Studim i ri për bylmetet: të nevojshme

bylmetetKonsumimi i deri tre porcioneve me prodhime bylmeti në ditë mund të jetë me përfitime për shëndetin. Ky është përfundimi i një studimi të kryer në Kanada. Studjuesit thonë se ky zbulim lidhet me nivelin e sëmundjeve kardioavaskulare. Por mjekët thonë se përfundimet e këtij studimi nuk e justifikojnë ndryshimin në masë të udhëzimeve të ushqyerjes, që këshillojnë pakësimin e bylmeteve me yndyrë të plotë.

Raporti i fundit lidhur me konsumimin e produkteve të bylmetit ndoqi mënyrën e ushqyerjes së 130 mijë njerëzve në 21 vende të botës, në mbi 5 kontinente, për një periudhë 9-vjeçare.

Një nga krahasimet kryesore të studimit ishte mes grupit të njerëzve që nuk konsumonin produkte bylmeti dhe atyre që konsumonin më tepër: deri në 3,2 porcione bylmeti në ditë. Doli se konsumatorët më të mëdhenj të bylmeteve ishin në Amerikën Veriore dhe në Europë, ku njerëzit konsumonin mbi katër porcione në ditë.

Sipas autorëve të studimit, një porcion normal bylmeti mund të jetë një gotë qumësh prej 244 militrash, një gotë kosi prej 244 militrash dhe një copë djathi prej 15 gramësh, ose një lugë e vogël gjalpë, prej 5 gramësh.

Ekipi i studjuesve të Universitetit McMaster arriti në përfundimin se grupi që konsumonte më tepër bylmet pati nivele më të ulëta të kolesterolit dhe prekej më pak nga ishemia cerebrale. Ky grup po ashtu kishte nivelin më të ulët të vdekshmërisë.

Autorja kryesore e studimit, Dr. Mahshid Dehghan, nga Universiteti “McMaster” i Ontarios, thotë se ekipi i studjuesve e përqëndroi studimin kryesisht tek njerëzit që nuk konsumojnë bylmet në dietën e tyre të përditshme:

“Historia e yndyrnave të saturuara ka filluar shumë kohë më parë: përfundimi ka qenë se produktet me nivel të lartë të tyre ngrenë nivelin e kolesterolit, që shkakton arteriosklerozën dhe kjo e fundit është përgjegjëse për sëmundjet koronare të zemrës; por studimet e mëparshme nuk merrnin në konsideratë pasojat e yndyrnave të saturuara tek komponentët e tjerë lipidë të gjakut, si dhe tek faktorët e tjerë të rrezikut,” – thotë Dehghan.

Ky studim është në nivel vëzhgues, që do të thotë se studjuesit i nxorën konkluzionet të lidhura me faktorë të tjerë, pra ata nuk kanë hyrë në mekanizmat që sjellin këtë rezultat.

Sipas autorëve të Universitetit McMaster, ne harrojmë shumë nga komponentët e dobishëm që përmbajnë produktet e bylmetit. Në mesin e tyre janë amino acidet, vitaminat K1 dhe K2, si dhe kalçiumi, potasiumi dhe magnezi.

“Ne vumë re se në mesin e personave që nuk konsumonin fare produkete bylmeti, rreziku i vdekshmërisë, apo i sëmundjeve kardiovaskulare, kryesisht ishemia cerebrale, vdekja nga sëmundjet kardiavaskulare dhe ato jo kardiovaskulare, është më i lartë”, tha studjuesja Dehghan

Studjuesja thotë se bazuar tek ky studim, njerëzit që konsumonin bylmet ishin 10 për qind më pak të rrezikuar nga shumica problemeve shëndetësore. Rreziku për ishemi cerebrale ishte 34 për qind më i vogël se tek personat që nuk konsumojnë bylmet. Por ajo shtoi se pjesëmarrësit në studim nuk konsumonin më tepër se tre porcione bylmeti të ditë.

Disa kritikë të studimit kanë ngritur pikëpyetje të ndryshme. Një prej tyre është Dr.Jimmy Chun Yu Loui i Universitetit të Hong Kongut. Ai argumenton se në studim janë përfshirë njerëz nga India, apo Kina, që kanë patur një zhvillim të madh ekonomik në 10 vitet e fundit dhe struktura ushqimore e tyre ka ndryshuar gjatë kësaj kohe. Pra, sipas tij 9 vjet nuk janë të mjaftueshme që një studim të arrijë në konkluzione

Në kushtet kur flitet shumë për problemin e obezitetit, ky studim mund të shkaktojë konfuzion tek njerëzit. Por autorët thonë se ai nuk u bën thirrje njerëzve të konsumojnë në masë produkte me sasi të lartë yndyre, si djathi dhe gjalpi. Ata thonë se bylmetet janë një burim i rëndësishëm energjie, por kjo nuk do të thotë që njerëzit të konsumojnë shumë racione në ditë. sipas studjuesve kanadezë, konsumimi me masë, i produketeve të bylmetit, është gjithmonë rruga që duhet ndjekur.

“Pa Ujmanin (Gazivodën), ndalet ekonomia e Kosovës”

Liqeni i UjmanitLiqeni i Ujmanit është shndërruar kohët e fundit në mollë sherri mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë dëshmojnë edhe deklaratat e politikanëve. Po cila është rëndësia e këtij liqeni dhe si mund të zgjidhet kjo çështje?

Dikur i ndërtuar mbi lumin Ibër për një shtet më të madh, liqeni i Ujmanit (Gazivodës) është shndërruar sot në një çështje mospajtimesh ndërkombëtare mes Beogradit dhe Prishtinës. Me një gjatësi prej 23 metra dhe me një sasi uji prej 380 milionë kub, dy të tretat e liqenit gjenden në territorin e Kosovës e një e treta në Serbi. Mbushja megjithatë vjen nga Serbia dhe Mali i Zi. Për zgjidhjet e mundëshme të kësaj çështjeje, Deutsche Welle bisedoi me ekspertin për ekonominë e ujit dhe ruajtjen e mjedisit Ljubisha Miaçiq.

DW: Ku qëndron rëndësia strategjike e liqenit të Ujmanit?

Ljubisha Miaçiq: Liqeni i Ujmanit është krijuar në radhë të parë për furnizim me ujë, ndërsa prodhimi i energjisë elektrike ka filluar më vonë, sepse është parë që këtu ka edhe potenciale të tilla. Të gjitha instalimet janë në territorin e komunës Zubin Potok dhe atje punojnë vetëm serbët. Por përveç rrogave, serbët e veriut të Kosovës nga ky liqen nuk marrin asgjë tjetër. Të ardhurat i merr kompania „Ibër-Lepenci”, e cila gjendet në Prishtinë dhe e cila në bord nuk ka asnjë serb, që do të thotë se ekziston një lloj disbalanci i shfrytëzimit të resurseve. Liqeni i Ujmanit është një çështje e kontestimeve të mëdha për pronësinë, sepse pa këtë liqen nuk ka as ekonomi në Kosovë. Pa këto resurse ekonomia ndalet dhe  jo vetëm ekonomia e industrisë elektrike në Obiliq, sepse uji shfrytëzohet atje për ftohje në centralin Kosova B, por ky ujë shfrytëzohet edhe për industrinë në Feronikël, Trepçë dhe për bujqësinë në vend.

Pse është i rëndësishëm për Serbinë?

Për Serbinë në këtë moment është më shumë i rëndësishëm si pikë referimi në negociata, por në të ardhmen mund të jetë shumë i rëndësishëm, sepse shfrytëzimi i tepërt i rrjedhës së ujit në lumin Ibër, mund të rrezikojë ekonominë e Serbisë – në hapsirën e Rashkës dhe Kralevës. Nëse shfrytëzohet një sasi edhe më e madhe e ujit se ajo sot, do të humbiste uji në puse, do të pakësohej sasi e ujrave nëntokësore në këto rajone të Serbisë. Ose, për shemull, Serbia planifikon të ndërtojë mini hidrocentrale në Rashkië dhe Kralevë, e nëse ulett sasia e ujit dhe shfrytëzohet në Kosovë, atëherë askush nuk do të investonte në këto projekte në Serbi.

Cilat janë argumentet e njërës dhe të palës tjetër?

Duhet të nisemi nga gjërat elementare – cilat janë resurset e Ujmanit, digat dhe instalimet atje, apo uji dhe prej nga vjen ky ujë? Uji vjen nga Serbia. Kosova nuk ka burim të ujit në lumin Ibër. E dyta: Kompania “Ibër Lepenci” është paguar me kredi nga Banka Botërore. Ajo ka paguar 45 milionë, por kostot kanë kushtuar shumë më shumë dhe Serbia e ka marrë obligimin e kthimit të borxheve, sipas marrëveshjes për sukcesion, sepse pajisjet gjenden në terriorin e saj. Kjo do të thotë se i gjithë dokumentacioni dhe të gjitha pagesat janë bërë nga Serbia. Pasi Kosova nuk njihet nga Serbia, borxhet dhe të gjitha pagesat e tjera ende janë në dokumentacionet e Republikës së Serbisë, ndaj Kosova nuk ka këtu shumë argumente. Madje edhe sikur Serbia ta njihte Kosovën, ajo do të duhej t’i paguante këto borxhe. Argumenti i vetëm i palës kosovare është se ata kanë nevojë për ujë dhe se pa këtë ujë nuk do të kishte as ekonomi. Rezervuarët e tjerë që kanë nuk i plotësojnë nevojat e Kosovës dhe nevojat e investimeve. Ekonomia e Kosovës do të ndalej pa Ujmanin.

Si mund të zgjidhet kjo nyje?

Sikur të kishim një shpërndarje perfekte të resurseve, sikur të ndahej prodhimi dhe distribucioni, atëherë shqiptarët dhe serbët do të detyroheshin të bashkëpunojnë. Kjo do të thotë se Serbia ka kapacitetet për prodhime, ndërsa Kosova për distribucion, respektivisht që Serbia të prodhjojë dhe ofrojë ujë, ndërsa Kosova të marrë kuata të caktuara uji, ta shpërndajë atë dhe t’i marrë pagesat nga ata që e shfrytëzojnë. Në këtë mënyrë palët do të detyroheshin të bashkëpunojnë. Serbët në këtë mënyrë do të përfitonin nga të ardhurat me të cilat mund të financojnë zhvillimin e mëtutjeshëm, ndërsa Kosova do të kishte sasi të mjaftueshëm të ujit, për një kohë më të gjatë.

Mungesa e marrëveshjes mund të rezultojë me ndalimin e ujit nga Serbia në pjesën e epërme dhe drejtimin e ujit në drejtim tjetër, pra drejt komunave Tutin dhe Novi Pazar në Serbi dhe kthimin më pas në shtratin e lumit Ibër në ato pjesë – pa i shkelur fare konventat ndërkombëtare. Kosova nga ana tjetër me shfrytëzimin e tepërt të ujit do të bënte shkelje, madje edhe sikur Serbia të binte dakord, sepse Rumania dhe Bullgaria mund të ankohen.

A jemi më afër zgjidhjes pas vizitës së presidentit Vuçiq në Kosovë?

Një diskutim real për Ujmanin nuk ka ekzistuar deri tani, përveç deklaratave populiste. Tani po mendohet se cila palë do ta hedhë e para në tavolinë këtë çështje, sepse kështu do të tregonte dobësi, ndaj në këtë moment kemi lëvzije në kornizat nacionaliste dhe mungesë kompromisi. Deklarata e Kadri Veselit se Ujmani është i Kosovës është simptomatike. E deklarata e Aleksandar Vuçiqit dëshmon se pozicioni i tij është më i fuqishëm sesa ka menduar, por në këtë moment nuk do ta ekspozojë shumë, për të mos frikësuar palën tjetër, e cila mund të vendosë që të mos bisedojë fare për këtë çështje. Unë mendoj se kjo është një çështje par excellence ku palët mund ta hedhin këtë temë në tavolinë, mund të bahkëpunojnë dhe mund të vendosin themelet e paqës në këtë shekull. (dw)

Shqipëri: Të hetohen apo jo pasuritë e familjarëvë të politikanëve?

korrupsioniPartia Demokratike në opozitë kërkon bërjen e vettingut edhe në politikë në Shqipëri. PS e mbështet parimisht nismën për vettingun, por me kusht që të përfshihen edhe pasuritë e anëtarëve të familjes së politikanëve.

Në  Indeksin e Korrupsionit – 2017 të Transparency International për 180 vende të botës, rajoni i Ballkanit Perëndimor rezulton me nivel të lartë korrupsioni. Në një sistem vlerësimi nga 0 në 100 pikë, ku sa më të ulta pikët aq më i lartë korrupsioni, Maqedonia ka marrë 35 pikë,  Shqipëria  dhe Bosnjë-Herzegovina 38, Kosova 39, Serbia 41 dhe Mali i Zi 46 pikë. Fjala është për korrupsion në sektorin publik dhe në politikë. Maqedonia rezulton vendi me korrupsionin më të lartë në rajon, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina dhe  Shqipëria, që kanë të njëjtin nivel korrupsioni.

Reforma në Drejtësi: Hetim për politikanët në 25 vitet e fundit

Për më shumë se dy dekada qytetarët në Shqipëri janë bombarduar me cilësime të palëve politike kundërshtare për një administratë publike të korruptuar, abuzuese me fondet publike, të lidhur me krimin e organizuar. Për më shumë se dy dekada zyrtarë dhe politikanë të  lartë janë stigmatizuar si të korruptuar, hajdutë, mafiozë, vrasës. Asnjë prej tyre nuk është përballur me drejtësinë, asnjë prej tyre nuk ka marrë fajësinë apo pafajësinë nga Gjykatat. Të sigmatituarit dhe të përfolurit vazhdojnë të jenë sot e kësaj dite në politikë dhe t’i japin karburant akuzave të ndërsjellta të dy palëve politike kryesore, PS dhe PD.

Reforma në Drejtësi sjell shanse që kjo situatë të ndryshojë një herë e mirë. Shtylla kurrizore e kësaj reforme, vettingu i gjykatësve dhe prokurorëve, është në përfundim e sipër. Ai ka nxjerrë jashtë sistemit gjykatës dhe prokurorë, që nuk kanë justifikuar pasuritë e tyre. Në javët që vijnë nga gjykatësit dhe prokurorët, që mbetën në sistem, do të zgjidhen anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Byroja Kombëtare e Hetimit, sipas modelit të FBI, dhe Struktura e Posaҫme Antikorrupsion, (SPAK)janë dy strukturat e tjera kushtuetuese që pritet të fillojnë nga puna pas disa javësh. Qëllimi i tyre është të hetojnë politikanët dhe t’i ndëshkojnë, kur ata rezultojnë të korruptuar ose të lidhur me krimin e organizuar, deri në dënim me burg. Hetimet do të shtrihen edhe në pasuritë e familjarëve të tyre. SPAK, sipas kushtetutës, do të merret me dhënien e verdiktit për korrupsion të zyrtarëve të  lartë publikë, politikanëve dhe familiarëve të tyre.

Kryeminisri Rama shkroi të mërkurën(12.09.2018)në median sociale: “Kush nuk e qeveris vendin me prioritet për ta ҫuar përpara, duhet jo vetëm të mos zgjidhet më, por t’i hiqet dhe sekustrohet e gjithë pasuria që ka vënë gjatë këtyre 30 viteve.” I gjithë procesi po monitorohet nga BE dhe SHBA dhe po mbështetet fuqimisht me ekspertizë nga Gjermania.

Nismë e re e PD: Ndryshime kushtetuese për vettingun në politikë

Një lëvizje e kohëve të  fundit të opozitës së kryesuar nga PD kërkon të bëjë sa më parë vettingun në politikë, pa pritur funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK. Një projektligj i depozituar këto ditë, në Parlament kërkon ndryshime Kushtetuese për të kryer vettingun në politikë. Në thelb të tyre është krijimi i mekanizmave të reja kushtetuese që nxjerrin jashtë loje Byronë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK.

PD e quan projektligjin në fjalë fazën e dytë të ligjit të dekriminalizimit, të miratuar në 2015, që nxorri jashtë Parlamentit deputetët e inkriminuar. Por PD mendon se ata janë zëvendësuar tani  në maxhorancën aktuale në Parlament citoj “me të deleguarit e tyre,” që duhet të largohen pikërisht me vettingun në politikë që ajo propozon.

PD: Vettingu i politikanëve, akt administrativ pastrimi, jo ndëshkim

Në projektligjin e PD nuk bëhet fjalë për ndëshkim, por vetëm për largim nga politika të politikanëve të korruptuar apo të lidhur me krimin e organizuar. Sipas PD vettingu në politikë nuk është drejtësi por një akt administrativ, një veprim pastrimi që largon nga politika ҫdo politikan të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Projektligji i PD kërkon nuk përmend hetimin e pasurive të familjarëve të politikanëve.

PS mbështet nismën e PD për vettingun në politikë, por me një kusht: të përfshijë edhe pasuritë e anëtarëve të familjes së politikanëve dhe të kryhet nga institucionet e reja të reformës në Drejtësi. Por për PD këto institucione janë të kapura nga maxhoranca socialiste.

Miratimi i projektiligjit të PD për vettingun  në politikë kërkon shumicë të cilësuar, pra 84 vota. Maxhoranca socialiste e ka shprehur qëndrimin e saj: vettingun në politikë do ta bëjnë institucionet e reja kushtetuese të reformës në drejtësi, pa asnjë përjashtim dhe dallim, që kanë shanse të garantojnë fillimin e ҫmontimit të korrupsionit në politikë. (dw)

Juncker: Të bashkohemi rreth Ballkanit Perëndimor

JunckerPresidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, i bëri thirrje të mërkurën Bashkimit Evropian që të jetë i bashkuar kundrejt Ballkanit Perëndimor, për te penguar ndërhyrjet e faktorëve të tjerë në rajon.

Ai i bëri këto komente gjatë fjalimit vjetor mbi gjendjen e Bashkimit Evropian në Parlamentin Evropian.

“Duhet të jemi bashkë kur flitet për Ballkanin Perëndimor njëherë e përgjithmonë. Nëse nuk e bëjmë, atëherë rajoni në fqinjësinë tonë do të formësohet nga të tjerët”, tha presidenti Juncker.

Gjashte vendet e Ballkanit Perëndimorë. Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian.

Zyrtarë të lartë evropian kanë disa herë gjatë këtij viti nga vendet e rajonit që të përfitojnë nga përpjekjet e ripërtërira të Bashkimit Evropian për një qasje ndryshe ndaj rajonit të trazuar për shkak të rritjes së ndikimit rus, krizës së emigracionit, rrëshqitjes së Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimit për të forcuar integrimin evropian pas largimit të Britanisë vitin e ardhshëm.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi shihen si të parat në procesin e integrimeve. Bashkimi Evropian është shprehur në favor të hapjes së bisedimeve për anëtarësim më Shqipërinë, por duke e shtyrë vendimin për qershorin e viti të ardhshëm, në pritje të përparimeve të mëtejshme të vendit veçanërisht, lidhur me reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po në qershor të vitit të ardhshëm pritet hapja e negociatave me Maqedoninë, nëse ajo miraton ndryshimin e emrit të saj kushtetues në Republika e Maqedonisë Veriore, sipas marrëveshjes së arritur me Greqinë.

Kosova mbetet e fundit në proceset integruese. Në të gjitha proceset ajo përballet edhe me sfidën që paraqet fakti që edhe më tej, pesë nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, e cila kundërshtohet nga Beogradi me të cilin Prishtina është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që është kush për të dyja palët për integrimet evropiane.

Juncker kërkon që BE-ja të shtrëngojë muskujt si fuqi botërore

Presidenti Juncker, tha se Komisioni do të jetë i ashpër ndaj vendeve të Bashkimit Evropian që nuk respektojnë sundimin e ligjit, mes shqetësimesh se Polonia dhe Hungaria nuk respektojnë parime demokratike të Bashkimit Evropian.

Gjatë fjalimit vjetor ai tha se artikulli i 7-të Bashkimit Evropian, një proces që mund të çojë në sanksione siç është pezullimi i të drejtës së votës në Këshillin Evropian, duhet të zbatohet sa herë që kërcënohet sundimi i ligjit.

Presidenti, Juncker i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të shtrëngojë muskujt si një fuqi botërore, duke thënë se marrëveshja që arriti me presidentin amerikan, Donald Trump, për të shmangur një luftë transatlantike tregtare nuk ishte “kurrfarë befasie”, pasi ai foli në emër të një Evrope të bashkuar.

Duke vënë në dukje pikëpyetjet e shumë vendeve lidhur me rolin e Washingtonit si udhëheqës ekonomik botëror, ish-kryeministri i Luksemburgut, mbrojti idenë që euro duhet ta sfidojë dollarin si monedhën udhëheqëse në botë, duke e quajtur ‘absurd’ faktin se BE-ja paguan për shumicën e energjisë së saj në monedhën amerikane, pavarësisht nga blerja e saj kryesisht nga Rusia dhe Shtetet e Gjirit. Ai tha se kompanitë ajrore duhet gjithashtu të blejnë avionë në euro, e jo në dollarë.

Zoti Juncker, i cili po hyn në vitin e fundit si president i Komisionit Evropian, tha se BE-ja duhet të ofrojë marrëveshje të tregtisë së lirë me gjithë kontinentin Afrikan, dhe një aleancë investimesh.

Ai propozoi forcimin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian me 10 mijë trupa për të penguar migruesit ekonomik që kanë nxitur nacionalizmat kundër BE-së. (voa)

Thaçi takon Zaevin në Shkup, ja çfarë thotë për marrëveshjen Kosovë-Serbi

thaci zaev“Maqedonia përshëndet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Maqedonia mbështet zgjidhjen që do të përforcojë paqen dhe stabilitetin në rajon. Është e rëndësishme që liderët e rajonit të bashkohen në rrugën drejtë integrimit euro-atlantik”, deklaroi Zoran Zaev, kryeministër i Republikës së Maqedonisë, pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, sot në Shkup, bën të ditur Alsat-m.

Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi theksoi rendësin e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke shtuar se edhe ndërtimin e autostradës, e cila do të mundësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave dhe do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik.

“Kosova dhe Maqedonia nuk kanë asnjë çështje të hapur, janë dy shtete mike me një bashkëpunim të shkëlqyer”, deklaroi Hashim Thaçi, president i Kosovës, i cili njëherit përshëndeti edhe arritjen e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, ndërkohë që theksoi edhe rendësin e arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast u shpreh i prerë se një marrëveshje e tillë do të jetë shumë e vështirë.

Atje, sipas KosovaPressit,Thaçi deklaroi se Kosova është unike sa i përket dialogut me Serbinë. Ai shtoi se Bashkimi Evropian nuk mund të pranojë në gjirin e vet vende me probleme të hapura, andaj sipas tij kjo është një shtysë që këto negociata për normalizimin e marrëdhënieve të vazhdojnë.

“Kosova është unike sa i përket dialogut. Të gjithë e dinë që pa dialog dhe pa negociata me Serbinë nuk do të mund të arrijmë marrëveshje paqësore me Serbinë. Sot BE-ja është duke u modernizuar por edhe ka hapur dyert për ne. Por BE-ja nuk pranon në gjirin e vet vende me problematika të hapura”, ka thënë Thaçi.

Tutje, Thaçi ka thënë se negociatat me Serbinë do të intensifikohen në të ardhmen, mirëpo një gjë e tillë do të ketë kosto të madhe.

“Ne veç kemi filluar të diskutojmë, negociatat do të intensifikohen në të ardhmen, një marrëveshje mund të shtyhet, por do të jetë me një kosto të madhe. Marrëveshja do të jetë një kompromis i debatueshëm në Kosovë e Serbi”, ka thënë ai.

Thaçi ka përmendur edhe demarkimin e kufirit mes Kosovës e Serbisë.

“Duhet të jemi realistë, duhet përmbyllet procesi i demarkimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë e që është rreth 430 kilometra. Marrëveshja do të jetë e frymës evropiane dhe e koordinuar në plotni me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim do të kemi një proces kompleks, në të cilin do të ketë debate dhe refuzime jo të lehta”, ka shtuar Thaçi.

Presidenti i vendit ka folur edhe për rezolutën e propozuar nga përfaqësuesit e Luginës, për bashkim me Kosovën, ku ka thënë se e mbështetë fuqishëm një rezolutë të tillë, ndërkaq që ka shtuar se Kuvendi i Kosovës do të vendosë në bazë të bindjes së partive politike

“Unë personalisht e mbështes fuqishëm, në parlament janë partitë dhe atyre u mbetet të deklarohen. Mirëpo unë do ta respektoj vendimin e Kuvendit të Kosovës. Në rast të një arritje të një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, procesi do të kalojë përmes një referendumi e pastaj në parlament. Pra do të vendosin qytetarët e Kosovës dhe nuk do të mund të pengohet nga asnjë grup apo individ”, ka përfunduar Thaçi. Presidenti Thaçi po qëndron për një vizitë zyrtare në shtetin fqinjë. (voa)

Parlamenti Evropian – të enjten voton për liberalizimin e vizave për Kosovën

PETë mërkurën, komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë qytetare, drejtësi dhe punë të brendshme, i njohur si komiteti LIBE, paralajmëroi se Parlamenti Evropian do të votojë të enjten rekomandimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Votimi në parlament u hap rrugën bisedimeve me vendet anëtare të Bashkimit Evropian për këtë çështje. Negociatat do t’i zhvillojë raportuesja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon.

Komiteti LIBE, i cili votoi më 30 gusht në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, tha se votimi i së enjtes bëhet me kërkesë të disa grupeve parlamentare. Fillimisht ishte paraparë që kjo të ndodhte gjatë muajit tetor.

Më 18 korrik, Komisioni Evropian, kishte dhënë rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave, duke theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet nga procesi i dialogut për këtë çështje.

Propozimi i parë nga Komisioni Evropian qe dhënë në maj të vitit 2016, por procesi i u bllokua për shkak të mos ratifikimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Pas gati tri vjet debatesh e përplasjesh në parlamentin e Kosovës, por edhe jashtë tij, marrëveshja u ratifikua në mars të këtij viti.

Qytetarët e Kosovës aktualisht janë të vetmit në rajonin e Ballkanit perëndimor që duhet të kërkojnë viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian. (voa)

Putin mohon se të dyshuarit rusë punojnë për ushtrinë

vrasesit agjent rusPresidenti rus Vladimir Putin tha të mërkurën se qeveria e tij e di identitetin e dy personave që Britania ka akuzuar për helmimin e një ish agjenti rus në muajin mars.

Ai hodhi poshtë akuzat e Britanisë se personat janë spiunë ushtarakë rusë dhe tha se ata janë civilë, pa bërë komente të tjera për identitetin e tyre.

Duke folur në një forum ekonomik në Lindjen e Largme të Rusisë, Presidenti Putin nguli këmbë se dy personat nuk punojnë për ushtrinë.

“Natyrisht, ne pamë se kush janë këta njerëz, ne e dimë se kush janë ata, i kemi gjetur tashmë; shpresoj se ata do të dalin vetë në publik dhe do të tregojnë për veten e tyre. Kjo do të jetë më mirë për të gjithë. Po ju them se këtu nuk ka asgjë të veçantë dhe asgjë kriminale. Do ta shohim këtë në të ardhmen e afërt,” tha presidenti rus.

Duke iu përgjigjur pyetjes së moderatorit të konferencës, Presidenti Putin tha:

“Do të doja t’u bëja thirrje atyre me shpresën se mund të na dëgjojnë. Ata duhet të kontaktojnë ndonjë prej mediave. Shpresoj të dalin publikisht dhe të tregojnë se kush janë”.

Javën e kaluar, prokurorët britanikë identifikuan dy rusë që ata thonë se përdornin emra të rremë, Aleksandër Petrov dhe Ruslan Boshirov, dhe se u përpoqën të vrisnin Skripalët me një lëndë nervore ushtarake në Angli.

Një stacion televiziv rus njoftoi sot se kishte folur me njërin prej të dyshuarve, Petrov, dhe se ai nuk kishte pranuar të komentonte tani për tani, por kishte thënë se punonte për një kompani farmaceutike në Tomsk të Siberisë. “Tani për tani nuk kam koment, ndoshta më vonë, javën tjetër,” u citua të kishte thënë ai.

Rusia ka mohuar akuzat e Britanisë se dy personat e përmendur qëndrojnë pas sulmit me lëndë nervore që sëmuri ishin agjentin rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij Julia në Salisbury të Britanisë.

Kanadaja, Franca, Gjermania, Britania dhe Shtetet e Bashkuara lëshuan një deklaratë të përbashkët ku shprehin miratim për akuzat e ngritura kundër dy të dyshuarve. Ato gjithashtu shprehën besim tek gjetjet e hetuesve britanikë. (voa)

VMRO u thotë përkrahësve të votojnë sipas bindjeve të tyre në referendum

MickovskiPartia më e madhe opozitare në Maqedoni, VMRO-DPMNE, vendosi të martën në mbrëmje që t’i lërë përkrahësit e saj të vendosin sipas bindjeve të tyre personale lidhur me referendumin e 30 shtatorit.

Kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickovski, megjithatë tha në një konferencë për gazetarë pak para mesnate se qytetarët e dinë më së miri se çfarë dëshiron t’u thotë ai.

“Ne mbetemi në qëndrimin kundër marrëveshjes me Greqinë, sepse kjo ndryshon Kushtetutën dhe identitetin institucional. I humbasim të gjitha pozicionet dhe argumentet, që kemi arritur shumë kohë përpara. Vendosni me zemër sipas bindjeve tuaja, ne do të përkulemi para vendimit tuaj!” - u shpreh Mickovski. Ai nënvizoi nga ana tjetër se vet pyetja që do të shtrohet në referendum është manipulative dhe shumëkuptimëshe.

Mickovski tha se partia e tij është për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe se “ato janë miqtë tanë”.

Ai akuzoi qeverinë e zotit Zaev dhe zyrtarë të lartë qeveritarë për shpërdorime të mjeteve financiare dhe kurdisje të tenderave.

Qëndrimi i VMRO-së duket të jetë zbutur pas takimit që Kancelarja gjermane Angela Merkel pati me drejtues të saj gjatë vizitës së të shtunes në Shkup.

Po ashtu, disa drejtues të tjerë shtetërorë e politikë nga vende dhe organizata evropiane si dhe nga SHBA kanë ardhur ditëve të fundit në Shkup për të mbështetur referendumin dhe për të bindur kundërshtarët e tij se vetëm me ndryshimin e emrit, Maqedonia mund të bëhet pjesë e Aleancës Veriatlantike dhe të integrohet në BE.

Në këtë kuadër, të enjten në Shkup pritet të vijë Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit Ues Mitchell.

Ndërkohë, të mërkurën Shkupin do ta vizitojë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili do të pritet nga kryeministri Zoran Zaev. (voa)

“Top Talk”, Tabaku: Edhe me garë të hapur, kundër prishjes së Teatrit

top talk TabakuE ftuara e kësaj të mërkure në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, në Top Channel, ka qenë deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, biseda me të cilën është fokusuar fillimisht te çështja e Teatrit Kombëtar dhe përfshirja e Komisionit Europian në të.

Pas reagimit të deputetit Eduard Shalsi, i cili në emër të mazhorancës tha se janë gati për hapjen e garës ndaj të interesuarve të tjerë, në vazhdën e konfirmimit të Komisionit Europian që nuk ishte kundër prishjes së Teatrit, por për hapjen e garës, Tabaku sërish shpreh mosbesim.

“Një ndër shqetësimet e ngritura prej nesh ishte hapja e garës, por jo vetëm, pasi këtu flitet edhe për rrëmbimin e pronës publike të Bashkisë së Tiranës për t’u tjetërsuar. Sigurisht që hapja e garës as nuk e zgjidh këtë vendim, ndaj më lind e drejta të pyes, po sikur edhe pas hapjes së garës të fitojë sërish kompania “Fusha”?”, deklaroi Jorida Tabaku.

Ajo u deklaruar kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe pro restaurimit të saj me çfarëdolloj kostoje. “Ata që duan ta prishin dhe duan të ndërtojnë të ri kundër çdo ligji nuk munden. Unë mirëpres tërheqjen e mazhorancës për hapjen e garës, por jemi kundër prishjes”, tha më tej Tabaku.

Sipas saj nuk ka asnjë lloj tërheqjeje nga projekti i prishjes së Teatrit, që shkel me të dyja këmbët Kushtetutën. “Ne i themi jo sjelljes me Teatrin në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore”, konfirmoi ajo.

Top Channel

Digjitalizimi, detyrim europian. Ligji u miratua në 2012. Shqipëria u kritikua për vonesën

Ndërprerja e transmetimeve televizive në sistemin analog dhe kalimi i tyre në digjital është një proces i detyrueshëm për të gjitha vendet europiane, gjithashtu edhe për Shqipërinë, që ka nisur shumë vite më parë.

“Me marrëveshjen e Gjenevës 06, ITU-ja, një organizëm i Kombeve të Bashkuara që merret me rregullimin e rrjeteve, ka vendosur që teknologjia digjitale do të aplikohet në të gjitha shtetet e Bashkimit Europian. Kjo marrëveshje është ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2007”, shprehet Gentian Sala, kreu i Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).

Për shkak të këtij detyrimi ndërkombëtar, në maj të vitit 2012, qeveria e atëhershme e Partisë Demokratike miratoi Strategjinë Kombëtare të Digjitalizimit, ku përcaktoi me ligj se pas qershorit 2015 asnjë televizion shqiptar nuk do të mund të transmetonte më në analog, por të gjitha duhet të kalonin në teknologjinë digjitale.

“Pra, ne sot që flasim jemi mbi 3 vite me vonesë dhe arsyeja është sepse administrata e mëparshme e AMA-s nuk është konsultuar me operatorët në treg”, shpjegon Sala.

Vendimi i vitit 2012 nuk përcaktoi vetëm afatin e kalimit në transmetimet digjitale, por edhe të gjitha procedurat si dhe teknologjinë që do të përdorej: “Janë përcaktuar rrjetet, mënyra e ndarjes së tyre, teknologjia DVB-T2 dhe fushata e informimit me detaje se si do të vijojë”.

Për shkak të vonesës në zbatimin e ligjit, Shqipëria ka marrë jo pak vërejtje nga Bashkimi Europian. Përballë këtij detyrimi, në prill të vitit 2016, autoritetet nisën fushatën për informimin e qytetarëve.

“Dy vjet fushatë informimi si asnjë vend tjetër, ndërkohë që qeveria ka blerë 88 mijë dekodera për familjet në nevojë. Askush nuk e ka bërë këtë”, thotë kreu i AMA-s.

AMA vendosi që të mbajë edhe 4 muaj transmetimet analoge, në mënyrë që banorët e Tiranës dhe Durrësit të përgatiten. Dekoderat DVB-T2 shiten nga të paktën 9 operatorë. Për familjet në nevojë janë dhënë 88 mijë dekodera falas.

Por, nëse keni në përdorim një televizor të gjeneratës së fundit, nuk është nevoja e një dekoderi. Tirana dhe Durrësi janë ndër të fundit zona që vijojnë transmetimet analoge.

Top Channel