DASH thirrje opozitës në Shqipëri të mos i dorëzojë në masë mandatet dhe të dënojë publikisht dhunën

Departament of StateDepartamenti i Shtetit i bën thirrje opozitës në Shqipëri të mos i dorëzojë në masë mandatet dhe të dënojë publikisht dhunën e ushtruar gjatë protestave.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer ka zhvilluar mbrëmë dy biseda të veçanta telefonike me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi.

Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, zoti Palmer u bëri thirrje të dy udhëheqësve të opozitës të qëndrojnë të angazhuar në mënyrë konstruktive në proceset demokratike, duke theksuar rolin jetik, që partitë e opozitës duhet të luajnë në një shoqëri demokratike.

Diplomati i lartë amerikan, siç u shpreh zëdhënësi për Zërin e Amerikës, “i këshilloi” dy kryetarët e partive “kundër dorëheqjeve të koordinuara dhe në masë të deputetëve të opozitës nga parlamenti, pasi kjo do të dëmtonte përpjekjet për reforma dhe do të dëmtonte një institucion të rëndësishëm të demokracisë”.

Zoti Palmer, ndërsa theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të drejtën e qytetarëve për të protestuar në paqe, u bëri thirrje si zotit Basha edhe zonjës Kryemadhi të hedhin poshtë dhe të dënojnë publikisht gjithë dhunën.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe drejtuesja e Lëvizjes socialiste për Integrim Monika Kryemadhi i shpjeguan sot Zërit të Amerikës qëndrimin që ata kanë mbajtur në bisedën me zyrtarin e e lartë të Departamentit të Shtetit dhe ndaj thirrjeve të tij kundër heqjes dorë në bllok nga mandatet e deputetit.

Zoti Basha tha se “vendimi i marrë për djegien e mandateve është një vendim i forumeve të PD, një vendim unanim dhe dorëheqja individuale e të gjitha mandatave është një hap tashmë i ndërmarrë nga opozita”. Kryetari demokrat shpjegoi se i kishte parashtruar zoti Palmer kërkesën që të kuptohet se sipas tij “në Shqipëri ka një gjendje të paprecedentë të kapjes së Shtetit nga krimi dhe oligarkia dhe se zgjidhja politike që PD ofron, është rruga për të ruajtur stabilitetin, gjë që mund të ndodhë vetëm duke forcuar demokracinë dhe shtetin ligjor të cilat sot – u shpreh zoti Basha – janë praktikisht të asgjësuara nga shteti I kapur nga krimi dhe korrupsioni”

Nga ana e saj, zonja Kryemadhi tha se i kishte shpjeguar zoti Palmer se “Shqipëria tashmë është një shtet ku është shkatërruar gjithshka dhe ku po lulëzon krimi i organizuar dhe trafiku i drogës. Kryetarja e LSI-së u shpreh se i kishte deklaruar zyrtarit amerikan se “Qeveria është ngritur mbi shitblerjen e votave nga krimi i organizuar dhe se përgjimet e prokurorisë i kanë vënë vulën parlamentit”, ku sipas saj “partia socialiste, ka asgjësuar çdo të drejtë të opozitës, dhe çdo zë i saj është eliminuar”

Ajo tregoi se e kishte pyetur zotin Palmer se “çdo të ndodhte në Shtetet e Bashkuara nëse një kongresmen apo senator amerikan do të faktohej nga prokuroria se ka blerë vota me paratë apo ndërmjetësimin e krimit të organizuar? Më e pakta do të niste hetimi, ndërsa në Shqipëri ndodh e kundërta”, tha zonja Kryemadhi duke komentuar bisedën me zotin Palmer.

voa

Maqedoni: Në kërkim të kandidatit konsensual për president

Zaev TalatKryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje me partitë e koalicionit për një kandidat të përbashkët për president në zgjedhjet e 21 prillit.

Pas takimit me kryetarët e dy partive shqiptare që janë pjesë e qeverisë, asaj të Alternativës dhe Partisë Demokratike Shqiptare, kryeministri Zaev ka thënë se këto dy parti kanë mbështetur qëllimin e tij që të dilet me një kandidat të vetëm për president i pranuar nga të gjitha partitë që përfaqësojnë entitete të ndryshme. “Takimet janë të frytshme, pasi besojnë se kjo që propozojmë është në dobi të qytetarëve. Presidenti i ri do të jetë i njëjtë për të gjithë, do të jetë president që do t’i shërbejë qytetarëve”, është shprehur kryeministri Zaev.

Ahmeti: Maqedonia ka nevojë për president konsensual

Për rëndësinë e daljes së partive qeverisëse me një kandidat të përbashkët apo konsensual ka folur edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai thotë se arritja e një marrëveshjeje për kandidat të përbashkët për president do të ishte në dobi të shtetit. “E rëndësishme është që të respektohet vullneti i shumicës së qytetarëve të vendit, por edhe porosia, e cila do të jepet të jetë edhe në dobi të shtetit, si dhe të partivë politike që përfaqësojnë”, vlerëson Ali Ahmeti.

Kryetri i Alternativës, Afrim Gashi vlerëson se për partinë e tij nuk është me rëndësi nëse kandidati është partiak apo jo, por me rëndësi është që ai të jetë përfaqësues i të gjithë qytetarëve të vendit. “Ka frymë pozitive për kandidat të përbashkët të partive politike dhe kjo është gjë shumë e mirë. Për ne nuk është me rëndësi, nëse do të jetë kandidat partiak ose mbipartiak. Për ne me rëndësi është që kandidati t’i përfaqësojë qytetarët e të gjitha përkatësive etnike dhe fetare. Kandidati që do të jetë i pranueshëm për të gjithë dhe që nuk do jetë shprehur kundër ndonjë përkatësie të qytetarëve”, deklaron  Gashi.

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi thotë se do të ishte mirë të nominohet kandidat i qeverisë, sepse me këtë hap do të vazhdohet normalizimi i kësaj politike. “Biseduam për disa emra, por e lamë të kthehemi në partitë tona, të bisedojmë me strukturat tona dhe pastaj së bashku të vendosim, cili është emri që renditet më lartë”, deklaroi Thaçi.

Opozita shqiptare ende pa qëndrim për kandidatin për president

Bisedimet për kandidat konsensual kryeministri Zaev do t’i vazhdoj edhe me partitë opozitare Aleanca për Shqiptarët dhe Besën. Ai është optimist se ata pozitivisht do të prononcohen për këtë qasje të shtrirjes së dorës. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka thënë se mosbashkëpunimi i partive politike shqiptare ka pasoja. Aleanca nuk ka synim ta fitoj BDI-në, por angazhohet që t’i bëjë fitues të gjithë shqiptarët, dhe kjo sipas Selës do të arrihet kur Aleanca do të marrë legjimitetin dhe punën e parë që do të bëjë është ftesa për tryezën e partive politike shqiptare, ku do të merren bashkarisht vemdime, me të cilat do t’i bëjnë fitues të gjithë shqiptarët.

Në zgjedhjet e gjashta presidenciale të caktuara më 21 prill VMRO-DPMNE opozitare do të garojë me profesoreshën Gordana Siljanovska-Davkova, e cila  është zgjedhur me shumicë votash në Konventën e partisë.

Pa votën e shqiptarëve vështirë të zgjidhet presidenti

Analisti Naser Zyberi thotë se ka indikacione se partitë nga shumica parlamentare do të merren vesh që të mbështesin një kandidat të përbashkët. “Në rrethin e parë do të mblidhet një korpus serioz, i cili do të qëndroj prapa atij kandidati. Mendoj se partitë e tjera do ta mbështesin kandidatin e LSDM “, thotë Zyberi. Analisti Petar Arsovski vlerëson se një kandidat për president që do ta ketë mbështetjen e më shumë partive politike do të mund të llogarisë në rezultate pozitive në garën presidenciale.

“Në zhvillimin politik të Maqedonisë barriera midis votës maqedonase dhe asaj shqiptare tani më nuk është aq fort e ndarë si më parë. Kjo u vërejt edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare kur votuesit shqiptar mbeshtetën LSDM. Nëse kandidati dhe platforma është korrekte dhe nëse prapa tij ka një vizion dhe ide të qartë, ky kandidat do të kalojë shumë mirë si te maqedonasit po ashtu edhe tek shqiptarët”, vlerëson Arsovski.

Edhe për analistin Albert Musliu ka ndryshuar dukshëm atmosfera në shoqëri. Sipas tij nuk do e habiste fakti, se një kandidat i përbashkët edhe po të jetë edhe shqiptar do të mund ta merrte përkrahjen edhe tek votuesit maqedonas. “Maqedonia po hyn në një fazë, ku këto çështje seriozisht mund të gjejnë përgjigje pozitive. A është momenti tani, nuk e di, por jam i sigurt se në këtë drejtim po lëvizim. Fitorja e kandidatit të ardhshëm për president nuk do të varet nga fakti se kush do ta nominojë por edhe nga personaliteti i tij”, vlerëson Musliu.

Opozita dorëzon mandatet, mbyllet protesta

Sali Basha MonikaEshtë mbyllur pa incidente protesta e sotme e opozitës, e cila nisi para parlamentit, i rrethuar gjatë natës me tela me gjemba, ndërsa qindra forca policie ishin angazhuar pas informacione që policia tha se kishte “për organizimin e akteve të dhunshme, me synim hyrjen në sallën e parlamentit”. Seanca normale e së enjtes, ishte shtyrë me një vendim të kryetarit të Parlamentti Gramoz Ruçi. Gjë që sipas opozitës dëshmon se tanimë “parlamenti ka rënë”.

Të gjithë deputetët e opozitës kanë rënë dakort që në bllok të heqin dorë nga mandatet e tyre parlamentare. Një pjesë e mirë e tyre ju drejtuan me fjalime të shkurtra mbështetësve të shumtë që morën sot pjesë në protestë. Ndaj këtij vendimi, apo dhe ngjarjeve të dhunshme gjatë protestës të së shtunës, ka patur reagime kritike nga Brukseli apo dhe Uashingtoni. Por në fjalën e tij përpara protestuesve, zoti Basha u shpreh se “mesazhi ndaj miqve tanë është se ne nuk jemi popull i dhunës, jemi popull i lirisë, i demokracisë. Jemi e ardhmja europiane e Shqipërië. Por ne nuk do pranojmë kurrë më një kryeministër bandit, të kapur në flagrancë duke vjedhur vullnetin e popullit në bashkëpunim me bandat e krimin, duke vjedhur qindra miliona nga xhepat e shqiptarë që nuk paguajnë dot bukën e gojës”, u shpreh zoti Basha, duke shtuar se “kërkoni gjithshka që mund t’ju jap, por mos më kërkoni kurrë të pranoj për popullin tim atë që nuk do pranonit për popullin tuaj”.

Kryetari demokrat saktësoi se nuk do të ketë kthim pas dhe se “për Ramën dorëheqja është vetëm fillimi. Ai do përfundojë para drejtësisë aty ku e meriton sipas ligjit”.

Pas manifestimit paqësor përpara godinës ku mblidhen seancat parlamentare, opozita dhe mbështetësit e saj u drejtuan pranë zyrave të parlamentit, ku ata dorëzuan zyrtarisht deklaratën me të cilën heqin dorë nga mandate. Më pas të gjithë u kthyen në selinë e Partisë Demokratike. “Prej sot jemi qytetarë të thjeshtë në krahun tuaj, me ju dhe për ju”, ju drejtua zoti Basha, mbështetësve që e shoqëruan deri në fund. “Nisëm sot një rrugëtim shprese, i cili nuk do të ndalet derisa integrimi europian të bëhet realitet, derisa të largojmë kryehajdutin dhe qeverinë e tij kriminale”, u shpreh zoti Basha, duke mbyllur fjalën e tij me thirrjen: “Bëhuni ati për betejën e radhës në Tiranë, Shkodër, Vlorë…anemambanë vendit”.

Gruevski, Veljanovski nën akuza për trazirat e 2017

Veljanovski trazirat 2017Prokuroria publike në Shkup ka ngritur akuza ndaj ish-Kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ish-Kryetarit të Parlamentit Trajko Veljanovski si dhe kundër tre ish-zyrtrëve të lartë të pushtetit të kaluar, të dyshuar si organizatorë të ngjarjeve të dhunshme në pranverën e vitit 2017 në parlament. Gjykata themelore i ka kërkuar parlamentit heqjen e imunitetit të deputetit Veljanovski, ndërsa partia opozitare VMRO-DPMNE i vlerëson këto akte si gjueti shtrigash.

Pesë persona, janë nën hetime lidhur rolin e tyre në organizimin e ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit të viti 2017, ndër ta ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish-kryetari i parlamentit, Trajko Veljanovski. I pari nuk është i kapshëm për organet e rendit, ndodhet në Hungari ku i është dhënë azil, ndërsa i dyti ende është i lirë për shkak të imunitetit të deputetit që ka. Por Gjykata penale i ka kërkuar parlamentit t’ia heq imunitetin Trajko Veljanovskit, në mënyrë që ai të merret në pyetje dhe të mbahet eventualisht nën arrest.

Dy të dyshuarit e tjerë ish-ministrat Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski tashmë ndodhen në paraburgim.

Prokurorët përdorin inicialet e emrave të të dyshuarve:

I dyshuari N.G., atëherë kryetar i një partie politike, u ka bërë thirrje qytetarëve përmes një mediumi për në protesta dhe së bashku me të akuzuarit e tjerë e kishin vënë në funksion të gjithë strukturën partiake”, tha prokurorja e lëndës, Vima Ruskoska.

Të akuzuarit synonin ta pengojnë transferimin e qetë të pushtetit.

Prokuroria publike bëri të ditur të enjten se do t’ia dorëzojë gjykatës dëshmitë në lidhje me të dyshuarin N.G. (Nikolla Gruevski) që ajo t’ia kalojë Ministrisë së Drejtësisë për paraqitjen e kërkesës për ekstraditmin e tij nga Hungaria. Ata ngarkohen me veprën “kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë”. Dënimi më i ulët për këtë është dhjetë vjet burg.

Njëri nga të akuzuarit, ish-agjenti sekret Nikolla Boshkovski ndodhet në Greqi, ndërsa autoritetet në Shkup shpresojnë ta kthejnë për gjykim në Shkup. Athina para ca muajsh kishte refuzuan kërkesën për ekstradim për shkak të njoftimeve se ai ishte i amnistuar. Por, prokurorët thonë se ligji i amnistisë nuk vlen për organizatorët.

Kryeprokurori shtetëror Lubomir Jovevski, u tha gazetarëve se duhej kohë për sigurimin e dëshmive. Se Prokurorisë i duheshin më tepër dëshmi.

E dinim se lënda nuk është mbyllur me ngritjen e aktakuzave. Për dokumentimin e dëshmive na u desht një kohë e konsiderueshme, para së gjithash për ekspertizën e telefonave të caktuar dhe përmbajtjen e tyre”, tha ai.

Prokuroria nuk shikon të jenë bërë lëshime nga ana e prokurorit të lëndës për shkak të mosmarrjes në pyetje të Nikolla Gruevskit lidhur me këtë këtë rast. “Gjithnjë kam përsëritur se procedura parahetimore vazhdon në drejtim të zbulimit të organizatorëve në lidhje me këtë ngjarje penale, tha prokurorja Vilma Ruskoska.

Ndërkohë, ajo vlerëson se nëse nuk do të ishin hapur dyert e parlamentit, nuk do të ndodhte ngjarja e përgjakshme.

Nga ana tjetër, partia VMRO-DPMNE, drejtues dhe anëtarë të së cilës ishin apo janë të akuzuarit, fajëson pushtetin se përmes këtyre arrestimeve synon të nxisë frikë në popull dhe ta shtyjë opozitën t’i bojkotojë zgjedhjet e pritshme presidenciale.

Kryetari i VMRO-së Hristijan Mickovski u drejtua me tone kërëcnuese ndaj kryeministrit Zaev, bashkëpuëntorëve të tij dhe prokurorëve e gjykatësve, të cilët i quajti “shërbëtorë të Zaevit, dhe se një ditë do të japin llogari”.

voa

Kosovë-Serbi, mund të ketë destabilizim të rajonit

Instituti RIDEANë konferencën e organizuar në Prishtinë nga Instituti RIDEA u tha se 62 % e qytetarëve të Kosovës e mbështesin dialogun Kosovë-Serbi. Por politikanët patën dallime në qëndrime lidhur me dialogun me Serbinë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha të mërkurën, se “mund të ketë destabilizim të rajonit, nëse nuk ka marrëveshje me Serbinë”. Prandaj presidenti  tërhoqi  vërejtjen se këtë vit duhet të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi, me garanci dhe zotimin e SHBA-së. Këtë deklaratë, presidenti e bëri gjatë një konference, “Zëri i Popullit rreth Finales së Madhe” që u organizua në Prishtinë nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit. Ky institut prezantoi edhe një sondazh që sipas organizatorëve “i jep përgjigje disa prej dilemave kryesore që po e karakterizojnë debatin rreth fazës finale të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.” Ky Institut ka organizuar të mërkurën konferencën, “Zëri i Popullit rreth Finales së Madhe” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke iu referuar kështu procesit të dialogut mes këtyre dy shteteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Ka ardhur koha për ta lënë prapa armiqësinë që ka prodhuar tragjedi

“Mbi një shekull kemi pasur armiqësi në raportet Kosovë-Serbi. Por, tani edhe unë besoj fuqishëm në këtë qëndrim, se ka ardhur koha për ta lënë prapa armiqësinë që ka prodhuar tragjedi të njëpasnjëshme në Kosovë, dhe për ta bërë Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve”, tha presidenti Thaçi, duke e bazuar konkludimin e tij në disa  argumente.

Së pari, presidenti Thaçi tha se opsioni i ruajtjes së status quo-s në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili është mbështetur dhe ende mbështetet nga disa, është treguar i gabuar dhe i paqëndrueshëm.

“Unë mendoj se status quo-ja nuk paraqet as vendnumërim, por është kthim prapa. Në dymbëdhjetë muajt e fundit ka përkeqësim dhe regres në raportet e Kosovës dhe Serbisë. Nuk kam kurrfarë dyshimi që nëse këtë vit nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të hyjmë në një zonë të rrezikshme të këtyre raporteve, që mund ta destabilizojnë gjithë rajonin. Pra, përvoja e vitit të fundit vetëm sa ka sforcuar bindjen time që ka ardhur koha për ta arritur këtë marrëveshjen historike në mes të dy shteteve”, tha presidenti Thaçi.

Kurti: Nuk duhet të ketë korrigjim kufiri

Qëndrimet e Presidentit Thaçi u kundërshtuan nga lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti, i cili vazhdon të jetë i bindur që ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të ketë korigjim kufiri. Kurti thotë se, “askush nuk ka të drejtë të falë tokën e Kosovës”.”A e dini pse qytetarët nuk duan status-quo, sepse e kanë mendjen tek papunësia, varfëria. Brezi i sotëm është mjaft i pasigurt. Kundërshtimi i status-quos është me shumë kundërshtim socio-ekonomik. As dëshmorët nga varret nuk kanë të drejtë të falin tokë të Kosovës e lëre më njerëzit e gjallë. Është keq që s’ka ndodh korrigjimi me Malin e Zi, por është mirë që s’ka ndodhë korrigjimi me Serbinë si kompromis i dhimbshëm. Por, mos të shtiremi se s’kemi marrëveshje me Serbinë. Plot 33 marrëveshje gjatë dialogut Kosovë-Serbi kanë ndodhur”, tha Albin Kurti. Sipas tij, kuvendi i Kosovës duhet t’i  trajtojë këto marrëveshje se sa janë përmbushur.

“Mos të harrojmë se 33 marrëveshje Kosovë-Serbi nuk ia kanë ndryshuar mendjen as një vendi të Evropës e as Kinës dhe Rusisë. Prandaj nuk është mirë që të magjepsemi për një marrëveshje të ardhshme.  Ne e dimë se çfarë do Serbia. Kufizim me shqiptarët, praktikisht përmes ndarjes”, deklaroi Albin Kurti.

Propozimi i Ivica Daçiq

Për ndarje, një kufi ndërmjet serbëve dhe Shqiptarëve në fillim të kësaj jave foli edhe shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daciq. Mediet në Serbi citojnë Daçiqin të ketë thënë se “propozimi zyrtar i Serbisë, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës është ndarja e kufirit mes serbëve dhe shqiptarëve”. Sipas tij, “nëse kjo ide ndonjëherë do të jetë në tryezë të bisedimeve, atëherë të dyja palët do të deklarohen për të”.

Sidoqoftë, në konferencën e sotme në Prishtinë  “Zëri i Popullit rreth “Finales së Madhe”, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku morën pjesë shumë figura të jetës politike dhe  publike e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA), u prezantua edhe një /sondazh, ku u tha se 62 për qind e qytetarëve mbështesin vazhdimin e dialogut në formatin aktual. Labinot Graicevci, që prezantoi hulumtimin tha se “kanë testuar tre skenarë me qytetarë duke i pyetur ata rreth marrëveshjeve të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë

“Skenari i parë ka të bëjë me status-quon. Vetëm 16 për qind e qytetarëve të Kosovës mbështesin status-quon aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Skenari i dytë ka të bëjë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive në këmbim të njohjes defakto të pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Vetëm 10 për qind e mbështesin këtë skenar. Dhe skenari i tretë ka të bëjë me korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në këmbim të njohjes globale dhe anëtarësimit në OKB. Ky skenar ka hasur në 30 për qind mbështetje nga qytetarët e Kosovës”, tha Labinot Greiçevci, duke prezantuar hulumtimin  e Institutit Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA).

Në debatin për një marrëveshje finale Kosovë-Serbi, ligjërisht të obligueshme janë përfshirë edhe vendet e QUINT-it. SHBA-ja mbajnë qëndrimin që do të pranojnë çdo marrëveshje, për të cilën pajtohen Kosova dhe Serbia. Mirëpo, në Bashkimin Evropian janë të ndarë rreth kësaj ideje, ku është Gjermania ajo që po e kundërshton ndryshimin e kufijve si pjesë e një marrëveshje Kosovë-Serbi.

dw

Shqipëri: Opozita djeg mandatet dhe kërkon zgjedhje të parakohshme

BashaOpozita vendosë për radikalizimin e qëndrimeve. Komisioni Europian – kundër vendimit të opozitës për të lënë mandatet parlamentare. Të enjten protestat e radhës.

Opozita në Shqipëri kërkoi të hënën (18.02.2019) largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kërkesa erdhi menjëherë pas vendimit të saj për të djegur mandatet parlamentare, të propozuar nga lideri i Partisë Demkokratike (PD, Lulzim Basha dhe mbështetur nga partitë e tjera opozitare. Ajo publikohet pas protestën masive të 16 shkurtit kur opozita nuk ia doli mbanë të largojë kryeministrin Rama dhe të rrëzojë qeverinë e tij. Lideri i PD, Lulzim Basha, i cilësoi Parlamentin aktual si „të dalë me votat e krimit dhe mafias në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017″ dhe vendimin e dorëzimit të mandateve parlamentare të opozitës në këtë parlament në funksion „të zgjidhjes politike të ofruar nga opozita për një qeveri tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare”.

Komisioni Europian – djegia e mandateve, kundërproduktive

Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lart të BE për Politikë të Jashtme Maja Kocijançiç i cilësoi heqjen dorë nga mandati i deputetit nga ana e PD dhe partive të tjera opozitare si „ kundërproduktive dhe që shkon kundër përpjekjeve të Shqipërisë për zbatimin e reformave të kërkuara nga BE”. Parlamenti është baza e çdo demokracie europiane, është vendi ku debatet për reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe jo të bojkotohen. Presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive me qëllim tejkalimin e situatës aktuale politike”, theksoi Maja Kocijançiç, të hënën, në një deklaratë për Agjesinë Telegrafike Shqiptare.

A është vendimi i opozitës „një ҫadër në formë bojkoti”?

Por situata politike është shumë e rënduar për të realizuar shpejt pritshmëritë e Komisionit Evropian per dialog qeveri-opozitë. Vendimi i opozitës është i paprecedentë në historinë e demokracisë post-komuniste në Shqipëri dhe që flet sesa e pakonsoliduar shfaqet ajo. Maxhoranca u shfaq të hënën e pashqetësuar nga vendimi i opozitës për të dorëzuar mandatet aktuale parlamentare. Kryeministri Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS kërkoi „ fokusimin në përgatitjen e zgjedhjeve lokale” të parashikuara për t’u zhvilluar pas 4 muajsh, në qershor. Ai e cilësoi vendimin e opozitës „blof, një çadër në forme bojkoti para zgjedhjeve te qershorit” duke risjellë në kujtesë precedentin e opozitës në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, kur pas protestës 3 mujore të opozitës në ҫadrën e ngritur përballë kryeministrisë, për të kërkuar garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, PD u fut në zgjedhje në minutën e fundit, pas marrveshjes Rama-Basha dhe marrjes së posteve qeveritare në qeverinë e drejtuar po nga Rama, si një formulë e dakortësuar e kontributit të opozitës për të garantuar që zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017 të ishin të lira dhe të ndershme. Analistët e pavarur në Tiranë, nisur nga precedenti i marrveshjes Rama-Basha, që futi PD në zgjedhjet e 2017,  ngrenë pikëpyetje nëse pas vendimit të  heqjes dorë nga mandatet parlamentare fshihet përsëri një „pazar”.

Cilët janë skenarët e mundshëm pas vendimit të opozitës?

Të dorëzosh mandatin e deputetit nuk është e thjeshtë nga pikpamja proceduriale. Burime zyrtare nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) thanë për DW se kjo bëhet në këtë komision në mënyrë individuale dhe jo „en block” në bazë të Kodit Zgjedhor. Pas procedurës së dorëzimit të mandatit  KQZ shikon zëvendësimin e deputetëve që lanë mandatin me kandidatët që nuk fituan në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017. Lista e PD rezulton të jetë më 194 kandidatë, nga të cilët fituan vetëm 43, që do të thotë se ka 151 kandidatë që mund të zëvendësojnë 43 të ikurit potencialë. Kodi Zgjedhor parashikon që nëse asnjë prej tyre nuk pranon mandatin duke iu bindur vendimit të PD, atëhere 43 deputetët opozitarë zëvendësohen me kandidatë nga lista e PS. Por ky skenar nxjerr problem cilësinë e qeverisjes, që ulet ndjeshëm në një parlament ku opozita ose nuk përfaqësohet ose përfaqësohet fare dobët.

dw

Shkup: Ndalohet ish-kryetari i parlamentit Veljanovski dhe dy ish-ministra

VeljanovskiPolicia e Maqedonisë së Veriut ndaloi në orët e vona të pasditës të së mërkurës ish-Kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski dhe dy ish-anëtarë të qeverisë së Nikolla Gruevskit, nën dyshimet për përfshirjen e tyre në organizimin e ngjarjeve të dhunshme në parlament, në prill të vitit 2017.

Ata janë dërguar në Gjykatën Themelore në Shkup, me urdhër të Prokurorisë për Krim të Organizuar. Ndërkohë, një pjesë e medias, duke cituar burime brenda prokurorisë, thotë se edhe për ish-kryeministrin Gruevski është lëshuar urdhër-arresti, po për këtë çështje. Ky i fundit ndodhet në Hungari, ku ka gjetur strehim, duke iu shmangur në këtë mënyrë drejtësisë. Atij i janë caktuar dy vjet burg për shkaqe korrupsioni në një tender për blerjen e një makine Mercedes me vlerë prej rreth 600 mijë eurosh.

Një prej dëshmitarëve në procesin e gjyqit të lëndës “27 prill, 2017” Aleksandar Vasilevski i njohur me nofkën “Ninxha” kishte pohuar se zoti Gruevski ishte organizatori i këtyre ngjarjeve të dhunshme. Sipas tij, planet dhe urdhërat merreshin nga selia e partisë VMRO-DPMNE.

Gjatë gjyqit është lexuar një mesazh telefonik i dërguar nga Nikolla Gruevski ish-Drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov ku shkruhej: “Mirëmëngjes drejtor. Të ju njoftoj se në këtë çast mora një informatë nga një koleg lojal shqiptar se sot rreth orës 13 planifikohet diçka nga pala tjetër, ndonjë incident apo votim me forcë të kryetarit të Parlamentit. Tani për tani nuk kam informata të tjera”, thuhej në SMS-në e z. Gruevski në 27 prillin e 2017-s. Gruevski atë ditë ndodhej në Vjenë.

Ndërkohë, në një SMS të ish-kryetarit të Parlamentit, Trajko Veljanovski dërguar disa personave, demonstrues para selisë së parlamentit, thuhej: “Nëse duhet me mburojë të gjallë do ta pengojmë zgjedhjen e kryetarit të parlamentit”. Z. Vlejanovski, megjithatë ka imunitet të deputetit. Ai doli nga gjykata pas orës 19 të mërkuren. Ndërkaq, ish ministrat Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski mbetën brenda në gjykatë. Ende nuk dihet nëse do të caktohet masa e paraburgimit për ta.

Procesi gjyqësor është nga fundi. Kanë mbetur edhe katër persona të akuzuar, avokatët e të cilëve duhet të bëjnë fjalën përmbyllëse. Dënimet më të ulëta për këtë rast parashikohen të jenë së paku 10 vjet burg.

voa

Mogherini: Nuk do të ketë bisedime pa u hequr tarifat ndaj Serbisë

MogheriniShefja e politikës së Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha të hënën se nuk do të thërras raund të ri bisedimesh ndërmjet Prishtinës e Beogradit derisa autoritetet në Kosovë nuk i heqin apo pezullojnë tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ajo i bëri këto komente në Bruksel gjatë një konference për gazetarë, gjatë së cilës tha se është e gatshme që të mbyllet me javë apo muaj për të arritur një marrëveshje ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

“Në momentin që krijohen kushtet, jo vetëm që jam e gatshme që mëngjesin e ardhshëm të organizoj takimin, por edhe të mbyllemi për aq kohë sa nevojitet: shtatë ditë, një apo tre muaj”, tha ajo.

Por, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha të hënën gjatë një vizite në vendlindjen e tij në Gllogjan në Kosovën perënidmdore se tarifat nuk do të hiqen.

“Shpresoj më dëgjuat shumë mirë, po e shihni ku kam ardhur për ta thënë. Sa jam unë kryetar qeverie taksa nuk hiqet”,tha kryeministri Haradinaj

Kryeministri Haradinaj tha se çdo marrëveshje e mundshme me Serbinë nuk mund të prekë kufijtë.

“Kufiri Kosovë-Serbi ekziston, rruhet nga dy palët nga ne dhe pala tjetër dhe NATO dhe nuk ka kufij tjetër, as në emër të demarkimit nuk mund të ndryshojë ndonjë kufi as korrigjimit as nuk guxojmë të bëjmë më eksperimente. Një eksperiment që ka ndodh me Malin e Zi ju e dini çfarë vështirësish na ka sjellë dhe ende e kemi me vështirësi, pra është gabim të bëhen gabime të reja”,tha ai.

Marrëdhëniet ndërmjet kryeministrit Haradinaj dhe partnerëve të koalicionit qeverisës vazhdojnë të jenë acaruara për shkak të mendimeve të ndryshme lidhur me tarifat ndaj Serbisë.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, të dielën gjatë një seance solemne për nderë të përvjetorit të 11 të pavarësisë bëri thirrje për pezullimin e tarifave dhe ruajtjen e marrëdhënieve me aleatët.

Procesi i bisedimeve mbetet i pezulluar për shkak të refuzimit të Serbisë për të vazhduar bisedimet pa heqjen e tarifave nga qeveria e Kosovës të vendosura pothuajse tre muaj më parë.

Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë thonë se një marrëveshje normalizimi ndërmjet palëve është e mundur, por shumë e vështirë për shkak të pikëpamjeve krejt të kundërta rreth saj, ndërsa të dy presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç kanë çuar përpara idetë e tyre për një korrigjim të kufirit si zgjidhje ndërmjet dy vendeve.

Kjo ide po kundërshtohet nga shumica e udhëheqësve politik në Kosovë ndërsa faktorët ndërkombëtarë janë vënë në lëvizje që të arrihet një marrëveshje sa më shpejt ndërmjet Kosovës e Serbisë, që është kusht për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian.

voa

Opozita në bllok heq dorë nga mandatet parlamentare

BashaNë Shqipëri, grupi parlamentar i Partisë Demokratike iu përgjigj sot unanimisht propozimit të Kryetarit të partisë Lulzim Basha për djegien e mandateve të deputetëve. Këtij vendimi iu bashkuan dhe aleatët e tjerë të partive të vogla të së djathtës, dhe në mbrëmje edhe Lëvizja socialiste për Integrim, forca e dytë më e madhe e opozitës

“Duke mbështetur plotësisht zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare, vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të Partisë Demokratike në Kuvendin e dalë me votat e krimit dhe mafias në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017”, njoftoi zoti Basha në përfundim të një mbledhjeje të gjatë të Grupit parlamentar të partisë së tij, i cili i dha mbështetje propozim të bërë nga ai një ditë më parë.

Kryetari demokrat pati pasdite një takim dhe më drejtuesit e partive të vogla opozitare, disa prej të cilëve janë anëtarë të parlamentit, duke marrë dhe prej tyre mbështetje për vendimin ekstrem. “Mendoj se është detyrim I secilit prej nesh që t’i përgjigjet atij zëri dhe thirrje të qytetarëve shqiptarë, pra të kemi një qëndrim të përbashkët që ka të bëjë me djegien e mandateve të deputetëve”, deklaroi kryetari republikan Fatmir Mediu..

Më herët zoti Basha u takua dhe me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi, partia e dytë më e madhe e opozitës dhe me një numër të konsiderueshëm deputetësh. Në mbrëmje, dhe LSI-ja ju bashkua të njejtit qëndrim. “Grupi Parlamentar i LSI-së vlerëson se djegia e mandateve është rruga e vetme për të rikthyer shtetin e së drejtës dhe legjitimitetin e qeverisjes përmes votës së lirë”, njoftoi në përfundim të mbledhjes me deputetët e saj zonja Kryemadhi.

Shumica nga ana e saj është shprehur e pashqetësuar nga vendimi i opozitës, dhe gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist kryeministri Edi Rama ka kërkuar që të gjithë të fokusohen të përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Tensioni politik në vend kulmoi të shtunën me protestën e opozitës para kryeministrisë ku u rregjistruan episode të dhunshme, me grupe protestuesish që disa herë me radhë sulmuan hyrjen qëndrore të godinës, por u sprapsën nga forcat e sigurisë që përdorën pompat e ujit dhe gazllotsjellësh.

voa

Zaev, Ahmeti diskutojnë daljen me kandidat të përbashkët në zgjedhjet presidenciale

ali ahmeti zaevNë Shkup u takuan kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti për të biseduar në lidhje me mundësinë e daljes në zgjedhjet presidenciale të 21 prillit, me një kandidat të përbashkët. Një emër i pranueshëm për të dyja partitë do të kërkohet deri para fundit të javës që vjen.

Partnerët e koalicionit qeveritar në Maqedoninë e Veriut, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti u ulën të hënën në tryezë në kërim të një kandidati të përbashkët, apo konsensual, siç parapëlqen ta quajë partia shqiptare, për në zgjedhjet e pritshme presidenciale. Por, bisedimet kanë qenë konsultative, sipas zotit Ahmeti, dhe nuk është diskutuar për emrat e mundshëm të kandidatëve.

Lidhja Social Demokrate e zotit Zaev ka shpallur një konkurs, nga ana tjetër, për garën presidenciale, ndërkohë që në opinionin publik janë përfolur emrat e disa ministrave apo të eksponentëve partiakë si kandidatë me mundësi të mëdha për të hyrë në garë. Ata janë: ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov, ai i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, bëshkërenduesi kombëtar për në NATO, Stevo Pendarovski dhe Radmilla Sheqerinska, ministre e Mbrojtjes.

Nga ana tjetër, BDI-ja para pak javësh ka lakuar emrat e ish-ministrit të parë të jashtëm Denko Malevski, të akademikëve Vllado Popovski dhe Luan Starova dhe të ambasadorit Llazar Elenovski për kandidatë të përbashkët.

Kryeministri dhe kreu seocialdemokrat Zaev tha se ka shanse koncepti për një kandidat të përbashkët. Por, as ai as zoti Ahmeti nuk deshën të zbulojnë më shumë në lidhje me emrat e kandidatëve:

“Vlerësuam se është me rëndësi për të ardhmen e vendit, për shkak të konceptit ‘një shoqëri për të gjithë’, për shkak të mundësisë që edhe një herë të dërgohet mesazhi për unitet ndërmjet qytetarëve. Që t’i kushtojmë vëmendje qëndrimit pas një kandidati të përbashkët”. “Ne drejtuesit”, shtoi mëtej zoti Zaev, “e dëshirojmë këtë por këtë do ta vendosin organet e partive”.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti megjithëse është autorizuar nga partia që ai të vendosë për kandidatin presidencial, si duket nuk dëshiron që vetë ta bartë këtë barrë. “Emrat do të dihen në fazën e dytë të bisedimeve”, thotë ai.

Zoran Zaev thotë se beson që që deri në fund të javës do të merret një qëndrim se a bën ose jo dalja me një kandidat të përbashkët. “Në fillim të javës tjetër duhet t’i përcaktojmë emrat, sepse Kongresi i Lidhjes Social Demokrate është më 3 mars”, tha ai.

Në lidhje me kandidaten për president të zgjedhur nga VMRO-DPMNE-ja, profesoreshën e Fakultetit Juridik në Shkup, Gordana Siljanovska, kryeministri Zaev tha se ajo nuk ka dhënë në asnjë segment asnjë mbështetje për atë që sot e gjithë bota e mbështetë, duke aluduar në Marrëveshjen e Prespës dhe integrimin në NATO të Maqedonisë së Veriut dhe “sëkëndejmi nuk meriton të jetë personi që do ta përfaësojë shtetin”.

Ndërkohë, shkalla e daljes në zgjedhjet presidenciale duhet të jetë 50 përqind. Nëse kjo nuk arrihet në raundin e dytë më 5 maj, atëherë zgjedhjet nuk do të jenë valide dhe në krye të shtetit , siç parasheh Kushtetuta, do të qëndrojë kryetari aktual i Parlamentit, Talat Xhaferi, një çështje kjo tepër shqetësuese për VMRO-DPMNE-në e opozitës.

voa