Masa të rrepta sigurie në qytetet kyesore të botës në prag të Vitit të Ri

policiaQindra-mijëra zyrtarë të rendit, ushtrisë dhe sigurisë do të dislokohen në qytete në gjithë botën si masa mbrojtëse për njerëzit që do të festojnë për të pritur Vitin e Ri 2018.

Në Shtetet e Bashkuara, zyrtarët e qytetit të Nju Jorkut njoftuan se do të përdorin kontrollin të dyfishtë, snajpera, mbyllje rrugësh dhe veçanërisht qen të trajnuar për të siguruar sheshin Times Square, ndërsa 2 milionë vetë mblidhen për të parë rënien tradicionale të topit të kristaltë në mesnatë

Në Las Vegas të Nevadës, 300 trupa të Gardës Kombëtare do t’u bashkohen 1 mijë e 500 oficerëve të policisë për të garantuar sigurinë në rrugën ku janë kazinotë, qendrat turistike dhe hotelet. Masat e sigurisë për të mbrojtur turmat që pritet të jenë mbi 300 mijë vetë do të përfshijnë snajpera, të pozicionuar nëpër tarraca godinash dhe dyfishin e ekipeve të përgjigjes së shpejtë në krahasim me vitet e kaluara.

Në Amerikën e Jugut, në Rio de Zhaneiro, policia e Brazilit ka në plan të dislokojë 12 mijë forca, 20 për qind më shumë se vitin e kaluar për festimet e Vitit të Ri.

Në Londër, një numër rekord oficerësh të armatosur dhe njësi qensh policie do të patrullojnë nëpër rrugë dhe në sistemin e metrosë, megjithëse Policia Metrolopolitane thotë se nuk ka ndonjë kërcënim serioz. Barrikata prej çeliku dhe betoni do të rrethojnë festimet ku do të marrin pjesë rreth 500 mijë vetë.

Në Gjermani, të gjitha qytetet kryesore, përfshirë Berlinin, Mynihun, Hamburgin dhe Këlnin njoftuan se do të ketë masa të përforcuara të sigurisë për të gjitha festimet.

Pas vrasjes së nëntë vetëve të premten para një kishe koptike në Kajro, autoritetet në Egjipt kanë shtuar masat e sigurisë për Vitin e Ri dhe Krishtlindjet Ortodokse.

Në Stamboll, policia arrestoi 120 vetë që dyshohej të kishin lidhje me Shtetin Islamik para festimeve të Vitit të Ri. Qyteti ka në plan gjithashtu të dyfishojë numrin e oficerëve të policisë për të parandaluar një përsëritje të mundshme të ngjarjes së vitit të kaluar kur një person me një armë zjarri vrau 39 vetë në një klub nate.

Në Australi, një nga vendet e para ku fillon Viti i Ri, oficerët e sigurisë po marrin masat në rast të ndonjë sulmi të mundshëm në prag të Vitit të Ri. Zyrtarët thanë se oficerët e policisë do të jenë në detyrë në tokë, ajër dhe det, si pjesë e operacionit më të madh të sigurisë në vend.

Mbi një milionë vetë pritet të mblidhen në qendër të Sidnit dhe të paktën 500 mijë të tjerë në qendër të Melburnit për të parë fishekzjarret. Policia tha se qendra e Melburnit do të jetë e “bllokuar” dhe do të mbetet e mbyllur deri në orën 6 të mëngjesit në ditën e Vitit të Ri për të mbrojtur turmat. Policia in Melburn muajin e kaluar arrestoi një person pasi po planifikonte të hapte zjarr ndaj turmave në prag të Vitit të Ri. (voa)

Zaev: 2017-a, vit i çlirimit të Maqedonisë

ZaevViti 2017 për kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, ishte vit i sfidave të mëdha, vit i çlirimit të vendit, siç ka thënë ai, nga robërimi i pushtetit të kaluar, të cilin e ka fajësuar për të gjitha ngjarjet që e kanë përcjellë Maqedoninë gjatë këtij viti, si kriza politike, tensionet ndëretnike, varfërimi i vendit dhe bllokimi i procesit integrues.

Ndryshimin, Zaev ua dedikoi të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, të cilët pa dallim përkatësie etnike u ngritën për ndryshimin e gjendjes dhe kthimin vendit në binarët e një shteti normal.

“Qytetarët liridashës çliruan shtetin e robëruar. U ballafaquam me sfidat dhe ndodhi kthesa e madhe. Ndodhi ndryshimi. Maqedonia u stabilizua dhe nisi të lëvizë drejt rritjes dhe zhvillimit. Me ndërrimin e pushtetit, qytetarët qartë dërguan mesazhin se duan praktikë të re dhe politika të reja në drejtimin me shtetin”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Sipas tij, funksionimi i shtetit ligjor, respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe luftimi i dukurive negative janë një nga kushtet kryesore për prosperitet në shtet. Kjo, sipas tij, rrit besimin e qytetarëve në institucione, të cilat periudhën e fundit ishin në gjendje të rëndë për shkak të partizimit dhe politizimit të skajshëm.

“Kundërshtoj fuqishëm ambientet, në të cilat elita të caktuara politike tentojnë të ndihen të privilegjuara. Tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe tolerancë zero për shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut… do të angazhohemi për zbatimin e tërësishëm të reformave, me përfshirjen e të gjithë faktorëve në vend. Lufta me varfërinë dhe siguria janë gjithashtu kushte të rëndësishme për ecjen para…Politikanë të caktuar gjatë viteve të kaluara ishin përcaktuar për politika të ndarjeve dhe nxitjes së konflikteve, të cilat çuan në ndarjen e njerëzve”.

“Ne nuk kemi nevojë për ndarje, por për unitet dhe rritjen të mirëbesimin. Vetëm një Maqedoni e integruar, e respektuar me të gjitha llojllojshmëritë që ka, mund të ketë të ardhme”, ka thënë Zaev duke premtuar masa të shumta për zhvillimin ekonomik të vendit dhe me këtë, luftimin e varfërisë dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Zaev më pas u ndal edhe në proceset integruese dhe pritjet e tij në këtë plan për vitin 2018.

“Presim të marrim rekomandim të pastër për nisjen e bisedimeve paraaderuese me Bashkimin Evropian. Brukseli e di se kemi argumente të mjaftueshme për këtë pritjen tonën. Presim që Maqedonia të bëhet shteti i 30 anëtar i NATO-s. Jemi në rrugë të mbarë që të rrumbullakojmë vizionin tonë për shtet modern, të respektueshëm dhe ekonomikisht të qëndrueshëm”, është shprehur Zaev duke theksuar përkushtimin e kabinetit të tij për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit me të gjitha pesë shtetet fqinje të Maqedonisë. (rel)

Fjala përfundimtare e Albin Kurtit në gjykimin për gazin lotsjellës në Kuvend, mbajtur më 29 dhjetor 2017

AlbinTë nderuar të pranishëm,

Unë nuk jam mbrojtur në heshtje për një arsye: jo që të mbaj këtu fjalime politike, por që ta kundërshtoj tendencën e prokurorëve që padëgjueshmërinë parlamentare ta degradojnë në krim ordiner. Sepse, shteti demokratik nuk është i kufizueshëm në rendin ligjor. Shteti demokratik porsa reduktohet në rendin ligjor nuk është më demokraci parlamentare por legalizëm autoritarist.

Legalizmi autoritarist heq dorë nga thelbi njerëzor i paqartësisë pikërisht në atë pikë që shteti demokratik kushtetues fiton ushqim nga kjo substancë.

Çdo demokraci kushtetuese që është e sigurtë në vetvete e konsideron mosbindjen qytetare si një komponentë të normalizuar, sepse të nevojshme, të kulturës së saj politike.

Shteti që ka kushtetutë sipas së cilës përkufizohet si republikë demokratike duhet të jetë edhe i obliguar edhe i aftë për justifikim moral e të arsyeshëm, sepse një shtet i këtillë e kërkon bindjen e qytetarëve jo nga frika prej ndëshkimit por nga vullneti i lirë i tyre.

Thelbi i argumentit është ky: në një shtet kushtetues liberal-demokratik, qytetari duhet patjetër ta ketë të mundur që ligjin e miratuar në parlament ta shohë edhe si vepër të vetën. Pra, ndonëse me ligjin mund të lidhesh edhe fare strategjikisht duke e përjetuar atë thjesht si një barrierë në drejtim të caqeve tua strategjike, në një shtet demokratik duhet patjetër të jetë e mundur që qytetari ta shoh veten edhe si autor të tij. Në momentin kur ky presupozim nuk përmbushet nga sistemi ligjor i një vendi, prima facie, kemi një arsye për padëgjueshmëri qytetare. Normalisht, barra e argumentimit bie mbi ata që ftojnë për padëgjueshmëri qytetare, e të cilët duhet të na tregojnë se pse intuitat e tyre morale janë të arsyeshme në rastin konkret. Padëgjueshmëria qytetare, sipas filozofit Jürgen Habermas, edhe mund të shkel ligjin simbolikisht, por kurrsesi të shkaktoj dhunë.

Ndër të tjera, Habermas thotë që padëgjueshmëria qytetare nuk duhet të bëhet një e drejtë e mbrojtur kushtetueshmërisht sepse ashtu e humb kuptimin: padëgjueshmëria qytetare gjithmonë duhet të përfshijë një rrezik për ndërmarrësit e saj. Por, po kaq e rëndësishme për Habermasin është që qëndrimi i shtetit ndaj padëgjueshmërisë qytetare është litmus testi më i mirë i natyrës demokratike të tij; sa më mirëkuptues qëndrimi ndaj padëgjueshmërisë qytetare moralisht të justifikueshme aq më demokratik shteti.

Aksioni ynë moral është i tillë që ka një renditje të presupozuar të gjërave sipas vlerës dhe dobisë. Natyrisht që ne konsiderojmë që truri është më i rëndësishëm sesa zorrët kurse zemra është më e rëndësishme sesa veshkja. Pra, mbrojtja e kushtetutshmërisë dhe demokracisë është më e rëndësishme sesa mosshkelja e ndonjë ligji që do të duhej të na bënte neve të pandehur për kundërvajtje e jo Njësiti i Krimeve të Rënda dhe forcat anti-terror të merren me neve.

Ne si deputetë nuk e kemi vënë në pikëpyetje ligjin si të tillë dhe as tërësinë e ligjeve në Republikën e Kosovës. Ne as që kemi menduar se cilat ligje po i shkelim me aksionin tonë politik sepse preokupimi ynë emergjent ka qenë Republika dhe Kushtetuta, demokracia dhe sovraniteti, të drejtat dhe liritë e qytetarëve, që përbëjnë themelin dhe burimin, thelbin dhe kuptimin e ligjeve, të korpusit të ligjeve, të secilit ligj, madje përfshirë këtu edhe vetë ligjet të cilat prokuroria thotë t’i kemi shkelur.

Vepra për të cilën ne akuzohemi nuk përbën vepër penale, sepse veprimet tona si deputetë, si përfaqësues të popullit, të zgjedhur nga populli, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, janë ndërmarrë, jo vetëm në kuadër por edhe pikërisht sipas fushëveprimit tonë si deputetë, pra jo vetëm si e drejtë e jona por edhe si obligim yni, ashtu siç e shpreh dhe e kërkon Neni 74 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës: “Deputetët e Kuvendit të Kosovës ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Kushtetutë, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit.” Po, pra, ne kemi vepruar në interesin më të mirë të Republikës kur kemi kundërshtuar me vendosmëri ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe ‘Demarkacionin’ me Malin e Zi. Se veprimi ynë ishte në pajtim me Kushtetutën e vërtetoi Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 23.12.2015 që tregoi se ‘Zajednica’ e Serbisë me secilin nga 7 kapitujt e saj nuk është në përputhje me Kushtetutën në plot 23 nene të saj. Po ashtu, Komisioni Shtetëror aktual për kufijtë me në krye prof. Shpejtim Bulliqin vërtetoi se ‘Demarkacioni’ me Malin e Zi ishte i gabueshëm e i dëmshëm për Kosovën dhe me elemente të veprave penale prej tejkalimit të kompetencave e deri te falsifikimi i hartave. Ne kishim të drejtë në veprimet tona që mbronim Republikën dhe Kushtetutën dhe kjo e drejtë e jona ishte edhe liri edhe detyrë njëkohësisht. Pra, ne do të bënim gabim dhe shkelje të Republikës dhe Kushtetutës po të mos vepronim ashtu siç bëmë duke mbrojtur themelet juridiko-kushtetuese dhe integritetin territorial të shtetit tonë. Paralelisht, ne kemi mbrojtur edhe veten tonë. Këto themele mundësojnë dhe kuptimësojnë edhe profesionin e funksionin tonë si deputetë të Kuvendit. Pa Republikën dhe Kushtetutën, pa rendin juridik e kushtetues, pa integritetin territorial, ne s’mund të ekzistojmë si deputetë. Andaj, veprimi ynë ishte edhe akt i vetëmbrojtjes.

Të nderuar të pranishëm,

Askush asnjëherë nuk është alivanosur në sallën e Kuvendit kur kishte gaz lotsjellës. Unë vetë kam qëndruar më së afërmi gazit lotsjellës dhe më së gjati në sallën me gaz lotsjellës. Ju nuk keni ekspertizë mbi përbërjen e tymit në sallë, ju nuk e keni idenë se çfarë dëmtimi apo jo ka mundur të shkaktojë ai. Kjo është edhe një dëshmi që ky nuk është proces gjykimi, por proces paragjykimi. Prokuroria ka dështuar ta dëshmojë që tymi në sallë ishte gaz lotsjellës.

Në shkresat e lëndës i kemi dy korrespondenca përmes postës elektronike të zyrtarëve të hetuesisë së Policisë së Kosovës, z. Muhamet Rashiti dhe z. Agron Haziri, me ç’rast ky i pari i është drejtuar me disa pyetje këtij të fundit lidhur me mjetet e përdorura në seancën e 8 tetorit 2015 të Kuvendit të Kosovës. Përgjigja zyrtare bazuar në këqyrjen e vendit të ngjarjes ka rezultuar me 3 konstatime që janë përfshirë në këtë korrespondencë: 1. Thuhet se mjeti ka qenë i improvizuar dhe nuk është aktivizuar me metoda standarde (bazuar në video incizimet e publikuar nga mediet), 2. Provat materiale nuk janë gjetur në vendin e ngjarjes dhe 3. Se nuk posedojmë me mjete adekuate për marrjen e mostrave të ajrit.

Mirëpo në përgjigjen e mëtutjeshme zyrtari policor z. Muhamet Rushiti në vazhdimin e përgjigjes konfirmon dy çështje tejet të rëndësishme për këtë rast: 1. Është bërë matja me detektor për Armë Kimike dhe Irritues APD2000 dhe 2. Se nuk ka qenë i mundur përcaktimi i materies me këtë detektor i cili detekton agjentët kimik, ndër ta dhe CS – kloro-benzal-malononitrile shprehur në formulën kimike C10H5ClN2.

Pra, mjeti i përdorur ka qenë tërësisht i përshtatshëm për matjen e materies për të cilën prokuroria ka ngritur aktakuzë – përdorim të armës me aludimin e përdorjes së gazit lotsjellës (CS). Madje, zyrtari policor konfirmon se me matjen e bërë asnjëra nga materiet, përfshirë këtu edhe CS-në (gazin lotsjellës), nuk është vërtetuar prania e këtyre materieve. Për më shumë, në këtë e-mail, zyrtari i PK-së konkludon se gazi lotsjellës ka efekte të menjëhershme dhe të përkohshme siç janë lotimi, djegie, marramendje, acarim në frymëmarrje etj. Gjë që asnjëra nga këto efekte nuk përbën elementet të kërkuara për qëllimin kryesor të armës sipas përkufizimit të KPRK-së, kryerja e sulmit fizik ndaj integritetit fizik te njerëzve ose ndaj pasurisë.

Kur deputetja e akuzuar Albulena Haxhiu, e pyet deputeten dëshmitare të prokurorisë, Flora Brovina, “ju më parë deklaruat se gazi lotsjellës është i rrezikshëm, i dëmshëm, si e bazoni këtë mendim tuajin?”, deputetja Brovina përgjigjet si vijon: “së pari dua të them se unë jam mjeke me profesion, unë jam (marrë?) edhe me të helmuarit e Kosovës në pranverën e vitit 1990 dhe i di reagimet e helmimeve dhe ka helme që ndikojnë në sistemin parasimpatik dhe sidomos ndikojnë tek disa sëmundje kronike anemia, shtatzënia.” Shihni se çka krahason për të dëshmuar kompetencë kjo dëshmitare e prokurorisë!

Gjykatësi Beqir Kalludra si kryesues i trupit gjykues ka qenë shumë më i ashpër kundër neve të pandehurve sesa edhe vetë prokurori Valdet Gashi. Mbase, pikërisht një situatë e këtillë, ku gjyqtari është më negativ ndaj të akuzuarve sesa edhe vetë prokurori si akuzues, është dëshmi që procesi nuk është gjykim i drejtë, sepse s’është i paanshëm e, me gjasë, as i pavarur. Kjo është dëshmuar panumër herë. Ta zëmë, kur e orienton në mënyrë sugjestive, deputeten Blerta Deliu – Kodra që të paraqesë kërkesë pasurore-juridike për kinse lëndimet e shkaktuara, ndërkohë që ajo qartazi as pyetjen tamam s’po e kuptonte. Ose, kur nuk lejoi asnjë, ama bash asnjë dëshmitar të mbrojtjes, pa çka se të gjithë deputetët dëshmitarë të prokurorisë ishin deputetë të pozitës në vitin 2015. Tre deputetë dëshmitarë thanë se arsyeja e veprimeve tona është ardhja në pushtet e opozitës dhe përmbytja e qeverisë! Shikoni çfarë spekulimi e paragjykimi. Shikoni se sa të ngarkuar politikisht e partiakisht kundër nesh ishin këta deputetë dëshmitarë të njëanshëm në këtë proces të njëanshëm. Ose, kur neve të akuzuarve nuk na lejon të shtrojmë pyetje mbi arsyet e qëllimet e veprimeve kurse dëshmitarin Bekim Haxhiun e lejon të flasë gjerë e gjatë në shfajësimin e tij për familjarin kolaboracionist të Haxhiut, Halit Tërnavcin, dhe, deputetin Nuredin Ibishi për mirënjohjen a dekoratën e Borislav Joviqit. Ose, kur publikisht ka cituar Hitlerin, politikanin më të urryer në historinë e njerëzimit. Unë i përkas Lëvizjes VETËVENDOSJE!, një subjekt ky progresist e socialdemokrat, dhe, thelbësisht antifashist. Nuk po them që gjyqtari duhet të jetë socialdemokrat, por ai s’mund të jetë ekstremist. Unë jam antifashist, nuk mund të më gjykojë simpatizuesi i emblemës së nazi-fashizmit. Atij që është ekstremist unë i dukem ekstremist pikërisht pse jam normal.

Të nderuar të pranishëm,

Në akuzat kundër nesh ka shpifje. Mua askush nuk ma ka dhënë patronin apo bombolën e gazit lotsjellës në Kuvend. Në seancën e 8.10.2015 nga deputetja Albulena Haxhiu nuk kam kërkuar gaz lotsjellës por vezë të prishura dhe ajo m’i ka sjellur. Por, sikurse pipat e uji, as vezët e prishura nuk mjaftuan.

Ne nuk ishim të armatosur. Qeveria me truprojat e saj ishin të armatosur. Ne nuk deshëm të lëndojmë askend. Gazi lotsjellës nuk është armë. Ai nuk po lëndonte askend por po i shpërndante qeveritarët që e kishin lënduar Republikën. Nuk ishim ne deputetët opozitarë të rebeluarit. Përkundrazi. Ne kërkonim që të largoheshin e shpërndaheshin qeveritarët e armatosur me truproja të armatosura e të cilët ishin rebeluar kundër Republikës dhe Kushtetutës, duke u pozicionuar te ‘Zajednica’ e Serbisë e për atë ‘Demarkacionin’ me Malin e Zi. Gazi lotsjellës për herë të parë në histori është përdorur në Luftën e Parë Botërore, për t’i nxjerrur forcat kundërshtare nga istikamet. Ngjashëm, edhe ne po i nxjerrnim qeveritarët kosovarë jashtë istikamit të ‘Zajednicës’ shoviniste të Aleksander Vuçiqit dhe ‘Demarkacionit’ të Murat Mehës që do të na e ndryshonte kufirin. Gazi lotsjellës, kudo, nuk përdoret për të lënduar fizikisht njerëzit apo pasurinë, por për t’i larguar ata nga një hapësirë e caktuar. Salla e Kuvendit është hapësirë për demokraci dhe ligjvënie e jo për kapitulluesit e shtetit dhe tradhtarët e Republikës. Ne nuk kemi dashur ta lëndojmë askend dhe nuk e kemi sulmuar asnjeri. Asnjëri prej dëshmitarëve të prokurorisë nuk ka pohuar që kemi pasur diçka personale apo individualisht me ta, asnjëri prej tyre nuk ka pohuar se ne e kemi sulmuar dhe as që kemi synuar ta lëndojmë a dëmtojmë fizikisht apo psiqikisht. Madje, deputetja Flora Brovina në fund deklaron se gazi lotsjellës nuk është përdorur kundër një subjekti politik apo individi. Ne kemi vepruar për arsye politike dhe jo kriminale. Nuk ekziston as qëllimi kriminal (mens rea) dhe as veprimi kriminal (actus reus). Veprimi ynë politik ishte mbrojtës dhe jo sulmues, ishte mbrojtje e personave të tretë, përkatësisht mbrojtje e shtetit republikan, e republikës parlamentare, e rendit kushtetues dhe e qytetarëve të Kosovës. Shumë më të rrezikshme janë çekani, gërshërët, piruni, kaçavida etj. nëse janë në duar të gabuara, që do me thënë tek njerëzit me motive e qëllime kriminale, sesa gazi lotsjellës në duart e deputetit opozitar që parandalon ‘Zajednicën’ dhe ‘Demarkacionin’. Qysh në fillim të aktakuzës, Prokuroria si organ i ndjekjes, thotë se ne kemi qenë “në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës në cilësinë e deputetëve nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje” ” (shih rreshti i dytë në fjalinë e parë në faqe 2 të aktakuzës). Pra, në cilësi zyrtare në mandatin përfaqësues! Jemi përndjekur hapur e qartë si deputetë!

Procesi ka kaluar nëpër shkelje të shumta të të drejtave të njeriut të deputetëve dhe aktivistëve opozitarë. Lehtësia me të cilët policia na ndjek dhe arreston e mandej na keqtrajton fizikisht dhe gjykatat na i japin nga 30 ditë paraburgim është e frikshme. Në rastin tim po i theksoj dy situata. Së pari, kidnapimin nga Policia e Kosovës natën e 12 tetorit 2015 për çfarë kam bërë Kallëzim Penal, mirëpo tash e dy vjet e dy muaj askush nga prokuroria nuk më ka kontaktuar. Së dyti, arrestimin nga forcat elitare anti-terror me 28 nëntor 2015, kur u thye selia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë në një operacion që përbëhej nga qindra policë të cilët rrahën e arrestuan 97 aktivistë. Ne kemi bërë asokohe 80 kallëzime penale për dhunën policore, ndaj të cilave Policia e Kosovës pat reaguar menjëherë duke thënë se ajo i paska pasur 166 policë të lënduar në protestat e vitit 2015, duke pranuar kështu hakmarrjen ndaj nesh me 28 nëntor 2015. Po ashtu, edhe Amnesty International dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës patën reaguar me komunikata zyrtare kundër kësaj ndërhyrjeje brutale.

Prokuroria na akuzoi se secili veç e veç kemi kryer veprën penale nga Neni 409, paragrafi 1 – Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare. Edhe këtë Prokuroria ka dështuar që ta provoj. Para së gjithash, elementi kryesor i kësaj vepre penale sipas përkufizimit ligjor të KPRK-së fillon me dy elemente alternative që kanë karakter objektiv sa i përket përmbushjes së elementeve të veprës penale në fjalë. Përshkrimi ligjor i elementit bazë, citoj: “Kushdo që me forcë apo kanosje serioze” janë kushti kryesor penalo-juridik i cili kushtëzon ekzistimin apo jo të veprës penale të pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare. Sipas gjitha materialeve provuese dhe dëshmive të mbledhura gjatë këtij procesi, pa asnjë mëdyshje, vihet në përfundim se nuk ekziston asnjë provë e vetme e cila dëshmon se ne kemi përdorur forcë apo kanosjen serioze. Përkufizimi i forcës sipas paragrafit 1.15 të Nenit 120 të KPRK-së, vërteton se nuk kemi të bëjmë fare me përdorimin e forcës, qoftë atë fizike apo sipas përkufizimit të cituar përmes dehjes apo hipnozës të zyrtarëve të penguar nga kryerja e detyrave të tyre zyrtare. Ndërkaq për kanosje serioze as që vlen të elaborohet më hollësisht në aspektin e kuptimit faktik të veprimeve tona në raport me pasojën e aluduar në aktakuzë.

Prokuroria është në kundërshtim me pretendimin e kualifikimit ligjor të veprës penale nga Neni 409 të KPRK-së, ku sipas kërkesës i është ofruar transkripti i mbledhjes së Kuvendit të Kosovës ku në këtë dokument vërtetohet fakti se mbledhja për të cilën akuzohen të pandehurit se kanë kryer veprën penale nga Neni 409 të KPRK-së ka përfunduar dhe është mbyllur nga kryesuesi i seancës. Dhe, kryesuesi i seancës, i cili ishte dëshmitari i Prokurorisë në këtë proces por nuk erdhi, nuk na ka përjashtuar neve nga seanca e Kuvendit. Rrjedhimisht, kjo akuzë është tërësisht e paqëndrueshme.

Aktakuza PP.I.nr.810/2015 e Prokurorisë po ashtu mbështetet në provat e marra gjatë kontrollit të zyrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kontroll ky i cili u bë me datën 28 nëntor 2015, me ç’rast u pata arrestuar unë dhe dhjetëra aktivistë të tjerë. Meqenëse pas arrestimit, policia ka marrë nën kontroll lokalet e subjektit politik Lëvizja VETËVENDOSJE!, pa një urdhër paraprak, rregullat nga neni 110 paragrafi 6 përcaktojnë se në raste të tilla brenda afatit prej dymbëdhjetë (12) orësh pas kontrollit policia i dërgon raport lidhur me këtë prokurorit të shtetit dhe gjyqtarit kompetent nëse për këtë çështje është caktuar ndonjë gjyqtar në mënyrë që të merret aprovimi retroaktiv gjyqësor i kontrollit, në pajtim me dispozitat e Kushtetutës. Mirëpo, Policia e Kosovës ka dërguar një raport të tillë vetëm me datën 04.12.2015, pra pas 6 (gjashtë) ditëve kalendarike. Dhe, përtej kësaj, ndonëse në këtë çështje ka qenë i caktuar gjyqtari i procedurës paraprake, në shkresat e lëndës nuk gjindet një aprovim retroaktiv i cili do të duhej të nxjerret doemos. Për këtë edhe sipas dispozitave të Nenit 111 paragrafit 1 me nënparagrafin 1.1 provat e marra gjatë kontrollit, pa lejen e gjykatës, janë të papranueshme, nëse kontrollimi nuk merr aprovim retroaktiv gjyqësor, në pajtim me dispozitat e Kushtetutës. Për më tepër, është Neni 36 i Kushtetutës i cili kërkon nxjerrjen e një aprovimi të arsyetuar i cili nxjerret retroaktivisht. Sipas dispozitave të Nenit 111 paragrafit 1 me nënparagrafin 1.1 të gjitha provat e mbledhura gjatë këtij kontrolli janë të papranueshme.

Gjatë kontrollit të zyrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kishim mungesë të dëshmitarëve gjatë kryerjes së kontrollit, gjë që dëshmohet edhe në vet raportin e policisë. Kjo po ashtu përbën arsye tjetër që provat e mbledhura nga kontrolli i tillë të jenë të papranueshme, në bazë të nenit 111 paragrafit 1 me nënparagrafët 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 108 paragrafin 7 të KPP-së.

Të nderuar të pranishëm,

Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi nuk ishte fare demarkacion por ndryshim i kufirit, jo shënim i vijës kufitare, por caktim i vijës së re kufitare. Marrëveshja e Vjenës e 26.08.2015 e shkeli Rezolutën e Kuvendit të miratuar me 25.06.2015, e cila në pikën 4 thoshte: “Qeveria të raportojë në Kuvend para miratimit të elaboratit ndërkufitar Kosovë – Mali i Zi.”

Siç ka thënë prof. dr. Zejnullah Gruda: “problemi i demarkacionit s’është problem i pronave private, por i ndarjes së sovraniteteve.” Për të vazhduar më tej: “Është anashkaluar kriteri gjeografik, ai strategjik, historik, etnik, hidrologjik, social, ekonomik dhe në vend të tyre është zbatuar (sipas kërkesës së palës malaziase) kriteri kadastral, që në asnjë tekst të së drejtës ndëkombëtare nuk përmendet si kriter themelor”.

Prof. dr. Florim Isufi dhe prof. dr. Shpejtim Bulliqi kanë theksuar që si pasojë e gabimit të komisionit të Murat Mehës “Kah ana e Qafës së Çakorrit distanca ajrore lëviz rreth 4100 m në brendi të territorit të Kosovës, duke lënë jashtë territorit të Kosovës pellgun e Bjelluhës, Vaganicën dhe Shipovicën. Ndërsa kah ana e Kullës rreth 4000 m në brendi të territorit të Kosovës duke lënë jashtë anët veriperëndimore të Zhlebit, të banet e Loqanit dhe një pjesë të të baneve të Glogjanit.”

‘Zajednica’ nuk është organizatë joqeveritare, ajo është organizatë qeveritare, por jo e qeverisë sonë. Është e qeverisë së Serbisë me miratimin, bekimin e qeverisë së Kosovës, por jo edhe të Kuvendit. Ne nuk kemi lejuar normalizimin e ‘Zajednicës’ së Serbisë në Kosovë pikërisht me rezistencën tonë të suksesshme në Kuvend. Janë 14 probleme themelore me Marrëveshjen e 25 gushtit 2015 për ‘Zajednicën’.

Pika 2 eviton Kuvendin e Kosovës dhe thotë që ‘Zajednica’ do të jetë entitet ligjor me karakter të veçantë.

Pika 3 tregon që Statutin e miraton Asambleja e ‘Zajednicës’ e jo shteti, Republika e Kosovës. ‘Zajednica’ do ta ketë rendin vetanak juridik: Marrëveshja e 19 prillit 2013, Marrëveshja e 25 gushtit 2015, Statuti.

Pika 4 tregon që ‘Zajednica’ do të ketë kompetenca të karakterit administrativ, që në aspektin juridik do të thotë ekzekutiv: mbikëqyrje të plotë në ekonomi, arsim, shëndetësi, kujdes social planifikim urban e rural, Më tutje, ‘Zajednica’ i përfaqëson anëtarët e saj karshi Prishtinës dhe ajo vendos marrëdhënie ndërkombëtare me asociacione komunash nëpër botë. Kështu, ‘Zajednica’ shfaqet si nivel i pavarur i vetëqeverisjes.

Pika 5 thotë që ‘Zajednicës’ mund t’i delegohen kompetenca shtesë autoritetet qendrore. Këtë gjë nuk e mundëson Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

Pika 6 tregon që Asambleja e ‘Zajednicës’ mund ta amandamentojë Statutin; se ‘Zajednica’ do të ketë president dhe zv. President, Këshillin me 30 anëtarë dhe Bordin ekzekutiv me 7 anëtarë, administratën e vet, me një shef të saj dhe selinë e ‘Zajednicës’. Zyra e Ankesave është shprehje e mëvetësisë së ‘Zajednicës’.

Pika 8 e barazon ‘Zajednicën’ me autoritetet qendrore, pra qeverinë e Kosovës, duke kërkuar bashkëpunimin e tyre dhe shkëmbimin e informacioneve midis tyre.

Pika 9 thotë që ‘Zajednica’ do të promovojë interesat e komunitetit serb.

Pika 10 thotë se ‘Zajednica’ mund të propozojë amandamente të legjislacionit dhe rregulloreve, pra të bëhet autoritet i burimit të së drejtës, duke u barazuar me Kuvendin dhe qeverinë.

Pika 11 thotë se ‘Zajednica’ mund t’i adresohet të gjitha niveleve të gjykatave në Republikën e Kosovës.

Pika 13 tregon që katër komunat në veri të Ibrit janë bërthama e ‘Zajednicës’ me komandatin e tyre të policisë.

Pika 17 thotë se Serbia është e obliguar ta financojë ‘Zajednicën’ dhe se ajo do të lirohet nga tatimi.

Pika 19 thotë që ‘Zajednica’ mund ta shpërbëjë vetveten me 2/3.

Pika 20 thotë se ‘Zajednica’ do të ketë flamur dhe simbole të veta.

Pika 21 që thotë se Statuti përpilohet nga Ekipi Menaxhues deri më 25 dhjetor 2015, gjë që fatmirësisht ka rënë. Ekipi Menaxhues përbëhej nga dy përfaqësues nga komunat veriore me shumicë serbe dhe dy përfaqësues nga komunat jugore me shumicë serbe, përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe ata të OSBE-së.

Përfundimisht, cili është synimi i këtij procesi kundër nesh?

Prokurorët dhe gjyqtari kryesor janë orvatur të tregojnë se pasojat e veprimeve tona janë të mëdha kurse dobia nuk iu ka interesuar fare. Duan ta gjykojnë e dënojnë imazhin televiziv të tymit në sallë duke e prerë aty kronologjinë për ta shtypur e mohuar të vërtetën, për ta përjashtuar arsyen tonë, e për të na ngujuar në syrin e spektaklit. E, nëse nuk bëhet fjalë për art bëhet punë për marrëzinë. Çmimi i qasjes së tyre është paradoksi: të na vulosë ne si kriminelë të paarsyeshëm.

Por, ka edhe një synim tjetër: prerja e kronologjisë që zhdukë të kaluarën ku ndodhet arsyeja jonë prej deputetësh të shoqërohet me zgjatje në të ardhmen të kronologjisë ku realizohen motivet e tyre që ne të mos mbetemi më deputetë. Dikur, përmes vjedhjes industriale të votave pengohej populli dhe e drejta e tij që të votojë për neve. Tash që nuk mund të ndalet populli më, tash që populli na ka bërë subjektin e parë dhe më të madh në Kuvend e në vend, duan që të na pengojnë të garojmë. Pra, kur na e pamundësonin fitoren na e lejonin garimin. Tash që s’mund të na e ndalin fitoren, duan të na e pamundësojnë garimin në zgjedhje. Ky është synimi tjetër i këtij procesi politik, i këtij persekutimi partiak, kundër neve deputetëve të akuzuar. E ardhmja është në pyetje.

Ju falemnderit.

Kosova 2017: Vit me zhvillime të mëdha e të papritura

newbornViti 2017 në Kosovë ishte një vit me shumë zhvillime që prekën aspektin e sigurisë, marrëdhëniet rajonale dhe më gjerë, deri te rrëzimi i qeverisë në Kosovë para se ajo ta përfundonte mandatin e plotë kushtetues.

Në ditët e para të janarit të 2017, autoritetet franceze arrestuan njërin prej udhëheqësve politik të Kosovës, Ramush Haradinajn, bazuar në një fletarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Serbisë. Kjo nxiti reagime të ashpra dhe protesta në  Kosovë. Ky arrestim ishte i papranueshëm për autoritetet në Prishtinë.

“Ndalimi i zotit Haradinaj nga autoritetet franceze është bazuar në një fletarrest të Serbisë të vitit 2004 që për ne është i papranueshëm. Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, MPJ ka nisur notat verbale nëpërmjet Ambasadës tonë në Paris dhe vetë ministri Hoxhaj është marrë personalisht për të shfrytëzuar të gjitha rrugët diplomatike që Haradinaj të lirohet sa më parë”, thuhej në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Nuk ishte hera e parë që Ramush Haradinaj, arrestohej në bazë të fletarresteve të lëshuara nga Serbia e që zbatohen nga Interpoli. Ramush Haradinaj, nga Serbia akuzohet për krime lufte. Ramush  Haradinaj në vitin 2012  u shpall i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për Krime lufte në ish-Jugosllavi, për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë.

Tensione në veri

Në kohën që Ramush Haradinaj, mbahej në paraburgim në Francë, në qytetin e Mitrovicës u ngritën tensionet për një zhvillim tjetër të papritur mbi urën e Lumit Ibër, që ndan qytetin në dy pjesë. Serbët e veriut ndërtojnë një mur ndarës të qytetit, duke thënë se për qëllim kanë ndërtimin e një shëtitoreje. Ndërtimi i murit të lartë dy metra nga serbët lokal në pjesën veriore të urës mbi lumin Ibër, ngriti tensionet ndërmjet Prishtinës zyrtare, serbëve të veriut dhe Beogradit. Serbët e veriut thanë se muri ishte pjesë e ndërtimit të një shëtitoreje, ndërsa, qeveria  në Prishtinë e cilësoi ilegal dhe që pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve nga të dyja anët. Qeveria mori vendim për rrënimin e murit. Ndërmjetës në këtë mes u bë sërish Bashkimi Evropian, duke detyruar autoritetet lokale të veriut që ta rrënojnë murin, për ta ndërtuar një më të vogël dhe që vërtetë do të shërbente për një park qyteti që mori emrin parku i paqes.

“Gjatë ditëve të fundit dhe nën lehtësimin e zyrës së Bashkimit Evropian si dhe të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, palët e përbëra nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, janë pajtuar që të zgjidhet çështja, e cila lidhet me ndërtimin e murit në Mitrovicën Veriore. Kjo zgjidhje do të ulë tensionet në veriun e Kosovës, do të ndihmojë lirinë e lëvizjes dhe do të krijojë një mjedis të favorshëm për të gjithë qytetarët në veri dhe në jug të Mitrovicës”, thuhej në deklaratën e qeverisë së Kosovës që udhëhiqej nga Isa Mustafa.

Demarkacioni i pazgjidhur

Përderisa në Mitrovicë u ulën tensionet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, në Prishtinë çështja e demarkacionit me Malin e Zi, thellonte ndarjet ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Opozita pretendonte se me një marrëveshje që bëri komisioni për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova po humb mbi 8200 hektar tokë. Kjo kundërshtohej nga qeveria e Isa Mustafës.

Dy udhëheqësit kryesorë politik në Kosovë, kryetari i kuvendit Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafa, megjithatë paralajmëronin se marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi do të procedohet në kuvend për ratifikim, sepse e njejta marrëveshje ishte ratifikuar nga Mali i Zi. Ratifikimi i demarkacionit që kërkohej edhe nga SHBA, ishte kushti i fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Kryeministri Mustafa dhe zëvendës-ndihmës sekretari amerikan, Hoyt Yee, kanë biseduar për procesin e ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës të Marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi dhe nevojën që kjo marrëveshje të ratifikohet sa më shpejtë, si konfirmim i rrugës evropiane të Kosovës”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit, Isa Mustafa. Ky i fundit duke e ditur që nuk i ka votat e mjaftueshme prej dy të tretave të Kuvendit që ta ratifikoje demarkacionin, asnjëherë nuk e procedoi në kuvend. Pas këtyre zhvillimeve filluan përçarjet brenda koalicionit qeverisës që në atë kohë përbëhej nga PDK dhe LDK. Me nënshkrimet e deputetëve të opozitës, qeveria e Isa Mustafës u hodh në votëbesim dhe me 78 vota kundër, kuvendi rrëzoi qeverinë e Kosovës duke i hapur rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë Mustafa, u iniciua nga partitë politike opozitare, por, në  seancë u mbështet edhe nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që ishte partnere e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) që udhëhoqi me qeverinë.

Zgjedhje të reja

Partitë politike opozitare duke arsyetuar paraqitjen e mocionit  për rrëzimin e qeverisë së Isa Mustafës, para deputetëve prezantuan një varg argumentesh, që sipas tyre “pse kjo qeveri duhej rrëzuar”. “Mosfunksionimi i legjislativit dhe ekzekutivit dhe mungesa e vendimmarrjes në interes të vendit, marrëveshja e asociacionit të komunave me shumicë serbe që rezultoi që është shkelur kushtetuta, demarkacioni që i humb territor Kosovës, mosfunksionimi dhe ngecja në liberalizim, moszhvillimi ekonomik, ikja e mbi 200 mijë qytetarëve të Kosovës, papunësia e madhe dhe shumë ngecje të tjera. Konsiderojmë që e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e lira dhe të parakohshme dhe demokratike”, tha Valdete Bajrami, deputete e NISMA  për Kosovën, duke lexuar mocionin e opozitës.

Kryeministri Isa Mustafa, nga ana e tij, mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë që ai e udhëhoqi, e quajti “pamflet politik pa asnjë bazë argumentuese”. “Dobësitë dhe keqpërdorimet që janë krijuar nga qeverisjet e kaluara t’i mveshen kësaj qeverie, kjo është sjellje e papranueshme. Vlerësoj se peticioni për rrëzimin e qeverisë ka për pasojë destabilizimin e vendit, përmes krijimit e mosbesimit në institucione dhe vakumin institucional, sikundër që ka për qëllim fshehjen e aferave korruptive që janë krijuar nga qeveritë e kaluara”, arsyetohej Isa Mustafa.

Vështirësi në krijimin e qeverisë

Pas rrëzimit të qeverisë Mustafa, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kuvendin e Kosovës që do të mbaheshin me 11 qershor. Para zgjedhjeve u krijuan koalicione dhe vendi u nda në dy kampe, koalicioni PAN që përbëhej nga PDK, AAK dhe Nisma dhe në anën tjetër LDK dhe AKR. Lëvizja Vetëvendosja garonte e vetme në zgjedhje. Zgjedhjet u mbajtën pa ndonjë incident me 11 qershor dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare. Koalicioni PAN, fitoi  34 % të votave, dhe siguroi 39  vende në parlament. Lëvizja Vetëvendosje e cila garoi e vetme në zgjedhje fitoi 27 %, duke siguruar kështu 32 vende. Ndërsa, koalicioni LAA që përbëhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Kosovës e Re (AKR ) dhe Alternativa, fitoi 25.7 % të votave, duke siguruar 29 vende  në parlament. 20 vende  ishin të garantuara për pakicat, ku 10 vende janë fituar nga  përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që fituan mbi 5% të votave. Pjesëmarrja në votime ishte 41.30%.

Pas kësaj periudhe, me vështirësi të mëdha për shkak të numrit të vogël të votave në parlament, vetëm 61 Ramush Haradinaj zgjidhet kryeministër i Kosovës. Bashkimi Evropian, i kërkoi qeverisë së Kosovës që ta vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe  krimit të organizuar, duke e rikujtuar serish  që duhet të ecet përpara edhe në ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi dhe dialogun me Serbinë.

“Formimi i institucioneve në Kosovë, pas disa javë paqartësish politike, është një hap shumë i rëndësishëm. Kosova përballet me sfida të vështira, duke përfshirë korrupsionin dhe sundimin e dobët të ligjit, papunësi të lartë dhe performancë të dobët në sistemin arsimor. Këto janë pengesa serioze për zhvillimin e ekonomisë, për të tërhequr investime të qëndrueshme dhe për të krijuar mundësi punësimi. BE-ja dëshiron që Kosova të ketë sukses, dhe u bënë thirrje politikanëve të fokusohen në këto çështje të përditshme me rëndësi për njerëzit”.

“BE-ja e nxit qeverinë e sapoformuar të fillojë menjëherë të punojë për forcimin e institucioneve dhe zbatimin e reformave të nevojshme, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e ekonomisë, në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Agjendën e Reformave Evropiane, dhe marrëveshjeve tjera përkatëse mes BE-së e Kosovës. Është shumë e rëndësishme që udhëheqësit politikë t’i marrin seriozisht këto sfida dhe të veprojnë në mënyrë efektive në interesin më të mirë të popullit të Kosovës. Ata që janë në pushtet kanë përgjegjësinë parësore për forcimin e sundimit të ligjit, përmes një reforme të sistemit gjyqësor në përputhje me standardet më të mira evropiane”, thuhej ne deklaratën e BE-së.

Dialogu me Serbinë kishte ngecur për një periudhë për shkak të zhvillimeve dhe zgjedhjeve në Kosovë e Serbi, mirëpo, që nga BE-ja vazhdimisht kërkohej zbatimi i marrëveshjeve të mëhershme. Një e tillë dhe e cilësuar shumë e rëndësishme marrëveshja për drejtësinë tashmë gjen zbatim.

Miratimi i 40 gjyqtarëve dhe 13 prokurorëve

Në praninë e shumë ambasadorëve perëndimorë dhe shefes së zyrës së BE-së në Kosovë, Presidenti i vendit Hashim Thaçi dekretoi 40 gjyqtar dhe 13 prokurorë shumica, nga ta serb që do të punojnë në veri të Kosovës. Me këtë dekretim, shënohet edhe fillimi i zbatimit të marrëveshjes së drejtësisë për veriun e Kosovës, marrëveshje kjo e nënshkruar në shkurt të vitit 2015 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Presidenti Thaçi, në ceremoninë e dekretimit tha se “Gjyqtarët dhe prokurorët kanë rol të madh në jetën e qytetarëve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi”.

“Kosova është ndërtuar mbi parimet kushtetuese, të gjithë përfshirjes, të barazisë dhe të lirisë së secilit individ. Kosova ka miratuar masa adekuate për të promovuar një barazi të plotë dhe efektive ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore”, tha Presidenti Thaçi, duke kërkuar nga gjyqtarët dhe prokurorët që do të punojnë në veri që të jenë profesional.

“Mirëpres gatishmërinë tuaj për t’u integruar në gjyqësorin e Kosovës dhe për të punuar në përputhje me legjislacionin e Kosovës. Po ashtu, mirëpres gatishmërinë e juaj se funksionin e gjyqtarit, respektivisht të prokurorit, do ta ushtroni me nder, përgjegjësi dhe paanshmëri, duke respektuar rregullat e etikës profesionale”, tha Presidenti Hashim Thaçi.

Përderisa dialogu me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve nisi serish, në skenën politike kosovare serish aktualizohet çështja e demarkacionit me Malin e Zi. Kryeministri Ramush Haradinaj,  që në ditët e para të qeverisjes së tij shkarkoi komisionin e qeverisë së kaluar dhe emëroi një komision tjetër, paralajmëronte se marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit. Presidenti Hashim Thaci, e quan kauzë të rrejshme pretendimin që Kosova humb territor me marrëveshjen aktuale të demarkacionit.

Presidenti  Hashim Thaçi e ka vënë në dyshim punën e komisionit të ri për demarkacionin të emëruar nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe shfaqej tejet i nervozuar me një deklaratë të kryetarit të komisionit të ri për demarkacionin me Malin e Zi, Shpetim Bulliqi, i cili tha se “komisioni ka mbledhur prova të mjaftueshme që dëshmojnë se Kosova ka humbur territor me versionin aktual të demarkacionit”.

Kjo deklaratë e zemëroi Presidentin Thaçi, i cili vazhdon të besojë se marrëveshja e nënshkruar nga ai në vitin 2015 e cila e përcakton vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është në rregull. “Zhurmëkotët e zakonshëm, të cilët për më shumë se dy vjet shkaktojnë konfuzion, jo më larg se dje, iu rikthyen zanatit të tyre. Ata përsëri arritën që me lehtësi, duke mos argumentuar asnjë pretendim amatoresk të zbuluar nga ta, të manipulojnë mediet dhe nëpërmjet tyre opinionin publik. Kështu, këta individë e ushqejnë sagën e tyre me trillime, të cilat plasohen tek opinioni publik, i cili, si gjithmonë e pëson më së shumti jo vetëm për shkak se vazhdojnë të dëgjojnë të njëjtën zhurmë, por edhe sepse mungesa e përgjegjësisë shtetërore për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, vazhdon t’i mbajë qytetarët dhe shtetin e Kosovës të izoluar”, shkruan në profilin e tij, Presidenti Hashim Thaçi.

Marrëveshja e demarkacionit tashmë është proceduar në kuvend për herë të parë nga kryeministri Ramush Haradinaj me qëllimin që kuvendi ta rrëzojë versionin aktual të demarkacionit ne mënyrë që siç pretendon Haradinaj Kosovës t’i hapet rruga për bisedime të reja me Malin e Zi.  Mali i Zi thotë se çështjen e demarkacionit me Kosovën nuk do ta diskutojë më.

Tension i ri – Gjykata Speciale

Në fund të vitit 2017, për të shkaktuar një tension të pashembullt ndërmjet qeverisë dhe pranisë ndërkombëtare në Kosovë, pa asnjë paralajmërim, 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës kërkojnë seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale për krime lufte, ligj ky i miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.

Menjëherë ambasadorët e vendeve të QUINT-it, reagojnë ashpër ndaj kësaj përpjekje të deputetëve të kuvendit. Madje ambasadori amerikan Greg Delawie tërheq vërejtjen se me këtë veprim deputetët mund ta izolojë edhe më shumë Kosovën. “Më duhet të them se jam vërtet i dëshpëruar që kjo doli nga asgjëkundi gjatë disa ditëve të fundit. Pa debat publik, për një çështje me interes thelbësor për qytetarët e Kosovës. Është e turpshme nga pikëpamja ime. Këto përpjekje, nëse kanë sukses, do të kenë ndikime të thella negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës. Kjo do të konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si një thikë pas shpine. Kosova do të zgjedhë izolimin në vend të bashkëpunimit dhe më duhet të them se do të urrenim kthimin e orës prapa për Kosovën në përparimin e saj deri këtu. Mbështetja ndërkombëtare për Kosovën është ndërtuar mbi idenë që Kosova do të merret me drejtësi me individët që kanë kryer krime lufte. Lëkundja nga ky angazhim do të ketë ndikime jashtëzakonisht negative për Kosovën, për qytetarët e saj dhe për marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara”,thuhet në deklaratën e ambasadorit amerikan Delawie.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, i cili thotë se “Gjykata Speciale është pjesë e rëndësishme e sundimit të ligjit në Kosovë”. “Angazhimi në sundimin e ligjit është një gur themel për zhvillimin e Kosovës. Dhomat e Specializuara janë pjesë e rëndësishme e sundimit të ligjit të Kosovës. Çdo përpjekje për të ndryshuar këtë ligj mund ta vendosë Kosovën prapa në kursin e saj Euro-Atlantik dhe të dëmtojë marrëdhëniet me miqtë e saj më të afërt”, tha ambasadori gjerman Kristian Heldt. Sidoqoftë, mundësia që me një seancë të jashtëzakonshme kuvendi ta shfuqizojë ligjin për Gjykatën Speciale akoma nuk ka përfunduar. Kuvendi i Kosovës është në pushim dimëror deri me 15 janar,  dhe nisma e deputetëve me nënshkrime vazhdon të qëndrojë në sirtarët e kuvendit.

Në fund të vitit 2017, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në urimin e tij drejtuar qytetarëve, thotë “uroj që të gjithë së bashku të gjejmë energjinë që të përballemi me të gjitha këto tema të rëndësishme. Nga dita e fundit e vitit që lëmë pas, në ditën e parë të vitit të ri, jemi të njëjtit njerëz, me po të njëjtin fat, me të njëjtat mundësi e sfida para vetes”. (dw)

“Little Albania” në Nju-Jork

little albania new yorkNga dyqindmijë shqiptarë që kanë imigruar në Amerikë pas viteve ’90, një e katërta ka qëndruar në Nju-Jork. Dhe dy të tretat e tyre janë përqendruar në Bronx.

Nju-Jorku është stacioni i parë i emigrantëve shqiptarë që vijnë nga Evropa në Amerikë. Një pjesë e tyre qëndrojnë në këtë epiqendër zhvillimi në bregun lindor të kontinentit, shumë të hapur për të sapoardhurit. Pjesa tjetër vazhdon rrugën më tej për të shkuar në thellësi të Amerikës. Nga dyqindmijë shqiptarë që kanë imigruar në Amerikë pas viteve ’90, një e katërta ka qëndruar në Nju-Jork. Këta shqiptaro-amerikanë jetojnë në enklava shqiptare nëpër lagjet në Bronx, Staten Island, Queens, Brooklyn, të ngritura sipas zonave prej nga kanë ardhur nga Ballkani.

Little Albania”

Dy të tretat e emigrantëve shqiptarë të Nju-Jorkut janë përqendruar në Bronx, ku kanë krijuar “Little Albania” në zonën e Pelham Parkway-it, Morris Parkut dhe Belmontes.

Vala e parë e imigrantëve shqiptarë ka ardhur në Bronx në fund të viteve gjashtëdhjetë dhe fillim të viteve ’70. Ata u zunë vendin familjeve italiane dhe irlandeze që ikën nga qyteti për një jetë më të qetë në periferi. Zona është kthyer tashmë në një nga komunitetet më popullore shqiptare të Amerikës.

Kur vijnë këtu imigrantët shqiptarë fillojnë punë të çfarëdoshme në ndërtim, restorante, dyqane, pastrim, administrim ndërtesash, shërbim ndaj të moshuarve. Ata që arrijnë një mirëqënie ecin në gjurmët e grupeve të tjera imigrante. Disa prej tyre kanë ndjekur biznesin me pasuritë e patundshme. Ata kanë blerë ndërtesa banimi gjatë krizës së vitit 1973, kur çmimet e pasurive të patundshme në Bronx ranë shumë, por edhe më vonë.

Një e treta e ndërtesave me apartamente në këtë pjesë të Bronxit janë të shqiptarëve. Me kalimin e kohës zonat u zhvilluan, kriminaliteti ra dhe lagjet e Bronxit janë kthyer në qendra komforte për familjarët. Familjet që kanë sukses ndikojnë në zhvillimin e zonës. Por, ashtu siç kanë bërë migrantët e etnive të tjera edhe shqiptarët e suksesshëm largohen nga Bronxi për të shkuar në zona më të pasura, më të qeta dhe me prosperitet më të lartë. Bronxi mbetet gjithnjë stacioni i parë i emigracionit, kur migrantët kanë shumë nevojë për njëri-tjetrin për fillimin e jetës në vendin e ri.

Arsimimi i fëmijëve prioritet

Ndihma që i japin njëri tjetrit migrantët është shumë e rëndësishme sidomos mes shqiptarëve, ku mungojnë organizatat e institucionalizuara në përfaqësimin e interesave. Punësimi, banimi, këmbimi i informacioneve bëhet ende në bazë të lidhjeve familjare dhe shoqërore, shpesh në kafene. Pjesa më e madhe e shoqatave dhe e organizatave merren me kulturë folklorike si ajo e dasmave dhe mexhliseve. Interesimi më i madh i grupit shqiptar të emigrantëve vazhdon të mbetet prosperiteti ekonomik.

Me sigurimin e punës dhe banimit, arsimimi i fëmijëve mbetet një nga prioritetet e prindërve shqiptarë. Pjesa më e madhe e fëmijëve ndjekin shkollat publike, ku mësimi është falas. Kurse në gjuhën shqipe ofrohen pak. Interesimi më i madh mbetet tek integrimi në shoqërinë amerikane. Por shoqëria amerikane shihet shumë e kufizuar. Në familjet shqiptare asimilimi ndaj normave kulturore dhe sociale të shoqërisë amerikane është i lejuar. Ky asimilim shkon deri tek përshtatja ndaj obsesionit amerikan ndaj racave. Afinitetetin më të madh imigantët shqiptarë në Nju-Jork e kanë me imigrantët që kanë ardhur nga vendet fqinjë italianë, grekë, boshnjakë. Përzierja shqiptare me racat e tjera mbetet e dëshiruar vetëm brenda “white”. Por kjo nuk e pengon brezin e ri, sidomos të lindurit në Amerikë, që të ndjekë rrugën e vet të amerikanizimit. Këtë e sheh për shembull tek rap-istat shqiptarë të Nju Jork, produkti mbase më i sukseshëm i shqiptarëve të Amerikës. (dw)

Lëvizje të papritura politike në Maqedoni

parlamentiPas votimit për ministrin e ri të Shëndetësisë të Maqedonisë, partia Aleanca për Shqiptarët do ta braktisë qeverinë. Por largimi i saj do të ndodhë pas votimit të projektligjit për përdorimin e gjuhëve.

“Do të votojmë për këtë ligj dhe prej këtij momenti Aleanca për Shqiptarët nuk do të jetë pjesë e një Qeverie e cila mban emrin Qeveri reformatore, por që fatkeqësisht është shndërruar në lavatriçe të politikanëve të inkriminuar dhe korruptuar dhe po lan nga mëkatet këta politikanë, sidomos ata që i përkasin bllokut politik shqiptar në Maqedoni” , është shprehur kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Tre zëvendësministrat, një sekretar shteti dhe zyrtarët e tjerë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët kanë depozituar kërkesat për dorëheqjet e tyre në qeveri.

“Ne si zëvendësministra të ASH-së, mbi bazën e vendimit politik të organeve të partisë, ashtu siç ka qenë i njoftuar opinioni deponuam dorëheqjet tona në arkivin e qeverisë”, thotë Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët. Megjithatë ai pohon se edhe pas largimit nga koalicioni qeverisës, deputetët e kësaj partie do të mbështesin proceset reformuese në vend.

“ASH me dy deputetët që ka në parlamentin e vendit, do të votojë dhe do të përkrahë të gjitha proceset reformuese që ndodhin në vend. Të gjitha ligjet, që kanë brenda tyre elemente reformuese ne do t’i përkrahim. Nuk do të përkrahim vetëm propozimet kadrovike që do të dalin si propozime të qeverisë dhe partnerëve aktualë të koalicionit”, thotë Aziri.

Zaev: Pres mbështetje nga ASH për reformat

Kreu i ekzekutivit, Zoran Zaev nga foltorja e Parlamentit shprehu keqardhje që Aleanca nuk pranoi ofertën e tij për zëvendëskryeministër për reforma, duke shprehur optimizëm për mbështetjen e Aleancës lidhur me miratimin e ligjeve reformatore. Zaevi thotë se shumica jobindëse në parlament në fakt është e shëndetshme për Maqedoninë, sepse vendit nuk i nevojiten diktatorë të rinj.

“Shumica jobindëse ishte edhe gjatë formimit të qeverisë, por kjo është demokraci. Unë nuk ngarkohem me këto gjëra. E rëndësishme është që unë si kryeministër nuk planifikoj që të ketë zgjedhje gjatë vitit 2018, por ta realizojmë atë që ua premtuam qytetarëve për jetë më të mirë”, ka thënë kryeministri Zaev.

Zyberi: Mosrespektim i parimeve mes partnerëve të koalicionit

Ekspertët vlerësojnë se largimi i Aleancës për Shqiptarët nga Qeveria dhe ndryshimet brenda shumicës parlamentare erdhën si pasojë e mosrespektimit të parimeve nga tre partnerë të koalicionit. Sipas analistit politik Naser Ziberi partitë qeveritare nuk kanë respektuar marrëveshjen për formimin e qeverisë. Kjo sipas tij u vërtetua në zgjedhjet lokale. Dalja e Aleancës nga shumica parlamentare dhe koalicioni qeveritar nuk krijon turbulencë politike. Mund të ndodhin ngërçe gjatë marrjes së vendimeve, por megjithatë gjithçka do të funksionojë në mënyrë normale thotë Zyberi.

“Deklarata e Selës se pas votimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve edhe formalisht do ta lëshojë qeverinë, sigurisht që do imponojë nevojën për riformatim të shumicës parlamentare. Qeveria nuk do të vihet në pikëpyetje, ajo do të vazhdojë të funksionojë me një shumicë minimale, shpeshherë mund të ketë ngërçe në funksionimin dhe krijimin e shumicës në marrjen e vendimeve. Por si e tillë mund të vazhdojë të funksionojë, duke marrë parasysh se ka gatishmëri që të jenë pjesë e qeverisë subjekte të tjera politike, si PDSH dhe disa deputetë që po dalin nga VMRO-DPMNE”, thotë analisti politik, Naser Zyberi.

VMRO-DPMNE vazhdon bojkotin e Parlamentit

Edhe pas kongresit të jashtëzakonshëm të partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, në të cilin u zgjodh kryetari i ri Hristijan Mickovski, në vend të Nikolla Gruevskit, deputetët e VMRO-DPMNE-së vazhdojnë të bojkotojnë punimet e Kuvendit. Nga kjo parti thonë se kështu do të jetë derisa deputetët e kësaj partie mbahen në paraburgim për incidentet e 27 prillit në Kuvend.

“Jemi në një situatë kur duam dhe duhet të ketë relaksim të gjendjes në vend, ulje të tensioneve dhe paqe. Por në të njëjtën kohë kemi një gjendje kur vazhdohet paraburgimi për personat e përfshirë në incidentin e 27 prillit dhe kjo nuk është mirë për dialogun politik, por përkundrazi, e mbyt dialogun”, deklaron Vllatko Gjorçev nga VMRO-DPMNE.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e ka ftuar edhe një herë  opozitën maqedonase të kthehet në Kuvend. “Lëvizjet dhe veprimet që bëhen pas Kongresit të jashtëzakonshëm të VMRO-DPMNE-së mendoj që shkojnë në drejtim të konsolidimit të tyre dhe kthimit të tyre në Parlament. Këto janë pritshmëritë e mia dhe theksoj se nuk udhëhiqem nga hipotezat”, ka thënë Xhaferi. Ai pret dhe është i bindur se opozita do të inkuadrohet në punën e grupeve parlamentare dhe në seancat nga 9 janari i vitit të ardhshëm, ku do të debatohet për miratimin e ligjit për gjuhën dhe zgjedhjen e gjykatësve kushtetues.    (dw)

Riparimi i qelizave embrionale

laboratoriResearcher Xavier Nissan seen in his laboratory at the Institute for Stem cell Therapy and Exploration.

Pse muskujt regjenerohen nga lëndimi, por humbasin masën dhe forcën kur plakemi? Një studim i ri kërkonte përgjigjen përse qelizat embrionale të muskujve reagojnë ndryshe ndaj plakjes dhe lëndimit. Faith Lapidus i Zërit të Amerikës, njofton se rezultatet e studimit mund të ndikojnë në krijimin e terapive për lëndimet, sëmundjet dhe plakjen.

Qelizat embrionale të muskujve janë thelbësore për riparimin dhe rigjenerimin e muskujve gjatë gjithë jetës. Një studim i ri në Institutin Sanford Burnham Prebys analizoi se si një grup qelizash emrionale – të vendosura mes fibrave të muskujve – i përgjigjet plakjes dhe lëndimit.

“Ne ishim të interesuar se si qelizat brenda një indi muskulor ndryshojnë nga njëra-tjetra dhe po përpiqemi të kuptojmë gjithashtu nëse ky kompleksitet ndryshon me kalimin e kohës”, thotë dr. Alessandra Sako.

Ekipi i kryesuar nga dr. Sacco përdor një teknologji që ndjek qelizat embrionale për të parë reagimin e tyre ndaj ushtrimeve fizike, lëndimeve dhe plakjes

Shkencëtarët zbuluan se qelizat e moshuara ruajtën fleksibilitetin për t’iu përgjigjur presioneve të ndryshme, por ishin më pak të afta të shumoheshin. Në të kundërt, pas lëndimit, grupi i qelizave u bë më pak i larmishëm, por e mbajti aftësinë për t’u përhapur.

Dr. Sako shpjegon:

“Kjo do të na mundësojë të identifikojmë dhe të zhvillojmë barna në mënyrë specifike për të përmirësuar riparimin e indeve dhe do të kishte implikime për disa sëmundje të muskujve, si për shembull distrofinë muskulare Duchenne”.

Dr. Sako thotë se studimi tregon se strategjitë terapeutike për të ruajtur masën dhe forcën e muskujve tek të moshuarit do të kenë më shumë gjasa të ndryshojnë nga ato për pacientët me sëmundje degjeneruese muskulare. (voa)

Teknologjia ndihmon stërvitjen efektive të ushtarëve

ushtaretUshtria amerikan po shqyrton mundësinë e përdorimit të teknologjisë së re, siç janë ndjesorët në uniforma, apo realitetin virtual, për të përmirësuar stërvitjen e rekrutëve. Në një takim mes disa oficerëve dhe pedagogëve nga Universiteti i Kalifornisë së Jugut, ushtarakët flasin për nevojën për të futur në ushtri teknologjinë moderne. Ju njohim tani me disa zhvillime teknologjike që mund të ndihmojnë ushtrinë:

Gjatë stërvitjes ushtarake, mendja dhe trupi duhet të japin maksimalen. Në disa raste kjo mund të ketë pasoja fatale:

“Na vdesin më shumë marinsa e ushtarë në stërvitje se në luftime. Përse? Shpesh herë nga lodhja dërrmuese,” thotë Kolonel Lejtnant Warren Cook.

Për të ndihmuar rekrutët të stërviten sa më mirë dhe pa rrezik për jetën, degët e ndryshme të ushtrisë po analizojnë pajisje teknologjike si ndjesorët që vihen në trup, thotë Charnele Mello që punon për Qendrën Kërkimore e Inxhinierike për Ushtarët:

“Ende jemi në fazën e provës, deri tani po provojmë produkte që janë në treg. Kemi një numër ndjesorësh që po i provojmë në kuadër të sistemit mbi gjendjen fiziologjike, si monitor për zemrën, apo matësa të tjerë si Fitbit”.

Në Korpusin e Marinsave, teknologjia shihet si një faktor që ndihmon përgatitjen për luftime:

“Si mund të arrijmë përmes shkencës dhe teknologjisë të përgatisim marinsa e ushtarë më të efektshëm për luftim?” thotë Kolonel Lejtnanti Warren Cook.

Realiteti virtual, apo i përzier ose i modifikuar për përdorim në ushtri është një koncept i ri që po vihet në provë në Universitetin e Kalifornisë së Jugut. Synimi i njërit prej projekteve është që të komandohen dronët që të ndjekin dhe të kapin lëvizjet e një personi në mënyrë që ato të studiohen gjatë një procesi të simuluar stërvitor:

“Kur kombinohet kapja me saktësi në mënyrë autonome, e mundësuar nga këto të dhëna biologjike, do të ndryshojë mënyrën si stërviten atletët. Do të ndryshojë mënyra e stërvitjes së ushtarëve si dhe mënyra si ndërvepron bota,” thotë Todd Richmond i Universitetit të Kalifornisë së Jugut.

Një tjetër projekt është realiteti virtual dhe i modifikuar, i quajtur Monticello, ku përdoruesi ndërvepron me një ekspert virtual.

“Nëse je në mjedis të rrezikshëm dhe je i stërvitur që të dallosh vendet e rrezikshme dhe ato të sigurta, mund të përdorësh realitetin e modifikuar për të fotografuar një korridor ose një zonë dhe një ekspert virtual të tregon në aplikacion ku janë vendet e rrezikshme e ku janë ato të sigurta dhe ku duhet të shkosh,” thotë Adam Reilly i Universitetit të Kalifornisë së Jugut.

Oficerët në komandë thonë se teknologjia mund të përgatisë më mirë rekrutët për stërvitje dhe më tej…pasi një rekrut i stërvitur si duhet do të jetë edhe një ushtar i mirë në konflikt. (voa)

Pa opozitën, Kuvendi i Maqedonisë zgjedh kryeprokurorin

parlamentiKuvendi i Maqedonisë ka zgjedhur Lubomir Joveskin kryeprokuror të ri. Zgjedhja e tij ka kaluar me një votim të ngushtë, pasi shumica për tre orë nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme, aq edhe sa kanë votuar për propozimin e Qeverisë.

Opozita e drejtuar nga VMRO-ja nuk ka marrë pjesë në seancë, ndërsa nuk kanë marrë pjesë as deputetët e Lëvizjes Besa, partisë opozitare shqiptare.

Kryeprokurori i ri, Joveski thotë se do të angazhohet për rikthimin e dinjitetit të gjyqësorit në vend, apo ngritjen e profesionalizmit dhe largimin e ndikimeve politike. Institucioni i Prokurorisë Publike republikane ka rol të madh, si në caktimin e prokurorëve në të gjithë gjykatat themelore të vendit, por edhe vendos për çështje të rëndësishme në ndjekjen dhe procedimin e lëndëve të ndryshme penale.

Zgjedhje e kryeprokurorit pa praninë e opozitës, nga shumica parlamentare nuk është komentuar, por paraprakisht, kryeministri Zoran Zaev tha se VMRO-DPMNE-ja duhet të jetë pjesë e reformave, pasi vetëm në këtë mënyrë sipas tij, vendin mund të ecë në rrugën e integrimit euroatlantik.

Zaev në veçanti tha se pret mbështetjen e opozitës kur në rend ditë do të jenë ligjet që kërkojnë dy të tretat e votave.

“Kuvendi ka shumë çështje serioze për të vendosur, një pjesë e rëndësishme ka të bëjë me procesin e reformave. Përveç Prokurorit Publik, kemi edhe shumë punë të tjera, nga mesi i janarit dhe muaji shkurt në procedurë do të jenë ligjet që kërkojnë mbështetjen e dy të tretave si për gjyqësorin, për punët e brendshme, Ligjin për mediat, ndryshimet në ligjin për administratë publike. Unë jam i bindur se opozita duhet të jetë pjesë përbërëse e gjithë asaj që quhet proces i reformave, por edhe perspektivë më të mirë për Maqedoninë. Atje ku do të arrin të merremi vesh unë pres edhe mbështetjen e tyre, e atje ku nuk do të kemi marrëveshje, pres të jenë kundërshtar dhe kritik, por e gjithë kjo të jetë në mënyrë konstruktive”, tha Zaev.

Bashkimi Demokratik për Integrim nga prokurori i ri pret që të merret seriozisht edhe me proceset që vlerësohet se janë të montuara e që kanë të bëjnë me shqiptarët.

“Presim nga Joveski që me guxim t’i adresojë të gjitha rastet jashtëzakonisht të ndjeshme për shoqërinë tonë, të politizuara dhe të kontestuara në publik në veçanti për opinionin publik shqiptarë, siç janë rastet, ‘Sopoti’, ‘Monstra’, protestat e qytetarëve për rastin ‘Monstra’, ‘Lagja e Trimave’, protestat për rastin ‘Gjorqe Petrov’, si dhe shumë raste të tjera të cilat kontestohen nga ana e qytetarëve dhe nuk e kanë besimin ndaj përfundimit procedural të tyre”, ka deklaruar deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Lubomir Joveski në postin e Prokurorit Publik të Republikës vjen në vendin e Marko Zvërlevski, i cili nga detyra ishte shkarkuar më 17 gusht muaj, pas kritikave të shumta për punën e tij dhe lidhjet me pushtetin e kaluar. Për Zvërlevskin ishin publikuar edhe biseda telefonike nga afera e përgjimeve, se si kurdiste apo ndikonte në procese të ndryshme gjyqësore.

Për shkak të mosbesimit në Prokurorinë republikane ishte themeluar një Prokurori Speciale, e cila deri më tani ka udhëhequr të gjitha lëndët që kishin të bëjnë me aferën e përgjimeve. (rel)

S’ka shmangie nga drejtësia ndërkombëtare

drejtesiaDhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, janë të paevitueshme, qoftë në formën, e cila ka marrë miratimin e Kuvendit të Kosovës në vitin 2015, qoftë në formën alternative, që do ta merrte pëlqimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Ata i kanë cilësuar si të kota dhe naive, siç thonë ata, përpjekjet e subjekteve politike në pushtet, të cilat ditën e premte, kanë tentuar dy herë që ta dërgojnë para deputetëve të Kuvendit propozimin për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Por, marrë parasysh që ky ligj ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës, madje me mjaft polemika dhe kundërshtime, sidomos të partive opozitare, cili është motivi për shfuqizimin e këtij ligji?

Politologu Belul Beqa, profesor i Shkencave Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e vlerëson krejtësisht të gabueshëm tentimin e partive në pushtet për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale.

“Ata kanë menduar që në këtë mënyrë të bëjnë presione, shantazhe. I kanë përdorur veteranët, për të qenë instrument për destabilizimin e situatës, për të treguar se janë faktorë, të cilët ende mund ta kontrollojnë situatën, e kështu me radhë, para bashkësisë ndërkombëtare. Kjo, për të pasur mundësi të negocimit, që dikush të mund të shpëtojë më lehtë apo ta prolongojë, por më vonë. Filozofia e tyre ka qenë naive dhe besoj që naiviteti duhet të përfundoj, sepse edhe pas 18 vjetësh gjykata jonë nuk ka bërë asgjë”, thotë Beqa.

Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se liderët politik nuk është dashur të lëshohen në, siç i quan ai, aventura që e dëmtojnë vendin, në rast se vet ata do të kishin njohuri elementare për atë se si shkojnë proceset e gjykatave ndërkombëtare.

“Është dashur ta dinë se nuk mund të ketë asnjë lloj shmangie nga kjo drejtësi, posaçërisht në këtë stad, pra, në këtë nivel, kur shihen edhe konturat e qarta të procesit të Gjykatës Speciale – pra, me gjykatës, me punë në terren për mbledhjen e dëshmive dhe me fillimin e caktimit të datave për atë se kur do të ngrihen aktakuzat e para. Pra, ka qenë një akt krejtësisht naiv”.

Politologu Beqa, shpreh mendimin që tentimi për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, nënkupton tentimin për fuqizimin e atyre subjekteve dhe faktorëve, të cilët, siç thotë ai, e kanë sjellë Kosovën para dështimit.

“Shteti i Kosovës do të përshpejtojë rrugën drejt dështimit në qoftë se në këtë rast ia mbyllë derën drejtësisë ndërkombëtare. Mendoj që është papjekuri nacionale në qoftë se qytetarët i nënshtrohen diktatit të individëve dhe grupeve që po bëjnë përpjekje për ta dështuar shtetin, për shkak se e kanë parë veten potencialisht si të dyshuar nga Gjykata Speciale. Së fundi, mendoj që, realisht, derisa janë në liri kryerësit potencial të krimeve të supozuara, nuk ka sovranitet dhe liri të veprimit të mirëfilltë në Kosovë”.

Ndërkaq, analisti Muhaxhiri, e konsideron absurd mendimin për mundësinë e shmangies nga drejtësia ndërkombëtare.

“Në mënyrën më të sinqertë, nuk e kuptoj se cili ka qenë motivi, sepse është krejtësisht e pakuptueshme që edhe nëse ka qenë plani që të iket nga drejtësia ndërkombëtare, që kjo të bëhet në këtë mënyrë. Deri më tani bashkësia ndërkombëtare ka dhënë dëshmi të qarta se projekti i Gjykatës Speciale është një projekt, të cilin ajo do të investoj para, kuadro dhe kohë. Pra, është absurde të mendohet se me një votim të thjeshtë të Kuvendit të Kosovës të anulohet i gjithë ky projekt i madh ndërkombëtar”.

Sidoqoftë, tentimi për ta dërguar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës propozimin për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale ka ngjallur reagime të shumta të ambasadorëve të vendeve perëndimore në Kosovë, por edhe të shoqërisë civile.

Së fundmi, të hënën ka reaguar edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili ka vlerësuar se iniciativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale cenon rëndë detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, bie ndesh me vlerat dhe parimet ndërkombëtare lidhur me sundimin e ligjit për të cilat është zotuar Kosova. Siç thuhet në një komunikatë për opinion, të IKD-së , kjo nismë “konteston rëndë subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”.

“Ky hap, po u realizua, përfundimisht tregon se Kosova ka mungesë të pasjes së zotësisë për të hyrë në marrëdhënie kontraktuale me shtete dhe organizata ndërkombëtare, si pasojë e moszbatimit të të njëjtave marrëveshje ndërkombëtare për të cilat është zotuar se do t’i zbatojë në mënyrë solemne dhe me shkrim. Ky hap, po u realizua, paraqet edhe cenim të rëndë të ligjit ndërkombëtar, diçka që Kosova nuk guxon dhe nuk duhet t’ia lejoi vetes nëse merret parasysh statusi i pa konsoliduar i shtetësisë së Kosovës”, ka thënë IKD-ja.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të shtunën, sërish e ka cilësuar Gjykatën Speciale si “të padrejtë” për Kosovën, ndërkohë që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vlerësuar se ajo që ka ndodhur ditën e premte, ka qenë “proces që është zhvilluar konform ligjeve të vendit dhe qëndrimeve politike të secilit subjekt”.

Megjithatë, ai ka bërë të ditur se Kuvendi i Kosovës që nga dita e shtunë është futur në pushim dimëror, deri në javën e tretë të muajit janar. (rel)