“Der Standard”: Rusia, Turqia dhe Kina po përpiqen të rrisin ndikimin në Ballkan

Ballkan HartaNë një artikull të gazetës austriake Der Standard thuhet se Rusia, Turqia dhe Kina po përpiqen të përfitojnë nga rënia e aktivitetit të BE dhe SHBA në Ballkanin Perëndimor, çka çon në një vakuum të ndikimit.

“Rusia përdor dobësinë e të tjerëve”, thotë Florian Bieber, profesor në universitetin e Gracit. Ai shton se megjithatë, marrëveshja në pritje për emrin Maqedoni-Greqi dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës dëmton interesat e Rusisë në rajon.

Republika Srpska, një entitet me shumicë serbe në Bosnje Hercegovinë, mbetet aseti më i madh rus. “Dodik viziton shefin e tij në Kremlin sa më shpesh të jetë e mundur”, shkruan Standard, duke përmendur shembullin e qendrës kulturore serbo-ruse në Banja Luka si dëshmi e ndikimit në rritje të influencës euroaziatike.

Një tjetër lojtar rajonal po përpiqet të ndikojë në Bosnje Hercegovinë me interesin e popullatës muslimane boshnjake, Turqia. Vëzhgiemt flasin për “turkifikim” të boshnjakëve përmes Bakir Izetbegoviç, lideri i partisë së madhe boshanjke, SDA, dhe anëtar i i presidencës tre personashe.

“Gjatë vizitës së fundit të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Sarajevë në maj, Izetbegoviç tha se ai erdhi nga Allahu”, kujton Standard. Politika kulturore si rindërtimi i xhamive të periudhës Osmane, është një pikë kyçe e ndikimit të Turqisë në Bosnje.

Një tjetër vend me shumicë myslimane me lidhje të ngushta me Turqinë është Kosova, thotë Der Strandard. Në mars të këtij viti, 6 shtetas turq u arrestuan në Prishtinë nga agjencia e inteligjencës për lidhje të ngushta me Fethullah Gulen.

Megjithatë fushata Anti-Gulen nuk po e ndihmon Turqinë për kauzën e saj në Ballkan, thotë Bieber. “Mjaft energji është shpenzuar për fushatë, dhe për shkak të kësaj është humbur ndikimi në rajon”, shpjegon ai.

Artikulli mbyllet me një përmbledhje të shpejtë të rolit të fuqisë që po rritet me ritme të shpejta, Kina, në rajon. Ajo ka qenë deri më tani, rreptësisht ekonomike. “Investimet e huaja direkte janë të papërfillshme, por nuk mund të thuhet e njëjta për projektet infrastrukturore. Në këtë aspekt, Kina përfaqëson një rival gjeoekonomik për BE, por jo gjeostrategjik”, përfundon Der Standard.

Top Channel

Shansi i dytë i Greqisë

AtheneBE i shpëtoi grekët nga falimentimi. Shpëtimi qe i ashpër dhe nganjëherë edhe i padrejtë. Por nuk kishte alternativë tjetër të vërtetë. Prej së martës nis një eksperiment i ri.

Për tetë vjet me radhë BE demonstroi solidaritet të madh dhe tregoi që është e mundur që së bashku të arrihen rezultate të habitshme. Riparimi i rastit për falimentim Greqi, megjithë gabimet që u bënë dhe me të gjitha momentet e vështira, që iu desh të kalonte popullit grek, është një sukses për Bashkimin Evropian dhe veçanërisht për shtetet e komunitetit të Euro-s.

Kur më 2010 u bë e dukshme që shteti grek, përmes deficiteve shumë të larta, produktivitetit të ulët, pagave shumë të larta dhe konsumit privat tej mundësive, ndodhej në buzë të falimentimit, Evropa dhe Fondi Monetar ndërkombëtar vendosën që t’i ndihmojnë grekët. Për këtë nuk do të kishin qenë të detyruar. Marrëveshjet evropiane e përjashtojnë një “bailout” shprehimisht. Prandaj u ra dakord që Greqia të ndihmohet me kushte jashtëzakonisht të favorshme, në mënyrë që të kishte mundësi të plotësonte detyrimet e saj, për shembull të paguante rrogat e të punësuarve në shtet dhe pensionet.

Natyrisht që Eurozona nuk e bëri këtë hap vetëm për solidaritet, por edhe për interes vetjak, që të pengonte kalimin e krizës në pjesën tjetër të komunitetit monetar. Po, u morën masa që edhe bankat në Gjermani, në Francë dhe në Spanjë të mos falimentonin dhe të përfundonin në humnerë së bashku me Greqinë. Por: shtetet e eurozonës dhe FMN mund të kishin vepruar edhe ndryshe, mund t’i kishin dëgjuar thirrjet e Kasandras se shpëtimi i Greqisë nuk do të jetë kurrë i mundur.

Masa shumë të ashpra, por pa alternativë

Pa kushte të ashpra, mëkëmbja financiare e Greqisë nuk do të kishte qenë e mundur. Shteti qe i detyruar t’i ulte në mënyrë drastike shpenzimet e tij të tepruara. Populli hoqi dorë nga të ardhura. Ekonomia u rrudh. Të gjitha këto masa të ashpra qenë të pashmangshme, sepse një jetë si më parë me borxhe, nuk qe e mundur të ecej më. Por në retrospektivë mund të thuash se shkurtimet mund të qenë organizuar me pasoja sociale më të durueshme për popullin. Kushtet qenë të nevojshme edhe për ta detyruar shtetin dhe ekonominë që të ndërmerrte reforma strukturore, të cilat nuk qe e mundur që të ndërmerreshin për dekada në Greqi. Kritikët e shumtë, që pohojnë herë pas here, se kreditorët e shkatërruan Greqinë me kursime, e kanë gabim. Pa masat rimëkëmbëse Greqia nuk do ta kishte ecur dot më përpara dhe do të qe shkatërruar shumë shpejt – pra do të kishte dalë nga Eurozona, e shkëputuar krejtësisht nga burime financiare të çdo lloji.

Kryeministri populist i djathtë, Aleksis Cipras, që tani e lë veten ta festojnë si çlirues nga zgjedha e Trojkës e kuptoi këtë mjaft shpejt. Për disa muaj ai luajti rolin e kryengritësit të majtë, u ngrit së bashku me ministrin e tij të Financave me sjellje kllouni, Janis Varufakis kundër donatorëve. Në vitin 2015 ai e çoi vendin në kufi të paaftësisë për të paguar. Pas vështrimit në humnerë, Ciprasi mori kthesën dhe urdhëroi masa kursimi më të ashpra se kurrë më parë. Ngriti taksat, por njëkohësisht uli ritmin e reformave. Në tërësi ai u përshtat me kursin e shpëtimit të Eurozonës dhe këtë e shet tani si fitore. Se pse ia besojnë grekët këtë, kjo mbetet çudi.

Dyshim në aftësinë për të rezistuar të Greqisë

Sido që të jetë, aventurat e Ciprasit dhe të Varufakisit i kushtuan vendit gati tri vjet të tjera nën ombrellën e shpëtimit dhe një rënie të rendimentit ekonomik. Tani ekonomia dalëngadalë po bën sërish përpjetë. Kjo nuk ka lidhje me idetë e qeverisë radikale të majtë në Athinë, por me kursin e peshuar të evropianëve. Që prej 21 gushtit, Greqia duhet të përballet sërish e vetme në tregjet financiare dhe të përpiqet të huazojë para me interesa të përballueshme. Kjo mund të dalë mbarë, vetëm kur çdo qeveri greke, e cila do të vijë në të ardhmen në pushtet, t’i përmbahet në mënyrë të hekurt disiplinës buxhetore dhe ta përmirësojë aftësinë për konkurrencë të vendit. Shansi i dytë, që ka Greqia tani, është fituar me mundim. Ai nuk duhet hedhur dëm. (dw)

Kërcënimet e SHBA për tarifa shkaktojnë rënie të mëtejshme të lirës turke

change officeMonedha turke ka pësuar rënie drastike gjatë këtij muaji, pas tensioneve të acaruara mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me mbajtjen nën arrest të pastorit amerikan.

Kërcënimet e Uashingtonit se do të vendosë tarifa të reja e kanë goditur rëndë lirën turke. Sot u regjistrua një rënie e mëtejshme kundrejt dollarit.

Në lagjen Kadikoy të Stambollit, tregtarët janë tronditur nga një rënie tjetër e lirës turke. Të parët që e ndjenë rënien janë ata që shesin mallra të importuara.

Taylan Akcora, i cili ka disa dyqane sportive në Stamboll, thotë se po përgatitet për më të keqen:

“90% e mallrave që shesim janë të importuara. Janë marka të njohura që i sjellim nga Azija. Ne i blejmë mallrat nga firma importuese që shërbejnë si distributorë. Nuk diskutohet që ata do të na i ngrenë çmimet”.

Turqia është përballur edhe më parë me luhatjet e valutës dhe në të gjitha rastet rezultati ka qenë rritja e inflacionit dhe papunësisë.

Aslan Yuce, pronar i një dyqani çaji thotë se në rrugët e qytetit e ndjen qartë frikën për të ardhmen:

“Askush nuk ndjehet i sigurtë. Askush nuk ushqen shpresë për të ardhmen. Shoh njerëzit që kalojnë para dyqanit, të gjithë të ngrysur, të gjithë të menduar, sikur kanë humbur të gjitha shpresat për jetën. Kjo periudhë ka krijuar një psikozë të fortë”.

Por goditjen më të fortë mund ta ndjejnë turqit me probleme shëndetësore, pasi Turqia importon në masë ilaçet.

Farmacistët po përballen me problemin e kufizimeve të vëna në shitjen e ilaçeve të importuara:

“Rritja e dollarit dhe në përgjithësi e valutave të tjera në raport me lirën do të ndikojë rëndë sektorin e farmacisë pasi varet shumë tek importet. Prodhuesit turq të ilaçeve nuk do të jenë në gjendje të blejnë përbërësit me çmimet aktuale”. “Një tjetër problem nga politikat ekonomike të qeverisë është se kompania kombëtare e sigurimeve nuk paguan më për koston e ilaçeve më të mira të importuara, përfshirë ilaçet kundër depresionit,” thotë farmacistja Guliz Kaptan.

Pasiguria që ekziston për lirën turke dhe për ekonominë në përgjithësi ka krijuar në Turqi një klimë frike dhe ankthi për të ardhmen. (voa)

MESAZHET E VETEDIJSHME DHE TE PAVETEDIJSHME TE ZEVENDESKRYEMINISTRES SE IRJM

“Qytetarët të tregohen të guximshëm në referendum” apeloi zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes e IRJM, Radmilla Sheqerinska. Si bibë tipike politike që është, ajo sqaroi referendumin me mire dhe në mënyrë më të realtë me fjalët që i dolën nga nënvetëdija, se sa me të tjerat që i kishte pregaditur për ceremoninë e  me rastin e 18 gushtit ditës së armatës së IRJM.

Në fjalorin shqiptar, guximi përkufizohet si vetia për të kryer një detyrë a një punë të rrezikshme … E pse referndumi qenka një punë apo detyrë e rezikshme? A nuk është referendumi formë e shprehjes së mendimit të popullit përmes  vullnetin e të tyre të lire, pa presionin e kërcënimit, frigës, shantazhimit dhe mashtrimit, për një çështje shtetërore e shoqërore me rëndësi të veçantë, duke bërë votimin e përgjithshëm!?

Tani e kutpoj hallin e Sheqerinskës, dhe situatën e koklavitur si lesh arapi të këtij shteti artificial. Por ç’kusur dhe çfarë detyrimi kanë shqitparët ndaj këtij shteti që është sjellur në mënyrën më mizore dhe më shpërfillëse me ta?

Për të sqaruar ashtu si duhet këtë situate lidhur me marreveshjen për emrin e me kte dhe ftesën për të dalë në referendum, znj. Sheqerinska do tu duhej t’u drejtohet me deklarata të veçanta shqiptarëve dhe sllavomaqedonasve. Kjo sepse si përfitimet ashtu dhe detyrimet dhe obligimet dallojnë substancialisht.

Po, ka kuptim që znj. Sheqerinska t’i drejtohet publikut sllavomaqedonas me këto fjalë, por duke zëvendësuar fjalën “qytetarë” me fjalën “bashkëkombas”, që për ata mesazhi do të kishte kuptimin si vijon: “BASHKËKOMBASIT e mi, të tregohen të guximshëm në referendum, sepse vërtetë do të heqim dorë nga identiteti maqedonas antik, që vërtetë na shërbeu mbi shtatë decenie për të injoruar shqitparët dhe për të na bërë pronarë të shtetit, dhe ne u mësuam me te. Por me marrëveshje me Greqinë për emrin, na u lejua që të ndërtojmë një idedntiet të ri, shumë të ngjashëm atë të parin, bile akoma më mire, me atrbutin sllav, e që na bën përsëri të vetmit pronarë të shtetit”

Më pas, do të mundej të vazhdonte me pjesën tjetër të pandryshuar, ku në fakt, paftyrsisht (për shqiptarët) u tregua e sinqertë, duke zëvendësuar vetëm fjalën “qytetarë” me “bashkëkombas”: ‘Gjatë disa javëve të ardhshme do të kemi mundësi historike, të shprehemi për një shtet më të mirë dhe më ndryshe. Shtet i cili do të njohët dhe pranohet si aleat nga e gjithë bota. Identitet që do të jetë maqedonas dhe i pakontestueshëm. Gjuhë që do të jetë e pakontestueshme. Shoqëri në suaza të aleancës së NATO-s, dhe si anëtare e ardhshme e BE-së dhe ardhmëri e qartë për BASHKËKOMBASIT e mi. Ky vizion për fat të keq nuk i konvenon të gjithëve.”

Por këtu ka një problem.  Sa kredibilitet do kishte Sheqerinska, një shqiptare e asimiluar nga Reka e Epërme,  t’u drejtohet sllavomaqedonasve në këtë mënyrë të sinqertë!? Pastaj mbetet pjesa akoma më e vështirë:  Çfarë mbetet për t’u thënë shqiptarëve!?

Afrim Fanda

Shqipëri: Riintegrimi i ish-emigrantëve jo i lehtë

aeroportiStudimi për emigracionin shqiptar në 25 vitet e fundit: Emigracioni i ligjshëm në Gjermani nuk po i merr trurin Shqipërisë.

Emigracioni ilegal dhe azil-kërkimi në Gjermani për motive ekonomike tanimë duken një kapitull i mbyllur për qytetarët e Shqipërisë. 99,4 % e azil-kërkuesve, pas refuzimit nga autoritetet gjermane nga 2014-2017 janë rikthyer në Shqipëri, shumica vullnetarisht dhe një pjesë me detyrim. Një studim për emigracionin shqiptar në 25 vitet e fundit, i kryer nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, i  mbështetur nga GIZ ( Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit – Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar) dhe i sapopublikuar në Tiranë, vëren se një kategori tjetër e emigrantëve të kthyer është edhe ajo e atyre që kanë jetuar legalisht për shumë vite në Gjermani apo kanë kryer atje studimet e larta.

Kthim me mentalitet të ri, shprehi gjermane pune

Riintegrimi i ish-emigrantëve, legalë, ilegalë apo azil-kërkues, të kthyer në Shqipëri, nuk është i lehtë. Pas vitesh jete dhe pune në Gjermani ata kanë vështirësi me mentalitetin vendas, nuk gjejnë punë, përballen me paga të ulta, mungesën e rregullave të lojës, administratën publike jo efikase dhe korrupsionin, vë në dukje studimi i mbështetur nga GIZ.

Prof. Dr. Kosta Barjaba, që drejtoi këtë studim, sociolog, ekspert për emigracionin, thotë për DW se në përpjekjet për t’u ri-integruar ata kanë disa veҫori dalluese nga emigrantët e kthyer nga vende të tjera të BE, kryesisht nga Greqia apo Italia.

“Të kthyerit nga Gjermania kanë një fuqi më të madhe tërheqëse në tregun e punës, janë  të zotët të lundrojnë në det të hapur” dhe të krijojnë sipërmarrjet e tyre. Ata kanë pasur vështirësi të mëdha për t’u integruar në Gjermani, të cilat i kanë bërë të jenë më konkurrues. Sa më i vështirë integrimi në Gjermani, aq më të mëdha eksperiencat dhe aftësitë sipërmarrëse që kanë fituar. Ata kanë kuptuar që betejat që duhet të zhvillojnë me tregjet shqiptare, me mjedisin shqiptar janë më të ashpra pasi shpejtësia e lëvizjes  së tyre është më e madhe se e shoqërisë shqiptare. Ata janë bërë pothuajse gjermanë, europianë në mentalitet, shprehitë dhe kulturën e punës”, thotë për DW, Prof.Dr.Barjaba.

Gjermania – magnet emigracioni

Ekonomia e fortë dhe shkalla e ulët e papunësisë e bëjnë Gjermaninë një magnet që tërheq shqiptarët për të emigruar atje. Për më tepër që Gjermania priret të ketë një “politikë relativisht të dyerve të hapura ndaj emigrantëve duke qenë vendi që pranon emigrantë me më shumë dëshirë se vende të tjera të BE”, vë në dukje studimi. Shumë nga ish azil-kërkuesit, sidomos të rinjtë, synojnë të emigrojnë sërish në Gjermani, tanimë në mënyrë ligjore. Ata po përmirësojnë njohuritë e tyre në gjuhën gjermane, po ndjekin kurse profesionale dhe po marrin informacion nga autoritetet vendase dhe ato gjermane lidhur me emigracionin legal. Ka edhe një kategori tjetër që po synon Gjermaninë: rinia studentore, e diplomuar për Mjekësi dhe Infermieri po studion gjuhën gjermane si kushti i domosdoshëm për të gjetur një kontratë pune në Gjermani. Sipas informacionit për DW nga Ambasada Gjermane në Tiranë, vitin e kaluar tre mijë qytetarë nga Shqipëria morën vizë pune dhe emigruan në Gjermani për të punuar dhe jetuar atje.

A po ikën truri i Shqipërisë në Gjermani?

Jo, thotë për DW, Kosta Barjaba: “Në Shqipëri ka një perceptim të gabuar lidhur me emigrantët e ligjshëm, që mundëson Gjermania për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Vërtet Gjermania është e hapur për të marrë elitat nga ҫdo vend i rajonit apo më gjerë. Por në rastin konkret Gjermania kërkon njerëz për shërbime në sistemin shëndetësor, kryesisht për të moshuarit. Sistemi shëndetësor dhe ai social gjerman kanë shumë profesione të ndërmjetme që u ofrojnë pacientëve shërbime, kanë një gamë të gjerë pozicionesh pune që nuk  i plotëson dot vetë për arësye të ndryshme dhe për të cilat ka uri tregu  gjerman i punës. Prandaj Gjermania është magnet për momentin, shkurt Gjermania nuk kërkon trurin, por profesionistë për shërbime të caktuara. Trurin e kërkon dhe po e merr p.sh.  Kanadaja, që ka një sistem përzgjedhjeje të emigrantëve të superkualifikuar”, thekson ai.

Lëvizja e ngadalshme e shoqërisë në krahasim me individin

Profesionistët për shërbime ndërmjetëse në sistemin shëndetësor që kërkon Gjermania, tani për tani nuk i duhen Shqipërisë, sepse sistemi i saj shëndetësor nuk i ka këto shërbime. Por edhe kur t’i ketë, përsëri dëshira për të emigruar do të jetë e madhe. “Gjithmonë do të ketë njerëz, të rinj dhe të reja, që do të duan të ikin nga Shqipëria. Kjo pasi shpejtësia e lëvizjes përpra, shpejtësia e ndryshimit e shoqërisë është shumë e ngadalshme në krahasim me shpejtësinë e individit nga njëra anë, dhe të shoqërisë në vendet e BE-së apo Perëndimit, nga ana tjetër”, thotë për DW, Kosta Barjaba. (dw)

Google dhe regjistrimi i lëvizjeve

googleAplikacioni Google Maps duke treguar se ku janë marrë fotografitë

Google dëshiron të dijë vendndodhjen tuaj kaq shumë, sa që regjistron çdo lëvizje që bëni, edhe kur i thoni shumë qartë të mos e bëjë një gjë të tillë. Një analizë e kryer nga agjencia Associated Press zbulon se shumë shërbime të kompanisë Google në pajisjet Android dhe iPhones ruajnë të dhënat e vendndodhjes tuaj edhe nëse ju keni zgjedhur që të mbeteni të padukshëm, që do të thotë se nuk doni ta lejoni kompaninë të dijë vendndodhjen tuaj.

Në shumicën e rasteve, Google kërkon leje për të përdorur të dhëna për vendndodhjen e përdoruesit. Një aplikacion si Google Maps i kujton përdoruesit të lejojë proceset robotike të Google-it të përdorë koordinatat e vendndodhjes së tij në mënyrë që ta udhëzojë si të shkojë në adresën e kërkuar.

Nëse përdoruesi i jep Google-it leje për të regjistruar vendndodhjen e tij, me kalimin e kohës, Google Maps do ta krijojë një historik të plotë të të gjithë lëvizjeve që ka bërë përdoruesi duke treguar me përpikmëri vendet ku ka qenë.

Kompania thotë se i lejon përdoruesit të fshehin vendndodhjen apo të “pezullojnë” ndjekjen e lëvizjeve të tyre.

“Tani është programuar të dallojë vendndodhjen time dhe e ruan atë në mënyrë automatike kudo që shkoj. Këtë kam zgjedhur. Por ta zëmë se dua të jem i padukshëm. Mund të shtyp këtë buton për të fshehur vendndodhjen time”, thotë Steve Lee me kompaninë Google.

Por nuk ndodh kështu. Edhe nëse e “pezullon” regjistrimin e vendndodhjes, disa aplikacione të Google-it ruajnë lëvizjet e përdoruesit edhe nëse ai nuk e ka kërkuar një gjë të tillë.

Për shembull, Google e di vendndodhjen tuaj kur hapni aplikacionin e hartave, Google Maps, apo kur kërkoni të dini parashikimin për motin.

Ruajtja e të dhënave të vendndodhjes pa pëlqimin e përdoruesit është e padrejtë thotë Frederike Kaltheuner, me kompaninë Privacy International.

“Shumë aplikacione kërkojnë funksionimin e të dhënave të vendndodhjes dhe nuk ka asgjë të keqe këtu. Por kompania duhet të tregojë haptazi se cfarë bën me këto të dhëna dhe njerëzit duhet të kenë mundësinë që lëvizjet e tyre të mos regjistrohen”.

Ruajtja e lëvizjeve tuaja minutë pas minuti sjell rreziqe të privatësisë dhe është përdorur nga policia për të zbuluar vendndodhjen e të dyshuarve.

Google thotë se ka qenë shumë e qartë në praktikat e saj.

“Ka një numër mënyrash të ndryshme që Google mund të përdorë vendndodhjen për të përmirësuar shërbimet për përdoruesit, duke përfshirë: Historikun e Vendndodhjes, Aktivitetin në Internet dhe në Aplikacione”, tha një zëdhënës i kompanisë Google në një deklaratë për agjencinë Associated Press.

“Ne japim përshkrime të qarta të këtyre mjeteve dhe kontrolle të fuqishme, në mënyrë që njerëzit të mund të fshijnë historitë e lëvizjeve të tyre në çdo kohë”.

Kompani të mëdha të teknologjisë janë nën presion në rritje mbi praktikat e tyre të përdorimit të të dhënave, pas një sërë skandalesh privatësie me Facebook-un dhe rregullave të reja të privatësisë së të dhënave të miratuara kohët e fundit nga Bashkimi Evropian.

“Nëse kam shans për t’i çaktivizuar, unë i çaktivizoj të gjitha. Për momentin këtë bëj. Çdo aplikacion që përdor, ka në të vendndodhjen, që kompania e përdor kur e aktivizoj, por më pas nuk më pëlqen ta përdorin vendndodhjen time pa miratimin tim”, thotë përdoruesi i telefonëve inteligjent, Claudio Nogueira.

“Nuk mendoj se ata duhet t’i përdorin të dhënat pa lejen tuaj, por nëse ju jepni leje, atëherë është në rregull. Nëse ju vetë e keni ndërprerë historinë e vendndodhjes tuaj, e dini se nuk doni të gjurmoheni ose nuk doni që ata të dinë vendndodhjen tuaj, ata nuk kanë të drejtë të jenë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë. Nuk është e drejta e tyre, sepse është privatësia juaj”, thotë përdoruesja, Rosielyn Bartolazo.

Kritikët thonë se këmbëngulja e Google për të ndjekur vendndodhjet e përdoruesve të saj vjen nga synimi për të rritur të ardhurat nga reklamat.

Çështja e privatësisë prek rreth dy miliardë përdorues të pajisjeve që përdorin Android të Google-it dhe qindra miliona përdorues në mbarë botën që mbështeten tek Google për harta apo kërkime.

Kosnett: Qëndrimi amerikan ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar

KosnettDiplomati veteran Philip Kosnett thotë se qëndrimi amerikan lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndryshuar.

Zoti Kosnett, i emëruar nga presidenti si ambasador i ardhshëm amerikan në Kosovë, doli të enjten para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë. Senatori Chris Murphy e pyeti diplomatin lidhur me takimin që kishte zhvilluar në fund të korrikut ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç me këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë Jared Kushner dhe komentet pas takimit kur zoti Daçiç u shpreh se qëndrimi amerikan është tani “më pranë qëndrimit tonë” gjë që ka zgjuar shumë spekullime lidhur me ndryshime në qëndrimin amerikan. Senatori pyeti lidhur me spekulimet për mundësinë e mbështetjes nga Shtetet e Bashkuara për idenë e shkëmbimit të territoreve. Senatori kërkoi të dinte se çfarë instruksionesh kishte marrë diplomati lidhur me qëndrimin amerikan dhe nëse ky qëndrim kishte ndryshuar kohët e fundit.

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga BE mes dy vendeve. Mendojmë se ka rëndësi kritike që të dyja vendet të avancojnë për të kapërcyer tensionet e vjetra. Ne besojmë se është me rëndësi kritike që dy vendet të jenë në gjendje të diskutojnë ide të reja. Kjo nuk është fjalë-kod për të mbuluar idenë e shkëmbimit të territoreve. Ne duam të shohim se çfarë idesh do të paraqesin dy qeveritë. Synimi ynë strategjik afat-gjatë është të shohim stabilitet në rajon, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të vjetra mes dy vendeve në forma që forcojnë lidhjet e dy vendeve me Perëndimin,” tha zoti Kosnett.

Në prezantimin e tij, i emëruari i Presidentit Trump renditi prioritetet e tij nëse konfirmohet si ambasadori i ardhshëm amerikan në Kosovë ku në radhë të parë ai veçoi shtimin e dialogut me Serbinë. “Përparësia më imediate për Shtetet e Bashkuara është normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Kjo do të fuqizonte stabilitetin rajonal dhe do të shtronte terrenin për integrimin e dy vendeve në Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht dialogun mes dy vendeve dhe intensifikimin e bisedimeve të nivelit të lartë. Nëse konfirmohem, tha zoti Kosnett, do të nxis Kosovën të punojë për një zgjidhje që përmirëson jetët dhe garanton sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj,” tha zoti Kosnett. (voa)

David Kanin: Çështja kryesore është sovraniteti i Kosovës, jo shkëmbimi i territoreve

David KaninNjë ekspert i çështjeve të Ballkanit, ish-analist i lartë i CIA-s për rajonin dhe Evropën, thotë se patologjia e perëndimit për çdo zhvendosje territori e cungon diskutimin për Kosovën dhe Serbinë. David Kanin, profesor për Studime Evropiane në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington thotë se historia e Evropës është një histori e ndryshimit të kufijve. Por në këndvështrimin e tij, debati i rihapur për këtë temë është dytësor dhe çështja më e rëndësishme është ajo e sovraniteti të Kosovës, që do të mbetet e hapur përsa kohë nuk njihet nga Serbia dhe nga pesë anëtarët e BE-së që nuk e kanë pranuar pavarësinë e saj. Zoti Kanin e intervistoi gazetarja e Zërit të Amerikës, Keida Kostreci:

Zëri i Amerikës: Zoti Kanin, ju jeni mes ekspertëve që e njohin rajonin që e kanë ndjekur me vëmendje diskutimin e rihapur për shkëmbim territori, ndryshim kufijsh, apo ndarje mes Kosovës dhe Serbisë. Por mendoj se ju jeni ndoshta i vetmi që keni shprehur shqetësim se kjo përbën një kërcënim për statusin e Kosovës. Pse?

David Kanin: Unë nuk mendoj se ky diskutim kërcënon statusin e Kosovës. Statusi i Kosovës ishte i kërcënuar që në fillim. Konteksti është sovraniteti i cunguar i Kosovës. Nuk është një shtet i njohur universalisht. Nuk ka rëndësi sesa vende e njohin, pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin dhe sigurisht edhe Serbia, Rusia dhe Kina. Çështja është statusi i kontestuar i Kosovës. Diskutimi i tanishëm për ndarjen sado i zhurmshëm merret me çështjen dytësore se cili (vend) merr cilin territor. Pyetja për sovranitetin e Kosovës është çështja kryesore dhe do të mbetet e hapur përsa kohë nuk njihet nga Serbia dhe nga pesë anëtarët e BE-së që nuk e njohin dhe unë nuk shoh shenja se kjo do të ndryshojë. I gjithë ky diskutim nuk ka lidhje me këtë.

Zëri i Amerikës: Shkëmbimi i territoreve mund të ndodhë midis dy shteteve sovrane. A nënkupton kjo që Serbia duhet ta njohë Kosovën më parë? Si mund të hyjë Serbia në diskutim me një territor që sipas saj nuk është shtet?

David Kanin: Jo, nuk është e thënë. Pjesë e diskutimeve ka qenë mundësia që Kosova të marrë një vend në Kombet e Bashkuara, domethënë që të mos njihet zyrtarisht (nga Serbia). Kjo do të bënte të mundur që Serbia të shmangte njohjen de jure të Kosovës. Shumë akademikë dhe diplomatë perëndimorë do të ishin të kënaqur me anëtarësimin në OKB, duke menduar se vendi në OKB do të thoshte njohje e pavarësisë. Jo, nuk do të thotë këtë. Kosova do të ishte në OKB dhe një shkëmbim territori mund të ndodhte – dhe e përsëris që kjo është teorike dhe nuk besoj se do të ndodhë – por Kosova do të kishte diçka më pak sesa status të plotë. Taivani kishte një vend në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit për dekada, derisa balanca e pushtetit ndryshoi dhe tani Kina është në OKB dhe Taivani jo. Kosova nuk është Taivan, është një kontekst tjetër, por ngjashmëria mes dy situatave do të ishte se Kosova nuk do të kishte sovranitet, do të kishte vetëm një vend në OKB, që është shumë më pak. Kjo ka qenë pjesë e diskutimeve. Sipas pikëpamjes sime, nëse Kosova pranon që në fillim më pak sesa sovranitet të plotë, si pjesë e marrëveshjes fillestare, atëherë e ka humbur lojën.

Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni për idenë në vetvete?

David Kanin: Ndarjen?

Zëri i Amerikës: Njerëzit po e quajnë shkëmbim territori, ndryshim kufiri. Nuk e di nëse mund të quhet ndarje nëse palët bien dakord…

David Kanin: Çdo shkëmbim territori dhe lëvizje popullate – dhe të dyja këto do të ndodhnin me këtë ide – sido që t’ia vësh emrin, do të ishte sakrilegj në sytë e institucioneve perëndimore, diplomatëve OJQ-ve, akademikëve dhe intelektualëve publikë, që kanë një farë besnikërie patologjike ndaj demokracive laike, shumëetnike, të integruara, si rruga e vetme për të ecur përpara, rruga evropiane. Angela Merkel tha përsëri se kufijtë në Ballkan nuk do të ndryshojnë. Historia evropiane është një histori e ndryshimit të kufijve dhe lëvizje popullsish. Kjo nuk ka ndaluar. Çdo ndryshim i Jugosllavisë që kur Jugosllavia u shpërbë ka qenë për ndryshim kufijsh lëvizje njerëzish, disa të mbështetura nga perëndimi dhe disa të kundërshtuara.

Ajo që po them është se elitat perëndimore që pretendojnë se dominojnë rajonin, vazhdojnë t’u thonë njerëzve në rajon se nuk ka alternativë përveç demokracive shumëetnike, laike të integruara. Çdo zhvendosje territori që do të sillte lëvizje njerëzish dhe njohje e çdo gjëje mbi baza etnike është sakrilegj, sulmohet si ide, gjithkush thotë që është e tmerrshme, se nuk mund të ndodhë. Pra është diçka që ka të bëjë me politikat e perëndimit dhe ndjesisë së tij të privilegjit në rajon, pasigurive të veta për problemet e veta dhe modelet e veta dhe mendoj se patologjia për këtë nocion, e cungon diskutimin, do të thotë që nuk lejohesh t’i shqyrtosh këto lloj idesh. Dhe është kjo mungesë e shqyrtimit të mundësisë për ndryshim që do të ishin të ngjashme me ndryshimet që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në Evropë, lënia e të gjitha atyre jashtë, që e ndryshon drejtimin e diskutimit dhe bën që të mos jetë shumë i vërtetë sipas mendimit tim dhe sjell si rezultat mungesë zgjidhjeje, e lë pezull statusin aktual dhe mendoj se do të vijë dita kur të ketë një raund të ri luftimesh, qoftë në Maqedoni, Bosnje, Kosovë, do të ketë raunde të reja vështirësish, pjesërisht sepse shqyrtimi i mundësive të tjera përveç atyre që lejohen nga institucionet perëndimore nuk lejohen.

Zëri i Amerikës: Pra ju mendoni se kundërshtimi nga Perëndimi ia ndryshon drejtimin diskutimit?

David Kanin: Mendoj që ia ndryshon drejtimin dhe e frenon diskutimin, e mban rajonin në pozita varësie. “Nuk janë gati për këtë apo atë”. Kjo e gjitha presupozon se të huajt i lejojnë vetes të drejtën që t’u thonë njerëzve në rajon se ç’të bëjnë. E bllokon diskutimin.

Zëri i Amerikës: Ju sa folët për pozicionin e Kancelares Merkel, pozicionin e Bashkimit Evropian, por pozicioni i Shteteve të Bashkuara ka qenë më pak i qartë. Më parë ishte thënë se nuk do të kishte ndryshim kufijsh dhe shkëmbim territoresh ndërsa tani thuhet se palët duhet të jenë elastike dhe zgjidhja duhet të vijë prej tyre. Por nuk ka qëndrim të prerë pro ose kundër. A është kjo një çarje mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara?

David Kanin: Së pari desha të them, meqë kam punuar për qeverinë se mendimet që po shpreh janë të miat, jo të qeverisë. Jam i kënaqur që shoh një mungesë qartësie në pozicionin e Shteteve të Bashkuara, sepse ka hapur shumë gjëra për diskutim. Mendoj se saktësia e rreme e kënvështrimit tradicional perëndimor dhe i këndvështrimit që ende ka Evropa, i ndrydh shumë gjërat. Ideja e shkëmbimit të territoreve, lëvizjes së popullatave, ka qenë që në fillim mbi tryezë. Privatisht, njerëzit flasin për këtë në rajon gjithë kohës, ky diskutim nuk ka ndalur kurrë. Pyetja për qëndrimin e Amerikës, i ka hequr kapakun këtij diskutimi dhe tani po bëhet hapur dhe kjo është diçka e mirë. Nuk do të thotë se do të sjellë këmbim territoresh ose ndarje, ose çfarëdo që do ta quash. Unë nuk besoj se do të ketë zgjidhje, diplomatike apo të ndonjë lloji tjetër, për një kohë të gjatë në rajon. Mendoj se kjo gjendje do të vazhdojë për një kohë të gjatë, derisa disa aspekte të kontekstit të lëvizin, përsa u takon fuqive të jashtme dhe vendasve. Por mendoj se mungesa e qartësisë në pozicionin amerikan nuk është gjë edhe aq e keqe, duke pasur parasysh problemet në rajon dhe dëmin që është bërë nga kufizimi që perëndimi ka imponuar për një kohë kaq të gjatë. Është diçka konstruktive.

Zëri i Amerikës: Kur thoni mungesë qartësie, a keni parasysh mungesën e shprehjes së një qëndrimi publikisht, apo mungesë e një politike koherente, sepse ka nga ata që mund të thonë që mungesa e një politike koherente amerikane do të ishte problematike.

David Kanin: Nuk jam i sigurt nëse ka një politikë koherente amerikane (për këtë çështje). Unë nuk shoh që të ketë. Kjo nuk me shqetëson edhe aq shumë. Gjithmonë flasim se çfarë mendon perëndimi, cila është politika perëndimore, nëse popujt e Ballkanit Perëndimor do të hyjnë në Bashkimin Evropian ose jo, nëse amerikanët kanë një politikë apo jo. Unë mendoj se sa më shumë vendasit t’i marrin çështjet në dyert e tyre, aq më mirë është, çfarëdo që të ndodhë. Unë mendoj se i vetmi shans për një zgjidhje afatgjatë është nëse për të bihet dakord nga vendet vetë dhe kjo do të kishte problemet e veta. Jo vetëm që nuk është e lehtë dhe ka shumë çështje që pengojnë një zgjidhje së shpejti. Por mendoj se përsa kohë të ekzistojë në rajon statusi i imponuar nga perëndimi, i imponuar nga jashtë, presioni do të vazhdojë të shtohet. Do të vijë një ditë kur luftrat e viteve 1990, do të mbeten mjaftueshëm larg në të shkuarën, saqë dikush do të arrijë në përfundimin se nuk janë më të shqetësuar për dëmin e shkaktuar, njerëzit do të harrojnë për dëmin, një brez i ri do të vijë dhe do të ketë luftime prapë, unë mendoj se ka gjasa që kjo të ndodhë. Lajmi i mirë përsa i takon mungesës së konfliktit, është se ka njerëz mjaftueshëm që e mbajnë mend tmerrin dhe nuk duan që ta përjetojnë prapë. Por kjo nuk do të zgjasë ndërsa vijnë brezat e rinj. Do të vijë një kohë kur status-quo-ja e tanishme që është tentative dhe asgjë nuk është zgjidhur në Jug të lumit Ibër, do të vijë koha kur të do të ketë konflikt tjetër nëse nuk fillon të zgjerohet diskutimi, të marrë drejtim tjetër dhe nëse vendim-marrësit lokale nuk fillojnë të marrin autoritetin dhe përgjegjësinë për atë që ndodh në rajonin e tyre dhe të ndjejnë përgjegjësinë e llogaridhënies para aktorëvë të tjerë lokalë që kanë interesa, jo vetëm ndaj amerikanëve, evropianëve ose apo edhe rusëve apo të tjerëve.

Zëri i Amerikës: Por si mund të ndodhë kjo kur këto vende aspirojnë të futen në klubin ku janë këto vende të Perëndimit, të Bashkimin Evropian?

David Kanin: Mendoj se aspirata për BE-në, është pjesë e patologjisë. Ata nuk do të futen aty të paktën për të ardhmen e afërt. Data që ekziston sot është 2025 por evropianët vazhdojnë ta shtyjnë. Nuk ka shenja që evropianët janë pranë pranimit të ndonjërit prej këtyre e vendeve. Shtyrjet e vazhdueshme e mbajnë situatën siç është, e ngrijnë. Por status-quoja nuk do të vazhdojë përgjithmonë, ashtu si edhe kufizimet e tjera të sigurisë të imponuara nga perëndimi që nga Kongresi i Berlinit, kanë mundur të zgjatin për një periudhë kohe dhe pastaj kur gjendja e sigurisë ndryshon, kur kushtet e jashtme të sigurisë ndryshojnë, kur konteksti ndryshon atëherë gjërat rrëzohen në rajon. Dhe me situatën e tanishme, nëse asgjë nuk ndryshon kjo do të çojë në konflikt të mëtejshëm.

Zëri i Amerikës: Pra ju po thoni që nuk është ide e keqe por nuk është realiste?

David Kanin: Nuk është ide e keqe, është një bazë konstruktive për diskutim. Nuk ka asgjë mbi tryezë, mbi tryezën e askujt, nuk ka asgjë në Uashington, e sigurt që nuk ka gjë në Bruksel, asgjë në Moskë, që do ta zgjidhte këtë çështje, asnjë ide, asnjë propozim. Asnjë nga palët e jashtme nuk do ta zgjidhë këtë. Ajo që mund të bëjnë është që ta ngrijnë për një kohë dhe këtë kanë bërë. Problemi është se një ditë kur kjo ngrirje të thyhet, kur kjo situatë të kriset, personat që do të jenë viktima do të jenë njerëzit e rajonit sepse do ta gjejnë vetën në një situatë kur gjërat përsëri do të jenë të mundura për t’u marrë.

Zëri i Amerikës: Çfarë të ngrijnë?

David Kanin: Ata përpiqen të ngrijnë kufijtë dhe kontrollojnë diskutimin për zgjidhjet e mundshme. Asgjë nuk është e pranueshme në Bruksel nëse nuk është “prodhuar” në Bruksel. Bashkimi Evropian ka nevojë ta përdorë Ballkanin për të marrë meritën për çdo “zgjidhje” dhe e them në thonjëza, sepse nuk ka një zgjidhje, por për çdo “zgjidhje” që mund të japin ata, sepse evropianët janë të shqetësuar sepse tani janë të vegjël, nuk kanë atë ndikim që kanë pasur. Dhe këtu bëhet fjalë vetëm për përpjekjen e Evropës që t’i provojë vetvetes dhe të tjerëve, se janë ende të rëndësishëm në botë. Balkani është thjesht një instrument në këtë drejtim, asgjë më shumë.

Zëri i Amerikës: Nëse kjo ide hidhet në tryezë dhe BE-ja dhe Uashingtoni bien dakord, a e vë kjo Kosovën në një pozicion më të dobët sesa Serbinë meqenëse është ajo të cilën Serbia dhe vende të tjera nuk e kanë njohur?

David Kanin: Kosova është në një pozitë më të dobët se Serbia sepse është një vend që nuk është i njohur nga të gjithë. Kjo nuk ndryshon nëse Serbia nuk e ndryshon. Serbia ka avantazhin që është një vend universalisht i njohur që ka të drejtën të japë ose jo njohjen e Kosovës. Kosova nuk e ka atë marrëdhënie me Serbinë. Mënyra se si u bë pavarësia e Kosovës në vitin 2008, dhe ne e bëmë këtë, ne e kemi faij, e ka bllokuar sovranitetin e saj dhe e ka vendosur Kosovën në një pozitë të pafavorshme. Ky diskutim nuk e ndryshon një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: Si mendoni që kjo iniciativë e prek rajonin më gjerë, së pari Maqedoninë meqë referendumi po afrohet por edhe rajonin?

David Kanin: Lidhje me Maqedoninë është e qartë. Dy çështjet nuk janë identike por nuk janë as paralele. Evropianët kanë nevojë për disa lajme të mira, u duhet që diçka të shkojë mbarë në Kosovë, ose Maqedoni. Këto dy çështje nuk do të përckatojnë njëra-tjetrën por nëse gjërat nuk shkojnë mirë në Maqedoni, kjo do të ushtronte më shumë presion mbi serbët dhe kosovarët nga evropianët që të gjejnë diçka, që të mund ta quajnë normalizim, që mua më duket një term shumë i keq. Nëse çështja e Maqedonisë është e suksesshme, atëherë do të ketë një lloj tjetër trysnie ndaj Kosovës për të ruajtur vëmendjen e njerëzve. Unë jam i shqetësuar se problemi i Maqedonisë do të dështojë në Greqi. Mendoj se qeveria e Maqedonisë do të jetë në gjendje që të ketë sukses me referendumin dhe nga ana e saj ta nënshkruajë marrëveshjen, por nuk jam shumë i sigurt për Greqinë. Opozita greke mund ta hedhë poshtë. Dy proceset do të ndikojnë tek njëri tjetri për shkak të nevojës së BE-së për sukses, për shkak të paqartësisë së qëndrimit amerikan, sespe i jep mundësi Rusisë të manovrojë në dy pjesët e rajonit ka mjaft hapësirë të veprojë në dy pjesët e rajonit, si edhe në Bosnnje, por gjithçka është disi e papërcaktuar dhe përsa kohë që këto diskutime të vazhdojnë, kjo gjendje do të vazhdojë. Parashikimi im është që në fund të fundit nuk do të kemi shumë ndryshim për Kosovën, që ky diskutim do të shkojë deri në një farë pike dhe pastaj do të fillojë të zbehet. Mendoj se çështja e Maqedonisë është shumë më kritike sepse atje ose do të kemi ose nuk do të kemi ratifikim marrëveshjeje. Me Kosovën, diskutimi i ndarjes, shkëmbimit të territoreve, mund të vazhdojë deri në një farë kohe, të zbehet dhe pastaj të vazhdohet me të njëjtën situatë. Por me Maqedoninë meqë ka pasur një marrëveshje mes dy vendeve, nëse ajo dështon do të ishte shumë më serioze.

Zëri i Amerikës: Një nga temat që është hapur me diskutimin e shkëmbimit të territorit, është se disa njerëz filluan të shprehin shqetësimin se çfarë do të ndodhë në të ardhmen nëse Kosova do që të bashkohet me Shqipërinë. Nëse dy vendet bien dakord, ç’të keqe do të kishte?

David Kanin: Problemi është se jo të gjithë do të bien dakord, as në botën shqiptare nuk do të bien të gjithë dakord. Nuk është aq e thjeshtë. Le të mos flasim për anën ekonomikë, për disa çështje kulturore dhe historike. Për shqiptarët e Maqedonisë problemi bëhet i mprehtë. Ata do të pyesin veten. Çfarë do të bëjmë? A mund të bashkohemi edhe ne me ta? Dhe maqedonasit do të pyesin se ç’do të thotë kjo për vendin e tyre, a mund të mbështetemi tek shqiptarët që të jenë pjesë e këtij koalicioni që kanë pasur që më vitet 1990, me qeverinë me përfaqësues nga të dyja komunitetet? E vë në pikë pyetje Maqedoninë. Por nuk besoj se duhet të shqetësohemi për këtë, sepse kundërshtimi ndaj një Shqipërie të Madhe, brenda komunitetit shqiptar është i konsiderueshëm. Nuk është aq e thjeshtë. Dhe sigurisht ata që nuk janë shqiptarë do të kishin shumë dyshime për këtë çështje. Këto gjëra mund të ndodhin në një të ardhme të pacaktuar, por vetëm si rezultat i një konflikti të mëtejshëm. Për fat të keq – dhe ka literaturë për këtë – nëse nuk ka konflikt, është shumë vështirë të kesh zgjidhje të përhershme. Unë nuk po bëhem avokat për konflikt por historikisht negociatat nuk janë të suksesshme, përsa i takon marrëveshjeve të përhershme dhe të pranuara universalisht. Prandaj unë nuk do ta shikoja diskutimin aktual si bazë për Shqipëri të Madhe, apo ndarje të Kosovës, apo anëtarësim të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Asnjë nga këto nuk ka gjasa që të ndodhë,

Zëri i Amerikës: Domethënë, gjendja do të mbetet për të ardhmen e afërt ashtu siç është?

David Kanin: Do të mbetet për të ardhmen e afërt, e papërcaktuar. “Ashtu siç është” është e diskutueshme. Ndryshime kemi parë. Shumica e ndyshimeve që kemi parë që nga vitet 1990, kanë qenë shkëmbime territori, ose ndarje, ose lëvizje popullatash, të gjitha gjëra që qeveritë dhe intelektualët perëndimorë, thonë se nuk mund të ndodhin dhe kanë thënë që nuk mund të ndodhin që në vitet 1990. Shikoni deklaratat e qeverive perëndimore, akademikëve dhe OJQ-ve gjatë gjithë kësaj kohe, që thonë çfarëdo që të jetë status-quoja, nuk mund të ketë më ndryshim kufijsh dhe në fakt janë bërë ndryshime kufijsh dhe pastaj ajo bëhet status-quoja. Status-quotë nuk mund të zgjasin për gjithmonë. Status-quoja aktuale, sipas mendimit tim do të ndryshojë përsëri.

voa

SHBA paralajmërojnë më shumë sanksione ndaj Turqisë

StevenSekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin thotë se Shtetet e Bashkuara janë gati të vendosin më shumë sanksione ndaj Turqisë, nëse pastori amerikan Andrew Brunson nuk lirohet nga arresti shtëpiak.

Zoti Mnuchin e bëri deklaratën të enjten, gjatë një takimi të presidentit me anëtarët kabinetit.

Kemi vendosur sanksione ndaj disa prej anëtarëve të qeverisë turke. Do të vendosim edhe të tjera, nëse nuk e lirojnë shpejt“, tha zoti Mnuchin, duke iu referuar pastorit amerikan.

Më parë këtë muaj, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Ministrit të Drejtësisë dhe atij të Brendshëm të Turqisë, si përgjigje ndaj burgosjes së Andrew Brunson-it. Pastori jeton në Turqi prej 20 vitesh dhe kryesonte një kongregacion ungjillor prej rreth 20 personash në qytetin-port të Izmirit.

Turqia e akuzon atë për spiunazh dhe po e mban nën arrest shtëpiak, ndërsa ndaj tij po zhvillohet një proces gjyqësor.

Të mërkurën, Turqia njoftoi rritjen e tarifave ndaj një game mallrash amerikane, që përfshijnë importet e automjeteve, alkoolit, qymyrit, orizit dhe produkte kozmetike.

Në një postim në twitter, nënpresidenti turk Fuat Oktay shkruante se rritja e tarifave po bëhej “brenda kuadrit të parimit të reciprocitetit, si hakmarrje ndaj sulmeve ekonomike me ndërgjegje, nga ana e Shteteve të Bashkuara“.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan akuzoi SHBA-në se po zhvillojnë një luftë ekonomike ndaj vendit të tij dhe të martën propozoi bojkotimin e mallrave elektronike amerikane.

E pyetur se si administrata e Presidentit amerikan Donald Trump do të reagonte ndaj një bojkoti të tillë nga ana e Turqisë, sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders u përgjigj të martën se “nuk kishte informacion mbi këtë çështje”.

I ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Turqi Jeffrey Hovenier, vizitoi të martën zotin Brunson dhe bëri thirrje për zgjidhje “pa vonesë” dhe në “mënyrë të drejtë e transparente” të çështjes së tij, sikurse të atyre personave të ndaluar në Turqi.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Xhon Bolton u takua të hënën në Shtëpinë e Bardhë me ambasadorin turk Serdar Kiliç, por sipas njoftimeve, diskutimet nuk sollën ndonjë përparim thelbësor.

Presidenti Trump, i cili e ka quajtur arrestimin e pastorit Brunson një “turp të madh”, i dyfishoi të premten e kaluar tarifat ndaj çelikut dhe aluminit që vjen nga Turqia, si masë për të rritur presionin ndaj Presidentit turk Erdogan.

Mosmarrëveshjet në rritje mes të dy vendeve e kanë përkeqësuar krizën ekonomike në Turqi, duke shkaktuar rënien në nivele rekord të monedhës turke, lirës. Këtë vit lira ka humbur rreth 40 për qind të vlerës së saj, kundrejt dollarit amerikan.

Zoti Erdogan u ka bërë thirrje turqve të shkëmbejnë dollarët me lira, me qëllimin për të mbështetur monedhën vendase. (voa)

SHQIPTARËT DHE KRYEMINISTRI “REFORMATOR I GUXIMSHËM” I IRJM

Poeti Charles Bukowski në një intervistë dhënë një reviste letrare deklaroi:  “shkrimtarët e këqinj kanë tendencë të kenë vetëbesim, ndërsa të mirët kanë tendencë të kenë vetë-dyshime. Pra, shkrimtarët e këqinj kanë tendencë të vazhdojnë dhe të shkruajnë broçkulla dhe të japin sa më shumë lexime të jetë e mundur për audienca të rralla. Këta audienca të rralla përbëhen kryesisht nga shkrimtarë të tjerë të këqij, të cilët presin rradhën e tyre …”

Por përkufizimin më të përmbledhur të këtij fenomeni e bëri Bernard Russel, filozof anglez, matematikan dhe shkrimtar në esenë e tij me titull “Triumfi i marrëzisë”,  ku kritikoi ngritjen e lëvizjes naziste në Gjermani: “Shkaku themelor i telasheve në botën moderne është se budallenjtë janë të sigurtë në vete dhe kokëfortë, ndërsa të mençurit janë plot me dyshime”

Intelektualë shqiptarë servilë me mendësi skllavi dhe politikanë naivë të etur për pushtet, në në shkrimet dhe deklaratat e tyre, nxituan të shohin  “të guximshmin” dhe “reformatorin” në personalitetin e kryeministrit Zoran Zaev, duke u bazuar  në luftën e tij mediatike kundër krimit dhe korupsionit  të VMRO.  Ca prej tyre, arritën deri aty sa të shohin edhe kriminelët  tek figurat kryesore të BDI, duke u ofruar shqiptarëve kryeministrin Zaev si shpëtimtar nga VMRO e edhe nga BDI. Por sytë janë të padobishëm, kur mendja është e verbër, thot një fjalë e urtë. Ndaj, sikur me ato syzet me dy dioptri të ndara, nuk arrijnë kursesi të shohin bashkë, në të njëjtën fushë vizive, “reformatorin e guximshëm” dhe kriminelët e BDI. Prandaj nuk sqarojnë dot as veten, e as të tjerët, se si i bëhet që ky “reformator i guximshëm” kurseu kriminelët shqiptarë të BDI, bashkëpunëtorë në krim të VMRO!?  Dhe jo vetëm që i kurseu, por bëri dhe qeverinë me ndihmën e tyre. E jo vetëm që bëri qeverinë me ndihmën e tyre, por mban gjallë dhe shtetin “me ditë të numëruara” me ndihmën e tyre.

“Ilindeni  është një kryengritje maqedonase. Nëse donjë qytetar bullgar dëshiron t’a festojë, le t’a festojë” deklaroi para ca ditësh kryeministri Zaev. Dhe kur presidenti  dhe kryeministri i Bullgarisë i treguan dhëmbët në përgjigje të kësaj deklarate, kryeministri “i guximshëm”, përmes rrjetit social “Facebook”, deklaroi keqardhje për fjalët e deklaruara, athua se me këtë  ndjesë publike u arsyetua për faktin e përvetësimit (me decenie të tëra) të historisë të një shteti të huaj, dhe akoma më shumë, pothuajse emërtoi shtetin me emrin e kësaj kryengritjeje bullgare! Ndërkaq roli i palaçove shqiptarë në pushtet, ishte të “përkthejnë” emrin e kësaj kryengritjeje bullgare, dhe ashtu si padroni i tyre, pa u skuqur fare, tu’a ofrojnë shqiptarëve si emër të shtetit ku jetojnë.  E si të skuqet dikush që nuk ka fytyrë?

Por, nuk është as hera e parë e as e vetmja, që kryeministi Zaev pranon dhe kërkon ndjesë për përvetësim të bërë.  Vet marreveshja për emrin, e nënshkruar në Prespë më 17 shkurt 2018, është në fakt pranim dhe kërkesë për falje publike për përvetësimin e identitetit dhe historisë së maqedonasve antik për më shumë se shtatë decenie. E për të njëjtën gjë shërbeu edhe ndrimi i emrit të aeroportit të Shkupit dhe të një autostrade që mbanin emrin e Aleksandrit të Madh. Dhe për këtë, grekët shpërblyen kryeministrin “reformator”, duke i mundësuar dhe duke u bërë palë në injorimin dhe anashkalimin e shqiptarëve në këtë marrëveshje për të ardhmen e shtetit, duke i dhënë shtetit dhe gjuhës zyrtare vetëm atribute sllave.

Vetëm shqiptarëve kryeministri “reformator i guximshëm” nuk e konsideron të nevojshme t’u kërkojë falje për krimet që u ka bërë shteti që përfaqëson. Përkundrazi, konsideron se e ka rastin e volitshëm për të përmbyllur synimin e kahmotshëm për nënshtrimin përfundimtar të shqiptarëve, duke i asimiluar në “maqedono-verior” sllavë,  me gjuhë zyrtare sllavomaqedonishten.  Dhe për këtë ka ndihmën e pakursyer të klasës politike të shitur të shqiptarëve.

Dhe pikërisht ky kryeministër hajdut identitetesh dhe historishë, bashkë me kriminelët dhe hajdutët shqiptarë që i shërbejnë sepse i kursen nga burgu, na ftojnë në referendum për të votuar këtë marrëveshje poshtëruese për shqiptarët. Pikërisht llumi i shoqërisë shqiptare, që përfaqëson të kundërtën e vlerave të qytetërimit europian na thonë të dalim në referendum dhe të votojmë marrëveshjen  “për t’u integruar në Europë”.  U’a thonë këtë pa u skuqur, pikërisht diasporës, të cilët tani më “u integruan” duke ikur në BE nga këta që i lanë papunë, për të punësuar militantët e tyre.  Ikën nga këta u’a bënë qytetet e tyre të pajetueshme. E u’a thonë edhe shqiptarëve të tjerë që vazhdojnë të “të integrohen” duke ikur në BE, si këta të parët.

E gjitha kjo që ca kriminelë shqiptarë t’i shpëtojnë burgut, ca të tjerë të bëjnë pak lek derisa edhe ata t’i fusi UDB-a në dorë, e ca mjeranë të hynë në punë në donjë ministri për një rogë mizerje, në pritje të ditës kur edhe ata do të ikin.

Afrim Fanda