Hapja e bisedimeve me BE, vendimi për Tiranën e Shkupin në tetor

HahnMinistrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian e shtynë për në muajin Tetor marrjen e një vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke rënë dakord për tekstin që i propozohet kryetarëve të shteteve që do të takohen në mbledhjen e Këshillit më 20-21 Qershor.

Shtyrja për në vjeshtë ishte e pritshme, duke qenë se Gjermania është në pritje të vlerësimit të parlamentit të saj, ndërsa dhe disa vende skeptike si Franca e Hollanda nuk ishin të gatshme për një vendim të shpejtë.

Teksti i dakordësuar nga ministrat e Jashtëm mund të konsiderohet shpresëdhënës, nëse do të mbahet parasysh konteksti i zhvillimeve të brendshme dhe në vendet anëtare si dhe fakti që Këshilli angazhohet që të dalë me një vendim të qartë brenda muajit tetor. Sipas përfundimit që i përcillet Këshillit, ky i fundit “merr në konsideratë rekomandimin e Komisionit për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë bazuar në vlerësimin e tij pozitiv të përparimit të bërë dhe të përmbushjes së kushteve të identifikuara nga Këshilli. Duke marrë parasysh kohën e kufizuar në dispozicion dhe rëndësinë e çështjes, Këshilli do t’i kthehet kësaj çështje me qëllim që të arrijë një vendim të qartë dhe substancial sa më shpejt që të jetë e mundur dhe jo më vonë se tetori 2019”. I njëjti formulim ishte edhe për Maqedoninë e Veriut, duke shuar kështu hipotezat e një ndarjeje në vlerësimin e të dy vendeve.

Megjithatë, diplomatët thanë se Maqedonia e Veriut ende ka shansin më të mirë për të marrë hapjen e negociatave më vonë këtë vit, ndërsa mundësitë e Shqipërisë duken më të pakta, thanë diplomatët.

Perceptuar si një nga vendet më të korruptuara të Evropës, sipas organizatës Transparency International, Shqipëria ka bërë përparim të kufizuar në luftën kundër pastrimit të parave, megjithë shkarkimet e gjyqtarëve dhe të prokurorëve të korruptuar, thonë zyrtarët e BE dhe të SHBA.

Në përfundim të takimit, Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn, tha pasdite se ndjehej “i keqardhur që një pakicë vendesh anëtare nuk e mbështetën propozimin e qartë të Komisionit”. Sipas tij Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të ishin shpërblyer pasi ato kishin përmbushur çfarë u ishte kërkuar vitin e shkuar. Besueshmëria e BE-së është në lojë, sikundër dhe nxitja e mëtejshme e reformave”, nënvizoi komisioneri Hahn.

Reagimet në Shqipëri

Në Tiranë, ambasadori i Delegacionit Europian, Luigi Soreca përmes një postimi në Twitter, duke komentuar qëndrimin e vendeve anëtare, shkruan se “në pritje të “vendimit të qartë dhe substancial” të tetorit, tani është koha për të gjtha institucionet që të vijojnë të përqëndrohen në procesin e reformave, në veçanti në reformën në Drejtësi”. Ai vë në dukje dhe klimën politike aspak ndihmuese, ndërsa shton se “tani është koha që të rinisë urgjentisht dialogu mes të gjitha partive për të tejkaluar situatën aktuale politike, për të siguruar se Shqipëria mund të ecë përpara në rrugën e saj të anëtarësimit dhe mund të bëjë hapin e radhës. Nuk ka kohë për të humbur”, thekson ambasadori Soreca.

Por dhe në komentet e tyre të para, drejtuesit politikë shqiptarë kanë nxjerrë sërish në pah ndarjen e thellë që ekziston mes tyre. Kryeministri Edi Rama foli për “një lajm shumë pozitiv nga Europa në rrugën e çeljes së negociatave. Pavarësisht luftës pa limite të frontit politik të së keqes, që po bën çmos të sakatojë vendin në sytë e Europës, për të bllokuar negociatat me sharje, kërcënime, molotovë e përgjime baltosëse, Shqipëria po reziston”, shkruajti ai në Twitter.

Ndërsa Sekretari i Përgjthshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, nga ana e tij ironizoi kryeministrin kur shkruajti se “Edi Rama është kryeministri i vetëm në botë që një lajm të keq për vendin e quan lajm pozitiv, duke thyer edhe rekordin e një viti më parë, kur gënjeu shqiptarët se negociatat u hapën. Shtyrja e vendimit të Bashkimit Europian për nisjen e negociatave me Shqipërinë për të tretën herë me rradhë, nuk ka asgjë pozitive. Edi Rama e di shumë mirë se, nëse ai do të vazhdojë të jetë në krye të vendit, dera e Europës për shqiptarët, do të qëndrojë e mbyllur”, është shprehur zoti Bardhi, duke vijuar më pas me një seri akuzash të ndryshme ndaj kryeministrit.

voa

Këshilli Evropian i kërkon Kosovës heqjen e tarifave dhe luftë kundër korrupsionit

EUKëshilli i ministrave të Bashkimit Evropian, i bëri thirrje Kosovës që të heqë tarifat ndaj mallrave serbe, të vazhdojë bisedimet me Serbinë dhe të luftojë me vendosmëri korrupsionin.

Këto thirrje janë pjesë e përfundimeve të Këshillit për Çështje të Përgjithshme në Bashkimin Evropian, i cili diskutoi të martën në Luksemburg çështjen e zgjerimit të bllokut.

” Përfundimet e Këshillit Evropian për Kosovën

Në përfundimet e Këshillit shprehet keqardhja e thellë me “vendimin e qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifat të njëanshme prej 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në nëntor të vitit 2018, në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore dhe frymën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”. Këshilli nënvizon se “ky vendim pengon bashkëpunimin rajonal dhe duhet të tërhiqet menjëherë”.

Ndërsa mirëpret miratimin e ligjeve të rëndësishme në fushën e sundimit të ligjit dhe reformave administrative, Këshilli thekson se “korrupsioni dhe krimi i organizuar duhet të trajtohen me vendosmëri. Këshilli mbetet i shqetësuar me ndërhyrjet politike dhe rekrutimet jomeritore dhe i zhgënjyer me emërimin e të dënuarve për krime lufte në pozita zyrtare, gjë që është në kundërshtim me vlerat Evropiane”.

Këshilli rithekson rëndësinë e trajtimit të dobësive në proceset zgjedhore dhe përmend si shembull zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e komunave veriore të Kosovës që u mbajtën më 19 maj, e të cilat siç thuhet, “dëshmuan se pengesat mbeten, përfshirë veprimtaritë para zgjedhjeve që kufizuan përfshirjen e plotë demokratike në zgjedhje”.

Këshilli vë re me shqetësim se “situata e përgjithshme në veriun e Kosovës paraqet sfida të posaçme në fushën e krimit të organizuar, korrupsionit dhe lirisë së shprehjes”.

Këshilli pohon se kërkohet forcim i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare si dhe të pjesëtarëve të pakicës rome.

Këshilli ka vënë re përparimin e Kosovës ne luftën kundër radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit. Ai kërkon përpjekje shtesë për të trajtuar financimin e terrorizimit sikurse edhe për rehabilitimin dhe ri integrimin.

Këshilli i bën thirrje Kosovës që të ndërmarrë masat e domosdoshme për t’iu përmbajtur rregullave fiskale, për të shtuar përpjekjet për të luftuar ekonominë joformale, për të trajtuar në mënyrë aktive papunësinë e lartë, sidomos papunësinë e të rinjve dhe grave, për të investuar më shumë në arsim dhe në energjinë e ripërtërishme.

Këshilli i kërkon Kosovës të vazhdojë përkushtimin ndaj Gjykatës së Posaçme për krime lufte dhe të bashkëpunojë ngushtë me Misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Lidhur me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Këshilli i kërkon Kosovës të bëjë “më shumë përpjekje dhe të ndihmojë në krijimin e një mjedisi të favorshëm, si dhe të përmbahet nga çdo veprim që mund të përjetohet si provokim”. Këshilli nënvizon se “status quo-ja aktuale është e paqëndrueshme. Është me rëndësi thelbësore që bisedimet të rifillojnë sa më parë që është e mundur. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese, duhet të trajtojë të gjitha çështjet në pajtim me ligjin ndërkombëtar, parimet e BE-së dhe të ndihmojë qëndrueshmërinë rajonale”. Sipas Këshillit, përmbyllja pa zvarritje e një marrëveshjeje të tillë është thelbësore për përparimin e Kosovës dhe Serbinë në rrugën e tyre evropiane.

Këshilli kërkon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por shpreh keqardhjen se “nuk është shënuar përparim në disa syresh, “përfshirë përgatitjet e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, zbatimin e plotë të marrëveshjes për ‘menaxhimin e integruar të kufirit’, si dhe të marrëveshjes për energjinë. Këshilli është i zhgënjyer me mos hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë”.

Në fund, Këshilli thekson se e di rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, një proces që është mbështetur nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. “Vendimi për propozimin është duke u shqyrtuar nga Këshilli”, thuhet në përfundimet e tij. “

Në Prishtinë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shprehu besimin se tarifat nuk do të pengojnë proceset integruese për Kosovën dhe liberalizimin e vizave.

“Tarifa është një problem me marrëdhëniet me të gjithë, ndikon por kjo nuk është kushtëzuar me tarifë. Ne i kemi dhënë mundësitë si të dalim nga kjo gjendje. Jo që nuk është zbeh ‘përhajëri’ për liberalizimin por po afrohet dita që do ta marrim lajmin për vizat i cili na takon”, tha ai.

Njohës të integrimeve evropiane thonë se Kosova vazhdon të mbetet një nga vendet që nuk po i përmbush kriteret e kërkuara për integrim evropian dhe sfidë kryesore mbetet trajtimi i rasteve të korrupsionit.

Demush Shasha nga Instituti i politikave evropiane të Kosovës, EPIK, tha për Zërin e Amerikës se Këshilli vë re edhe mungesën në tërësi të vullnetit politik për të zbatuar reformat dhe për të shënuar përparim posaçërisht në luftën kundër korrupsionit.

“Kosova nga të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është i vetmi vend që vlerësohet që është në stadin fillestarë të procesit të anëtarësimit sa i përket kapitullit 23 dhe 24, ku përfshihen çështjet e sistemit gjyqësor, luftës kundër korrupsionit, luftës kundër krimit të organizuar”, tha ai.

Zoti Shasha thotë se arsyet kryesore që Kosova vazhdon të mbetet më së keqi në rajon është edhe mungesa e vullnetit për të depolitizuar sistemin e drejtësisë.

“Ne ende nuk kemi asnjë rast të vetëm të përfunduar në gjykatë sa i përket korrupsionit të nivelit të lartë. Prandaj kjo është një pengesë që nuk ka rrugë të shkurtë, nuk mund të adresohet me kreativitet ose deklarata politike, është diçka që kërkon një përkushtim serioz politik për të depolitizuar fillimisht sistemin gjyqësor dhe më pastaj t’i lihet sistemit të drejtësisë të tregojë efektivitet në adresimin e korrupsionit të nivelit të lartë”, tha ai.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të kritikohet për mos ndëshkimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë.

Ambasadorët perëndimorë në Kosovë kanë shtuar kritikat kohëve të fundit ndaj institucioneve të vendit për emërimet në poste të ndryshme dhe për mungesë të rezultateve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

voa

Sulmohen KZAZ-të/ Në Tropojë, pushtohen nga militantët e PD. Tension edhe në Shkodër e Lezhë

tropojeIncidenti më i rëndë që prej çdekretimit të datës së zgjedhjeve nga Presidenti ndodhi në Tropojë. Siç raportohet disa persona kanë hyrë në KZAZ-në numër 9 duke larguar materialet zgjedhore. Banorët kanë dërguar në Top Channel video nga çastet kur në mjediset e KZAZ hyn një turmë me njerëz që thërrisnin “Rama ik”.

Tensionet vazhduan edhe në Shkodër për të dytën ditë me radhë në KZAZ nr.2. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe punonjësit e bashkisë së Shkodrës, nuk kanë lejuar hapjen e derës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Në momentin që komisioneret e Partisë Socialiste kanë tentuar të futen në ambientet e godinës, militantët e opozitës të mbështetur nga policia bashkiake e Shkodrës i kanë bllokuar duke mbyllur dyert.

Kryetarja e bashkisë voltana ademi akuzoi kryeministrin Edi Rama për shkelje të autonomisë vendore.

Në Ëezhë, edhe pse kanë marrë urdhër për lirimin e ambienteve nga Bashkia e drejtuar nga një kryetar i djathtë, kryetari i KZAZ 13 në Lezhë, Ermal Paçaj, thotë se nuk do të ketë ndërprerje të punës pa urdhër të KQZ.

Nga Vlora ku një urdhër i tillë është dhënë nga kryetari i bashkisë Selenicë përgjigjen e dha ministri Sander Lleshaj: “Referuar situates në Selenicë mbi vendimin për largimin e materialeve zgjedhore, nëse do të ketë ndërhyrje apo tentativë, dua te them se afati i kryetareve te bashkisë mbaron tani. Ndaj është absurde të mendojmë se ai lufton me forcë për të zgjatur mandatin e tij. Ndërsa kryetarit të bashkise Selenicë i them të heq nga fjalori fjalën forcë. U bëj thirrje te kthjellohen, nëse do të bëjnë veprime kundër ligjit do të përballen pikërisht me ligjin”.

Top Channel

Betohet ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut

ambasadorja USA ne RMAmbasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, Kate Byrnes, u betua të hënën mbrëma në një ceremoni në Departamentin amerikan të Shtetit.

Ndihmës sekretari në detyrë për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Philip Reeker, i cili po ashtu ka shërbyer më parë si ambasador në Shkup, theksoi me këtë rast se ambasadorja Byrnes “do të shënojë një epokë të re në bashkëpunimin e dyanshëm, si miq dhe aleatë me Maqedoninë e Veriut”.

Miq, familjarë dhe kolegë të ambasadores Byrnes, dhe disa prej ambasadorëve që kishin shërbyer më parë në Maqedoninë e Veriut ishin të pranishëm në ceremoni. Zonja Byrnes pritet së shpejti të udhëtojë në Shkup për ta marrë detyrën e ambasadores amerikane.

Zonja Byrnes u konfirmua në këtë post muajin e kaluar në Senatin amerikan, ndërsa ishte emëruar vitin e kaluar nga presidenti Donald Trump.

Ajo është diplomate e karrierës dhe deri tash kishte shërbyer si zëvendës ambasadore në Athinë. Me parë, zonjë Byrnes kishte shërbyer në Vjenë si përfaqësuese e Misionit të Shteteve të Bashkuara në Organizatën për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.

Zonja Byrnes do të zëvendësojë ambasadorin e deritashëm në Shkup, Jess Baily, i cili është larguar disa muaj më parë gjë që sipas shumë analistëve e politikanëve në vendin e vogël ballkanik, kishte krijuar boshllëk në një periudhë kur pushteti dhe opozita në Maqedoninë e Veriut nuk po munden të gjejnë një gjuhë të përbashkët lidhur me një sërë çështjesh që kanë të bëjnë në radhë të parë me të ardhmen e Prokurorisë së Posaçme por dhe me sundimin e ligjit në përgjithësi.

Zonja Byrnes gjatë seancës së konfirmimit muajin e kaluar kishte theksuar se do të jetë e përkushtuar ndaj forcimit të marrëdhënieve me Maqedoninë e Veriut si partner strategjik, ndërsa kishte theksuar se marrëveshja e Prepës e arritur ndërmjet Shkupit dhe Athinës lidhur me emrin, kishte tejkaluar një pengesë historike dhe zbatimi i saj është i rëndësishëm për rajonin.

voa

Studimi i ri: ushqimet fast food mund të shkaktojnë sëmundje të trurit

Fast FoodNjë studim i Universitetit Kombëtar Australian (ANU) paralajmëron për një lidhje ndërmjet kalorive të shtuara në ushqimet fast food dhe sëmundjeve të trurit, ndër të tjera edhe demenca. Ekspertët thonë se njerëzit po e “gërryejnë” trurin e tyre nëpërmjet ushqimeve të këqija dhe mungesës së ushtrimeve fizike. Studimi gjithashtu përforcon lidhjen mes dy tipeve të diabetit, i cili shpesh shkaktohet nga mbipesha, dhe përkeqësimit me shpejtësi të funksioneve të trurit.

Demenca është një ndër shkaqet kryesore për vdekjen e grave në Australi, ndërsa për burrat është në vendin e dytë, pas sëmundjeve të zemrës.

Shkencëtarët besojnë se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes përkeqësimit të trurit dhe dietës jo të shëndetshme, si dhe mungesës së ushtrimeve fizike.

Ekziston një paralajmërim se ushqimi i përpunuar fast food që gjendet kudo dhe që përmban shumë kalori, sheqer dhe yndyrna, po shkakton dëme të konsiderueshme.

Studimi i Universitetit Kombëtar Australian thotë se dëmtimi i trurit është pothuajse i pariparueshëm pasi personi arrin moshën e mesme.

Profesor Nicolas Cherbuin thotë se stili i jetesës ka rëndësi të madhe.

“Dieta jo e mirë çon në zhvillimin e obezitetit. Shoqërohet me mungesën e aktivitetit fizik, me nivele të rritura të acarimit të trupit që është një reagim i mirë trupor në raste traumash. Por, kur kjo është gjithnjë e pranishme, kjo shkakton dëm. Shkatërrohen neuronet, duke ndikuar kështu tek funksionet tona të trurit dhe rrjedhimisht sjell një rrezik më të madh për zhvillimin e demencës më vonë në jetë”, thotë ai.

Studimi thotë se rreth një e treta e popullsisë në moshë madhore të botës është mbipeshë ose vuan nga obeziteti. Këshillat janë që të ushqehemi shëndetshëm dhe të bëjmë ushtrime që në moshë të re.

Vlerësohet se demenca ndikon gati 50 milionë njerëz në mbarë botën dhe se kostoja globale e sindromave të trurit, ndër to edhe sëmundja Alzheimer, është rreth 800 miliardë dollarë.

Për momentin, nuk ka formë parandalimi apo kurë shërimi për shumicën e formave të demencës.

Megjithatë, disa lloje ilaçesh zvogëlojnë një pjesë të simptomave.

“Maxlimer”, anija e parë pa ekuipazh në bord

MaxlimerNdërsa ende nuk ka një datë të saktë të caktuar, një anije e vogël mallrash e quajtur “Maxlimer” është në fazat përfundimtare të përgatitjeve për udhëtimin e parë transatlantik. Por e veçanta e kësaj anije është se nuk do të ketë asnjë njeri në bord dhe se do të realizojë udhëtimin e parë në oqean në cilësinë e një mjeti sipërfaqësor pa pilot. Më shumë hollësi sjell Kevin Enichs i Zërit të Amerikës.

Anija “Maxlimer” 12 metra e gjatë është gati të bëjë histori. Së shpejti do të lërë brigjet e Kanadasë për të filluar një udhëtim 35 ditor drejt Anglisë pa asnjë drejtues në bord.

Ashley Skett është me kompaninë “Sea-Kit International” që projektoi anijen. Ai thotë se synimi pas mjeteve pa ekuipazh, si anija Maxlimer, është siguria për njeriun.

“Nuk mendoj se do të zëvendësojë të gjitha anijet me ekuipazh. Ka ende shumë operacione që kryhen nga njeriu, por rëndësia qendron tek mbrojta e njeriut nga rreziqet dhe vendosja e tyre në një mjedis më të sigurtë. Siguria është një prej nxitësve kryesorë të këtij projekti.”

Ben Simpson me kompaninë Sea-Kit thotë se përtej sigurisë, edhe projektimi i anijeve do të bëhet mbi koncepte të reja ku nuk është e nevojshme prania e njeriut në bord.

“Nëse përjashton njeriun nga ekuacioni, anijet nuk kanë nevojë për shumë gjëra, që nga burimet ushqimore, ngrohja, ftohja e të tjera. Pra, anija ndërtohet vetëm për trasnport dhe zvogëlohet ndjeshëm madhësia e saj krahasuar me ato që lundrojnë sot në det të hapur.”

Anija është hibride, naftë dhe bateri, çfarë do të thotë se konsumon më pak lëndë djegëse se anijet e zakonshme. Kur është e nevojshme, pajisjet i mundësojnë njerëzit që të telekomandojnë nga larg anijen nga një stacion në tokë. James Fanshawe është drejtor i kompanisë Sea-Kit.

“Ajo që kemi në këtë anije lidhet me përparimet e teknologjisë. Në stacionin e kontrollit pas meje, mund të shikoj përtej horizontit pothuajse në kohë reale, por në një anije të zakonshme është shumë e vështirë të shikosh pas anijes tënde.”

Anija “Maxlimer” mund të lëshojë dhe tërheqë edhe mjete të tjera autonome, një aftësi e nevojshme për misionin origjinal, një garë për gjetjen e mënyrës më të mirë për të studiuar në mënyrë autonome dyshemenë e oqeaneve.

Jürgen Habermas – filozofi republikan

Jürgen HabermasJürgen Habermasi dhe Republika Federale e Gjermanisë – kjo është një histori se si filozofia politike mund të ketë ndikim të fortë edhe në realitet, thotë Martin Muno.

Është historia e një afrimi që kërkoi shumë kohë: Në vitet 1950 dhe ’60, Jürgen Habermasi konsiderohej marksist. Disertacioni i tij “Ndryshimi strukturor i publikut” tingëllon si kritikë rrënjësore për përqendrimin e kapitalit dhe të pushtetit. Kjo në një kohë, kur në republikën e re federale njerëzit gëzoheshin për pasojat e mrekullisë ekonomike. Që shumë pozicione kyçe i mbanin ende nazistë të vjetër, siç ishte në Kancelarinë Federale bashkëautori i ligjeve racore të Nyrnmbergut Hans Globke, për këtë preferohej të heshtej.

Trajtimi i periudhës naziste u diskutua për herë të parë me forcë nga lëvizja e vitit 1968, me të cilën Habermasi, megjithatë nuk ndihej rehat. Në vitin 1986, në të ashtuquajturën “grindje të historianëve”, ai kundërshtoi me vendosmëri përpjekjet akademike që mohonin unikalitetin e Holokaustit. Në debat diskutohej edhe çështja e fajit dhe përgjegjësisë në trajtimin e historisë gjermane.

Me këtë çështje parimore ishte marrë një vit më parë Presidenti Federal i atëhershëm, Richard von Weizsäcker. Në fjalimin e tij në përvjetorin e 40-të të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Weizsäckeri e quajti 8 majin një ditë çlirimi: “Ai na çliroi të gjithë ne nga sistemi çnjerëzor i sundimit të dhunshëm nacionalsocialist”. Konsensusi për këtë sot është i gjerë, në atë kohë deklarata shkaktoi te disa kritika të ashpra. Si mundet një President Federal – aq më tepër një konservator,  – ta vlerësojë ditën e kapitullimit poshtërues si çlirim? Kur, me kapitullimin, u hap edhe rruga për ndarjen e Gjermanisë?

Provë vendimtare për patriotizmin

Trajtimi i së kaluarës konsiderohej në atë kohë si provë vendimtare për trajtimin e vendit tënd: ai që e donte Gjermaninë bënte mirë të mos e gjykonte shumë ashpër historinë e vet. Por ai që e bënte, e kishte të vështirë me ndjenjat patriotike, ato lejoheshin shumë-shumë kur luante ekipi kombëtar i futbollit. Këtë qëndrim e shprehu në mënyrë të saktë paraardhësi i Weizsäckerit në post, Gustav Heinemann me fjalët: “Oh, unë nuk dua shtete. Unë dua gruan time!”

Ishte Jürgen Habermasi, ai që arriti ta shpërndajë këtë ambivalencë me konceptin e tij të patriotizmit kushtetues: dashuria nuk i përket më një atdheu, që ekziston mbi baza të etnisë dhe të territorit (ose në terminologjinë naziste: mbi gjakun dhe tokën) por u takon vlerave të përbashkëta politike të tilla si demokracia dhe liria e shprehjes. Një komb si Gjermania, sipas kësaj, nuk është një qëllim politik në vetvete, por thjesht përbën kornizën referuese të qytetareve dhe qytetarëve të saj. Kjo përfshin pranimin dhe kthimin e shtetësisë.

Një patriotizëm i tillë kushtetues sidoqoftë është i mundur vetëm atje, ku një diskurs i lirë kontribuon në formimin e vullnetit politik. Atje ku ka një debat dhe kulturë debatimi. Dhe ku respektohen bazat themelore të kësaj republike. Këto janë gjëra të cilat Habermasi i ka kujtuar gjithashtu në mënyrë të përsëritur. Dhe të cilat pranohen gjerësisht në biznesin politik.

Flluska e filtrimit dhe të menduarit identitar si kërcënime

Sidoqoftë, të dyja konceptet, diskursi dhe patriotizmi kushtetues aktualisht janë të kërcënuara – dhe nga dyja anët: Kur gjithnjë e më shumë njerëz informohen vetëm përmes rrjeteve sociale, duke mbetur brenda flluskës së tyre të filtrimit, atëherë debati në shoqëri thuajse është i pamundur. Ai që e percepton botën vetëm përmes kordonit të lajmeve në Facebook-un e tij, ai nuk e ka pamjen e së gjithës.  Dhe aktualisht po shohim se si fragmentimi i perspektivave shkon krah për krah me rritjen e urrejtjes dhe të zemërimit.

Kërcënimi i dytë vjen nga e djathta politike: atje, idetë identitare po fitojnë gjithnjë e më shumë në rëndësi. Ide të tilla bazohen në një uniformitet me bazë biologjike të një populli, pra në ide, të cilat ne – edhe në sajë të veprës së Habermasit – i konsideronim prej kohësh të kapërcyera.

Prandaj, në ditëlindjen e 90-të të Jürgen Habermasit duhet të ndërgjegjësohemi për dy gjëra: Së pari: Filozofi dhe sociologu Habermas e ka formësuar në mënyrë të konsiderueshme historinë e Gjermanisë Federale republikane dhe kuptimin tonë për një republikë federale. Dhe së dyti: rendi bazë liberal nuk është i vetëkuptueshëm, por duhet mbrojtur çdo ditë.

dw

„NZZ“: Modeli i BE për zgjerimin has në Ballkan në limite

gazetat DEBild Zeitung boton një artikull, ku bën fjalë për manipulim zgjedhjesh më 2017 në Shqipëri. NZZ analizon procesin e afrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

Bild Zeitung boton një artikull, ku bën fjalë për manipulim zgjedhjesh më 2017 në Shqipëri​ duke i bashkangjitur edhe protokolle nga përgjime telefonatash. Ndërsa „Neue Zürcher Zeitung” i kushton një analizë procesit të afrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

Bild Zeitung: „Shqipëria është një vend i bukur, por edhe një nga vendet më të prapambetura të Europës. Për turistët një vend i virgjër dhe me çmime të favorshme që ia vlen të vizitohet. Por ky vend rrezikon të zhytet në kaos: Ndërkohë konsiderohet si një republikë e drogës, si Kolumbia e Europës. Dhe Shqipëria riskon të bëhet një rrezik për Ballkanin e paqendrueshëm. Një nga arsyet është, se ajo po degradon në një republikë të mafies, ku klanet kriminale dominojnë politikën dhe jetën publike. Korrupsioni është normal. Po ashtu si edhe blerja e votave në zgjedhje.” …”Prej muajsh ka demonstrata masive. Opozita akuzon qeverinë socialiste të kryeministrit Edi Rama, se i ka manipuluar me ndihmën e mafies zgjedhjet parlamentare më 2017, duke blerë vota dhe duke i vënë nën presion përkrahësit e opozitës e madje edhe duke i penguar ata të votojnë.”

Gazeta Bild artikullit i ka bashkangjitur edhe botimin e segmenteve të reja nga protokollet e përgjimeve të hetuesve shqiptarë, “përmes të cilave kuptohet, të ketë pasur një plan sistematik të Partisë Socialiste në pushtet për manipulimin e zgjedhjeve më 2017. Qëllimi: manipulimi i zgjedhjeve, blerja e votave, intimidimi i zgjedhësve të opozitës”, shkruan Bild Zeitung, duke publikuar edhe regjistrimet audio të bisedave telefonike mes zyrtarëve dhe përfaqësuesve lokalë në rrethe si dhe një bisedë telefonike mes kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarit të Ministrisë së Brendshme Arben Keshi.

Modeli i deri tanishëm i BE-së për zgjerimin has në Ballkan në limitet e veta, nën këtë titull „Neue Zürcher Zeitung” (NZZ) analizon situatën sa i përket mundësisë së hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Disa vende të BE-së janë kundër fillimit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më kot kryesia e BE-së përpiqet të gjejë një konsensus për vazhdimin e procesit të zgjerimit. Modeli i shkëmbimit „reforma kundrejt integrimit” është bllokuar, shkruan NZZ: „Që në shumë vende anëtare ka rënë fryma për zgjerimin, këtë e tregoi edhe fakti, se Komisioni raportin vjetor e publikoi pas zgjedhjeve për Parlamentin e BE-së, për të mos u dhënë me rekomandimin e vet për hapjen e negocitave argumenta partive populiste të djathta në Europën Perëndimore.

Ndërkohë që disa vende në Europën Lindore e mbështesin antarësimin e vendeve të Ballkanit. Ndër to edhe Polonia nga është ndërmarrë një nismë në favor të integrimit të këtre dy vendeve.” …”Deri tani po avancojnë në mënyrë të çalë negociatat me Serbinë dhe Malin e Zi. Se sa delikat është procesi këtë e tregon edhe nisma holandeze, që i kërkon Brukselit të rishikojë pas 10 vjetësh liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Haga ankohet për rrjetet kriminale dhe imigracionin ilegal nga ky vend.” … „Që modeli i deritanishëm i zgjerimit të BE-së ka hasur në limitet e veta, këtë e ka bërë të qartë në mënyrë indirekte edhe vet e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini. Ajo tërhoqi vëmendjen duke publikuar raportin e progesit, se duhet të vlerësohen arritjet e këtyre vendeve. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë dëmtohet kredibiliteti i BE-së në rajon e më gjerë. Mos pranimi i „arritjeve historike” si kompromisi i emrit të Maqedonisë minon stabilitetin dhe pengon reformat e mëtejshme. Por edhe pse Mogherini përbetohet për këtë linjë, fakt është që procesi i shkëmbimit, sipas të cilit vendet kandidate të ofrojnë reforma dhe qëndrim konform gjeopolitik në këmbim të hapave të integrimit me BE-në, prej kohësh nuk po funksionion”, shkruan „Neue Zürcher Zeitung”.

 

Bild/NZZ

Zaev: S’ka zgjedhje të parakohshme

ZaevKryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev është treguar i vendosur që të mos ketë zgjedhje të parakohshme në këtë vend, edhe pse vet e kishte paralajmëruar një mundësi të tillë. Ditë më parë, vet Zaev e kishte paralajmëruar mundësinë e zgjedhje, duke e ndërlidhur atë me marrjen e datës për negociatat e anëtarësimit në BE.

Pas mbledhjes së Këshillit Qendror të partisë së tij Social-demokrate, në Ohër, Zaev tha se është vendosur që të ketë vetëm riformatim të qeverisë, pasi sipas tij, zgjedhjet mund të rikthejnë nacionalizmin e radikalizmin në Maqedoninë e Veriut.

“Kemi vendosur kështu me qëllim që që të dërgojmë mesazhin te vendet anëtare të BE-së se nuk do të lejojmë edhe njëherë të kthehet nacionalizmi, radikalizmi dhe populizmi në Maqedoninë e Veriut. Nuk do të lejojmë që sërish të ndahet shoqëria dhe të konfrontohet me të gjitha shtetet fqinjët. Ne ia kemi arritur qëllimit, deri në fund të vitit besojmë se do të marrim datën andaj do të shkojmë vetëm në riformatimin e qeverisë, jo më shumë se të tetë ministrive”, ka deklaruar Zaev duke paralajmëruar edhe shkarimin e më shumë se 20 drejtorëve të institucioneve publike.

Ai këto vendime i ka marrë i pakënaqur me punën e tyre, ndërsa i kishte paralajmëruar që pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale, më 5 maj, që përfunduan më një rezultat jo të mirë për partinë e tij, pavarësisht se fitoi kandidati i saj për president, Stevo Pendaroski.

Nga ana tjetër, opozita në një tubim partiak ka drejtuar akuza të shumta në adresë të qeverisë duke e akuzuar për paaftësi dhe tradhti të interesave kombëtare. Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO DPMNE-së paralajmëroi fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e reja, pa marrë parasysh se kur do të mbahen ato.

“LSDM dhe Zaev janë nisur në rrugën pa kthim kurse VMRO-ja çdo ditë po bëhet gjithnjë e më e fuqishme. Fitorja e VMRO DPMNE-së, do të jetë fitore për Maqedoninë. Këtë ua premtoj”, ka deklaruar Mickovski në Shkup, në një manifestim të partisë së tij.

Ndryshe, vendimi i LSDM-së për të mos u mbajtur zgjedhjet besohet të jetë ndikuar edhe nga mesazhet e përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët një vendim të tillë të mundshëm, siç bëhet e ditur e kanë vlerësuar si të gabuar pasi në vend të zgjedhjeve, Maqedonia e Veritut duhet të përqendrohet në sferën e reformave që të mund të marrë datën në vjeshtë të këtij viti.

Lobimi në SHBA, Basha nuk paraqitet në Prokurori

BashaNë Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nuk u paraqit sot në Prokurorinë e Tiranës ku ai ishte thirrur në cilësinë e të pandehurit për t’u njohur me akuzën lidhur me hetimin e nisur për pagesat e bëra për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zoti Basha i është drejtuar me një letër Prokurorisë, ku shpjegon se arsyeja për të cilën ai nuk paraqitet është se shkresa e organit të akuzës është përpiluar sipas tij në shkelje të ligjit.

“Në lidhje me “Ftesën për Paraqitje” të datës 12 Qershor 2019, ju informoj se njoftimi juaj nuk përmbush detyrimin ligjor të Kodit të Procedurës Penale (KPP), neni 308, pika 3, i cili kërkon që ftesa për t’u paraqitur duhet të përmbajë “parashtrimin e përmbledhur të fakteve që rezultojnë nga hetimet e bëra deri në atë çast”. Ju nuk keni parashtruar asnjë fakt që ka dalë nga hetimet në njoftimin tuaj, duke mos plotësuar detyrimet tuaja ligjore”. Shkruan zoti Basha duke shtuar se “për këtë arsye, akti juaj i njoftimit është absolutisht i pavlefshëm, sikurse përcakton neni 128/ pika 1 shkronja c, i KPP-së që parashikon se “aktet janë absolutisht të pavlefshme kur nuk respektohen dispozitat që lidhen me thirrjen e të pandehurit, viktimës ose praninë e mbrojtësit kur ajo është e detyrueshme.”

Kryetari demokrat, thekson se “duke konfirmuar gatishmërinë time për të zbatuar ligjin, kërkoj nga prokuroria që të bëjë të njëjtën gjë. Në këto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës për paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të ri të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin”.

Në përgjigjen dërguar prokurorisë, zoti Basha akuzon sërish organin e akuzës se ka vepruar, sipas tij me një prapavijë politike. “Unë jam paraqitur në organin e prokurorisë mbi këtë çështje sa herë është kërkuar, në përputhje me ligjin. Këtë e kam bërë në respekt të plotë të ligjit, pavarësisht se në të gjitha rastet, thirrja e Kryetarit të Opozitës në prokurori mbi këtë çështje, është bërë gjithmonë pas paralajmërimit disa ditë përpara nga Qeveria dhe sa herë kjo e fundit ka qenë nën akuzë publike për skandale kriminale apo korruptive”, shkruan Kryetari I PD-së.

Edhe javën e shkuar, në reagimin e tij ndaj thurrjes nga ana e prokurorisë, zoti Basha bëri përgjëgjës direkt kryeministrin Rama që sipas tij “me metoda putiniane, ka vendosur të hapë hetime kundër meje, me akuza qesharake, të sajuara keq nga prokuroria e tij politike. Edi Rama ka një vit e gjysëm që mban si shpatë në dorë një hetim absurd, pa prova dhe pa asnjë fakt kundër Partisë Demokratike. Tani që është në dëshpërim për të larguar vëmendjen nga kriza politike dhe skandalet për bashkëpunimin me krimin për të vjedhur zgjedhjet, Edi Rama ka vendosur që të sajojë akuza absurde për të shpërqendruar publikun”. Sipas zotit Basha “Edi Rama ka menduar se do të më trembë mua apo do të stepë opozitën, por do ta kuptojë shpejt se unë as nuk trembem dhe as nuk tërhiqem!”.

Sipas hetimit, mësohet se ka rezultuar se “paratë janë paguar nga një kompani kompani offshore dhe se Partia demokratike nuk ka raportuar në mënyrë të rregullt, pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, paratë e shpenzuara, duke ju shmangur kështu legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”.

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e vitit 2017, kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë. Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë. Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, të jetë paguar nga Partia e tij.

Partia Demokratike nuk ka pranuar asnjëherë lidhjet me firmën ‘Biniatta Trade LP”, e cila rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale e që fije të ndryshme e lidhin dhe me shtetas rus. PD ka deklaruar publikisht se “nuk ka thyer asnjë ligj, as shqiptar, as amerikan dhe të asnjë vendi tjetër. Partia Demokratike nuk ka patur e nuk ka asnjë lidhje direkte apo indirekte me individë apo kompani ruse”.

Lidhur me pagesën prej 500 mijë dollarësh që Muzin ka deklaruar se janë bërë nga PD, zoti Basha ka dhënë shpjegime kontradiktore. Në mars të vitit të shkuar ai ishte shprehur se nuk është bërë asnjë pagesë e tillë nga Partia Demokratike”. Ndërsa në nëntor të 2017 e kishte shpjeguar këtë shumë me pagesën e kryer falë një mbledhje fondesh nga një numër i madh shqiptaro amerikanësh, por që nuk kishte kaluar përmes partisë.

Nuk dihet se çfarë provash Prokuroria ka në dipozicion, dhe nëse ajo ka siguruar dokumenta të reja. Marsin e kaluar ajo shpjegoi se “ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e bëra nga PD dhe shpenzimeve reale të saj: PD ka deklaruar vetëm 25 mijë dollarë, por nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 mijë dollarësh. Në dokumentat e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia dalin qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, pra PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin” – theksohej në deklaratën e prokurorisë të pak muajve më parë. Sipas saj, nga provat e administruara në dosje rezultojnë të jenë kryer dy pagesa në shumën prej 650 mijë dollarësh për efekt lobimi në SHBA, të cilat PD nuk i ka deklaruar ligjërisht. “Njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga një shoqëri e huaj dhe konkretisht Biniatta Trade” – deklaroi prokuroria e Tiranës në mars.

voa