Kurti takon Delawie, ia paraqet qëndrimin e VV-së për dialogun me Serbinë

Kurti DelawieKryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti ka treguar se sot e ka takuar Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Greg Delawie.

Ai përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka sqaruar për temat që janë diskutuar në takim.

“Bashkë me ambasadorin Delawie diskutuam për funksionimin e institucioneve në Republikën e Kosovës në përputhje me shtetin e së drejtës dhe parimet e demokracisë në republikën parlamentare. Më tej trajtuam edhe çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të Kosovës, arsimin e punësimin, si dhe situatën në lidhje me dialogun me Serbinë. Ambasadorit Delawie i shpjegova qëndrimet dhe punën e VV-së për të gjitha këto çështje”, ka thënë Kurti.

Ai më tutje ka thënë se me Delawie janë dakorduar për t’i vazhduar kontaktet dhe takimet e këtilla edhe në të ardhmen. /Telegrafi/

Ministrat e BE pro Shqipërisë, Këshilli Europian do mbështesë hapjen e bisedimeve

BE pro ALBSipas dokumentit zyrtar të Brukselit që ka siguruar Top Channel parashikohet që Këshilli Europian të mbështesë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në fund të muajit.

Nuk dihet nëse do të ketë aprovim final, ndërsa liderët e vendeve kryesore kanë pikëpamje të ndryshme për zgjerimin e Unionit tani. Por në draftin e konkluzioneve, përgatitur për takimin e 26 qershor të Ministrave të Jashtëm të BE-së, dy ditë para takimit të krerëve të shteteve, propozohet hapja e negociatave të anëtarësimit me vendin tonë.

“Duke pasur parasysh përparimin e mësipërm dhe në veçanti ecurinë në 5 prioritetet kyçe Këshilli vendos të mbështesë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”, thuhet në dokument.

Por nuk parashikohet që Këshilli Europian të japë një datë, teksa shprehet se me qëllim mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, ai nënvizon nevojën kritike që Shqipëria të konsolidojë më tej progresin e bërë në reformën në drejtësi, veçanërisht përmes Vettingut dhe të prodhojë të tjera rezultate të dukshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet; të luftojë krimin e organizuar, veçanërisht kultivimin dhe trafikimin e drogës, duke mbajtur dhe thelluar momentin aktual të reformës.

“Këshilli i bën thirrje Komisionit Europian të mbikëqyrë nga afër përpjekjet për reformat e mësipërme në Shqipëri dhe do të vlerësojë përparimin në bazë të një raporti të Komisionit përpara mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare. Këshilli fton Komisionin të fillojë punën e nevojshme përgatitore”, thuhet në draft.

Para këtyre draft-konkluzioneve vihen në dukje rezultatet e para të prekshme, që ka filluara të japë procesi i Vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kërkohet krijimi i një procesi solid të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në të gjitha nivelet.

“Këto objektiva të rëndësishme do të vazhdojnë të monitorohen nga afër duke përfshirë edhe hapjen e negociatave të pranimit”.

Në draft propozimin e formuluar para pak ditësh thuhet se Këshilli i kushton një rëndësi të veçantë çështjes së azil-kërkuesve ku i kërkon Komisionit Europian të sigurohet që Shqipëria të vazhdojë angazhimin në uljen e numri të kërkesave për azil. Kërkohet zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe shmangia e deklaratave që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet fqinjësore.

Teksa për Shqipërinë kërkohet edhe dialog konstruktiv qeveri-opozitë, kjo nënvizohet si arritje pozitive e vitit të fundit në Maqedoni, ku kriza politike quhet e tejkaluar, dhe nxiten palët për zgjidhjen finale të çështjes së emrit. Por Maqedonia ia ka dalë edhe kësaj. Vetëm pak ditë pas hartimit të këtij raporti u firmos marrëveshja me Greqinë për emrin Maqedonia e Veriut, duke i dhënë më vlerë propozimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Duket se vend i vetëm që mund të thotë jo është Franca, presidenti i së cilës Manuel Macron vazhdon ta quajë të parakohshëm zgjerimin.

Top Channel

Harta politike e ndryshuar e Evropës

djathtistetVendet e BE me parti të djathta populiste në parlamente

Në gjithnjë e më shumë shtete të BE populistët e djathtë korrin frytet e problemeve të pazgjidhura të migrimit. Një zgjidhje evropiane është gjithnjë e më e vështirë. Tendenca është në veprime të veçuara nacionale.

Në Bruksel, Zyra belge për Azilin në Stacionin Verior të trenit është vetëm pak kilometra larg përfaqësisë kryesore të BE. Herë pas here atje sheh migrantë në radhë të gjata, që ose paraqesin një kërkesë për azil, ose që duan të udhëtojnë sa më shpejt që të jetë e mundur përmes Francës për në Britaninë e Madhe. Shumë nga afrikanët që sheh atje, sipas të dhënave të tyre kanë ardhur në Bruksel nga Italia, ose kanë ardhur me autobuz, veturë ose tren përmes Austrisë, Gjermanisë ose Francës – në kundërshtim me të gjitha rregullat e Dublinit. Në thelb sipas rregullave evropiane ata duhet ta kishin paraqitur në Itali kërkesën e tyre për azil. Sistemi që është përpjekur të reformojë deri tani BE nuk funksionon.

Këtë e ka pranuar prej kohësh edhe ministri i Brendshëm belg Jan Jambon i partisë nacionalkonservatore N-VA. Ai kërkon të veprojë më me forcë kundër migrantëve me qëndrim të paligjshëm në Belgjikë. Në zgjedhjet e fundit në 2014, N-VA, të cilën mund ta quash parti populiste, mori shumë vota dhe u bë për herë të parë pjesë e koalicionit qeveritar.

Partitë kritike ndaj migrimit në shumë shtete të BE

Belgjika përfaqëson një tendencë në Evropë. “Kriza e refugjatëve ose e migrimit” ka bërë në shumë shtete të BE që të përballemi me parti të forta populiste të djathta, si në Francë, në Holandë, në Danimarkë, në Suedi ose në Gjermani. Në disa shtete, populistët e djathtë janë në qeveri, si në Belgjikë, në Finlandë, në Austri e në Greqi. Në një sërë shtetesh të BE partitë populiste janë e gjithë qeveria, si në Poloni, në Hungari, në Çeki ose së fundi në Itali. Për Stefan Lehne-n, ekspert për Evropën në Fondacionin Carnegie në Bruksel, është e qartë se kriza e migrimit bën pjesë në modelin e biznesit të partive populiste.

“Ata kanë gjetur këtu një temë, e cila shkakton emocione të forta, që shkakton një polarizim të fortë dhe ato nuk shkëputen nga tema”, thotë Stefan Lehne në bisedë me DW.

Shefi i Grupit Parlamentar të Populistëve të djathtë në Gjermani, Alexander Gauland (Alternativa për Gjermaninë) e quajti rrymën e refugjatëve, e cila kulmin e saj e kishte në 2015, si “dhuratë” për partinë e tij. Ajo është partia më e madhe opozitare në Bundestagun Gjerman dhe në disa rajone gjermanolindore në sondazhe është në vend të parë.

“BE para humnerës”

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian në Bruksel, Frans Timmermans, është i shqetësuar që fuqia e populistëve dhe çështja e pazgjidhur e migrantëve mund të çojë jo vetëm në një krizë qeveritare në Gjermani, por se mund të rrezikojë edhe kohezionin e BE. “Po të vështrosh vitet e fundit, atëherë sheh se është tema e migrimit ajo që e ka çuar deri në buzë të humnerës BE. Migrimi luan një rol kyç në çdo shtet anëtar, pavarësisht se në secilin”, tha Timmermans të enjten e kaluar në Parlamentin Evropian. Ai natyrisht që kërkon që interesat e shteteve nacionale të spostohen në radhë të dytë dhe që të ushtrohet solidaritet. “Vetëm në nivelin evropian mund të kemi një zgjidhje të gjithëpërfshirëse, funksionuese”.

Këtë nuk e shohin më kështu shumë prej qeverive të ndikuara nga populistët e djathtë, beson eksperti i politikës dhe ish-diplomati Stefan Lehne nga Fondacioni Carnegie: “Paaftësia e fillimit e BE për ta vënë nën kontroll këtë temë ka çuar në një rinacionalizim. Shumica e populistëve, shumica e partive, të cilët janë pozicionuar kundër migrantëve, janë të pozicionuar edhe kundër BE. Prandaj kemi gjithnjë e më shumë kthim drejt masave nacionale, te kontrollet e kufirit, ndërtimi i gardheve dhe kufijtë e sipërm.” Ndoshta edhe shpresa e kancelares gjermane për të negociuar një zgjidhje në këtë drejtim deri në fund të qershorit është iluzore.

Përpjekja e Merkelit

Angela Merkel ngul këmbë për një mënyrë veprimi të koordinuar, për marrëveshje bilaterale të shteteve të BE me njëra-tjetrën dhe në fund për një autoritet evropian të vlerësimit të kërkesave për azil, i cili do të vendosë në kufijtë e jashtëm të BE. Megjithë tendencat e forta populiste, BE duhet t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve, mendon kancelarja: “A jemi sa duhet të fortë që të kujdesemi për zhvillim atje ku vijnë njerëzit, pra në kontinentin afrikan? A do të jemi më mirë se deri tani në gjendje që t’i japim fund luftës civile në Siri, ku miliona vetë vazhdojnë të jenë në arrati? Asnjë njeri nuk e braktis me mendjelehtësi atdheun. A jemi ne në gjendje që të zbatojmë në mbarë Evropën të njëjtat procedura?”

Një problem i së djeshmes?

Që prej vitit 2015, numri i refugjatëve që vijnë në Greqi, Itali dhe Gjermani ka rënë fort, me rreth 75 përqind. Politika e migrimit ka ndryshuar gjithashtu, megjithatë partitë populiste dhe qeveritë ushqejnë përshtypjen se kufijtë po përmbyten nga migrantët. Me sa ka të bëjë kjo? Stefan Lehne nga Fondacioni Carnegie e shpjegon këtë kështu:”Me sa duket duhet të kalojë një kohë e caktuar, deri sa një shok traumatik si ai i vitit 2015 të bëjë efekt politik. Me sa duket efekti i tij është pas disa muajsh e vitesh. Pasiguria që shkaktoi në këtë mënyrë dhe që shfrytëzohet pastaj nga grupet e interesuara vazhdon.” (dw)

Shkup, parlamenti ratifikon marrëveshjen për emrin

zaevParlamenti i Maqedonisë e ratifikoi marrëveshjen me Greqinë për ndryshimin e emrit. 69 ligjvënës që ishin të pranishëm në seancën plenare votuan pro, ndërsa opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE e bojkotoi seancën.

Ky akt i ratifikimit i hap rrugën referendumit të paralajmëruar për në shtator ose tetor, ku qytetarët e Maqedonisë do të deklarohen nëse duan që emri i vendit të tyre të jetë “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Kryeministri Zoran Zaev, duke folur në parlament, tha se marrëveshja ruan identitetin e popullit maqedonas dhe gjuhën e tij dhe e quajti atë si arritjen më të mirë të mundshme për të dy vendet.

Para aktit të votimit, ai njoftoi deputetët se Këshilli Veriatlantik i Natos sapo kishte marrë vendim që ftesa për Maqedoninë të vihet në rend dite në samitin e pritshëm të Aleancës.

Në bazë të marrëveshjes, Greqia duhet ta njoftojë presidentin e Këshillit Evropian, se nuk ka çështje të hapura me vendin fqinj, duke dhënë njëkohësisht mbështetje për anëtarësimin e Maqedonisë (së Veriut) në Bashkimin Evropian dhe po ashtu ta njoftojë edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për mbështetjen greke të vendit fqinj për anëtarësim në NATO.

Pas ratifikimit, presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov ka një afat prej shtatë ditësh që ta dekretojë marrëveshjen; në të kundërtën, parlamenti detyrohet që për së dyti ta miratojë atë dhe kjo e detyron presidentin që të japë nënshkrimin e tij. Ivanov disa herë është prononcuar kundër marrëveshjes. (voa)

Thaçi dhe Vuçiq takohet të dielën në Bruksel

thaci mogherini vucicPresidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, Thaçi dhe Vuçiq, takohen një ditë para takimit të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të BE, në Luksemburg. Këto vende presin vendime pozitive për të ardhmen e tyre.

Kosova dhe Serbia vazhdojnë dialogun në nivel të lartë politik këtë të diel, me 24 qershor në Bruksel. Takimi është konfirmuar nga zyra e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federika Mogherini. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, takohen vetëm një ditë para takimit të Luksemburg, të ministrave të jashtëm të BE-së, kur pritet të miratojnë konkluzionet edhe për zgjerimin dhe procesin e stabilizim-asociimit.

Takimi i dy presidentëve në Bruksel, në fokus do të ketë diskutimin mbi marrëveshjet e arritura deri tani, zbatimin e tyre dhe hapat e mëtejmë drejt përmirësimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Thaçi: Koha për marrëveshje finale me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një konferencë për medie se ka ardhur koha që të arrihet një marrëveshje finale me Serbinë. “Qëllimi ynë në këtë fazë përfundimtare është arritja e një marrëveshje finale të detyrueshme ligjore për të dyja palët – Kosovën dhe Serbinë. Jam i bindur se ka ardhur koha që pas bisedimeve që në një mënyrë apo tjetrën, të nënshkruhet një marrëveshje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nëpërmjet së cilës do të përfundonte raporti i dhimbshëm mbi 100-vjeçar ndërmjet dy vendeve. Kosova nuk duhet t’i frikësohet dialogut, e as epilogut të tij”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi kaherë ka bërë thirrje që Kosova ta krijojë grupin e unitetit për fazën finale të dialogut me Serbinë, ku do të përfshiheshin edhe përfaqësuesit e opozitës dhe shoqërisë civile. Grupi i unitetit do të udhëhiqej nga vet Thaçi. Këtë thirrje e bëri edhe sot, duke thënë se formimi i ekipit gjithëpërfshirës nga Kosova, do ta bënte procesin “më kredibël dhe transparent”.

“Jam i gatshëm të marr parasysh të gjithë propozimet që do të bëhen gjatë takimeve. Jam i sigurt se Kosova do të përfaqësohet në mënyrë të denjë dhe do të dalë me sukses nga ky proces. Dhe do të përfitojmë perspektivën evropiane. Ky proces nuk do të prodhojë humbës, ky proces do të jetë transparent. Thirrja ime që në delegacionin e Kosovës të përfshihen të gjithë akterët është thirrje institucionale. Nëse kjo do të ndodhë mbetet të shihet. Po ashtu edhe marrëveshja përfundimtare do të kalojë përmes institucioneve të vendit, në Kuvend. Deputetët janë ata që do të vendosin po ose jo”, tha presidenti Thaçi.

Opozita kundër idesë së Thaçit

Partitë politike opozitare e kundërshtojnë idenë e një grupi uniteti për bisedimet finale me Serbinë, ndërkaq e kundërshtojnë edhe idenë që presidenti Thaçi të jetë udhëheqës i këtij grupi. Duke ju përgjigjur kundërshtimit të opozitës, presidenti tha se “bisedat finale me Serbinë janë interes kombëtar”. “Nevoja për arritjen e kësaj marrëveshjeje i tejkalon mandatet tona politike të përkohshme. Shkon edhe përtej raporteve aktuale midis partive qeverisëse apo opozitare, duke i bërë të papërfillshme lidhjet afatshkurtëra në mes të politikanëve dhe partive në Kosovë. Mendoj se një gjë e tillë do ta bëjë këtë proces më transparent, shumë më të besueshëm dhe përfundimisht më të pranueshëm dhe të zbatueshëm në rast të arritjes së marrëveshjes përfundimtare”, tha Thaçi.

Kosova dhe Serbia, nënshkruan në vitin 2013 një marrëveshje për normalizimin e raporteve. Që nga ajo kohë, janë nënshkruar mbi 30 marrëveshje për lehtësimin e jetës së qytetarëve, por disa nga to nuk janë zbatuar. Ndërsa marrëveshja gjithëpërfshirëse është e domosdoshme pr integrimin e Kosovës dhe Serbisë në BE. (dw)

Kupa Botërore e Futbollit dhe qasja kulturore

kupa boteroreNë kulmin e festimeve që shoqërojnë Kampionatin Botëror të Futbollit, tifozë nga e gjithë bota vazhdojnë të mbërrijnë në Rusi. Shumë prej tyre e vizitojnë këtë vend për herë të parë dhe vijnë nga vende të largëta si Amerika e Jugut, Afrika dhe Azia. Vendasit thonë se tifozët i kanë transformuar tashmë qytetet e tyre.

Moska ngjan me një mozaik botëror festimesh. Rrugët rreth Kremlinit, nën masa të rrepta sigurie, janë transformuar në skena të shfaqjes së pasionit latin dhe ritmit afrikan.

“Gjithçka është e re për ne, kulturë e re, gjuhë e re dhe është shumë e vështirë të komunikosh. Por ne jemi shumë të ngazëllyer”, thotë Catarina Tejada tifoze e Kolumbisë.

“Njerëzit janë shumë të mirë dhe gjithçka duket shumë bukur”, thotë Salah tifoz i Egjiptit.

“Jemi të gjithë të bashkuar, amerikanë, evropianë, aziatikë. Të gjithë bashkë!”, thotë Jorge, tifoz i Meksikës.

Vendasit po shohin për herë të parë një gjë të tillë.

Të gjithë janë shumë miqësorë me njëri-tjetrin. Kjo është një atmosferë feste, një ngjarje e jashtëzakonshme, më e bukur se festimet për Vitin e Ri!, thotë Natalya tifoze e Rusisë.

Disa kanë ardhur në Rusi, edhe pse vendet e tyre nuk janë kualifikuar për në botëror, sikurse 12-vjeçari Abdul Jabar nga Sudani.

“Përshëndetje! Jemi këtu në Moskë, koha është e mrekullueshme!”

Nigerianët që jetojnë në Rusi, organizuan një festë mikpritëse për tifozët udhëtues.

“Do ta fitojmë kupën, jam optimist!”, thotë Ennie Charles tifoze e Nigerisë.

“Ata festojnë në maksimum. Ky është rezultati kur nigerianët bëhen bashkë. Atyre u pëlqen të kërcejnë”, thotë Anthony Abugu, nigerian që jeton në Moskë.

Pas festës, pak kulturë. Sistemi i dekoruar i metrosë së Moskës është një kaleidoskop i ngjyrave të ekipeve, ndërsa vizitorët eksplorojnë qytetin. Rusia është e etur të tregojë atraksionet e saj kulturore, prej galerive të artit të Shën Petërburgut, tek trashëgimia islame më pak e ekspozuar, në qytetin pritës të Kazan-it.

Mijëra vullnetarë janë në dispozicion për të ndihmuar vizitorët, sikurse Julia, e cila flet spanjisht dhe do që gjithçka të shkojë qetë.

“Nuk ka situata të pamundura. Duhet vetëm të qetësohesh një sekondë, të mendohesh dhe ta zgjidhësh”, thotë Yulia nga Shën Peterburgu.

Por nëse humbisni, këshilla ndoshta më e mirë do të ishte: ndiqni zhurmat e gëzueshme. (voa)

Marëveshja e Detit, tjetër takim Bushati-Kotzias

BushatiNë Shqipëri, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha sot se bisedimet me Greqinë për marrëveshjen për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë janë në një pikë ku ekzistojnë të gjithë mundësitë për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët.

“Nga analiza që i kemi bërë këtij procesi mund të thuhet që jemi në një rrugë pa kthim dhe shpresoj që në një të ardhme jo të largët ne ta mbyllim këtë marrëveshje, e cila nuk është e vetmja pikë siç e kam thënë e paketës që ne negociojmë e diskutojmë me palën greke, sepse paketa është shumë me e gjerë se kjo marrëveshje”, deklaroi ministri i Jashtëm.

Zoti Bushati njoftoi se gjatë kësaj jave ai do të ketë një tjetër takim me homologun e tij grek, Nikos Kotzias, ku në qendër të bisedimeve do të jetë sërish kjo çështje, ndërkohë që paralelisht do të zhvillohet dhe raundi i tretë mes ekipeve të negociatorëve të të dy vendeve.

Ministri i Jashtëm shqiptar nuk dha ndonjë afat për përmbylljen e bisedimeve, duke theksuar se “që të dyja palët kanë nevojë për kohën e tyre, në mënyrë që të shkojnë drejt një marrëveshje të pranueshme, të drejtë dhe një marrëveshjeje të zbatueshme”.

Bisedimet zyrtare mes palëve nisën në fund të muajit prill, pas një procesi të gjatë mes Presidencës së Republikës dhe Ministrisë së Jashtme, për marrjen e autorizimit nga kreu i Shtetit. Marrëveshja e mëparshme e vitit 2009 u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në 2010, për shkak se u gjet në shkelje të kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare.

Shqipëria dhe Greqia kanë kaluar një periudhë të gjatë marrëdhëniesh me shumë ulje ngritje. Asnjëherë më parë, siç ka ndodhur prej më shumë se 5 vitesh, nuk ka patur shkëmbime vizitash në nivel kryeministrash. Dialogu i nisur që vjeshtën e kaluar duket se ka sheshuar shumë çështje, përjashtuar atë çame, divergjencat rreth së cilës mbeten ende të thella. (voa)

Pavlopoulos: Zgjidhja e çështjes së emrit dhe ndryshimet kushtetuese parakushte për anëtarësim të IRJM-së në BE dhe NATO

Prokopis-PavlopoulosZgjidhja e çështjes së emrit nuk do të përhap irredentizëm dhe ndryshimet kushtetuese janë parakushtet për përparimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, sipas Kryetarit grek Prokopis Pavlopoulos.

Ashtu siç deklaroi korrespondentja e AIM në Athinë, edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes, për Pavlapoulos parakushtet për integrimet euro-atlantike janë të njëjta. Qëndrimet e tij i tha pas takimit me Kryetarin e Indisë Ram Nath Kovind, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Parakusht për përparim në raport me NATO-n dhe Baskimin Evropian për Ish Republikën e Jugosllavisë Republika e Maqedonisë është zgjidhja e çështjes së emrit. Dihet që emri i këtij shteti, emri kushtetues, përhap irendentizëm. Duhet të zgjidhjet çështja e emrit, ashtu që nuk do të përhapet irredentizmi. Për të ndodhur kjo, do të duhet të ketë ndryshime kushtetuese. Kjo është e pranuar nga vet ky shtet, ashtu siç theksohet në marrëveshje, e cila u nënshkrua në Prespë, tha Kryetari i Greqisë në fillimin e takimit me Kryetarin e Indisë.

Prokopis Pavlopoulos ripërsëriti se Greqia është për marrëdhënie fqinjësore të mira, përkrah integrimet euro-atlantike të Maqedonisë, vetëm nëse plotësohen kushtet e ndryshimeve kushtetuese.

Për çdo ftesë të këtij shteti, për integrim në NATO , si dhe fillimin e bisedimeve me BE-në, parakushtet për janë ndryshimet kushtetuese që rrjedhin nga marrëveshja e arritur, atëherë mund të flasim për perspektive, gjë që është bërë me vet marrëveshjen, theksio Pavlopoulus./Telegrafi/

Programi “100 fshatrat”, Rama: Binjakëzim me fshatra europianë

ramaNë kuadër të programit “100 fshatrat”, Kryeministri Rama zhvilloi një takim ditën e sotme me përfaqësuesit europian në vendin tonë, duke i ftuar të bëhen pjesë e këtij programi.

Edi Rama hodhi idenë e binjakëzimit të këtyre fshatrave me të tjerë në Europë, duke thënë se kjo do të ishte një ndihmesë e madhe. Rama u shpreh se fshatarët duket ta kuptojnë që nuk janë vetëm.

“Nëse do të bënim binjakëzime midis fshatrave me ata në vendet tuaja, të zhvillojmë modele për qasjet e përbashkëta midis zonave të ndryshme urbane, për të mbështetur edhe traditën. Iniciativa për partneritetin mund të jetë shumë e thjeshtë për secilin nga ju për të transformuar gjërat, që ndoshta ju po i bëni edhe në vendet tuaja. Ne duam t’i themi këtyre fshatarëve që nuk janë vetëm”, tha Kryeministri.

Më tej, Rama tha se këto do të jenë 100 fshatrat e parë që do të pësojnë transformim, por synimi është të shkohet edhe në fshatra të tjerë.

“Të bëjmë të pamundurën të mundurën. Të ecin në një drejtim dhe në koordinim të plotë, në mënyrë të bëjmë maksimumin. Synimi është që në të krijojmë 100 pika të ndryshme graviteti në vende të ndryshme dhe fshatra që mund të jenë pas tyre, në mënyrë që të kemi potencial edhe për fshatrat e tjera. Ne jemi të përqendruar në zhvillimin e agroturizmit, si një instrument shumë efikas për të luftuar varfërinë, përmes përdorimit të mirë të aseteve që mbizotëron Shqipëria. Në këto qasja janë të të nevojshme paratë, por më të rëndësishme janë njohuritë dhe ndërveprimet. Ne besojmë që mund të ndajmë informacione me të gjithë ju dhe mund të arrijmë maksimumin, por kjo nuk ka të bëjë vetëm me investimet, por edhe me shkëmbimin e kapitalit njerëzor”, tha Kryeministri.

Top Channel

Brukseli ende nuk e ka caktuar datën për vazhdimin e dialogut

BEZyrtarët në Bruksel thanë për Radion Evropa e Lirë se ende nuk ka një datë të caktuar se kur do të mbahet takimi i ardhshëm ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë. Takimi i radhës, pritet që të jetë në nivelin teknik, për t’i paraprirë takimit në nivelin politik.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se është duke u punuar për caktimin e një date.

“Unë nuk mund ta përmendi ndonjë datë në këtë moment. Në momentin kur ta kemi datën dhe të gjithë pajtohen, unë do ta bëj publike datën si dhe agjendën. Gjithmonë do ta bëj një gjë te tillë, por për momentin nuk mundem”, tha Kocijançiq.

Përderisa nuk dihet data e takimit të radhës, delegacioni i Kosovës ka udhëtuar për në Bruksel. Koordinatori i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, Avni Arifi, tha për Radion Evropa e Lirë se delegacioni kosovar do të bëjë prezantimin e të arriturave në procesin e dialogut me Serbinë, para përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Ai tha se delegacioni i Kosovës do t’i njoftojë zyrtarët e BE-së për të arriturat, por edhe për ngecjet që pala serbe është duke i shkaktuar procesit.

“Ne jemi të përgatitur, do të flasim për angazhimet tona, por njëkohësisht do të flasim edhe për bllokadat që kemi. Ne nuk kemi njohuri se a është pala serbe në atë takim, por për hir të informimit të opinionit, ne nuk kemi takim me palën serbe”, tha Arifi.

Arifi tha se pala nga Kosova i ka parashtruar kërkesat për takimin dhe temat që pritet të diskutohen, por sipas tij, ende nuk ka ndonjë përgjigje.

“Dy kërkesa i kemi bërë edhe në prill edhe në maj, për të rifilluar bisedimet dhe në rend të parë duhet të jetë energjia. Nuk kemi marrë përgjigje ende. Ne kemi pasur një ofertë për të dëgjuar prezantimin se deri ku kanë arritur rezultatet në hartimin e statutit, nuk kemi treguar interesim sepse ka prioritete më të mëdha. Për ne nuk ka marrëveshja më pak të rëndësishme dhe më shumë të rëndësishme, të gjitha marrëveshjet janë me rëndësi dhe jemi serioz në këtë aspekt”, tha Arifi.

Nga ana tjetër, njohësja e procesit të dialogut Kosovë – Serbi, Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur Radion Evropa e Lirë thekson se dialogu mes palëve duhet të vazhdojë. Ajo thekson se për krijimin e një atmosfere më të mirë në këtë proces, fillimi i zbatimit të marrëveshjeve do të krijonte një klimë më të mirë për takimet në vazhdim.

“Brukseli duhet të kërkojë nga të dyja palët që të zbatojnë marrëveshjet të cilat i kanë arritur edhe të sanksionojë palët të cilat nuk i zbatojnë ato marrëveshje. Sanksionimi mund të vijë me anë të mjeteve të cilat BE-ja i ka, siç është rrugëtimi palëve drejt BE-së. Është absurde të mendosh që mund të kemi një proces përmbyllës të dialogut ende pa e ditur se çka është duke ndodhur me marrëveshjet që janë arritur në vitin 2011″, tha Krasniqi.

Ajo tha se, përderisa Serbia, tashmë ka ndërtuar një pozicion më stabil për dialogun, Kosova nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Sipas saj, Kosova duhet të ketë një konsensusi politik karshi procesit të dialogut .

“Ne nuk jemi duke parë që ka një konsensus në palën kosovare rreth së ardhmes së këtij procesi. Nuk e kemi parë platformën e Qeverisë e cila është dërguar në Kuvend e më pas është tërhequr. Ndërsa nga ana e Kuvendi nuk kemi parë asnjë nismë konkrete drejt ndërtimit të një konsensusi politik apo qoftë edhe të diskutimit, mbajtjes së organizimit të një seance ku do të adresoheshin qëndrimet e ndryshme të partive politike rreth këtij procesi”, tha Krasniqi.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, ftesa e ardhshme e Brukselit për vazhdimin e dialogut me Serbinë, do të duhej të përmbante temat për ngecjet në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura. Në të kundërtën, sipas tyre, ftesa për vazhdimin e dialogut nuk do të kishte kuptim.

Institucionet e Kosovës po këmbëngulin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, të cilat sipas Prishtinës janë bllokuar nga Beogradi. Para së gjithash, përmenden marrëveshjet për energjinë, ajo për hapjen e urës mbi lumin Ibër, kthimi i dokumenteve kadastrale, njohja e diplomave dhe lejimi i funksionimit të objekteve të marra me qira në veri të Kosovës. Pala serbe, në anën tjetër, insiston në formimin sa më të shpejtë të Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. (rel)