Fund i turit dimëror: Juncker e pa vetë se ku çalon Ballkani

JunckerKreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker përmbylli turin e tij ballkanik me takimin e krerëve ballkanikë në Bojanë, pranë Sofjes (01.03). Mesazhi i përsëritur ishte se „vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE.”

Turi ballkanik i presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, i cili u përmbyll në Bojana pranë Sofjes të enjten (01.03), synonte dhënien e impulseve të reja për vendet aspirante dhe forcimin e perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor. Juncker i shoqëruar në këtë tur edhe nga e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini dhe komisioneri i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn u takua në Bojana me krerët e qeverive të vendeve aspirante e kandidate në BE dhe kreun e qeverisë bullgare, që mban presidencën e radhës në BE, Boiko Borissow. „Këto shtete e kanë vullnetin për të inicuar reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE”, tha Juncker. Prandaj BE mbetet fort e angazhuar për perspektivën europiane të partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor, theksoi Juncker në përfundim të udhëtimit të tij në gjashtë vende të Ballkanit. „Vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE.” Në një samit në  maj në Sofje synohet të zhvillohet një strategji se si do të përshpejtohet përfshirja e Ballkanit në BE dhe ndërtimi i një infrastrukture rajonale.

Asnjë vend nuk plotëson aktualisht kriteret e anëtarësimit

BE synon me prezantimin së fundmi të strategjisë për Ballkanin Perëndimor dhënien e impulseve të reja, por nuk do të bëjë lëshime në plotësimin e kushteve të anëtarësimit. Kjo u bë e qartë edhe nga Juncker, i cili pohoi në Sofje, se megjithë progresin e bërë asnjë nga këto vende për momentin nuk i plotëson kushtet e anëtarësimit. Kjo mund të „bëhet eventualisht në vitin 2025″, nëse përmbushen të gjitha kriteret. Juncker kërkoi që këto shtete të „zgjidhin konfliktet bilaterale territoriale para anëtarësimit.” Ndërsa kreu i qeverisë bullgare, Borissow u shpreh se „ajo që bëjmë ne nën drejtimin europian nuk është e drejtuar as kundër Rusisë dhe as kundër Turqisë.”

Për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor, BE pritet të investojë më shumë – vetëm në vitin 2018 janë planifikuar 1,07 miliardë euro të ashtuquajtura ndihma të përafrimit me BE, një shumë shtesë kjo e 9 miliardë eurove, që u vunë në dispozicion nga viti 2007-2017. Megjithatë vendet e Ballkanit janë ende larg jetësimit të reformave të kërkuara.

Juncker e pa vetë se ku çalon Ballkani

Në një analizë të agjencisë së lajmeve dpa, pas turit ballkanik të kreut të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, theksohet se Juncker e pati vetë mundësinë të shohë gjatë vizitës së tij, se në shumë nga këto vende ende punët çalojnë në gjëra shumë të rëndësishme. Në Shqipëri, nënvizon dpa, reforma në drejtësi nuk ecën përpara, po ashtu as lufta kundër kanabisit të përhapur. Në Kosovë po ashtu ka shumë probleme, „duket i gabuar modeli se ish-liderë rebelë mund të reformojnë vendin.” Në Kosovë, shkruan dpa, EULEX-i, misioni më i madh i BE jashtë, lufton vetë me probleme korrupsioni. Në Malin e Zi opozita bojkotoi parlamentin gjatë fjalimit të Junckerit në shenjë proteste kundër qeverisë. Gjashtë javë para zgjedhjeve presidenciale ende në këtë vend nuk një kandidat të qeverisë dhe opozitës për shkak të këtyre konflikteve. Në Bosnje-Hercegovinë rrezikon dështimi i zgjedhjeve parlamentare në tetor për shkak të grindjes për një ligj zgjedhor. Në Serbi parlamenti u dërgua për dy javë në pushim të detyruar, për të mos i ofruar platformë opozitës para zgjedhjeve të rëndësishme lokale në Beograd. Dpa citon një gazetë të njohur sllovene, e cila e përshkruan kështu gjendjen në Ballkan këtë javë të vizitës së Junckerit. „Vendet e Ballkanit bëjnë sikur ndërmarrin reforma, ndërsa BE bën sikur ua beson këtë.” (dw)

Rexhep Qosja: President i përbashkët Shqipëri-Kosovë? Arsyet përse e mbështes Ramën

qosja-“Pse Shqipëria dhe Kosova të mos kenë një kryetar të përbashkët, një Ministri të Politikës së Jashtme të përbashkët dhe ambasada të përbashkëta në shtete të ndryshme në botë”?

Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme, e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president si simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”. Ka qenë kjo deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalimit të mbajtur në Parlamentin e Kosovës, me rastin e 10-vejtorit të pavarësisë. Prej asaj dite, marrëdhënia Shqipëri-Kosovë ka qenë në qendër të vëmendjes në arenën politike shqiptare e më gjerë. E ndërsa opinionet kundra propozimit të Ramës, qenë të panumërta, nga institucione dhe individë në Shqipëri, Kosovë, Greqi, Serbi por edhe nga BE e SHBA, akademiku kosovar, Rexhep Qosja, i jep mbështetjen e tij të plotë.

Përmes një analize të përgatitur enkas për “Gazeta Shqiptare” profesori argumenton se pse deklarata e Ramës, është e drejtë. “Mendja historike, prandaj, këtë ardhmëri nuk e mohon në asnjë mënyrë dhe nën kurrfarë trysnish”, thotë profesori, duke nënvizuar se, kryeministri shqiptar nuk ka kërkuar ndryshim të gjendjes së shteteve. Teksa e vlerëson për paraqitjen dhe qëndrimin në politikën e jashtme, Qosja thotë se kryeministri i Shqipërisë është shtetari më i dinjitetshëm i vendit dhe se kjo deklaratë vjen në vazhdën e disa ideve të Ramës mbi Akademitë e Shkencave të të dy shteteve të shqiptarëve. Pas valës së reagimeve kundër deklaratës, kryeministri Rama, u tërhoq. “Nuk bëra asnjë deklaratë. Një fjali e lirë u shkëput nga konteksti dhe kthye në një program politik. Në fjalën e atij rasti, i lejova vetes që të vrapoj me imagjinatë, se si mund të jetë 20-vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Është sport kombëtar, por edhe ndërkombëtar, që shkëputet një fjali nga konteksti dhe pastaj bëhet një histori. Por besoj se askush nuk më ndalon të imagjinoj. Sa i përket pastaj artikulimit, se si kjo mund të ndodhë nga ana legjislative imagjinata ime nuk ka shkuar deri aty”, deklaroi kryeministri në një intervistë për “TCH”. Por, ndërsa debati nuk u ndal te deklarata e tij, por preku edhe një herë idenë e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, çështja, është ende e nxehtë. (fa.ni)

Nga Prof. Rexhep Qosja

PRESIDENTI I PËRBASHKËT
Në fjalimin e tij në mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës kushtuar 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, më 18 shkurt të këtij viti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përpos të tjerash, tha se në shënimin e 20- vjetorit të pavarësisë së saj, Kosova mund të ketë një kryetar që do të jetë kryetar i përbashkët i Shqipërisë dhe i Kosovës dhe një politikë kombëtare të sigurisë.

Dhe, ky do të jetë kryetar i unitetit kombëtar shqiptar. Kjo deklaratë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, u prit me gëzim prej numrit më të madh të shqiptarëve kudo që jetojnë ata sot, por u prit mosdurueshëm, refuzueshëm prej një numri të njerëzve politikë shqiptarë në Kosovë dhe në Shqipëri.

Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për kryetarin e përbashkët Shqipëri – Kosovë u prit mospajtueshëm, por matur mospajtueshëm, prej Bashkimit Evropian dhe dëshpërueshëm prej Ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri. Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për kryetarin e përbashkët Shqipëri-Kosovë u prit me bajoneta prej Serbisë dhe kritikisht prej Greqisë.

Qëndrimet e tilla, mospajtuese të BE-së dhe Ambasadës Amerikane me deklaratën në fjalë të kryeministrit Edi Rama janë të kuptueshme. SHBA-të dhe BE-ja janë faktorë të mëdhenj politikë, diplomatikë dhe ekonomikë, që bëjnë politikë botërore me të cilën vetvetiu ndiejnë obligim të kënaqin si thuhet, “krejt botën dhe babanë”.
Është i kuptueshëm edhe qëndrimi i Greqisë ndaj kësaj deklarate të kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Greqia, mike historike e Serbisë, nuk do të vetëquhej e lumtur po u bënë shqiptarët faktor me rëndësi të veçantë politike dhe gjeostrategjike, çka do t’i bënte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë që ajo, si dikur, pa të drejtë, e quan Shqipëri e Madhe!
I kuptueshëm është edhe qëndrimi i vrazhdë, i egër, i Serbisë ndaj idesë për kryetarin e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Pse jo? Serbia vazhdon të jetojë me mitin mesjetar në kokë për Kosovën si krahinë të saj! I pakuptueshëm është, ndërkaq, qëndrimi i të parëve të Partisë Demokratike e të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Shqipëri dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kosovë.

Nuk ka dyshim se ky qëndrim i tyre, i tri partive tona të përmendura, bie ndesh me interesat historike të popullit shqiptar. Dhe, nuk ka dyshim se ky qëndrim i tyre është shprehje e një botëkuptimi krahinorist prej të cilit ende nuk janë liruar disa subjekte politike dhe një numër i njerëzve politikë as në Shqipërinë shtetërore, as në Kosovë.
Ata që i kanë përcjellë dhe i përcjellin paraqitjet politike të Edi Ramës qoftë si kryeministër, qoftë si kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë ata e dinë se deklarata e tij për kryetarin e përbashkët Shqipëri – Kosovë nuk përfaqëson ide të re në veprimtarinë e tij politike. Jo. Ajo në të vërtetë është vazhdim, është përthellim, është qartësim përmbajtësor i politikës së tij kombëtare me përbërës mbarëkombëtarë. Propozimeve të tij për zhvillimin e disa veprimtarive të përbashkëta Shqipëri-Kosovë në një varg fushash politike, diplomatike, ekonomike, arsimore, shëndetësore, shkencore, kulturore e të tjera tani u është shtuar edhe propozimi për kryetarin e përbashkët të Shqipërisë-Kosovës pas njëzet vjetësh.
Propozimit të tij për krijimin e Akademisë së Shkencave, në të vërtetë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Shqipërisë dhe Kosovës, e cila, natyrisht, do të kishte një kryetar të përbashkët tani i është shtuar propozimi për kryetarin e përbashkët Shqipëri-Kosovë.
Nuk është e nevojshme të theksohet veçmas se disa prej këtyre propozimeve e, sidomos, propozimi për krijimin e një Akademie Mbarëkombëtare të Shkencave dhe të Arteve me kryetar të përbashkët nuk është propozim i shqiptuar vetëm prej kryeministrit Edi Rama, por edhe prej disa intelektualëve të tjerë.
Por të gjitha këto propozime njësuese kombëtare kryeministri Edi Rama i ka përtashësuar duke e shtuar interesimin e opinionit jo vetëm kombëtar por edhe mbarëkombëtar, në radhë të parë evropian dhe ballkanik, për to.
Le ta themi më në fund atë që e kam thënë edhe një herë: kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Edi Rama, është politikani i parë shqiptar, i cili në takimet, në bisedat e në bisedimet me politikanë, diplomatë e shtetarë para së gjithash ballkanikë dhe evropianë, ka sjellë qëndrime shqiptare në të vërtetë mbarëshqiptare më të drejtpërdrejta, më të hapëta, më të dinjitetshme se asnjëherë më parë në historinë e politikës shqiptare, duke i liruar ato prej ngurrimeve, tkurrjeve, paragjykimeve, servilizmeve prej të cilave gjuha jonë politike e diplomatike nuk ishte gjithnjë e liruar dhe as nuk po mund të lirohet.
Ç’është e vërteta, me deklaratën në fjalë prej kundërshtarëve dhe mediokriteteve të nxjerrë prej kontekstit kuptimor të fjalimit të tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk e ka kërkuar ndryshimin e gjendjes shtetërore të përtashme të Shqipërisë dhe të Kosovës, por deshi s’deshi vetë ai dhe deshën s’deshën kundërshtarët e tij, e ka parathënë një ardhmëri të këtyre dy shteteve që në perspektivën historike është e pashmangshme.
Mendja historike, prandaj, këtë ardhmëri nuk e mohon në asnjë mënyrë dhe nën kurrfarë trysnish.
Nuk ka dyshim se kundërshtia e të parëve të partive të sipërtheksuara shqiptare ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama, është e pakuptueshme dhe e palejueshme jo vetëm pse me të interesin historik mbarëshqiptar ata ua flijojnë interesave të tyre të ngushta të përtashme partiake, por edhe pse është kundërdemokratike, anakronike dhe dogmatike.
Ata janë shprehur ashtu kundërshtueshëm thuajse jetojmë ende në vitet tetëdhjetë a nëntëdhjetë të shekullit të kaluar! Ata janë shprehur ashtu kundërshtueshëm thuajse s’e shohin dhe s’e kuptojnë njëmendësinë e sotme organizuese evropiane! Bashkimin Evropian sot e përbëjnë 26 shtete. Të gjitha shtetet që e përbëjnë BE-në janë shtete të pavarura, me kryetar të tyre, me ushtri të tyre, me polici të tyre, me ministri të jashtme të tyre e me të gjitha institucionet e tjera që përbëjnë shtetin e pavarur. Por, Bashkimi Evropian ka sot edhe kryetarin e përbashkët, që quhet, Zhan-Klod Junker, ka edhe ministren e Jashtme të përbashkët, që quhet Federika Mogerini, kurse tani e sa kohë po bisedohet që të ketë edhe një forcë të përbashkët ushtarake, që nuk do të mohojë ushtritë e shteteve të veçanta.
Në qoftë se Bashkimi Evropian paska një kryetar të përbashkët për të gjitha shtetet që e përbëjnë këtë Bashkim dhe një Ministri të përbashkët të Politikës së Jashtme për të gjitha këto vende, pse Shqipëria dhe Kosova të mos kenë një kryetar të përbashkët, një Ministri të Politikës së Jashtme të përbashkët dhe ambasada të përbashkëta në shtete të ndryshme në Botë?
Shqipëria e Kosova nuk u dashka të kenë as pas njëzet vjetësh e as kurrë, as kryetar të përbashkët, as Ministri të Jashtme të përbashkët e as ambasada të përbashkëta për hir të feudalizmit dhe të feudalëve tonë, për shkak të mungesës së qartëpamjes dhe për shkak të mungesës së vizionit largpamës të tyre e më së shumti për shkak të servilizmit ndaj vartëseve!
Një të ardhme të tillë të Shqipërisë e të Kosovës shqiptarët jo vetëm se nuk u dashka të kenë, por as ta ëndërrojnë për arsye se një ardhmëri të tillë nuk e pranojnë, nuk e duan feudalët tonë, që po bëjnë dhe që do të vazhdojnë të bëjnë politikë feudale!
Por, feudalizmin dhe feudalët populli shqiptar qe shumë vjet i ka çuar në arkivin e terratisur të historisë. Dhe do t’i çojë në atë arkiv sa herë të paraqiten në jetën tonë politike, kulturore e shoqërore në përgjithësi.

“Ambasada e SHBA mbeti e zhgënjyer nga deklarata e kryeministrit Rama mbi Shqipërinë dhe Kosovën me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Gjuha e shkujdesur që aludon për bashkim është e padobishme dhe dëmton marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje. Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve që të jenë fqinjë të mirë dhe të lënë mënjanë gjuhën ndarëse të së shkuarës”, thuhej në deklaratën e ambasadës në Tiranë.“Deklaratat që mund të interpretohen si një ndërhyrje politike në vendet fqinje nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. BE pret që në të gjithë rajonin të vazhdojë ndërtimi i marrëdhënieve konstruktive dhe bashkëpunuese. BE ka vazhduar të mbështesë parimet e pajtimit dhe bashkëpunimit në këtë rajon të Ballkanit”, është shprehur zëdhënësja e Komisionit Evropian, Catherine Ray.“Çdokush duhet ta dijë e ta kuptojë se nëse shqiptarët flasin se do ta kenë një politikë të jashtme e një president, do të jetë shumë vështirë t’iu tregohet, sidomos serbëve, pse ata nuk e kanë një president ose një politikë të jashtme, marrë parasysh se edhe ne jetojmë në disa shtete në hapësirën e Ballkanit”,
është shprehur ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.“Edi Rama të merret më shumë në zhvillimin e Shqipërisë, sesa të dalë me ide tjera apo të mësojë Kosovën se si duhet ecur përpara. Po të ishte Shqipëria sot në Bashkim Evropian, do të ishte shumë mirë, sepse ata do të mund të insistonin në vendosjen e kushteve fqinjit tonë (Serbisë)”, u shpreh kryeministri i Kosovës gjatë një vizite minatorëve të Trepçës, sipas “Deutsche Welle”.“Bashkimi Kombëtar ka qenë, është dhe do të jetë ëndrra dhe përpjekja e Familjes Mbretërore brez pas brezi, madje edhe kur nuk guxonte askush tjetër ta artikulonte! Realizimi arrihet me Kurorën Mbretërore në dy shtete si simbol i këtij uniteti. Kjo do ishte logjika e stabilitetit real, traditës dhe prosperitetit të vërtetë, siç e sugjerojnë shembujt e padiskutueshëm të suksesit në vendet më të zhvilluara perëndimore”, ka deklaruar pretendeti për
fron, Princ Leka.Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha i pyetur për çështjen, tha se: “nuk u duhet një politikan më shumë, nuk u duhet një hajdut më shumë. U duhet një treg i përbashkët, energjie, telekomunikacioni, sepse për turp të Zotit, sa kalon kufirin dhe flasim me njëri-tjetrin duket sikur flasim me Amerikën Latine. Kjo është përgjegjësi e politikës në të dyja anët e kufirit. Të gjithë i dinë problemet me patatet në kufi dhe ajo çka na duhet është një politikan
më shumë”.Presidenti Meta i konsideroi të papranueshme dhe të pamundura idetë destruktive për ndarje apo shkëmbime territoresh, duke i konsideruar ato tentativa të dëshpëruara për mbivendosjen e agjendave populiste mbi agjendat jetike të integrimit dhe stabilitetit. Programi i vetëm i punës në tryezat e drejtuesve politikë duhet të jenë zgjidhja e problemeve e shqetësimeve reale të qytetarëve.“Mendimi im është i pandryshueshëm, ideali suprem i shqiptarëve është ideali i bashkimit kombëtar. Por kjo në vlerësimin tim mund të ndodhë vetëm si një bashkim i dy vendeve demokratike, të pavarura, plotësisht të integruara në NATO dhe BE dhe natyrisht me një pëlqim të domosdoshëm të SHBA dhe BE, por duhet që edhe fqinjët të binden se një shtet i tillë nuk paraqet kërcënim për ta”. (shekulli)

Haradinaj përballet me kritikat e ashpra të opozitës

RamushKryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është përballur me kritika të shumta të opozitës në Kuvend. Debati, është zhvilluar sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, parti të cilat e kanë ftuar në interpelancë kryeministrin Haradinaj.

Me herët, subjekti opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, e ka proceduar edhe në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Haradinajt për rritjen e pagave për kabinetin e tij qeverisës si dhe për gjyqtarët dhe prokurorët.

Para deputetëve, Haradinaj tha se paga e kryeministrit, ashtu siç është pa rritje, radhitet në pozitën e 69, në një nivel me pagën e kryesuesve të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës. Ai tha se paga e tij është meritore, nëse bëhet një krahasim i përgjegjësive dhe punëve që kryhen nëpër institucione.

“Kjo temë është në Gjykatën Kushtetues. Si e tillë unë pres përgjigjen e gjykatës. Vendimin e kemi pezulluar, sido që të vendosë gjykata ne e respektojmë. Qeveritarët, përfituesit e pagave, bëjeni një matematikë të thjesht e shihni se sa dalin. Janë një pakicë krejt e vogël, ndërsa shumicë si kategori që përfitojnë nga ky vendim janë gjyqtarët dhe prokurorët. T’ ju them të drejtën më dhimbset nëse ky vendim bie, jo për shkak timin apo ministrave, por më dhimbset për shkak të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha kryeministri Haradinaj.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se vendimi për pagat është në kundërshtim më ligjet e aplikueshme në Kosovë. Ai kërkoi nga Qeveria që ta anulojë vendimin për rritjen e pagave.

“Vendimi është i papranueshëm. Kërkon diferencë të madhe në paga. Vendimi i tillë është i pamatur”, tha Hoti.

Kurse, deputeti Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje tha se Qeveria Haradinaj, edhe ashtu me numër shumë të madh të ministrive, me 21 ministra 5 zëvendëskryeministra dhe 70 zëvendësministra, është duke e dëmtuar buxhetin. Ai tha po ashtu se t’ia rrisësh pagën vetës “është hajni”.

“T’ia rrisësh pagën vetes është hajni, është vjedhje, sepse vjedhja nuk është vjedhje sepse bëhet tinëz, por për shkak se është vjedhje. Ka vjedhje açik për shembull kjo rritje e pagave. Kjo është veçse pasojë e fundme e një fenomeni të hershëm”, tha Kurti.

I shpejtë ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Haradinaj, duke i reaguar Kurtit për konstatimet e tij për hajni.

“Qeveria e madhe me zëvendëskryeministra, ministra , e dimë që është harxhim, e dimë që rritja e pagave e ministrave e kryeministrit është harxhim i vendit mund të jenë rreth 30 mijë në muaj 300 mijë a 400 në vit, po i marrim ato i shpërndajmë të shohim çka mundemi të bëjmë me to. Kur të doni i shpërndajmë diku tjetër dhe e shohim se çka përmirësoni”, tha Haradinaj.

Ndërkohë, ministri i Financave, Bedri Hamza tha se vendimi i për rritjen e pagave nuk ka bërë asnjë implikim në buxhetin e Kosovës dhe, siç u shpreh ai, edhe nëse zbatohet vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave nuk mund te ketë implikime në buxhet. Sipas tij, nuk është hera e parë që në Kosovë kërkohet rritje e pagave në Qeveri.

“Nuk ka pasur asnjë efekt financiar. Nuk është në zbatim, është duke u qartësuar situata juridike”, tha Hamza.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se nuk pajtohen me arsyetimet e kryeministrit të cilat i ka dhënë lidhur me rritjen e pagave.

“Përbën konflikt interesi, kur dikush i rritë pagën vetit, dhe në demokraci të zhvilluara këto janë të parandaluara. E dyta ka të bëjë me arsyetimin e dhënë, të parën e nuk e marr seriozisht, blerjen e kravatave, por të dytën për shmangien së korrupsionit e marr më seriozisht. Besoj se lufta kundër korrupsionit është çështje e bindjes, pra kur ke bindje nuk varesh prej nivelit të pagës”, tha deputeti Abdixhiku.

Deputetët e partive politike në pushtet kanë arsyetuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave. Ata kanë vazhduar debatin duke u kthyer përgjigje kritikave të deputetëve në opozitë.

Në fund të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, kishte marrë vendim për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar, ndërkaq më pas edhe për punonjësit e sistemit të drejtësisë.

Ky vendim më pas ishte pezulluar nga vetë kryeministri Haradinaj, pas një vërejtjeje që kishte parashtruar Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, e cila e kishte cilësuar vendimin e kryeministrit si të paligjshëm.

Ndërkohë, partitë opozitare vendimin e Haradinajt për rritjen e pagave e kanë dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

Vendimi i Qeverisë kishte ndikuar që edhe punonjësit e sektorit të shëndetësisë dhe ata të arsimit të kërkojnë rritjen e pagave. Edhe pse që nga fillimi i këtij viti, punonjësit e sektorit publik kanë marrë pagat me rritje prej 4 për qind. Sindikata e Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë është shprehur e pakënaqur me rritjen aktuale, duke kërkuar që rritja të realizohet nga 15 deri në 25 për qind.

Edhe mjekët specialistë në institucione publike shëndetësore, kanë kërkuar kategorizim, që do t’u mundësonte atyre rritjen e pagave.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka vlerësuar se rritja e pagave apo çdo punësim i ri, duhet të bëhet brenda limitit të rregullës së re për fondin e pagave. (rel)

Votimi për demarkacionin i varur nga marrëveshja me Listën Serbe

KUVENDIEdhe pas tri përpjekjeve në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, koalicioni qeverisës, me gjithë mbështetjen që mori nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave në Kuvend për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

Javën e kaluar, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe partia politike opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, kishin arritur një konsensus për votimin e demarkacionit.

Megjithatë, edhe pse ishte arritur kjo marrëveshje në seancën e fundit parlamentare nuk ishte siguruar numri i mjaftueshëm i votave, pavarësisht deklarimeve se është arritur shumica e nevojshme e votave.

Andaj, krahas marrëveshjes me LDK-në, analistët politikë thonë se koalicionit qeverisës është i shtrënguar të ketë edhe një marrëveshje tjetër, sidomos me Listën Serbe, si pjesë e Qeverisë, për ratifikimin e demarkacionit.

Përderisa Lëvizja Vetëvendjsje nuk shihet si subjekt i mundshëm për marrëveshje për shkak të qëndrimeve të saj kategorike kundër marrëveshjes aktuale të demarkacionit.

Për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, nevojiten së paku 80 vota të deputetëve nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.

Analisti Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përmes këtyre seancave ku po tentohet të hedhet në votim ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi po bëhet presion mbi deputetët, por edhe mbi qytetarët.

“Liderët e partive politike në pushtet vazhdimisht kanë deklaruar se janë duke punuar fort me qëllim që të sigurojnë përkrahjen e nevojshme prej dy të tretave të deputetëve me qëllim të ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, dhe po duket që kjo punë e tyre nuk ka qenë efektive ose he nuk janë angazhuar siç janë deklaruar në publik, pasi që po rezulton se po mungojnë votat e nevojshme për të ratifikuar këtë marrëveshje. Më shumë po ja lënë rastësisë nëse dikush nga deputetët do ta ndërrojë mendjen dhe do ta përkrah këtë marrëveshje”, thotë Krasniqi.

Votat për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit koalicioni qeverisës është duke i kërkuar brenda grupit parlamentar të Vetëvendosje apo të Listës Serbe.

Lista Serbe edhe pse pjesë e koalicionit qeverisës deri tani ka kundërshtuar Marrëveshjen e demarkacionit. Kundër kësaj marrëveshje vazhdojnë të jenë edhe deputetët nga Vetëvendosje.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se koalicioni qeverisës nuk i ka dy të tretat e votave të Kuvendit të Kosovës për të ratifikuar çfarëdo marrëveshje që është e nevojshme në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve.

Koalicioni qeverisës, sipas tij, nuk është i përgatitur për seancë, ku do të ratifikohej marrëveshja.

“Disa parti politike koncentrohen në marrëveshjen në mes dy presidentëve, Thaçi – Vujanoviq, dhe në faktin se demarkacioni do të korrigjohet, derisa disa parti politike konsiderojnë se marrëveshja politike është e drejtë”.

“Këto dallime shprehen në votim dhe shprehen në prolongimin e votimit të demarkacionit. Ekziston rreziku real që demarkacioni në procesin e votimit të dështojë dhe mandej të shihen procedurat se si do të veprohet nëse herën e parë dështon në Kuvendin e Kosovës ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi”, thotë Tahiri.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij nga Mali i Zi, Filip Vujanoviq më 16 shkurt nënshkruan një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës inkurajohet ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet dy vendeve.

Megjithatë, analisti Tahiri thotë edhe përkundër kësaj deklarate të përbashkët si dhe arritjes së konsensusit për votimin e demarkacionit ndërmjet partive në pushtet dhe Lidhjes Demokratike në opozitë, demarkacioni nuk mund të kalojë pa marrëveshje me deputetët e Listës Serbe.

“Pa marrëveshje me Listën Serbe nuk mund të kalojë demarkacioni. Lista Serbe edhe pse është pjesë e koalicionit, sheh interesin e saj partiak dhe e ndërlidhë me Asociacionin e komunave (me shumicë serbe), por edhe me situatën politike në Serbi dhe me pozitën e vet presidentit Aleksandër Vuçiq në dialogun e Serbisë me Kosovën dhe më atë që është një projekt i Serbisë për Kosovën që është paralajmëruar se deri në muajin prill do të nxirret një propozim nga presidenti Vuçiq”, thotë Tahiri.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.

Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se pa ratifikimin e demarkacionit, Kosova nuk do të mund të përfshihet në zonën e lëvizjes së lirë, brenda BE-së, pa viza. (rel)

Bisedimet shqiptaro-greke dhe vlerësimi i analistëve

LamiMinistri i punëve të jashtme Ditmir Bushati ishte sërish sot para komisionit parlamentar të politikë të jashtme, ku dha më shumë detaje nga paketa e bisedimeve me Greqinë.

Ai replikoi me deputetë të opozitës për detaje të bisedimeve shqiptaro-greke.

Por studiues të pavarur vlerësojnë se procesi dhe polemikat vuajnë nga mungesa e seriozitetit dhe e transparencës.

Ministri Bushati tha se Greqia hoqi dje rezervën e vulës apostile për dokumentat e shtetasve shqiptarë, dhe e quajti këtë një lajm të gëzuar për shqiptarë, që kanë miliona euro për ta siguruar atë.

Kjo, sipas tij, është pjesë e një procesi që ka nisur disa vite më parë mes dy vendeve në tema të grupuara si historike prej ligjit të luftës, tema aktuale nga konsullatat, patentat dhe telashe të përditshme, dhe grupi i tretë tema të natyrës strategjike, ku hyjnë diskutimet mbi kufijtë.

“Diskutimet janë për një marrëveshje të re për delimitimin e kufijve detarë me Greqinë”, – tha ai.

Por opozita akuzoi qeverinë se dëmtoi qëllimisht marrëdhëniet me Greqinë për të shkuar në bisedimet me fqinjët në një raport të ri provokues. Deputeti Tritan Shehu i Partisë Demokratike, tha se “për të favorizuar rolin e Serbisë në rajon qeveria Rama u përpoq të dëmtonte imazhin dhe rolin e Greqisë si vend anëtar i BE-së dhe gjithmonë pro Shqipërisë”.

Studiues të pavarur vlerësojnë që institucionet shqiptare nuk kanë komunikim të rregullt mes tyre për çështje me interes kombëtar, sic janë bisedimet me Greqinë.

Profesor Roland Lami, ekspert i çështjeve politike të brendshme dhe atyre ndërkombëtare, thotë se edhe demokratët edhe socialistë janë sot në të njëjtat kushte mungesë transparence dhe akuzash të ndërsjellta, si në vitin 2009.

“Njëlloj mungon transparenca, njëlloj presidenti bëhet pjesëmarrës, njëlloj qeveria nuk konsultohet me ekspertët dhe me publikun e gjerë, dhe po njëlloj qytetarët marrin vesh vetëm disa copëra të shkëputura nga media mbi bisedimet, derisa marrëveshjet të bëhen fakt i kryer” – tha zoti Lami.

Ai thotë se fakti që diskutohet për herë të dytë pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese duhet t’i bënte palët më serioze për një çështje me kaq rëndësi sa janë ndarja e territoreve ujore.

“Edhe këtë radhë partitë nuk po dalin nga axhendat e ngushta politike dhe shfaqin një mungesë serioziteti në trajtimin e çështjeve me rëndësi dhe në sytë e ndërkombëtarëve” – tha studiuesi Lami.

Studiuesit pohojnë se zhvillimet tregojnë edhe një herë tjetër tregojnë papjekurinë e forcave politike në raport me rëndësinë e çështjes, duke parë vetëm axhendat e ngushta partiake. (voa)

Berlini në qendër të vëmendjes së shërbimeve sekrete ruse

spiunazhiMbas sulmeve të hakerave në kompjuterin e parlamentit gjerman fshihet një shërbim sekret rus. Ekzistojnë një sërë dëshmish që tregojnë se strategët e Kremlinit e kanë Gjermaninë në fokus.

Rasti është bërë i njohur që në muajin dhjetor, njofton Agjencia gjermane e Lajmeve (dpa). Virusi ka depërtuar në sistem dhe hakerat kanë vjedhur të dhëna. Sulmi është kuptuar nga Shërbimi Sekret gjerman që në muajin dhjetor. Sulmi është zhvilluar prej një kohe të gjatë, mbase prej një viti. Mbas shkurtimeve “APT28″ ekspertët e kompjuterave supozojnë se merr pjesë edhe qendra qeveritare ruse. Edhe sulmi mbi parlamentin gjerman në vitin 2015 ka pasur të bëjë me këtë grup, thonë ekspertët.

Ministria e Brendshme konfirmon sulmin

Ministria e Brendshme gjermane e konfirmoi rastin dhe bëri të ditur se Enti Federal për Sigurinë në teknikën e informacionit (BSI) dhe shërbimi sekret gjerman kanë hetuar një rast të prekjes së sigurisë në teknologjinë e informacionit që kanë prekur teknikën dhe rrjetin federal”. Njerëzit përgjegjës në zyrat përkatëse janë informuar dhe “janë marrë masat e duhura për sqarimin dhe mbrojtjen”, tha një zëdhënës. “Brenda administratës federale sulmi u izolua dhe u vendos nën kontroll”, tha ai më tej.

BSI vendosi sistemin mbrojtës për federatën dhe për qendrat e paprekura nga sulmi. Por deri tani nuk ka pasur qendra të prekura jashtë administratës federale. Për rastin po punohet “me prioritet të lartë” dhe me burime të konsiderueshme. Sipas informacioneve të gazetës “Süddeutschen Zeitung” një sulm ka pasur edhe në Ministrinë e Jashtme gjermane.

Sulmi ka qenë në linjën e informacionit Berlin- Bon

Me sulmin e hakerave është infiltruar rrjeti i të dhënave të administratës federale, Lidhja Informative Berlin- Bon (IVBB), thuhet në rrethet e sigurisë. Që prej dhjetorit autoritetet po mundohen të gjejnë sa thellë janë futur hakerat në rrjetin e qeverisë. Nëse është prekur i gjithë sistemi i të dhënave të federatës, atëherë ky do kishte qenë një shkatërrim i madh, thotë një ekspert i sigurisë. Krahas BSI dhe mbrojtjes nga spiunazhi në Entin Federal të Mbrojtjes së Kushtetutës (BfV) është lidhur me rastin edhe Shërbimi Sekret. Linja Informative Berlin – Bon është një platformë komunikacioni e administratës federale e mbrojtur nga sulmet në rrjet. Përdorues të saj janë Kancelaria dhe ministritë federale, Enti federal i kontrollit si dhe autoritetet e sigurisë në Berlin. Bon dhe në qendra të tjera, por edhe Parlamenti dhe Këshilli Federal.

Ndërtimi i kësaj linje, e cila është e ndarë nga rrjetet publike për të rritur sigurinë. Dëshmitë tregojnë se sulmi mbi të nga “APT28″ ka të bëjë me një grup hakerash të drejtuara nga shteti rus, megjithëse në raste të tilla është i vështirë verifikimi. Shenjat tregojnë një gjë të tillë. Kështu për shembull ka pasur sulme të mëparshme nga “APT28″ kundër NATO-s si dhe qendrave qeveritare e gazetarëve nga Evropa lidore dhe Kakukazi, objektiva atraktive të qendrave ruse të shërbimit sekret. Shkurtimi APT do të thotë Advanced Persistent Threat (kërcënimi i vazhdueshëm dhe i avancuar).

“APT28″ ka sulmuar parlamentin gjerman që më 2015

Në sulmin ndaj parlamentit gjerman në maj 2015, u vunë re aktivitete të dyshimta në rrjetin e kompjuterave të parlamentit. Hakerat kishin arritur të siguronin një infiltrim aq të madh, saqë e gjithë teknologjia e informacionit të parlamentit duhet të ndërrohej. Supozohet se hakerat kanë qenë po ashtu “APT28″. Para zgjedhjeve parlamentare politikanë dhe punonjës të shërbimit sekret folën për rrezikun se të dhëna të besueshme të marra nga hakerat nga parlamenti mund të përdoreshin në fushatën elektorale duke u prezantuar në platforma si Wikileaks. Por nuk ndodhi ndonjë valë publikimesh për manipulimiin e zgjedhjeve. Rrjeti i të dhënave të Federatës është shumë më i mbrojtur nga sulmet e hakerave se sa rrjeti i parlamentit.

Qeveria federale gjermane regjistron sipas të dhënave të veta rreth 20 sulme shumë të specializuara hakerash në ditë në kompjuterin e vet. Një sulm në javë e ka origjinën nga një shërbim sekret. Po ashtu ka të dhëna se spiunë rus përpiqen të rekrutojnë punonjës të zyrave të parlamentarëve. (dw)

OKB mbi mundësinë e zgjerimit të BE nё Ballkanin Perëndimor

KBKombet e Bashkuara vlerësojnë se pas gjithë krizave ekzistenciale që ka kaluar BE, financiare, politike dhe gjeopolitike është e rëndësishme që me zgjerimin BE të demostrojë kontinuitet.
Bashkimi Evropian është duke i dhënë një hov të ri zgjerimit në drejtim të Ballkanit perëndimor me Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Serbinë e Malin e Zi. “Vendet e Ballkanit janë duke dialoguar me Bashkimin Evropian, dhe ky është një diskutim në të cilin ne nuk jemi të përfshirë”, thotë Stéphane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB.
Ky është një zhvillim politik që është nxitur nga Bullgaria, e cila mban presidencën e radhës në BE. Bullgarët donin që bisedimet e pranimit të fillonin me Shqipërinë. Por BE ka shpallur si vende kryesore kandidate Serbinë dhe Malin e Zi, vende të cilave u është hapur një perspektive pranimi në vitin 2025. BE e sheh vitin 2019 si vitin vendimtar për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe është e vendosur të mos importojë konflikte kufitare nga Ballkani në BE. Në vitin 2019 pritet që Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnjë Hercegovina të marrin statusin e plotë të vendit kandidat për pranim. Në muajin maj Bullgaria do të organizojë në Sofje një konferencë, ku secilit vend aspirant do i jepet një plan individual aksioni, modeluar sipas nevojave të vendit.
Mundësi të besueshme antarësimi
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se pas gjithë krizave ekzistenciale që ka kaluar BE, financiare, politike dhe gjeopolitike është e rëndësishme që me zgjerimin BE të demostrojë kontinuitet. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është t’ u ofrojë vendeve një mundësi të besueshme antarësimi në BE.
“Ne shpresojmë që dialogu midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit të jetë pozitiv. Vendet janë shtete sovrene dhe i marrin vendimet vetë”, thotë Stéphane Dujarric.
Ballkani ofron një mundësi të sigurt zgjerimi dhe kjo mund të shfrytëzohet për t’ i vënë kufi influencës ruse. Pikë të dobët OKB ka dy vendet ballkanike ku ka pasur angazhimin më të madh, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.
Në Bosnjë-Hercegovinë, zgjedhjet e tetorit pritet të tregojnë si do të jetë perspektiva euro-atlantike e vendit, për të cilën Republika Srpska bën oponencë të fortë. Kurse Kosovës i duhet të kapërcejë ato që liderët kosovarë i quajnë “paragjykime antimyslimane të institucioneve evropiane”.
Sipas Kombeve të Bashkuara “paradoksi është se Bosnjë Hercegovina dhe Kosova janë tashmë të integruara në BE. Me misionet e veta Bashkimi Evropian ka qenë i angazhuar në këto vende me aspekte të ndryshme të qeverisjes. Këto vende i kanë dhënë pjesë të sovranitetit Bashkimit Evropian, por nuk kanë ende të drejtë të gëzojnë antarësinë”.
Mundësitë e besueshme të pranimit varen edhe nga problemet që ekzisojnë brenda BE. Vështirësitë shkaktohen prej presionit të populizmit në BE. Përvoja e shkurtër e zgjerimit të BE-së me Bulgarinë, Kroacinë dhe Rumaninë ka treguar se anëtarësimi në BE nuk është zgjidhja e gjithë problemeve të ekonomive në tranzicion të Evropës lindore. Megjithëse anëtare e BE, Bullgaria vazhdon të ketë probleme si ato që janë shqetësuese në Ballkanin perëndimor, si sistem i dobët i institucioneve demokratike, korrupsion dhe standart i ulët jetese shoqëruar nga migracioni i lartë. Të njëjtat gjëra mund të thuhen edhe për Rumaninë. (dw)

Junker: Është esenciale që Kuvendi i Kosovës ta miratojë marrëveshjen e demarkacionit

ThaciPresidenti i Komisionit Evropian i shoqëruar dhe nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, qëndruan në Kosovë në kuadër të vizitave që po zhvillojnë në vendet e Ballkanit.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, u tha udhëheqësve politik kosovarë se “Kosova duhet t’i përmbushë sa më parë detyrimet që ka marrë në mënyrë që qytetarët e këtij vendi të përfitojë në procesin e liberalizimit të vizave”. “Është esenciale që Kuvendi i Kosovës ta miratojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Ky është një hap kyç dhe i pashmangshëm për liberalizimin e vizave. Shqiptarët dhe serbët do të jenë përfituesit e parë. Nuk më kënaq fakti që kosovarët janë të vetmit në rajon që nuk mund të udhëtojnë lirshëm”, tha Junker gjatë një konference të përbashkët për mediet me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Konferenca për medie ishte tejet e shkurtër, dhe Junker nuk përmendi ndonjë datë të qartë për liberalizimin e vizave, nëse kuvendi ratifikon demarkacionin. Junker në këtë kuadër përmendi edhe përpjekjet për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, fenomene këto që duhet luftuar sepse, edhe ky është kusht për liberalizim.

Normalizim i raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit

Presidenti i Komisionit Evropian i cili e viziton Kosovën për herë të parë, tha se ai dëshiron që raportet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të normalizohen dhe kjo të arrihet përmes dialogut ndërmjet të dyja vendeve.

“Ne duam që marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë të vihen në një bazë të re. Është themelore që kosovarët dhe serbët të gjejnë një pajtim midis tyre, e cila do të jetë juridikisht detyruese për të ecur së bashku drejt Evropës”, tha Junker.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga ana e tij, tha se Kosova e ka të qartë rrugën e saj drejt BE-së, ndërsa vizitën në Kosovë të tre krerëve të BE-së e cilësoi si një sinjal të qartë se BE-ja e do Kosovën në strukturat e saj. “Lidhur me perspektiven tonë evropiane ne nuk jemi duke kërkuar ndonjë rrugë të shkurtër, mirëpo vetëm presim trajtim të barabartë dhe qartësi në rrugën tonë përpara, sepse jam i bindur se kjo do të rezultojë me stabilitet e paqe, si dhe bashkëpunim në gjithë rajoni tonë”, tha Presidenti Hashim Thaçi, duke ripotencar se “dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është një proces i vështirë por një rrugë e vetme që do t’u jepte fund konflikteve”.  “Kosova është plotësisht e përkushtuar ndaj këtyre dy qëllimeve dhe detyra jonë është që si hap të parë të sigurojmë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe natyrisht, të punojmë me përkushtimin më të lartë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja përmes një marrëveshjeje përfundimtare”, tha Thaçi.

Demarkacioni me Malin e Zi

Në këtë ditë kur në Kosovë qëndronin tre krerët e Bashkimit Evropian, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, shefja e diplomacisë së BE-së Federika Mogherini dhe komisioneri për zgjerimin Johanes Hahn, parlamenti i Kosovës kishte seancë të jashtëzakonshme për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Mirëpo, pa ndonjë shpjegim të qartë, nuk u hodh në votim ligji për demarkacionin me Malin e Zi, i paralajmëruar me shumë bujë se sot kuvendi mund ta ratifikoje marrëveshjen. Në fillim të seancës, deputetët votuan për shmangie të procedurës, duke mënjanuar kështu debatin për demarkacionin, debat ky që është konsumuar tash e gati tre vjet.

Pas shmangies procedurale të paraparë me Rregulloren e Kuvendit, kryeparlamentari Veseli, kërkoi pauzë me qëllim që shefat e grupeve parlamentare t’i harmonizojnë qëndrimet për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit i cili më pas do të nxirrej në votim para deputetëve. Mirëpo, kjo nuk ndodhi sepse, shumë deputetë nuk ishin të pranishëm në sallë. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se “në aspektin kohor, mund të shtyhet seanca për votimin e projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, sepse disa deputetë shqiptarë ndodhen në Podgoricë për një vizitë.”

Prania ndërkombëtare në Kosovë, vazhdimisht po u bën thirrje deputetëve që ta votojnë ligjin për demarkacionin. Kësaj thirrje iu bashkua edhe ambasada e Gjermanisë në Prishtinë. “Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkimin e kufirit është një hap vendimtar drejtë arritjes përfundimtare të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Me ngulm inkurajojmë partitë politike të bashkëpunojnë dhe të arrijnë një konsensus. Arritja e një konsensusi është në interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe duhet të merret si përgjegjësi e përbashkët për këtë vend”, citojnë mediet lokale ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë.

Lëvizja Vetëvendosje kundër ratifikimit

vv

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi, është temë debati në Kosovë tash e më shumë së dy vjet. Dy tentime në kuvendin e Kosovës për ta ratifikuar demarkacionin me Malin e Zi, dështuan javën e shkuar, sikundër një tentim tjetër dështoi sot, për shkak të dallimeve të mëdha që kishin partitë politike rreth kësaj çështjeje. Gjatë fundjavës kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i kuvendit Kadri Veseli dhe shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, u dakorduan rreth kësaj çështjeje, mirëpo kundër ratifikimit të demarkacionit vazhdon të jetë lëvizja Vetëvendosje dhe lista Srpska.

Lëvizja Vetëvendosje është kundër, sepse thotë se Kosova po humbet territor, ndërsa, lista Srpska, thotë se për këtë subjekt më i rëndësishëm është formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, sesa demarkacioni me Malin e Zi. Të dyja këto subjekte politike përfaqësohen me 42 deputetë, ndërsa, për t’u ratifikuar demarkacioni që është kusht për liberalizimin e vizave, nevojiten 80 vota nga 120 sa i ka parlamenti i Kosovës.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaci, është i bindur se parlamenti i Kosovës do ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi në ditët në vijim, ndërsa, kërkoi nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker si tha, “që në momentin që kjo të ndodhë, jam i bindur se Komisioni Evropian, do t’i jap fund izolimit të qytetarëve të Kosovës”. Kosova është i vetmi vend në Evropë që akoma ka regjim vizash për në vendet e zonës Shengen. (dw)

Studimet: Telefonat e zgjuar, shtojnë shkëmbimet e mesazheve seksuale mes të miturve

telefonat e zgjuarStudime të reja tregojnë se “sexting” është në rritje në mes të të miturve në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht pasi shumë prej tyre përdorin telefona inteligjentë. “Sexting” janë foto, video ose mesazhe me përmbatje të qartë seksuale që shkëmbehen përmes mjeteve elektronike.

Gjatë dekadës së fundit, studiuesit vëzhguan mbi 110 mijë fëmijë të moshës nga 12 në 18 vjeç siç njofton “JAMA Pediatrics”, një revistë mjekësore e rëndësishme që boton studimet e fundit klinike. Studimi, që përfshinte një numër të barabartë djemsh e vajzash, shikonte mesazhet me përmmbajtje seksuale që ishin dërguar dhe marrë me pëlqim, si dhe dërguar apo marrë pa pëlqimin e tyre.

Përdorimi i mesazheve me përmbajtje, imazhe ose video qartësisht seksuale përmes mjeteve elektronike, është rritur gjatë viteve të fundit tek të rinjtë, thanë hulumtuesit. Dhe praktika është përhapur krahas rritjes së përdorimit të telefonave inteligjentë tek adoleshentët.

Shtimi i përdorimit shkon në përpjesëtim të drejtë me rritjen e moshës kur sa më shumë rriten të rinjte, aq më shumë kanë qasje apo kanë në pronësi telefona inteligjentë, krahasuar me më të vegjlit“, thuhet në studim.

Popullariteti i rritur i Snapchat, një aplikacion i telefonave inteligjentë, i cili i fshin fotot pas 10 sekondave, ka çuar në një shkallë të zgjeruar të “sexting”.

Një faqe në internet “Tech Junkie” paralajmëron se fotot në Snapchat mund të ruhen, edhe pa ditur gjë dërguesi.

Sipas kërkuesve, studimi i 110 mijë të miturve nuk ofron detaje specifike dhe të qëndrueshme, se kush po dërgon mesazhin dhe kur, por vetëm mbi atë se tendenca është rritur me kalimin e kohës dhe me përhapjen e telefonave inteligjentë.

Studime të mëparshme kanë arritur në përfundimin se përqindja e të rinjve në para-adoleshencë dhe atyre në adoleshentë që kryejnë sexting shkon “nga 1.3 për qind në 60 për qind. Por shkalla se sa duhet të shqetësohen, profesionistët e kujdesit shëndetësor, personelit shkollor, atyre që hartojnë politikat dhe prindërve, në lidhje me këto sjellja është e panjohur.

Të rinjtë që nuk kanë mbërritur ende në moshën e adoleshencës “mund të jenë veçanërisht të prekshëm nga fotot nudo apo videot e tilla që përdoren si një formë e kërcënimit apo shantazhit” thanë studiuesit dhe sipas tyre ata “mund të jenë të kërcënuar për një sërë sjelljesh të rrezikshme dhe pasojash negative”.

Hulumtime të mëtejshëm që fokusohen tek “sexting” pa miratim, do të jenë të nevojshme me qëllim informimin në mënyrë të përshtatshme të ndërhyrjes, edukimit dhe përpjekje që duhen bërë me politika“, shkruan në raport ekipi i studiuesve. (voa)