Hahn: Një pamje thotë më shumë se njëmijë fjalë

HahnNë një intervistë ekskluzive me Deutsche Welle-n, komisioneri i zgjerimit, Johannes Hahn, thotë se imazhi aktual i Shqipërisë e vështirëson shumë një vendim pozitiv pro negociatave.

DW: Zoti Hahn, në një intervistë të dhënë para ca kohësh e përshkruanit veten si zjarrfikës dhe arkitekt të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në Shqipëri të shtunën shpërtheu zjarri. në protestë Me cilat mjete do të ofroheshit ju për të qetësuar gjendjen?

Johannes Hahn: Unë e thashë këtë atëherë në përgjigje të një pyetjeje për përshkrimin e detyrës sime dhe kjo ka të bëjë edhe me vendet fqinje. Me këtë doja të thoja se nga njëra anë përpiqem t’i zhvilloj gjërat nga ana konceptuale e nga ana tjetër më duhet të jem edhe në rajon me shpresën për të zgjidhur ndonjë problem akut. Në rastin e Shqipërisë, dhe kjo vlen edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, mendoj se është perspektiva evropiane motivi kryesor dhe në këtë drejtim unë mund t’i inkurajoj të gjithë përgjegjësit politikë që t’i kthehen punës parlamentare. Është detyrë e qeverisë që t’i afrohet opozitës dhe detyrë e opozitës që të vetëpërfshihet në mënyrë konstruktive, kritike por edhe të angazhuar. Kemi të bëjmë edhe me imazhin që jep Shqipëria në planin ndërkombëtar.

A do të ndikojë ky imazh mbi vendimin për negociatat e anëtarësimit?

Natyrisht. Imazhi që lë një vend ka ndikim shumë të madh te vendimmarrësit në Bashkimin Evropian. Këta janë përfaqësuesit e popullit dhe qytetari i thjeshtë që shikon pamjet e transmetuara në televizion e ka të vështirë ta kuptojë kur dëgjon se ky vend na qenka gati për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE. Pra, edhe një herë apeli im për përgjegjësit është që të jenë të vetëdijshëm për këtë situatë dhe se dihet që një pamje flet më shumë se njëmijë fjalë.

Megjithatë ministri i shtetit, Michael Roth, në një intervistë  për Deutsche Welle-n u shpreh pro hapjes së negociatave që në qershor.

Edhe unë jam për këtë, sepse negociatat e anëtarësimit ofrojnë pikërisht mundësinë që të ndikohet mbi zhvillimin e vendit në aspektin evropian me katalogun e vlerave evropiane dhe prandaj është më mirë që të fillohet sa më shpejt.

Në Maqedoninë e Veriut gjendja duket më premtuese se në Shqipëri. A ekziston mundësia që Maqedonia e Veriut të trajtohet më vete?

Synimi im është që të dy këto vende të trajtohen njëherazi, sepse edhe raportet do të vendosen njëherazi. Por unë nuk mund ta parashikoj se si do të vendosin vendet anëtare. Fakt është se Maqedonia e Veriut ka kontribuar shumë dhe konkretisht, jo vetëm në kuadër të kërkesave tona, por edhe duke kapërcyer grindjen për çështjen e emrit, por edhe me kapërcimin e konfliktit dypalësh me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut ka krijuar kushtet që të jetë papritmas i vetmi vend në rajon, që nuk ka asnjë konflikt me fqinjët.

Pra, kjo do të thotë se, nëse Shqipëria nuk arrin të gjejë një kompromis, mund të çelen negociatat  vetëm me Maqedoninë e Veriut?

Negociatat e zgjerimit janë një proces që bazohen në meritat dhe arritjet e secilit vend. Do të ishte e padrejtë, nëse një vend do të priste, sepse një vend tjetër nuk arrin rezultate.

Kjo vlen në parim. Natyrisht, do të ishte ideale nëse të gjashta vendet do të hynin së bashku. Por kjo nuk është realiste. Por është e padrejtë ndaj atyre që janë angazhuar më shumë, që kanë arritur të gjejnë zgjidhje, që janë të aftë për kompromise, që janë në gjendje të sjellin rezultate. Këta nuk duhet të dënohen tani meqë janë më mirë se të tjerët.

Po grupi parlamentar i CDU/CSU-së ka thënë, se nuk do të arrijë të marrë një vendim që në qershor dhe se në fakt dëshiron ta shtyjë vendimin deri në shtator. E biseduat dhe ju me ta, apo nuk jeni dorëzuar ende dhe po vazhdoni të luftoni që ta sillni çeljen e negociatave në rend të ditës të Këshillit të BE-së qysh në qershor të këtij viti?

Ne në Vjenë kemi një shprehje: Vetëm një letër dorëzohet. Asgjë tjetër. Prandaj edhe unë do të përpiqem deri në momentin e fundit, që të arrijmë një vendim. Ia vlen dhe ua kemi borxh partnerëve tanë që ta mbajmë fjalën, kur ata i përmbushin kushtet që ua kemi vendosur ne mbi bazën e vendimeve të marra njëzëri nga të gjitha vendet anëtare.

Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u fol tashmë gjerë e gjatë. Më 29 maj do të dalin progres-raportet e të gjitha vendeve. Çfarë do të lexojmë aty për vendet e tjera?

Shumë gjëra të mira, por edhe shumë gjëra kritike. Siç ndodh rëndom me progres-raporte. Ka përparime aty këtu, por ka edhe stanjacion. Për shembull, te bisedat mes Serbisë dhe Kosovës, të cilat kanë ngrirë prej disa muajsh. Shpresoj se tani do të shkrijnë, jo vetëm për shkak të stinës. Pra, për ta thënë më shkoqur: se së shpejti do të fillojnë bisedimet. Edhe këtu kemi të bëjmë me perspektivën evropiane për të dy vendet dhe një marrëveshje obliguese ndërmjet vendeve është në fund të fundit bazamenti për perspektivën europiane.

Zonja Merkel dhe Zoti Macron kanë nisur një iniciativë për t’i mbështetur këto biseda. Cilat janë mjetet më efektive që ka në dorë Bashkimi Evropian për t’i lëvizur të dyja palët drejt kompromisit?

Besueshmëria. Nëse çelim negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut – kjo nuk do të thotë se ato hyjnë nesër në BE, ky është një proces disavjeçar që kërkon edhe shumë përpjekje,- atëherë kjo është joshja më e mirë për serbët dhe kosovarët që të ulen në tryezën e negociatave. Sepse ajo që do të duhet të arrijnë ata nuk do të pritet me duartrokitje të mëdha në asnjë vend. Kërkon guxim dhe kurajë nga aktorët veprues që të ulen në një tryezë dhe të hartojnë një kompromis, i cili do të kërkojë lëshime nga të dyja palët për të arritur në një rezultat përfundimtar.

Hyn këtu edhe liberalizimi i vizave?

Nuk lidhet drejtpërdrejt me këtë çështje. Por sa i përket besueshmërisë, po.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është i mendimit se pa SHBA-të nuk do të ketë negociata të suksesshme. E shihni dhe ju kështu?

Ekziston një dakordim i qartë ndërkombëtar se si duhen bërë këto negociata. Natyrisht është mirë nëse kemi mbështetje edhe nga aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe kur bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar. SHBA-ja është e rëndësishme si mbështetëse, por struktura aktuale e negociatave, nën drejtimin e Përfaqësueses së Lartë, aktualisht Federica Mogherinit, është e mjaftueshme.

Pyetja e fundit, për ju si “arkitekt” i Ballkanit Perëndimor, nëse më lejohet t’i kthehem edhe njëherë vetëpërshkrimit të përmendur në krye të intervistës. Vitin e kaluar ju e mbështetët idenë e ndryshimit të kufijve në Ballkan. E shihni ende si zgjidhje të mundshme për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë?

Unë vetëm kam thënë se kjo nuk duhet tabuizuar menjëherë. E sqarova menjëherë se zgjidhja që do të vijë në fund të ditës nuk duhet të jetë në kosto të të tretëve. Tani është ende herët të flitet për zgjidhjet që vijnë në pyetje. Sepse marrëveshja që do të arrihet mes dy vendeve do të jetë shumëpërfshirëse. Një vend qendror në marrëveshje do ta zërë çështja e pakicave, sepse ka shumë serbë në të gjithë territorin e Kosovës dhe jo në një zonë të caktuar të Kosovës. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Pra, marrëveshja do të përfshijë shumë pjesë të një rebusi, të cilat shpresojmë që së bashku të japin një panoramë shumë të bukur.

Presidenti i NDI, Derek Mitchell në Shkup

Derek MitchellPresidenti i Institutit Demokratik Kombëtar të Shteteve të Bashkuara, Derek Mitchell ndodhet për vizitë në Maqedoninë e Veriut ku po takohet me zyrtarët e lartë shtetërorë. Zoti Mitchell tha se Maqedonia e Veriut e ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara në rrugën e saj të integrimeve, ndërsa theksoi arritjet e mira të këtij vendi ballkanik, duke nënvizuar nevojën për një pajtim politik brenda vendit.

Presidenti i Institutit Demokratik Kombëtar të Shteteve të Bashkuara – NDI, Derek Mitchell tha në Shkup se shikon përparim të Maqedonisë së Veriut, por se demokracia nuk përfundon dhe gjithmonë paraqiten sfida. Ai u takua me Klubin e grave deputete në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, si mbështetës i punës së këtij klubi, për t’u njohur me veprimtarinë dhe përvojat e ligjvënëseve dhe për planet e ardhëshme të këtij klubi.

I shoqëruar edhe nga drejtori i NDI-së për Evropën qendrore dhe lindore, Robert Benjamin, zoti Mitchell vuri në dukje bashkëpunimin e Institutit Demokratik Kombëtar për 25 vjetët e fundit me autoritetet dhe institucionet e këtij vendi.

“Ka nevojë për një pajtim në këtë vend, dhe ka nevojë për ngritjen e sistemit të shëndetësisë, të arsimit, reforma të gjyqësorit”, tha zoti Mitchell, duke theksuar synimet e Institutit që drejton për ta ndihmuar Maqedoninë e Veriut. “Kemi shumë shpresa për një të ardhme të mirë të vendit tuaj”, shprehet Derek Mitchell.

Ai thotë se Shtetet e Bashuara po ndihmojnë edhe në aspektin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, autoritetet në Shkup shpresojnë se do të marrin në qershor datën për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, ndonëse ka pasur spekullime se kjo do të mund të shtyhej.

Nga ana tjetër, Kryeministri Zoran Zaev nuk heq dorë nga paralajmërimet për ndryshime në kabinetin qeveritar, apo pastrime, siç i ka quajtur ai vetë para pak javësh. Ndryshimet, sipas kryeministrit maqedonas do të preknin ministra të partisë së tij Lidhja Social Demokrate dhe të Bashkimit Demokratik për Integrim, por disa eksponentë të radhëve të BDI-së në qeveri janë shprehur se ata mund t’i ndryshojë vetëm kryetari i tyre, Ali Ahmeti.

Besoj se në fillim të qershorit do të bëj ndryshime në strukturat udhëheqëse në nivel ministrash dhe drejtues institucionesh shtetërore dhe kah fundi i qershorit me ndrysime në nivel lokal”, paralajërmon kryeministri Zaev.

Qeverisja e tij gati dy vjeçare është përshkuar me një sërë kritikash sidomos për nepotizëm, ndërsa Agjensia kundër korrupsionit ka hetuar rastet dhe i ka cilësuar si punësime të paligjshme ato të familjarëve të ngushtë të zyrtarëve të pushtetit. voa

San Francisko ndalon përdorimin nga policia të teknologjisë për identifikimin e fytyrës

kameraSan Francisko e Kalifornisë është bërë qyteti i parë në Shtetet e Bashkuara që ndalon policinë dhe departamente të tjera të qytetit që të përdorin teknologji të identifikimit të njerëzve përmes kamerave të sigurisë.

Ligjvënësit e qytetit votuan 8-1 të martën duke miratuar ndalimin e teknologjisë që identifikon fytyrën e individid. Kjo është pjesë e një legjislacioni më të gjerë që u kërkon organeve të rendit në San Francisko të marrin miratimin e Bordit të Mbikëqyrësve për të vazhduar të përdorin apo blejnë këtë lloj teknologjie. Aaron Peskin është anëtar i Bordit të Mbikëqyrësve të qytetit të San Franciskos.

“Ka shumë mënyra për ta siguruar shoqërinë tonë pa jetuar në masa të rrepta sigurie. Kemi sherbime të mira policie, por nuk duam të jetojmë në një shtet policor. Legjislacioni përpiqet të arrijë këtë balancë.”

Legjislacioni ndalon përdorimin teknologjisë së identifikimit të fytyrës në nivele të qeverisë lokale, por jo në aspektin personal, bizneset apo qeverinë federale.

Mbështetësit e privatësisë kanë kundërshtuar përkrahësit e masave për sigurinë publike gjatë disa dëgjesave të zjarrta publike në San Francisko, një qytet i mbushur me novacione teknologjike dhe qendra e kompanive Twitter, Airbnb dhe Uber.

Mbështetësit e ndalimit të teknologjisë së identifikimit të fytyrës thonë se teknologjia jo vetëm që ka të meta, por është një kërcënim serioz për të drejtat civile. Kundërshtarët thonë se policia ka nevojë për ndihmë në kapjen e keqbërësve.

Austria ndalon shaminë e kokës për vajzat e fillores

ShamiaNjë vendim me fuqi të madhe simbolike. Parlamenti austriak ka vendosur të ndalojë vendosjen e shamisë së kokës për vajzat në shkollën fillore. Menjëherë pasuan protestat.

Me një ligj, për të cilin e dhanë votën deputetët e koalicionit qeveritar nga partia konservatore, ÖVP dhe partia populiste, FPÖ do të ndalohet në të ardhmen në shkollat fillore “veshja për arsye të fesë apo botëkuptimit, me të cilën lidhet mbulimi i kokës.” Qeveria ka bërë të qartë, se ky ligj drejtohet vetëm kundër shamisë së kokës të myslimanëve dhe jo kundër “kipas” karakteristike të hebrenjve apo “patkës” së Sikhëve.

“Nënshtrim”

Zëdhënësi për çështjet e edukimit politik të partisë, FPÖ, Wendelin Mölzer tha, se me ndalimin e shamisë së kokës dërgohet një sinjal kundër islamit politik. Kurse deputeti konservator i ÖVP-së, Rudolf Taschner deklaroi, se bëhet fjalë për atë që vajzat myslimane të çlirohen nga “nënshtrimi”. Opozita votoi gati e gjitha e bashkuar kundër këtij ligji dhe akuzoi qeverinë, se ajo është më shumë e interesuar për publicitet dhe jo për të mirën e fëmijëve.

Para vendimit në parlament, qeveria austriake bëri të ditur, se ajo pret ankimime të ligjit në Gjykatën Kushtetuese. Ky ligj nuk ka rang kushtetues, sepse nuk u miratua me shumicën e cilësuar të dy të tretave. Shoqata Austriake e Islamit, IGGÖ e kritikoi ashpër ligjin e ri të sapomiratuar në parlament.

la/ml/gri/(dpa, afp)

Prej sot, nga Shkupi deri në Beograd do të udhëtohet për 3 orë

Autostradat-Prishtinë-Shkup-Nish-Shkup-Shkup-Bllacë-1-696x435Sot, me 15 maj (e mërkurë), do të lëshohet aksi jugor i Korridorit 10 drejt Maqedonisë së veriut dhe Greqisë afër Grykës së Gërdelicës.

Me hapjen e aksit afër Grykës së Gërdelicës, Serbia përmes Korridorit 10 tërësisht do të lidhet me 600 kilometra përgjatë autostradës nga kufiri i Maqedonisë së veriut deri në kufi me Hungarinë.

Në aksin përmes Grykës së Gërdelicës të gjatë 26,3 kilometra, vozitësit nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të kenë mundësi të kalojnë nëpër dy tunele të reja dhe 33 ura të konstruuara.

Korridori 10 është një nga korridoret më të rëndësishme transportuese pan-evropiane që kalojnë nëpër Serbi dhe i lidhë Austrinë, Hungarinë, Sllvoeninë, Kroacinë, Serbinë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.

Me këtë intervenim, shkurtohet rruga Shkup-Beograd dhe bëhet thuajse për 3 orë.

Kosovë, komisioni hetimor për dëbimin e shtetasve turq përfundoi raportin

shtetasit turqKomisioni parlamentar që po heton operacionin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq, një vit më parë, miratoi të mërkurën projekt raportin mbi operacionin dhe bëri thirrje që çështja të trajtohet nga prokuroria e posaçme e Kosovës.

Kryesuesi i këtij komisioni, Xhelal Sveçla, tha se komisioni ka konstatuar dhjetëra shkelje nga institucionet e vendit ndërsa, sipas tij, urdhrin për dëbimin e gjashtë shtetasve turq e ka dhënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Mund të them lirisht se janë mbi 31 shkelje, por të faktuara nga dy e më shumë burime janë 31 shkelje të cilat janë evidentuar nga komisioni. Pak a shumë duke marrë parasysh edhe sjelljen e presidentit edhe reagimet si të tij, si të njerëzve përreth tij, tashmë është bërë e qartë se urdhërdhënës për këtë që ka ndodhur është vet presidenti Hashim Thaçi, i cili në mënyrë jashtëzakonisht të papërshtatshme dhe arrogante parandaloi raportimin para komisionit”, tha ai.

Muajin e kaluar në këtë komision ishte thirrur të raportojë presidenti Thaçi, por paraqitja e tij ishte përshkruar me përplasje të ashpra dhe akuza të ndërsjella duke çuar edhe në dështimin e seancës dëgjimore. Presidenti Thaçi kërkoi në atë takim hetim ligjor për ekspertin ndërkombëtar që ka hartuar raportin mbi dëbimin e shtetasve turq.

Presidenti Thaçi hodhi kërkesën që të hetohet edhe vet komisioni pasi që sipas tij ka bërë shkelje ligjore me punësimin e ekspertit ndërkombëtarë duke vlerësuar se ai ka qenë i njëanshëm.

Por, anëtari i këtij komisioni, Driton Selmanaj, tha sot se e gjitha kjo ishte përpjekje e presidentit për ta penguar punën e tyre.

Mbi 51 profesorë të Harvardit dhe të shumë universiteteve amerikane na kanë dërguar letra neve në mbrojtje të ekspertit. Por, ky skenar i tyre shihej qartazi që është tendencë për ta penguar dhe denigruar përfundimin e kësaj pune. Por ne jemi të bindur dhe tashmë e dëshmuam që kur ekziston vullneti maksimal i politikanëve dhe i kujtdo qoftë, nuk ka person as faktor që mund ta ndalë një proces, në mënyrë që të zbardhet e vërteta, dhe e gjitha kjo në funksion të vetëm një gjëje; që Kosova të jetë shtet i së drejtës”, tha ai.

Raporti përfundimtar i komisionit do të hidhet për diskutim në parlamentin e Kosovës, tha zoti Sveçla, ndërsa i bëri thirrje prokurorisë që të trajtojë seriozisht këtë çështje.

Unë mendoj që shkelja më e rëndë është shkelja me vetëdije e institucioneve kryesore të udhëhequra nga presidenti i Kosovës, të të drejtave të njeriut, të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, por edhe të konventave ndërkombëtare,të cilat edhe vet sipas Kushtetutës i mbivendosen Kushtetutës së Kosovës. Është faktuar se me vetëdije të plotë janë bërë këto shkelje, motivet ne pak a shumë mund t’i supozojmë dhe besoj që prokuroria duhet t’i thërrasë të gjithë këta bartës të institucioneve veç e veç për të dhënë dëshminë e tyre dhe në bazë të këtyre gjetjeve si dhe gjetjeve të mëtutjeshme të prokurorisë, të ngritën aktakuzat e para”, tha ai.

Më 29 mars të vitit 2018, autoritetet në Kosovë arrestuan gjashtë shtetas turq, punonjës të institucioneve në pronësi të klerikut turk Fethullah Gulen, të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje për grusht shteti në Turqi.

Të gjashtët ju dorëzuan autoriteteve turke në një operacion që la pas vetes shumë paqartësi, shumë kritika ndaj institucioneve dhe nxiti një përplasje deklaratash ndërmjet presidentit turk Recep Tayipp Erdogan dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Komision parlamentar për hetimin e operacionit, që u themelua në korrik të vitit të kaluar, kishte pohuar edhe më herët se shkeljet më të mëdha, janë bërë nga Agjencia e Zbulimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Këto gjetje, nxitën edhe reagimin e ambasadës amerikane në Prishtinë, e cila kishte tërhequr vërejtjen se “trysnia politike mbi sektorin e sigurisë është shkelje skandaloze e vlerave demokratike”.

voa

Rama: Po dialogut me opozitën, jo negociata për datën e zgjedhjeve

RamaNë Shqipëri kryeministri Edi Rama tha të martën se është i gatshëm të dialogojë me opozitën, por jo të negociojë për të shtyrë datën e zgjedhjeve të 30 Qershorit, duke saktësuar se nuk mund të negociohet për të shkelur Kushtetutën e vendit. Oti Rama tha se nuk ndjehet i shqetësuar nga deklarimet e opozitës se nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve vendore, duke u shprehur se “në një vend të Natos të kërcënosh të destabilizosh është një kuturisje qorre” tha ai.

Mes palëve politike në vend qëndron ende në mes një hendek i madh në qëndrimet që ndajnë. Ndërsa opozita këmbëngul në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, përfshirë shtyjen e atyre të 30 Qershorit kreu i qeverisë tha sot se është i gatshëm për dialog, por jo të negociojë datën e zgjedhjeve. “Dialogu është i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm në procesin e bashkëjetesës demokratike në një vend normal dhe në një shoqëri që bazohet në zgjedhjet e saj te vota. Dhe vendi ka nevojë më shumë se asnjëherë për dialog. Por – saktësoi më tej zoti Rama – negociata nuk ka, që të jemi të qartë, në kuptimin e një procesi negociatash që lidhen me 30 Qershorin. Se nuk kemi asnjë mundësi të negociojmë Kushtetën e Shqipërisë. Zgjedhjet e 30 Qershorit do mbahen në atë datë”.

Opozita nga ana e saj është përbetuar se nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve vendore. Kryeministri theksoi se nuk është i shqetësuar. “Në një vend të Natos të kërcënosh të destabilizosh është një kuturisje qorre e një përmase që nuk di ta përshkruaj, sepse nuk është vetëm shteti e ligji. Këtu janë interesa të sigurisë kombëtare që lidhen me sigurinë më gjerë. Nuk kam asnjë shqetësim lidhur me 30 Qershorin. Do bëjmë çmos të informojmë qytetarët dhe ndjekësit që do kenë mbetur deri në 30 Qershor në këtë rrugë pa kryer, se ligji është shumë i qartë dhe pa ekuivok për këdo që tenton të prek të drejtën kushtetuese të popullit për të zgjedhur”, theksoi kryeministri.

Por edhe sot pasdite, kryetari demokrat Lulzim Basha theksoi se “zgjedhje të marra peng me krimin dhe nga një kryeministër që bashkëpunon me të, kanë mbaruar”, duke shtuar se “përdhunuesi serial i zgjedhjeve, nuk mund të jetë kujdestar i zgjedhjeve. Kjo është e padiskutueshme, e panegociueshme. Nuk ka njeri në Shqipëri të besojë se me Edi Ramën kryeministër, mund të ketë një proces të lirë zgjedhor”.

Opozita vijon me protestat e saj në sheshe, por sipas kryeministrit një qeveri nuk mund të rrëzohet as me kapsolla e as me bomba Molotov, ndërsa i bëri jehonë reagimeve të shumta ndërkombëtare që dje i kërkuan zoti Basha dhe kryetares së Lsi-së Monika Kryemadhi të dënojnë aktet e dhunës dhe përgjegjësit e tyre.

Në daljen e tij për gazetarët zoti Basha përsëriti sot se “nuk ka e nuk do të ketë asnjë kthim pas. Bashkimi ynë ka marrë përmasat që i tejkalojnë kufijtë politikë të mbështetësve të opozitës. Eshtë një bashkim popullor”. Kreu demokrat ritheksoi se “rruga qe kemi përpara është fare e qartë: Ne do të vazhdojmë aksionin qytetar, duke ndërthurrur protestat me alternativën , vizionin për të ndërtuar ekonominë, mundësi për mirëqenie për të gjithë shqiptarët”.

Për incidentet gjatë protestës së mbrëmshme u arrestuan 7 persona. Ndërsa sot Gjykata vendosi që nga 50 të arrestuarit për aktet e dhunës gjatë së shtunës, të mbajë në burg vetëm 20 prej tyre. Një vendim që u kundërshtua me forcë nga opozita e cila I konsideron ata “të burgosur politikë të një rregjimi monist”, tha zoti Basha duke theksuar se vendimi u mor nga një gjykatës i cili siç tha ai është babai i nënkryetarit të rinisë socialiste, FRESH. “Këtij pseudogjyqtari politik i them se asgjë nuk do të shpëtojë nga bindja e verbër ndaj urdhrave politike”, deklaroi zoti Basha.

voa

Kur është i mundur liberalizimi i vizave për Kosovën?

SchengenNdërkohë që kryeministri i Kosovës, Haradinaj shprehet optimist për mundësinë e liberalizimit të vizave me Kosovën në Bruksel askush nuk flet për datën e heqjes së vizave për kosovarët. Por si realizohet ky proces në BE?

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka dhënë një parashikim se regjimi i vizave për kosovarët për udhëtim në vendet Shengen mund të hiqet në muajin shtator 2019. Duket se kjo deklaratë ka ardhur pas premtimeve që ai ka marrë në Berlin gjatë samitit të fundit. DW ka arritur që të konfirmojë se edhe ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer që është personi përgjegjës për këtë punë ka dhënë mbështetjen e tij për heqje të vizave për kosovarët. Ky ishte ndryshimi që u arrit pas samitit të Berlinit.

Në Bruksel askush nuk guxon të flasë për datë të heqjes së vizave për kosovarët. Madje pak ka diplomatë, të cilët dëshirojnë të flasin për këtë punë në kohën kur Bashkimi Evropian është duke zgjedhur parlamentin e ri, i cili sfidohet nga populizmi i djathtë.

Rumania duhej ta fuste çështjen e liberalizimit të vizave me Kosovën – pak shanse që kjo të ndodhë

Sipas rregulloreve të marrëveshjes Shengen që të kalojë vendimi për liberalizimin e vizave duhet të ndodhin dy gjëra: Vendi që mban presidencën e BE-së duhet ta fusë çështjen në agjendë dhe vota duhet të përkrahet nga “shumica e kualifikuar”. Në gjashtëmujorin e parë 2019 Rumania mban presidencën e Bashkimit Evropian. Ajo duhet ta fusë këtë çështje në agjendë. Mundësia që të ndodhë kjo nuk është shumë e madhe, pasi ky shtet nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe nuk duket se Bukureshti do të mund ta përkrahë apo të marrë një iniciativë për afrimin e Kosovës në BE.

Problemi tjetër me Rumaninë është se ajo ndodhet nën presionin e vendeve të tjera të BE-së për shkak të korrupsionit të lartë në këtë vend. Komisioni Evropian, të martën (13.05), kërcënoi me vendojen e sanksioneve, nëse Rumania aprovon një ligj që mbron të korruptuarit nga ligji. Kjo gjë e vështirëson mundësinë që vendet perëndimore apo miqtë e Kosovës të kenë mundësi që të kërkojnë nga Rumania që të fusë në agjendë një gjë që është me interes të vogël për BE-në, komentojnë diplomatët. Edhe pse Rumania nuk preket nga vendimi i liberalizimit pasi nuk është pjesë e Shengenit ata përcaktojnë agjendën.

Roli kyç i Francës

Çështja e dytë që mbetet pikëpyetje është kalimi i votës me “shumicë të kualifikuar”. Për të arritur këtë numër duhet që për liberalizimin e vizave të votojnë më shumë se 55 për qind e shteteve anëtare të Shengenit, gjë që nuk përbën problem, por këto duhet të jenë vendet që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së përgjithshme në vendet që votojnë. Duke marrë këtë parasysh, nëse të gjitha vendet që nuk e kanë pranuar Kosovën dhe janë në Shengen votojnë kundër dhe këtyre ju bashkëngjitet edhe Franca dhe Holanda që momentalisht janë kundër me deklarata, atëherë vota nuk do të kalojë. Nëse njëra nga vendet që nuk e kanë njohur, Kosovën por janë pozitivisht të disponuara ndaj vendit, si Greqia dhe Sllovakia, do votonte pro, atëherë vota do të kalojë edhe pa Francën dhe Holandën. Mirëpo është vështirë të besohet se ndonjë votë do të kalojë pa bekimin e një vendi siç është Franca.

Kyçe në këtë votë është Franca, pohojnë diplomatët, përkatësisht presidenti Macron. Diplomatët francezë kur flasin privatisht janë në përkrahje të liberalizimit të vizave për Kosovën por pjesa politike e presidentit francez ka bllokuar secilën lëvizje drejt zgjerimit të BE-së duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave. Kjo pjesë e administratës franceze madje ka sugjeruar, se heqja e vizave për Shqipërinë dhe Gjeorgjinë ka qenë gabim.

Analistë thonë, se pa votën e Francës as vendet e tjera nuk do të kërkojnë që votimi të ecë përpara. Udhëheqësit kosovarë do të shkojnë në Paris për vazhdimin e samitit të Berlinit, në qershor ata do të takohen personalisht me Presidentin Macron dhe mund ta bindin atë, por edhe mund të dështojnë në arritjen e këtij hapi diplomatik për Kosovën.

dw

Kryebashkiaku i larguar i Stambollit dënon goditjen e Erdoganit ndaj demokracisë

Ekrem ImamogluEkrem Imamoglu tronditi politikën turke kur fitoi zgjedhjet për bashkinë e Stambollit, duke i dhënë fund një sundimi 25-vjeçar të partisë së Presidentit Recep Tayyip Erdogan. Zoti Imamoglu mori detyrën rreth një muaj më parë dhe zbuloi menjëherë shpenzimet e tepruara të zyrtarëve të qytetit. Papritmas, komisioni zgjedhor urdhëroi një rinumërim të votave dhe zoti Imamoglu nuk e ushtron dot më detyrën e kryebashkiakut.

Pas fitores së tij historike, Ekrem Imamoglu premtoi pajtim në të gjithë Stambollin dhe u zotua t’i japë fund përçarjeve të thella politike të Turqisë.

Është ky mesazhi që i dha atij fitoren. Por, kryebashkiaku i ri e mbajti postin për vetëm 19 ditë. Komisioni zgjedhor e anuloi fitoren e tij dhe urdhëroi një rinumërim të votave.

Komisioni zgjedhor mbështeti pretendimet e Presidentit Erdogan se fitorja e ngushtë e Ekrem Imamoglut u shoqërua me manipulime dhe parregullsi.

“Kjo është një goditje që do të shënohet në histori si një njollë e errët. Kjo është shumë e qartë. Prandaj jam shumë i hidhëruar. Jo për veten time, por për gjithë shoqërinë tonë. Është hidhërimi që ndjej kur shikoj një goditje të tillë ndaj demokracisë së Turqisë. Por, do ta vëmë në vend të drejtën. Kjo është lufta jonë”, thotë zoti Imamoglu.

Anullimi i rezultatit ka provokuar zemërim në rrugët e Stambollit.

Protesta të përnatshme vazhdojnë në mbarë qytetin, ndërsa po afron rivotimi në Stamboll muajin e ardhshëm.

“Është e qartë se ky votim nuk është vetëm për Stambollin. Këto janë zgjedhje vendore, por edhe një luftë për demokracinë. Prandaj fushata jonë do të rritet dhe qindra mijëra njerëz do të marrin pjesë”, thotë zoti Imamoglu.

Fitorja e zotit Imamoglu në Stamboll dhe mesazhi i përfshirjes po rigjallëron partinë e tij CHP, në veçanti mes të rinjve të qytetit.

Duke ngrënë pas agjërimit të muajit të shenjtë të Ramazanit në një familje të Stambollit, zoti Imamoglu, i cili ka një prejardhje konservatore, plotëson me lehtësi hendekun mes laikes dhe fetares.

“Është e qartë se ajo çfarë po kalojmë është mbi politikat partiake. Prandaj paqtimi social, bashkimi, mund të shndërrohen në një mundësi, në një frymë më të lartë. Ajo çfarë do të pasojë mund të reflektohet tek ekonomia, tek arsimi, paqja sociale dhe liria. Nëse e shikon pamjen të plotë, çdo gjë do të jetë më e bukur”, tha zoti Imamoglu.

Ish-kryetar i një minibashkie deri disa muaj më parë, shumë pak njerëz kishin dëgjuar për zotin Imamoglu.

Por, ai mund të paraqesë rrezikun më të madh të drejtpërdrejtë për zotin Erdogan, ndërsa vendi përgatitet për rivotimin në Stamboll që mendohet të jetë procesi më i rëndësishëm për vendin.

Michael Roth: BE-ja duhet të çelë negociatat me Shqipërinë

Michael RothPavarësisht protestave të opozitës, qeveria gjermane është për hapjen sa më parë të bisedimeve për Shqipërinë, konfirmoi për DW ministri shtetit Michael Roth, pas takimit me ministrin e Jashtëm në detyrë të Shqipërisë.

DW: Një vit më parë, Shqipërisë iu premtua “çelja e negociatave” nëse do të plotësonte disa kushte. A do të mbahet premtimi në qershor 2019, apo do të shtyhet për më vonë?

Michael Roth: Ne vazhdojmë ta mbështesim perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në BE. Ne duhet t’i mbajmë premtimet tona. Një vit më parë, në qershor, i dhamë Shqipërisë disa detyra me vete, dhe kam përshtypjen se Shqipëria i ka përmbushur këto detyra: reforma ligjore, lufta kundër krimit të organizuar, kontrabandës së drogës, ndërtimi i një administrate moderne. Në këto fusha janë bërë përparime të mëdha. Unë madje shkoj aq larg sa të them se ndoshta nuk ka vend që të ketë përmbushur kaq shumë detyra para çeljes së negociatave të anëtarësimit. Sigurisht ka akoma shumë për të bërë, por jam optimist, se mbi bazën e kritereve të qarta që janë përmbushur, mund të bëhet një diskutim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Nuk do të luajnë rol aspak protestat të cilat, të shtunën e kaluar, kanë pasur edhe përshkallëzime të dhunshme?

Kritika është normale në çdo demokraci të gjallë, por dhuna, si mjet i demokracisë apo i politikës, është absolutisht e papranueshme. Ne jemi shumë të shqetësuar për situatën politike në vend në Shqipëri dhe gjithashtu për përgjegjësinë e opozitës për dhunën. Pres që opozita të reagojë drejt në përgjegjësinë e saj për demokraci. Nuk është aspak e qartë për mua se si ajo mund të shpallë një bojkot parlamentar, se si bojkoton zgjedhjet lokale. Parlamenti është pikërisht vendi ku duhen bërë debatet kritike. Nuk mund t’i ikësh kësaj përgjegjësie. Kam përshtypjen se opozita sikur nuk është aspak e interesuar që Shqipëria të anëtarësohet në BE dhe se po ndjek një politikë penguese të papërgjegjshme në kurriz të popullit të Shqipërisë. Kjo nuk është e pranueshme! Dhe përsëris: Nëse qytetarët kritikojnë qeverinë e tyre, ose parlamentarët, kjo duhet marrë seriozisht. Askush prej nesh nuk po e zbukuruon situatën në Shqipëri. Por këto shpërthime të dhunës nuk duhet të bëhen normalitet, as në Shqipëri e as në të gjithë Evropën.

Qëndrimi juaj has në moskuptim në shumë shqiptarë, madje edhe tek intelektualët. Tekefundit, opozita akuzon kryeministrin se ka blerë vota me ndihmën e krimit të organizuar. A ushtruat presion, ose a i kërkuat ju së paku ministrit në detyrë Cakaj që këto raste abuzimit të ndiqen penalisht?

Kur unë sikurse edhe qeveria ime jemi për sundimin e ligjit, ky sundim i ligjit duhet gjithashtu të zbatohet në praktikë. Kjo nuk ka të bëjë fare me presion. Por, i takon drejtësisë shiptare të marrë përgjegjësinë dhe të sqarojë akuzat. Kjo është një pritshmëri e qartë, të cilën natyrisht e kemi ndaj Shqipërisë, por për këtë nuk është përgjegjëse qeveria shqiptare, por kryesisht drejtësia shqiptare, dhe kjo është e pavarur. Kjo do të thotë se këtu është vështirë të ndërhyhet nga jashtë.

Me fjalë të tjera, Shqipëria së shpejti mund të fillojë bisedimet e anëtarësimit?

Unë do të angazhohem që të çelen negociatat e anëtarësimit. Sepse unë besoj se Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë, Bashkimi Europian duhet t’i qëndrojë angazhimeve të veta. Por kjo nuk është e vetkuptueshme. Ne të gjithë e dimë për diskutimet kontroverse. Por duhet të jemi të drejtë dhe të vendosim mbi bazën e fakteve dhe nuk duhet të harrojmë kurrë se stabiliteti dhe paqja në Ballkanin Perëndimor janë me interes të madh për Gjermaninë, por edhe për Bashkimin Evropian.

dw