Shqipëria kërkon një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB-ës

OKBShqipëria synon të zërë një nga vendet si anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombëve të Bashkuara. Këtë e bëri të ditur sot ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, i cili ndodhet në Nju Jork për hapjen e sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-ës. “Shqipëria vjen me ambicjen e saj në këto punime, pasi po kërkon një vend jo-permanent për në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2022-2023 dhe fushata jonë e komunikimit me partnerë e vende të cilat e njohin Shqipërinë apo që dinë pak rreth Shqipërisë sapo ka filluar, me qëllim që të përmbushim këtë objektiv të politikës tonë të jashtme”, tha zoti Bushati në një deklaratë nga Nju Jorku.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Jashtme shqiptare “në takimet dypalëshe, ministri Bushati, përveç çështjeve që i përkasin agjendës së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera, do të kërkojë edhe mbështetjen e këtyre vendeve për kandidaturën për vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit”.

Këshilli përbëhet nga 15 anëtarë, nga të cilët 5 janë të përhershëm (Franca, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia) ndërsa 10 të tjerë zgjidhen me një mandat dy vjeçar (5 vende çdo vit).

voa

Kosovë: Opozita e (pa)koordinuar kundër idesë për korrigjim kufijsh

parlamenti ksPartitë politike opozitare në Kosovë po përpiqen të bashkërendojnë veprimet kundër idesë së presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh dhe kundër kryeministrit Haradinaj që të qeverisë vendin.

Ndërkohë që udhëheqësit kryesorë të institucioneve të Kosovës po ndodhen në Nju Jork, ku po zhvillohen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, partitë opozitare po bëjnë përpjekje që me protesta dhe mocione të kundërshtojnë qëndrimin e Presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit Kosovë-Serbi, përkatësisht me mocion mosbesimi ta rrëzojnë qeverinë Haradinaj. Presidenti Thaçi para udhëtimit për një Nju Jork, tha se idenë e tij për korrigjim kufiri do të përpiqet ta prezantojë para administratës amerikane. Në Nju Jork gjendet edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, por ky i fundit nuk e mbështet idenë e ndryshimit të kufijve. Partia më e madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mbajti një mbledhje të kryesisë ku u shpreh shqetësimi që sipas LDK-së, “dy udhëheqësit kryesorë të institucioneve të Kosovës udhëtojnë për në SHBA me dy agjenda shtetërore”.

“I kemi përcjell me kujdes sidomos këto veprimet e fundit dhe na vije keq që njëri përfaqësues i institucioneve të vendit, presidenti shkon për të biseduar korrigjim kufijsh e kryeministri shkon për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, këto janë vlerësime dhe veprime mish-mash të institucioneve të vendit, të cilat duhet të ndalen sa më parë. Unë e kam thënë edhe në disa raste tjera që kjo qeveri tani është e shpartalluar dhe duhet të bëhemi bashkë si opozitë dhe ne do i bashkërendisim veprimet tona si LDK deri në rrëzimin e qeverisë”, tha shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Partia tjetër opozitare lëvizja Vetëvendosja për të shtunën  (29.09) ka thirrur për protestë qytetare kundër idesë së Presidentit për korrigjim kufijsh por edhe kundër qeverisë Haradinaj. Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, vazhdon të këmbëngulë që “Presidenti Thaçi duhet ndalur që të bëjë pazare me territor”.

“Ideja e korrigjimit të kufijve në dialogun Kosovë-Serbi, ku presidenti i Kosovës Hashim Thaçi merr pjesë pa mandat nga Kuvendi e pa ekip gjithëpërfshirës nuk është asgjë tjetër pos pazare e aventurë e tij personale. Me këto sjellje presidenti po e zëvendëson Gjermaninë me Rusinë”, thotë Albin Kurti, duke përsëritur që “protesta qytetare paqësore është e nevojshme”.

Protestës së thirrur nga Vetëvendosja nuk do t’i bashkohet partia opozitare LDK, por megjithatë, kjo parti nuk e përjashton mundësinë e protestave, por në një kohë tjetër.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është kundër shprehjes së vullnetit të qytetarëve qoftë edhe përmes protestave, mirëpo ne si kryesi nuk e kemi vlerësuar se është momenti i duhur që ne ta thërrasim anëtarësinë e LDK-së për protesta për arsye se mendojmë se na kanë mbetur edhe dy tri veprime që duhet të realizohen brenda institucioneve dhe pastaj për ne është hapi i fundit protesta, të cilën nuk e përjashtojnë, por nuk do i përgjigjemi ftesës së Vetëvendosjes”, thotë shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Sidoqoftë, debati rreth mundësisë së korrigjimit të kufirit Kosovë-Serbi, ide kjo e Presidentit Hashim Thaçi ka polarizuar skenën politike kosovare, ndërsa, hapur me qëndrime të ndryshme shfaqen Presidenti dhe kryeministri Haradinaj. Ky i fundit tha në një emision televiziv para se të nisej për në Nju Jork, se është kundër idesë së ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Kufijtë që i kanë vendosur çizmet ushtarake vetëm çizmet i garantojnë. Nuk lejoj të preken kufijtë tanë”, tha Haradinaj. E duke ju referuar deklaratës së kryeministrit, presidenti Thaçi tha, se “ata që po flasin për luftra, nuk jam duke i penguar, kush të ketë qejf le ta nisë ku të dojë. Luftrat nuk zhvillohen në emisione televizive por në istikame”, tha Thaçi.

Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian filloi në vitin 2011. Në prill të vitit 2013 u nënshkrua një marrëveshje bazë për përmirësimin e raporteve Kosovë-Serbi, ndërsa tash të dy presidentët edhe Thaçi edhe Vuciq, janë dakorduar që ky dialog të hyjë në fazën finale. Kjo për faktin që edhe Kosova edhe Serbia synojnë të jenë pjesë e BE-së. E për këtë kushti është një marrëveshje Kosovë-Serbi, ligjërisht e obligueshme për të dyja vendet. (dw)

Pasojat që mund të sjellë dështimi i referendumit në Maqedoni

mkKryetari i Këshillit të investitorëve të huaj në Maqedoni, Shtefan Peter tha sot se Maqedonia do të mund të ballafaqohej me një sërë pasojash ekonomike dhe financiare nëse votuesit e saj nuk e japin mbështetjen për integrimin euroatlantik në referendumin e së dielës. Zoti Peter parashikon, në një rast të tillë, humbjen e një milardë eurosh nga Bashkimi Evropian për Maqedoninë, zhvlerësimin e valutës kombëtare dhe një lloj izolimi për vendin ballkanik. Komuniteti ndërkombëtar u ka bërë thirrje javët e fundit votuesve në Maqedoni që të dalin në numër sa më të madh në referendumin e 30 shtatorit.

Këshilli i Investitorëve të huaj parashikon një të ardhme të zymtë për Maqedoninë nëse votuesit e saj nuk dalin në referendum dhe nëse vendi nuk ka mbështetje të brendshme për synimet e integrimit në Bashkimin Evropian.

Shtefan Peter, Kryetari i Këshillit që përbëhet nga investitorë të huaj dhe vepron në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë, thotë se nëse Maqedonia vendos për t’i thënë JO Bashkimit Evropian, atëherë ai sheh humbjen e besimit, në veçanti të besimit tek e ardhmja dhe se vendi do të humbiste ndihma të konsiderueshme financiare dhe me këtë Maqedonia do të shënonte një regres zhvillimor.

“Në aspektin financiar parashoh humbjen e një miliardë eurove për ndihma në zhvillim. Nëse i thoni JO BE-së do të jetë e vështirë ta mbani stabil denarin maqedonas. Monedha e një popullate dy milionëshe nuk mund të mbijetojë lehtë në aspektin afatgjatë”, – tha biznesmeni austriak Shtefan Peter, i cili është anëtar i bordit të Kompanisë EVN që furnizon amvisëritë e Maqedonisë me energji elektrike.

Skenari i errët do të vazhdonte me largimin e të rinjëve të shkolluar për shkak të mungesës së besimit.

“Do të ketë izolim”, thotë zoti Peter, ndërsa parashikon një trysni ndaj sektorit bankar; zvogëlimin e importeve dhe eksporteve për shkak të mungesës së marrëveshjeve për lehtësime doganore; kompanitë vendore, sipas tij do të mund të humbisnin konkurrencën; Do të ulen investimet direkte të huaja për shkak të mungesës së një perspektive afatgjatë dhe për shkak të uljes së konkurrencës brenda vendeve të BE-së me paga më të ulëta, siç janë Bullgaria dhe Rumania, por dhe vendet kandidate për anëtarësim apo që synojnë integrimin si Shqipëria dhe Kosova, thotë Shtefan Petr i Këshillit të investitorëve të huaj në Maqedoni.

“Maqedonia do të përjashtohej nga e tregëtia e lirë me 27 ose 28 shtetet tjera dhe me këtë do të ulej konkurrenca në tregjet e mallrave dhe shërbimeve, ndërsa do të mungojnë nxitësit në më shumë fusha si sundimi i ligjit, ambientit jetësor, ndërkohë që do të ketë ballafaqime në aspektin e të drejtave të konsumatorëve, të internetit, në huatë dhe kreditë bankare”, shton Peter.

Që këto pasoja të mos ndodhin, ai bën thirrje për pjesëmarrje aktive në demokraci:

“Jam plotësisht i bindur se dera për mënyrën e jetesës evropiane tani është e hapur për Maqedoninë. Ftesa nuk mund të jetë më e sinqertë se ç’është. BE nuk është e plotë pa Maqedoninë”, thotë ai.

Referendumi për ndryshimin e emrit të Maqedonisë mbahet këtë të diel. Mbi nëntëqind mijë votues duhet të dalin në qendrat e votimit, që është pesëdhjetë përqindëshi i votuesve të regjistruar dhe gjysma e tyre, ose pak mbi 450 mijë të votojnë pro. Në atë rast, Maqedonia do të bëhet shpejtë anëtarja e tridhjë e NATO-s dhe do t’i hapë bisedimet për anëtarësim me BE-në në qershorin e 2019-s. voa

Dy kampe kundërshtare në samitin e Bashkimit Evropian

samiti beNjë tjetër samit i udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe vendime të tjera më të rëndësishme, që nga Brexit-i, migracioni dhe drejtimi i ardhshëm i bllokut. Ndoshta ka më shumë gjasa që të ketë shtyrje në marrjen e këtij vendimi.

Këtë herë takimi është në vendlindjen e kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart, në Salzburg të Austrisë, nën hijen e alpeve. Muzika e Mozartit ishte clasike në stil, por plot kompeksiket kontrapuntal (muzikë që ka dy ose më shumë linja melodie) dhe në samitin e Salzburgut udhëheqësit e BE do të përballen edhe një herë me linjat “melodike” që shtyjnë njëra-tjetrën, por pa aftësitë e kompozitorit për t’i grupuar ato në një harmoni të përgjithshme.

Në Salzburg do të përballen dy kampe kundërshtare, njëri i drejtuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili do të lobojë për reforma ambicioze për nxitjen e integrimit mes vendeve anëtare dhe për të centralizuar qeverisjen ekonomike. Grupi tjetër drejtohet nga Presidenti i Hungarisë, Viktor Orban dhe udhëheqësit me prirje të njëjta nga Austria, Italia dhe Polonia, të cilët kërkojnë t’i jepet fund imigracionit nga jashtë në Evropëme këmbënguljen për fleksibilitet më të madh për qeveritë e shteteve të veçanta, që Brukseli të ketë sa më pak ndërhyrje tek ato.

Si hije mbi takim do të qendrojnë edhe zbulimet e turpshme, se ish politikanë evropianë, përfshirë një ish kanceral austriak dhe një ish kryeministër italian, ishin rekrutuar, pas largimit nga posti të ish shefit të fushatës së Presidentit Donald Trump, Paul Manafort, për të lobuar fshehurazi në Shtetet e Bashkuara në emër të Viktor Yanukovych, udhëheqësi i Ukrainës i mbështetur nga Kremlini, para se një kryengritje popullore ta rrëzote atë nga pushteti. Ky grupim i politikanëve evropianë është bërë i njohur si “Grupi Hapsburg”. Paul Manafort pranoi fajësinë para disa ditësh, për dy akuza kriminale të ngritura ndaj tij nga Prokurori Special Rober Mueller.

Përpjekjet lobuese janë bërë pjesë e çështjes ligjore të zotit Mueller kundër ish shefit të fushatës së Presidentit Donald Trump, por ngrenë gjithashtu pikëpyetje në Evropë, mbi integritetin e asaj që disa analistë e përshkruajnë si “klasa sunduese”, e karakterizuar nga gatishmëria e disa prej pjesëtarëve të saj, për të përfituar nga postet që mbanin më parë dhe për mbushur xhepat, përmes lobimit në emër të interesave që ata kundërshtonin kur ishin në detyrë, duke ndikuar tek përbuzja populiste për BE-në.

Britanikët po shpresojnë që samiti në Salzburg të çbllokojë përpjekjet për Brexitin dhe për të siguruar një marrëveshje për largimin nga BE, që Kryeministrja Theresa May të kënaqë partinë e saj konservatore të përçarë dhe Dhomën e Ulët të Parlamentit.

Mosmarrëveshja ka karakterizuar negociatat e gjata dhe shpesh të bllokuara për Brexit-in, por gjatë ditëve të fundit, negociatorët evropianë duket se i kanë zbutur tonet, në atë që duket si një mbështejte për zonjën May, vetëm pak ditë para një konference të konservatorëve britanikë, ku mund të mbillet fara e sfidës ndaj udhëheqjes së saj, ku mes të tjerësh është edhe ish ministri i saj i jashtëm, Boris Johnson.

Kryenegociatori evropian Michel Barnier, ka lënë të kuptohet për mundësinë e një marrëveshjeje brenda dy muajsh, ndërsa është shprehur në mënyrë jo fort të qartë, se si kundërshtarët e negociatave janë 80 përqind në marrëveshje me njëri tjetrin.

Presidenti i Komisionit Evropain Jean-Claude Juncker shmangu retorikën mbi Brexit-in në fjalimin e tij në Parlamentin Evropian këtë muaj, mbi gjendjen e bllokut. Njoftohet se Angela Merkel është e gatshme për një marrëveshje për Brexit, në mënyrë që BE të përqendrohet në çështje që mund të jenë më të rrezikshme për kohezionin e bllokut, siç janë mosmarrëveshjet për politikat e migracionit dhe sfidat për sundimit të ligjit, që janë ngritur nga udhëheqësit populistë në Itali, Hungari dhe Poloni.

Të hënën, Polonia u ndalua të merrte pjesë në punimet e një organi të BE-së, që përfaqëson institucionet e drejtësisë së vendeve anëtare. Polonia akuzohet për erozion në pavarësinë e gjyqësorit, pas ndryshimeve të paraqitura nga qeveria e djathtë e partisë “Ligj dhe Drejtësi”.

Brukseli ka kërcënuar me sanksione të mëtejshme lidhur me ato që i quan “kërcënime sistematike” ndaj sundimit të ligjit në Poloni, pas një spastrimi të Gjykatës së Lartë, përmes nxjerrjes së detyruar në pension të një të tretës së gjykatësve. Presidenti polak Andrzej Duda i hodhi poshtë kërcënimet e bllokut, duke u thënë mbështetësve të tij këtë javë gjatë një tubimi në jug të Polonisë se, “ata duhet të qëndrojnë larg nesh dhe të na lënë ta rregullojmë Poloninë.”

Sipas një deklarate nga zyrtarët gjermanë dhe austriakë, Kancelarja Angela Merkel e Gjermanisë dhe Kancelari Sebastian Kurz i Austrisë diskutuan të hënën, para takimit të lartë, mbi rëndësinë e largimit të menjëhershëm të Britanisë nga BE, pa arritjen e një marrëveshje tregtare. Largimi pa marrëveshje, u shprehën ata, do të dëmtonte më shumë Britaninë por do të kishte një ndikim negativ në disa prej shteteve të bllokut. “Ndajmë të njëjtin qëndrim, se duhet të bëjmë gjithçka për të menjanuar Brexit pa marrëveshje”, – u shpreh kancelari austriak.

Britanikët shpresojnë që udhëheqësit evropianë do t’i zbusin udhëzimet për ekipin negociator të bllokur, për të bërë lëshime ndaj “Planit Chequers” të kryeministres britanike. Plani i saj parasheh që firmat britanike të kenë qasje të lirë në tregjet e bllokut për mallrat, por jo për shërbimet. Në këmbim, Britania do të pranonte disa vendime nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, si dhe standarte të përbashkëta dhe rregullatorët e prodhimit..

Por ende ka një rezistencë të konsiderueshme nga Brukseli mbi planin e kryeministres britanike, për të cilin u ra dakord nga kabineti i saj në rezidencën e kryeministres në fshat, të quajtur si “Chequers” . Zyrtarët e bllokut dhe shtetet anëtare e shohin propozimin e saj si një zgjedhje për përfitime vetëm për britanikët, gjë që mund të shërbejë si shembull që edhe vendet e tjera anëtare të ndjekin këtë shembull. Ata shqetësohen se Britania mund të bëhet një vend joshës kur të vendosen kompanitë joevropiane, kryesisht nga Azia, të nxitura nga marrëveshje për taksa të ulëta dhe që të kenë qasje të privilegjuara në bllok.

Zyrtarisht, samiti në Salzburg është një takim jozyrtar i udhëheqësve të bllokut pa fuqi ligjore, për të marrë vendime detyruese. Duke zhvilluar një takim për të trajtuar çështjet, udhëheqësit shpresojnë që mospajtimet për migracionin, të ardhmen e bllokut dhe Brexit-in, të mos shihen si hapa prapa për BE-në.

“Takimi ofron mundësinë për të qartësuar gjërat dhe për të folur më sinqerisht, pa patur pritshmëri”, tha për Zërin e Amerikës një zyrtar i bllokut. Çdo vendim që merret jo-zyrtarisht, mund të zyrtarizohet në një takim tjetër zyrtar që pritet të zhvillohet muajin e ardhshëm, shtoi ai.

Askush nuk pret përparim për çështjen e migracionit. Sa herë që udhëheqësit e bllokut debatojnë për politikën e migracionit, mosmarrëveshejt duket se thellohen.

Propozimet e fundit, ku përfshihen plane për “qendra të kontrolluara” brenda bllokut, për të shqyrtuar rastet e migrantëve, si dhe për krijimin e “platformave rajonale të zbarkimit” për migrantët në Afrikën e Veriut, janë kritikuar si nga populistët, edhe nga liberalët.

Populistët argumentojnë se qendrat duhet të jenë të izoluara, sepse nëse kampet janë hapura, imigrantët mund të largohen. Liberalët druhen se kampet e mbyllura mund të bëhen pre abuzimesh. Ata marrin si shembull qendrat që veprojnë në ishujt grekë, ku kushtet e rënda të imigrantëve janë dënuar nga grupet e të drejtave të njeriut dhe nga Kombet e Bashkuara.

Komisioni i Bashkimit Evropain, po ashtu po kërkon krijimin e një “force të vërtetë kufitare” dhe në qershor propozoi forcimin e Agjencisë Kufitare dhe vijën detare të krijuar në vitin 2016, me një personel prej 10 mijë rojesh. Kritikët thonë se kufiri i bllokut është shumë i madh për t’u sigurohet me efikasitet. Disa shtete anëtare nuk pajtohen që policia e BE-së të marrë kontrollin e kufirit, duke preferuar që vetë shtetet ta bëjnë këtë, pa ndërhyrjen e Brukselit.

Pjesa më e famshme nga Mozarti për kuartetin e harqeve nr.19, njihet si “dezonancë”, për shkak të hapjes mjaft të ngadalshme të pjesës. Kjo pjesë nuk është zgjedhur për t’u luajtur në takimet zyrtare gjatë samitit në Salzburg. (voa)

Juratoviç: Kosova është viktimë e mungesës së kurajës

JuratovicIntervistë ekskluzive me deputetin gjerman socialdemokrat Josip Juratoviç për planin e Vuçiçit dhe Thaçit për ndryshimin e kufijve, për liberalizimin e vizave dhe për rolin e Gjermanisë në rajon.

DW: Zoti Juratovic, bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës duket se kanë ngecur, pas propozimeve të ardhura nga Vuçiçi e Thaçi për ndryshim kufijsh.

Josip Juratoviç: Që këto bisedime kanë ngecur në vend, kjo nuk më çudit fare. Ishte e qartë që në fillim që propozimi i ndryshimit të kufijve ishte një nismë që  nuk do të realizohej. Këtë e dinin edhe aktorët që e propozuan, por ata donin të krijonin përshtypje sikur po kërkonin zgjidhje.

Zonja Merkel e pati kritikuar propozimin e Vuçiçit për ndryshimin e kufirit, cili është qëndrimi i grupit tuaj parlamentar?

Ne mendojmë njësoj. Nuk jemi për ndyshim kufijsh në Europë, sepse pasojat do të ishin fatale. Në Bosnjë-Hercegovinë që tani po gëzohen disa për ndryshime kufijsh. Edhe Maqedonia mund të ishte në rrezik dhe, nëse do të ishte një akt i ligjshëm, do të lindte pyetja se çfarë do të ndodhte me Ukrainën, me Krimenë e kështu me radhë. Nëse do t’i lejonim të gjitha grupimet separatiste që të vinin kufij të rinj, do të kishim 40 shtete të tjera në Europë.  Mund ta merrni me mend se çfarë do të ndodhte. Sigurisht që do të kishte shumë më tepër konflikte. Kjo është njëra çështje. Çështja tjetër është legjitimiteti: Kush po e bën këtë? As Kosova, as Serbia nuk janë shtete presidenciale. Pra, kemi dy presidentë, që po bien në ujdi si në feudalizëm, kur takoheshin princët me vasalë dhe këmbenin territore. Kjo nuk mund të merret seriozisht në shekullin e 21-të. Ne duhet të forcojmë demokracinë në Ballkanin Perëndimor dhe të përpiqemi që të dy vendet të venë në jetë kapitujt e parashikuara nga BE, sidomos kapitullin 35 që kërkon mosndryshimin e kufijve. Pra, pavarësisht se kush e solli këtë ide, për mua ajo nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje për të shpëtuar erzin e dy politikave të dështuara, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë.

Si do ta shpjegonit ju që disa politikanë janë dashamirës ndaj idesë së ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, nëse palët bien dakord me njëra tjetrën?

E kuptoj që në rrethanat aktuale të politikës botërore ndokush mund ta ketë humbur durimin. Por jam i mendimit se kjo është absolutisht rruga e gabuar. Nëse duam me të vërtetë demokraci në këto vende, pra, nëse duam shoqëri, ku në radhë të pare janë të drejtat e njeriut, nëse duam t’i bëjmë qëndresë avancimit të autokratëve dhe autokracive në Europë, atëherë nuk mund të jemi dakord me një gjë të tillë. Nga jashtë duhet të dërgojmë sinjale të qarta se nacionalizmat që kanë zënë vend në Ballkain Perëndimor janë shkaku i mjerimit të atjeshëm, ku 30%  e të rinjve janë të papunë. Ajo lloj politike do të legjitmimonte të ashtuquajturat „spastrime etnike”, që kanë ndodhur gjatë luftrave. Ne duhet ta bëjmë të qartë se për cilat vlera jemi: demokraci, të drejtat e njeriut. Përndryshe do të jetë në rrezik demokracia jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në të gjithë Europën.

Si do ta përshkruanit ju rolin e Gjermanisë në këto vite në Ballkan?

Unë jam shumë shpesh në terren. Dhe aty dëgjoj gjithnjë se Gjermania duhet të bëjë këtë e atë. Së pari, Gjermania është vetëm një vend. Shumëkush vjen në Berlin dhe mendon se po tha Berlini “po” çdo gjë është në rregull. Por nuk është ashtu. Duhet të përfshijmë edhe vende të tjera si Francën, dhe nganjëherë edhe Britaninë e Madhe, Italinë, Poloninë dhe duhet të bëjmë të qartë se çfarë duam të bëjmë.

Gjermania ka bërë shumë dhe gëzon një besim të madh në Ballkanin Perëndimor. Por Gjermania nuk mund t’i përballojë vetë të gjitha. Nëse ka diçka për të bërë, është mbështetja e shoqërisë civile. Jo në formë projektesh sa për të eksperimentuar, por projekte prej nga me të vërtetë dalin edhe kërkesa politike.

Europa duhet të bëjë më shumë presion duke kërkuar zbatimin e 35 kapitujve. Ato duhet të vihen në jetë dhe të mos jenë vetëm në letër. Por për këtë duhet shumë mbështetje, konkretisht në atë formë që të aftësohet shoqëria.  Të mos bëhen biseda vetëm me politikanë e udhëheqës. Ata janë legjitimë, sepse janë zgjedhur nga populli, por pyetja është se në cilat rrethana i ka zgjedhur populli.  Këto janë  të njëjtat rrethana që kemi edhe në Hungari dhe Poloni. Nëse nuk duam të kemi rrethana hungareze dhe polake në Ballkan, atëherë  duhet të  përdorim në Ballkan një energji tjetër.

Ju ishit në verë vetë në rajon, ndër të tjera, edhe në Kosovë. Si e shikoni situatën e atjeshme?

Unë isha në Kosovë, por si Kosova, si vende të tjera, mund të shoh se njerëzit nuk i kanë punët mirë. Mund të thoni e ka fajin politika. Por duhet thënë edhe se kjo politikë u zgjodh me zgjedhje të fshehta, ndoshta me ca parregullsi, por qeveria është legjitime. Unë këtë e përjetoj në Bosnjë-Hercegovinë, në Serbi e gjetkë. Kur opozitarët kritikojnë politikanët, unë i pyes shpesh se cila është alternativa. Dhe kjo nuk mund të jetë që në zgjedhje të ngrihen gjithmonë temat emocionale, si nacionalizmi. Nacionalizmi është  kanceri i Ballkanit. Këtë e dimë, dhe as Kosova nuk bën përjashtim.

Po të dalim në rrugë e të pyesim njerëzit në Serbi se çfarë kërkojnë prej qeverisë, cilin vend do të zinte statusi i Kosovës, në krahasim me punën, shtëndetin, arsimin, banimin, etj? Ndoshta të dhjetin ose asnjë.  Dhe të pyesim në Prishtinë të njëtjën pyetje, çfarë do të thoshin ata? Serbia do të vinte në vend të fundit. Dhe këtë pyetje mund ta bëjmë kudo. Pra, në media ne gjithmonë kemi të bëjmë me konflikte, me emocione, kurse me temat që kanë të bëjnë me njerëzit nuk merret askush.

Ne kemi procesin e katërt të Berlinit, asgjë nuk ka ndodhur ca projekte, ca memomardume mirëkuptimi, por në të vërtetë, asgjë. Dhe ne e dimë shumë mirë se Ballkani nuk ka sanjë shans, nëse njerëzit nuk hapin kufijtë, nuk heqin doganat dhe nëse ky territor nuk funksionon siç funksionon Bashkimi Europian.

Të gjithë duan të hyjnë në BE dhe për këtë nuk vendos as Thaçi e as Vuçiçi, por secili. Dhe çdokush që mendon se është patriot, duhet të pyesë së pari se çfarë partrioti është ky, kur ati është krenar për të birin që ka emigruar jashtë shtetit? Ky konflikt duhet të kalojë njëherë nëpër familje. Biri duhet të pyesë atin: çfarë ke bërë, përse nuk ke bërë qëndresë kur na shtynë të armiqësohemi me njëri-tjetrin? Pikërisht ashtu siç u kanë kërkukar llogari për ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore bijtë etërve në vitin 1968

Edhe në Kosovë? Kosova e shikon veten si viktimë të historisë.

Kosova nuk është viktimë e historisë. Kosova është në radhë të parë viktimë e një shoqërie që nuk ka më kurajë, që është dorëzuar dhe që shërimin e shikon gjithmonë jashtë shtetit, që gjithmonë të vijë dikush e ta shpëtojë. Dhe vetë nuk është e gatshme të shikojë në mënyrë vetëkritike se ku i ka problemet. Unë isha në Kosovë. Shtatë orë prita në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.  Por kështu është edhe mes Serbisë dhe Kroacisë. Kështu e donin. Donin shtet, donin kufij dhe donin të prisnin shtatë orë në kufij për të kaluar nga një vend në tjetrin. Ky është realiteti.

Meqenëse ju vetë kritikoni politikat që nuk merren me problemet e njerëzve: një problem që kanë aktualisht qytetarët e Kosovës, është regjimi i vizave.

Unë jam për liberalizimin e vizave. Unë jam për barazi. Unë dua që popullsia e Kosovës të ketë të njëjtën të drejtë si të gjitha vendet fqinje. Por ky liberalizim i vizave nuk është zgjidhja e problemeve aktuale.

Zv/ ndihmës Sekretarja e Shtetit, Elisabeth Millard viziton Tiranën

Millard metaZëvendës Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Europën dhe EuroAzinë, Elisabeth Millard, nisi të mërkurën një vizitë në Tiranë.

Ajo u prit nga Presidenti Ilir Meta, me të cilin diskutoi rreth zhvillimeve kryesore ne Shqipëri dhe ecurinë e reformave, si dhe rreth situatës në Ballkan, mbi referendumin në Maqedoni dhe dialogun politik Kosovë-Serbi.

Zonja Millard pati takime edhe me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati.

Diplomatja e lartë amerikane, u takua gjithashtu me drejtuesin e opozitës Lulzim Basha. Sipas njoftimit të shpërndarë nga Partia Demokratike, zoti Basha ka renditur problemet kryesore me të cilat sipas tij po përballet sot vendi, ndërsa e ka njohur edhe me propozimin e opozitës për një verifikim të pasurive dhe lidhjeve të politikanëve me elementë të krimit.

Gjatë takimeve në Tiranë, sipas një njoftimit të ambasadës amerikane, “zonja Millard vlerësoi miqësinë e fortë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe diskutoi mbi partneritetin strategjik midis dy vendeve”. (voa)

Maas në Tiranë: Vazhdoni reformat për konsolidimin e shtetit ligjor dhe pavarësinë e drejtësisë

Maas BushatiBE ka kritere të qarta: jo hapje në mënyrë automatikisht të bisedimeve për anëtarësim më 2019, u shpreh ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas gjatë vizitës zyrtare në Tiranë.

Ministri i Jashtëm  i Gjermanisë, Heiko Maas, solli në Tiranë të mërkurën ( 19.09.) mesazhin e njohur të BE: Shqipëria duhet të punojë shumë për të arritur rezultate të tjera në vijimin e reformave dhe për ta merituar hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE vitin e ardhshëm. Në konferencën e përbashkër për shtyp me Ministrin e Jashtëm, Dirmir Bushati, ministri Maas, theksoi: “Shtetet anëtare të BE e kanë bërë të qartë që në qershor 2019 nuk do të ketë një hapje automatike të bisedimeve për anëtarësim. Kriteret për këtë janë të hapura dhe të qarta. Duhen të ndërmerren hapa për rezultate të tjera në vijim të reformave, që të mund të binden edhe ato shtete që janë disi skeptike përsa i përket këtij procesi. Fjala është për konsolidimin e shtetit ligjor dhe pavarësinë e drejtësisë”.

Maas e vlerëoi procesin e vettingut, verifikimin e gjykatësve dhe prokurorëve si “një hap gjigand”, që do të vendosë kritere përtej Shqipërisë, lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor reale dhe  e nevojshme

Ministri Maas rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë në arritjen e rezultateve, lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit në qershor 2019. “Perspektiva e anëtarësimit në BE është më afër se kurrë. Jam optimist se do ta arrijmë së bashku”, tha ai, duke theksuar rëndësinë strategjike që ka për Gjermaninë dhe BE përspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor, kur e cilësoi këtë perspektivë “jo vetëm reale, të besueshme por gjithashtu të nevojshme”.

Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati tha, se mbështetja e Gjermanisë ndaj Shqipërisë, është e ҫmuar dhe e pazëvendësueshme.

Maas: Jo ndarjes së Europës në rajone të klasit të parë dhe të dytë

Ministri gjerman Maas shtjelloi në Tiranë qendrimin e Gjermanisë për një Europë të Bashkuar. I pyetur nga DW në Tiranë, nëse ky qendrim do të shoqërohet me instrumenta, mekanizma që ai të bëhet real, kreu i diplomacisë gjermane Maas tha: “Jam plotësisht i bindur që nëse Europa kërkon të përballet me sfidat, lidhur me interesat e saj që kërkon të arrijë përkundrejt Kinës,  Rusisë apo shteteve të tjera, atëhere kemi nevojë për një Europë të bashkuar, për të cilën po përpiqemi. Ne dëshirojmë të bashkëpunojmë me të gjithë partnerët tanë në Europën Lindore dhe përtej kufijve të BE-së”.

Ministri Maas e ilustroi këtë përqasje të re të Gjertmnaisë me pjesëmarrjen e saj në inisiativën e tri deteve, iniciative e 12 shteteve, anëtare të BE-së, që ndodhen mes Detit Adriatik,  Detit Baltik dhe Detit të Zi, të cilën Gjermania e kishte  parë deri dje me skepticizëm. “Nuk duhet të lejojmë që Europa të ndahet në rajone të klasit të parë dhe të dytë. Kemi nevojë për një Europë të bashkuar dhe  duhet të angazhohemi në të gjitha fushat politike që të përballemi siç duhet me këtë sfidë”, tha ai duke iu përgjigjur pyetjes së DW.

Gjermania skeptike dhe e përmbajtur ndaj ndryshimit të kufijve në Ballkan

Ministri i Jashtëm gjerman, Maas pranoi që në rajon egziston frika se “mund të mbërrihet në shkëmbimin e zonave mes Serbisë dhe Kosovës” si një opsion për normalizimin e marrdhënieve mes tyre. “Jemi skeptikë dhe të përmbajtur për këtë çështje. Egziston frika në rajon për një efekt domino. Për këtë ҫështje duhet të merret një vendim, pra të zgjidhet në mënyrë të tillë që të mos shkaktojë problem shtesë, përveç atyre që egzistojnë. Nëse korrigjimi i kufijve do të jetë pjesë e zgjidhjes, Gjermania është skeptike”, theksoi ai në konferencën e përbashkët të shtypit.

Në takimin me Kryemnistrin Edi Rama, ministri Maas rikonfirmoi mbështejen e Gjermanisë për të plotësuar kriteret për hapjen e bisedimeve të antarësimit dhe përgëzoi rolin që luan Shqipëria në stabilitetin e Ballkanit duke e quajtur atë “spirancë të stabilitetit në rajon”.

Ministri i Jashtëm Maas përfundoi vizitën zyrtare disa orëshe në Tiranë dhe pasdite ( 19.09.) u nis për në Athinë, stacioni i tij i fundit në këtë tur në Ballkan. (dw)

Ministri i Jashtëm Gjerman Maas viziton sot Tiranën

Maasministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ekskluzivisht për DW: “Mbresëlënëse se sa entuziastë janë njerëzit e këtij rajoni për vlerat e unionit”. Maas viziton Tiranën në kuadër të turit në Ballkan.

Ministri i Jashtëm gjerman mbërrin të mërkurën ( 19.09.2018 ) në Tiranë, për një vizitë zyrtare në kuadër të një turi ballkanik, të nisur në fillim të kësaj jave në itinerarin Bukuresht – Shkup- Tiranë – Athinë. Burime zyrtare nga Ministria e Jashtme e Gjermanise pohojnë se në krye të axhendës së vizitave në këto 4 vende është ”një Europë e Bashkuar”. Ministri Maas citohet nga Ministria e Jashtme Gjermane të ketë deklaruar para fillimit të këtij turi se “Europa nuk mund të ndahet në rajone gjeografike – për ne ka vetëm një Europë”.

I pyetur nga korrespondentja e DW në Tiranë, Ani Ruci, nëse zgjerimi i BE, perspektiva europiane e Shqipërisë dhe në përgjithësi e vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të jetë tema qendrore e bisedimeve politike, Ministri Maas, tha: “Që vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë merituar një perspektivë reale të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kjo për mua është e qartë. Është mbresëlënëse se sa entuziastë janë njerëzit e këtij rajoni për vlerat e unionit tonë. Por në fund vendimtare do të jetë, nëse qeveritë kanë arritur të përmbushin kushtet për anëtarësim dhe kjo do të jetë e mundur vetëm nëse reformat për më shumë demokraci, shtet ligjor dhe qeverisje më të mirë do të çohen përpara në mënyrë të vendosur. Gjermania është e gatshme të vazhdojë ta mbështesë më tej Shqipërinë në këtë rrugë”.

Gjermania – mbështetje politike Shqipërisë në tri drejtime kryesore

Shqipëria synon të përmbushë kushtet dhe të meritojë hapjen e negociatave të anëtarësimit vitin e ardhshshëm. I pyetur nga DW për drejtimet kryesore të mbështetjes së Gjermanisë në realizimin e këtij synimi, Ministri i Jashtëm gjerman, Maas tha: “Fakti që bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë mund të çelen duke nisur prej vitit 2019, tregon vlerësim për përpjekjet e bëra deri më tani. Veçanërisht reforma në drejtësi ishte dhe vazhdon të jetë, në vlerësimin tim, një hap domethënës. Ne presim që të vijohet më tej në këtë rrugë dhe të shohim suksese të dukshme, në mënyrë të veçantë përsa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjermania jep mbështetjen e saj politike në këtë drejtim përmes angazhimit të këshilltarëve të nivelit të lartë si dhe në kuadër projektesh të ndryshme”.

Mbështetja dhe promovimi nga Gjermania i perspektivës europiane të Shqipërisë motivohet edhe  nga roli i saj  pozitiv në stabilitetin e rajonit . Ministri Maas e ka quajtur Shqipërinë ” një spirancë të stabilitetit në rajon”.

Ministri Maas:  Gjermania e ka njohur Kosovën si shtet multi – etnik 

 Për Gjermaninë stabiliteti i Ballkanit Perëndimor përbën një interes strategjik të BE. Debati i nxehtë  ndërkombëtar,  muajin e kaluar, pro & kundër ndryshimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës, nxorri në dritë ҫështjen e cënimit të stabilitetit në rajon dhe potencilit të shndërrimit të Ballkanit përsëri në  “fuҫi baruti të Europës”. Vetë Ministri Maas është shprehur skeptik lidhur me ndryshimin e kufinjve, si opsion për normalizimin e marrdhënieve Kosovë – Serbi.

I pyetur nga DW për arsyet kryesore të skepticizmit të tij ndaj këtij opsioni, të lënë të hapur nga Vuçiç, Ministri i Jashtëm Maas tha: “Gjermania e ka njohur Kosovën mbi bazën e Planit të Ahtisarit si shtet multietnik. Pjesë e perspektivës evropiane është edhe fakti i bashkëjetesës në paqe dhe me të drejta të barabarta mes njerëzve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike dhe kulturore. Përpjekja për të shtyrë kufijtë, pikërisht për të eliminuar këtë larmi ka qenë, në të shkuarën, shkak vuajtjesh të pafundme. Ndaj ide të tilla i konsideroj jo vetëm si pak rezultative, por ato rrezikojnë të rihapin shumë plagë të vjetra në rajon”.

Mbështetja e Gjermanisë – e pazëvendësueshme për Shqipërinë 

Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, në prag të vizitës së homologut të tij gjerman Heiko Maas në Tiranë, e konsideron “të pazëvendësueshme” mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë. Kjo mbeshtetje eshte e tille pasi mbështetja politike e Gjermanisë në afrimin e Shqipërisë me BE është shoqëruar me një mbështetje të fuqishme financiare. Gjermania është donatorja më e madhe financiare e Shqipërisë me rreth një miliard dollarë, që në nivel botëror përbën ndihmën më të madhe financiare gjermane për frymë të popullsisë. Bashkëpunimi ekonomik për zhvillim, Gjermani-Shqipëri,  që sivjet shënon 30 vjetorin e tij, është cilësuar “i shkëlqyer” nga ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz.

Ministri i jashtëm gjerman Maas do të zhvillojë sot bisedime me homologun e tij Bushati, kryeministrin Rama, liderin e opozitës Basha dhe përfaqësues të Komisionit të Vettingut.  (dw)

Kryeministri Zaev të enjten në Uashington

ZaevKryeministri maqedonas Zoran Zaev vjen të enjten në Uashington për një takim me Nënpresidentin amerikan Mike Pence. Sipas një njoftimi nga zyra e Kryeministrit Zaev, në axhendën e bisedimeve do të jenë edhe synimet e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

Zyrarë të lartë amerikanë dhe evropianë kanë vizituar ditët e fundit Shkupin në prag të referendumit të 30 shtatorit, në të cilin pritet ndryshimi i emrit të këtij vendi ballkanik në “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Qeveria amerikane ka shprehur shqetësime për mundësinë e përfshirjes ruse në përpjekjet për pengimin, përkatësisht bojkotimin e referendumit nga votuesit maqedonas.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis, ishte të Shkup të hënën ku mes të tjerash zhvilloi bisedime me autoritetet shtetërore maqedonase për këtë çështje, ndërsa theksoi përkrahjen e fuqishme për integrimet euro-atlantike të Maqedonisë.

Sektreari Mattis u shpreh në takime se Rusia edhe më parë është përfshirë në raste të tilla, që nga Estonia e deri tek Shtetet e Bashkuara, nga Ukraina dhe tani në Maqedoni. Por, kryeministri Zoran Zaev tha të marten se nuk kishte dëshmi për përzierjen ruse për sa i përket referendumit.

“Është e saktë se Rusia nuk është e lumtur me zgjerimin e NATO-s këtu në Republikën e Maqedonisë. Ajo nuk ka asgjë kundër zgjerimit të Bashkimit Evropian me të gjithë Ballkanin Perëndimor, por në përgjithësi është kundër zgjerimit të NATO-s me Maqedoninë dhe këtë e ka komentuar në mënyrë publike. Unë them se nuk ka alternativë për qytetarët e Maqedonisë përveç integrimit të plotë në NATO dhe në BE”, tha zoti Zaev.

Por media në Shkup njofton për praninë e zyrtarëve rusë dhe përfshirjen e tyre për të bindur votuesit maqedonas që të mos dalin në rëferendum.
Referendumi shikohet si historik. Një rezultat pozitiv do të hapte rrugën që Maqedonia të bëhet anëtari i tridhjetë i Aleancës Veriatlantike dhe do ta përshpejtonte procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. (voa)

SHBA, projekt për pajisjen me lazer të aeroplanëve cisternë

aeroplani me laserLazerët së shpejti do të jenë një mjet i ri mbrojtës për aeroplanët e pambrojtur të cilët janë të rëndësishëm në betejat ushtarake. Flota e aeroplanëve cisternë do të pajiset muajin e ardhshëm me avionë Boeing KC-46 Pegasus, që mund të transportojnë deri në rreth 96,000 kilogram karburant. Aeroplani i shumëpritur do të jetë në gjendje të furnizojë avionë të tjerë nga krahët e tij dhe në të njëjtën kohë mund të

furnizohet nga një tjetër avion cisternë. Por një gjeneral amerikan i tha Zërit të Amerikës se ai dëshiron që avionët cisternë të kenë një veçori tjetër që do t’i lejonte ata të fluturonin më pranë betejave se sa më parë.

Aeroplanët cisternë, si ky, bëjnë pothuajse të gjitha furnizimet ajrore me karburant për ushtrinë amerikane.

Version i fundit, Boeing KC-46 Pegasus, është i pajisur me teknologji për ta bërë atë më pak të dukshëm ndaj armiqve.

Por më pak i dukshëm nuk do të thotë i padukshëm, dhe ky është një problem i madh për aeroplanët cisternë dhe për aeroplanët bombarudesë dhe luftarakë që i furnizon me karburant.

“Aeroplanët tanë cisternë, për shkak se janë kaq të pambrojtur, duhet të mbahen jashtë rrezikut të një kundërshtari. Kjo do të thotë që aeroplanët tanë nuk mund të hyjnë në thellësi të territorit të armikut para se të kthehen për furnizim me karburant nga aeroplanët cisternë”, thotë Todd Harrison nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Gjenerali i Forcave Ajrore, Carlton Everhart i tha Zërit të Amerikës se Forcat Ajrore po punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje të pazakontë.

“Unë thashë kemi nevojë për një lazer, sepse duhet të mbroj aeroplanët tanë. Kështu që pas dy vjetësh ne do të testojmë një lazer në një aeroplan”.

Gjenerali Everhart thotë se lazeri nuk do të jetë njëlloj si në betejat e filmave Star Wars.

“Kjo nuk është armë sulmuese, por thjesht mbrojtëse”.

Eksperti i hapësirës ajrore Todd Harrison shpjegon.

“Lazeri në thelb mund të përdoret për të verbuar sensorët e një avioni tjetër, të një rakete, ose nëse është një lazer me fuqi të lartë, ai mund të përdoret për të shpuar një vrimë ose për të dobësuar mburojën e një raketeje apo aeroplani sulmues”.

Harrison thekson se testimi i lazerëve mbrojtës mund të kërkojë vite para se ata të jenë plotësisht funksionalë. Por, ai thotë se realizimi i ëndrrës së gjeneralit Everhart për ta vënë këtë teknologji në cisternë do të përbënte një avantazh të madh.

“Përdorimi i lazerëve si mekanizëm mbrojtës ka avantazhe sepse për aktivizimin e tij thjesht duhet energji elektrike dhe qitjet janë pothuajse të pakufizuara”.

Qitje të vogla që zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se mund të kenë një ndikim të madh në betejë.

“Kjo na lejon që të qëndrojmë në pozicionet tona dhe të jemi në gjendje të mbështesim avionët luftëtarakë ashtu siç duhet për të ekzekutuar luftën. Tani jam shumë i kënaqur me këtë projekt”, thotë Carlton Everhart, gjeneral i Forcave Ajrore.

Zyrtarët e Forcave Ajrore shpresojnë ta instalojnë teknologjinë lazer në aeroplanët cisternë gjatë dekadës së ardhshme. (voa)