Irlanda: humbësja e Brexitit

irlandaIrlanda ka frikë se do të pësojë humbje të konsiderueshme ekonomike kur Britania e Madhe të largohet nga BE-ja dhe të rivendosen doganat.

Pas Brexitit kufiri mes BE-së dhe Britanisë së Madhe do të kalojë në kufirin midis Irlandës dhe Irlandës së Veriut. Pikërisht në këtë zonë sipërmarrësit irlandezë kanë përfituar deri tani nga mungesa e barrierave dhe nëse vendoset sërish regjimi doganor kjo do të sjellë vështirësi.

Për shembull birra e famshme Guinness prodhohet në Dublin, por shishet dhe kanaçet me birrë nuk mbushin aty, por në Irlandën e Veriut. Dhe kur Irlanda e Veriut si pjesë e Britanisë së Madhe të mos jetë më në BE kjo do të ketë pasoja të mëdha.

Deri tani nuk ka kufizime dhe kontrolle doganore midis Irlandës së Veriut dhe Irlandës. Dublini do që kjo të mbetet kështu, sepse rreth një e pesta e të gjitha eksporteve dhe e shërbimeve irlandeze dhe dy të pestat e të gjitha ushqimeve irlandeze eksportohen në Britaninë e Madhe.

Vërtet që ekonomia irlandeze do të vuajë prej Brexitit thotë James Quinn, që ka një firmë spedicioni. Të gjitha importet dhe eksportet e Irlandës kalojnë përmes portit të Dublinit për në Britaninë e Madhe dhe nga këtu për në Evropë. Pra në të ardhmen në një zonë jashtë BE-së, pra pas Brexitit rruga për në Evropë do të zgjasë më tepër dhe do të jetë më e shtrenjtë, thotë James Quinn.

Frikë nga falimentimi 

Disa qindra sipërmarrje të mesme do të preken fort prej Brexitit. Njëra syresh është Cootehill Engineering. 10 punonjësit e saj prodhojnë pajisje çeliku. Gerry McIntyre e ka ngritur këtë firmë para 5 vjetësh.

Tani ai ka frikë se prej Brexitit mund edhe të falimentojë. “Firma jonë e blen dhe e përpunon çelikun me makineritë tona. Pra ne importojmë nga Anglia dhe i eksportojmë prodhimet tona në të gjithë botën. 95% e produkteve tona hyjnë përmes kufirit anglez dhe kur eksportojmë duhet të kalojmë përsëri nga ky kufi.” – thotë ai me shqetësim.

Brexit i ashpër

Irlandezët nuk i pyeti askush kur u bë referendumi për Brexitin. Por ata do të preken më fort nga të gjithë nga Brexiti si ekonomikisht, politikisht dhe nga pikëpamja njerëzore. Për të ruajtur statusin e deritanishëm të qarkullimit pa dogana, Londra duhet të tregohet e mirësjellëshme dhe t’i ofronte Dublinit marrëdhënie tregtare, si në kuadrin e Bashkimit Doganor të BE-së dhe në Tregun e Brendshëm. Por pikërisht këto janë organizmat nga kryeministrja Theresa May dëshiron të largohet, sikurse e kërkon krahu i ashpër pro Brexitit në partinë e saj. (dw)

Wolfgang Petritsch: Vendet e Ballkanit duhet të përballen me të kaluarën

WolfgangPas përfundimit të Tribunalit të Hagës e kanë radhën vendet e Ballkanit që të përballen me të kaluarën, mendon Wolfgang Petritsch.

“Jam i shokuar për vetëvrasjen e Slobodan Praljakut dhe gabimet në masat e sigurisë janë të pafalshme” – thotë për DW-në Wolfgang Petritsch ish-përfaqësues i lartë për Bosnjen dhe Hercegovinën. Por sipas tij megjithë këtë Gjykata e Hagës ka bërë një punë të mirë për zbardhjen e krimeve të luftës në ish-Jugosllavi. Tani duhet që në rajon të nisë pajtimi dhe nismën për këtë duhet ta marrin njerëzit dhe politika, thekson politikani socialdemokrat austriak.

Sipas Wolfgang Petritsch pas përfundimit të punës së gjykatës ndërkombëtare duhet që në nivel nacional të forcohet ligji dhe gjykatat. Detyra e tyre dihet të jetë jo vetëm luftimi i korrupsionit, por ato duhet edhe të vazhdojnë proceset për krime lufte. Po ashtu duhet të forcohet shoqëria civile, e cila në Serbi është e fortë dhe që duhet të bëhet më aktive edhe në vendet e tjera të rajonit.  Përballja me të kaluarën duhet të bëhet prej të gjithëve, mendon Wolfgang Petritsch, pavarësisht nëse ata e shohin veten në rolin e viktimës apo konsiderohen si kriminelë.

Sa i përket këmbënguljes së disa politikanëve në narativet nacionaliste dhe etnike, apo pretendimit të presidentit të Republika Srpska, Milorad Dodik, për të vënë në diskutim kufijtë ekzistues, Wolfgang Petritsch thotë se vënia në diskutim e kufijve do të shkaktojë tragjedi të reja. “Faktori etno-nacional është njëri prej faktorëve, por jo vendimtar për paqen në rajon. Integrimi evropian bën të qartë se në një hapësirë të madhe mund të përjetohen të përbashkëtat si ekonomikisht edhe kulturalisht”, thotë Petritsch.

Sipas tij bashkëpunimi me Evropën duhet të jetë sidomos për serbët prioritet absolut, “sepse vetëm në një Evropë të bashkuar serbët mund të jenë të bashkuar. Një bashkim në një krijesë multietnike apo multinacionale si ish-Jugosllavia, nuk mund të krijohet më. Efektet pozitive mund të arrihet vetëm në një Evropë më të madhe dhe ky vizion duhet të rrënjoset më thellë në zemrat dhe mendjet e njerëzve”, thotë  Petritsch.

Diplomati austriak Wolfgang Petritsch ishte nga viti 1999 deri 2002 Përfaqësues i lartë për Bosnjen dhe Hercegovinën. Në këtë funksion ai drejtoi zbatimin e marrëveshjes së Dejtonit të 14. dhjetorit 1995, që nënshkruan ish-presidentët Slobodan Milosheviq, Franjo Tugjman (Kroaci) dhe kryetari i presidiumit boshnjako-hercegovinas Alija Izetbegoviq. (dw)

Mjekësia disponon mjetet për t’i dhënë fund SIDA-s

drKombet e Bashkuara njoftuan se është arritur përparim i rëndësishëm në izolimin e virusit të SIDA-s. Në raportin më të fundit të UNAIDS thuhet se është rritur qasja tek ilaçet, ndërsa objektivi i OKB-së është që t’i japë fund kësaj pandemie deri në vitin 2030. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, bisedoi me një nga shkencëtarët më të njohur të botës, nëse mund të arrihet ky objektiv.

Që në vitet ’80-të, kur SIDA ishte një dënim me vdekje, Dr. Anthony Fauci ka punuar për t’i dhënë fund kësaj sëmundjeje pandemike.

Tani, ai thotë se i kemi mjetet për t’ja dalë mbanë.

“Kemi tashmë ilaçe jashtëzakonisht të efektshme, të cilat kanë provuar gjatë viteve të fundit se jo vetëm shpëtojnë jetët e njerëzve që marrin ilaçin, por edhe ulin nivelin e virusit në trupin e bartësit. E bën pothuajse të pamundur që personi t’ja transmetojë virusin dikujt tjetër”, thotë dr. Anthony Fauci, i Institutit Kombëtar të Shëndetit.

Terapia nëpërmjet ilaçeve është thjeshtësuar tashmë dhe shumë njerëz në vendet në zhvillim kanë qasje tek ilaçet më të reja. Ekziston edhe ilaçi “Truvada” që parandalon marrjen e virusit HIV nga njerëzit që nuk e kanë.

UNAIDS njofton se mbi gjysma e njerëzve që kanë virusin HIV, po marrin trajtim mjekësor, por se 16 milionë të tjerë të infektuar nuk marrin ilaçe. Shumë prej tyre nuk e dinë ende se mbartin virusin dhe ja kalojnë të tjerëve.

“Që t’i jepnim vërtet fund epidemisë, do të na ndihmonte shumë një vaksinë kundër virusit HIV”, thotë dr. Fauci.

Një testim i vaksinës në Tailandë, rezultoi me vetëm 31% efektshmëri.

Por, p.sh. efektshmëria e vaksinës ndaj fruthit është në nivelin 99%. A munden shkencëtarët të krijojnë një vaksinë për SIDA-n që të jetë po kaq e mirë?

“Nuk mendoj se do ta arrijmë vaksinën e plotë, por edhe sikur të jetë 50-60% e efektshme, mendoj se do ta ulte trajektoren e epidemisë në kombinim edhe me ilaçet e tjera që disponojmë tashmë”, thotë dr. Fauci.

Një tjetër testim i vaksinës po bëhet në Afrikën e Jugut. Rezultatet duhet kohë që të mblidhen, dhe nuk ekziston një mënyrë për të kuptuar nëse do të mjaftojë për ta ndalur SIDA-n.

Ndërkaq, duhet që më shumë njerëz të testohen dhe të kenë qasje tek shërbimet mjekësore. UNAIDS njofton se që nga viti 2000, në Afrikën Nënsahariane janë përgjysmuar rastet e infektimit me virusin HIV. Por në Evropën Lindore dhe në Azinë Qendrore, rastet e infektimit me SIDA janë rritur me 60% gjatë viteve të fundit.

Dhënia fund e kësaj pandemie është tashmë është në duart e komunitetit botëror që duhet të përcaktojë fonde për këtë objektiv. (voa)

Gruevski paralajmëron dorëheqje nga kreu i VMRO-DPMNE-së

GruevskiPas dorëheqjes së paralajmëruar nga lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, Komiteti i Përgjithshëm i kësaj partie ka propozuar mbajtjen e Kongresit të jashtëzakonshëm më 23 dhjetor të këtij viti.

Në Kongresin e jashtëzakonshëm të dhjetorit pritet të shqyrtohet dorëheqja e paralajmëruar e liderit të partisë, Nikolla Gruevski.

Ndryshe, Nikolla Gruevski në një intervistë për “Kurir” gjatë fundjavës tha se shpreson që dorëheqja e tij si kryetar i partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE-së do të ndihmojë në zgjidhjen e kizës aktuale politike.

Njëherësh, paralajmërimi i Nikolla Gruevskit se pas 15 vjetësh planifikon të tërhiqet nga posti i kryetarit të partisë, ka shtuar ambiciet e personaliteteve të caktuara të VMRO-DPMNE-së për të marrë në dorë drejtimin e partisë.

Megjithatë, ende ka shumë dilema se dorëheqja e tij do të realizohet.

Mitko Gaxhovski nga Fakulteti i Shkencave Politike thotë se kryesia e partisë mund të mos e pranojë dorëheqjen e Gruevskit dhe ai të mbetet edhe më tej në krye të saj.

“Mendoj se një nga skenarët e mundshëm është që të mos pranohet dorëheqja e Gruevskit për t’u larguar nga kreu i partisë dhe me këtë të demonstrohet në opinion se VMRO-DPMNE qëndron pas tij si lider”, thotë Gaxhovski.

Por, një mendim ndryshe shpreh Alajdin Demiri njohës i çështjeve politike, duke theksuar se ulja e Nikolla Guevskit në bankën e të akuzuarve në gjykatë për më shumë vepra penale, ka ndikuar që vet anëtarësia e VMRO-DPMNE-së të drejtojë gishtin kah ai si fajtorë për çuarjen e partisë në opozitë.

“Duhet theksuar se Nikolla Gruevski në llogari të VMRO-DPMNE-së nuk ka bërë gabime politike. Ai ka qenë në vija të VMRO-së dhe nacionalizmit të tij, mirëpo ka bërë shumë gabime në menaxhimin e partisë, keqmenaxhimin e shtetit, krijimin e një strumbullari të krimit në listën udhëheqëse të partisë, dhe kjo është arsyeja se pse Gruevski detyrohet të largohet nga drejtimi i partisë”, thekson Demiri.

Ndërkohë nismëtarët për reforma në VMRO-DPMNE, të cilët në vazhdimësi kanë kërkuar largimin e Nikolla Gruevskit nga kreu i partisë, thonë se me prioritet është të reformohet partia në plan të brendshëm dhe të miratohet një statut i ri që do të mundësojë demokratizimin e partisë, dhe pastaj në një frymë demokratike të krijuar brenda partisë të zgjidhet njeriu që do të ketë afinitete reformuese që ta rikthejë partinë në pushtet. (rel)

Kosovë: Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi në kuvend

jugosllavia hartaMarrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi e vitit 2015 dhe gjetjet e reja të komisionit të ri shtetëror mbi këtë marrëveshje i kanë komplikuar raportet brenda koalicionit qeveritar të drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Qeveria e Kosovës më në fund vendosi që ta dërgojë në parlament projektligjin për ratifikim të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, ndonëse kjo marraveshje nuk ishte dërguar asnjëherë në parlament, për faktin që nuk i kishte votat për t’u ratifikuar. Marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2015 kjo qeveri e kryesuar nga Ramush Haradinaj i bashkangjiti edhe gjetjet e reja të Komisionit Shtetëror për kufirin, komision ky i emëruar nga vet kryeministri Haradinaj. Mirëpo, brenda vet qeverisë së Kosovës në përbërje të së cilës janë, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën dhe lista Srpska, ka qëndrime të kundërta rreth demarkacionit me Malin e Zi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon të besojë që marrëveshja e kufirit me Malin e Zi e vitit 2015 nuk është e drejtë dhe Kosova humbet teritor, ndërsa zëvendësi i tij nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë se marrëveshja e vitit 2015 është e saktë, por gjetjet e komisonit të ri, sipas Hoxhajt, vetëm sa e kanë komplikuar situatën.

Konstatimet e komisioit të ri të kufirit me Malin e Zi, i prezantoi sot kryesuesi i këtij komisioni, Shpetim Bulliqi, i cili tha, se “komisioni njëzëri ka konstatuar, që vija kufitare e përcaktuar me marrëveshjen për kufirin e ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e arritur më 26 gusht 2015, nuk është në përputhje me vijën administrative kufitare të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës”.

“Ish-komisioni i ka tejkaluar kompetencat, duke i lejuar vetes t’i futet përcaktimit të vijës së re ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, pa një marrëveshje ndërkombëtare paraprake. Ish-komisioni ka qenë i thirrur të shënjojë vijën e dikurshme kufitare dhe në asnjë mënyrë të shënjojë vijë të re kufitare me Malin e Zi”, tha Shpetim Bulliqi.

Partia Demokratike e Kosovës dhe kryetari i saj, Kadri Veseli, që është edhe kryetar i parlamentit, e përshëndeti vendimin e qeverisë që ta procedojë në kuvend për ratifikim marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe njëkohësisht u bëri thirrje deputetëve që ta votojnë.

“Përshëndes vendimin e qeverisë për ta sjellë në kuvend Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është i qartë. Marrëveshja duhet të kalojë dhe vota jonë është ‘pro’, siç e kemi thënë në vazhdimësi. Izolimi i qytetarëve tanë duhet të marrë fund. Presim nga Bashkimi Evropian liberalizimin e vizave”, shkroi në profilin e tij Kadri Veseli.

Në të njejtën linjë u shpreh edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, i cili tha se “më në fund duhet të marrin fund debatet rreth demarkacionit dhe t’i hapet rruga perspektivës së të rinjve kosovar”.

“Dua të besoj në vullnetin politik dhe shtetëror të përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve, por njëkohësisht ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake të tyre, që të jenë të bashkuar në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje ndër-shtetërore. Ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi i jep fund izolimit të vendit tonë, duke mundësuar heqjen e regjimit të vizave”, u shpreh Presidenti Hashim Thaci.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta kundërshtojë demarkacionin e vitit 2015 me Malin e Zi, por nuk e kundërshton Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila u shpreh në favor të votimit të marrëveshjes së vitit 2015.

Sidoqoftë, marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, e nënshkruar në vitin 2015 tashmë është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi, po jo nga ai i Kosovës. Për ratifikimin e saj nga kuvnedi i Kosovës, nevojiten 81 vota. Në këtë situatë dhe atmosferë politike në të cilën ndodhet Kosova vështirë se do të mund të sigurohen dy të tretat e votave të deputetëve, pra 81. Mosratfikimi, që nënkupton hedhjen poshtë të marrëveshjes së vitit 2015 sipas analistëve do ta komplikojë edhe më shumë situatën dhe mund të përkeqësojë raportet me shtetin fqinjë të Kosovës, Malin e Zi. Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi nga Kosova është kusht i Komisionit Evropian që Kosova të gezojë lirinë e lëvizjes pa viza. (dw)

Përse përmbytemi?

permbytjet2Në fillim të këtij viti, qeveria shpërndau 61 ekskavatorë të rinj për bashkitë e vendit, të cilat sipas kryeministrit do garantonin ujitjen e tokave por dhe do të shmangin përmbytjet.

“Ambicia jone dhe objektivi ynë që do të realizohet brenda këtij viti është që të mos ketë asnjë parcelë ku uji të mos shkojë dhe kullimi të mos jetë i garantuar”, tha Kryeministri Rama.

Por kur nuk është mbushur asnjë vit nga mbërritja e flotës së ekskavatorëve siç e pati quajtur Kryeministri, Shqipëria u përmbyt sërish. Madje këtë herë dëmi është disa herë më i lartë.

“Në radhë të parë duhet bërë një studim i plotë për të evidentuar gjendjen e argjinaturave. Kur është e mundur të bëhen riparime të argjinaturave, ndërsa atje ku mungojnë të ndërtohen argjinatura të reja”, shprehet Vladimir Agalliu, ekspert hidroteknik për argjinaturat.

Dhimtër Vogli, i cili ka drejtuar institutin e studimeve të bonifikimit thotë se shumë nga lumenjtë problematikë kërkojnë ndërhyrje në themel.

“Argjinaturat e Vjosës janë ndërtuar para 60 vjetësh. Por janë ndërtuar mbi bazën e kushteve që ishin atëherë, me vetëm 10 vjet vrojtime. Me mundësitë teknike që ishin atëherë. Sot janë mundësitë më të mëdha, qoftë tek ekskavatorët qoftë tek gërmimet. Së dyti në 60 vjet mund të ketë ndryshuar regjimi i lumit”, shprehet Vogli.

Por sipas tij, këto studime nuk ka kush i realizon më, pasi Shqipëria i ka mbyllur institutet që kishin ekspertizën e nevojshme. Dhe në vend që të mbrojë qytetarët nga përmbytjet, shteti është bërë vetë shkaktari i tyre.

Kur ndërtohet një rrugë duket të mos përkeqësojë regjimin e ujërave. Rruga duhet të jetë e fundit që përmbytet dhe jo e para”, thotë Vogli.

Top Channel

Xhafaj: Skanuam njerëzit e krimit. U mbyll faza paraprake e betejës

Ashtu siç raportoi Top Channel pak ditë më parë, policia ka tashmë një hartë të shtrrirjes së grupeve kriminale në Shqipëri.

 Përpara ekspertëve të huaj, në konferencën rajonale kundër krimit të organizuar që po zhvillohet në Tiranë, ministri Brendshem Fatmir Xhafaj u zotua për tolerancë zero gjatë operacionit “Forca e Ligjit”.

“Ka përfunduar faza paraprake, ajo e katalogimit të grupeve kriminale me të dhëna për persona, lidhjet e tyre kriminale, aktivitetet e rënda kriminale të dyshuara se kryhen prej tyre, pasuritë që zotërojnë, investimet ekonomike të bëra me të ardhura nga aktiviteti kriminal, zonat e ndikimit, lidhjet me grupe të tjera jashtë vendit apo mbështetjet e siguruara në vite për të lehtësuar veprimtarinë e tyre”, tha Xhafaj.

Në prag të përfundimit të mandatit të Adriatik Llallës, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj tha se reforma në drejtësi do të sjellë që marrëdhënie tjetër mes policisë dhe organit të akuzës.

“Prokuroria gjithashtu ka detyrat dhe përgjegjësitë e veta. Natyrisht me ndryshimet e rëndësishme që do të pësojë prokuroria si rrjedhojë e reformës në drejtësi, unë jam shumë i bindur që do të kemi një partneritet tjetër dhe një marrëdhënie shumë më të besueshme seç kemi sot”, u shpreh ai.

 Top Channel

Qeveria e Kosovës dërgon në parlament marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi

Kosova CakorQeveria e Kosovës vendosi të hënën ta dërgojë në parlament projektligjin mbi marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi, bashkë më gjetjet e Komisionit Shtetëror për kufirin, raporti i të cilit u publikua sot në mbledhjen e qeverisë.

Sipas këtij komisioni marrëveshja e nënshkruar në gusht të vitit 2015 për kufirin me Malin e Zi, e ka cenuar tërësinë tokësore të Kosovës. Kryetari i komisionit, Shpejtim Bulliqi, tha se është konstatuar njëzëshëm se “vija kufitare e përcaktuar me marrëveshjen për kufirin e ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e arritur më 26 gusht 2015, nuk është në përputhje me vijën administrative kufitare të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, shfaqi mospajtimin me gjetjet e komisionit që sipas tij, vetëm sa e ka ndërlikuar situatën dhe nuk ka paraqitur fakte dhe argumente bindëse që vërtetojnë se marrëveshja ka qenë e dëmshme apo e gabuar.

Komisioni i ri për vlerësimin e vijës kufitare me Malin e Zi është ngritur me vendim të qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili që nga fillimi ishte një nga kritikuesit më të mëdhenj të marrëveshjes së arritur.

Marrëveshja është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi dhe sipas zyrtarëve në Podgoricë ajo është e përfunduar dhe nuk mund të rinegociohet.

Marrëveshja ndërkaq nuk është ratifikuar nga Kosova për shkak të mospajtimeve që çuan edhe në skena të dhunshme në parlament dhe jashtë tij. Kundërshtarët e marrëveshjes pohojnë se Kosova humbet mbi 8 mijë hektarë tokë.

Mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje që është kusht për liberalizimin e vizave ka bërë që Kosova të jetë e vetme në rajonin e Ballkanit perëndimorë qytetarët e së cilës duhet të kërkojë viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian.

Tash për tash nuk dihet se kur mund të mblidhet parlamenti për ta diskutuar çështjen e marrëveshjes, ratifikimi i së cilës kërkon dy të tretat e votave të parlamentit 120 vendesh të Kosovës. Qeveria aktuale është ngritur me 61 vota. (voa)

Shqipëri, përmbyten mbi katër mijë e 700 banesa e dhjetëra biznese

PermbytjetNë Shqipëri u përmbytën këtë javë mbi 4 mijë e 700 banesa, 40 biznese dhe afro 15 mijë hektarë toka.

Edhe këtë vit qeveria premtoi dëmshpërblime, por së shpejti nisin sigurimet e detyrueshme të banesave dhe bizneseve.

Edhe këtë vit qeveria premtoi dëmshpërblime, por së shpejti nisin sigurimet e detyrueshme të banesave dhe bizneseve.

Kryeministri Edi Rama tha se përmbytjet dhe katastrofat natyrore po përsëriten gjithnjë e më shpesh vitet e fundit dhe qytetarët nuk mund t’i varin të gjitha shpresat vetëm tek buxheti shtetëror.

Qeveria shqiptare u angazhua edhe një herë për të dëmshpërblyer familjet e prekura nga përmbytjet e fundjavës së kaluar.

Kryeministri Edi Rama tha se, ashtu si herët e kaluara, qeveria do të mbulojë dëmet e përmbytjeve, por në të ardhmen është i domosdoshëm sigurimi i banesave dhe bizneseve.

Zoti Rama i bëri këto komente para Komitetit të Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile.

“Nevojitet nisma ligjore për sigurimin e banesave dhe bizneseve nga përmbytjet. Jemi ende i vetmi vend, që nuk ka një masë të tillë me ligj dhe ku pastaj, njerëzit e prekur mbeten në mëshirën e fatit dhe në pritje vetëm nga buxheti i shtetit, që nuk mund të përballojë gjithçka dhe gjithmonë, edhe pse këtë herë, ne do t’i përballojmë si edhe herën e kaluar, të gjitha detyrimet që burojnë nga kjo krizë e rëndë. Qytetarët, të gjithë sipërmarrësit të stabilizohen dhe të kuptojnë se duhet si në çdo vend normal të marrin masa, të sigurohen nga fatkeqësitë natyrore, në mënyrë që dëmet e tyre të kompensohen plotësisht dhe në kohë reale në bazë të këtij mekanizmi. Ne do të bëjmë maksimumin, siç kemi bërë edhe herën e shkuar, ku nuk kemi lënë askënd pa kompensuar deri në fund për dëmet që ka pasur” – tha zoti Rama.

Nga vlerësimet paraprake doli se janë dëmtuar 4715 banesa dhe 41 biznese, janë dëmtuar 65 ura, 10 622 hektarë të përmbytur, 5526 hektarë me më pak ujë.

Ende nuk mund të nisë mësimi në 27 shkolla për shkak të kushteve të vësjtira të jetesës në to.

Ekipet e emergjencës kanë shpëtuar nga zemërimi i ujërave 1552 persona dhe zhvendosën 590 familje nga zonat e përmbytura.

Autoritetet shqiptare kanë bërë gati prej disa kohës një projekt-lgij për sigurimin e detyruar të banesave dhe bizneseve.

Përmbytjet e mijëra banesave dhe dëmet e rënda në magazinat dhe pavionet e shumë bizneseve në autostradën Tiranë-Durrës dhe në qytetete të tjera të mëdha po nxit shpejtimin e projekteve për sigurimin e pasurive prej katastrofave natyrore tani kur ato po përsëriten gjithnjë e më shpesh. (voa)

Pastrimi i Sirisë nga mjetet shpërthyese

usa ushtarDo të duhen vite për heqjen e pajisjeve shpërthyese të improvizuara që kanë lënë pas luftëtarët e Shtetit Islamik që u larguan nga Raka, qyteti sirian që shërbeu si kryeqyteti i vetëdeklaruar nga grupi terrorist.

Një zyrtar i koalicionit të angazhuar në fushatën kundër ISIS-it nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, vlerësoi se në Raka kanë mbetur dhjetra mijëra pajisje shpërthyese të pa shpërthyera, të cilat janë kapur nga forcat me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në tetor, pas rreth tre vjetësh të sundimit të grupit Shteti Islamik.

“Shkalla e këtij zbulimi është i paprecedent. Këto janë pajisje shpërthyese shumë të sofistikuara” – tha zyrtari.

Por zyrtarët janë optimistë për progresin e bërë kundër Shtetit Islamik. Rreth 7,7 milionë njerëz në Irak dhe në Siri janë “çliruar” nga grupi terrorist, sipas një dokumenti të qarkulluar nga ushtria amerikane.

“Kalifati fizik është shkatërruar, por nuk dua ta ngatërroj këtë me mundjen përfundimtare të Shtetit Islamik. Jemi ende larg këtij synimi,”- tha zyrtari i kolaicionit nga Kuvajti, ku ka shkuar me grupin e sekretarit të mbrojtjes, Jim Mattis.

Zyrtari nuk pranoi të tregonte se sa trupat amerikane ndodhen në Siri. Zyrtarisht atje thuhet se janë vetëm 503 U.S. trupa amerikane. Por një raport i personelit të Pentagonit le të kuptohet se atje mund të ndodhen rreth tri herë më tepër trupa amerikane. (voa)