Publikohet paga mesatare për muajin tetor në Maqedoni

denarPaga mesatare neto në muajin tetor në Maqedoni ka arritur deri 23.356 denarë dhe është rritur për katër për qind në krahasim me tetorin e vitit të kaluar, njoftoi Enti Shtetëror për Statistika.

Sipas të dhënave të publikuara, rritje të pagës neto ka në sektorët e artit, zbavitjes dhe rekreacionit, xehtari dhe nxjerrjen e gurrit dhe industrinë e përpunuar, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në krahasim me muajin shtator rritje të pagës neto është shënuar në sektorin e minierës dhe nxjerrjes së gurrit, transportit dhe furnizimit me ujë, largimit të mbeturinave nga uji dhe menaxhimit me mbeturinat.

Paga mesatare bruto në muajin tetor ka arritur 34.266 denarë dhe është rritur për 3.8 për qind në krahasim me tetorin e muajit të kaluar.

Në muajin tetor të këtij viti, 1.6 për qind e të punësuarve nuk kanë marrë rroga./Telegrafi/

VV: Sot u bë një lojë e pushtetit, sepse Specialja nuk shfuqizohet pa shfuqizimin e nenit kushtetues

GlaukDeputeti Glauk Konjufca ka thënë se sot patëm një nguti të pashpjegueshme e cila ka ardhur prej presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, transmeton Telegrafi.

“Kjo u prezantua si nismë ligjore që u nënshkrua nga 43 deputet duke marrë shkas nga një peticion i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së” tha ai. “Ka ndodhur një mashtrim për një draftim që ka qenë ligji më i shkurtë në botë, ku thuhet shfuqizohet Specialja dhe kjo hyn në fuqi menjëherë. Shumë deputetë nuk e kanë ditur që do t’i bashkëngjitet ajo pjesë e se janë pjesë e një skeme që del të jetë mashtruese”.

Sipas tij, iniciativa është e pasinqertë sepse nuk është shfuqizim i nenit kushtetues e pa këtë shfuqizim nuk bëhet shfuqizimi.

“Ajo që pamë është lojë e pushtetit për të krijuar iluzion se po hiqet Specialja. Ajo e ka bazamentin kushtetues e Kushtetuta është më e lartë se Ligji”, ka thënë ai duke shtuar se VV vazhdon të jetë kundër Speciales. “Duhet të na tregojnë pse sot u ngutën kështu. Ne nuk i nënshtrohemi presionit”.

Konjufca kërkoi që ambasadori amerikan Greg Delawie duhet të shkojë te presidenti Hashim Thaçi që dikur ishte mbështetësi më i madh i Speciales se tash i njëjti del të jetë kundër. /Telegrafi/

Kërkesa për shfuqizim të Gjykatës së Posaçme – reagojnë ashpër diplomatët

DelawieAmbasadorët amerikanë dhe britanikë në Kosovë reaguan ashpër sonte ndaj nismës për të diskutuar në parlament shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme për krime lufte.

Kryesia e parlamentit u mblodh dy herë të premten për të caktuar një seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje, pas një kërkese të nënshkruar nga 43 deputetë. Në mungesë të kuorumit ajo në të dyja rastet, ajo vendosi që të mos provojë mbajtjen e seancës. Në takimin e kryesisë nuk morën pjesë përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike, lëvizjes Vetëvendosje dhe as të Listës serbe.

Ambasadori amerikan Greg Delawie, i cili qëndroi në mjediset e parlamentit tha se “Shtetet e Bashkuara i kundërvihen çdo përpjekjeje për të ndryshuar apo shfuqizuar ligjin për Gjykatën e Posaçme. Më duhet të them se jam vërtetë i dëshpëruar që kjo doli prej asgjëkundi gjatë disa ditëve të fundit. Pa debat publik, për një çështje me interes thelbësorë për qytetarët e Kosovë, është e turpshme nga pikëpamja ime.

Këto përpjekje, nëse kanë sukses, do të kenë ndikime të thella negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës. Kjo do të konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si një thikë pas shpine. Kosova do të zgjedhë izolimin në vend të bashkëpunimit dhe më duhet të them se do të urrenim kthimin e orës prapa për Kosovën në përparimin e saj deri këtu.

U bëj thirrje udhëheqësve të Kosovës, të ndihmojnë në hedhjen poshtë të këtyre përpjekjeve. Të gjithë duhet të mendojnë për interesin e shtetit dhe dy milionë qytetarëve të Kosovës ne vend të interesave të tyre personale. Mbështetja ndërkombëtare për Kosovën është ndërtuar mbi idenë që Kosova do të merret me drejtësi me individët që kanë kryer krime lufte. Lëkundja nga ky angazhim do të ketë ndikime jashtëzakonisht negative për Kosovën, për qytetarët e saj dhe për marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara”, tha ambasadori amerikan.

Ambasadori britanik Ruari O’Connell, shprehu keqardhjen me përpjekjet për shfuqizimin e ligjit. Ai tha se “Kosova i ka dhënë besën BE-së dhe botës dhe nëse shfuqizohet tash ligji, reagimi do të jetë shumë i madh dhe dëmton dhe shkatërron Kosovën. Kemi investuar shumë në Kosovë për të pasur një shtet të qëndrueshëm dhe të fortë, kemi interes për të parë Kosovën shtet të ligjit. Nëse kjo ndodhë, kush mund të besojë që Kosova është shtet i ligjit. Shpresoj që çdo deputet do të marr parasysh interesin e shtetit të Kosovës. Shpresoj që ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe sonte mund të jetë nata më e rrezikshme për Kosovën që nga përfundimi i luftës”, tha ai.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova tha se “nisma e tillë është e tmerrshme dhe shumë e dëmshme për Kosovën. Një veprim i tillë do të rrezikonte të gjithë punën e përbashkët gjatë viteve të kaluara në sundimin e ligjit dhe drejtësisë dhe do të dëmtonte të gjithë ata që ngriheshin për t’i dhënë fund mosndëshkimit”.

Lidhja Demokratike e Kosovës braktisi mbledhjen e kryesisë së parlamentit e cila më pas u shty për në orën 21, duke kundërshtuar idenë për shfuqizimin e ligjit.

Në një deklaratë, nënkryetari i kësaj partie Kujtim Shala, tha se “hapat e nxituar mund të prodhojnë situate të reja që do të rrezikonin qëndrueshmërinë dhe do të dëmtonin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Tendencat për të shfuqizuar ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është tepër e rrezikshme dhe e fut vendin në aventura të paparashikueshme.

LDK vlerëson se të gjitha çështjet dhe posaçërisht ato me rëndësi jetike për ekzistencën e vendit, duhet të trajtohen me maturi dhe pa nxitim. LDK e sheh si jetike për vendin ruajtjen e raportit të miqësisë me SHBA-të, me vendet e BE-së dhe NATO-n. Kosova është vendi dhe shteti ynë që e kemi ndërtuar bashkë me miqtë tanë dhe së bashku do të ecim në rrugën e integrimeve euro-atlantike. LDK fton subjektet politike dhe institucionet e Kosovës që të reflektojnë në përputhje me interesat e qytetarëve të vendit tonë. Në asnjë rast nuk do të jetë pjesë e veprimeve të pamatura dhe nuk do të lejojë që fati i qytetarëve tanë të futet në rrugë të paqartë”.

Ideja për shfuqizim pasoi nënshkrimin e një peticioni nga ana e Organizatave të veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me anë të të cilit kërkohet nga parlamenti të ndryshohet dhe plotësohet ligji për Gjykatën e Posaçme për krime lufte, të cilën ata e cilësojnë diskriminuese për Kosovën. Peticioni me 16 mijë nënshkrime është dorëzuar në parlament.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, e cila me emrin “dhomat e posaçme” do të veprojë në Hagë me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës gjashtë vjet më parë, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Gjykata është vendosur në Hagë për faktin se siç është thënë dëshmitarët mund të ndiheshin të kërcënuar nëse proceset gjyqësore do të zhvilloheshin në Kosovë.

Hetimet rreth pretendimeve për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës. (voa)

Zbukurimet për festat e fundvitit

bredhiFestat më të mëdha e fundvitit po afrohet dhe zbukurimet për Krishtlindje ofrojnë një sfond mahnitës për të këtë kohë. Qytetet, ndërtesat publike dhe shumica e shtëpive private janë zbukuruar me pemë të Krishtlindjes, drita, Santa dhe figura të tjera. Disa tani janë duke u përgatitur edhe për Vitin e Ri.

Prej javësh pemët tradicionale të Krishtlindjes janë mbuluar nga dritat në komunitete në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe tani janë shtuar edhe menorat për festën hebraike Hanukkah. Dritat e festave ndriçojnë parqet dhe shtëpitë. Për disa amerikanë, sezoni i pushimeve është koha për të treguar anën e tyre artistike me zbukurimet. Një burrë nga Nju Albani, Indiana, ka shpenzuar 3,500 dollarë për të zbukuruar oborrin e tij, me pamjen e të cilit kënaqet gjithë komuniteti pranë.

“Është kënaqësia e jetës sime. Më mirë të bëj diçka për të tjerët se sa për veten. Ky jam unë” thotë Michael.

Fqinjët shpesh konkurrojnë me njëri-tjetrin. Një shtëpi në Nju Jork është zbukuruar me 215 mijë drita dhe e rrethuar nga dhjetra drerë, qirinj, pemë dhe babagjyshë Krishtlindjeje dhe figura të tjera. Por një familje në San Antonio të Teksasit ka zgjedhur dritat dhe muzikën nga filmat Star Wars.

Në shtëpitë private, zbukurimet tradicionale konkurojnë me të rejat. Një grua nga Kolorado e zbukuron shtëpinë e saj me më shumë se një mijë Santa ndërsa shumë familje duan diçka të re dhe ndryshe.

“Bronzi dhe argjendi. Dominojnë disa krijime bashkëkohore këtij viti” thotë Alexis Behan.

Shkollat, bizneset dhe organizatat e përdorin mundësinë për të sjellë ndërgjegjësim për çështjet që ata mbështesin. Një aktivitet për Krishtlindje në San Jose Kaliforni, mban disa pemë me mesazhe fetare, si dhe sociale e politike, të cilat disa njerëz i konsiderojnë të papërshtatshme.

“Për Krishtlindje festohet lindja e Krishtit dhe ajo që ai bëri për ne” thotë një vizitore e parkut.

Por organizatorët thonë se çdo shfaqje është e pranueshme me kusht që të mos jetë diskriminuese ose vulgare.

“Nuk është detyra jonë të gjykojmë, është të pranojmë. Dhe ka shumë fe të ndryshme, dhe shumë organizata të ndryshme që marrin pjesë” thotë një anëtar i bordit të aktivitetit “Christmas in the Park”.

Edhe pse ka akoma kohë për përgatitjet për Krishtlindje, qyteti i Nju Jorkut është duke u përgatitur për festën spektakolare të Vitit të Ri. Dy numra të mëdhenj që do të përbëjnë “2018” mbërritën në qytet të mërkurën dhe 200 llambat e tyre u testuan për t’u siguruar se do të punojnë gjatë numërimit të ndërrimit të viteve në mesnatë. (voa)

Kosovë: Reagime të ashpra ndërkombëtare kundër nismës për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale

parlamenti ksParlamenti i Kosovës mund të mbajë një seancë të jashtzakonshme për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë.

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it reagojnë ashpër ndaj përpjekjes së 43 deputetëve të kuvendit të Kosovës që me një seancë të jashtzakonshme ta shfuqizojë ligjin për Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë. Zhvillimet dramatike ndodhën në mbrëmjen e sotme (22.12), kur deputetët e kuvendit të Kosovës mblodhën 43 nënshkrime për të thirrur një seancë të jashtzakonshme. Të menjëhershme ishin reagimet e vendeve të QUINT-it  të cilat përpjekjen për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e cilësuan si ngjarje të paprecedent. Ambasadori i SHBA-së, Greg Delawie, tha se “Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë çdo përpjekjeje për të ndryshuar apo shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale”.

“Më duhet të them se jam vërtetë i dëshpëruar që kjo doli nga asgjëkundi gjatë disa ditëve të fundit. Pa debat publik për një çështje me interes thelbësorë për qytetarët e Kosovës. Është e turpshme nga pikëpamja ime. Këto përpjekje, nëse kanë sukses, do të kenë ndikime të thella negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës. Kjo do të konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si një thikë pas shpine. Kosova do të zgjedhë izolimin në vend të bashkëpunimit dhe më duhet të them se do të urrenim kthimin e orës prapa për Kosovën në përparimin e saj deri këtu. Mbështetja ndërkombëtare për Kosovën është ndërtuar mbi idenë që Kosova do të merret me drejtësi me individët që kanë kryer krime lufte.

Lëkundja nga ky angazhim do të ketë ndikime jashtëzakonisht negative për Kosovën, për qytetarët e saj dhe për marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara”, thuhet në deklaratën e ambasadorit amerikan Delawie.

Nismë shumë e dëmshme për Kosovën

Në të njëtën linjë u shpreh edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Kristian Heldt, i cili thotë se “Gjykata Speciale është pjesë e rëndësishme e sundimit të ligjit në Kosovë”. “Angazhimi për sundimin e ligjit është një gur themeli për zhvillimin e Kosovës. Gjykatat e Specializuara janë pjesë e rëndësishme e sundimit të ligjit të Kosovës. Çdo përpjekje për të ndryshuar këtë ligj mund ta zhvendosë Kosovën prapa në kursin e saj Euro-Atlantik dhe të dëmtojë marrëdhëniet me miqtë e saj më të afërt”, tha ambasadori gjerman Kristian Heldt.

Edhe ambasada britanike u shpreh e tmerruar me nismën e papritur për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Ambasadori, Ruari O’Conell, thotë se “Kosova i ka dhënë besën BE-së dhe botës dhe nëse shfuqizohet tash ligji, reagimi do të jetë shumë i madh dhe dëmton dhe shkatërron Kosovën. Kemi investuar shumë në Kosovë për të pasur një shtet të qëndrueshëm dhe të fortë, kemi interes për të parë Kosovën shtet të ligjit. Nëse kjo ndodh, kush mund të besojë që Kosova është shtet i ligjit. Shpresoj që çdo deputet do të marr parasysh interesin e shtetit të Kosovës. Shpresoj që ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe sonte mund të jetë nata më e rrezikshme për Kosovën që nga përfundimi i luftës”, u shpreh ambasadori britanik nga hapësirat e kuvendit të Kosovës.

Reagim pati edhe nga shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova.  Ajo tha se “nisma e tillë është e tmerrshme dhe shumë e dëmshme për Kosovën. Një veprim i tillë do të rrezikonte të gjithë punën e përbashkët gjatë viteve të kaluara në sundimin e ligjit dhe drejtësisë dhe do të dëmtonte të gjithë ata që ngriheshin për t’i dhënë fund mosndëshkimit”, tha Apostolova.

LDK kundërshton idenë për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale

I vetmi subjekt politik brenda kuvendit të Kosovës që  kundërshtoi idenë për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, është Lidhja Demokratike e Kosovës. Në një konferencë të jashtzakonshme për medie, nënkryetari i kësaj partie Kujtim Shala, tha se “hapat e nxituar mund të prodhojnë situata të reja që do të rrezikonin qëndrueshmërinë dhe do të dëmtonin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës”.

“LDK e sheh si jetike për vendin ruajtjen e raportit të miqësisë me SHBA-të, me vendet e BE-së dhe NATO-n. Kosova është vendi dhe shteti ynë që e kemi ndërtuar bashkë me miqtë tanë dhe së bashku do të ecim në rrugën e integrimeve euro-atlantike”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Nisma  për shfuqizim e ligjit për Gjykatën Speciale, pasoi nënshkrimin e një peticioni  të organizuar nga shoqatat e veteranëve të  luftës së ish-UCK-së të cilët mblodhën 16 mijë nënshkrime dhe kërkuan nga kuvendi që ta  ndryshojë ligjin për Gjykatën speciale për krime lufte. (dw)

Komisioni Europian nuk do të kthejë regjimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor

viza schengenAvramopoulos – KE i përkushtuar për të ruajtur udhëtimin pa viza në Schengen për Ballkanin Perëndimor, por apelon për përgjegjësi nga qytetarët dhe autoritetet e vendeve përkatëse.

Duke publikuar ҫështjet kryesore nga raportimi i Komisionit para Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian për funksionimin e regjimit pa viza me vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia si edhe me vendet e Partneritetit Lindor – Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, delegacioni i BE-së në Tiranë vuri në dukje se  Komisioni Europian thekson se kërkon përgjegjësi nga qytetarët dhe autoritetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Delegacioni i BE-së në Tiranë citon në njoftimin zyrtar, Dimitris Avramopoulos, Komisioner për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, i cili ka përshëndetur autoritetet e Shqipërisë për “përpjekjet e bëra për forcimin e masave në trajtimin e migrimit të parregullt dhe përmirësimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE, më të prekura deri tani”.

Raportimi i Komisionit Europian para Parlamentit dhe Këshillit Europian përbën një detyrim ligjor të Komisionit në kuadrin e mekanizmit të forcuar të pezullimit të vizave, të miratuar në mars 2017, për të monitoruar përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave për liberalizimin e vizave nga vendet jo-anëtare të BE. Qytetarët e Malit të Zi, Serbisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë filluan të udhëtojnë në BE pa vizë që nga dhjetori 2009, ata të Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës që nga fundi i vitit 2010.  Komisioni Europian do të raportojë gjithashtu për situatën në punët e brendshme dhe të drejtësisë në kuadër të raporteve të zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

60 vende anembanë botës përfitojnë nga udhëtimi pa viza në BE. Komisioni Europian thekson se në disa raste, vendimet për lëvizjen pa viza në Zonën Shengen mbështeten në progresin e bërë nga vendet e interesuara në zbatimin e reformave të mëdha në fusha të tilla si forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsioni dhe migracioni i paligjshëm dhe përmirësimi i kapaciteteve administrative në kontrollin kufitar dhe sigurinë e dokumenteve.

Në cilat raste Komisioni Europian pezullon udhëtimin pa viza në zonën Schengen?

Komisioni Europian ka parashikuar rastet kur udhëtimi pa viza në zonën Schengen të BE pezullohet. Kjo masë është parashikuar në rast se ka një rritje të konsiderueshme (më shumë se 50%) e migracionit të parregullt dhe kur qytetarëve nga vendet e BP që u është refuzuar azili vazhdojnë të qëndrojnë në mënyrë të parregullt. Pezullimi parashikohet të aplikohet edhe kur ka rënie të bashkëpunimit për riatdhesim, në rastet e rritjes së refuzimit të aplikimeve për riatdhesim. Dhe së fundi kur emigrantët e parregullt përbëjnë një rrezik në rritje për sigurinë e shteteve anëtare të BE dhe kur ata kanë kryer  vepra të rënda penale.

Komisioni do t’i raportojë përsëri Parlamentit Evropian dhe Këshillit për përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave për liberalizimin e vizave në vitin 2018. (voa)

OKB, miratohet rezoluta që refuzon njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet

okbAsambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA.

Në mbyllje të votimit, 128 vende u shprehën pro rezolutës, 9 kundër dhe 35 abstenuan. Shqipëria votoi pro rezolutës.

“Shtetet e Bashkuara do ta kujtojnë këtë ditë në të cilën u veçuan për t’u sulmuar në Asamblenë e Përgjithshme për vetë aktin e ushtrimit të së drejtës sonë si vend sovran”, tha ambasadorja e SHBA Nikki Haley në komentet e bëra në sallën e mbushur plot para votimit.

“Ne do ta kujtojmë këtë kur të na kërkohet përsëri të japim kontributin tonë në Kombet e Bashkuara, më i madhi në botë; do ta kujtojmë gjithashtu kur shumë vende të vijnë e të na kërkojnë, siç bëjnë aq shpesh, që ne të paguajmë akoma më shumë dhe të përdorim ndikimin tonë në dobi të tyre”, shtoi zonja Haley.

“Ata që mbështesin rezolutën e sotme janë si kukulla të manipuluara me fijet e mjeshtërve palestinezë”, tha ambasadori izraelit Danny Danon. “Jeni si marioneta të detyruara të kërceni, ndërsa udhëheqja palestineze ju vëzhgon e ngazëllyer,” tha ai.

Sesioni emergjent i Asamblesë së Përgjithshme u kërkua nga palestinezët me mbështetjen e vendeve arabe dhe atyre të paangazhuara.

Votimi në Asamblenë e Përgjithshme

Sesioni u mbajt pas vetos që SHBA i vuri të hënën në Këshillin e Sigurimit një projekt-rezolute pothuajse të njëjtë, të cilën të gjithë anëtarët e tjerë të këshillit e mbështetën.

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme riafirmon statusin e veçantë të Jeruzalemit si një qytet i shenjtë dhe si një çështje e statusit përfundimtar që do të zgjidhet në negociatat e ardhshme izraelito-palestineze.

Aty thuhet gjithashtu se “të gjitha vendimet dhe veprimet që pretendojnë të kenë ndryshuar karakterin, statusin ose përbërjen demografike të Qytetit të Shenjtë të Jeruzalemit nuk kanë efekt ligjor, janë të pavlefshme dhe duhet të anulohen”.

Ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, kjo rezolutë nuk është ligjërisht e detyrueshme për t’u zbatuar, por mbart peshë morale, duke demonstruar vullnetin e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare.

Ajo u miratua me më shumë se dy të tretat e 172 vendeve që votuan – 128 vende e mbështetën, nëntë votuan kundër dhe 35 vende abstenuan.

Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit iu bashkuan në votimin “jo” Guatemala, Hondurasi, Ishujt Marshall, Mikronezi, Nauru, Togoja dhe Palau.

Më shumë se 20 vende nuk u paraqitën në votim, përfshirë Ukrainën dhe Gjeorgjinë, të cilat kanë kërkuar ndihmën e SHBA për të frenuar agresionin rus ndaj vendeve të tyre.

Një fushatë presioni

Më parë këtë javë, ambasadorja e SHBA, Haley, u shkroi shumë vendeve anëtare të OKB-së dhe i paralajmëroi se do të mbante shënim emrat dhe do t’i raportonte Presidentit Donald Trump se si votuan vendet e ndryshme, duke vënë në dukje se presidenti po e merrte votën e së enjtes në mënyrë personale.

“Historia i regjistron emrat, i kujton emrat,” tha në Asamblenë e Përgjithshme ministri Jashtëm palestinez Riyad al-Maliki. “Emrat e atyre që i qëndrojnë asaj që është e drejtë dhe të atyre që flasin gënjeshtra.” “Sot ne jemi kërkues të të drejtave dhe të paqes,” shtoi ai.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu edhe posaçërisht në Nju Jork për të marrë pjesë në seancën e veçantë. Ai hodhi poshtë me zemërim paralajmërimin e zotit Trump se nëse vendet votojnë kundër Shteteve të Bashkuara, ai mund t’u shkurtojë ndihmat.

“Një qëndrim i tillë është i papranueshëm,” tha zoti Cavusoglu. “Ky është frikësim dhe kjo sallë nuk do të përulet para kësaj. Është joetike të mendosh se votat dhe dinjiteti i shteteve anëtare mund të shiten e blihen. Ne nuk do të frikësohemi.”

Por lobimi i SHBA përpara votimit i bindi disa vende të abstenonin, duke përfshirë fqinjët, Kanadanë dhe Meksikën.

“Meksika nuk e sheh si pozitive apo të dobishme për procesin e paqes faktin që u bë një deklaratë e njëanshme për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit”, tha pas votimit ambasadori Juan Gomez Camacho. “As nuk besojmë se është e dobishme, dhe e shohim si joproporcionale, të thërrasim një mbledhje emergjente të Asamblesë së Përgjithshme”, tha ai.

Edhe në Bashkimin Evropian prej 28-vendesh, disa anëtarë e braktisën konsensusin për Jeruzalemin, përfshirë Republikën Çeke, Poloninë dhe Hungarinë, të cilat abstenuan.

Më parë këtë muaj, Presidenti i SHBA Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit dhe po fillojnë procesin e lëvizjes së ambasadës së SHBA atje.

Izraeli e konsideron tërë Jeruzalemin si kryeqytetin e tij të përjetshëm, ndërsa palestinezët duan Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e një shteti të ardhshëm dhe thonë se Shtetet e Bashkuara nuk janë më një partner i besueshëm në procesin e paqes.

Administrata Trump thotë se është e angazhuar për një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme në qoftë se kjo është diçka që palët e dëshirojnë dhe se vendi fizik i ambasadës amerikane nuk duhet të ketë ndikim në bisedime. (voa)

Kosovë, debat për Vettingun në sistemin e drejtësisë

KorupsioniNjë raport i publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi nxjerr në pah se shumica e aktakuzave të ngritura për korrupsion në nivelin e lartë, kanë dështuar.

Këto të dhëna janë pjesë e raportit të vëzhgimit të rasteve të korrupsionit në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, me titullin “Luftë, persekutim apo amnisti në emër të luftës kundër korrupsionit? – Zgjidhja/Vetingu?”

Betim Musliu nga ky institut tha se profili i korrupsionit që ndiqet më së shumti në Kosovë ka të bëjë me rastet e ulta ndërsa ai i nivelit të lartë po dështon të luftohet.

“67 për qind e këtyre rasteve që janë ngritur aktakuzat gjatë vitit 2016 kanë dështuar. Prej 33 personave të profilit të lartë të cilët janë akuzuar dhe gjykuar në vitin 2016, ndaj shtatë personave është shpallur aktgjykim dënues në shkallë të parë, ndaj nëntë personave është shpallur aktgjykim lirues, ndaj një personi aktgjykim refuzues, ndaj katër personave është hedhur poshtë aktakuza ndërsa ndaj 12 personave vazhdon procesi gjyqësor. Në rastin e parë ku ka pasur aktgjykim dënues në shkallë të dytë prej këtyre shtatë personave vetëm ndaj një personi është vërtetuar dënimi dhe ky është një dënim me kusht prej dhjetë muajve”, tha zoti Musliu.

Ambasadori britanik në Kosovë Ruairí O’Connell tha se korrupsioni shkatërron demokracinë dhe parandalon çdo zhvillim ekonomik. Ai thotë se një vend ku kriminelët veprojnë pa u ndëshkuar për veprat e tyre krijon kulturën që korrupsioni të jetë i pranueshëm dhe rrezikon të ardhmen. Ambasadori O’Connell vuri theksin te mungesa e rezultateve në luftimin e korrupsionit te zyrtarët e lartë të shtetit.

“Me keqardhje më duhet të them se rezultatet mungojnë. Nuk ka asnjë person të profilit të lartë të dënuar me burgim efektiv për shkak të korrupsionit. Shumë zhurmë bëhet në fillim dhe në fund të gjithë lirohen ose marrin dënime të buta. Këtë vit nga tri aktakuza të ngritura të profilit të lartë, dy prej tyre kanë dështuar, ku mbeti llogaridhëni?. Kjo po ndikon në vazhdimësi te ulja e besimit të qytetarëve në organet e drejtësisë. Kjo sa është e dëmshme për shtetin e Kosovës aq është edhe e rrezikshme”, tha ambasadori O’Connell.

Zyrtarë të institucioneve qeveritare dhe atyre të drejtësisë kanë mendime të ndryshme nëse do të duhej që edhe në Kosovë të zhvillohej një verifikim i sistemit të drejtësisë sikurse ai që po ndodh në Shqipëri.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se institucionet po punojnë në përmirësimin e ligjeve që do të mundësonin forcimin e luftës kundër korrupsionit. Ai thotë se është në favor të një verifikimi të vazhdueshëm të sistemit të drejtësisë.

“Nuk mund të konsiderojmë që të ndodh më 2018 një proces i tillë dhe pastaj edhe 20 vjet të mos ketë procese të tilla. Duhet të kemi mekanizma që në vazhdimësi në kohë të caktuara do të ndodh një proces i tillë”, tha ministri Tahiri.

Kryetarja e Komisionit për drejtësi në Parlamentin e Kosovës Albulena Haxhiu thotë se është shumë e rëndësishme që Kosova ta bëjë vlerësimin e hollësishëm të secilit prokuror dhe gjyqtar.

“Kjo është shumë e rëndësishme të bëhet dhe këtë e kërkojnë edhe prokurorët dhe gjyqtarët të cilët janë të guximshëm, por që të vetëm nuk mund të veprojnë për shkak se kemi problem sistemin dhe sigurisht që procesi i Vettingut jo si ai që ka ndodhur në vitin 2009 dhe 2010 sepse personat që janë larguar në atë kohë janë kthyer sërish në sistem dhe unë mendoj që kjo është goxha problematike”, tha zonja Haxhiu.

Kryetari i Gjykatës së Lartë të Kosovës, Enver Peci, tha se mekanizmi llogaridhënës është një proces më i mirë i verifikimit të gjyqtarëve.
“Edhe nëse bëhet Vettingu, do të shkojë përmes këtyre mekanizmave, nuk ka rrugë tjetër për të parë bartësit e funksioneve se si po funksionojnë. E kemi komisionin për performancën që duhet të përforcohet shumë ku do të shikoj edhe pjesën kualitative dhe ata që nuk janë të denjë dhe profesionistë për ta kryer punën e tyre duhet të shkarkohen”, tha zoti Peci.

Edhe, zyrtarë të lartë të institucioneve kanë vënë theksin tek nevoja e një verifikimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si një hap për përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

Hulumtimet e ndryshme vazhdojnë të nxjerrin Kosovën si një nga vendet më të prekura nga shkalla e korrupsionit, ndërsa luftimi i tij është vënë kusht për Kosovën nga zyrtarët e lartë evropian, të cilët thonë se pa rezultate në këtë fushë, Kosova nuk mund të ecën përpara drejt rrugës së saj evropiane dhe heqjen e vizave për qytetarët e saj. (voa)

Erozioni gllabëron zonat bregdetare të Shqipërisë

Shumë njerëz e vënë në dyshim ekzistencën e ndryshimeve klimatike apo ndikimin e njeriut tek klima. Por në zonat bregdetare të Shqipërisë banorët thonë se ka kanë prova konkrete që e dëshmojnë këtë problem. Avancimi i detit në zonat bregdetare ka gllabëruar dhjetëra metra plazh gjatë dekadave të fundit dhe po dëmton biznesin dhe mënyrën e jetesës së banorëve, siç vihet në dukje në materialin e përgatitur nga Agjencia Franceze e Lajmeve, AFP.

Ndërtesat prej betoni shtrihen përgjatë bregut të Adriatikut në qytezën turistike të Shëngjinit. Por në ujërat e detit sheh shumë ndërtime të mbuluara pjesërisht, provë e avancimit të vijës së detit që po gllabëron brigjet ranore. Nga 427 kilometra vijë bregdetare që ka Shqipëria, 154 kilometra janë të prekura nga erozioni.

Banorët lokalë fajësojnë ndërtimet pa leje që zaptuan bregdetin pas ndërrimit të sistemeve. Hotele, shtëpi pushimesh, restorante e ndërtime të tjera të ngritura buzë detit dëmtuan rryma e natyrshme të ujit, duke shkaktuar erozion të përshpejtuar, ankohen banorët e Shëngjinit.

Përveç vijës bregdetare që tërheq turistë gjatë sezonit të plazhit, zona frekuentohet edhe nga entuziastë të natyrës, pasi këtu gjendet Laguna Kune, e njohur për florën dhe faunën e pasur. Përmbytjet e shpeshta e të fuqishme po kërcënojnë mënyrën e jetesës për banorët lokalë.

Problemi vërehet në pika të ndryshme gjatë vijës bregdetare të Shqipërisë. Biznesmeni Asim Krasniqi ka vërejtur se vëllimi i punës ka rënë ndjeshëm me ngushtimin e zonës ranore pranë lokalit të tij në Qerret:

Autoritetet janë zotuar të pastrojnë bregdetin nga ndërtimet pa leje. Por specialistët thonë se këto masa nuk mjaftojnë dhe se duhen ndërtuar barriera mbrojtëse përgjatë bregdetit për të penguar erozionin. Struktura të tilla kanë kosto të lartë dhe praktikisht të papërballueshme për një ndër vendet më të varfra të Evropës, një vend nën mëshirën e detit që po tkurret fizikisht dita-ditës. (voa)

Gjermania dhuron nëntë milionë euro të pakthyeshme për Maqedoninë

ambasadori gjermanSot në Shkup është nënshkruar një marrëveshje ndërmjet Gjermanisë dhe Maqedonisë për bashkëpunim financiar ndërmjet dy shteteve.

Marrëveshja është nënshkruar ndërmjet ministrit të Financave, Dragat Tevdovski, si edhe ambasadorit gjerman në Shkup, Thomas Gerberich, njofton Telegrafi Maqedoni.

Nga Kryeministria bëjnë të ditur se marrëveshja mbulon dy projekte kyçe: programin për ujitje të luginës jugore të Vardarit – faza 2, si edhe programi për ujësjellës dhe kanalizim-faza 2.

Mjetet në vlerë prej 9 milionë euro janë të pakthyeshme. Përndryshe, deri tani Gjermania ka dhënë 320 milionë euro mbështetje në projekte për Maqedoninë./Telegrafi/