tash nuk po doni të mateni si i nominuar për krytar të Kuvendit. Matuni. Matuni dhe ballafaqohuni me të vërtetën.

 

 

Kosova po humb shumë prej vonesave që po ia shkakton udhëheqja e PDK-së. Tashmë prej Kosovës po tërhiqet FMN-ja, po i ndal programet e ndihmave financiare për Kosovën, shkaku i vonesave që i shkaktojnë bojkotuesit e Kuvendit. Gjendemi përballë krizës energjetike, për shkak të menaxhimit të keq nga të dirigjuarit e PDK-së. Jemi të izoluar nga vizat si pasojë e korrupsionit dhe mosluftimit të tij. Bankat investive nga e gjithë bota e kanë vendosur Kosovën në listën e zezë, për shkak se nuk ka shtet të së drejtës dhe sundim të ligjit. Pra këta të njëjtit janë arsyeja se pse nuk ka investime të huaja në Kosovë. Këta janë arsyeja se pse e kemi këtë varfëri të gjerë e ekstreme.

 

Kosova, dhe vetë qytetarët po humbasin shumë. Shumica e ndërmarrjeve publike, qendrore e rajonale, sot janë në prag të falimentimit. Ato janë keqmenaxhuar dhe janë vjedhur sistematikisht për një kohë të gjatë, le të themi 8-9 vite me radhë, dhe bllokada e PAN-it po u jep këtyre ndërmarrjeve goditjen e fundit. Ndërmarrjet si ato të hekurudhave, Trainkos dhe Infrakos, apo ndërmarrjet e ujësjellësve e të grumbullimit e menaxhimit të mbeturinave janë buzë falimentimit dhe vetëm formalisht janë ende funksionale pasi praktikisht kanë falimentuar. Po ashtu, ka edhe raste si ai i Postës me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, ku Posta e ka dërguar në gjyq themeluesin dhe e ka fituar gjyqin duke i akorduar dëmshpërblimin 3,6 milionë euro.

 

Gjendja në KEK ende është e rëndë dhe shpronësimi për mihjet e reja ende nuk është realizuar, edhe pse Qeveria ka marrë vendime për shpronësim, këto të fundit në kundërshtim me vendimin e vitit 2009 ku zona në fjalë ishte shpallur zonë e mbrojtur.

 

Meqë këtë vit për shkak të mungesës së Kuvendit nuk pati rishkim të buxhetit, aktualisht Ministria e Punës nuk i ka fondet për të bërë pagesat për veteranët. Për pasojë nuk mund të lëshohen pagesat.

 

Më e rëndë është gjendja me barnat. Aktualisht Barnatorja Qendrore e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës nuk ka asnjë furnizim të ri, andaj Qendra Klinike Universitare e Kosovës rrezikon seriozisht në secilën klinikë të saj. Edhe më rëndë janë spitalet rajonale. Ndërsa tashmë me Qendrat e Mjekësisë Familjare duke ia nisur nga Prishtina e në çdo komunë të madhe e të vogël, furnizimi me barna është ndërprerë. Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës nuk mund të ndërmarrin asnjë veprim financiar.

 

Këto janë vetëm disa prej problemeve të mëdha që po na i sjell bllokada e PAN-it. Prandaj edhe një here iu bëj thirrje të gjithë deputetëve të ndershëm e të përgjegjshëm, të mblidhemi që ta thyejmë bllokadën. Kosova duhet të ecë përpara.

 

PDK nuk po tregon interesim për ta konsumuar të drejtën e saj për propozimin e kandidatit. Kjo nuk nënkupton që Kuvendi duhet të mbetet pa kryetar, meqenëse e drejta për të nominuar nuk mund të monopolizohet. Shumica jonë e deputetëve që vijmë rregullisht këtu, së bashku, të propozojmë një kandidat për pozicionin e Kryetarit të Kuvendit e më pas ta zgjedhin atë person me votat tona. Kushtetuta i jep të drejtën ekskluzive për të propozuar një kandidat për Kryetar të Kuvendit “grupit më të madh parlamentar”. Këtë rregull ne duhet respektuar. Por, së pari, ky rregull duhet kuptuar. Gjykata Kushtetuese varet nga Kushtetuta dhe jo anasjelltas. Nuk ka dyshim se kuptimi i shprehjes në Kushtetutë është ky: “secili grup që ka shumicën e nevojshme për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit”, pra secili grup parlamentar që i ka 61 vota, apo më shumë se aq. Nuk ka dyshime për këtë, sepse, ndryshe nga rasti i zgjedhjes së Kryeministrit, ky rregull nuk ofron zgjidhje për ndonjë bllokim të mundshëm. Kështu që, duhet interpretuar në mënyrë të tillë që të mos mund të ndodhin bllokime. Interpretimi duhet të jetë progresiv në kontrast me atë që të ngujon në pat pozicion.

 

Prandaj, nëse PAN-i e bojkoton seancën apo nëse refuzon ta paraqesë kandidatin e tij, atëherë le ta votojmë tonin. E nëse PAN-i do ta paraqesë një kandidat, atëherë secila parti do të bëjë zgjedhjen e vet (sepse nisma që po propozoj ka për synim në radhë të parë tejkalimin e këtij bllokimi). Nëse kandidati i paraqitur nga PAN-i nuk do të marrë votat e duhura, atëherë kandidati ynë i përbashkët do të mund të votohet në seancë. Këta qartazi nuk duan ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre.

 

Ne jemi të hapur për çdo propozim sa i përket kandidatit për Kryetar të Kuvendit. Nëse nuk i ka votat z. Veseli, jam i bindur se në mesin tuaj, ka shumë kandidatë që i kanë votat. Provojeni. Le ta tejkalojmë këtë bllokadë. Ne mendojmë se ai person duhet të zgjidhet në mes të deputetëve më të respektuar dhe sa më pak të anshëm, sepse duhet të garantojë të gjitha palët se do të jetë dhe veprojë në atë funksion të rëndësishëm pa mbajtur anë, duke i dërguar një sinjal qytetarëve tanë se politika në Kosovë ka filluar të ndryshojë. Vendi ynë është Republikë Parlamentare. Kuvendi është tejet i rëndëishëm. Më i rëndësishmi.

 

Menjëherë pasi ta kemi zgjedhur kryetarin e kuvendit, duhet t’ia shkruajmë një letër Presidentit, që ai t’ia propozojë Kuvendit kandidatin për kryeministër sipas nenit 95 të Kushtetutës, pikës 1., përkatësisht 4. të këtij neni. Presidenti do ta bënte këtë, sepse përndryshe ai do të rrezikonte ta shkelte kushtetutën.

 

Të nderuar deputetë,

 

Ne që ishim të rregullt në të gjitha këto katër vazhdimet e seancës konstituive nuk duhet të presim. Është jo vetëm e drejtë por edhe obligim yni që të lëvizim. Kosova po humb edhe per faktin se po vonohet ardhja e fituesve në pushtet.Kemi shumë punë me gjithë këtë papunësi. Pra Kosova po e vuan faktin se nuk po lejohet ta bëjë qeverinë. Nëse VETEVENDOSJA! do të ishte në pushtet, tashmë do të kishte filluar zbatimi i vizionit për shtetin zhvillimor, bashkëpunimi me mërgatën dhe me kompanitë e huaja për të sjellë investime, qe do ta rrisnin prodhimin dhe punësimin. Nëse VETEVENDOSJA! do te ishte ne pushtet, tashmë do të kishte nisur zbatimi i planit për reformë në drejtësi, dhe hetimi e gjykimi i të korruptuarve që e kanë lënë vendin të pazhvilluar, popullin të papunë e fëmijët pa bukë e pa shkollë. Nëse VETEVENDOSJA! do të ishte në pushtet, tashmë do të kishim si shtet një marrëdhënie shumë më dinjitoze e më bashkëpunuese me ndërkombëtarët.

 

PDK-ja i di krejt këto. Ajo e ka kuptuar se ndërkombëtarët tashmë nuk janë më të interesuar për stabilitet pa zhvillim e pa drejtësi, siç ofron PDK. Ndërkombëtarët e kanë kuptuar se edhe është më mirë për ata edhe për Kosovën, stabiliteti me zhvillim edhe me drejtësi që ofron Levizja VETEVENDOSJE!. Kjo gjë e bën PDK-në xheloze, dhe kjo është arsyeja se pse po përpiqen me çdo kusht ta vonojnë krijimin e qeverisë sonë. Një qeveri e VETEVENDOSJE!-s do të tregonte brenda pak muajsh se Kosova nuk ka nevojë për politikanë të nivelit të ulët intelektual, profesional e moral.

 

Një argument që nuk kam dashur ta besoj, nuk kam se si të mos e pohoj: përfaqësuesi i koalicionit LAA për bisedime me neve për qeverinë e re, ndodhet në konflikt interesi. Ai është kryministër në detyrë që duket se nuk ka interes për kryeministër të ri. Që prej 11 qershorit ne jemi takuar veçse njëherë, me 6 korrik. Ekipet tona janë takuar vetëm dy herë. Zvarritjes së PAN-it është e padrejtë t’i përgjigjemi me një zvarritje tonën. LDK-ja e ka emëruar Mustafën si udhëheqës të bisedimeve e jo udhëheqës për pamundësim të bisedimeve. Nëse ai nuk takohet me PAN-in siç edhe ka deklaruar disa herë dhe vetëm një herë është takuar me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, atëherë shtrohet pytja, cilat bisedime po i udhëheq ai?!

 

Të nderuar deputetë të koalicionit LAA, ne e shtrijmë dorën e bashkëpunimit për harmonizimin e qëndrimeve dhe për veprime të përbashkëta. Kemi nevojë për Kuvend e Qeveri të re. Është në dorën tonë. Le ta themi e le ta bëjmë.

 

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

 

11 qershori ishte dita kur populli kuptoi se ishte më i fuqishëm se shteti i kapur dhe se kapësit e shtetit. 22 tetori do të jetë dita kur populli do të veprojë që t’ua shkëpusë nga duart shtetin këtyre kapësve. U desh fillimisht të kuptohet se e kemi fuqinë, që tashmë të tregojmë se e përdorim atë. Dhe kjo është shumë mirë për Kosovën, për partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe për të gjithë ata që janë të interesuar për një shtet me mirëqenie, zhvillim e drejtësi në këtë vend të globit.

 

Kurrë kriminelët nuk kanë qenë më të izoluar. Shqiperia zyrtare nuk është me ta, Amerika zyrtare nuk është me ta, Gjermania zyrtare nuk është me ta. Po i mbështet vetëm Vuçiqi dhe Gruevski, por ky i fundit nuk është më në qeveri. PAN-i është bërë krejt iracional prej dëshpërimit, dhe po bëjnë çmenduri duke menduar se mund ta ndalin këtë gjë me metoda fëminore, duke mos ardhur në Kuvend, ose duke ardhur kot, sikurse sot. Ne jemi të gatshëm për të krijuar qeverinë dhe për ta filluar punën që i ka munguar Kosovës këto 18 vitet e pasluftës. Zhvillim ekonomik për punësim, luftim të korrupsionit për drejtësi, politika sociale për mirëqenie, integrim euroatlantik për ardhmëri.

 

Tash jemi edhe afër zgjedhjeve lokale. Jemi afër qeverisjes qendrore me vendin. Nuk mund të na vonojnë me shumë muaj e vite. Mund të na vonojnë me javë ose muaj. Ne po vijmë qartazi. Ata po shkojnë, disa porsi mjegulla e disa porsi terri. Ne jemi gjithnjë e më afër qeverisjes. E me këto vonesa po dukemi sikurse anija e cila teksa i afrohet bregut, kah fundi, lëkundet ca para e prapa, lëkundet pikërisht sepse po arrin në breg.

LVV

ZBARDHET KALENDARI, JA DITA DHE ORA E NDESHJEVE TË SKËNDERBEUT

uefa grupi bSkënderbeu do ta nisë fushatën kualifikuese në Grupin B në një transfertë. Më konkretisht, më 14 shtator, skuadra e Ilir Dajës do të jetë mysafire në Ukrainë, për t’u ndeshur me Dynamo Kyiv.

Kjo sfidë do të luhet në orën 19:00. Ndeshja e dytë për kuqebardhët tanë juglindorë është planifikuar të luhet në “Elbasan Arena”, më 28 shtator, ora 21:05, ndaj Young Boys të Zvicrës. Duhet nënvizuar fakti se dueli i parë me serbët e Partizanit të Beogradit është vendosur të zhvillohet në Elbasan, më 19 tetor, ora 21:05, ndërsa ai i kthimit në Beograd, më 2 nëntor, ora 19:00. Nëse korçarët e nisin këtë raund të Ligës së Europës në transfertë, edhe do ta mbarojnë jashtë fushës së tyre. Ballafaqimi i fundit në grup për Skënderbeun do të jetë më 7 dhjetor, në Zvicër, në fushën e Young Boys. Më poshtë, ja tabela e ndeshjeve të Skënderbeut në Grupin B të Ligës së Europës.
14.09.2017   Dynamo Kyiv          19:00  Skënderbeu Korçë

28.09.2017   Skënderbeu Korçë  21:05  Young Boys

19.10.2017    Skënderbeu Korçë  21:05  Partizan Beograd

02.11.2017    Partizan Beograd     19:00  Skënderbeu Korçë

23.11.2017    Skënderbeu Korçë    21:05  Dynamo Kyiv

07.12.2017    Young Boys              19:00   Skënderbeu Korçë

Diplomatët të shqetësuar me emërimet në gjykatat më të larta të Kosovës

gjykata ksAmbasada e Shteteve të Bashkuara dhe ajo e Mbretërisë së Bashkuar si dhe zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, kritikuan të premten Këshillin Gjyqësor të Kosovës për shkak të procesit të emërimit kryetarit të Gjykatës së Apelit, si dhe të kryetarit të Gjykatës së Lartë të Kosovës.

Procesi i këtyre emërimeve ishte përshkuar fillimisht me ankesa për shkak të të cilave çështja ishte trajtuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës e cila e kishte rikthyer çështjen në fillim.

Gjykata Kushtetuese, kishte konstatuar se në këtë rast Këshilli Gjyqësor “nuk ka parashikuar masat e nevojshme për të garantuar zbatimin e mjaftueshëm të parimeve te barazisë dhe transparencës”.

Në një reagim të ambasadës amerikane dhe asaj britanike thuhet se “pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përfaqësuesit e ambasadave sugjeruan Këshillit Gjyqësor përmirësimet që do të mund t’i bënte në procedurat e tij për emërim për të ndërtuar besimin e opinionit publik në sistemin e drejtësisë”.

Ambasadat shprehen “të zhgënjyera me vendimin që votimi të mbahet i fshehtë. Besojmë se votimi i hapur do të dërgonte sinjal të fortë të përkushtimit të KGJK-së ndaj parimeve të transparencës, meritokracisë dhe llogaridhënies”.

Në reagim thuhet se rrjedha e procesit “na ka bërë që sërish të vëmë në dyshim përkushtimin e sinqertë të KGJK-së ndaj këtyre parimeve. Mungesa e çfarëdo diskutimi domethënës për meritat e kandidatëve në listën e ngushtë do të thotë se një pjesëtar i publikut që i ka ndjekur këto procese nuk do të mund të kuptonte përse një kandidat parapëlqehet para një tjetri… Duhet të theksojmë që brenga jonë ka të bëjë me transparencën e procesit e jo me kandidatët veç e veç”.

Në reagim theksohet se “ndërtimi i besimit të qytetarëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë nuk nënkupton vetëm që procedurat të jenë në përputhje me Kushtetutën. Ka të bëjë edhe me të siguruarit se proceset e rekrutimit, përzgjedhjes dhe emërimit janë vendosur dhe zhvilluar në mënyrë të tillë që maksimalizojnë transparencën e vendimmarrjes. Duke marrë parasysh pozitën thelbësisht të rëndësishme që KGJK-ja e zë në sistemin e drejtësisë të Kosovës, ajo duhet të udhëheqë me shembullin e saj”, theksohet në reagimin e ambasadës amerikane dhe asaj britanike në Prishtinë.

Edhe zyra e Bashkimit Evropian thekson se “ka vërejtur që përzgjedhja e kryetarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit nuk u parapri nga një diskutim thelbësor mbi përshtatshmërinë e kandidatëve për pozitën. Ne theksojmë se shqetësimet tona kanë të bëjnë vetëm me procesin e përzgjedhjes, pavarësisht nga kandidatët e përzgjedhur. Një gjyqësor i pavarur, i hapur, i përgjegjshëm dhe efikas, i lirë nga ndërhyrjet politike është ajo për të cilën njerëzit e Kosovës kanë nevojë dhe e presin nga udhëheqësit e tyre. Kjo është në interes të popullit të Kosovës dhe një parakusht thelbësor për përparimin e Kosovës në rrugën evropiane”, thuhet në një komunikatë të zyrës së Bashkimit Evropian.

Më 9 gusht Këshilli Gjyqësor zgjodhi Hasan Shalën ne posti e kryetarit të Gjykatës së Apelit dhe Enver Pecin në postin e kryetarit të Gjykatës së Lartë të Kosovës.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nëpërmjet një komunikate tha se do të mblidhet gjatë javës së parë të muajit shtator për shqyrtimin e hollësishëm të deklaratave të përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Gjermania teston teknikën e identifikimit të fytyrës

identifikimi i fytyresNë Berlin një grup njerëzish kanë pranuar vullnetarisht të përgjohen për gjashtë muaj. Ministri i Brendshëm gjerman, de Maizière është i kënaqur me rezultatet, ndërsa kritikët vënë duart në kokë.

Ministri i Brendshëm gjerman, de Maizière vizitoi të enjten (24.08) një nga stacionet më të mëdha të Berlinit, “Südkreuz”, ku të ftuar ishin edhe gazetarët. Në një stacion të tillë kalojnë mijëra vetë çdo ditë, ata ngjiten e zbresin në trena, që vijnë gati çdo minutë. Por interesi i ministrit gjerman nuk kishte të bënte me kapacitetet e hekurudhës gjermane. Ai kërkonte të dinte se sa efektiv është projekti pilot “Identifikimi automatik i fytyrës”.

Kritikët si Paul Gerstenkorn nga shoqata “Digitalcourage” kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të projektit të filluar në fillim të gushtit për identifikimin e fytyrës që do të zgjasë gjashtë muaj. Një punonjës i shpjegoi ministrit gjerman, se si funksionon teknika në dhomën e kontrollit në stacion. Por Paul Gerstenkorn ka nxjerrë rezultate të tjera nga projekti pilot. Sipas tij regjistrohen edhe shpejtësia dhe këndi i kamerës që kap personat e përgjuar. Me ndihmën e smartphone ai arrin të përcaktojë shpejt se sa persona nga testi ndodhen në një rreze prej 20 metrash, në kohën që ministri de Maizière përgjigjet para gazetarëve.

Aftësitë e transponderit të identifkimit të fytyrës në projektin pilot shkojnë shumë larg edhe për të ngarkuarën federale për Mbrojtjen e të Dhënave, Andrea Voßhoff. Kjo sepse bëhet fjalë për një teknikë pasive dhe jo aktive, thotë ajo.

Ndryshe nga një “chip” pasiv, transponderi dërgon në mënyrë të vazhdueshme dhe kudo informata, të cilat mund t’i kapë çdokush në internet me një software që shkarkohet gratis. Por për këtë policia federale nuk qenkërka informuar “në mënyrë të mjaftueshme”, ironizon Voßhoff. E ngarkuara federale kërkon pezullimin e projektit. Por ministri i Brendshëm, de Maizière nuk sheh ndonjë arsye për këtë.

Si mund të mbrohet një person testues

Edhe Reinhard Thieme nuk ka shqetësime. Në diskutim me kundërshtarët e projektit pilot, ai e quan të arsyeshme çdo lloj forme të përgjimit me kamera për arsye sigurie. Mësuesi i fizikës dhe matematikës pyet, nëse është çaktivizuar në smartphone funksioni i lokalizimit të vendndodhjes? “Çdo njeri duhet të fillojë njëherë nga vetja”, thotë ai.

Thomas de Maizière duhet të gëzohet për këtë mbështetje. “Me këtë teknikë nuk do të kërkohen hajdutë dyqanesh”, thotë ai, por terroristë, rrezikues, dhe kriminelë që kanë kryer krime të rënda.

Pas katër javësh testimi në stacionin e Berlinit, ministri i Brendshëm gjerman flet për “një saktësi të habitshme”. Me këtë ai ka parasysh rezultatet e identifikimit të personave testues nga software, fotot e të cilëve janë memorizuar në kompjuterat e policisë. Sipas të dhënave të policisë federale pamjet e pasagjerëve të tjerë të rastësishëm “shuhen menjëherë”.

Demonstrues me maska dhe paruke

Vendimi për futjen në përdorim të teknikës së identifikimit të fytyrës në të gjitha stacionet dhe hapësirat publike do të merret pas gjashtë muajsh. Kundërshtarët e kësaj teknike ia bënë të qartë qëndrimin e tyre ministrit gjerman. Në kohën që ministri de Maizière informohej ata bënin ecejake nëpër stacion me maska, paruke apo duke mbajtur gazeta para fytyrës. (dw)

Erdogani dhe “armiqtë e Turqisë”

ErdoganMe sulmet e tij verbale, Presidenti i Turqisë po mban të prangosur popullin turk. Sulmet e tij në Gjermani të duken qesharake, por nuk është kështu në Turqi.

Ndonjëherë është paksa prekëse kur e dëgjon Presidentin e Turqisë. “Ai nuk e di ku e ka vendin”, thotë Erdogani për ministrin e Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel. “Çfarë mendon ai se është, kur i flet Presidentit të Turqisë? Fol me ministrin tim të Jashtëm!”

Dhjetëra mijëra persona gjermanë, të lindur në vitet 1960 dhe 1970, i kujtojnë me nostalgji fjalitë e këtilla. Paraqitja e Presidentit turk mund ta kujtojë profesorin e rreptë të latinishtes apo gjuhës greke, që kanë qenë ndër përfaqësuesit e fundit të sjelljes autoritare, të cilët asokohe dolën nga skena me një shpejtësi të madhe në Gjermani.

Ky lloj profesorësh është përpjekur që nxënësit t’i impresionojë me një sjellje të padurueshme dhe t’i nënshtrojë ata. Ata nuk kanë mundur të kuptojnë për shkak të stilit të tyre se në botë sundojnë tradita të tjera. Janë larguar nga realiteti duke mos kuptuar frymën e kohës së re. Zotërinjtë e këtillë të moshuar nuk vërejnë se njerëzit vetëm mund të shprehin keqardhje me sjelljet e tyre anakroniste. Fjalët e Presidentit turk të kujtojnë pikërisht këtë gjeneratë të vuajtur.

Manipuluesi i madh

Recep Tayp Erdogani me siguri që nuk meriton keqardhje. Përkundrazi: sjellja e tij autoritare, kur i drejtohet kancelares apo ministrit të Jashtëm gjerman me “ti”, nuk është asgjë tjetër veçse përpjekje për manipulim të historisë. Erdogani me sjelljen e tij të pagdhendur do të paraqitet si njeri i fuqishëm, si mbrojtës i turqve. Ashtu sikur dikur ka vepruar Mustafa Kemal Ataturk – „babai i kombit turk” – por natyrisht me një stil krejt tjetër, me më shumë mirësjellje.

Simulimi i lidhjeve me Ataturkun tregon thellësinë e humbjes së Erdoganit në kështjellën historike: Ataturku – idoli dhe rivali imagjinar i Erdoganit – ka vdekur para gati 80 vitesh. Erdogani duke iu referuar trashëgimisë osmane, përpiqet të përvetësojë jo vetëm trashëgiminë osmane por edhe atë islame – të Ataturkut me orientim kryesisht sekular. Por me insistimin kryeneç tek ideologjia, humbet estetika dhe dallimet e parëndësishme politike.

Këta dy burrështetas i lidh kultura neurotike e frikës, të cilën e shfrytëzojnë në masën më të madhe. Ajo ka lindur në dekadat kur Perandoria Osmane në Perëndim është quajtur „I sëmuri i Bosforit”. Si pasojë e rënies së shpejtë të fuqisë dhe pushtetit, shumë turq asokohe kanë zhvilluar ndjesinë e rëndë se janë të rrethuar nga armiq. Gabimet politike të osmanllinjve kanë rezultuar me humbjen e territoreve dhe krijimin e bindjes se fqinjët nuk kanë qëllime të mira ndaj tyre. Asokohe ka lindur edhe nacionalizmi turk.

Të mbërthyer në mite

Kjo ndjenjë është shfrytëzuar në mënyrë cinike nga elita politike turke për qëllimet e saj. Themeluesi i Republikës Turke, Kemal Ataturku e ka shfrytëzuar dikur nacionalizmin si edhe Erdogani sot. E përbashkëta e të dyve është që popullin e vet e mbajnë në frikë nga mitet e kaluara dhe nuk kanë mundur ta lirojnë nga frika e miteve nacionaliste.

Kjo është një vetngritje simbolike për të kompensuar humbjen e fuqisë. Ky mekanizëm i krijuar në ditët e para të Republikës Turke – që në atë kohë ka qenë i falshëm – ka mbetur deri më sot, rreth 100 vjet më vonë. Ai prodhon shovinizëm helmues, i cili do të duhej të ndihmonte Erdoganin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019.

Për realizimin e këtij qëllimi, Erdogani nuk pyet për çmimin. Ai nuk heziton që për këtë qëllim të mbajë bashkëvendasit e tij në prangat e miteve dhe të kaluarës. Për shkak të suksesit të vet politik, ai është i gatshëm që të evitojë popullin e vet që të përballet me të kaluarën. Retorika e Erdoganit ndoshta tingëllon në Gjermani si qesharake dhe e vjetëruar, por në Turqi ajo ka bllokuar zhvillimin kulturor dhe politik. Dhe kjo është një pikë ku sjellja e Erdgoanit më nuk është edhe aq qesharake. (dw)

Nga 1 tetori starton tarifa e lirë e energjisë, ja në çfarë ore

rrymaNga muaji i tetorit do të kthehet tarifa e lirë ditore e energjisë elektrike, njoftuan sot nga  Qeveria e Maqedonisë.

“Me këtë, rryma e lirë, do të jetë e qasshme çdo ditë nga 2 orë, nga ora 14 deri në orën 16, përfshirë edhe të shtunën. Ashtu edhe sikur deri më tani, tarifa e rrymës ngelet që të vlejë të dielën, në periudhën prej 22 deri në ora 07 të mëngjesit”, thonë nga Qeveria.

Masa, sipas përfaqësuesve qeveritar, nuk do të kuptojë subvencionim të kompanive, por do të kthehen kursimet e projektuara të kompanive energjetike si ELEM dhe MEPSO ndaj qytetarëve.

Ata besojnë se kjo masë nuk do të kontribuojë në shtrenjtimi e rrymës, së paku një vit. (ina)

Projekti “Ujë 24 orë”, BERZH do të financojë 30 milionë euro

berzhBanka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të financojë 30 milionë euro Ujësjellësin e Tiranës për të bërë të mundur furnizimin e kryeqytetit me ujë 24 orë në 24. Kredia do të disbursohet në dy këste nga 15 milionë euro.

Sipas njoftimit zyrtar të BERZH-it, transhi i parë i kredisë do të përdoret për të zgjeruar kapacitetin e Ujësjellësit të Bovillës dhe për ndërtimin e një tubacioni të ri, i cili do të furnizojë me ujë pjesën veriore të Tiranës.

Përdorimi i këstit të dytë do të përcaktohet pasi Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të përfundojë studimin mbi burimet e saj strategjike. Ky studim do të përzgjedhë alternativat më eficente të investimeve, për të zgjidhur përfundimisht mungesën e ujit në Tiranë.

Sipas BERZH-it, synimi i projektit është të ndihmojë Ujësjellësin në ndërtimin e një sistemi më të qëndrueshëm të furnizimit me ujë në Tiranë, për të arritur objektivin e furnizimit 24 orë brenda vitit 2021.

Këtë verë, kryeqyteti u përball me një situatë të vështirë të furnizimit me ujë të pijshëm, për shkak të thatësirës së gjatë dhe rënies së nivelit në basenin e Bovillës. Bashkia e Tiranës ka lajmëruar se do të marrë rreth 180 milionë euro kredi për të financuar investimet në sistemin e Ujësjellës-Kanalizimeve, të cilat do të garantojnë furnizim me ujë 24 orë në ditë për qytetarët.

/ Top Channel

Rrezikon Shqipëria Schengenin?

aeroportiAida Hajnaj, drejtore për pikat kufitare e emigracionin në Policinë e Shtetit shpjegon pse Shqipëria po ashpërson kontrollet në kufi. Nuk ka njoftim zyrtar se Hollanda rikthen regjimin e vizave për shqiptarët, thotë ajo.

DW: Znj. Hajnaj, këtë muaj kanë hyrë fuqi masa të reja për të parandaluar dhe mos lejuar që shtetasit e Shqipërisë të kërkojnë azil në vendet e zonës Schengen, duke përfituar nga e drejta e lëvizjes së lirë në këto vende. Cilat janë këto masa për ta ndaluar azilkërkimin, që edhe pse është ulur në krahasim me pikun e tij në periudhën 2014- 2016 vazhdon të ekzistojë?

Aida Hajnaj: Janë masa që shtojnë elementët e kërkesave për shtetasit shqiptarë që dalin jashtë territorit të vendit, elementë të përcaktuar në Kodin Schengen. Që prej një muaji ka hyrë në fuqi urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për të forcuar kontrollin ndaj shtetasvë të Shqipërisë në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Urdhëri përmban kërkesa dhe kritere që duhen plotësuar prej kujtdo që del nga territori i Shqipërisë drejt vendeve të zonës Schengen. Kërkesat në këtë urdhër janë në përputhje me Kodin Schengen, që hyri në fuqi bashkë me miratimin e heqjes së vizave dhe lëvizjen e lirë.

Në këtë urdhër bëjnë pjesë kërkesa të tilla si paraqitja e biletës së udhëtimit vajtje- ardhje, garancia e pritësit, ftesa e biznesit, institucioneve të ndryshme të vendeve të zonës Schengen, shuma përkatëse financiare, e përcaktuar tanimë për secilin vend të zonës Schengen për të përballuar shpenzimet për ushqim dhe akomodim. Ka edhe një kategori tjetër shtetasish shqiptarë që janë të kthyerit nga vendet e zonës Schengen për shkak të shkeljes së afateve të qëndrimit në këto vende- pra të 90 ditëshit brenda 180 ditëve- për të cilët kemi kërkuar që të paraqiten pranë konsullatave të zonës Schengen në Shqipëri dhe të marrin vërtetime se nuk kanë probleme me ligjin në vendet nga ku janë deportuar. Pas kësaj procedure ata lejohen të udhëtojnë.

Po ata që udhëtojnë për arsye turistike?

Kur është fjala për turistë, përgjegjëse është agjencia turistike. Kemi komunikuar me Shoqatën e Agjensive të Transportit automobilistik nga Shqipëria drejt vendeve të BE dhe kemi këkuar që të njoftohen të gjithë  qytetarët që udhëtojnë përmes agjencive  të plotësojnë kriteret dhe rregullat që u përmenda më sipër. Masat nuk janë vetëm për sezonin turistik por do të vijojnë. Krahas urdhërit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë ka edhe një letër-porosi lidhur me forcimin e kontrollit për fëmijët e mitur, që për fat të keq braktisen nga shtetasit shqiptarë kur mbërrijnë në vendet e zonës Schengen dhe vetë fëmijët drejtohen në institucionet përkatëse dhe kërkojnë azil.

Çfarë parashikojnë masat e reja për fëmijët e mitur?

Në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Noterëve ka kritere te reja në deklaratën noteriale që lejon fëmijët e mitur të kalojnë kufirin nga Shqipëria drejt vendeve të zonës Schengen. Sa për ilustrim deklarata që fëmija i mitur lejohet të kalojë në pikat kufitare drejt vendeve të zonës Schengen duhet të nënshkruhet nga dy prindërit, fëmija duhet të jetë i shoqëruar nga një prind ose një anëtar i familjes. Po ecim mirë në parandalimin e kërkesave për azil dhe braktisjen e fëmijëve të mitur. Masat e reja parashikojnë ndjekjen penale të prindërve kur ata braktisin fëmijët e mitur në vendin e zonës Schengen ku kanë hyrë falë liberalizimit të vizave. Që kur masat e reja kanë hyrë në fuqi, në fillim të muajit Gusht, kërkesat për azil nga qytetarët shqiptarë që kanë hyrë në vendet e zonës Schengen janë pothuajse zero.

Si i keni shmangur rastet, kur një qytetar që nuk ka ndërmend të kërkojë azil në vendin drejt të cilit udhëton të mos lejohet te udhëtojë nga policia kufitare, pra të paragjykohet dhe t’i cënohet e drejta e lëvizjes së lirë?

Aida Hajnaj: Kemi marrë të gjitha masat që kjo të mos ndodhë. Punonjësit tanë të policisë kërkojnë në mënyrë rigoroze gjithë dokumentacionin e përcaktuar qartë në urdhërin e Drejtorit të Përgjjthshëm dhe intervistojnë shtetasit shqiptarë në pikat e kalimit kufitar, sidomos ata, për të cilët dyshojnë se mund të udhëtojnë drejt vendeve të zonës Schengen për të kërkuar azil për motive ekonomike. Nga analiza e riskut që bëjnë policët në pikat e kufirit keqkuptimet, paragjykimet dhe moslejimi i udhëtimit të qytetarëve që plotësojnë kërkesat e Kodit Schengen janë shmangur tërësisht.

Nuk kemi asnjë kontestim nga qytetarët për zbatimin e urdhërit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe as për letër-porosinë lidhur me udhëtimin e fëmijëve të mitur. Qytetarët janë sqaruar nga policia kufitare në pikat e kalimit kufitar për ҫdo paqartësi. Shtetasit sa shkon dhe po ndërgjegjësohen më shumë që duhet të respektojnë rregullat e lëvizjes së lirë, nuk duhet të shkelin afatin e qëndrimit, pra 90 ditë brenda 180 ditëve, duhet të respektojnë  rregullat dhe të mos kërkojnë të punësohen në mënyrë jo ligjore.

Ndër vendet e BE, në zonën Schengen, Franca është bërë sivjet destinacioni i preferuar i azilkërkuesve nga Shqipëria, siç ishte Gjermania nga viti 2014-2016. Për të mos lejuar rritjen e fluksit drejt Francës autoritetet e larta të dy vendeve kanë arritur edhe një marrëveshje për angazhimin e policisë franceze në pikat e kalimit kufitar në Shqipëri. Si po ecën ky bashkëpunim? A keni shifra zyrtare sesa shqiptarë kanë kërkuar deri tani azil në Francë?

Aida Hajnaj: Presim që autoritetet franceze të na vënë në dispozicion shifrat e përditësuara të kërkesave për azil nga qytetarët e Shqipërisë. Ndërkohë është vendosur një bashkëpunim shumë i mirë me policinë franceze për të parandaluar që shtetasit shqiptarë të kërkojnë azil ekonomik në Francë. Bashkëpunimi synon parandalimin dhe ndërgjegjësimin e shtetasve shqiptarë, qoftë në Shqipëri apo në Francë, që kërkesat e tyre për azil me motive ekonomike por edhe politike nuk janë legjitime përderisa Shqipëria është klasifikuar nga BE si një vend i sigurtë.

Vëmendje të posaçme në bashkëpunimin tonë me policinë franceze i kemi kushtuar goditjes së grupeve kriminale që përgatisin dokumenta të fallsifikuara dhe ua shesin shtetasve shqiptarë për të kërkuar azil në Francë apo vende të tjera të BE. Ndërkohë u kemi kërkuar zyrtarisht autoriteteve franceze të shkurtojnë sa më shumë që të jetë e mundur kohën e shqyrtimit të kërkesave për azil si edhe procedurat: që nga marrja e avokatit deri në ankimimin në gjykatat përkatëse franceze të refuzimit.

Në mediat e Tiranës është botuar lajmi që Hollanda ka kërkuar rikthimin e regjimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë. Keni njoftim zyrtar për këtë?

Aida Hajnaj: Nuk kemi asnjë kontestim zyrtar nga autoritetet hollandeze për shtetas shqiptarë që kërkojnë azil me motive ekonomike në Hollandë. Po kështu asnjë njoftim zyrtar për rikthimin e regjimit të vizave. (dw)

Zaev dhe Vuçiq duan t’i ulin tensionet

vucic zaevMaqedonia dhe Serbia do t’i zgjidhin mospajtimet përmes dialogut. Ky është epilogu kryesor nga bisedës telefonike që zhvilluan kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

E vërteta për tërheqjen e personelit diplomatik nga ambasada serbe në Shkup mbetet sekrete edhe pas bisedës telefonike midis kryeministrit Zaev dhe presidentit serb Vuçiq. Në komunikatën e përbashkët të dy drejtuesve të lartë shtetëror, pas telefonatës së djeshme, thuhet se ata do të angazhohen për forcimin e raporteve mes dy vendeve.

“Pa marrë parasysh qëndrimet e ndryshme politike në raport me çështje të rëndësishme politike dhe rajonale, Maqedonia dhe Serbia bashkërisht do të luftojmë për avancimin e relacioneve miqësore të popullit maqedonas dhe atij serb, si dhe të qytetarëve të Maqedonisë dhe Serbisë”, thuhet në komunikatë.

“Maqedonisë dhe Serbia do ta intensifikojnë komunikimin reciprok në nivelin më të lartë, do ta mbështesin njëra-tjetrën në rrugën evropiane dhe do t’i forcojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, që do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit.”

Maqedonia dhe Serbia do të bëjnë përpjekje edhe më të mëdha për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimit tregtar mes dy vendeve. Maqedonia dhe Serbia, në përputhje me të drejtën publike ndërkombëtare dhe në bazë të vullnetit të mirë do t’i mbrojnë interesat dhe të drejtat e përfaqësive diplomatike dhe konsullore të territoreve të tyre, thuhet në komunikatën e përbashkët. Gjatë ditës bisedë telefonike kanë realizuar edhe ministrat e jashtëm të dy vendeve Dimitrov dhe Daçiq.

Brukseli kërkon maturi

Komisioni Evropian vlerëson se tërheqja e diplomatëve nga Shkupi, tre ditë më parë, është çështje dypalëshe midis Serbisë e Maqedonisë dhe pret që e njëjta të zgjidhet në mënyrë përmbajtjesore, paqësore dhe në frymën e fqinjësisë së mirë.

“KE i bën thirrje autoriteteve të Shkupit dhe Beogradit që të tregojnë përmbajtje dhe në rrugë paqësore t’i zgjidhin çështjet lidhur me tërheqjen e personelit të Ambasadës së Serbisë nga Shkupi”, ka thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijançiq.

Kosova nuk është shkas i tensionimit

Zëvendëskryeministri për çështje të integrimit evropian në Qeverinë e Maqedonisë Bujar Osmani thotë se ende është herët të flitet për shkaqet e përkeqësimit të raporteve midis Maqedonisë dhe Serbisë ndërsa përsëriti përcaktimin e Qeverisë së Maqedonisë për raporte të mira më të gjitha shtetet fqinje. “Raporti më fqinjët është një ndër sfidat dhe pengesat më të rëndësishme që ne i kemi në rrugën e integrimit. Ne nuk guxojmë të lejojnë që në këtë moment historik të hapim tema të reja me fqinjët, pasi ne po tentojmë që t’i mbyllim të gjitha temat me fqinjët”.

Osmani ka përjashtuar mundësinë që çështja e Kosovës apo votimi pro i Maqedonisë për anëtarsimin e Kosovës në UNESCO të jetë shkas për tensionet me Beogradin. “Nuk mund të jetë Kosova arsyeje për prishjen e raporteve. Qëndrimi i Maqedonisë në raport me Kosovën është i qartë në këtë drejtim dhe për ne është me rëndësi që t’i mbyllim të gjitha temat e hapura që i kemi me fqinjët tanë”, vlerëson Osmani.

Ish-ambasador i Maqedonisë në Moskë Risto Nikovski thotë se Kosova nuk mund të jetë shkas për prishjen e raporteve me Serbinë. Procesi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO mund të shërbejë vetëm si alibi për Serbinë për të “luftuar” për forcimin e pozicionit të saj në rajon.

“Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është vetëm shkëndijë e vogël që mund të ketë çuar Serbinë në marrjen e një vendimi të tillë, por joedhe thelbi i problemit. Këtu kemi të bëjmë me qëllime të tjera të Serbisë, për forcimin e rolit të saj në rajon. Konsideroj se na pret një proces jo pak i vështirë në raport me Serbinë. Ajo ka kërcënuar se do të ndryshojë vendimin për njohjen e emrit kushtetues të Maqedonisë”, ka thënë Nikovski. (dw)