Rusia dërgon në Serbi dy avionë luftarakë MiG-29

MIG29Një transportues ajror rus Antonov-124 me dy avionë luftarakë MiG-29 në bord u ul në një aeroport ushtarak në periferi të Beograd.

Këta janë dy nga 6 MiG-ët e përdorur që Rusia po i jep Serbisë sipas një marrëveshjeje të arritur në muajin mars.

Avionët MiG po jepen falas por vlerësohet se montimi dhe riparimet që do t’u bëhen atyre priten t’i kushtojnë Serbisë rreth 235 milionë dollarë.

Sipas marrëveshjes, Rusia gjithashtu premton të dërgojë falas 30 tanke T-72 dhe 30 automjete luftarake.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç vazhdon të mbajë marrëdhënie të ngushta me Rusinë, ndërkohë që është shprehur për një rrugë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. (voa)

Psikologjia e vrasësve masivë

policDhuna me armë ndërpret sërish një grumbullim paqësor dhe dhjetëra njerëz vriten. Këtë herë ndodhi në Las Vegas, ku një sulmues i armatosur shtiu ndaj mijëra njerëzve të mbledhur për një festival muzikor mbrëmjen e së dielës. Të paktën 59 persona vdiqën. Mbi 500 të tjerë u plagosën. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, u hedh një sy arsyeve se përse njerëzit kryejnë këto akte mizore.

Kur filluan të shtënat, në Las Vegas po zhvillohej një festival i muzikës country.

Reagimet janë sërish të parashikueshme. Flamujt ulen në gjysëm shtizë. Presidenti i drejtohet kombit.

“Bashkëqytetarët e mi amerikanë; mblidhemi sërish sot në hidhërim, tronditje dhe zi”, tha Presidenti Trump.

Vëllai i sulmuesit reagoi i shokuar.

“Nuk kam fjalë”, u shpreh ai.

Studimet e FBI-së tregojnë se vrasjet masive janë trefishuar gjatë viteve të fundit. Në SHBA, armët e zjarrit janë më të preferuarat.

Deri mbrëmjen e së dielës, sulmi me armë në një klub të Orlandos në qershorin e vitit të kaluar ishte sulmi më vdekjeprurës në historinë amerikane.

Nga ai sulm vdiqën 49 persona.

Por, vrasësit kanë përdorur edhe kamionë të ngarkuar me pleh kimik… si dhe aeroplanë në vitin 2001 në Nju Jork.

Nga këto raste të shumta vrasjesh masive, psikologët patën mundësinë të krijojnë një profil të vrasësve.

“Zbuluam se këta individë kanë më shumë të përbashkëta se sa diferenca”, thotë psikologu ligjor, J. Reid Meloy.

Dr. Meloy thotë se vrasësit kanë një historik problemesh psikiatrike. Janë shumica meshkuj me marrëdhënie intime problematike, dhe që i shohin vrasjet si rifitim statusi.

Edhe sulmuesit e ashtuquajtur “ujqër vetmitarë” pretendojnë se përfaqësojnë ndonjë kauzë.

“Shpesh, rrugëtimi drejt dhunës fillon me një pakënaqësi personale të përbërë nga tre komponentë. Së pari, ekiston një ndjenjë humbjeje; së dyti, është ndjesia e poshtërimit; dhe së treti, ekziston mllef dhe fajësim i një personi apo grupi njerëzish si shkaktarët e problemit”, thotë Dr. Meloy.

Një faktor është qasja ndaj armëve dhe gjithashtu edhe mediat sociale. Lajmet për vrasjet shkojnë në mbarë botën nëpërmjet Facebook-ut dhe Twitter-it.

“Më shkruanin në Facebook për të më thënë që nuk e gjenin dot. Në 6:10 të mëngjesit e pashë emrin në listën e viktimave dhe më filluan lotët”, thotë shoqja e një prej viktimave të Orlandos.

Dr. Meloy thotë se mediat sociale i bëjnë vrasësit të njohur dhe se të tjerë që i shikojnë vrasjet drejtpërsëdrejti online dëshirojnë t’i imitojnë.

Dr. Meloy parashikon edhe më shumë vrasje masive në të ardhmen. (voa)

Haradinaj përballet me kërkesën e opozitës për shkarkimin e Rikalos

Ramush&RikaloMe kërkesë të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj është paraqitur në interpelancë në Kuvend për të informuar deputetët rreth akuzave publike të shfaqura nga disa banorë të lagjes Dardania në Prishtinë ndaj ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo. Ai vjen nga Lista Serbe, si pjesë përbërëse e koalicionit aktual qeverisës.

Ministri Rikalo, sipas deklaratave të këtyre qytetarëve të publikuara në mediat lokale, akuzohet për sjelljet e tij abuzuese ndaj fqinjëve gjatë periudhës së vitit 1999. Ai, sipas këtyre banorëve, ishte përfshirë në disa raste të keqtrajtimeve ndaj qytetarëve të Prishtinës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka sqaruar para deputetëve në Kuvend se kam kërkuar informata nga Prokuroria e Shtetit, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policia e Kosovës lidhur me pretendimet e qytetarëve për përfshirjen e tij në aktivitetet e përmendura më sipër, por sipas tij, nuk ka asnjë informatë se i njëjti ka qenë i përfshirë në rate të tilla.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës,Avdullah Hoti kërkoi nga kryeministri Haradinaj shkarkimin e ministrit Rikalo. Ai tha se seanca është thirrur si mundësi që Haradinaj të japë sqarime rreth këtyre akuzave publike. Dyshimet e qytetarëve, nënvizoi ai, duhet të trajtohen drejt.

Andaj, LDK, theksoi Hoti, kërkon shkarkimin e Rikalos dhe vazhdimin e hetimeve ligjore ndaj tij.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj tha se nga momenti kur i ka dëgjuar akuzat e qytetarëve ai ka kërkuar sqarime nga institucionet kompetente.

Drejtoria për Inteligjencë dhe Analizë e Ministrisë se Punëve të Brendshme është përgjigjur; nuk ka raste të raportuara në sistemin informativ të Policisë së Kosovës. Nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kam marrë ketë përgjigje; në lidhje me kërkesën e parashtruar, ju informojmë se në databazën e PSRK nuk evidentohet asnjë shënim apo rast që ka të bëjë me informacione që po qarkullojnë për personin Nenad Rikalo. Edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) nuk ka dorëzuar ndonjë informatë në Prokurorin e Shtetit për veprën e dyshuar krime lufte të raportuar në media për personin Nenad Rikalo“, tha Haradinaj.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut nuk ka asnjë dëshmi që Nenad Rikalo ka kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Më herët edhe vet ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikalo, anëtar i Listës Serbe i ka cilësuar fushata të rrejshme raportimet për të dhe konstatimet se ai ka keqtrajtuar fqinjët shqiptarë në lagjen Dardania të Prishtinës, gjatë kohës së luftës, në vitin 1999. Përmes një deklarate me shkrim, ai ka theksuar se të gjitha këto, janë informata të pasakta. (rel)

Maqedonas apo bullgarë? Sofja kërkon të flasë, ligji favorizon Shkupin

ditmirDebati mbi projekt-ligjin për pakicat kombëtare, ka hasur kundërshtitë e tij nga Bullgaria. Përfaqësia diplomatike e Sofjes i është drejtuar zyrtarisht me një email Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkon të jetë pjesë e tryezës së diskutimit që do të mbahet të martën.

Kërkesë kjo, e cila është pranuar dhe dy përfaqësues të Ambasadës Bullgare do të jenë në atë tryezë.

Në krah të tyre dhe dy shoqata që pretendojnë ekzistencën e minoritetit bullgar në Shqipëri.  Por referuar Censusit të vitit 2011, nuk figuron asnjë shtetas i regjistruar me prejardhje Bullgare, por janë 5512 me prejardhje maqedonase.

E duket se ky është dhe fakti që ka vënë në alarm Sofjen zyrtare, e cila ka nisur menjëherë ofensivën e saj diplomatike, për të përfshirë dhe bullgarët, në listën e 8 pakicave kombëtare që njihen në Shqipëri nga ky projekt-ligj. Por vetë deklarimi është faktor kryesor për përcaktimin e ri ligjor të atij që do njihet si minoritet.

“Në rast se i referohemi pakicave, të cilat listohen në ligj, mund të thuhet me kompetencë që këto janë pakica që kanë dalë nga kombinimi i dy kritereve apo i dy aspekteve që unë sapo përmenda. Pra, i vetë-deklarimit, i aspektit subjektiv dhe i anës objektive të punës që bëjnë institucionet për verifikimin e asaj ç’ka deklarohet”, u shpreh Ditmir Bushati.

Nuk dihet se çfarë mund të kërkojnë bullgaria dhe dy shoqatat ekzistuese që pretendojnë pakicë bullgare në Shqipëri. Tashmë censusi është një fakt i kryer. Verifikimi do të përbënte një kosto të lartë për qeverinë, pa folur për komplikimet, sidomos me shtetin fqinj te Maqedonisë.

Por nga ana tjetër në një janar bullgaria merr presidencën e bashkimit evropian. Për Shqipërinë që kërkon negociata në qershor, kjo është tashmë një dhimbje koke shtesë.

/ Top Channel

FBI: Ende i paqartë motivi i sulmit në Las Vegas

Las VegasPolicia e Las Vegasit njoftoi se një 64 vjeçar qëlloi me armë mbi turmën në një koncert të muzikës country të dielën në mbrëmje. Sipas njoftimeve, janë vrarë të paktën 58 persona dhe mbi 515 të tjerë janë plagosur. Personi që shtiu vrau veten, sipas burimeve të policisë.

FBI-ja është angazhuar në hetime, në mbështetje të forcave lokale të rendit. Sipas FBI-së, autori i sulmit nuk ka patur lidhje me terrorizmin ndërkombëtar. Edhe CIA këshilloi të kihet kujdes dhe të mos nxirren përfundime të nxituara, pas një deklarate të bërë prej grupit Shteti Islamik i cili mori përgjegjësinë për tragjedinë në Las Vegas. Zëdhënësi i CIA-s Jonathan Liu tha se agjencitë amerikane të zbulimit janë në dieni të pretendimit të ISIS-it. Por ai shtoi se njerëzit nuk duhet të nxitojnë për të gjykuar “para se të gjenden faktet”.

Shteti Islamik ka thënë se personi që shtiu, Stephen Paddock e kreu sulmin në emër të këtij rrjeti sepse kishte përqafuar fenë islame dhe kishte shprehur besnikëri ndaj kësaj organizate disa ditë më parë, por policia thotë se nuk ka asnjë sinjal, asnjë dëshmi që ai kishte kontakte me rrjete ndërkombëtare terroriste.

Forcat e rendit thonë se ende nuk kanë një shpjegim për këtë akt. Në fakt, personi në fjalë Stephen Paddock, nuk kishte pasur asnjë kontakt me forcat e rendit më parë. Sherifi i Las Vegasit Joseph Lombardo tha se janë kontrolluar të gjitha sistemet kompjuterike dhe se emri i tij nuk ka dalë asnjëherë në skenë. Ai as nuk ka qenë ndëshkuar ndonjëherë qoftë edhe ndonjë me gjobë trafiku rrugor. Polia ka zbuluar se ai ishte i dhënë pas kumarit, por motivi mbetet mister.

Forcat e policisë arritën të futen në banesën e tij sot dhe reagimi i tyre ishte habia që nuk gjetën asnjë të veçantë, asgjë të pazakontë që lidhej me këtë akt tronditës.

Sipas sherifit të Las Vegasit, policia kishte gjetur pak municion, por asgjë të përmasave dhe natyrës makabre të sulmit. Personi hapi zjarr nga kati 32 i Hotelit Mandalay Bay në Las Vegas, pasi theu xhamin e dritares së dhomës së Hotelit. Ai shtiu mbi turmën prej rreth 22 mijë njerëzish që kishte ardhur për të ndjekur koncertin.

Pamjet filmike nga vendi i ngjarjes në pjesën jugore të qytetit, e njohur si Las Vegas Strip, ku ndodhen hotelet dhe kazinotë më të famshme të qytetit, tregonin njerëzit që fshiheshin për t’u mbrojtur dhe vraponin duke bërtitur, ndërsa në sfond dëgjoheshin të shtëna armësh.

“Të shtënat vazhdonin pa pushim. Kishte vetëm pauza të shkurtra. Por, dukej se vazhduan për rreth 20 minuta. Sapo krijohej një pauzë, vraponim dhe vetëm vraponim. Nuk isha e sigurtë nëse ishin realisht plumba, por njëri prej miqve tanë na tha se u godit dikush pranë nesh”, tregon Vanessa, vizitore nga Kalifornia.

Sherifi i policisë së Las Vegasit, Joseph Lombardo, u tha gazetarëve se sulmuesi ndodhej në katin e 32-të të kazinosë Mandala Bay, përballë vendit të ngjarjes.

“Mendojmë se ai është vendas. Nuk mundem t’jua them ende vendbanimin e tij, pasi po zhvillohet hetimi. Nuk dimë se në çfarë besonte”, tha sherifi Lombardo.

Autoritetet ishin gjithashtu në kërkim të një gruaje që mendohej se ishte shoqëruese e të dyshuarit 64-vjeçar, Stephen Paddock.

Ndër të vrarët janë edhe disa oficerë policie që po ndiqnin koncertin.

Ndërsa ngjarjet zhvilloheshin, njerëzit kërkuan strehim në hotelet e shumtë përgjatë distriktit turistik. Në zonë ndodhet edhe aeroporti ndërkombëtar i Las Vegasit, ku fluturimet u pezulluan.

Ylli i muzikës country, Jason Aldean, ishte duke kënduar në skenë kur filluan të shtënat. Disa orë më vonë, ai shkruajti në Instagram, duke e përshkruar momentin “të llahtarshëm”. (voa)

Shqipëri, FMN: Kujdes me Partneritetin Publik-Privat

fmnNë Shqipëri misioni i Fondit monetar ndërkombëtar vlerëson se ekonomia e vendit po fuqizohet, por shprehu shqetësim për rrezikun që sjell në rritjen e borxhit publik programi i qeverisë “1 miliard euro” i cili synon të thithë investimet private përmes formulës së Partneritetit Publik Privat. FMN-ja gjithashtu është shprehur kundër shkrirjes në një strukturë të vetme të Tatimeve dhe Doganave, ndërsa thekson nevojën që reformat e nisura në sektorin e energjisë duhet të rigjallërohen pasi “kanë ngelur në vend”.

Pas përfundimit në pranverën e shkuar të programit tre vjecar me FMN-ën, falë të cilit Shqipëria mori një hua prej më shumë se 370 milion eurosh, qeveria shqiptare nuk ka preferuar të rinovojë një marrëdhënie të re specifike me Fondin duke preferuar atë që secili vend anëtar ka me këtë organizim të rëndësishëm financiar. Në përfundim të konsultimeve me autoritetet shqiptare, misioni i FMN-ës vlerëson se “nën programin e mbështetur nga FMN dhe të mbyllur së fundmi, autoritetet i kanë ulur pozitat e pafavorshme fiskale dhe financiare, por nevojiten përpjekje të mëtejshme për t’i çimentuar këto arritje. Ritmi i reformave është ngadalësuar për shkak të zgjedhjeve dhe periudhës së gjatë të ndërrimit të qeverive”.

Sipas misionit të FMN-ës, “ekonomia e Shqipërisë vijon të fuqizohet, duke përfituar nga rritja e kërkesës vendase, Investimet e Huaja Direkte të mëdha të lidhura me sektorin energjetik, rritja e turizmit dhe rimëkëmbja e partnerëve tregtarë më kryesorë nga BE-ja”. Fondi monetar ka rishikuar për lart, +0,2 pikë përqindje, parashikimet për rritjen ekonomike në vitin 2017 e cila mund të kapë nivelin e 3,9 përqindëshit “nën nxitjen e zgjerimit të vrullshëm të sektorëve të turizmit dhe ndërtimit, në kompensim të efektit negativ që ka pasur thatësira për prodhimin e energjisë elektrike. Rimëkëmbja e numrit të vendeve të punës vijon, me rënien e papunësisë në 13,9 për qind në 3-mujorin e II të vitit 2017. Kredia për individët dhe eksportet po rritet. Defiçiti i llogarisë korrente pritet të zgjerohet paksa në vitin 2017, duke arritur 8 për qind të PBB-së, me rritjen e investimeve energjetike dhe importet e energjisë elektrike për shkak të thatësirës. Ndikimi i inflacionit të jashtëm në nivele më të larta dhe rritja e kërkesës së brendshme pritet ta çojë inflacionin në rreth 2 për qind (vjetore, mesatare) në vitin 201”.

Fondi nënvizon se “ekonomia në rritje dhe mandati i qartë zgjedhor i ofrojnë qeverisë së re një mundësi të rrallë për dyfishimin e punës për reformat. Çuarja përpara e programit të reformave është me rëndësi kritike për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, zvogëlimin e risqeve fiskale dhe rritjen e potencialit të rritjes ekonomike.”

Por sipas raporti të misionit të FMN-ës “pavarësisht nga fuqizimi i rimëkëmbjes, konsolidimi fiskal pritet të ngadalësohet në vitin 2017. Në bazë të buxhetit përfundimtar, misioni parashikon që bilanci primar i qeverisjes së përgjithshme të përkeqësohet paksa nga një suficit prej 0,2 për qind të PBB-së në 2016 në 0,1 për qind të PBB-së në 2017, për shkak të rimbursimeve të mëdha në pritje të TVSH-së, dorëzanive për importet e energjisë elektrike dhe shpenzimet e qeverisjes vendore. Megjithatë, deficiti i përgjithshëm i qeverisë pritet të bjerë modestisht në 2 për qind të PBB-së për shkak të kursimeve nga interesat. Borxhi publik (përfshirë detyrimet e konsiderueshme të prapambetura të qeverisjes vendore dhe qendrore) gjithashtu pritet të bjerë modestish nga 73,3 për qind në 71½ për qind të PBB-së në fund të vitit 2017”.

Një problem për borxhin shihet programi “1 miliard euro”. Sipas misionit “programi ambicioz i autoriteteve për investime publike nëpërmjet PPP-ve, paraqet risqe të konsiderueshme fiskale”, duke rekomanduar një zbatim më të mirë të kuadrit ligjor si dhe që “në dallim nga praktika e tanishme, ndikimi që kanë PPP-të në llogaritë fiskale dhe borxhin publik duhet të reflektohet me transparencë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare të kontabilitetit publik”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur kundër projektit të Qeverisë për shkrirjen në një strukturë të vetme të Tatimeve dhe Doganave. Sipas FMN-ës “është mirë të rikonsiderohet edhe një herë, po të kemi parasysh risqet e larta të cënimit të mbledhjes së të ardhurave dhe reformat që po bëhen në administratën tatimore”.

Raporti i misionit vë theksin gjithashtu te shlyerja dhe parandalimi i detyrimeve të prapambetura. “Deri në fund të muajit qershor, njësitë e qeverisjes qendrore dhe vendore kanë akumuluar detyrime të prapambetura sa 1,1 për qind e PBB-së. Kjo përfshin edhe 0,3 për qind të PBB-së si detyrime të prapambetura në formën e rimbursimit të TVSH-së”. Në raport jepen disa rekomandime për të parandaluar thellimin e detyrimeve të prapambetura. (voa)

Ç’do të ndodhë pas referendumit në Katalonjë

referendumi katalonje90 për qind votuan për pavarësinë e Katalonjës. Por Madridi mund t’i heqë Katalonjës autonominë.

Të dielën në darkë kryeministri i Katalonjës Carles Puigdemont shpalli në Barcelonë se me referendumin Katalonja ka fituar “të drejtën e një shteti të pavarur”. Kurse kryeministri spanjoll Mariano Rajoy deklaroi në Madrid se në Katalonjë nuk ka pasur ndonjë referendum.

Komisioni i BE-së i kritikoi ashpër përleshjet dhe dhunën dhe kërkoi respektimin e rregullave të demokracisë duke iu adresuar si kryeministrit spanjoll edhe qeverisë së Barcelonës.

Tani shumë njerëz që nuk morën pjesë në referendum janë të shqetësuar se çfarë do të ndodhë nëse qeveria e Katalonjës shpall pavarësinë.

A mund ta humbasë Katalonja autonominë?

Në rast se ndodh kjo, qeveria spanjolle mund të zbatojë nenin 155 të Kushtetutës spanjolle, që i lejon qeverisë në Madrid t’ia heqë Katalonjës statusin e autonomisë, thotë Jesús Palomar, profesor i politologjisë në Universitetin e Barcelonës. Por për këtë Rajoy ka nevojë për miratimin e parlamentit dhe partia Podemos dhe socialistët nuk do të votojnë pro këtij hapi, mendon Palomar. Gjithësesi ai mendon se qeveria spanjolle mund ta arrestojë kryeministrin e Katalonjës Carles Puigdemont ose anëtarë të tjerë të qeverisë rajonale.

Frontet për një konsensus politik, për shembull përmes një zgjidhjeje financiare janë ashpërsuar dhe tani kjo nuk është më e mundur, mendon politologu. Sipas tij ajo që mund të bëhet është që të ftohet një ndërmjetësues nga jashtë, por ndoshta qeveria spanjolle nuk do ta pranojë këtë.

“Ose separatist, ose fashist”

Sipas politologut Jesús Palomar policia spanjolle shkeli dje me dhunën e saj të drejtat themelore të qytetarëve dhe ai mendon se ata mund t’u drejtohen institucioneve ndërkombëtare.

Por shefi i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker, tha se ky konflikt është çështje e brendshme e Spanjës. Ditët e ardhëshme në Parlamentin e BE-së do të zhvillohet një debat për Katalonjën.

A ishte referendumi një llogari politike? A u erdhën në ndihmë separatistëve pamjet e demonstruesve të përgjakur që u përhapën në mbarë botën? Sipas politologut Jesús Palomar askush nuk e kishte parashikuar një gjë të tillë.

Sidoqoftë si politologu edhe një shofer taksie, Berneti, janë të një mendjeje: dhuna e 1 tetorit e ashpërsoi polarizimin e shoqërisë. Shoferi i taksisë Berneti thotë se ka ndodhur një përçarje dhe se tani ti je “ose separatist, ose fashist”. (dw)

Mbrojtja e fëmijëve në botën digjitale

mbrojtja e femijeveMbrotja e fëmijëve nga shpërdorimi seksual në internet në qendër të një kongresi ndërkombëtar në Romë.

Një ndër pesë të fëmijë ose adoleshent nën 18 vjeç në Evropë është ngacmuar ose shpërdoruar seksualisht. Ndër ta bën pjesë një numër në rritje të rinjsh të shpërdoruar on-line përmes publikimit të fotografive të tyre apo të detyruar të kryejnë marrëdhënie seksuale përpara kamerave. Në të gjithë botën po përhapen fenomeni “sexting” që do të thotë që të rinjtë apo fëmijët i dërgojnë njëri-tjetrit përmes rrjeteve sociale mesazhe me ngjyrim seksual, pa qenë të vetëdijshëm për rrezikun se kjo është jashtë kontrollit të tyre, thotë në intervistë me DW Hans Zollner.

Në Universitetin Papal Gregoriana në Romë mblidhen në një kongres me temën “Child Dignity in the Digital World”ekspertë, përfaqësues të qeverive dhe të organizatave ndërkombëtare si Unicefi, OJQ të ndryshme dhe firma interneti për të diskutuar për këto fenomene. Aty pritet të përpilohen disa pika orientimi për të ardhmen se si fëmijët dhe të rinjtë mund të rriten në një botë të sigurt digjitale.

Boshllëqe ligjore

Hans Zollner thotë se firmat e mëdha si Facebook, Google apo Twitter kanë rregullat e tyre, por këto rregulla kanë boshllëqe. P.sh. qeveritë e shteteve të veçanta nuk mund ta detyrojnë Facebook-un për të ndjekur një ligj të caktuar apo për t’u përgjigjur para ligjit për një vepër të caktuar, në rast se serveri gjendet në një shtet tjetër. Prandaj në këtë kongres do të jetë i rëndësishëm dialogu mes qeverive dhe koncerneve.

Presion moral dhe ligjor

Në kongres do të marrë pjesë edhe Papa dhe shpresa është e madhe se përmes presionit moral dhe ligjor do të arrihet që të përcaktohen direktiva ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve në internet. Në SHBA, Britaninë e Madhe, Zvicër apo Gjermani legjislacioni është mjaft i mirë dhe edhe mbrojtja e fëmijëve po ashtu. Dhe nisma dhe programe nga këto vende mund të aplikohen edhe në vende të tjera, thotë Zollner.

Në kongres do të marrin pjesë edhe të rinj të brezit “digital natives” nga e gjithë bota për të treguar për përvojat e tyre me internetin. Zoller shpreson se ky kongres nuk do të mbetet një event i vetëm, por do të zhvillohet edhe më tej.

Hans Zollner drejton Institutin për Psikologji në Universitetin Papal Gregoriana në Romë. Jezuiti është teolog dhe psikolog. Prej vitit 2014 ai është anëtar u Komisionit Papal për Mbrojtjen e të Miturve. (dw)

Lu: Peshqit e mëdhenj s’kapen. Në Shqipëri janë 4 klane

LuParlamenti i ri është pastruar nga kriminelët. Por ky ishte komplimenti i vetëm që ambasadori Donald Lu kishte për situatën e krimit në vend. Pa dorashka, dhe drejt për drejtë ai i kujtoi autoriteteve shqiptare se nuk kanë kapur asnjë nga kokat e mëdha të krimit të organizuar.

“Derisa peshqit e mëdhenj të arrestohen, të ndiqen penalisht dhe të futen në burg, kanabisi do të kthehet, gjyqtarët do të marrin rryshfet dhe zyrtarët qeveritarë do të korruptohen. Edhe më shqetësues është fakti që për 2016 kishte zero dënime, zero arrestime, zero ndjekje penale për ndonjë peshk të madh për organizim, drejtim apo financim i organizatave të trafikut të drogës”, u shpreh Lu.

Por më pas akuzat për kryediplonatin amerikan ishin me emra konkretë.

“Katër klanë kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihet trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave dhe pastrimi i parave. Janë disa emra të famshëm kriminelesh shqiptar si trafikanti i drogës, Emiljano Shullazi për të cilin media pretendon se vazhdon të bëjë trafik nga qelia e paraburgimit, apo Lul Berisha, kreu i bandës së Durrësit që gabimisht u lirua herët nga zyrtarë të burgut, kjo çoi në arrestimin e drejtorit dhe avokatit po në mënyrë të mistershme është i lirë. Së fundmi Klement Balili, trafikant droge i kërkuar nga Greqia dhe DEA e SHBA po që ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare për 18 muaj falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe minsitrisë së Drejtësisë. Ka dhe shumë shullazë, lul berisha dhe klement balilë të tjerë në Shqipëri”, tha Lu.

Duke shtuar se ka një duzinë trafikantësh të lirë ambasadori parashikoi një luftë të egër.

“Është me rëndësi kritike që policët, prokurorët dhe shërbimet inteligjente të punojnë më ngushtë për të luftuar krimin e organizuar. Me gjasë do jetë luftë e egër, në vitin 2014 pati 72 bomba në makinë, shumica besohet se ishin rezultat i dhunës mafioze”, u shpreh ambasadori i SHBA.

/ Top Channel

Lista Serbe shton presionin ndaj rivalëve politik

Goran RakiqPresionet dhe frikësimet brendapërbrenda korpusit politik serb, po përsëriten edhe gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 22 tetor në Kosovë.

Komisioni vëzhgues i zgjedhjeve i Bashkimit Evropian, pati vërtetuar një gjë të tillë gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit. Në raportin e tij përfundimtar, është thënë se në kuadër të bashkësisë serbe në Kosovë “fushatën e kanë shkelur kërcënimet e shpeshta dhe rastet e incidenteve të dhunshme brenda bashkësisë, ndaj kandidatëve dhe votuesve, si dhe reagimi i pamjaftueshëm i Policisë dhe organeve tjera të zbatimit të ligjit”.

Kjo ka përfshirë edhe presionin ndaj kandidatëve të ndryshëm që të tërhiqen, si dhe incidentet e dhunshme të shpeshta në Leposaviq, të cilat janë drejtuar konkretisht mbi partitë politike dhe kandidatët që kontestojnë dominimin e Listës Serbe”, thuhet në raport.

Pikërisht, për shkak të kërcënimeve, në qershor, Partia e Pavarur Liberale e Slobodan Petroviqit, e cila tash e 10 vjet vepron në skenën politike në Kosovë, për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, nuk do të ketë kandidat për kryetar të komunës së Graçanicës. Kjo, siç ka thënë Petroviq për Radion Evropa e Lirë, po ndodhë për faktin se është e pamundur të mbrohet një kandidat i tillë.

Shkaqet janë të qarta. Në zgjedhjet e kaluara parlamentare, ne si parti, gjegjësisht, kandidatët që ishin në listë, kemi pasur presion të paparë. Gjashtë kandidatët tanë, që ishin në listë, janë larguar nga vendet e punës, vetëm pse ishin në listën tonë. Ne nuk kemi mundur të bëjmë asgjë, përveç t’i lajmërojmë organet kompetente. Por, asgjë nuk është bërë”, tha Petroviq.

Gjithashtu, ka pasur edhe raste kur kandidatët janë tërhequr nga listat. Katër të tillë janë tërhequr nga lista e iniciativës qytetare SDP së Oliver Ivanoviqit. Ky i fundit thotë për Radion Evropa e Lirë se në mesin e këtyre kandidatëve ishte edhe Zoran Spasojeviqnga Mitrovica Veriore, i cili përmes një deklarate për publikun, u kishte bërë thirrje qytetarëve që votat t’ia japin Listës Serbe.

Këto nuk janë zgjedhje, kjo nuk është demokraci, kjo është dhunë mbi demokracinë. Krejt çka mund të bëj SDP-ja në këtë situatë është që të sqarojë publikisht lidhur me këtë çështje dhe natyrisht, u bëjmë thirrje autoriteteve, kudo qoftë, edhe atyre në Kosovë, por edhe atyre në Beograd, që të reagojnë ndaj kësaj situate. Jam i vetëdijshëm që autoritetet e Serbisë nuk mund të reagojnë drejtpërdrejtë, por këtë mund ta bëjnë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë. Kjo situatë mund të përshkallëzohet, mund të bëhet edhe më e keqe, ndonëse tashmë është mjaft e keqe dhe do të na duhet kohë që të sanojmë pasojat e kësaj sjelljeje të papërgjegjshme”, tha Ivanoviq.

Ivanoviq ka shtuar se personalisht nuk ndjehet i rrezikuar. Por, sipas tij, qytetarët që janë me të, janë të rrezikuar dhe se ata, në momentin e fundit, do të mendojnë nëse do të rrinë në Kosovë apo ta braktisin atë.

Nëse dikush që është në pushtet i luhatë themelet e mbijetesës këtu, atëherë nuk kam çfarë të them më shumë”, tha Ivanoviq.

Njohësi serb i zhvillimeve në Kosovë, Rangjel Nojkiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se është krejtësisht e qartë se kush dhe pse po bën presion. Sipas tij, kjo është Lista Serbe, e cila për veprimet e saj e ka mbështetjen e Beogradit, gjë të cilën, kjo listë po e shfrytëzon maksimalisht.

Dihet se në Kosovë janë në qarkullim para të madha. Nuk ka kontroll të madh mbi shpenzimin e tyre dhe natyrisht që ekziston frikë e madhe se, kur të vijën strukturat e reja, ato do të fillojnë të hulumtojnë. Siç ndodhë zakonisht, njëra palë e akuzon palën tjetër dhe denoncojnë”, tha Nojkiq. Ai shton se serbët e Kosovës janë mjaft të varur nga Beogradi dhe janë të detyruar ta dëgjojnë.

Sipas tij, Lista Serbe ka krijuar pushtet të dyfishtë, që nënkupton se ata që janë në institucionet politike serbe, janë edhe në institucionet politike të Kosovës.

Njerëzit janë në të dyja pushtetet, pikërisht që të mund të manipulojnë dhe njerëzve t’ua vështirësojnë jetën. Prandaj, ata që nuk janë në këto qarqe, u janë ekspozuar presioneve dhe ekzistenca e tyre është vënë në pikëpyetje të madhe”, tha Nojkiq.

Në këto qarqe nuk ka qenë Rada Trajkoviq, e cila ka qenë një nga viktimat e para të mospajtimit me politikën e Listës Serbe. Qeveria e Serbisë, e kishte ndërruar atë nga pozita e ushtrueses së detyrës së drejtorit të shtëpisë së shëndetit në Graçanicë, atëherë kur, siç thotë Trajkoviq, Aleksandar Vulin u bë përgjegjës për Kosovën.

E përjetova atë që të më merret e drejta, madje edhe që ta bëjë punën e mjekes, të jem e ngacmuar në mënyra të ndryshme, për disa prej të cilave as që mund të flas publikisht, e deri te ato profesionale. Kam pasur informacion se ka qenë detyrë që të hiqem nga skena politike e Kosovës. Të gjitha këto, me forcën dhe vullnetin që kam pasur, unë i kam duruar deri më sot”, ka thënë Trajkoviq.

Ajo ka shtuar që Listës Serbe, tashmë i lejohet që të shërbehet “me të gjitha mjetet, në kuptimin e ndjekjes së atyre që nuk mendojnë si ata”.

Këto, aktualisht, janë sulmet fizike, largimet nga vendet e punës, kërcënimet, shantazhet, si dhe shfrytëzojnë më së shpeshti institucionet, të cilat fatkeqësisht, ende i mbajnë lidhjet me Beogradin, siç janë ato shëndetësore, arsimore, sociale, të cilat në mënyrë vitale e mbajnë jetën e serbëve në këto hapësira”, ka thënë Trajkoviq.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur edhe Listën Serbe lidhur me ankesat, të cilat i adresohen kësaj liste, se ajo qëndron prapa presioneve.

Deputeti i Listës Serbe dhe shefi i zyrës së kësaj liste për bashkëpunim me media dhe sektorin civil, Igor Simiq, ka theksuar se të gjitha këto janë shpifje.

Në një përgjigje me shkrim, Simiq ka sqaruar se Lista Serbe për çdo ditë lufton për avancimin e pozitës së serbëve në Kosovë, gjë e cila, sipas tij, kërkon mjaft punë dhe kohë.

Prandaj, nuk kam kohë që të komentoj shpifjet dhe nebulozat e tilla, me të cilat dikush po përpiqet që të reklamohet në fushatë, duke e sulmuar Listën Serbe, për shkak se nuk janë në gjendje që qytetarëve tu ofrojnë program për zgjedhjet, por vetëm urrejtje, gënjeshtra dhe mashtrime”, ka shkruar Igor Simiq.

Ndërkohë, shtetet e Quint-it ( Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës) kanë ftuar të gjitha partitë politike që të angazhohen për fushatë të lirë dhe të qetë, pa frikësime, dhunë dhe presione.

Për zgjedhjet lokale janë lajmëruar 17 subjekte politike serbe, prej të cilave vetëm Lista Serbe ka kandidatë për kryetarë për të 10 komunave serbe, sa janë gjithsej në Kosovë. (rel)