DASH: Mbështesim fort hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO

Departament of StateNjë zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin fort hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO, si anëtare e 30 e saj.

I pyetur nga Zëri i Amerikës, ai tha se shpreson që ratifikimet nga vendet anëtare të përfundojnë në vjeshtë të këtij viti.

Zyrtari tha se SHBA janë gjithashtu mbështetëse e fuqishme e rrugës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai tha se ndihma e SHBA është e drejtuar në mbështetje të reformave të nevojshme për këto përpjekje dhe se zyrtarët amerikanë mbajnë kontakt të ngushtë me vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Për shembull, Gjermania, tha ai, është një vend me të cilin ne flasim, për të nënvizuar besimin tonë se të dhënat pozitive të pasqyruara në raportin e fundit të Komisionit (për Zgjerimin) do të merren në konsideratë të plotë, ndërsa fillojnë të planifikojnë hapat e ardhshëm për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë si dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në BE.

voa

KE: Negociatat me Shqipërinë të hapen tani

MogheriniShqipëria mori sot sërish rekomandimin për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, ndërsa Komisioni europian nënvizoi se ky është një hap që duhet ndërmarrë tani. Në raportin për vendin, Komisioni europian vlerëson përparimin e bërë, duke vënë theksin te ecuria e Reformës në Drejtësi e vecanërisht në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Fjala e fundit megjithatë i mbetet vendeve anëtare, udhëheqësit e të cilave do të mblidhen pas tre javësh ku pritet të shqyrtohet dhe kjo çështje

I pari që dha njoftimin për vendimin e Komisionit europian ishte Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn në prezantimin në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit europian të Raporteve për vendet e Ballkanit dhe Turqinë. Duke vlerësuar ecurinë, si të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, ai tha se “të dyja vendet kanë bërë përpara me reformat, vecanërisht në fushat e përcaktuara nga Këshilli në Qershor 2018. Për këtë arsye Komisioni europian i rekomandon Këshillit hapjen e bisedimeve tani, si me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut”.

Një shpjegim pak më të detajuar komisioneri Hahn dha më pas në konferencën e përbashkët për shtyp me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit europian për politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini ku ai renditi përparimin që sipas tij Shqipëria ka bërë me Reformën në Drejtësi, me atë të administratës publike, apo në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku vuri në dukje dhe bashkëpunimin e policisë shqiptare me agjensitë homologe të vendeve anëtare. Zonja Mogherini nga ana e saj u vuri theksin te Reforma në Drejtësi: “Në vecati më lini të nënvizoj zbatimin mbresëlënës të Reformës së thellë dhe ambicioze në Drejtësi. Procesi i riverësimit të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve po jep rezutate të prekshme”

Në një përmbledhje të vlerësimit për Shqipërinë, drejtuar Parlamentit dhe Këshillit, theksohet se “për të mbështetur vijueshmërinë së reformave, Komisioni do të zbatonte një qasje të përforcuar për kapitujt negociues mbi gjyqësorin dhe të drejtat themelore, si dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë në vend. Shqipëria duhet të vijojë të rregjistrojë rezultate të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Një konsensus më i fortë kombëtar mbi prioritetin mbizotërues të integrimit në BE, tejkalimi i polarizimit aktual dhe demonstrimi i vullnetit politik që shkon përtej ndarjeve mes partive, është gjithashtu i nevojshëm për të mbështetur dhe konsoliduar përparimin e bërë nga vendi”, thekson dokumenti.

Lidhur me situatën politike Komisioni shprehet se “partitë e opozitës, shumica prej të cilave hoqën dorë nga mandatet e tyre parlamentare në shkurt të vitit 2019, duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike dhe të angazhohen për një konsensus të gjerë evropian”.

Edhe kryeministri Edi Rama, i cili mori Raportin nga ambasadori i Delegacionit europian Luigi Soreca pati një apel për opozitën: “Deri në momentin e vendimmarrjes nga Këshilli Europian është mirë që të mendojnë për Shqipërinë, jo për partinë. Është mirë të mendojnë për gjeneratën tjetër, jo për zgjedhjet e radhës. Është mirë që të mos furnizojmë ata, të cilët mund të jenë të lëkundur, apo mund të jenë në kërkim të arsyeve për të thënë “Jo” me pamje të gënjeshtërta, që nuk pasqyrojnë realitetin nga Tirana, protestash që janë partiake, nuk janë popullore”.

Situata politike natyrisht që mund të ketë ndikimin e saj në vendimin e vendeve anëtarë, mes të cilave sërish nuk mungojnë skeptikët, aq më tepër kur diskutimet për rezultatet e zgjedhjeve europiane janë ende të zjarrta, ndërsa udhëheqësit e vendeve kryesore do të duhet të mendojnë që tani për qasjen e ardhshme të Bashkimit por dhe për figurat e reja të cilave do t’u besojnë drejtimin e ardhshëm të institucioneve europiane.

Kryeministri Rama u shpreh se gjatë 3 javëve të mbetura, deri në mbledhjen e 20-21 Qershorit të Këshillit europian, qeveria do të bëjë gjithshka për të inluencuar gjykimin politik të vendeve anëtare, ndërsa u shpreh i kënaqur, por jo i surprizuar, për rikonfirmimin e rekomandimit të Komisionit.

Sic theksoi dhe zonja Mogherini “ky është një rekomandim i bazuar në një vlerësim solid. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë pjesën e tyre të punës, tani i takon Bashkimit europian të përmbushë pjesën e tij”.

Edhe Komisioneri Hahn, në komentet e tij ishte në të njejtën linjë kur tha se “që të mbetemi të besueshëm, Bashkimi europian duhet t’i përmbahet angazhimeve të veta dhe të përgjigjet qartë dhe pozitivisht, kur vendet i përmbushin detyrimet e tyre”.

Në përmbledhjen e vlerësimit për Shqipërinë, vihet në dukje se vendi “ka vazhduar të bëjë përparim të mirë dhe dëshmoi vendosmërinë e tij të vazhdueshme për të përparuar me agjendën e Bashkimit Europian. Shqipëria ka patur rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme, veçanërisht lidhur me kushtet e përcaktuara në Përfundimet e Këshillit të Qershorit 2018 për hapjen e negociatave të pranimit, në një atmosferë politike të polarizuar vazhdimisht”.

Komisioni Europian thekson se “zbatimi i Reformës në Drejtësi ka vijuar në mënyrë të qëndrueshme, duke sjellë një progres të mirë në përgjithësi dhe duke hedhur themelet për forcimin e sektorit dhe konsolidimin e pavarësisë, paanshmërisë, profesionalizmit dhe llogaridhënies. Rezultate konkrete janë arritur në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ristrukturimi institucional i gjyqësorit ka vazhduar gjithashtu”.
Sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Komisioni vëren se “kanë vijuar përpjekje të vendosura, përfshirë luftën kundër trafikimit të drogës dhe kultivimit, duke kontribuar në krijimin e një baze të qëndrueshme të dhënash në hetime proaktive, ndjekje penale dhe dënime. Vitet e fundit, Shqipëria tregoi në vijim, një angazhim të fortë për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit”. Po ashtu vlerësohet dhe bashkëpunimi ndërkombëtar i policisë shqiptare, veçanërisht me Shtetet anëtare të BE-së, i cili “është intensifikuar, duke çuar në një numër operacionesh të suksesshme të zbatimit të ligjit në masë të madhe dhe arrestimin dhe ndjekjen penale të krerëve të organizuar kriminalë”. Por sipas Komisionit “krijimi i një regjistri të qëndrueshëm të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar mbetet një sfidë afatgjatë që vazhdon të kërkojë përpjekje të mëtejshme të përforcuara dhe të qëndrueshme nga Shqipëria, duke përfshirë bashkëpunimin operacional me Shtetet Anëtare të BE-së.
Reforma e administratës publike, thekson dokumenti, “vijoi me objektivat e përgjithshme të rritjes së profesionalizmit dhe transparencës në procedurat e rekrutimit për shërbimin civil, si dhe forcimin e politikë-bërjes duke konsoliduar strukturat e koordinimit sektorial dhe krijimin e kuadrit rregullator për vlerësimin e ndikimit. Masat për përforcimin e mbrojtjes efektive të të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe personat që u përkasin minoriteteve dhe romëve, si dhe politikat kundër diskriminimit, u ndoqën më tej. Rritja ekonomike u rrit më tej nga 3.8% në 2017 në 4.2% në vitin 2018 dhe papunësia dhe deficiti buxhetor ranë edhe pse mbetën të larta. Mungesa e njohurive, nivelet e ulëta të arsimit dhe të transferimeve teknologjike pengojnë konkurrencën e saj dhe integrimin në zinxhirët e vlerave ndërkombëtare”, vë në dukje Komisioni.

(voa)

BE-ja kërkon sërish heqjen e tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe

Mogherini HahnShefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn, i kërkuan të mërkurën sërish Kosovës që të heqë tarifat prej 100 për qind të vendosura ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Komentet ishin pjesë e publikimit të Raportit vjetor të Zgjerimit, i cili përcakton përparimin që kanë bërë vendet që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian.

Kosova duhet të përqendrohet në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe duhet të heqë tarifat prej 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bonjë e Hercegovina. Në qershor do të bëj edhe një përpjekje për të zhbllokuar këtë situatë duke shkuar në këto vende, ndoshta për të përgatitur diçka për muajin korrik. Nuk e di nëse do të jetë e dobishme, por duhet ta përdorim çdo mundësi dhe të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të zhbllokuar këtë situatë që po pengon jo vetëm zhvillimin e këtyre dy vendeve, por tërë rajonit”, tha komisionari Johhanes Hahn.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë pezulluar që nga muaji nëntor i vitit të kaluar, kur Prishtina vendosi tarifat në shenjë kundërshtimi ndaj siç është thënë, qasjes agresive serbe ndaj shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, por Prishtina ka refuzuar edhe trysninë ndërkombëtare për një gjë të tillë.

Edhe zonja Federica Mogherini, tha se Kosova duhet të heqë tarifat për t’u hapur rrugë bisedimeve meqë sipas saj, ‘status-quoja’ aktuale nuk është e qëndrueshme. Duke ju referuar operacionit të një dite më parë të policisë së Kosovës që nxiti tensione në veri dhe ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, zonja Mogherini tha se “ajo që ndodhi dje na tregon se Prishtina dhe Beogradi duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të arrijnë një marrëveshje detyruese ligjore. Ajo që ndodhi dje është përkujtues se të gjithë ne jemi për marrëveshje të tillë pasi që i tërë rajoni përfiton prej saj. Është e vërtetë, fola për bashkëpunimin në rajon. E dimë dhe pajtohemi që tendencat e së kaluarës për konfrontim, ose për retorika që nuk janë bashkëpunuese, mund të dalin në çdo moment. Dhe, për këtë arsye them se jemi në një udhëkryq”, tha zonja Mogherini.

Bisedimet tashmë të pezulluara, i patën siguruar Serbisë hapjen e negociatave për integrim, ndërsa Kosova deri më tani ka përfituar vetëm Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, por mbetet e fundit në proceset integruese në rajon. Ajo mbetet edhe vendi i vetëm, qytetarët e së cilës, nuk mund të udhëtojnë pa viza drejt Bashkimit Evropian.

Pas publikimit të raportit të zgjerimit, përfaqësuesja e posaçme e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova, tha se raportin theksohet që të gjitha kriteret janë përmbushur dhe Komisioni dhe Parlamenti Evropian rekomandojnë që liberalizimi i vizave për Kosovën të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Mendoj që kjo është gjuha më e fortë që kemi parë në raport që nxit shtetet anëtare të gjejnë zgjidhje sa më shpejt”, tha zonja Apostolova.

Raporti i publikuar sot vlerëson mes tjerash se situata ne veriun e Kosovës vazhdon të jetë sfidë edhe për agjencitë e sundimit të ligjit sa i përket krimit të organizuar.

Raporti vë re mes tjerash se korrupsioni është ende gjerësisht i shtrirë në Kosovë, e cila “është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar. Disa përparime janë bërë kryesisht përmes reformave të rëndësishme në fushën e sundimit të ligjit, në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të nivelit të lartë dhe në ngrirjen paraprake të pasurisë. Megjithatë, është bërë pak përparim në konfiskimin përfundimtar të pasurive dhe ende ka shumë pak hetime financiare dhe dënime përfundimtare. Masat janë të nevojshme për të siguruar qartazi se nuk ka ndërhyrje politike në organet e zbatimit të ligjit dhe prokurorisë”.

Raporti njeh përparimin “në luftën kundër terrorizmit, veçanërisht në lidhje me krijimin e kushteve më të mira për rehabilitimin dhe riintegrimin e luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre. Autoritetet e Kosovës duhet të jenë më efektive në përpjekjet e tyre për të luftuar pastrimin e parave dhe ligji përkatës duhet të jetë në përputhje me kërkesat e BE-së dhe standardet ndërkombëtare”, thuhet mes tjerash në raport.

voa

Britania do sekuestrojë arin e Ilir Metës në bankat e saj, e fut në listë bashkë me Gjukanoviçin dhe Gruevskin

ilir-meta-floriEskpertët britanikë që po ndihmojnë në gjurmimin e pasurisë së politikanëve, zyrtarëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë nëpër bankat e Mbretërisë së Bashkuar, kanë startuar në Londër në gjurmë të floririt të Ilir Metës.

Bashkë me FBI dhe organet ligjzbatuese shqiptare, në kuadër të zbatimit të reformës në Drejtësi dhe zbardhjes së pasurive të padeklaruara të atyre që kanë abuzuar me paratë e shqiptarëve dhe në kurriz të tyre, tashmë dhe ekspertët britanikë kanë nisur me intensitet punën.

Ata kishin rënë me kohë në gjurmët e arit të Ilir Metës të vjedhur në Kërrabë vite më parë kur ka qënë kryeministër i vendit dhe investuar në Britani por dhe depozituar në bankat e Mbretërisë së Bashkuar dhe sidomos në ishujt me parajsa fiskale.

Por tashmë situata është bërë më e lehtë për ekspertët britanikë, FBI-në amerikane dhe organet ligjzbatuese shqiptare.

Mësohet se Ilir Meta, ish kryetar i LSI dhe aktualisht Presidenti i Republikës së Shqipërisë është renditur në listën e oligarkëve që kanë qarkulluar para të pista dhe që i kanë investuar në biznese në Mbretërinë e Bashkuar dhe në të gjitha vendet, që formojnë Komunuellthin Britanik.

Në këtë listë janë oligarkët rusë të Putinit që kanë gjetur parajsën në Britani, ku kanë investuar paratë e tyre të paligjshme në të gjitha bizneset e mundshme, deri në “fenë” e britanikëve, futbollin.

Kjo listë është nën goditjen e qeverisë së Thereza Mayt për t’iu sekuestruar të gjitha pasuritë e paligjshme.

Bashkë me Metën nga Ballkani është dhe ish drejtuesi veteran i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe miku i Ilir Metës dhe Lulzim Bashës, ish kryeministri maqedonas Nikola Gruevski.

Kjo ka ardhur për shkak të luftës së ashpër diplomatike që ka shpërthyer mes Londrës e Moskës, nga helmimi i një spiuni rus në tokën britanike, bashkë me të bijën.

Dhe kryeministrja May do të synojë pasurinë e madhe që oligarkët rusë e kanë nxjerrë nga Rusia dhe e kanë investuar në prona dhe aksione në Britani të Madhe.

Masat janë marrë urgjente, dhe bashkë me oligarkët rusë do të “digjen” dhe të tjerë që kanë investuar para të paligjshme në tokën britanike.

Mes të cilëve dhe ata nga Ballkani, Ilir Meta Presidenti shqiptar, Milo Gjukanoviç ish president dhe ish kryeministër këtu e 20 e ca vite në Mal të Zi. Si dhe ish kryeministri maqedonas Nikola Gruevski.

Përpos një ligji që do të sjellë fillimin e “gjuetisë” për pasuritë ë paligjshme, do të merren masa deri në ndalimin e vizave për të hyrë në Britani.

Ndërkohë që do të promovohet një fushatë e rëndësishme për të detyruar “gangsterët” e dyshuar rusë, nga Ballkani e më gjërë në Britani të Madhe të japin llogari për pasuritë e tyre të pajustifikuara.

Kryeministrja britanike May do të diskutojë një numër të madh masash të reja me ministrat dhe shefat e inteligjencës në një takim të Këshillit të Sigurimit Kombëtar këtë javë.

Për të pastruar përfundimisht vendin e saj tashmë drejt daljes nga BE, nga të gjithë paratë e pista dhe oligarkët nga e tërë bota që qëndrojnë pas investimeve të tilla në Britani.

Pikërisht duke shfrytëzuar dhe lehtësirat që ky ligj ka, ku do të involvohen të gjitha organet ligjzbatuese britanike, do të përfitojnë dhe ekspertët britanikë, FBI dhe organet ligjzbatuese shqiptare për të zbardhur pasuritë e “oligarkëve” shqiptarë të politikës dhe drejtësisë në Britaninë e Madhe.

Informacioni dhe tërë faturat do të vijnë shpejt në Shqipëri, në kuadër të reformës në Drejtësi.

Njëherësh do të fillojë diskutimi me organet ligjzbatuese në Britani, deri dhe në nivelet më të larta të qeverisë, që paratë e konfiskuara të rikthehen sipas rregullave ndërkombëtare në arkën e shtetit shqiptar.

Por dhe drejtësia do çojë prapa dyerve të burgut Metën dhe të gjithë ata që të gjenden me para të pajustifikuara nëpër bankat e huaja apo të investuara në ekonominë e këtyre vendeve. (infoshqip)

Proges-raportet për Ballkanin nën hijen e zgjedhjeve në BE

BEKomisioni Evropian, të mërkurën (29.05) i paraqet Parlamentit Evropian raportet e progresit për shtetet në procesin e zgjerimit, ku përfshihen shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia.

Në raporte nuk pritet të ketë befasi dhe duket se Komisioni Evropian do të rekomandojë edhe kësaj radhe çeljen e negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në Bruksel kjo ngjarje që vitet e mëparshme është shoqëruar me shumë aktivitete këtë herë ndodhet nën hijen e Samitit të Jashtëzakonshëm të vendeve anëtare, të cilat duhet të vendosin për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të ri të Komisionit të BE-së.

Këto raporte rekomandojnë shumë veprime, të cilat zbatohen në bazë të vendimeve në strukturat e tjera të BE-së të udhëhequra nga zyrtarë të zgjedhur të vendeve anëtare. Vendimi për çeljen e negociatave bëhet nga Këshilli Evropian ku marrin pjesë krerët e vendeve anëtare.

Raporti në tërësi do të përmbajë vlerësime për ecurinë e reformave në vendet e Ballkanit duke përfshirë edhe ato të cilat janë kyçe për Shqipërinë si funksionimi i institucioneve, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit. Sa i përket Shqipërisë dhe Kosovës si pika kyçe do të mbeten lufta kundër korrupsionit dhe funksionimi i drejtë i gjykatave.

Përmbajtja e raportit do të përdoret nga vendet anëtare dhe nga vendet që pretendojnë anëtarësimin si mjete lobimi për marrjen e vendimeve.

Sa i përket çeljes së negociatave për Shqipërinë situata nuk ka ndryshuar me Francën si një kundërshtare me peshë e çeljes së negociatave, e përkrahur nga vende si Holanda dhe Belgjika.

Më herët është spekuluar se qëndrimi negativ i Francës për zgjerimin ka qenë i lidhur me zgjedhjet për Parlamentin e BE-së dhe ndikimin që një vendim i tillë mund ta ketë në këto zgjedhje. Rezultatet e zgjedhjeve nuk përmbushën frikën e forcimit tw së djathtës në nivel evropian, por pozita e Presidentit Makron është goditur, pasi partia e tij humbi kundrejt ekstremit të djathtë të udhëhequr nga Marine Le Pen në Francë. Mbetet të shihet se si ky rezultat do të ndikojë në qëndrimin francez.

dw

Operacion arrestimesh në Kosovë – tensione në veri

Polica e KSPolicia e Kosovës tha se ka ndaluar një numër zyrtarësh policor dhe disa qytetarë në një operacion në disa komuna në Kosovë dhe është përballur me rezistencë të armatosur në veriun e banuar me shumicë serbe, me ç’rast një pjesëtar i policisë është plagosur lehtë.

Miradije Kelmendi, nga Inspektorati Policor i Kosovës tha se gjatë operacionit janë kryer 12 bastisje dhe “janë arrestuar 19 punonjës të Policisë së Kosovës, prej tyre 11 të nacionalitetit serb, 4 shqiptarë dhe 4 boshnjakë. Nga ta njëri është i gradës së kapitenit, 3 rreshterë dhe të tjerët zyrtarë policorë. Janë konfiskuar gjëra të ndryshme ilegale që do të shërbejnë si provë materiale në procedurat penale si armë, pajisje teknologjike dhe sasi parash. Zyrtarët janë ndaluar për 48 orë dhe si pjesë e procedurës administrative janë pezulluar nga detyra”.

Prokurori i Posaçëm i Kosovës, Sylë Hoxha tha se “që në prill të vitit të kaluar i ka filluar veprimet procedurale ndaj disa personave të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për veprën penale të krimit të organizuar, për veprën penale të kontrabandimit me mallra, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti e kështu me radhë”.

Policia tha se operacioni u shtri në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë e Veriut, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj dhe Drenas dhe deri tash janë arrestuar disa qytetarë disa zyrtarë policorë të përkatësive të ndryshme kombëtare si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, të cilët kanë qenë të dyshuar.

“Policia e Kosovës, përveç hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, ka hasur edhe në disa bllokada të rrugëve, të cilat kanë penguar qarkullimin e mjeteve zyrtare, me ç’rast është detyruar të përdorë mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve me qëllim të vazhdimit të operacionit policor”, thuhet në njoftimin e policisë sipas së cilës për shkak të pengesave ka shoqëruar edhe disa qytetarë të përfshirë në këto raste.

Policia tha se një pjesëtar i saj është plagosur lehtë në këmbë, ndërsa 4 të tjerë kanë pësuar lëndime gjatë operacionit. Po ashtu, policia tha se gjashtë qytetarë janë lënduar gjatë operacionit

Grupe qytetarësh serbë dolën në rrugë pas operacionit, ndërsa autoritetet serbe në Beograd thanë se operacioni ka për qëllim të frikësojë popullatën serbe.

Mediet ne Beograd thanë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka urdhëruar që ushtria dhe policia të jenë në gjendje gatishmërie dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtare që të ndërhyjë për të “frenuar Prishtinën”.

Një natë më parë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë një fjalimi në parlamentin serb pranoi që Beogradi e ka humbur kontrollin mbi Kosovën, por paralajmëroi se Serbia do të reagojë nëse shqiptarët sulmojnë serbët në Kosovë.

Të martën ai tha në parlamentin serb që “nëse ndodhë të rrezikohet rendi dhe jetët e njerëzve në veriun e Kosovës, ushtria jonë do të mbrojë popullin tonë”, ndërsa kritikoi komunitetin ndërkombëtarë për qasjen ndaj operacionit të policisë së Kosovës.

​Forcat paqeruajtëse të NATO-s thanë ndërkaq se ky “është vetëm një operacion policor dhe se as Forca e Sigurisë së Kosovës ose ndonjë forcë tjetër ushtarake nuk është vendosur në veri të Kosovës. Për shkak të ndjeshmërisë politike, komandanti KFOR-it fton të gjitha palët që të merren me mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, pa përdorimin e forcës. Njerëzit duhet të qëndrojnë të qetë, nuk kanë asgjë për t’u frikësuar. KFOR-i vazhdon të vëzhgojë situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë, nëse i kërkohet si përgjegjës i tretë, në mënyrë që të garantojë sigurinë për të gjitha komunitetet, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në një njoftim të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se “gjatë përpjekjeve për largimin e barrikadave dhe për të arritur të lokacionet që i kemi pasur në plan për bastisje, në njërën nga barrikadat ka qenë edhe një veturë e OKB-së dhe në të ka qenë një zyrtar i OKB-së me prejardhje nga Rusia dhe një zyrtar lokal që punon po për OKB-në. Kjo është edhe arsyeja që ne i kemi shoqëruar në polici”.

Të dy punonjësit e UNMIK-ut në orët e pasdites janë lënë të lirë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi në rrjetet sociale se “institucionet e rendit dhe ligjit kanë nevojë për besim dhe përkrahje maksimale të tërë shoqërisë në luftën e pa kompromis kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Shpreh keqardhjen time për plagosjen e policit tonë në krye të detyrës dhe i uroj shërim sa më të shpejt. Në dekadën e dytë të Republikës së Kosovës s’do të ketë vend për krim të organizuar dhe ata që merren me aktivitete të kundërligjshme do të përfundojnë prapa grilave. Operacioni i sotëm policor është në të mirë të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim dhe ftoj komunitetin serb në veri që ta ruajë qetësinë dhe ta përkrah luftën kundër krimit të organizuar. Forcimi i rendit dhe ligjit është jetik për barazinë e gjithë qytetarëve dhe përshpejton lëvizjen tonë drejt procesit të integrimeve euroatlantike!”, shkroi ai.

Në një paraqitje para gazetarëve, presidenti Thaçi i cilësi si veprime për nevoja të brendshme politike paralajmërimet e presidentit serb për ndërhyrje në rast të rrezikimit të serbëve të Kosovës.

“Është një deklaratë populiste, një deklaratë që kryesisht ka parasysh opinionin e brendshëm në Serbi, presidenti i Serbisë Vuçiç e di shumë mirë se nuk mund të lëvizë në drejtim të Kosovës, diçka që është e pamundur dhe e pa imagjinueshme dhe edhe vet ai është i bindur, por në çdo rast institucionet e Republikës së Kosovës duke përfshirë edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës janë në gjendje gatishmërie”, tha presidenti Thaçi.

​Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se operacioni është i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale. Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë. Si Kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin!”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Sipas kryeministrit Haradinaj, “forcimi i sundimit të ligjit është në interesin e Kosovës dhe rajonit dhe krimi i organizuar e kontrabanda janë kërcënim për përparimin, prandaj nuk duhet të mbështeten në baza etnike. Qeveria e Serbisë, nuk duhet të pengojë përpjekjet për t’i luftuar ato”, tha ai.

voa

Shumë të arrestuar dhe të plagosur në veri të Kosovës

Policia e ksGjatë një aksioni të Policisë së Kosovës në veri të vendit dhe ne Drenicë, janë arrestuar shumë persona. Policia njofton për të plagosur me armë zjarri.

Një operacion në shkallë të gjërë zhvilloi sot (28.05.2019) Policia e Kosovës në veri të vendit dhe në Drenicë, duke arrestuar rreth 20 zyrtarë doganorë, zyrtarë të policisë dhe qytetarë që dyshohet të jenë të përfshirë në vepra të ndryshme kriminiale. Të ndaluarit dyshohet se janë të përfshirë, në vepra, pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, kontrabandim me mallra, keqpërdorim i pozitës zyrtare, dhënie e ryshfetit dhe tregti e ndaluar, njofton policia e Kosovës. Sipas medieve lokale serbe, në mesin e të arrestuarve është edhe komandanti serb i policisë së komunës së Zubin Potokut, komunë kjo e banuar më shumicë serbe. Gjatë operacionit policia ka hasur në rezistencë të armatosur të grupeve të serbëve. Njoftohet se ka pasur edhe policë të plagosur.

Plagosjet e policëve

“Përkundër hasjes në rezistencë të armatosur në veri të Mitrovicës, operacioni policor është duke vazhduar, përfshirë arrestimin dhe kontrollin e disa lokacioneve, të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e dëshmive relevante përfshirë edhe armë të gjata”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. Mediet lokale njoftojnë se grupe serbësh në veri kanë bllokuar disa rrugë kryesore të veriut, për të vështirësuar operacionin e Policisë së Kosovës. Policia mohon që operacioni në veri të Kosovës ka të bëjë me rastin e policit të vrarë në veri vitin 2011 Enver Zymberi dhe për rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq. Gjithashtu, policia pohon se aksione për arrestimin e të dyshuarve janë zhvilluar edhe në Drenicë dhe jo vetëm në veri të Kosovës.

“Këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disamujor i Inspektoratit të Policisë së Kosovës IPK, dhe Policisë së Kosovës i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në veprimtari kriminale “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal” dhe vepra tjera të specifikuara. Ky operacion policor është ende në vazhdim e sipër. Si pasojë e rezistencës në Veri të Mitrovicës, një zyrtar policor është plagosur por është jashtë rrezikut për jetë, përderisa deri më tani janë arrestuar disa zyrtarë policorë, disa qytetarë si dhe janë konfiskuar gjësende të ndryshme përfshirë edhe disa armë”, thuhet në njoftimin e policisë. Ndërsa zëdhënësja e spitalit të Mitrovicës, Nita Mustafa ka deklaurar për mediat e Kosovës se ndërkohë numri i policëve të plagosur është rritur. “Për momentin katër policë janë të plagosur, por ata janë jashtë rrezikut për jetë. Tre prej tyre janë duke u trajtuar në emergjencë dhe njëri në kirurgji”, tha Mustafa. Këto të dhëna ende nuk janë konfirmuar nga Policia e Kosovës.

Reagimi i Kforit dhe Unmikut

Kfori pohon se kjo është vetëm një operacion policor dhe se as Forca e Sigurisë së Kosovës ose ndonjë forcë tjetër ushtarake nuk është vendosur në veri të Kosovës. Për shkak të ndjeshmërisë politike të momentit, komandanti Kforit fton të gjitha palët që të merren me mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, pa asnjë forcë ose dhunë. Njerëzit duhet të qëndrojnë të qetë, nuk kanë asgjë për t’u frikësuar.

Kfori vazhdon të monitorojë situatën dhe është i gatshëm të intervenojë, nëse kërkohet si përgjegjës i tretë, në mënyrë që të garantojë sigurinë për të gjitha komunitetet, në përputhje me mandatin e vet sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, thuhet në kumtesën e Kforit. Nga veriu njoftohet edhe për fluturimin e një helikopterri të forcave ndërkombëtare, por nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje.

Pas informacioneve se në mesin e të arrestuarve mund të ketë edhe dy bashkëpunëtorë të Unmikut, ka reaguar edhe kjo organizatë. Unmiku pohon se po përcjellë “me shqetësim të thellë zhvillimet në veri të Kosovës, përfshirë ndalimin e dy punonjësve të OKB-së, gjatë kryerjes së detyrave të tyre nga ana e Policisë së Kosovës.” Sipas kumtesës së Unmikut, “që të dy punonjësit më vonë janë transferuar në spital për trajtim të lëndimeve”.

Shefi i Unmikut Zahir Tanin, ka apeluar për lirimin e menjëhershëm të punonjësve të OKB-së, duke shtuar se “çfarëdo dëmi shkaktuar punonjësve të Kombeve të Bashkuara do të përcillet me përgjigje më të larta diplomatike dhe ndërkombëtare ligjore”.

Reagimet e zyrtarëve

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se operacioni policor në veri ka në shënjestër individë të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe aktivitete të tjera kriminale. “Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë. Operacioni u zhvillua me sukses edhe në komunat veriore të Kosovës. Si kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatim të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin”, shkroi në profilin e tij kryeministri Ramush Haradinaj.

Edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ftoi serbët e veriut që ta ruajnë qetësinë, sepse sipas tij, operacioni i policisë është kundër grupeve kriminale dhe për zbatim të rendit dhe ligjit. Ai tha se “forcat e Kosovës janë në gjendje gatishmërie, nëse është e domosdoshme”.

“Institucionet e rendit dhe ligjit kanë nevojë për besim dhe përkrahje maksimale të tërë shoqërisë në luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Në dekadën e dytë të Republikës së Kosovës s’do të ketë vend për krim të organizuar dhe ata që merren me aktivitete të kundërligjshme do të përfundojnë prapa grilave”, shkroi në profilinn e tij Presidenti Thaçi.

Për operacionin e njësive speciale të policisë së Kosovës në veri i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Beogradit zyrtarë. Medium publik i Serbisë RTS, shkruan se Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciq, ka urdhëruar, “vendosjen e të gjitha njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë në gjendje të plotë të gatishmërisë luftarake”. Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha për mediet në Serbi se “nëse ndërkombëtarët nuk e ndalin Policinë e Kosovës, Serbia do të kundërpërgjigjet”.

“Flas në emër të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kemi informuar përfaqësuesit ndërkombëtar se nëse nuk e ndalin aksionin e Prishtinës, kundëraksioni i Serbisë do të ndërmirret brenda ditës së sotme”, citon RTS, Marko Gjuriqin.

dw

Letra e gjashtë e Ramës: Java e fundit për dialog

Rama-BashaLetërkëmibimit virtual me Lulzim Bashën kryeministri Edi Rama i ka dhënë fund me një të gjashtë, e cila është më e shkurtër dhe një përmbledhje e pesë të parave, ku kryefjala është ftesa për dialog.

“Zoti kryetar, letrave të mia po i vjen fundi. E fundit për të tentuar Dialogun është edhe kjo javë, e cila mbyllet me çeljen zyrtarisht të fushatës së 30 qershorit. S’ka mbetur nga ana ime ndonjë gjë e rëndësishme pa shkruar në këto letra dhe çka mbetet ende ndoshta, është detyrimi për të përmbledhur disa nga gjërat kryesore që janë thënë e shkruar”, shprehet kryeministri në letrën e tij.

Për Edi Ramën aksioni i ri politik i opozitës është fiks si ngritja e çadrës dy vite më parë, përpara zyrës së tij.

“Sivjet Ju i jeni rikthyer po atij avazi, por nga një nivel i ri papërgjegjshmërie, me mandate të djegura, bojkot zgjedhjesh dhe kërcënime për të ndaluar forcërisht popullin të zgjedhë në 30 qershor. Përsëri frika nga zgjedhjet dhe paniku nga drejtësia, Ju kanë qorruar e shurdhuar dhe shtyrë në rrugën e një lufte imagjinare çlirimtare nga tirania! Shqipëria s’është në duart e asnjë tiranie, po në duart e një shumice të zgjedhur demokratikisht, për të qeverisur deri në vitin 2021”, shkruan ai.

Rama i shkruan “mikut” të tij Lulzim Basha se po pëson një humbje të mbështetjes në atë që e cilëson një aventurën pa rrugëdalje madje I dërgon edhe një paralajmërim.

“Besomëni që zgjimi nga ëndrra me sy hapur e largimit të qeverisë pa zgjedhje apo e moslejimit të zgjedhjeve, do të jetë shumë i dhimbshëm për atë grupim e për Ju si udhëheqësi i saj, nëse do të vijoni shurdhërisht në rrugën pa dalje, ku po marshoni verbërisht”m thuhet më tej në letrën publike.

Rama i rikujton Bashës se kohës për të dialoguar po i vjen fundi.

“Unë Ju ftoj përsëri që sa pa u djegur çdo afat kohor, të nisim Dialogun pa kushte dhe të fillojmë të shkruajmë bashkarisht, një faqe të re bashkëpunimi politik duke mos humbur më tej kohë, energji, mundësi zgjidhjeje, me këtë avaz të padobishëm për vendin, për njerëzit e për opozitën po se po!”, shkruan Rama.

Përbetimin e Lulzim Bashës se më 30 Qershor nuk ka zgjedhje pa opozitën, Edi Rama i përsërit të njëjtën përgjigje.

“Jini i sigurtë zoti Lulzim se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor. Kjo shumicë qeverisë do të vazhdojë të ushtrojë përgjegjësinë e saj edhe për të paktën dy vjet të tjera, kur i mbaron mandati i saj legjitim. Vetingu dhe Reforma në Drejtësi do të vijojnë pa asnjë lëkundje, asnjë ndalesë dhe asnjë rishikim”, thuhet më tej në letër.

Top Channel

PD shtyn protestën: Respektojmë Natën e Kadrit dhe Ditën e Fëmijëve

protesta trNdryshe nga sa ishte vendosur në përfundim të protestës së 25 majit, opozita e bashkuar ka vendosur që protestën e radhës zhvillojë jo më 31 maj, por në 2 qershor.

Ndryshimi i datës së protestës njoftohet se bëhet në respekt të Natës së Kadrit, e shtyrja më datë 2 bëhet edhe në respekt të Ditës së Fëmijëve.

“Nisur nga fakti qe data 31 Maj është Nate Kadri, në respekt te besimtareve myslimane; dhe nisur nga fakti qe data 1 Qershor është Dita e fëmijëve; Protesta kombëtare do të mbahet më datë 2 Qershor 2019, ora 19.00, përpara Kryeministrisë”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se kryeministri Rama ka vendosur 1 Qershorin si ditën e çeljen e fushatës elektorale nga PS, datë e vendosur pasi opozita paralajmëroi 31 majin si ditën e protestës, datë që përkon edhe me hapjen zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit në një periudhë normale politike.

Top Channel