DASH: Korrupsioni krijon mjedis për trafikimin me njerëz në Kosovë

dashSekretari amerikan i shtetit, Michael Pompeo, tha të enjten se trafikimi me qenie njerëzore privon miliona njerëz nga dinjiteti dhe liria e tyre. Ai dëmton sigurinë kombëtare, dëmton tregjet dhe pasuron kriminelët e terroristët ndërkombëtarë dhe është një fyerje për vlerat universale që amerikanët i kanë për zemër.

Ai i bëri këto komente gjatë paraqitjes së raportit mbi trafikimin e qenieve njerëzore në botë, sipas të cilit Kosova, vazhdon të jenë në grupin e dytë në një vlerësim që raporti u bën shteteve duke i ndarë në tri kategori: shtetet, qeveritë e të cilave përmbushin standardet minimale, në të dytën vendet që nuk i përmbushin plotësisht standardet, por që bëjnë përpjekje të mëdha për t’i përmbushur dhe në të tretin janë vendet që nuk i plotësojnë standardet dhe që nuk bëjnë përpjekje.

Raporti thekson se sikurse edhe gjatë vjetëve të fundit, Kosova vlerësohet si vend burimi dhe destinacioni për viktimat e trafikut, të cilat përdoren në industrinë e seksit, si dhe në punë të detyruar. Pjesa më e madhe e viktimave janë pjesë e trafikimit të brendshëm për shfrytëzim seksual.

Pjesa më e madhe e viktimave të trafikimit për industrinë e seksit në Kosovë janë vajza, ndonëse grupet kriminale detyrojnë të prostituojnë gra nga Shqipëria, Moldavia, Rumania, Serbia dhe vende tjera evropiane.

Gratë dhe vajzat janë viktima të trafikimit nëpër shtëpi private, apartamente, klube të natës dhe sallone masazhi. Fëmijët nga Kosova, Shqipëria dhe vendet tjera fqinje detyrohen në lypësi. Trafikantët detyrojnë qytetarë të Kosovë në prostitucion dhe punë të detyruar gjithandej nëpër Evropë. Pjesëtarët e grupeve pakicë, romë, ashkali dhe egjiptas, janë viktima të trafikut për shërbime seksuale dhe lypësi të detyruar.

Raporti thekson se korrupsioni qeveritar krijon mjedis që mundëson disa krime trafikimi. Disa oficerë policie, punonjës të ministrisë së punës dhe zyrtarë të tjerë qeveritar janë akuzuar dhe dënuar për krime të tilla.

Raporti thekson se qeveria e Kosovës nuk i plotëson standardet minimale për eliminimin e trafikut; por po bën përpjekje të dukshme për ta bërë këtë. Ajo ka shtuar përpjekjet por vazhdon të mbetet në kategorinë e dytë. Gjykatësit kanë shqiptuar dënime të lehta për trafikantët dhe prokurorët po i trajtojnë rastet e trafikimit si krime më të vogla. Qeveria shkurtoi fondet për strehimoret e Organizatave Joqeveritare duke bërë që njëra syresh të mbyllet përkohësisht.

Raporti i rekomandon Kosovën hetimin, ndjekjen dhe dënimin e fuqishëm të trafikantëve si dhe zyrtarëve të përfshirë dhe të shqiptojë dënime më të rrepta përfshirë edhe burgosjen; të emërojë prokurorë dhe gjykatës të posaçëm që do të merren me rastet e trafikimit dhe të sigurojë trajnimin e përgjegjësve për hetimin dhe ndjekjen e këtyre rasteve; të sigurojë fonde të përshtatshme për strehimoret e OJQ-ve; të ngrihen strehimore në komunat veriore për të ndihmuar viktimat e trafikimit në atë pjesë të vendit: të shtojë mbështetjen qeveritare për shërbimet e ri integrimit të viktimave etj.

Raporti vëren se Kodi Penal parasheh dënime për trafikimin nga pesë deri në 12 vjet heqje lirie. Autoritetet parashtruan 21 kallëzime penale për trafikim në vitin 2017 (në vitin 2016 ishin 31 raste) dhe arrestuan 28 të dyshuar për trafikim (62 në 2016) dhe 10 të dyshuar të tjerë për “shfrytëzimin e shërbimeve seksuale nga një viktimë e trafikimit” (18 të tillë ishin në vitin 2016).

Autoritetet ndoqën 27 të pandehur (në vitin 2016 ishin 56 syresh), përfshirë edhe një person për “shfrytëzimin e shërbimeve seksuale nga një viktimë”. Gjykatat dënuan 29 veta (në vitin 2016 ishin 24). Por, sipas raportit, gjykatësit vazhduan të shqiptojnë dënime nën minimumin prej 5 vjetësh heqje lirie: një trafikant u dënua me pesë vjet dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh dhe 14 morën dënime nga 18 muaj deri në tre vjet e shtatë muaj heqje lirie. Shtatë veta u dënuan me kusht dhe me gjoba që silleshin nga 600 deri në 3 mijë e 600 euro. Edhe të tej në gjykata janë 88 raste të mbetura nga e kaluara.

Në raport thuhet se Drejtoria kundër trafikimit në policinë e Kosovës bashkë me prokurorët, punonjësit social dhe inspektoratin e punës kanë kryer 143 operacione nëpër bare, klube nate dhe sallone masazhi. Po ashtu janë kryer hetime edhe rreth punonjësve qeveritar që mund të ishin përfshirë në vepra trafikimi, por nuk janë raportuar akuza apo dënime.

Qeveria, thuhet në raport, ka vazhduar përpjekjet për mbrojtjen e viktimave. Autoritetet kanë identifikuar 32 viktima të trafikimit nga të cilat 18 ishin subjekte të industrisë së seksit, shtatë të punës së detyruar, tre të detyruar në lypësi dhe katër të detyruar në skllavëri. Prej tyre 19 ishin fëmijë, 29 të gjinisë femërore dhe tre të gjinisë mashkullore. Nga 32 viktima, 25 ishin nga Kosova, pesë nga Shqipëria, një nga Filipinet dhe një nga Moldavia, thuhet në raport. (voa)

Pas rizgjedhjes, Erdogan përballet me sfida madhore ekonomike

Lira DollarPresidenti turk Recep Tayyip Erdogan i mundi lehtësisht rivalët e tij në zgjedhjet e 24 qershorit, por analistët paralajmërojnë se sfidat ekonomike dhe financiare janë kundërshtarë më të fortë për të.

Tregjet financiare reaguan pa shumë entuziazëm ndaj fitores së zotit Erdogan dhe parties së tij AKP, duke ruajtuar gjithashtu edhe kontrollin e parlamentit, megjithëse me një partner elektoral, partinë MHP. Fuqizimi fillestar i lirës dhe tregur të akisoneve, nuk zgjati shumë.

Analistët sugjerojnë se ka një ndjenjë lehttësimi që presidenca dhe shumica parlamentare nuk i kaluan një partie rivale, siç ishte parashikuar nga disa anketa. Ekonomisti Inan Demir i organizatës Nomura International tha se bllokimi politik do të kishte qenë problem.

“Për tregjtet ka rëndësi stabiliteti i konfiguaracionit politik në mënyrë që presidenti të ketë hapësirë të funksionojë, pa iu dashur të hase bllokimin e një shumice parlamentare kundërshtare në çdo hap, duke shmangur kështu mundësinë e zgjedhjeve të parakohëshme”, tha zoti Demir.

Ai shton se për tregjet, më e rëndësishmja është aftësia e presidentit për të përballur sfida urgjente ekonomike.

Në dy vitet e kaluara, zoti Erdogan ka përdorur programe masive shpenzimesh për të konsoliduar ekonominë, duke e çuar ritmin e rritjes në mbi 7 për qind në vit. Para zgjedhjeve të qershorit, shpenzimet u rritën edhe më shumë me pagesa që kapnin shumën e miliarda dollarëve për pensionistët, si edhe anghazhime të tjera të shtrenjta.

Agjencitë ndërkombëtare që japing vlerësimet për gjendjen financiare dhe FMN-ja kanë paralajmëruar vazhdimisht se ekonomia turke po acarohet, duke rritur inflacionin dhe duke rrezikuar një kolaps. Këto shqetësime shkaktuan një rënie drastike të vlerës së lirës muajin e kaluar, ndërsa investitorët barktisën tregun turk. Normaliteti u kthye vetëm nga rritja urgjente e përqindjes së interesit, ndër nivelet më të larta në botë.

Pas zgjedhjeve, presioni ndaj zotit Erdogan për të ribalancuar ekonominë, është rritur. “Politika në këtë drejtim do të jenë kyç për të rikthyer besimin tek ekonomia dhe për të rritur garancitë tek aftësia e Turqisë për të siguruar fondet e nevojshme për defiçitin e thellë dhe për të përmbushur detyrimet pët të lartë borxhet”, shkruante agjencia e monitorimit të kreditit, Moody.

Turqia merr hua mbi 15 miliardë dollarë çdo muaj nga tregjet globale për të përmbushur detyrimet financiare.

“Erdogan përballet me një dilemë: Balanca e jashtme e ekonomisë turke kërkon politika konvencionale, paketa të rrepta ekonomike, reforma strukturore. Por balanca e brendshme kërkon politika për rritjen e shpenzimeve. Erdogan është në pozitë të vështirë”, thotë analisti politik Atilla Yesilada i grupit “Global Source Partners”.

Zoti Erdogan mund të mos marrë masa të rrepta ekonomike dhe të vazhdojë me shpenzimet, nga frika se ekonomia turke mund të shkojë drejt recesionit.

Hapësira për manovrim mund të kufizohet më tej sepse partisë së tij AKP, i duhet mbështetja e partisë MHP për të siguruar shumicën. Megjithëse presidenti turk ka tani kompetenca të zgjeruara me rizgjedhjen e tij, parlamenti duhet të ratifikojë buxhetin. MHP është shprehur me forcë kundër masave shtrënguese.

Analistët parashikojnë që recesioni mund të ndodhë në vjeshtë me fundin e sezonit të turizmit.

Analistët parashikojnë gjithashu se reforma është jetike për të fituar besimin e tregjeve financiare tek aftësia e tij për të drejtuar ekonominë. (voa)

Thaçi: Nuk do të ketë vija të kuqe në bisedimet me Serbinë

HashimiPresidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha të enjten se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë është një mundësi që Kosova nuk guxon ta humbë, ndryshe sipas tij, rrezikon të mbetet në pozicion si të Palestinës.

Ai i bëri këto komente gjatë një konference me gazetarë në Prishtinë, për të sqaruar bisedimet e së dielës me presidentin e Serbisë, që u mbajtën në Bruksel.

Presidenti Thaçi tha se pas një dekade është një ri përqendrim i bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën dhe tërë Ballkanin Perëndimor dhe ky rast nuk guxon të lëshohet.

“Nuk kemi kohë për të humbur, nuk kemi kohë për manovra apo debate të kota e të thata, jemi përcaktuar në favor të dialogut dhe duhet të gjejmë modalitetet. Kështu që marrëveshja që do të arrijmë në Bruksel natyrisht se do të ratifikohet në parlament, por duhet të ndodh shpejt. E ritheksoj, bota nuk na pret, nuk humb edhe shumë kohë me neve, fat që kemi një rifokusim të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe të ardhmen euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor dhe këtë momentum duhet ta shfrytëzojmë”, tha ai.

Presidenti Thaçi, tha se nuk mund të ketë zgjidhje të përkohshme, por duhet një marrëveshje përfundimtare.

“Nuk do të ketë vija të kuqe në rastin siç ka qenë nga Grupi i Kontaktit në bisedimet e Vjenës. Do të bisedohen vetëm temat për të cilat pajtohen të dyja palët si mundësi që dërgon deri te arritja e marrëveshjes përfundimtare. Nuk do të ketë marrëveshje tjetër të përkohshme, palët nuk do të lejohen të kushtëzojnë negociatat me çfarëdo çështje”,tha ai, duke nënvizuar se marrëveshja përfundimtare duhet të jetë e dizajnuar në kornizat e kritereve, standardeve dhe vlerave të perspektivës evropiane dhe euro-atlantike.

Presidenti Thaçi tha se beteja me Serbinë tani zhvillohet në tryezën e bisedimeve në Bruksel ndërsa bëri thirrje për arritjen e një konsensusi sa më të gjerë politik në Kosovë për këtë cështje.

“Arritja e marrëveshjes me Serbinë është e domosdoshme për synimin tonë që të bëhemi shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të përshpejtuar procesin e integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian dhe në paktin NATO për të siguruar vendin e merituar në arenën ndërkombëtare. Në fund të procesit duhet të ndodhë njohja reciproke përndryshe këto negociata do të ishin krejt të pakuptimta”,tha ai.

Pas deklaratave të presidentit Hashim Thaçi, ka reaguar Lidhja Demokratike në opozitë. Në një komunikatë për opinion të kësaj partie thuhet se “presidenti i Kosovës, i paautorizuar për të udhëhequr dialogun me Serbinë, sot, ende pa nisur mirë ky dialog, hoqi të gjitha vijat e kuqe në tavolinën e dialogut me kontestuesit e shtetësisë sonë”.

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se është e domosdoshme që parlamenti urgjentisht të vendos vijat e kuqe për presidentin, që sipas LDK-së, i paautorizuar, ka marrë në dorë fatet e vendit.

“Secili proces i pakushtëzuar ndaj rendit tonë kushtetues dhe secili krahasim me shtetësinë e Palestinës përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”,thuhet në reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje.

Prishtina thotë se ajo duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Beogradi që kundërshton pavarësinë e Kosovës, kërkon një “kompromis”, por pa e qartësuar se cili mund të jetë ai. Një pjesë e politikanëve ne Serbi tashmë e kanë përsëritur se zgjidhje mund të ishte ndarja e Kosovës, përkatësisht që veriu i saj i banuar me shumicë serbe t’i takojë Serbisë, ide që është hedhur poshtë nga Prishtina.

Të dyja palët pritet të shpeshtojnë takimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian në kërkim të një marrëveshjeje. (voa)

Refugjatët sfida e Europës – Samit vendimtar për BE

HorstKrerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian konsultohen për mbylljen e kufijve të jashtëm të BE dhe kthimin e azilkërkuesve të refuzuar. Kancelarja Merkel ka nevojë për suksese që të stabilizojë qeverinë.

Të paktën 60 samite ka ndjekur kancelarja Angela Merkel në 12,5 vitet e saj si kancelare gjermane. Ajo është kryetarja e qeverisë më në moshë dhe vjen këtë të enjte në Bruksel në një samit që mund të shihet si më vendimtari në karrierën e saj. Për herë të parë bëhet fjalë për mbijetesën e saj si kancelare. E vetëm me një rezultat të kënaqshëm nga samiti i BE, ajo mund ta mbajë partinë konservatore, CSU në qeveri. Presioni ndaj Merkelit pra është shumë i madh. Dy ditë pas samitit, ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer do të vendosë, nëse rezultatet e samitit janë të kënaqshme. Po qe se ai vepron kundër kancelares e jep urdhër për kthimin e refugjatëve në kufi, të cilët janë regjistruar në një vend tjetër të BE, Merkel në një rast të tillë duhet ta shkarkojë ministrin e saj. Koalicioni dështon.

Por sinjalet për një “zgjidhje europiane” mes 27 vendeve të BE në këtë çështje nuk janë shpresëdhënëse. Merkel këtë e pranoi që në takimin e 16 vendeve të BE në samitin e javës së shkuar për refugjatët. “Për fat të keq”, tha ajo nuk do të ketë ujdi as në Këshillin e BE. Pozicionet e vendeve anëtare janë shumë të ndryshme.

MerkelMerkel pa përkrahje

Një grupim i drejtuar nga qeveria populiste e Italisë kërkon të shfuqizojë rregulloret e Dublinit për përgjeësinë e procedurës së azilit. një grup tjetër, vendet lindore të drejtuar nga kryeministri, Viktor Orban nuk pranon kurrsesi refugjatë dhe mund të bëhet solidarizues vetëm financiarisht. Përgjegjës mund të jenë të gjithë të tjerët, por jo ata. Edhe Austria ka kaluar në këtë pozicion.

Veç Francës dhe Spanjës, Merkel nuk ka aleatë të vërtetë për strategjinë e saj për politikën e azilit. Përpjekja e saj për marrëveshje bilaterale me vende të veçanta të BE nuk është zhvilluar sa duhet, thonë funksionarë qeveritarë gjermanë. Duket e papërfytyrueshme që brenda pak ditësh si Austria, Italia dhe Greqia të jenë të gatshme për pranimin e refugjatëve. Kryeministri italian, Giuseppe Conte ka lënë të hapur mundësinë për këtë, por ministri i Brendshëm, radikali i djathtë, Matteo Salvini nuk do lejojë asnjë refugjat të vetëm më në Itali.

SalviniKampet për migrantët – të kontestuara

Presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk ka propozuar “qendra zbarkimi” jashtë BE për migrantët që shpëtohen në det. Disa vende europiane e mbështesin këtë ide, disa duan që këto qendra të vendosen brenda BE. Por sidoqoftë asnjë vend nuk është i gatshëm deri më tani për të pranuar qendra të tilla. Libia dhe Shqipëria i kanë refuzuar këto qendra. Madje edhe kancelarja gjermane, Merkel është skeptike, sepse ato sjellin me vete një sërë problemesh juridike dhe organizative. Ajo që dihet është se edhe këto qendra nuk do ta ndihmonin dot kaq shpejt, partinë simotër CSU dhe Merkelin.

Tusk paralajmëron nga përçarja

Presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk që e drejton takimin ka paralajmëruar se çështja e migracionit dhe ajo e solidaritetit që lidhet me të mund ta përçajë shumë thellë BE. Numri i refugjatëve, sipas Tusk, qëndron 96% më i ulët se ai i vitit 2015, kur erdhën 1,6 milionë vetë në Europë. Megjithatë njerëzit kanë përshtypjen se kufijtë nuk po mbrohen.

TuskSipas një qëndrimi të përhapur fajin e ka “demokracia liberale” me vulë europiane. “Ne kemi parë se janë krijuar lëvizje të reja politike që paraqesin zgjidhje të thjeshta për probleme mjaft komplekse. Thjesht, radikal, atraktiv”, tha Tusk të mërkurën në Bruksel. “Nëse njerëzit besojnë, se vetëm këto lëvizje e kanë përgjigjen e duhur për krizën e migracionit, atëherë ata do të besojnë gjithçka pretendojnë këto lëvizje. Koha është e shkurtër”, tha Tusk.

Kriza e BE

Në mënyrën e përballimit me politikën e migrimit kuptohet qartë edhe kriza e brendshme e BE, shkruan gazeta belge, Le Soir. Një ditë para samitit ajo nënvizon: “Europa po mendon si të shpërthejë nga brenda”. Për herë të parë BE është e kërcënuar jo nga kërcënimet e jashtme, por nga brenda. Rregulloret e dikurshme nuk vlejnë më, populistët përsillen me një dëshirë shkatërrimi, solidariteti mes vendeve nuk vlen më. Armiku ka një emër “demokraci i-liberale”. Këtë e ka propoganduar dhe ngritur në formë shteti, kryeministri hungarez, Orban. Prandaj ky samit nuk është vetëm samit vendimtar për Merkelin, por edhe BE. (dw)

Ekonomia dhe “aventurat në Lindjen e Mesme” rrezikojnë Qeverinë e Iranit

Protesta IranPresidenti i Iranit, Hassan Rohani, në një fjalim të zjarrtë televiziv, fajësoi Shtetet e Bashkuara për problemet ekonomike në Republikën Islamike.

Prej ditësh, iranianët janë duke protestuar kundër rënies së vlerës së monedhës kombëtare.

Rohani u bëri thirrje qytetarëve të tij ta ruajnë unitetin dhe “ta sjellin Amerikën në gjunjë”. “Do t’i përballojmë problemet, do ta përballojmë presionin, por nuk do ta sakrifikojmë pavarësinë tonë”, tha Rohani.

Rënia e mondedhës rial ka nisur pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar muajin e kaluar për tërheqjen e vendit të tij nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe për rivendosjen e sanksioneve ekonomike kundër Teheranit.

Tregjet e naftës, ku Irani shet rreth 2.5 milionë fuçi të naftës së papërpunuar në ditë, po ashtu janë lëkundur nga perspektiva e sanksioneve të reja në nëntor, të cilat, sipas analistëve, mund të zvogëlojnë eksportet e naftës së Iranit për 800 mijë fuçi në ditë dhe të thellojnë tutje problemet e tij ekonomike.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, fajësoi Qeverinë në Teheran për gjendjen ekonomike atje, duke thënë se ajo po i “shpërdor burimet e qytetarëve për të bërë aventura në Lindjen e Mesme”.

Pompeo tha se Republika Islamike e Iranit financon një ndërhyrje ushtarake në Siri dhe siguron financa për lëvizjen militante të Libanit, Hezbollah, për grupin palestinez Hamas dhe për rebelët Huthi në Jemen.

“Nuk duhet të befasohet askush nga protestat e vazhdueshme në Iran. Populli iranian po kërkon që udhëheqësit të ndajnë pasurinë e vendit dhe t’i përgjigjen nevojave të tij legjitime”, tha Pompeo.

“Populli i Iranit është lodhur nga korrupsioni, padrejtësia dhe paaftësia e udhëheqësve të tij”, shtoi Pompeo.

Rohani është nën presion edhe nga ligjvënësit e tij, të cilët kërkuan nga ai të ndryshojë ekipin e tij të ekonomisë.

Në një letër të publikuar nga media shtetërore e Iranit, gati dy të tretat e ligjvënësve iranianë kërkuan nga Rohani të veprojë shpejt, duke thënë se “performanca e dobët e zyrtarëve të lartë, përgjegjës për ekonominë, gjatë viteve të fundit, ka çuar në rritjen e mosbesimit të popullsisë”.

Ligjvënësit kanë fuqinë për të shkarkuar ministrat ose për të deklaruar, me anë të dy të tretave të votave, “paaftësinë” e presidentit, gjë që mund t’i hapë rrugë shkarkimit të Rohanit nga udhëheqësi suprem i Iranit.

Programi ekonomik i Rohanit ka prodhuar përparim të kufizuar pas heqjes së sanksioneve ekonomike globale në vitin 2016, bazuar në marrëveshjen bërthamore të Teheranit me fuqitë botërore.

Por, papunësia në këtë vend ka mbetur e lartë – sidomos në mesin e të rinjve nën 30 vjeç – dhe me rënien e rialit dhe sanksionet e SHBA-së, shumë nga këto përfitime janë në rrezik. (rel)

BE, Shqipëria dhe vendimi për bisedimet e pranimit

ECC LuxembourgMinistrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit europian u shprehën në favor të hapjes së bisedimeve për anëtarësim më Shqipërinë por duke e shtyrë vendimin për qershorin e ardhshëm, në pritje të përparimeve të mëtejshme të vendit veçanërisht, lidhur me reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndonëse ky nuk ishte vendimi më i mirë i mundshëm, duket se autoritetet në Tiranë morën frymë disi të lehtësuar, nëse merret parasysh klima që i parapriu. Nga njëra anë tensioni brenda vetë BE-së, me krizën e migracionit, dhe në anën tjetër trysnia anti-zgjerim nën të cilën ndodhen disa prej vendeve anëtare. Dhe në fakt qershori i ardhshëm, përkon me periudhën pas zgjedhjeve për parlamentin europian.

Vetë vendimi ishte fryt i një kompromisi që kërkoi orë të tëra për të sjellë në një emërues të përbashkët shumicën e vendeve që ishin haptazi në mbështetje të hapjes së bisedimeve, atyre si Gjermania, që ishin për një proces të kushtëzuar, apo Francës, Hollandës dhe Danimarkës që fillimisht mbështetën idenë e një shtyrje pa afat të përcaktuar. Për ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati vendi “tanimë ka hyrë në rrugën e pakthyeshme drejt procesit të anëtarësimit në BE”, ndërsa opozita i mëshon idesë se bisedimet nuk do të nisin as në 2019.

VENDIMI

Duke vlerësuar përparimin e bërë nga Shqipëria “në veçanti për pesë prioritetet kyçe, Këshilli pajtohet që t’i përgjigjet pozitivisht progresit të mësipërm të bërë nga Shqipëria dhe përcakton rrugën drejt nisjen së bisedimeve në qershor të vitit 2019”, thuhet në vendimin e marrë nga vendet anëtare.

“Në mënyrë të veçantë, Këshilli thekson nevojën kritike të Shqipërisë për të konsoliduar më tej progresin e bërë në reformën gjyqësore në veçanti përmes rivlerësimit dhe për të dhënë rezultate të tjera të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht në kultivimin dhe trafikimin e drogës, duke ruajtur dhe duke thelluar momentin aktual të reformës”, përcaktohet në pjesën për Shqipërinë, duke saktësuar se “Kjo përfshin: – avancimin e mëtejshëm të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në veçanti duke përmbyllur të gjitha dosjet prioritare dhe finalizuar ngritjen e strukturave të pavarura gjyqësore siç parashihet me reformën kushtetuese; – finalizimin e ngritjes së organeve të specializuara, përkatësisht Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimeve (BKH) dhe Gjykatës; – forcimin e rezultateve konkrete në hetimet proaktive, ndjekjet penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe ato të niveleve të larta”.

Ecuria në këto drejtime sipas Këshillit do të duhet të monitorohet nga afër nga Komisioni europian, dhe ai do të japë vlerësimin e tij në bazë të raporti vjetor të Komisionit. “Këshilli rikujton se vendimi për të hapur negociatat me Shqipërinë do të jetë subjekt i përfundimit të procedurave parlamentare kombëtare dhe miratimit nga Këshilli Evropian dhe do të pasohet menjëherë pas kësaj nga Konferenca e parë ndërqeveritare brenda fundit të vitit 2019, në varësi të progresit të bërë”.

REAGIMET

Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, u shfaq në një konferencë shtypi pak pak publikimit të vendimit të Këshillit duke u shprehur se “sot është një ditë e mirë për Shqipërinë, për fqinjin tonë Maqedoninë dhe natyrisht për të gjithë Evropën e bashkuar dhe të ardhmen e projektit evropian”, dhe se “tanimë Shqipëria është në rrugën e pakthyeshme drejt procesit të anëtarësimit në BE”. Sipas zoti Bushati, vendimi është një njohje e refromave të ndërmarra nga vendi “që natyrisht do të duhet të thellohen dhe më tej në ditët dhe muajt në vijim. Ne do të ulemi me Komisionin Evropian pa humbur kohë në procesin përgatitor në mënyrë që qershori i vitit të ardhshëm ta gjejë Shqipërinë në një pozicion sa më solid përsa i përket plotësimit të të gjitha detyrimeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. Zoti Bushati nuk la pa përmendur opozitën apo sic u shpreh ai, dhe “lloj-lloj spekulantësh politik e mediatik që kishin vendosur 28 qershorin si ditën e bastit të larjes së hesapeve me qeverinë dhe me Edi Ramën, a thua se procesi i integrimit evropian ka lidhje thjesht dhe vetëm me fatin e një qeverie dhe fatin e një kryeministri. Në fakt ky është një proces që ka lidhje me fatin e të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

Kryeministri Edi Rama u mjaftua me një postim në Facebook ku shkruante se “pas 72orësh mes dallgëve të brendshme të BE-së, Shqipëria i’a doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar. Rezultatet e reformave tona bënë që dhe më skeptikët të njohin meritën e Shqipërisë e të Maqedonisë. Një betejë tejet e vështirë u fitua, lufta vijon”, mbyll postimin e tij zoti Rama

Po përmes Facebook-ut reagoi dhe kryetari demokrat Lulzim Basha sipas të cilit BE-ja do të mbajë qëndrim refuzues edhe në 2019. “Hapja e negociatave për Shqipërinë u shty edhe për një vit. Krimi dhe korrupsioni po mbajnë peng të ardhmen tonë. Pa luftuar krimin dhe korrupsionin, vendimi në 2019 do jetë refuzues si sot. Tani është momenti për një kthesë të madhe për të shpëtuar vendin dhe të ardhmen tonë europiane”, shkruan drejtuesi i opozitës

DEBATET BRENDA BE

Vendimi i sotëm erdhi pas debateve të gjata mes vendeve anëtare në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme i cili u mblodh në Luksemburg. Në përfundim të pjesës së parë të mbledhjes, ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias tha se “ka dy grupime. Njëri që përfaqëson shumicën, me 25 vende që mbështesin hapjen e bisedimeve deri në verën e 2019, dhe tre vende të tjera, Franca, Danimarka dhe Hollanda që mendojnë se duhet të shtyjmë të gjithë procesin. Por të shtysh këtë proces europian do të thotë që të shtysh stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë rajonit”, u shpreh ai.

Qëndrimi i Francës është ndikuar nga një sërë faktorë. Nga një anë janë ato që lidhen me situatën e brendshme, duke qenë se gati gjysma e forcave politike franceze dhe shumica dërrmuese e opinionit publik, janë kundër idesë së zgjerimit. Nga ana tjetër, ideja e presidentit Emmanuel Macron e shpallur si objektiv nga ana e tij, është ajo e reformimit të vetë BE-së, përpara zgjerimit të saj. Por ministri i Jashtëm grek u shpreh se “unë e di që ka vende që i druhen populizmit, por nuk mundet ta luftosh dhe të fitosh ndaj populizmit, duke bërë hapa pas”, tha ai duke shtuar se “mund të ecim paralelisht si me zgjerimin ashtu dhe me reformimin e BE-së”.

Përpara nisjes së takimit Ministri i Jashtëm hollandez Stef Blok përsëriti qëndrimin hezitues të vendit të tij. “Dy vendet kanë bërë progres por jo mjaftueshëm, duhen rezultate konkrete për korrupsionin.E rëndësishme është që të dy vendet kanë treguar këmbëngulje në luftën kundër korrupsionit por duhet të shohim më shumë. Ne mbështesim progresin që kanë bërë por nuk mund të injorojmë faktin që duhet të shohim rezultate konkrete”, u shpreh ai.

Nga ana e saj Gjermania është në favor të hapjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe i bën thirrje Francës dhe Hollandës që të bashkohen me pjesën tjetër të vendeve anëtare që ndajnë të njejtin qëndrim. “Demokracia dhe paqja e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor luajnë një rol të rëndësishëm për të gjithë ne në BE, kjo është arsyeja që vlerësojmë shumë përpjekjet e të dy shteteve për të forcuar sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit”, tha zoti Roth, duke shtuar se “Qeveria gjermane është gati të mbështesë Shqipërinë dhe Maqedoninë në rrugën drejt BE-së, jemi gati të japim dritën jeshile dhe dua të inkurajoj miqtë tanë holandeze dhe francezë të na bashkohen”.

Thirrje drejtuar vendeve anëtare në favor të hapjes së bisedimeve, drejtuan sot dhe 11 eurodeputetë, relatorë dhe drejtues të delegacioneve të parlamentit europian për marrëdhëniet me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. “Nxisim udhëheqësit europianë të dëshmojnë angazhimin e tyre të qartë ndaj perspektivës europiane të të gjithë rajonit të Ballkanit, duke miratuar hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Tiranën dhe Shkupin”, shkruhet në letrën drejtuar Presidentit të Këshillir europian Donald Tusk. Duke vënë në dukej faktin se “të dy vendet kanë plotësuar kushtet e kërkuara, siç nënvizon Komisioni europian dhe Parlamenti europian”, eurodeputetët theksojnë se “BE duhet të mbetet një partner i besueshëm. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është e lidhur me BE-në dhe Bashimi europian nuk duhet t’i zhgënjejë”. (voa)

Negociata me Shqipërinë e Maqedoninë? A janë gati ato?

BEShtetet e Bashkimit Europian duan të hapin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë e Maqedoninë. Deri sa ato të fillojnë vërtet, duhet që të dy vendet të kryejnë shumë punë.

Pak lojë gjeopolitike bën BE kur i afron edhe më shumë vendet e Ballkanit Perëndimor, në fund të fundit nuk është në interesin e Brukselit, nëse ato do të orientoheshin nga Rusia, Turqia apo Kina. Me Serbinë dhe Malin e Zi negociatat kanë filluar, tani në radhë janë Shqipëria dhe Maqedonia. BE do të fillojë negociatat vitin e  ardhshëm, nëse këto vende kryejnë reformat e kërkuara.

Për Maqedoninë hapet mundësia pas një pritjeje shumë të gjatë, sepse grindja për çështjen e emrit me Greqinë është në rrugën e zgjidhjes përfundimtare. Qeveritë ranë dakord së fundmi për emrin e ri Maqedoni e Veriut, për t’u dalluar nga rajoni me të njëjtin emër. Por deri në pranimin në BE të dyja vendet kanë një rrugë të gjatë përpara dhe negociata disavjeçare. Që të përmbushen standartet e BE duhet që në Shqipëri dhe Maqedoni të ndryshojnë disa gjëra.

Të drejtat bazë dhe mbrojtja e minoriteteve

Me shtetin së drejtës në Maqedoni, Brukseli është kryesisht i kënaqur. Në raportin e fundit, KE thekson se implementimi i të drejtave bazë ka nevojë për përpjekje të tjera. Kështu romët nuk janë të integruar sa duhet në vend, shumë prej tyre jetojnë në varfëri. KE kritikon gjendjen e burgjeve dhe spitaleve psikiatrike, po ashtu ashtu edhe krimet e shkaktuara nga urrejtja dhe nxitja e saj nuk ndiqen sa duhet penalisht.

Shqipëria ka bërë përparime në mbrojtjen e minoriteteve sipas raportit të KE, por ende nuk e ka përmbushur objektivin. Edhe këtu duhen përmirësuar kushtet e jetesës së romëve dhe egjiptianëve të Ballkanit. Qeveria gjermane shpreson që nga negociatat direkte të arrihen këtu përparime me të dyja vendet.

Edhe liria e shtypit, sipas Reporterëve pa kufij paraqet “probleme të dukshme”. Në listën aktuale Shqipëria renditet e 75-a ndërsa Maqedonia në vendin e 109 nga 180 vende.

Korrupsioni

Shqipëria ndërkohë ka ndryshuar kodin penal dhe po zgjeron sektorë të specializuar, duke ngritur edhe hetuesin e posaçëm për korrupsionin. Megjithatë në renditjen e Transparency International ky vend arrin vetëm vendin e 91. Shumë rrallë jepen dënime kundër funksionarëve të lartë të korruptuar të shtetit, kështu korrupsioni mbetet shumë i përhapur, sipas KE.

Pak më keq ndodhet Maqedonia. Në renditje ajo kap vendin e 107. KE rendit këtu “deficite strukturore dhe operative në aftësinë e institucioneve për të luftuar me efektivitet korrupsionin.”

Kriminaliteti i organizuar

Tek të dy vendet, Komisioni Europian mirënjeh zhvillimet pozitive në këtë drejtim, por thekson se larja e parave dhe kriminaliteti financiar janë probleme ku duhet të punojnë qeveritë. Në Maqedoni baza ligjore është e përafruar me BE, duhet vetëm të përmirësohet koordinimi i institucioneve të ndryshme dhe efektiviteti i punës së autoriteteve.

Në Shqipëri ndodh rrallë që të shkatërrohen apo dënohen bandat, megjithatë Komisioni Europian i njeh sukseset në drejtim të luftimit të mbjelljes së kanabisit.

Administrata dhe drejtësia

Sipas qëndrimit të BE administrata publike mbetet një sektor me shumë probleme por BE vlerëson hapat e arritur. Në Maqedoni janë zgjeruar së fundmi detyrimet e transparencës dhe llogaridhënies, po ashtu grupe të jashtme interesi po përfshihen më shumë në proceset politike. Kritika ka në mungesën e mekanimave të kontrollit për funksionarët.

Edhe drejtësia po i afrohet kërkesave të Brukselit. Shqipëria po verifikon të gjithë gjykatësit dhe prokurorët, një proces që po jep rezultatet e para. Gjykatës të korruptuar janë liruar nga detyra ose kanë dhënë dorëheqjen. Këtu ndihmon një institucion i pavarur që kontrollohet nga ndërkombëtarët. Maqedonia e ka ndërprerë trendin e zhvillimit negativ në drejtësi dhe ka marrë masa për të rikthyer pavarësinë e drejtësisë.

Ekonomia dhe e drejta europiane

Nëse Shqipëria dhe Maqedonia duan të jenë anëtare të BE-së një ditë, duhet që ekonomia e tyre të rezistojë në tregun e brendshëm europian dhe sistemi i së drejtës të jetë i përputhshëm me ligjet europiane. Në këtë çështje Maqedonia ka ecur më shumë, ndërkohë që Shqipëria ka shumë punë përpara dhe se duhet të forcojë pavarësinë e institucioneve shtetërore. KE vlerëson që Shqipëria ka përmirësuar deficitin buxhetor. Përparime sheh BE edhe në drejtim të energjisë, infrastrukturës dhe digjitalizimit, megjithatë Shqipëria nuk është konkurruese sa duhet. Maqedonia duhet sipas rekomandimit të KE të zhvillojë një koncept të qëndrueshëm tatimor dhe të përmirësojë kushtet për bizneset. (dw)

Shkupi, entuziast për vendimin e BE

ZaevVendimi i Bashkimit Evropian për çeljen e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë në qershor të vitit të ardhshëm është pritur me entuziazëm në Shkup nga autoritetet qeveritare dhe shumica e partive politike. Shkupi pranon se bëhet fjalë për një datë të kushtëzuar. Qeveria thotë se BE e vlerësoi Maqedoninë për ndryshimet pozitive dhe proces dinamik të reformave.

Ndërkohë, Brukseli pret që brenda 12 muajve autoritetet maqedonase të angazhohen me ngulm në reformat në drejtësi, administratën publike dhe zbatimin e marrëveshjes për ndryshimin e emrit të vendit dhe po ashtu në lufën kundër korrupsionit. BE-ja dëshiron të shohë autoritetet gjyqësore në Shkup të ngrejnë akuza ndaj zyrtarëve të lartë për korrupsion.

Kryeministri Zoran Zaev thotë se vendimi i Këshillit të Ministrave evropianë është tërësisht sipas pritjeve të qeverisë së tij, ndërsa nuk fshehu gëzimin për këtë.

“Jemi të lumtur dhe të motivuar më tej,” tha kryeministri maqedonas duke falënderuar të gjitha vendete anëtare të Bashkimit Evropian dhe në veçanti vendet fqinje Bullgarinë dhe Greqinë për siç tha, diskutimet e frytshme dhe për përpjeket për vendimin e dëshiruar nga Maqedonia dhe Shqipëria.

Ai tha se Maqedonia që nga pavarësia e saj ka punuar për integrimin në BE dhe NATO.

“Fillimi i bisedimeve për anëtarësim në qershor 2019 për ne do të thotë një udhërrëfyes i qartë për të ardhmen e shtetit tonë dhe përparim në aspektin e integrimeve tona evropiane”, tha Zaev.

Ndërkohë,, drejtuesi opozitar maqedonas është shprehur se “qeveria nuk ka kapacitet t’i përmbushë kushtet për fillimin e bisedimeve dhe se nuk mund të hapen portat e BE-së e të shpalleni nga ana tjetër si vendi më i korruptuar”. Hristian Mickovski i VMRO-DPMNE-së kritikon qeverinë se nuk mori një rekomandim të pastër për të filluar menjëherë bisedimet “siç thoshte kryeminstri Zaev, por me kushte”, theksoi ai në një konferencë për media.

Partia konservatore, ndërkaq vazhdon ta kundërshtojë marrëveshjen me Greqinë për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, siç ka bërë edhe presidenti Gjorgje Ivanov, sjelljet e të cilëve mund ta zvarrisin procesin, sipas analistëve por nuk do ta sprapsin vendin nga rruga e integrimeve euro-atlantike.

Edhe Aleanca për Shqiptarët thotë se “nuk ka një datë për hapjen e negociatave për Maqedoninë dhe se LSDM-ja dhe BDI-ja po gënjen opinionin publik”.

Shkupi e ka të qartë se është shpërblyer nga Brukseli me vendimin e djeshëm për ritmin e reformave pas ardhjes në pushtet të qeverisë para një viti, ndërkaq nuk mungon nga ana tjetër, euro-skepticizmi tek faktorë të tjerë të cilët kishin pritur fillimin e shpejtë të bisedimeve me BE-në.

Maqedonia ka marrë statusin vend kanidat për anëtarësim në BE qysh në dhjetor të vitit 2005, por për shkak të kundërshtimeve të njohura greke dhe krizave të shpeshta të brendshme – nuk ka mundur të shënojë përparim në rrugën drejt Evropës. (voa)

Calavera: Kosova të vazhdojë agjendën e reformës evropiane

CalaveraDrejtoresha për Ballkanin në kuadër të Komisionit Evropian, Genoveva Ruiz-Calavera, po qëndron në Prishtinë për të parë deri ku Kosova ka avancuar në reformat e kërkuara nga BE-ja.

Kosova duhet ta vazhdojë agjendën e reformës evropiane dhe të ketë prioritet reformat kyçe që janë sundimi i ligjit, qeverisja e mirë dhe përmirësimi i klimës për investime. Këtë mesazh dha në Prishtinë drejtoresha për Ballkanin në kuadër të Komisionit Evropian, Genoveva Ruiz-Calavera, e cila po qëndron për një vizitë në Kosovë. Kosova me Bashkimin Evropian ka nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA). Pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, Calavera tha se ajo është optimiste sa i takon të ardhmes evropiane të Kosovës. Në kuadër të procesit të integrimeve evropiane, Kosova vazhdon të mbetet vendi i fundit në rajon, madje akoma me një regjim vizash për lëvizje të lirë në zonën Shengen.

Reforma të rëndësishme

“Reformat janë të rëndësishme, sidomos nga fusha e sundimit të ligjit, ajo për qeverisje të mirë, konkurrencë të drejtë, klima për investime e po ashtu edukimi dhe punësimi. Këto reforma janë shumë të rëndësishme për Kosovën e cila duhet të vazhdojë konsolidimin e progresit të saj. Ne kemi diskutuar rezultatet që tashmë i kemi arritur së bashku, dhe jam jashtëzakonisht e lumtur që zyra jonë e BE-së në Kosovë është duke e shoqëruar agjendën shumë të rëndësishme që e kemi, për të sjellë Kosovën më afër Bashkimit Evropian”, tha Ruiz-Calavera.

Reforma në administratën publike sipas zonjës Calavera është një nga kërkesat kryesore të Bashkimit Evropian dhe kjo temë sipas saj, ka zënë vënd të veçantë edhe në bisedat me kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Të gjitha vendimet që ndërmerren nga Qeveria në kuadër të reformës, duhet të jenë shumë kohezive duke shtyrë këtë agjendë përpara dhe në veçanti në reformën e administratës publike. BE duhet të sigurohet se vendimet që merren e sigurojnë qëndrueshmërinë e vendit”, tha Ruiz-Calavera, para se të zhvillojë takime tjera edhe me udhëheqës tjerë të institucioneve të Kosovës.

Çështje muajsh

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që në qeverinë e tij ka, si thotë, prioritet përmbushjen e kritereve të agjendës evropiane, thotë se institucionet e kanë marrë shumë seriozisht këtë proces. Madje ai thotë se është çështje muajsh kur do të shihen rezultatet në temat e kërkuara nga zonja Calavera. “Biseda ka qenë e fokusuar në reformat për Kosovën, në ato në rend dhe ligj, administratën publike dhe arsim. I biseduam edhe punët e kryera, por edhe punët që i kemi para vetës. Jam thellë i bindur që në muajt dhe javët që vijnë edhe nga sugjerimet e drejtoreshës për zgjerim, do të shënojmë rezultate pikërisht në ato që janë tema kyçe”, tha kryeministri Ramush Haradinaj.

Këtë javë Kosova pret edhe një lajm nga Komisioni Evropian sa i përket liberalizimit të vizave, nëse qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në zonën shengen këtë vit, apo kjo do të shtyhet për më vonë. Drejtoresha për Ballkanin në kuadër të Komisionit Evropian, Genoveva Ruiz-Calavera, u shpreh optimiste se qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin së shpejti pa viza. “Bashkimi Evropian do të dalë me një propozim i cili mund ta bëjë liberalizimin realitet”, tha Calavera duke mos saktësuar kohën se kur mund të ndodhë kjo.

Liberalizimi i vizave

E pikërisht ky hezitim i zyrtarëve evropianë që të tregojnë nëse Kosova ka përmbushur kriteret dhe kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave, ka bërë që në Prishtinë të ndjehet një lloj nervozizmi me këtë pritje, sidomos pas ratifikimit të marrëveshjes se demarkacionit me Malin e Zi, që ishtë një nga kriteret e fundit të kërkuara për liberalizimin e vizave. Një njohës i çështjeve evropiane, analisti Armend Muja, bën një krahasim me vendet e rajonit pikërisht në plotësimin e kritereve për liberalizim, ku BE-ja për Kosovën së fundi kishte dyfishuar kërkesat. Vendet e rajonit tash e tetë vjet, përkatësisht dhjet vjet kanë liberalizuar vizat. Armend Muja, nuk e amniston Kosovën në ngecjet e saja, por ai rendit disa fakte në raport me vendet e rajonit, por edhe me gjerë nga të cilat BE-ja kishte kërkuar që të plotësonin kriteret.

“1. Kontrolli i korrupsionit – E vërtetë që Kosova ngec në raport me vendet e BE-së. Sidoqoftë, në bazë të matjeve të Transparency International, Kosova renditet më mirë sesa Maqedonia, Shqipëria dhe larg Moldavisë dhe Ukrainës. 2. Liritë politike dhe civile – Sipas Freedom House, Kosova renditet si vend pjesërisht i lirë. Sidoqofte, edhe në këtë kriter, Kosova është lidere rajonale. Kosova qëndron përtej Shqipërisë, Maqedonisë, Moldavisë dhe Ukrainës. 3. Reformat ekonomike – Kosova është një nga vendet më të vlerësuara në Doing Business Report (Banka Botërore). Pra qëndron më mirë sesa Moldavia dhe Ukraina. 4. Krimi i organizuar – u referohet klaneve ballkanike që organizojnë trafikim droge, migrantesh, prostitucion dhe larje parash. Në bazë të Raporteve Vjetore të FRONTEX të BE-së, rrjeti i krimit të organizuar funksionon në boshtin Turqi-Greqi-Maqedoni-Serbi-Hungari-BE. Ky trafik shmang Kosoven”.

Sipas analistit Armend Muja, “liberalizimi i vizave nuk ka qene asnjëherë matës objektiv i arritshmërise së vendeve, por, në dy dekadat e fundit është perdorur kryesisht si mjet në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

Kosova është i vetmi vend në Evropë që akoma nuk e gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen. (dw)

Sonda japoneze mbërrin pranë një asteroidi

Sonda japoneze prane asteroidiNjë sondë hapësinore japoneze ka mbërritur pranë një asteroidi, pas një udhëtimi për rreth tre vjet e gjysëm ose prej 300 milionë kilometrash në thellësi të hapësirës me qëllimin për të mbledhur informacion rreth origjinës së sistemit diellor.

Agjencia japoneze për Eksplorimin e Hapësirës Ajrore njoftoi se sonda e quajtur “Hayabusa2” u vendos të mërkurën në një pozicion rreth 20 kilometra mbi asteroidin “Ryugu”. Sonda do të qëndrojë aty për 18 muajt e ardhshëm, për të marrë imazhe fotografike të asteroidit i cili është emërtuar bazuar në folklorin japonez.

Gjatë misionit sonda pritet të ulet mbi asteroid dhe të mbledhë material nëntokësor nga krateri. Sonda do të kthehet në Tokë në fund të vitit 2020. (voa)