Gjermani: Numri i të huajve bie në tërësi, por rritet ai i ballkanasve

shamijaNë vitin 2017 ka rënë numri i përgjithshëm i migrantëve që kanë ardhur në Gjermani, megjithatë Gjermania mbetet një vend atraktiv, sidomos për qytetarët e BE-së. Shënon sërish rritje numri i të ardhurve nga Ballkani.

Imigrimi në Gjermani shënon rënie në përgjithësi. Në vitin 2017 kanë ardhur 416.000 njerëz më shumë në Gjermani se sa janë larguar. Sipas Zyrës Federale të Statistikave në Visbaden, ardhjes së 1,551 milionë vetëve i qëndron përballë një shifër tjetër, largimi i 1,135 milionë njerëzve. Në vitin 2016 imigrimi në Gjermani shënonte shifra më të larta, 500.000 vetë më shumë erdhën krahasuar me ata që u larguan. 90% e atyre që kanë ardhur në Gjermani janë të huaj, pjesa tjetër janë gjermanë, ku bëjnë pjesë edhe gjermanët e ardhur nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Ndër të huajt e ardhur në Gjermani numrin më të madh e përbëjnë qytetarët që vijnë prej vendeve të Bashkimit Europian. 239.000 gjithsej. Më së shumti Gjermaninë e synojnë qytetarët rumunë (73.000), ata polakë (34.000), kroatë (33.000) dhe bullgarë (30.000) vetë.

Nga Ballkani erdhën në 2017 më shumë vetë

Në vitin 2017, ndryshe nga viti 2016, ka pasur një rritje të numrit të ardhurve nga vendet e Ballkanit. Nga Kosova kanë ardhur gjithsej 8000 vetë vitin e kaluar, ndërsa nga Shqipëria nëse viti 2016 shënoi një rënie me 26.000 vetë të shqiptarëve, në 2017-n ky numër u rrit me 1000 vetë. Nga Serbia erdhën 6000 vetë, po kaq edhe nga Maqedonia.

Nga vendet aziatike kanë ardhur 140.000 vetë, nga vendet europiane jashtë BE-së kanë ardhur 60.000 vetë gjithsej, ndërsa nga Afrika 35.000 imigrantë. Ndërkohë ka rënë ndjeshëm numri i të ardhurve nga Siria, Afganistani dhe Irani.

la/(epd, dpa)

Tenori Saimir Pirgu flet për rrugëtimin e tij operistik

Saimir PirguTenori shqiptar Saimir Pirgu ka bërë emër me interpretimet e tij në operat kryesore të botës. Ai thotë se për të është e rëndësishme të ruajë nivelin artistik, si dhe ta pasurojë repertorin e krijuar në vite. Saimir Pirgu ishte këto ditë në studiot e Zërit të Amerikës në Uashington. Me të bisedoi kolegia Laura Konda:

Tenori i njohur shqiptar Saimir Pirgu ka një dekadë e gjysëm që e ka nisur rrugëtimin e tij në artin operistik. Falë aftësive të veçanta vokale, sot ai ka një repertor mjaft të larmishëm: ka interpretuar në rolet kryesore të shumë operave. …Por ai thotë se dëshiron ta pasurojë më tej repertorin.

​“…Tani unë jam bërë më shumë se një dekadë e gjysëm që po këndoj; këndoj role të repertorit lirik, si Alfredo, Lucia, Boheme, dhe avash avash këto vite kam menduar që ta ndryshoj pak repertorin, duke u fokusuar më tepër tek ai francez, si dhe tek repertori serioz italian, si: Ballo di Maschera, Hoffman, Boheme mbeten ndër rolet më të preferuara dhe mendoj t’i mbaj për disa kohë. Por janë edhe rolet e mija në operat Karmen, apo Faust, që po bëhen pjesë e repertorit tim nga dita në ditë.”

Saimiri ka interpretuar në operat më prestigjioze të Europës, Amerikës e Azisë.

Laura Konda: Siç thatë dhe ju, keni arritur një lloj pjekurie në interpretimin e operave. A jua shton kjo përgjegjësinë për të ardhmen?

Saimir Pirgu: Të them të vërtetën, po, sepse unë nuk jam krijues; duke mos qenë krijues, nuk prodhoj absolutisht asgjë të re. E reja është gjithmonë nga një rol tek tjetri dhe shpeshsherë përgjegjësia e rolit nuk varet tek unë, por nga regjisori, apo nga dirigjenti; edhe suksesi i shfaqjes është një bashkëpunim i tërë trupës ku luaj unë, mund të ndodhem në Itali, në Washington, apo kudoqoftë… Por që kjo gjë shton edhe përgjegjësinë që të jem mes njerëzve të rinj; ti je ai personi që këndon prej vitesh dhe duhet gjithmonë që ta mbash veten në atë nivel, që si publiku, kolegët, por edhe ata që më ftojnë, kanë gjithmonë një pritshmëri… Kështu që kjo nuk është diçka e lehtë…

Laura Konda: Pra, duhet të punoni fort për ta ruatjur këtë nivel që keni?

Saimir Pirgu: Duket shumë e thjeshtë, sikur nuk ke bërë gjë, vetëm ke qenë atje, por në të vërtetë, prapa këtyre udhëtimeve dhe shfaqjeve ku unë jam, ka një punë, mund të them, si ajo e një mjeshtri që merret me orat Rolex, dmth deri në imtësitë më të vogla.

Për një artist të nivelit botëror si Saimiri, që është vazhdimisht në udhëtim për të dhënë koncerte, mund të thuhet se shtëpia e tij është skena, qoftë ajo në Evropë, Amerikë, apo Azi. Megjithatë, Saimiri thotë se kur interpreton para publikut shqiptar, ai provon emocione të veçanta. Kjo ndjenjë e bën atë të rikthehet me kënaqësi për të interpretuar në Shqipëri.

“Me kënaqësi të madhe, sa herë që kam ftesën nga Shqipëria. Kur të ftojnë në atdheun tënd, janë edhe përgatitjet mendore, edhe ato të zemrës… zemra fillon të rrahë fort kur është fjala për Shqipërinë, sepse sido që të jetë, është vendi yt, publiku jot, që nuk ka për të të refuzuar kurrë. E kam pak të vështirë të kthehem shumë shpesh dhe për fat të keq, kam anuluar disa koncerte vitin që shkoi, për arsye shëndetësore; isha i sëmurë në Japoni, dhe nuk arrita dot të shkoj, kështuqë i jam borxhli publikur shqiptar, të paktën me disa shfaqje; por me siguri, me shumë kënaqësi, unë kthehem në Shqipëri sa herë që marr një ftesë.”

Laura Konda: Shqipëria është një vend me probleme të skajshme politike, a mendoni që opera mund të luajë një rol në zbutjen e kësaj situate?

Saimir Pirgu: Shumë pozitiv, sepse njerëzi e mbajnë veten të fiksuar me jetën e përditshme, sidomos atë politike. Nuk ka nevojë që populli të dijë kaq shumë për politikën. Mendoj se nuk ka nevojë që një popull të jetë kaq prezent në jetën politike, ashtu sikurse edhe politika nuk ka aq shumë nevojë ta mbajë interesin e vet në këtë aspekt. Do t’i bënte shumë mirë më tepër arti jetës shoqërore shqiptare…

Saimiri sapo është kthyer nga Bangkoku, ku ka interpretuar për herë të parë rolin e Don Zhozes në operan Karmen; më pas ai interpretoi në teatrin Champs Elysee në Paris, ku është kthyer sërish me operan Traviata, me një produksion të ri. Vitin e ri ai do ta fillojë me operan e Giuseppe Verdit “Un ballo di maschera” “Një ballo me maska”, në “Teatro Regio di Parma”.

Saimir Pirgu: Në SHBA vij në muajin shkurt, në Chicago Symphony dhe në sezonin tjetër 2020-21, në Metropolitan Opera të Los Anxhelosit…

…Dhe kështu, tenori Saimir Pirgu vijon udhëtimin e tij nga njëri kontinent në tjetrin, duke interpretuar në skenat e operave më të njohura të botës. Për Ditarin, Laura Konda, Washington.

Parashikimi i Hawking: Në të ardhmen, supernjerëz gjenetikisht të modifikuar

Stephen HawkingNë të ardhmen, qeniet njerëzore do të dominohen nga një racë supernjerëzish gjenetikisht të modifikuar, që përmirësohen vet, pa pritur kursin e natyrës.

Ky është një nga parashikimet e bëra nga shkencëtari britanik, Stephen Hawking, i cili u nda nga jeta 14 marsin e kaluar në moshën 76-vjeçare, e që vjen tani në librin “Përgjigjet e mia për pyetjet e mëdha”, që do të dalë në shitje nga dita e martë, bashkë me paralajmërimin mbi rreziqet e inteligjencës artificiale, një nga frontet ku ai u angazhua gjatë, dhe refleksioneve për ekzistencën e Zotit.

“Nuk ka kohë për të pritur që evolucioni darvinian të na bëjë më inteligjentë”, shkruan shkencëtari i madh në një nga ekstraktet e librit, që e ka sjellë në avancë britanikja “The Times”.

“Pasi këta supernjerëz të shfaqen, do të ketë probleme politike domethënëse, me qeniet njerëzore të papërmirësuara që nuk do të jenë në gjendje të konkurojnë me ta. Me shumë gjasa do të zhduken, ose do të humbasin rëndësi. Do të ketë në anën tjetër një racë qëniesh, që vetëprojektohen dhe që përmirësojnë vetveten me një shpejtësi në rritje. Nëse raca njerëzore arrin të rikrijohet, me gjasë do të zgjerohet dhe do të kolonizojë planete dhe yje të tjerë”.

Ideja, që për shkencëtarin britanik përfaqëson një mundësi të madhe, është që të mund të përdoren teknikat që lejojnë modifikimin e ADN-së për të rritur memorien, rezistencën ndaj sëmundjeve, jetëgjatësinë dhe për të përmirësuar karakteristikat e tjera.

Por, Hawking nuk harron inteligjencën artificiale. Kjo e fundit, sipas tij, mund të jetë gjëja më e mirë, por në të njëjtën kohë edhe më e keqja që i ka ndodhur njerëzimit. Për sa i takon ekzistencës së Zotit, ai sugjeron: Mund të quani ligjet e shkencës Zot, por nuk është një Zot personal, nuk mund ta takosh dhe as t’i bësh pyetje.

 Top Channel

Do të përmbytet Ballkani me dizelët e vjetër gjermanë?

dizelKu do të shkojnë dizelët e vjetër që në Gjermani nuk po gjejnë më blerës? Pse të mos hidhen sytë nga Ballkani, thonë disa? A do të kthehen vërtet këto vende në vendshkarkim makinash të vjetra?

Mikro qëndron në sheshin e një firme për makinat e përdorura „S-Auto” në Beograd, ai e di çfarë do: Një automjet dizel, me kosto të ulët riparimi dhe që shpenzon pak naftë. Debatin për dizelin në Gjermani ai e ndjek me shumë vëmendje.”E kam dëgjuar këtë dhe kam pritur që të ulen çmimet tek ne, por kjo nuk ka ndodhur deri tani. Kam qenë i duruar, kam ndjekur me vëmendje zhvillimet pas vendimit të gjermanëve, dhe kam pritur që të kemi një fluks makinash këtu. Por nuk shoh që çmimet të kenë rënë.” Që në verën e kaluar mediat serbe njoftaan se do të vijnë nga Gjermania rreth 300.000 automjete.

Por kjo nuk ka ndodhur, kujton Biljana nga firma S-Auto. „Automjetet tona vijnë nga Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda, Zvicra. Ato blihen tek ankandet e caktuara, dhe rreth 20-30% e automjeteve tona vijnë nga tregu gjerman i automjeteve të përdorura. Kryesisht janë makina dizel me motor të vogël, dhe vit prodhimi 2005-2008. Ne i shesim të gjithë automobilët, nga euro 3 deri tek euro 5 e euro 6.”

Euro 3, 4, 5, 6- është norma minimale e lejuar e gazrave ndotës. Në Serbi lejohen automjetet e normës euro 3, por që janë prodhuar nga viti 2000. Milosh Petroviq, presidenti i Shoqatës së Importuesve Serbë të Automjeteve thotë se „katastrofike është – e këtë e them qëllimisht – se automjetet e përdorura në masën 80%  janë më të vjetra se 10 vjet, që në vitin 2017 janë importuar 153.000 automjete të përdorura në vend.

Në vitin 2016 ishin 120.000. Nëse shohim një periudhë prej 5 vitesh, atëherë në Serbi kanë ardhur rreth 600.000 automjete që Europa nuk i do më. Kjo është ajo që na dhemb ne si përfaqësues të produkteve moderne teknologjike – që Serbia – kjo është e shëmtuar, por e përshtatshme është kthyer në varrezë makinash.”

Edhe në Rumani një pjesë e madhe e automjeteve të përdorura vijnë nga Gjermania, shumë më pak nga Italia apo Austria. Në vitin 2017 erdhën 300.000 automjete, 70% dizel. Roxana Dima, zëdhënëse e autoritetit të regjistrimit të automjevete në Bukuresht thotë se „nëse në Gjermani ndalen automjetet e normës Euro 4, kjo do të ketë ndikim në tregun rumun, sepse automjetet që i përgjigjen kësaj norme, përbëjnë një pjesë të madhe të makinave dizel në Rumani.”

Vendet e BE-së si Gjermania që kërkojnë rregulla më të rrepta kontrolli të gazrave duhet të kujdesen që këto makina të largohen nga qarkullimi, me qëllim që të pengohet edhe eksporti i automjeteve të tilla në Europën Juglindore, thotë zëdhënësja Dima.  „Duke pasur parasysh fuqinë e dobët blerëse, tregu rumun i makinave do të përmbytej nga automobilë që nuk i përkasin më standarteve gjermane, por që mbeten në qarkullim. Aq më shumë që në Rumani nuk ka ndonjë tatim të veçantë për automobilët e vjetër ndotës të mjedisit.”

Edhe qeveria bullgare nuk e mbështet idenë që automjetet e vjetra që në BE nuk lejohen më për shkak të mosplotësimit të normave të gazrave ndotës të importohen në Bullgari. Ministri i Mjedisit, Neno Dimov propozon që këto automjete të pajisen me software ndihmues për emetim të pakët të gazrave, e pastaj të vijnë në Bullgari apo vendet fqinje. Rajoni nuk duhet të kthehet në „vendshkarkim për makina të vjetra” nga perëndimi. (dw)

Maqedoni: Lufta për të mbajtur gjallë marrëveshjen për emrin

Parlamenti RMParlamenti i Maqedonisë të hënën (15.10) nisi debatin për votimin e Marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit të vendit, të arritur pas më shumë se dy dekadash negociata të ndërmjetësuara nga OKB-ja.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev përballet me një betejë të vështirë për të siguruar numrin e nevojshëm të votave për të ndryshuar emrin e Maqedonisë në Maqedoninë e Veriut, që do të hapte rrugën e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE. Koalicioni socialdemokrat i mbështetur nga partitë përfaqësuese të shqiptarëve, duhet të sigurojë në parlamentin maqedonas një duzinë më shumë votash që të arrihet shumica e kërkuar prej dy të tretave për të ratifikuar marrëveshjen me Greqinë. Vështirësia qëndron në bërjen për vete të disa deputëteve të krahut të djathtë politik, të partisë VMRO-DPMNE, të cilët i mbeten besnik qëndrimit të tyre për të kundërshtuar ndryshimin e emrit. Ata e bojkotuan referendumin e zhvilluar më 30 Shtator.

Zgjedhjet e parakohshme nuk përjashtohen

Debati parlamentar mund të zgjasë deri në 10 ditë. Kryeministri, Zoran Zaev u shpreh, se nëse nuk arrihet numri i nevojshëm i votave, me shumë gjasë ai do të kërkojë zgjedhje të parakohshme. “Neve definitivisht do të na mungojnë votat, kjo nënkupton zgjedhje”, tha një funksionar i lartë i qeverisë për agjencinë e lajmeve, AFP

Konservatorët e VMRO-DPMNE kanë lëshuar sinjale të qarta bllokimi në parlament. Trajko Veljanovski, një deputet i kësaj partie tha se “nuk ka për të pasur një shumicë prej dy të tretave për këtë çështje, as mos e shpresoni.” Ndërsa një tjetër deputet i kësaj partie, Ilija Dimvsko është më i kujdesshëm në deklaratat e tij. “Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë, por VMRO-DPMNE ose shumica e saj janë kundër mbështetjes së marrëveshjes.”

Optimizëm i kujdesshëm

Optimist lidhur me kalimin e marrëveshjes në parlament është shprehur eksperti i Europës Juglindore, Florian Bieber nga Universiteti i Gracit, Austri. “Ende është e mundur që partitë pro-marrëveshjes dhe kandidatët të mund të fitojnë një shumicë prej dy të tretash dhe ta ratifikojnë marrëveshjen” , i tha Prof. Florian Bieber, AFP-së. “Vetëm, nëse kjo dështon, marrëveshja mund të ketë marrë fund ose të paktën do të shtyhet në kohë.”

Presion kohor për kalimin e marrëveshjes, ka edhe për një arsye tjetër. Në Greqi vitin e ardhshëm zhvillohen zgjedhje parlamentare dhe nuk përjashtohet ndryshimi i pushtetit. Partia e krahut të djathtë në Greqi është një kundërshtare e marrëveshjes së emrit me Maqedoninë. Prandaj kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka paralajmëruar nga “një shans që nuk do të përsëritet.”

la/vfb (afp)

Maqedoni, parlameni fillon debatin për ndryshimet kushtetuese

ZaevParlamenti i Maqedonisë filloi seancën për ndryshimet kushtetuese, lidhur me ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë në “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Për këtë qëllim nevojitet një shumicë e kualifikuar prej dy të tretash të numrit të deputetëve në parlament, që partitë qeveritare nuk e kanë.

Duket se partitë e pushtetit dhe ato opozitare janë ende larg afrimit për sa i përket konsensusit për emrin e ri të vendit.

Partitë e shumicës parlamentare, së bashku me partitë shqiptare të opozitës Aleanca për Shqiptarët dhe njëri krah i Lëvizjes Besa, përbëjnë 71 ligjvënës, ndërkohë që për arritjen e 2/3-ave nevojiten edhe 9 deputetë të opozitës.

Kryeministri Zoran Zaev, ofroi një lloj pajtimi në këmbim të votimit të ndryshimeve kushtetuese. “Të falim dhe të pajtohemi”, tha ai. Oferta e tij nënkuptohet si amnisti lidhur me ngjarjet e dhunshme të 27 prillit, 2017 në parlament, ku zoti Zaev ishte ndër më të dëmtuarit bashkë me Ziadin Selën e Aleancës për Shqiptarët.

Në komentet e tyre në parlament, deputetët opozitarë kritikuan mungesën e bashkëpunimit dhe konsultimeve nga ana e pushtetit para nënshkrimit të marrëveshjes së Prespës me Greqinë fqinje lidhur me ndryshimin e emrit të Maqedonisë. (voa)

Parlamenti i Kosovës e “shndërron FSK-në në ushtri” këtë javë

FSKMe tre ligje të veçanta, parlamenti i Kosovës do ta shndërrojë FSK-në në ushtri të Kosovës, por pa ia ndërruar emrin. Serbia e kundërshton shndërrimin e FSK-së në ushtri, duke e cilësuar si kërcënim për rajonin.

Këtë të enjte Parlamenti i Kosovës për herë të parë diskuton dhe pritet  të miratojë tri ligjet e propozuara nga qeveria që do ta shndërrojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës  (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa ia ndërruar emrin. Kjo pako përfshin projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, projektligjin për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Kështu vendosi  kryesia e Kuvendit të Kosovës, një javë pasi një komision i kuvendit pas shqyrtimit të tri ligjeve i procedoi ato për në seancë plenare. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së kryesisë, tha se Ushtria e Kosovës do të formohet brenda këtij viti. Për miratimin e ligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, nevojitet vetëm shumica e thjeshtë, 61 vota nga 120 deputetë sa i ka kuvendi i Kosovës.

Veseli: Dëshiron apo s’dëshiron dikush, këtë vit do të bëhet

“Ne do ta formojmë ushtrinë  e Kosovës në partneritet me SHBA-në dhe NATO-n. Dëshiron apo s’dëshiron dikush, këtë vit do të bëhet. Lista Serbe është kundër por ne do të punojmë. Duhet ta fuqizojmë  atë e ta bëjmë Forca e Armatosur e Kosovës. Ne do të punojmë ta fuqizojmë dhe ta rrisim buxhetin me dhjetëra miliona”, tha Kadri Veseli.

Që Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në ushtri dhe që e ka mbështetjen e SHBA-së, pati folur më herët  pas një vizite në SHBA-së edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Kryeministri tha se “në mesin e lajmeve kryesore, Kosova e ka përkrahjen e Amerikës për Ushtrinë e Kosovës. Kjo është konfirmuar nga sekretari Matis. E kemi bekimin e Amerikës për Ushtrinë”, është shprehur Haradinaj, duke përsëritur se “kjo do t’i kontribuojë paqes në rajon”.

Serbia: Vetëm KFOR në Kosovë

Por, kundër shndërrimit të FSK-së në ushtri të Kosovës, është Serbia dhe deputetët e listës Srpska në kuvendin e Kosovës. Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, pati deklaruar se “në Kosovë mund të ketë vetëm një forcë të armatosur, e ato janë forcat paqeruajtëse të KFOR-it, bazuar në rezolutën 1244 të KS-it. Derisa Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ndryshon vendimin e tij kështu do të jetë, dhe për Serbinë”, citojnë mediet në Serbi, ministrin serb të mbrojtjes.

“Ushtria e Kosovës mund të formohet vetëm me forcë brutale. Krijimi i formacioneve të tilla të paligjshme të armatosura përbën një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin”, thotë ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin.

Në fillim të vitit të shkuar, edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ndërmori një nismë që me ligj ta shndërronte FSK-në në ushtri të Kosovës, mirëpo, ideja e tij hasi në rezistencë të ashpër të faktorit ndërkombëtar. Ata preferojnë që ushtria e Kosovës të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese. Këtë e pati thënë gjatë një vizite në Prishtinë, komandanti Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, James Foggo. “Aleanca e NATO-s dhe Këshilli i Atlantikut Verior ishin këtu para disa muajsh dhe ata e bënë shumë të qartë se për NATO-n, nëse bëhet transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës, duhet të bëhet pas ndryshimeve kushtetuese”, pati thënë gjenerali Fogo.

Mirëpo, që  FSK-së të shndërrohet në ushtri përmes ndryshimeve kushtetuese, duhen dy të tretat e votave të deputetëve të kuvendit dhe po ashtu dy të tretat e deputetëve serbë. Qëndrimi i këtyre të fundit tashmë është bërë i qartë disa herë, “ata nuk i votojnë ndryshimet kushtetuese, që ia mundësojnë FSK-së shndërrimin në ushtri të Kosovës”.  “Formacioni i vetëm ushtarak legal në Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është KFOR-i, i cili në këto hapësira ka ardhur me pajtimin e Republikës së Serbisë”, ka deklaruar shefi i listës Srpska Igor Simiq.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) për momentin është një forcë shumetnike, e uniformuar dhe e pajisur me armatim të lehtë, me mision intervenim në raste të katastrofave natyrore. Kjo trupë është themeluar në vitin 2009, sipas Planit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, të presidentit Marti Ahtisaari. Forca e Sigurisë së Kosovës, numëron më shumë se 2000 pjesëtarë. 200 për tyre i përkasin komuniteteve pakicë, gjysma e të cilëve janë nga komuniteti serb. (dw)

Inteligjenca Artificiale dhe luftimi i urisë globale

bimetNjë botë pa uri deri më 2030 është tema e Ditës Botërore të Ushqimit këtë vit dhe synimi i Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë. Të martën më 16 tetor do të mbahen aktivitete të ndryshme në mbarë botën që do të promovojnë luftën kundër urisë dhe nevojën për të siguruar ushqim për ata që vuajnë nga uria. Ndërkohë që ka patur përmirësime në luftën kundër urisë, Indeksi i Urisë Globale në rapotin për vitin 2017 tregoi se miliona njerëz ende vuajnë nga uria kronike dhe shumë vende kanë kriza akute të ushqimit. Përparimet në teknologji dhe inteligjencën artificiale mund të ndihmojnë në ushqyerjen e botës, por ka sfida që pengojnë depërtimin e teknologjisë tek vendet në zhvillim.

Uria prek një në nëntë njerëz në botë, dhe ky numër po rritet. Varfëria nuk është arsyeja e vetme për këtë.

“Po shohim një rritje gjithnjë e më të madhe të urisë së shkaktuar nga zhvendosja e njerëzve nga konfliktet dhe fatkeqësitë natyrore.”

Organizatat humanitare po i kthehen teknologjive të reja si Intelligenca Artificiale për të luftuar pasigurinë globale të ushqimit.

“Ajo që Inteligjenca Artificiale na ofron tani është aftësia për të rritur kapacitetet njerëzore. Pra, nuk bëhet fjalë për zëvendësimin njerëzve dhe gjërave, por për një prodhim dhe efektshmëri më të mirë se ajo që mund të arrihet vetëm me kapacitetin njerëzor.”

Inteligjenca artificiale mund të analizojë sasi të mëdha të të dhënave për të ndihmuar fermerët në vendet në zhvillim dhe zonat e prekura nga konfliktet dhe fatkeqësitë natyrore. Të dhënat pastaj mund t’u dërgohen fermerëve përmes telefonave inteligjentë.

“Të dhënat e posaçme dhe ato të hartave të tokës mund të analizohen nga Inteligjenca Artificiale, dhe pastaj informacioni mund t’u dërgohet të tjerve. Pra, me pak fjalë, fermerët mund të ndihmohen mbi atë se kur duhet të mbjellin kulturat e tyre bujqësore, çfarë duhet të mbjellin dhe si duhet t’i mbjellin ato”, thotë Uyi Stewart nga Fondacioni Bill dhe Melinda Gates.

“Kombinimi i teknologjive si Inteligjenca Artificiale, robotika dhe sensorët, ndihmon fermat të rrisin rendimentet e të mbjellave”, thotë Zenia Tata nga Fondacioni Xprize.

Por bota në zhvillim shpesh është e fundit në shfrytëzimin e teknologjive të reja.

“815 milionë njerëz janë të uritur dhe unë mund të vë bast se gati 814 milionë prej tyre nuk kanë telefona inteligjentë”, thotë Uyi Stewart nga Fondacioni Bill dhe Melinda Gates.

Edhe nëse teknologjia është e disponueshme, ende ka barriera të tjera.

“Shumë nga këta njerëz që vuajnë nga uria nuk flasin anglisht, kështu që kur marrim njohuri nga kjo teknologji, si do t’ia dërgojmë atë atyre?”

Megjithëse mund të marrë kohë për të dërguar teknologjitë e reja në botën në zhvillim, shumë analistë shpresojnë se përparimet e tilla do të përfundojnë në duart e fermerve në rajonet që përballen me pasiguri ushqimore.

“Ju keni shpikur teknologjinë. Investimet e mëdha kanë mbërritur atje dhe keni modifikuar teknologjinë për të ulur koston. Kështu që unë mendoj se në tre deri katër vjet ndoshta disa nga këto gjëra do të fillojnë të përdoren në botën në zhvillim”, thotë Teddy Bekele nga organizata “Land O’Lakes”

Punonjësit e organizatave humanitare thonë se sipërmarrësit duhet të shikojnë jashtë vendeve të tyre për të përshtatur teknologjitë e reja për të luftuar urinë globale. Dhe fermerët do të duhet të trajnohen në mënyrë që të mund të shfrytëzojnë fuqinë e inteligjencës artificiale për të ndihmuar në ushqyerjen e të uriturve në botën në zhvillim. (voa)

Maqedoni: Prokuroria e Posaçme heton zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë

KaticaNë Maqedoni, Prokuroria e Posaçme ka hapur gjashtë raste të reja, në të cilat janë të dyshuar ish-zyrtarë të lartë qeveritarë, zyrtarë aktualë dhe politikanë për shpërdorime të detyrës dhe parave të buxhetit të shtetit.

Prokuroria e Posaçme (PP) do të hetojë ish-Kryeministrin Nikolla Gruevski, ish-Ministrin e Transportit, Mile Janakievski, ish-Ministrin e Financave, Zoran Stavrevski, zëvendës-kryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmani, Zëvendës-Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë VMRO-DPMNE, Igor Janushev, ish-Drejtorin e T-Mobile për Maqedoni, Zharko Lukovski dhe ish-Kryetarin e një komune të Shkupit, Stevçe Jakimovkin.

Të gjithë këta dhe njëzet persona të tjerë dyshohet të kenë shpërdorur 80 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Në një prej rasteve dyshohen ish-ministrat Janakievski dhe Stavrevski për favorizimin e një kompanie ruse për një pronë për ndërtimin e gazsjellësit kundrejt borxhit rus, që asnjëherë nuk iu kthye Maqedonisë, bën të ditur PP-ja. Në këtë rast është dëmtuar buxheti i shtetit me rreth 33 milionë euro.

Ish-kryeministri Gruevski, së bashku me disa persona të tjerë, dyshohen në një tjetër rast të kenë paguar 30 milionë euro gjatë periudhës 2010 – 2015 disa radio – stacioneve dhe televizioneve të afërta me partinë dhe mbështetëse të politikave të VMRO-DPMNE-së.

Zv.Kryeministri aktual Bujar Osmani, dyshohet në rastin e koduar “Pacienti”, për favorizimin dhe ndarjen e mjeteve një kompanie nga Bullgaria, për riparimin e spitaleve në Tetovë, Ohër dhe në Çair të Shkupit, megjithëse e dinin se firma nuk i plotësonte kushtet, thekson Prokuroria Speciale. Zoti Osmani në atë periudhë ka qenë Ministër i Shëndetësisë.

Ndërkohë, ish drejtori i T-Mobile, Lukovski dyshohet për pagesën tre herë më të lartë (3.5 milion euro), kompanisë së ndërtimit Beton, për legalizimin e stacioneve të paligjshme të telekomunikimit.

Në një tjetër rast, (“Harmonia”) dyshohen Nikolla Gruevski, Mile Janakievski dhe Stevçe Jakimovski, për ndarjen e paligjshme të një parcele atraktive ndërtimi në Shkup, Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik, duke dëmtuar buxhetin për rreth 400 mijë euro.

Në një reagim me shkrim të zotit Osmani, theksohet habia e tij, ndërsa shkruan se kishte dëgjuar edhe më parë spekulime në media.

“Hetimin e inicuar e konsideroj si normal, korrekt dhe obligim profesional të Prokurorisë dhe në atë drejtim jam në dispozicion të Prokurorisë Speciale Publike, si dhe në cilin do organ tjetër të drejtësisë në vend, për bashkëpunim në interes të identifikimit të gjendjes faktike në tërësi. Dua të theksoj se nuk kam asgjë për të feshur, përkundrazi pres një hetim më të shpejtë dhe më efikas me qëllim të vetëm të zbardhet e vërteta – se as që kam ndikuar dhe as që kam mundur të ndikoj e aq më pak nuk kam mundur të jem i njoftuar me keqpërdorime eventuale, sigurisht nëse ekziston një gjë e tillë”, thuhet në reagimin e Bujar Osmanit.

Ndërkohë, ish-Kryeministri Nikolla Gruevski, ndaj të cilit po zhvillohen disa raste të ndara gjyqësore, është dënuar tashmë me 2 vjet burg për blerjen e paligjshme të një makine të tipit Mercedes S 600 Guard të blinduar, me një shumë prej 600 mijë eurosh dhe sipas pritjeve, ai duhet brenda dy-tre javësh të paraqitet në burg për vuajtjen e dënimit. (voa)

Del Indeksi i Kapitalit Njerëzor nga Banka Botërore

indeksi“Një fëmijë i lindur sot në Shqipëri kur të rritet do të ketë 62% të produktivitetit, që do të kishte, nëse do të gëzonte arsimim të përfunduar dhe shëndet të plotë” – thuhet në Indeksin e Kapitalit Njerëzor, publikuar sot në takimet vjetore të Bankës Botërore dhe FMN-së.

Studimi thotë se Indeksi i Kapitalit Njerëzor për Shqipërinë është më i lartë nga sa pritej, nisur nga vende me të njëjtin nivel të të ardhurave.

Sipas statistikave, Shqipëria e ka rritur mbulimin dhe cilësinë e arsimimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme. Hyrja në arsimimin parashkollor u rrit ndjeshëm nga 58 për qind në vitin 2007 në 83 për qind në vitin 2017.

“Në periudhën afatgjatë, mundësitë e hershme për mësim sjellin arritje më të larta mësimore, produktivitet më të lartë pas shkollës dhe të ardhura më të larta dhe kanë një shkallë më të lartë përfitimi për grupet në pozita të cenueshme. Por duhet bërë më shumë për cilësinë e arsimit parashkollor dhe gjithëpërfshirjen, sidomos për fëmijët në pozita të pafavorshme, që është edhe një prioritet i njohur nga Qeveria e Shqipërisë” – thekson raporti.

Sipas studimit, fëmijët shqiptarë të lindur sot mund të jenë më të shëndetshëm, më të pasur, më produktivë nëse Shqipëria do të investonte më shumë te kapitali njerëzor

“99 nga 100 fëmijë të lindur në Shqipëri e arrijnë moshën 5-vjeçare, por shkallët e vdekshmërisë foshnjore, vdekshmërisë amësore dhe zhvillimit të mangët janë pak më të larta se vendet e tjera të rajonit dhe ka ende vend për përmirësime” – theksoi studimi.

Banka Botërore theksoi në studim se arritja e rezultateve më të mira në shëndetin dhe shkollimin e fëmijëve mund t’i rrisë ndjeshëm të ardhurat e njerëzve dhe të vendit, me përfitime që do të ndihen edhe në të ardhmen e largët.

“Shqipëria ka arritur barazi të plotë midis gjinive në arsimin parashkollor dhe atë fillor. Vitet e fundit, shkalla bruto e regjistrimit ka qenë pothuajse identike për djemtë dhe për vajzat në arsimin parashkollor dhe atë fillor. Mirëpo, arsimin e mesëm e ndjek një numër më i madh meshkujsh se femrash, ndërsa në arsimin e lartë ka më shumë femra, çka tregon se në të ardhmen duhet të marrin përgjigje pabarazitë në këto nivele të arsimit” – tha studimi.

Ky Indeks do tw përfshihet në Raportin e ardhshëm të Zhvillimit Botëror 2019 “Ndryshimet në natyrën e punës”, ku trajtohet rëndësia që ka investimi te kapitali njerëzor për t’u përgatitur në të ardhmen e punës. (voa)