Shkencëtarët arrijnë të kthejnë dioksidin e karbonit në shkëmb

co2Ndërsa qytetërimi ynë, i cili varet nga lëndët djegëse me origjinë nga fosilet, vazhdon të çlirojë gaze të dëmshëm në atmosferë, shkencëtarët janë në garë për të zbuluar një metodë për të ulur çlirimin e gazit më të dëmshëm, dioksidit të karbonit. Dioksidi i karbonit mund të kapet dhe të ruhet nëntokë ose të shndërrohet në një shkëmb të padëmshëm. Shpenzimet për këtë teknologji janë të larta, por kostoja e të mos bërit asgjë mund të jetë akoma më e lartë.

Dhjetë vjet më parë, kompania islandeze e energjisë Reykjavik Energy filloi një projekt të quajtur CarbFix, që kishte për qëllim të provonte si dioksidi i karbonit, një nënprodukt i avujve gjeotermikë, mund të kapej dhe ruhej për një kohë të gjatë nën tokë.

“Po përpiqemi të imitojmë atë që bën natyra dhe ta përshpejtojmë si proces”,thotë Edda Aradottir, menaxhere e projektit Carbfix.

Impianti energjitik Hellisheidi është ngritur mbi një vullkan të fjetur, që është ende duke u djegur thellë në brendësi, duke çliruar avull. Ky avull është një burim i qëndrueshëm dhe i lirë energjie; por impianti ka edhe disa lloje gazesh të dëmshëm, përfshirë dioksidin e karbonit.

Sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Globale të Kombeve të Bashkuara, çlirimi i dioksidit të karbonit në atmosferë është shkaktari kryesor i ngrohjes globale, gjë që e konfirmojnë edhe vëzhgimet nga agjencia hapësinore amerikane, NASA.

Në impiantin e prodhimit të energjisë Hellisheidi, dioksidi i karbonit kapet, përzihet me ujë dhe dërgohet sërish nën tokë.

“Dioksidi i karbonit tretet në shkëmbinjtë vullkanikë, në një thellësi nga një deri në dy kilometra; aty ndodhin reaksione natyrale, që e kthejnë atë në shkëmb brenda 1 ose 2 vitesh. Pasi është kthyer në shkëmb, dioksidi i karbonit qëndron ashtu për miliona vite”.

Shkencëtarët thonë se po të gjendej një metodë më e lirë për të kapur dioksidin e karbonit, tabani i oqeanit Paqësor në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara, Indi dhe Amerikën e Jugut, mund të ishin vendet ideale për ta ruajtur atë në trajtë shkëmbi.

“Toka e oqeanit është vullkanike. Kështu që, nëse arrijmë të gjejmë teknologjinë e duhur për të injektuar një përzierje të tillë, atëherë do mund të ruanim aty dioksidin e karbonit”.

Agjencia Ndëkombëtare e Energjisë thotë se teknologjitë për të kapur dhe depozituar gazinb karbonik do të luajnë një rol të rëndësishëm në dhjetëvjeçarët që po vijnë. E gjitha kjo në një kohë kur vendet që prodhojnë naftë po përpiqen të nxjerrin sa më shumë nga burimet e tyre, të cilat po shterojnë dalëngadalë.

Deri më tani, vetëm rreth 27 milionë tonë dioksid karboni kapen dhe depozitohen çdo vit. Në një kohë kur çlirimi global i dioksidit të karbonit për 2014-ën ishte rreth 1,000 bilionë ton. (voa)

Ana e mirë dhe e errët e teknologjisë së dronëve

droneDronët, pajisjet e vogla fluturuese të pajisura me kamera, mund të blihen lehtësisht nga konsumatorët. Shkencëtarët, policia dhe bizneset, shpesh i përdorin dronët edhe për operacione shpëtimi. Por këto pajisje fluturuese me kosto të ulët mund të përdoren edhe si armë. Materiali në vazhdim na çon në një takim të rëndësishëm për sigurinë të sektorit kimik në Hjuston të Teksasit, ku u diskutua si për përfitimet nga dronët, ashtu edhe për rrezikshmërinë që paraqesin ata.

Dronët janë bërë bekimi dhe mallkimi i ditëve moderne. Larry Satterwhite është me Departamentin e Policisë në Hjuston.

“Ekziston shqetësimi se dikush mund t’i përdorë dronët për të dëmtuar njerëzit. Kjo ka ndodhur.”

Richard Lusk është me Laboratorin Kombëtar Oak Ridge.

“Janë raste aktuale në Amerikë dhe vende të tjera ku njerëzit kanë përdorur dronët për të dërguar drogë dhe armë nëpër burgje tek të burgosurit. Në disa zona në Lindjen e Mesme dronët i përdorin për të lëshuar eksplosivë mbi njerëz.”

Ja si shprehet Larry Satterwhite me policinë e Hjustonit:

“Teknologjia po ecën shumë shpejt. Shpesh gjendemi mbrapa dhe përiqemi të arrijmë në këto nivele.”

Por ka mënyra për parandalimin e këtyre kërcënimeve duke ndërhyrë në sistemin elektronik të dronit.

“Janë pajisje elektronike që mbështeten pjesërisht në Sistemin Global të Pozicionimit, GPS. Këtë sistem mund ta bllokosh përmes një sinjali ekektromagnetik ose duke ndërhyrë në radio-frekuencë për të prishur komunikimin me atë që e kontrollon, ose duke ndërhyrë në vetë qarkun elektronik të dronit duke e çaktivizuar atë”, thotë Richard Lusk me Laboratorin Kombëtar Oak Ridge.

Nga ana tjetër, dronët sjellin edhe përftime për shpëtimin e jetëve.

“Si çdo teknologji, dronët kanë të mirat dhe të këqiat e veta”, thotë zoti Lusk.

Në industrinë kimike, dronët përdoren për të inspektuar strukturat në vend të njerëzve kur puna është e rrezikshme. Rafineria Shell Deer Park pranë Hjustonit ka mbi një vit që përdor dronët për të marrë foto të cilat i paraqiti gjatë takimit për sigurinë të industrisë kimike.

Gary Scheibe është me Rafinerinë Shell Deer Park.

“Në një ndërmarrje të madhe si e jona, ku kemi struktura gjigande mbi 120 metra të larta, përdorim dronin që të marrë pamje dhe nuk dërgojmë njerëz në këto lartësi. Fotot e marra nga droni na ndihmojnë të përcaktojmë punën që duhet të bëjmë.”

Një numër në rrije agjencish rendi në Shtetet e Bashkuara po përdorin dronët për të vrojtuar dhe orientuar me shpejtësi në raste të tilla si kërkim shpëtimi.

“Droni mund të diktojë nxehtësinë trupore të një fëmije që ndoshta njerëzit në tokë nuk e shohin dot dhe kjo është provuar shumë herë në mbarë botë”, thotë zoti Lusk.

Teknologjia në fjalë po njeh përparime. Sensorë të sofistikuar për pamje natën, detektorë metani dhe pajisje për skanim me rreze X mund të vendosen në dronë. Hulumtuesit po studiojnë madje edhe ndërtimin e dronëve të vegjël sa insektet.

“Ndoshta Departamenti i Mbrojtjes dhe firma të teknologjisë së lartë do të ndërtojnë dronë që imitojnë insektet e vogla. Njerëzit nuk u kushtojnë shumë vëmendje insekteve përjashta, ndaj dronët sa insektet do të ishte zgjidhja”,thotë Richard Lusk me Laboratorin Kombëtar Oak Ridge.

Hulumtuesit e dronëve thonë se do të jetë një garë armatimi për zhvillimin e metodave për parandalimin e dronëve të dëmshëm, ndërsa njerëzit vazhdojnë të përdorin dronët me synime të mira. (voa)

Ministri i Jashtëm i Austrisë: Europa të hapë sytë me atë që po ndodh në Ballkan

sebastian-KurzNë një shkrim të sajin gazeta gjermane “Handelsbalt” ka analizuar situatën në Ballkanin Perëndimor dhe rreziqet e mundshme që kjo pjesë e rajonit të largohet përfundimisht nga influence perëndimore.

Duke ju referuar një prononcimi për gazetën të ministrit të Jashtëm të Austrisë Sebastian Kurz, siç transmeton Syri.net, paralajmërohet se ndikimi në rritje i Turqisë, Rusisë, dhe madje edhe i Arabisë Saudite në këtë pjesë të Europës mund të bëjë që BE-ja dhe SHBA të humbasin kontrollin mbi këto vende si Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Bosnje- Hecegovina dhe Maqedonia.

Në funksion të parandalimit të kësaj që po ndodh, kryediplomati austriak Kurz, thirrje për përshpejtimin e procesit të aderimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

“Në Sarajevë dhe Prishtinë gratë paguhen që të veshin burka në publik. Ne nuk mund ta shohim dhe të mos bëjmë asgjë”, deklaroi ai për gazetën Handelsbalt, duke theksuar se mes Shteteve në rajon ka ende tensione serioze.

Gazeta raporton gjerësisht mbi përpjekjet e BE-së dhe NATO-s për të mbajtur nën ndikimin e saj këto vende dhe vë në dukje “konkurencën” mes njëra tjetrës, me të cilën përballen Shtetet e Bashkuara, Rusia, Turqia dhe Arabia Saudite.

Për sa i përket rolit të Gjermanisë, “Handelsblatt”, kujton se në vitin 2014 ndërmori iniciativën për të intensifikuar marrëdhëniet me Ballkanin, duke i inkurajuar reformat dhe bashkëpunimin në kuadër të “Procesit të Berlinit”. Kjo iniciativë nuk pati shumë progres, çka detyroi Gjermaninë të ofrojë paketën Berlin Plus.

Gazetë shkruan se Turqia nga ana tjetër, është e fokusuar në Ballkan për arsye sa emocionale aq edhe logjike.

“Shekujt e dominimit turk në Ballkan lanë pas pakica myslimane dhe një trashëgimi kulturore dhe arkitektonike. Shumë monumente historike jane restauruar nga agjencitë e qeverisë turke”, raporton gazeta gjermane, duke shtuar se Ankaraja po nxit një axhendë ekonomike shumë racionale dhe të studiuar mirë.

Kohët e fundit investimet turke janë shtrirë në minierat e Kosovës dhe aviacionin civil në Shqipëri, ndërsa në maj u nënshkrua marrëveshja e tregtisë së lirë me Bosnjën. Në të njëjtën kohë, Rusia duket se po shfrytëzon lidhjet historike dhe fetare kryesisht me Serbinë. Serbët, sipas një sondazhi të kohëve të fundit, janë në pjesën dërrmuese prorusë dhe nuk shohin me simpati NATO-n, analizohet ekspasioni ekonomik I Turqisë në rajonin tonë.

Nga ana tjetër një lojtar tjetër I rëndësishëm si Rusia nuk “fle gjumë”/ Sipas medias gjermane në një vizitë të fundit në Serbi zv/Kryeministri i Rusisë, Dmitry Rogozin theksoi se, “Serbia kurrë nuk do të bashkohet me BE-në”.

Artikulli flet edhe për aspiratat e Kinës për të fituar një rol në rajon, kryesisht përmes projektit masiv të infrastrukturës dhe tregtisë, me të cilat synon të lehtësojë komunikimin nëpër Euroazi dhe parashikon një investim prej 10 miliardë eurosh nga ana e Pekinit në 16 vende të Evropës Lindore dhe Juglindore. (koha)

Homazhe për ish-kryeministrin Bajram Rexhepi

Bajram RexhepiTë martën, në Prishtinë, është sjellë trupi i pajetë i ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili është ndarë nga jeta ditën e hënë, në Turqi, ku po trajtohej nga goditja në tru.

Që nga ora 10, në organizimin e Komisionit të veçantë shtetëror, në hollin e Kuvendit të Kosovës, janë duke u bërë homazhe për ish-kryeministrin Rexhepi. Ndërkaq, pritet të mbahet edhe një mbledhje komemorative për ish-kryeministrin Rexhepi, nën patronatin e kryeministrit të Kosovës në largim, Isa Mustafa.

Homazhe për ish-kryeministrin Rexhepi do të organizojë edhe Kuvendi Komunal i Mitrovicës.

Varrimi i ish-kryeministrit të Kosovës do të bëhet në fshatin e tij të lindjes, në Shipol, me ceremoni shtetërore.

Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi u lind më 3 qershor të vitit 1954, në Mitrovicë. Diplomoi nëFakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1979, ndërkaq në Zagreb përfundoi studimet pasuniversitare, në vitin 1985. Deri në vitin 1990, Rexhepi punoi në Spitalin rajonal të Mitrovicës, si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik.

Si mjek, ai i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999.

Pas luftës, Bajram Rexhepi ishte kryetari i parë i Komunës së Mitrovicës. Ai ishte, po ashtu, kryeministri i parë i Kosovës, që nga marsi i vitit 2002 e deri në dhjetor të vitit 2004.

Në vitin 2007, ai sërish nga qytetarët e Mitrovicës u zgjodh kryetar i Komunës së këtij qyteti.

Më pas, ai u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, në të cilin subjekt politik mbante postin e nënkryetarit, si dhe më pas, ka mbajtur postin e Ministrit të Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës.

Në vitin 2016, Rexhepi kishte refuzuar postin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se nuk do të kthehet më në jetën politike, pasi kishte dhënë dorëheqje nga Partia Demokratike e Kosovës.

Rexhepi më pas i ishte kthyer profesionit të mjekut, por ishte përballur me sëmundjen e kancerit, të cilës i kishte mbijetuar. Por, në prill të këtij viti ai pësoi goditje në tru. Ai ishte trajtuar fillimisht në Prishtinë dhe më pas ishte transferuar në Turqi, për mjekim të mëtutjeshëm.

Më 21 gusht, Bajram Rexhepi është ndarë nga jeta.

Trupi i pajetë i Rexhepit është kthyer nga Turqia më 22 gusht, ditë të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shpallur ditë zie.

Bajram Rexhepi ka lënë pas gruan dhe vajzën e tij.

Serbia dhe Kosova nuk duhet të pengohen mes vete

David McAllisterDavid McAllister për kushtet të cilat Serbia duhet t’i plotësojë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Diskutimi për Kosovën një nga parakushtet kryesore për Serbinë.

DW: Ju keni vizituar Serbinë dhjetë ditë më parë, dhe tani ktheheni përsëri. A tregon për diçka specifike ky aktivitet i shpeshtë?

David McAllister: Që nga viti 2014 kam qenë raportues i Parlamentit Evropian për negociatat e vazhdueshme për integrimin e Serbisë. Sipas mendimit tim, aktiviteti i raportuesit përfshinë raportimin e rregullt për ngjarjet aktuale në vend. Por për fat të keq, në muajt e parë të këtij viti, nuk kam pasur kohë, prandaj tani ka qenë dy herë për një kohë të shkurtër në Beograd.

A ka të drejtë Vuçiqi kur thotë se BE është e interesuar kryesisht për marrëdhëniet me Kosovën, më pas për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë, dhe më në fund për sundimin e ligjit, që Ju gjithmonë e theksoni si pikë më të rëndësishme?

Të gjitha kushtet ligjore, politike dhe ekonomike duhet të plotësohen për t’u bërë anëtar në BE. Është e nevojshme të mbyllen të 35 kapitujt që kanë ngelur të hapur – domethënë, në fund të gjitha kushtet për integrim janë njëllojë të rëndësishm. Korniza e negociatave me Serbinë megjithatë duhet të përqëndrohet në veçanti tek kapitujt 23 dhe 24 – për sundimin e ligjit, si dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën në kapitullin 35. Kapitujt janë hapur më heret, në mënyrë që të ketë më shumë kohë për zbatimin e vendimeve të nevojshme. Këto kapituj do të mbyllen në fund të bisedimeve.

 Çfarë nënkuptohet saktësisht me “përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën”? Flitet shumë për këtë, por është majft e diskutuar nëse kjo nënkupton njohjen e Kosovës.

Më i rëndësishmi është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, që do të thotë vazhdimi i dialogut mes të dy palëve. Për fat të keq aktualisht nuk ka përparim në dialog, për shkak të situatës së paqartë politike në Prishtinë. Dialogu siç formulohet nga BE, do të thotë që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, të munden të vazhdojnë rrugën evropiane, pa bllokimin nga njëri ose tjetrit në këtë proces.

A do të thotë atëherë se Serbia duhet ta njohë Kosovën? Për shkak se është e vështirë për një vend që nuk është as edhe anëtar i Kombeve të Bashkuara për t’u bërë më pas anëtar i BE-së.

Unë do të citoj raportin sepse çdo fjalë është e rëndësishme në lidhje me këtë. Është e nevojshme për një “marrëveshje të detyrueshme ligjore” që lejon “të dy palët të ushtrojnë plotësisht të drejtat e tyre dhe të përmbushin detyrimet e tyre”.

Çfarë mendoni për të ashtuquajturin “dialogun e brendshëm” për Kosovën, i cili u hapë nga Presidenti Vuçiq? Ai i bëri thirrje aktorëve të tjerë politikë për të biesudar për këtë çështje. A duhet të duket kështu dialogu?

Mendoj se është mirë që Presidenti Vuçiq mori iniciativën për të filluar një dialog në Serbi për marrëdhëniet me Kosovën. Nga veprimtaria trevjeçare e raportuesit, e di që kjo është një temë shumë serioze në Serbi, me qëndrime shumë të ndryshme. Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës duhet patjetër të normalizohen. Ky është një dialog i moderuar nga Bashkimi Evropian. Ka disa përparime në këtë drejtim, por jo aq sa kemi shpresuar. Është e rëndësishme që veçanërisht të zbatohen ato pika pët të cilat ka patur marrveshje.

David James McCalister (1971) është raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë dhe kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të BE-së. Anëtar i Unionit Kristiandemokrat (CDU). Me origjinë nga Skocia dhe zotëron një pasaportë britanike. Nga viti 2010 deri në vitin 2013 ai ishte kryeministër i landit gjerman Saksonia e Poshtme.

Veliaj: Fushatë sensibilizuese në shkolla për përballimin e emergjencave civile

VeliajBashkia e Tiranës ka nisur aksionin më të ri në kryeqytet që ka të bëjë me ofrimin e ndihmës ndaj çdo emergjence, si në kohë ngricash, ashtu edhe në përballjen me zjarret.

Në bashkëpunim me institucionet arsimore, ajo do të ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësuese në të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e Tiranës.

“Më vjen mirë që për herë të parë kemi një model tjetër të të bërit të gjërave, ku nuk vëmë gishtin se çfarë nuk funksionon, por japim një kontribut. Dikush mund të thotë se nuk është perfekt, por kjo është një mënyrë se si mund të ngremë një model që bashkëpunon me strukturat shtetërore. Ndaj i jam një mijë herë mirënjohës shërbimit “ERA” për ato një mijë jetë që shpëtohen çdo vit në Tiranë, falë ndërhyrjes tuaj në bashkëpunim me urgjencat publike”, tha Veliaj.

Kjo eksperiencë do të nisë nga qendra e Tiranës për tu shpërndarë në vijim në të gjitha zonat e kryeqytetit: “Mezi pres ta shikoj se si kjo punë të mund të kthehet në një fenomen ngjitës edhe për shërbimin publik, jo vetëm në Tiranën që ka ecur përpara, por edhe në hapësira të tjera. Mezi pres gjithashtu që ky bashkëpunim, i cili ka filluar në aksin nga sheshi “Skënderbej” drejt Kombinatit, duke përfshirë Rrugën e Kavajës, akset kryesore rreth 21 Dhjetorit, një pjesë të Unazës deri në autostradë, të shtrihet në më shumë territore të vendit”.

Me qëllim për të shmangur çdo aksident të mundshëm në hapësirën që menaxhon bashkia ka marrë masat paraprake për disiplinimin e qytetarëve.

“Në të gjitha akset kryesore kemi filluar të vendosim kangjella për të diktuar vendet ku kalohet rruga. Kështu shmangim shumë prej aksidenteve që janë të shmangshme, por që shkaktohen kur qytetarët kalojnë autostradën në mënyrë të papërgjegjshme. Jemi kujdesur gjithashtu që edhe në investimet e reja, jo vetëm të vëmë këto kangjella, por ashtu si në autostradën e re në drejtim të Lundrës dhe në Unazën e Madhe të Tiranës, të kemi mjaftueshëm mbikalime, ku qytetarët të kenë një alternativë të sigurt për të kaluar rrugën pa marrë risqe të panevojshme që rezultojnë fatale në qytetin tonë”, u shpreh Veliaj.

/ Top Channel

Shtypi gjerman: Lojërat në Ballkan dhe Ballkani si lodër

shtypi gjermanShtypi gjerman për tendosjet në raportet mes Beogradit dhe Shkupit. “Serbia ka ashpërsuar raportet me Maqedoninë”.

“Me tërheqjen e diplomatëve të saj nga Shkupi, Serbia i ka acaruar shumë raportet me vendin fqinj Maqedoninë dhe ka shkaktuar një krizë të thellë mes këtyre dy vendeve ballkanike”, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung, duke iu referuar shkrimit të agjensisë së lajmeve DPA. Presidenti Aleksandar Vuçiq tha se “shkaku i tërheqjes është veprimi shumë agresiv i shërbimeve kundër organeve dhe institucioneve të Serbisë”, por ai nuk ka bërë të ditura detajet e këtij veprimit. Media maqedonase spekulon për shkaqet e tërheqjes së diplomatëve serbë nga Shkupi dhe ato i lidhë me mundësinë e mbështetjes së anëtarësimit të Kosovës në Unecso, thuhet në këtë informacion.

„Vuçoqi nuk ka saktësuar se për çfarë bëhet fjalë”, shkruan gazetar austriake Standard, e cila citon agjensinë e lajmeve APA. Edhe mediat austrake dyshojnë se shkaku u mosmarrëveshjeve dhe krizës së fundit është mundësia që Maqedonia të mbështetë anëtarësimn e Kosovës në Unesco.

„Në ish-mbretërinë jugosllave të kombeve dhe kombësive gjendet shumë lehtë ndonjë teori konspiracioni për prishjen e raporteve dhe për grindje”, shkruan Die Presse. “Është fakt që raportet mes këtyre dy vendeve janë prishur pas ndërrimit të pushtetit në Shkup në maj të këtij viti. Serbia ishte vënë qartë në anën e Gruevskit, i cili është në shënjestër të ligjit dhe gjykatave, në kohën e tendosjeve dhe konfliktit mes Gruevskit dhe kryeministrit të ri Zoran Zaev.”

Die Presse rikujton edhe rastin e “turpshëm”, kur një “diplomat serb” ishte vendosur në “krye të ndërhyrjes së përgjakshme në Parlamentin e Maqedonisë”, në fund të prillit.

„Duket se Serbinë e pengon jo vetëm vullneti i fortë i udhëheqjes së re maqedonase për anëtarësim në NATO, por edhe raportet e saj me Shqipërisë dhe Kosovën, si dhe kursi i matur i Shkupit ndaj Bullgarisë. Maqedonia e ka njohur Kosovën në kohën e Gruevskit në vitin 2008. Por Serbinë tani e pengon edhe mundësia e anëtarësimit të Kosovës në Unesco”, shkruan gazeta.

„Vatra e re e krizave në të ardhmen mund të jetë Ballkani”, shkruan gazeta gjermaneHandelsblatt, në një kronikë të përgatitur nga tre gazetarë. “Përderisa BE dhe NATO po përpiqen të afrojnë edhe më shumë Malin e Zi dhe Serbinë, në Evropën juglindore po zhvillohet lufta për dominim, mes SHBA, Rusisë, Turqisë dhe Arabisë Saudite.”

Gazeta citon edhe shefin e diplomacisë austriake, Sebastian Kurz, i cili thotë se influenca turke dhe arabe nuk duhet të shikohet duarkryq. Ai mendon se ky rajon duhet të integrohet më shpejtë në BE dhe duhet të mbështetet angazhimi për refroma dhe luftë kundër grupeve ekstremiste.

„Ballkani ka qenë shpesh një top në lojërat mes forcave të mëdha”, paralajmëron gazeta, duke shtuar se edhe tani po zhvillohet garë mes disa vendeve, si Turqia, Rusia, Arabia Saudite dhe vende të tjera, për shtimin e influencës atje. (dw)

Maqedonia e përcaktuar për fqinjësi të mirë me Serbinë, por…

ZaevQeveria e Maqedonisë nuk diskutoi për incidentin diplomatik me Serbinë, pas tërheqjes së personelin nga Ambasada e Shkupit. Qeveria kumtoi se Maqedonia gjithmonë do t’i ndjek interesat e saj.

Maqedonia është e vendosur për ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore me Republikën e Serbisë, por edhe më vendet tjera të rajonit. “Qeveria e Maqedonisë mbetet fuqimisht e përkushtuar për zgjidhjen e jo krijimin e problemeve, me qëllim forcimin e fqinjësisë, bashkëpunimit dhe partneritetit me Republikën e Serbisë dhe vendet tjera fqnje. Jemi të bindur se kjo është mënyra e vetme që rajoni me vendosmëri të ecë përpara”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Shefi i diplomacisë, Aleksandar Dimitrov, i pyetur nëse Maqedonia është përgjegjëse për përpjekjen e re për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ka thënë se “Maqedonia nuk mund të jetë përgjegjëse për çështje që janë shumë të rëndësishme dhe që mund të shërbejnë si grindje tek fqinjët tanë”.

Tentim për bllokimin e antarsimit të Maqedonisë në NATO

Analisti dhe diplomati shqiptar, Alajdin Demiri thotë se vendimi i Beogradit për të tëhequr stafin diplomatik nuk është befasues.

“Kjo është përgatitur për një kohë të gjatë edhe atë në kohën e votimit të Maqedonisë për anëtarësim të Kosovës në UNESCO. Qysh atëherë janë dhënë sinanje dhe porosi për revidimin e vendimit të njohjes së Maqedonisë me emrin kushtetues dhe përzierje të shërbimeve sekrete në Mal të Zi dhe ngjarjet e 27 prillit në Parlamentin e Maqedonisë. Lidhja mes këtyre dy ngjarjeve ka të bëjë me bllokimin e anëtarësimit të dy vendeve në NATO dhe BE. Pas të gjitha këtyre ngjarjeve ekziston tendenca që të ndihmohet Rusia në qëllimet e saj, për ta penguar integrimin e rajonit në BE dhe NATO”, vleron ish-ambasadori Alajdin Demiri.

Tërheqja e të gjithë personelit diplomatik nga Ambasada në Shkup është rast i rrallë në diplomaci. Përdorimi i fjalëve si intensive apo ofansive po ashtu është i rrallë edhe në teori, shprehet profesori universitar Nikola Dujovski.

“E nevojshme është të presim dhe të shohim se si do të reagojë shteti serb në periudhën në vazhdim. Paralajmërimet janë se diplomatët do të kthehen gjatë kësaj jave dhe të shohim se cili është qëllimi i tyre. Në diplomaci ekzistojnë shkallë dhe mundësi të ndryshme për shprehje e pakënaqësisë ndaj një shteti apo institucioni. Nëse Maqedonia me ndonjë akt ka shkelur konventat ndërkombëtare ekzistojnë hapa të tjerë, ndërsa tërheqja e diplomatëve është shumë i rrallë por edhe i vetmi në historinë moderne”, thotë Dujovski.

Maqedonia po i largohet ndikimit rus

Ish-ambasadori Nano Ruzhin e vlerëson hapin e Serbisë si skandal diplomatik për të treguar se ajo “kollitet” në Ballkan. Serbia do të tregojë rezistencë ndaj faktorit ndërkombëtarë dhe të parandalojë njohjen e Kosovës në UNESKO. Maqedonia me ndërrimin e pushtetit të saj tregoi se po largohet nga ndikimi rus dhe po afrohet me NATO-n dhe BE-në.

“Largimi i personelit diplomatik nga Maqedonia është një përpjekje e Serbisë që të ushtrojë trysni ndaj politikës maqedonase. Vendimi është marrë pas deklaratave të ambasadorëve të Maqedonisë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Serbia ka qeveri populiste që ka për qëllim të fuqizojë imazhin e saj në Ballkanin Perëndimor dhe të fitojë pikë pozitive në politikën e brendshme të saj. Serbia nëpërmjet këtij veprimi tregon rezistencë ndaj faktorit ndërkombëtar dhe sqaron pozitën e saj ndaj NATO-s”, thotë Ruzhin.

Për ish-ministrin e punëve të jashtme të Maqedonisë Denko Malevski, veprimi i Serbisë është pa precedencë në mardhënjet diplomatike dhe reagim i ashpër në periudhën e komplikuar të mardhënjeve serbo-maqedonase. Sipas tij, pas nënshkrimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë midis Maqedonisë dhe Bullgarisë është vërejtur një lloj intensifikimi i raporteve mes Serbisë dhe Greqisë, me qëllim të bllokimit të ndikimit më të madh të Bullgarisë ndaj Maqedonisë.

“Këto janë ato ndikime të interesave rajonale të cilat nuk mund të parandalohen nga BE dhe NATO. Por anëtarsimi i Maqedonisë në këto dy institucione do të na mbronte këtë vend nga ndikimet e jashtme”, vlerëson Denko Malevski. (dw)

 

Përfundimisht, Bekim Jashari kandidat për kryetar të Skenderajt

bekim-jashariBekim Jashari, djali i Hamëz Jasharit, do të kandidojë për kryetar të Komunës së Skenderajt.

Lajmi është bërë publik në Facebook, nga dhëndri i Bekimit, Valon Loshaj dhe është shpërndarë nga anëtarë të tjerë të familjes.

Sipas njoftimit, Jashari e ka marrë këtë vendim për zhvillimin e qytetit me kërkesë të qytetarëve.

“Ditë të mira po e presin Komunën e Skenderajit, nën udhëheqjen e Bekim Hamëz Jasharit, i cili ka kapacitet intelektual, njerëzor dhe kombëtar’, thuhet në njoftim.

Shkrimi i plotë në Facebook:

Të dashur miq,

Kam kënaqësinë e veçant të ndaj lajmin e gëzueshëm me qytetarët e zemrës së shqiptarisë – Drenicës.

Pas kërkesës së drenicakëve për përfaqësim nga djali i Heroit Kombëtarë Hamëz Jashari, ju konfirmoj që Bekim Jashari tha PO.

-PO për Kryetar të Skenderajit,

-PO për drejtësi në Skenderaj,

-PO për zhvillim ekonomik në Skenderaj,

-PO për mirëqenie të qytetarëve,

-PO për zhvillimin e shëndetësisë,

-PO për zhvillimin e arsimit,

-PO për prosperitet të Skenderajit.

Ditë të mira po e presin Komunën e Skenderajit, nën udhëheqjen e Bekim Hamëz Jasharit, i cili ka kapacitet intelektual, njerëzor dhe kombëtar, andaj urime Drenicë, urime Skenderaj, faleminderit Bekim. (telegrafi)

Ekskluzive, Skënderbeu i mbyllur në autobus në Maqedoni

skenderbeuPrej ditësh vazhdon të përflitet sjellja aspak e pranueshme e policisë maqedonase ndaj skuadrës shqiptare të Skënderbeut, e cila udhëtonte nga Zagrebi  në Shkup, e më pas me autobus për në kufirin shqiptar.

Top Channel ka mundur të sigurojë pamjet ekskluzive të përndjekjes së policisë maqedonase, e cila ka shoqëruar autobusin e skuadrës korçare.

Në një moment, stafi dhe skuadra kanë vendosur të ndalojnë për ujë, apo për nevoja personale në një karburant, pa pyetur askënd, pasi kishin udhëtuar shumë orë pa lëvizur nga autobusi. Por makina e policisë i është kthyer menjëherë duke tentuar të bllokojë derën, për të mos dalë askush nga autobusi.

Një situatë e papranueshme, për të cilën as Ambasada shqiptare në Shkup nuk ka asnjë informacion. Të kontaktuar nga Top Channel, ata thonë se nuk janë sinjalizuar për asnjë situatë të veçantë që solli në këtë përcjellje të pakuptimtë të skuadrës shqiptare nga territori maqedonas.

/ Top Channel