Hendeku gjinor në teknologjinë dixhitale

teknollogjia dixhitaleNë shkallë globale, një numër më i vogël grash kanë qasje në internet krahasuar me burrat. Në Shtetet e Bashkuara problemi shfaqet në numrin e vogël të grave që punojnë në sektorin e teknologjisë dixhitale dhe vështirësitë e tyre për t’u ngjitur në karrierë në këtë sektor. Zëri i Amerikës do të organizojë në Orlando të Floridas një bisedë të hapur me gra që punojnë si informaticiene, inxhiniere kompiuterash apo në funksione të tjera në teknologjinë dixhitale.

Në mbarë botën gratë po shfrytëzojnë teknologjinë për të kapërcyer pengesa në arsim dhe punësim. Por shumë gra në vendet në zhvillim hasin vështirësi në qasjen në internet. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara gratë e kanë të vështirë të avancojnë në karrierë në teknologjinë dixhitale.

Më 5 tetor, gra nga gjithë bota do të mblidhen për t’i diskutuar këto sfida në një bisedë të hapur të organizuar nga Zëri i Amerikës. Ky do të jetë grumbullimi më i madh në botë i grave në teknologjinë dixhitale.

“Mjedisi teknologjik nuk ka qenë mikëpritës për gratë për fat të keq,” thotë Y-Vonne Hutchinson e organizatës “Ready Set”.

Në Shtetet e Bashkuara është hapur një debat energjik mbi arsyet që i pengojnë gratë të përfshihen dhe të përparojnë në këtë sektor. Në vende të tjera gratë e kanë të vështirë edhe të përdorin internetin. 12% më pak gra krahasuar me burrat kanë qasje në internet. Në vendet më të pazhvilluara një ndër shtatë gra përdor internetin, krahasuar me një ndër pesë burra.

“Ekziston një hendek teknologjik. Disa njerëz kanë qasje më të madhe në teknologjinë dixhitale se të tjerët. Është një realitet i pashmangshëm pasi çdo shpikje e re nuk gjen zbatim uniform në shoqëri,” thotë Martin Hilbert i Universitetit të Kalifornisë në Davis.

Gratë kanë qasje më të ulët tek teknologjia, pasi ndeshin diskriminim në arsim, mundësi punësimi dhe të ardhura. Shpesh ato janë viktima edhe të presionit në shoqëri.

“Në një vend në Afrikë nuk është e pëlqyeshme që vajzat të kenë telefona celularë. Vetëm burrave u lejohet. Kur shkuam në atë vend për të arsimuar vajzat, na thanë se duhet ta përqëndronim punën tek djemtë dhe burrat. Na u desh të punonim shumë për të kapërcyer këtë hendek,” thotë Tara Chklovski e shoqatës Iridescent.

Në Shtetet e Bashkuara gratë përfaqësojnë 20% të punonjësve në kompani teknologjike dhe vetëm 17% të udhëheqjes në këto kompani. Po ashtu të pakta janë gratë që financojnë novacione apo kompani të reja teknologjike.

“U them njerëzve: e mira e profesionit tim është se nuk ka shumë gra të më zënë banjon në zyrë. Studime të ndryshme tregojnë se vetëm 5-10% e partnerëve në kompani investimesh janë gra,” thotë Kate Mitchell e kompanisë “Scale Venture Partners”.

Edhe ato gra që punojnë në kompani teknologjike janë në rrezik të largohen në gjysmë të karrierës, pasi atmosfera është përgjithësisht negative.

“Shpesh gratë duhet të arrijnë një standard më të lartë se burrat, si dhe të punojnë më fort për të shënuar sukses,” thotë Caroline Simard e Universitetit Stanford.

Megjithë këto probleme, ka plot gra që po punojnë për të ngushtuar hendekun në Shtetet e Bashkuara dhe botë.

“Për herë të parë në histori, teknologjia po sjell një fuqizim të zërit të vajzave për të krijuar një shoqëri më të barabartë,” thotë Tara Chklovski e shoqatës Iridescent.

“Nuk ka një zgjidhje magjike për këtë problem. Duhet të punojmë përditë drejt një mjedisi më gjithëpërfshirës. Kjo përpjekje duhet të inkuadrohet në çdo praktikë menaxheriale,” thotë Caroline Simard e Universitetit Stanford.

Në bisedën e hapur të Zërit të Amerikës do të diskutohen përpjekjet që po bëhen për të mbyllur hendekun dixhital për një shoqëri më të drejtë. (voa)

Pushteti dhe opozita vazhdojnë me polemika e akuza në Kuvend

Kuvendi iksMe disa javë vonesë, Kuvendi i Kosovës ka vazhduar seancën e jashtëzakonshme me të vetmen pikë në rendin e ditës, përkatësisht debatin e thirrur nga opozita rreth parimeve programore të Qeverisë për vitin 2017 -2020.

Deputetët opozitarë, iniciues të këtij debati, kanë kritikuar Qeverinë dhe programin e saj, duke vlerësuar se ai nuk është premtues.

Shefi i grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se programi i Qeverisë Haradinaj është i njëjtë si ai i qeverive të kaluara që bazohet mbi premtime të parealizueshme.

Këto programe qeverisëse nuk janë asgjë më shumë sesa përmbledhje frazash formale të cilat e kanë për detyrë ta përmbushin veç një perceptim, perceptimin që Qeveria ka program, që Qeveria ka koncept. Prandaj unë them se më mirë është që Qeverinë Haradinaj të analizojë prej kur është themeluar e deri më sot, çfarë shembulli dha për 3 javë ditë. Më së pari se si u krijua na dha shembullin më të keq të një Qeverie të ndërtuar mbi pazare të ulëta“, tha Konjufca.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka shtuar Konjufca, po i ikë përgjegjësisë dhe llogaridhënies.

Kurse, Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se me zgjedhjen e Qeverisë Haradinaj, Kosova nuk ka evituar krizën.

Është thelluar kriza. Është e pafalshme që ende kemi 1600 të pagjetur dhe nuk mund të hapet kjo temë me ketë përbërjes të Qeverisë. Ne si LDK do të jemi gardianë të mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, për të ndaluar këtë Qeveri që të çojë vendin prapa ashtu siç ka filluar me shkelje të vazhdueshme duke shkarkuar borde me hu në krahë“, tha Hoti.

Duke vlerësuar se deputetët e Kuvendit nuk po i përmbahen pikës së rendit të ditës, kryeministri Ramush Haradinaj, ka marrë fjalën duke kërkuar korrektësi dhe debat konstruktiv.

Ju kam dërguar programin qeverisëse brenda javës. I mirë e i keq, e keni programin. Kurdo që jeni të gatshëm të diskutojmë për programin qeverisës që e keni marrë, do të vij dhe do t’ju respektoj. Ju respektoj edhe për kërkesën për seancën e nesërme për raportim e pyetje për interpelancë. Sa i përket kësaj teme, mendoj se jeni duke bërë hajgare dhe vazhdoni me hajgare“, tha Haradinaj.

Ai po ashtu thase opozita nuk ishte e interesuar për debat në ditën kur ishte votuar Qeveria, prandaj, sipas tij, akuzat që po i bënë tani opozita janë të padrejta.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar edhe ndaj kritikës së shprehur nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotit, i cili tha se Haradinaj ka një marrëveshje sekrete me Listën Serbe.

E vetmja marrëveshje që ka Ramush Haradinaj me Listën Serbe është se ne këto përgjegjësi i marrim dhe punojmë në bazë të përgjegjësive në vend dhe betimi është dhënë me Kushtetutën e vendit“, tha Haradinaj.

Duke e vlerësuar debatin si jokonstruktiv, Haradinaj bashkë me kabinetin e tij qeveritar lëshuan sallën duke u dhënë një mesazh deputetëve me fjalët- ‘rrini në punë’.

Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj që të jetë më serioz në raport me opozitën.

Ndërkaq, Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se partitë politike në opozitë nuk e kanë lexuar fare programin e Qeverisë dhe po bëjnë kritika pa bazë.

E keni programin qeveritar. Urdhëroni lexojeni sepse njëri nga folësit tha se nuk duam ta lexojmë programin e kësaj Qeverie. E çuditshme pse duan të kritikojnë“, tha Isufi.

Debati në Kuvendit e Kosovës ka vazhduar edhe pa praninë e kabinetit qeveritar, kur janë dëgjuar akuza e kundër akuza.

Madje, deputetet e partive politike opozitare, sidomos ata të LDK-së, kanë kërcënuar se nuk do të votojnë, Instrumentin për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA).

IPA është një instrument financiar i shfrytëzuar nga BE-ja që ka për synim të ndihmojë vendet që janë në procesin e anëtarësimit.

Deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti tha se kjo parti politike nuk do ta miraton dhe nuk do të merr pjesë në ratifikimin e marrëveshjeve, për të cilat kërkohen edhe votat e opozitës.

Ne nuk do ta votojmë ratifikimin e marrëveshjes IPA dhe asnjë marrëveshje tjetër ndërkombëtare që kërkon dy të tretat e opozitë“, tha Hoti.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se është hipokrizi e opozitës që kërkesat e tyre t’i lidh me dëme për vendin. Ai theksoi se LDK-ja po i shantazhin qytetarët duke kushtëzuar me votë për projektet strategjike, si IPA.

Këta sot na thanë se do të votojnë edhe kundër programit IPA, marrëveshje me BE-në, për t’i refuzuar 71. 5 milion euro që janë të dedikuara për qytetaret e Kosovës, sepse ato nuk janë mjetet të Qeverisë e as Kuvendit. Dhe, ne sot e pamë një shantazh publik, një kërcenim për krejt qytetaret e vendit tonë nga LDK-ja, që thanë se nuk ju votojmë nëse ju nuk i përmbaheni kushteve që ua vendosim ne“, tha Krasniqi.

Kurse deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku iu ka bërë thirrje deputetëve që të bëhen bashkë dhe ta kryejnë, siç tha ai një veprim patriotik, për ta rrëzuar qeverinë Haradinaj.

Obligimi patriotik i yni është të ndalim këtë rrugëtim të kësaj ‘Frankenshtain’ qeverisje”, ka thënë Abdixhiku duke iu drejtuar deputetëve të pozitës se mandati i tyre aktual në Kuvend është akti i fundit në politikë.

Kjo seancë ishte thirrur nga opozita një ditë pas votimit të Qeverisë së Kosovës, më 9 shtator, por ishte ndërprerë pasi që partitë në pushtet dhe kabineti qeveritar nuk pranuan të marrin pjesë në të. (rel)

Të paktën 58 të vdekur nga sulmi me armë në Las Vegas

Las VegasPolicia e Las Vegasit njoftoi se një 64 vjeçar sulmoi me armë një koncert të muzikës country që po zhvillohej mbrëmjen e së dielës. Sipas njoftimeve, janë vrarë të paktën 58 persona dhe mbi 500 të tjerë janë plagosur. Personi që shtiu vrau veten, sipas burimeve të policisë.

Pamjet filmike nga vendi i ngjarjes në pjesën jugore të qytetit, e njohur si Las Vegas Strip, tregonin njerëzit që fshiheshin për t’u mbrojtur dhe vraponin duke bërtitur, ndërsa në sfond dëgjoheshin të shtëna armësh.

“Të shtënat vazhdonin pa pushim. Kishte vetëm pauza të shkurtra. Por, dukej se vazhduan për rreth 20 minuta. Sapo krijohej një pauzë, vraponim dhe vetëm vraponim. Nuk isha e sigurtë nëse ishin realisht plumba, por njëri prej miqve tanë na tha se u godit dikush pranë nesh”, tregon Vanessa, vizitore nga Kalifornia.

Sherifi i policisë së Las Vegasit, Joseph Lombardo, u tha gazetarëve se sulmuesi ndodhej në katin e 32-të të kazinosë Mandala Bay, përballë vendit të ngjarjes.

“Mendojmë se ai është vendas. Nuk mundem t’jua them ende vendbanimin e tij, pasi po zhvillohet hetimi. Nuk dimë se në çfarë besonte”, tha sherifi Lombardo.

Autoritetet ishin gjithashtu në kërkim të një gruaje që mendohej se ishte shoqëruese e të dyshuarit 64-vjeçar, Stephen Paddock.

Ndër të vrarët janë edhe disa oficerë policie që po ndiqnin koncertin.

Ndërsa ngjarjet zhvilloheshin, njerëzit kërkuan strehim në hotelet e shumtë përgjatë distriktit turistik. Në zonë ndodhet edhe aeroporti ndërkombëtar i Las Vegasit, ku fluturimet u pezulluan.

Presidenti Donald Trump shkruajti në Twitter: “Ngushëllimet më të sinqerta për viktimat dhe familjet e sulmit të tmerrshëm në Las Vegas. Zoti ju bekoftë!”.

Ylli i muzikës country, Jason Aldean, ishte duke kënduar në skenë kur filluan të shtënat. Disa orë më vonë, ai shkruajti në Instagram, duke e përshkruar momentin “të llahtarshëm”.

. (voa)

Austria ndalon përdorimin e perçes

PerceGratë myslimane në Austri u detyruan nga policia të hiqnin perçet, pas hyrjes në fuqi të një ligji që ndalon mbulimin e fytyrës. Ligji ka nxitur reagimet e aktivistëve myslimanë të të drejtave të njeriut në Austri.

Ligji që hyri në fuqi të dielën ndalon përdorimin e maskave të skive në rezortet dimërore, maskat kirurgjike jashtë spitaleve dhe maskat festive në publik.

Ligji, i ngjashëm me atë në Francë dhe Belgjikë, vlen edhe për vizitorët, duke përfshirë edhe numrin e madh të turistëve arabë që pushojnë në alpet austriake.

Grupet myslimane e kanë dënuar ligjin, duke thënë se vetëm një pakicë e vogël e myslimanëve austriakë veshin perçe që mbulojnë gjithë fytyrën.

“Gratë duhet të kenë lirinë që të vishen si të duan. Ka shumë gra që nuk e kanë këtë liri dhe detyrohen të vishen në mënyrë të caktuar. Megjithatë, unë mendoj se kjo nuk është përgjigja e duhur. Ne duhet t’i fuqizojmë gratë e jo t’ua heqim liritë dhe të drejtën për t’u veshur si të duan. Pra, ne duhet t’i fuqizojmë ato.”

Përdorimi i perçes vazhdon të jetë i rrallë në Austri, pavarësisht rritjes së numrit të emigrantëve dhe refugjatëve në Evropë në vitin 2015, por ato janë në shënjestër të grupeve dhe partive politike të krahut të djathtë.

Ata që shkelin ligjin do të përballen me një gjobë prej rreth 180 dollarësh. Policia është e autorizuar të përdorë forcën, nëse është e nevojshme, kundër atyre që rezistojnë.

Qeveria thotë se ligji, i cili thotë se fytyra duhet të jetë e zbuluar nga flokët deri tek mjekrra, ka të bëjë me mbrojtjen e vlerave austriake. (voa)

Tre amerikanë nderohen me Nobelin e mjekësisë

cmimi nobelÇmimi Nobel i Mjekësisë për vitin 2017 iu dha tre shkencëtarëve amerikanë.

Jeffrey Hall, Michael Rosbash dhe Michael Young u nderuan për zbulimet e mekanizmave molekularë që kontrollojnë orën e brendshme biologjike, që njihet ndryshe si ritmi cirkadik.

Komisioni i Çmimit Nobel tha se laureatët e këtij viti arritën të izolojnë një gjen që kontrollon ritmin biologjik të një dite normale. Ata demonstruan se ky gjen kodon një proteinë që grumbullohet në qelizë gjatë natës dhe pastaj shpërbëhet gjatë ditës.

Ritmet cirkadike ia përshtasin fiziologjinë e njeriut fazave të ndryshme të ditës, duke ndikuar te gjumi, sjellja, niveli i hormoneve, temperatura e trupit dhe metabolizmi.

Çmimi për fiziologji ose mjekësi është i pari ndër çmimet Nobel që jepen çdo vit.

Çmimet për fizikë, kimi, letërsi dhe paqe do të shpallen nga e marta deri të premten ndërsa çmimi për ekonominë të hënën, më 9 tetor.

Çmimi shoqërohet me 1.1 milion dollarë. (voa)

Katalonjë: 90% për shkëputjen nga Spanja

KatalonjaSeparatistët në Katalonjë festojnë rezultatin e referendumit. Ata kërkojnë shtetin e pavarur duke e futur Spanjën në krizën më të rëndë kushtetuese prej disa dekadash.

48 orë deri tek pavarësia. “Ligji i shkëputjes” i miratuar nga parlamenti katalonjas e parashikon këtë afat. Zëdhënësi i qeverisë rajonale të Katalonjës është shprehur në orët e para të së hënës në Barcelonë, se 90% e votuesve i kanë thënë “Po” shkëputjes.

Në votime do të kishin marrë pjesë më shumë vetë

Që të dielën në mbrëmje, kreu i shtetit katalonjas, Carles Puigdemont është shprehur për shkëputjen nga Spanja. “Ne kemi fituar të drejtën që të kemi shtetin tonë të pavarur”, tha ai në Barcelonë. Por vetëm 42% e 5,3 milionë njerëzve me të drejtë vote kanë dhënë votën e tyre. Gjithsej janë numëruar 2,26 milionë vota, dhe numri i votave pro kap shifrën e 2,02 milionë vetëve, ka thënë zëdhënësi. Ai kërkoi hapa ligjorë kundër qeverisë në Madrid, që të përgjigjet për dhunën e së dielës.

Me gjasë në votime do të kishin marrë pjesë më shumë njerëz, sikur Madridi të mos e kishte kategorizuar referendumin si ilegal. Policia pengoi në mënyrë masive zhvillimin e votimeve. Në të gjithë botën u shpërndanë pamje me policë të armatosur, që rrëmbyen fletëvotimet dhe penguan njerëzit në votime me shkopinj gome dhe plumba plastikë. 840 vetë u plagosën, sipas  të dhënave të qeverisë rajonale. “Nuk ka pasur referendum”, u shpreh Rajoy që theksoi se spanjollët janë orientuar gabimisht në një votim të jashtëligjshëm.

la/(afp, ap,dpa, rtr)

Gazeta “Die Welt”: Gastarbeiter të rinj vijnë nga Ballkani Perëndimor

Die WeltNë Gjermani numri i vizave të punës për shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë nga Ballkani është rritur me 70% në tetë muajt e parë 2017. „Die Welt“ i kushton (02.10) dy artikuj temës së punësimit të të huajve në Gjermani.

„Një punë në Gjermani, shumë njerëz në vendet e Ballkanit Perëndimor e shohin këtë si të vetmen rrugëdalje nga papunësia në atdheun e tyre. Aplikantët pjesërisht duhet të presin një vit derisa Ambasadat Gjermane në vendet e tyre t’u lëshojnë vizën e punës. Megjithatë në tetë muajt e parë të vitit është rritur me 70% në 63.000 numri i vizave të punës të lëshuara nga Agjencia Federale e Punësimit, shkruan gazeta „Die Welt”, duke iu referuar të dhënave që posedon nga kjo agjenci. Një në tre viza pune për vendet e treta, sipas këtyre të dhënave, i ka kaluar një aplikanti nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Lehtësimi i procedurave për njerëzit nga vende si Shqipëria, Kosova apo Bosnjë-Hercegovina është aplikuar që nga fillimi i vitit 2016. Arsyeja është: se në kulmin e fluksit të refugjatëve në vitin 2015 vinin edhe shumë azilkërkues nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Autoritet gjermane ishin të papërgatitur nga ky fluks duke qenë të mbingarkuara me refugjatët nga Siria. Mëqënëse për të ardhurit nga Ballkani arsyeja e largimit nga atdheu ishte ekonomike, qeveria federale vendosi, një rregullore të re për këto vende duke i shpallur ato si vende të sigurta. (…) Në kushte të tilla nuk ka më të drejtë për azil. Kësisoj qysh nga viti 2016 kandidatë për punësim nga këto vende mund të aplikojnë për një vizë pune. Kushti i vetëm është, që ato të kenë një ofertë konkrete pune nga Gjermania. Atyre nuk u kërkohet një kualifikim minimal apo pagë minimale, sikurse ndodh në rastin e së ashtuqajturës Blue Card, që është e parashikuar për specialistë. (…) Kryesisht vizat e punës janë lëshuar për punëtorë në degën e ndërtimit, por ka nevojë për krah pune edhe në sektorin e gastronomisë, të shërbimeve dhe të kujdestarisë për të moshuarit. Në Berlin ky model konsiderohet si i suksseshëm dhe po diskutohet nëse rregullorja e vlefshme deri në vitin 2020 mund të shtrihet edhe për vende të tjera veç Ballkanit si p.sh. në rajonet e Afrikës Perëndimore, për të pasur kështu një migracion të organizuar. Në një analizë të fondacionit Friedrich-Ebert thuhet, se rregullorja për Ballkanin Perëndimor „bart potencial të madh në rrugën drejt një politike inovative migracioni”, shkruan „Die Welt”.

Një humbje e ndjeshme për albanologjinë shqiptare

Robert ElsieRobert Elsie, albanologu dhe përkthyesi i shqipes ndërron jetë në Berlin. Largimi i studiuesit të njohur lë një boshllëk në studimet shqiptare.

Autor, përkthyes, albanolog. Kështu e karakterizon veten në paraqitjen e tij në internet Robert Elsie. Për ata që e kanë njohur kanadezin me atdhe botën shqiptare, Robert Elsie mbetet më shumë: një studiues i pasionuar, i pazakontë i kulturës shqiptare, me këndvështrime origjinale dhe pa masë prodhimtar.

Janë të paktë studiuesit e huaj të kulturës shqiptare, që duke mos kursyer përkushtimin, kohën, mjetet personale financiare të kenë qenë kaq gjithëpërfshirës në punën e tyre: gjuha shqipe dhe historia e saj, letërsia shqipe dhe historia e saj, arti dhe historia e artit shqiptar, etnogjeneza e shqiptarëve dhe diskursi shkencor për të – për të gjitha këto aspekte e të tjera, Robert Elsie punoi si autor dhe si bashkëautor, si përkthyes dhe si ndërmjetës kulturash, si ambasador i kulturës shqiptare në botën perëndimore.

Të panumërta janë botimet ku Elsie ishte bashkëautor ose përzgjedhës artikujsh e këndvështrimesh. “Përralla shqiptare”, “Letërsia klasike shqiptare”, “Fiset shqiptare: historia, shoqëria, kultura”, “Udhëzues për kulturën historike të shqiptarëve”, “Fjalori historik i Shqipërisë”, “Fjalori historik i Kosovës” janë disa nga veprat që Elsie botoi si autor vetëm në vitet e fundit.

Lajmi i hidhur se sot, pas një sëmundjeje të rëndë prej disa muajsh, Robert Elsie u nda papritur nga jeta, qe tronditës për të gjithë ata që e kanë njohur. Partneri i jetës së Robert Elsie-t, Stefan Trierweiler, dhe miku i tij, Artur Metani na dërguan lajmin se “njoftohet me hidhërim të thellë vdekja e parakohshme e Dr. Robert Elsie, më 2 tetor 2017, nga sëmundja e rrallë e neuroneve motorike.”

Interesi për botën shqiptare

Interesi për kulturën shqiptare nisi te Elsie që në kohën kur bota shqiptare ishte e mbyllur nga perdet ideologjike. Instituti i Gjuhësisë i Bonn-it, rreth profesorit të njohur Johann Knobloch kishte një traditë të hershme për të organizuar udhëtime studimore sidomos në Shqipëri, po edhe në Kosovë. Pjesë e njerit nga këta udhëtime u bë që herët edhe Robert Elsie. Gjatë studimeve të mia shumë vjet më parë në Institutin e Gjuhësisë së Bonn-it, profesor Knobloch më ka treguar se Elsie kishte për shumë çështje të kërkimeve shkencore mendime origjinale të tijat. Krahas mbrojtjes së doktoraturës, Elsie nisi edhe punën në fushën e përkthimeve.

Me respekt të veçantë më flisnin për Robert Elsie-n kolegët e tij në Ministrinë e Jashtme Gjermane, ku ai punoi në fillim të viteve 1980 për disa vjet rresht si përkthyes. Ai ishte poliglot, më janë shprehur edhe së fundi vlerësues ish-kolegë të tij.

Në këtë kuadër, kryesisht deri në fillim të viteve 1990, Elsie ishte përkthyes në bisedime të nivelit të lartë të qeverisë gjermane. Më tej, si përkthyes i lirë ai e vuri dijen e tij gjuhësore edhe në shërbim të BE, Natos, Këshillit të Evropës e më tej. Prej vitit 2002 Elsie punoi kryesisht si përkthyes në ICTY, në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për ish-Jugosllavinë. Këtu ai ishte përkthyes në gjyqet e disa prej aktorëve të njohur të tragjedisë jugosllave. Pas daljes në pension pak vite më parë, Elsie u vendos në Berlin, ku vazhdoi t’i kushtohej pasionit të tij, kulturës shqiptare dhe përkthimeve letrare.

Në një komunikim të pak muajve më parë me të, Elsie më shkruante se me sa dëshirë po u përkushtohej përkthimeve në Gjermani, pas rikthimit nga Holanda. Kjo ndonëse në mendje në radhë të parë kishte kulturën shqiptare e aspekte ende të pandriçuara të saj.

Humbje për albanologjinë

Ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko i tha DW shqip se me vdekjen e Elsie-t “albanologjisë do t’i mungojë një mendje e ndritur”. Kuko tha se “e kishte njohur Robert Elsie-n shumë vjet më parë, nga pozitat e publikut shqiptar, kur ai shoqëronte personalitete gjermane.”Një humbje e madhe për botën kulturore të shqiptarëve”, vlerësoi Kuko.

Shkrimtarja shqiptare, Flutura Açka, që ishte në kontakt edhe së fundi me Robert Elsien, e vlerëson atë si “një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot”.  Nuk besova se përkthimi i poezive të mia, që më dërgoi pak ditë më parë, do të ishte lamtumira me të, i tha Açka DW.

Bashkëpunëtori dhe miku i tij, Artur Metani, bashkë me të cilin Roberti ka bërë një pjesë të madhe të regjistrimeve të tij për dialektet e shqipes, i tha sot DW,  se puna kërkimore e Robert Elsie-t u ndërpre me plotëkuptimin e fjalës në mes. Elsie po punonte së fundi për bektashinjtë shqiptarë dhe teqetë, i tha Metani DW.

Robert Elsie-n do ta kujtojmë të gjithë ne, që punuam në vite si kolegë me të: personalisht do ta mbaj mend si një koleg shumë të sjellshëm, të gatshëm për të bashkëpunuar, me dashuri të pakufishme për dijen dhe për kulturën shqiptare. (dw)

Lu: Qeveria t’i shpallë luftë krimit të organizuar

LuNë Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu tha sot se është koha që qeveria shqiptare t’i shpallë luftë krimit të organizuar. Duke folur në ceremoninë e 20 vjetorit të Shkollës së Magjistraturës, ambasadori Lu tha se “drejtuesit e krimit në Shqipëri rrallë arrestohen dhe pothuajse kurrë nuk ndiqen penalisht”.

Ambasadori Lu, citoi raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, kur tha se “Shqipëria është qendër e aktivitetit të krimit të organizuar që përfshin trafikun e drogës, armëve dhe prostitucionit. Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që manaxhojnë operacione kriminale ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave dhe pastrimi i parave. Shqipëria ka një treg të zi jo të vogël për mallrat kontrabandë. Vendi ndihet në rrezik domethenës nga pastrimi i parave për shkak të një korrupsioni të kudogjendur dhe një sistemi ligjor të dobët”.

Ambasadori amerikan theksoi se Shqipëria ka bërë përparim domethenës vitet e fundit, duke përmendur procesin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve që do të nisë javën e ardhshme, apo në luftën kundër kultivimit të marijuanës, por “sfida më e madhe dhe më e vështirë është ende përpara”, nënvizoi ai.

Sipas ambasadorit amerikan “derisa peshqit e mëdhënj të arrestohen, të ndiqen penalisht dhe të futen në burg, cannabisi do të kthehet, gjyqtarët do të marrin ryshfet dhe zyrtarët qeveritarë do të korruptohen”. Ai solli dhe raste konkrete të emrave të njohur kriminelësh që në një mënyrë ose një tjetër i kanë shpëtuar sistemit të Drejtësisë, apo drejtojnë aktivitetet kriminale dhe kur janë të arrestuar. “Trafikanti i drogës si Emiljano Shullazi, për të cilin media pretendon se vazhdon të bëjë trafik droge dhe armësh nga qelia e paraburgimit. Apo Lulzim Berisha, kreu i bandës së dhunshme të Durrësit që u lirua gabimisht herët nga zyrtarët e burgut. Kjo çoi në arrestimin e Drejtorit dhe juristit të burgut, por në mënyrë të mistershme, Lul Berisha gjendet i lirë. Dhe së fundi, Klement Balili, një trafikant droge i kërkuar nga Greqia dhe DEA, por që ja ka dalë t’i shpëtojë Drejtësisë shqiptare për 18 muaj, falë paaftësisë së prokurorëve , policisë, dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ka shumë Shullazë, Lul Berisha e Klement Balilë në Shqipëri”, u shpreh ambasadori.

Zoti Lu, kujtoi gjithashtu se “në vitin 2016 policia arrestoi 1346 persona për kundërvajtje të lidhur me trafikimin e drogës. Më pak se 100 nga këto arrestime çuan në dënime për trafik droge në Gjykatën e krimeve të rënda Më shqetësues është fakti se kishte zero arrestime, zero dënim, zero ndjekje penale për ndonjë peshk të madh për furnizim, financim apo drejtim të organizatave kriminale të trafikut të drogës gjatë vitit 2016”.

Ambasadori amerikan u shpreh se “është me rëndësi kritike që policët, prokurorët dhe shërbimet inteligjente të punojnë më ngushtë për të luftuar krimin e organizuar. Nuk ka për të qenë e lehtë. Me gjasë do të jetë shumë e egër. Të arrish rezultate në uftën kundër krimit të organizuar kërkon durim, guxim dhe sakrificë”. (voa)

Fjalimi i rrallë i Gjergj Kastriotit në shtratin e vdekjes, botuar në Gjermani 238 vjet më parë

Gjegj Kastrioti

549 vjet më parë vdiq Heroi Kombëtar i Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ai lindi në vitin 1405 dhe ishte fëmija i parafundit në familjen me shumë fëmijë të Gjonit e të Vojsavës. Këta kishin katër djem (Stanishën, Reposhin, Konstandinin e Gjergjin) dhe pesë vajza (Marën, Jellën, Angjelinën, Vlajkën e Mamicën).

Kur lindi Gjergji, i ati Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje, deri në detin Adriatik në perëndim. Qendra administrative e tij duhet të ketë qenë Prizreni. Për ditën e vdekjes së Gjerg Kastriotit ka shumë legjenda dhe pak burime historike serioze.

Gjithsesi studiuesi i kësaj periudhe veçanërisht i jetës së Skënderbeut, Aurenc Bebja që jeton dhe punon prej vitesh në Francë ka mundur të zbulojë vitin e shkuar, një tekst të botuar 238 vite më parë në Gjermani ku përshkruhen fjalët e fundit të Gjergj Kastriotit në shtratin e vdekjes.

Fjalimi i më poshtëm është marrë nga libri i autorit Stephan Zannowich, me titullin “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”. Teksti prej 131 faqesh është botuar në vitin 1779 nga shtëpia botuese J. J.Kesler, Frankfurt.

Gjergj Kastrioti, i sëmurë, nuk mund ti shmangej vdekjes dhe për këtë arsye fton në vatrën e tij princat, ambasadorët, gjeneralët, dhe drejtuesit kryesorë të vendit që tu lë amanetet e fundit ashtu siç i ka hije një luftëtari të madh. Para se heroi ynë të fillonte fjalimin, urdhëron që djali i tij i vetëm, Gjoni, asokohe dhjetë vjeç, të ndodhej mes të ftuarve.

Fjalimin e Princit të Matit dhe mbretit të shqiptarëve e gjejmë në faqet 70 – 89 të librit, i shkruar në gjuhën frënge. Sipas autorit të veprës, ja si është shprehur Gjergj Kastrioti:

“Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj.

Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj, dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni.

Duhet të jetë virtyti themel i fronit. Virtyti nuk është fantazi. Ndoshta do ju a thonë një ditë, por mos harroni se ai që do ju a thotë, është një tradhtar, një dinak, që për të mbretëruar në vendin tuaj, do ju sugjerojë maksima të rreme, të cilat herët a vonë do të shkaktojnë përmbysjen tuaj.

Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme ; ta përforconi, ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit dhe qetësisë…

Krijoni vendshkrime të paçensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë dhe të domosdoshmërisë.

Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtrues dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit : ju do të vini re se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtyteve.

Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe luksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje.

Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga ministrat tuaj.

Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që ti frymëzoni besim atij për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.

Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin.

Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes… Mbyllini që në origjinë mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…

Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve. Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.

Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë. Ju do t’i mbroni ata kundra zellit të tepruar të drejtuesve hipokritë duke i shpërblyer me vende pune në gjykatat dhe oborret tuaja.

Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysmë veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar…

Mbroni meritën dhe shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia duhet të shoqërohet me një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, ngre altarë për Zotin falë mirësisë së tij. Evitoni për gjithmonë shekullit, rrethit dhe racës tuaj turpin për të pasur njerëz të dëshpëruar nga mizoria, krenaria apo injoranca juaj. Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri-tjetrit…

Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, me maturi në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve…Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashëgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajë çfarë të dëshirojë…

Ti jepet mundësia gjithsecilit prej rrethit tuaj që të ju shkruajë ; Ju do të punësoni sekretarët tuaj që të përgjigjen për çështje të ndryshme ose publike, por sekretet e shtetit duhen të mbeten mes jush…

Mos përbuzni askënd ; më i vogli dhe më i varfëri mund të ju rrëzojë, ashtu si dhe mund të ju ndihmojë me këshillat dhe kurajon e tij.

Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë. Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhtojnë. Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës. Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt.

Mos jeni të ndrojtur ndaj ndjenjave tuaja. Deklaroni haptazi oborrtarëve tuaj, se ai që do të ju gënjejë dhe do të ju dërgojë në rrugën e gabuar në administrim, pa asnjë falje do të varet në shtyllë.

Poetëve që do të ju thurin vargje, për të ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhrin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënien e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i të vërtetës.

Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar ; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, ti stërvitni dhe ti trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëhiqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Emri i mbretit është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar. Kryesorja është të pranohesh dhe të respektohesh në rrethin tënd. Zoti nuk ka dhënë fuqinë supreme për të na zhytur në qullësi, për që të jemi mbrojtës të çështjes publike. Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet. Neglizhenca dhe një lloj mirësie që e thërrasim « mendjelehtësia e një princi », u shkaktojnë dëme njerëzve ; dhe ju e dini se roli i mbretit është t’i mbrojë

Dëboni larg jush astrologët gjykatës dhe kimistët prodhues ari dhe diamantesh. Një princ është gjithmonë i pasur, kur ai është i mençur dhe i lartësuar shpirtërisht.

Emri juaj do të jetë i shkruar në një pllakë prej mermeri të bardhë me shkronja të zeza mbi dyert e kështjellave tuaja të destinuara për të burgosurit. Mjerim për guvernatorin që i fshehu mbretit pafajësinë, që përkeqësoi nga koprracia dhe zelli i tij dënimin e fajtorëve…

Mbroni njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoni shpirtrat e këqij. Jeni të ndjeshëm ndaj lëndimit, por akoma dhe më shumë ndaj shërbimit të popullit tuaj dhe miqësisë të njerëzve të ngjashëm me ju.

Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj : mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh…

Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë ; e gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bën me shumë pushtime sesa armët e tyre. Së fundi, në qoftë se jeni xheloz se po ju lë një trashgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj, dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.

Ju do të keni lidhje të shumta me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetës dhe mbrojtës. Interesat e mia më kanë detyruar të përshtas politikën time me të sajën. Rrethanat në të cilat jam gjetur veten nuk më kanë lejuar të luftoj uzurpimet turke dhe pretendimet e papës.

Për të mirën e krahinave të mia kam qenë gjithmonë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princat e dështuar. Roma, duke më pasur frikë, më ka bërë gjithmonë lajka.

Ajo ndryshon maksimat dhe pozicionet sipas rasteve, por frika se humb tokat e saj ndaj sulmeve të Muhamedit, e ka detyruar atë të qëndrojë modeste ndaj meje, duke më njohur të gjitha të drejtat, titujt, dhe zotërimet e realizuara gjatë betejave të mia. Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si unë, por nuk do të hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë ndaj jush si arsye e moshës së re dhe mungesës së eksperiencës për të qeverisur, për të shërbyer.

Mos harroni, se me praktikat e shumta që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre, më e forta, është rrëfimi. Por është e lehtë ta kuptoni : kur prifti do të dojë të dijë më shumë sesa mëkatet tuaja, kthejeni si një mashtrues në vendin e tij, dhe dënojeni si të tillë, që të shërbejë si shembull për pasardhësin e tij.

…Megjithatë, është shumë e rrezikshme të kundërshtosh hapur Papën, këtë idhull të madh të fesë sonë. Ai është një njeri si të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij… Nëse Papa ju dërgon faljet, reliket, bekimet, merrni ato me respekt, dhe i nderoni me njerëzit tuaj duke e dhënë ju shembullin kryesor… Por në qoftë se Papa përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve për të nxjerrë para nga krahinat tuaja…ose ju nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi.

Zoti hakmerret ndaj fyersve të tij, pra nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni luftë ndaj kujtdo që mundohet të prishë harenë e popullit, dhe legjitimitetin e fronit.

Ju do të ndaloni çdo banor i cili ndodhet nën qeverisjen tuaj, që të mos bëhet as prift e as murg pa arritur moshën dyzet vjeçare. Për tu ushqyer nga puna e të tjerëve, duhet më parë që njeriu (mashkulli) të ketë kontribuar në mbështetjen e komunitetit, prej të cilit dëshiron të ndahet për të shijuar jetën e tij…

Këta priftërinj dhe murgj duhet të ju ndihmojnë të mbroni kombin në kohë lufte, sepse në kohë paqeje po ky komb i ushqen pa i përdorur.

Nëse Papa kundërshton, bindeni atë me butësi, dhe vetëm në qoftë se është e nevojshme përdorni shpatën… Një politikë e tillë do të ju pajtojë me dashurinë atërore të pasardhësve të tij, dhe do të bëheni shembull dhe lider për të gjithë mbretërit, të cilët frikacakë, të dobët, injorantë, budallenj, u uzurpohet nga Papa dhe ministrat e tyre, fuqia që Zoti u ka dhënë për të përhapur lumturinë e Kombeve, ku ata duhet të jenë zotërit dhe etërit.

njëkomb