Shqipëri: Deputetë të opozitës e një ministër përjashtohen nga Kuvendi

kuvendiTrazira e kaos në Kuvendin e Shqipërisë. Byroja e Kuvendit përjashtoi përkohësisht nga Kuvendi një ministër dhe deputetë opozitarë, pas akteve të palejueshme në seancën e djeshme plenare.

Gjashtë deputetë opozitarë të PD dhe deputeti socialist, ministri Ditmir Bushati, nuk do të marrin për dhjetë ditë në seancat dhe komisionet parlamentare. Byroja e Kuvendit vendosi mbrëmë (12.04.2018) perjashtimin e tyre për dhjetë ditë si pasojë e akteve të dhunës që shkaktuan në seancën e djeshme plenare.

Deputetët e përjashtuar të  PD bllokuan dje foltoren e Parlamentit dhe që andej gjuajtën me vezë dhe miell kryeministrin Rama dhe ministrat e tij. Nënkryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, tentoi ta godasë kryeministrin Rama me një televizor, që e shkuli nga vendi. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati hodhi ujë mbi deputetët opozitarë që bllokuan foltoren.

Situata e tensionuar u krijua nga mospranimi prej Byrosë së Kuvendit të kërkesës së opozitës për përjashtimin e kryeministrit Rama nga punimet e Parlamentit për një kohë të caktuar, për shkak të asaj që opozita e quan përdorim „të një fjalori fyes” ndaj saj.

Situatë e acaruar politike

Trazirat dhe kaosi në seancën e djeshme parlamentare janë në vijim të aksionit të opozitës për të kundërshtuar taksën e kalimit të automjeteve në „Rrugën e Kombit”  që lidh Shqipërinë me Kosovën.  Opozita doli në fillim të këtij muaji në krah të protestuesve nga Kukësi, në protestën kundër kësaj takse, e cila doli jashtë kontrollit.14 policë u plagosën nga gurët që hodhën protestuesit mbi forcat e rendit, sportelet  e ngritura për të marrë taksën para Tunelit të Kalimashit u dogjën dhe kompjuterat u thyen. 11 protestues u proceduan penalisht dhe Gjykata e Kukësit vendosi masën e arrestit me burgim për „sulm kundër forcave të rendit dhe shkatërrimin e pronës”. Opozita kërkon lirimin e tyre dhe filloi aksionin për  mosbindje civile me bllokimin për dy orë, të shtunën e kaluar, ( 07.04.2018) të katër rrugëve nacionale, ku dogji  goma automjetesh.

„ Kërkojmë lirimin e 11 banorëve të Kukësit që po mbahen padrejtësisht në burg dhe heqjen e taksës së kalimit në „Rrugën e Kombit”. Ky është vetëm fillimi i protestës popullore kundër regjimit tuaj kriminal dhe privat” iu drejtua kryetari i PD,  Lulzim Basha kryeministrit Rama .

Por kreu i qeverisë së Tiranës e vlerëson të domosdoshme pagesën e taksës për të mirëmbajtur dhe modernizuar rrugën, që ka kushtuar 1,2 miliardë euro dhe ku nevoijten edhe 300 milionë euro të tjera që të përfundojë, sipas parashikimeve të qeverisë vitin e ardhshëm.

Opozita ka paralajmëruar vijimin e aksionit opozitar dhe të mosbindjes civile në ditët në vijim. 23 protestues në bllokimin e rrugëve nacionale janë arrestuar për ndeshje me policinë dhe do të dalin para gjykatës.

Konfliktualitet në vend të dialogut

Polarizimi politik aktual po pengon dialogun politik mes qeverisë dhe opozitës.   Ecja drejt dialogut në vend  të konfliktit është një nga sugjerimet e vazhdueshme të BE ndaj klasës politike të Shqipërisë. Dhuna dhe tensioni  i mbrëmshëm në Parlament ndodh në prag të publikimit të Raport të Progresit 2017 për Shqipërinë nga Komisioni Europian. Ai do të jetë baza  e vlerësimit të zhvillimit  demokratik të Shqipërisë dhe tregues i qartë nëse negociatat e anëtarësimit me BE do të hapen këtë verë. Komisioneri Hahn dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE, Mogherini, që do të vizitojnë Tiranën më 18 prill për të prezantuar Raportin do të gjejnë një situatë të tensionuar politike.Ulja e palëve në tryezën e bisedimeve dhe dialogu mes tyre, tani për tani, nuk duket e afërt. (dw)

Vuçiçi drekon me Merkelin

Merkel VucicTemë e bisedës ishte dhe Kosova, por as njëri as tjetri nuk dha hollësi. Theksohet roli i Serbisë në rajon.

Se çfarë mendon Kancelarja gjermane Angela Merkel për një propozim eventual të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç për raportet me Kosovën, kjo nuk dihet ende. Të premten Presidenti serb Vuçiç ka biseduar me Kancelaren gjermane për Kosovën, por të dy krerët ranë dakord që të heshtnin.

Në deklaratat e tij për mediat serbe, Vuçiç tha pas takimit shprehjen tashmë të njohur: “Jemi të gatshëm për një kompromis për Kosovën, por për këtë duhen dy palë”.

Para takimit, kancelarja Merkel riofroi gatishmërinë e saj për të ndihmuar në zgjidhjen e tensioneve: “Serbia luan një rol kyç në rajon, si për Kosovën ashtu edhe për Bosnjë-Hercegovinën”, theksoi Kancelarja para takimit.

Se si dhe në çfarë forme do të jetë angazhimi i Gjermanisë në zgjidhjen e kësaj çështjeje, Merkel nuk e konkretizoi. Ajo tha se po e mirëpret samitin e ardhshëm të vendeve anëtare të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, që do të zhvillohet më 17 maj 2018 në Sofje, si edhe konferencën e ardhshme, në kuadër të të ashtuqajturit proces të Berlinit, që do të zhvillohet në korrik 2018 në Londër.

Kontakte të shpeshtuara mes Beogradit dhe Berlinit

As dy muaj nuk kanë kaluar që nga vizita e fundit në Berlin e Presidentit serb Vuçiç. Asokohe Serbisë iu premtua mbështetje në procesin e saj drejt BE-së, kur veç reformave të shtetit ligjor, rolin kryesor e luan zgjidhja e çështjes së Kosovës.

Por afro një muaj më pas marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë u tensionuan, kur qeveria e Kosovës dëboi ministrin serb për Kosovën Gjuriç nga Mitrovica e Veriut. Vuçiçi kërkoi ndihmën e Rusisë për zgjidhjen e problemit, sepse sipas tij Perëndimi favorizonte shqiptarët.

Ndaj kësaj  afërie të dyfishtë të Serbisë si me BE-në, ashtu edhe me Rusinë, Berlini reagon me diplomaci: “Ne nuk mund t’u diktojmë partnerëve tanë se me kë mund të bisedojnë”, i tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert DW të premten në Berlin.

Ndërsa Vuçiçi vjen rregullisht disa herë në vit në Berlin dhe edhe më shpesh ka bisedime telefonike mes tij dhe kancelares Merkel, kontaktet e Kancelares Merkel me krerët e Kosovës janë thuajse inekzistente. (dw)

Shqipëri, tension në parlament

tension ne parlamentNë Shqipëri seanca e sotme e parlamenti u zhvillua mes tensioneve të forta në sallë. Deputetët e opozitës bllokuan foltoren duke kërkuar përjashtimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa më pas disa prej tyre hodhën miell, vezë e shishe uji në drejtim të tij. I ulur në krah të kreu të qeverisë, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u kundërpërgjigj duke hedhur dhe ai ujë drejt deputetëve të opozitës.

Qese me miell, vezë, e sende të ndryshme dhe shishet me ujë mbizotëruan sot në sallën e parlamentit ku sërish seanca u zhvilluan thuajse në një koas të plotë.

Opozita e bëri të qartë që në fillim qëndrimin e saj, ndërsa kryetari demokrat Lulzim Bashan në përfundim të fjalës së tij kërkoi përjashtimin e kryeministrit Edi Rama, për shkak të “fjalorit fyes nga qytetarëve” në seancën e shkuar duke paralajmëruar se “nuk ka për të pasur procedim normal të kësaj seance pa larguar njeriun që ka fyer si askush tjetër shqiptarët. Ai do të largohet, ai do të mbajë përgjegjësi për këtë fyerje, për krimet dhe grabitjet që i ka bërë vendit”.

Opozita javën e shkuar bëri kërkesë zyrtare për përjashtimin e kryeministrit, por ajo u hodh poshtë nga Byroja e parlamentit. Kryetari i parlamentit ndërhyri disa herë duke i kujtuar zotit Basha se ishte në shkelje të rregullores së parlamentit. Ky ishte momenti i ndërprerjes së parë të seancës. Rifillimi i saj e gjeti sërish opozitën të grumbulluar rreth foltores duke hedhur thirrje kundër kryeministrit dhe duke kërkuar lirimin e 11 qytetarëve nga Kukësi, të mbajtur në arrest me burg për shkak të ngjarjeve të dhunshme të 10 ditëve më parë në Rrugën e Kombit, gjatë protestës kundër tarifës së parashikuar për kalimin në aksin rrugor që çon drejt Kosovës.

Reagimet u ashpërsuan, ndërsa disa prej deputëtevë të opozitës, lëshuan qese me miell drejt kryeministrit Rama. Pas miellit do të vinte radha e sendeve të tjera apo dhe shisheve të ujit. Kryeministri Rama nuk reagoi dhe qëndroi pa lëvizur në vendin e tij. Në krah, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati nuk e shmangu dot kundërpërgjigjen, duke hedhur ujë drejt deputetëve të opozitës.

Më vonë përmes një statusi në Facebook ai u shpreh i keqardhur “për reagimin instinktiv ndaj agresionit të ulët me miell, vezë e të tjera mjete rrethanore, nga grupi i pushtuesve të dhunshëm të foltores së Kuvendit, pa llogaritur lumin e të sharave vulgare”, shkruajti zoti Bushati duke i kërkuar ndjesë qtetarëve që nuk arriti të ruajë “gjakftohtësinë në ato kushte krejt të papranueshme për çdo mjedis publik, e lere më pastaj për një parlament demokratik”, u shpreh zoti Bushati.

Seanca u përmbyll me shpejtësi, ndërsa për dy çështjet e rendit të ditës u votua pa diskutime. Ndërsa në mbrëmje pritet mbledhja e Byrosë për përjashtimin e të paktën tre deputetëve të opozitës, masa ndaj të cilëve u njoftua në sallë nga kryetari i Parlamentit, por dhe i ministrit të Jashtëm. (voa)

Konsultime të reja për emrin e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë

Kotzias DimitrovMinistri i Jashtëm Níkos Kotziás, në kuadrin e turneut tre-ditor që bën në Ballkan, do të takohet me homologun e tij të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Nikola Dimitrov.

Turneu i kreut të diplomacisë greke do të përfundojë me vizitën e tij të Premten, 13 Prill në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Siç tha z.Kotziás gjatë vizitës së tij në Serbi, «çelësi» për zgjidhjen e çështjes së emrit të vendit fqinj është realizmi dhe vuri në dukje se duhet të arrihen kompromise për zgjidhjen e çështjes së emrit të IRJM-së.

Kompromis – tha ai në mënyrë karakteristike – do të thotë që të dyja palët duhet të kuptojnë se nuk mund t’i marrin të gjitha, se që të dyja palët duhet të kenë fitime. (ert)

Laboratorët konfirmojnë përdorimin e agjentit kimik në Britani

agjenti kimikKatër laboratorë me lidhje me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike konfirmuan konkluzionin e Britanisë, se për helmimin muajin e kaluar të ish spiunit rus dhe vajzës së tij është përdorur një agjent kimik.

Organizata publikoi sot një raport, pas analizave të kryera nga katër laboratorët.

Kryeministrja britanike Theresa May pati thënë se ish spiuni rus Sergei Skripal dhe vajza e tij Yulia, u helmuan muajin e kaluar në Salisbury të Anglisë, me një agjent nervor që përdoret në ushtri, të krijuar nga Bashkimi Sovjetik në vitet 1970 dhe ’80.

Organizata Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike nuk fajësoi Rusinë për sulmin dhe as përmendi një emër specifik të lëndës kimike të përdorur. Por Ministri i Jashtëm britanik Boris Johnson tha se vetëm Russia i kishte “mjetet, motivin dhe njihet historikisht” për kryerjen e sulmeve të këtij lloji.

Russia ka mohuar përfshirjen në sulm dhe thotë se Britania nuk ka paraqitur fakte për të provuar akuzat e saj.

BB: Rritja ekonomike e Kosovës në vitin 2017 ishte 4.4 për qind

bb ritja ekonomike KosoveBanka Botërore tha se ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2017 u rrit me 4.4 për qind, e nxitur kryesisht nga investimet publike dhe private dhe nga shtimi i eksporteve.

Ky përfundim është pjesë e një raporti Ekonomik mbi Evropën Juglindore, në të cilin thuhet se rritja ekonomike e Kosovës parashikohet të mbërrijë në 4.8 për qind gjatë viteve 2018 – 2020. Por, kjo rritje sipas raportit, varet nga qëndrueshmëria politike dhe zbatimi i programit të investimeve.

Marko Hernandes nga Banka Botërore tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të rrisin prodhimin, që sipas tij, është faktor thelbësor për zhvillim më të shpejtë ekonomik.

“Ekonomia në Ballkanin Perëndimor vazhdon të rritet. Viti 2017 ka qenë më i ngadaltë sesa vitet e kaluara, por vendet e punës po vazhdojnë të krijohen”, tha zoti Hernandes.

Në raport thuhet se rritja ekonomike e Kosovës ka nxitur edhe krijimin e vendeve të punës posaçërisht në informacion, prodhim, tregti me shumicë dhe pakicë, komunikime dhe veprimtaritë administrative si dhe shërbimet mbështetëse. Me gjithë shtimin e vendeve të reja të punës, sipas raportit, shkalla e papunësisë është rritur në 30.4 për qind të popullsisë së regjistruar si të papunë.

Eksportet e mallrave u rritën me 23.1 për qind për shkak të rritjes së shkëmbimeve me partnerët tregtarë, rritjes së çmimeve të metaleve bazë dhe rritjes së prodhimit. Eksportet e shërbimeve u rritën me 17.7 për qind, kryesisht për shkak të rritjes së turizmit nga diaspora.

Po ashtu në raport thuhet se, çdo vonesë në reforma, për të mbuluar përfitimet e veteranëve të luftës dhe për të parandaluar ngritjet e përfitimeve sociale të pakontrolluara, mund të rrezikojnë qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike.

Agim Demukaj, ekonomist në Bankën Botërore, thotë se Kosova duhet të gjejë një zgjidhje për çështjen e pagesave për veteranët e luftës.

“Ne ndajmë të njëjtin mendim edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtarë, që qeveria duhet të marr masa të korrigjojë çfarë ka ndodhur aty dhe thjeshtë të zbatojë ligjin e ri i cili parasheh që në tërësi kjo skemë të mos kalojë 0.7 të Bruto Prodhimit Vendor si kosto fiskale”, tha ai.

Në raportin e Bankës Botërore thuhet së në mënyrë që të drejtpeshohen rreziqet, Kosova duhet të zbatojë reformat me përparësi, të rrisë prodhimin, të angazhojë dhe punësojë të rinjtë dhe gratë dhe të trajtojë korrupsionin.

Sipas Bankës Botërore, me gjithë parashikimet pozitive për ekonominë e Kosovës, perspektiva e saj është e ndjeshme ndaj rreziqeve që lidhen me politikën për shkak se qeveria aktuale ka shumicën e thjeshtë në parlament.

Rreziqet politike, thuhet në raport, mund të rriten me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ngritjen e Forcave të Armatosura të Kosovës. (voa)

Dimitrov dhe Kotzias në takim joformal në Ohër

Dimitrov-KotziasShefi i diplomacisë së Greqisë, Nikos Kotzias, ka arritur sot në Ohër ku nesër do të realizojë takim zyrtare me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov.

Sot pasdite Kotzias dhe Dimitrov kanë darkuar së bashku në një nga restorantet e Ohrit dhe kanë realizuar një takim joformal, ndërsa pritet që pas negociatave të ecet një hap përpara në kontestin e emrit, njofton Telegrafi Maqedoni.

Kotzias në aeroportin e Ohrit u prit nga përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndërsa i pranishëm nuk ishte Nikolla Dimitrov.

Ky është takimi i tretë mes dy ministrave brenda një muaji, kur dihet që Kotzias para disa ditëve zbriti në aeroportin e Shkupit, ndërsa takimi i fundit ishte ai në Vjenë më 30 mars./Telegrafi/

Gjenerali Clark paralajmëron: Ballkani është para shpërthimit

WesleyClarkIsh-komandanti suprem i Alencës  Veriatlantike (NATO), gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley K. Clark, ka paralajmëruar se Ballkani Perëndimor është para shpërthimit, përsëri.

Nëpërmjet një shkrimi autorial, të publikuar në “The Washington Post“, Clark ka porositur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian që të veprojnë për ta parandaluar një gjë të tillë.

“Kanë kaluar më shumë se dy dekada që kur kam bashkëpunuar me Richard Holbrooke dhe ekipin tonë për të negociuar ndaljen e luftës në Bosnjë. NATO-ja u mobilizua dhe më pas veproi për të ndalur edhe spastrimin etnik nga serbët në Kosovë”, ka shkruar Clark.

“Sot, tri shtete të Ballkanit Perëndimor (Kroacia, Shqipëria dhe Sllovenia) janë bërë anëtarë të NATO-s. Kroacia dhe Sllovenia janë anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Kosova tani është shtet i pavarur. Shumica e amerikanëve dhe evropianëve e kanë skajuar në mendje atë konflikt brutal si problem të zgjidhur”, ka theksuar gjenerali i pensionuar.

“Fatkeqësisht, kjo s’është fare e vërtetë. Konfliktet e vazhdueshme politike për natyrën etno-fetare të këtyre vendeve vazhdimisht rrezikojnë të shndërrohen në kriza kombëtare dhe rajonale, duke e bërë rajonin cak kyç për ndërhyrje nga fuqitë e huaja”, ka shkruar ish-komandanti i NATO-s, transmeton Gazeta Express.

“Një përzierje e dëmshme e qeverisjes së keqe, e ngecjes ekonomike dhe e institucioneve të dobëta demokratike e ka lënë një pakicë të vogël, por të rëndësishme, pre të rekrutimit nga xhihadistët e dhunshëm. E gjithë kjo e lë rajonin të hapur për shfrytëzim nga organizatat terroriste, dhe për ndërhyrje nga të huajt, përfshirë Rusinë, Kinën dhe Turqinë”, ka nënvizuar Clark.

“Për më keq, rajoni po vuan nga neglizhenca e demokracive që kanë qenë vendimtare në ndaljen e luftërave në Jugosllavi. Duke besuar se e ardhmja demokratike e Ballkanit është në BE, Shtetet e Bashkuara në masë të madhe ia kanë dorëzuar Brukselit përgjegjësinë për zhvillimin politik, institucional dhe ekonomik të rajonit. Megjithatë, inercia politike brenda BE-së e ka mbajtur Bosnjës, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë duke pritur. Dhe, përderisa Shtetet e Bashkuara dhe Evropa po flenë, fuqitë e tjera po veprojnë”, ka paralajmëruar Clark.

“Kremlini po e rrit vazhdimisht ndikimin e tij. Rusët po punojnë për të nxitur ndjenjat anti-BE dhe anti-NATO. Ata po mbështesin grupet ekstremiste (njëri prej të cilëve po hetohet në Bosnjë për aktivitete të dyshuara paramilitare) dhe po shpërndajnë ndihma ushtarake për to. Kremlini gjithashtu u ka hedhur benzinë flakëve të përçarjeve etnike, nëpërmjet fushatave të keqinformimit, që i shtyjnë në konflikt popullatat ortodokse kundër atyre myslimane, duke nxitur qëllimisht tensionet që i ka dhënë shtysë luftërave jugosllave në vitet ’90 të shekullit të kaluar”, ka shkruar gjenerali i pensionuar amerikan.

“Ndërkohë, Turqia dhe shtetet e Gjirit po investojnë shumë në Ballkanin Perëndimor. Turqia është investitori i tretë më i madh në Bosnjë, dhe udhëheqësi i partisë kryesore myslimane të Bosnjës udhëton rregullisht në Stamboll, për t’u fotografuar me presidentin turk, gjithnjë e më autoritar, Recep Tayyip Erdogan”, vazhdon shkrimi i Clarkut.

“Arabia Saudite dhe fqinjët e saj të Gjirit kanë përqendruar kontributet e tyre në mbështetjen e organizatave fetare, duke ndërtuar xhami të reja dhe duke ofruar udhëzime fetare për imamët lokalë. Interpretimi i rreptë Vahabi i islamit, që shpesh është bazë e trajnimit të tillë, ka fare pak lidhje me traditën e moderuar që është praktikuar në Ballkan me shekuj, dhe që konsiderohet faktor për rritjen e fundamentalizmit në rajon”, ka theksuar Clark.

“Rreth 1.000 luftëtarë të huaj (kryesisht nga Kosova dhe Bosnja) kanë luftuar për Shtetin Islamik në Siri dhe në Irak. Ndonëse numri i luftëtarëve të huaj nga Ballkani po vazhdon të bjerë, mjediset në të cilat këta individë janë radikalizuar, dhe dobësia karshi rekrutimit në mesin e segmenteve të popullatës, vazhdon të përbëjë shqetësim. Problemi i riintegrimit të luftëtarëve të huaj, të kthyer në vendet e tyre, përbën një sfidë edhe më të ndërlikuar”, ka vlerësuar ai.

“Edhe Kina gjithashtu po përpiqet të shtrijë ndikimin e saj në rajon. Pekini pritet të ofrojë investimin masiv kapital që nevojitet për të realizuar projekte shumë të nevojshme infrastrukturore në Ballkan. Por, siç kemi parë në Afrikë, investimet e tilla gjithmonë vijnë me diçka në prapavijë”, ka paralajmëruar ai.

“Është e qartë se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të mbeten të angazhuara në Ballkanin Perëndimor – me një theks të veçantë në forcimin e institucioneve demokratike, në mënyrë që qeveritë të mund të adresojnë nevojat e qytetarëve të tyre”, ka shkruar Clark.

“Një zonë e tregtisë së lirë në Ballkanin Perëndimor, e propozuar nga udhëheqësit e rajonit, mund të jetë një hap në drejtimin e duhur. Por, një iniciativë e tillë nuk duhet të shikohet si zëvendësim i garancive të mundshme që do t’i ofronte NATO-ja dhe BE-ja. Një udhërrëfyes serioz për anëtarësim në BE do t’i ofronte vendeve të rajonit shtysën e nevojshme për të bërë reforma të nevojshme politike dhe ekonomike, për të rritur bashkëpunimin e tyre, dhe për të adresuar tensionet ndëretnike në rritje”, ka paralajmëruar gjenerali i pensionuar.

“Natyrisht, përpjekjet e tilla duhet të sigurojnë mbështetje popullore për të pasur sukses – një sfidë kjo, në një rajon ku popullata mbetet ndjeshëm e përçarë në qëndrimet karshi institucioneve, siç është NATO-ja”, ka theksuar Clark.

“Megjithatë, sipas një sondazhi të fundit, ndonëse serbët, kroatët dhe myslimanët e Bosnjës janë të përçarë për shumë çështje, ata janë të bashkuar në kundërshtimin e tyre ndaj Shtetit Islamik, dhe në dëshirën e tyre për të adresuar problemet ekonomike. Anëtarësimi në NATO do të ishte më i lehtë për t’iu shitur serbëve etnikë të rajonit (të cilët priren të jenë pro-rusë dhe anti-NATO), nëse anëtarësimi do të ofrohej si ndihmë në forcimin e stabilitetit rajonal”, ka shkruar ai.

“Ne kemi shumë mjete në dispozicion për të shmangur destabilizimin e afërt të Ballkanit Perëndimor. Le të sigurohemi që të mos e çojmë dëm investimin e jashtëzakonshëm që kemi bërë në këtë rajon të ndjeshëm, dhe të përtërijmë angazhimin tonë për t’i ndihmuar demokracitë e reja që të arrijnë potencialin e tyre të plotë”, përfundon shkrimi i Clarkut.

Aleatët i bashkohen SHBA, por nuk duan një kundërpërgjigje të nxituar në Siri

Trump1Aleatët e Amerikës deklaruan se do t’i bashkohen një reagimi të mundshëm ushtarak ndaj sulmit me armë kimike në Siri që dyshohet se është ndërmarrë nga forcat besnike të Presidentit Bashar Al-Assad.

Por ata po i kërkojnë Uashingtonit të shmangë një kundërpërgjigje të nxituar, duke thënë se para se të nisë ndëshkimi, nevojiten më shumë prova se sulmi kimik vërtet është kryer nga qeveria siriane.

Me fjalë mjaft të drejtpërdrejta, Presidenti i SHBA Donald Trump paralajmëroi në Twitter të mërkurën se reagimi ushtarak po vjen.

Ai shkruante: “Rusia ka deklaruar se do të qëllojë çdo raketë që do të hidhej kundër Sirisë. Përgatitu Rusi, sepse ato do të vijnë, të bukura, të reja dhe ‘inteligjente’!” Ju nuk duhet të jeni partnerë me një kafshë që vret popullin e vet me gaz dhe kënaqet duke e bërë këtë!”

Zyrtarët rusë nuk vonuan të përgjigjen, duke thënë se nëse do të ketë një goditje amerikane, atëherë Rusia do t’i rrëzojë raketat dhe do të vërë në shënjestër pozicionet nga ku ato janë lëshuar.

“Raketat inteligjente duhet të fluturojnë drejt terroristëve, jo drejt qeverisë së ligjshme që lufton terrorizmin ndërkombëtar prej disa vitesh në territorin e saj”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova në Facebook.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha të mërkurën se të gjitha palët e përfshira në Siri duhet të përmbahen nga veprimet që mund të destabilizojnë rajonin.

Në klimën e shkëmbimeve të nxehta në mediat sociale, me kërcënime dhe paralajmërime, ku flitet për një konfrontim ushtarak mes SHBA dhe Rusisë, Britania, Franca dhe Australia kanë ofruar mbështetje për një sulm amerikan me raketa, por duke e kushtëzuar mbështetjen e tyre.

Ata po vënë në pikëpyetje efektin parandalues të sulmeve me raketa, duke theksuar se kundërpërgjigjja ushtarake amerikane një vit më parë ndaj një sulmi me gaz sarin në provincën veriore siriane të Idlibit, nuk e ka ndalur Assadin të ndërmarrë sulme të tjera kimike, kryesisht me bomba thërrmuese me klor, të hedhura nga helikopterët e regjimit sirian.

Në një bisedë telefonike me Presidentin Trump të martën vonë, kryeministrja britanike Theresa May ofroi mbështetjen e saj, por sipas zyrtarëve britanikë, u shpreh se Britania kërkon më shumë dëshmi se kush fshihet pas sulmit të dyshuar kimik të shtunën në një zonë në periferi të Damaskut që mbahet nga kryengritësit. Sulmi ka lënë të paktën 40 të vdekur dhe deri në 500 të plagosur.

Inspektorët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) përgatiten të vizitojnë periferinë e Doumës, ku ndodhi sulmi, aleatët e tjerë perëndimorë thanë se nuk duhet të ndërmerren veprime pa u sqaruar fakte të tjera.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se Franca është gati të angazhohet për veprime ndëshkuese, nëse konfirmohet se Presidenti Assad ka kaluar vijën e kuqe dhe ka përdorur armë kimike. Por duket se ai dëshiron që goditjet e kundërpërgjigjes të kufizohen vetëm ndaj objekteve siriane të armëve kimike.

Ndërkohë që SHBA dhe aleatët e tyre perëndimorë po sinjalizojnë një përgjigje të mundshme ushtarake, analistët thonë se është humbur elementi i befasisë dhe se qeverisë siriane dhe mbështetësve të saj ushtarakë, Rusisë dhe Iranit, po u jepet kohë e mjaftueshme për t’u përgatitur.

“Sigurisht, problemi është se efekti i befasisë është plotësisht i humbur. Gjithashtu, regjimit sirian, Rusisë dhe Iranit i është dhënë kohë e mjaftueshme për t’u përgatitur me bateri kundër-ajrore dhe për të zbrazur objektivat e mundshme”, thotë Olivier Guitta, drejtor menaxhues në GlobalStrat, një firmë konsulence për sigurinë dhe rrezikun gjeopolitik.

Ai thotë se situata tani është ndryshe nga viti 2013, kur paraardhësi i zotit Trump, Barak Obama kërcënoi të godiste Assadin për një sulm kimik ndaj kryengritësve dhe civilëve në një periferi të Damaskut.

“Në atë kohë, pasojat do të kishin qenë shumë më të vogla, sepse Irani dhe Rusia ishin fare pak të pranishëm në Siri”, thotë ai. “Megjithëse një goditje kundër Assadit është më se e vonuar që nga viti 2013, tani ekziston rreziku i shpërthimit, shkallëzimit dhe luftimeve të para reale mes Rusisë dhe Perëndimit duke i hapur derën një konflikti më të gjatë,” paralajmëron ai.

Kjo frikë mesa duket po ndikon te qeveritë europiane aleate me Shtetet e Bashkuara, përfshirë disa anëtarë të Partisë Konservatore në pushtet të Kryeministres Theresa May, të cilët shqetësohen se administrata Trump nuk ka një strategji të përgjithshme për Sirinë.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se një vendim do të merrej “në ditët e ardhshme” dhe se çdo sulm ajror do të synonte objektet kimike të qeverisë siriane.

Ministrja e Jashtme australiane Julie Bishop bëri të ditur sot mbështetjen e vendit të saj për çdo veprim ushtarak që “do të ketë një objektiv të përcaktuar, do të jetë i kalibruar dhe proporcional.”

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të mërkurën se sipas raporteve nga partnerët e saj, 500 njerëz që kërkuan trajtim mjeksor të shtunën shfaqën shenja dhe simptoma të ekspozimit ndaj kimikateve toksike. Organizata shprehu zemërim për përdorimin e dyshuar të armëve kimike dhe kërkoi qasje të menjëhershme në zonë për të ofruar kujdes shëndetësor.

Të martën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rusia i vuri veton një plani të hartuar nga Shtetet e Bashkuara që parashikonte ngritjen e një komisioni për të hetuar dhe përcaktuar përgjegjësinë e sulmit me armë kimike.

Situata në Siri është tensionuar më shumë pas një sulmi të dyshuar me armë kimike të shtunën në Gutën lindore, ku u vranë të paktën 40 vetë.

Shtetet e Bashkuara dhe disa aleatë të tyre kanë fajësuar forcat siriane për sulmin, ndërsa Siria dhe Rusia i kanë mohuar akuzat se sulmi me armë kimike është ndërmarrë nga ushtria e presidentit Bashar al-Asad.

Ambasadori i Rusisë në Liban, Alexander Zasypkin, paralajmëroi mbrëmë në televizionin al-Manar të Hezbollahut, se një goditje amerikane ndaj Sirisë do të shkaktonte një shkallëzim të madh të luftës atje.

Më herët, Presidenti Trump paralajmëroi se personat përgjegjës do të paguanin një “çmim të lartë” dhe bisedoi disa herë në telefon me homologët e tij britanikë dhe francezë për një përgjigje të mundshme ndaj sulmit kimik.

“Jemi duke kërkuar një përgjigje të koordinuar, pavarësisht se cila mund të jetë kjo përgjigje,” tha të martën zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert.

Përveç fajësimit të Sirisë, Presidenti Trump fajësoi më tej përkrahësit e Asadit në Iran dhe Rusi për sulmin në Ghoutan lindore. Një organizatë ndërkombëtare për mbikëqyrjen e armëve kimike tha se do të dërgojë një ekip për të hetuar incidentin.

“NUK KA ZGJIDHJE TË LEHTË”

sipas analistëve, një reagim tepër i fuqishëm ndaj sulmit të fundit kimik rrezikon shkallëzimin e luftës civile në Siri dhe shtimin e tensioneve ushtarake midis fuqive të mëdha botërore, të cilat kanë të gjitha aleatë në terren.

“Këtu nuk ka asnjë përgjigje të lehtë,” i tha Zërit të Amerikës admirali në pension Michael Mullen. “Është delikate dhe e rrezikshme. Jam i shqetësuar se kjo mund të zgjerohet mjaft shpejt”, shtoi ai.

Rusia ka paralajmëruar për “pasoja të rënda” nëse Shtetet e Bashkuara sulmojnë Asadin.

Shtëpia e Bardhë tha se zoti Trump anuloi një udhëtim në Amerikën Latine, që ishte planifikuar të premten, në mënyrë që të “mbikqyrte përgjigjen amerikane ndaj Sirisë”. Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis gjithashtu anuloi planet e udhëtimit brenda vendit.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë refuzuan të thoshin nëse këto lëvizje pasqyronin mundësinë e veprimeve të zgjatura ushtarake në Siri, ose nëse ky veprim do të përbënte më shumë se një sulm të vetëm ajror.

Në Siri ndodhen më shumë se dy mijë trupa amerikane. Një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ndërmori mijëra sulme ajrore, kryesisht ndaj Shtetit Islamik dhe kryengritësve të tjerë ekstremistë.

Pothuajse një vit më parë, SHBA lëshoi 59 raketa kruz Tomahawk ndaj një baze ajrore siriane si kundërpërgjigje ndaj një sulmi tjetër me armë kimike. (voa)

Freedom House: Demokracia në Shqipëri në vend-numëro

FHDemokracia në Shqipëri nuk pati ndonjë përparim gjatë vitit 2017, pasi “çdo hap përpara, u zhvlerësua nga një hap pas”, sipas organizatës Freedom House.

Shqipëria është në kategorinë e vendeve me demokraci në tranzicion ose regjim hibrid, ndonëse ka shënuar një ngritje të lehtë në pikët e përgjithshme, falë zgjedhjeve të fundit që u zhvilluan të qeta.

Në kapitullin për Shqipërinë të raportit të përvitshëm të organizatës Freedom House “Vendet në Tranizicion” – një përmbledhje të së cilit e përgatiti Zëri i Amerikës – thuhet se përparimi në rënien e kultivimit të kanabisit, u zbeh nga dyshimet se ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte i lidhur me një rrjet shqiptaro-italian të trafikut të drogës.

Arritjet në luftën kundër korrupsionit u zbehën nga zgjedhja si president i Ilir Metës, “i cili shihet nga shumë qytetarë si simbol i korrupsionit” , si edhe nga “zgjedhja me një shumicë të thjeshtë në parlamentin e Shqipërisë të Prokurores së Përkohëshme më 18 dhjetor, gjë që minoi seriozisht besueshmërinë dhe pavarësinë e institucionit”, thuhet në raport.

Përparim në zgjedhje por polarizimi politik vazhdon

Zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit shënuan përparim, pasi ofruan garanci të gjera për opozitën. Falë këtij përmirësimi, rezultati i përgjithshëm i indeksit të demokracisë u përmirësua në 4.11 nga 4.14 që ishte një vit më parë. Sipas Freedom House numri 1 përfaqëson nivelin më të lartë të demokracisë dhe numri 7 më të ulëtin.

“Fushata zgjedhore, si dhe numërimi i votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 kishte shumë më pak probleme sesa në zgjedhjet e kaluara. Për këtë arsye, asnjë nga partitë kryesore nuk i kundërshtoi rezultatet e zgjedhjeve”, thotë raporti.

Por zgjedhjeve u parapriu një bllokim politik mes opozitës dhe qeverisë gjatë katër muajve të parë të vitit 2017 “që e vuri të gjithë procesin zgjedhor në rrezik”.

Në raport thuhet se qeverisja demokratike në Shqipëri, u karakterizua nga ngecja në vend për shkak të polarizimit të thellë mes partisë kryesore opozitare, Partia Demokratike dhe Partisë Socialiste në pushtet, si edhe nga prirjet autoritare në vitin 2017.

Bojkotimi i parlamentit nga Partia Demokratike gjatë katër muajve të parë të 2017-ës, e frenoi reformën e kodit zgjedhor që ishte rekomanduar nga OSBE/ODIHR-i.

Po ashtu rrezikoi ta hidhte të gjithë procesin zgjedhor në kaos pasi PD-ja refuzoi të emëronte përfaqësuesit e vet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe i regjistroi kandidatët e vet, shumë pas afateve të përcaktuara në kodin zgjedhor.

“Marrëveshja e majit mes PS-së dhe PD-së, që i dha fund bojkotit, megjithëse u hapi rrugë zgjedhjeve të qeta, e sforcoi sistemin zgjedhor, pasi logjika politike iu imponua kodit zgjedhor”, thuhet në raport.

Ndërkohë raporti thotë se Partia Demokratike e opozitës dukej se ishte në një proces shpërbërjeje pas humbjes më të thellë në 25 vjet, ndërsa presidenti i ri Ilir Meta nuk e kishte besueshmërinë për të mos lejuar abuzime të mundshme me pushtetin nga ekzekutivi.

Lufta kundër korrupsionit dhe kundër kanabisit

Freedom House thotë se në vitin 2017 pati një farë përparimi kundër korrupsionit dhe rryshfeteve, veçanërisht në radhët e policisë, si edhe në luftën kundër drogës, që u vu re në reduktimin e kultivimit të kanabisit. Por përparimi në rënien e kultivimit të kanabisit, thuhet në raport, u zbeh nga njoftimet e agjencive italiane të rendit se ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte i lidhur me një rrjet shqiptaro-amerikan të trafikut të drogës.

“Megjithë këto njoftime, shumica socialiste në parlamentin e Shqipërisë votoi kundër kërkesës së prokurorëve për t’i hequr Tahirit imunitetin parlamentar, që ai të mund të arrestohej”.

Në raport thuhet se kultivimi i kanabisit ra në mënyrë drastike në Shqipëri, pjesërisht falë ndërhyrjes së policisë shqiptare.

“Ndërsa zyrtarët e qeverisë ia atribuan këtë strategjisë së tyre kundër kanabisit, analistët e pavarur argumentuan se mbiprodhimi gjatë tre viteve të mëparshme, krijoi rezerva të pashitura të kanabisit që e shkurajoi kultivimin e mëtejshëm në vitin 2017”, thuhet në raport.

“Lufta kundër korrupsionit mori gjithashtu një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës si President i Republikës më 28 prill, presidenca e të cilit u bë e mundur nga votat e Partisë Socialiste. Në vitin 2011, Rama vetë e kishte cilësuar Ilir Metën si simbol të gjithçkaje që ishte e kalbur në politikën shqiptare, një vlerësim që e ka edhe një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar”.

Përparimi i bërë në vitin 2017 për të ulur korrupsionin në nivele të ulta, thuhet në raportin e Freedom House, u zbeh nga humbja e terrenit në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe kapjes së shtetit.

Raporti flet për strategjitë e miratuara kundër korrupsionit nga qeveria, përfshirë reformën në drejtësi që ka sy synim vetingun mes gjykatësve dhe prokurorëve në gjithë nivelet.

“Strategjia e qeverisë kundër korrupsionit u përqendrua pothuajse ekskluzivisht tek korrupsioni administrativ dhe neglizhoi korrupsionin politik dhe publik-privat, si kapja e shtetit”, thotë raporti që thekson se “institucione kyçe të anti-korrupsionit si Prokurorja e Përgjithshme e përkohëshme, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Inspektori i Përgjithshëm i Deklarimit dhe Kontrollit të Pronave dhe Konfliktit të Interesave nuk patën pavarësi pasi janë zgjedhur me shumicë të thjeshtë parlamentare të së njëjtës parti që u duhet ta kontrollojnë”.

Ndërsa duke folur për kapjen e shtetit, raporti thotë se ende nuk ka masa rregulluese për lobimin, nuk ka kufizime për zyrtarët që kalojnë në sektorin privat pas jetës publike – përveç drejtorëve të policisë – dhe një kuadër të pamjaftueshëm ligjor për konfliktet e interesave.

Reforma në Drejtësi

Bojkotimi i parlamentit nga opozita dëmtoi gjithashtu edhe reformën e drejtësisë, pasi Partia Demokratike nuk i paraqiti tre kandidaturat e veta në Komisionin Parlamentar përgjegjës për përzgjedhjen e anëtarëve të organizmave që do të kishin përgjegjësinë të kontrollonin figurat e gjykatësve dhe prokurorëve.

Kjo pengoi krijimin e dy institucioneve kyçe të drejtësisë: Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe vonoi procesin e vetingut që filloi më në fund më 26 tetor. Raporti thotë se mungesa e Këshillit të Lartë të Prokurorisë shkaktoi bllokimin serioz në zgjedhjet e pasuesit të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla kur atij i mbaroi mandati, gjë që solli si rezultat zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme të përkohëshme, Arta Marku nga Partia Socialiste në fuqi, me një shumicë të thjeshtë votash, që u kundërshtua me forcë nga partitë opozitare në parlament.

Shqetësime për prirje autoritare në qeverisje

Më 13 shtator, parlamenti miratoi qeverinë e dytë të udhëhequr nga Edi Rama, që përbëhej pothuajse plotësisht nga besnikë të tij. Kjo, shkaktoi frikë mes analistëve politikë se Rama mund të qeveriste me grusht të hekurt, duke pasur parasysh shumicën e tij prej 74 vendesh dhe kontrollin e tij të fortë mbi ekzekutivin.

Raporti thotë se një numër ngjarjesh në vitin 2017 duket se i konfirmuan shqetësime të tilla, përfshirë amendamentet e propozuara për ligjin e taksave që i jepnin autoritet të pashembullt (qeverisë) për të përcaktuar nivelet e taksave për biznese të ndryshme si edhe përdorimi i shumicës së thjeshtë për të zgjedhur Prokuroren e Përgjithshme të përkohëshme.

“Në fakt, vendimi i Ramës për të zgjedhur në mënyrë të njëanshme Prokuroren e re të Përgjithshme të përkohëshme me një shumicë të thjeshtë në parlamentin shqiptar në dhjetor, duke shpërfillur kundërshtimet e ashpra të dy partive kryesore opozitare, shfaqi një hap të parë shqetësues në këtë trajektore”, thotë raporti.

Shoqëria Civile dhe Media

Në raportin e Freedom House shprehet gjithashtu shqetësim për mangësitë financiare dhe humbjen e besimit të publikut tek organizatat e shoqërisë civile. Sipas organizatës, komuniteti Roma mbetet më i diskriminuari, pasuar nga ai LGBT që “vuan nga nivele të larta të homofobisë”.

Media vazhdon të vuajë nga autocensura dhe lidhjet e ngushta mes politikës, biznesit dhe medias.

Raporti përmend faktin që parlamenti miratoi amendamente në ligjin për Mediat Audiovizuale, duke detyruar organet e medias që të ofronin kohë falas në valët televizive gjatë fushatës zgjedhore.

“Në relievin e medias shqiptare pavarësia editoriale vazhdoi të jetë e kufizuar, pasi pronarët e medias gjithnjë e më shumë vazhduan të përcaktojnë përmbajtjen”.

Sipas raportit, legjislacioni shqiptar mbeti i heshtur për të drejtat, liritë dhe përgjegjësitë e redaktorëve. Si shembuj përmendet fakti që kontratat e drejtorit të televizionit ABC News, Armand Shkullaku dhe drejtorit të botimeve të MAPO-s, Alfred Lela nuk u ripërtërinë për shkak të poliitkës editoriale të pronarëve.

“Në vitin 2017, pronarët e mediave vazhduan të përdorin mediat e tyre për t’i bërë shantazhe qeverisë ose për ta detyruar atë që t’u bënte favore ekonomike”, thuhet në raport.

“Kështu më 30 mars, parlamenti miratoi një ligj që jepte 5 milionë Euro për organet e medias në mënyrë që të lehtësonin kalimin nga transmetimet analoge në ato dixhitale. Dy përfituesit kryesorë të këtij fondi ishin familjet Hoxha dhe Frangaj, që kanë në pronësi dy stacionet kryesore televizive në Shqipëri, Top Channel dhe Klan”, thotë raporti.

Ndërkohë në vitin 2017 shumë gazetarë vazhduan të punonin pa kontrata, të mos merrnin rrogat në kohë dhe nën rrezikun e pushimit arbitrar nga puna.

Parashikimi për vitin 2018

Sipas Freedom House, 2018-a paraqet mundësi për përmirësimin e qeverisjes në Shqipëri, por edhe rrezikun e autoritarizmit. Me një shumicë të gjerë, Partia Socialiste në pushtet dhe kryeministri i saj kanë një shans të vërtetë për të kryer reforma të rëndësishme, që kanë mundësinë të ulin korrupsionin në sistemin gjyqësor dhe rryshfetete në administratën publike, dhe njëkohësisht të përmirësojnë qeverisjen e mirë. Nga ana tjetër, kontrolli i plotë që ka kryeministri Rama mbi Partinë Socialiste dhe shumica e konsiderueshme që ai ka në parlament, e kombinuar me një kontroll të fortë mbi ekzekutivin, mund t’u hapë rrugën prirjejve autoritare që mund t’i vendosin institucionet shtetërore nën kontrollin e kryeministrit. (voa)