Parandalimi i kancerit të zorrës së trashë

zorra e trasheMegjithëse kanceri është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se kanceri i zorrës së trashë është një nga kanceret që në fakt mund të parandalohet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carol Pearson sjell më shumë informacione për këtë, si dhe historinë e një gruaje që mundi kancerin e zorrës së trashë.

Zorra e trashë është një tub i gjatë muskulor. Kanceri i zorrës së trashë është i lidhur me dietën, predispozitat gjenetike dhe moshën. Në Shtetet e Bashkuara, një në 23 vetë preken nga kanceri i zorrës së trashë.

Michele Alexander u diagnostikua me këtë lloj kanceri në moshën 53 vjecare.

Sa kohë më ka ngelur? Vajzën e kam 24 vjec. Sa kohë do të kem me të? Këto janë mendimet që më vijnë në kokë”, thotë Michele.

Shumica e kancerit të zorrës së trashë zhvillohet nga një polip beninj, dhe kjo zgjat nga 10 deri në 15 vjet. Nëse polipi gjendet dhe hiqet, nuk do të zhvillohet kancer i zorrës së trashë, prandaj është shumë e rëndësishme që të bëni analiza për parandalimin e kancerit “, thotë Zihao Wu me qendrën shëndetësore në Universitetin e Mizurit.

Megjithëse diagnoza ishte e frikshme, pasioni i zonjës Alexander për garat me makina e ndihmoi atë ta përballonte.

Carl Edwards është sportisti i saj i preferuar dhe ajo kishte blerë bileta për një garë ku ai konkurronte. Vendosmëria e saj për të shkuar në garë u përforcua kur mori këtë telefonatë.

I thashë se e dija që kishte një ankand ku mund të fitoje për të ngarë makinën me të përpara garës dhe se ishte synimi im të fitoja në atë ankand. Por ai më tha: “Hajde këtu dhe do të ngasësh makinën me mua edhe pa fituar”, tregon Michelle.

Gjashtë javë pas operacionit, zonja Alexander mori lajmin që donte.

Oh, ishte shumë kënaqësi. Ishte gara e jetës sime dhe kalova vijën e finishit si fituese”, thotë ajo.

Ajo donte të përmirësohej. Kishte vullnet për t’u bërë mirë dhe mendoj se kjo është shumë e rëndësishme”, thotë doctor Wu.

Mjekët thonë se mund të ndihmoni në parandalimin e kancerit të zorrës së trashë nëse hani shumë zarzavate, drithëra dhe perime të larta në fiber, si fasulet. Fiskultura e rregullt gjithashtu ndihmon, dhe nëse pini duhan, ndalojeni.
Më e rëndësishmja, bëni analiza rregullisht, duke filluar nga mosha 50 vjeçare, ose më herët, nëse keni një histori familjare.
Nëse kanceri i zorrës së trashë diagnostikohet në një fazë të hershme, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se 90 për qind e pacientëve mbijetojnë të paktën për pesë vjet, krahasuar me jo më shumë se tetë për qind të atyre që diagnostikohen në një fazë të përparuar.
Dy vjet pas operacionit të saj, zonja Alexander është ende pa kancer. Vendosmëria e saj për ta mposhtur atë, frymëzoi madje edhe heroin e saj.

Përhapja e mesazhit kundër vaksinimit

VaksinaAutoritetet e shëndetit publik përballen me përhapjen e fruthit në komunitetet me norma të ulëta vaksinimi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan njofton nga qyteti Los Angeles në Kaliforni se menjanimi i vaksinimit në Shtetet e Bashkuara është nxitur kryesisht nga një lëvizje në rritje e njerëzve që i shohin vaksinat si të rrezikshme. Siç na njeh materiali në vazhdim, kjo betejë po zhvillohet si në internet ashtu edhe në legjislaturat e shteteve amerikane.

Ndërsa fruthi ekziston në pjesë të tjera të botës, kryesisht për shkak të varfërisë, në Shtetet e Bashkuara është e kundërta, shumë njerëz hezitojnë të vaksionojnë fëmijët sepse druhen se vaksinat janë të rrëzikshme. Dr. Arthur Reingold është ekspert në Universitetin e Kalifornisë në Berkley.

“Kemi të bëjmë me shtim të zonave ku ka dyshime për vaksinat, që nuk vaksionohen. Pra kur dikush udhëton nga një vend në tjetrin, kemi të bëjmë me rrezikun e një përhapjeje më të madhe të fruthit.”

Aktualisht fruthi është përhapur në 15 shtete amerikane, përfshi Nju Jorkun dhe Uashingtonin. Kalifornia, Misisipi dhe Virxhinia Perëndimore nuk lejojnë mosvaksinimin, përveçse kur ka aryse mjekësore. 47 shtete lejojnë përjashtime. Dr. Peter Hotez punon në Kolegjin Mekësor Baylor.

“Prej 47 shteteve, 18 lejojnë përjashtime jo-mjekësore për arsye personale ose besime filozofike, dhe këtu është edhe fushëbeteja.”

Shumica e njerëzve shërohen nga fruthi, por në Shtetet e Bashkuara 1 në 1 mijë të prekur humbet jetën. Një lëvizje kundër vaksinimit mori vrull pas një studimi të vitit 1998, të tërhequr më pas, që e lidhte autizmin me vaksinën MMR kundër fruthit, shytave dhe rubeolës duke armatosur kështu kritikët e vaksinave. Ja c’thotë Robert F. Kennedy Jr. i grupit kundër vaksinimit Mbrojtja e Shëndetit të Fëmijëve.

“Askush nuk mund të thotë shkencërisht nëse është vaksina MMR apo fruthi, shytat ose rubeola që shkakton më shumë dëm.”

Por agjencitë publike të shëndetit dhe organizatat kryesore mjekësore thonë se pas disa dekadash përdorimi, vaksina MMR është provuar të jetë e sigurtë dhe shumë efektive.

Lidhja me autizmin vazhdimisht është hedhur poshtë, thotë studiuesi i vaksinë Dr. Peter Hotez, vajza e të cilit ka autizëm. Ai thotë se keqinformimi është përhapur në median sociale me mesazhe të shënjestërura në bazë të rajonit.

“Në Teksas, keqinformuesit shfrytëzojnë mbështetjen që ka ai vend për djathtën, ‘Tea Party’ dhe përdorin gjuhën e tyre. Ndërsa në Paqësor, në shtetin Uashington, apo Oregon, ata përdorin gjuhën e së majtës radikale.”

Beteja vazhdon nga një shtet në tjetrin.

“Prindërit e dinë më mirë se çfarë është e mirë për fëmijët e tyre se sa agjencitë e korruptuara rregullatore dhe kompanitë e mëdha farmaceutike”, thotë kritiku i vaksinimit Robert F. Kennedy Jr.

Ekspertët thonë se vaksina është me rëndësi thelbësore për shëndetin publik sepse fruthi është sëmundje që përhapet shumë.

“Edhe nëse nuk je në të njëjtën kohë në një dhomë me individin e infektuar, virusi mbijeton në ajër për disa orë”, thotë Dr. Arthur Reingold.

Në këtë mënyrë përhapet fruthi dhe në disa raste shkaktohen shpërthime vdekjeprurëse, sikurse shumë sëmundje të tjera në botë.

Grafina, një material i ri me aftësi të rralla

GrafinaMe trashësinë e një atomi, grafina është një prej atyre materialeve të çuditshme që thuhet se do të ndryshojnë të ardhmen. Shkencëtarët thonë se aktualisht e ardhmja mund të ketë mbërritur pasi mundësitë që ofron materiali i quajtur grafinë po vlerësohen si mjaft të rëndësishme për rrjetet e shpejta dhe efikase 5G dhe për të ardhmen e telekomunikacionit në përgjithësi.

Kjo thurje gjashtëkëndëshe e formuar nga atomet e karbonit quhet grafinë dhe ka trashësinë e një atomi, por është më e fortë se çeliku. Është përçues i elektricitetit, efikas për nxehtësinë dhe po vlerësohet për vetitë e rralla që ka.

Kostya Novoselov, fitues i Çmimit Nobël për punën e tij me grafinën, thotë se telekomunikacioni mund të jetë një fushë e mirë përdorimi pasi materiali është tërësisht transparent dhe mund të transmetojë të dhëna me shpejtësi të madhe nëpërmjet qarqeve elektrike dhe me shumë efikasitet.

“Ajo mundëson dërgimin e përpunimit të sinjalit në qendrat optike. Përveç grafinës nuk besoj se ka materiale të tjera që mund ta bëjnë këtë. Pra realizon dërgimin e sinjalit me të njëjtën shpejtësi. Përdorimi në telekomunikacion është ndoshta më i miri dhe njëkohësisht më i realizueshmi”, thotë zoti Novoselov.

Materiali i lehtë mund të përdoret në çdo fushë që nga këpucët, rrobat dhe makinat duke i bërë ato më rezistente, të përkulshme dhe inteligjente.

Aftësia e grafinës për të përçuar të dhëna me shpejtësi do të bëjë të mundur edhe rrjetet shumë të shpejta 5G që duken në horizont.

“Fillimisht u përdor si përbërës në produktet sportive. Tani po integrohet tek makinat e avancuara dhe aktualisht po shohim se po përdoret edhe për produktet elektronike. Mendoj se po zhvillohet me një ritëm të mirë si përbërës për materiale të reja”, thotë fituesi i Çmimit Nobël Kostya Novoselov.

Ky material po e bën të mundur që edhe panelet diellore të jenë më efikase dhe po ndihmon në përparimin e elektronikës inteligjente. Por edhe vetë njeriu mund të përfitojë nga ky material, thotë shkencëtari Kostya Novoselov.

“Them se materiali mund të ketë përdorim në fushën bioteknologjike apo në membrana. Por kërkohet më shumë kohë që idetë të materializohen”, thotë ai.

Ai thotë se qarqet elektronike me këtë materiali janë aq të mira dhe të shpejta sa që një sondë e hollë sa një atom mund të lexojë dhe masë aktivitetet e trurit të një pacienti dhe mund të dërgojë të dhënat tek mjeku apo t’i transmetojë ato në telefon në rast emergjence.

voa

Kafeja dhe teknologjia e lartë “Blockchain”

Kafe“Blockchain” – teknologjia që përdoret për menaxhuar dhe mbrojtur në mënyrën më të mirë dhe më të sigurtë të dhënat – njihet si motori pas monedhës dixhitale “Bitcoin”. Aktualisht, një importues amerikan po e përdor këtë teknologji për të përmirësuar jetën e fermerëve të kafesë në disa nga komunitetet më të varfëra në Amerikën Qendrore.

Ivonne Herrera ka një plantacion kafeje në kodrat mbi Santa Rosa de Lima, rreth 40 kilometra larg kryeqytetit të Guatemalës.

“Do të kemi të ardhura të mira nga kafeja. Kemi investuar për këtë dhe sivjet po shohim rezultatet e dy viteve punë” , thotë ajo.

Sikurse shumica e fermerëve të kafesë në botë, Herrera e shiste kafenë në tregun ndërkombëtar të mallrave, ku blerësit bien dakort për një çmim të paracaktuar përpara se produkti të jetë gati. Kjo praktikë, ul çmimet e kafesë dhe i lë të pambrojtur prodhuesit nga luhatjet e monedhës.

Aktualisht, Herrera i shet prodhimet e saj drejtpërdrejt tek një importues amerikan kafeje me një çmim të lartë.

Sistemi në fjalë është ide e vëllezërve Paul dhe Scott Tupper, të cilët shfrytëzuan një biznes të suksesshëm të teknologjisë ‘blockchain’ në Siatëll për të zgjidhur çështjet e qëndrueshmërisë mjedisore në botën në zhvillim.

“Të apasionuarit pas kafesë apo mallrave të tjera kanë parë shtimin e standarteve dhe çertifikatave në treg, që mund të jenë çoroditëse për konsumatorët. Teknologjia ‘blockchain’ ofron një mënyrë për të verifikuar se çfarë po ndodh si nga ana financiare ashtu edhe sociale”, thotë Paul Tupper.

Teknologjia ‘blockchain’ krijon një regjistër llogarie, menaxhon dhe konfirmon transaksionet në mënyrë të verifikueshme dhe transparente nga të gjitha palët e interesuara, që nga kultivuesit e kafesë, e deri tek importuesit dhe specialistët. Kompania e dy vëllezërve beson se shumica e konsumatorëve duan të dinë nga vjen kafeja e tyre në mënyrë që të paguajnë kultivuesit e kafesë çmime që tejkalojnë madje edhe standardet e tregtisë së drejtë të kafesë.

Garantimi i çmimeve më të larta u mundëson fermerëve si Ivonne Herrera që jo vetëm të investojnë dhe mbrojnë pronat e tyre, por gjithashtu t’i paguajë më mirë punonjësit, duke rritur standardin e jetesës në komunitet.

voa

OSBE kërkon zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni

Zaev OSBEKryeministri Zoran Zaev sot priti Komisionerin e lartë të OSBE-së për Minoritetet, Lamberto Zannier. Siç njoftojnë nga shtypi qeveritar, ata diskutuan zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, me të cilën u mbyllë kornizën ligjore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ndërsa Zaev theksoi se marrëveshja hyri në preambulën e Kushtetutës si legjislacion që rregullon përdorimin e gjuhëve e të gjitha bashkësive etnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Zaev gjithashtu informoi për përgatitjen e strategjisë kombëtare për zhvillimin e konceptit për një shoqëri dhe interkulturalizmin, si një dokument strategjik mbi çështjet e multikulturalizmit dhe komunikimeve ndërkulturore, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës, të cilat u theksuan në raportin e fundit të Komisionit Evropian të vitit 2018 .

Vëmendje e veçantë, tha Kryeministri Zaev në takim, në periudhën e ardhshme do t’i kushtohet zhvillimit të konceptit të arsimit të integruar, për të cilin vendi ynë merr përkrahje jashtëzakonisht të rëndësishme nga OSBE, siç ishte rasti në procesin e miratimit të Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi , i cili u përgatit me ndihmën e ekspertëve nga OSBE dhe BE./Telegrafi/

“Gylenistët”, kusht i Ankarasë për Maqedoninë e Veriut në NATO?

RMVAutoriteteve të Maqedonisë së Veriut u bëhet thirrje që të veprojnë në përputhje me ligjet vendore dhe marrëveshjet ndërkombëtare sa i përket kërkesës së Turqisë për dorëzimin e personave, që sipas Ankarasë, kanë lidhje me Lëvizjen Hizmet të klerikut fetar Fetullah Gulen, apo siç e quan Turqia, “organizata terroriste FETO”, e akuzuar për tentimet e dështuara për puç në vitin 2016.

Kështu thotë ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, në mungesë të informacioneve zyrtare lidhur me bisedimet e së mërkurës në Shkup ndërmjet ministrit të Mbrojtjes të Turqisë, Hulusi Akar, dhe ministres së Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut, Radmilla Sheqerinska.

“Me sa unë jam në rrjedha me këto zhvillime, Qeveria jonë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet tjera, insistojnë në procedura gjyqësore. Kjo do të thotë se nëse për cilindo qoftë person në Turqi udhëhiqen procese gjyqësore, apo nëse ndaj tyre ka fletë-arreste ndërkombëtare, atëherë organet tona janë të detyruara t’u përgjigjen kërkesave të tyre në mënyrë adekuate duke pasur për bazë konventat ndërkombëtare”, ka thënë Trajanov.

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, duke komentuar deklaratën e homologut të saj turk se ka listën me emrat e personave që duhet të dorëzohen tha se me ministrin Akar “është biseduar në drejtim të zgjidhjes së problemeve dhe sfidave, me të cilat përballen dy vendet, përfshirë edhe çështjen e ngritur”.

“Nuk kemi biseduar për afate, çështje ditësh apo javësh, por për çështje që janë të rëndësishme për dy vendet”, ka deklaruar të mërkurën, Sheqerinska.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, e vlerëson si jo të drejtë apo në kundërshtim me normat ligjore dorëzimin e tyre vetëm mbi bazën e supozimeve për përfshirjen e tyre në ndonjë veprimtari kundërligjore.

“Ne nuk mund të veprojmë vetëm në bazë të ndonjë emri, apo të ndonjë liste për arrestime. Mendoj se vendi ynë, si anëtar i NATO-s dhe aspiruese për anëtarësim në BE, nuk mund të veprojë në bazë të ndonjë kërkese të tillë. Pra, duhet respektuar normat ndërkombëtare. Ajo mund të veprojë vetëm nëse ka një procedurë juridike dhe atëherë ajo mund të vendosë nëse dikush do të ekstradohet ose jo. Kjo do të ishte shkelje e të drejtave ndërkombëtare, të drejtave të njeriut. Nuk është e mjaftueshme që emri i dikujt të jetë në listë dhe ne ta dorëzojmë. Diçka të tillë vështirë se do ta pranojë vendi ynë”, ka theksuar Trajanov.

Ministrja e Mbrojtjes, Sheqerinska, kishte deklaruar se nuk pret përkeqësim të raporteve me Turqinë, përkundrazi, pret së shpejti ratifikimin e protokollit për anëtarësim në NATO.

Por, Erol Rizaov, njohës i çështjeve politike, ka thënë se në politikë gjithçka është e mundur. Sipas tij, kërkesa e palës turke për dorëzimin e “gylenistëve” duhet të zgjidhet në kuadër të ligjeve ekzistuese të Maqedonisë së Veriut.

“Në politikë gjithçka është e mundur, por nëse gjithë procesin e analizojmë me koka të ftohta, apo nëse shohin rrjedhën e deritanishme të raporteve mes dy vendeve, diçka e tillë nuk do të duhej të ndodhte. Kjo duhet të trajtohet nga institucionet tona nëse do të pranojnë ose jo diçka të tillë dhe nëse kërkesat e tilla janë ose jo në përputhje me ligjet tona”, ka thënë Rizaov, duke i vlerësuar si shumë të mira të raporteve ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Çështja e strukturave që konsiderohen të afërta me klerikun Fetullah Gulen, në Maqedoninë e Veriut, ishte hapur para tre vjetësh , por autoritetet e Shkupit nuk iu përgjigjën kërkesës së Ankarasë dorëzimin e tyre.

Ndërkohë, agjencia turke Anadolu kishte publikuar një listë me emrat e shkollave dhe firmave të afërta me klerikun Gulen, si shkollat fillore dhe të mesme “Jahja Kemal”, javorja “Zaman Maqedoni”, organizata “Sedef”, agjencia në fushën e turizmit “Bashak”, një zinxhir i marketeve “EVAR’, shoqata e individë të tjerë.

rel

Delegacioni i (pa)kompletuar i Kosovës zotohet t’u prijë negociatave

Delegacioni i ksQë kur ishte themeluar, më 15 dhjetor të vitit të kaluar, Delegacioni shtetëror i Kosovës për bisedimet me Serbinë, është kritikuar në vazhdimësi nga opozita dhe një pjesë e shoqërisë civile rreth kapaciteteve dhe nivelit të përfaqësimit. Po ashtu, ishin vënë në pikëpyetje edhe kompetencat dhe përgjegjësitë e këtij Delegacioni, marrë pasur parasysh faktin që i përfshirë në procesin e dialogut me Serbinë është edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Delegacioni, udhëhiqet nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, kryetarë të dy partive politike që nuk përfshihen në kuadër të subjekteve më të mëdha politike në Kosovë, Nisma Socialdemokrate dhe Partia Socialdemokrate. E para është në pushtet, kurse e dyta në opozitë.

Ditëve të fundit, ndërkaq, ky delegacion po kritikohet edhe për përfshirje të njerëzve jo-kompetentë në përbërjen e tij, të cilët kryesisht shihen si njerëz të afërm të dy bashkëkryesuesve dhe partive të tyre.

Anëtari i delegacionit shtetëror, Visar Ymeri, që është nënkryetar i Partisë Social Demokrate, tha për Radion Evropa e Lirë se marrëdhëniet e Delegacionit me institucionet e Kosovës, janë të rregulluara me Ligjin për delegacionin e Kosovës në dialogun me Serbinë, të miratuar dy muaj më parë nga Kuvendi i Kosovës.

Ymeri tha se Delegacioni shtetëror do të ketë bashkërendim me presidentin Thaçi për çështje të caktuara që dalin në procesin e dialogut, mirëpo përgjegjësia për të zhvilluar dialogun, sipas tij, është e Delegacionit shtetëror.

“Është e qartësuar me Ligjin për delegacionin shtetëror, përgjegjësitë dhe kompetencat e tij (delegacionit), që marrëdhënia do të jetë bashkërenduese dhe konsultative, varësisht prej çështjeve. Për takimet do të kemi bashkërendim, e për vendimmarrje, do të kemi konsultim me instanca tjera, mirëpo është përgjegjësi ekskluzive e Delegacionit shtetëror që ta zhvillojë këtë proces të dialogut me Serbinë dhe të merret vesh për marrëveshjen përfundimtare”, tha Ymeri.

Mirëpo, sipas pjesëtarëve të shoqërisë civile, ende ka shumë paqartësi në përgjithësi në lidhje me këtë proces.

Jeta Krasniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (KDI), tha për Radion Evropa e Lirë, se mungon uniteti edhe brenda Delegacionit shtetëror.

“Kemi parë që janë realizuar disa takime nga Delegacioni shtetëror në Bruksel. Nuk është raportuar në Kuvend se çfarë është diskutuar. Pra, mungon transparenca. Kemi parë që në fazën e fundit apo në takimin e fundit, kur dy bashkë-kryesuesit e delegacionit kanë qenë në Bruksel, ka pasur reagime nga anëtarët e tjerë të delegacionit, për vizitën e tyre dhe takimet që ata i kanë zhvilluar. Pra, duket që edhe brenda delegacionit ka qëndrime të ndryshme”, theksoi Krasniqi.

Ajo foli edhe për emërimet e disa personave të Nismës Social Demokrate dhe Partisë Social Demokrate, si anëtarë të Zyrës Administrative të Ekipit, duke thënë se emërime të tilla, e dëmtojnë procesin e dialogut dhe interesin e Kosovës.

“Personat e përfshirë duhet të jenë nga institucionet e shtetit, siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ekspertiza e nevojshme për këtë proces duhet të jetë e nivelit më të lartë të mundshëm në mënyrë që interesi i Kosovës të mbrohet”, u shpreh Krasniqi.

Kurse, deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, tha se këta persona do të merren vetëm me punë administrative të delegacionit dhe se Ekipi negociator është ai që është mandatar në Kuvend.

“Aktualisht, i ka 9 anëtarë dhe do t’i ketë gjithsej 12, po presim edhe emërimin ose votimin e 3 anëtarëve shtesë, të cilët do të jenë një përfaqësues i komunitetit boshnjak ose komuniteteve në Kosovë, një anëtar nga shoqëria civile dhe një përfaqësues shtesë i opozitës”, tha deputeti Ymeri.

Në një postim në rrjetin social Facebook, deputeti tjetër i PSD-së, Frashër Krasniqi, kishte shkruar se Ekipi negociator për krijimin e Platformës Shtetërore, ka angazhuar disa prej ekspertëve më të mirë lokalë e ndërkombëtarë për Kosovën, në mesin e të cilëve Marc Weller dhe Ben Emerson.

Përveç kryesuesve të Delegacionit, Fatmir Limajt dhe Shpend Ahmetit, anëtarët e tjerë të tij janë edhe, Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës, Avni Arifi nga Zyra e kryeministrit dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re, Mahir Yagcilar kryetar i Partisë Demokratike Turke si dhe Dardan Gashi, ministër i Diasporës në Qeverinë e Kosovës.

Anëtarë të delegacionit janë edhe Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani nga Partia Socialdemokrate, për të cilët po i mbajnë vendet e rezervuara për dy partitë opozitare, LDK dhe Vetëvendosje.

Dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk janë pjesë e këtij ekipi. Përfaqësues të këtyre partive nuk e kishin pranuar ftesën e kryetarit të Kuvendit, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, që t’i bashkohen Delegacionit shtetëror.

Zyrtarë të këtyre partive janë shprehur kundër këtij ekipi, derisa kanë akuzuar koalicionin qeveritar se po mundohet “të arnohet” me votat e një partie politike opozitare, duke aluduar në Partinë Social Demokrate, kryetari i së cilës, Shpend Ahmeti, është bashkë-kryesues i Ekipit negociator bashkë me kreun e Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj.

Dy partitë më të mëdha opozitare kanë refuzuar edhe thirrjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili u ka bërë thirrje partive parlamentare që të marrin përgjegjësitë e veta kushtetuese dhe ligjore në fazën përmbyllëse të dialogut me Serbinë që po zhvillohet në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Po ashtu, një vend në këtë delegacion është i rezervuar edhe për shoqërinë civile, por edhe ai ka mbetur bosh.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vazhdon të jetë i bllokuar si pasojë e tarifës doganore që Qeveria e Kosovës ka vendosur për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ta pezullojnë vendimin për këtë tarifë, për t’i hapur rrugë dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Mirëpo, kryeministri Ramush Haradinaj është i vendosur që ky vendim të mbetet në fuqi, derisa Serbia të njohë shtetin e Kosovës.

rel

Domethënia e rezultatit të zgjedhjeve lokale në Turqi

turqiaNumërimi i deritanishëm i votave tregon se partia AKP e Presidentit turk Erdogan ka humbur kontrollin e disa qyteteve kryesore në zgjedhjet lokale të së dielës. Presidenti Erdogan ka vënë në dyshim rezultatin e zgjedhjeve në Ankara dhe Stamboll, por shumë analistë thonë se votimet i kanë dhënë atij tashmë një goditje të qartë. Shërbimi në gjuhën turke i Zërit të Amerikës bisedoi me analistë politikë për domethënien e rezultateve zgjedhore.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan bëri fushatë për kandidatët e partisë së tij. Megjithatë, rezultatet fillestare tregojnë se partia e tij në pushtet humbi terren në tre qytetet kryesore, Ankara, Stamboll dhe Izmir.

“Ata që ndjekin zhvillimet në Turqi dhe shumica e njerëzve atje janë të tronditur nga humbja e Erdoganit dhe AKP-së në Stamboll”, thotë Nate Schenkkan, drejtor për studimet e posaçme në organizatën “Freedom House”.

“Mendoj se më e rëndësishmja është se u dëshmua që megjithëse zgjedhjet në Turqi janë të padrejta, ato janë gjithashtu edhe reale dhe konkurruese”, thotë Ozgur Unluhisarcikli, i organizatës “German Marshall Fund”.

Kandidati i partisë opozitare CHP në Stamboll, Ekrem Imamoglu, udhëheq aktualisht me 25 mijë vota më shumë, por partia e Presidentit Erdogan ka bërë kërkesë për rinumërim.

“Duket se AKP-ja nuk po e pranon dot se ka humbur zgjedhjet”, thotë zoti Schenkkan.

Erdogani ka dominuar politikën turke për mbi një dekadë, por analistët thonë se rezultatet e tij në ekonomi po dëmtojnë popullaritetin e tij.

“Ata kërkojnë përgjigje të vërteta dhe jo vetëm premtime, për çështje si rënia e pandalshme e ekonomisë, papunësia, inflacioni në rritje – në veçanti ndaj dollarit. Pra, mendoj se zien pakënaqësia ndaj premtimeve të pambajtura”, thotë Sinan Ciddi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studimet Turke në Universitetin Georgetown.

“Mendoj se kriza ekonomike i ka në nxjerrë në pah shumë prej këtyre tensioneve. Mund të kenë ndërruar anë disa prej votuesve të Erdoganit dhe opozita gjithashtu ka ndërmarrë hapat e duhur”, thotë zoti Schenkkan.

“Mendoj se është irritimi me ekonominë, perceptimi i korrupsionit dhe mbingopja me AKP-në në pushtet”, thotë Lisel Hintz, profesore për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins.

Ekspertët thonë se rezultatet nuk do ta ndryshojnë menjëherë politikën turke në rrafshin kombëtar, por se sinjalizojnë për mundësinë e një transformimi politik.

“Nuk ka dyshim që Presidenti Erdogan do të vazhdojë të dominojë skenën politike. Por, ajo tashmë është bërë më e larmishme. Aty tashmë po shfaqen liderë të rinj, si p.sh. kryebashkiaku për Ankaranë, i cili është i ri, energjik dhe ka një profil të ndryshëm udhëheqësie”, thotë zoti Unluhisarcikli.

voa

Quo Vadis Shqipëri? Nga njëra anë emigracion, nga ana tjetër popullsi në rënie

TrFenomeni masiv i emigracionit nga vendet e Europës Lindore e Juglindore ka goditur keq tregun e punës së këtyre vendeve, sepse mungon fuqia punëtore e kualifikuar. Mbi pasojat për Shqipërinë flet ekspertja Isilda Mara.

Në Konferencën e Pranverës të Institutit Vjenez për Studimet e Ekonomisë Botërore që fillon sot (04.04) do të diskutohen ndryshimet demografike në vendet e Europës Lindore e Juglindore dhe pasojat e emigrimit masiv për tregun e punës. Fenomeni i largimit të fuqisë punëtore prek edhe Shqipërinë, Kosovën e rajonin. Ekspertja e këtij instituti, Isilda Mara flet për pasojat e emigrimit për Shqipërinë.

Deutsche Welle: Raporti i Institutit të Vjenës për Studimet e Ekonomisë Botërore (WIIW) hedh dritë mbi një problem të rëndësishëm -mungesën e fuqisë punëtore në vendet e rajonit europianolindor. Sa akut është ky problem për Shqipërinë?

Isilda Mara. Po, edhe për Shqipërinë është problem. Gjatë dekadës së fundit, 2011-2017, Shqipëria ka pasur mesatarisht një rritje natyrore të popullsisë me një plus rreth 4.2% dhe një normë mesatare të emigracionit neto (differenca midis atyre që emigrojnë ose largohen nga vendi dhe atyre që imigrojnë në Shqipëri) me një minus 6%, pra duke rezultuar në një reduktim të popullsisë me 1.8%. Gjatë 4 viteve të fundit shtesa natyrore e popullsisë është përgjysmuar. Sigurisht rënia e fertilitetit në nivelin 1.7 ( nr i lindjeve për grua) është një faktor që shpjegon rënien. Megjithatë tashmë jo vetëm faktori emigracion, por edhe shtesa natyrore e popullsisë po ndikojnë njëkohësisht në rënien dhe plakjen e popullsisë.

Eksperti i Institutit Vjenez që punoi për studimin, zoti Richard Grieveson tha, se kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në kohë paqeje në rajonin europianojuglindor e lindor – kaq dramatike është gjendja?

Isilda Mara: Gjendja eshte dramatike në sensin se jo vetëm Shqipëria, por edhe vendet e tjera të Europës Lindore tashmë kanë humbur një pjesë të mirë të forcës punëtore dhe aktive dhe nuk e kanë më atë bonus apo divident demografik që kanë pasur të paktën tre dekada më parë. Këto vende, përfshi edhe Shqipërinë, për më tepër kanë humbur jo vetëm të rinj, por edhe më të kualifikuarit. Me një normë fertiliteti që ka konverguar në nivelin e 1.57 – krahasuar ajo e vendeve të Europës Perendimore – EU-1.5 – është e vështirë të imagjinosh sesi këto vende mund të rikuperojnë apo gjejnë një zgjidhje afatshkurtër, por edhe afatgjatë për të përmbysur trendin negativ të rritjes së popullsisë.

A ka të dhëna, se në cilët sektorë shfaqet më shumë mungesa e fuqisë punëtore?

Isilda Mara: Po nga burime të ndryshme informacioni ka të dhena se jo vetëm sektorët që kërkojnë punëtorë të kualifikuar po përballen me vëhtirësi në gjetjen e stafit dhe plotësimin e vakancave, por edhe sektorë të tjerë janë duke u përballur me sfida të ngjashme. Në Shqipëri sektori më i prekur është ai i mjekëve dhe infermierëve. Edhe Sllovakia ka vështirësi në gjetjen e infermierëve, mjekëve, por edhe profesionistëve si inxhinierë, përpunues të database, punonjës të montimit të pajisjeve dhe makinerive, por edhe punonjës të shitjeve dhe shërbimeve.

Cilat janë pasojat e këtij fenomeni për vendet e rajonit?

Isilda Mara: Pasojat janë sigurisht së pari demografike: plakje dhe tkurrje e popullsisë; pra mungesa e kapitalit human për shkak se të rinjtë dhe ata që janë të kualifikuar kanë emigruar dhe vazhdojnë të emigrojnë. Pasoja tjetër është në zhvillim, për shkak se rritja ekonomike mund të ndikohet negativisht, nëse sektorët në zhvillim dhe ekspansion përballen me sfidën e gjetjes së krahut të punës dhe me kualifikimet dhe aftësitë e nevojshme.

Çfarë duhet të bëjë politika e këtyre vendeve konkretisht për ta zbutur këtë problem?

Isilda Mara: Sigurisht duhen ndjekur politikat, të cilat mund të zbusin rritjen negative të popullsisë, rritja e fertilitetit po ashtu, këto janë faktorë që e tregojnë efektin në terma afatgjatë. Në ato afatshkurtër termi imigracion nga vendet e tjera mund të jetë një opcion i shpejtë, megjithatë duke pasur parasysh sfidat e migracionit, me të cilat po përballet BE, duhet theksuar, se migracioni mbetet një alternativë shumë e diskutueshme.

Po konkretisht Shqipëria?

Isilda Mara: Nëse do të merrja parasysh Shqipërinë shumë e rëndësishme që të zbutet emigracioni, kjo duke afruar perspektiva më të mira për të ndërtuar një të ardhme në Shqipëri. Faktor tjetër që duhet të merret në konsideratë është edhe diaspora – përfshirja e saj më aktive për thithjen e investimeve dhe know-how, kjo duhet parë me përparësi dhe në këtë drejtim duhen ndërmarrë hapa. Gjithashtu remitancat – aspekti positiv i emigracionit të lartë – nuk duhet thjesht të shkojnë për konsum por të kanalizohen në investime dhe gjenerim vendesh pune.

Studimi i Institutit Vjenez përmend digjitalizimin dhe automatizimin e punës, si një mundësi për t’u përballur me mungesën e fuqisë punëtore Sa mund të ndihmojë ai, kur këto vende janë ende shumë pas niveleve europiane?

Isilda Mara: Dixhitalizimi sigurisht është një mundësi e mirë, megjithatë digjitalizimi është një element komplementar, ai është për ato profesione që kërkojnë “hard skills” dhe mund të ndihmojë pak për ato profesione, të cilat kërkojnë soft skills. Vendeve të Europes lindore u mbetet ende shumë për të bërë në këtë drejtim.

 

 

Isilda Mara është eksperte e Institutit Vjenez për Studimet e Ekonomisë Botërore, WIIW me fokus Shqipërinë dhe Kosovën. Ajo mban titullin doktore e shkencave ekonomike nga Universiteti i Torinos, Itali.

Moti në Maqedoninë e Veriut gjatë ditëve në vijim

auto-motiGjatë ditëve në vijim moti do të jetë me diell dhe vranësira, ndërsa në disa pjesë të vendit do të ketë edhe reshje të shiut.

Siç njoftojnë nga Enti Hidrometeorologjik, nga dita e diel do të fillojë destabilizimi i moti, ku do të fillojnë edhe reshjet e shiut. Nga pjesa juglindore e vendit do të fryjë një erë e lehtë.

Nesër temperaturat e mëngjesit do të lëvizin nga një deri më 11 gradë celsius, ndërsa temperaturat ditore do të lëvizin nga 12 deri më 23 gradë celsius./Telegrafi/