Gazsjellësi polarizues – Nord Stream 2 përçan Europën

Gazsjellesi Nord Stream 2Projekti gjermano-rus për energji po përballet me kundërshtime të shumta. Së shpejti duhet të vendoset lidhur me të ardhmen e gazsjellësit të drejtpërdrejtë nga Rusia deri në Gjermani. Ukraina e SHBA kanë rezerva.

Gati një e treta e tubacioneve për përçimin e gazit rus janë vendosur në Detin Balltik. Projekti i ndihmon Rusisë të dërgojë një sasi shumë më të madhe të gazit në Gjermani, e prej atje edhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Por rezistenca ndaj këtij projekti po shtohet. Në fillim kanë qenë kundër vetëm Ukraina dhe Polonia. “Projekti e vret Ukrainën”, tha së fundi ministri i Jashtëm polak, Jacek Czaputowicz. Polonia mendon se me këtë projekt përjashtohet Ukraina nga tranziti, që do të thotë se humbasin edhe garancitë për mbrojtjen e këtij vendi nga agresionet e tjera të Rusisë. Varshava mendon se Nord Stream 2 paraqet një dëshmi për “mungesën e luajalitetit gjerman ndaj fqinjëve lindorë dhe krijimin e raporteve të veçanta me Rusinë”, thotë Kay-Olaf Lang, nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë.

Në Berlin është injoruar kjo kritikë. Por prej përfshirjes së SHBA në këto kritika, çështja ka marrë përmasa të tjera. Verën e kaluar Presidenti Donald Trump deklaroi: “Gjermania do të jetë tërësisht e varur nga energjia ruse, nëse nuk e ndërron menjëherë kursin e tanishëm.” Richard Grenell, ambasadori amerikan në Berlin, ka kërcënuar madje me sanksione sipërmarrjet gjermane të përfshira në këtë projekt. Uashingtoni duket se po e humb durimin: “Koha për veprim është tani”, tha një përfaqësues i lartë i qeverisë amerikane në një deklaratë për Deutsche Wellen. “Kur të përfundojë gazpërçuesi, Evropa do të humbë hapësirën e veprimit kundrejt Rusisë.”

Por qeveria gjermane është e mendimit se këtu kemi të bëjmë me interesa biznesi: SHBA është e interesuar që në Gjermani të shesë gazin e saj, sikundër bën tani me Poloninë. Në vitin 2016, Polonia ka hapur një terminal të madh për gazin amerikan në kufi me Gjermaninë. Ministri gjerman për Ekonominë, Peter Altmaier nuk ka përjashtuar as importet nga SHBA, por vetëm si plotësim shtesë për gazin rus – nëse çmimi është në rregull. Berlini pohon se nuk do t’u nënshtrohet në asnjë mënyrë presioneve nga jashtë. Këtë e ka theksuar edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, në Forumin Ekonomik në Davos.

SchroederIsh-kancelari Schröder lobon për Rusinë

Për Rusinë ky është një projekt strategjik, sepse ky vend jeton në masë të madhe nga eksportet e gazit. Kremlini do të përfitojë sa më shumë nga këto burime. Ndërkohë që Moska synon të evitojë mundësinë që Ukraina dhe Polonia të ndërpresin furnizimin me gaz. Presidenti rus Vladimir Putin ka angazhuar ish-kancelarin Gerhard Schröder, me qëllim ndërtimin pa pengesa të projektit North Stream 2. Nëse shtohen kritikat, Moska do të jetë e gatshme të bëjë lëshime ndaj Ukrainës, por lëshime nuk do të ketë deri në përfundimin e projektit. Më pas Rusia mund të veprojë nga pozicione më të fuqishme.

Koha po kalon

Nord Stream 2 është një çështje e rëndësishme edhe për Bashkimin Evropian. Këtu përplasen interesat e vendeve të ndryshme, ndaj Komisioni duhet të gjejë një zgjidhje për të gjithë vendet e BE. Komisioneri për Energji, Miguel Arias Canete ka deklaruar në vitin 2016 se Nord Stream nuk është një projekt me interes për të gjitha vendet e BE. Komisioni po përpiqet që të mos pengojë hapur shtrirjen e tubacioneve, por ai është i interesuar që projekti t’u përmbahet rregullave strikte të konkurrencës në BE.

Për një vendim të këtillë kërkohet miratimi i Parlamentit Evropian, Këshillit dhe shteteve anëtare. Polonia dhe vendet baltike janë kundër projektit Nord Stream 2. Ato mund të llogarisin me mbështetjen e Britanisë së Madhe, Danimarkës, Sllovakisë, Irlandës, Suedisë, Italisë, Luksemburgut dhe Kroacisë. Gjermania, Austria dhe Holanda duan në anën tjetër që Nord Stream 2 të mbetet në formën e tanishme. Firmat nga këto vende janë të përfshira në realizimin e projektit. Vendimtar do të jetë ndër tjera edhe qëndrimi i Francës, e cila ende nuk është prononcuar qartë. Nëse Parisi deklarohet kundër, atëherë projekti nuk do ta ketë shumicën e duhur. Por Franca tradicionalisht është në anën e Gjermanisë, ndërkohë që edhe koncerni francez Engie është i përfshirë në Nord Stream 2.

Presidenca rumune e BE po përpiqet të gjejë një kompromis. Por për këtë ka shumë pak kohë, sepse në maj do të mbahen zgjedhjet për PE. Më pas duhet të krijohet një Komision i ri, deri në nëntor. Ndërkohë projekti do të vazhdojë. E nëse Brexiti realizohet deri me 29 mars, atëherë kundërshtarët do të humbisnin një partner të fuqishëm.

Projekt politik?

Bllokimi i Nord Stream 2 duket i pamundur. Por kundërshtarët kanë arritur një fitore. “Varshava ka arritur që lidhur me këtë projekt ekonomik të hapë një debat i gjerë politik”, thotë Kay-Olaf Lang. Rezistenca ndaj Nord Stream 2 është rritur jo vetëm në vendet lindore por edhe në Gjermani ky projekt përdoret si një argument në debatet gjeostrategjike.

Kundërshtarët e Nord Stream 2 theksojnë në veçanti një deklaratë të kancelares Merkel nga prilli i vitit 2018. Pas një takimi me Presidentin ukrainas Petro Poroschenko në Berlin ajo tha se “gazpërçuesi nuk është vetëm projekt ekonomik por edhe politik”. Wolfgang Ischinger, shef i Konferencës së Sigurisë në Mynih, pohon se kjo deklaratë e Merkelit ka ardhur shumë vonë dhe se interesat e evropianolindorëve nuk janë trajtuar si duhet. Polonia, Ukraina dhe vendet baltike shpresojnë mbështetje më të fuqishme nga Gjermania.

dw

Tragjedi në Liqenin e Shkodrës

Liqeni i ShkodresMbytet babai, nëna dhe fëmija e një familjeje nga Zeta, qytezë pranë Liqenit të Shkodrës dhe një i ri nga Podgorica, i cili u përpoq ti shpëtonte.

Familja tre anëtaresh dhe i riu u mbyten të dielën pasdite në Liqenin e Shkodrës si pasojë e përmbytjes së varkës nga stuhia e rrëmbyeshme e erës.

Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, varka me udhëtarë ishte drejtuar drejt pikës turistike, Manastiri i Vraninës në Liqenin e Shkodrës dhe gjatë kthimit valët e mëdha përmbyten varkën dhe udhëtarët nisen të fundosen.

Ekipet e shpëtimit menjëherë dolën në vendin e ngjarjes dhe deri më tani u gjete vetëm njëri nga trupat e mbytur, ndërkohë që po vazhdon kërkimi për gjetjen edhe të tre trupave tjerë.

voa

Meta: Duhet një projekt i ri për Unazën e Madhe; projekti ekzistues të anullohet e të hetohet për korrupsion

protestaNë Tiranë, Presidenti Ilir Meta i kërkoi qeverisë të nisë një projekt të ri për Unazën e Madhe me transparencë të plotë dhe në konsultime me banorët, që preken prej saj.

Ai sugjeroi që projekti ekzistues të anullohet, përderisa po hetohet për një seri shkeljesh. Megjithatë, qeveria duket e vendosur të vazhdojë projektin e saj.

Presidenti i Republikës Ilir Meta i kërkoi sot qeverisë të anullojë projektin për unazën e re, të ndërpresë çdo procedurë prokurimi që po realizohet bazuar në projektin ekzistues dhe të nisë procedurat me garë të hapur për të realizuar një Projekt të Ri.

Presidenti Meta publikoi sot një qëndrim të detajuar mbi këtë cështje, për të cilën banorët e asaj zone po protestojnë prej mbi 3 muaj nga parlamenti nga bashkia e tiranës dhe përditë e përnatë para shtëpive të tyre.

Zoti Meta kërkoi që gjatë fazës së hartimit të projektit të hapet konsultimi publik me banorët e kësaj zone dhe ekspertë të pavarur për këtë vepër publike.

Presidenti Meta tha se u konstatuan paligjshmëri ekstreme dhe keqfunksionim i institucioneve shtetërore në këtë cështje, ndaj duhen shfuqizuar procedurat mbi përjashtimin e objekteve nga procesi i legalizimit, prishja e ndërtimeve ekzistuese apo gjoba kundrejt banorëve.

“U faktua publikisht se konkurimi në të tre pjesët e rrugës ishte fiktiv; në çdo lot konkuruan dy kompani, ku e njëjta kompani në të tre lotet ka dhënë ofertë ekonomike me vlerë zero! Kjo provon qartazi realizimin e një procesi tenderimi të trukuar.Një nga kompanitë fituese të tenderit (DH Albania) doli një kompani me një historik fiktiv dhe me dokumenta të fallsifikuara, pas konfirmimit publik të fakteve të fallsifikuara nga autoritetet Amerikane. Vendimi I qeverisë për të rihapur tenderin e kësaj vepre, pas denoncimeve publike, vlerësohet si një veprim i nxituar dhe aspak objektiv, sepse, Prokuroria është duke kryer hetime në këtë çështje”, – tha presidenti.

Ai kërkoi të pezullohet çdo procedurë shpronësimi dhe ky proces të bëhet me kujdes pas miratimit të një projekti të ri dhe të besueshëm.

Zoti Meta kërkoi një trajtim të drejtë dhe të barabartë të qytetarëve për pronat dhe banesat e tyre, që mund të prekë projekti i ri.

Për të gjitha këto hapa, që i quajti të ngutshme, presidenti Meta tha se qeveria duhet të shfaqë së pari vullnetin politik dhe më tej të veprojë në terren, duke hapur procedurat e prokurimit për këtë vepër publike ndërkombëtarisht konform ligjit pasi të jetë formalizuar një projekt i qëndrueshëm, duke nxitur konkurencën e lirë të operatorëve vendas dhe ndërkombëtarë.

Presidenti Meta tha se ndërtimi publik si unaza e madhe duhet të realizohet, duke respektuar të drejtat themelore të qytetarëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me transparence të plotë.

Ai nxiti prokurorinë shqiptare që të kryejë një hetim të gjithanshëm mbi këtë çështje, pasi sipas tij, shkeljet janë të rënda, të dukshme dhe në kundërshtim me gjithë rendin juridik dhe kushtetues të vendit.

Zoti Meta ftoi po ashtu gjithë organizatat ndërkombëtare dhe vendase të angazhuara në luftën kundër korrupsionit për zbardhjen e shkeljeve dhe abuzimeve të këtij projekti.

Megjithatë qeveria nuk duket ende se mund ta shohë cështjen nga ky këndvështrim i presidentit dhe është e vendsur të vazhdojë në rrugën e saj.

Qeveria në një reagim të shpejtë në rrjetet sociale e vlerësoi këtë koment si një sulm që i erdhi nga ana e presidentit, ngjashëm me ato të opozitës.

Pak kohë më parë qeveria vendosi që të japë qera pa afat në banesa të tjera të gjithë familjeve që lirojnë banesat që pengojnë projektin e Unazës së Madhe.

voa

Maqedoni: Hapa drejt heqjes së imunitetit të deputetit Lupço Dimovski

DimovskiNë Maqedoni, Komisioni parlamentar për çështjet e mandateve dhe imunitetit vendosi t’ia heqë imunitetin deputetit opozitar Lupço Dimovski, por vendimin përfundimitar për këtë duhet ta marrë parlamenti në seancë plenare. Kjo bëhet me kërkesë të gjykatës themelore në Shkup, e cila e akuzon ligjvënësin së bashku me dy ish-Ministra të tjerë dhe një ish-zëvendës-Ministër të bujqsisë për shpërdorime të tokave bujqësore.

Pesë vota të ligjvënësve të shumicës u deshën për këtë që Komisioni t’i rekomandojë parlamentit në seancë plenare për t’i hequr imunitetin e deputetit kolegut të tyre socialist, i akuzuar nga gjykata themelore për shpërdorim të detyrës dhe mjeteve gjatë kohës që ishte Ministër i Bujqësisë.

Zoti Dimovski dhe dy ish-Ministra të tjerë të Bujqësisë dhe një ish-Zëvendës-ministër ngarkohen për dëmtimin e buxhetit të shtetit me vlerë prej 1,4 milionë eurosh duke dhënë ndihma bujqësore ose qira të tokave bujqësore në pronë të shtetit e që asnjëherë nuk ishte paguar për to.

Por, opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja e vlerëson këtë akt si hakmarrje ndaj zotit Dimovski, me që ai nuk kishte votuar për ndryshimet e fundit kushtetuese, edhe përkundër trysnive, sipas saj ndërkohë që ai u amnistua nga akuzat paraprake për veprën “terrorizëm” lidhur me ngjarjet e dhunshme në parlament, në 27 prillin e 2017-s.

Bashkërenduesi i grupit të deputetëve të VMRO-së, Nikolla Micevski u bëri thirrje deputetëve të Komisionit që t’i mundësohej zotit Dimovski për t’u mbrojtur në liri, për ta dëshmuar pafajqësinë, sipas tij, dhe të mos lejohej paraburgumi i tij.

Opozita e cilëson si farsë dhe kurdisje vendimin ndaj ligjvënësit Lupço Dimovski, ndërsa thotë se pushteti deri tash ka hequr imunitetin e tetë deputetëve opozitarë, “duke ushtruar në këtë mënyrë trysni dhe shantazh të paparë”.

Por, kryetari i komisionit për mandate dhe imunitet, Pavle Bogoevski tha se Parlamenti e ka për detyrë që të marrë vendim atëherë kur gjykata të kërkojë nga parlamenti masa për paraburgimin apo hetimin e një ligjvënësi. “Ne me votimin tonë nuk e dërgojmë kolegun tonë në paraburgim, por i lejojmë gjykatës të vendosë se a janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit”, tha zoti Bogoevski.

Pokurorja Vilma Ruskoska la të kuptohej se të akuzuarit derisa kishin qenë në detyrë nuk kishin kërkuar prishjen e marrëveshjeve me qiraxhinjtë e tokave shtetërore edhepse ata nuk kishin paguar për shfrytëzimin e tyre.

Komisioni parlamentar për çështjet e mandateve dhe imunitetit e ka për detyrë që brenda dy ditësh ta njoftojë kryetarin e parlamentit për vendimin. Njëri nga ish-ministrat dhe një ish-zëvendëministër tashmë ndodhen në paraburgim, ndërsa një ish-ministri tjetër për shkaqe shëndetësore i është caktuar masa arrest shtëpie.

Kuvendi i Kosovës miratoi projektligjin për dialog me Serbinë

Kuvendi i KosovesNë projektligj thuhet se delegacionit i jepet një mandat i qartë dhe se ai duhet t’i përgjigjet kuvendit të Kosovës dhe qytetarëve. Fjala kryesore e ligjit do të jetë kushtetuta e Kosovës.

Pas një seance maratonike që zgjati deri në orët e vona të natës së shkuar, ku u diskutua edhe buxheti i Kosovës, parlamenti ka miratoi në parim projektlligjin që përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e delegacionit të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Kundërshtime të ashpra patën dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosja. Megjithatë propozimi mori shumicën e thjeshtë 61 vota, me ndihmën e një partie tjetër opozitare PSD, kryetari  i së cilës Shpend Ahmeti, është bashkëkryesus i ekipit shtetërorë.

Delegacioni vepron mbi bazën e Kushtetutës dhe karshi interesave strategjike

Në projektligj thuhet se i jepet një mandat  i qartë delegacionit, e mbikqyre dhe rregullon llogaridhënien politike para parlamentit të Kosovës dhe qytetarëve. “Projektligji synon të rregullon përbërjen e barabartë të të gjitha subjekteve politike në parlament, të atyre në koalicionin qeveritar dhe në opozitë, se si të përfaqësohen në delegacionin e Kosovës. Ai rregullon hierarkinë dhe vendimmarrjen në procesin e bisedimeve”. Në projektligj thuhet po ashtu se rregullohen edhe çështjet se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të negociohet, cilat janë vijat e kuqe në këtë proces, funksionimi i delegacionit shtetëror, struktura dhe përgjegjësitë e tij si dhe koordinimi ndërmjet delegacionit shtetëror të Kosovës dhe institucioneve tjera të vendit”.

Njëri nga anëtarët e delegacionit, zëvëndëskryeministri Enver Hoxhaj, thotë se më e rëndësishmja e këtij ligji është se parlamenti i Kosovës bëhet pikënisja e bisedimeve. Ndërsa çdo marrëveshje po ashtu duhet në parlament të miratohet.

“Gjatë vitit 2018 në debatet rreth dialogut, ka pasur dallime në qasjen tonë në dialog, ka pasur një kërkesë të vazhdueshme që parlamenti i Kosovës duhet të jetë ai që duhet të vendosë se si do të duket dialogu dhe si do të forcohet dialogu. Ne mendojmë që me këtë projektligj janë dhënë të gjitha parametrat e duhura. Pra, çështja e përfaqësimit në dialog tash po rregullohet në mënyrë të mirëfilltë”, tha Enver Hoxhaj.

Opozita kundër

Kundër këtij ligji janë dy partitë opozitare, LDK dhe lëvizja Vetëvendosja. Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti,  thotë se dialogu me Serbinë duhet të nisë nga fillimi, duke kritikuar përbërjen e delegacionit dhe projektligjin për bisedime me Serbinë.

“Kur flet për delegacionin shtetëror, ky projektligj flet për delegacionin në koordinim me institucionet e tjera si Presidenti. Pozicioni tjetër që përgënjeshtrohet me këtë projektligj është vendimmarrja. Delegacioni shtetëror i ka marr 59 vota jo 61, pra nuk e kanë as shumicën e thjeshtë. Pozicioni i tretë është që opozita është përcaktuese në vendimmarrje, është e pavërtetë, sepse opozita ka katër anëtarë, në këtë rast katër votat e opozitës nuk kanë asnjë mundësi. Nuk mund të quhet delegacion shtetëror, realisht është delegacion qeveritar që është në funksion të Presidentit”, tha Albin  Kurti.

Edhe përfaqësuesit e LDK-së thonë se mbështetja e delegacionit shtetëror me projektligj, është mbështetje “për ndarje të Kosovës”.

“Përmes këtij projektligji, Presidenti i vendit po legalizon planet e tij për copëtimin e vendit. Projektligji hap rrugë që negociatat për territor të vazhdojnë duke mos lënë asnjë vijë të kuqe për asnjë temë. Ky ligj lejon negocimin edhe të shkëmbimit, asociacionit të komunave serbe etj”, tha deputetja e LDK-së Vjosa Osmani.

Sidoqoftë, megjithë miratimin  në parlament të projektligjit për dialog me Serbinë, dialogu tash e disa muaj është i bllokuar për shkak që Serbia nuk po pranon ta rinisë dialogun pa e hequr qeveria e Kosovës një taksë që i detyron mallrat serbe që hyjnë në Kosovë të paguajnë tarifë prej 100%. Masa është vendosur pas vlerësimit të autoriteteve dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili thotë se “Serbia po bënë agresion politik dhe diplomatik kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe kundër njohjes së saj”.

Prishtina zyrtare ndodhet para një presioni të madh ndërkombëtarë, përfshirë atë të SHBA-së, që të pezullohet taksa dhe t’i hapet rrugë dialogut. Kryeministri Haradinaj ka hedhur poshtë këto kërkesa. Deri tani. (dw)

Skandali me kontributet në Maqedoni, Fondi Pensional qetëson qytetarët

Fondi-për-Sigurim-Pensional-në-Maqedoni-780x439Qytetarët nuk duhet të shqetësohen rreth skandalit për moskalimin e kontributeve në shtyllën e dytë të fondit sigurimit pensional-invalidor, sepse paratë e tyrë janë të sigurta, qetëson drejtori i Fondit Pensional Invalidor, Shaip Zeneli. Ai ngre dyshimet se prezantimi që ministrja Carovska i bëri lajmit për moskalim të kontributeve për 12 mijë përsona në shtyllën e dytë të sigurimit pensional, po përdoret si spin për të manipuluar me opinionin në prag të zgjedhjeve.

Unë prapë nuk dua të besoj se kjo bëhet për shkak të afrimit të zgjedhjeve. Kjo informatë, ky skandal nuk ka rënë nga qielli. Këtë informatë ne e kemi dhënë- deklaroi Shaip Zeneli, drejtor i Fondit pensional-Invalidor.

Sipas tij për këtë problem ka biseduar me qëllim që të gjejnë zgjidhje edhe me ministren aktuale të punë dhe politikë sociale. Gjuhë bashkëpunuese e cila, sipas tij, ka ekzistuar deri një javë më parë, kur ministrja Carovska tha se paratë janë vjedhur, sipas Zenelit nuk është e vërtet meqë fondi nuk menaxhon me parat. Sipas tij, 18% e kontributeve të cilat Drejtoria e të Ardhurave Publike i kalon në Fondin Pensional, nuk mund të përdoren për asgjë tjetër përpos për nevojat e fondit.
Ndërkohë thekson edhe hapin që duhet të ndërmerret që raste të tilla të parandalohen në të ardhmen.

Në mungesë të një regjistri pensional, i cili duhet të jetë edhe konsistent, edhe koherent edhe i saktë, që do të përdoret vetëm për sistemin pensional dhe jo edhe për nevoja të tjera shtetërore. Prandaj themi se deri sa ne nuk e kemi një regjistër qendror, do të na paraqiten anomali- Shaip Zeneli, drejtor I Fondit pensional-Invalidor.

Zeneli është I vetëdijshëm se ky problem ka vite që ekziston, madje edhe në kohën kur drejtoret para tij vinin gjithashtu nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, por fajin nuk e hedh mbi individ, por mbi sistemin pensional. Sistem I cili, siç thotë, është ndër më të komplikuarit në rajon.

Skandali me mostransferimin e kontributeve në shtyllën e dytë të fondit pensional-invalidorë për 12 mijë punëtorëve në sektorin privat dhe publik u shpalos rreth një javë më parë nga ministrja për punë dhe politikë sociale, Mila Carovska. Ajo tha se Qeveria do të ndajë nj fond prej 19 milion eurosh të cilat do të futen në fondin pensional që punëtoret e dëmtuar të shtyllës së dytë të mund të marrin pension të plotë. Gjatë javës në Prokurorinë Publike u dorëzua dosja e këtij rasti./Alsat/

OKB, mësime nga shqiptarët që shpëtuan hebrej

OKBNë një konferencë të organizuar në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, drejtues të kësaj organizate thanë se ndihma e Shqipërisë për popullin hebre gjatë holokaustit mbetet një shembull i fuqishëm i guximit dhe integritetit përballë egërsisë naziste.

Siç njofton nga Nju Jorku korrespondenti i Zërit të Amerikës Ilir Ikonomi, në konferencë folën përfaqësues të Shqipërisë, të vendeve të tjera dhe të diasporës shqiptare në SHBA.

Konferenca titullohej: “Një çështje e njerëzimit: Shpëtimi i Hebrejve në Shqipëri gjatë holokaustit”. Ajo organizohej nga Departamenti i Komunikimit Global të OKB-së, në bashkëpunim me misionin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe Kongresin Hebraik Botëror.

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Alison Smale, tha se shpëtimi i hebrenjve nga Shqipëria gjatë holokaustit mishëron parimet e deklaratës universale të të drejtave të njeriut, se çdo njeri ka të drejtën e jetës, lirisë dhe sigurisë së personit. Ajo tha se ky shembull është sidomos i rëndësishëm në botën e sotme kur njerëzit kudo në botë janë dëshmitarë të rritjes së populizmit, ksenofobisë, neonazizmit dhe grupeve të urrejtjes.

Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, tha se shqiptarët i dërguan botës një mesazh ndriçues dhe të fuqishëm përmes historisë së mikpritjes, sakrificës dhe harmonisë fetare, një mesazh që nevojitet shumë në botën e sotme. “Jam krenare sot që nderoj trashëgiminë e popullit shqiptar dhe që jam pjesë e një kombi, i cili qëndroi në anën e drejtë të historisë, në kohën e duhur dhe mori vendimin e drejtë,” tha zonja Kadare.

Ajo tha se nuk duhet harruar kurrë thelbi moral i besës, që është kultivimi i tolerancës dhe respektit ndaj çdo qënieje njerëzore, pavarësisht nga origjina apo feja e tyre.

Presidenti i Kongresit Hebraik Botëror, Ronald Lauder, filantrop i njohur, tha se Shqipëria qëndron veç vendeve të tjera si një ndër përjashtimet e pakta në Evropë që shfaqi një fisnikëri të tillë. Ai tha se e kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, por indiferenca dhe dënoi sidomos indiferencën që, sipas tij, shfaqet sot në disa vende, ku kandidatë për poste politike përqafojnë platforma anti-semite ose anti-izraelite.

Anna Cohen, pasardhëse e një familjeje hebraike, e lindur dhe e rritur në Vlorë, foli për respektin e popullit shqiptar ndaj hebrejve, që ajo tha se nuk e harron kurrë, ndërsa Majlinda Myrto, drejtoreshë ekzekutive e fondacionit “Eye Contact” ndau me të pranishmit historinë e shpëtimit të hebrejve nga familja e bashkëshortit të saj në Shqipërinë e vitit 1943.

Eliot Engel, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, tha se nuk habitet për faktin që shqiptarët në Shqipëri shpëtuan hebrenj gjatë holokaustit, sepse kjo është një traditë shqiptare dhe me shumë rëndësi. Gjatë viteve kur Shqipëria sundohej nga një diktator, – tha ai, – populli shqiptar nuk e humbi kurrë forcën dhe vullnetin për t’u çliruar një ditë dhe për të qenë një demokraci.

Jonathan Cohen, përfaqësues në detyrë i Shteteve të Bashkuara në OKB, tha se “ne njohim dhe admirojmë traditën shqiptare të tolerancës fetare dhe të fisnikërisë njerëzore, e cila bëri që hebrejtë të gjenin në Shqipëri një strehë të sigurtë për t’u mbrojtur nga nazistët.” Kjo histori e pranimit dhe guximit, – tha ai, – është një shembull për ne të gjithë, sepse sot, në shumë vende të botës, komuniteti ndërkombëtar ka dështuar në këtë aspekt, siç është rasti i shtypjes në Birmani, Siri apo Venezuelë, ku shumë qeveri nuk guxojnë të ngrejnë zërin, madje marrin në mbrojtje ata që kryejnë krime.

Tahir Kukaj, imam i qendrës kulturore islame në Staten Island të Nju Jorkut, tha se fotografitë e hebrejve dhe shqiptarëve të vendosura në sallën e konferencës janë të ekspozuara edhe në xhaminë e tij. Ato, tha ai, na janë dhuruar nga Kolegji i Unionit Hebraik për të nderuar dhe përkujtuar ata heronj. Ne i edukojmë të rinjtë tanë me frymën e mikpritjes dhe të besës. “Shqiptarët që shpëtuan hebrej nuk ishin superheronj, por ishin njerëz. Ne nuk jemi as superheronj dhe as batmen; nuk ka nevojë të jesh superhero të shpëtosh jetë njerëzore, por duhet të jesh njeri,” tha imam Kukaj.

Cafo Boga, biznesmen dhe financier nga Nju Jorku, tha se historia e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët nuk është treguar e plotë. “Më shumë se gjysma e shqiptarëve jetojnë jashtë kufijve gjeografikë të Shqipërisë. Të njëjtat histori të shpëtimit të hebrenjve kanë ndodhur edhe në Kosovë, Mal të Zi, Serbi, Maqedoni, apo në Greqinë veriore. Dhe më duket se aktet e tyre po harrohen nëse ne fokusohemi vetëm te Shqipëria”. Ai tha se për këtë arsye, ambasadorja e Kosovës duhet të ishte lejuar të fliste në këtë forum. Mënyra se si hebrejtë u trajtuan nga shqiptarët është mënyra shqiptare e mikpritjes, tha zoti Boga.

Ambasadorja e Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija, nuk e ndoqi deri në fund diskutimin dhe më pas i tha në telefon Zërit të Amerikës se i vjen keq që organizatorët nuk ia dhanë fjalën në konferencë. Shpëtimi i hebrejve gjatë luftës, tha ajo, ishte një akt i shqiptarëve si komb dhe jo vetëm i një pjese të tyre.

Ambasadori i Austrisë në OKB, Jan Kickert, tha se i vjen turp si austriak për faktin që bashkatdhetarët e tij nuk treguan guximin e treguar nga shqiptarët gjatë Holokaustit.

Ish Kongresmeni Joe DioGuardi tha se zbulimi i historisë së shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët nuk filloi në vitin 2007, siç thuhet ndonjëherë, por shumë më herët, në vitin 1990, kur ai bashkë me kongresmenin e ndjerë Tom Lantosh vizituan Shqipërinë. Kjo histori, tha ai, kishte qendruar e shtypur nën komunizmin dhe askush dinte gjë. Zoti DioGuardi tha në Konferencë se në shpëtimin e hebrenjve nuk duhet harruar kontributi i Kosovës, ku njerëzit krijuan një rrjet të nëndheshëm për këtë qëllim. Prandaj, shtoi ai, është për të ardhur keq që Izraeli ende nuk e njeh Kosovën.

Në konferencë ishte ftuar edhe familja Biçaku nga Librazhdi që shpëtoi 26 hebrej gjatë luftës. Qemal Biçaku komentoi kështu për Zërin e Amerikës:

“Ata erdhën nga Beogradi. Kishin besim në familjen tonë. Familja e ruajti traditën dhe i mbajti në shtëpi. Fshati bashkëpunoi, fisi Hasa dhe Biçaku. Të dy fiset me dashuri dhe respekt të madh arritën t’i shpëtojnë hebrejtë.”

Zoti Biçaku tha se familja e tij erdhi nga Shqipëria me shpenzimet e tyre për të shprehur respekt ndaj aktit të fisnikërisë dhe humanizmit që treguan pasardhësit e tyre. “U faleminderit atyre që na bënë ftesën, por nuk na erdhi mirë (që nuk mundëm të flasim në konferencë), sepse një kumtesë të vogël sadopak ne duhet ta kishim dhënë.”

Doktoreshë Anna Cohen i tha Zërit të Amerikës se ajo ka një kujtim dhe dëshiron t’u japë një mesazh shqiptarëve që shpëtuan hebrenj gjatë luftës:

“Unë jam bija hebraike e Shqipërisë. Kur isha e vogël, sepse siç e dini unë jam nga Vlora, bëja gjithmonë një vizatim ku dukej perëndimi i diellit dhe një varkë me flamurin shqiptar dhe flamurin izraelit. Dhe thosha: Sa mirë sikur një ditë këta flamurë të mund të bashkohen. A do të ndodhë kjo ndonjëherë? Pa shihni çfarë po bëhet tani me flamurin shqiptar e izraelit dhe me atë varkën! Ajo varkë është mbushur plot me njerëz që vijnë të vizitojnë Shqipërinë. Është mbushur me turistë që vijnë të shikojnë Rrugicën e Hebrenjve që bëra unë në vitin 2006.” “Njerëzit që vijnë e vizitojnë kanë filluar të kuptojnë rëndësinë e këtij populli të thjeshtë që në atë kohë mori në gjirin e tij gjithë izraelitët dhe nuk i la të vdesin. Prandaj unë ju falenderoj nga zemra që na keni shpëtuar.”

voa

Vala e të ftohtit mbërthen mbi 70% të amerikanëve

NgricaNjë pjesë e madhe e Shteteve të Bashkuara janë mbërthyer nga i ftohti ekstrem. Në disa zona në qendër të vendit, temperatura të ulëta rekord kanë bërë të domosdoshme mbylljen e shkollave dhe qendrave të punës si dhe pezullimin e shërbimeve bazë. Zyrtarët kanë paralajmëruar banorët se mund të pësojnë dëmtime të lëkurës dhe indeve nga ngrica. Pritet që temperaturat e acarta të vazhdojnë deri të premten në disa zona:

I ftohti, i shoqëruar me erë të acartë në Mineapolis të Minesotës ka bërë që të boshatisen rrugët. Njerëzit janë mbyllur brenda për t’u mbrojtur nga temperatura që ka arritur -20 gradë celcius.

“Është ngricë. Nuk kam provuar të ftohtë të tillë. Por s’ka problem. Është pjesë e jetës këtu në Minesota. Na pëlqen i ftohti,” thotë një banor.

Gjatë ditëve të ardhshme, mbi 200 milionë vetë ose 70% e popullsisë së Shteteve të Bashkuara do të vazhdojnë të përballen me ngrica. Mbi 25 milionë vetë në verilindje të vendit po përballen me temperatura të rrezikshme:

“Kur temperaturës atmosferike i shtohet edhe i ftohti i erës së acartë, rezultantja shkon në nivele shumë të rrezikshme,” thotë kryetari i bashkisë së Indianapolisit, Joe Hogsett.

Kryebashkiaku i Indianapolisit dhe zyrtarë të tjerë në pjesën qendrore të vendit kanë paralajmëruar banorët:

“Nëse e kanë të domosdoshme të dalin nga shtëpia, duhet të vishen trashë. Në këto kushte është shumë më i madh rreziku për vdekje nga të ftohtët dhe për dëme ndaj lëkurës e indeve,” thotë zoti Hogsett.

Zyrtarët po i nxisin udhëtarët të tregohen të kujdesshëm:

“Gjithmonë dëgjojmë që dikujt i ka ngecur makina në një zonë të humbur dhe mendojmë se nuk do të na ndodhi ne. Por në kohë dimri duhet të jemi të jemi të pajisur më së miri në makinë. Merrni batanije, ngrohës portativë duarsh,” thotë Dr. Tom Waters.

Guvernatorët e shteteve Ilinoi, Miçigan dhe Uiskonsin kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Disa qendra banimi kanë mbyllur shkollat dhe kanë pezulluar shpërndarjen e postës, mbledhjen e plehrave, transportin urban dhe shërbime të tjera publike. Ekipet e emergjencës po punojnë për t’iu përgjigjur thirrjeve për ndihmë.

“Aktualisht kemi 26 çarje në tubat kryesore të ujit në qytetin e Detroitit. Sa herë ka luhatje ekstreme të temperaturës shkaktohen çarje të tubave,” thotë një punonjës i Agjencisë së Ujit dhe Kanalizimeve në Detroit.

Meteorologët thonë se moti ekstrem i këtyre ditëve ishte rezultat i luhatjeve atmosferike në Polin e Veriut. Një rrymë ajri të ngrohtë nga Afrika Veriore, e cila ka lëvizur drejt veriut, ka shtyrë ajrin e ftohtë të polit drejt Amerikës së Veriut, deri poshtë në Florida.

voa

Maqedoni: akuza ndaj tre ish Ministrave të Bujqësisë

ShkupiPolicia maqedonase ka ndaluar të premten tre ish-Ministra dhe një ish-Zëvendës ministër të Bujqësisë dhe ata janë dërguar menjëherë në gjykatë, nën akuzat për shpërdorim të detyrës. Njëri nga ta, Lupço Dimovski është aktualisht deputet në parlament dhe po ashtu i amnistuar në lidhje me ngjarjet e dhunshme të prillit të 2017-s në parlament.

Të akuzuarit e tjerë janë ish-Ministri Aco Spasenovski dhe Mihail Cvetkov dhe ish-zv.Ministri Kristijan Delev. Tre të parët ishin, apo vazhdojnë të jenë përfaqësues të Partisë Socialiste, aktualisht në opozitë, ndërsa Z. Delev është kuadër i VMRO-DPMNE-së.

Vepra e tyre penale ka të bëjë me shpërdorimin e ndihmave bujqësore dhe dhënien me qira të tokave bujqësore në pronë të shtetit gjatë periudhës prej vitit 2009, deri më 2016.

Ministri i Rendit i Maqedonisë Oliver Spasovski, u tha mjeteve të informimit se dëmi që kishin shkaktuar të akuzuarit arrinte një vlerë prej 1,4 milionë eurosh.

Serbi: Gënjeshtrat në kioskën e gazetave

Gazeta serbiAleksandar Vuçiq e tregon veten të jetë reformator që do të fusë Serbinë në BE. Por makineria që prodhon propogandë punon pa pushim. Analizat tregojnë që Fake News në Serbi janë kthyer në politikë shtetërore.

Ka javë që serbët dalin në rrugë me dhjetramijëra për të protestuar kundër presidentit të gjithëpushtetshëm, Aleksandar Vuçiq. Ata që protestojnë janë një grup i përzier, flamujtë që shihen janë serbë dhe rusë, po ashtu shihen flamujtë me ngjyrat e ylberit, si dhe pllakata kundër shtypjes së lirisë, manipulimeve në zgjedhje dhe nepotizmit. Kjo është sfida më e madhe që ka pasur ndonjëherë Vuçiq, i cili drejton vendin ballkanik me dorë të hekurt, prej shtatë vitesh.

Ish-skifteri nacionalist, kërkon sot të drejtojë vendin e vet drejt BE. Shumë vetë besojnë madje se ai do i japë fund konflktit dhjetëravjeçarë me ish provincën serbe të Kosovës, të cilin Beogradi nuk e njeh si shtet të pavarur. Një tezë e përhapur në Serbi thotë se me lëshimet që bën për Kosovën, Vuçiq është duke blerë heshtjen e BE për gjendjen në politikën e brendshme në Serbi.

Ai eliminon dhe përçan konkurencën politike edhe duke përdorur mediat. Përveç një kanali kabell televiziv dhe disa revista të përjavshme, edhe mediat kryesore herë përkëdhelin presidentin e tyre, herë godasin kritikët e tij.

Më pak thashetheme, më shumë nxije urrejteje

Nëse kërkon të mësosh për informimin mbi protestat aktuale të gazetave më të mëdha të Beogradit, kërkimi është i kotë. Në to nuk flitet aspak për pakënaqësinë e madhe në vend. Gazetat bulevardeske besnike të qeverisë raportojnë vetëm për një “grup kaotikësh dhe që urrejnë çdo gjë”,  të paguar nga opozita për të prishur atmosferën në vend.

Statistikat e reja dëshmojnë për gjendjen e shkatërruar të shtypit serb. Sipas të dhënave të blogut të pavarur mediatik, “Raskrikavanje”, tre gazeta (“Informer”, “Srpski telegraf” dhe “Alo”) kanë publikuar 370 gënjeshtra vitin e kaluar, gënjeshtra që kanë qenë në faqen kryesore.

265 herë është njoftuar për luftë ose konflikt. Po ashtu është sugjeruar se presidenti rus Putin do ishte i gatshëm, “që të mbronte Kosovën, sikur ajo të ishte ruse”. Shqiptarët e Kosovës dhe kroatët mezi presin, dhe është maturia dhe trimëria e presidentit serb që vazhdon të mundësojë paqen, thotë tenori. “E veçanta e Serbisë është që gazetat bulevardeske atje kanë pak prezencë të prominentëve dhe të Show-Business. Ato janë shumë më tepër gazeta që ngjallin urrejtjen, që në emër të qeverisë dhe opozitës kthejnë në tabelë qitjeje kritikët,” thotë Vesna Radojeviq, redaktore tek “Raskrikavanje”.

Një nga artikujt e shumtë, është njoftimi për gjoja atentatet e planifkuara kundër Vuçiqit, siç ka raportuar DW, në korrik 2018. Një herë lajmet thoshin se tetë vrasës prisnin para shtëpisë së tij, një herë tjetër një teori konspirative thoshte se CIA, M16, opozita serbe dhe kroatët duan të vrasin presidentin. Në këtë mënyrë shtypi ndjek skenat biblike, – Vučić është David në luftë kundër Goliath, thotë sociologu Jovo Bakiq, nga Fakulteti filozofik i Beogradit. “Vuçiq prezantohet të jetë i dobët, por guximi i tij është i madh, kështu që ai fiton mbi gjithë fuqitë konspirative.”

Besnikëria shpërblehet

Megjithëse drejtësia në vend ndodhet nën ndikim të madh të qeverisë së tij, mediat e afërta me qeverinë duhet të paguajnë dëmshpërblimet. Kështu për shembull, “Informer” duhet t’i paguante kryetarit të një partie opozitare 1.500 euro, sepse gazeta kishte informuar gabimisht se politikanët shpenzojnë para të shumta në vendet më të bukura turistike të Kroacisë.

Por proceset janë të vështira dhe niveli i gjobave i parëndësishëm përkundrejt përfitimit. Sepse besnikëria shpërblehet me zemërgjerësi të madhe, thotë gazetarja Radojeviq. Kjo do të thotë jo vetëm qe jepen para për mediat nga buxheti i shtetit, por edhe reklamat e bollshme të firmave shtetërore, sipër shembull të Telekomit serb. “Nxitja e urrejtjes financohet me paratë e taksapaguesve”, thekson Radojeviq në bisedë me DW.

Hipokrizi në skenën ndërkombëtare

Në muajin dhjetor, moguli i mediave Srgjan Milivojeviq, i lidhur me partinë e Vuçiqit, bleu një nga koncernet më të mëdha mediative të vendit për 180 milionë euro. E rëndësishme në këtë blerje ishte, se disa javë më parë,  Milivojeviq i kishte shitur telekomit shtetëror një firmë komunikacioni, për 190 milionë euro, katërfishi i vlerës reale, thonë ekspertët. Partia Përparimtare Serbe (SNS) nuk i pranon akuzat për manipulim, duke thënë se kemi të bëjmë me ekonomi private dhe media të lira, të cilat kanë të drejtë të raportojnë si të duan.

Pjesëmarrja e Vuçiqit në diskutimin “Liria e shtypit  në krizë”, në forumin ekonomik të Davosit, shkaktoi habi dhe tallje tek kritikët e tij në Serbi. Ai nuk është shumë krenar për gjendjen e mediave në Serbi, por përpiqet të bëjë maksimumin, tha Vuçiq. Kur e shikoje mund të të krijohej përshtypja se nuk kemi të bëjmë me të njëjtin person që poshtëron publikisht gazetarët kritikë në Serbi, duke i sharë si agjentë të huaj.

Prandaj, një nga kërkesat kryesore të demostruesve në Beograd i drejtohej televizionit publik shtetëror, RTS, që të transmetojë të paktën pesë minuta raportime nga protestat. RTS i ka injoruar deri tani protestat duke mos informuar asgjë ose duke folur shumë shkurt për to. Kjo nuk ka të bëjë me mungesën e prezencës së demostruesve, sepse çdo të shtunë një kolonë protestuesish prej dhjetëra mijëra vetëve kalon direkt para ndërtesës së televizionit.