Tzanakopoulos: Topi është në anën e Maqedonisë për çështjen e emrit

Tzanakopoulos“Topi tani është në anën e fqinjëve dhe duhet të bëjnë disa hapa që të arrijmë deri te marrëveshja”, thuhet nga sekretari i Qeverisë së Greqisë, Dimitris Tzanakopoulos në intevistën për kanalin e tretë nga Selaniku në televizioni shtetëror grek “ERT” dhe njëherit përsëriti kërkesën greke për rishikim të Kushtetutës.

Siç raportn AIM nga Athina, Tzanakopoulos beson se janë ndërmarrë hapa me ndryshimin e “qëndrimeve radikale dhe nacionaliste të qëndrimeve të mëparshme” në Shkup, por përsëri thekson se ka çështje që nuk janë të thjeshta dhe se faza teknike është mjaft e rëndë.

“Unë mendojë në fakt se ka një vullnet politik nga të dyja anët, por ekzistojnë çështje që nuk janë të thjeshta, nuk janë të karakterit teknik dhe çështja kryesore  është kushtetutshmëria për të mbuluar parakushtin e emrit. Sepse, ju e dini që qeveria greke në bisedime vjen dhe do të bjerë dakord për një emër që çka do të ishte për të  gjithë, egra omnes, dhe për përdorim të përgjithshëm. Për egra omnes, është e qartë se duhet rishikim të Kushtetutës nga fqiut”, tha zëdhënësi dhe Ministri pa resor i Qeverisë greke, Dimitris Tzanakopoulos./Telegrafi/

Abuzimet me pronat, bregdeti i Jugut i parregjistruar

Artan LameNë Shqipëri drejtori i Agjencisë së Legalizimeve, Artan Lame tha sot se pjesa më e madhe e territorit të vendit rezulton e parregjistruar në zyrat e hipotekave duke bërë që cështja e pronësisë të kthehet në një burim konflikti dhe abuzimesh.

“Gjithë bregdeti i Jugut është i parregjistruar. Nuk ka ndodhur më kot. Eshtë lënë, jetë e mot, në këto 20 e ca vjet i parregjistruar, për t’u shqyer. Dhe me thënë të drejtën, ja kanë dalë, ka funksionuar. Përgjithsisht, në rang Republike, pa bërë ndarje, as PD e as Ps, as blu e të kuq, se hajdutëria nuk ka ngjyrë, aty ku janë përzierë, administratat vendore janë përzierë njësoj në këtë proces”

Zoti Lame tha se kontrollet e kryera ne lidhje me rregjistrimet e tokave bujqësore kanë nxjerrë problematika në thuajse të gjithë vijën bregdetare nga Veriu në Jug të vendit. Shkeljet kanë të bëjnë me mënyrat e lëshimit të titujve të pronësisë apo ndryshimin e zërit kadastral të tokës, në tokë bujqësore pa qenë e tillë.

Qeveria shqiptare ka vendosur së fundmi “pezullimin e regjistrimit të titujve të pronësisë në bregdet dhe mbi reformën e pronës në tërësi me qëllim që të bllokojë të gjithë ata që kanë abuzuar me pronat dhe i kanë tjetërsuar ato në mënyrë të paligjshme”.

Për abuzimet me pronat janë ndërmarrë disa hetime që kanë zbuluar parregullsi mbi sipërfaqe të mëdha në zonën e Karaburunit, Kavajës e së fundmi dhe në bregdetin e Lezhës.  (voa)

Përfaqësuesit serbë paralajmërojnë për asociacionin e komunave ku janë shumicë

ZSOPërfaqësuesit e serbëve të Kosovës thanë sot që nëse Prishtina dhe perëndimi nuk e themelojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe deri më 20 prill, atëherë do ta bëjnë ata vet.

Kjo u tha në një takim të kryetarëve dhe deputetëve të dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila u mbajt në veriun e Mitrovicës, dy ditë pasi që policia e Kosovës ndërhyri duke arrestuar zyrtarin e qeverisë serbe, Marko Gjuriç, të cilin e dëboi më pas për në Serbi. Ndërhyrja nxiti reagimin e ashpër të Beogradit si dhe vendimin e Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës për t’u tërhequr nga qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në takim u kërkua që siç thuhet, për shkak të dhunës së përdorur të hënën, gjatë arrestimit të Marko Gjuriçit, të japin dorëheqje ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtori i Policisë së Kosovës.

Ministri i deritashëm i pushtetit lokal në qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviç, tha se asociacioni i komunave me shumicë serbe ‘është çështje politike kulmore dhe detyrim ndërkombëtar’.

“Nëse Perëndimi dhe Prishtina nuk dëshirojnë ta formojnë Bashkësinë e komunave serbe, ne e kemi të drejtën e plotë legjitime që vetë ta marrin fatin në duar tonë dhe ta formojmë Bashkësinë e komunave serbe”, tha ai.

Por, në një përgjigje për Zërin e Amerikës, zyra e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ultimatumi është qasje e gabuar dhe se vetëm dialogu është zgjidhje për këtë çështje. “Asnjë nismë e cila nuk është e bazuar në ligjet dhe procedurat demokratike të Republikës së Kosovës nuk do të zbatohet dhe nuk do të respektohet”, thuhet në deklaratën e qeverisë e cila thekson se asociacioni është detyrim që Kosova e ka marrë në procesin e Brukselit dhe do të zbatohet në të ardhmen e afërt.

Të hënën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ishte pajtuar më udhëheqësit tjerë të institucioneve të Kosovës për ta krijuar një Grup Punues të gjerë institucional, për hartimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Njohës të çështjeve politike në Kosovë po e vlerësojnë si të rrezikshme idenë e Listës Serbe që ta formojë asociacionin në mënyrë të një anshme. Analisti Rrahman Paçarizi, i tha Zërit të Amerikës se tendenca e listës serbe për të themeluar këtë asociacion pa bashkëpunuar me institucionet e Kosovës është një provokim ndaj shtetit të Kosovës.

“Pavarësisht se me këtë veprim cenohet rendi kushtetues i shtetit të Kosovës, institucionet e Kosovës duhet të tregohen të matura dhe të mos i përgjigjen këtij provokimi apo të mos luftojnë me armët të cilat ua ofron Beogradi zyrtar për ta tensionuar situatën, për ta krijuar pastaj një gjendje reale apo një punë të kryer, në të cilën pastaj serbët do të mund të organizoheshin me mbështetjen e Beogradit dhe do të bënin përpjekje që të njihet situata e krijuar në terren si një realitet”.

Zoti Paçarizi thotë se në fakt vet dalja e listës serbe nga qeveria e Kosovës ishte një arsyetim për t’iu qasur themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në këtë kuptim lista serbe ka dalë nga qeveria dhe tash do të përpiqet të organizohet përmes asociacionit të komunave, qoftë për konsum të brendshëm, qoftë për t’i bërë presion qeverisë së Kosovës që të nisë sa më shpejtë procesin e themelimit të këtij asociacioni, gjë që qeveria e Kosovës do ta ketë shumë të vështirë sepse sapo ka kaluar nëpër një proces të vështirë të ratifikimit të demarkacionit ku lista serbe nuk ka qenë aspak bashkëpunuese”, thotë zoti Paçarizi.

Marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumice serbe është pjesë e marrëveshjeve të arritura në prill të vitit 2013 në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Çështja e asociacionit ishte pjesa më e vështirë e bisedimeve për shkak të qëndrimeve të ndryshme të palëve. Autoritetet në Prishtinë thanë se komunat mund të ndihmojnë njëra tjetrën në fushat e shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik e të ngjashme.

Ndërsa Beogradi tha se “bashkësia e komunave serbe do të ketë kryetarin, nënkryetarin, kuvendin, këshillin, stemën dhe flamurin dhe do të ketë përgjegjësi të gjera. Ajo do të vendosë për shëndetësinë, arsimin, planifikimin urban e rural dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa Serbia ka të drejtë ta financojë atë pa taksa”.

Në dhjetor të vitit 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se pjesë të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese pasoi kërkesën e ish presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, pas një periudhe tensionesh të brendshme politike për shkak të kundërshtimit nga ana e partive opozitare të cilat bllokuan punën e parlamentit duke theksuar se marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, dëmton shtetin e Kosovës. (voa)

E adhmja e Rusisë – komente të analistëve

PutinRezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 18 marsit në Rusi, sollën pak surpriza si për rusët, edhe për Perëndimin. Presidenti Vladimir Putin do të vazhdojë ta drejtojë vendin në 6 vjetët e ardhshëm. Por ndërsa Kremlini këmbëngul se zgjedhjet ishin të drejta dhe transparente, një numër analistësh për Rusinë kanë shprehur shqetësim dhe parashikojnë një krizë vazhdimësie në vitin 2024.

Me zgjedhjet e 18 marsit, Vladimir Putin e ruajti pushtetin në Rusi; ai do ta udhëheqë vendin edhe për 6 vite të tjera. Sekretari i Shtypit i zotit Putin, Dmitry Peskov, thotë se rezultatet flasin vetë:

“Zgjedhjet e 18 marsit treguan se shoqëria jonë është plotësisht e konsoliduar. Ajo nuk është e tillë për shkak të sulmeve nga dikush, por në saje të planeve për zhvillimin e vendit në të ardhmen, gjë që e tregoi edhe rezultati i zgjedhjeve.”

Shumë analistë nuk e shohin kështu këtë çështje. Mes tyre, disa studjues rusë të shkencave politike me pikëpamje progresive, që u intervistuan nga shërbimi rus i Zërit të Amerikës. Mes tyre, është Dmitry Oreshkin:

“Putini fitoi. Por cili është shqetësimi im? Zgjedhjet i ngjanë atyre të periudhës sovjetike. Pikësëpari, nuk pati alternativa të besueshme ndaj Putinit. Edhe në votimet sovjetike, kishte vetëm një emër në fletën e votimit. Së dyti, elektorati u çua në votime. Njerëzit nuk mund të marrin mbi vete rrezikun për të patur një qëndrim të tyrin politik. Bosët e tyre u thonë se duhet të shkojnë në votime, dhe ata shkojnë…”

Një tjetër analiste, Ekaterina Schulmann, mendon se zgjedhjet mund të mos kenë qenë të drejta:

“Një nga skandalet paszgjedhore është deklarata e Ministrit të Brendshëm rus Sergey Shoigu, se 99 për qind e ushtarakëve dhe familjeve të tyre votuan dhe 89 për qind e tyre mbështetën komandantin e përgjithshëm të Rusisë. Kjo është çmenduri, sepse ushtarakët votojnë në të njëjtat qendra votimi si njerëzit e tjerë, (me përjashtim të atyre që ndodhen në baza jashtë vendit). Nuk ka asnjë mënyrë të mësohet se për kë kanë votuar ata. Kjo e bën deklaratën e ministrit ose spekulative, ose provon se janë bërë mashtrime.”

Kur është fjala për të ardhmen e Rusisë, Dmitri Oreshkin është pesimist. Ai thotë se rusët mund të presin të ketë pak, ose aspak ndryshim, ndërsa Putini vazhdon ta udhëheqë vendin sipas modelit të tij. Ç’do të ndodhë në vitin 2024, kur ai të mos ketë më mundësi të kandidojë për postin e presidentit?

“Kush do të jetë pasuesi i Putinit? Ai vetë. Nuk e dimë se në çfarë roli, si kryeministër, apo si udhëheqësi i një shteti të ri, por ai ka për ta patur të vështirë të largohet nga pushteti dhe çdo vit ka për të qenë edhe më e vështirë,”- thotë Oreshkin.

Studjuesi Oreshkin thotë se cilitdo që do të vijë në pushtet pas Putinit, do t’i duhet të gjejë mënyra për të kënaqur elitat dhe për t’i qëndruar besnik paraardhësit të tij. (voa)

Zuckerberg kërkon publikisht falje, por kjo nuk mjafton

fb“Ju premtoj se do punojmë më mirë në të ardhmen,” shkroi drejtori ekzekutiv i Facebook Zuckerberg në gazeta. Por falja me shkrim me sa duket nuk është e mjaftueshme.

Përmes reklamave në gazeta Mark Zuckerberg kërkoi publikisht falje  për skandalin mbi përdorimin e paautorizuar të të dhënave të miliona përdoruesve të Facebook.

“Ju ndoshta keni dëgjuar se aplikacioni i një kuici të një shkencëtari u ka dhënë në mënyrë të paligjshme të dhënat e Facebookut të miliona njerëzve në vitin 2014″, thuhet në njoftimin e nënshkruar nga Zuckerberg që zë një faqe të plotë në gazetat Süddeutsche Zeitung dhe “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

“Kjo ishte prerje në besë dhe unë kërkoj falje që ne nuk kemi ndërmarrë asgjë në lidhje me këtë gjë më përpara.” Facebooku po merr hapat e nevojshëm që kjo të mos ndodhë përsëri. Zuckerbergu kishte kërkuar falje të dielën edhe në disa gazeta britanike për skandalin me të dhënat.

“Sorry” nuk mjafton

Politikanët britanikë u shprehën se për ta falja me shkrim nuk është e mjaftueshme. Ata duan ta marrin në pyetje personalisht Zuckerbergun, dhe u shprehën se kjo mund të bëhet edhe përmes një video-konference. Drejtori ekzekutiv i Facebookut tha se para tij pyetjeve të një komisioni parlamentar duhet t’i nënshtrohen ose drejtori i teknologjisë Mike Schroepfer ose drejtuesi i produktit Chris Cox.

Ministrja gjermane e Drejtësisë, Katarina Elb (SPD) u takua më 26 mars me përfaqësuesit evropianë të Facebook në Berlin.

Rreth një javë më parë ishte bërë e ditur se kompania britanike e analizës së të dhënave Cambridge Analytica ka arritur të ketë qasje të paautorizuar në të dhënat e miliona profileve në Facebook. Me ndihmën e këtyre të dhënave mendohet se gjatë fushatës zgjedhore presidenciale amerikane votuesit janë ndikuar qëllimisht me reklama zgjedhore të paautorizuara  në favor të Donald Trumpit.

Komisioni i BE i ka vendosur koncernit Facebook një afat kohor prej dy javësh për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth skandalit të të dhënave. Komisionerja e Drejtësisë Vera Jourova i shkroi një letër gjigantit të internetit ku kërkon të qartësojë rolin e sipërmarrjes Cambridge Analytica dhe t’i përgjigjet pyetjes nëse janë prekur edhe të dhënat personale të përdoruesve të Facebook-ut në Evropë. (dw)

SHBA, nisin hetimet ndaj Facebook-ut

fbKomisioni federal amerikan i Tregtisë njoftoi të hënën se po heton lidhur me praktikat e kontrollit të privatësisë nga ana e gjigandit të medias sociale, Facebook. Vendimi vjen pas raportimeve se të dhënat personale të dhjetëra miliona përdoruesve të Facebook-ut u kompromentuan nga kompania britanike e profilizimit të votuesve “Cambridge Analytica”.

Njoftimi i agjencisë së konsumatorëve i uli çmimet e aksioneve të Facebook-ut me 2 për qind të tjera, pasi një rënieje prej 14 për qind javën e kaluar që e uli vlerën në treg të kompanisë me 90 miliardë dollarë.

Agjensia federale normalisht nuk i njofton hetimet e saj, por ajo e konfirmoi nisjen e hetimit pas disa raporteve në shtyp javën e kaluar.

Shefi i përkohshëm i zyrës së mbrojtjes së konsumatorit Tom Pahl tha se: “Agjencia federale është plotësisht e përkushtuar të përdorë të gjitha mjetet e saj për të mbrojtur privatësinë e konsumatorëve. Në krye të tyre qëndron zbatimi i veprimeve kundër kompanive që dështojnë të respektojnë premtimet e tyre lidhur me privatësinë, ose që angazhohet në akte të padrejta që shkaktojnë dëmtime të konsiderueshme për konsumatorët”, tha ai.

Praktikat e privatësisë në Facebook janë vënë në pikëpyetje në të dy anët e Atlantikut, pas zbulimeve se kompania “Cambridge Analytica” kishte marrë informacion të fshehtë rreth përdoruesve të Facebook-ut nga studiuesi britanik Alexsandr Kogan, i cili ishte autorizuar nga gjigandi i medias sociale për të mbledhur të dhënat si pjesë e një studimi akademik.

Zoti Kogan krijoi një aplikacion në të cilin 270 mijë përdorues të Facebook-ut ofruan informacione rreth vetes së tyre. Në tërësi, për shkak të lidhjeve të gjera të miqve në facebook dhe bashkëpunëtorëve të 270,000 përdoruesve të faqes së internetit, 50 milionë përdoruesve të Facebook-ut mund t’ju jenë komprometuar të dhënat e tyre personale.

Britania ka hapur një hetim ndaj kompanisë “Cambridge Analytica” si dhe ka konfiskuar të dhëna nga selia e saj në Londër.

Ministrja gjermane e drejtësisë Katarina Barley u takua të hënën me zyrtarë të Facebook-ut. Ajo bëri thirrje për rregulla dhe ndëshkime më të rrepta për kompani si Facebook-u.

Vetë gjigandi i medias sociale tha të hënën se mbetet “tejet i vendosur” për të mbrojtur informacionet e njerëzve dhe se do t’i përgjigjet pyetjeve të Komisionit amerikan Federal të Tregtisë.

Të dielën shefi i Facebook-ut Mark Zuckerberg u kërkoi falje përdoruesve për “shkeljen masive të besimit” nga kompania e tij. (voa)

Federica Mogherini të martën në Beograd

MogheriniShefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, shkon të martën pasdite në Beograd, për të takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në një njoftim të zëdhënëses së saj Maja Kocijançiç, thuhet se “në kthim nga Tashkenti ku ndodhej në një konferencë për Afganistanin ajo do të qëndrojë në Beograd për të diskutuar me presidentin serb për të ardhmen e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Vizita pason ngjarjet e një dite më parë në veriun e Kosovës ku policia arrestoi zyrtarin serb Marko Gjuriç, për shkak të hyrjes së paligjshme në Kosovë.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje palëve që të “dëshmojnë përmbajtjen e domosdoshme dhe pjekuri” dhe të ruajnë dialogun.

Edhe ambasadorët amerikanë në Prishtinë dhe Beograd kanë bërë thirrje për qetësi dhe kanë nënvizuar se “dialogu nuk ka alternativë”. (voa)

Evropa përballë Rusisë: Ortek dëbimesh të diplomatëve rusë

debimi i diplomateve rusShumë vende të Bashkimit Europian iu bashkuan të hënën SHBA-ve për të dëbuar dhjetra diplomatë rusë në një kundërpërgjigje të koordinuar për helmimin më 4 mars në Britani me lëndë kimike nervore të një ish agjenti të dyfishtë rus. Qeveria britanike ia ka hedhur fajin Rusisë dhe ka akuzuar Kremlinin se ishte ai që e ka miratuar helmimin.

Dëbimet e koordinuara – të pashembullta që nga Lufta e Ftohtë – u dënuan menjëherë nga Kremlini, i cili paralajmëroi se do të përgjigjej me të njëjtën monedhë. Dëbimet e para të diplomatëve rusë u njoftuan në Uashington. Administrata Trump tha se ka urdhëruar largimin e 60 rusëve, e ndjekur nga Gjermania, e cila urdhëroi dëbimin e katër diplomatëve.

Holanda dëboi dy diplomatë rusë; Estonia urdhëroi atasheun rus të mbrojtjes të largohet; Republika Çeke njoftoi se po dëbonte tre punonjës të ambasadës ruse.

Lituania tha se po dëbon tre diplomatë rusë dhe po ndalon 44 zyrtarë të tjerë rusë të hyjnë në vend. Letonia tha se po heq një diplomat rus. Franca njoftoi se po dëbon katër diplomatë rusë. Ministri i jashtëm i Polonisë tha se katër diplomatë rusë janë dëbuar.

Në Bruksel, presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk tha se gjithsej 14 vende anëtare të BE-së po marrin pjesë në këtë ndëshkim kolektiv. Ai tha se në ditët në vijim mund të ndërmerren veprime të mëtejshme.

BRITANIA PËRSHËNDET VEPRIMET E ALEATËVE

Kryeministrja britanike Theresa May tha: “Ne mirëpresim veprimet e sotme të aleatëve, që tregojnë qartë se ne të gjithë qëndrojmë krah për krah duke i dërguar një sinjal mjaft të fortë Rusisë se ajo nuk mund të vazhdojë të shkelë drejtën ndërkombëtare.” Ajo e përshkroi vendimin si dëbimin më masiv të oficerëve rusë të zbulimit në histori.

Sekretari i jashtëm britanik Boris Johnson shkruante: “Përgjigja e jashtëzakonshme ndërkombëtare e sotme nga aleatët tanë hyn në histori si dëbimi më i madh kolektiv i oficerëve të inteligjencës ruse dhe do të ndihmojë në mbrojtjen e sigurisë sonë të përbashkët. Rusia nuk mund të shkelë rregullat ndërkombëtare pa u ndëshkuar”.

Tony Brenton, ish-i dërguar britanik në Moskë, tha se, sipas tij, dëbimet do të trondisin Moskën, duke shtuar se Kremlini dukej se kishte llogaritur se britanikët do të merrnin thjesht një mbështetje me fjalë nga aleatët, por jo më tepër.

REAGIMI I KREMLINIT

Deri në mbrëmjen e së hënës, më shumë se 100 diplomatë rusë kishin marrë urdhra largimi, u njoftua në Moskë.

Që para se të fillonin dëbimet, zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse Maria Zakharova u kundërpërgjigj në Facebook, duke thënë se vendet perëndimore po vepronin si vasale të bindura, të etura për të bërë punën e Londrës.

Zyrtarët e Kremlinit thanë se Presidenti Putin do të vendoste se si do të përgjigjej, por se do të tregohej “simetrik” në veprimet e tij.

Vladimir Dzhabarov, zëvendëskryetar i komisionit të punëve të jashtme në dhomën e sipërme të parlamentit rus, i tha agjencisë shtetërore të lajmeve RIA se Putini do të përgjigjej duke urdhëruar largimin e së paku 60 punonjësve të misioneve diplomatike të SHBA-së në Rusi.

Privatisht, disa zyrtarë rusë pranuan se ishin të befasuar nga përmasat e kundërpërgjigjes perëndimore, duke u ankuar se britanikët nuk kishin provuar ende se Kremlini kishte gisht në helmimin e Sergei Skripalit, një agjent rus i rekrutuar nga MI6 e Britanisë, dhe të vajzës së tij.

Javën e kaluar, në një takim të krerëve të BE-së, britanikët morën mbështetje të fortë dhe të papritur diplomatike. Vendet e BE-së ranë dakord me pikëpamjen e Britanisë se me shumë gjasë Rusia qëndronte pas helmimit me agjent nervor. Pas kësaj, shanset për një kundërpërgjigje kolektiv u rritën.

Britania dëboi 23 diplomatë rusë pas helmimit. Rusia u përgjigj duke hequr të njëjtin numër diplomatësh britanikë.

DISA VENDE HEZITOJNË

Disa vende të tjera, duke përfshirë Austrinë, Greqinë dhe Italinë, me synimin për të ruajtur marrëdhëniet me Rusinë, shfaqën hezitim për të marrë pjesë në hakmarrjen kolektive.

Krisjet brenda burokracive të BE-së dolën në pah javën e kaluar, kur presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, nuk e uroi Vladimir Putinin për rizgjedhjen si president, ndërsa presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker i dërgoi atij një letër urimi.

Me shtimin e dëbimeve, sekretari britanik i mbrojtjes, Gavin Williamson, tha se mbështetja perëndimore ndaj Britanisë ishte “në vetvete një humbje për presidentin Putin.” Duke folur gjatë një vizite tek ushtarët britanikë të stacionuar në Estoni, ai tha: “Durimi i botës ndaj presidentit Putin dhe veprimeve të tij po arrin aty ku nuk mban më, dhe vendet anëtare të NATO-s e në Bashkimin Evropian, janë ngritur në mbështetje të Mbretërisë së Bashkuar. Në fakt mendoj se kjo është përgjigja më e mirë që mund të japim.”

Qeveria ruse u përgjigj menjëherë, duke thënë se akuzat e Britanisë për sulmin me agjent nervor ndaj ish-spiunit të dyfishtë “mund të krahasohen gati me banditizëm”.

Në janar 2017, Putini urdhëroi dëbimin e 755 diplomatëve amerikanë pas miratimit nga Kongresi të një ligji që shtonte sanksionet ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë dhe për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane.

Ambasada e Rusisë në kryeqytetin e SHBA, u përpoq të dielën të shmangte vendimin amerikan, duke i kërkuar Shtëpisë së Bardhë të mos e besonte atë që ajo e quante “propagandë britanike për helmimin e Skripalit.

Ja vendet që po dëbojnë diplomatë rusë dhe numri i të dëbuarve:

SHBA 60
Britani 23
Shqipëri 2
Kanada 4
Ukrainë 13
Francë 4
Gjermani 4
Poloni 4
Lituani 3
Çeki 3
Itali 2
Holandë 2
DanImarkë 2
Suedi 1
Letoni 1
Estoni 1
Finlandë 1
Rumani 1
Kroaci 1

Maqedoni 1

(voa)

Lista serbe largohet nga qeveria e Kosovës

RakicLista serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, vendosi të largohet nga qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Shefi i kësaj liste, Goran Rakiç, tha të martën në Beograd pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se muajin e ardhshëm kur mbushen pesë vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit në kuadër të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të fillojnë vet ngritjen e asociacionit të komunave më shumicë serbe. Ai tha se lista ka mbështetjen e presidentit serb për veprimet e saj.

Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili mblodhi të martën Këshillin e Sigurisë e cilësoi të ngutshëm këtë veprim duke u bërë thirrje përfaqësuesve të listës serbe që të reflektojnë mbi vendimet e tyre.

“Mendoj që është një paralajmërim i ngutshëm i tyre, i ngutshëm dhe i dëmshëm, nuk bën ashtu. Ne e pamë dje kur nuk ka komunikim të mirëfilltë deri ku mund të shkojnë zhvillimet. Nuk është mirë të testohet durimi i askujt deri në fund, më mirë është t’i kthehemi tavolinës dhe t’i shtyjmë temat së bashku, por njëanshëm nuk mendoj se është në dobi të askujt dhe jam thellë i bindur se do ta gjejmë një gjuhë të komunikimit që punët t’i kryejmë si i ka hije në tavolinë, por jo ashtu, jo njëanshëm jo me mohim”, tha kryeministri i Kosovës.

Njësitë e policisë së Kosovës ndërhynë të hënën në veri për të shpërndarë një tubim në të cilin po merrnin pjesë zyrtarë serbë që kishin hyrë në Mitrovicë me gjithë ndalesën nga autoritetet e Prishtinës. Policia arrestoi dhe e dërgoi në Prishtinë shefin e zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili bashkë me sekretarin e përgjithshëm i presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviç, hynë në Mitrovicë jashtë rrugëve të ligjshme.

Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë të tubuarit. Marko Gjuriç, më pas u dëbua në Serbi. Veprimi nxiti reagime të ashpra të Beogradit i cili akuzoi edhe fuqitë perëndimore për mbështetje të ndërhyrjes së policisë së Kosovës.

Kryeministri Haradinaj, tha se veprimet e djeshme nuk kanë qenë të drejtuara ndaj komunitetit serb në Kosovë, por ishin të pashmangshme dhe në pajtim me ligjin.

“Arrestimi i djeshëm i zyrtarit të Serbisë, në këtë rast Marko Gjuric, nuk ishte një veprim i këndshëm ose i pëlqyeshëm prej nesh, por ishte zbatim i ligjit pra i pa alternativë meqenëse hyrja ishte ilegale dhe në këtë rast vlejnë procedurat standard të cilat i kanë zbatuar organet e rendit, policia dhe institucionet tjera me profesionalizëm”, tha zoti Haradinaj.

Lista Serbe, është pjesë e koalicionit qeverisës në Kosovë dhe largimi i saj e lë qeverinë pa shumicën në parlament duke krijuar rrethana të reja në vend, që mund të çojnë në zgjedhje të parakohshme apo rikonfigurim të qeverisë.

Kryeministri Harandinaj, mohoi mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, por tha se mbetet i hapur për mundësi të tjera.

“Dorëheqje s’e kam në plan të jap, punën e kam në plan ta vazhdoj seriozisht, ata që e pëlqejnë punën e qeverisë ju shprehi partneritet, ata që shkojnë e hyjnë e dalin nuk kam ndonjë vendim tjetër për ta”, tha zoti Haradinaj. (voa)

Shqipëria dëbon dy diplomatë rusë, Maqedonia një

Ministria e jashtmeNë Shqipëri, Ministria e Jashtme njoftoi sot pasdite dëbimin e dy diplomatëve rus. Në një njoftim të shkurtër bëhet e ditur se kjo masë ju bë e ditur ambasadorit të Federatës ruse Aleksander Karpushin “të cilit i’u komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik”. Mësohet se dy diplomatët të cilët do të duhet të lenë territorin shqiptar janë Sekretari i Parë i ambasadës ruse Alexey Nikolaevich dhe Atasheu ushtarak Vladislav Filipov.

Vendimi i Tiranës pason masat e ngjashme të marra sot ndaj diplomatëve rusë nga Shtetet e Bashkuara dhe disa prej vendeve kryesore të Bashkimit europian në përgjigje të një sulmi me agjent nervor ndaj një ish-spiuni rus në qytetin anglez të Salisburyt.

Shqipëria që më herët “dënoi ashpër” përmes një deklarate “sulmin me një agjent nervor ushtarak, i një lloji të zhvilluar nga Rusia, kundër Sergei dhe Yulia Skripal në Salisbury të Britanisë së Madhe” më 4 mars, theksonte deklarata që shprehte “solidaritet të plotë me Britaninë e Madhe dhe qytetarët e saj”. Qëndrimi i Tiranës, u pasua me një reagim të menjëhershëm të ambasadës ruse, sipas së cilës “nëse Shqipëria nuk ka prova dhe argumenta” atëherë deklarata e saj dëshmonte “qoftë mungesë kompetence, qoftë një manipulim të qëllimshëm të opinionit publik”, thuhej në reagimin e ambasadës ruse në Tiranë.

Ministria maqedonase e Punëve të Jashtme bëri të ditur se do të dëbojë një diplomat rus nga Maqedonia. Këtë hap, MPJ në Shkup e ndërmerr pas konsultimeve me aleatët dhe partnerët nga Bashkimi Evropian dhe NATO dhe duke u solidarizuar me Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut për shkak të rastit Skripal. Ministria e punëve të jashtme e Maqedonisë përmes një komunikate thekson se këtë e bën në pajtim me nenin 9 të Konventës së Vjenës për marrëdhënie diplomatike të vitit 1961.

“Përdorimi i armëve luftarake kimike është në kundërshtim me të Drejtën ndërkombëtare dhe kjo ndikon në sigurinë e të gjitha shteteve”, thuhet në komunikatën e ministrisë maqedonase.

Ndërkaq, nga ambasada e Federatës ruse në Shkup këtë vendim e vlerësojnë si provokim dhe akt armiqësor. Ambasada shkruan më tej se “Përgjegjësia e plotë për pasojat e këtij provokimi dhe akti armiqësor pa precedencë në marrëdhëniet ruso-maqedonase do të bie mbi palën maqedonase”.

Rusia ka bërë përpjekje për shtrirjen e ndikimit të saj në Maqedoni dhe së fundmi një këshilltar i lartë i presidentit Putin ishte në Shkup në promovimin e një partie nacionaliste që u emërtua Maqedonia e bashkuar, në bazë të partisë ruse në pushtet “Rusia e Bashkuar”.

Por, sipas sondazheve, qytetarët e Maqedonisë janë përcaktuar për integrime euroatlantike dhe rreth shtatëdhjetë për qind e tyre e mbështesin synimin e Maqedonisë në rrugën e këtij integrimi.