Radikalizimi- Gjermani: Kur vajza papritur bëhet salafiste

salafisteVendimet që marrin fëmijët për jetën ka raste që nuk pranohen nga prindërit. Sidomos kur fëmijët radikalizohen si islamistë. Deutsche Welle ka takuar një nënë që rrëfen historinë e vajzës së konvertuar.

Asnjë nënë nuk do ta përjetojë këtë. Një ditë papritur autoritetet trokasin në derë dhe thonë, se vajza po planifikon t‘i bashkohet milicëve terroristë të të ashtuquajturit „Shteti Islamik” në Siri. Monika Müller (emri i ndryshuar nga redaksia) dridhet kur e kujton atë ditë në vitin 2014. Për fat pak më vonë nëna lehtësohet – policia kishte pasur informacione të gabuara nga një xhami. Por megjithkëtë, Monika ka përjetuar shumë nga ato që nuk donte t’i përjetonte si nënë: Vajza e saj u radikalizua si islamiste, u vesh jo me shami koke, por u mbulua tërësisht me nikab, u martua me një turk të panjohur për familjen, të cilin e njohu në një forum në internet, një njeri me të cilin nuk e lidhte asgjë, vetëm ideologjia fetare.

Vini në punë trurin

Monika Müller, mjeke në një qytet gjerman, është në fillim të 60-ve. Me flokë të shkurtër të kuq që rrethojnë një fytyrë të çelur, dhe që buzëqesh me dëshirë. Ajo prej dy vitesh ajo ndihmon në një projekt për të ndihmuar të rinjtë të dalin nga rruga e radikalizimit. „Të rinjtë duhet të vënë në punë trurin që të mos verbohen nga premtimet që u bëjnë të tjerët”, thotë ajo. Mjekja nuk e ka fjalën vetëm për islamin radikal . „Kështu do të ishte edhe nëse të rinjtë radikalizohen si djathtistë.”

Vitet e fundit i kanë kushtuar mjekes shumë energji. Por familja e Monika Müller nuk u shpërbë. Sot ajo e ruan kontaktin me vajzën Sophia (emri i ndryshuar) përmes telefonit dhe Whatsapp. Nënë e bijë takohen rregullisht dhe ndërmarrin gjëra së bashku. Por marrëdhënia e tyre nuk ka qenë gjithmonë kështu. Ka pasur një kohë, kur marrëdhënia u ndërpre për muaj me radhë.

Përmes traumës tek islami

Që vajza e saj, sot 24 vjeçare u konvertua në fenë myslimane, Monika e lidh me një ngjarje që në bisedë me Deutsche Welle-n ajo e formulon shkarazi si „përjetim traumatik jashtë familjes”. Kjo ishte goditja që e shndërroi plotësisht, Sophian atëherë 12 vjeçare, thotë nëna. Megjithë terapinë ajo nuk e përpunoi dot traumën. „Asaj iu fiksua që duhet të konvertohet në fenë myslimane, sepse kjo fe mund ta mbrojë më mirë nga feja me të cilën është rritur.”

Me 16 vjeç Sophia filloi të shkojë në xhami dhe takohej vetëm me vajza „që kishin një sfond patriarkal islamik apo rrënjë kulturore marokene”, kujton nëna. Kur vajza vendosi në moshën 17 vjeçare të mbajë shami koke, u prish edhe paqja e familjes. Më vonë as kjo nuk mjaftonte. Sophia vendosi të veshë nikabin. „Sophia ka një motër e vëlla. Ka pasur diskutime. Sherr. Ne ofendoheshim si të pafe. Sophia mbante vetëm kuranin me vete apo libra ‚ Gruaja myslimane, martesa myslimane.‘”

Martesa si adoleshente

Nuk kaloi shumë dhe vajza u largua nga shtëpia. Megjithëse adoleshente ajo u martua me një turk të panjohur për familjen, por martesa nuk mbajti gjatë, Sophia kthehet tek familja. „Bashkëshorti nuk ishte besimtar sa duhet për të„, kujton Monika Müller.

Shpresa e prindërve se kjo ndarje do ta ndryshonte vajzën nuk u bë realitet. Sophia kërkonte në forume për një bashkëshort tjetër, besimtar fanatik. Grindja në familjen Müller u shkallëzua. Babai i hoqi Sophias telefonin, ajo ndërpreu shkollën profesionale pak para përfundimit. Për herë të dytë vajza e konvertuar largohet nga familja. „Pak javë më vonë na erdhi lajmi se vajza është martuar në Münster (vendi i ndryshuar) dhe jeton tërësisht e mbuluar.”

Sophia ka lindur dy fëmijë ndërkohë, dhe është me barrë me fëmijën e tretë. Me dhëndrin e ri, një djalë me origjinë nga Shqipëria, Monika Müller përpiqet të ruajë një marrëdhënie të mirë. Megjithatë ajo e përshkruan atë si fundamentalist. „Dy herë ai ka qenë në Siri dhe ka çuar transporte ndihme në emër të organizatës „Mjekësi me zemër”. Dega e landit të Renani- Veriore-Vestfalisë të Zyrës Federale të Mbrojtjes Kushtetuese e ka kategorizuar këtë organizarë si salafiste-ekstremiste. Ndërkohë dhëndri është distancuar nga kjo organizatë, raporton Monika Müller.

Ndryshimi që sollën fëmijët

Monika Müller e di se në shumë familje fundamentaliste ndalohet të këndohet dhe të shikohet televizori. Por tek vajza e saj ajo vërejti shenja, se mëmësia po i zbuste disi qëndrimet radikale. Në fillim Sophia e refuzonte të çonte edhe vajzën në kopsht, pastaj ajo e kuptoi, se sa e rëndësishme është për fëmijët të rriten bashkë me fëmijë të tjerë, kujton nëna. Edhe një shenjë tjetër të mirëkuptimit familjar e ka vërejtur nëna. Në festat familjare si dasma Sophia fillon të vijë pa nikab. Monika Müller rrëfen me zemërim, se me çfarë duhet të ndeshet vajza e saj në rrugë, kur del plotësisht e mbuluar. „Sophia është pështyrë dhe shtyrë. Përpara saj kanë qënduar dhe i kanë thënë, një si ty duhet ta vrasësh.” Monika Müller thotë se e kupton, kur Sophia thotë, se „në Gjermani nuk mund të jetosh kaq mirë.” Më parë ka pasur diskutime për të shkuar në një vend arab, që fëmijët të mësonin arabishten dhe studionin kuranin. Por për shkak të fëmijëve, kjo nuk është më temë. „Vajza ime e kuptoi, se për të ka shumë rëndësi që fëmijët të kenë një arsimim të mirë. Dhe që në vendet arabe nuk është aq e lehtë, aspak e lehtë sidomos për një femër.”

Tani Monika Müller nuk ka frikë, që Zyra Federale e Mbrojtjes Kushtetuese do të qëndrojë para dere për shkak të planeve të vajzës për të shkuar në Siri. Por dhëndri i saj shqiptar, këtë mjekja e paramendon, vëzhgohet ende nga autoritetet gjermane. Vitin e kaluar, banesa e tyre u kontrollua, kur familja nuk ishte në shtëpi. (dw)

Eurobond me afat 7-vjeçar, Shqipëria merr 500 milionë euro hua. Ahmetaj: Nuk ka rritje të borxhit publik

ahmetaj-Shqipëria emetoi sot për herë të parë një eurobond me afat 7-vjeçar në tregjet ndërkombëtare, përmes të cilit qeveria mori 500 milionë euro hua.

Ankandi, i konsideruar si një test i rëndësishëm për kredibilitetin e ekonomisë shqiptare, ka përfunduar.

Në një lidhje telefonike nga Parisi, Ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se me këtë eurobond bëhet i mundur “zëvendësimi i një borxhi të mëparshëm më të shtrenjtë, me një instrument më të lirë dhe më afatgjatë”.

“Tregjet testuan ekonominë shqiptare dhe reformat. Reformat e guximshme dhe të domosdoshme janë duke na shpërblyer. Shqipëria bëhet një vend normal, ku mund të investohet pa frikë dhe në periudhë afatgjatë”, theksoi Ahmetaj.

Më tej, ministri këmbënguli se kjo hua “është instrument rifinancimi” dhe nuk do të ketë rritje të borxhit publik.

Top Channel

Telekom Albania në shitje, pranë blerjes nga kompania serbe

telekomInvestitorët gjermanë lënë kompaninë e dytë më të madhe telefonike në vend. Ekonomistët e shohin transaksionin si përkeqësim i klimës për biznesin evropian

Neritan Gjergo

Në fund të vitit 2017, kompania e telekomunikacionit Plus njoftoi falimentin, duke e lënë në këtë mënyrë tregun me 3 operatorët më jetëgjatë, Vodafone, Telekom dhe Albtelecom. Por pa kaluar një vit, operatori i dytë, ‘Telekom Albania’ deklaron se është në vështirësi financiare dhe kërkon blerës për asetet e veta. Madje, kërkesa është bërë prej disa muajsh, dhe kompania sot është në procesin e “Due Diligence” (analizë gjithëpërfshirëse e shoqërisë ) dhe brenda tetorit stafit do t’i komunikohet blerësi i ri. Në garë për blerjen janë Telekom Serbia dhe dy kompani bullgare (Vivacom, dhe Globul Telenor), ndërsa propozim për blerjen e aksioneve ka bërë edhe manjati grek Vardi Vardinogiannis, pronar i firmave Motor Oil Hellas dhe Vegas Oil and Gas. Sipas ofertave të dorëzuara në kompani, del se më e larta dhe më e favorshmja është e ajo që vjen nga kompania simotër e Serbisë. Por si gjykohet nga ekspertët e ekonomisë largimi i shpejtë i pronarëve gjermanë? A është kjo një procedurë e rëndomtë apo klima e investimit në  Shqipëri për investitorë që vijnë nga BE është e egër? Zef Preçi thotë për “Shekulli”-n, se tërheqja e investitorët e BE-së po shohin një klimë dëshpëruese, të lodhshme, teksa në vend shtohen investimet me kapital nga lindja apo Ballkani. Shtimi i pranisë së kapitalit kinez, shtimi i pranisë së kapitalit turk, shimi i presionit të kapitalit me origjinë ruse, apo vende të tjera të kësaj natyre në thelb është dëshmi e lodhjes që kompani serioze të vendeve të BE kanë me klimën e biznesit në Shqipëri. Me përmirësimin e ngadalshëm, apo edhe përkeqësimin e kësaj të fundit”. Për ekspertin Preçi,  rasti konkret, por edhe fenomeni në tërësi, penalizon drejtpërdrejt konsumatorin. “Kompania kompensohet për vlerën e tregut që zotëron në atë moment. Por ardhja e kompanisë së re do të thotë se ekonomia do të shfrytëzohet më shumë, përkeqësohen investime në infrastrukturë, pra zgjerimi i planifikuar nuk ndodh më. I penalizuar i vërtetë është konsumtori”,  shprehet Preçi.

Kriza

Prej dy vitesh, operatorët e telefonisë celulare në Shqipëri po rezultojnë me humbje, duke reflektuar modelin e ri ku po orientohet sektori, si rrjedhojë e rënies të të ardhurave nga shërbimet zanore (voice) dhe konkurrencës që po vjen nga teknologjia (përdorimi i internetit po ul ndjeshëm të ardhurat nga interkoneksioni). Rënia e tregut duket se i ka bërë gjigantët e Deutsche Telecom të painteresuar për tregun shqiptar, disa vjet pasi ata hynë në Shqipëri përmes degës së tyre në Greqi, Cosmote. Telecom Albania, që kishte të ardhura prej 9.1 miliardë lekësh në 2017-n, raportoi humbje tepër të larta prej 4.8 miliardë lekësh (mëse gjysma e të ardhurave) në 2017-n, apo rreth 36 milionë euro humbje, pas fitimeve minimale prej 155 milionë lekësh në 2016-n, sipas bilancit zyrtar. Përkeqësimi i rezultatit financiar ka ardhur si rrjedhojë e rënies së të ardhurave me 14%, ndërkohë që kosto e shitjes dhe shërbimeve të ofruara u rrit me 30%, duke bërë që kompania të rezultojë me një humbje bruto (përpara shpenzimeve administrative) prej 815 milionë lekësh, nga 2.9 miliardë lekë që ishin fitimet bruto në 2015-n. Kohët më të arta të Telecom Albania ishin deri në 2008 (në atë kohë e quajtur AMC), me fitime atë vit që rreth 110 milionë euro, teksa norma EBITDA (fitimet para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) arrinte deri në 80%. Pas 2008 fitimet ranë gradualisht për të arritur në 30 mln euro në vitin 2013 dhe 17 mln euro në 2014, për të kaluar më pas me humbje të larta në 2017. Aktualisht, Cosmote Mobile Telecommunications zotëron 99,76% të aksioneve dhe pjesa tjetër është në zotërim të individëve. Mësohet se gjatë procesit të due diligence asetet janë rivlerësuar në ulje dhe vlerësimi i mundshëm i kompanisë luhatet mes 150-200 milionë euro. Kompania greke Cosmote bleu në vitin 2000 Albania Mobile Communication (AMC) të krijuar nga shteti në vitin 1995 për një shumë prej 120 milionë euro. Në vitet e para të aktivitetit normat e fitimit i kalonin mbi 50% teksa deri në vitin 2009 në treg kishte vetëm dy operatorë (AMC dhe Vodafone, që hyri në vitin 2003) që operonin në një treg duopol. Në korrik 2015 AMC prezantoi identitetin e ri të saj, duke u quajtur Telekom Albania, pas bashkimit me rrjetin gjerman të telekomunikacionit, Deutsche Telecom, përmes mëmës së saj në Greqi.

Shumë duar për një kompani

Telekom Serbia është një kompani ku 22% të aksioneve janë në pronësi të shtetit serb, 22% i takojnë qytetarëve të Serbisë dhe 55.8% zotërohen nga Dunav banka, firmë po serbe, që operon në fushën e shërbimeve bankare dhe të sigurimeve. Telekom Albania aktualisht zotërohet nga grupi gjerman Deutche Telekom, i cili arriti kontrollin e aksioneve të Cosmote Mobile Comunnications në Shqipëri në vitin 2015 duke u bërë pronar mazhoritar në grupin grek OTE që kishte pronësinë e operatorit Cosmote. Shitja e parë e aseteve të kompanisë u bë në vitin 2000, kur Cosmote bleu për 120 milionë Euro kompaninë shtetërore AMC. Kjo është hera e parë në Shqipëri që një shoqëri serbe do të pozicionohet në një sektor strategjik, siç është fusha e telekomunikacionit. Tregu i shërbimit të telefonisë celulare aktualisht ndahet dhe me dy operatorë të tjerë, grupi britanik Vodafone dhe ai turk Albtelecom. (shekulli)

Maqedoni: Çfarë ndodh pas referendumit?

ZaevPas rezultatit irritues të referendumit në Maqedoni socilademokratët në pushtet kërkojnë një rrugëdalje nga qorrsokaku. Një rol vendimtar do të luajë në këtë rast opozita nacionalsite.

Në referendumin për ndryshimin e emrit në Maqedoni qeveria nën socialdemokratët me kryeministër Zoran Zaev nuk ia doli të arrijë shumicën e neviojshme të pjesëmarrjes së të paktën 50 përqind të elektoratit. Vetëm 36,87 përqind nga gjithsej 1,8 milionë zgjedhës dolën në votime. Prej tyre shumica dërmuese me 91,48 përqind votoi për marrëveshjen me Greqinë.

Çfarë opcionesh ka tani?

Një mundësi është, që t’i bëhet thirrje ndjenjës së përgjegjësisë të partisë opozitare VMRO-DPMNE dhe deputetëve të saj për integrimin dhe të ardhmen e vendit dhe që ata të binden për ta mbështetur marrëveshjen me Greqinë. Për këtë ata duhet të miratojnë në parlament ndryshimet e parashikuara në kushtetutë. Për këtë janë të nevojshme dy të tretat e votave, ose 80 vota kundrejt 120 deputetëve që ka gjithsej parlamenti në Maqedoni. Koalicioni qeverisës aktualisht ka 71 vota, ndaj janë të nevojshme edhe nëntë vota nga opozita.

A është realiste shumica?

Opozita deri tani ka theksuar me këmbëngulje, se ajo nuk do ta mbështesë ndryshimin e emrit të vendit. Eshtë e parashikueshme, që në këtë drejtim nuk do të ketë ndryshim. Ndaj do të jetë e vështirë të gjenden deputetë “të pabindur” nga opzita, – madje as nga radhët e atrye, që kohët e fundit kanë dalë hapur kundër vendimeve të partisë së tyre, – që të jenë dakord me këto ndryshime. Brenda VMRO-DPMNE-së mbizotëron kultura e kërcënimevendaj atyre që ngrihen kundër e që sipas retorikës së partisë thuhet “të tradhëtojnë partinë dhe vendin”.

Ajo që e vështirëson edhe më shumë situatën është përçarja e thellë e shoqërisë në të ashtuquajtur “patriotë” dhe “tradhëtarë”. Polarizimin e pat nxitur qeveria e mëparshme nën kryetarin e atëhershëm të VMRO-DPMNE-së Nikola Gruevski dhe të njëjtën retorikë ndjek edhe pasardhësi i tij  Mickoski. Në këtë mënyrë deputetët e VMRO-DPMNE, që veprojnë kundër vendimeve të partiosë, bëhen peng i politikës partiake dhe duhet të përballen me “dënimin e popullit”.

Çfarë mundësih të tjera ka?

Në një situatë të tillë kryeministrit socialdemokrat Zoran Zaev i mbetet vetëm një opcion: zgjehdjet e parakohshme parlamentare. Në këtë rast partitë, që  e mbështesin marrëveshjen me Greqinë, duhet të arrijnë një shumicë të dy të tretave në parlament, që të mund të miratojnë pa pengesa ndryshimet kushtetuese.

Cili është plani kohor?

Zaev duhet të marrë shpejt një vendim. Nëse ai nuk ia del deri në fund të kësaj jave të gjejë mbështejen e VMRO-DPMNE-së për ndryshimet kushtetuese, atëherë ai duhet ta marrë vendimin për zgjedhje të parakohshme më së voni deri më 10 tetor. Zgjehdjet do tëduhej tëzhvillohen më së voni më 25 nëntor. Vetëm kështu parlaemnti i ri mund të miratojë në kohën e duhur deri në shkurt ose mars 2019 ndryshiemt kushtetuese.

Si janë shanset për Zaevin?

Qeveria aktuale shpreson, që një numër i madh i votave “pro” në referendumin popullor (605.016 zgjedhës, ose 91,48 përëqind e të gjitha votave të dhëna) janënjë garanci e mjaftueshme që në zgjedhje të fitojë pozicioni për një Maqedoni europiane, dhe jo pozicioni i VMRO-DPMNE-së për izolimin dhe status quo-në në vend. Në këtë kontekst është e rëndësishme, që në asnjë nga zgjedhjet e mëparshme një fitues nuk ka marrë më shumë vota se sa opcioni “po” gjatë referendumit.

Si qendron puna me opcionin për zgjedhjet e reja?

VMRO-DPMNE do t’i shmangë zgjedhjet e reja. Në zgjedhjet e fundit partia humbi për shkak të retorikës së saj nacionaliste, veçanërisht kundër bashkësisë etnike-shqiptare, potenciali i saj për koalicion. Pa deputetët e zgjedhhur shqiptar asnjë parti maqedonase nuk mund të krijojë një qeveri të qendrueshme. N ërastin e zgjedhjeve të reja VMRO-DPMNE mund të pësojë humbje tëmëdha – edhe sepse politika e përçarjes shoqërore është kthyer tani në tiparin e saj. Për shkak të retorikës së saj nacionaliste është e mundur, që partia sërish të margjinalizohet.

Megjithatë funksionarët e aprtisë, që duan të mbeten anonimë, thonë, se VMRO-DPMNE deri në fund do t’i përmbahet kursit të saj. Kësisoj kryeministrit Zaev nuk i mbetet alternativë veçse të shpallë zgjedhje të parakohshme.

Çfarë mund të bëjë Athina në këtë situatë?

Ndërsa Zaev teorikisht ka dy opcione – ose marrëveshje me opozitën ose zgjedhje të reja – Greqisë nuk i mbetet tjetër, veçse të presë zhvillimet e mëtejshme në Maqedoni. Greqia do ta ratifikojë marrëveshjen, pasi Maqedonia të ketë bërë ndryhsiemt e nevojshme kushtetuese. Në rast se kjo nuk ndodh, atëherë marrëveshja bëhet e pavlefshme dhe si rrjedhojë me shumë gjasë do të ketë një prapaktheu edhe me sinjalizimin e dhënë për antarësimin e Maqedonsië në NATO dhe bisedimet e antarësimit në BE. (dw/Katerina Blazevska )

Presidenti serb diskuton me presidentin rus për Kosovën

Vucic Putin 2Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha sot në Moskë se zgjidhja e çështjes së Kosovës është ende e largët, ndërsa i premtoi presidentit rus, Vladimir Putin se vendi i tij do të ruajë paanshmërinë ushtarake.

Ai i bëri këto komente gjatë takimit me presidentin rus, i dyti gjatë këtij viti, të cilin e falënderoi për siç tha, qëndrimin e vendosur në mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare dhe të interesave të rëndësishme shtetërore dhe kombëtare të Serbisë.

“Pavarësisht nga përpjekjet tona për të arritur kompromis dhe për të ndihmuar qëndrueshmërinë ndërkombëtare, jemi ende shumë larg nga çdo zgjidhje për problemin e Kosovës”, tha presidenti serb.

Serbia një aleate tradicionale e Rusisë, synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë dhe perëndimit dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

“Serbia, si shtet i pavarur dhe i lirë do të ruajë neutralitetin ushtarak dhe mendoj se sot Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që i përmbahet kësaj politike”, i tha ai presidentit rus, që nuk i sheh me sy të mirë proceset integruese të vendeve të Ballkanit, posaçërisht zgjerimin e NATO-s, ndërhyrja e së cilës në vitin 1999, u dha fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.

Një pjesë e madhe e serbëve vlerësojnë qëndrimin kundërshtues të Moskës ndaj pavarësisë së Kosovës, që u shpall dhjetë vjet më parë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

Presidenti serb ditë më parë e kishte shpallur të humbur politikën e tij të vënies së kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, që nënkuptonte ndarjen e Kosovës.

Pas takimit me presidentin rus, ai u tha medieve serbe që po e ndjekin vizitën e tij në Moskë se nuk ka çfarë të flasë për një plan të tillë, që sipas tij. e kanë hedhur poshtë edhe Bashkimi Evropian edhe shqiptarët edhe serbët.

Gjatë verës, ai dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që mund të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve.

Presidenti Thaçi, po vazhdon të përsërisë idenë e tij për “korrigjimin e kufirit”, që nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.

Ai tha të martën gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Zvicër, se ka një mundësi shume të vogël për një marrëveshje historike me Serbinë dhe nëse nuk shfrytëzohet, do të ketë një dekadë tjetër të konfliktit të ngrirë dhe status quos.

Ideja e tij nuk është përkrahur në Kosovë, ku edhe është protestuar kundër saj.

Idetë për prekje kufijsh kanë nxitur edhe reagime të ndara në skenën ndërkombëtare ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje ndërmjet palëve dhe atyre që pohojnë se kjo do të kishte pasoja të rënda për rajonin e Ballkanit perëndimorë që ende nuk është ripërtërirë nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar. voa

Vuçiqi në Moskë kërkon mbështetje për Kosovën

Vucic PutinPresidenti i Serbisë Vuçiq është takuar në Moskë me preseidentin rus Putin. Një prej temave kryesore – Kosova. Analistët serbë flasin për vizitën e fundit të Thaçit në Ujman.

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin e ka mbështetur politikën e Serbisë për Kosovën, me fjalët se për Moskën është e pranueshme vetëm një marrëveshje me të cilën dakordohed edhe Beogradi. Putin dhe Vuçiq kanë biseduar edhe për raportet mes Rusisë dhe Serbisë, forcimin e marrëdhënieve tregtare dhe investimet ruse në Serbi. Sa i përket rajonit, Putin tha se këtu ka shumë tema të cilat duhet të trajtohen. Ndërsa Vuçiq në prag të takimit kokë më kokë tha, se “situata në Ballkanin Perëndimor është e komplikuar” dhe se Serbia “po u nënshtrohet provokimeve, ndonëse ajo do paqe dhe stabilitet”. “Zgjidhja e çështjes së Kosovës është ende tepër larg”, theksoi presidenti i Serbisë, duke shtuar se vendi i tij është i vetmi i pavarur në rajon dhe si i tillë dëshiron të mbetet.

Gjendja në Kosovë dhe vizita e Thaçit në Ujman

Një prej temave kryesore të takimit, siç thonë analistët në Beograd, do të jetë gjendja e krijuar javët dhe muajt e fundit në Kosovë, e në veçanti pas vizitës së presidentit Thaçi në Ujman, që nga Beogradi është quajtur provokim i hapur. Kjo ka ndikuar që Beogradi të rrisë nivelin e gatishmërisë së ushtrisë serbe në nivelin më të lartë.

Presidenti i Serbisë Vuçiq ka deklaruar se Perëndimi nuk ka reaguar si duket pas kësaj vizite të Thaçit në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Ndërkohë që KFOR-i ka kumtuar se ata nuk kanë njohuri për shkuarjen në veri të njësisë speciale Rosu. Vet Thaçi u shpreh se në veri ka qenë për të pirë kafe dhe se për shkuarjen atje “nuk ka kërkuar dhe nuk do të kërkojë leje prej askujt”.

Analistët në Serbi e kanë quajtur njësinë Rosu “terroriste”, ndërsa disa media bulevardeske thonë se “Shiptari (fjalë ofenduese për shqitparët) janë futur në Gazivodë dhe pas pak kanë ikur. Presidentin Thaçi e kanë quajtur „Mjeran, që iku si era nga Gazivoda (Ujmani)!”.

Shetitja e Thaçit

Politologu Boban Stojanoviq thotë për DW, se Thaçi e ka bërë këtë “provokim” për dy arsye: Në radhë të parë për shkak të pozitës së tij politike në Kosovë, sepse ka dallime të mëdha për drejtimin e dialogut në Bruskel. E në kohën kur Thaçi vizitonte Ujmanin në Prishtinë protestonin me mijëra njerëz kundër tij.

Stojanoviq thotë, se arsyeja e dytë ishte përgjigja e Thaçit ndaj Vuçiqit, i cili së fundi e ka vizituar Ujmanin. “Thaçi ka dashur të tregojë se edhe ai mund të vizitojë veriun e Kosovës dhe Gazivodën. Ai ka dashur të tregojë, se policia e Kosovës mund të ushtrojë sovranitetin në tërë Kosovën.”

Kryetari i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën, Milovan Drecun tha se vizita ishte një provokim i panevojshëm, duke shtuar se ky provokim duhet harruar sa më parë, sepse në të ardhmen do të ketë edhe provokime të tjera. Por analistët në Beograd janë të një mendje, se Thaçi nuk do ta vizitonte Ujanin, sikur ta dinte se Vuçiqi do të përgjigjej me dërgimin atje të ndonjë force ushtarake apo policore.

„Thaçi e ka ditur se Serbia nuk guxon të reagojë, po ai nuk ka dashur të provokojë tensione dhe trazimin e paqes. Mendoj se Thaçi e ka ditur se nuk guxon të ketë ndonjë provokim me armë”, pohon Stojanoviq.

Serbët e zemëruar me Perëndimin

Sjellja e KFOR-it në është vlerësuar në Beograd si e papranueshme. Marko Gjuriq, shefi i Zyrës së qeverisë serbe për Kosovën tha, se “Brukseli duhet të presë edhe një kohë të gjatë deri në vizitën e ardhshme të presidentit Vuçiq”. Ndërsa vet Vuçiq tha se “një lloj dialogu duhet të vazhdojë”, por nuk tha se në ç’formë do të vazhdojë ai.

Analistët në Beograd thonë se presidenti Vuçiq ka dërguar disa herë kohët e fundit mesazhe për pakënaqësinë e tij me Perëndimin. Ata mendojnë se Vuçiq do të vazhdojë me zemërimet e tij, sepse shumë perënndimorë nuk i janë përgjigur fare thirrjeve të tij telefonike. Ndaj ka vendosur që këtë çështje ta shtjellojë edhe me Rusinë dhe Putinin.

Por Stojanoviq mendon se Vuçiqi tani po përpiqet të ndërrojë strategjinë ndaj Kosovës. Së pari ka menduar të shpallë ndonjë referendum për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Por tani kur duket se kjo strategji nuk do të kalojë, është e mundur që ai të mbajë zgjedhje të reja, në të cilat do të garonte me strategjinë e re për Kosovën, e cila nënkupton edhe përkufizimin me shqiptarët. (dw / Ivica Petrovic)

Maqedoni, kërkohet konsensus për ndryshime kushtetuese

ReferendumiNë Maqedoni, pas referendumit të pasuksesshëm priten përpjekje për një konsensus për ndryshime kushtetuese për ta miratuar emrin e ri të vendit në bazë të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë. Por, opozita maqedonase aktualisht nuk ka treguar shenja se do të përkrahte ndryshimin e kushtetutës. Ndërkaq, analisti Albert Musliu numrin e madh të votave pro ndryshimit të emrit në referednum, e shikon si një mbështetje për partitë në pushtet në rast të zgjedhjeve të parakohshme.

Çështja e ndryshimeve kushtetuese lidhur me ndryshimin e emrit të vendit ka një afat prej dhjetë ditësh për t’u hapur, sipas dispozitave ligjore, por partitë e shumicës parlamentare nuk e kanë shumicën e kualifikuar prej dy të tretave të ligjvënësve të nevojshme për këto procese. Kjo e detyron pushtetin në Maqedoni të bisedojë me opozitën për ta bindur atë që të përfshihet në bërjen e këtyre ndryshimeve por kjo vështirë mund të ndodh, duke pasur parasysh qëndrimet e opozitës ndaj marrëveshjes së Prespës për emrin e ri të Maqedonisë.

Dhe nëse nuk arrihet një konsensus i brendshëm politik për ndryshimin e emrit përmes kushtetutës, atëherë alternativa e vetme mbeten zgjedhjet e parakohësme, sipas analistëve dhe këtë e ka pohuar edhe vetë kryeministri Zoran Zaev.

Analisti Albert Musliu thotë se asnjëherë në Maqedoni dikush nuk ka mundur të arrijë kaq shumë vota sa këto që ishin pro ndryshimit të emrit, 610 mijë gjithsej dhe kjo, thotë ai, i jep një motiv shtesë pushtetit për vazhdimin e procedurës por dhe për një fitore të thellë në rast të zgedhjeve të parakohëshme në fund të nëntorit.

Besoj që sipas këtyre numrave, nëse koncentrohen në një vend sigurisht do të ketë edhe më shumë se dy të tretat e vendeve në parlamentin e ardhshëm. Kjo realisht e vendosë në një situatë shumë të pavolitshme opozitën, e cila gjatë gjithë procesit ishte e papërcaktuar. Madje imazhin e fitores për dështimin teknik të referendumit tash duhet ta ndajnë me një grup që u deklarua që në fillim se është për bojkotimin e referendumit”, thotë analisti Musliu.

Zoti Musliu shkaqet e daljes së ulët në votime i shikon në disa rrafshe, si regjistri i papastruar i votuesve, në radhë të parë:

Në listën zgjedhore është edhe mërgata… Ne e dimë se Maqedonia ka një numër shumë më të vogël banorësh. Edhe Banka Botërore thotë se në dhjetë vitet e kaluara 500 mijë qytetarë të Maqedonisë janë larguar nga këtu; kështu që realisht Maqedonia nuk ka mbi 1.5 – 1.6 milionë banorë, dhe qytetarë aktivë do të jenë shumë më pak se sa janë të regjistruar në regjistrin e votuesve”, thotë ai.

Analisti, ndërkohë nuk e përjashton mundësinë e vazhdimit të përpjekjeve ruse për shtrirjen e ndikimit në Maqedoni.

Albert Musliu, i cili drejton organizatën për Nisma Demokratike vlerëson se Maqedonia mund të përballet me rreziqe, por jo nga tensionet politike.

Kanosja më serioze mund t’i vijë Maqedonisë nëse dështon procesi i realizimit të marrëveshjes me Greqinë për emrin dhe me këtë nëse dështon edhe perspektiuva euro-atlantike e Maqedonisë”, vlerëson zoti Musliu.

Nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar edhe pas mossuksesit të referendumit ka dërguar mesazhe në mbështetje të Maqedonisë dhe pupullit të saj në rrugën drejtë integrimeve euro-atlantike dhe kjo shikohet si shenjë e mirë se vendi i vogël ballkanik nuk do të izolohet. (voa)

Qeveria gjermane bie dakord për ligje të reja për imigrimin

pune gjermaniKoalicioni qeveritar në Gjermani ka formuluar ligje të reja për imigrimin, që u japin prioritet arsimit, moshës dhe sigurisë financiare të kandidatit. Ligjet bazohen në modelin kanadez.

Qeveria e koalicionit në Gjermani bëri të ditur në orët e para të së martës (02.10)  se ka rënë dakord për ligje të reja për imigrimin, pas shumë muaj debatesh për politikën e migrimit. Ligjet e reja frymëzohen nga modeli i ligjeve të Kanadasë dhe do ta bëjnë të vështirë për më të varfërit dhe të paarsimuarit që të imigrojnë në Gjermani, shkruhet në projekt.

Marrëveshja “mban parasysh parimin e ndarjes së azilit nga migrimi për punë” dhe garanton që ata që kanë të drejtë ligjore për të aplikuar për azil në Gjermani do të mund ta bëjnë këtë edhe në të ardhmen.

Korniza e ligjit të propozuar parashikon megjithatë që shtetas nga vende jo anëtare të BE, pa arsim të lartë ose pa një ofertë konkrete për punë, nuk do të jenë në gjendje të jetojnë në Gjermani:”Ne nuk duam imigrim nga shtetas të pakualifikuar nga vende të treta”, shkruhet në marrëveshje.

Ashtu si në modelin e Kanadasë, imigrantët e ardhshëm do të renditen në bazë të nivelit të arsimit, të moshës, të aftësive të gjuhës, ofertave për punë dhe sigurisë financiare.

Fuqi punëtore e kualifikuar jo vetëm nga BE

Në thelb bëhet fjalë që Gjermania të bëhet tërheqëse për fuqi punëtore të kualifikuar jashtë BE. Për këtë planifikohet për herë të parë të miratohen ligje imigrimi.

Partnerët e koalicionit qeveritar të përbërë nga CDU/CSU dhe SPD formuluan lehtësime në punësim për fuqi punëtore të kualifikuar, që kanë një arsim profesional. Ata do të mund të vijnë më lehtë në Gjermani. Për fuqinë punëtore me shkollë të lartë, pengesat janë zbutur që tani.

Veç kësaj nuk do të ketë kufizime për profesione të caktuara. Si bazë do të shërbejë vetëm një kontratë e nënshkruar pune. Për punonjësit e kualifikuar që nevojiten në teknologjinë e informacionit (IT) parakushtet do të jenë edhe më të ulëta.

Në bashkëpunim me ekonominë si dhe me institucionet e shëndetësisë dhe të përkujdesjes do të hartohet një strategji rekrutimi për punonjës të kualifikuar në vende të caktuara.

ad/fab/bri (dpa, rtr)

Çmimi Nobel në fizikë për zbulimet në fushën lazer

nobelistet fizikeÇmimi Nobel në fizikë i akordohet tre fizikantëve për zbulime në fushën e fizikës lazer. Ata janë Arthur Ashkin (SHBA) si dhe Gérard Mourou (Francë) dhe Donna Strickland (Kanada).

DonaDonna Strickland

Donna Strickland, profesore në Universitetin Waterloo në Ontario, është e treta grua fizikante që vlerësohet me Çmimin Nobel. Ajo u vlerësua bashkë me profesorin e saj, i cili e ka ndjekur në mbrojtjen e doktoraturës  Gérard Mourou për zhvillimin e “Chirped Pulse Amplification” (CPA).

Të dy fizikantët e ndajnë çmimin prestigjoz me Arthur Ashkin, i cili ka kryer punë të rëndësishme kërkimore duke zhvilluar “pincetën optike”. Këtë e komunikoi Akademia Mbretërore suedeze e Shkencave të martën (02.10) në Stokholm.

Hulumtimet e tre nobelistëve në fizikë kanë mundësuar zhvillimin e mjeteve të ndryshme lazer, që përdoren sot në shumë fusha: në mjekësi për regjistrimin optik ose edhe në përpunimin e materialeve.

MorouGerard Mourou

Babai i pincetës optike

Arthur Ashkin, që hulumton në Bell Laboratories si dhe në Lucent Technologies, konsdierohet si shpikësi i pincetës optike. Kjo është një aparaturë, e cila me ndihmën e rrezeve lazer mund të kapë ose të lëvizë objekte mikroskopike – si qeliza, molekula e madje edhe atome.

Pinceta bazohet në parimin e forcës që drita ushtron ndaj objekteve mikroskopike. Këto objekte lëvizin si rrjedhojë në fokusin e rrezes lazër.

Përmes gjatësisë së ndryshme të valëve funksioni i pincetës optike mund të precizohet. Shkencëtarët munden që me një rreze lazer të kapin një objekt, një qelizë dhe me një rreze tjetër lazer me gjatësi të ndryshme vale të kryejnë një prerje.

AshkinArthur Ashkin

Operacione të syve e shumë më tepër

Strickland dhe Mourou me CPA kanë zhvilluar një vegël të shumëanshme, që është sot e pandshme në përdorim si në kërkim, ashtu edhe në mjekësi, në prodhim dhe në industri. Metoda e tyre e ashtuquajtura  “chirping” që prodhon pulset lazer është bazë për zhvillimin e pulseve ultra të shkurtra lazer (UKP).

Të dy fizikantët kanë zhvilluar një metodë, për shtrirjen në hapësirë të pulsit lazer dhe më pas përforcimin e tij. Me këtë metodë krijohen pulse shumë të shkurtra por me shumë energji. Këto pulse ndonëse përmbajnë shumë energji dhe janë të pakapshme, ato nuk shkaktojnë shkatërrimin e objkektit nën fokusin lazer. Kësisoj në fokusin lazer ato janë mjete jashtëzakonisht precize – si në trajtimin e sëmundjeve të syrit apo edhe në përpunimin e materialeve. (dw)

Jepet Çmimi Nobel në Fizikë

nobel fizikAkademia Mbretërore Suedeze e Shkencave ka njoftuar fituesit e Çmimit Nobel në Fizikë për vitin 2018. Fituesit, u nderuan për punën e tyre në fushën e rrezeve lazer.

“Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencace ka vendosur që çmimin e sivjetshëm Nobel për fizikën ta ndajë mes Arthur Ashkin, për instrumentin optik të përdorimit të rezeve lazer në sistemet biologjike. Gjysma tjetër e çmimit shkon për Gerard Mourou dhe Donna Strickland për metodën e gjenerimit të impulseve tejet të shkurtëra optike me intensitet të lartë ”, tha anëtari o fondacionit Nobel, profesor Goran K. Hanson.

Arthur Ashkin u zgjodh për shpikjen e të ashtuquajtutrës ‘piskatore optike’ që përdor rrezatimin e dritës për të krijuar një forcë që mund për të lëvizë fizikisht objektet. Dyshja Mourou dhe Strickland u nderua për një metodë të re që krijon pulse tejet të shkurta optike me intensitet të lartë, teknikë që përdoret në operacionet për korrigjimin e shikimit.

Të mërkurën do të njoftohet Çmimi Nobel për kimi dhe të premten ai për paqen. Çmimi për shkencën ekonomike do të njoftohet të hënën. Çmimi për letërsinë nuk do të ndahet këtë vit për shkak të një skandali seksual në Akademinë Suedeze. Çmimi Nobel shoqërohet me një shpërblim prej 1.1 milion dollarë. (voa)