SHBA pezullon dhënien e vizave jo-emigruese në Turqi

USAShtetet e Bashkuara kanë pezulluar përkohësisht të gjitha aplikimet për viza jo-emigrimi nga Turqia, njofton ambasada në Ankara.

Deklarata e ambasadës amerikane sot thoshte se, “ngjarjet e fundit e kanë detyruar qeverinë amerikane që të rishqyrtojnë angazhimin e qeverisë turke lidhur me sigurinë e objekteve të misionit dhe personelit amerikan”.

Deklarata nuk i qartësonte arsyet për të cilat ajo po e rivlerëson angazhimin e Turqisë dhe po ashtu nuk sqaron se sa do të zgjasë pezullimi.

Në deklaratë po ashtu thuhet se, “për të minimizuar numrin e vizitorëve në ambasadë dhe konsullata ndërsa vazhdon ky vlerësim, efektivisht menjëherë pezullohen të gjitha shërbimet për viza jo-emigrimi në të gjitha objektet diplomatike amerikane në Turqi.” (voa)

Tensione mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara

Shef i GardesShefi i Gardës Revolucionare të Iranit po paralajmëron se bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme do të ishin në rrezik nga një sulm iranian me raketa nëse Uashingtoni vë sanksione të reja ndaj Teheranit.

Presidenti amerikan Donald Trump ka në plan që të deklarojë gjatë ditëve në vazhdim se Irani nuk po e respekton marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015 për frenimin e armëve bërthamore, ndërsa do t’i japë Kongresit 60 ditë afat për të vendosur nëse do të rinovojë sanksionet ekonomike kundër Teheranit.

Nga ana tjetër, media shtetërore në Iran citoi komandantin e njësisë së fushishme të atij vendi, Mohammad Ali Jafari, i cili paralajmëroi të dielën se nëse vendosen sanksione të reja, Shtetet e Bashkuara do të duhet të largojnë bazat e saj rajonale jashtë perimetrit prej 2 mijë kilometrash të raketave iraniane. Bazat ushtarake amerikane ndodhen në Bahrain, Irak, Aman dhe Afganistan, në një largësi prej 500 kilometrash prej kufijve të Iranit.

Shefi i Gardës Revolucionare, Jafari, hodhi poshtë negociatat me Shtetet e Bashkuara lidhur me çështjet rajonale dhe tha se nëse Shtetet e Bashkuara e cilësojnë Gardën Revolucionare si grup terrorist, atëherë edhe Teherani do ta konsiderojë ushtrinë amerikane si terroriste.

“Nëse është e vërtetë se qeveria amerikane me budallallëk do ta konsiderojë Gardën Revolucionare si grup terrorist, atëherë edhe Garda Revolucionare do të konsiderojë ushtrinë amerikane në mbarë botën si Shtetin Islamik, kryesisht në Lindjen e Mesme”¸ tha Jafari.

Ai tha se sanskionet e reja amerikane do u jepnin fund përgjithmonë “çdo mundësie për angazhim” mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Presidenti Trump, pas takimit me drejtuesit e lartë amerikanë, tha se Irani nuk ka respektuar marrëveshjen për kufizimin e programit bërthamor që Irani arriti me Shtetet e Bashkuaa, Francën, Britaninë, Gjermaninë, Kinën dhe Rusinë në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike që kanë gjymtuar atë vend.

“Regjimi iranian mbështet terrorzmin dhe eksporton dhunë dhe kaos në Lindjen e Mesme. Prandaj ne duhet t’i japim fund agresionit të vazhdueshëm të Iranit dhe ambicjet bërthamore të tij”, u shpreh Presidenti Trump. (voa)

“Burning Man” dhe qyteti i lirisë ekstreme

Burning ManÇdo vit, për vetëm një javë, një “qytet” lind në shkretëtirën e Nevadës, Qyteti Shkëmbi i Zi, ku ka vetëm tre rregulla: vetbesim ekstrem, liri për t’u shprehur dhe dhurime. Kjo traditë e quajtur Burning Man ekziston tashmë prej 30 vitesh. Themeluesit e saj donin të ndërtonin një komunitet që dëshiron të jetojë në kundërshtim me ligjet bazike të një shoqërie moderne kapitaliste. Gazetarja e “Zërit të Amerikës”, Genia Dulot, e ka prekur nga afër këtë projekt utopik.

Burning Man ndodhet në një shkretëtirë të largët të Nevadës, tre orë larg me makinë nga qyteti më i afërt. Telefoni aty nuk punon. Ndonëse gjatë ditës temperatura është 40 gradë celsius, gjatë natës bie nën zero, madje shpesh ka stuhi rëre vdekjeprurëse. Por pavarësisht nga kushtet ekstreme klimatike, 70.000 njerëz e vizitojnë qytezën e sajuar çdo vit për një javë.

Jett është 11 vjeç, por është viti i 12-të që vjen në Burning Man; herën e parë që erdhi këtu, ai ishte akoma në barkun e së ëmës. Jettit i pëlqen t’i japë një makine peshkaqen gjigande, të cilën e ka ndërtuar shumë vite më parë babai i tij. Pjesë e traditës në këtë aventurë është edhe “spërkatja” me akull. Jetti është i vetdijshpëm se parimi kryesor i Qytetit Shkëmbi i Zi është vetbesimi radikal. Kjo është lista e tij me gjërat më të nevojshme:

Akull, ujë, maskë, krem mbrojtjeje nga dielli etj.“.

Michael, një veteran i kësaj tradite, vjen këtu me të bijën. Së bashku, ata kanë ndërtuar një dragua me rrota e pedale, që lëshon flakë.

Mendoj se thelbi i Burning Man është liria për të krijuar dhe shfrenuar fantazinë. Ideja është të kalosh çdo kufi, ta teprosh e t’i bësh njerëzit të mendojnë: “Uau, ku i paska vajtur mendja!” thotë Michael.

Liria për të krijuar është ligj në Qytetin Shkëmbi i Zi:

Liria ekstreme për të shprehur veten është një tjetër parim thelbësor në Burning Man. Ka njerëz që rrinë lakuriq, disa vishen me kostume interesante dhe të tjerë kanë një dragua që ecën me rrota e nxjerr flakë.

Në Burnig Man nuk ka para. Në vend të tyre, pjesëmarrësit shkëmbejnë dhurata. Nuk ka rëndësi çfarë jep… në fund, gjithkush do, ha dhe pi ujë falas. Madje pa pagesë mund të postosh edhe letra në çdo vend të botës apo të rregullosh biçikletën.

Për shembull… nëse unë i rregulloj biçikletën dikujt, kam besim se ai njeri do i bëj më pas masazh falas dikujt që gatuan sanduiçët me të cilët unë do ushqehem. Këtu nuk ka nevojë të mbajmë shënime se çfarë bën secili prej nesh. Thjesht i besojmë njëri-tjetrit. Besojmë se të gjithë do të bëjmë çfarë duhet dhe aq sa duhet që këtij vendi të mos i mungojë asgjë” thotë Max, një pjesëmarrës.

Burning Man është ëndrra për një botë më të mirë, një eksperiment social ku njerëzit mblidhen, lënë pas monotoninë e jetës së përditshme dhe kanë besim të verbër te njëri-tjetri. Është një arratisje nga bota kapitaliste ku jetojnë dhe utopia e izolimit në shkretëtirë, për një javë, duket se funksionon për ata që shkojnë aty.

((Genia Dulot, VOA News, Black Rock City, Nevada))

Përfitime të vogla të Kosovës nga institucionet financiare ndërkombëtare

1 euroKosova nuk ka arritur të përfitojë mjaftueshëm mbështetjen financiare nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, vlerësojnë ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve.

Sipas tyre, përfitimet e Kosovës kanë munguar, pavarësisht anëtarësimit të saj në disa prej institucioneve të rëndësishme financiare që nga vitit 2009 e këndej.

Me një popullsi prej afër 2 milionë banorë dhe me nivel të lartë të papunësisë në rreth 28 për qind, Kosova deri më tani ka arritur të marrë kredi nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë në vlerë prej afër vetëm 1 miliard euro.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim , Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Agjencia Gjermane për Rindërtim, janë disa nga kreditorët.

Shprehur në përqindje, borxhi publik ka arritur në rreth 15 për qind të Bruto Produktit Vendor.

Kjo vlerë e borxhit të përgjithshëm publik nga ekspertë për çështje ekonomike, konsiderohet i pamjaftueshëm për zbutjen e problemeve ekonomik dhe sociale që ka vendi.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, ka krijuar një mundësi të mirë për zhvillimin ekonomik, por që kjo nuk po shfrytëzohet si duhet nga institucionet e vendit.

Ai vlerëson se Kosova nuk ka arritur të absorbojë mjaftueshëm kredi të buta nga institucionet financiare ndërkombëtare, pasi që sipas tij, nuk arriti të krijojë projekte të duhura zhvillimore të cilat do të merrni përkrahjen e këtyre institucioneve.

Është fat i mirë që Kosova është brenda këtyre institucioneve ndërkombëtare, por do të ishte më mirë që vendi t’i ngritë kapacitet e veta në ministritë përkatëse, në mënyrë që të dinë t’i arsyetojë kërkesat e veta nëpërmes projekteve dhe të dinë që t’i zbatojë këto mjete në mënyrë që Kosova të bëhet përfituese e njëmend në këtë fazë të zhvillimeve, ku bruto produktit vendor është 3 mijë euro për kokë banori, e që është më i ulëti në Evropë”, thotë Sadiku.

Përgjatë viteve, Kosova nuk ka arritur të shënojë rritje ekonomike mbi katër për qind, si një përqindje e domosdoshme për zhvillim ekonomik dhe zbutje të papunësisë.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2016, tregojnë se konsumi për ekonomi familjare, ka qenë 7.539 euro, kurse për kokë banori 1460 euro.

Rritja ekonomike, sipas kryetari të Aleancës Kosovare të Biznesit,Agim Shahini do të mund të shënonte shkallë më të lartë, po që se Kosova do të dinte të absorbonte më shumë mbështetje financiare nga mekanizmat ndërkombëtarë.

Megjithatë, ai thotë se së fundi ka pasur një tendencë për rritje të kapaciteteve të ekspertëve të fushës në bërjen e projekteve që marrin mbështetje nga këto institucione.

Kosova ka shënuar progres në anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë, por shfrytëzimi nga këto anëtarësime, përkthyer në fonde të ndryshme financiare, nuk ka qenë në nivelin e duhur, pasi që na ka munguar përvoja për të absorbuar më shumë fonde dhe mbështetje. Pra, nuk mund të themi se kemi pasur përftime të mëdha, ashtu siç kanë pasur vendet tjera”, shton Shahini.

Ndërkaq, profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku vlerëson se ekziston mundësia që Kosova të tregojë mençuri qeverisëse dhe të bëjë përgatitjen e projekteve të shumta në mënyrë që këto institucione të tregojnë mbështetjen dhe vendi të lirohet nga investimi i mjeteve të buxhetit në projekte, siç janë autostradat e projekte të tjera.

Kosova ka nevojë të marrë sa më shumë kredi ndërkombëtare për projekte me qëllim të zbutjes së varfërisë. Kosova duhet të përshpejtojë hapat e vet, të bëjë projektet e infrastrukturës në mënyrë që të tejkalohet situata e tanishme. Vetëm mjete buxhetore dhe kredit janë burim më i sigurt i zhvillimit”, thotë Sadiku.

Ministri i Financave Bedri Hamza ka paralajmëruar se nëse ka projekte të cilat kanë kthim dhe arsyeshmëri do të negociohet me këto institucione. Ai ka thënë së është për rritje të borxhit publik, por më kujdes të shtuar.

Kosova vazhdon të ketë borxhin publik më të ulët krahasuar me vendet e rajonit. (rel)

Lajme të mira nga periferia e Europës

ministrat ballkaniBallkani Perëndimor konsiderohet rajon problematik i Europës. Katër vende nga ky rajon duan të angazhohen për paqen dhe për një pranim të shpejtë të Serbisë në BE. Ato duan edhe të bashkëpunojnë më ngushtë ekonomikisht.

“Ne kemi rënë dakord, që Ballkani të bëhet një shembull i mirë në Europë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin”, tha kryeministri bullgar Boiko Borisov, pas takimit me homologët e tij nga Rumania, Greqia dhe Serbia në Varna të Bullgarisë. Ai theksoi, se synohet bashkëpunim më i ngushtë veçanërisht sa u përket çështjeve ekonomike dhe projekteve të infrastrukturës. Prania e presidentit të Serbisë Vuçiq tregon, “se ne të gjithë këmbëngulim dhe e dimë, që vendi i natyrshëm i Serbisë është në BE”, tha Borisov.

Takimi në Varna është pjesë e përgatitjeve që po bën Bullgaria për kryesimin e presidencës së BE-së në gjysmën e parë të vitit 2018. Deri tani Bullgaria politikisht nuk ka rënë në sy thuajse fare në BE. Ajo as nuk është pjesë e Eurozonës dhe as e hapësirës Shengen, ku janë hequr kontrollet kufitare. Por këtej e tutje kjo do të ndryshojë: “Sofia do të tregojë më shumë relevancë në Bruksel dhe përpiqet ta arrijë këtë përmes kësaj iniciative. Ajo synon të theksojë dhe të çojë përpara perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thotë politologu bullgar Daniel Stefanov. Borisov do të profilizohet si nxitës i paqes dhe i orientuar nga e ardhmja e po ashtu do të sjellë lajme të mira në Bruksel nga Ballkani.

Roli i rëndësishëm i Serbisë

Një rol qendror në këtë drejtim duhet të luajë mbështetja për Serbinë në bisedimet që po vazhdojnë për antarësimin në BE. Vendi i natyrshëm i Serbisë është në BE, tha Borisov dhe theksoi, se përshpejtimi i procesit të antarësimit do tëjetë i dobishëm për sigurinë dhe paqen në Ballkan e për të gjithë Europën.

Serbia është që nga viti 2014 vend kandidat për antarësim në BE dhe që ai vit po zhvillohen edhe bisedimet e antarësimit. Megjithatë së fundi Parlamenti i BE-së konstatoi deficite të mëdha në fushat e drejtësisë, medieve dhe shtetit ligjor. Ndaj kjo nismë bullgare është shumë e rëndësishme për presidentin serb Vuçiq, thotë Aleksandra Joksimoviq nga Qendra e Beogradit për Politikën e Jashtme. “Ai do të tregojë, që Serbia, si vend qendror në Ballkanin Perëndimor, mund të bashkëpunojë me të gjithë kandidatët e tjerë për në BE – si edhe me vendet që janë ndërkohë në BE”, thotë Joksimoviq.

Por kjo nuk është e vetëkuptueshme, sepse marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën shihen si problem. Brukseli ka bërë të qartë, që raportet e mira fqinjësore me Prishtinën janë kusht për antarësimin në BE. Beogradi ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Edhe në Bosnje-Hercegovinë Serbia nuk luan gjithmonë rol konstruktiv.

Një detyrë europiane

Veç kësaj rajoni i Ballkanit Perëndimor konsiderohet gjithsesi si i paqendrueshëm dhe me potencial konfliktesh. Tensionet etnike në Bosnje-Hercegovinë, mosrespektimi i të drejtave të minoriteteve, apo grindja për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë, janë vetëm dis prej problemeve me potencial të rrezikshëm konflikti si për rajonin edhe për mbarë Europën.

Ndaj nuk është habi fakti, që stabilizimi i rajonit dhe zhvillimi ekonomik i tij, janë në krye të agjendës së prioriteteve të politikës së jashtme të BE-së. Më 2014 Gjermania ndërmori nismën e ashtuquajtur Procesii Berlinit, për t’i forcuar reciprokisht vendet e Ballaknit Perëndimor që të bashkëpunojnë në projekte infrastrukture dhe për të lehtësuar afrimin në BE. Kanë pasur në këtë kuadër një sërë takimesh të niveleve të larta e konferencash si së fundi në Trieste, apo edhe takimi i së enjtes (05.10.) në Selanik me ministrave të Jashtëm të Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë. Sofja do ta vazdhojë këtë seri takimesh e ka deklaruar, se do të organizojë gjatë presidencës në BE edhe një samit në Bullgari, ku të trajtohet e ardhmja e Ballkanit Perëndimor.

Kurti rrëfehet për përplasjen me Edi Ramën dhe bashkimin kombëtar

albin-kurtiAlbin Kurti flet në një intervistë për gazetën TemA në lidhje me përplasjen që pati me Edi Ramën, zhvillimet në Kosovë dhe idenë e vazhdueshme të tij, për bashkimin kombëtar.

Z. Kurti, para disa ditësh ju reaguat ndaj deklaratës së Kryeministrit të Shqipërisë, z. Rama lidhur me qëndrimit e Kryeministrit të Kosovës për demarkacionin e kufirit Kosovë – Mali i Zi, çfarë ju shqetësoi aq shumë në atë deklaratë?

Mendoj se deklarata e z. Rama ka ardhur si pasojë e mungesës së informacionit të plotë mbi çështjen, ose si pasojë e ndonjë keqinformimi të porositur nga kanale të kontrolluara prej z. Thaçi, i cili është shumë i interesuar që të zbatohet marrëveshja e padrejtë për demarkacionin. Por ajo marrëveshje nuk do të zbatohet, për shkak se argumentet e ekspertëve, por edhe dokumentet tregojnë se ajo linjë demarkacioni është gabim. Sigurisht që do të ketë një marrëveshje tjetër për demarkacion, dhe do të vendoset linja e drejtë kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. Është për t’u vlerësuar se pala malazeze nuk po këmbëngul në vijën kufitare që pretendon Thaçi, dhe është e hapur për diskutim.

Ne reaguam për të korrigjuar atë që neve na u duk qëndrim i gabueshëm. Por mendojmë se ky debat tashmë është i mbyllur, pasi vetë z. Rama e pranoi se ai është një person që nuk fal as det e as tokë, dhe kjo është pikërisht ajo çka ne presim prej tij e prej çdo politikani shqiptar. Deti e toka e shqiptarëve janë të dyja njësoj të rëndësishme, dhe janë çështje e sovranitetit të jashtëm kombëtar, dhe si të tilla, nuk i përkasin politikanëve, por popullit. Andaj mendoj se asnjë politikan nuk duhet të falë as det e as tokë.

Nga reagimet e autoriteteve të Malit të Zi dhe SHBA-ve e BE-së duket se nuk është temë e pëlqyeshme rihapja e përmbajtjes së marrëveshjes së demarkacionit. A besoni se komisioni që emëroi Kryeministri Haradinaj me ekspertët që e kundërshtonin demarkacionin, do të ketë kurajën ta mbrojë qëndrimin para partnerëve ndërkombëtarë?

Temë e pëlqyeshme për ta mund të mos jetë, sepse sigurisht që janë të interesuar ta mbyllin sa më shpejt këtë çështje. Por këtu bëhet fjalë për territor të Kosovës, dhe ne nuk mund të lejojmë që shpejtësia të jetë në kurriz të drejtësisë.

Po e përsëris që ne nuk jemi të interesuar në vonimin e marrëveshjes së demarkacionit, por veç në korrigjimin e saj. Kufiri duhet të jetë i drejtë, sipas dokumenteve e hartave historike.

Kam shpresë se ekspertët dhe shkencëtarët që kanë integritetin profesional do ta mbajnë qëndrimin e njëjtë. Po ashtu, mendoj se z. Haradinaj nuk do të lëshojë pe në këtë drejtim. Ai e ka pohuar këtë edhe vetë, në një përgjigje që ia ka dhënë z. Rama.

Si mendoni ju që do të zgjidhej drejtë dhe pa pasoja marrëveshja e paratifikuar nga Kuvendi i Kosovës për versionin Thaçi të demarkacionit?

Marrëveshja duhet të rinegociohet. Por versioni mbi të cilin duhet të nisë rinegocimi, duhet të jetë një version i punuar prej akademikëve dhe ekspertëve të hartografisë e gjeografisë historike.

Ky rinegocim nuk e pengon asnjë proces të rëndësishëm gjeopolitik. Tashmë Mali i Zi është në NATO, dhe Kosova është sigurisht aspirante për integrimet euroatlantike, pra parimisht ne jemi në të njëjtën anë gjeopolitike me Malin e Zi. Kjo situatë e favorizon mirëkuptimin mes Kosovës dhe Malit të Zi. Kosova nuk kërkon tokë të Malit të Zi, dhe Mali i Zi nuk besoj që kërkon tokë të Kosovës.

Në fakt, ajo që quhet marrëveshje e demarkacionin nuk është as marrëveshje dhe as e demarkacionit, sepse nuk mund të jetë marrëveshje përderisa nuk ratifikohet në Kuvendin e Kosovës dhe as e demarkacionit përderisa Komisioni paraprak ka bërë delimitim, përkatësisht ndryshim kufiri, e jo demarkacion. Ajo ‘marrëveshje e demarkacionit’ ngeli veçse një ujdi e ministrave të asokoshëm të jashtëm e të brendshëm, z. Hashim Thaçi dhe z. Skënder Hyseni, me homologët e tyre malazezë.

Nëse sërish ju vjen në Kuvendin e Kosovës në mospërputhje për çfarë janë kërkesat tuaja a do t’i shohim sërish skenat e dy viteve më parë?

Nuk besoj që do të vijë kjo marrëveshje në Kuvend. Qeveria aktuale është shumë e dobët dhe në çdo moment mund ta humbasë shumicën, ndaj nuk besoj se do të merren me çështje problematike si demarkacioni e “Zajednica”. Ne presim nga kjo qeveri të merret me zhvillimin ekonomik, vendosjen e drejtësisë, luftimin e korrupsionit. Nëse kjo qeveri dëshiron t’i hapë probleme vetes, atëherë do të jetë më keq për të.

Sa i përket protestave në Kuvend, nuk besoj se do të ketë nevojë më, për arsyet që përmenda më lart, por edhe për faktin se tashmë Lëvizja VETËVENDOSJE! është dyfishuar, ndërsa në koalicionin qeverisës ka deputetë që nuk do të pajtoheshin me atë demarkacion. Jemi në gjendje t’i ndalim pa patur nevojë për skena të tilla.

Ju e keni vënë në diskutim plotfuqishmërinë dhe legjitimitetin e qeverisë Haradinaj, së fundi edhe në kontestimin e ministrit serb Nenad Rikallo, pse mendoni që Haradinaj është i papërshtatshëm për Kryeministër?

Ministri Rikallo është akuzuar nga ish-fqinjët e vet për keqtrajtime e dhunime para e gjatë luftës. Një njeri i tillë është i papranueshëm, jo vetëm për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por edhe për mbarë shqiptarët e Kosovës. Ne nuk e kontestojmë atë për shkak se është serb, pasi ka shumë serbë të Kosovës, ndoshta shumica e tyre, që nuk janë përfshirë në krime e keqtrajtime ndaj shqiptarëve. Mirëpo, ne po kontestojmë personin, individin Rikallo, për të cilët shumë qytetarë të Kosovës kanë mbledhur dëshmi që e implikojnë në raste të tilla. Janë njëzet dëshmitarë që janë lajmëruar!

Kryeministri Haradinaj nuk duhet të fshihet prej përgjegjësisë duke thënë se e ka pyetur Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Policinë apo Prokurorinë e Kosovës. Përballë ka dëshmitë e mbledhura prej qytetarëve të vendit të tij, ai duhet të shkarkojë ministrin Rikallo në mënyrë që të nisin hetimet e pavarura. Mirëpo, po duket se Haradinaj nuk guxon të sfidojë Listën Serbe e cila ia garantoi qeverisjen.

Ju jeni politikani më i votuar në Kosovë, për disa muaj rresht, pas zgjedhjeve gjithkush priste që ju të formonit qeverinë, çfarë ndodhi? Çfarë nuk shkoi mirë me Isa Mustafën e Behgjet Pacollin?

Ne kemi qenë të hapur, madje të interesuar për bashkëpunim, dhe kemi kontaktuar vazhdimisht me partitë e tjera, LDK e AKR. Mirëpo nga z. Mustafa nuk ka pasur shumë interesim. Prej mesit të korrikut e deri në shtator ai nuk ka kontaktuar fare me ne. Mungesa e interesit nga z. Mustafa kontribuoi në largimin e z. Pacolli, i cili më pas u bashkua me qeverisjen Haradinaj.

Mustafa nuk ka treguar seriozitetin e nevojshëm për ta dërguar PDK-në në opozitë, dhe kjo është hera e dytë. Hera e parë ka qenë në vitit 2014, kur nuk i rezistoi presionit dhe shkoi vetë në koalicion me PDK, hera e dytë është tani, kur u mënjanua, dhe e pamundësoi koalicionin mes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe LDK.

Megjithatë, Lëvizja VETËVENDOSJE! po rritet, dhe do të vazhdojë të rritet. Tashmë jemi subjekti i parë parlamentar në Kosovë, dhe së shpejti do të fitojmë disa komuna të mëdha anembanë Kosovës. Nuk është këtu çështja se Albin Kurti është deputeti më i votuar, por çështja është se disa komuna do të mund t’i fitojmë pa balotazh dhe mbi dhjetë sosh gjithsej pas balotazhit.

Ju jeni të deklaruar si forcë e qendrës së majtë, si planifikoni ta ndërtoni koalicionin në zgjedhjet e ardhshme?

Ne jemi e vetmja forcë e majtë parlamentare në Kosovë, prandaj jemi të detyruar që koalicionet t’i bëjmë me forca që vijnë nga qendra e djathtë. Parimi jonë është që politikanët e përfshirë në krime ndaj kombit, ndaj shtetit e ndaj individit nuk duhet të jenë në qeverisje, andaj jemi kundër bashkëpunimit me PDK.

Kemi qenë dhe jemi të hapur për bashkëpunim me partitë e tjera, por jo në baza të ndarjes së posteve, por në baza të dakordimit programor, mbi detyrat dhe hapat e qeverisë.

Besojmë se edhe në partitë e tjera opozitare, sidomos tek LDK, duhet të marrë përgjegjësi një grup i ri politikanësh, të cilët do të jenë pak më aktivë dhe më këmbëngulës për largimin e PDK-së nga pushteti.

Ju folët këto ditë për modelin gjerman të bashkimit duke rikujtuar kauzën e bashkimit të shqiptarëve. Gensher në 1989 i korrigjoi gazetarët ndërkombëtarë duke saktësuar se nuk bëhej fjalë për “ribashkimin e Gjermanisë” por për “bashkimin gjerman”. A e kemi në Shqipëri një arkitekt, një Uilli Brand apo një Helmut Kol?

Ka dy qëndrime për këtë çështje. Britania, Franca, Italia e Polonia, të cilat ishin kundër bashkimit të Gjermanive për arsye vetjake, e quajtën “ribashkim”, pasi ishin të interesuar që kjo të tingëllonte si një ripërsëritje e historisë.

Ndërsa gjermanët, edhe në rastin e Gensherit që përmendni ju, por edhe në shumë raste të tjera, edhe sot e kësaj dite, e quajnë “bashkim”. Pasi është hera e parë që këto dy vende bashkohen, por edhe për shkak se nuk ka asnjë histori që do të përsëritet. Gjermania u bashkua demokratikisht, me një perspektive të progresit, të vlerave njerëzore, por edhe të evropianizmit. Këtë mund ta shohim edhe sot. Bashkimi i Gjermanive solli mirëqenie e zhvillim për gjermanët, por edhe një shtyllë të fortë për projektin evropian.

A e kemi ne një Vili Brand apo një Helmut Kol, unë këtë nuk e di, pasi mendoj se rasti i Shqipërisë dhe i Kosovës ka dallime të mëdha me rastin e Gjermanive. Në fakt e vetmja ngjashmëri është se kemi të bëjmë me kombe që dëshirojnë të bashkohen. Por Shqipëria e Kosova kanë përparësi të mëdhaja, për shkak se në historinë e tyre nuk e kanë ndonjë moment që i bën fajtor, siç e pati Gjermania momentin e Luftës së Dytë Botërore. Ne si shqiptarë nuk ka nevojë të kemi komplekse. Bashkimi jonë nuk rrezikon asnjë fqinj, dhe ne nuk kemi në historinë tonë “njolla”. Bashkimi jonë duhet të jetë dhe do të jetë demokratik, progresist, i fokusuar te zhvillimi ekonomik dhe institucional i shqiptarëve, në marrëdhënie korrekte me fqinjët, dhe evropianist.

Sot u bënë 17 vjet që prej rrëzimit të Milosheviçit në Serbi? Çfarë mund të thuhet sot për ndryshimet atje?

U rrëzua Milosheviqi, por jo edhe regjimi i tij. Rrjedhimisht, trashëgimia e tij politike dhe ideologjike gjallon. Meqë kanë ndryshuar rrethanat, kanë ndryshuar edhe mjetet e mënyrat, porse jo motivet e qëllimet, premisat e synimet. Mbase vrasja e ish kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, më 12 mars 2003, e fundosi potencialin demokratizues e progresist në Serbi. Sot, grupi më i madh i miqësisë në Kuvendin e Serbisë është ai i miqësisë parlamentare Serbi-Rusi me 131 deputetë nga gjithsej 250 sa ka Kuvendi atje! Jo vetëm që Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe mirëmban strukturat e saj paralele në çerekun e territorit të Kosovës të lëna aty nga Milosheviqi në vitin 1999, por ajo nuk ndjen kurrfarë pendese për krimet nga e kaluara. Për të qenë edhe më keq se kaq, me proces gjyqësor në Serbi është rehabilituar figura e kryeçetnikut Drazha Mihajloviq dhe kjo tash po bëhet edhe me kryeministrin e qeverisë pro-naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, Milan Nediq.

Së fundi, por jo për nga rëndësia, çfarë rezultati prisni për Vetëvendosjen në zgjedhjet lokale të 22 tetorit?

Kandidatët i kemi shumë të mirë, programin edhe më të mirë. Unë nuk jam i përfshirë në shtabet zgjedhore personalisht, shkoj vetëm në aktivitete ku jam i ftuar, por me sa po shoh ka entuziazëm të madh. Sondazhet na tregojnë se organizata jonë do të fitojë më shumë se gjysmën e komunave në Kosovë. Pasi që nga zgjedhjet e 11 qershorit u bëmë partia më e madhe në Kuvend, subjekti i parë në vend, pas zgjedhjeve të 22 tetorit, përkatësisht balotazhit të 19 nëntorit, në qeverisjen tonë lokale do të kemi shumë më tepër komuna se cilado parti tjetër. Fitorja jonë e 11 qershorit do të thellohet dhe zgjerohet. /GazetaTema/

Haradinaj: Për Demarkacionin vendosim pasi ta gjejmë të vërtetën

Haradinaj“Tani ne jemi në proces për të gjetur të vërtetën për Demarkacionin dhe vetëm pasi ta kemi një gjendje çfarë do të na ndihmojë që ta hapim temën, atëherë do t’i drejtohemi partnerëve politikë në Kosovë por edhe partnerëve ndërkombëtarë”. Kështu tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovë Ramush Haradinaj. Ai thotë po ashtu se në platformën e re të Qeverisë së Kosovës për dialogun do të përfshijë të gjithë akterët vendimmarrës në vend. Po ashtu, Haradinaj sqaron edhe arsyet e tërheqjes së Kosovës nga votimi për anëtarësim në UNESCO dhe INTERPOL.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, cilat ishin arsyet që Kosova u tërhoq nga anëtarësimi i saj në dy organizata të rëndësishme ndërkombëtare, si UNESCO dhe INTEROPL-i?

Ramush Haradinaj: Vitin që po e përmbyllim ishte vit i ndërprerjeve institucionale, pra shpallja e zgjedhjeve, vonesat në ndërtimin e institucioneve dhe në mungesën e një pune konsistente paraprake. Pra një agjendë jo e qëndrueshme ose e të arriturave jo të konsoliduara në drejtim të anëtarësimit në këto dy institucione ka bërë që ne ta rishqyrtojmë strategjinë tonë deri në anëtarësim. Do të thotë sa i takon INTERPOL-it kemi filluar veç punën për vitin që vjen.

Ndërsa, për UNESCO është pas dy viteve. Por kërkohet një mobilizim më serioz, pra aplikimi ynë dhe hyrja në votim. Ndryshe, hyrja në votim pa sigurinë e plotë të votës do të ishte një precedent jo i mirë për Kosovën, në planin ndërkombëtar.

Radio Evropa e Lirë: Zyrtarët në Beograd në vazhdimësi kanë deklaruar se do ta pengojnë anëtarësimin e Kosovës në këto organizata. A mund të ngrihet kjo çështje në kuadër të dialogut të Brukselit, i cili është thënë se ka si qëllim normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi?

Ramush Haradinaj: Besoj, po është me interes të trajtohet qasja e palës në dialog, në këtë rast e palës nga Beogradi. Pse?- Për shkak se ekziston një angazhim i madh, po e quaj ashtu, obstruktiv në perspektivën e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, mirëpo nuk është e tëra. Por, një pjesë e madhe e punës është e jona, sikurse të kishim një punë serioze në Kosovë, do të ishte një realitet tjetër.

Ka munguar një punë serioze paraprake, nuk ka ekzistuar një mekanizëm ndërministror dhe me organet përkatëse që ka një politikë konsistente dhe është punuar në baza individuale paraprakisht dhe përveç mungesës së një pune të tillë serioze, ka munguar edhe mobilizimi i partnerëve që përkrahin dhe që janë me ne në këtë plan. Kësisoj, pra nuk është vetëm puna ose suksesi i Beogradit në kundërshtim, por është mungesa e një angazhimi serioz të palës kosovare në këto dy procese.

Radio Evropa e Lirë: Kur jeni të gatshëm t’i filloni takimet në kuadër të dialogut politik me Beogradin?

Ramush Haradinaj: Ne e kemi një proces të dialogut që po vazhdon. Presidenti i vendit (Hashim Thaçi) është pjesë e këtij procesi dhe e përfaqëson Kosovën, por jemi në përgatitje të një platforme të mirëfilltë të asaj se çka pret Kosova nga dialogu. Për këtë platformë do të përfshijmë të gjithë akterët vendimmarrës në vend.

Pra, duhet një diskutim i brendshëm për këtë, në mënyrë që vazhdim i dialogut të jetë shërbim për popujt, pra të mos mbetet dialog vetëm i liderëve dhe këtu na pret shumë punë në ditët që vijnë.

Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë zoti kryeministër, ju keni takuar dje në Prishtinë, Drejtorin e Komisionit Evropian për Zgjerim, i cili përsëriti se kosovarët do të mund të llogarisin në liberalizimin e vizave kur t’i përmbushin dy kriteret e fundit, ku njëri ndër kryesorët mbetet ai i ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi. Kur do të procedoni tutje me çështjen e Demarkacionit?

Ramush Haradinaj: Tani ne jemi realist në të gjitha temat. E dimë obligimin që i del Kosovës në reformat e brendshme në rend dhe ligj, në çrrënjosje të korrupsionit. Pra, nuk është vetëm një vlerësim…edhe Sekretari amerikan i Shtetit, po edhe të gjithë na drejtohen me një përkrahje të parezervë, që Kosova të përmirësojë gjendje në rend dhe ligj, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizimit. Ndërsa, edhe tema e Demarkacionit është temë e cila ka filluar dhe po procedohet më tutje. Për ratifikim në versionin që është, Kosova nuk i ka dy të tretat (e votave në Kuvend). Pra, duhet gjetur një zgjidhje, por nuk i ka dy të tretat për ratifikimin e versionit ekzistues.

Radio Evropa e Lirë: A prisni mbështetje nga faktori ndërkombëtar në përpjekjet e juaja që Marrëveshja për demarkacionin të rishikohet edhe njëherë, marrë parasysh kërkesat e faktorit të jashtëm, që marrëveshja të ratifikohet sa më shpejt?

Ramush Haradinaj: Në gjendjen e tanishme askush nuk ka se si të ndërhyjë, për shkak se është një gjendje e atillë, ku Mali i Zi e ka ratifikuar Marrëveshjen dhe e ka kryer obligimin e vet nga një marrëveshje paraprake. Kurse Kosova nuk po arrin ta ratifikojë në Parlament me shpjegimin se të gjeturat janë gabim.

Pra, versioni ekzistues është gabim nga Komisioni (paraprak). Tani ne jemi në proces për të gjetur të vërtetën dhe vetëm pasi ta kemi një gjendje çfarë do të na ndihmojë që ta hapim temën, atëherë po do t’i drejtohem në fillim partnerëve politikë të gjithëve në Kosovë, po edhe partnerëve ndërkombëtarë që të trajtohet kjo temë në përputhje me substancën.

Ekzistojnë proceduara standarde mes vendeve kur kanë konteste të tilla dhe ne nuk bëjmë përjashtim, pra janë vende të BE-së ose vende të NATO-s. Andaj, edhe ne nuk bëjmë përjashtim do t’i respektojmë ato procedura.

Radio Evropa e Lirë: Pra, prisni përkrahjen e faktorit ndërkombëtar?

Ramush Haradinaj: Është disi ta quaj ashtu një angazhim që është në dobi, sepse avancimi i Malit të Zi drejt NATO-s, drejt BE-së, avancimi i Kosovës, zgjidhja e të gjitha temave të hapura, lehtëson agjendën edhe evropiane edhe të NATO-s, po edhe të Amerikës për rajonin. Edhe në jemi të interesuar që të mbërrimë te një zgjidhje. Duhet ndihma edhe mirëkuptimi edhe i palës malazeze.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, nga dita e parë e punës keni hasur në një rezistencë mjaft të ashpër politike në Kuvend nga opozita. Sa e konsideroni sfiduese vendosjen e dialogut me opozitën për çështje për të cilat do të kërkohet mbështetja e këtij tabori politik?

Ramush Haradinaj: Tani është fat i madh se jemi demokraci, ka opozitë dhe kjo është shumë e mirë për qeverisje. Pra, na obligon, jo vetëm në seriozitet në punë, por edhe në kujdes, në ballafaqim të angazhimeve tona. Kuptohet, për mua është interes vendosja e komunikimit me opozitën, me shoqërinë civile. Sot gjatë ditës kam punuar me shoqërinë civile.

Kjo nuk bëhet për hatër të Qeverisë edhe nuk bëhet për shkak se Qeveria nuk mundet që t’i ushtrojë funksionet e veta, por kjo bëhet për shkak të obligimit që e kemi në vend edhe unë e mirëpres një komunikim me opozitën.

Opozita e ka një qasje të kundërshtimit të caktuar opozitar. Ma merr mendja që ata do të evoluojnë në këtë, për shkak se kjo Qeveri është serioze, është vepruese, është kompetente edhe për tu përballur me këtë Qeveri nuk vlejnë praktikat që janë përdorur nga opozita për qeveritë e kaluara . Bëhet fjalë për një kualitet tjetër, për parametra të tjerë dhe është mirë që ata sa më shpejt të përballen me ne për planet qeverisëse që lidhen me zhvillimin ekonomik, me luftën kundër korrupsionit, me forcimin e rendit dhe ligjit.

Nëse vazhdojnë që të përballen me ne me vënien në pikëpyetje të vlerave patriotike, të aspekteve të marrëdhënieve ndëretnike e të tjera, është humbje kohe për ta, për shkak se ne jemi njerëz që kemi rrugëtuar gjatë në interesin e Kosovës, për interesin e Kosovës.

Po ashtu, vet jam njëri prej atyre që kam ndihmuar në partneritetin me miqtë e Kosovës, sidomos me ata që janë aleatë që kanë rrugëtuar me Kosovën në çdo etapë.

Kështu që, më mirë do të ishte për ta që të fokusohen në temat që kanë të bëjnë me hapjen e vendeve të punës, me zhvillimin e jetës. Në tema të tjera, vërtetë janë gabim.

Radio Evropa e Lirë: Do ta ftoni opozitën të jetë pjesë e dialogut me Beogradin?

Ramush Haradinaj: Qeveria aktualisht dhe unë do ta mbështesë agjendën që ka Presidenti (Hashim Thaçi) për dialogun. Pra, ne jemi mbështetës të kësaj agjende edhe vet roli i Presidentit është një rol si funksion institucional, është unifikues, është përfaqësues i të gjithëve. Unë e mirëpres angazhimin e opozitës në këtë temë.

Radio Evropa e Lirë: Dhe për fund, një prej marrëveshjeve kryesore të dialogut me Serbinë deri në këtë fazë, është themelimi i Asociacionit të komunave serbe. Kur do të procedohet në drejtim të themelimit të këtij Asociacioni?

Ramush Haradinaj: Tash ne kemi një gjendje të qartë, do të thotë kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që e gjen marrëveshjen për Asociacionin jo në harmoni me Kushtetutën. Ne na mbetet që të veprojmë në një të ardhme në bazë të asaj që parasheh Kushtetuta e vendit, duke respektuar edhe të gjeturat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Pra, është një proces në të cilin Kosova mund të veprojë në rrethana të caktuara bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ajo që është po ashtu me rëndësi është që Kosova do të kishte vepruar në plot tema sikurse Kosova të ishte më e sigurt në perspektivën e vet. Një qasje e re e Serbisë që t’i adresohet vendeve të BE-së dhe të bëjë analogji të Kosovës me Kataloninë, nuk i lehtëson këto tema. Pra është një qasje e gabuar. Çdoherë është thënë se duhet të krijohet klimë për zbatim të obligimeve të ndërsjella. Kjo vërtetë e vështirëson klimën e ndërmarrjeve që duhet t’i merr Kosova në përputhje jo vetëm me dialogun por edhe me objektiva e veta që i ka.

Ne nuk jemi kandidat për BE, ne jemi vetëm me MSA, do të thotë kjo është një fazë shumë e vonuar për Kosovën. Liberalizimi i vizave nuk na është dhënë. Ne nuk kemi avancuar drejt NATO-s në shkallën e duhur. Ende nuk e kemi dhënë emrin kushtetues të Ushtrisë së Kosovës dhe mandatin kushtetues.

Pra, disa procese të këtilla e kishin rritë mundësinë, kapacitetin e Kosovës që të ndërmarrë veprime që janë të guximshme në avancim të mëtejmë për plot tema që i ka vendi.

Radio Evropa e Lirë: Kur mendoni se do të bëhet kjo klimë për të proceduar me Asociacionin?

Ramush Haradinaj: Kontribut të madh jep vet Qeveria me mënyrën e punës, me një angazhim serioz në tema që i përmenda më herët. Pra, vet qeverisja efektive, vepruese, e përgjegjshme dhe që garanton funksionimin e vendit ndihmon në këtë klimë.

Maqedoni: A do të ketë rigjykim të rastit “Monstra”?

cekici i drejtesiseGjashtë persona janë dënuar me burg të përjetshëm në Maqedoni për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas më 2012. Për rastin e koduar si “Monstra” ka pasur mjaft kontestime dhe reagime të shumta deri në protesta e trazira.

Prokuroria e Maqedonisë për shkak të fakteve kontestuese në aktakuzë në rastin “Monstra”, propozon që të ndërpriten vendimet e shkallës së parë dhe të Gjykatës së Apelit dhe të fillojë hetimi i ri duke pasur parasysh faktet e palës mbrojtëse. Prokurorja e lëndës, Liljana Spasovska, ka thënë se për shkak të fakteve të reja vendimet e shkallës së parë duhet të anulohen dhe të nisë hetimi i ri për rastin “Monstra”. Spasovska propozon që pjesë e hetimit të ri të jenë edhe bisedat e përgjuara.

“Për shkak të fakteve të reja,  propozoj që të anulohen vendimet e shkallës së parë dhe të apelit dhe të nisë hetim i ri. Faktet duhen vlerësuar në mënyrë të drejtë. Duhen pasur parasysh edhe dyshimet, se për veprën në fjalë ekzistojnë edhe përgjime, gjë që problematizon vendimin aktual për këtë rast. Hetimi i ri duhet të argumentojë me fakte çdo konstatim të Prokurorisë Publike në aktakuzë”, ka deklaruar prokurorja Lijana Spasovska.

Avokati i të akuzuarve Gjorgji Nastevski thekson, se gjykata nuk ka pranuar më shumë fakte për të cilat ata si mbrojtje konsiderojnë se do të ndikojnë në gjykim gjegjësisht se do të dëshmohet pafajësia e të akuzuarve. Pala mbojtjëse beson se Gjykata Supreme do të japë vendim për rigjykim. Avokatët janë të bindur se hetimi i ri do ta zbardhë të vërtetën për këtë rast.

“Besojmë se e vërteta po del në sipërfaqe pasi kemi të bëjnë me rast të montuar, për të cilin po flasim me dëshmi tani disa vite. Këta persona duhet të lirohen menjëherë nga burgu apo të zhvillohet një procesi i ri, ku do të shpallej pafajësia e tyre”, ka deklaruar avokati Naser Raufi.

Ivanova: Të gjenden dorasit e vërtet të masakrës

Edhe avokatja e palës së dëmtuar  Dafinka Ivanova kërkon që të gjenden k´dorasit e kësaj vepre,  duke shprehur kështu pakënaqësi për mënyrën e impelemtimit të ligjit në gjykimet e mëhershme. “Nuk është mirë që dikush i pafajshëm të qëndrojë në burg, nuk është mirë nëse të dëmtuarit, gjegjësit familjet t’i humbin fëmijët e tyre, megjithatë duhet të gjenden dorasit e vërtetë. Dua të them se Gjykata Faktit dhe ajo e Apelit, kishin qasje dhe zbatim të ndryshëm të ligjit”, vlerëson avokatja e palës së dëmtuar Dafinka Ivanova.

BDI kërkon rigjykim edhe të rasteve të tjera gjyqësore

Sundimi i ligjit në Maqedoni po merr trajtën e duhur dhe të drejtë, ka thënë deputeti i partisë shqiptare ne koalicionin qeveritar BDI Artan Grubi.
“Ky është vendimi i vetëm i duhur prandaj inkurajojmë gjykatën Supreme që të marë vendimin e menjëhershëm për rigjykim transparent të rastit dhe të lirojë njerëzit nga burgu pa asnjë ditë vonesë. Ky proces duhet të vazhdoj edhe për rastet e tjera të kontestuara si Sopoti, Lagja e Trimave dhe të tjera”, ka deklaruar Grubi.

Kryetari i Gjykatës Supreme Jovo Vangellovski thotë se do të analizohen ankesat e mbrojtjes dhe propozimi i organit të akuzës. Gjykata Supreme nuk ka afat të caktuar se deri kur duhet të prononcohet për kërkesën e prokurorisë.

Për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës në vitin 2012 me burg të përjetshëm u dënuan gjashtë persona: Halil Demiri, Haki Azir, Fejzi Aziri, Sami Luta, Afrim Ismajloviq dhe Agim Ismajloviq.

Rasti i koduar si “Monstra” për shkak të natyrës së vrasjes së pesë të rinjve maqedonas, ka nxitur reagime të shumta si protesta e trazira para institucioneve të drejtësisë. Zbardhjen e këtij rasti në vazhdimësi e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. (dw)

Tensione në parlament, përjashtohet Basha

parlamenti alNë Shqipëri, seanca e sotme e parlamentit nisi me tensione të cilat u acaruan duke çuar në përjashtimin e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Shkak u bënë diskutimet për reformën zgjedhore. Parlamenti do të duhej të vendoste sot për ngritjen e një Komisioni të posaçëm për këtë çështje. Por Partia Demokratike tha se kishte kërkuar që për këtë temë të zhvillohej edhe debat në sallë. Kryetari i grupit socialist Taulant Balla u shpreh kundër. “Ne kemi rënë dakort me konsensus për ngritjen e Komisionit të posaçëm. Diskutimet tani duhet të bëhen në këtë komision”, deklaroi Balla.

Nga ana e tij kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, u shpreh në favor të debatit për reformën zgjedhore, por kërkoi kohë. “Ne nuk jemi të përgatitur për diskutime”, u shpreh ai duke propozuar shtyrjen e debatit për javën e ardhshme. Propozimi i tij u hodh në votë duke marrë dhe mbështetjen e socialistëve.

Vendimi solli reagimin e ashpër të kryetarit demokrat Basha, i cili i kërkoi drejtuesit të parlamentit Gramoz Ruçi të mblidhte Konferencën e kryetarëve. “Kjo lojë, nuk mund të vazhdojë gjatë, ndaj mblidh Konferencën e Kryetarëve. Mos ngri kartonat bosh këtu. Ose përndryshe, bëhu përgjegjës për bllokimin total të punimeve të këtij parlamenti. Mblidh Konferencën e Kryetarëve tani! Vendos për një afat të arsyeshëm debati. Nuk mund të shtyhet me një javë debati. Për një afat të arsyeshëm debati ne kemi propozuar orën 16:00, nëse ju duhet më shumë kohë të përgatiteni, merrni orën 18:00”, u shpreh zoti Basha duke refuzuar më pas të largohet nga foltorja e parlamentit. I rrethuar edhe nga deputetët e tjerë të PD-ës, zoti Basha nuk lëvizi edhe pas ndërprerjes së seancës, ndërsa zoti Ruçi deklaroi se ishte i detyruar që të vendoste për përjashtimin e tij nga seanca. Edhe pas këtij vendimi, zoti Basha nuk ka lëvizur nga vendi, duke bërë që seanca të bllokohet, dhe kryetari i parlamentit të vendosë për pezullimin e saj deri në orën 13.00.

Por edhe pas rifillimit të seancës në këtë orë, sërish zoti Basha nuk ishte larguar nga salla dhe deputetët demokratë qëndronin rreth tij pranë foltores. Për këtë arsye zoti Ruçi shtyu sërish hapjen e seancës për pasdite në orën 18.00, ndërsa deputetët demokratë refuzojnë të dalin nga salla. (voa)

Biznes me fake news

fakenewsPak pas atentatit në Las Vegas morën dhenë edhe një sërë lajmesh të rreme. Përse ndodh kjo dhe si përhapen fake news?

Prej atentatit në Las Vegas gjetën vdekjen 58 vetë dhe u plagosën më tepër se 500 të tjerë. Stephen Paddock, atentantori, vdiq gjithashtu. Motivet për veprën e tij janë ende të paqarta, Këto janë faktet e publikuara zyrtarisht. Por njëkohësisht me këto lajme morën dhenë edhe një sërë thashethemesh dhe lajmesh të rreme. Si për shembull se ishte islamist si pretendon skena e djathtë, apo radikal i majtë që urren Trumpin. Kishte dhe lajme që ai nuk kishte qenë vetëm, por se kishte pasur dhe një ndihmës. Si dëshmi për këtë ofrohen video të turbullta nga portali “The People´s Voice” dhe askush nuk pyet për saktësinë e tyre apo për autorin.

Këto lajme klikohen shumë më tepër se sa lajmet e mediave serioze të bazuara tek faktet dhe përhapen më tepër. Por përse ndodh kjo? Një studim i London School of Economics and Political Science (LSE) tregon spektrin e gjërë të fake news. Ndër to sipas studimit nuk bëjnë pjesë vetëm lajmet e rreme, por edhe lajmet e njëanshme, që e drejtojnë vëmendjen në një drejtim të caktuar. Po ashtu në fake news bëjnë pjesë edhe thashethemet.

Si përhapen fake news?

Në rastin e incidentit të Las Vegasit akuzohen gjigandë të tillë si Google, Facebook dhe Twitter që nuk kanë bërë sa duhet për t’i kufizuar lajmet për këtë, apo se madje i kanë përhapur ato. Kështu personat që kërkonin lajme përmes Google lidheshin me një link me faqen 4chan, e cila njihet për përhapje informacionesh të gabuara në raste aktesh terroriste apo incidentesh.

Producentët profesionalë të lajmeve të rreme arrijnë të depërtojnë tek alogaritmet e Google, Facebook-ut etj. dhe ti rendisin lajmet e tyre që të dalin të parat, kur dikush kërkon.

Fitimet nga gënjeshtrat

Me lajme të rreme mund të fitosh shumë para. Një nga faqet e shumta në Darknet, ofron p.sh. për 200.000 dollarë përgatitjen e një fushate, e cila mund të provokojë dhe shkaktojë protesta massive. Për të diskredituar një gazetar mjaftojnë 55.000 dollarë. Paketa përmban profile të rreme dhe grupe në rrjetet sociale që botojnë lajme të rreme dhe likes dhe retweets për t’I përhapur ato sa më shpejt.

Po ashtu sipas studimit të London School of Economics and Politics burim tjetër fitimi është reklamimi on-line i një artikulli tërheqës nga ana vizuale. Përbajtja e tij nuk ka rëndësi dhe me ndihmën e alogaritmeve ai përhapet shumë shpejt.

Përse funksionojnë fake news?

Sociopsikologia Catarina Katzer thotë se njerëzit sot përballen përmes mediave dhe rrjeteve sociale me shumë lajme dhe nuk kanë kohë të thellohen në përmbajtjen e tyre. Njerëzit lexojnë vetëm 10-15% të lajmeve që përhapen on-line, lajmet e tjera nuk i lexon kush. Dhe njerëzit i seleksionojnë lajmet sipas strukturave të tyre metale dhe u besojnë lajmeve të rreme pa i verifikuar, sepse ato ndoshta i përgjigjen botëkuptimit të tyre. (dw)