Statuti i Asociacionit në proces të përkthimit në shqip

mitrovica e veriutQeveria e Kosovës ende është duke e shqyrtuar raportin e punës së ekipit menaxhues, i cili është i ngarkuar për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Koordinatori i Qeverisë së Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Avni Arifi, tha për Radion Evropa e Lirë, se ende Qeveria nuk ka një qëndrim lidhur me atë se çka përmban ai raport i dorëzuar.

Ekipi menaxhues, përbëhet vetëm nga pjesëtarë të komunitetit serb, andaj drafti i është dorëzuar Qeverisë në gjuhën serbe, me shkronja dhe alfabet cirilik. Andaj, tani Qeverisë së Haradinajt i duhet kohë për përkthim të tekstit.

“Ai dokument është në përkthim e sipër dhe sapo të përfundojë, do të deklarohemi për përmbajtjen e tij”, u shpreh Arifi.

Ai nuk deshi të komentojë asgjë në lidhje me përmbajtjen e këtij draft-statuti, i cili është në proces e sipër.

“Këto procesverbale, janë nga takimet dhe nuk i takon Qeverisë të deklarohet për takime të brendshme, të cilat kanë ndodhur. Mirëpo, presim se si do të jetë draft-statuti “, shtoi Arifi.

Kurse, duke folur për përbërjen e ekipit hartues të statuti të Asociacionit, Arifi tha se përbërja e tij nuk ka mundur të ndryshohet dhe nuk mund të ndryshojë, pasi që një përbërje e tillë parashihet me marrëveshjen e arritur në Bruksel.

“Është marrëveshje ndërkombëtare që ekipi menaxhues të ketë vetëm katër serbë dhe asnjë shqiptar, dhe ky ka qenë insistim i ndërkombëtarëve dhe palës serbe që marrëveshja e nënshkruar nga përfaqësuesit e Kosovës, që kanë qenë, të respektohet”, sqaroi Arifi.

Nga ana tjetër, analisti politik, Imer Mushkolaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se duke pasur parasysh përbërjen e trupit, i cili ka përgatitur statutin për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nuk është që pritet se ai do të jetë një statut, i cili këtë organizëm, pra Asociaconin, do ta shohë, apo do ta parashikojë si një organizatë pa kompetenca ekzekutive.

“Nuk është dashur të pritet, në fakt është utopi të pritet se duke pasur parasysh që ata janë të etnitetit serb, do të mund të hartonin një statut ndryshe nga ai që është hartuar. Ne e dimë se statuti duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, po ashtu, kur të jetë gati, mirëpo kjo qasje e këtyre ekspertëve që e kanë hartuar statutin duhet parë në përpjekjet e Beogradit që të themelojë Asociacion me kompetenca ekzekutive brenda territorit të Kosovës, që realisht do të ishte një lloj autonomie, respektivisht një lloj nivel i tretë i pushtetit”, vlerësoi Mushkolaj.

Mushkolaj tha se vetë nënshkrimi i marrëveshjes në Bruksel e ka bërë të qartë se ky Asociacion ka kompetenca ekzekutive.

“Kishim edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese se 23 nene ishin në kundërshtim me frymën kushtetuese. Mirëpo, mos të harrojmë se së fundi kishte një thirrje nga Bashkimi Evropian që Asociacioni të themelohet sipas marrëveshjes së Brukselit, pra harrohej fare kjo pjesa që thuhej në disa prej komunikimeve zyrtare të Bashkimit Evropian se duhet themeluar edhe sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe unë besoj se trupi që e ka hartuar statutin e Asociacionit, e ka pasur parasysh marrëveshjen e Brukselit”, theksoi Mushkolaj.

Megjithatë, Mushkolaj konsideron se në rast se grupi për hartimin e statusit të Asociacionit ka punuar në kundërshtim me rregullat dhe jashtë kornizave të paracaktuara, duhet të ndëshkohet nga Qeveria e Kosovës.

“Në anën tjetër, nëse ata arsyetojnë se këtë statut e kanë hartuar duke u bazuar në marrëveshjen e Brukselit, atëherë këtu nuk e besoj se ka shumë çfarë të diskutohet, gjithnjë duke pasur parasysh se ajo marrëveshje është nënshkruar nga atëherë kryeministri i Kosovës, tash presidenti Hashim Thaçi”, shtoi Mushkolaj.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal javën e kaluar i ka dorëzuar një raport kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me punën e ekipit menaxhues.

Formimi i Asociacionit të komunave serbe nga Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, shihet si çështja kyçe në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Ndërkaq, institucionet e Kosovës po këmbëngulin në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura, të cilat, sipas Prishtinës, janë bllokuar nga Beogradi. (rel)

Mesazhi i ujdisë së BE: Dyert tona mbyllen

MerkelNë orët e para të mëngjesit të së premtes (29.06) u arrit një ujdi në samitin e BE-së për migracionin pas një nate të gjatë debati. Në të ardhmen refugjatët e shpëtuar në det vendosen në kampe të mbyllura brenda BE.

Kishte shumë dyshime, nëse ky samit do të sillte suksesin e duhur, madje jo gjithçka është arritur, megjithatë një kompromis për çështjen e azilit po konsiderohet si sinjal pozitiv se BE është e aftë të bashkëpunojë. Por ujdia e arritur parashikon ashpërsimin e politikës së azilit, gjë që nënkupton forcimin e fortifikatës Europë edhe më tej në të ardhmen.

Kancelarja Merkel e përshëndeti rezultatin e arritur sot në orët e para të mëngjesit duke e cilësuar atë si “mesazh të mirë”. Ende kemi shumë punë për të bërë, tha Merkel, por “jam optimiste. pas ditës së sotme, se ne mund të vazhdojmë të punojmë së bashku.” Edhe politikani i CDU-së dhe komisioneri i BE-së për buxhetin, Günter Oettinger u shpreh se “besoj që e gjitha është një hap i rëndësishëm dhe i madh.” Madje ai shpreson se kjo mund ta kënaqë edhe CSU-në, që i vuri afat Merkelit samitin e BE-së para se të fillojë me kthimin e refugjatëve në kufi.

Në të ardhmen refugjatët e shpëtuar në det vendosen në kampe të mbyllura brenda BE., por nuk është specifikuar, se cilat vende do t’i ngrenë këto kampe të mbyllura dhe ato parashikohen si kampe që ngrihen vullnetarisht. Po ashtu Agjencia e BE për Mbrojtjen e Kufijve Frontexi do të forcohet me personel deri në vitin 2020. BE e kthen në prioritet mbrojtjen e kufijve të saj jashtëm.

Ndalimi i migracionit sekundar

Megjithëse në deklaratën përfundimtare të samitit është futur vetëm një klauzolë për ndalimin e migracionit sekundar, kjo është një pikë që mund të ndihmojë Merkelin në grindjen me CSU, e cila e sheh këtë “turizëm azili.” Fjala është për refugjatët që shëtisin nga një vend i BE në tjetrin, dhe stacionohen aty ku është më mirë. Asnjë azilkërkues nuk ka të drejtë të kërkojë sipas dëshirës vendin në BE ku dëshiron të qëndrojë. Ky është mesazhi i samitit.

“Shtetet anëtare duhet të marrin të  gjitha masat ligjore dhe administrative për t’u dalë ballë këtyre lëvizjeve dhe të punojnë me ngushtë së bashku”, thuhet në deklaratën e samitit për ndalimin e “migracionit sekundar”. Kreu i qeverisë italiane, Giussepe Conti që kishte kërcënuar më parë me veto në samit, foli në mënyrë euforike pas arritjes së ujdisë. Pas këtij samiti Italia nuk është më vetëm, tha ai.

BE po kërkon po ashtu mundësi për ngritjen e kampeve edhe në Afrikë. Libia i kundërshtoi kampe të reja në vendin e saj. Shqipëria që u përfol, se do të ngrejë kampe të tilla, ka kundërshtuar. Në intervistë për “Bild”, kryeministri Edi Rama tha se “nuk duam të jemi valëthyesit e fluksit” dhe nuk duam qendra “nëse kjo do të thotë që njerëzit e dëshpëruar të lihen diku si mbetje toksike që nuk e do kush.”

la/(rtr,dpa)

Maas Tiranës dhe Shkupit: Vendimi i BE stimul për të vazhduar me impenjim reformat

MaasMinistri i Jashtëm i Gjermanisë, në një prononcim me shkrim ekskluzivisht për DW e vlerëson konsensusin e arritur në BE për negociatat e antarësimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë më 2019 si një vendim të rëndësishëm

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas konsensusin në BE për hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë më 2019 e vlerëson: “Bashkimi Europian këtë javë ka marrë një vendim të rëndësishëm: Duke filluar nga viti 2019 mund të fillojnë bisedimet me Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Ne jemi angazhuar shumë për këtë sinjal të fortë dhe udhërrëfyes, përmes të cilit vlerësohen arritjet e reformave në vitet e fundit.

Procesi i negociatave në Bruksel nuk ka qenë gjithmonë i lehtë, por ne jemi të gëzuar, që në fund u  bë i mundur një kompromis i të gjitha 28 vendeve anëtare të BE-së. U bëj thirrje politikanëve në Tiranë dhe në Shkup, që këtë sukses ta vlerësojnë si një stimul për të vazhduar me impenjim reformat. Gjermania do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht në këtë drejtim.” (dw)

Zaev: Do të hyjmë me krenari në portat e Evropës

ZaevKryeministri maqedonas Zoran Zaev e vlerëson si historik vendimin e BE-së për negociatat e pranimit. Zaev i tha DW se konsolidimi i Evropës do të jetë i plotë kur BE të pranojë vendet e Ballkanit Perëndimor.

DW: Zt. Kryeministër ka interpretime të ndryshme të vendimit të BE-së për të filluar bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Qeveria juaj e quajti atë si një sukses historik, por kritikët thonë se është një tjetër shtyrje dhe zhgënjim për vendin. Si e shihni ju vendimin?

Nuk ka përshkrim tjetër për këtë vendim, por fakti është historik. Ne kemi marrë një datë për negociatat: qershorin 2019. Deri atëherë, së bashku me miqtë dhe partnerët tanë nga Komisioni Evropian, ne do të punojmë për përmbushjen e kritereve, ose me fjalë të tjera, zbatimin e fazave në Marrëveshjen me Greqinë dhe finalizimin e reformave. Ne jemi shumë afër qëllimit tonë për arritjen e standardeve të BE-së.

Sipas përvojave të mëparshme të zgjerimit të BE-së, kapitujt e pranimit janë finalizuar mesatarisht brenda 7 vjetësh. Kjo është në përputhje me qëllimin tonë dhe qëllimin e Komisionit Evropian, të krijuar me Strategjinë për zgjerimin e besueshëm të BE-së për vitin 2025.

Është një ditë e mrekullueshme për Republikën e Maqedonisë. Një mirënjohje e madhe për vendin tonë. Bashkimi Evropian dhe krerët e të gjitha shteteve anëtare e njohën Republikën e Maqedonisë si vend të ndryshimeve pozitive, të procesit të reformës dinamike, përfshirjes dhe dialogut të hapur. Maqedonia u njoh si një vend me vullnet politik të fortë dhe të mirë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me fqinjët. Një vend që kontribuon në konsolidimin e Bashkimit Evropian.

Ne mbetemi në rrugën e reformës. Kemi një qëllim të qartë para nesh, kemi detyrën tonë të fundit për të finalizuar detyrat e shtëpisë – fazën e fundit të reformave. Pastaj, ne mund të hyjmë me krenari në portat e Evropës. Të gjitha mosmarrëveshjet dhe kritikat ndaj këtij vendimi të madh nuk shkojnë përtej interesave partiake apo atyre të tjera.

DW: A do të ishte i mundur vendimi i BE-së pa mbështetjen e Gjermanisë, duke marrë parasysh rezistencën e fortë nga Franca dhe anëtarët e tjerë të BE-së?

Është me rëndësi të madhe që Republika Federale e Gjermanisë u është përkushtuar rezultateve që duhet të japin vendet e Ballkanit Perëndimor. Ka qenë një motivim i madh për ne, për Republikën e Maqedonisë, për të përfunduar reformat tona. Republika e Maqedonisë i vlerëson thellësisht mesazhet e forta të mbështetjes që vijnë nga Gjermania për qëllimet tona strategjike – anëtarësimin tonë në NATO dhe BE.
Me këtë mbështetje ne kemi krijuar dhe po zbatojmë politikën tonë të re në shumë fusha, si dhe në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të gjata me fqinjët tanë.

Merkel ZaevNe duam t’i ofrojmë botës dhe BE-së një Ballkan të ri që mbështetet fuqimisht nga Gjermania përmes nismës së Procesit të Berlinit. Kjo iniciativë është motivi kryesor për bashkëpunimin e ri dinamik rajonal në nivelet më të larta politike. Dëshiroj ta përdor këtë moment për të falënderuar Kancelaren Merkel për fillimin e Procesit të Berlinit dhe për ta pasur Gjermaninë si një nga mbështetësit më të fuqishëm të këtij procesi. Ne presim një mbështetje të vazhdueshme nga miqtë tanë nga Gjermania edhe në këtë fazë, kur kemi 365 ditë deri në datën përfundimtare që do të hapim kapitujt negociues për anëtarësimin në BE.

DW: Po pse Franca dhe Holanda i kundërshtuan fuqishëm përpjekjet e Maqedonisë për të filluar negociatat më shpejt?

Ne i kuptojmë qëndrimet dhe nevojat e vendeve anëtare të BE që besojnë se BE së pari ka nevojë për një konsolidim përpara zgjerimit të mëtejshëm me anëtarët e rinj. Në të njëjtën kohë ne besojmë se ka argumente që mbështesin idenë se konsolidimi i BE-së do të finalizohet nëse vazhdon procesi i zgjerimit, sepse në këtë mënyrë mund të menaxhohen në mënyrë efektive çështjet e rëndësishme të sigurisë të lidhura me ndikimet e jashtme.
Ky është hapi tjetër i nevojshëm në përputhje me interesat politike, ato të sigurisë dhe ekonomike të BE-së.
Konsolidimi i BE do të jetë i plotë kur BE-ja i pranon vendet e Ballkanit Perëndimor që përmbushin kushtet e domosdoshme të familjes evropiane – natyrisht, duke përfshirë Republikën e Maqedonisë.
Në këtë mënyrë do të realizohet konsolidimi i nevojshëm që shumë liderë të shteteve anëtare të BE-së po kërkojnë me të drejtë.

DW: Në përfundimet e saj lidhur me Maqedoninë, BE-ja kërkon të vihet më shumë fokusi në tri çështje kyçe: – reformat gjyqësore dhe hetimet proaktive, ndjekjet penale dhe dënimet përfundimtare në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë edhe ato në nivel të lartë; shërbimet sekrete dhe të sigurisë dhe reformën e administratës publike. A mund t’i realizojë qeveria juaj këto reforma në një periudhë relativisht të shkurtër deri në qershor 2019?

Jam i bindur se mund ta arrijmë këtë. Unë jam i bindur sepse po ecim përpara me këto procese. Të gjitha këto pika kanë kaluar nëpër fazën e parë të procesit të reformës me Planin 3-6-9 për reforma urgjente dhe do të intensifikohen më tej me planin e ri gjithëpërfshirës të reformës18 që do të miratohet shumë shpejt.
Me strategjinë për reforma në sistemin ligjor dhe me ligjet që kemi zbatuar, reforma në këtë sektor ka filluar. Ne jemi përpara fazës së zbatimit për testimin e masave të reja ligjore. Së shpejti do të miratojmë Ligjin e ri për Parandalimin dhe Luftën kundër Korrupsionit me qëllim që të sigurojmë një energji të re dhe angazhim të Komisionit për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe të sigurojmë një mekanizëm për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit, si dhe pavarësinë e plotë dhe maksimale të atij organi. Ne kemi Strategjinë e re për reforma në administratën publike. Bazuar në parimet e saj ne kemi filluar procesin e reformës. Një nga reformat më të rëndësishme është digjitalizimi i shërbimeve publike, për krijimin e një administrate të shpejtë dhe efektive në shërbim të qytetarëve. Edhe një herë: ne kemi të gjitha argumentet për të thënë se rekomandimet e vendosura me datën për negociata, do të zbatohen plotësisht!

DW: Edhe një pyetje për një temë tjetër. Kohët e fundit Shqipëria u përmend si një destinacion i mundshëm për një kamp refugjatësh apo  migrantësh. A ka presion mbi Maqedoninë nga disa anëtarë të BE-së që të lejojnë një kamp të tillë edhe në territorin e saj?

Në këtë moment në qeverinë e Republikës së Maqedonisë nuk ka diskutime për hapjen e kampeve të refugjatëve në Maqedoni. Maqedonia tashmë ka dy qendra funksionale tranziti për qëndrime të shkurtra për emigrantët dhe siguria e kufijve kombëtarë në këtë moment është përgjithësisht e mirë, por nuk ka kushte për hapjen e kampeve të reja të emigrantë

Maqedonia pret ftesë nga NATO

NatoKryeministri maqedonas Zoran Zaev po viziton këto ditë metropolat perëndimore për të kërkuar mbështetjen për anëtarësimin e vendit të tij në NATO. Ai sot u prit nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, i cili shprehu bindjen se në samitin e pritshëm të Aleancës do të vendoset për hapjen e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë. Por, zoti Stoltenberg u shpreh i vendosur se nuk ka anëtarësim për Maqedoninë pa i dhënë fund përfundimisht problemit të emrit.

Autoritetet qeveritare maqedonase janë të bindura se pas 12 ditësh do të marrin ftesë për anëtarësim në NATO dhe kryeministri Zoran Zaev i cili ishte për vizitë në selinë e Aleancës në Bruksel, ka folur sikur tashmë vendi i tij të ishte anëtar i NATO-s.

Por, Sekretari Stoltenberg ka sqaruar qëndrimet e Aleancës për sa i përket ftesës së pritshme për Maqedoninë në organizatë.

Samiti i NATO-s mbahet pas dy javësh dhe shpresoj që krerët e shteteve anëtare të Aleancës do t’ju ftojnë për çeljen e bisedimeve për integrim”, ka thënë zoti Stoltenberg.

Pa përmbylljen e marrëveshjes (me Greqinë), vendi juaj nuk mund t’i bashkohet NATO-s në një të ardhme të afërt. Pra, kjo është një mundësi historike që nuk guxon të humbet. Dera e NATO-s është e hapur dhe ju ndodheni në prag të saj. Ju keni dëshmuar tashmë zotimin për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare duke punuar me NATO-n”, theksoi shefi i NATO-s duke vënë në spikamë praninë e ushtrisë së Maqedonisë në Afganistan dhe kontributin e këtij vendi për qëndrueshmërinë e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Zaev ka shkruajtur në Twitter: “E pamë vendin tonë në kartën e shteteve të NATO-s; vendi i 30 është për Maqedoninë; shtiza e 30 për flamurin maqedonas”.

Njwspoj wshtw shprehur edhe në konferencën e përbashkët për media me kreun e Aleancës se “presim ftesën zyrtare që të bëhemi vendi anëtar i tridhjetë i NATO-s; presim me miqtë tanë që të marrim pjesë në ceremoninë ku flamuri i Maqedonisë do ta zërë vendin e vetë në mesin e vendeve të tjera të Aleancës”.

Ai me zotin Jens Stoltenberg kanë biseduar për zhvillimet rreth çështjes së emrit të Maqedonisë. Stoltenberg e ka quajtur një arritje të madhe marrëveshjen në mes Shkupit dhe Athinës dhe një “shfaqje të vlerave të diplomacisë së durueshme”.

Ai e ka përgëzuar kryeministrin Zaev për kurajon dhe lidershipin së bashku me kryeministrin grek Tsipras për arritjen deri te kjo marrëveshje. Stoltenberg theksoi se çështja e emrit ka hedhur një hije në të gjithë rajonin për një kohë kaq të gjatë dhe ka penguar mirëqenien e sigurinë. Por tash, ka shtuar shefi i Aleancës, ka shans për një të ardhme të ndritshme.

Ndërkaq, në Shkup, kryetari i parlamentit ende nuk ka njoftuar se kur do ta vërë në rend dite për së dyti herë marrëveshjen me Greqinë pas refuzimit të presidentit Ivanov për ta nënshkruajtur atë.

Pasi të të jetë miratuar edhe njëherë nga parlamenti, presidenti Ivanov detyrohet me kushtetutë që ta firmosë atë, por ai ka treguar në rastin e ligjit për gjuhët se nuk i përfill detyrimet kushtetuese.

Në vjeshtë pritet të mbahet refrendumi për ndryshmin emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë në “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Opozita maqedonase, e cila i është kundërvënë marrëveshjes greko-maqedonase, ka paralajmëruar, megjithatë se do t’i mbështeste reformat kushtetuese nëse emri i ri kalon në referendum. (voa)

SHBA, dritë jeshile për rezolutën mbi vëllezërit Bytyqi

Kongres rezoluta BytyqiKanë kaluar gati dy dekada nga vrasja e vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi në Serbi dhe ndaj askujt nuk janë ngritur akuza penale, megjithë premtimet e qeverisë serbe për të sjellë ekzekutorët e krimit përpara drejtësisë.

Të enjten, familja e vëllezërve Bytyqi ishte në Kongresin amerikan ku përjetoi një ngjarje që i bën ata optimistë se drejtësia do të vihet në vend.

Siç njofton kolegu ynë Ilir Ikonomi, Komisioni për Punët e Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve i dha dritën e gjelbër një rezolute, e cila u kërkon Shteteve të Bashkuara të vazhdojnë trysninë ndaj qeverisë serbe për ndëshkimin e fajtorëve.

Kongresmeni republikan nga Nju Jorku, Lee Zeldin, është sponsorizuesi kryesor i rezolutës për vëllezërit Bytyqi, e cila u propozua një vit më parë.

“U deshën shumë përpjekje për të arritur deri tek votimi në Komisionin për Punët e Jashtme, që do të thotë se ka më shumë ndërgjegjësim për atë që ndodhi. Rezoluta ka mbështetje nga të dyja partitë. Që marrëdhëniet mes vendeve të përmirësohen, kjo është pikërisht prova e vullnetit të mirë: të kemi drejtësi, të kërkojmë llogari dhe transparencë për atë që ndodhi,” i tha kongresmeni familjes Bytyqi.

Në Komisionin për Punët e Jashtme, kryetari i tij Ed Royce i shprehu ngushëllimet e thella prindërve dhe dy djemve të mbetur nga familja Bytyqi, që ishin ulur në sallë.

Shtetet e Bashkuara prej kohësh i kanë kërkuar qeverisë serbe të nxjerrë përpara drejtësisë ata që ekzekutuan tre vëllezërit Bytyqi, të cilët u arrestuan në korrik 1999, pas mbarimit të luftës së në Kosovë, kur ishin duke kaluar gabimisht kufirin në Serbi. Ajo që dihet është se megjithë vendimin e një gjykatësi për lirimin e tyre, ata u morën nga një njësi serbe e operacioneve speciale, u ekzekutuan dhe u lanë sipër një varri masiv.

Autoritetet serbe nuk kanë ngritur asnjë akuzë ndaj personave që kanë qenë pjesë e zinxhirit të komandës në Ministrinë e Brendshme dhe që kanë patur lidhje me këtë krim.

Rezoluta për vëllezërit Bytyqi tani do t’i kalojë për miratim gjithë Dhomës së Përfaqësuesve.

“Fakti që rezoluta u përfshi në agjendë, tregon se tani ajo nuk është thjesht në duar të disa individëve dhe se Kongresi dhe Shtetet e Bashkuara në tërësi kërkojnë që të ndërmerren veprime,” thotë Bob Hand, këshilltar politik i Komisionit amerikan të Helsinkit, i cili ka punuar prej vitesh me familjen Bytyqi për të kërkuar drejtësi për tre vëllezërit.

Ai i tha Zërit të Amerikës:

“Drejtësia duhet të vihet në vend dhe unë shpresoj se kjo seancë si dhe kalimi i rezolutës për miratim në seancën plenare në Dhomën e Përfaqësuesve i dërgon Beogradit mesazhin e duhur se pavarësisht nga çështjet e tjera për të cilat ne flasim në marrëdhëniet tona, ne kërkojmë të shohim veprime konkrete nga ana e tyre dhe nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të ketë pasoja në marrëdhëniet tona në përgjithësi.”

Kongresmeni Eliot Engel, numri dy i Komisionit dhe njëri prej atyre që e sponsorizuan rezolutën, thotë se Serbia duhet të përmbushë premtimet:

“Ne duam drejtësi dhe nuk do të ndalemi së luftuari për drejtësi. Zyrtarët serbë nuk mund ta shtyjnë më gjatë këtë çështje. Ata duhet të përmbushin premtimet që më kanë bërë mua dhe shumë njerëzve të tjerë, për t’i shkuar deri në fund kësaj, jo vetëm vrasjes së vëllezëve Bytyqi por qindra e mijëra kosovarëve të tjerë të vrarë nga banditët.”

Republikani Ted Poe i Teksasit shprehu shqetësimin se një rezolutë e tillë mund të dëmtonte marrëdhëniet me Serbinë.

“Kriminelët duhen ndjekur penalisht, pavarësisht se ku ka ndodhur krimi,” tha ai. “Por, këto probleme mund të zgjidhen duke i ruajtur marrëdhëniet me këto vende dhe jo duke i prishur ato”.

Kreu i komisionit, Royce tha se kjo nuk është diçka që duhet të shkaktojë shqetësim por fakt është se ka kaluar një kohë kaq e gjatë dhe asgjë nuk është bërë. Edhe nënkryetari Engel tha se e kupton shqetësimin e kolegut të tij, por shtoi se Kryeministri dhe më pas Presidenti Aleksandar Vuçiç i Serbisë nuk e ka mbajtur premtimin për të ndjekur penalisht autorët e krimit.

Ilir Bytyqi është vëllai i Yllit, Agronit dhe Mehmetit:

“Është turp për qeverinë serbe që merr në mbrojtje kriminelë lufte,” thotë ai.

Atij i kujtohet takimi i fundit me tre vëllezërit para se ata të niseshin për në Kosovë:

“Folëm për familjen që kishim ende në Kosovë. Në atë kohë, nëna ime, motra dhe vëllai, Fatosi, ishin atje dhe ne nuk kishim mundur të kontaktonim me ta. Vëllezërit e mi ishin të ndershëm, besnikë dhe ndihmonin njerëzit në nevojë. Këtë bënë edhe kur shkuan në Kosovë.”

Avokati i familjes Bytyqi është Praveen Madhiraju:

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë presion, po ashtu edhe Kongresi dhe Departamenti i Shtetit. Qeveria amerikane po flet tani me një zë të vetëm, duke thënë se Serbia nuk mund të vazhdojë të mbrojë kriminelët e luftës.”

Për prindërit e vëllezërve Bytyqi, Ahmet dhe Bahrije, vuajtja nuk ka qenë e lehtë.

“Kanë kaluar 20 vjet, që kanë qenë të rënda për ne dhe këtë e kuptojnë të gjithë ata që janë prindër. Por gjërat po vihen në rregull dhe ne falenderojmë të gjithë ata që kanë punuar shumë, atyre që kanë respekt për nënshtetasit e vet të cilët zgjedhin një rrugë të drejtë, atyre që janë liridashës për popullin,” thotë Ahmet Bytyqi.

Nëse drejtësia do të vihet në vend, kjo mbetet për t’u parë. Ndryshimi është se tani presioni ndaj Beogradit do të vijë jo thjesht nga disa diplomatë por do të ketë peshën e të gjithë Kongresit. (voa)

Maqedoni: Paratë e fituara kundërligjshëm t’i kthehen popullit

dollar“Nuk mjafton që pas grilave të futen ata, të cilët kanë shpërdorur detyrën zyrtare, duke krijuar pasuri marramendëse, por lufta kundër korrupsionit mund të themi se është në binarë të duhur vetëm nëse shteti arrin të krijojë mekanizma efikas që paratë e vjedhura, të kthehen si të mira materiale për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, u tha gjatë prezantimit të rezultateve të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian në Maqedoni, për përforcimin e kapaciteteve institucionale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Paratë e vjedhura vështirë kthehen në duar e qytetarëve dhe kjo tregon se sistemi është jofunksional, institucionet që janë përgjegjëse për të luftuar krimin duhet të tregohen më kreative që t’i mbyllin vrimat ligjore, tha Andrea D Axhelo, drejtues i projektit.

“Për t`iu kthyer, le të themi 10 milionë euro pronë e fituar në mënyrë të paligjshme nga ana personave të caktuar, në duart e qytetarëve, atëherë duhet të funksionojnë në mënyrë të pavarur të gjitha institucionet, të cilat janë përgjegjëse për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kriminelët nuk do të inkurajohen për të bërë vepra kriminale nëse ata do të duhet vetëm të vuajnë dënimin me burgim për një kohë të caktuar, ndërkohë që kapitali i tyre mbetet i paprekur”, tha D Axhelo.

Ndërkaq, Jaromir Leviçek, përfaqësues i delegacionit të Bashkimit Evropian tha se Brukseli e mbështet Maqedoninë në realizimin e reformave, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me rritjen e kompetencave dhe mekanizmat vepruese të Agjencisë që menaxhon pronat e konfiskuara.

“Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar në ndihmë drejtuar institucioneve të sistemit gjyqësor që të realizojnë sa më parë reformat. Kjo do të ndihmojë që institucionet të mund të veprojnë në kohë të duhur. Konfiskimi i pasurisë është njëra ndër strategjitë kryesore të BE-së në luftën kundër krimit të organizuar. Është njëra ndër pikat e brendshme të strategjisë evropiane për siguri, e konfirmon nevojën për kthimin dhe menaxhimin e pasurisë dhe t’i godasim kriminelët aty ku u dhemb më së shumti”, theksoi Leviçek.

Në këtë drejtim, drejtori i Agjencisë për menaxhimin e pronës së konfiskuar është ankuar se institucioni që ai drejton, për shkak të proceseve të stërzgjatura gjyqësore nuk mund ta shesë ose vërë në shërbim të institucioneve pronën e konfiskuar.

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Olive Spasovski, është zotuar se rekomandimet e projektit në fjalë do të shërbejnë si udhërrëfyes për realizimin efikas të reformave në pjesën që ka të bëjë me përforcimin e kapaciteteve institucionale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që kërkohen nga Brukseli zyrtar për të përshpejtuar ecjen e Maqedonisë drejt integrimit në BE.

“Pres që të gjitha institucionet që janë përgjegjëse për zbatimin e ligjeve në pjesën që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht tani që jemi të motivuar në prag të fillimit të negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian që ta kuptojnë përgjegjësinë që kanë dhe të bëhemi sa më efikas dhe të vendosur në luftën kundër korrupsionit”, tha Spasovski.

Ndryshe, projekti i cili është financuar nga Bashkimi Evropian gjatë 18 muajve në periudhën kohore nga dhjetori i vitit 2016 deri në qershor të vitit 2018, ka për qëllim të mbështesë përforcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e kapaciteteve teknike, si dhe rritjen e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Realizimi i këtij projekti ka nxjerrë në pah se me rëndësi kruciale është krijimi i mekanizmave funksionalë për ngrirjen dhe konfiskimin e pronës së fituar në mënyrë të paligjshme, duke e vënë në funksion të qytetarëve. (rel)

Energji nga dielli, në 2019 vihen në punë impiantet e para në Shqipëri

panele dielliQeveria ka rritur kapacitet e ofruara për investitorët privatë për të ndërtuar impiante të energjisë diellore. Çmimi i blerjes është i garantuar 100 euro për megavat dhe kjo zgjat për 15 vitet e para.

Në total, Shqipëria ka programuar për të mbuluar çmimin për kapacitete që shkojnë në total 120 megavat. Garantimi i çmimit nga OSHEE lidhet me nxitjen e sektorit privat për t’u fokusuar në burimet e energjisë së pastër dhe me kostot e investimit.

“Është një çmim i garantuar për 15 vite në bazë të një formule metodologjie, e cila llogarit kthimin e investimet dhe të gjitha parametrat e tjerë brenda kësaj periudhe 15 vjeçare”, shprehet Entela Çipa, këshilltare e Ministrisë së Energjisë.

Deri tani janë dhënë 10 leje, me kapacitete 2 megavat secila, për ndërtimin e impianteve të prodhimit të energjisë me panele fotovoltaike. Kapacitetet e mbetura do të jepen për investime më të mëdha.

“Kanë avancuar shumë mirë, ata investitorë, të cilat kanë marrë autorizimet deri tani, ndërsa pjesa tjetër prej 100 megavat do të shikohet mundësia për organizmin e ankandeve për impiante të mëdha mbi 2 megavat dhe pjesa tjetër do të jetë sërish për impiantet e vogla të energjisë diellore”, tha Çipa.

Sipas parashikimeve, brenda 2019 do të kemi sasitë e para të energjisë që prodhohen nga energjia e diellit.

Top Channel

Luiza Gega merr medalje Ari në Lojërat Mesdhetare

luiza gegaPavarësisht kushteve të vështira në të cilat stërviten dhe punojnë, por edhe mungesës së stimujve financiarë, sportistët shqiptarë vijojnë të konkurrojnë denjësisht në arenat europiane dhe botërore.

Atletja e njohur shqiptare, Luiza Gega ia doli të ngrejë lart flamurin shqiptar në Lojërat Mesdhetare, në Terragona të Spanjës.

Ajo zhvilloi një garë të shkëlqyer në disiplinën 3000 metra me pengesa, duke u renditur e para dhe duke merituar medaljen e Artë.

Luiza Gega regjistroi kohën më të mirë 9’27”73, duke lënë pas atleten tuniziane Habiba Ghribi, që u rendit rreth 7 sekonda më pas.

Top Channel

Shqipëria nuk përmbush standartet minimale në luftën kundër trafikimit njerëzor, megjithë përpjekjet

StatedepartamentDepartamenti amerikan i Shtetit publikoi të enjten Raportin e vitit 2018 për Trafikimin e Qenieve Njerëzore. Ky raport i përvitshëm, këtë herë fokusohet tek mënyrat e efektshme, me të cilat komunitetet lokale mund të përpiqen për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe e si mund të ndihmojnë qeveritë në fuqizimin e tyre.

Shqipëria vazhdon të jetë në grupin e dytë, ku janë përfshirë vendet që nuk i përmbushin plotësisht standardet minimale, por që bëjnë përpjekje të mëdha për t’i përmbushur ato. Shtetet ndahen në tri kategori, tek e para hyjnë vendet, qeveritë e të cilave përmbushin standardet minimale dhe në të tretin, vendet që nuk i plotësojnë standardet dhe që nuk bëjnë përpjekje.

Shqipëria

Në kapitullin e raportit për Shqipërinë, thuhet se qeveria shqiptare nuk i përmbush plotësisht standartet minimale për eliminimin e trafikut të qenieve njerëzore; megjithatë, thuhet në raport, qeveria është duke bërë përpjekje të rëndësishme për të arritur këtë synim.

Raporti vë në dukje se janë disa sektorë kyç për të cilat qeveria nuk i ka plotësuar standartet minimale:

– Qeveria vazhdon t’i ndëshkojë viktimat e trafikimit për shkeje ligjore, pasojë e drejtpërdrejtë e faktit që viktimat janë detyruar t’i nënshtrohen trafikimit.

– Qeveria ka raportuar më pak raste ndjekjesh penale e dënimesh dhe autoritetet vazhdojnë t’i ndjekin penalisht disa trafikantë, nën akuza më të lehta, siç është ajo për shfrytëzim prostitucioni.

– Qeveria ka vonuar financimin e strehëve të sigurta të drejtuara nga OJQ-të dhe hetimet e ndjekjet penale nuk i ka bërë në mënyrë të vazhdueshme, duke u nisur nga parimi që në qendër të tyre të jenë viktimat.

– Policia, thuhet në raport, jo gjithmonë i identifikon viktimat e trafikut në mesin e individëve të përfshirë në prostitucion.

Sikurse është thënë në raportet për Trafikimin e Qenieve Njerëzore që nga viti 2014, Shqipëria mbetet vend burimi, vend kalimtar dhe destinacioni për burrat, gratë dhe fëmijët në trafikun e seksit dhe në punën e detyruar. Gratë dhe fëmijët shqiptarë janë subjekte të trafikut të seksit dhe punës së detyruar, sidomos gjatë sezonit turistik, thuhet në raport. Trafikantët përdorin premtime të rreme, siç janë martesa, apo vendet e punës, për t’i detyruar viktimat të përfshihen në këtë trafik. Ata po përdorin gjithnjë e më shumë mediat sociale për rekrutimin e viktimave.

Fëmijët shfrytëzohen si lypës dhe për punë tregtie, si shitës ambulatorë. Ata, kryesisht fëmijët e komunitetit rom, shfrytëzohen për punë sezonale. Ka patur raste kur fëmijët janë shfrytëzuar edhe në fushat e kanabisit. Viktimat shqiptare janë subjekte të trafikut të seksit në mbarë Evropën, sidomos në vende si Kosova, Greqia, Italia, Belgjika, Gjermania, Zvicra, Maqedonia, Norvegjia, Holanda dhe Britania e Madhe. Sipas raporteve të Organizatave Jo-qeveritare, ka një rritje të numrit të fëmijëve shqiptarë, që i nënshtrohen punës së detyruar në Kosovë dhe Britaninë e Madhe.

Në raport thuhet gjithashtu, se në Shqipëri janë subjekte të trafikut të seksit dhe punës së detyruar, viktima të huaja nga vendet e Evropës dhe Filipinet. Imigrantët e paligjshëm nga Azia, shpesh punësohen në familjet e kamura shqiptare, duke u bërë të brishtë përballë punës së detyruar. Imigrantët nga Lindja e Mesme, Azia Qendrore dhe Afrika, e përdorin Shqipërinë si vend tranzit për të kaluar në Europën Perëndimore dhe ata rrezikohen nga trafikimi.

Rekomandime për Shqipërinë

Raporti i rekomandon Shqipërisë që t’i përjashtojë viktimat nga ndëshkimi për shkelje ligjore, kur shkeljet janë rezultat i drejtpërdrejtë i trafikimit, sidomos për viktimat e trafikut seksual, të cilat shfrytëzohen për prostitucion; të vazhdojë të hetojë intensivisht, të ndjekë penalisht dhe dënojë trafikantët, përfshirë zyrtarët e implikuar në trafikim; të trajnojë hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit për identifikimin e viktimave; të shtojë mbrojtjen e viktimave nga frikësimet dhe kërcënimet gjatë proceseve gjyqësore, duke lehtësuar përfshirjen në programet e mbrojtjes së dëshmitarëve; të zgjerojë trajnimin e prokurorëve të përfshirë në çështje që merren me viktimat – dëshmitarë; të shtojë fondet për Organizatat Jo-qeveritare që strehojnë viktimat dhe të rrisë numrin e punonjësve në këto strehë; të rrisë mundësitë e policisë kufitare dhe të shtojë përpjekjet për të kapur që herët shenja për fëmijë të trafikuar; të miratojë një plan mbarëkombëtar, për të cilin të ofrojë burimet e nevojshme financiare.

Siç thotë Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, “Skllavëria moderne nuk duhet të ketë vend në botë dhe synimi im është që të sigurohemi përmes angazhimit diplomatik dhe shtimit të masave, që në luftën kundër këtij kërcënimi global, udhëheqja e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të vazhdojë edhe në vitet që do të vijnë.” (voa)