Negociatat me Greqinë, Shkupi ndryshon emrin e aeroportit

tsipras zaevPas një takimi 3 orësh në Davos të Zvicrës, në kuadrin e Forumit Ekonomik mes kryeministrave të Greqisë dhe Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë për sa i përket emërtimit të fqinjit verior të Greqisë, Tsipras dhe Zaev kanë rënë dakord të intensifikojnë negociatat e përbashkëta nën mbikëqyrjen e OKB-së.

Aleksis Tsipras ka deklaruar se ka rënë dakord me homologun e tij për nevojën e ekzistencës së një emri të përbërë për përdorim nga të gjithë, duke sqaruar se pa një zgjidhje në çështjet që përballojnë dy vendet, Greqia nuk mund të kontribuojë për të hapur rrugën e integrimit të Ish Republikës Jugosllave në BE dhe NATO.

“Më parë duhet të përballemi me iredentizmin në të gjitha format e tij dhe madje me garanci që nuk do të lëmë asnjë dritare të hapur në mënyrë që të krijohen sfida të ngjashme në të ardhmen”, u shpreh Tsipras.

Nga ana e tij kryeministri Zaev ka theksuar rëndësine e anëtarësimit të vendit në institucionet europiane duke shtuar se zgjidhja përfundimtare duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët, të marrë parasysh interesat e tyre dhe të respektojë ndjeshmërinë dhe dinjitetin kombëtar të të dy popujve.

“Si dy kryeministra kemi vizionin tonë politik dhe kurajon që të gjejmë një zgjidhje në këtë problem, që ekziston për më shumë se 25 vjet”, tha Zaev.
Zaev ka bërë me dije se “Shkupi do të ndryshojë emrin e aeroportit dhe të autostradave” si një shenjë e vullnetit të mirë dhe dëshmi se qeveria e tij nuk ka ambicie irredentiste kundër fqinjit, duke lënë të nënkuptohet se ky veprim duhet të vlerësohet nga të gjitha palët e interesuara.

Në takim, i pari në nivel kryeministrash të të dy vendeve pas shtatë vitesh , janë ftuar më pas edhe ministrat e Jashtëm, ndërsa pak më vonë është bërë me dije se negociatori i OKB-së për çështjen e emrit, M. Nemetz do të udhëtojë për në Shkup në 31 janar dhe në datën 1 shkurt do të ketë takim me kryeministrin Zaev dhe ministrin e Jashtëm Dimitrov.

Top Channel

Paga mesatare e të punësuerve në Komisionin Rregullator për Energjetikë arrin 42.000 denarë

rkeKomisioni i Kuvendit të Maqedonisë për çështje ekonomike në seancën e sotme i shqyrtoi dhe në mënyrë unanime i miratoi Propozim-plain financiar të Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRE) dhe përqindjen e përfshirjes nga të ardhurat e përgjithshme vjetore të licencave për kryerjen e veprimtarisë energjetike, për financimin e punës së KRE-së për vitin 2018.

“Plani financiar parasheh nivel të njejtë të harxhimeve sikur vitin e kaluar përveç pagave ku është paraparë rritje prej 19 për qind për shkak të 10 punësimeve të reja të planifikuara. Për shkak të miratimit të planit financiar për vitin 2017 në fund të nëntorit, në planin e këtij viti janë transferuar mjetet financiare për furnizim me mobilje dhe pajisje të teknologjisë informatike për hapësirat e reja të KRE”, tha kryetari i KRE-së, Dimitar Petrov.

Anëtarët e Komisionit vërejtjen më të madhe e kishin në lidhje me pagat e kryetarit dhe anëtarët e KRE-së dhe pagës mesatare të punonjësve të kësaj drejtoria.

Petrov theksoi se pagat janë të shfaqura në mënyrë transparente në web-faqen e KRE-së dhe nuk janë të ndryshuara nga themelimi i trupit rregullator dhe shtoi se paga mujore e kryetarit është 1.547 euro, paga e anëtarëve është 1.411 euro, ndërsa paga mesatare e punonjësve është 42.000 denarë./Telegrafi/

Joseph: Vrasja e Ivanoviqit hap “mundësi për marrëveshje” midis Kosovës e Serbisë

JosephPas vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, Beogradi duhet ta kuptojë se duhet të heqë dorë nga veriu i Kosovës, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Edward Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington. Joseph thekson rëndësinë e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që palët të arrijnë marrëveshje. Ai po ashtu thotë se shqiptarët që kanë kryer krime kundër serbëve, duhet të përgjigjen për to në Gjykatën e Posaçme.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Joseph, vrasja e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, nga shumëkush shihet si mundësi për tensione të mëtejshme në Kosovë. Në një shkrim tuajin, të publikuar së voni, ju keni thënë ndryshe: “Një vrasje mund të jetë pikërisht ajo për të cilën Kosova ka nevojë”. Pse?

Edward Joseph: Më lejoni ta bëj të qartë, për vrasje nuk ka nevojë kurrë, vrasja është tragjedi, por nëse të gjitha palët bëjnë një hap prapa dhe ekzaminojnë se si dhe pse është vrarë Oliver Ivanoviq, del se arsye janë gjërat për të cilat është brengosur Ivanoviq: krimi dhe mungesa e ligjit në veri të Kosovës. Jo që nuk ka krim edhe në jug, por në veri nuk ka autoritet të duhur. Nuk ka autoritet as Qeveria në Prishtinë, nuk ka autoritet as Qeveria në Beograd. Ivanoviq ka paralajmëruar për këtë, ai ka folur për shitje të hapur të drogës, për kriminelët përreth, për mungesën e autoritetit të policisë, për bashkëpunimin e mundshëm të policisë me kriminelë apo për infiltrimin e kriminelëve në polici. Ai ka folur për të gjitha këto gjëra në një intervistë për “Vreme” (v.j. gazetë serbe) shtatorin e kaluar. Ai është vrarë dhe tani është mundësia për Beogradin që të shohë se kjo më nuk është e zbatueshme; të bëjë përpjekje dhe të arrijë marrëveshje me Prishtinën. E them edhe në artikullin tim se kjo është vërtet e mundur nëse Shtetet e Bashkuara janë të përfshira.

Radio Evropa e Lirë: Keni thënë se akuzat se Rusia mund të ketë orkestruar vrasjen e Ivanoviqit janë të besueshme. Pse mendoni kështu?

Edward Joseph: Kam cituar akuzat që i ka bërë lideri i një partie opozitare në Serbi, Nenad Çanak. E dimë se Rusia ka bërë përpjekje të organizojë grushtshtet në Mal të Zi. Ajo ka dashur të destabilizojë rajonin dhe kjo është mënyra e duhur për ta bërë – duke nxjerrë jashtë njeriun, i cili ka qenë i njohur për dialogun me shqiptarët. Ivanoviq ka folur rrjedhshëm shqip dhe ka qenë besnik ndaj kauzës serbe. Ai ka besuar në dialog. Ne nuk kemi prova se Rusia ka qenë e përfshirë në vrasje, por e dimë se ajo është e interesuar në destabilizimin e rajonit. Dhe, akuzat e liderit opozitar serb duhet të merren në konsiderim.

Radio Evropa e Lirë: Kosova shënon së shpejti 10-vjetorin e pavarësisë së saj, duke u përballur me shumë sfida – një nga to është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Shumë kanë hedhur dyshime mbi këtë dialog të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. A besoni ju në të?

Edward Joseph: Mendoj se dialogu është i dobishëm për çështje të nivelit më të ulët, për çështje teknike, por jo për zgjidhjen e çështjeve serioze, praktike, politike midis Kosovës dhe Serbisë. Bëjmë shaka me veten kur mendojmë se dialogu po ndodh dhe nuk duhet të brengosemi për marrëdhëniet midis Pristinës dhe Beogradit. Kjo nuk është mirë. Çështja e veriut nuk mund të zgjidhet me këtë dialog. Është një çështje strategjike për Kosovën dhe mund të zgjidhet vetëm në kontekst të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë. Për këtë duhet përfshirja aktive e Shteteve të Bashkuara. SHBA nuk mund t’ia nënkontraktojë problemin e Kosovës Bashkimit Evropian dhe të presë nga BE-ja të dalë me zgjidhje për veriun.

Edhe Beogradi, edhe Prishtina kanë iluzione

Radio Evropa e Lirë: Kur flasim për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara, udhëheqja e Kosovës së voni ka bërë përpjekje – citoj këtu ambasadorin amerikan në Prishtinë, Greg Delawie - “t’i fusë thikë pas shpine SHBA-së” në lidhje me Gjykatën e Posaçme për Krime Lufte. Si e komentoni ju këtë zhvillim?

Edward Joseph: E kam përmendur këtë edhe në artikullin tim, që nuk e drejton gishtin vetëm kah Beogradi, por edhe kah Prishtina. Them se Beogradi është fajtor sepse vazhdon të ketë iluzione se mund të ndajë Kosovën dhe të marrë komunat veriore. Beogradi i ka këto iluzione, por edhe Prishtina ka. Një nga iluzionet e Prishtinës është se mund t’i ikë përgjegjësisë për krimet që shqiptarët i kanë kryer kundër serbëve. Shqiptarët po ashtu kanë kryer krime kundër serbëve, jo në të njëjtën mënyrë, jo në të njëjtën shkallë, jo në të njëjtën periudhë, por, megjithatë, ato janë krime. Dhe, ata që i kanë kryer, duhet të përgjigjen për to. Dhomat e Specializuara janë ngritur dhe është absolutisht e domosdoshme që të gjitha autoritetet dhe të gjitha partitë politike në Prishtinë të bashkëpunojnë.

Radio Evropa e Lirë: E kemi përmendur Rusinë në fillim të bisedës dhe më lejoni të kthehem prapë. Senatori demokrat i Shteteve të Bashuara, Ben Cardin, ka thënë së voni në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se SHBA e ka lënë Ballkanin në duar të Rusisë. A pajtoheni?

Edward Joseph: Mendoj se Shtetet e Bashkuara i kanë lënë shumë në duar Bashkimit Evropian dhe Bashkimi Evropian nuk është në pozitë të ngrihet ndaj ndikimit rus në rajon. Ka pasur disa përpjekje të mira nga diplomatët amerikanë, si Hoyt Brian Yee, i cili ka qenë shumë energjik në Maqedoni, ku ka ndërmjetësuar zgjidhjen e ngërçit politik. Por, medoj se senatori Cardin ka të drejtë në parim. Shtetet e Bashkuara, duke mos qenë të pranishme dhe duke mos qenë mjaftueshëm aktive në Ballkan, duke i lënë shumë në duar Bashkimit Evropian, i kanë krijuar hapësirë Rusisë.

Hetime intensive për rastin Ivanoviq

Oliver IvanovicPolicia e Kosovës thotë se hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, po zhvillohen me një intensitet të plotë nga ana e grupit punues hetues, që vepron nën mbikëqyrjen e Prokurorit të Shtetit.

Oliver Ivanoviq, është qëlluar për vdekje më 16 janar para selisë së partisë se tij, në Mitrovicën Veriore. Ai ishte udhëheqës inismës qytetare serbe, “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.

Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në rajonin Mitrovicës së Veriut, tha për Radion Evropa e Lirë se deri në këtë fazë të hetimeve ende nuk ka ndonjë person të dyshuar për rastin në fjalë, por që hetimet, sipas tij, janë duke u zhvilluar me një intensitet të shtuar nga autoritetet kompetente.

“Flas për një dinamikë të punës së pandërprerë, analizimit të fakteve dhe dëshmive që kanë mbledhur, marrjes së deklaratave të dëshmitarëve dhe përpunimit të të gjitha këtyre provave. Përndryshe, ndonjë emër të përveçëm nuk kemi”, tha Hoti.

Autoritetet në Beograd, i kanë drejtuar një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës për shkëmbim të informatave në lidhje me këtë rast. Por, sipas policisë, si informatat nga autoritetet vendore ashtu edhe ato nga jashtë, ende janë në fazën e shqyrtimit, por ende nuk ka një pistë të dyshimit.

“Nuk kemi informacione të cilat në këtë fazë mund të bëhen publike për opinionin publik”, tha Hoti.

Ndryshe, në pjesën veriore të Kosovës ditën e vrasjes se Ivanoviqit, është gjetur dhe një veturë e djegur, e cila sipas ekzaminimeve, e ka origjinën nga Serbia. Megjithatë, ende nuk është dëshmuar nëse kjo veturë ka lidhje direkte me rastin, përkatësisht me vrasjen e Ivanoviqit, por është një prej pistave të hetimeve.

Ndërkohë, ekspertë të çështjeve të sigurisë në Kosovë e konsiderojnë mision të vështirë zbardhjen e hetimeve apo identifikimin e autorit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku dyshon se mund të ketë bashkëpunimin të mirëfilltë mes organeve hetimore të Kosovës dhe atyre të Serbisë.

“Hetimet janë duke u zhvilluar, por nuk besoj se do të gjendet dorasi dhe pistat e motiveve që çuan deri tek vrasja e Oliver Ivanoviqit. Mendoj se nuk do të këtë bashkëpunim të sinqertë në mes organeve hetimore të Kosovës dhe atyre të Serbisë. Unë jam i bindur se kjo është një vrasje politike”, tha Maloku për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, vrasja e Ivanoviqit është dënuar nga institucionet vendore e ndërkombëtare. Fillimisht ishin ngritur dilema të shumta edhe për efekte dhe përshkallëzim të situatës së sigurisë, por sipas autoriteteve qeveritare në vend, këto paralajmërime nuk ishin reale.

Edhe analisti Naim Maloku konsideron se situata e sigurisë në nivel vendi është e qetë dhe se vrasja e Ivanoviqit, nuk mund të prodhojë ndonjë incident apo tension të mundshëm.

“Situata është ashtu siç ka qenë para këtij atentati. Mendoj që gjendja në veri ka mbetur ashtu siç ka qenë me ato probleme me të cilat ballafaqohet Kosova në atë pjesë, dhe mendoj se nuk do të këtë ndonjë reflektim të pasigurisë në vend”, thekson Maloku.

Pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, gjatë fundjavës, disa komuna dhe mjedise të banuara me shumicë serbe në Kosovë, i vizitoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. (rel)

Zaev e Tsipras bisedojnë në Davos për emrin e Maqedonisë

ZaevKryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras do të takohen pasdite në Davos të Zvicrës, në kuadër të forumit botëror ekonomik. Takimi i parë në nivel të kryeministrave vjen pas intensifikimit të kontakteve mes dy vendeve për zgjidhjen e kontestit të emrit.

“Kryeministri Zaev disa herë ka theksuar se është optimist se mes Maqedonisë dhe Greqisë do të gjendet zgjedhje për kontestin me qëllim që të ruhet dinjiteti i dy palëve. Takimi i sotëm është një hap para drejt gjetjes së zgjidhjes”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë, Mile Bosnjakovski.

Ndërkohë, drejtuesit e lartë shtetëror të Maqedonisë pritet së shpejti të shqyrtojnë propozimin për zgjidhjen e kontestit me Greqinë për çështjen e emrit.

Zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski ka thënë në takimin ku do të bisedohet për propozimin e ndërmjetësit të OKB-së do të marrin pjesë më shumë liderë politikë.

Ndërkohë, pjesëmarrjen në takim e ka konfirmuar edhe kabineti i presidentit, Gjorge Ivanov.

“Ministria e Punëve të Jashtme është iniciatore e mbajtjes së takimit koordinues, me qëllim të njoftimit të institucioneve relevante me propozimin e mediatorit, Metju Nimic, i cili është prezantuar në takimin e fundit të grupeve negociatore në Nju Jork. Presidenti Ivanov është u gatshëm të merr pjesë në një takim të tillë”, thuhet në njoftimin e kabinetit presidencial.

Pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar edhe nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.

Në këtë takim pritet të merr pjesë edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic pas takimit me negociatorët në Nju Jork kishte shprehur optimizimin e tij për zgjidhjen e mundshme të problemit.

Ai nuk ka publikuar detaje nga propozimi, por mediat në Shkup dhe Athinë, duke u thirrur në burime të ndryshme, kanë njoftuar për pesë propozime për ndryshimin e emrit si: Maqedonia e Re, Maqedonia e Veriut, Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Vardarit dhe Maqedonia e Shkupit.

Por, të gjithë këto emra, siç kanë transmetuar mediat, do të jenë një gjuhën maqedonase, si për përdorim të brendshme ashtu edhe në atë ndërkombëtar. (rel)

Mediet: Hetuesit në Gjermani intensifikojnë përgjimin e celularëve

CelyularetAutoritetet e sigurisë njoftohet se po i përdorin më dendur të dhënat e celularëve për të konstatuar fshehtas vendndodhjen e të dyshuarve. Edhe të dhënat e lidhjes me shtyllat e telefonisë celulare kontrollohen më shumë.

Mbrojtja e Kushtetutës (Shërbimi i fshehtë i brendshëm i Gjermanisë) dërgon gjithnjë e më dendur të ashtuquajtura mesazhe të heshtura sms, për të konstatuar vendndodhjen e personave të caktuar. Kjo rezulton nga një përgjigje me shkrim e qeverisë gjermane dërguar Grupit Parlamentar E Majta në Bundestag, përgjigje të cilën e ka lexuar gazeta gjermane “Handelsblatt”. Në gjysmën e dytë të vitit 2017, Shërbimi i fshehtë i Brendshëm i Gjermanisë ka dërguar rreth 180.000 mesazhe të tilla të fshehta në celularët e të dyshuarve. Në të njëjtën periudhë një vit më parë, ky institucion pati dërguar 144.000 herë mesazhe të tilla.

Edhe Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) bëhet e ditur se e përdor gjithnjë e më shumë këtë metodë: BKA ka dërguar në gjashtë muajt e fundit të 2017-ës rreth 22.000 mesazhe sms të tilla – rreth 5000 më shumë se në gjysmën e dytë të 2016. Personat që u dërgohen mesazhe të fshehta tww shkurtra sms nuk e kuptojnë që ua kanë dërguar.

Policia Federale përdor më dendur metoda përgjimi

Edhe në kërkimin e informacionit nga stacionet bazë të telefonisë celulare përgjimi është zgjeruar. Operatori i telefonisë celulare, kur i kërkohet, raporton të gjitha numrat e celularëve, të cilat kanë komunikuar në një moment të caktuar me celulë të telefonisë celulare. Zyra Federale e Policisë Kriminale e shfrytëzoi këtë mundësi 376 herë në pjesën e dytë të vitit 2017, një vit më parë kjo mundësi u shfrytëzua vetëm një herë.

Policia Federale e shfrytëzoi veçanërisht dendur të ashtuquajturin Imsi-Catcher për të përgjuar bisedat telefonike – 61 herë u përdor së fundi ky instrument përgjues – në një kohë që në vitin 2016 kjo ndodhi vetëm në tetë raste. (dw)

Rumani: Protesta kundër korrupsionit

Protesta RumaniDhjetëra-mijëra vetë po protestojnë në Rumani kundër korrupsionit në qarqet qeveritare. Protestuesit kanë frikë se Kodi Penal mund të zbutet dhe se qeveria mund të vërë nën kontroll gjyqësorin.

Marshimi i protestës kundër qeverisë së korruptuar nisi nga Kluçi në Transilvani. Protestuesit përshkuan më këmbë në më tepër se 10 ditë mbi 450 kilometra deri në Bukuresht. Shkaku i protestës lidhet me faktin se qeveria po planifikon një paketë gjyqësore për të mbrojtur politikanët dhe zyrtarët e korruptuar dhe për të vështirësuar ndjekjen penale të kriminelëve.

Mjaft vrazhdësisë dhe paaftësisë

“Ne protestojmë kundër politikës së tyre së turpshme dhe të ndyrë, sepse ne duhet ta zhdukim problemin e korrupsionit, se ai po na bren. E ardhmja jonë dhe e ardhmja e fëmijëve po shkatërrohen. Çfarë të bëj unë? Të emigroj përsëri? Paraardhësit tanë luftuan të uritur dhe të zbathur dhe dhanë jetën e tyre për liri. Tani e kemi lirinë, por çfarë po bëjmë me të? Po e pështyjmë!” – thotë George Bratu njëri nga protestuesit.

“Ne jemi ngopur me kaq shumë vrazhdësi dhe paaftësi që po tregon kjo qeveri. Ne kemi nevojë për njerëz që duan të bëjnë diçka për këtë vend, për ne, dhe jo vetëm për vete.” – shton Maria Iakob.

Gjyqësori  rrezik

Zemërimi i shumë rumunëve lidhet me Liviu Dragnean, udhëheqësin e Partisë Social Demokratike. Zyra kundër korrupsionit e ka marrë atë në pyetje. Dragnea nuk mund të bëhet kryeministër për shkak të dosjeve të tij penale për mashtrim zgjedhor dhe akuzave për mashtrimin e BE-së për fonde. Ai konsiderohet si babai shpirtëror i së ashtuquajturës reformë gjyqësore, e cila u heq pushtetin prokurorëve në Rumani dhe synon rishikimin e kodit penal. Dragne përgjigjet me qetësi ndaj kritikave të Komisionit Evropian: “Me respekt dua t’u them që duhet të informohen më mirë!”

Papërgjegjshmëri e madhe

Gjyqtari Horatiu Dumbrava është i habitur. Sipas projekt-kodit penal, policia dhe prokurorët nuk do të kenë më të drejtë të përdorin regjistrime në video dhe audio si dëshmi. Ai na tregon disa shembuj nga ekrani. Në një rast një kamera ka regjistruar se si politikanë të korruptuar pranojnë ryshfete, në një tjetër një pedofil, arrestimi i të cilit u bë i mundur pas pamjeve, ku ai i ngacmon fëmijët në një ashensor. Pas reformës gjyqësore regjistrime të tilla nuk lejohet të përdoren më.

“Këto prova dhe dëshmi teknike janë shumë të rëndësishme në rastin e krimeve të dhunshme. Në të ardhmen do të përjashtohej që nga fillimi mundësia për të përdorur një provë të tillë. Kjo është një papërgjegjshmëri e madhe.” – thotë gjyqtari Horatiu Dumbrava “Shpresojmë që gjesti ynë dhe ky tubim të jenë një sinjal alarmi dhe të gjithë ta kuptojnë se ajo që po bën klasa politike këtu nuk është më e pranueshme. Rumania e pëmbysi dikur komunizmin, kurse tani duhet të ngrihemi përsëri më këmbë për demokracinë.” – thotë Bratu. (dw)

Sulmohet zyra e agjencisë “Save the Children” në Afganistan

AfganistanDisa persona të armatosur sulmuan sot zyrën e agjencisë ndërkombëtare të ndihmës “Save the Children” në Afganistanin lindor, duke vrarë të paktën një person dhe plagosur të paktën 14 të tjerë.

Një zëdhënës i qeverisë provinciale në Nangarhar njoftoi se një grup personash të armatosur sulmuan kompleksin në Jalalabad pasi shpërthyen fillimisht një makinë bombë në hyrje të tij.

Askush nuk ka marrë përgjegjësisë për sulmin. Në vitet e fundit provinca Nangarhar, e vendosur përgjatë kufirit me Pakistanin është kthyer në një bastion për Shtetin Islamik dhe grupet e tjera terroriste.

Sulmi i së mërkurës në Jalalabad vjen vetëm disa ditë pasi persona të armatosur sulmuan një hotel luksoz në kryeqytetin e vendit Kabul, duke vrarë të paktën 20 vetë, shumë prej të cilëve të huaj. (voa)

Zakharieva: Mbështetim fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë dhe Shqipërisë në BE

Ekaterina-ZakharievaEkaterina Zakharieva, ministre e Punëve të Jashtme të Bullgarisë i ka prezantuar prioritetet e kryesimit bullgar të BE-së para Komitetit për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.

Me këtë rast, Zakharieva ka deklaruar se Bullgaria është e inkurajuar shumë nga arritja e Maqedonisë dhe Greqisë në lidhje me bisedimet për çështjen e emrit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ajo ka deklaruar se është mjaft reale që bisedimet me Maqedoninë të fillojnë gjatë kryesimit bullgar të BE-së dhe se do ta mbështetin një zhvillim të tillë edhe për Shqipërinë.

Zakharieva ka theksuar se Ballkani Perëndimor është mjaft i rëndësishëm për mirëqenien e Evropës, dhe se nuk mund të ketë Evropë stabile pa Ballkanin stabil./Telegrafi/

Publikohet rroga mesatare bruto dhe neto në Maqedoni në nëntorin e kaluar

pareSipas të dhënave më të reja të Entit Shtetëror për Statistika (ESHS), indeksi i rrogës mesatare bruto për punëtorë në nëntor të vitit të kaluar, krahasur me vitin 2016, ishte 103.7, kurse për rrogën neto ishte 103.6.

Kjo rritje është shkaktuar pasi që janë rritur rrogat në Industrinë e përpunimit (9,4% bruto dhe 8,9 neto), Akomodim dhe veprimtari shërbyese me ushqim (8,2% bruto dhe 8,7% neto), si edhe në Bujqësi, pylltari dhe peshkatari (7,8% bruto dhe 7,6% neto).

Ulje e rrogave në nëntor, krahasuar me muajin paraprak është regjistruar në Art, argëtim dhe rekreacion (12,8% bruto dhe 15,8% neto), Transport dhe deponim (5,2% bruto dhe 5,9% neto), si edhe Furinizim me energji elektrike, gaz, avullim dhe klimatizim (4,3% bruto), kurse Veprimtari profesionale, shkencore dhe teknike (4,3% neto).

Rroga e mesatare paguar bruto në nëtor të vitit 2017 ishte 34.079 denarë, kurse neto ishte 23.196 denarë. Në këtë muaj 1,1% e të punësuarve nuk kanë marrë rroga./Telegrafi/