Në Vienë vazhdimi i negociatave për çështjen e emrit të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë

Kotzias-dimitrov-nimetz-Në Vienë dje u zhvillua takimi trepalësh për çështjen e emrit të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, me pjesmarrjen e të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Matthew Nimetz dhe ministrave të Jashtëm të të dy vendeve, Níkos Kotziás dhe Nikolla Dimitrov.

Sipas informacioneve të deritanishme, z.Nimetz do të paraqesë formën ligjore në bazë të së cilës do të paraqitet marrëveshja e ardhme e mundshme e të dy palëve në OKB, me mangësi në çështjet e diskutueshme, të tilla si ajo e emrit.

Dje në mbrëmje, ministrat e Jashtëm të të dy vendeve patën një takim dypalësh, që sipas informacioneve, u zhvillua në një klimë të mirë.

Ministri i Jashtëm, Níkos Kotziás do të ketë takime në Javën e Shenjtë me udhëheqësit e partive politike të Greqisë, për t’i informuar ata për këtë çështje. (ert)

Kosovë; shkarkime, shqetësime e reagime për deportimin e shtetasve turq

deportuaritMëngjesi i së premtes i gjeti familjarët e shtetasve turq të arrestuar e deportuar një ditë më parë me kërkesë të Ankarasë, para ndërtesës së qeverisë së Kosovës, pasditja para ambasadës turke në Prishtinë, ndërsa nata në oborrin e aeroportit të vjetër të Prishtinës.

As pritja nga zyrtarët e qeverisë nuk u ka mjaftuar atyre për të sqaruar se cili është fati i familjarëve të tyre, punonjës të Institucionit Arsimor Gylistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë.

Natën e së premtes familjarët thanë se të afërmit e tyre mund të mos jenë deportuar ende dhe bën thirrje që të kontrollohet aeroporti i vjetër ku ata dyshonin se mund të mbaheshin ende të arrestuarit.

Policia e Kosovës, tha të premten në mbrëmje se “qytetarët turq, të cilëve u është revokuar leja e qëndrimit në Kosovë, janë larguar me aeroplan nga Aeroporti i Prishtinës në orën 11:05 minuta të datës 29.03.2018″.

Operacioni nxiti reagime të shumta dhe bëri që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të shkarkojë ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi.

Kryeministri Haradinaj tha se nuk ishte i informuar për operacionin e arrestimit dhe deportimit dhe për këtë arsye “liron nga detyra të dy zyrtarët”.

Në vendimet e shkarkimit thuhej se “operacioni i ndërprerjes së leje qëndrimit, i ndalimit, deportimit urgjent dhe të fshehtë të gjashtë qytetarëve turq nga territori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, ka ndodhur pa informimin e Kryetarit të Qeverisë dhe pa lejen e tij!”

Tërë operacioni u përcoll me paqartësi dhe informacione të pakta. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha nëpërmjet një deklarate se është informuar nga organet kompetente “pas ngjarjes, se gjashtë shtetas janë deportuar”. Kryeministri nuk kishte dijeni për operacionin e as kryetari i parlamentit.

Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të Fethullah Gulenit, klerikut që akuzohet se qëndronte para grusht shtetit të korrikut të vitit të kaluar.

Kleriku Gulen që jeton në Shtetet e Bashkuara i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Fondacioni i tij FETÖ drejton rreth 40 shkolla në Ballkanin perëndimor përfshirë 15 institucione në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni, pesë në Kosovë dhe në një Serbi.

Kosova është një nga vendet e rajonit që i është nënshtruar trysnisë për arrestimin dhe dorëzimin e “gulenistëve” të kërkuar nga Ankaraja.

Një goditje e gjerë qeveritare pas grusht shtetit që la pas vetes 250 të vrarë dhe mbi 2 mijë të plagosur, vuri në shënjestër mbështetësit e Gulenit dhe kundërshtarët tjerë të qeverisë turke.

Erdogan: Do t’i ndjekim kudo përkrahësit e Gulenit

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha të premten se vendi i tij do të vazhdojë ndjekjen e mbështetësve të Gulenit, duke konfirmuar deportimin e shtetasve turq nga Kosova.

“Së fundmi, agjencia jonë kombëtare e zbulimit, solli gjashtë përfaqësues të lartë të “FETO”-s nga Ballkani në bashkëpunim me agjencinë e zbulimit të Kosovës, dhe ua dorëzuan organeve policore. Ne kemi thënë se ata do të ikin, kurse ne do t’i ndjekim dhe me emër të Zotit, do t’i sjellim këtu , kudo që të jenë”, tha ai gjatë një tubimi në Ankara.

Deputetët kërkojnë përgjegjësi

Fillimi i një seance të parlamentit të Kosovës u përshkua me debate dhe kërkesa për përgjegjësi të institucioneve pas deportimit të djeshëm të shtetasve turq.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se nga sot institucionet e vendit kanë hyrë në një situatë të re dhe duhet të pajtohen për datën e zgjedhjeve.

“Është mese e qartë për mënyrës se si janë zhvilluar ngjarjet dje, kryeministri i vendit si shef i ekzekutivit nuk ka kontroll mbi qeverinë, mbi policinë dhe mbi institucionet e tjera, është gjithashtu e qartë se presidenti i vendit ka tejkaluar përgjegjësitë e veta në këtë rast dhe nuk është rasti i vetëm që ai kalon kompetencat kushtetuese’, tha zoti Hoti.

Shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se aksioni i një dite më parë do të ketë pasoja të rënda për shtetin e Kosovës.

“Si është e mundur që në shtetin tonë të ketë struktura paralele të veprojnë pa e ditur politika vendimmarrëse, kjo është sfida të cilën e kemi përjetuar në ditën e djeshme. Sa i përket të drejtave të njeriut, kjo është një kthim i paimagjinueshëm prapa për Kosovën, për arsye se konventat më të rëndësishme evropiane të aplikueshme në Kosovë janë shkelur me ditën e djeshme dhe janë shkelur nga institucionet shtetërore të sigurisë, me deportimin e gjashtë shtetasve turq prapa në Turqi”, tha mes tjerash zoti Konjufca.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ritheksoi në parlament se nuk kishte asnjë informacion për operacionin.

“Diku nga mesi i ditës (së enjte) kam kuptuar se ka ndodhur deportimi”, tha Haradinaj.

Delawie: Transparenca dhe sundimi i ligjit – jetike

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, shkroi në twitter se po ndjek nga afër zhvillimet rreth shtetasve turq të deportuar.

“Transparenca dhe angazhimi ndaj procesit dhe sundimit të ligjit janë jetike”

Paralajmërime për pasojat e operacionit

Organizatat e te drejtave të njeriut dhe njohësit e drejtësisë e kritikuan ashpër operacionin. Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për drejtësi, i tha Zërit të Amerikës se deportimi në formën siç ka ndodhur paraqet shkelje të Kushtetutës së Kosovës si dhe të konventave ndërkombëtare për të drejta të njeriut.

“Si duket kur është bërë deportimi i tyre nuk është bërë edhe një analizë lidhur me pasojat eventuale që do t’i kenë në shtetin e origjinës, respektivisht në Turqi. Neni 100 i ligjit për të huajt përcakton në mënyrë taksative se Kosova nuk do të deportojë asnjë shtetas të huaj në vendin e origjinës nëse të njëjtit mund të kenë pasoja diskriminuese, ndaj tyre mund të shqiptohet dënim me vdekje, apo të njëjtin mund të jenë subjekt i torturës, apo veprime të tjera të cilat në njëfarë mënyre do të cenonin dinjitetin njerëzor të tyre. Në rastin konkret siç jemi në dijeni, Turqia nuk shquhet për respektim të të drejtave të njeriut, andaj mendojmë që si shtet kemi dështuar që këtyre shtetasve të huaj në radhë të parë t’u ofrojmë mbrojtje”, tha zoti Miftaraj.

Ai tërhoqi vërejtjen se operacioni do “të ketë ndikim në të ardhmen e Kosovës për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtar. Këshilli i Evropës i promovon pa dyshim liritë dhe të drejtat e njeriut dhe nëse Kosova pretendon në një të ardhme të afërt të anëtarësohet në këtë këshill kjo do të jetë pa dyshim një njollë e zezë”, tha ai.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të njeriut në Kosovë, kërkoi përgjegjësi nga të gjithë ata që janë përfshirë në operacion. “Disa individë të papërgjegjshëm, duke rrëmbyer gjashtë shtetas të Turqisë, me leje pune dhe leje për qëndrim të përkohshëm në Kosovë, të gjithë intelektualë të nivelit të lartë, pa të kaluar kriminale, thuhet në një komunikatë të këshillit, e vulosën Kosovën si vendin më antidemokratik në botë, si shkelësin më të madh të të drejtave të njeriut”.

Avokat i Popullit tha në një njoftim se ” veprimet e ndërmarra nga autoritetet publike janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, të zbatueshme në sistemin e brendshëm juridik të Kosovës. (voa)

Spaxe X çon në hapësirë 10 satelitë të rinj

Space xKompania private e lëshimit të raketave në hapësirë SpaceX, të premten nisi drejt hapësirës një raketë të tipit Falkon 9, me 10 satelitë. Raketa u nis nga Baza Ajrore Vandenberg në Kaliforni.

Raketat u nisën pa ndonjë incident, duke kaluar mbi Oqeanin Paqësor, në perëndim të Los Anxhelosit.

Satelitët e kompanisë Iridium Communications, u vendosën në orbitën e ulët të Tokës, rreth gjysëm ore pas nisjes.

Ata janë grupi i pestë i 10 satelitëve të firmës Iridium, që është duke zëvendësuar të gjithë rrjetin e satelitëve të botës.

Ky projekt me vlerën e 3 miliardë dollarëve është në plan të përfundojë këtë vit, kur numri i satelitëve që do të çohen në hapësirë të arrijë në 75 të tillë.

Kompania Iridium, me bazë në McLean të Virxhinias, siguron komunikim me të dhëna, me celular dhe me zë.

Andrew Page: Londra mbështet rajonin e Ballkanit në ҫështjet e sigurisë

Samiti Ballkan 2016Samiti i ardhshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, do të zhvillohet në Londër, në korrik. Me samitin e Londrës mbyllet cikli i dertanishëm i  Procesit të Berlinit dhe pritet të hapet një tjetër.

I nisur në verën e vitit 2014, si një nismë diplomatike ndërqeveritare e kancelares Angela Merkel, ky proces synon të ndihmojë zhvillimin e Ballkanit Perëndimor (BP) për të bërë progres drejt hyrjes në BE përmes investimeve në infrastrukturë dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal. Procesi i Berlinit kërkon të rigjallërojë lidhjet shumëpalëshe mes vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP) me njëri–tjetrin dhe me vendet më të fuqishme anëtare – Gjermani, Francë, Itali, Austri, Kroaci – për t’i dhënë impulse të reja perspektivës së anëtarësimit të BP në BE.

Por të gjitha palët e përfshira në procesin e Berlinit mendojnë se ky process duhet të vazhdojë edhe pas samitit të Londrës. Gjermania, inisiatore e këtij procesi, ka propozuar formulën “Berlin Proces Plus”. Britania e  Madhe edhe pse po përgatitet të dalë nga BE, vitin që vjen dëshiron të vazhdojë zotimin e saj ndaj mbështetjes së perspektivës europiane të BP, duke u bërë vendi mikpritës i samitit të pestë të Procesit të Berlinit.

Prioritetet në Samitin e Londrës.

Diplomati britanik, Andrew Page, koordinatori i këtij samiti, publikoi prioritetet e këtij samiti. Në vizitën e tij në Tiranë, dje (29.03.2018)  ai bëri të njohura për gazetarët 3 prioritetet kryesore të Samitit të Londrës. „Stabiliteti ekonomik, siguria e brendshme – krimi i organizuar, korrupsioni, lufta kundër terrorizmit dhe radikalizmit fetar – dhe prioriteti i tretë mosmarrveshjet rajonale. Anëtarësimi i BP në BE sjell stabilitet në Europë. Strategjia e Komisionit Europian që këto mosmarrveshje të zgjidhen para anëtarësimit të vendeve të BP në BE është e qartë”, tha në Tiranë, koodinatori i Samitit të Londrës, Andrew Page.

Katër samitet e deritanishme të Procesit të Berlinit – Berlin 2014, Vienë 2015, Paris 20156 dhe Triestë 2017 – kanë prodhuar rezultate konkrete. Një nga arritjet më të shënuara është ngritja dhe funksionimi i RYCO – Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor- me seli në Tiranë, e cila promovon pajtimin dhe bashkëpunimin mes rinisë në rajon përmes programeve të shkëmbimeve rinore. Vendet e BP kanë nënshkruar një marrveshje për zgjidhjen e mosmarrveshjeve dypalëshe dhe po ecet drejt krijimit të Zonës Ekonomike të Ballknait Perëndimor ku mallra, shërbime dhe punëtorë të kualifikuar do të lëvizin në rajon pa pengesa.

Interesi i Britanisë së Madhe dhe perspektiva europiane

Koordinatori i Samitit  të Londrës, Andrew Page theksoi në Tiranë se “interesi i Britanisë së Madhe ndaj perspektivës europiane të BP nuk do të ndalet dhe as do të ndryshojë”. Çfarë do t’i ofrojë Britania e Madhe rajonit në Samitin e Londrës për të konkretizuar vazhdimin e angazhimit të saj drejt perspektivës europiane?

„Përvojën në çështjet e sigurisë. Samiti i Londrës do të fokusohet në ndjekje se ku shkojnë paratë nga korrupsionit. Pra, nga faza e parandalimit të korrupsionit të avancojmë tek ajo e ndëshkimit. Kjo do të thotë ndjekje e parave të fituara dhe pasurive të pajustifikuara përmes korrupsionit dhe krimit të organizuar. Britania e Madhe do të ndihmojë agjensitë ligj-zbatuese në BP, ato të inteligjencës përfshirë edhe ato të hetimit duke vënë në dispozicion përvojën e saj në luftën kundër korrupsionit”, tha në Tiranë Andrew Page.

Rreziqet në Ballkanin Perëndimor

Edhe pse BP po jeton në paqe pas luftrave të përgjakshme të 1990-s në vendet e ish-Jugosllavisë, siguria dhe stabiliteti i tij është i cënueshëm nga rrjetet e krimit  të organizuar, korrupsioni dhe radikalizmi fetar. Dhe nga përpjekjet në rritje për ndikim të Rusisë, Kinës apo Turqisë.

„Britania e Madhe është e ndërgjegjshme se nëse vendet e BP nuk ecin drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, atëherë ka vende të  tjera që kërkojnë të kenë ndikim në këtë rajon, që jo gjithmonë kanë të njëjtat vlera dhe qëllime si BE. Nëse qeveritë dhe popujt e BP dëshërojnër të shkojnë drejt BE, Britania e Madhe ka dëshirë të ndihmojë. Një vend tjetër nuk duhet ta pengojë këtë”, tha në Tiranë Andrew Page duke nënkuptuar Rusinë.

Ai theksoi se Britania e Madhe edhe pse largohet nga BE, nuk ka ndryshuar qëndrim, për të qënë një vend mik dhe partner me Ballkanin Perëndimor. Sfida e Britanisë së Madhe në Samitin e Londrës duket se do të jetë mbështetja e BP ndaj perspektivës europiane të anëtarësimit në BE kur ajo vetë është në prag të largimit nga ky bashkim.

Zyrtarisht Turqia po përjeton një bum ekonomik

erdoganSipas shifrave zyrtare ekonomia turke u rrit vitin e kaluar më shpejt se ajo kineze – pavarësisht gjendjes së jashtëzakonshme dhe problemeve të shumta. Por ka dyshime për statistikat.

Ekonomia turke u rrit në vitin 2017 me 7.4 për qind nga një vit më parë, njoftoi së fundimi (29.03) Enti turk i Statistikave në Ankara. Një vit më parë rritja ekonomike ishte 3.2 për qind dhe kjo qe si rezultat i përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit kundër Presidentit Rexhep Tajip Erdogan në korrik 2016.

Pra tani Turqia raporton për rritje ekonomike që i tejkalon edhe kinezët. Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, pati vitin e kaluar sipas shifrave zyrtare një rritje prej 6.9 për qind në krahasim me një vit më parë.

Ministri i Ekonomisë Nihat Zeybekci i përshëndeti këto të dhëna dhe u shpreh për një “sukses spektakolar”, me të cilin Turqia ngrihet në krye të vendeve të G20.

Magjia statistikore

Turqia ka arritur një rritje të fortë ekonomike megjithë tensionet e mëdha politike me partnerët kryesorë tregtarë si Gjermania dhe pavarësisht rënies së të ardhurave nga turizmi. Gjendja e jashtëzakonshme e cila po vazhdon që pas përpjekjes së grushtit të shtetit i pengon gjithashtu shumë investitorë.

Po ashtu Turiqa vuan edhe nga inflacioni i lartë dhe nivel papunësie prej më shumë se dhjetë për qind. Po ashtu edhe kursi i këmbimit të monedhës së monedhës vendase lirës është në rënie.

Për herë të parë këtë javë një dollar u këmbye me më shumë se katër lira turke. Krahasuar me euron lira ka një kurs rreth një me pesë. Një vit më parë një euro këmbehej vetëm 3.70 lira.

Dyshime me vend

Zhvlerësimi i monedhës i bën eksportet turke më tërheqëse, por i bën importet më të shtrenjta. Për të ringjallur ekonominë qeveria turke po investon shumë në projekte shtetërore ndërtimi. Borxhi i jashtëm i shtetit ka aritur së fundmi në nivelin më të lartë të 15 vjetëve.

Shumë ekonomistë, përfshirë edhe ata turq, dyshojnë që statistikat zyrtare pasqyrojnë gjendjen e vërtetë të ekonomisë turke. (dw)

Serbia mban ushtrime ushtarake pak ditë pas incidentit në veriun e Kosovës

ushtria serbeNën vështrimin e mprehtë të presidentit Aleksandër Vuçiç dhe diplomatëve të huaj, ushtria e Serbisë përveshi muskujt të enjten duke shtënë me municione lufte në një sulm të improvizuar ndaj pozicioneve të kryengritësve në një terren stërvitjesh në lindje të Beogradit.

Stërvitja me emrin e koduar “Sinergjia 2018″, u krye tri ditë pasi policia e Kosovës përdori forcën për shpërndarjen e protestuesve serbë në qytetin e Mitrovicës në veriun e Kosovës dhe për një kohë të shkurtër e mbajti të arrestuar një zyrtar të qeverisë serbe.

Incidenti përkeqësoi marrëdhëniet edhe ashtu të tensionuara në mes të Serbisë dhe Kosovës, ish-krahinës së saj jugore e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, pas një lufte të përgjakshme një dekadë më herët.

Komandanti i armatës serbe, gjenerali Lubisha Dikoviç, tha se stërvitjet që përfshinë më shumë se 900 trupa ishin pjesë e ushtrimeve të planifikuar për vitin 2018.

“Ne gjithmonë kemi pasur ushtarë të mirë, duam të kemi edhe më shumë të tillë…duam që ata të jenë edhe më të stërvitur”, u tha ai gazetarëve në terrenin e stërvitjeve Pasuljanske Livade.

Buxheti ushtarak i Serbisë për vitin 2018 është 70.5 miliardë dinarë, (afërisht 595 milionë euro), 23.6 për qind më i lartë se vitin e kaluar.

Forcat e saj përdorin kryesisht teknologji sovjetike të viteve të 80-ta dhe Beogradi dëshiron të modernizojë pajisjet. Disa nga armët e përdorura në stërvitje ishin të vjetruara, por ende funksionale.

“Ne i nxorëm nga magazinat, i rinovuam … dhe siç mund ta shihnit, ato punonin mirë,” tha presidenti serb Vuçiç.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por një nga pak vendet e Ballkanit që nuk janë anëtare të aleancës së NATO-s, e cila është shumë jopopullore ndër serbët që nga fushata e bombardimeve të vitit 1999 që dëboi forcat serbe jashtë Kosovës. Paqeruajtësit e NATO-s janë ende atje.

Në vitin 2006, Serbia, e cila ka zgjedhur neutralitetin ushtarak, u bashkua ne programin e Partneritetit për Paqe me NATO-n dhe në vitin 2015, nënshkroi Planin Individual të Veprimit të Partneritetit – shkalla më e lartë e bashkëpunimit midis aleancës dhe një vendi që nuk synon të anëtarësohet.

Serbia gjithashtu ruan lidhjet e ngushta ushtarake me Rusinë, aleaten e saj tradicionale ortodokse dhe sllave. (voa)

Bushati-Kotzias: Dialogu përparon

Bushati KotziasNë Shqipëri, ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati priti sot homologun e tij grek Nikos Kotzias “në vazhdën e dialogut intensiv të mekanizmit dypalësh për zgjidhjen e çështjeve mes dy vendeve”, siç njoftoi shkurtimisht ministria e Jashtme në përfundim të bisedimeve. Takimi i sotëm vjen pasi pala shqiptare ka mbyllur procedurat për nisjen e negociatave për një marrëveshje të re për përcaktimin e kufijve detar mes dy vendeve, por nuk dihet nëse palët kanë rënë dakort për një datë të saktë të fillimit të tyre.

Ndërsa po linte parlamentin për t’u drejtuar në zyrën e tij ku më pas priti homolgun e tij grek Nikos Kotzias, ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati komentoi bisedimet e pritshme: “Jemi në një fazë të re. Në disa fusha është bërë progress. Kemi fusha të tjera ku besoj që në ditët në vijim do të kemi mundësinë që së bashku të deklarojmë progress. E kam fjalën për njohjen e ndërsjelltë të lejeve të drejtimit të automjeteve. Presidenti i Republikës ka lëshuar autorizimin. Unë kam firmosur plotfuqishmërinë për grupin negociator, i cili është duke punuar dhe besoj se do të biem dakort me homologun grek dhe për datat e takimt dhe për kalendarin se si do të operojë grupi i punës. Dhe do të punojmë dhe për takimin e nivelit të lartë mes dy kryeministrave”.

Por ndërsa zoti Bushati foli për elementë konkretë, deklarata e përbashkët e shpërndarë në përfundim të takimit, ashtu si dhe për bisedimet në Kretë dhe në Korçë, ishte me terma shumë të përgjithshëm. “Ministrat shqyrtuan progresin e shënuar prej takimit të Janarit të mbajtur në Korçë që është materializuar në një sërë zhvillimesh pozitive tashmë të bëra publike nga palët”, thekson deklarata. Që nga ai takim, pala greke, bëri hapin e heqjes së rezervës ndaj Vulës apostile ndaj Shqipërisë.

Dy ministrat e Jashtëm, vijon më tej deklarata e përbashkët “u dakordësuan për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren në muajt e ardhshëm në funksion të avancimit të procesit dhe gjetjes së zgjidhjeve të mirëpranuara për çështjet ende në diskutim”. Deklarata nënvizon se “ata i kushtuan një vëmendje të posaçme punës në proces për finalizimin e Dokumentit të Partneritetit Strategjik në përputhje me vullnetin e palëve për të forcuar dimensionin evropian të marrëdhënieve shqiptaro-greke”. Firmosja e këtij dokumenti pritet të jetë rasti që kryeministri grek Alexis Tsipras të vizitojë Tiranën, pas një periudhe mbi 5 vjeçare mungese shkëmbimi vizitash mes drejtuesve të qeverive të të dy vendeve.

Takimi i sotëm pritej me interes të veçantë kryesisht për procesin e bisedimeve për marrëveshjen e kufijve detar. Shqipëria nga ana e saj ka përmbyllur të gjithë fazën proceduriale për zhvillimin e këtyre bisedimeve. Dhe siç njoftoi dhe zoti Bushati, grupi i saj negociator është gati. Edhe më herët ai kishte deklaruar se “do të vepronte pa humbur kohë për nje marrëveshje të drejtë dhe të ndershme mes palëve”. Por deklarata e përbashkët në përfundim të takimit as nuk e përmendte këtë çështje, ndonëse sipas burimeve, ajo ka qenë tema kryesore e bisedimeve të sotme. (voa)

Qarqet diplomatike në Berlin: Serbia dhe Kosova të normalizojnë marrëdhëniet

imagePas deklaratave të BE-së dhe SHBA-së edhe nga Gjermania vijnë tone apeluese në drejtim të Kosovës dhe Serbisë vijnë apele për qetësim dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas acarimit të kohëve të fundit mes Serbisë dhe Kosovës, edhe nga Gjermania vijnë apele për normalizimi.  Nga qarqet diplomatike unë Berlin  bëhet  thirrje palëve që të tregohen konstruktive dhe të punojnë për normalizimin e gjendjes. Vetëm normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës mund të sjellë afrimin e dy vendeve me BE-në, i tha një diplomat DW shqip. Sipas tij, ruajtja e gjakftohtësisë është shumë e rëndësishme për të mos e vënë në rrezik sigurinë e rajonit.  Më parë ndaj tensionimit të gjendjes me Serbisë dhe Kosovës kishin reaguar edhe SHBA, Rusia dhe Bashkimi Europian.

Tensionet më të fundit mes Kosovës dhe Serbisë kishin filluar mbas dëbimit të bujshëm nga Mitrovica e Veriut, të hënën, më 26.03., i të ngarkuarit të qeverisë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq. Sipas qeverisë së Kosovës, Gjuriqi kishte qenë ilegalisht në Kosovë, prandaj edhe u dëbua. Ndërsa sipas Gjuriqit, vizita e tij në Kosovë ishte lajmëruar që më parë.

Apele zbutëse nga perëndimi

Në një deklaratë të Departamentit të Jashtëm të SHBA-së u bëhet thirrje të gjitha palëve që të shmangin shkallëzimin e mëtejshëm dhe t’i zgjidhin problemet në mënyrë paqësore. Fërkimet mes Kosovës dhe Serbisë mund të “rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet dhe të kërcënojnë qëndrueshmërinë në rajon”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit për Çështje të Jashtme.

Edhe Bashkimi Evropian reagoi menjëherë ndaj ngjarjes së të hënës dhe dërgoi të nesërmen në Beograd të ngarkuarën e tij për punë të jashtme, Federica Mogherinin. E cila gjithashtu u bëri thirrje të dyja palëve të tregojnë “qetësi, mençuri dhe maturi dhe lidership”, duke shtuar se është në interes të Serbisë “të ruajë qëndrueshmërinë, paqen dhe përparimin në rrugën drejt BE-së”.

Akuza nga  lindja

Ndërsa nga perëndimi tonet ishin paqësuese, tonet nga Serbia dhe Rusia ishin akuzuese. Ministria e punëve të jashtme të Rusisë, në një deklaratë për media, pat akuzuar BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se duan “të shtypin mizorisht” përpjekjet e serbëve të Kosovës për “të vënë në jetë interesat e tyre legjitime”.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin hyri në debat pas lutjes së presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, i cili i pat kërkuar atij të mërkurën një këshillë se si të përballet me “dhunën dhe agresionin” kundër serbëve.

Fërkimet vazhdojnë

Thirrje për normalizim dhe maturi ka ardhur edhe nga vëzhgues të pavarur. Kështu për shembull, diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, në një intervistë për DW, tha se duhet “të kemi një kthim tek puna dhe të gjejmë pastaj një zgjidhje për Asociacionin e Komunave me shumicë të Serbisë.”

Serbët e Kosovës, të acaruar edhe nga incidenti i të hënës, nuk presin më: Në një takimi me presidentin e Serbisë, Alexander Vuçiç, “Lista Serbe” u largua nga qeveria duke e vënë kështu në pikëpyetje edhe vazhdimin e koalicionit aktual. Dhe i kanë vënë ultimatum qeverisë së Kosovës që deri më 20 prill të krijojë Asociacionin e Komunave Serbe, përndryshe do ta krijojnë vetë, ultimatum të cilin qeveria e Kosovës  e ka refuzuar.

Por kthimi në normalitet duket se nuk favorizohet as nga procesi i dialogut Serbi – Kosovë, që ka filluar prej vitit 2013 e që quhet procesi i Brukselit. Politologu Krenar Gashi, tha në një intervistë me DW se asnjëra prej palëve nuk ka dëshirë të dalë nga status-quoja. “Autoritetet e Brukselit e dinë shumë mirë se ky proces mund të dështojë. Dilema kryesore në këtë moment është se a është BE në gjendje të bëjë diçka për të evituar këto probleme.” (dw)

Lista Srpska “ultimatum” qeverisë së Kosovës

MitrovicaPrishtina zyrtare nuk pranon ultimatume dhe e cilëson të rrezikshme idenë që serbët e Kosovës në mënyrë të njëanshme ta themelojnë asociaiconin e komunave me shumicë serbe.

Qeveria e Kosovës e ka hedhur poshtë “ultimatumin” e listës Srpska për themelimin në mënyrë të njëanshme të Asociacionit të komunave serbe. Qeveria e Kosovës tha se ajo “nuk funksionon nën ultimatume të askujt”. Ky reagim i qeverisë së Kosovës u bë vetëm disa orë pasi gjatë një takimi në veri të Kosovës, subjekti politik lista Srpska, tha se “nëse Prishtina zyrtare dhe shtetet e perëndimit nuk e formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe deri më 20 prill, atëherë këtë do ta bëjnë vetë përfaqësuesit serbë të Kosovës, qoftë edhe me çmimin se do të arrestohen të gjithë”.

I menjëhershëm ishte reagimi i Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, nëpërmjet një komunikate për medie, pas një takimi që zhvilluan së bashku.

“Ishte konstatim i përbashkët se Kosova do t’i respektojë obligimet që ka marrë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Në këtë takim është biseduar edhe për funksionalizimin e ekipit menxhues për themelimin e Asociacionit në një të ardhme të afërt, gjithmonë sipas parimeve të Brukselit, Kushtetutës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Tonet kërcënuese nga Serbia nuk do të kenë asnjë efekt në Kosovë. Institucionet e Kosovës vlerësojnë se dialogu dhe jo ultimatumet është rruga për të ecur përpara për ndërtimin e Kosovës evropiane dhe shumëtnike”, thuhet në reagimin e Presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj.  Ky i fundit në një postim në profilin e tij, tha se “Kosova nuk mund të zhbëhet për hatër të askujt dhe nuk do të ketë ndarje dhe as nuk do të ketë këmbim territoresh”.

Ultimatumi qasje e gabuar

“Lista Serbe duhet të kthehet në tavolinë dhe të diskutojë për temat e përbashkëta në të mirë të qytetarëve tanë. Ultimatumi është qasje e gabuar dhe formula e vetme është baza ligjore dhe kushtetuese. Presidenti serb, Vuqiç, duhet ta kuptoj që durimi i Kosovës nuk duhet testuar pa kufi dhe se ne do ta mbrojmë të drejtën tonë”, shkroi kryeministri Ramush Haradinaj.

Gjatë ditës së merkurë listës Srpska që në parlamentin e Kosovës përfaqësohet me 10 deputetë, në takimin që zhvilloi në veri të Kosovës, ju bashkuan edhe 10 kryetarë komunash dhe 120 këshilltarë komunalë nga 10 komunat  e Kosovës që udhëhiqen po ashtu nga serbët.

Kryetari i Listës Srpska, Goran Rakiq, tha para të pranishmëve se “nëse nuk fillohet shpejt me formimin e Asociacionit, serbët vetë do ta bëjnë një gjë të tillë në mënyrë të njëanshme”.

“Asociacioni nuk është kundër askujt, por është institucion edhe i serbëve edhe i shqiptarëve edhe i goranëve edhe i romëve. Policia dhe forcat paqeruajtëse KFOR, duhet të ofrojnë sigurinë e çdo qytetari. Së bashku me shqiptarët do ta ruajmë qetësinë. Ne jemi për qetësi dhe paqe dhe dua të paraqes një porosi të presidentit Vuçiq se ai dhe shteti i Serbisë, nuk do të lejojë që serbët të maltretohen apo vriten”, tha Goran Rakiq, duke përmendur edhe arrestimin nga policia e Kosovës të shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq.

Asociacioni nuk ka të drejtën e autonomisë

Lista Srpska, ka parashikuar edhe hapat që do të ndërmerren për ta hartuar asociacionin e komunave serbe: Statuti i Asociacionit, do të hartohet në bashkëpunim me Prishtinën dhe Beogradin, sipas Marrëveshjes së Brukselit të 19 prillit 2013, por ku nuk merret parasysh vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. E vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, parashikon që ky asociacion mund të themelohet vetëm në bazë të kushtetutës së Kosovës e që këtij asociacioni nuk i jepet autonomi.

Sidoqoftë,  zhvillimet e para dy ditëve në veriun e Kosovës dhe arrestimi nga policia e Kosovës e shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, bënë që lista Srpska të marrë vendim që të largohet nga qeveria e Kosovës. Kjo situatë Kosovën mund të sjellë zgjedhje të jashtzakonshme, apo rikonfigurim të qeverisë. Partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosja, thanë se ata nuk do t’ia bëjnë numrat listës Srpska për ta rrëzuar qeverinë e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ndërsa, nuk e kanë bërë shumë të qartë nëse mund të jenë pjesë e rikonfigurimit të qeverisë, apo do të kërkojnë zgjedhje të reja. (dw)

Presidenti serb këshillohet me presidentin rus për zhvillimet në Kosovë

putin vucicPresidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se i ka kërkuar presidentit rus Vladimir Putin në një bisedë telefonike këshilla se si “t’i kundërvihet dhunës dhe agresionit” të Kosovë ndaj serbëve.

Në një komunikatë të zyrës së presidenti serb, thuhet se ai e ka informuar presidentin rus mbi “sulmin brutal” të policisë së Kosovës ndaj një zyrtari serb të hënën i cili u arrestua dhe u dëbua pasi që hyri në Kosovë pa lejen e autoriteteve.

Në komunikatë thuhet se ai kërkoi këshillat e Putinit, “sepse është e qartë që shqiptarët e Kosovës gëzojnë një mbështetje të gjerë të një numri vendesh perëndimore për shpalljen e njëanshme të pavarësisë”, dhjetë vjet më parë.

Në komunikatë nuk thuhet nëse presidenti rus i ka ofruar ndonjë këshillë.

Kremlini tha ndërkaq se presidenti Vladimir Putin e ka dënuar fuqishëm arrestimin e zyrtarit serb. Në një komunikatë u tha se presidenti Putin dhe presidenti Vuçiç diskutuan çështjen e Kosovës “në kontekstin e aksionit provokues të Prishtinës” kundër Marko Gjuriçit, shef i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

Në komunikatë thuhet se Putini “e dënoi me vendosmëri” arrestimin e Gjuriçit, veprim që sipas tij “shkelë rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Policia e Kosovës ndërhyri të hënën duke arrestuar zyrtarin e qeverisë serbe, Marko Gjuriç, të cilin e dëboi më pas për në Serbi. Ndërhyrja nxiti reagimin e ashpër të Beogradit por edhe shqetësimet për qëndrueshmërinë e rajonit.

Serbia vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian

Rusia e cila ka shtuar përpjekjet për të zgjeruar ndikimin e saj në Ballkan, vazhdon të mbështesë Serbinë e cila po ecën nëpër vijën e ngushtë ndërmjet synimeve për t’i integruar në Bashkimin Evropian dhe ruajtjes së lidhjeve me Rusinë.

Presidenti serb tha të mërkurën në mbrëmje në Beograd se e ka siguruar presidentin rus se Serbia nuk do të marrë pjesë në kurrfarë masash kundër federatës ruse dhe nuk do të dëbojë diplomatët e saj pavarësisht faktit se pothuajse të gjitha vendet e rajonit ku ndodhet Serbia e kanë bërë tashmë një gjë të tillë. (voa)