Tkurrja e popullsisë në Kosovë dhe ‘ikja e trurit”

ikja e truritQë nga viti 2011 e deri në vitin 2017, mbi 180 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova. Të dhënat janë bërë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Avni Kastrati drejtor i statistikave sociale në këtë institucion, thotë se arsyet e largimit të tyre janë të ndryshme, duke filluar nga bashkimi familjar, punësimi apo edhe studimet.

“Pjesa dërmuese emigrojnë për shkak të çështjeve ekonomike, një pjesë shkon për shkak të bashkimit familjar, për studime apo për një jetë më të qetë, më të mirë sepse ofrojnë kushte më të mira vendet e Bashkimit Evropian. Sa i përket grup moshave, sipas të dhënave të fundit të vitit 2017, pjesa dërmuese rreth 82 deri 85 për qind është e grup moshës 22 – 35 vjeç, do të thotë ajo mosha kryesore e fuqisë punëtore dhe që hyn në riprodhim në aspektin e gjenerimit të popullsisë, emigron”, thotë ai.

Zoti Kastrati thotë se nëpër vite ka ndryshuar edhe struktura e atyre që kanë emigruar.

“Në vitin 2011 ka shkuar një strukturë e nivelit më të ultë të edukimit, në vitin 2017 sidomos ka shkuar edhe një pjesë e popullsisë e cila ka nivel më të lartë të edukimit përfshirë fakultetin, studimet bachelor, master apo ndonjë nivel më të lartë. Do të thotë më herët kanë shkuar më shumë njerëz me shkollë të mesme sidomos viteve 2014 – 2015”, thotê ai.

Shumica e të larguarve, përkatësisht 73 për qind e tyre janë meshkuj dhe kjo ka ka bërë që për herë të parë në pesë vitet e fundit Kosova të popullohet me më shumë femra.

Këshilli i Evropës për marrëdhënie Ndërkombëtare, në një raport të publikuar ditë më parë mbi vendet që kanë humbur më shumë popullsi në dhjetë vjetët e fundit radhiti Kosovën më së larti, me 15 për qind.

Naim Gashi, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se humbja e shpresës është faktori kryesor për ikjen e popullsisë.

“Unë mendoj se ekonomia e Kosovës ballafaqohet me një rrezik të jashtëzakonshëm sa i përket ikjes së dy kategorive fundamentale të një ekonomie nacionale, është ikja e trurit dhe fuqisë së kualifikuar punëtore. Në fakt pa këto dy komponentë është jashtëzakonisht vështirë që të parashohim një rritje afatgjate ekonomike për vet faktin se përveç asaj që ikë fuqia punëtore në fakt ikin edhe konsumatorët dhe të gjithë parametrat makro ekonomik me zvogëlimin e popullatës do të kenë trende negative”, thotë ai.

Zoti Gashi thotë se pasojat e një situate të tillë janë të shumëfishta dhe do të pasyrohen posaçërisht në zhvillimin ekonomik.

“Ne nuk do të jemi më vend atraktiv për investime të jashtme sepse deri më tani kemi theksuar se potenciali ynë kryesor inkurajues për investitorë të jashtëm ka qenë pasuria që ka Kosova dhe fuqia e re punëtore. Në fakt nëse marrim parasysh që nataliteti i popullsisë në Kosovë aktualisht është rreth 23 mijë banorë, nëse i marrim parasysh ata të cilët vdesin, në fakt ne kemi një tkurrje të popullatës dhe tkurrja e popullatës me automatizëm nënkupton edhe tkurrjen e kapaciteteve zhvillimore dhe tkurrjen e ekonomisë”, thotë ai.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri më tani vendi ku më së shumti kanë emigruar njerëzit nga Kosova ishte Gjermania, por matjet e reja ende të papërpunuara tërësisht mund ta nxjerrin Francën në vend të parë.

voa

Shqipëri, tjetër protestë para parlamentit

piramidaNë Shqipëri, opozita zhvilloi sot protestën e radhës e cila nisi para parlamentit dhe u mbyll pranë godinës së qeverisë. Ndërkohë në sallë, shumica u përfshi në debate me përfaqësuesit e opozitës për reformën zgjedhore, pas vendimit për të shtyrë me një muaj Komisionin e Reformës në pritje që Partia demokratike dhe Lsi të pranojnë ftesën për të përmbyllur këtë proces, i cili është dhe një ndër rekomandimet e Këshillit europian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë

Paralelisht me nisjen e seancës së radhës në sallën e parlamentit, jashtë, në hyrje të tij mbështetësit e opozitës u mblodhën sërish për të protestuar. Këtë herë, protesta dominohej nga të rinjtë, ndërkohë që ishin të shumtë ata që mbanin duar parullat vetëm me fjalën “IK”, drejtuar kryeministrit Edi Rama. Edhe sot nuk munguan momentet e tensionit ndërsa një grup protestuesisht u përpoqën disa herë të çanin kordonin e policisë në hyrje të parlamentit.

Manifestuesit u spostuan më pas drejt bulevardit, ndërsa mbanin në duar një piramidë, në majën e së cilës ishte shkruar emri i kryeministrit e që simbolizonte piramidën e krimit dhe të korrupsionit që sipas opozitës drejtohet nga qeveria. Pranë selisë së Qeverisë asaj ju vu më pas flaka. Si zakonisht mbyllja e protestës u shënua me rikthimin e drejtuesve të opozitës në oborrin e selisë së Partisë Demokratike.

Në sallën e parlamentit deputetët që nuk kanë pranuar lënien e mandatit dhe të tjerët që kanë zëvendësuar kolegët e tyre të opozitës, të cilët janë dorëhequr, u përfshinë në debate me shumicën për reformën zgjedhore. Debatet u nxitën nga propozimi i djeshëm i socialistët Damian Gjiknuri për të shtyrë me një muaj Komisionin e Reformës, për t’i lënë mundësi opozitës që t’i bashkohet këtij procesi.

Por sipas deputetes Rudina Hajdari, shumica duhet të komunikojë tanimë me përfaqësuesit e opozitës që janë në sallën e parlamentit: “Atë Komision e keni bërë me ata deputetë që keni pasur. Ne nuk e dimë se çfarë keni folur me ta, me çfarë propozimesh ata kanë ardhur dhe çfarë duan të bëjnë më këtë reformë zgjedhore. Ky është një parlament i ri dhe ju duhet ta pranoni këtë realitet. Duhet ta pranoni që këtu do të vijnë propozime të reja. Duhet të pranoni që atij komisioni i ka mbaruar mandate në 21 shkurt 2019”.

Kryeministri Edi Rama nga ana e tij, shpjegoi se propozimi për shtyrjen është thjesht shenjë e një vullneti të mirë për të përmbyllur të vetmin proces të hapur me opozitën, duke saktësuar se megjithatë nuk do pritet pa fund, ndërsa kujtoi se ka qenë këmbëngulja e Partisë Demokratike që Reforma zgjedhore të përfshihet në rekomandimet e Këshillit europian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë në qershor: “Ne do t’i presim për aq kohë sa pret puna. Nëse nga ana e Komisionit Europian nga ana e Bashkimit Europian do të kuptojmë se ligji zgjedhor duhet kaluar këtu, përpara sesa të merret vendimi për çeljen e negociatave, sepse është i shkruar në tekst, ne do ta kalojmë këtu dhe do t’i referohemi vetëm rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, pa përfshirë elementët e tjerë”.

Një ditë më parë Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn duke folur në parlamentin euriopian tha se “do të bëjmë rekomandimin për Maqedoninë e Veriut, gjithashtu Shqipërinë, që këto vende duhet të nisin fazën parapërgatitore për çeljen e negociatave për anëtarësim dhe kjo do të bëhet zyrtarisht”.

Pavarësisht rekomandimit vendimi i mbetet shteteve anëtare. Situata politike në Shqipëri natyrisht që nuk ndihmon në një vendim pozitiv, ndërkohë që rezultatet e zgjedhjeve europiane do të jenë gjithashtu përcaktuese në pozicionin që do të marrin vendet anëtare.

Stoltenberg paralajmëron Kongresin për kërcënimin rus

StoltenbergKreu i NATO-s paralajmëroi të mërkurën Kongresin amerikan për kërcënimin që paraqet ndaj aleancës Rusia, që ai tha se është bërë “më agresive”, duke përfshirë shkeljet e saj ndaj Traktatit të Forcave Bërthamore me rreze të mesme veprimi.

“NATO-ja nuk ka ndërmend të vendosë raketa bërthamore me bazë tokësore në Evropë”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. “Por NATO-ja, – tha ai, – gjithmonë do të ndërmarrë hapat e nevojshme për të garantuar një frenim të besueshëm dhe efektiv.”

“Ne nuk duam t’a izolojmë Rusinë. Ne përpiqemi për një marrëdhënie më të mirë me Rusinë,” tha zoti Stoltenberg. “Por edhe me një marrëdhënie më të mirë, ne përsëri na duhet të përballemi me një problem të vështirë.”=

Zoti Stoltenberg e përdori fjalimin e tij edhe për të argumentuar me forcë se NATO-ja është “aleanca më e suksesshme në histori”, edhe pse Presidenti Donald Trump shpesh është shprehur me komente ironike për të.

Anëtarët e Kongresit, të cilët e përshëndetën zotin Stoltenberg me

brohoritje të gjata, thanë se e shihnin fjalimin e tij përpara sesionit të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit si një rast për të riafirmuar angazhimin amerikan ndaj aleancës.

Zoti Stoltenberg është i pari norvegjez të cilit i akordohet nderi i rrallë për të mbajtur një fjalim të tillë.

“NATO-ja ka qenë e dobishme për Evropën, por edhe për Shtetet e Bashkuara,” tha ai.

Zoti Stoltenberg, i cili ka qenë dy herë kryeministër i Norvegjisë, pranoi dallimet që ekzistojnë midis vendeve të NATO-s për tregtinë, energjinë, ndryshimet klimatike dhe çështje të tjera, por tha: “Kjo është demokracia, nuk është shenjë e dobësisë, është shenjë e forcës”.

Kreu i NATO-s u takua të martën me Presidentin Trump, i cili tha se presioni i tij që vendet e NATO-s të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre ka shtuar dhjetëra miliarda dollarë më shumë kontribute, por aleatët mund dhe duhet t’i rritin edhe më shumë buxhetet e tyre.

Zoti Stoltenberg tha se vendet e NATO-s janë “duke u shtuar miliarda” shpenzimeve të tyre të mbrojtjes.

NË 70-VJETORIN E ALEANCËS

Zoti Stoltenberg u prit në Kapitol me duartrokitje të gjata.

Ai theksoi se NATO-ja është jo vetëm aleanca më jetëgjatë, por edhe më e suksesshmja në histori.

“Që nga themelimi i NATO-s në vitin 1949, çdo Kongres, çdo president amerikan, burrat dhe gratë tuaja në uniformë dhe njerëzit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë përkrahës të vendosur të NATO-s. Amerika ka qenë shtylla kurrizore e Aleancës sonë. Ajo ka qenë thelbësore për sigurinë evropiane dhe për lirinë tonë. Ne nuk do të kishim një Evropë paqësore dhe të begatë që shohim sot pa sakrificën dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara,” tha zoti Stoltenberg.

Ftesa për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s erdhi nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell për të treguar mbështetjen dypalëshe që aleanca 70-vjeçare gëzon mes ligjvënësve, pavarësisht kritikave që Presidenti Donald Trump i ka bërë herë pas here aleancës.

Zoti Stoltenberg, mandati i të cilit është zgjatur deri në vitin 2022, tha mes të tjerash në fjalim:

“Ne frenuam Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Ndaluam mizoritë në Ballkan. Luftuam terrorizmin nga Afganistani në Lindjen e Mesme. Mirëpritëm vendet e reja të lira të Evropës Qendrore dhe Lindore në Aleancë, duke ndihmuar në përhapjen e demokracisë, paqes dhe begatisë”.

Ai tha se dyert e NATO-s janë të hapura, dhe se me mbështetjen e aleatëve, Republika e Maqedonisë së Veriut do të bëhet anëtarja e 30-të.

Por zoti Stoltenberg shtoi se suksesi në të kaluarën nuk është garanci për suksesin në të ardhmen.

Fjalimi i tij vjen në prag të takimeve të ministrave të jashtëm të NATO-s në Uashington.

Sesioni i tyre i parë të enjten përqëndrohet tek Rusia. Ministrat pritet të miratojnë një paketë masash për të përmirësuar mbrojtjen e NATO-s në Detin e Zi.

Tema të tjera do të jenë misioni i NATO-s në Afganistan dhe vendimi i shpallur nga Turqia për të blerë një sistem raketash ruse.

Zëvendës-Presidenti i Shteteve të Bashkuara Mike Pence tha të mërkurën se Turqia duhet të zgjedhë nëse do të vazhdojë të jetë një partnere me rëndësi kritike e NATO-s, apo do të rrezikojë partneritetin me ‘vendime të papërgjegjshme’ si blerja e sistemit antiajror rus.

voa

Çfarë partie është CHP në Turqi?

turqiaNë disa qytete turke kandidatë të Partisë Republikane (CHP) arritën fitore. Po çfarë partie është kjo?

Cumhuriyet Halk Partisi (CHP) – në përkthim: Partia Popullore Republikane – u themelua në vitin 1923 nga themeluesi i shtetit turk, Mustafa Kemal Atatürk. Ajo është partia e parë, më e vjetra dhe më e suksesshmja parti e vendit. Asnjë parti tjetër nuk ka marrë më shpesh pjesë në qeveri. Deri në vitin 1945 ajo madje ishte e vetmja parti në Turqi.

Profili i partisë bazohet në të ashtuquajturat “gjashtë shigjeta”, që përfaqësojnë edhe logon e partisë.

-Republikanizmi

-Laicizmi

-Reformizmi (Modernizimi)

-Etatizmi

-Populizmi (Sovranitet i popullit/Demokraci)

-Nacionalizmi

Këto janë deri sot aspektet qendrore të “ideologjisë kemaliste”, të cilat do t’i ruajë dhe mbrojë CHP-ja.

Zhvillim ideologjik

Në vitet gjashtëdhjetë, CHP u hap edhe për vlerat socialdemokrate. Që atëherë, këtë parti mund ta shohësh si parti simotër të partisë socialdemokrate gjermane, SPD. Ajo ka qëndrim miqësor ndaj Evropës dhe e sheh një anëtarësim të Turqisë në Bashkimin Evropian si një hap të nevojshëm për modernizim. Në tërësi, CHP ka një qëndrim pozitiv ndaj Evropës dhe Perëndimit. Themeluesi i partisë Atatürk e vazhdoi përshtatjen osmane të vonë ndaj Perëndimit dhe reformoi drejtësinë, ekonominë, ushtrinë dhe politikën sipas modelit të shteteve evropiane.

CHP ka një klientelë shumë më të shkolluar dhe me të ardhura më të larta se partia islamiste-konservatore AKP, e cila si tendencë i drejtohet popullatës më të paarsimuar të fshatrave. Mbështetës ose simpatizantë të CHP kishin për dekada pozicione të rëndësishme në drejtësi, ushtri, arsim dhe kulturë.

Në këtë mënyrë u ndienë të denigruar turqit fetarë dhe fshatarë. Kemalizmi perceptohej nga kjo shtresë e popullatës si antifetar dhe që donte të prishte traditat ekzistuese. Për shembull, Kemal Atatürku i ndaloi që të mbahen në godina publike qeleshen dhe shaminë tradicionale të kokës, që në Turqi quhen Fes. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe partia e tij, AKP mundën të nxjerrin kapital nga kjo atmosferë.

Rënie pikiatë e CHP – ngjitje e AKP

Ndikimi i CHP-së ra shumë pas fitores së parë në zgjedhje të AKP-së në vitin 2002. Që atëherë, kjo parti pas AKP-së është gjithnjë në pozitë më të disfavorshme. Rivalja konservatore ka arritur madje që në shumicën e zgjedhjeve parlamentare të sigurojë shumicën.

Kjo bëri që në njëzet vitet e shkuara të niste një ndryshim pushteti dhe ndryshim kulturor që përfshiu gjithë shoqërinë. Erdogani e konsolidoi pushtetin, duke e zëvendësuar elitën e vjetër kemaliste, veçanërisht në medie, drejtësi dhe në ushtri, me një elitë të re konservatore. Rivaliteti midis CHP dhe AKP-së pra është më tepër se i natyrës politike. Partitë veprojnë si të thuash si kundërpole në një luftë kulturore.

dw

Imamoglu kërkon konfirmimin e fitores në Stamboll

ImamogluKandidati i opozitës për kryetar bashkie të Stambollit i kërkoi të mërkurën bordit të zgjedhjeve të Turqisë të konfirmojë fitoren e tij të ngushtë, pasi në tetë nga 39 zonat zgjedhore të qytetit, nisi rinumërimi i pjesshëm i votave.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan pësoi një goditje politike në zgjedhjet e së dielës, ndërsa rezultatet e para treguan se Partia Popullore Republikane në opozitë (CHP) kishte mposhtur partinë e tij, AKP-në në Stanboll dhe Ankara, dy qytetet më të mëdha të Turqisë.

Në Stamboll, kandidati i AKP-së, ish-kryeministri Binali Yildirim, u mposht me një rezultat të ngushtë prej kandidatit të Partisë Republikane Popullore Republikane (CHP) në opozitë, Ekrem Imamoglu.

Partia e presidentit Erdogan paraqiti një ankesë të martën për të kundërshtuar rezultatin në Stanboll, duke kërkuar korrigjimin e parregullsive të supozuara si dhe rinumërimin e votave të shpallura të pavlefshme. Pas shqyrtimit të ankesave, Këshilli i Lartë Zgjedhor (YSK) urdhëroi rinumërimin në tetë zona zgjedhore të Stambollit.

Zoti Imamoglu i kërkoi Këshillit të Lartë Zgjedhor “të bëjë punën e vet” dhe ta shpallë atë fitues të garës për kryetar bashkie. “Ne duam drejtësi”, u tha ai gazetarëve duke shtuar se “bota po na vëzhgon”.

Nënkryetari i AKP-së Ali Ihsan Yavuz i doli në mbrojtje partisë së tij duke thënë se nuk po ndodh asnjë veprim i paligjshëm. Ai vuri në dukje se diferenca e votave mes kandidatëve (Imamoglu dhe Yildirim) është ngushtuar në më pak se 20 mijë vota.

“Besojmë se e vërteta do të dale sonte dhe të gjithë do t’i pranojmë rezultatet. Të dy Ekrem Imamoglu dhe AKP-ja do të pranojnë rezultatin,” tha ai në një konferencë shtypi.

Nëse konfirmohen fitoret paraprake të kandidatëve të opozitës, CHP-ja do të marrë kontrollin e Stambollit dhe kryeqytetit Ankarasë. Zoti Erdogan, i cili bëri fushatë të fuqishme për AKP-në, ka gjasa të humbasë një pjesë të kontrollit mbi kontratat lokale në këto dy qytete, që ndoshta do të pengojë përpjekjet e tij për ta nxjerrë ekonominë turke nga recesioni.

voa

BB: Kosova me rritje ekonomike 4.4 %, por me papunësi të lartë

prishtinaNë raportin e Bankës Botërore për Kosovën thuhet se shpenzimet e larta publike nuk do të jenë të mjaftueshme për të ulur papunësinë e lartë.

Rritja ekonomike në Kosovë gjatë vitit 2019 pritet të jetë 4.4 përqind dhe kjo rritje është nxitur nga investimet publike dhe private, mirëpo, papunësia vazhdon të mbetet problem shqetësues në Kosovë. Mijëra vende të punës kanë humbur, po ashtu sfidë mbetet hyrja e madhe e të rinjve në tregun e punës dhe shpenzimet e larta publike dhe këto nuk do të jenë të mjaftueshme për të ulur sa duhet papunësinë e lartë. Kështu thuhet në raportin e Bankës Botërore për Evropën Juglindore pjesa për Kosovën, ku u bëhet thirrje autoriteteve në Kosovë që të përshpejtojnë me reforma në mënyrë që rritja aktuale ekonomike të gjenerojë më shumë vende pune.

BB: Shpërndarje jo e mirë e buxhetit

Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli, tha në një konferencë për medie, se mënyra jo e mirë e shpërndarjes së buxhetit të Kosovës mbetet një nga problemet me të cilat ballafaqohet vendi. “Pagat dhe rritja e sektorit publik me më shumë kategori përfituese të posaçme siç janë veteranët e luftës dhe të tjerë, janë duke e marrë një pjesë të madhe të buxhetit. Kjo nuk do duhej të ishte problem, nëse ke burime të shumta dhe për të vendosur nëse dëshiron të mbështesësh popullin tënd me arsimim më të mirë, kujdes shëndetësor më të mirë dhe përmirësimin e mjedisit për sektorin privat. E shohim shqetësues buxhetin e shtetit për mënyrën se si po ndahet”, tha Marco Mantovanelli.

Ai përmend si shqetësime miratimin e ligjit për pagat dhe rreziqet fiskale që mund të sjellë ai ligj sapo të fillojë së implementuari. Ligji për pagat është miratuar në Kuvendin e Kosovës në fillim të shkurtit, ku pagat në sektorin publik kanë shënuar rritje. ”Rreziqet fiskale janë në rritje. Ligji i ri për pagat publike, nëse nuk rregullohet me legjislacion të kujdesshëm dytësor, mund të rezultojë në deficite më të larta se rregulli fiskal, ose të çojë në një përkeqësim të përbërjes së shpenzimeve publike. Rreziqe tjera fiskale mund të lindin nga rritja e shpenzimeve të pashënjestruara për mbrojtje sociale. Deri në vitin 2025, borxhi publik dhe garancionet mund të arrijnë 30 për qind të Bruto Prodhimit Vendor nëse rritja e shpenzimeve rrjedhëse vazhdon të tejkalojë rritjen e të hyrave”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Reagimi i Ramush Haradinajt

Në raport më tej thuhet se Kosova duhet të drejtpeshojë rreziqet, të zbatojë reformat që do të mundësonin krijimin e vendeve të reja të punës dhe krijimin e mbulesës fiskale në rast të ndonjë krize eventuale ekonomike. Por kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, nuk është pajtuar me një pjesë të raportit të Bankës Botërore, tek rritja e shkallës së papunësisë dhe humbja e vendeve të punës. Sipas kryeministrit, statistikat e qeverisë së  tij tregojnë se “në Kosovë ka rritje të vendeve të punës”.

BB: Papunësia në Kosovë është rritur, investimet e huaja kanë rënë

“Nuk qëndrojnë këto shifra. Si i merrni dhe i interpretoni Ju, është çështje tjetër. Statistikat tona janë ekzistuese. S’ka humbje të vendeve të punës. Ka rritje. S’është rritja që kemi dëshiruar, por ka rritje të vendeve të punës”, komentoi shkurt kryeministri Haradinaj, raportin e Bankës Botërore, i cili shpreson që me këtë mekanizëm financiar botëror do të ketë partneritet në disa projekte në vend. Banka Botërore nuk ka dhënë kredi për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re.

Mustafa: Janë humbur 17 mijë vende pune

Nga ana tjetër lideri i partitë më të madhe opozitare LDK-së Isa Mustafa,  ka kritikuar qeverinë e Kosovës për moskrijimin e vendeve të punës, madje edhe për humbjen e tyre. “Është lajm i mirë se Kosova po vazhdon të kryesojë me rritjen ekonomike krahasuar me vendet në regjion. Por, është lajm i keq se në vitin 2018 kemi humbur 17 mijë vende të punës dhe se kjo rritje ekonomike, e bazuar në investime publike, nuk po gjeneron vende të reja të punës. Përkundrazi”, shkroi në profilin e tij social Isa Mustafa.

Ai më tej thotë se “Në Kosovë, në dy vitet e fundit, po rritet shkalla e papunësisë dhe po zvogëlohen investimet e huaja direkte”. “Derisa institucionet e Kosovës janë të preokupuara me politika populiste, në stilin “kush është më i forti” dhe “kush kujt”, kush po ndërton më shumë autostrada afër katundit dhe regjionit të vet e kush po shet më shumë tenderë, nuk ka qasje serioze dhe interesim për problemin jetik të të rinjve. Papunësinë dhe punësimin e tyre. Koalicioni qeverisës as nuk po di as nuk po don”, kritikoi lideri i opozitës, Isa Mustafa. (dw)

Banka Botërore nxit Shqipërinë të përparojë me reformat dhe me BE-në

Banka BoteroreBanka Botërore tha se rritja ekonomike e Shqipërisë mund të rishikohet këtë vit për shkak të thatësirës.

Vitin e kaluar prodhimi dhe eksporti i energjisë elektrike zuri vend kryesor në rritjen ekonomike.

Eksperët pohuan se reformat strukturore dhe afrimi me BE-në duhen vazhduar si në Shqipëri edhe në rajon.

Banka Botërore i bëri këto komente gjatë publikimit të Raportit Ekonomik Rajonal.

Sipas saj, rritja ekonomike e Shqipërisë për këtë vit mund të rishikohet me ulje për shkak të faktorëve frenues, mes të cilëve janë kushtet klimatike dhe situata politike.

“Pasiguria politike dhe vonesa në zbatimin e reformave strukturore mund të dëmtojnë si klimën e biznesit edhe ecurinë e anëtarësimit në BE, i cili duhet të vijojë të jetë një nga qëllimet kryesore të vendit” – tha Ilda Shijaku, eksperte e Bankës Botërore.

Sipas raportit të WB, është jetike të çohen përpara reformat për të zbutur risqet dhe pakënaqësinë publike në rritje.

Banka Botërore thotë se protestat që kanë përfshirë disa vende të rajonit janë shenjë e pasigurisë.

“Këto protesta që vihen re në shumë vende të Ballkanit lidhen edhe me vonesat në zbatimin e reformave strukturore. Në rastet kur ato lidhen me një pasiguri ekonomike apo me kushte të vështira ekonomike dhe me një pasiguri për të ardhmen, autoritetet e këtyre vendeve duhet të marrin masa, që të përshpejtojnë reformat strukturore, duke lehtësuar integrimin në tregun e punës përmes investimeve në kapitalin njerëzor, duke përmirësuar klimën e biznesit dhe duke krijuar kushte të barabarta zhvillimi për të gjithë” – tha zonja Shijaku.

Sipas Bankës Botërore, detyra kryesore mbeten përmirësimi i klimës së biznesit dhe zbatimi i ligjit, sepse këtë vit ekonomia do të rritet më pak se vjet.

“Rreziqet fiskale janë të pranishme dhe lidhen kryesisht me aktivitetet jashtë bilancit, ku përfshihen PPP-të, si dhe detyrimet që mund të akumulojnë ndërmarrjet publike” – tha zonja Shijaku.

Rritja e prodhimit dhe eksportit të energjisë elektrike ndihmoi vjet rritjen e ekonomisë me 1.5 për qind në totalin prej 4 për qind, por investimet e huaja të drejtpërdrejta janë tani në ritme të ngadalta.

Ndër rreziqet e jashtme janë edhe luftërat tregtare të nisura mes shteteve dhe vështirësitë ekonmike të vendeve fqinje.

“Një tjetër faktor i jashtëm risku është një ritëm më i ngadaltë në rritjen ekonomike të vendeve të BE-së, sidomos të Italisë, e cila regjistroi recesion së fundmi. Gjithashtu janë edhe kushtet më pak të favorshme për huamarrjen, të cilat do të rritnin koston e huamarrjes për Shqipërinë, e cila është ekspozuar ndjeshëm ndaj huamarrjes së huaj” – tha zonja Shijaku.

Rritja ekonomike, sipas ekspertëve, erdhi kryesisht nga rritja e kërkesës së brendshme dhe konsumi më i madh tregtar.

Shqipëria, tha Banka Botërore pati vjet një rritje ekonomike mbi 4 përqind, borxhi publik u ul dhe vendet e punës u shtuan, por reformat strukturore dhe ecja drejt BE-së duhen shpejtuar.

voa

SHBA hedh hapin e parë hakmarrës ndaj Turqisë mbi sistemin S-400

F35Pentagoni tha se pas disa muaj paralajmërimesh, Shtetet e Bashkuara i dhanë fund lëvrimit të pjesëve të avionëve ushtarak F-35 në Turqi, një veprim hakmarrës për shkak të vendimit të Ankarasë që të vazhdojë me blerjen e sistemeve kundërajrore ruse.

Udhëheqësit më të lartë amerikanë janë kërcënuar në vazhdimësi se do të refuzojnë planet e Turqisë për të blerë avionë të avancuar F-35, nëse ajo nuk braktisë përpjekjet për të blerë sistemet ruse S-400.

Ndërprerja e dërgimit të pjesëve dhe doracakëve të nevojshëm për avionët gjatë kësaj vere, është hapi i parë drejt ndërprerjes së plotë të shitjes së avionëve.

Ushtruesi i detyrës së zëdhënësit të Pentagonit, Charles Summers, tha se “Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta se blerja e sistemeve S-400 është e papranueshme. Derisa të heqin dorë nga sistemet S-400, Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar dërgesat dhe nëse Turqia blenë sistemet S-400, pjesëmarrja e saj në programin F-35 është në rrezik”.

Vendimi i Shteteve të Bashkuara pasoi deklarimet e ministrit turk të Punëve të Jashtme, i cili tha se vendi i tij është i përkushtuar ndaj marrëveshjes për blerjen e sistemeve ruse dhe po diskutohen datat e dorëzimit të tyre.

Udhëheqësit amerikanë të mbrojtjes kanë thënë që nëse Turqia, një aleate e NATO-s, nuk rishikon blerjen nga rusët, do të humbiste avionët dhe sistemet e tjera ushtarake amerikane.

Gjatë një dëgjimi në Kongres muajin e kaluar, gjenerali amerikan Curtis Scaparrotti, komandanti i lartë i NATO-s, tha se këshilla e tij kryesore është që Shtetet e Bashkuara të mos punojnë me një aleat që blen sisteme ruse që mund të kërcënojnë një nga mundësitë më të përparuara të ushtrisë amerikane.

Zyrtarët shprehën shqetësimin po ashtu se blerja nga Turqia e sistemeve amerikane dhe ruse, do të mund t’i jepte Moskës qasje në teknologjinë e sofistikuar amerikane dhe do t’i krijonte mundësi që të gjejë rrugë për t’iu kundërvënë sistemit F-35.

Në vitin 2017 Ankaraja nënshkroi një marrëveshje me Moskën për sistemin e raketave S-400. Në të njëjtën kohë, Turqia ka ndihmuar për financimin e programit F-35 dhe ka planifikuar të blejë 100 avionë nga SHBA-ja, pjesa e parë të cilëve është parashikuar t’i dorëzohet autoriteteve turke më vonë gjatë këtij viti. (voa)

SHBA, Epidemia e fruthit dhe rezistenca ndaj vaksinave

RocklandNë 15 shtete amerikane, këtë vit, deri më tani, ka patur më shumë se 300 raste të fruthit Pothuajse gjysma e rasteve janë në distriktin Rockland në veri të Nju Jorkut. Zyrtarët po ua ndalojnë njerëzve të pavaksinuar që të frekuentojnë ambjentet publike.

Për shkak të shpërthimit të epidemisë së fruthit që prej rreth gjashtë muajsh, në Distriktin Rockland të Nju Jorkut është deklaruar gjendja e jashtëzakonshme.​

“Cilitdo nën moshën 18 vjeçare dhe që nuk është vaksinuar për fruthin do t’i ndalohet të shkojë në vendet publike, deri në momentin kur gjendja e emergjencës të skadojë, pas 30 ditëve, ose derisa ata të marrin së paku dozën e parë të vaksinës.”- thotë një zyrtar.

Në vendet publike përfshihen qendrat tregtare, restorantet, autobusët dhe trenat. Policia nuk do të kërkojë historinë e vaksinimit, por prindërit mund të përballen me një gjobë prej 500 dollarësh dhe deri në gjashtë muaj burg, nëse refuzojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.

Epidemia ka shpërthyer kryesisht në mesin e komunitetit hebraik ultra ortodoks.

Zyrtari i distriktit thotë se e rëndësishme është që prindërit duhet të kuptojnë rrezikun e fruthit:

“Çdo rast i ri mund të sjellë pasoja, si pneumoni, encefalit, ënjtjen e trurit, ose lindje të parakohshme, që mund të çojë në komplikacione dhe madje edhe vdekje,” thotë Ed Day, zyrtar i distriktit Rockland​.

E rëndësishme është që të mbahen të sigurtë personat që nuk mund të vaksinohen.

“Po foshnjat që kanë kontakte me nënën dhe babanë? Nipi im për shembull është i porsalindur. Po për gratë shtatzëna dhe njerëzit me sistem imunitar të dobët, si pacientët dhe të mbijetuarit e kancerit?”

Megjithatë, niveli i vaksinimit në SHBA është i lartë. Një studim i Qendrës për Diagnostikimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC, zbuloi se 94 përqind e fëmijëve në SHBA marrin dozën e parë të vaksinave që i mbrojnë nga fruthi, shytat, rubeola dhe sëmundje të tjera të parandalueshme.

Por për vaksinat që merren me faza, përfshirë vaksinën kundër fruthit, situata nuk është aq e mirë.

Disa shtete i lejojnë prindërit që kundërshtojnë vaksinimin e fëmijëve për arsye fetare ose filozofike, që të mos i vaksiojnë fëmijët e tyre. Shkalla e vaksinimit në këto shtete ka rënë vazhdimisht. Në këto kushte, rastet e fruthit janë shtuar.

Disa prindër gabimisht besojnë se vaksinat mund të shkaktojnë autizëm tek fëmijët. Por një numër studimesh kanë treguar se kjo nuk është e vërtetë.

“Këto vaksina janë provuar që janë të sigurta, i kemi ndjekur fëmijët që kanë marrë këto vaksina dhe jemi të bindur që ato janë të sigurta për t’u përdorur”.

Megjithatë, disa prindër nuk janë të bindur për këtë.

Distrikti i Rocklandit po i ofron falas vaksinat e fruthit, në përpjekje për t’i dhënë fund epidemisë.

Vizita historike e Tsprasit në Maqedoninë e Veriut

Tsipras ZaevKryeministri i Greqisë Alexis Tsipras ka mbërritur të martën në Shkup në vizitën e parë të një kryeministri grek në Maqedoninë e Veriut, që nga pavarësia në vitin 1991. Tsiprasin u prit me ceremoni shtetërore.

“Mirëserdhe shoku im”, ishin fjalët e para të cilat Zaevi i tha në momentin kur Tsiprasi zbriti nga vetura në oborrin e qeverisë. Zaev si shenjë afërsie realizoi edhe “selfie” me Tsiprasin. Vizita e kryeministrit grek është historike meqë ne po ndërtojmë një të ardhme të sigurtë për qytetarët e të dyja vendeve. Me vendimet e guximshme sot marrëveshja e Prespës është realitet, theksoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.
“Me këtë vizitë ne po ndërtojmë një Ballkan të ri. Fryma e miqësisë është në mesin tonë. Marrëveshjen e arritur me Greqinë ia dedikojmë gjeneratave të reja. Vetëm në muajt e parë të nënshkrimit të marrëveshjes kemi ritje reale të ekonomisë në këmbim me Greqinë”, ka deklaruar Zoran Zaev.
Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras tha se vizita e tij në Shkup është një hap historik, jo vetëm për rajonin por edhe për Evropën. Ne po ndërtojmë ura në vend të mureve. Kemi humbur shumë kohë në të kaluarën, andaj tani duhet të vrapojmë për të arritur benefitet për qytetarët e të dyja vendeve. ” Greqia do ta përkrahë Maqedoninë e Veriut në procesin e reformave që ajo të jetë sa ma afër me familjen e Bashkimit Evropian. Ne jemi këtu si shokë dhe nuk do të mungojë ndihma e jonë”, tha kryeministri grek.

Opozita në të dyja vendet duhet të jetë konstruktive

Në pyetjen e gazetarëve se sa rrezikohet Marrëveshja e Prespës nga partitë opozitarë në Greqi dhe Maqedoni, Tsipras tha se në vendet demokratike marrëveshjet janë të obligueshme. Investimet për të ardhmen shënojnë një histori të re, andaj nuk besoj që opozita në Greqi do të ndërmarrë hapa kundër këtyre proceseve. Ajo çka është arritur duhet ruajtur dhe asesi të rrënohet, këto janë procese të pakthyeshme ka thënë kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.

Janë nënshkruar mbi 30 marrëveshje bashkëpunimi

Gjatë qëndrimit në Shkup të dy kryeministrat kanë nënshkruar mbi 30 marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme, duke filluar nga ekonomia, mbrojta, energjetika dhe kultura. Po ashtu janë formuar edhe shumë komisione të cilat do të intesifikojnë bashkëpunimin dhe do t’i zgjidhin aty për aty problemet të cilat do të paraqiten.

Forumi i biznesit

Në kuadër të vizitës së Tsiprasit në Shkup mbahet edhe Forumi i Biznesit, në të cilin po marin pjesë  përfaqësues të më shumë se njëqind kompanive të mëdha dhe të mesme greke, të cilat janë të interesuara për të investuar në Maqedonin e Veriut. Kompanitë greke tashmë kanë treguar interesim për të investuar më shumë se 500 milionë euro në sektorin energjetik në Maqedoninë e Veriut, ndërsa ka interesim për të investuar edhe në bujqësi dhe sektorë të tjerë. “Vijnë përfaqësues të kompanive të mëdha të cilat kanë qarkullim vjetor prej miliarda eurove siç janë Motor oil, Mitilineos grup”,t hotë kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.
Përveç me kryeministrin Zoran Zaev, Tsipras është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi. Në agjendën e takimeve nuk bën pjesë presidenti Gjorge Ivanov, i cili kundërshton publikisht marrëveshjen me Greqinë për emrin.

Në mbrëmjen e së hënës, një ditë para ardhjes së Tsiprasit në Shkup, para ndërtesës së qeverisë, është vendosur edhe mbishkrimi i ri me emrin “Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut” – në maqedonisht, shqip dhe anglisht.

dw