Tiranë: Presidenti Meta vuri në dyshim suksesin e reformës gjyqësore. Reagoi BE-ja dhe Rama

MetaPresidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, foli sot me shqetësim për vonesat në reformimin e sistemit gjyqësor dhe mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese për shkak të saj.

“Në korrik mbushen 3 vjet që u miratua me konsensus maksimal reforma në drejtësi. Ende edhe sot rezultatet nuk po duken. Kam kërkuar nga institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare, që vlerësojnë ecurinë e reformës në sistemin gjyqësor. Gjykata Kushtetuese nuk funksionon prej disa kohësh kur ajo nuk duhej të heshtte asnjë ditë” – tha Presidenti Meta.

Zoti Meta i bëri këto komente gjatë një fjalimi në një konferencë të Qendrës George Marshall mbi sigurinë rajonale, ku vuri në dyshim suksesin e reformës në drejtësi.

Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj këtyre kritikave me një status në rrjetet sociale se “Falë Vetingut Gjykata Kushtetuese është sot një djep bosh pa shejtanin brenda”. Sipas zotit Rama, kjo është më shumë se gjysma e një pune të madhe që kërkon durimin e kohën e vet. Ai pyeti në mënyrë retorike nëse e pengon mungesa e Gjykatës Kushtetuese të mbrojë datën e zgjedhjeve, që vet e dekretoi sipas Kushtetutës.

“Presidenti ka të drejtë kur thotë djegia e mandateve është e papranueshme, por edhe më i papranueshëm është përbetimi për të djegur zgjedhjet! S’e dimë opinionin e Presidentit për këtë dhe bashkë me kritikat e tij, mezi e presim apelin e vonuar në mbrojtje të 30 qershorit” – theksoi kryeministri Rama.

Presidenti Meta tha në Konferencën e Qendrës Marshall se Shqipëria është në një krizë serioze, pasi në 2008 me ndryshimet në Kushtetutë vendi kaloi nga një sistem parlamentar në një sistem të mbyllur partiak, ndaj parlamenti nuk është funksional, sepse “partitë e opozitës në mënyrë të papranueshme kanë lënë mandatet e tyre, por ka qenë jofunksional edhe kur kanë qenë ata”.

“Ne flasim për sukseset e reformës në drejtësi. Po bën 3 vite nga miratimi me konsensus i reformës në drejtësi dhe mund t’ju them që po të ishte vërtet një sukses, Shqipëria asnjë minutë nuk do të ishte pa Gjykatë Kushtetuese. Reforma nuk bëhet me retorikë dhe presione, bëhet me standarde. Nëse reforma bëhet me emra atëherë nuk ka një reformë të qëndrueshme, por ka forma të reja për kapjen e institucioneve” – tha zoti Meta.

Presidenti Meta tha se kërkoi angazhimin e delegacionit të BE dhe Misionit Euralius, duke i ftuar ata bashkë me gjithë aktorët vendas, kryetarin e Kuvendit, kryetarin e komisionit të ligjeve që të unifikonin një qëndrim të përbashkët, por ditën e fundit Euralius-i i çoi përgjigje zyrës së Presidentit që në takim nuk vinte dot sepse “ne jemi mision teknik”.

“Kjo do të thotë që kanë marrë porosi politike. Unë nuk e di dhe sot nga kush u mor ajo porosi politike. Ky EURALIUS si i jep një vërtetim një kryetari shumë të nderuar të Komsionit të Ligjeve për të zgjedhur një institucion që nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në kundërshtim të hapur me Kushtetën e Shqipërisë. Kjo nuk mund të jetë drejtësi evropiane, në rast se nuk e shikojmë dhe nuk e vlerësojmë. Kjo nuk do të luftojë më shumë korrupsionin, krimin e organizuar dhe të garantojë të drejtat e njeriut” – tha Presidenti Meta.

Lidhur me këto kritika, Delegacioni i BE në Tiranë publikoi një deklaratë në mbrëmje ku theksoi se profesionalizmi, përkushtimi, puna e madhe dhe integriteti i EURALIUS-it janë për t’u lavdëruar, ndërsa ndihma e misionit është provuar e domosdoshme për të çuar përpara axhendën e reformave. Delegacioni deklaroi se reforma në drejtësi po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar.

“EURALIUS punon ngushtësisht me partnerë të tjerë si OPDAT i SHBA-së, ekspertë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe shërbimet e Komisionit Evropian. Kjo mbështetje është kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe roli monitorues i Komisionit dhe i SHBA-ve u miratua njëzëri nga Kuvendi në kohën e adoptimit të amendamenteve kushtetuese” – shtoi Delegacioni i BE-së në deklaratë.
BE deklaroi se reforma në drejtësi po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar përkatës. “Ky është një proces kompleks, por reforma është në rrugën e duhur dhe është me rëndësi shumë të madhe që të gjitha institucionet shqiptare ta mbështesin atë” – deklaroi delegacioni i BE-së.

Lidhur me Gjykatën Kushtetuese, delegacioni i BE tha se sapo të përfundojnë zgjedhjet dhe klasifikimi nga Këshilli për Emërimet në Drejtësi, të gjitha institucionet kompetente, duke përfshirë edhe Presidencën e Republikës, duhet të sigurojnë që kandidatët të zgjidhen me përparësi plotësisht dhe në kohën e duhur.

“Reforma e drejtësisë dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në BE duhet të jenë një përparësi për çdo politikan shqiptar, një arsye për unitet, jo përçarje, për të mirën e qytetarëve. BE-ja do ta vazhdojë mbështetjen për procesin e reformës dhe do të sigurojë monitorimin e duhur të standardeve në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të” – theksoi delegacioni i BE-së.

Replikat e sotme mes presidentit Meta dhe kryeministrit Rama shënojnë një zhvillim të ri në situatën e acarruar politike të Tiranës, kur qeveria po shkon me vendosmëri drejt zgjedhjeve vendore, ndërsa opozita po vazhdon me po aq këmbëngulje serinë e protestave për të penguar zhvillimin e tyre.

voa

Schwarz-Schilling: “Opozita të marrë shembull nga Edi Rama”

Christian-Schwarz-SchillingKryeministri i Shqipërisë Edi Rama i ka nisur kreut te opozitës një ftesë të hapur për bisedime. Ndërmjetësuesi i njohur Schwarz-Schilling shpjegon për Deutsche Wellen se përse kompromisi ende është i pamundur.

Deutsche Welle: Në Shqipëri kemi aktualisht një ngërç politik. BE-ja, pra, komisioneri Johannes Hahn, kërkojnë kompromis ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Ju jeni një ndërmjetësues i njohur në Ballkan e në botë. A shihni një mundësi për arritjen e këtij kompromisi? 

Christian-Schwarz-Schilling: Ndërmjetësimi në këtë nivel mund të arrihet vetëm kur të dyja palët e duan. Kur njëra palë cakton si parakusht të bisedimeve kapitullimin ose dorëheqjen e palës tjetër, atëherë metoda nuk do të funksionojë dhe nuk duhet synuar. Unë jam shumë i çuditur me deklaratat që dëgjoj nga partia e opozitës, si për shembull, deklaratat e ish-kryeministrit, Sali Berisha, i cili, në vend që të thërrasë për ballafaqimin e opinioneve të ndryshme në parlament, lëshon parulla revolucionare duke shkatërruar kështu institucionin e parlamentit.

Por politikanët e opozitës e kanë braktisur tashmë parlamentin… 

Po, dhe kanë bërë gabim. Mua më kujtohet viti 2010, kur kam ndërmjetësuar mes Sali Berishës si kryeministër dhe Edi Ramës, asokohe kryetar i opozitës. Situata ishte e kundërta e kësaj që kemi sot: Edi Rama atëherë kishte paralajmëruar se do t’i dorëzonte mandatet, por ai u tregua shumë më i arsyeshëm dhe pranoi të kthehej në Kuvend. Opozita e sotme duhet të marrë shembull nga  Edi Rama si ish-kreu i opozitës.

E megjithatë, komisioneri Hahn ka thënë se qeveria duhet të kërkojë dialogun me opozitën. Meqenëse ju e njihni dhe e çmoni personalisht Edi Ramën, çfarë këshille do t’i jepnit në këtë situatë? 

Ai duhet të nxjerrë në plan të parë institucionin parlamentar dhe të thotë se Kuvendi duhet të formulojë një opinion për vendin. Nuk mund ta ndryshosh me dhunë maxhorancën parlamentare. Mund të shqyrtohen argumentet që sjell pakica kundër qeverisë, të cilat maxhoranca duhet t’i trajtojë me seriozitet dhe t’i përfshijë në punën e qeverisë. Por nuk është e mundur, që pakica ta shpallë veten si maxhorancë dhe të prishë kësisoj institucionin e parlamentit. Kjo nuk ecën. Maxhoranca mund të ndryshohet vetëm në zgjedhje. Dhe opozita duhet të pajtohet me këtë rezultat.

Duhet të pajtohet edhe pse ka pasur blerje votash në disa qarqe, siç pretendon opozita? 

Unë nuk besoj se kjo ka ndodhur. Dihet që në përgjithësi përdoren gjithmonë ca metoda ballkanike, por nuk kam dëgjuar që Edi Rama ta ketë bërë këtë në mënyrë aq masive sa të ketë pasur efekt në rezultatin e zgjedhjeve.

Po dosjet e përgjimeve të prokurorisë, ku dëgjohen persona të lidhur me krimin e organizuar duke blerë vota në emër të kandidatëve të Partisë Socialiste? 

Këto janë akuza që duhen dëshmuar. Nëse ka qenë kështu, atëherë opozita duhet të paraqesë dëshmitë dhe të bëjë një kërkesë për verifikim.

Pra, ju mendoni se vetëm përgjimet nga dosjet nuk mjaftojnë?

Jo. Ato nuk mjaftojnë.

Por në Shqipëri ka kohë që ekziston një pakënaqësi e përgjithshme, e cila vihet re jo vetëm te opozita. A pajtoheni?  

Unë kam përvojë me disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Jam shumë i lidhur me Bosnjë-Hercegovinën. Më duhet të them, se ato gjëra që ndodhin aty, as që mund të krahasohen fare me Shqipërinë. Kam parasysh partitë djathtiste kroate, HDZ, si në Kroaci, ashtu edhe në Bosnjë-Hercegovinë që bëhen bashkë, jo për ta ndërtuar, por për ta shkatëruar shtetin e Bosnjë-Hercegovinës. Përkundrazi, me projektet e ndryshme që kam në Shqipëri, kam krijuar përshtypjen se atje po bëhen përpjekje shumë serioze për reformat. Kjo duket më së miri në procesin e Vetting-ut në gjyqësor. Është një proces shumë i vështirë, por qeveria dhe Ministrja e Drejtësisë po e menaxhojnë shumë mirë.

Keni biseduar ju edhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha?

Po, e kam takuar dy herë. Përshtypja ime është se ai është një njeri mendjemprehtë, por që synon vetëm të çojë përpara karrierën e tij dhe mendon se tani është momenti i përshtatshëm. Nuk kam përshtypjen se po digjet për vendin dhe për reformat. Kam përshtypjen se opozita po kërkon të nxisë zhvillime revolucionare për të arritur rrëzimin e qeverisë. Ne këtë nuk mund ta mbështesim, Ne duhet të mbrojmë me forcë institucionet. Aty ku prezantohen fakte, duhet hetuar më tej, por jo të bëhen polemika dhe demagogji për të shkatërruar institucionet. Kjo është shumë e rrezikshme. Për këtë shkak unë jam i mendimit se arritjet pozitive të qeverisë në Shqipëri duhen vlerësuar dhe nuk duhen përçmuar në këtë mënyrë.

Sipas të gjitha gjasave, parlamenti gjerman, Bundestag-u, do të votojë në shtator mbi çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Çfarë duhet të ndodhë gjer atëherë, në mënyrë që kolegët tuaj të CDU/CSU-së t’i japin Shqipërisë dritën e gjelbër për çeljen e negociatave? 

Deri atëherë do të duhet të dalë në pah e vërteta, konkretisht, se kush kërkon reforma, e kush përmbysje.

Intervistoi: Anila Shuka, Berlin

Prof. Dr. Christian Schwarz-Schilling ka qenë ministër gjerman për Postën dhe Telekomunikacionin. Në shenjë proteste kundër qëndrimit të qeverisë gjermane në luftën e Bosnjes ai dha dorëheqjen. Nga vitit 2006-2007 ai shërbeu si Përfaqësues i Lartë në Bosnje-Hercegovinë dhe i ngarkuar i BE për Bosnje-Hercegovinën. Në vitet e mëpasshme ai ka punuar si ndërmjetësues në Ballkan. Ekspertizën e tij si ndërmjetësues aktualisht po e përdor edhe Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë me një projekt për implementimin e Ligji të ri për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve (2018) në Shqipëri.  Projekti financohet nga qeveria norvegjeze. 

Koduesja 10 vjeçare krijon lojra për të mësuar fëmijët e tjerë

lojra kodiNë “Silicon Valley” të Kalifornisë një 10 vjeçare, koduese e talentuar programesh kompjuterike që nga mosha 6 vjeçare, ka krijuar dy lojra që mund të luhen në tryezën e studimit, me synimin për të mësuar edhe fëmijët e tjerë se si të kodojnë.

Samaira Mehta nuk është një 10 vjeçare e zakonshme. Ajo ka koduar që në moshën 6 vjeçare dhe është e dhënë pas inteligjencës

artificiale. Ajo është kaq e apasionuar sa krijoi dy lojëra që mund të luhen në tryezë me shpresën që edhe fëmijë të tjerë, kryesisht vajzat, të kenë shansin të mësojnë në këtë fushë. Samaira Mehta është themeluese e lojrave “CoderBunnyz” adhe “CoderMindz”.

“Loja ‘CoderBunnyz’ të mëson konceptet e nevojshme për programimin kompjuterik, që nga bazat më të thjeshta e deri tek konceptet e përparuara të programimit kompjuterik. Ndërsa ‘CoderMindz’ është loja e parë ndonjëherë e inteligjencës artificiale që mund të luhet në tavolinë.”

“Në fillim të lojës organizojmë kartat siç duhet.”

Samaira lindi në botën e teknologjisë. Babai i saj, i cili merret me inteligjencën artificiale në gjigandin ‘Intel’, i tërhoqi asaj vëmendjen vetëm kur ishte 6 vjeçe.

“Babai më tha shtype këtë buton në kompjuter i cili shkruante, shtype këtë nëse je e bukur. Kur e shtypa, shigjeta e mausit u zhduk. U habita dhe pyeta se si bëhet kjo? Kështu më lindi kureshtja për kodimin.”

Monica Mehta është mamaja e 10 vjeçares së talentuar.

“Kjo vajzë ka shumë pasion dhe entuziazëm dhe dëshiron të bëjë një ndryshim që i buron nga zemra.”

Vogëlushja kërkon sidomos të frymëzojë vajzat e tjera.

“Besoj se vajzat nuk përfaqësohen mirë, kryesith në fushën e shkencës dhe teknologjisë.”

Ajo ka bërë prezantime për fëmijët nëpër biblioteka, në firmat Google, Microsoft dhe Intel. Madje është takuar edhe me themeluesin e Facebook-ut Mark Zuckerberg, përmes një strategjie që vetëm një fëmijë mund ta bëjë.

“Ai po jepte karamele për festën e Hallouinit kur shkuam tek shtëpia e tij. Patëm një bisedë të shkurtër.”

Aktualisht ajo ka fituar më shumë se 200 mijë dollarë nga shitja e lojërave të saj të tavolinës në mbarë botën dhe ka krijuar një nismë që quhet “Vajzat që Kodojnë”.

“Më pëlqen kodimi dhe inteligjenca artificiale dhe dua të përdor këtë për të bërë mirë për të tjerët.”

Duket se kjo vajzë gjeni është në rrugën e duhur.

voa

Nju Jork, një lagje eksperimentale për rrjetin 5G

5GGjenerata e pestë e rrjeteve të komunikimit celular, e njohur ndryshe si “5G”, premton lidhje tepër të shpejta dhe më shumë qëndrueshmëri. Por, ndërtimi dhe vendosja në funksionim i këtyre rrjeteve nuk mund të ndodhë brenda natës. Vetëm disa qytete amerikane kanë tashmë të instaluar rrjetin 5G. Qyteti i Nju Jorkut po ndërton një rrjet eksperimental që teston limitet e rrjetit 5G dhe madje edhe më tej.

Në një botë 5G, makinat vetëdrejtohen dhe në mbledhje marrin pjesë hologramet tona. Por, që të arrihet ky realitet virtual nevojitet më shumë punë përgatitore dhe testim të sistemeve.

Për këtë qëllim, shkencëtarët po ndërtojnë në Nju Jork një rrjet eksperimental të quajtur COSMOS.

“COSMOS është një projekt i përbashkët i Universiteteve Rutgers, Kolumbia, Universitetit të Nju Jorkut, si dhe disa partnerëve, si qyteti i Nju Jorkut, kompania Silicon Harlem, kompania IBM etj.”, thotë Gil Zussman, profesor i asociuar në Universitetin e Kolumbias.

Nën mbikqyrjen e Fondacionit Kombëtar të Shkencës, COSMOS është një plaftformë testimi për rrjetin 5G dhe për gjeneratat e ardhshme të rrjeteve të komunikimit.

“Ideja është që shkencëtarët e industrisë dhe të universiteteve mund të hyjnë në rrjet nga zyra e tyre dhe të zhvillojnë testimet nga larg. Pra, çdo ide të re që mund të kenë, për rrjetin 5G apo rrjetet që do të pasojnë, ata munden t’i testojnë nëpërmjet kësaj platforme”, thotë zoti Zussman.

Tipari unikal i platformës COSMOS është se do të pasqyrojë realitetin e jetës urbane. Një hapësirë prej 1.6 km katrorë në Harlemin Perëndimor do të transformohet në një qytet laborator, të mbushur me antena valësh dhe pika ndërlidhëse.

“Ndër sfidat e 5G-së është se kjo teknologji po bëhet e disponueshme, ndërkohë që nuk dimë ende se për cilat funksione mund të përdoret. COSMOS do të na ndihmojë t’i eksplorojmë mundësitë dhe vlerat e rrjetit 5G, dhe të mësojmë se si do t’i shërbejë zgjidhjes së problemeve të njujorkezëve”, thotë Joshua Breitbart, nëndrejtor për teknologjinë në bashkinë e Nju Jorkut.

Ekipi i COSMOS-it ka hartuar një program fillestar që do t’u shërbejë studentëve dhe mësuesve.

“Një nxënës i shkollës së mesme mund të sjellë ide të reja për komunikimin në distancë apo edhe aplikacione të reja. Pra, mund të kesh kompaninë IBM dhe një nxënës shkolle që janë duke eksperimentuar në të njëjtën platformë. Kjo ofron qasje dhe mundësi që nuk kanë ekzistuar më parë”, thotë Clayton Banks, drejtor i kompanisë “Silicon Harlem”.

“Tashmë kemi mësues që janë të informuar për komunikimin me valë dhe janë shndërruar në mësues më të mirë të matematikës apo shkencave”, thotë Bruce Lincoln, shef i informacionit në kompaninë “Silicon Harlem”.

Kur platforma është vetë komuniteti, mundësitë janë të pakufizuara, ashtu siç janë rrjetet e reja të komunikimit.

Hakeri 13-vjeçar merr nën kontroll dronin për të provuar rreziqet

HakerPresidenti Donald Trump nënshkroi këtë muaj një urdhër ekzekutiv që synon forcimin e sektorit të sigurisë kibernetike që shërben si vija e parë e mbrojtjes ndaj hakerëve vendas dhe të huaj. Me rreth 7 miliardë pajisje në mbarë botën të lidhura me internetin, sulmet kibernetike pritet të shtohen. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Faith Lapidus, paisjet e lidhura nëpërmjet internetit, që nga paisjet shtëpiake inteligjente dhe deri tek dronët, janë të ekspozuara ndaj rrezikut.

Dronët po provojnë leverdinë e tyre nëpërmjet dërgesave në rrugë ajrore, fotografimit nga lart, apo edhe thjesht eksplorimit.

Por, duke marrë nën kontroll një dron në konferencën globale të sigurisë kibernetike në Afrikën e Jugut, 13-vjeçari Reuben Paul, tregoi se sa të ekspozuara ndaj sulmeve janë pajisjet e lidhura në internet. Ky “ninxha i kibernetikës”, siç e quan veten, shijon të qenit haker.

“Kam bërë hakerin që në moshën 6 apo 7 vjeçare, kur fillova të interesohesha për teknologjinë dhe të mësoja për teknikat e ndërhyrjes”, thotë Reuben Paul.

Në aktivitetin e organizuar nga firma e sigurisë kibernetike Kaspersky Lab, ai thotë se e pati shumë të lehtë.

“Fillimisht skanova për praninë e rrjeteve në këtë mjedis. Pastaj kërkova për pajisjet e lidhura me rrjetin e dronit dhe e shkëputa dronin nga lidhja me përdoruesin. Pastaj u lidha vetë me dronin dhe tashmë është plotësisht nën kontrollin tim. Mund ta drejtoj në fluturim, mund të regjistroj video dhe të mbledh gjithfarëlloj të dhënash”, thotë Reuben.

Ky është rreziku në të ardhmen tonë të ndërlidhur përmes internetit, për shtëpitë inteligjente, makinat pa shoferë, komunikimet celulare dhe dronët.

Konsumatorët rrallë i kushtojnë vëmendje sigurisë së paisjeve të tyre.

“93 për qind e sulmeve ndaj paisjeve të lidhura me internetin shfrytëzojnë fjalëkalimet e dobëta”, thotë Maher Yamout, studiues i sigurisë kibernetike në firmën “Kaspersky Lab”.

Së bashku me prindërit e tij, Reuben Paul themeloi kompaninë “Cyber Shaolin”, për të edukuar të rinjtë rreth sigurisë kibernetike.

Ai është ftuar të flasë në konferenca në mbarë botën. Mesazhi i tij është i thjeshtë:

“Teknologjia vetëm do të shtohet dhe kjo do të jetë bota jonë. Le të marrim masat që tani, që të jetë një botë e sigurtë dhe të mos i vuajmë pasojat më vonë”, thotë Reuben.

Zgjedhje të qeta në veri të Kosovës: Lista Serbe fiton katër komunat

zgjedhje ne veri te kosovesSubjekti politik Lista Serbe që ka mbështetjen e Beogradit, ka fituar në katër komunat në veriun e Kosovës, Mitrovicë të Veriut, Zvecan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Zgjedhje normale dhe të qeta u zhvilluan të dielën në katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, komuna këto të banuara me shumicë serbe. Në të katër këto komuna sipas Listës Srpska shënoi fitore ky subjekt politik me kandidatët e saj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se mbi 42 %, apo rreth 24 mijë e 600 votues nga rreth 58 mijë të regjistruar morën pjesë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme. Ishin tri subjekte politike që garuan me kandidatët e tyre për kryetar komunash, Lista Serbe që e ka mbështetjen e Beogradit, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. 44 qendra të votimit me gjithsej 87 vendvotime ishin hapur në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe. 464 vëzhgues ishin të akredituar, vëzhgues nga Kosova dhe të huaj. Vëzhgues kishte edhe nga ambasadat në Kosovë dhe OSBE-ja.

Rakiq flet për fitore të popullit serb

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në mesnatë shpalli fitoren e Listës Srpska në katër komunat veriore duke e quajtur “fitore të popullit serb dhe shtetit të Serbisë”. “Shpall fitoren e Listës Serbe, përkatësisht fitoren e popullit serb. Ajo që dua të them në fillim është se bojkoti i opozitës dhe disa kuazi-satelitëve këtu në terren nuk ka pasur sukses. Lista Serbe ka fituar mbi 90 për qind të votave në katër komunat veriore. Unë kam të dhëna jo zyrtare, sipas të cilave në katër komunat veriore Lista Serbe ka fituar 94.24 për qind të votave. Në veri të Mitrovicës kjo përqindje është 90.18, që do të thotë se në raport me zgjedhjet e vitit 2017, 1675 vota më shumë i ka marrë Lista Serbe. Faleminderit shtetit të Serbisë, Marko Gjuriqit, Aleksandar Vuçiqit, Qeverisë së Serbisë, për apelin që i kanë bërë popullit serb për unitet”, tha Goran Rakiq.

Edhe rrjeti i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim, (DNV) që vëzhgoi zgjedhjet në veri, thotë se në bazë të rezultateve paraprake të tyre nga 85% të votave të numëruara nga vëzhguesit e tyre, “Lista Srpska” ashtu edhe siç pritej, ka fituar në katër komunat e Kosovës.

Mitrovicë e Veriut:

Lista Srpska: Goran Rakiq me (95.2%)

Partia Demokratike e Kosovës: Gonxhe Çaushi (3.1%)

Lëvizja Vetëvendosje: Erden Atiq (1.6%)

Zubin Potok:

“Lista Srpska” Srxhan Vulloviq me (94.1%)

Partia Demokratike e Kosovës: Hysen Mehmeti (3.1%)

Lëvizja Vetëvendosje: Liridona Kahrimani (2.8%)

Leposaviq:

Lista Srpska”: Zoran Todiq (96.4%)

Partia Demokratike e Kosovës: Shaqir Hetemi (2.1%)

Lëvizja Vetëvendosje: Fisnik Veseli (1.5%)

Zveçan:

“Lista Srpska“: Vucina Jankovic (96.4%)

Lëvizja Vetëvendosje: Avdi Peci (2.2%)

Partia Demokratike e Kosovës: Ilir Peci (1.4%)

Beogradi zyrtar e mirëpriti fitoren e Listës Serbe në katër komunat në veri të Kosovës. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ky është konfirmimi më i mirë për unitetin politik të serbëve rreth interesave vitale dhe nacionale.

“Njerëzit tonë kanë dëshmuar energji jashtëzakonisht të madhe dhe dëshirën se duan të luftojnë për të ardhmen e tyre dhe një të nesërme më të mirë për fëmijët e tyre. Me këtë fitore nuk do t’i zgjidhim të gjitha problemet tona, por kemi treguar se duam unitet në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe zgjidhjen e përbashkët të tyre. Mendoj se pas të gjitha kërcënimeve nga shqiptarët dhe disa serbë, ky është konfirmimi më i mirë për unitetin politik të luftës për interesat tona vitale dhe nacionale dhe interesat tona më të rëndësishme shtetërore”, tha Aleksandër Vuçiq, që përmes telefonit iu drejtuar serbëve të veriut të Kosovës.

DNV konstaton disa parregullsi

Ndonëse KQZ njofton për një proces të rregullt pa ndonjë parregullsi, rrjeti i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DNV) që kishte vëzhguesit e saj gjithandej komunave të veriut, thotë se ka numëruar disa parregullsi. Në njoftimin e DNV-së, thuhet se në disa raste është votuar me dokumente të Serbisë, kishte votime familjare, raste të votimit jashtë kabinave si dhe tentimet për të votuar më shumë se një herë.

Policia  e Kosovës që kishte angazhuar mbi 400 policë tha,se nuk u shënua snjë incident që do të rrezikonte procesin e zgjedhjeve. Presidenti i Kosoves, Hashim Thaçi gjatë ditës përgëzoi subjektet politike dhe qytetarët në komunat veriore për siç thotë, “fushatë të qetë zgjedhore dhe proces të rregullt zgjedhor”.

Reagimet nga politika në Prishtinë

“Kosova ka ndërtuar traditë të zgjedhjeve të suksesshme. Zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës po mbahen sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe janë në shërbim të integrimit sa më të mirë të të gjitha komuniteteve në institucionet e Kosovës. Kandidatëve për kryetarë u uroj suksese dhe i ftoj që të vazhdojnë të punojnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve në komunat e tyre”, shkroi në profilin e tij, Presidenti Hashim Thaçi.

Edhe kryeministri iKosovës, Ramush Haradinaj, zgjedhjet në veri icilësoi të rregullta.  Në këto zgjedhje të parakohshme, qytetarët e kësaj ane, dëshmuan pjekuri në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pa ndonjë incident në një proces demokratik, duke votuar për kandidatët që ata besojnë se do i shërbejnë interesave të tyre”, tha kryeministri Haradinaj.

Apostolova:  Zgjedhje transparente, gjithëpërfshirëse dhe të besueshme

Edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova gjatë ditës kërkoi zgjedhje transparente, gjithëpërfshirëse dhe të besueshme. “BE-ja pret që të gjithë aktorët e përfshirë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovës të respektojnë integritetin e procesit zgjedhor. BE-ja thekson rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të rekomandimeve të Misionit Vëzhgues të BE-së nga zgjedhjet e kaluara”, tha Natalya Apostolova.

Kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zvecan, Leposavic dhe Zubin Potok, më 26 nëntor të vitit të shkuar dhanë dorëheqje, në shenjë proteste dhe pakënaqësie për vendosjen e taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë. Pas kësaj Presidenti i Kosovës, shpalli zgjedhje të jashtëzakonshme. Përfaqësuesit serb vendosen serish të marrin pjesë në këto zgjedhje pasi morën edhe miratimin e Beogradit zyrtarë. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se subjekti politik “Srpska”, merr pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, në mënyrë që, siç tha “shqiptarët të mos i udhëheqin komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës”.

dw

Skandali që prishi koalicionin qeveritar në Austri

KurzPas publikimit të skandalit të zëvendës kancelarit të Austrisë Strache, ky vend do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. “Mjaft më”, tha kancelari i Austrisë Kurz. Presidenti vendosi.

Kancelari i Austrisë Sebastian Kurz ka vendosur të prishë koalicionin me partinë populise të djathtë FPÖ. Ai këtë vendim ia ka komunikuar edhe presidentit të vendit Alexander Van der Bellen, nga i cili ka kërkuar zgjedhje të reja, “në një kohë sa më të shpejtë të mundur”. Sebastian Kurz është takuar sot në Vjenë edhe me presidentin dhe kanë shqyrëtuar së bashku mundësitë më të mira për dalje nga kriza qeveritare, pas publikimit të skandalit të liderit djathtist, Heinz-Christian Strache, i cili i ka premtuar oligarkëve rusë favore nga paratë e taksapaguesve austriakë, nëse ata e ndihmojnë në zgjedhje. Kurz tha se pas një video të këtillë, koalicioni nuk mund të vazhdojë.

“Pas publikimit të videos më duhet të them: Mjaft më!”, tha Kurz para gazetarëve. Strache kishte premtuar gjatë fushatës së kaluar parazgjedhore se do t’u bënte favore sipërmarrjeve ruse, nëse ata e ndihmojnë në fushatë, që Kurz e ka komentuar si një pëprjekje për shpërdorimin e parave të taksapaguesve austriakë.

Presidenti Van der Bellen foli pas publikimit të videos për një veprim të turpshëm dhe veprim të papërgjegjshëm të autoriteteve austriake. Ai tha se kjo nuk do të pranohen dhe se mirëbesimi duhet të kthehet tek qytetarët, e kjo mund të bëhet vetëm me zgjedhje të reja. Presidenti vendosi pas takimin me kancelarin Kurz, që zgjedhjet e reja të mbahen në shtator. Mbewtet të shihet se si do të funksionojë qeveria deri në shtator.

Njëkohësisht krerët e partisë FPÖ duhet të japin shpjegime të hollësisht për akuzat.

Strache jep dorëheqje

Më parë shefi i partisë djathtiste FPÖ, zëvendës kancelari Heinz-Christian Strache ka dhënë dorëheqje pas publikimit të skandalit. Krerët e opozitës kanë kërkuar menjëherë që të mbahen zgjedhje të reja. Dorëheqja e Straches nuk mjafton, tha kreu i listës së partisë SPÖ, për zgjedhjet evropiane, Andreas Schieder. Politika e Ausrisë ka nevojë për një ndryshëm rrënjësor, tha ai.

Para zyrës së kancelarit menjëherë pas publikimit të videos janë mbledhur rreth 7000 qytetarë të cilët kanë kërkuar përfunidmin e mandatit të qeverisë së Kurzit, e cila është zgjedhur para një viti e gjysmë, në dhjetor të vitit 2017.

bc/uh/se (ORF, dpa, rtr, afp)

“Financial Times”: BE të hapë dyert për Shqipërinë, por a do jenë ata të kënaqur të mbeten të shpërndarë në 3 shtete, apo…

RMV“Financial Times”, në një artikull të botuar së fundmi shkruan se “çështja në zhvillim e Ballkanit jugor, lidhet me një pyetje, se a do të jenë shqiptarët etnikë të rajonit të kënaqur, nëse do do të mbeten të shpërndarë në tre shtete – Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut – ose nëse disa ose të gjithë do të kërkojnë të bashkohen në një Shqipëri të Madhe”.

“Çdo lëvizje e tillë mbart një rrezik të lartë për përfshirjen e rajonit në dhunë. Politikanët shqiptarë etnikë në të tri komunitetet duhet të tregohen të përmbajtur. Megjithatë, në këmbim, politikanët e BE dhe rajonalë të Ballkanit, duke përfshirë edhe ata në Shkup, duhet t’i sigurojnë të gjithë shqiptarët se aspiratat e tyre për prosperitet, të drejtat civile dhe integrimin evropian po marrin vëmendjen e duhur”, thuhet më tej në këtë shkrim.

Më tej thuhet se “BE duhet të hapë dyert për Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë. Idealisht, BE do të nisë bisedimet e pranimit këtë vit me të dy shtetet. Anëtarësimi në BE do të ndërtonte mbi ‘Prespën’ duke e bërë të parëndësishëm kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, ashtu siç e kishte dëbuar shumë kohë spektrin e mosmarrëveshjeve kufitare midis Francës dhe Gjermanisë. Ndërkohë, fillimi i bisedimeve për hyrjen në BE me Shqipërinë duhet të frenojë tundimin e nacionalistëve në Tiranë dhe Kosovë – një shtet me shumicë shqiptare etnike – për të shfrytëzuar ankesat midis shqiptarëve etnikë të Maqedonisë së Veriut”.

ndër të tjera shkruhet:

Zgjidhja greko-veriore maqedonase, megjithëse është e lavdërueshme, nuk mund të jetë një shabllon për shërimin e konflikteve të tjera. Mosmarrëveshja ka lindur nga kolapsi i Jugosllavisë komuniste në 1991. Megjithatë, ndryshe nga Bosnja dhe Kosova, grindjet nuk kanë shkuar deri në luftë.

Mosmarrëveshja për emrin ngriti pyetje serioze për mbivendosjen e pretendimeve ndaj simboleve dhe thelbit të identitetit kombëtar, të reflektuar përmes ideve të mitit historik, kulturës dhe luftës politike të sotme. Por në thelb ishte një problem diplomatik që kërkoi një zgjidhje diplomatike. Për më tepër, marrëveshja e Prespës do të gjykohet nëse lë dyshime rreth stabilitetit afatgjatë të shtetit të Maqedonisë së Veriut.

Që kjo të ndodhë, nevojiten tre hapa.

Së pari, BE duhet të hapë dyert e veta për në Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë. Idealisht, BE do të nisë bisedimet e pranimit këtë vit me të dy shtetet. Anëtarësimi në BE do të ndërtonte mbi ‘Prespën’ duke e bërë të parëndësishme kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, ashtu siç e kishte dëbuar shumë kohë spektrin e mosmarrëveshjeve kufitare midis Francës dhe Gjermanisë. Ndërkohë, fillimi i bisedimeve të hyrjes në BE me Shqipërinë duhet të frenojë tundimin e nacionalistëve në Tiranë dhe Kosovë – një shtet me shumicë shqiptare etnike – për të shfrytëzuar ankesat midis shqiptarëve etnikë të Maqedonisë së Veriut.

Së dyti, kundërshtarët grekë dhe sllavë maqedonas të Prespës nuk duhet të kërkojnë të diskreditojnë ose të shkatërrojnë marrëveshjen. Demokracia e Re, opozita e qendrës së djathtë të Greqisë, duket të jetë e vendosur për t’u kthyer në pushtet pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, që duhet të ndodhin deri në tetor.

Me bazën e saj të konsiderueshme votuese në Greqinë veriore, Demokracia e Re ka qenë kritike ndaj Prespës. Do të ishte më e mençur për Kyriakos Mitsotakis, udhëheqësi i partisë, për të miratuar marrëveshjen dhe për të ndihmuar integrimin e Maqedonisë Veriore në BE dhe NATO, politika që sigurisht janë në interesin kombëtar të Greqisë.

Po kështu, është koha që kundërshtarët e djathtë të Zaev të lënë lamtumirën ndaj shovinizmit sllavo-maqedonas. Përqafimi i tyre i nacionalizmit bombastik dëmtoi shumë reputacionin e shtetit të ri nën sundimin e Nikolla Gruevskit. Tani Maqedonia e Veriut duhet të kultivojë një patriotizëm qytetar gjithëpërfshirës që mbron dhe madje rrit të drejtat e shqiptarëve të saj, të cilët përbëjnë të paktën 25 përqind të popullatës së saj.

Kjo çon në pikën e tretë. Çështja në zhvillim e Ballkanit jugor është nëse shqiptarët etnikë të rajonit do të jenë të kënaqur të mbeten të shpërndarë në tre shtete – Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut – ose nëse disa ose të gjithë do të kërkojnë të bashkohen në një Shqipëri të Madhe. Çdo lëvizje e tillë mbart një rrezik të lartë për përfshirjen e rajonit në dhunë. Politikanët shqiptarë etnikë në të tri komunitetet duhet të ushtrojnë përmbajtje.

panorama

SHBA: Nuk ka viza për ata që janë të përfshirë në korrupsion në Kosovë

SHBA

Ambasada amerikane në Prishtinë tha të enjten se nuk do  të ketë viza udhëtimi për në Shtetet e Bashkuara për  personat e përfshirë në korrupsion.

Në një komunikatë të kësaj ambasade thuhet se “qytetarët e Kosovës meritojnë një sistem drejtësie që i mban përgjegjës individët për veprimet e tyre korruptuese. Lidhur me këtë, Ambasada e SHBA-ve është duke ndërmarrë hapa për të siguruar që individëve të cilët janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit të mos ju lëshohen vizat për udhëtim në Shtetet e Bashkuara për biznes apo turizëm”.

Në komunikatë theksohet se është praktikë e zyrtarëve konsullorë që të shqyrtojnë faktet për çdo aplikim për vizë, duke përfshirë edhe çdo informatë negative lidhur me aplikuesin, dhe që të përcaktojnë përshtatshmërinë për marrje të vizës në bazë të ligjeve të Shteteve të Bashkuara. “Sipas nevojës, ne vazhdimisht i peshojmë akuzat dhe dëshmitë për korrupsionin dhe krimin e organizuar gjatë vendimmarrjes për viza, në mënyrë që t’i kufizojmë ata që kontribuojnë në këto probleme të marrin vizë udhëtimi për në Shtetet e Bashkuara”.

Ne do të vazhdojmë të shprehim publikisht shqetësimin tonë se askush nuk është duke u mbajtur përgjegjës, përfshirë zyrtarë të Kosovës, për korrupsionin dhe krimin e organizuar që janë qartësisht të pranishme në rastet Pronto, viza italiane, ikja nga burgu i Dubravës, Toka, dhe Apex, si dhe në raste të tjera të ngjashme”.

voa

Plani i pritshëm i Presidentit Trump kufizon imigracionin përmes lidhjeve familjare

TrumpPresidenti amerikan Donald Trump pritet të shpallë të enjten propozimin e shumëpritur për imigracionin, një plan që ka si synim ta largojë procesin e miratimit të kërkesave të imigracionit nga lidhjet familjare dhe nevojat humanitare.

Një zyrtar i lartë i administratës u tha gazetarëve në Kopshtin e Trëndafilave pranë Shtëpisë së Bardhë, para komenteve të Presidentit Trump, të enjten pasdite, se plani do të forcojë sigurinë e kufijve dhe të krijojë një sistem bazuar tek merita, duke këmbëngulur se bëhet fjalë për “një çështje konkurrence”.

Propozimi i zotit Trump, do ta mbante numrin e kartave të gjelbra dhe statusit të banorit të përhershëm në rreth 1.1 milionë në vit, por do të ndryshonte mënyrën se si atë përcaktohen, duke u dhënë përparësi individëve me aftësi të veçanta dhe të arsimuar, me perspektiva punësimi apo investimesh, në vend të lidhjeve familjare me qytetarë amerikanë, ose nevojave humanitare.

Aktualisht, 12 për qind të imigrantëve lejohet të vijnë në Shtetet e Bashkuara, bazuar në aftësitë e tyre dhe 66 për qind farë lidhjeve me famljare që janë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara. Sipas planit, 57% për qind e vizave të imigrantëve do t’u jepen individëve me aftësi të veçanta apo oferta punësimi dhe vetëm 33% personave me lidhje familjare. Vizat për arsye humanitare duhet të reduktohen nga 22% në 10%.

Plani do ta eliminonte krejtësisht programin e lotarisë amerikane, në bazë të së cilit u jepen karta të gjelbra 50,000 njerëzve nga vende me përqindje të ulëta imigrantësh në Shtetet e Bashkuara.

voa