“Aleanca për Shqiptarët nuk largohet nga qeveria”

aleanca-për-shqiptarëtTreshja e koalicionit qeveritar, LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, do të vazhdojë të mbetet e njëjtë. Zyrtarisht nga Qeveria deklaruan se në këtë institucion nuk ka pasur dhe nuk do të ketë një debat të tillë, duke na adresuar për përgjigje te partitë. Nga partia e Ziadin Selës përsërisin qëndrimin e tyre se janë të përcaktuar për reforma dhe për bashkëpunim në zbatimin e programit qeveritar me të cilin parashikohen këto reforma.

“Qeveria është një sistem, një tërësi e cila duhet të përbëhet prej njësive që kanë veçori të përbashkëta. Në rastin konkret, ne e llogarisim veten si qeveri reformatore dhe unë nuk shoh asnjë arsye që Aleanca për Shqiptarët të mos jetë pjesë e kësaj qeverie sepse ne jemi të përcaktuar për të bërë reforma”, deklaroi për Alsat-M, Elmi Aziri, shef i shtabit zgjedhor të Aleancës për Shqiptarët.

Që largimi i Aleancës për Shqiptarët nuk është diskutuar mes partnerëve të koalicionit, pohon edhe LSDM-ja.

“Nuk ka një gjë të tillë. Koalicioni është në bazë të principeve dhe presim të vazhdojë bashkëpunimi në drejtim të zbatimit të reformave në interes të të gjithë qytetarëve”, njoftojnë nga LSDM-ja.

Nga BDI-ja thonë se presin vazhdimin e bashkëpunimit mes tre partive, në qeverisjen qendrore dhe në atë lokale.

“Ne jemi të bindur se reformat janë ata të cilat qytetarët presin. Një bashkëpunim i mirë me komunat, rrumbullakimi i Marrëveshjes së Ohrit në aspektin e barazisë etnike dhe anëtarësimi në NATO dhe BE… Kjo është ajo që pritet nga ne kurse sa i takon qëndrimeve të Aleancës ata vetë do ta sqarojnë pozicionin e tyre”, deklaroi në emisionin “200” në Alsat-M, Fatmir Besimi, shef i shtabit zgjedhor të BDI-së.

Zërat për largimin e mundshëm të Aleancës për Shqiptarët nga Qeveria u shtuan pas koalicionit të kësaj partie me Lëvizjen Besa, para rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale. (Bashkim Iljazi)

Nëntori, muaji i gjykimeve të “nxehta” në Maqedoni

Grupi-i-Kumanoves-ne-gjykate-Procesi gjyqësor për “Lagjen e Trimave”, para përmbushjes së dy viteve nga ngritja e aktakuzës, në fillim të muaji nëntor pritet të marrë fund, shkruan gazeta KOHA.

Caktimin e miratimit të aktgjykimit, Gjykata Penale e Shkupit për këtë lëndë e ka paraparë ta kumtojë me datë 2 nëntor. Lënda gjyqësor për ngjarjet e Kumanovës, që ndodhën në prill dhe maj të vitit 2015, para Këshillit Penal, në kryer me gjykatësen Verka Petrovska, është proceduar për gati dy vite. Gjatë kësaj periudhe, pala mbrojtëse, prokuroria dhe vetë të akuzuarit, shpalosën fakte dhe argumente të ndryshme. Megjithatë, Trupi gjykues në një asnjë moment të këtij procesi gjyqësor nuk arriti të kuptojë dhe merr përgjigje nga të akuzuarit se kush në realitet e ftoi grupin nga Kosova që përmes kalimit ilegale të kufirit të futet me armatim në Maqedoni.

Nën akuzën e njëjtë, përfshi edhe sulmin në Karakollin e Gushincës, me datë 3 nëntor Gjykata Penale e Shkupit duhet t’ia caktojë dënimin edhe të akuzuarit Sulejman Osmani. Për dallim nga 37 të akuzuarit tjerë për ngjarjet e Kumanovës, procesi gjyqësor ndaj Sulës është zhvilluar ndarës. Arsyeja se pse Sulejman Osmani nuk mundej të gjykohet me anëtarët tjerë të grupit, siç tha në disa raste gjykatësja Verka Petrovska, ishte për shkak rrezikut që ky proces të fillonte nga e para, gjegjësisht në këtë mënyrë aktgjykimi nuk do të miratohej në afatin e paraparë ligjor. Prej datës 9 shkurtë 2016, kur edhe zyrtarisht filloi gjykimi kundër grupit të Kumanovës, e deri në mesin e shtatori të këtij viti, ky proces gjyqësor ka pësuar disa ndryshme. Përveç bashkimit të lëndës gjyqësor “Rrufeja” (grupi i logjistikës sipas Prokurorisë), aktakuza për “Lagjen e Trimave” ka pësuar ndryshime edhe në drejtim të akuzave për organizatorët e grupit, respektivisht me këtë rast Sami Ukshini dhe Demë Shehu, u përjashtuan nga akuza se kanë qenë liderë të grupit.

Seancë tjetër gjyqësor e caktuar për 2 nëntor pritet të mbahet edhe për rastin “Fortesa2”, lëndë kjo e iniciuar nga Prokuroria Speciale Publike, e që lidhet me shkatërrimin e dokumentacionit dhe pajisjeve për përgjimet. Në këtë proces gjyqësor, si të akuzuar kryesor llogaritet ish dyshja e Drejtorisë së Pestë në polici, Goran Grujoski dhe Nikolla Boshkovski, të cilët për momentin qëndrojnë në burgun e ekstradimit në Selanik. Krahas kësaj lëndë, prokurorët special në GJPSH, gjatë muajit nëntor pritet të paraqiten më shpesh, pasi që me datë 6 nëntor është caktuar seanca gjyqësor për rastin “Transportuesi”. Kjo aktakuzë e ngritur nga PSP-ja, ka të bëje me veprime kriminele gjatë transportit të nxënësve në qytetin e Manastirit, ku si i akuzuar i parë cilësohet ish kryetari i kësaj komune Vlladimir Taleski dhe 20 të akuzuar tjerë. Për herë të parë që kur është ngritur aktakuza me 7 nëntor para Trupit gjykues, pritet të paraqitet edhe afaristi Sead Koçan, i cili nga PSP-ja hetohet si i akuzuar kryesor në rastin “Trust”, me çka siç thuhet në aktakuzë pronari i TV “Nova” ka keqpërdorur 15 milionë para nga arka e shtetit.

Njëkohësisht me 15 nëntori pritet të filloi edhe gjykimi për rastin “Treqind”, në të cilën i akuzuar i parë është ish ndihmës ministri i punëve të brendshme, Gjoko Popovski. Akuzat ndaj këtij ish funksionari kanë të bëjnë me mënyrën e jashtëligjshme të furnizimit me automjete për nevojat e policisë së shtetit. Gjykim tjetër i caktuar për muajin nëntor është për rastin “Shuplakat”. Seanca gjyqësore kundër të akuzuarit të parë në këtë lëndë, ish kryeministrin Nikolla Gruevskin, pritet të mbahet me 20 nëntor. Dhe, gjykimi i fundit i “nxehtët” që pritet të mbahet në GJPSH, brenda muajit nëntor është për rastin “Sopoti”. Prokurori special, Burim Rustemi, në seancën e fundit parashtroi prova shtesë për këtë rast, me çka pala mbrojtëse kërkoi kohë për t’i shqyrtuar dhe Trupi gjykues vendosi që me 23 nëntor të vazhdoj gjykimi për rastin Sopoti.

Të paktën tetë të vdekur në një incident në New York

incidenti NYAutoritetet në New York thanë se të paktën tetë persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën kur një makinë u fut në një shteg të biçikletash dhe shtypi çiklistët dhe këmbësorët jo larg Qendrës përkujtimore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Manhattan.

Më pas drejtuesi i makinës doli duke vringëlluar me sa duket një armë.

Policia në New York, tha se arrestoi shoferin pasi e qëlloi atë. Policia tha se i arrestuari është 29 vjeçar, por nuk e bëri të ditur identitetin e tij.

Guvernatori i New Yorkut Andrew Cuomo, e cilësoi sulmin si veprim të një “ujku të vetmuar”, duke theksuar se nuk ka dëshmi që ai mund të ishte pjesë e ndonjë komploti më të gjerë.

Kryetari i bashkisë së New Yorkut, Bill De Blasio, tha se tetë veta humbën jetën dhe një duzinë u plagosën në atë që ai e quajti “akt qyqar i terrorit”.

Autoritetet thanë se 6 veta humben jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë vdiqën më pas nga pasojat e plagëve. Të paktën 11 veta janë dërguar në spital me plagë të rënda.

Një numër i madh makinash të policisë janë në vendin e ngjarjes.

Departamenti i policisë së New Yorkut u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin zonën.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, tha se presidenti, Donald Trump, është informuar për incidentin.

Presidenti Trump shkroi më pas në rrjetin social twitter se ” duket si një sulm tjetër nga një person shumë i sëmurë dhe i çrregulluar”.

Top Story, si mbërriti dosja “Habilaj” në Top Channel

GJYQI-HABILAJTTop Channel transmetoi i pari më datë 17 tetor detajet e dosjes së Habilajve. Prej orës 15:00 të asaj dite e deri më tani vijon cikloni politik, por po vijon edhe një hetim për Habilajt, ndërsa ish-ministrit Tahiri ju kontrollua banesa dhe u mor në pyetje nga Prokuroria.

Ish-Kryeministri Berisha disa ditë më pas kishte një variant të tijin se si dosja Habilaj u publikua.

“Dosjen ja dha Rama Topit (Top Channel). Topi u bë persekutori i Tahirit”, deklaronte ai.

Por cila është e vërteta? Të parët që publikuan vendimin e gjykatës për Habilajt ishin gazetarët italianë të Meridionews. Dario De Luka tregon se si nisi gjithçka dhe i jep edhe një përgjigjje ish-kryeministrit Berisha.

“Gjithçka ka nisur nga një komunikatë për shtyp e Guardia di Finanzia, që lajmëronte arrestimet e këtyre trafikantëve, italianë dhe shqiptarë. Më pas, përmes burimeve tona, arritëm të merrnim urdhërin dhe detajet kryesore të hetimeve dhe nga aty, u thelluam edhe më shumë në ngjarje. Ishim në Itali dhe në nivel ndërkombëtar, të parët që dhamë lajmin se mes të arrestuarve dhe të hetuarve, ishin edhe dy kushërinj të ish-ministrit”, thotë gazetari italian, Dario De Luca.

Top Channel: Ish-kryeministri tha se Top Channel-it, dosjen ja kaloi vetë Kryeministri. Cila është e vërteta? Sepse ju jeni të parët që mësuat për këtë hetim.

Dario De Luca: E përgënjeshtrojmë në mënyrë absolute ish kryeministrin Berisha, sepse pasi publikuam lajmin, kemi bashkëpunuar me Top Channel. Top Channel na kërkoi dokumentacionin dhe ne ja dhamë kolegëve shqiptarë, që më pas bënë hetimet e tyre më të thella.

Top Channel: Nga përgjimet, nga ajo që ju dini, rezulton se duhet të jetë nën hetim edhe Saimir Tahiri.

Dario De Luca: Duke lexuar aktet e hetimit, sipas meje s’ka supozime për një hetim. I referohen atij në dy raste, por Saimiri që citohet në një pasazh tjetër është një kamionist. Nuk dihet asgjë se për çfarë detyrash.

Top Channel: Vetëm dy herë?

Dario De Luca: Po. Saimiri citohet në letrat e hetimit në disa pasazhe.

Top Channel: Për të qënë sa më specific, ish-ministri dmth?

Dario De Luca: Po, ish-ministri. Ai citohet në disa pasazhe. Në njërin pasazh, u referohen parave dhe ata thonë Saimir, flasin për Saimirin dhe sipas Guardia Di Finanzia, ky Saimiri është ish-ministri. Në një pasazh tjetër, i referohen gjithnjë këtij emri, por identifikohet si një kamionist, shoferin e një kamioni.

Top Channel: Është ai?

Dario De Luca: Nuk duhet të jetë ai.

Top Channel: Duke parë të gjitha gjërat mbi këtë grup, mendon se mbyllet gjithcka këtu me këto 12 arrestime apo hetimet do të zgjerohen për këtë grup?

Dario De Luca: Hetimi me siguri do të vazhdojë. Do të vazhdojë, pastaj ka një periudhë kohe teknike, brenda së cilës do të mbyllet dhe nga aty do të nisë rrugëtimi gjyqësor, pra procesi. Sigurisht që është një hetim vërtet i madh sepse në mes ka patur 21 sekuestrime për drogë ndaj ky rrjet narko-trafikantësh, nuk është i limituar në 12 persona por shumë më tepër, ndaj dhjetëra dhjetëra persona.

Edhe pse ju drejtuam me kërkesë zyrtare Guardia di Finanzas për të marrë një qëndrim të tyre mbi zhvillimin e hetimeve, burkoracitë dhe marrja e lejes nga Roma, e bëri të pamundur përgjigjen e tyre. Por gjithsesi, jozyrtarisht na thuhet se tashmë ky grup është shkatërruar.

Top Channel

Hetimi për Rusinë merr një drejtim dramatik

hetimi per fushaten presidencialeHetimi i prokurorit të posaçëm lidhur me mundësinë e bashkëpunimit mes fushatës presidenciale të vitit 2016 të Presidentit Donald Trump dhe Rusisë mori nuanca dramatike dje, me ngritjen e akuzave ndaj dy ish zyrtarëve të fushatës së zotit Trump, Paul Manafort dhe Rick Gates. Prokurori i Posaçëm Robert Mueller po ashtu bëri të ditur se ish-ndihmësi i fushatës së zotit Trump, George Papadopoulos, kishte pranuar fajësinë ndaj akuzave se e kishte gënjyer FBI-në lidhur me hetimin për çështjen e Rusisë.

Ish-menaxheri i fushatës së zotit Trump, Paul Manafort, u paraqit dje në një zyrë të FBI-së në Uashington dhe më vonë tha se ishte i pafajshëm në gjykatën federale, ashtu sikurse edhe ish-ndihmësi i tij, Rick Gates.

Të dy ata përballen me akuzat për komplot, deklarata të rreme, dhe pastrim parash lidhur me përpjekjet e tyre të lobimit në favor të Ukrainës.

Këshilltari i posaçëm Robert Mueller, po ashtu bëri të ditur se ish-ndihmësi i fushatës së zotit Trump George Papadopoulos kishte pranuar në fillim të muajit, se i kishte gënjyer agjentët e FBI-së lidhur me kontaktet me rusët, me qëllimin për të siguruar prej tyre infromacione të dëmshme për rivalen e zotit Trump, Hillary Clinton.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders tha se

Papadopoulos nuk ishte një person me peshë në fushatën e zotit Trump:

“Ai ishte vetëm një vullnetar i fushatës, me kontribut të kufizuar; nuk pati asnjë aktivitet në kapacitet zyrtar.”

Presidenti Trump reagoi ndaj lajmit me një tweet, ku shkruante “asnjë marrëveshje e fshehtë!”.

Më vonë, avokati i zotit Manafort, Kevin Downing, foli me gazetarët jashtë gjykatës:

“Nuk ka fakte që zoti Manafort, apo fushata e zotit Trump të ketë bashkëpunuar me qeverinë ruse”.

Manafort ishte menaxheri i fushatës së zotit Trump gjatë kuvendit republikan të vitit të kaluar:

“Ne duam që Amerika ta kuptojë kush është Donald Trump si njeri, jo vetëm si kandidat.”

…Por ai u pushua nga kjo detyrë në gusht të vitit të kaluar.

Akuzat që u bënë të njohura dje janë hapat e parë të rëndësishëm të zotit Mueller, pas emërimit të tij si prokuror i posaçëm në muajin maj, për të zhvilluar hetime ndaj akuzave për bashkëpunim mes fushatës së zotit Trump dhe Rusisë.

Pranimi i fajit nga Papadopoulos mund të jetë një pikë kthese, thotë Greta Van Susteren, eksperte ligjore dhe bashkëpunëtore e Zërit të Amerikës.
“Ky është një shteg që çon tek fushata e zotit Trump. Nuk e dimë nëse bëhet fjalë për një akt penal, apo jo. Por është hera e parë që shohim një lloj procedure zyrtare që e lidh një punonjës të fushatës presidenciale me çështjen ruse.” – tha zonja Van Susteren.

Ndërsa hetimi i zotit Mueller hyn në një fazë të re, për Shtëpinë e Bardhë dhe presidentin ky proces përbën një kokëçarje të madhe politike, thotë zonja Van Susteren.

“Patjetër, që kjo është çështje politike që nuk dimë ku do na çojë. Ndoshta pas Papadopulos nuk do të ketë ish-zyrtarë të tjerë të fushatës që pranojnë fajësinp, por mund të jetë edhe maja e ajzbergut për çështje të tjera. Këtë nuk e dimë,”- tha ajo.

Mueller u emërua prokuror special pas vendimit të Presidentit Trump për të pushuar nga puna Drejtorin e FBI-së James Comey. (voa)

Sekuestrohen pasuri të Habilajve

HabilajNë Shqipëri është ekzekutuar sot vendimi i marrë një ditë më parë nga Gjykata e Vlorës për vënien nën sekuestro preventive të disa pasurive të vëllezërve Habilaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre

Vendimi është marrë pasi grupi Habilaj akuzohet të ketë qenë pjesë e një organizate italo shqiptare e cila trafikonte marijuanë drejt Italisë. Moisi Habilaj u arrestua pak javë më parë gjatë një operacioni në Catania të Italisë që çoi në goditjen e organizatës. Dy vëllezërit e tjerë janë shpallur në kërkim.

Nën sekuestro kanë përfunduar tre njësi shërbimi dhe tre apartamente në qytetin e Vlorës, ndërsa sipas autoriteteve vijojnë hetimet për identifikimin e pasurive të tjera që dyshohet se mund të jenë vënë nga aktivitete kriminale.

Goditja e grupit në Itali u pasua nga polemika të forta në Shqipëri për shkak të lidhjes farefisnore të Habilajve me ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Prokuroria kërkoi nga parlamenti autorizimin për arrestimin e zotit Tahiri por shumica e hodhi poshtë “për mungesë provash” sipas saj. Javën e shkuar oficerë të policisë gjyqësore ushtruan kontroll në banesën e zotit Tahiri, ndërsa më pas ai u thirr në Prokurori për t’u marrë në pyetje. (voa)

Rritet importi nga Serbia

qumsht serbieEksporti i produkteve të Serbisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare është në rritje nga viti në vit. Janë rreth 400 milionë euro në vit produkte të ndryshme që importohen nga Serbia, duke u bërë kështu importuesi më i madh në Kosovë.

Vetëm gjatë nëntë muajve të këtij viti, Serbia ka eksportuar mallra në Kosovë në vlerë prej mbi 300 milionë euro, derisa, eksportet e Kosovës në Serbi për të njëjtën periudhë arrijnë vlerën e jo më shumë se 35 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se krahasuar me vitin e kaluareksportet nga Serbia kanë shënuar rritje për 15 për qind.

Vlera e importeve nga Serbia deri në fund të muajit shtator të këtij viti tregon se ka një rritje të vlerës së këtyre mallrave. Nëse në vitin e kaluar në të njëjtën periudhë kemi pasur 284 milionë euro mallra të importuara nga Serbia, gjatë këtij viti kemi 327 milionë euro, ka një rritje prej 43 milionë euro”.

Derisa, eksporti i Kosovës në Serbi gjatë kësaj periudhe ka qenë në vlerë prej 35 milionë euro, ndërsa gjatë vitit të kaluar ka qenë 24 milionë euro, ka një rritje prej 15 milionë euro apo në përqindje 44 për qind”, thotë Stavileci.

Importi i produkteve nga Serbia, shton Stavileci, është i fokusuar në industrinë e ushqimit, por ka edhe produkte tjera industriale, kurse eksporti i Kosovës në Serbi është i fokusuar në pemë, perime dhe materiale ndërtimore.

Kosova, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave vazhdon të përballet me deficit të lartë tregtar. Kontributi i eksporteve në volumin tregtar, sipas të dhënave të vitit 2016 ishte shumë i ulët, me rreth 310 milionë euro, kurse importi afër 3 miliardë euro.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se varshmëria e tregut të Kosovës nga produktet e huaja, tregon për politikat e pafavorshme fiskale, më të cilat përballen prodhuesit e Kosovës.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini thotë se bizneset e Kosovës, vazhdojnë të ballafaqohen me një konkurrencë të padrejtë, ekonomi joformale dhe probleme tjera që pamundësojnë zhvillimin e tyre.

Këto barriera, shton Shahini, e bëjnë Kosovën të mos jetë konkurruese me produktet e saj.

Kosova mbetet vendi më i fuqishëm konsumues krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor. Arsyet dhe shkaqet janë se prodhimi vendor është ngarkuar me ngarkesa të panevojshme të politikave fiskale. Kjo e bën që Kosova të jetë eksploruesi më i fuqishëm i parave të gatshme”.

Kosova me këtë ekonomi të dobët vendore, do të duhet të fokusohet në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe eksportuese dhe të mbështes politikat ekonomike me një strategji afatgjate”, thotë Shahini.

Sipas Shahinit shumë nga prodhimet vendore mund të zëvendësohen me produktet që vinë nga Serbia dhe vendet tjera të rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Ai thotë se derisa kompanitë nga Serbia arrijnë të kenë treg të madh në Kosovë, produktet e Kosovë më shumë vështirësi depërtojnë në tregun e Serbisë.

Serbia mbetet partneri jonë kryesor sa i përket importeve nga ta, derisa produktet e Kosovës mbeten të padëshiruara në Serbi. Kjo duhet ta ngrit vetëdijen tonë, si tek institucionet ashtu edhe tek konsumatorët. Ne kemi disa sektorë të zhvilluar derisa ne vazhdojmë të importojmë po ato produkte që vet i prodhojmë, duke i bërë kështu konkurrencë produkteve tona”, thotë Shahini.

Ndryshe, një nga arsyet e rritjes së shkëmbimeve tregtare me Serbinë, që e theksojnë përfaqësuesit e bizneseve ka qenë edhe marrëveshja për Tregti të Lirë CEFTA,ku vendet e Ballkanit Perëndimor janë anëtare të këtij mekanizimi – dhe nuk ka obligime doganore. (rel)

Gjermania kremton Reformacionin – kishat të orientuara te pajtimi

MerkelNë Wittenberg u mbajt mesha qendrore për jubileun e 500-të të Reformacionit. Edhe Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti Steinmeier ishin ndër të ftuarit.

500 vjet pas fillimit të Reformacionit, katolikët dhe protestantët theksuan vullnetin e tyre për një afrim të gjerë me njeri-tjetrin. Në meshën qendrore festive të protestantëve gjermanë në kishën Schlosskirche në Wittenberg, Kryetari i Këshillit të Kishës Evangjeliste në Gjermani, Heinrich Bedford-Strohm dhe kryetari i Konferencës së Ipeshkvëve Gjermanë, Kardinali Reinhard Marx i dorëzuan së bashku një kryq Presidentit Federal të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier. Ata e vlerësuan këtë akt si “premtim të të krishterëve” për t’u angazhuar për paqe, pajtim dhe drejtësi, tha Marx. Kisha është më e vjetër dhe më e madhe se grindja midis konfesioneve. “Ne duam të jemi fuqimisht dëshmitarë të shpresës”, tha ai.

Ftesë për Papën Françesk

Më parë, Bedford-Strohm u zgjati simbolikisht dorën katolikëve. Para syve të Presidentit të Gjermanisë, Steinmeier dhe të Kancelares gjermane, Angela Merkel ai iu drejtua në fjalën e tij drejtpërdrejt Papës Françesk: “Kurdo që të vish këtu në Wittenberg, një gjysmë mijëvjeçari pas djegies së qarkores së shkishërimit ne do të themi me gjithë zemër mirëserdhe!” Me “Krishtin duhet folur dhe pastaj të ecet me guxim përpara”.

Sipas dokumenteve, 500 vjet më parë Martin Luteri i ngjiti 95 tezat e tij në derën e Schlosskirche të Wittenbergut – prandaj dita e Reformacionit këtë herë është ditë feste pushimi në të gjithë Gjermaninë. Luteri me këtë akt protestoi kundër praktikës së atëhershme të Kishës me tregtinë e çertifikatave të ndjesave – me të cilin mund të bleje faljen e mëkateve. Shpallja e tezave konsiderohet si fillim i Reformacionit të përbotshëm dhe i ndarjes së kishës – si rezultat i lëvizjes lindi Kisha Evangjeliste.

Zhvillime pozitive

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ikumenik të Kishave (ÖRK), Olav Fykse Tveit, e cila përfaqëson rreth 500 milionë të krishterë në të gjithë botën, ishte i pranishëm në Wittenberg. Pastori norvegjez Tveit e karakterizoi Reformacionin si “qytetare të botës”. Ai u bëri thirrje kishave që të ndërmarrin hapa të tjerë në rrugën e unitetit.

Në Poloninë me traditë katolike me rastin e 500 vjetorit të Reformacionit u zhvillua gjithashtu një meshë ikumenike. Kryetari i Këshillit Papnor për nxitjen e unitetit të të krishterëve,  Kardinali Kurt Koch bëri një bilanc pozitiv të procesit ikumenik në kuadër të jubileut të 500-të të Reformacionit. Në dhjetë vitet e kaluara ka pasur zhvillime, për të cilat ai është mirënjohës, tha Koch. “Në fillim të dekadës së Luterit”, situata “dukej pak më e vështirë.” (dw)

Reformacioni i papritur

Martin LuterMartin Luther paraqiti tezat e tij për reformimin e kishës katolike më 31 Tetor. Sot Gjermania feston Ditën e Reformacionit. Por a është ky vend, vendi i Reformacionit? Shumica e protestantëve nuk jetojnë në Gjermani.

Në fillim ishte fjala. Kjo fjali e famshme nga përkthimi i Biblës i Martin Luterit mund të kishte qënë motoja e jubileut të Reformacionit. Në fund të fundit, Reformacioni u shkaktua nga shpallja me fjalë të fuqishme e tezave të Martin Luterit, 500 vjet më parë.

Por punët erdhën ndryshe. Jubileu ngjalli shpresa dhe ëndrra të mëdha, sepse Martin Luteri rezultoi figurë e mrekullueshme për publicitet. Kush e di, sikur jubileu të shkaktonte këtu një reformacion të ri dhe t’u shtonte papritur besimtarët kishave?

Shpresa e madhe nxiti entuziazëm të madh. Jo vetëm për një vit, por për dhjetë vjet me radhë duhet të festohet në Gjermani përvjetori i 500-të i Reformacionit: në vitin 2007 kisha evangjelike në Gjermani shpalli një “dekadë të Luterit”.

Zhgënjim protestant

Shpresa ndërkohë ia ka lënë vendin zhgënjimit protestant. Përtëritja reformatore nuk ndodhi. Numri i të krishterëve në atdheun e Lutherit është më tej në rënie. Nderimi i thellë i Zotit nga Luteri, radikalizmi i tij dhe thirrja e tij për pendesë për gjithë jetën u duken shumë njerëzve këtu të çuditshme.

Edhe nëse në vitin 2016 për herë të parë hynë në kishën evangjelike më shumë njerëz se sa dolën prej saj: që prej ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990, pjesa e protestantëve në Gjermani nga 36 përqind që ishte, ka rënë në 26 përqind. Gradualisht po pranohet: edhe festimet për një ngjarje të tillë epokale si 500 vjet reformacion nuk mund t’i mbash të gjalla për një dekadë të tërë. Organizatorët, para së gjithash Kisha Evangjelike e Gjermanisë shkuan shumë larg.

Me sharmë dhe radikalitet

Po kjo nuk merr fund këtu. Ata nuk mbajtën parasysh sa duhet as një tendencë të rëndësishme të “Qytetares së botës Reformacion”, një përcaktim i qëlluar i Federatës Botërore Luteriane: sepse ripërtëritja protestante sot nuk kryhet më në Gjermani, por krejt diku tjetër. Dhe bëhet ndryshe nga ajo që mendohej.

Sipas të dhënave të “Qendrës për Studimin e Krishtërimit Global”, rreth 228 milionë prej 560 milionë të krishterëve evangjelistë jetojnë në Afrikë. Rreth 130 milionë janë në kontinentin amerikan, rreth 100 milionë në Azi dhe rreth 90 milionë në Evropë.

Në të gjithë botën, janë gjithsej 2,3 miliardë njerëz të besimit të krishterë, dy të tretat prej tyre jetojnë në Azi, në Afrikë dhe në Amerikën Latine. Shumica janë katolikë. Por në këto rajone ngrihen edhe kisha evangjeliste, të cilat fjalën e Zotit e interpretojnë në mënyrë konservatore, krejt në të kundërtën e asaj që bën protestantizmi gjerman.

Kundërreformacion në Lagos

Ky revolucion i ri konservator do të vijë edhe në Evropë. Si duhet të reagojnë kishat e këtushme për këtë zhvillim? Çfarë do të thoshte Luteri për këtë lloj reformacioni? A do ta përshëndeste interpretimin fjalë për fjalë të Biblës?

Në vend që të harxhojnë fuqitë edhe pas 500 vjetësh me kishën katolike dhe me Papën, protestantët sot duhet të vendosin veton e tyre kundër predikuesve të indulgjencës të epokës së re: deklaruesve të të ashtuquajturit evangjelizëm i mirëqënies ose i fundit të botës.

Nga pikëpamja teologjike Gjermania është e përgatitur më së miri për këtë debat, sepse në rang ndërkombëtar bën pjesë në vendet drejtuese të shkencave teologjike. Dhe ngulitja në shoqëri e protestantizmit vazhdon të formësojë edhe më tej kulturën politike në këtë vend – edhe nëse besimi te Zoti po bie. Prandaj është koha më e përshtatshme për t’u kthyer në fillesat e Luterit: “Në fillim ishte fjala”. Debati teologjik për Reformacionin e vjetër dhe të ri nuk duhet të zhvillohet në Gjermani, por në Lagos, në Seul dhe në Sao Paolo. Në njërin prej këtyre metropoleve duhet të kremtohet edhe jubileu i ardhëm i Reformacionit. (Astrid Prange De Oliveira)

Facebook dhe hetimi mbi ndërhyrjen ruse

facebookFacebooku njoftoi se një hetim i brendshëm i kompanisë lidhur me përpjekjet e Rusisë për të ndikuar zgjedhjet presidenciale amerikane tregoi se “operativë të mbështetur nga Rusia” kanë publikuar rreth 80 mijë postime në rrjetin social që gjetën përhapje tek 126 milionë amerikanë gjatë një periudhe dyvjeçare.

Lajmi vjen ndërsa avokatët e Twitter-it, Facebook-ut dhe Google-it pritet të dëshmojnë sot përpara një komisioni të Senatit, nëse ka patur ndikim fushata ruse në zgjedhjet amerikane vitit 2016. Kompanitë janë nën presion për të dëshmuar përpara ligjvënësve, se po i përgjigjen ndikimit rus me masa të reja, për të siguruar që kjo nuk do të ndodhë në të ardhmen.

Avokatët do të dëshmojnë para komisionit Juridik të Senatit, një nga tre panelet e kongresit që kërkon detaje të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane, apo të bashkëpunimit të mundshëm të fshehtë të zyrtarëve të fushatës së Presidentit Donald Trump me rusët.

Dje në një postim, kompania “Google” tha se gjeti atë që e përkufizoi si “veprimtari e kufizuar” në platformat e saj nga “individë që mudn të jenë rusë”, por premtoi se do të “ndërmerrte veprime të reja për të siguruar më shumë transparencë dhe për të rritur sigurinë”. (voa)