Çështja Tahiri, Lu: Qytetarët meritojnë të vërtetën

LuNë Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu tha sot se “publiku duhet të dijë të vërtetën” për çështjen e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për të cilin prokuroria kërkoi nga parlamenti autorizimin për arrestim pasi dyshon për lidhje të tij me vëllezërit shqiptarë Habilaj, njëri prej të cilëve u arrestua javën e shkuar në Itali si pjesë e një organizate kriminale italo-shqiptare që merrej me trafikun e drogës mes dy vendeve. Ambasadori amerikan përfitoi nga pjesmarrja në një aktivitet për korrupsionin në Arsimin e Lartë shqiptar me Këshillin Rinor të Ambasadës kundër Korrupsionit, për t’u shprehur rreth kësaj çështje e cila ka shkaktuar një furtunë në politikën shqiptare.

“Ajo që dini është se në komunizëm, Shqipëria kishte problemin e turpshëm të udhëheqësve komunistë që dërgonin njerëz të pafajshëm në burgjet më të tmerrshme: në Spaç, në Burrel dhe në Qafë Bar. Në 27 vitet e fundit, ky vend është përballur me problemin e turpshëm të politikanëve të fuqishëm, nga e djathta dhe nga e majta, që kanë kryer krime të tmerrshme dhe i kanë shpëtuar drejtësisë, pa pushim”. Ambasadori theksoi se “nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të shoqërisë civile, ju si të rinj dhe ju si qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën. E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike. I përket qytetarëve të Shqipërisë. Ju – shtoi më tej ai – nuk jeni gjyqtarë apo prokurorë, por jeni njerëz që votoni. Ju i dhatë besimin tuaj këtij personi si anëtar i kuvendit dhe si ministër i lartë i kabinetit. Është përgjegjësia juaj të kërkoni që publiku të dijë të vërtetën për këtë çështje. Nëse është i pafajshëm, njerëzit duhet ta dinë këtë. Nëse është fajtor, ai duhet të përballet me drejtësinë”, u shpreh ambasadori amerikan.

Kryeministri Edi Rama përmes një statusi në Facebook falenderoi ambasdorin Lu për deklaratën e tij. “Një mesazh i qartë për shqiptarët që duan drejtësi, jo gjyqe komuniste për këdo që kanë votuar a paguar me taksat tyre”, shkruan kryeministri, ndërsa dje shumica që ai udhëheq votoi kundër kërkesës së prokurorisë për arrestimin e zotit Tahiri. Një vendim që nga opozita u pa si “një akt që vërteton lidhjet e ngushta të qeverisë me krimin” dhe si n”një pengesë ndaj drejtësisë” për të bërë punën e saj.

I pyetur rreth kësaj çështjeje, dje gjatë një interviste për Zërin e Amerikës nga Prishtina, zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, u shpreh se ligji duhet zbatuar njësoj për të gjithë, se askush nuk mund të ketë imunitet, dhe se individët nuk duhet të vihen në shenjëstër pse i përkasin një partie a një tjetre, por qeveria shtoi ai, duhet të japë shembullin se është seriozisht e angazhuar për të luftuar korrupsionin.

Komentet e funksionarit të lartë amerikan u interpretuan në mënyra të ndryshme në Tiranë. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se “Deklarata e qeverisë amerikane është e qartë: askush nuk është mbi ligjin, askush nuk duhet të gëzojë imunitet nga ligji, prokurorët dhe gjyqtarët duhet t’i shkojnë deri në fund çështjes, është përgjegjësi e qeverisë të tregojë me vepra se është kundër krimit dhe korrupsionit. Duke përshëndetur deklaratën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit Hoyt Brian Yee – shprehet zoti Basha – inkurajoj fuqimisht prokurorët, gjyqtarët dhe të gjithë punonjësit e drejtësisë që të mos ndikohen e mos tremben nga asnjë presion politik dhe të mos ndalen as të shkurajohen por të punojnë me kurajo profesionale dhe përkushtim atdhetar deri sa të nxjerrin të vërtetën dhe të bëjnë drejtësi në çështjen Tahiri”.

Nga ana e tij kryeministri Rama në një status në Facebook shkruan “Më qartë se kaq?” duke i bashkangjitur të plotë përgjigjen e ndihmës sekretarit amerikan të shtetit Yee. (voa)

Ndotja e mjedisit nga hidrokarburet sjell sëmundje dhe varfëri në zonat naftënxjerrëse

ndotjaNdotja e mjedisit nga hidrokarburet sjell sëmundje dhe varfëri në zonat naftënxjerrëse

Në fushat e naftës në jug të Shqipërisë, banorët që jetojnë pranë puseve vuajnë pasojat shëndetësore dhe ekonomike që sjell ndotja e tokës, e ajrit dhe e ujërave nga kompanitë hidrokarbure, ndërkohë që autoritetet duken të pafuqishme për t’a frenuar dëmin që ky aktivitet ekonomik po lë në mjedis dhe në jetën e qytetarëve. Materiali në vazhdim është produkt i bashkëpunimit mes VOA dhe rrjetit investigativ BIRN

Me 1 prill 2015, një pus nafte i kompanisë Bankers Petroleum i shenjuar me emrin P29A shpërtheu në fshatin Marinzë, 10 kilometra larg qytetit të Fierit, duke e detyruar qeverinë të urdhëronte evakuimin e zonës për shkak të çlirimit të gazit.

Sipërfaqja e tokës përreth vendit të shpërthimit të fontanës ishte shkatërruar dhe ngado shpërthenin “gajzera” të fuqishëm argjileje të holluar. Puset e ujit të pijshëm që gjendeshin në oborret e banesave u kthyen në shatërvanë balte, ndërkohë që banorët e shokuar nga ajo që po ndodhte, nisën t’u drejtoheshin qendrave shëndetësore me simptoma dhe shqetësime të ndryshme.

Pas shpërthimit të pusit P29A, në fshatin Marinzë shkuan dhjetëra specialistë nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Instituti i Shëndetit Publik, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për të monitoruar dëmet që i ishin shkaktuar mjedisit dhe shëndetit të banorëve.

Një raport monitorimi i hartuar nga ISHP-ja pas shpërthimit të pusit P29A, një kopje e të cilit është marrë nga BIRN nëpërmjet një kërkese për të drejtë informimi, zbulon se banorët e fshatit Marinzë vuajnë nga një seri problemesh shëndetësore, që vijnë si pasojë e ndotjes së shkaktuar nga industria hidrokarbure në këtë zonë.

“Kemi shumë shumë probleme me ajrin, me ushqimet, perimet, zarzavatet që kemi këtu. Është bërë e padurueshme,” shprehet Ridvan Azizi, një prej banorëve të fshatit Zharrëz, shtëpia e të cilit ndodhet vetëm pak metra larg një grupi pusesh të kompanisë Albpetrol.

“Ngrihesh në mëngjes, ke erë sere, erë nafte, nuk di ç’të them,” shtoi ai.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, zona e Patos Marinzës, për shkak të industrisë shumëvjeçare të hidrokarbureve është një nga tre zonat më të ndotura në Shqipëri – nga 31 zona të nxehta mjedisore ose ‘hotspote’ të identifikuara.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se në këtë fushë naftëmbajtëse gjenden mijëra pellgje me mbetje hidrokarburesh, dhjetëra hektarë tokë bujqësore e ndotur dhe më shumë se 100 kilometra lumenj e përrenj që transportojnë çdo ditë drejt detit Adriatik mbetje të industrisë së naftës.

Edhe pse kjo ndotje industriale vazhdon prej dekadash, institucionet përgjegjëse për monitorimin e mjedisit apo të shëndetit të qytetarëve nuk parashikojnë në programet e punës së tyre vjetore kryerjen e analizave të specializuara për pasojat që ndotja sjell në shëndetin e popullatës.

“Uji këtu është i ndotur, nuk pihet fare. E blejmë, edhe atë që blejmë kot, edhe ato botet që mbushin, këtu i mbushin. Është i ndotur nga shpërthimet e Bankers-it. Edhe shtëpitë që na kanë rrëzuar. Ambientin e kemi shumë-shumë të keq,” shprehet Lumturi Rredhi nga fshati Zharrëz.

“Ajri, këtu në mëngjes nuk ngopesh dot me frymë. Del natën, po të kesh ndonjëherë ndonjë rast që të dalësh, më mirë të vdesësh se sa të dalësh jashtë. Është shumë shumë i ndotur,” shtoi ajo.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN nëpërmjet vrojtimeve në terren, intervistave me banorë dhe mjekë të zonës si dhe mijëra faqe dokumente të siguruara nga institucionet vendore dhe ato qendrore nëpërmjet kërkesave për të drejtë informimi, tregojnë se nxjerrja naftës në fushën e Patos-Marinzës, në vendburimin e Visokës në Hekal dhe në vendburimet e tjera në zonën e Mallakastrës, si dhe përpunimi i saj në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh vazhdojnë të thellojnë pasojat e rënda për mjedisin dhe shëndetin e banorëve të këtyre zonave.

Në lidhje me ndotjen e konstatuar nga hidrokarburet në Patos-Marinzë, Visokë dhe Ballsh, BIRN kërkoi komente duke i dërguar pyetje të detajuara kompanive nxjerrëse të naftës Albpetrol, Transoil Group, TransAntlantic Albania Ltd dhe Bankers Petroleum, si edhe asaj përpunuese të naftës Ionian Refining and Trading Company, IRTC.

Në përgjigje të kërkesës që BIRN i drejtoi Albpetrol-it lidhur me monitorimin mjedisor në zonën ku kjo shoqëri ushtron aktivitetin, kompania vuri në dispozicion disa raporte të monitorimit mjedisor të përpiluar gjatë vitit 2016.

Këto raporte të Institutit të Studimeve Ambientale për llogari të Albpetrol, vlerësojnë se cilësia e ajrit në mjediset pranë aktiviteteve të nxjerrjes dhe transportit të naftës ka qenë brenda normave për industrinë, por megjithatë, ujërat e shkarkimeve teknologjike përbëjnë shqetësim për kompaninë.

“U vërejt që vetëm atje ku kryhet plotësisht procesi i dekantimit, përbërja e këtyre ujërave është brenda normave të lejuara ref. VKM Nr 177, dt 31.03.2005. Në rast se këto ujëra derdhen pa kaluar procesin e dekantimit të plotë, përbërja e tyre është me tregues të ndotjes mjaft më të lartë se normat respektive”, thuhet në raportin e tre-mujorit të parë të vitit 2016 të Albpetrol.

Në të njëjtin raport pasqyrohet fakti se në qendrat e prodhimit të naftës, si në Ballsh, Patos e Kuçovë, vihet re një sasi e konsiderueshme sabie naftore, që gjendet e shpërndarë pranë puseve e grupeve në sektorë të ndryshëm.

“Këto, me sa konstatuam gjatë monitorimit të mjedisit në qendrat e prodhimit të naftës janë burim ndotje të ajrit me anë të gazrave që çlirohen nën veprimin e temperaturës, apo të ujërave të përrenjve e lumenjve si dhe tokave të fermerëve që gjenden pranë këtyre puseve apo gropave, që sidomos gjatë shirave fryhen dhe shkaktojnë ndotjen e tyre,” thuhet në këtë raport.

Në një përgjigje me shkrim për BIRN, kompania Bankers Petroleum u shpreh se impakti në mjedis i punës së saj monitorohej nga një numër institucionesh shtetërore, si Ministria e Mjedisit, Agjencia Rajonale e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

“Cilësia e ajrit, tokës dhe ujit në zonat ku ne operojmë është brenda parametrave të lejuar. Bankers Petroleum ka një program gjithëpërfshirës të monitorimit që përfshin një gamë të madhe të çështjeve mjedisore, të tilla si ujërat nëntokësore dhe sipërfaqësore, dherat, cilësinë e ajrit dhe zhurmën,” tha kompania.

“Programi i monitorimit është zhvilluar jo vetëm për të siguruar përputhjen me licensat aktuale operacionale dhe standardet e pranuara ndërkombëtare, por gjithashtu për të ofruar një vlerësim gjithëpërfshirës të një sërë kushtesh mjedisore,” shtoi ajo.

Tre kompanitë e tjera të nxjerrjes së naftës, Transoil Group, TransAntlantic Albania Ltd dhe Ionian Refining and Trading Company, IRTC nuk iu kthyen përgjigje pyetjeve të BIRN.

Shpërthimi nxjerr në sipërfaqe krizën shëndetësore

E zbuluar në vitin 1928, Patos Marinza konsiderohet si fusha më e madhe naftëmbajtëse në Europën kontinentale, me rezerva të provuara prej 2 miliardë fuçi nafte të rëndë. Nxjerrja e naftës bruto në këtë fushë ka filluar në fillim të viteve 1930.

Pas Luftës së Dytë Botërore, ky vendburimin u zhvillua nga kompania shterërore e nxjerrjes së naftës që sot quhet Albpetrol, e cila në vitin 2002 i dha vendburimin me koncesion kompanisë Bankers Petroleum.

Shfrytëzimi prej gati 85-vjetësh i kësaj fushe naftëmbajtëse nuk ka qenë pa pasoja për mjedisin. Një raport i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, AKM, i publikuar pas shpërthimit të pusit P29A në Prill të vitit 2015 pranon se në fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës, industria e naftës nuk është menaxhuar sipas standardeve mjedisore, duke e renditur atë përkrah rrjetit të vatrave të nxehta mjedisore që kanë nevojë për ndërhyrje dhe rehabilitim.

“Shqipëria deri tani nuk është përballur me situata mjedisore të rënda të shkaktuara nga industria përveç situatës… në zonën naftëmbajtëse të Patos Marinzës, por dhe në grykëderdhjen e Semanit,” shkruan raporti duke iu referuar shpërthimit në pusin P29A.

“Në zonë vërehet ngarkesë e ajrit me substanca hidrokarbure volatile, sulfide të hidrogjenit apo okside të squfurit dhe gjendje shëndetësore e banorëve e ndikuar negativisht nga gjendja mjedisore e zonës,” shton raporti.

Sipas raportit të AKM-së, në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës ekzistojnë rreth 1480 pellgje llumrash nafte në një sipërfaqe prej rreth 95 hektarësh, një ndotje ndaj të cilës banorët janë direkt të ekspozuar.

Përsa i takon ndotjes së ujërave sipërfaqësore, raporti vlerëson se rreth 117 km trupa ujore janë të ndotura nga substancat/polimeret e naftës, ku përfshihen ujërat e lumit Gjanicë, Seman dhe përrenjeve të zonës.

“Kjo gjendje e ujërave përbën rrezik direkt për zinxhirin ushqimor bujqësor, si pasojë e përdorimit të ujit për ujitjen e tokave,” shkruhet në raporin e AKM-së.

Për të monitoruar impaktin e kësaj ndotjeje mjedisore mbi shëndetin e popullatës, pas shpërthimit të pusit P29A në fshatin Marinzë, Instituti i Shëndetit Publik ndërmori një studim të thelluar të shëndetit dhe gjendjes sociale të banorëve.

Në monitorimin e kryer pas shpërthimit të pusit P29A në Marinzë, Instituti i Shëndetit Publik përfshiu 100 nga 416 familje gjithsej që jetojnë në fshat. Sipas monitorimit, aromat e pakëndëshme dhe rreziku i perceptuar për shkak të lëkundjeve të shpeshta të tokës si rezultat i shpimit të puseve konsiderohen probleme madhore për pjesën më të madhe të familjeve në Marinzë.

Ndërkohë, ISHP vëren gjithashtu një nivel të lartë të sëmundshmërisë te fëmijët dhe të rriturit, ku dominojnë problemet me rrugët e frymëmarrjes.

Sipas ISHP-së, rreth 8 % e familjeve të intervistuara si pjesë e anketimit në fshatin Marinzë rezulton të kenë fëmijë të lindur me anomali të ndryshme, si autizmi, mushkëri të dëmtuara, abnormalitete në kokë, talasemi dhe epilepsi. Instituti evidenton gjithashtu faktin se 14 % e familjeve të intervistuara kanë pasur lindje të fëmijëve nën peshën normale. Të dhënat tregojnë gjithashtu se përqindja e fëmijëve të lindur me abnormalitete ka ardhur në rritje.

Në vitin 2012 kanë lindur 5.2% e fëmijëve me abnormalitete në qarkun e Fierit, në vitin 2013, 6.4%, në vitin 2014, 8.1%, në vitin 2015 3.6% dhe në vitin 2016 ka një nivel prej 12% të fëmijëve të lindur me anomali, krahasuar me numrin total të lindur në këtë qark.

“Si rezultat ekspozimi ndaj ndotësve të ajrit kryesisht të emetuara nga komponimet e hidrokarbureve lejon zhvillimin e një sërë simptomash në rrugët e frymëmarrjes,” shkruan ISHP.

“Rezultatet e përftuara tregojnë që 19 % e familjeve deklarojnë se kanë të sëmurë me astmë bronkiale të konfirmuar dhe trajtohen nga mjeku specialist,” shton ISHP.

Ridvan Azizi, banor i fshatit Zharrëz shprehet se në Patos Marinzë, problemet me astmën janë në mënyrë të veçantë shqetësuese te fëmijët.

“Problem me fëmijët, me pompa i kemi nga ajri. Ja pompa e çupës, vajza po vete 12 vjeçe! Ka nisur të ketë shqetësime që para katër vitesh,” tregoi ai.

“Ankesa kemi bërë disa herë, por këto ankesat mesa duket janë kot, i bëjmë kot. I marrin, i shkruajnë, i inçizojnë, nuk e di ku i çojnë,” shtoi Azizi.

Njësoj si ai, edhe Ferrik Gremi, i cili banon në fshatin fqinj të Belinës i tha BIRN se situata mjedisore është alarmante, ndërsa ankesat e tyre duket sikur bien në vesh të shurdhër.

“Kemi vajtur disa herë në zyrën e ankesave…jemi ankuar te zyra e ankesave të marrëdhënieve me publikun në Marinzë e Bankers-it dhe asnjë zgjidhje s’është bërë,” tha ai.

I pyetur nga BIRN mbi sistemin e menaxhimit të ankesave, Bankers Petroleum u shpreh se që prej vitit 2011 kishte ndërtuar një sistem të konsoliduar me konsoluencë të ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë, Korporatës Ndërkombëtare Financiare dhe BERZH.

“Ky sistem ka synim të identifikojë, investigojë dhe zgjidhë të gjitha ankesat nga komunitetet e Patos Marinzës që kanë lidhje me operacionet dhe aktivitetin e kompanisë në këtë zonë,” u shpreh kompania.

“Nëse ankesa qëndron, ajo regjistrohet si e vlefshme dhe Bankers, nëpërmjet një buxheti të dedikuar për zgjidhjen e ankesave ndërhyn duke rregulluar atë që ka dëmtuar dhe duke bërë dëmshpërblimin përkatës,” shtoi ajo.

Sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publik, gjysma e familjeve të përfshira në anketim raportojnë probleme të herëpashershme pulmonare dhe po kaq shqetësuese janë edhe sëmundjet e lëkurës. Raporti thekson se 51 për qind e familjeve raportojnë probleme pulmorare dhe 50 për qind probleme me lëkurën në forma alergjike, prurite, dermatike, ekzema e deri në melanoma.

“Një nga simptomatologjitë karakteristike e ekspozimit ndaj ndotësve të ajrit është dhe djegia dhe skuqja e syve, e cila është shprehur në 84 % e popullatës së studiuar,” shkruan ISHP.

“Në rezultatet e përftuara nga kjo popullatë rezulton se në 70 % të familjeve ndodhet të paktën një person që vuan nga hipertensioni… në 11% të familjeve të pyetura rezulton të ketë një person me sëmundje malinje,” shton ISHP.

Pasojat e rënda që ka shkaktuar ndotja e hidrokabureve në zonat naftëmbajtëse pranohet edhe nga mjekët e qëndrave shëndetësore të fshatrave dhe të qytetit të Ballshit, të cilët folën për BIRN nën kushtet e anonimatit- pasi druhen mos i largojnë nga detyra.

Një mjek në qytetin e Ballshit pohoi se gjendja shëndetësore e banorëve të këtij qyteti dhe e punëtorëve të Uzinës është mjaft e rëndë, si pasojë e nivelit të lartë të karbonit në gjak dhe të fenoleve si edhe lëndëve të tjera toksike që çlirohen si pasojë e përpunimit të hidrokabureve.

Sipas tij, prej vitesh punonjësit e ARMO nuk i kryejnë më analizat e fenolit dhe nuk e njohin situatën e tyre. Ndërkohë, edhe kur i bëjnë këto analiza nuk njoftohen për situatën e tyre reale shëndetësore. Mjeku u shpreh se është e nevojshme që shteti të marrë masa të menjëhershme për kryerjen e analizave reale të 1,100 punonjësve të KPTHN-së Ballsh si dhe për depistimin e popullsisë së fshatrave Lavdan, Panahor, Kalenjë, Hekalit, Kashit, Koilaçit, Drenovës, Usojës e Visokës lidhur me karbonin në gjak.

Edhe në njësitë administrative Zharrëz dhe Marinzë, mjekët tregojnë në kushtet e anonimatit se nuk disponojnë të dhëna statistikore apo informacione për fenolet në gjak, pasi analiza të tilla nuk kryhen në laboratorët shtetërorë. Ndërkohë, theksuan se nuk mund të rekomandojnë qytetarët t’i bëjnë analizat në klinikat private, pasi nuk u lejohet një gjë e tillë.

“Unë analizat i kam bërë dhe i kam mbi normën e lejuar,” shprehet Ferik Gremi. “I kam bërë në Fier te privati sepse nuk ka një udhëzim që t’i marrë përsipër shteti dhe kam vajtur vetë atje që të di ku jam,” shtoi ai.

Burime pranë Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik Fier u shprehën për BIRN se në laboratorët shtetërorë nuk është e mundur kryerja e analizave të karbonit në gjak apo të fenoleve.

Sipas mjekëve, nuk ka pasur ndonjë urdhëresë për depistimin e popullsisë lidhur me fenolet në gjak dhe se do të kishte qenë e nevojshme që analizat e fenoleve në gjak për zonat naftëmbajtëse të ishin parashikuar në chek-up e përgjithshëm.

Një mjek i sëmundjeve profesionale në Fier u shpreh gjithashtu se gjendja shëndetësore e banorëve të zonave naftëmbajtëse është më keq nga sa dihet apo perceptohet. Sipas tij, jo vetëm të rriturit por edhe fëmijët kanë norma të larta të fenoleve në gjak dhe pasoja të tjera shëndetësore si pasojë e ekspozimit në ambiente të ndotura nga gazrat e hidrokabureve.

Përveç problemeve që prania e fenoleve në gjak sjell për banorët që i kanë bërë privatisht analizat, Instituti i Shëndetit Publik vërejti prani të fenoleve në analizat e pakëta të urinës që realizoi me banorët e zonës pas shpërthimit të pusit P29A.

Monitorimi evidenton se analizat e fenol urinës u kryen vetëm për 8 banorë të fshatit, me banesa në pozicione dhe largësi të ndryshme nga pus-shpimi i naftës dhe që nuk punonin në sektorin e naftës.

Monitorimi vëren se në të gjitha rastet e analizave, pavarësisht gjinisë, moshës dhe profesionit, vlerat e fenol urinës janë mbi normë, rreth dy herë më të larta nga norma e lejuar për punonjësit e naftës. Një prej banorëve ka qenë një nxënëse 13-vjeçe dhe vlerat kanë qenë 158, nga 80 maksimalja që lejohet për punonjësit e sektorit të hidrokabureve.

“Prania e vlerave mbi normë të fenolit në urinë tek banorët e fshatit, të cilët nuk punojnë në industrinë e naftës tregojnë për praninë e gazeve të biomasës si dhe ekspozimin e popullatës në zonën e banuar”, theksohet në raportin e ISHP-së.

Të dhënat e siguruara nga BIRN në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Fier tregojnë se gjatë vitit 2014 në fshatin Marinzë është konstatuar një person që vuante nga kanceri i mushkërive, ndërsa në fshatin Zharrëz 3 persona me të njëjtën sëmundje. Në fshatin Zharrëz, po gjatë vitit 2014, janë konstatuar të vuajnë nga “Asthma bronchialis” 38 persona, një nivel relativisht i lartë i kësaj sëmundjeje.

“Ne po vdesim këtu. Vijnë e bëjmë ankesa ne, e asgjë s’po bëhet. Edhe unë vetë jam e sëmurë, jam me karbon dhe kurohem. Tani unë po i lë mjekimet, se s’kam lekë. Unë vete në Tiranë që mjekohem. Në shtet kam vajtur, tani nuk ia dal dot as në shtet. Tani po kurohem këtu në Fier, edhe këtu në Fier nuk ia dal dot, s’kam lekë,” tregon Lumturi Rredhi.

“I kam me alergji fëmijët. Vete tek doktori atje, të pyet nga je?… nga Zharrëza… , ça do bëjmë thotë,” shtoi ajo.

Një situatë e ngjashme shfaqet dhe në fshatin Aranitas të bashkisë Mallakastër. Sipas Drejtorisë së Shëndetit Publik në Mallakastër, në qendrën shëndetësore Aranitas, nga 124 persona të egzaminuar, 80% e tyre kanë shqetësime shëndetësore ku dominojnë: probleme të sistemit të gjakut, problem të sistemit të tretjes dhe çrregullim i metabolizmit të yndyrnave. Në përgjigjen e saj, DSHP Mallakastër thekson se nuk ka mjete të posaçme, kështu që nuk mund të përcaktojë si shkaktarë të kësaj sëmundshmërie ndotjen nga aktiviteti për nxjerrjen e përpunimit të hidrokabureve.

Tokë e mallkuar nga nafta

Vetë banorët e zonave ku ushtrohet aktiviteti i nxjerrjes dhe përpunimit të hidrokabureve janë të vetëdijshëm për ndotjen që është shkaktuar aty prej dekadash dhe pasojat që ka sjellë në ambient e në shëndetin e tyre. Ata ankohen për mungesën e reagimit të institucioneve shtetërore dhe theksojnë se kanë humbur besimin se diçka mund të ndryshojë në të ardhmen.

“Kemi probleme me frymëmarrjen, na janë dëmtuar mushkëritë. Kemi edhe pompat. I marrim shumë lekë këto, i marrim në Greqi dhe nuk kemi më mundësi ta përballojmë,” shprehet Dashnor Selimi, një banor i fshatit Zharrëz.

“Nuk futet fare shteti dhe jemi në hall të madh. Ndotja ka arritur kulmin, është bërë e padurueshme,” u ankua Selimi.

BIRN ka vëzhguar në terren situatën aktuale mjedisore në zonat ku zhvillohet aktiviteti i nxjerrjes dhe përpunimit të hidrokabureve në Qarkun e Fierit, duke konstatur ndotje të tokave bujqësore, lumenjve dhe përrenjve, si pasojë e depozitimit aty të mbetjeve të hidrokabureve.

Në ujërat e lumit Gjanica, që prej segmentit ku derdhen mbetjet e lëngshme të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh e deri në derdhjen e tij në Seman, konstatohet prania e elementëve kimikë që i ndryshojnë ngjyrën, herë në gri të hapur dhe herë në të zezë, si edhe aroma e rëndë e hidrokabureve.

Gjithashtu, banorët e fshatit Lavdan, Panahor, Kalenjë dhe të qytetit të Ballshit ankohen për ndotjen që shkaktohet në ajër si pasojë e shkarkimit të tymrave dhe lëndëve toksike nga rafineria. Sipas tyre, kjo ndotje po u dëmton shëndetin, tokën, drurët frutorë e të mbjellat.

Këze Skënderaj nga fshati Lavdan i Mallakastrës, i cili ndodhet afër rrethimit të rafinerisë së Ballshit, i tha BIRN se ndotja është bërë e padurueshme.

“Kur ngrihemi sidomos në mëngjes, shumë keq, nuk dalim dot nga shtëpia. Hap derën, shumë keq është. Shqetësimi, aroma, çfarë të them, çfarë arome të them, shumë e keqe, shumë e rëndë, të gjithë të sëmurë,” tha Skënderaj.

“Nëna vetë vuan nga karboni në gjak. I kemi bërë analizat dhe shumë keq na kanë dalë e vazhdojmë me ilaçe,” shtoi ajo.

Një situatë mjaft e rënduar e ndotjes vërehet edhe në puset apo stacionet e pompimit të Albpetrol, si në Zharrëz e Kuqar ashtu edhe në fshatrat e Mallakastrës në njësinë administrative Hekal.

Gjatë vëzhgimeve në terren, BIRN ka konstatuar ndotje të rënda përreth grupit 490 të prodhimit në Patos, ndërsa naftësjellësi në Zharrëz rezulton të jetë ndotësi i përroit që kalon përmes këtij fshati.

Në pusin 2351 në sektorin nr.6 në Patos rezulton të ketë derdhje nafte në sasi të konsiderueshme. Njësoj edhe në pusin 2148 në sektori 6 Prodhim-Patos apo në pusin DR 23, sektori 6 Prodhim-Patos ka ndotje hidrokarbure në shkallë të madhe.

Në grupin 13-të në Kuqar konstatohen derdhje të mbetjeve të hidrokabureve në përrua. Ndotja vazhdon për qindra metra përgjatë përroit, ndërkohë që ka edhe çlirim të madh të gazit në atmosferë.

Stacioni i pompimit nr.6. ka depo të çara dhe rrjedhje të naftës në sasi të madhe në përrua. Ndotja vazhdon përgjatë përroit. Ujërat e mbetjet e naftës që mbartin këta përrenj përfundojnë në Vijën e Ngjalës e më pas në lumin Seman dhe në detin Adriatik.

Në ujëmbledhësin e Koilaçit në Mallakastër ka sasi të mëdha mbetjesh nafte. E gjithë sipërfaqja e këtij ujëmbledhësi artificial ka një shtresë të trashë mbetjesh hidrokarbure, të cilat çlirojë avuj toksikë me një aromë mjaft të rëndë që ndihet edhe në distancë të largët.

Në territorin e vendburimit të Visokës në qytetin e Ballshit, në fshatrat përreth rafinerisë së përpunimit; Lavdan, Panahor, Kalenjë, Usojë dhe në zonën e Kashit e të Koilaçit ndihet aromë e rëndë hidrokaburesh që mund të konstatohet prej çdokujt që kalon aty.

“Për ajrin dhe për ujin e pijshëm kemi shumë, shumë problem. Këtu është mjegull tërë kohën. Ka erë gazi shumë të theksuar. Ndërsa uji është i papijshëm. Lumi as për vaditje nuk bën,” tha Bilbil Kalemaj nga Patos Fshat, banor i zonës së vendburimit të Visokës që shfrytëzohet nga Transoil Group.

“Që kur kanë hyrë këto firmat është ndezur toka nën të, uji është prishur pothuajse 100%, në tërë zonën që është me naftë,” shtoi ai.

Në zonën e Marinzës dhe të Zharrëzës gjithashtu konstatohet ndotje e tokave bujqësore nga nafta, aromë e rëndë e hidrokabureve që emëtohen gjatë procesit të nxjerrjes së naftës si edhe zhurma që dëgjohen edhe qindra metra larg grupeve apo puseve të naftës.

Banorët ankohen për ndotje të lartë të ajrit, si nga aktiviteti i nxjerrjes së naftës ashtu edhe si pasojë e mjeteve të rënda që përshkojnë rrugët e këtyre zonave gjatë 24 orëve. Tek banorët perceptohet një frikë e madhe përsa i përket lëkundjeve të tokës. Gjithashtu, ata ankohen për dëmtimin e mjedisit të tokave bujqësore, ujërave, dhe të pemëve frutore e të mbjellave.

“Të gjitha analizat që janë bërë kanë dalë shumë keq, e shikoj dhe veten, punova një jetë për këtë helm. Ajrin po na e marrin, toka po nuk bëhet, ujë për të pirë nuk kemi,” konstaton me keqardhje Llazar Mihal Kumaraku, një banor i fshatit Marinzë.

“I gjithë ky komunitet është gjynah, toka nuk bën sepse është e helmuar, vetë jemi helmuar, është për të vënë duart në kokë. Se si do vejë kjo puna jonë, vetëm zoti e di,” shtoi ai.

Denoncimet e banorëve mbështeten edhe nga kreu i njësisë administrative në Zharrëz, Arben Semanjaku-njësi e cila përmbledh 6 fshatra dhe ku 80 % e territorit përfshihet në zonën naftëxjerrëse të Patos Marinzës. Sipas Semanjakut, ndotja në njësinë e tij është aq e madhe sa mund të shihet me sy të lirë.

“Ajri këtu është më problematik, nga të tëra këto për momentin është ndotja mjedisore në ajër. Sepse volumet e punëve të kryera nga kompanitë, nga mjetet e ndryshme të cilat operojnë në fushë, si tymra të caktuara që nxjerrin apo vënë në lëvizje këto mjete të rënda, apo edhe gazrat e ndryshëm që çlirohen të lira apo që digjen nga fagret, bëjnë një ndotje të cilën e vëmë re,” tha Semanjaku.

“Ndotja është në një shkallë të tillë që vihet re edhe pa syrin e specialistit,” shtoi ai.

Megjithatë, Semanjaku nënvizon se dhënia me koncesion e fushës së Patos Marinzës nga Albpetrol për Bankers Petroleum ka sjell përmirësime të ndjeshme në pastrimin e ndotjes së trashëguar në puse.

“Lidhur me pjesën mjedisore, gjatë këtyre viteve mund të jenë bërë përmirësime përsa i përket gropave të vjetra- pronë të Abpetrolit dhe pjesa e kaluar në administrim të kompanisë Bankers,” u shpreh ai.

Semanjaku shprehet se për një pjesë të puseve Bankers dhe Albpetrol nuk bien dakord se kujt i takon përgjegjësia për t’i pastruar dhe ky ngërç mbetet shqetësues për pushtetin vendor dhe banorët. Kreu i njësisë administrative flet për mosmarrëveshjet mbi ndotjet e vjetra nga nëntoka, ndotje sipërfaqësore të kanaleve apo në sipërfaqe te caktuara toke, të cilat sipas tij janë bërë pengesë për rehabilitimin e kanaleve vaditëse dhe kulluese të shkatërruara.

“Rreth 80% përqind e tyre është e pastruar dhe pjesa që ka ngelur, për momentin… neve në kërkesat tona kemi ngelur në një ngërç, se të dyja kompanitë pretendojnë t’ia hedhin fajin njëra-tjetrës,” tha Semanjaku.

“Bankers-i pretendon se këto janë ndotje të shkaktuara nga industria e naftës nga Albpetrol-i në vite, ndërsa Albpetrol-i thotë që fushën ia kemi dhënë me koncesion kompanisë dhe duhet t’i pastrojë kjo,” shtoi ai.

Megjithë ngërçin e krijuar midis koncesionarit dhe kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol, kreu njësisë administrative Zharrëz mbetet optimist se një zgjidhje do të gjendet, pasi së fundmi kanë marrë përgjigje pozitive dhe është bërë vlerësimi i volumeve të ndotjes.

“Nga ana e kompanive tani kërkohet të caktojnë fondet që të bëjnë të mundur dhe pastrimin të këtyre mbetjeve,” përfundoi ai.

Kryetari i Shoqatës së Zharrëzës, Qani Rredhi tregon për BIRN se ndotjet historike të Albpetrolit vazhdojnë të dëmtojnë tokat bujqësore, ajrin dhe ujërat rrjedhës sipërfaqësorë dhe ata nëntokësorë.

“Këtu në vendburimin e Marinzës, pamjet tregojnë qartë ndotje të tejskajshme. Këtu është bërthama prej nga niset ndotja për në detin Adriatik. Nuk është vënë dorë,” u shpreh Qaniu.

“Kompania Bankers Petroleum ka bërë diçka, ka rregulluar të vetat, kurse këto janë rrënojat e ndërmarrjes së Albpetrolit, gjendje skandaloze. Si kjo ndotje këtu kemi edhe në anën tjetër të Belinës. I bëjmë thirrje pushtetit qëndror dhe atij vendor të vërë dorë për këtë katastrofë ekologjike,” përfundon ai.

Është e paqartë se kur do të ndërhyhet për të pastruar mbetjet historike të hidrokarbureve në Patos Marinzë, megjithatë, gjatë 5 viteve të fundit institucionet monitoruese të mjedisit kanë konstatuar dhe shkelje të reja nga kompania Bankers Petroleum dhe disa herë kanë marrë masa ndëshkuese.

Sipas Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier, gjatë 5 viteve të fundit, në gjashtë raste janë marrë masa administrative me gjobë për dëmtim të tokës bujqësore në zonën e Zharrëzës dhe në një rast është marrë masa e dëmtimit me gjobë për ndërtim pa leje nga Inspektoriati i Ndërtimit pranë ish-Komunës Zharrëz ndaj Kompanisë “Bankers Petroleum”. Në përgjigjen e Këshillit të Qarkut Fier thuhet se më datë 1 Prill 2015 në Marinëz janë dëmtuar 70,656 metër katrorë tokë bujqësore, pronë e 60 familjeve.

Masë administrative për ndotjen nga hidrokaburet ka marrë edhe Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve në Fier, që shpjegon se më datë 31.10.2014, ndaj kompanisë “Bankers Petrolium Albania” është marrë vendimi për vendosjen e gjobës 5 milionë lekë.

Bankers e ka ankimuar këtë gjobë në gjykatë dhe e konteston inspektimin që është bërë bazë për masën administrative.

“Inspektimi nuk është kryer në bazë të ligjeve në fuqi,” tha Bankers.

“Analizat e kryera nga laboratorë të certifikuar ndërkombëtarë kanë konfirmuar se këto ujëra janë brenda normave të parashikuara,” pretendon kompania.

Ndotja e ujërave nga hidrokarburet

Në studimin për fshatin Marinzë pas shpërthimit të pusit P29A, Instituti i Shëndetit Publik ka sqaruar se nuk kryen monitorim për ujërat sipërfaqësorë dhe nëntokësorë. Por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se matjet e kryera nga Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik në Fier nga viti 2000 deri në vitin 2013 konstatojnë ndotje të lartë të baseneve ujore, në mënyrë të veçantë të lumit Gjanica.

Në më të shumtën e matjeve është konstatuar se lumi Gjanica ka pasur ngjyrë të verdhë, të zezë, gri dhe aromë nafte, hidrokaburesh, vajrash dhe ka qenë me turbullirë dhe me prani të elementëve kimikë e të metaleve të rënda si NO3, Fe, NO2, NH4 e Cl. Po ashtu, edhe në vijën e Ngjalës janë konstatuar të pranishme karakteristikat e ndotjes së lumit Gjanica, ndërsa lumi Seman rezulton i ndotur me metale të rënda.

Në vitin 2014, ndotja në lumin Gjanica ka qenë një një nivel më të ulët. Por në vitet 2015, 2016 dhe 2017 situata përkeqësohet sërish, ku konstatohet shpesh erë e rëndë e hidrokabureve, ngjyrë gri dhe të verdhë, si edhe prania e elementëve kimikë dhe metaleve të rënda. Thuajse gjatë gjithë matjeve të kryera në 17 vitet e fundit, lumi Gjanica rezulton të ketë praninë e elementëve hidrokaburë që depozitohen aty gjatë rrjedhës së tij.

Në raportin përfundimtar të vlerësimit strategjik mjedisor të Bashkisë Fier të datës 30 Shtator 2016 shkruhet se zona naftëmbajtëse e Fierit, për shkak të historikut të veprimtarisë industriale në të shkuarën, mbart ndotje të lartë me hidrokarbure në tokë, ujë dhe ajër- në mënyrë të veçantë zona e administruar nga kompania publike Albpetrol.

“Puset e naftës në këto zona vazhdojnë të përdorin teknologjinë e vjetër të së shkuarës duke shkaktuar ndotje të theksuar në tokat përreth puseve. Ndikimi i tyre shtrihet edhe në rrjedhat ujore sipërfaqësore, ujërat nëntokësorë, në ajër, etj,” shkruhet në raport.

“Një numër i madh i këtyre puseve nuk kanë gropa ekologjike. Hidrokarburet i shkarkojnë në “gropa ekologjike” që janë thjesht sipërfaqe toke e gërmuar në formë vaske, pa standarde minimale teknike për mbrojtjen e mjedisit,” shton raporti.

Sipas raportit, mbetjet kimike arrijnë të depërtojnë në shtresat nëntokësore ujore ndërkohë që përbërësit organikë të avullueshëm shpërndahen në ajër.

“Në disa zona, për shkak të erës së fortë është e vështirë të qëndrosh në afërsi të gropave ekologjike për më shumë se disa sekonda. Një gjendje e tillë vihet re pothuajse në zonat ku puset kanë ende teknologji të vjetër,” theksohet në këtë raport.

Evidentohet gjithashtu fakti se rezultatet e monitorimit treguan se ujërat e Semanit (ku përfshihen edhe Osumi e Devolli) dhe degët e tjera janë të ndotura thellë me metale të rënda.

“Meqenëse ujërat e këtyre lumenjve përdoren edhe në bujqësi, mund të rrezikojë shëndetin e njeriut nëpërmjet konsumit të fruta-perimeve të ndotura me ujin e lumit gjatë kultivimit. Në qoftë se nuk merren masa për uljen e ndotjes së ujërave të Semanit së bashku me degët e tij (Devolli dhe Osumi), këta lumenj mund të kthehen në një faktor rreziku për cilësinë e produkteve bujqësore dhe shëndetin e njeriut,” shkruhet në raport.

Bashkia Fier nuk iu përgjigj kërkesës për informim të BIRN ku kërkoheshin të dhëna mbi masat e marra për parandalimin e mëtejshëm të ndotjeve aktuale dhe përmirësimin e zonave me ndotje historike në territorin e saj.

Ndryshe nga bashkia Fier, në përgjigje të një kërkese nga BIRN Bashkia Patos shpjegoi se lidhur me ndotjen që shkaktohet nga kompanitë që operojnë në sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës janë mbajtur procesverbale, kur janë konstatuar derdhje të hidrokabureve në përrenj dhe kanale.

“Kemi konstatuar vetëm dy pika të derdhjes së hidrokabureve në kanal, për të cilat po bashkëpunojmë me Albpetrol për t’i eleminuar,” shkruhet në përgjigjen e Bashkisë Patos, ku shtohet fakti se në mungesë të aparaturave nuk është punuar në monitorimin e cilësisë së ajrit në zonat ku ka aktivitet. Ndërkohë, sipas kësaj bashkie, për vitin 2017 është bërë pastrimi i 46 kilometrave kanal kullues kryesisht ku ka derdhje të hidrokabureve.

Ndërkohë, Bashkia Mallakastër u përgjigj se ka njoftuar institucionet kompetente për marrjen e masave administrative, konkretisht Ministrinë e Mjedisit, Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, dega Qëndrore Tiranë dhe degën rajonale Fier, si edhe Drejtorinë Rajonale të Mjedisit, Qarku Fier.

Sipas Bashkisë Mallakastër, nga hidrokaburet janë të dëmtuara gjithsej 8 hektarë tokë, 3 hektarë në njësinë administrative Hekal dhe 5 hektarë në njësinë Administrative Qendër.

“Dëmtimet kanë ardhur si pasojë e rrjedhjes së naftës bruto dhe rezervuarëve të dekantimit, si dhe ujërat teknologjikë që përdoren. Dëmtimet kanë ndikuar direkt në strukturën e tokës dhe bimësisë përreth. Një sipërfaqe toke ka dalë jashtë përdorimit nga ndotja në vite, si pasojë e mosdisiplinimit të ujërave të ndotura me hidrokabure”, sqaron Bashkia Mallakastër, e cila shton se janë bërë takime me drejtuesit e kompanive për t’i njohur me dëmtimet e shkaktuara si dhe është bërë kërkimi i dëmshpërblimit të fermerëve nga kompanitë e naftës.

Edhe Bashkia Roskovec sqaron se prej vitit 2015 ka nisur pastrimi, sistemimi dhe largimi i mbetjeve të naftës nga sipërfaqet dhe kanalet kulluese dhe ujitëse, jo vetëm në Marinëz. Bashkia Roskovec ka kryer një studim për ndotjen e ajrit dhe thekson se do të nisin të hartojnë marrjen e masave në bashkëpunim me kompaninë Bankers për përmirësimin e kësaj situate.

Ndërkohë që situata e rëndë e ndotjes pranohet nga një mori institucionesh, veprimet kundër autorëve kanë qenë thuajse të papërfillshme.

Më 27 Qershor 2016, Prokuroria e Fierit regjistroi një procedimin penal për veprën penale të “ndotjes së ujërave” për ndotjen nga hidrokaburet të lumit Gjanica, por hetimi u mbyll pak kohë më pas.

Prokuroria kërkoi ekspertizën e Institutit të Fizikës Bërthamore, Institutittë Shëndetit Publik në Tiranë, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik në Fier. Në fund sipas Prokurorisë, institucionet shtetërore nuk e kanë pasur të mundur të provojnë shkencërisht ndotjen e ujërave.

“Në rastin konkret, nga të gjitha përgjigjet e administruara nga institucionet e lartpërmendura nuk është dhënë ndonjë konkluzion shkencor mbi çështjen e përcaktimit të prishjes së ekuilibrit ekologjik në mjedisin ujor të lumit Gjanica, duke bërë kështu të pamundur që të provohet në mënyrë objektive dhe shkencore pasoja e veprës penale e parashikuar nga neni 203 i Kodit Penal,” thuhet në vendimin e pushimit të kësaj çështjeje.

Ndotja mjedisore dhe varfëria në Patos Marinzë

Ndonëse jetojnë mbi rezervat e qindra milionë fuçive nafte, pjesa më e madhe e banorëve të zonave naftëmbajtëse janë të papunë dhe përballen çdo ditë me varfërinë, me degradimin mjedisor e me sëmundje të ndryshme që kanë si shkak ndotjen e hidrokarbureve.

Në disa raste, shtëpitë e tyre ndodhen vetëm pak metra larg puseve të naftës së Albpetrolit prej nga gulçon gazi natyror. Ndërkohë, në Zharrëz e Marinzë nuk gjendet thuajse asnjë banesë që të mos jetë dëmtuar si pasojë e lëkundjeve të tokës për vite me radhë, 61 prej të cilave janë vlerësuar si të pabanueshme së fundmi në Zharrëz.

Në monitorimin e kryer pas shpërthimit të pusit P29A në Marinzë, Instituti i Shëndetit Publik përfshiu 100 familje nga 416 gjithsej që jetojnë në fshat.

Nga monitorimi u konstatua se 29.30% e banorëve punojnë në kategori të ndryshme, 22,20% janë shtëpiakë dhe vetëm 19, 2% kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në profesionin e naftëtarit.

Monitorimi ka zbuluar gjithashtu se pjesa më e madhe familjeve ka të ardhura të ulëta financiare. Sipas raportit të ISHP-së, 74.7% e familjeve kanë të ardhura mujore nën 30 mijë lekë, ku papunësia është në normën 43 %.

Në zonat ku zhvillohet aktiviteti i përpunimit e nxjerrjes së naftës në Mallakastër situata mjedisore është mjaft e rënduar, çfarë e ka bërë prej më shumë se dy dekadash tokën të papunueshme.

Dhjetra banorë të fshatit Gorishovë të Njësisë Administrative Cakran kanë paditur kompaninë Stream Oil, sot TransAtlantic Albania Ltd, duke kërkuar dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara në pemët e tyre frutore apo në ullinj.

Me anë të një vendimi gjyqësor, ata arritën të marrin dëmshpërblimin nga Albpetrol-i për dy dekada, por kur vendburimet pranë fshatit të tyre i mori me koncesion kompania Stream Oil, kjo e fundit e ndërpreu shlyerjen e dëmit.

Në këto kushte, banorët e Gorishovës, pemët frutore të të cilëve ishin dëmtuar nga shkarkimi tej normave i gazrave si pasojë e aktivitetit të nxjerrjes së naftës, iu drejtuan përsëri gjykatës dhe pas disa vite betejash ligjore arritën të fitojnë të drejtën e dëmshpërblimit. Por pavarësisht vendimit në favor të tyre, një gjë e tillë nuk u bë asnjëherë e mundur, pasi llogaria bankare e kompanisë që ka ndërruar emrin në TranAtlantic Ltd, ka qenë dhe vazhdon të mbetet e boshatisur.

Në zonën e Marinzës dhe të Zharrëzës, banorët ankohen gjithashtu për ndotje të tokave bujqësore, aromë e rëndë e hidrokabureve që emëtohen gjatë procesit të nxjerrjes së naftës si edhe zhurma që dëgjohen edhe qindra metra larg grupeve apo puseve të naftës.

“Mua më janë tharë 40 rrënjë ullinj nga ky proces, nga gazi e nga të tjerat. Jo vetëm kaq, por edhe kur fermerët shkojnë për të nxjerrë ndonjë prodhim në treg, ata pyesin nga je dhe absolutisht largohen menjëherë për të blerë prodhimet tona bujqësore,” shprehet Dylber Karafili, një banor i zonës.

“Është një gjendje alarmante. Kemi humbur dhe besimin se mund të rregullohet kjo gjë,” shtoi ai.

Për ndikimin negativ të ndotjes në pordhimin bujqësor ankohet edhe Këze Skënderaj.

“Në 20 vjet… kemi marë (prodhim) nja dy a tri herë apo s’kemi marrë, më shumë jo. Ullinjtë thahen nga ndotja, keq jemi çfarë të them,” tha ajo. “Po sëmurën edhe bimët, pale njerëzit,” shtoi Skënderaj.

Një banor i Marinzës, Astrit Toska bashkë me familjarët e tij ka ndërmarrë një padi civile ndaj kompanisë “Bankers Petroleum” me anë të së cilës kërkon dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar si pasojë e ndotjes së gazit dhe kimikateve në tokën të tij, gjë që sipas Toskës, kanë bërë që të mos ketë më prodhim.

“Për të gjitha investimet që kam bërë tek kjo pronë, për mendimin tim, ose mund ta vërtetojë një specialist i bujqësisë ose një ekspert që është i licencuar, pemët këtu janë të mbaruara dhe gjithë prona këtu është e shkatërruar, të gjitha ikën dëm,” tha Toska duke fajësuar kompaninë Bankers Petroleum.

E pyetur për padinë, Bankers e hodhi poshtë mundësinë se ajo kishte ndotur tokat bujqësore dhe shtoi se në të njëjtën zonë banojnë qindra fermerë të tjerë. Bankers e përshkroi zotin Toska si një ish-punëtor të saj të larguar nga puna.

“Mbetet për t’u theksuar se në zonën ku jeton z.Astrit Toska banojnë dhjetëra familje të tjera që zhvillojnë aktivitet bujqësor, të cilat nuk kanë depozituar asnjë ankesë në këtë drejtim,” tha kompania.

Ndryshe nga Toska, Dylber Karafili nuk ka vendosur ende nëse do të ngrejë një padi gjyqësore për ullinjtë e tij. Megjithatë, ai është i shqetësuar përveç të tjerave edhe për dëmin psikologjik që u është shkaktuar banorëve të fushës naftëmbajtëse të Patos Marinzës si pasojë e aktivitetit të nxjerrjes së naftës.

“Asnjëherë nuk është marrë në konsideratë problemi i tronditjeve psikologjike që u janë shkaktuar njerëzve nga lëkundjet që shkaktuan dëme shumë të mëdha materiale. Problemin psikologjik nuk e kanë trajtuar,” përfundoi Karafili.

Zv/kryeministri i Kosovës Pacolli viziton Maqedoninë

PacolliZëvendës-kryeministri dhe ministër i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ishte të mërkuren për vizitë zyrtare në Maqedoni, ku u prit nga drejtues të lartë shtetërorë. Zoti Pacolli dhe homologu i tij maqedonas, Nikolla Dimitrov gjatë takimit mes tyre biseduan për thellimin e bashkëpunimit në më shumë fusha, me theks të veçantë në atë të ndërlidhjes infrastrukturore, energjisë, por dhe synimet drejt Bashkimit Evropian.
Z. Pacolli falënderoi Maqedonisë për, siç tha ai, angazhimet dhe ndihmën lidhur me qarkullimin e lirë të shtetasve të Kosovës. Ai gjithashtu tha se pret mbështetjen e Maqedonisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Ndërkaq, Ministri i jashtëm maqedonas Dimitrov u shpreh se dy vendet “kanë marrëdhënie dhe komunikim të shkëlqyeshëm të ndërsjellë dhe një bashkëpunim ekonomik shumë të frytshëm, ndërkohë që mund të bëhet shumë më tepër në thellimin e këtij bashkëpunimi”.
Maqedonia është një shtet shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e proceseve në Kosovë dhe për sigurinë e saj. Ne presim mbështetjen e Maqedonisë për anëtarësim në UNESCO. Vetëm Kosova ka mbetur sot një vend, qytetarët e të cilit nuk lejohen të lëvizin lirshëm, por jam i bindur se kjo nuk do të zgjasë shumë. Shpresoj se viti 2018 do të jetë viti vendimtar kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm”, u shpreh Z. Pacolli.
Ministri maqedonas, Nikolla Dimitrov tha se dëshiron që viti i ardhëshëm të jetë “viti i Ballkanit”.
“Sa më shumë që punojmë së bashku drejt integrimeve evropiane, aq më tepër do të hapërojmë drejt BE-së”, tha kryediplomati maqedonas, duke shtuar se “në Ballkan nuk duhet të ketë anë të ndryshme dhe se nuk kemi alternativë tjetër përveç se të sillemi si evropianë dhe si aleatë”.
Dy zyrtarët e lartë qeveritarë të vendeve fqinje kanë rënë dakord për takimin e dy qeverive në një seancë të përbashkët me qëllim të avancimit të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, energjetikës dhe transportit, si dhe për një sërë çështjesh të tjera.
Zv.kryeministri Pacolli u prit edhe nga kryeministri Zoran Zaev dhe nga kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi. Zoti Pacolli i ka shprehur kryeministrit maqedonas respektin për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni. Kryeministri Zaev është shprehur se qeveria e tij është e përcaktuar të ndërtojë raporte të mira me Kosovën dhe me të gjithë fqinjët e tjerë për të kontribuar në këtë mënyrë drejt të ardhmes së të gjithë rajonit të Ballkanit perëndimor në BE dhe NATO, sipas një komunikate nga zyra e kryeministrit maqedonas.
Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë qeveritar të Kosovës që i bën Shkupit pas ardhjes në pushtet të social-demokratëve në Maqedoni, në pranverën që e lamë pas. (voa)

Lirohet nga burgu turk aktivisti gjerman Peter Steudtner

aktivisti gjermanGjyqi kundër shtetasit gjerman dhe 11 veprimtarëve të tjerë të të drejtave të njeriut nisi të mërkurën në mëngjes. Gjykata vendosi: Peter Steudtner lirohet nga paraburgimi.

Pas tre muaj të kaluar në paraburgim, gjykata vendosi që Peter Steudner të lirohet. Ndërsa ai tha se do të marrë avionin e parë të mundshëm dhe do të largohet nga Turqia për në Gjermani. Të lirë janë shpallur edhe shtatë persona të tjerë të akuzuar në këtë proces.

Procesi gjyqësor kundër Steudtnerit dhe njëmbëdhjetë aktivistëve të tjerë të të drejtave të njeriut kishte nisur më parë. Qeveria turke e ka akuzuar grupin e veprimtarëve “se ka ndihmuar organizata terroriste të armatosura” përmes veprimeve me shoqërinë civile. Qeveria i ka akuzuar aktivistët edhe për anëtarësi në Partinë Punëtore të Kurdistanit, e cila është e ndaluar në Turqi, në partinë e ekstremit të majtë, DHKP-C dhe në Lëvizjen Gulen.

Steudtner i hedhi poshtë të gjitha akuzat. Gjykatës në Stamboll ai i tha të mërkurën: “Unë jam i pafajshëm dhe kërkoj lirimin tim të menjëhershëm”.

Kritikët, duke përfshirë qeveritë e SHBA, të Bashkimit Evropian dhe të Gjermanisë, i quajtën akuzat e qeverisë kundër aktivistëve të të drejtave të njeriut të motivuara politikisht dhe “absurde”. “Ne po punojmë për këtë synim (lirimin e Steudtnerit) dhe nuk do të pushojmë së punuari për këtë”, tha të mërkurën zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert.

Grupi i të akuzuarve përbëhet edhe nga kryetarët lokalë të Amnesty International, Idil Eser dhe Taner Kilic dhe nënshtetasin suedez, Ali Gharavi.

Autoritetet turke e arrestuan Steudtnerin dhe nëntë persona të tjerë në korrik, kur po ndiqnin një kurs për të drejtat e njeriut në ishullin e Buyukada-s pranë Stambollit. Kilicin e patën arrestuar disa javë më parë dhe rastin e tij e shkrinë më vonë me rastin e grupit të Buyukada-s.

Më shumë se 50.000 vetë kanë qenë burgosur dhe më shumë se 150.000 të tjerë janë pushuar nga puna në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme, të vendosur që kur dështoi grushti i shtetit kundër Presidentit Rexhep Tayyip Erdogan në qershor 2016. Këto veprime kanë shkaktuar shqetësim në të gjithë botën për  shkak të goditjes kundër sundimit të ligjit në Turqi. (voa)

Steinmeieri në Moskë – Një fillim i ri i marrëdhënieve?

SteinmeierHera e fundit kur një President i Gjermanisë e vizitoi Moskën qe viti 2010. Tani në Moskë shkon Frank-Walter Steinmeier. Por nuk bëhet fjalë për një normalizim marrëdhëniesh.

Të mërkurën Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier shkon në Moskë. Me këtë ai vazhdon një traditë që u ndërpre nga parardhësi i tij. Të gjithë presidentët e Gjermanisë e konsideronin detyrim të tyre që të bënin një vizitë mirësjelljeje në Rusi. Përjashtim bëri Joachim Gauck, i cili ishte President prej viteve 2012 deri 2017. Gauck-u, një ish-aktivist i të drejtave të njeriut të RDGJ dhe prift protestant ndjente një antipati të madhe ndaj shefit të Kremlinit, Vladimir Putin, një ish-punonjës i KGB. Këtë Gauck-u nuk e fshihte. Të dy u takuan vetëm një herë. Kjo ndodhi në verë 2012, kur Putini ndaloi në Berlin në udhëtimin e tij për në Paris.

Përpjekjet e shërbimeve të protokollit të të dyja vendeve, që të organizonin një vizitë të Gauck-ut në Moskë qenë të vogla. Në Berlin flisnin për vështirësi për të gjetur një datë të lirë. Por qarkullonte edhe fjala se pas pritjes së ftohtë në Berlin, Putini nuk kishte ndonjë dëshirë të zjarrtë që të takohej me Gauck-un në Berlin.

Udhëtim në kontekst të konfliktit të Ukrainës

Frank-Walter Steinmeier ushqen ndjenja miqësore për Rusinë. Edhe më tepër, njerëz që e njohin mirë, thonë se ai bën pjesë te ata gjermanë, të cilët e trajtojnë herë pas here Rusinë me respekt të thellë dhe që kanë simpati të madhe për të. Nuk është rastësi që kur ishte ministër i Jashtëm, Steinmeieri udhëtonte çdo vit në Jekaterinenburg ku mbante leksione në universitetin e Uralit dhe gëzohej sinqerisht për bisedën me studentët.

Njëkohësisht, Steinmeieri ka qëndrim kritik ndaj Presidentit rus, Vladimir Putin. Ai nuk fsheh as zhgënjimin e tij për Sergej Lavrovin, me të cilin ka kaluar shumë orë diskutimi në negociatat në “formatin e Normandisë” në nivelin e ministrave të jashtëm dhe me të cilin u përpoq të gjente një zgjidhje politike për konfliktin në Ukrainën Lindore.

Në kontekstin e këtij konflikti duhet parë edhe vizita e tij e tanishme në Moskë. Zyra presidenciale thekson edhe shprehimisht se nuk bëhet fjalë për një vizitë shtetërore, por për një vizitë pune. Në përputhje me këtë është konceptuar edhe programi.

Pas vendosjes së një kurore në varrin monumental të Ushtarit të Panjohur, Steinmeier do të takohet me përfaqësues të organizatës ruse të të drejtave të njeriut “Memorial”. Pastaj ai do të takohet në rezidencën e ambasadorit gjerman me Michail Gorbaçovin.

Qëndrimin e tij shumë kritik ndaj mënyrës së veprimit të Rusisë në Krime dhe në Lindje të Ukrainës Presidenti gjerman nuk e ka braktisur. Nuk është rastësi që më parë ai udhëtoi në Shtetet Baltike, ku e quajti sërish në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia. Veç kësaj ai u premtoi Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë mbështetje gjermane në garantimin e sigurisë nacionale dhe në bashkëpunimin në NATO. (dw)

“Kompanitë e kanë obligim të paguajnë rrogën minimale”

ParaAfati në të cilin kompanitë duhet të paraqiten për subvencione për pagesë të rrogës minimale për muajin shtator skadon në fund të muajit. Deri më 19 tetor ka 8.955 kërkesa nga 1.430 kompani. Pozitivisht janë zgjidhur 6.844 kërkesa. Pa dallim nëse kompanitë do të aplikojnë për subvencione, ato duhet të paguajnë rrogë minimale.

Ndërsa nga Ministria e punës dhe politikës sociale apelojnë deri te punëtorët që të paraqesin parregullsitë në mënyrë që të parandalohen keqpërdorimet e këtij ligji.

“Kompanitë të cilat kanë afat të parashtrojnë kërkesë deri më 30 shtator, përkatësisht në ato korniza mund të kërkojnë mbështetje. Kjo do të thotë se ende ka mundësi të parashtrohen kërkesa dhe më pas të shihet numri i saktë i kompanive të cilat kërkuan subvencione”, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve pas promovimit të masës për punësim.

Ajo sqaroi se rrogë minimale për punëtorët do të paguajnë të gjitha kompanitë, pa dallim nëse kanë kërkuar subvencion apo jo, sepse, siç tha, rrogë minimale nën 12.000 denarë nuk mund të paguhet.

Carovska theksoi se inspektorët nga Inspektorati shtetëror i punës janë vazhdimisht në terren, por, siç potencoi, në pajtim me përcaktimet programore të Qeverisë së pari u mundësohet kompanive e madje më pas do të kalohet drejt sanksionimit për keqpërdorime të mundshme.

Konsideron se edhe krahas aktiviteteve të inspektorëve, ndihmë e madhe mund të jenë edhe punëtorët të cilët, siç tha, nuk duhet të lejojnë keqpërdorim të këtij ligji.

Analizat e para para sjelljes së këtij ligji treguan se rreth 130 mijë punëtorë kanë marrë rrogë më të ulët nga minimalja e tanishme./Telegrafi/

Jo arrestim por hetime për Saimir Tahirin

kuvendiParlamenti në Tiranë rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Pas vendimit, opozita braktisi Parlamentin.

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë votuan të mërkurën (25/10/ 2017) me votim të hapur për kërkesën e Prokurorisë lidhur me marrjen e autorizimit për arrestimin e ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Me 75 vota kundër të maxhorancës socialiste dhe 60 vota pro të opozitës kjo kërkesë u hodh poshtë. Përveç votës së saj pro arrestimit, opozita qëndroi në Parlament me pankarta në duar ku shkruhej: “Qeveri e drogës”, “Qeveri e krimit”, “Qeveri mafioze”dhe braktisi seancën pas rezultatit të votimit.

Edhe pse kërkesa për arrestim u hodh poshtë, Prokuroria ka të drejtë të fillojë hetimet që sot hetimet ndaj Saimir Tahirit duke  i kontrolluar banesën dhe sendet e tij personale, si  i dyshuar për lidhje me grupin kriminal të trafikimit të lënëve narkotike nga Shqipëria në Itali, të kryesuar nga vëllezërit Habilaj, kushërinj të largët të Tahirit.

Rrëzim i paralajmëruar i kërkesës së Prokurisë për arrestimin e Tahirit

Rrëzimi i kërkesës së prokurorisë për të marrë nga Parlamenti autorizim për arrestimin e Tahirit nuk është surprizë. Ai ishte i pritshëm pasi Këshilli për Mandatet dhe Imunitetet nuk i konsideroi prova, përgjimet e bëra të bisedave të anëtarëve të grupit kriminal Habilaj, të kryera nga autoritetet italiane ku përmendej vetëm emri i ish-Ministrit të Brendshëm.

Pas këtij qëndrimi të Këshillit  rrëzimi i kërkesës së prokurorisë ishte i paralajmëruar. Maxhoranca socialiste në votimin e sotëm, me shumicë të thjeshtë të deputetëve të pranishëm në seancë plenare kishte 74 votat e saj. Edhe pa votën e Tahirit, deputet i lirë, edhe pa një votë kundër arrestimit të një deputeti të pavarur, e cila e ngriti numrin e votave kundër në 75 , maxhoranca socialiste kishte shumicen për të vendosur kundër arrestimit.

Opozita – Mosarrestimi i Tahirit, pengesë për drejtësinë

Dy raportet e Këshillit të Mandateve dhe Deputetëve për ҫështjen Tahiri u paraqitën në seancën e sotme parlamentare. Në raportin e saj, opozita kishte argumentuar qëndrimin e saj pro marrjes së autorizimit nga Parlamenti për arresimin e Tahirit me konsiderimin e përgjimeve nga autoritetet italiane si “prova të mjaftueshme” dhe me bindjen se ” mos arrestimi i tij përbën rrezik për prishjen e provave”.

Kurse maxhoranca socialiste në raportin e saj të paraqitur po sot argumentoi që provat janë të pamjaftueshme për të dhënë autorizimin e arrestimit dhe se kërkesa e prokurorisë ka sfond politik në këtë fazë të zhvillimit të hetimeve. Deputeti opzitar i PD, ish Enkelejd Alibej kundërshtoi raportin e deputetëve socialistë në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, lidhur me provat duke iu referuar, sipas tij, ligjit.

“Ligji nuk kërkon që Parlamenti të vërtetojë cilësinë e provave. Parlamenti nuk duhet të kryejë procesin e administrimit të provave pasi kjo është ekskluzivisht kompetencë e Prokurorisë dhe Gjykatës, që vendosin nëse duhet ngritur akuza dhe nëse i pandehuri duhet deklaruar fajtor ose jo fajtor”

Tahiri- Të drejtën do ta gjej para drejtësisë

Vetë ish-Ministri i Brendshëm, Tahiri konfirmoi edhe sot gadishmërinë e tij për t’u hetuar nga Prokuroria lidhur me dyshimet e saj për lidhjet e tij me grupin kriminal të trafikimit të cannabis sativa nga Shqipëria në Italia. “Nuk pres ta gjej të drejtën këtu, në sallën e Parlamentit, por aty ku më takon, para drejtësisë dhe qytetarëve” tha ai sot në Parlament.

Hetimi i Prokurorisë do të fillojë me kontrollin e banesës së ish- Ministrit të Brendshëm dhe deputetit të lirë Tahiri. Ende nuk dihet nëse largimi i opozitës nga seanca e sotme plenare parathotë bojkotin e Parlamentit prej saj. (dw)

Hoyt Yee: Ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi, do të zhbllokonte udhëtimin pa viza për Kosovën

Hoyt YeeZëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që të ratifikojë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi dhe t’i hapë rrugën përfitimeve që do të kishin qytetarët duke lëvizur pa viza në Evropë. Në një intervistë me korrespondentin tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, ai ritheksoi se Serbia nuk mund të qëndrojë e ulur në dy karrige por duhet të bëjë të qartë zgjedhjet strategjike të saj. Duke folur për zhvillimet në Shqipëri, ai tha se ligji duhet zbatuar njësoj për të gjithë, se askush nuk mund të ketë imunitet, dhe se individët nuk duhet të vihen në shenjëstër pse i përkasin një partie a një tjetre, por qeveria shtoi ai, duhet të japë shembullin se është seriozisht e angazhuar për të luftuar korrupsionin.

Zëri i Amerikës: Zoti Yee, më lejoni t’ju pyes së pari, nëse mundem, cili është qëllimi i vizitës tuaj?

Hoyt Yee: Qëllimi i ardhjes sime në rajon ishte që të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin, të takojë udhëheqësit e të dy qeverive, të takojë deputetët e parlamenteve, pjesëtarët e shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e opozitës në të dyja vendet. Është pjesë e udhëtimeve normale për të qëndruar në rrjedhë me situatën në të dyja vendet dhe në rajon dhe pata rastin të flas në forumin ekonomik në Beograd.

Zëri i Amerikës: Qeveria e brishtë e Kosovës përballet me sfida të mëdha për trajtimin e disa çështjeve të ndjeshme, duke përfshirë edhe shënimin e kufirit me Malin e Zi. Kryeministri i ri Haradinaj ka kundërshtuar marrëveshjen në të kaluarën. A ka ndonjë mënyrë për të dalë nga kjo situatë pa miratimin e marrëveshjes në parlament?

Hoyt Yee: Së pari, dua të them se Kosova ka një numër mundësish të rëndësishme më të cilat përballet, e që mund të përmbushen vitin e ardhshëm, apo mbase edhe më herët. Një nga këto mundësi është marrëveshja e shënimit të kufirit që tashmë është nënshkruar më Malin e Zi. E di nga kolegët e Bashkimit Evropian se marrëveshja për kufirin, sapo të ratifikohet, do të zhbllokojë rrugën e Kosovës drejt udhëtimit pa viza në Bashkimin Evropian. Kjo, besojmë, është jashtëzakonisht e rëndësishme për njerëzit e Kosovës që t’u tregohet se janë pjesë e Evropës, nuk janë të izoluar, janë të mirëseardhur në Evropë dhe do t’u japë shumë shpresa, shumë kurajë atyre në qeveri dhe jashtë saj se puna që bëjnë, se reformat që bëjnë, vendimet e vështira që marrin, në fakt shpaguhen. Pra, ne e inkurajojmë qeverinë e Kosovës që të shfrytëzojë këtë mundësi, aty ku qeveria e fundit nuk ishte në gjendje ta shfrytëzojë dhe ta ratifikojë marrëveshjen në parlament dhe të përfitojë, me pëlqimin e Bashkimit Evropian, nga udhëtimi pa viza. Ne besojmë se është e mundur. E kuptojmë që marrëveshjet si kjo, çështjet që përfshijnë kufijtë, marrëdhëniet me fqinjët, janë nganjëherë të ndërlikuara. Por, ajo që mendojmë se është e domosdoshme, është që publiku të kuptojë se çfarë do të arrijnë, përfitimet për të në jetën e përditshme duke ratifikuar marrëveshjen dhe pastaj udhëtimin pa viza. Është po ashtu me rëndësi për udhëheqësit e këtij vendi që të marrin përgjegjësinë, të dëshmojnë udhëheqësinë e nevojshme, të sigurojnë shumicën e domosdoshme në parlament për të ratifikuar marrëveshjen. Pra, kombinimi i vetëdijes së publikut, që është natyrisht përgjegjësi e udhëheqësve, por po ashtu edhe medies, politikanëve, anëtarëve të parlamentit, që të sigurohen se publiku e kupton se për çfarë flitet dhe pastaj që udhëheqësit të marrin përgjegjësinë si përfaqësues të zgjedhur të popullit.

Zëri i Amerikës: Zoti Yee, Kosova ka hyrë në një fazë të re në negociatat e saj me Serbinë dhe udhëheqësit e Kosovës kanë kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të luajë një rol më të madh. Deri tani, BE-ja ka marrë rolin udhëheqës. A presim ndonjë ndryshim? A do të jetë më e angazhuar SHBA në dialog?

Hoyt Yee: Pikë së pari, jemi të nderuar të jemi partnerë të Kosovës, Serbisë dhe vendeve tjera në këtë rajon. Besojmë se është në interesin e përbashkët, vendeve në rajon dhe Shteteve të Bashkuara. Është me rëndësi për Shtetet e Bashkuara që Evropa është në paqe, e qëndrueshme e përparimtare. Kur Evropa është e tillë, Shtetet e Bashkuara janë po ashtu. Pra fatet tona janë të lidhura. Siguria jonë është e lidhur. Ekonomitë tona janë të lidhura në shumë mënyra. Prandaj, e ndjejmë se është më rëndësi për ne që të marrim pjesë, të ndihmojmë në punët në Evropë, përfshirë Ballkanin Perëndimorë. Jam i lumtur të them se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimorë që të trajtojnë çështjet me të cilat përballen, që të arrijnë më shumë përparim në integrimet në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, përshirë Bashkimin Evropian, për ato vende që duan të bashkohen me NATO-n dhe mund të bashkohen me NATO-, duam t’u ndihmojmë që ta përmbushin këtë synim. Ne tashmë e luajmë një rol të drejtpërdrejtë në shumë nisma në Evropë. Nuk janë gjithmonë të ditura sepse, sipas natyrës së diplomacisë, nuk është gjithmonë e reklamuar, por ne kemi rol mjaftueshëm të vendosur në bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës me pëlqimin e Bashkimit Evropian, që natyrisht e drejton dialogun. Ne kemi qenë aty nga fillimi. Synimi ynë është që të mbetemi për aq sa Bashkimi Evropian dëshiron të jemi dhe tash për tash ai e dëshiron një gjë të tillë. Dhe për aq kohë sa të dyja palët, Serbia dhe Kosova duan që ne të marrim pjesë. Ne do ta bëjmë pjesën tonë. Ne mendojmë se është partneritet ndërmjet Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, Kosovës dhe Serbisë. Përgjegjësia është tek të gjitha palët dhe në do të përmbushim detyrimet tona.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara i kërkuan Kosovës që të përmbahet nga krijimi i ushtrisë së saj pa i bërë më parë ndryshimet kushtetuese. Kritikët thonë se ndërsa Serbia po armatoset nga Rusia, Kosova në thelb, thuhet se nuk mund të krijojë një ushtri, duhet të prisni miratimin e Beogradit. Si i përgjigjeni kësaj kritike?

Hoyt Yee: Kur e shikoni pasqyrën e përgjithshme për sigurinë e Kosovës, ajo nga pikëpamja jonë, ka një përkushtim nga bashkësia ndërkombëtare, nga NATO-ja dhe vendet partnere të NATO-s, që të ndihmojnë për ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe sigurisë këtu në Kosovë. Ne e kemi forcën paqeruajtëse të drejtuar nga NATO-ja, KFOR-in, që është këtu për shumë vjet dhe synon të mbetet derisa të mos jetë më e nevojshme, që shpresojmë të ndodhë me herët sesa më vonë. Sigurisht ka pasur përparim dhe prania e KFOR-it është shkurtuar, por ende ka nevojë për të. Mesazhi i parë që dua të jap, është se bashkësia ndërkombëtare është qartazi e përkushtuar ndaj sigurisë së Kosovës. Kosova nuk është në rrezik që të pushtohet apo sulmohet nga ndonjë vend tjetër. Kosova nuk është e kërcënuar nga ndonjë rrezik i madh që kërcënon sigurinë kombëtare. Si mesazh i dytë, dua të them se ne e mbështesim të drejtën e Kosovës që të ketë një ushtri. Çdo vend sovran që ka përgjegjësi për sigurinë kombëtare, për mbrojtjen e kufijve, për pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare të kërkim shpëtimit apo nismave tjera, duhet të ketë një formë të ushtrisë apo forcës së armatosur. Por, besimi ynë i fuqishëm dhe mesazhi ynë për qeverinë e Kosovës për një kohë, është se ka një proces për transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri. Një proces, që jemi pajtuar me qeverinë, që përfshinë miratimin e ndryshimeve kushtetuese, për ta bërë të qartë se institucionalisht, ligjërisht, ky transformim është bërë në atë mënyrë që të jetë tërësisht transparent, se ka mbështetjen e të gjitha palëve dhe ne mendojmë e besojmë se qeveria e Kosovës pajtohet me këtë, se palët përfshijnë të gjitha partitë politike në Kosovë, përfshirë edhe partitë e pakicës serbe. Rruga më e pastër dhe më e përshtatshme që ligjërisht të transformohet Forca e Sigurisë në ushtri, është nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, që krejt bota, partnerët dhe gjithë miqtë e Kosovës, të shohin dhe madje të trimërojnë të gjitha palët që kanë interes për sigurinë në Kosovë, të marrin pjesë, mund të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të debatojnë në parlament. Dhe me miratimin e ndryshimeve, do të ishte rruga më e mirë për të siguruar legalitetin e procesit të transformimit. Pra, të themi se mbështesim ushtrinë, transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri, nuk do të thotë që mendojmë se duhet të ndodhë arbitrarisht, pa hapat e duhur përpara. Ne besojmë se duhet të ketë ndryshime kushtetuese. Por, njëkohësisht, nuk besojmë se duhet të ketë një formë të “vetos” nga një palë e tretë, nga një vend i tretë apo nga cilado palë. Duhet të kuptohet se pikëpamja jonë është që nëse qeveria bën gjithçka që është e mundur për të bindur të gjitha palët se duhet të mbështesin këtë transformim dhe nëse pas përpjekjeve qëllimmira e të qëndrueshme nuk është e mundur, atëherë mundësitë tjera përtej ndryshimeve kushtetuese duhet të shqyrtohen. Por, nuk kemi arritur ende atje, sepse ne besojmë që qeveria duhet të bëjë gjithçka që është e domsdoshme që të dëshmojë se ka punuar me të gjitha palët përfshirë edhe pakicën serbe, për t’i bindur se është edhe në interesin e tyre, se është në interesin e gjithë vendit dhe të gjitha palëve që të ndodhë ky transformim.

Zëri i Amerikës: Zoti Yee, Gjykata e Posaçme për Krimet e Luftës në Kosovë, tashmë është krijuar. Çfarë po ndodh me të? A presim akuza këtë vit?

Hoyt Yee: Ne jemi fuqimisht mbështetës për integrimin e plotë të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar dhe përmbylljen e kapitujve të së kaluarës së Kosovës që mbeten ende të hapur. Besojmë se “dhomat e posaçme”, janë rruga për mbylljen e këtij kapitulli, këtij kapitulli të dhimbshëm të së kaluarës së Kosovës. Është absolutisht e domosdoshme dhe ne i përshëndesim ata udhëheqës të Kosovës që qenë në gjendje të ngritin nëpërmjet ligjit dhe ndryshimeve kushtetuese këto “dhoma të posaçme”. Ne mbështesim fuqishëm rolin e tyre. Ne dhe BE-ja, posaçërisht BE-ja, ofrojmë burime për të ndihmuar punën e tyre. Ne vazhdojmë t’i mbështesim. Nuk i takon Amerikës, apo cilësdo qeveri evropiane të marrin vendime se a do të ketë akuza këtë vit, apo vitin tjetër apo nëse do të ketë ndonjë akuzë. Ajo është punë e prokurorëve në dhomat e posaçme, për drejtësinë që të marrin ato vendime. Ajo që mund të them është se besojmë që është me rëndësi për të gjithë udhëheqësit në Kosovë që të vazhdojnë të mbështesin institucionin dhe funksionimin e tij, që të ketë mjedisin e nevojshëm për punë, që të ketë mbështetjen e nevojshme politike, që të gjithë qytetarët e Kosovës të kuptojnë se kjo është diçka që të gjithë brenda dhe jashtë Kosovës duan që të ketë sukses dhe të përmbyllet sa më parë.

Zëri i Amerikës: Para se të vinit në Prishtinë, keni qenë në Beograd ku keni deklaruar se Serbia nuk mund të ulet në dy karrige, veçanërisht nëse ato karrige janë shumë larg. A është kjo një shenjë e ndryshimit në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara? A do të ushtrojnë më shumë trysni mbi Serbinë në të ardhmen për të” zgjedhur anët “?

Hoyt Yee: Ajo që kam thënë, me serbishten time jo të përsosur, duke cituar një proverb të vjetër serb, se nuk mund të ulesh njëkohësisht në dy karrige. Është e mundur të ulesh në dy karrige, por ta bësh një gjë të tillë njëkohësisht, është shumë e vështirë.

Çështja është se për një vend siç është Serbia, ose për cilindo vend tjetër që synon t’i bashkohet Bashkimit Evropian, NATO-s, është me rëndësi që ai vend të jetë plotësisht i përkushtuar ndaj atij synimi. Jo përkushtim vetëm me fjalë, por me vepra, duke investuar burime të ndryshme, duke investuar kohë. Edhe Kosova ka vendime të ngjashme për të bërë. A është Kosova 100 për qind e përkushtuar që të normalizojë raportet me Serbinë, a është 100 për qind e përkushtuar t’i bashkohet BE-së? Të gjitha qeveritë përballen me këto zgjedhje.

Mesazhi im për Serbinë ishte që nëse është duke punuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, atëherë duhet të përqendrohet në reformat e nevojshme, në mënyrë që ta arrijë integrimin në BE. Është shumë e vështirë, gjykuar nga proceset nëpër të cilat kanë kaluar vendet tjera të cilat kanë arritur ta bëjnë një hap të tillë, siç është Kroacia ose Sllovenia. Është një proces shumë i vështirë, i shtrenjtë politikisht, hapa të shtrenjtë që duhet të ndërmerren. Dhe nëse ka vende, ose palë, ose organizata që kundërshtojnë një hap të tillë, nëse ka vende që kanë një vizion ndryshe për Serbinë mbi anëtarësimin e saj në BE, atëherë është e rëndësishme që të mos ketë lidhje të fuqishme me ato vende.

Është me rëndësi që të mos ketë përpjekje për të kënaqur të dyja palët, sepse për pasojë do të ketë konfuzion në opinion se në ç’drejtim po shkon vendi, ngadalëson procesin. Prandaj, nëse përpiqesh të ulesh në dy karrige dhe të kënaqësh njërin vend që kundërshton anëtarësimin, kurse vendet tjera janë në favor të tij, do të jetë një qasje jo edhe aq e frytshme. Pra, ne nuk i kundërshtojmë lidhjet që Rusia ka me Serbinë, natyrisht që Rusia do të ketë gjithmonë lidhje me Serbinë. Të dyja vendet kanë lidhje historike, kulturore, fetare, ekonomike.

Nuk jemi kundër kësaj. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë lidhje me Rusinë, lidhje tregtare, kemi bashkëpunim politik. Pikëpamja jonë është se aty ku interesat tona janë të ngjashme me ato të Rusisë, ne do të bashkëpunojmë me Rusinë, si për shembull lufta kundër terrorizmit, mbase në Siri, dhe janë edhe fusha të tjera bashkëpunimi. Ne duam gjithashtu që Serbia të jetë në gjendje të bashkëpunojë me Rusinë, aty ku interesat janë të njejta. Por, ne gjithashtu besojmë se aty ku interesat tona ndahen, aty ku ne synojmë të bëjmë në fakt gjëra të ndryshme mes vete, aty ku vizionet tona dallojnë shumë, atëherë ne, Shtetet e Bashkuara, duhet të mbrojmë interesat, vlerat dhe parimet tona dhe të atyre që janë aleatët tanë.

Është në fakt zgjedhje e Serbisë, Serbia është shtet sovran dhe vendimet i merr vetë, por rekomandimi ynë për Serbinë, sikurse ai për Kosovën, është që të dyja vendet ta bëjnë shumë të qartë se cilat janë përparësitë e tyre, ta bëjnë shumë të qartë se cilat janë politikat e tyre, në mënyrë që ato institucione të cilave këto dy vende synojnë t’u bashkohen, qoftë NATO-ja apo BE-ja, të kuptojnë zgjedhjet strategjike të Serbisë, apo edhe të Kosovës. Nuk duhet të ketë dilema, konfuzion dhe kjo është mënyra më e shpejtë. Mund të ulesh në dy karrige dhe të arrish në destinacion, por me siguri se do të jetë një rrugë më e ngathtë.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, një ish ministër i brendshëm, akuzohet për lidhje me një grup trafiku droge. Cila është pikëpamja juaj për mënyrën se si po trajtohet çështja e tij?

Hoyt Brian Yee: Më lejoni të them për Shqipërinë, se jemi shumë të kënaqur me përparimin që Shqipëria ka arritur dhe jemi të kënaqur që Shtetet e Bashkuara kanë pasur mundësinë të kontribuojnë në reformat, përfshirë këtu edhe reformat në drejtësi. Bashkërisht me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Shqipërinë të miratojë legjislacionin, të miratojë ndryshimet kushtetuese, me synimin që të forcojë sistemin e drejtësisë.

Dhe kjo për faktin se një gjë e tillë nuk është e rëndësishme vetëm për sundimin e ligjit në Shqipëri dhe për kushtet në të cilat jetojnë qytetarët e saj, por edhe për faktin se [reformat] janë një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe pikërisht në këtë frymë, ne kemi vazhduar të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për të zbatuar reformat në sundimin e ligjit, dhe po ashtu edhe në luftën kundër krimit, kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit…Të gjitha këto shërbejnë për të ngritur standardin jetësor për qytetarët e Shqipërisë, por edhe për ta ndihmuar përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Së këndejmi, jemi duke ofruar drejtpërdrejtë ndihmën tonë, ekspertizën teknike, ndihmën financiare, në ndërtimin e strukturave, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve, për t’u ndihmuar që të kryejnë punën e tyre. Sinqerisht, nuk mund të flas dot mbi rastet individuale, por gjithsesi besojmë në disa parime.

I pari është se ligji duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë njësoj, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, askush nuk mund të gëzojë imunitet nga ligji. Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit, të cilët ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administratës. Nuk besojmë se individët duhet të shënjestrohen pse i takojnë një partie politike apo një tjetre, por parimi themelor është se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

Së dyti, ne mbështesim qeverinë, që jep shembullin. Qeveria është ajo e cila duhet të japë shembullin dhe të demonstrojë para qytetarëve se është e përkushtuar të luftojë korrupsionin, qofshin ata qytetarë, zyrtarë qeveritarë, të huaj, shqiptarë…dhe se Shqipëria është serioze në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin.

Rrëzohet kërkesa për arrestimin e Tahirit

Po JoNë Shqipëri, me votat e shumicës së majtë parlamenti rrëzoi sot kërkesën e Prokurorisë për marrë autorizimin për arrestimin e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, pas dyshimeve për lidhje të tij me vëllezërit shqiptarë Habilaj, pjesë e një organizate krininale italo-shqiptare e cila u godit nga autoritetet italiane në Catania. Për opozitën vendimi i sotëm i shumicës ishte sipas saj, një dëshmi e lidhjeve të forta të qeverisë me krimin.

Ndërsa sipas rregullores, deputeti Saimir Tahiri, ju drejtua foltores për të dhënë në hapje të seancë së sotme, shpjegimet e tij, përfaqësuesit e opozitës nxorrën secili përpara tyre fletë me mbishkrimet “Qeveri e Krimit” apo “Qeveri e Drogës”. Ish ministri I Brendshëm, i vënë nën akuzë nga Prokuroria tha vetëm disa fjali: “Nuk pres ta gjej të drejtën time dhe të vërtetën time këtu në sallën e Parlamentit, por aty ku më takon, para drejtësisë dhe para të gjithë qytetarëve. Kështu që pres çdo vendim tuajin cilido aq qoftë. Rruga ime për të gjetur drejtësinë nuk ndalet dot”

Përpara se parlamenti të votonte, u lexuan dy raportet e deputetëve të shumicës dhe atyre të opozitës, në Komisionin e Mandatave dhe Imuniteteve. Sipas përfaqësuesve socialistë prokuroria nuk ka sjellë prova dhe se ajo nuk ka kryer paraprakisht hetime ndaj ish ministrit të Brendshëm. “Mungesa e provave, nxitimi i organit të akuzës për të kërkuar dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit Saimir Tahiri, dy ditë pasi ka regjistruar procedimin penal dhe emrin e tij në regjistrin e çështjeve penale, krijon bindjen se në këtë stad të hetimeve që ka kryer Prokuroria, kërkesa ka sfond politik”, u shpreh deputeti socialist Ulsi Manja duke lexuar raportin e shumicës.

Por sipas opozitës parlamenti nuk duhet të hyjë në vlerësimin e provave, pasi në këtë mënyrë vlerëson fajësinë apo pafajësinë e deputetit nën hetim. Raporti i përfaqësuesve të opozitës thekson se provat e paraqitura nga Prokuroria janë mëse të mjaftueshme dhe se mos arrestimi i tij përbën rrezik për prishjen e provave. Mosdhënia e autorizimit për arrestim do të ishte sipas opoztës “pengim i drejtësisë dhe goditja më e energjike ndaj shpresës së publikut dhe aksionit politik për reformën në Drejtësi”.

Në fund rezultati i votimit ishte ai që pritej: 75 deputetë të shumicës votuan kundër autorizimit për arrestimin e zotit Tahiri, ndërsa 60 deputetët e opozitës në favor.

Duke qenë se procedura nuk parashikon debate në raste të tilla përfaqësuesit e të gjithë krahëve shfrytëzuan hapësirën për diskutimet e lira për të shpalosur dhe një herë qëndrimet e tyre politike. “Sot në fakt shumica humbi një shans që të tregonte se është e sinqertë në luftën kundër krimit dhe drogës. Por votimi i sotëm tregoi se krimi ka kapur shumicën”, u shpreh kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Për kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, socialistët e kanë zëvëndësuar trëndafilin, simbolin e tyre me lulen e hashashit: “Sot ky parlament është kthyer në vulën e narkoshtetit Rama-Tahiri. Narkoshteti Rama-Tahiri ka dy standarde për drejtësinë: një për veten e tyre dhe një për njerëzit e thjeshtë. Narkotrafikantët dhe narkopolitikanët janë të paprekshëm”.

Në fjalën e tij, kryeministri nuk u mor më me thelbin e çështjes por ju drejtua opozitës e cila nisi të largohej nga salla: “Le të çirren, le të bërtasin, le të ulërijnë me emrin e Shqipërisë në gojë, por ta harrojnë se do ta bëjnë dot për budalla këtë popull. Mund të gjejnë dhe do të gjejnë sa të duan edhe tellall në kazanin e medias, kot e kanë. Ky popull e di mirë edhe kush janë edhe çfarë duan edhe kujt i tremben edhe çfarë duhet të mendojë për ta sigurisht”.

Menjëherë më pas, ndërsa seanca u mbyll, kryeministri ju drejtua gazetarëve në oborrin përpara godinës së parlamentit. Në mënyrë të beftë ai nisi të fliste duke sulmuar mediat për mënyrën se si kishin trajtuar “çështjen Tahiri” duke mos dhënë sipas tij informacione të sakta e duke përdorur fjalë fyese ndaj pyetjeve që ju drejtuan aty. Përfaqësues të ndryshëm të medias reaguan të indinjuar nga qëndrimi i zotit Rama ndërsa Unioni i gazetarëve bëri thirrje që ditën e premte të bojkotohen aktvitetet e kryeministrit në shenjë proteste ndaj “komunikimit arrogant dhe fyerjeve nga ana e kreut të qeverisë”. (voa)

Media gjermane: “Orët luksoze të gjykatësve” shqiptarë

gazetat gjermaneGazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” i kushton vëmendje dekriminalizimit të drejtësisë shqiptare dhe luftës së patundur të një diplomati amerikan.

Nën artikullin me titull “Orët luksoze të gjykatësve” gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” nënvizon se një diplomat amerikan kërkon të dekriminalizojë drejtësinë në Shqipëri. Fjala është në artikullin e medias gjermane për diplomatin amerikan, ambasadorin e SHBA-së në Shqipëri, Donald Lu. “Qeveria shqiptare duhet t’i shpallë luftë kriminalitetit të organizuar, kërkoi Lu…pas kësaj diplomati u bë më konkret. Katër klane mafioze kontrollojnë sot Shqipërinë.”

Gazeta gjermane shkruan se Shqipëria është kthyer në vitet e fundit në prodhuesin më të madh të drogës në Europë dhe se baronët e drogës fitojnë miliarda. “Me këto para ata munden të korruptojnë parlamentarë, prokurorë dhe policë” , shkruan Süddeutsche Zeitung.

Pas mandatit të dytë, kryeministri shqiptar, Edi Rama premton se do të fitojë luftën kundër kanabisit. Por Süddeutsche Zeitung nënvizon se “për ambasadorin amerikan këto tingëllojnë si fraza boshe. Nga java e kaluar ndodhet nën presion ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri për shkak të lidhjeve të dyshuara me bandën e drogës, që u ndoq me vite nga policia italiane. Socialistët në qeveri refuzojnë heqjen e imunitetit të tij.”

Pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe bosëve të drogës janë kthyer në një detyrë të rëndësishme për ambasadorin amerikan, Lu, shkruan gazeta “Süddeutsche Zeitung” duke theksuar se ai flet shumë hapur në gjuhën shqipe që e flet rrjedhshëm. Në një takim me gjykatësit ambasadori Lu është shprehur. “Nëse mbani një orë dore më të shtrenjtë se automjeti im i punës je i korruptuar. Në takimin tjetër gjykatësit erdhën pa aksesorët luksozë.”

Süddeutsche Zeitung/DW