Vdes Aretha Franklin, diva e muzikës soul

Aretha FranklinKëngëtarja Aretha Franklin, zëri i fuqishëm i së cilës e bëri atë të njihej si “mbretëresha e muzikës soul” vdiq të enjten në moshën 76 vjeçare. Këngëtarja e famshme, fituese e 18 çmime “Grammy” dhe me rreth 25 disqe të arta, vdiq në shtëpinë e saj në Detroit, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.

Babai i Aretha Franklin-it ishte predikues në kishën Baptiste të Detroid-it dhe këngët e ungjillit që ajo dëgjonte në kishën e tij, përbënin bazën e muzikës së saj.

Ajo kishte një zë unik, emocional dhe të fuqishëm që e vendosi në krye të muzikës soul të viteve 1960 së bashku me Otis Redding, Sam Cooke dhe Wilson Pickett.

Aretha Franklin pati kënduar në funeralin e drejtuesit të vrarë, të të drejtave civile Martin Luther King, si dhe në ceremonitë për inaugurimin e presidentëve Barak Obama dhe Bill Clinton. (voa)

Mini-hidrocentarlet në Ballkan

Bosnje HercegovineLumenjtë e fundit të virgjër të Europës janë në Ballkan. Tani ata kërcënohen nga shkatërrimi prej ndërtimit të mini-hidrocentraleve private. Qytetarët përreth brigjeve të lumejve janë kundër.

Një mëngjes kantieri i ndërtimit ishte hapur. “Fillimisht askush në fshatin tonë nuk  e dinte, se për çfarë po punohej”, thotë Tahira Tibold, kryetare bashkie e komunës Krushçica në Bosnjen Qendrore. Lumi që mban emrin e këtij fshati të vogël, shtrihet në një zonë të mbrojtur natyrore dhe furnizon me ujë të pijshëm disa fshatra. Vetëm pas disa ditësh u bë e qartë, që atje po ndërtohej një shkallë dige për një të ashtuquajtur mini-hidrocentrali 10 MVA.

Mini-hidrocentralet janë komplekse me kapacitet deri në 10 Milivoltampere (MVA) . Ato funksionojnë sipas të njëjtit parim si edhe hidrocentralet e mësha – vetëm se ato ndërtohen në lumenj të vegjël. Të tillë lumenj në formën e tyre origjinale të natyrshme në Europë gjenden vetëm në Ballkan.

Kur banorët e Krushçicës e realizuan se çfarë e priste “lumin e tyre”, u bë menjëherë e qartë që ndërtimet do t’i jepnin fund mënyrës së deritanishme të jetesës. Ndaj gratë e fshatit më 24 gusht 2017 bllokuan të vetmin kalim për tek kantieri i ndërtimit. “50 vetë prej natën ulidhën në urë njëra pas tjetrës”, tregon Tahira. “Mëngjesin tjetër u shfqanë 75 policë, ndër ta anëtarë të një njësie speciale dhe e liruan rrugën me forcë.”

Megjithëse portestueset gjatë largimit me forcë nga bllokada u plagosën, ato nuk u dorëzuan. Përkundrazi: me t’u larguar policët, aksioni në urë vazhdoi – dhe qytetarët e Krushçicës bënë kallëzim kundër menaxhuesit të kantierit.

Një vit më üas, në qershor 2018 gjykata përkatëse në Novi Travnik e pezulloi ndërtimin e centralit. sipas bindjes së gjyqtarit popullsia e prekur nuk ishin informuar përmes një procesi licensimi dhe as nuk ishin njoftuar mjaftueshëm për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes.

Aktivistet – të emërtuara në media që prej fillimit të aksioneve si “gratë e guximshme të Krushçicës” – vazhdojnë të jenë skeptike dhe e vëzhgojnë urën natë e ditë. “Këtë ne do ta ndërpresim vetëm nëse marrëveshja me investitorin e hidrocentralit do të shpallet e pavlefshme”, thotë kryetarja e bashkisë Tibold.

“Autoritetet gënjejnë”

“Në fakt uji i lumenjve rrjedh për të gjithë. Por qysh në momentin, kur ndokujt i jepet një koncesion për përdorim, lumi rrjedh vetëm për poseduesin e koncesionit. Kjo do të thotë një privatizim i së mirës së përbashkët – në Ballkan po ndodh ndërkohë privaizimi më i madh e këtij lloji në Europë”, tërheq vëmendjen Ulrich Eichelmann nga OJQ-ja Riverwatch nga Vjena.

“Ndërtimi i mini-hidrocentraleve kërcënon lumenjtë e fundit të virgjër të Europës. 3.000 diga të vogla janë planifikuar ose janë në ndërtim që nga Sllovenia deri në Greqi”, sipas Eichelmann. Në bashkëpunim me Fondacionin gjerman për Mjedisin EuroNatur dhe partnerët lokal në vendet e Ballkanit ai drejton fushatën “shpëtoni zemrën e kaltër të Europës”, për të ndalur valën e shkatërrimeve.

Si arsye për dhënien në masë të koncesiioneve vlen, që interesat private në Ballkan favorizohen kundrejt atyre publike.  “Autoritetet lokale këtu tek ne nuk e bëjnë punën e tyre ose nuk e bëjnë atë si duhet”, shpjegon Jelena Ivanić nga Qendra për Mjedisin në Banja Lukë të Bosnjes, “studimet e fizibilitetit që ato paraqesin, janë sipërfaqësore dhe pa asnjë kuptim”.

Përveç kësaj poseduesit e koncesiioneve shpesh janë të afërt me politikanët përkatës në pushtet në Bosnje, vëren Eichelmann. Madje studimet pëpr mjedisin falsifikohen. “Autoritetet nuk i vizitojnë asnjëherë vendet, ku do të ndërtohet. Në vend të kësaj ata i shkruajnë rapportet e tyre nga tavolina e punës. E kësisoj ata gënjëjne e mashtrojnë për të mundësuar ndërtimin”.

VjosaSi shembull Eichelmann përmend lumin Vjosa në Shqipëri. Përgjatë Vjosës do të ndërtohen 38 diga. Në të gjithë Shqipërinë janë mbi 500 dhe në mbarë Ballkanin 3.000 ndër të cilat 91 përqind janë mini-hidrocentrale. Një e treta e tyre në fakt ndodhen në rajone që janë klalsifikuar si zona të mbrojtura natyrore, si në parkun kombëtar në Mavrovë të Maqedonisë, përgjatë lumit boshnjako-kroat Una, përgjatë Krkas në Kroaci apo Tarës në Serbi.

Si funksionojnë këto projekte financiarisht?

“Secili, që ka mjaftueshëm para, mund të bëhet pronar i një mini-hidrocentrali”, shpjegon Jelena Ivaniq dhe shton, se investimi i nxjerr fitimet në shtatë vjet. Financimi bëhet përmes subvencioneve shtetërore dhe kredive nga institucionet kredituese si Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtimin dhe Zhvillimin, BERZH, apo edhe nga Banka Europiane e Investimeve, Societe Generale nga Franca, Uni Credit nga Italia, Raiffeisen dhe Erste Bank nga Austria si dhe KFë nga Gjermania.

“Këto institucione i financojnë projektet e hidrocentraleve, sepse energjinë e përftuar prej tyre e konsiderojnë si të rigjenerueshme. Por energjia nga hidrocentralet nuk është e rigjenerueshme, sepse natyra e shkatërruar nuk është e rigjenerueshme”, tërheq vëmendjen Eichelmann.

Krahas shkatërrimit të natyrës kundër ndërtimit të mini-hidrocentraleve flet edhe fakti, që ato nuk janë rentabël. “Aktualisht ka shumë energji, çmimi për kilovat/orë tashmë nuk është as tre Cent të Euros”, shpjegon Eichelmann. “Ky çmim është kaq i ulët, sa askush nuk do të ndërtojë diçka për nivele të tilla çmimesh. Kësaj i shtohet edhe fakti, që qeveritë e involvuara duan t’i mbështesin burimet e energjive të rigjenerueshme ndaj dhe i subvencionojnë ato. Në Bosnje ndërkohë premtohen 9 deri në 10 Cent për kilovat/orë, tri herë më shumë se sa çmimi në treg. Kjo do të thotë: pa subvencione askush nuk do të ndërtonte asnjë digë.”

“Nuk ka asnjë vend tjetër, ku lobiistët mund të shkojnë”

Ballkani është një rajon i pastabilizuar politik, në të cilin sipërmarrësit mund të bëjnë para me projekte, që në BE nuk do të ishin të mundura. Lumenjtë në pjesën tjetër të Europës janë të izoluar tërësisht me diga. Nuk ka asnjë vend tjetër, ku të mund të shkojnë lobiistët e hidrocentraleve, për të nxjerrë edhe më shumë para”, thuhet në filmin “Blue Heart”, i cili financohet nga Patagonia dhe ndërkohë po shfaqet në mbarë botën. (https://blueheart.patagonia.com/intl/de/film)

Pyetjes, se si mund ta bllokojnë projekte të tilla afrimin e vendeve të Ballkanit në BE, Eichelmann i përgjigjet: “Nga këndvështrimi i BE-së natyra në Ballkan duhet të mbrohet, në rast se këto vende duan të bëhen pjesë e Europës. Por kjo është vetëm njëra anë e së vërtetës, sepse në BE ka të tjera interesa, që nxisin angazhimin për ndërtimin e veprave të tilla, sepse deri në vitin 2020, 20 përqind e energjisë në Europë duhet të jetë e rigjenerueshme  – me çdo kusht. Kundërshtarët e kësaj ideje dhe ambjentalistët janë shumë të dobët, për t’i mundur investitorët”, konstaton eksperti. “Komisioni Europian duhet të bindet, që lumenjtë në Ballkan janë një thesar i çmuar i Europës.”

Por deri atëherë do të jenë planifikuar e ndërtuar mini-hidrocentrale të rinj. Njëri ndër investitorët kryesorë është ylli i basketbollit nga Bosnja Mirza Teletoviq. “Ai mendon, se një investim i tillë ndihmon komunitetin lokal. Por kjo vetëm mund ta dëmtojë atë, nënvizon Jelena Ivaniq nga Banja Luka. (dw)

Volker: Njohja e Kosovës nga Serbia i shërben të gjithë Ballkanit

VolkerKanë kaluar 21 vjet që nga shpërthimi i konflikti në Kosovë dhe tani është koha që të përmbyllet plotësisht procesi i njohjes së Kosovës dhe njohjes së plotë ndërkombëtare të pavarësisë së saj. Kështu shprehet ambasadori Kurt Volker, ish-përfaqësues i Amerikës në NATO, aktualisht i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, i cili thekson se i gjithë rajoni, përfshirë Serbinë, do të përfitonin nga mbyllja e këtij kapitulli. Zoti Volker i bëri komentet gjatë një diskutimi në Zërin e Amerikës mbi 10 vjetorin e ndërhyrjes ruse në Gjeorgji dhe aneksimin e rajoneve të Abkhazisë e Osetisë së Jugut. Diskutimin e ndoqi kolegia Ardita Dunellari

Ambasadori Volker e quan një padrejtësi ndaj të gjithëve në Ballkan, në veçanti ndaj kosovarëve, që shteti i tyre ende nuk njihet nga Serbia dhe nga të gjithë anëtarët e BE-së:

“Si rezultat, ata janë të bllokuar në marrëdhëniet me BE-në dhe nuk janë në gjendje të përfitojnë plotësisht nga shpallja si shtet i pavarur”.

Kjo situatë, thotë zoti Volker, mban peng edhe Serbinë. Do të ishte në të mirë të vetë popullit serb, të mbyllë këtë kapitull të dhimbshëm dhe të turpshëm, thotë diplomati amerikan:

“Serbët duhet të ecin përpara. Gjëja më e mirë për Serbinë, për mendimin tim, është integrimi në Bashkimin Evropian. Nëse Kosova dhe Serbia e të tjerët në rajon arrijnë ta bëjnë këtë, do të shohim një rajon shumë më funksional në aspektin e marrëdhënieve etnike, në aspektin e statusit, të zhvillimit ekonomik dhe politikës”.

Diplomati sjell si shembull problemet me Bosnjen që ai thotë se janë pjesërisht të lidhura me statusin ende të hapur të Kosovës në Ballkan:

“Duke zgjidhur çështjen e Kosovës shënohet një hap i madh përpara për Bosnjen. Nëse Kosova e Serbia arrijnë në një marrëveshje që mundëson paqe të qëndrueshme, që lejon njohje të ndërsjelltë mes dy shteteve, kjo do të stabilizonte disi politikën në Serbi. Kosova do të kishte të hapur rrugën përpara, ndërsa problemet e Bosnjes do të reduktoheshin në sfidat që lidhen realisht me këtë vend”.

Diskutimi në 10 vjetorin e ndërhyrjes ruse në Gjeorgji përfshin edhe ambicjet dhe strategjitë gjeopolitike të aleatëve të fuqishëm të vendeve ballkanike. Studiuesi Paul Saunders shprehet se mbështetja e Uashingtonit dhe Brukselit për shkëputjen e Kosovës nga Serbia u bë një ndër pikat e fërkimit mes Moskës dhe Perëndimit:

“Përkrahja që i dhanë Shtetet e Bashkuara dhe Evropa shpalljes së një-anshme të pavarësisë nga Kosova u pa nga Rusia si një rast që mund të shërbejë si pararendës, megjithëse Amerika dhe aleatët evropianë nuk donin që të shërbente si e tillë”.

Ambasadori Volker e kundërshton argumentin e Moskës për të shfrytëzuar rastin e Kosovës si paralele për shkëputjen e Krimesë në Ukrainë apo për Abkhazinë Osetinë e Jugut në Gjeorgji. Ai përmend një përpjekje të bashkërenduar të faktorëve ndërkombëtarë, bazuar në marrëveshje e rezoluta ndërkombëtare, mekanizma shumëpalësh ndër të cilët bënte pjesë edhe Moska, që mundësuan ndalimin e konfliktit në Kosovë dhe njohjen e statusit të saj si shtet i pavarur.

Rusia, thotë ai, është e vetme në përpjekjet e saj për të ndryshuar kufijtë në Gjeorgji dhe Ukrainë. Megjithë përpjekjet e saj, askush nuk e ka njohur Krimenë, dhe 10 vjet pas ndërhyrjes, Abkhazia dhe Osetia e Jugut mbeten ende pa status ndërkombëtar. (voa)

Ushtarët amerikanë stërviten në Maqedoni

natoPjesëtarë të ushtrisë amerikane po marrin pjesë në një stërvitje në poligonin ushtarak Krivollak në Maqedoninë qendrore. Ata janë anëtarë të forcave paqeruajtëse në Kosovë dhe nga baza të tjera në Evropë. Autoritetet maqedonase thonë se po u ofrojnë aleatëve të Natos kushte për trajnime të forcave tokësore dhe ajrore.

Ministrja maqedonase e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska tha se anëtarësimi i Maqedonisë në Nato paraqet një mundësi për një rajon të sigurt dhe paqe për qytetarët. Ajo tha se Maqedonia ka vuajtur mjaft nga konfliktet dhe se anëtarësimi në Nato do t’i jepte fund këtyre problemeve.

“Angazhohemi që i gjithë Ballkani të jetë një rajon i qëndrueshëm dhe para së gjithash angazhohemi që vendi ynë dhe qytetarët tanë të jenë të sigurt”, tha zonja Sheqerinska duke iu përgjiigjur pyetjeve në lidhje me sfidat e mundshme në rajon në kohën që po zhvillohen debate për ndryshim ose korrigjim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.

Ministrja maqedonase pret që qytetarët e Maqedonisë t’i japin mbështetje të fortë anëtarësimit në NATO dhe në BE në referendumin e prtishëm në fund të shtatorit.

Edhe zëvendës-ambasadorja amerikane në Maqedoni, Micaela Schweitzer-Bluhm thekson se qëndrueshmëria dhe siguria prodhojnë mirëqenie dhe se mekanizmi i NATO-s më së miri e siguron qëndrueshmërinë.

“Mirëqenia e garanton zhvillimin. Vlerësoj se Maqedonia do të jetë anëtare e ardhshme e NATO-s dhe për këtë e ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha zonja Schweitzer-Bluhm.

“Partneriteti midis Maqedonisë dhe Natos do të jetë edhe më i fortë atëherë kur Maqedonia të bëhet anëtare e Natos. Shtetet e Bashkura dëshirojnë të shohin Maqedoninë të plotësojë kushtet për anëtarësim në Aleancë dhe ne inkurajojmë qytetarët e Maqedonisë që të bëhen pjesë e këtij procesi”, theksoi ajo.

Sipas autoriteteve në Shkup, ekonomia lokale ka përfituar 4-5 milionë dollarë vetëm nga shpenzimet dhe prania e forcave të shtuara ushtarake të vendeve të NATO-s. (voa)

Jordan Daci: Politika ka frikë nga vetingu

jordan daciPërfaqësuesi i Qendrës Shqiptare për Shtetin e së Drejtës profesor doktor Jordan Daci thotë se është e nevojshme që politika në Shqipëri të arrijnë një konsensus edhe më të gjerë për të tejkaluar ngërçin e krijuar me zbatimin e reformës në drejtësi, sesa ai që u desh për miratimin e saj. Gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës” eksperti i çështjeve ligjore bën një analizë të ecurisë së procesit deri më tani. Ai thotë se do të ishte iluzion po të mendohej se gjithçka do të shkonte në mënyrë perfekte. Vonesat sipas tij lidhen me mungesën e vullnetit të një pjesë të politikës për ta zbatuar reformën, nga frika e ndëshkimit:

Përtej deklaratave që bën, në thelb politika nuk është e gjitha pro reformës. Arsyeja numër një është vetë risku që ata shohin, tashmë ata kanë një shembull që janë gjyqtarët dhe prokurorët dhe e shohin me rrezik qënien e tyre, me ngritjen sidomos të strukturave si SPAKU (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar) dhe Prokuroria e Posaçme, të cilat do hetojnë dhe që besoj se do të çojnë në gjykimin edhe politikanë aktualë”, thotë ai.

2 vite më parë parlamenti shqiptar miratoi me unanimitet ndryshimet kushtetuese për një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë. Dy vjet më vonë procesi ka rritur shqetësimet e ekspertëve të fushës lidhur me afatet e përfundimit të saj, që nënkupton jo vetëm përfundimin e procesit të rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve por dhe ngritjen e funsionimin e institucioneve të drejtësisë. Si pasojë e procesit të rivlerësimit Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë kanë dalë jashtë funksionit. Kjo për shkak të numrit të reduktuar të anëtarëve, por dhe mosmarrëveshjeve politike që e kanë bërë të pamundur deri më tani, plotësimin me anëtarë të rinj. Reforma parashikon dhe ngritjen e disa struktura të reja të rëndësishme, siç janë Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përfshirë Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar (SPAK-un) pjesë e së cilës do të jetë dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, që në fokus do të ketë rastet e korrupsionit tek zyrtarët.

Lidhur me afatet e përfundimit të reformës zoti Daci thotë se “një përkrahje më e madhe financiare për strukturat e vetigut mund ta nxiste procesin. Nëse punohet me një ritëm 50 për qind më shumë sesa sot, reforma mund të mbyllej në 3 apo 4 vite”.

Por eksperti ligjor thotë se afatet nuk duhet të shqetësojnë askënd, pasi kjo është dëshmi e seriozitetit të insitucioneve të vetingut dhe nevojës për vazhdimin e frymës së reformës edhe pas përfundimit të tij.

Një nga çështjet e rëndësishme që sipas ekspertit duhet të marrë përgjigje është ajo se çfarë duhet të ndodhë me gjyqtarët dhe prokurorët të larguar nga sistemit për shkak të vetingut. Sipas ekspertit ndaj tyre “duhet të vijohet më tej me hetime pasi kalimi në veting” siç thotë ai “nuk i shmang ata nga veprat penale që mund të kenë kryer nëse gjithnjë janë autorë dhe do provohet bazuar në ligj”. (voa)

Të paktën 35 numri i viktimave pas shembjes së urës në Gjenova

ura gjenovaSi pasojë e shembjes së urës në Gjenova gjetën vdekjen dhjetra vetë. Shkaqet e rrëzimit të urës deri tani nuk dihen. Italia paralajmëron masa radikale.

Dëshmitarët okularë njoftojnë për “skena apokaliptike”, të para pas rrëzimit të urës në Gjenova të Italisë. Fatkeqësia ndodhi të martën (14.08) në mëngjes, kur pas rrëzimit të urës së ashtuquajtur Morandi, me dhjetra makina u përplasën në një lartësi prej rreth 40 metrash. Ura me katër korsi u shemb në një gjatësi prej rreth 100 metrash.

Zyrtarisht flitet ndërkohë për 35 të vdekur, por punimet e ekipeve të shpëtimit po vazhdojnë kërkimet dhe druajnë, se numri i viktimave mund të rritet. Deri tani nga gërmadhat janë nxjerrë të gjallë 11 vetë, ndaj autoritetet shpresojnë se ende mund të gjejnë të mbijetuar dhe t’i shpëtojnë ata. Numri i personave të mbetur nën gërmadha nuk dihet. “Ne do të vazhdojmë punimet dhe përpjekjen për kërkimin dhe shpëtimin e të gjithë atyre që eventualisht kanë mbetur nën gërmadha”, thotë drejtuesi i njësive të shpëtimit, Luigi D’Angelo.

Kryeministri i Italisë Giuseppe Conti shprehu keqardhje të thellë për fatkeqësinë në Gjenova. Ndërsa zëvendëskryeministri Luigi Di Maio tha, se shteti do të bëjë ç’është e mundur për të ndihmuar famijet e viktimave. Edhe presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe kancelarja Angela Merkel shprehën keqardhjen për këtë tragjedi.

Instrastruktura e vjetëruar

Ministri i Komunikacionit Danilo Toninelli tha se kjo fatkeqësi e rëndë është një dëshmi tjetër për gjendjen e keqe në rrugët e Italisë. Përgjegjësit duhet të përgjigjen për këtë. Ministri i Brendshëm Matteo Salvini tha, se ai ka paralajmëruar “me qindra herë” për gjendjen e keqe në urën Morandi. Ai tha se personalisht do të angazhohet që para drejtësisë të nxirren personat përgjegjës nga e kaluara dhe e tashmja. “Nuk është e pranueshme që të ketë vdekje të tilla në Itali”, tha ai.

Salvini la të kuptohet se Italia do të bëjë ndryshime edhe sa i përket Paktit të Stabilitetit të BE-ë dhe kërkesave për kursime, duke argumentuar se Italia do të ndërmarrë investime të shumta për përmirësimin e gjendjes në infrastrukturë. “Siguria e italianëve duhet të jetë në vendin e parë”, tha ai.

Salvini këtu ka parasysh mbase edhe zhvillimet nga marsi i vitit 2017, kur një çift gjeti vdekjen si pasojë e rrëzimit të një ure në Ankona të Italisë. Në tetor të vitit 2016 u godit për vdekje një pensionist prej një pjese të urës në austradën mes Milanos dhe Leçes.

Ura ishte “rinovuar”

Sipërmarrja private e ngarkuar që të kujdeset për këtë autostradë tha se ajo është kujdesur për rinovimin e urës. Në faqen e internetit të saj sipërmarrja bëri të ditur se është punuar edhe në forcimin e bazamentit të urës. Në urë ka qenë edhe një vinç për ndërtim. Gjendja e urës dhe punimet në urë janë kontrolluar gjithmonë, thotë ata. Shkaqet e shembjes së urës do të bëhen të ditura pas hetimeve, që mund të zgjasin me ditë dhe javë të tëra. Ura, e cila mbante emrin e planifikuesit të saj, Riccardo Morandi, është ndërtuar në vitin 1967. Ajo kalon mbi lumin Polcevera dhe në një zonë industriale. Nëpër këtë rrugë kalojnë edhe shumë turistë, të cilët udhëtojnë nga Xhenova përmes Ventimiglias në drejtim të bregdetit italian deri në kufirin me Francën.

bc/wa/wo (rtr, dpa, afp)

 

A munden valët zanore të ndihmojnë për mjekimet e Alzaimerit?

valet zanoreMembrana filtruese e enëve të gjakut që furnizojnë trurin, parandalon depërtimin në sistemin e qarkullimit të gjakut në tru, të mikrobeve dhe lëndëve të tjera të dëmshme. Por në të njëjtën kohë ajo pengon edhe ilaçet kundër Alzaimerit, tumorëve të trurit dhe sëmundjeve të tjera të kryejnë funksionet e tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Faith Lapidus njofton se si studiuesit po përpiqen të gjejnë një mënyrë për të anashkaluar barrierën.

Provat me minjtë në Kolegjin Imperial në Londër, kanë treguar se valët zanore me frekuencë të lartë, që përçohen përmes një lëndë viskoze të ngjashme me atë që përdoret për sonogramën e grave shtatzëna, mund të depërtojë përmes mekanizimit filtrues të enëve të gjakut në tru.

“Mekanizmi filtrues i enëve të gjakur në tru është si një lloj roje që lejon vetëm substancat për të cilat ka nevojë truri, ndërsa patogjenët i frenon dhe nuk i lejon të kalojnë”.

Studiuesit injektojnë fllucka të vogla ajri në enët e gjakut dhe i godasin ato me valë zanore me preçizion të lartë, duke i detyruar të dridhen, në këtë mënyrë qelizat në muret e enëve të gjakut tkurren dhe lejojnë depërtimin e ilaçeve në tru.

Një studim i ngjashëm po bëhet në Qendrën për Shkencat Shëndetësore Sunnybrook në Toronto. Pacienti me alzajmer, Rick Karr është pjesë e një prove klinike që synon të zbulojë nëse valët zanore mund të krijojnë një të çarë të përkohëshme në barrierën mes gjakut dhe trurit.

Eksperimenti me zotin Karr dhe pesë pacientë të tjerë me alzajmer tregon se barriera krijoi një hapësirë, lejoi një substancë të padëmshme të depërtojë dhe u mbyll përsëri.

“U deshën vetëm dy trajtime ultrazanore për të treguar se barriera mund të hapej. Është entuziasmuese dhe jam shumë e emocionuar sepse kjo metodë hap një botë të re mundësish. Por duhet të hedhim hapa të matur, të sigurohemi që është një metodë e sigurt”.

Sapo një MRI përcakton pikën e duhur, studiuesit i drejtojnë me preçizion valët ultrazanore. Inovacione të mëtejshme do ta bëjnë edhe më të saktë këtë praktikë.

“Mund të krijojmë rrjete komplekse me mostra me shumë rrezatime, mund t’i bëjmë të vogla dhe të mëdha. Mund ta drejtojmë rrezatimin në çdo pjesë të trurit. Pra teknologjia është aq e avancuar saqë ne mund ta dërgojmë ilaçin në çdo zonë të trurit, nëse e ndërtojmë depërtuesin ashtu siç duhet”.

Mundësia për terapi është ende larg, por ndërsa sëmundje si alzajmeri bëhen një barrë përherë e më e rëndë për shumë shoqëri në gjithë botën, nevoja për një zgjidhje po i shtyn shkencëtarët që të eksplorojnë çdo alternativë të mundshme.

Koha që politikanët tradhtarë të largohen! Shqiptarët në ILIRIDË meritojnë më shumë!

Shqiptaret ne ILIRIDE kane nevoje per nje klase te re politike. Eshte koha qe te gjithe ata qe i kane perçare shqiptaret te largohen.

Shqiptaret nuk kane nevoje per premtime boshe, as per fjale ne ere, as per diskutime pa bosht, por per punesim, te drejta, investime, mundesi.

Eshte e pafalshme qe shqiptaret te ndihen minoritet ne tokat e tyre, eshte e pafalshme qe ata te kene zgjidhje vetem mergimin, eshte e pafalshme qe shqiptaret te detyrohen te pranojne kushtet nga te ardhurit. Kushte qe shpeshmi shkojne deri ne ekstrem, duke kaluar ne represion.

Shteti shqiptar ka bere shume pak per shqiptaret, ka bere shume pak per mbeshtetjen e tyre, ka bere shume pak per te qene krah tyre e per tu treguar se nuk jane vetem.

Fryma europiane nis nga mbrojtja e bashkekombasve te tu kudo ata ndodhen si nje detyrim kushtetues e mbi te gjitha njerezor. E kete ne nuk e kemi bere .

Nuk mundet shqiptaret autoktone ne Shkup te jetojne sikur te jene te ardhur, e po keshtu ne Gostivar, ne Tetove, Struge , Manastir, Oher, Kumanove e kudo…

Mjafton te shikosh qytetet shqiptare dhe ato ku shumice jane tashme maqedonet sesi ndryshojne. E shembulli me konkret eshte Shkupi. Investime kolosale ne njerin krah, e erresire totale pa mbeshtetje ne tjetrin.

Mungesa e projekteve, e deshires per tu dhene ate qe meritojne , interesat partiake e politike kane bere qe shqiptaret te ndihen te vetem. Po eshte e vertete ne i kemi lene te vetem.

Eshte e pafalshme qe edhe sot ne shekullin e 21 te jete me e veshtire te jesh shqiptar se gjithcka tjeter. Eshte e pafalshme.

E pra shqiptaret meritojne te ndihen zoter te fatit te tyre , e jo te pashprese e te perhumbur. Eshte momenti qe ne keto negociata per krijimin e nje shumice te re ne , te kerkohet me ngulm nje perqasje e re, nje mendesi e re, nje force e re, nje mundesi e vertete .

Shumica e re duhet ndertuar ne kushtet e barazise, ku shqiptaret te kene vendin e tyre sic u takon, jo si qytetare te dores se dyte, por si popullesi qe ka te drejtat e saj , te drejta qe s’mundet me tjua shesin e blejne politikanet me interesat e tyre per pushtet.

Shqiptaret kane nevoje per me shume, per nje politike per ta e jo per xhepat e disave !

Largohuni e hapini rruge te rinjeve sepse mes shqiptareve ne ILIRIDE ka pafund njerez te ndershem, te shkolluar , me mendesi europiane e zemer te madhe qe e duan vendin e tyre ! Hapini rruge frymes se re te ketyre njerezve te rinj. Eshte koha e tyre !

E shteti shqiptar duhet te mbeshtese kete fryme , duhet me cdo kusht sepse shqiptaret ne Iliride kane nevoje per oksigjenin e munguar !

Marin Mema

Është koha e maskarenjve, tallen e ngërdheshen me idealet

Ata mund të kishin zgjedhur pasuritë e ofruara, ofiqet joshëse, pronat e pushtetin e pafundëm, por ndryshe nga të sotmit, zgjodhën një rrugë tjetër, rrugën që i jepte shpirt një shteti të lirë shqiptar.
Për këtë mision që ata e konsideronin të shenjtë shkrinë çfarë kishin, pasuri, karriera, u vranë, u masakruan, u dogjën shtëpitë, u therën familjet, e ata sërish nuk u ndalën.

Janë të pafund ata patriotë, rilindës, luftëtarë qoftë edhe fare të thjeshtë që dhanë frymën për këtë komb, që dhanë sekush ç’të mundte e që sot shpesh nuk u përmendet as emri.

Sa ujëra kanë rrjedhur që atëherë…

Ku do të ishim sot nëse Gjergj Kastrioti i madh do të mbante postin e lartë që gëzonte në Perandorinë Osmane pa e kthyer kokën pas nga Arbëria e tij, e po kështu Ismail Qemali, Frashërllinjtë, Pashko Vasa apo Hasan Prishtina?

Çfarë do të kish ndodhur nëse Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Pandeli Sotiri, Papa Llambro Ballamaçi, At Stath Melani e të tjerë nuk do t’u mësonin shqipen deri në flijim fëmijëve të vegjël.

Sa të ndryshme do të ishin gjërat nëse Dom Nikollë Kaçorri, Fishta, Noli, Gurakuqi, Jani Vreto, Bajram Curri, Mehmet Pashë Dërralla, Ndre Mjeda , Qiriazët, Çerciz e Bajo Topulli, Murat e Abdi Toptani, e shumë të tjerë do të kishin zgjedhur të ndiqnin interesat e tyre?

E pra të gjithë patën oferta, të gjithë u tentua të bliheshin, por asnjë prej tyre nuk pranoi. Sigurisht ka patur edhe tradhtarë, por a mund të krahasohet numri i tyre me të sotmit ?!

A mund të themi që po i nderojmë vërtetë këta burra? Kurrsesi jo! Sepse nuk mjaftojnë radhët për t’i respektuar, as fotografitë e hedhura, e vargjet që me kaq shumë dëshirë i theksojnë politikanët e sotëm.

Ato janë shumë pak në krahasim më historinë e tyre, me gjëmën që në fakt po ndodh jashtë dritares së gjithsecilit prej nesh.

Në Libohovë, shtëpia e Avni Rustemit është kthyer në rrënojë, e po kështu në Salari ajo e Selam Musait, Luigjit ia zhdukën fare në Shkodër, ndërsa Fishtës i dergjet si një objekt pa vlerë në fshatin me të njëjtin emër.
Papa Kriston e kemi harruar në Greqi pa vendprehje, Prek Calit ia shkatërruam fare shtëpinë, Migjenit i hoqëm edhe pllakatën në vendin ku banonte dikur, ndërsa Shote Galicën e kemi lënë mënjanë në një kryqëzim të pluhurosur në Fushë Krujë…
Pashko Vasa dergjet mes plehrave jo larg Shkodrës, Petro Dhimitrin apo njeriun që la pas fotografitë e Pavarësisë, thuajse nuk e njohim, shtëpia e Spiridon Ilos po humb në Korçë e po kështu e Dhimtër Zografit….
Politika e sotme në masë tallet e ngërdheshet me ideale të tilla, të cilat konsiderohen të vjetruara, patetike, të dala boje, për të mos thënë qesharake.

A mundet të gjesh sot një politikan që do të shkrinte pasurinë për shqiptarët? Qoftë edhe një pjesëz të vogël nga ato dengje të pafundme që disa kanë
Sigurisht që jo sepse politika është kthyer për shumicën në mjet përfitimi që s’ka asnjë lidhje me dëshirën e vërtetë për të zhvilluar vendin e për ti dhënë frymëmarrje të gjithë pasurive që ai ka.

Kjo është e vërteta që këlthet e që çdokush prej nesh e ka provuar mbi shpinën e tij.

Ndaj nuk ka interes të përkujtohen siç duhet këta burra, këta patriotë, rilindës, figura të mëdha të kombit sepse në fakt ata risjellin në vëmendje një periudhë tërësisht të ndryshme, një kohë kur mbi të gjitha qëndronte kombi, ndryshe nga sot, kur i njëjti komb shikohet për ta rrjepur.

Marin Mema

Kurti: Bisedimet për territore janë më afër luftës se sa paqes

KurtiKryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i tha Zërit të Amerikës se synimet për korrigjim kufijsh apo shkëmbim territoresh, janë të gabuara dhe mund të kenë pasoja të dëmshme. Ai tha se debatet e fundit më shumë lidhen me tendencën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që të jetë sa më larg Gjykatës së Posaçme. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, zoti Kurti, partia e të cilit angazhohet për bashkimin kombëtar të shqiptarëve, thotë se është kundër idesë që për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë, të falet veriu i Kosovës.

Zëri i Amerikës: Z. Kurti, në Kosovë kanë shpërthyer debatet rreth marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, posaçërisht pasi që presidenti Hashim Thaçi hodhi idenë e korrigjimit të kufijve. Si e shihni ju këtë propozim?

Albin Kurti: Synimet për korrigjim territoresh ose shkëmbim territorial janë synime të gabuara, që do të kenë pasoja të dëmshme. Korrigjimi i kufijve bëhet për arsye minore që maten prej dhjetëra apo qindra hektarësh maksimalisht, por kurrsesi me një krahinë të tërë siç është ajo e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Korrigjimi i kufijve bie tek regjistri i demarkacionit dhe këtë të enjte bëhen saktësisht gjashtë muaj prej se presidenti Thaçi ka nënshkruar marrëveshje me homologun e tij malazez Vujanoviç për korrigjimin e kufirit me Malin e Zi. Ai nuk e bëri me Malin e Zi, kemi marrëveshje të nënshkruar dhe asnjë hap në terren dhe tash po kalon në korrigjimin e radhës. Për bindjen time, ajo çfarë po ndodh më shumë ka të bëjë me tendencën e tij që të jetë sa më larg Gjykatës së Posaçme që e ka imponuar vetë se sa që Kosova të jetë më afër shtetndërtimit apo integrimeve evropiane.

Zëri i Amerikës: Presidenti Thaçi thotë se ideja e tij përjashton ndarjen e Kosovës dhe përfshinë bashkimin e luginës së Preshevës me Kosovën. Përse duhet kundërshtuar një gjë e tillë?

Albin Kurti: Ai (presidenti) ka qenë dy mandate kryeministër dhe ka pasur shansin që referendumin e vitit 1992 të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ta vë në jetë me hapa politik e qeveritar. Nuk e ka bërë këtë gjë. Tash është në kuadër të logjikës së shkëmbimit territorial. Për bindjen time, funksioni i shkëmbimit territorial është veç se tëhuajësimi shpirtëror i shqiptarëve prej veriut të Kosovës dhe në anën tjetër tjetërsimi i atij veriu prej shtetit të Kosovës. Kur thua, dua shkëmbim territorial, kjo i bie që ke hequr dorë nga veriu ndërkohë që luginën e Preshevës nuk ta jep Serbia. Unë jam në veçanti i brengosur për shkak se diskutimet për shkëmbime territoriale nga përvoja e hidhur e historisë më të re të Ballkanit, tregon se shpie më parë në zhvendosje të popullsisë se sa në ndryshim të kufijve. Ne e dimë shumë mirë se si dialogu për territore është më afër luftës se sa paqes konkretisht, presidentët e Serbisë dhe Jugosllavisë në njërën anë dhe ai i Kroacisë në anën tjetër, përkatësisht (Slobodan) Millosheviç dhe (Franjo) Tuxhmani, tërë kohën kanë dialoguar për shkëmbime territoriale e për ndryshime të kufijve dhe kanë dialoguar për territore në përgjithësi dhe paralelisht kanë luftuar. Kanë biseduar atëherë për Bosnjën dhe dialogu i tillë për territore nuk është në kontrast fare me luftën. Dialogu për të drejtat, për interes të qytetarëve mund të jetë tek regjistri i paqes në kontrast me luftën, por dialogu për territore unë nuk besoj që është i tillë. Në anën tjetër, kurrë opinion publik në Serbi nuk ka qenë më i gatshëm që të pranojë pavarësinë e Kosovës se sa tani dhe kurrë Serbia nuk ka qenë më e varur nga Kosova për integrime evropiane se sa tani. Mu në këtë moment del presidenti i Kosovës,Thaçi, i cili i ofron Serbisë veriun e Kosovës me Mitrovicën duke mos e përmendur asnjëherë, dhe duke ngjallur iluzione për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin. Me këtë sjellje të tij, presidenti Thaçi po më ngjan por si ajo qyqja që bën vezë në çerdhe të huaja.

Zëri i Amerikës: A është e rrezikshme një gjë e tillë që po ndodh tani?

Albin Kurti: Mendoj që është e rrezikshme, për shkak se ne kemi nevojë ta bashkojmë Mitrovicën e jo të bëjmë pazare me territore. Ne kemi nevojë t’i kthehemi arsimit, shëndetësisë dhe punësimit e sidomos të grave dhe rinisë e jo të heqim dorë nga Trepça, Ujmani dhe të futemi në lojëra të ndryshme gjeo-politike ku presidenti ndërmerr një aventurë personale pa mandat të Parlamentit të Kosovës kur dihet se jemi republikë parlamentare dhe gjithashtu mendoj se është duke na e humbur një shancë të madhe me qenë se kapitulli 35 i negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian, çështje e cila është emri i varësisë së Serbisë nga Kosova dhe presidenti i Kosovës është ai i cili po dëshiron të na bindë se ai dialogu gjashtë vjeçar i mëhershëm na paska qenë i suksesshëm dhe duhet të vazhdohet i njejti sepse rruga e Kosovës për në Bashkim Evropian kalon nëpër Beograd. Unë besoj që është e kundërta. Rruga e Serbisë për në Bashkim Evropian kalon nëpër Prishtinë, mirëpo në Prishtinë po e gjejnë një njeri si presidenti jonë aktual i cili i ka ndihmuar Serbisë si pak kush tjetër në Kosovën e pasluftës.

Zëri i Amerikës: Z. Kurti, tashmë ideja për ndarjen e Kosovës në vija etnike po propozohet nga udhëheqësit serb. Sa është e rrezikshme një gjë e tillë?

Albin Kurti: Ata po dëshirojnë që kësisoj të kontestohet pavarësia e Kosovës. Të thuhet që ka edhe shqiptarë e njëri prej tyre rastisë që të jetë edhe president i cili realisht nuk e ka seriozisht shtetin e vet. Pra, ne kemi një president të shtetit, që shtetin ku është ai president nuk e merr seriozisht dhe kjo është një argument i fuqishëm i Serbisë, por unë do të thosha edhe i Rusisë. Ne tani më kemi një Kaliningrad rus në Ballkan, ai është një Banjallukë e Republikës Serbe, nuk kemi nevojë edhe për një Kaliningrad tjetër në veri të qytetit të Mitrovicës. Rruga e duhur është kjo, bashkimi i Mitrovicës është më i rëndësishëm se ulësja në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndonëse edhe kjo tjetra është e rëndësishme, por bashkimi i Mitrovicës është më i rëndësishëm dhe duhet të jetë përparësi i shtetit tonë dhe e dyta është që serbët e Kosovës janë shumë më të rëndësishëm se Beogradi. Ne nuk mund të ndërtojmë një shoqëri kohezive në Kosovë nëse vazhdimisht e konsiderojmë Beogradin më të rëndësishëm se serbët e Kosovës. Bashkimi i Mitrovicës më i rëndësishëm se sa ulësja në OKB edhe serbët e Kosovës më të rëndësishëm se Beogradi, unë besoj që vendosim përparësitë e duhura në politikat tona shtetërore.

Zëri i Amerikës: Por,si do të bëhej një gjë e tillë?

Albin Kurti: Unë nuk kam shpresë që do ta bëj presidenti aktual dhe mendoj se ashtu siç na nevojitet një qeveri e re, një kryeministër i ri, njëkohësisht na nevojitet edhe një president i ri. Kjo qeveri nuk ka javë që nuk bën ndonjë skandal dhe ato zakonisht i rezervon për vete kryeministri por nëse shikoni ministritë e panumërta me zëvendësministrat e pafund, vëreni se aty nuk ka planifikim të politikave zhvillimore por ka vetë menaxhim të shpenzimeve buxhetore dhe kjo duhet të marr fund. Ne kemi nevojë të dalim në shtegun e shtetit zhvillimor, i cili i jep përparësi prodhimit, punësimit, drejtësisë sociale, zëvendësimit të importeve, eksportit të ndërmarrësve tanë e kështu me radhë. Duhet që sa më parë t’i thellojmë partneritetet dhe aleancat tona, qofshin ato me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n, sidomos Gjermaninë dhe kështu me radhë, por, gjithashtu duhet që të krijojmë marrëdhënie sa më të mira me vendet e rajonit në kuadër të asaj që do të mund ta quanim aleancë ballkanike me kroatët e bullgarët, por edhe me Sarajevën, Podgoricën dhe Shkupin zyrtar. Prishtina dhe Tirana besoj që duhet të jenë iniciatore dhe udhëheqëse të një aleance të tillë ballkanike e cila na shpëton neve prej hegjemonisë ruso-serbe. Le të mos harrojmë, në vitet e fundit kishim dy puçe të dështuara të Rusisë në Ballkan; njëri në Maqedoni dhe tjetri në Mal të Zi dhe ne rrezikojmë që të na vazhdohen ato me një president të këtillë i cili shkoi në takim me presidentin serb Vuçiç pak ditë pasi zhvilloi një të tillë me Medvedevin (kryeministër i Rusisë), të cilin tha se e ka informuar me zhvillimet në Kosovë. Këso ndryshime të mëdha në politikën e jashtme të Kosovës, që është një vend që nuk e ka përmbyllur sovranitetin dhe integritetin territorial në ndërkohë që ne kemi braktisur integrimet brenda kombëtare dhe sidomos aleatët tonë perëndimor, mendoj që duhet t’i alarmojë institucionet e Kosovës, sepse kemi një president i cili nuk është vetëm i dëmshëm por që besa edhe qesharak me këto aventurat e tij personale.

Zëri i Amerikës: Ju jeni angazhuar që moti për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, a nuk është edhe ideja juaj në fakt ndryshim kufijsh?

Albin Kurti: Kufiri ndërmjet Kosovës e Serbisë është kufi i konferencës së Londrës i vitit 1913, atëherë kur ministri i jashtëm britanik Sir, Eduard Grey pat thënë që i bëmë një padrejtësi Shqipërisë për të ruajtur paqen evropiane, mirëpo një vit më vonë ne e dimë që ajo paqe evropiane nuk u përmbajt meqë shpërtheu Lufta e Parë Botërore apo lufta për të përfunduar të gjitha luftërat, siç quhej aso kohe dhe kufiri i tillë natyrisht që nuk është i shqiptarëve. Por ne do të duhej që Kosovën t’ia bashkojmë Shqipërisë nëpërmjet të drejtës për vetëvendosje që shprehet në referendum duke e njohur shtetin e Kosovës. Unë nuk besoj që duhet ta shkatërrojmë shtetin e Kosovës për t’i bashkuar shqiptarët, unë besoj që forcimi i shtetit të Kosovës është në funksion të bashkimit të tij me Shqipërinë. Unë jam kundër që për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë ta falim veriun e Kosovës, Trepçën, Ujmanin apo ta pranojmë ndarjen e qytetit të Mitrovicës. Forcimi i shtetit të Kosovës, përmbyllja e shtetndërtimit, zhvillimi ekonomik, ngritja e Kosovës si të tillë është në funksion të bashkimit me Shqipërinë dhe jo anasjelltas.

Zëri i Amerikës: Tashmë ka filluar faza përfundimtare e bisedimeve Kosovë-Serbi, çfarë marrëveshje pritni nga këto bisedime?

Albin Kurti: Është e rëndësishme që të mos krijohet kurrfarë ekipi i negociatorëve rrotull këtij presidenti aventurier. Pastaj është shumë e rëndësishme që të mos ketë asnjë dokument nga parlamenti i cili do t’ia jepte legjitimitetin dhe imunitetin këtij presidenti që kokë më vete të bëj pazare për vendin tonë dhe le ta themi që ashtuquajtura finale e madhe, nuk është as finale as e madhe. Mua më duket që bëhet fjalë për një episod të vjetër të ndonjë serie të re të çerek, çerek, çerek finaleve aspak të mëdha e gjithnjë të vogla, sepse presidenti që kemi ne, mbijeton duke ju falënderuar procesit të bisedimeve me Serbinë që i shërben si mburojë, si strehë në zyrën e zonjës Mogherini në Bruksel që për krimet e paqes dhe për krimet e paqena, besoj unë, të luftës të mos e përndjekin. Nuk është kurrfarë finale e madhe, pasoja e kësaj nëse kanë sukses e nuk do të duhej, do të jetë bosnjizimi i Kosovës. Bosnjëzimi i Bosnjës nuk ka ndodhur duke u synuar bosnjizimi por duke u synuar ndarja e shkëmbimi. Tuxhmani dhe Millosheviçi kanë folur për ndarje të Bosnjës dhe për shkëmbime territoresh në kurriz të boshnjakëve dhe rezultati është bosnjëzimi. Edhe nëse për Kosovën flitet për ndarje dhe shkëmbim territorial rezultati do të jetë një “zajednicë” mbase edhe më e fuqishme se ajo e kaluara me një asimetri të brendshme ku veriu i Kosovës ka një status të veçantë dhe shiheni analogjinë në Bosnje, atje keni Banjallukën dhe Palen në periferi të Sarajevës edhe tek ne do ta synojnë veriun e Kosovës dhe Graçanicën. Nuk kemi pse i lëshojmë pe një pinjolli të Sheshelit të rrethuar me nxënësit e Millosheviçit. Ministri i punëve të Jashtme të Serbisë është ish zëdhënës i partisë së Millosheviçit e ministri i mbrojtjes së Serbisë është ish zëdhënës i partisë së gruas së Millosheviçit. Ideja e shkëmbimit territorial ka për qëllim që ne të distancohemi nga veriu dhe në anën tjetër kjo është në karakterin e autokratëve. Udhëheqësit autokrat e konsiderojnë territorin e shtetit se pronë private dhe pastaj flasin për shkëmbime të territoreve si për shkëmbime të mallrave që ata i posedojnë. Mirëpo ne jemi republikë, Kosova është vend që aspiron të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO, në Kosovë vlen demokracia dhe është e domosdoshme që të mos lejojmë një farë kthimi të tillë në feudalizëm, ku një figurë patriarkale, autoritare e trajton shtetin si shtëpinë e vet e territorin si tokën e vet dhe pastaj bën shkëmbime. Në fakt, nuk e trajton as si të veten por më parë si një plaçkë të uzurpuar të cilin është i gatshëm ta fusë edhe në një farë lloj “aksham pazari”.

Zëri i Amerikës: Si do të mund ta parandaloni ju një gjë të tillë. Bisedimet tashmë po zhvillohen?

Albin Kurti: Ne duhet të kemi zgjedhje të reja parlamentare sa më parë, që do të thotë në vjeshtë të këtij viti. Nëse këta nuk heqin dorë nga këto aventura për interesa personale dhe nëse në vjeshtë nuk do të ketë zgjedhje parlamentare, atëherë bëhen të pashmangshme demonstratat e fuqishme. Kosova ka nevojë për qeveri të re, kryeministër të ri, president të ri dhe kjo duhet të bëhet përmes zgjedhjeve të reja parlamentare gjithsesi të parakohshme dhe po nuk u zmbrapsen nga këto interesa të ngushta duke e vënë në pazar gjithë shtetin, ta kaluarën dhe ardhmërinë tonë, përveçse të tashmen, atëherë natyrisht që duhet me demonstrata të fuqishme t’i ndalim këta aventurierë dhe ato të jenë edhe nëpër sheshet e qyteteve tona por edhe në parlamentin e Kosovës. Ne jemi përfaqësues të popullit i cili, jemi të bindur që nuk i pranon këto kompromise, koncesione të vazhdueshme ndaj Serbisë e cila mund ta ketë ndërruar gëzofin, por kurrsesi qëllimin e saj.

Zëri i Amerikës: A keni bashkërendim me partitë tjera opozitare për të çuar vendin në zgjedhje apo me partitë tjera në pushtet, sepse duhet edhe numri i tyre, ose si do të mund ta rrëzoni presidentin?

Albin Kurti: Besoj që bashkërendimi i partive opozitare mund të jetë shumë më i mirë në parlament, por nuk është i padukshëm dhe presidenti i Kosovës është i dëshpëruar që nuk ka arritur të thyej Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe unë besoj që angazhimi i tij më i madh është pikërisht në këtë fushë, që ta prodhojë një dokument i cili ja krijon një ekip negociator duke përfshirë aty edhe dikë prej LDK-s. Kjo nuk ka ndodhur deri më tani dhe unë uroj që të mos ndodh as në të ardhmen. Ne bashkërendohemi edhe brenda parlamentit por edhe jashtë dhe nuk është në pyetje asgjë më pak se shpëtimi i Kosovës prej këtij personi që rastisë të jetë fatkeqësisht president, e i cili po e theksoj, po sillet por si qyqja e cila bën vezë në çerdhe të huaja.