Terapia e vallëzimit

VallezimiKalimi i kohës në plazh dhe vallëzimi si mënyrë për të larguar dhimbjet, frikën dhe dëshpërimin – është kjo teknika e terapistes Julia Vishnepolsky në Los Angeles, e cila ndihmon pacientët të ulin stresin dhe ankthin ndërsa mësojnë se si të jenë në paqe me jetën e tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Angelina Bagdasaryan u takua me terapisten për të mësuar më shumë rreth fuqisë terapeutike të kërcimit.

Julia Vishnepolsky thotë se çdo lëvizje i shërben një qëllimi. Ndërsa dëgjon muzikë me kufje, Vishnepolsky vallëzon duke hequr emocionet, për të ulur stresin dhe ankthin.

“Im atë vdiq papritur nëntë vjetë më parë dhe kuptova se kërcimi më ndihmoi të përballoja emocionet e dëshpërimit. E kuptoja veten më mirë përmes vallëzimit”, thotë ajo.

Ajo që filloi si hobi u shndërrua në një profesion – Julia filloi terapinë përmes vallëzimit, mori një diplomë për këshillimin klinik të shëndetit mendor dhe iu përkushtua terapisë së arteve ekspresive dhe lëvizjes së vallëzimit.

Ajo zgjodhi me kujdes klasën e përsosur, në plazhin e Venecias në Los Angelesit në shtetin e Kalifornisë.

“Ne studiojmë ndërlidhjen e fortë midis lëvizjes së trupit dhe emocioneve, mësojmë të përdorim muzikën dhe vallëzim për të na ndihmuar të largojmë depresionin, të ulim stresin dhe të tejkalojmë traumat e fëmijërisë. Kur kërcejmë, ne tregojmë një histori që ndonjëherë është shumë e vështirë të thuhet me fjalë”, thotë Julia.

Çdo të hënë, dhjetëra – ndonjëherë qindra njerëz vijnë në plazh dhe duke luajtur muzikë në kufjet e tyre, praktikojnë terapinë e vallëzimit. Klasat kushtojnë 20 dollarë, por nëse dikush nuk është në gjendje të paguajë, ata janë megjithatë të mirëpritur. Zonja Vishnepolsky beson se nëse dikush ndjen nevojën për të ardhur në klasë, ata duhet të vijnë.

Një DJ luan muzikën që grupi mund ta dëgjojë me kufje. Terapistja tregon lëvizjet ndërsa njerëzit përpiqen të shprehen përmes kërcimit dhe të lënë në plazh hallet e tyre.

“Ndjehem e lirë, e çliruar. Ndjej se stresi i të qënurit njeri ka filluar të largohet… është për tu shënuar. Shpesh herë njerëzit qajnë për të nxjerrë emocionet. Ky është vendi ku mund të vish dhe të ndjesh çdo gjë”, thotë praktikantja Christina Weber.

“Ndjehem e çliruar. Sikur nuk kam asnjë njeri rrotull dhe thjesht vallëzoj. Jam pranë oqeanit dhe vallëzoj. Është një mrekulli!”, thotë Edgar.

Për kalimtarët, mund të duket si një klub vallëzimi pa muzikë në plazh, por banorët e zonës janë mësuar me këtë pamje.

DJ Dave Kim thotë se i pëlqen të luajë për pacientët. Dikur, edhe për të ishte muzika ajo që e ndihmoi të mëkëmbej.

“Para tre vjetësh pata një goditje ishemike, një mpiksje gjaku në tru. Kjo bëri që të paralizohesha në anën e djathtë të trupit. Kështu që, duhej të punoja vërtet shumë për të rivendosur lidhje mes trurit dhe trupit tim – dhe kur arrita ta bëja këtë, isha në gjendje të rehabilitohesha”, thotë ai.

Julia Vishnepolsky gjithashtu bën klasa të terapisë muzikore në ambientet e azileve që ajo thotë se ndihmon të moshuarit të përballojnë vetminë.

Kërcimi nuk është vetëm për dasma. Kërcimi funksionon në çfarëdolloj gjendje që të jesh. Njerëzit mund të thonë – oh nuk jam në humor për të kërcyer, por ai është pikërisht momenti kur duhet të kërcesh dhe të vallëzosh!”, thotë ajo.

voa

Tiranë – Pse të inkriminuarit vazhdojnë të hyjnë në politikë?

Parlamenti ALPastrimi i politikës nga individë me rekorde kriminale është rikthyer në ҫështje të nxehtë dite në Tiranë. 4 vjet pas hyrjes në fuqi të Ligjit të Dekriminalizimit të Politikës duket se ai nuk i ka plotësuar pritshmëritë.

Dy kryetarë socialistë bashkish, në Bashkinë e Shkodrës dhe atë  të Vorës, të zgjedhur 2 muaj më parë në Lokalet 2019, sipas opozitës, janë me rekorde kriminale. Të dy i kanë fshehur ato në plotësimin e formularëve përkatës në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.

Njëri, Valdrin Pjetri në Shkodër dha dorëheqjen, kur opozita publikoi dokumenta që vërtetonin dënimin e tij në Itali për shitje droge, në vitin 2003, kur ishte student. Tjetri, Agim Kajmaku, në Vorë, akuzohet nga opozita se po në vitin 2003, u arrestua në Greqi për përdorim dhe shpërndarje kartmonedhash të fallsifikuara. Ai u arratis nga burgu pa kryer dënimin, erdhi në Shqipëri, ndryshoi identitetin dhe u bë biznesmen i pasur. Sipas opozitës Kajmaku kërkohet edhe sot e kësaj dite nga drejtësia e Greqisë.

Të enjten, (29.08.2019) opozita publikoi dokumenta që sipas saj vërtetojnë sa më lart për Agim Kajmakun. Por ai i quan akuzat e opozitës “shpifje, sulm politik” dhe vazhdon të jetë kryetar i Bashkisë së Vorës. Dorëheqja ose jo e Agim Kajmakut, do të varet nga rezultatet e hetimit, që me kërkesën e opozitës po kryen për atë Prokuroria e Përgjithshme.

Të inkriminuarit në politikë – prurje nga biznesi

Dukuria e futjes në politikë të personave me rekorde kriminale u shfaq në Shqipëri për herë të parë në zgjedhjet parlamentare 2009, të fituara atëherë nga Partia Demokratike, (PD). Sistemi zgjedhor i centralizuar, që u përdor së pari në ato zgjedhje, bëri të mundur që të hynin në parlament persona me rekorde kriminale, gjë që vijoi edhe në zgjedhjet parlamentare 2013, të fituara nga Partia Socialiste, (PS). Të dyja palët brenda një dekade forcuan modelin politik të imunitetit, paprekshmërisë që individë/ biznesmenë të pasur me rekorde kriminale mund fitojnë përmes hyrjes në politikë.

Prof. Afrim Krasniqi, studiues, autor i librit,”Dekriminalizimi – Gjendja, Problematikat dhe Pritshmëritë ”, botuar me mbështetjen e fondacionit gjerman “Konrad Adenauer”,  thotë për Deutsche Wellen, se të gjitha rastet e individëve të inkriminuar vijnë nga biznesi dhe  jo politika. “Të gjithë të inkriminuarit e deritanishëm, deputetë në Parlament apo kryetarë bashkish, janë prurje aksidentale nga biznesi, lobimi dhe financimi elektoral. Asnjë prej tyre nuk është zgjedhur nga partitë politike përmes garës por janë diktuar nga lart, nga drejtuesit e partive”.

Partitë  – pa vullnet politik

Kryetari i PS, kryeministri Rama tha ditët e fundit se Valdrin Pjetri, „doli mollë e kalbur”, për të cilën PS ” nuk mban përgjegjësi por reagon duke e flakur atë”. Rasti  i flakjes së Valdrin Pjetrit shfaqet deri tani si i vetmi në spektrin politik të Tiranës. “As deputetët që humbën mandatin për shkak të rekordeve kriminale, as ndonjë prej tyre që sot ndodhet në burg, as ish-kryetarët e bashkive të dorëhequr apo në listën e zezë të SHBA nuk

janë përjashtuar nga partia e vet politike. Përkundrazi, ata janë deleguar në bazë dhe vijojnë të jenë aktivë në fushata elektorale , të ushtrojnë “de facto” më shumë ndikim në zonat e tyre lokale sesa ai që ushtronin kur ishin në parlament apo në vendimmarrjen politike. Ata vijojnë të jenë përfitues privilegjesh si ish-deputetë, ish kryetarë bashkish dhe në ndonjë rast edhe të rikandidojnë në zgjedhjet parlamentare apo lokale” thotë për DW, Prof. Krasniqi.

Ai mendon se kjo situatë i ka rrënjët tek financimi i partive politike nga burime private  “që kanë aktivitete kriminale dhe korrupsion”. Dy rastet e fundit kanë nxjerrë në dritë mangësitë e ligjit të dekriminalizimit që bëri të mundur largimet  daljen „de jure” nga politika por jo „de facto” të inkriminuarve, në 4 vitet e fundit të zbatimitt ë tij.

Ligj jo efikas, institucione të dështuara

Ligji i dekriminalizimitt të politikës hyri në fuqi në vitin 2015. Sistemi zgjedhor i centralizuar, me të cilin u zhvilluan për herë të parë zgjedhjet parlamentare 2009  hapi dritën e gjelbër për hyrjen në Parlament të personave të pasur, me rekorde kriminale. Dukuria vijoi edhe në zgjedhjet e vitit 2013, të fituara nga PS dhe u bë shqetësim i opozitës së kryesuar nga PD, që mori nismën për ligjin në fjalë.

Ligji, i miratuar nga dy palët ndalon “ҫdo individ, që në të kaluarën është dënuar nga gjykatat vendase apo të huaja, për t’u zgjedhur apo emëruar në funksione publike”. Pas hyrjes së tij në fuqi, pati largime dhe dorëheqje të figurave publike me rekorde kriminale nga PD dhe PS. Por rastet e freskëta të Shkodrës dhe Vorës  tregojnë se ky ligj nuk po plotëson pritshmëritë për ҫrrënjosjen e hyrjes në politikë të inkriminuarve.

“Ligji ka mangësi. Ai penalizon ata që plotësojnë formularin e dekriminalizimit, në të cilin ka elementë kërkues që nuk janë në ligj. Rreth 40% e figurave publike që janë larguar për shkak të rekordeve kriminale, janë penalizuar jo nga ligji, por nga formulari, ” thotë për DW, Prof. Krasniqi. Rastet Pjetri dhe Kajmaku tregojnë edhe dështimin e institucioneve të verifikimit, përfshirë edhe Shërbimet Sekrete aq më tepër kur është fjala fjala për persona të pasur, që hyjnë në politikë nga biznesi.

SPAK – faktor kyҫ për ndryshim

Rastet e dy kryebashkiakëve socialistë, njëri i dorëhequr dhe tjetri në pritje të rezultatit të hetimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, kanë  ngjallur debat në PS. Kryetari i saj dhe kreu i qeverisë Rama flet për përgjegjësi të individit dhe jo të partisë. Ish-Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, kundërshtoi Ramën, në mes të kësaj jave ( 28.08)  kur në mbledhjen e kryesisë së PS tha, se ” PS ka përgjegjësi të madhe në shfarosjen e fenomenit të rikthimit në PS të njerëzve me të kaluar të dyshimtë dhe se duhet një reformë politike brenda partive politike, për të sjellë një kulturë të re politike.”

Prof. Krasniqi thotë për DW se “reformimi i partive politike duhet t’i detyrojë ato,  përmes ligjit të partive, të bëjnë zgjedhje të brendshme konkurruese, të jenë transparente dhe të mbajnë përgjegjësi. “Krahas reformimit  të partive, duhet reforma e sistemit zgjedhor për t’i dhënë fund modelit politik “i forti blen vota për të blerë më pas pushtetin”. Ligji duhet të detyrojë partite të bëjnë transparente burimet e tyre financiare dhe të ҫdo kandidati. Një faktor kyҫ pritet të jetë SPAK, që do të ushtrojë presion të vazhdueshëm ndaj kryetarëve të partive për ta bërë të pamundur hyrjen në politikë të individëve me rekorde kriminale, por me fuqi të mëdha financiare dhe lobuese në politikë”, thekson Prof. Krasniqi për DW.

dw

Dështon ankorimi i anijes Soyuz në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës

SoyuzNjë anije ruse Soyuz nuk arriti të ankorohej sot në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

NASA tha në blogun e saj se sistemi i ankorimit të anijes Soyuz dështoi të mbyllej siç duhet në Stacion.

Anija Soyuz është sprapsur nga Stacioni Hapësinor ndërsa kozmonautët punojnë në sistemin e ankorimit.

Zyrtarët thanë se anija Soyuz do të përpiqet të ankorohet përsëri të hënën.

Anija po transporton një robot humanoid të planifikuar për të kryer një mision në stacion me kozmonautët që janë atje.

voa

Qytetarët në panik, shoferi bënte veprime të pakontrolluara në bulevard. Kur i shkon policia….

arrestimi“Si ta sjellim policinë shqiptare në vendbanimet shqiptare në RMV që të na shpëtojnë nga zhurma jo normale e makinave dhe motorëve nëpër rrugët e qyteteve shqiptare, sepse nëpër qytetet maqedonase kjo gjë nuk ndodh.”

Arrestohet ne flagrance nje i ri ne Korce, pasi ishte bere rrezik per sigurine e kalimtareve, teksa bente veprime te pakontrolluara ne timon.

Policia e Korces njofton se arrestoi shtetasin E.M, 31 vjeç, banues në Korçë, pasi xhironte gomat dhe kryente veprime të pa kontrolluara gjatë drejtimit të mjetit në bulevardin “Republika”, duke rrezikuar qytetarët, si dhe kundërshtoi me dhunë punonjësit e policisë, por arrestohet në flagrancë.

NJOFTIMI 

Më datë 23.08.2019, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E.M, 31 vjeç, banues në Korçë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, kanë konstatuar shtetasin e mësipërm, duke xhiruar gomat dhe kryer lëvizje të pakontrolluara në Bulevardin “Republika” dhe i kanë bërë shenjë të ndalonte.

31 vjeçari, nuk ka ndaluar por është larguar me shpejtësi dhe më pas është kapur nga punonjësit e Policisë.

Ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë gjatë shoqërimit të tij, për në ambientet e Komisariatit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Korçë, për veprime të mëtejshme.

panorama

Tridhjetë ditë paraburgim për Katica Janevën

KaticaPrej sot, kryeprokurorja Katica Janeva ndodhet në burgun e Shkupit në Shuto Orizare.

Gjykatësi në procedurë paraprake i caktoi 30 ditë paraburgim. Ajo në rastin ‘Haraçi’ është e dyshuara e tretë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Janeva ka të drejtën e aneksës përmes avokatëve të saj në Këshillin Gjyqësor.

Paraburgimin e kërkoi Prokuroria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korruspionit.

Janeva akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve dhe ka ndikuar në rastin ‘Peranoria’ më favor të Orce Kamçev.

Në paraburgim për të njëjtën lëndë janë paraburgosur edhe dy të dyshuarit e parë Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski./Telegrafi/

Tahiri: Radoiçiqi, i dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit

Ministri TahiriMilan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, është shënuar si i dyshuari kryesor për vrasjen e liderit të Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, Oliver Ivanoviq, dhe dosja e tij është kompletuar, dhe proceduar organeve ndërkombëtare, me qëllim që të nxirret fletarrestimi ndërkombëtar.

Këtë e ka deklaruar ministri në largim i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, duke thënë se një vendim të tillë e ka sjellë Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Milan Radoiçiq është i dyshuar për vrasjen e politikanit kosovar Oliver Ivanoviq”, thuhet në deklaratën e Tahirit.

“Në angazhimin tonë për të sjellë para drejtësisë vrasësit e politikanit kosovar të nacionalitetit serb, Oliver Ivanoviq, sot kemi marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe e kemi proceduar tutje Fletë Rreshtimi Ndërkombëtar për të dyshuarin kryesor Milan Radoiçiq. Pavarësisht pengesave në hetime që janë shkaktuar nga pushteti në Serbi, si institucione përgjegjëse që sigurojnë rendin dhe ligjin, ne nuk jemi zbrapsur dhe kemi qenë të pa kompromis në ndjekjen e të dyshuarve, që të njëjtit të sillen para drejtësisë”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka shtuar se Fletë Rreshtimi Ndërkombëtar është hap konkret që do të ndihmojë në zbardhjen e rastit në tërësi, dhe do të bëj të ditura motivet, si dhe urdhërdhënësit e kësaj vepre penale.

Vrasja e politikanit serb Ivanoviq, ka ndodhur me 16 janar të vitit 2018, në Mitrovicën Veriore, para selisë së subjektit të tij politik.

Milan Radoiçiq gjendet në Serbi, ku si një nga liderët e Listës Serbe paraqitet në takime të larta politike. Për herë të fundit, ai është parë më 3 korrik të këtij viti, në Presidencën e Serbisë në Beograd, me rastin e takimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Lista Serbe është partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e afërt me Partinë Progresiste Serbe të Aleksandar Vuçiqit dhe ka qenë pjesë e Qeverisë së Kosovës, të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Gjithashtu, ajo ka fituar në zgjedhjet për pushtet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, në dhjetor të vitit 2018.

rel

Evropa, Perëndimi, Kina dhe Rusia

G7Kina dhe Rusia besojnë se mund të sillen si të duan dhe të mos ndëshkohen kur shtypin disidencën, sepse vendet perëndimore kanë kontradikta mes tyre, paralajmërojnë disa analistë. Perëndimi, thonë këta analistë, e ka humbur besimin në aftësinë e tij për të ndikuar mbi botën që e rrethon.

“Ekziston një rrezik që ne në Perëndim po bëhemi spektatorë të ngjarjeve të mëdha që ndodhin në botë. Pamundësia jonë për të artikuluar një përgjigje të qartë që të sjellë ndryshime në sjelljen e vendeve të ndryshme nënkupton se pandëshkueshmëria ka hedhur rrënjë”, thotë Rafaello Pantucci, drejtor i studimeve ndërkombëtare të sigurisë në Institutin britanik të Shërbimeve Mbretërore të Bashkuara.

Në një shkrim në gazetën britanike The Times, Pantucci thotë se “Përgjigjet tona ndaj protestave që po ndodhin aktualisht në Hong Kong dhe Moskë janë artikulimi më i qartë ndaj këtij problemi. Pekini dhe Moska përgjithësisht janë sjellë ashtu siç dëshirojnë.”

Diplomatët dhe analistët perëndimorë druhen se samiti tre-ditor i G-7s në qytetin turistik francez Biarric do të demonstrojë përsëri mungesën e unitetit midis udhëheqësve perëndimorë për një seri çështjesh, duke përfshirë ndryshimin e klimës, marrëdhëniet me Rusinë, nacionalizmin në rritje, dhe luftën tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, pasojat e së cilës po dëmtojnë Evropën shumë më tepër sesa Amerikën. G-7a përfshin demokracitë më të mëdha e më të zhvilluara të botës.

Në përpjekje për të zbutur përshtypjen e përçarjes, mikpritësi i samitit, Presidenti francez Emmanuel Macron, ka bërë thirrje që samiti të mos lëshojë një komunikatë të përbashkët dhe kjo do të ishte hera e parë në historinë e G-7s. Ai shpreson të shmangë përsëritjen e asaj që ndodhi vitin e kaluar, kur Presidenti i SHBA Donald Trump e tërhoqi miratimin e tij për deklaratën e përbashkët 10 minuta pasi ajo ishte lëshuar. Zoti Macron synon ta zëvendësojë komunikatën duke shpërndarë, si kryetar i G-7s, një përmbledhje të diskutimeve kryesore.

Është e paqartë nëse kjo do të shërbejë ose jo si mbulesë për mosmarrëveshjet, por disa analistë thonë se samiti rrezikon të karakterizohet nga tensione të mëdha.

“Ekziston një mundësi e madhe që bota perëndimore të duket më e ndarë në fund të takimit sesa në fillim,” thotë William Hague, ish sekretar i jashtëm britanik. Ai thotë se udhëheqësve të G-7s “u mungojnë mjaft idetë rreth të cilave të mund të bashkohen”, ide të cilat u duhen për të “përballuar kërcënimet e mëdha nga të cilat do të mposhteshin, nëse nuk tregojnë largpamësi qysh tani.”

Në prag të takimit, Presidenti Macron parashtroi një plan ambicioz për të nxitur udhëheqësit e tjerë që të rishikojnë qasjen e tyre ndaj udhëheqjes globale. Ai do t’i nxisë ata të shpëtojnë demokracitë nga populistët nacionalistë, të zbutin kapitalizmin, duke synuar pakësimin e pabarazisë sociale, të forcojnë biodiversitetin dhe të përqafojnë përsëri multilateralizmin. E gjithë kjo përpjekje kjo rrezikon të përballet me një reagim të fuqishëm të Presidentit Trump.

Udhëheqësi amerikan është skeptik ndaj multilateralizmit dhe i irrituar nga mungesa e mbështetjes evropiane për qëndrimin e tij agresiv të “presionit maksimal” ndaj Iranit. Ai gjithashtu po u bën trysni evropianëve për të mbështetur luftën e tij tregtare me Kinën, duke argumentuar se një dhimbje afatshkurtër është e nevojshme për t’iu kundërvënë Pekinit, përndryshe Perëndimi do të humbasë në planin afatgjatë.

Disa komentatorë perëndimorë fajësojnë Presidentin Trump dhe populistët e tjerë nacionalistë për përçarjen e Perëndimit. Por të tjerë e shohin copëzimin e udhëheqjes globale perëndimore si pasojë të një sëmundjeje më të thellë dhe historike, në klimën e rritjes së shpejtë të Kinës, e cila përdor tregtinë si armë në marrëdhëniet shtetërore e diplomatike dhe agresivitetit të Rusisë, që gjithnjë e më shumë shpreh përbuzje për Perëndimin dhe mezi pret të hyjë në partneritet me Kinën.

I pyetur nëse do ta mirëpriste ripranimin e Moskës në G-7, Presidenti rus Vladmir Putin u përgjigj me sarkazëm, duke thënë: “G-7a nuk ekziston. Si mund të kthehem në një organizatë që nuk ekziston?” Presidenti Putin tha se preferon formatin G-20 sepse përfshin vende si India dhe Kina. G-20a i referohet grupit të 20 ekonomive kryesore.

Meqenëse ka investuar shumë në vendet e Perëndimit dhe në botën në zhvillim, Pekini nuk ka drojtje të kërkojë një shpërblim politik dhe protestat e Hong Kongut i kanë futur evropianët, veçanërisht britanikët, në dilemë. A duhet që ata të mbrojnë të drejtat dhe liritë, që populli i Hong Kongut i sanksionoi në deklaratën e përbashkët, të nënshkruar me Pekinin, përpara se britanikët t’ia dorëzonin territorin kinezëve në 1997, apo duhet t’i zbutin ankesat e tyre ndaj Pekinit për të mos humbur përfitimet në tregtinë me Kinën?

Kjo dilemë do të bëhet më e mprehtë me vazhdimin e protestave antiqeveritare në Hong Kong, gjë që rrezikon një ndërhyrje ushtarake kineze në ish-koloninë britanike. Pekini e ka bërë të qartë, me kërcënime gati të hapura, se Britania duhet të ulë tonet kritike, përndryshe Londra, e cila është e dëshpëruar për të rritur tregtinë me Kinën pas Brexit, do të humbasë financiarisht.

Analisti Hague argumenton se G-7a “duhet ta ritheksojë çështjen e mbrojtjes së lirive”. Ai thotë se fundi i Luftës së Ftohtë “i ka privuar vendet demokratike nga uniteti automatik dhe kriza globale financiare ka tronditur vetëbesimin e tyre.”

Tronditja financiare erdhi mes një prirjeje më afatgjatë: gërryerja e bazës industriale të Perëndimit me zhvendosjen e prodhimit drejt Lindjes, duke shkaktuar zemërimin e shtresave punëtore në Perëndim, të cilat nuk duan të humbin për shkak të globalizimit. Kjo i ka bërë ato të hedhin dyshime mbi krejt bazat e multilateralizmit.

Sipas analistit Antonio Barroso, i grupit të konsulencës Teneo për rreziqet gjeostrategjike, “Ne kemi kaluar nga një botë që ishte shumë më multilaterale sesa kjo që kemi tani.”

voa

Pakti Hitler-Stalin 80 vjet mё parё

Hitler StalinAdolf Hitler dhe Josef Stalin e konsideronin njeri-tjetrin si kryearmik. E megjithatё tё dy diktatorёt mё 1939 ranё dakord pёr njё pakt mossulmimi dhe e ndanё Europёn Lindore mes tyre. Pasojat ndihen edhe sot.

Ishte njё kalkulim cinik. E kjo llogari nё fillim ia vlejti pёr tё dyja palёt. Pёr planin e tij pёr tё sulmuar Poloninё, Hitleri siguroi neutralitetin e Bashkimit Sovjetik. Meqёnёse fuqitё garantuese tё Polonisё, Britania e Madhe dhe Franca do tё viheshin nё lёvizje prej kёtij plani, ai pёrkohёsisht e shmangu luftёn nё dy fronte. Pёrveç kёsaj – me njё marrёveshje tregtare tё nёnshkruar njёkohёsisht tё dy diktatorёt ranё dakord pёr shkёmbimin e furnizimeve – lёndё tё para sovjetike kundrejt makinerive gjermane.

Nё kёtё mёnyrё Hitleri donte t’i bёnte ballё efektit tё njё bllokade tё mundshme detare tё britanikёve, qё nё Luftёn e Parё Botёrore ndikoi nё humbjen e Gjermanisё. Stalini nga ana e tij besonte, se Rajhu Gjerman nuk do tё pёrzihej nё njё luftё tё gjatё me fuqitё perёndimore. Nё afat tё gjatё ai e konsideronte tё pashmangshme njё luftё kundёr Rajhut Gjerman dhe donte ta shfrytёzonte kёtё periudhё pёr armatime tё mёtejshme.

Ajo qё ishte vendimtare nuk ishte pёrfshirё nё marrёveshjen zyrtare, por nё njё protokoll sekret shtesё: Ajo i ndante nё zona influence vendet mes Rajhut Gjerman dhe Bashkimit Sovjetik nё rast tё njё “rikompozimi territorial-politik”. Kёsisoj p.sh. Estonia, Letoni, pjesa lindore e Polonisё dhe Besarabia rumune ishin pёrkacktuar si “sfera tё influencёs” sё Bashkimit Sovjetik, ndёrsa pjesa perёndimore e Polonisё nёn influencёn e Rajhut Gjerman.

Njё kalvar i pafund

Mё 1 shtator 1939 Vermahti gjerman sulmoi Poloninё. Dy javё mё pas Ushtria e Kuqe marshoi nё Poloni dhe pushtoi njёra pas tjetrёs territoret e pёrcaktuara nё sferёn e influencёs sovjetike. Ndarja e Europёs Lindore u realizua nё dy javёt e para tё Luftёs sё Dytё Botёrore qё po niste. Ushtarakёt gjermanё dhe ata sovjetikё, shёrbimet sekrete dhe nёpunёsit e administratёs bashkёpunonin ngushtё mes tyre.

Polonia u zhduk sёrish nga harta politike. Shtetet Baltike, qё po ashtu si Polonia e fituan pavarёsinё e tyre pas Luftёs sё Parё Botёrore mё 1919, u shndёrruan nё republika sovjetike. Besarabia rumune iu aneksua Republikёs Sovjetike tё Ukrainёs. Kёsisoj Rumania praktikisht mbeti “nёn kontrollin e Gjermanisё naziste”, shpjegon historiani rumun Cosmin Popa.

Pёr njerёzit nё tё dyja anёt e vijёs ndarёse nisi njё kalvar vuajtjesh tё pafundme: Hitleri zbatonte nё hapёsirёn e tij dhe nё territoret e pushtuara ideologjinё raciste duke vrarё miliona njerёz, ndёrsa nё pjesёn sovjetike u dёbuan pjesё tё mёdha tё popullsisё dhe shumё tё afёrm tё elitave tё vjetra u vranё ose u deportuan nё kampet e punёs sё detyruar.

Pakti Hitler-Stalin rezistoi gati dy vjet. Nё qershor 1941, kur Hitleri vuri nёn kontroll gjysmёn e Europёs Perёndimore, ai ndihej mjaft i fortё dhe sulmoi edhe partnerёt e aleancёs. Ky ishte njё mbivlerёsim i vetes qё do tё ishte vendimtar pёr zhvillimet e mёtejshme. Qysh nё dimrin qё pasoi nё aspketin ushtarak situata mori kthesё. Por pavarёisht pёr popujt e „sferave tё influencёs” kjo nёnkuptonte edhe mё shumё vite lufte pёrmes mjerimit, dёbimeve dhe miliona vdekjeve.

Trauma mbetet

Trauma e bashkёpunimit gjermano-rus mbi kurrizin e tё tjerёve ёshtё e pranishme nё vendet e prekura. Nё Poloni pakti Hitler-Stalin edhe sot e kёsaj dite konsiderohet si njё shembull i marrёveshjeve sekrete tё dy fqinjёve tё mёdhenj nё disavantazh tё saj. Nё vitin 2006 ish-ministri i Jashtёm i Polonisё, Radosłav Sikorski, linjёn gazsjellёse Nord-Stream e krahasoi me paktin Hitler-Stalin-Pakt, gjё qё shkaktkoi indinjatё tek tё dyja palёt.

Nё shkrimin e historisё polake ky pakt konsiderohet si “ndarja e katёrt e vendit – njё referim ndaj tri ndarjeve nё shekullin e 18-tё kur Polonia u nda prej Rusisё, Prusisё dhe Austrisё dhe pёr mё shumё se njё shekull u fshi nga harta.

Nё Luftёn e Dytё Botёrore marshimi sovjetik u shoqёrua edhe me arrestimin e gati 22.000 oficerёve dhe policёve polakё, tё cilёt nё pranverёn 1940 u ekzekutuan prej shёrbimit sekret sovjetik NKWD nё Katyn dhe vende tё tjera duke u qёlluar me plumb nё qafё.

Edhe pёr Rumaninё pasojat janё ende sot tё mёdha, thotё historiani Popa. Ekzistenca e Republikёs sё Moldavisё ёshtё pasoja direkte e paktit. “Ai s’ishte gjё tjetёr veҁse shprehje e totalitarizmit tё aplikuar nё politikёn e jashtme. Ishte njё pretendim i qartё pushteti i dy totalitarizmave, komunist dhe atij nacionalsocialist.”

Stalini rehabilitohet nё Rusi

Pakti pati pasoja pёrtej luftёs: Meqёnёse BRSS bёnte pjesё ndёr fuqitё fituese, fuqitё perёndimore nuk mundёn ta ndalojnё, „qё territoret, qё kishte marrё Bashkimi Sovjetik pёrmes paktit Hitler-Stalin, nё fund tё Luftёs sё Dytё Botёrore tё mbeteshin nёn BRSS”, thotё historiani Jörg Ganzenmüller. Vetёm nё fillim tё viteve 1990-tё shtetet baltike rifituan pavarёsinё e tyre.

Pakti Hitler-Stalin pas luftёs pёr shumё vite u mbulua prrej harresёs. Nё Lindje gjatё Luftёs sё Ftohtё ai u tabuizua. Nё Republikёn Federale tё Gjermanisё ai nuk luante mё asnjё rol nё zbardhjen e historisё sё pasluftёs. Vetёm pas kthesёs mё 1989 nё Europё ai u risoll nё vёmendje nё diskutimin publik.

Sidoqoftё plagёt nuk u shёruan, pёrkundrazi. Para dhjetё vjetёsh, me rastin e 70 vjetorit, presidenti i Rusisё Vladimir Putin nё njё „letёr drejtuar polakёve” e cilёsoi paktin si tё pamoralshёm. Por ky deklarim u zhvleftёsua po prej tij. Pak muaj mё vonё pas aneksimit rus tё Krimesё nё Ukrainё, Putin e mbrojti paktin, duke argumentuar se nga kёndvёshtrimi i asaj kohe ai ishte i domosdoshёm. Nё ceremonitё pёrkujtimore sivjet me rastin e 80 vjetorit tё fillimit tё Luftёs sё Dytё Botёrore Putin nuk do tё jetё i pranishёm. Nё Rusinё e sotme edhe Josef Stalin ёshtё rehabilituar. Nё njё sondazh gjatё kёtij viti 70 pёrqind e rusёve shprehen pozitivisht pёr rolin e Stalinit pёr vendin e tyre.

Frikёra tё reja dhe tё vjetra

Kёsisoj nё Poloni dhe nё shtetet baltike sёrish shtohet frika, se ato mund tё bien pёrsёri viktimё e njё politike, pёrmes sё cilёs Gjermania dhe Rusia mund tё bien dakord mbi kurrizin e kёtyre vendeve. Ndёrtimi i linjёs direkte gazsjellёse Nord Stream 2 nga Rusia pёrmes Detit Balltik nё Gjermani duke iu shmangur vendeve tё tranzitit ёshtё kthyer nё njё simbol tё kёsaj frike. Nё kёtё grindje Polonia sё fundi ka angazhuar nё anёn e vet SHBA-nё, sepse lidhur me kёtё ҁёshtje ajo e ndjen se fqinjёt nuk e vlerёsojnё me seriozitet.

“Analogji historike nuk mund tё bёsh”, thotё studiuesi Ganzenmüller lidhur me kёtё. Frika ёshtё e ekzagjeruar: “Polonia dhe shtetet balltike janё shumё mё pranё Gjermanisё se sa Rusia.” Pёr kёtё flet edhe antarёsia e pёrbashkёt nё BE dhe nё NATO. “Megjithatё politika e jashtme gjermane ndoshta ndjek me pakujdesi interesat e saj nё politikёn e jashtme, duke mos i marrё nё konsideratё kёto frikёra dhe me kёtё ngjall irritime.” Ndaj historiani kёshillon pёr qeverinё gjermane, qё tё marrё mё fort parasysh kёto shqetёsime qё burojnё nga e kaluara.

Christoph Hasselbach / dw

Ndotja nga makinat nxit astmën tek fëmijët në mbarë botën

AstmaAstma e fëmijërisë është sëmundja kronike më serioze mes fëmijëve sipas Organizatës Botërore të Shëndetit. Një raport i ri thotë se ndotja nga trafiku është një shkaktar kryesor i sëmundjes. Kevin Enochs i Zërit të Amerikës sjell më shumë hollësi.

Dihet se ndotja nga trafiku është një kontribues i madh tek ndryshimet klimatike, por hulumtime të reja sugjerojnë se gjithashtu

është një faktor kryesor i problemeve shëndetësore në mbarë botën. Susan Annenberg është me Institutin Milken për Shëndetin Publik.

“Përllogaritjet e fundit tregojnë se ndotja e ajrit faktikisht është faktor kryesor i rrezikut shëndetësor në mbarë botën, më i madh se çdo shkaktar mjedisor që shkakton sëmundje.”

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, ndotja e ajrit shkakton rreth 3.7 milionë vdekje të parakohshme çdo vit.

Por, ky studim i ri nga Universiteti George Washington në kryeqytetin amerikan tregon një ndotës specifik, dioksidin e nitrogjenit, NO2, nga ndotja që çlirojnë makinat, si shkaku kryesor i astmës së fëmijërisë në shumë qytete të botës.

“Ndotja nga dioksidi i nitrogjenit ka një ndikim të madh tek shumë fëmijë në mbarë botën të diagnostikuar me astmë. Ndikimet më të mëdha janë parë në qytete ku pothuajse rreth 50 përqind e rasteve të reja të

astmës mes fëmijëve në disa qytete në mbarë botën i atribuohen ndotjes nga dioksidi i nitrogjenit”, -thotë Susan Annenberg me Institutin Milken për Shëndetin Publik.

Ndërsa një element tejet shqetësues nga studimi është se qytetet ku po përhapet astma kanë nivelet e dioksidit të nitrogjenit brenda kufijve të konsideruar të sigurtë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Një nga gjetjet më të habitshme është se aktualisht 90 përqind e rasteve të astmës së shkaktuar nga dioksidi i nitrogjenit ndodhën në zona që përmbushin udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëdentësisë për ndotjen mesatare vjetore”, thotë Ploy Pattanun Achakulwisut, e Institutit Milken për Shëndetin Publik.

Shumica e qyteteve me nivele të larta të ndotjes nga makinat janë në shtete si Kina, India dhe Shtetet e Bashkuara. Zgjidhja, thonë hulumtuesit, është vazhdimi luftës kundër fenomenit të gazeve që

krijojnë fenomenin serë dhe ngohjen globale, sepse të dy problemet janë të lidhura ngushtë.

“Një prej gjetjeve është se qytetet që kishin nivele të larta dioksidi nitrogjeni po ashtu kishin nivele të larta të gazeve të efektit serë. Një gjë që mund të bëhet është mënjanimi i djegies së lëndëve fosile dhe reduktimi në çfarëdo lloj mënyre”, thotë zonja Annenberg.

Hulumtuesit thonë se shpresojnë të bëjnë studime të mëtejshme për të kuptuar se cilat kimikate specifike nga ndotja e makinave shkaktojnë astmën, në mënyrë që të trajtojnë këto burime specifike të ndotjes.

voa

Shpërndahet parlamenti i Kosovës – pritet shpallja e datës së zgjedhjeve

Kuvendi i ksParlamenti i Kosovës u shpërnda. Deputetët votuan në favor të shpërndarjes duke hapur rrugën që presidenti Hashim Thaçi, të shpallë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, që sipas kushtetutës, duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së parlamentit.

Kjo është hera e parë që parlamenti voton për shpërndarjen e tij.

Vendimi pasoi dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj më 19 korrik pasi u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

Dorëheqja e zotit Haradinaj i dha fund koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate që garuan së bashku ne zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit të vitit 2017. Ngritja e qeverisë Haradinaj u bë në fillim të shtatorit të atij viti dhe përgjatë tërë kësaj kohe u përball me vështirësi në kalimin e ligjeve në parlament për shkak të votave të pakta.Pak ditë para dorëheqjes së zotit Haradinaj dolën sheshazi më shumë se kurrë edhe përplasjet e brendshme ndërmjet drejtuesve të koalicionit qeverisës që lidheshin më shumë me qasjen ndaj tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe dhe bisedimeve me Serbinë.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, asnjë qeveri nuk e ka përmbushur mandatin 4 vjeçar.

Që nga dorëheqja e zotit Haradinaj, partitë politike u shprehën në favor të zgjedhjeve duke përjashtuar mundësitë e tjera, ndonëse sipas kushtetutës presidenti mund dhe i kërkoi koalicionit fitues të zgjedhjeve të kaluara që të emërojë një mandatar të ri për qeverinë.

Ende pa u shpallur zgjedhjet e reja, partitë janë përfshirë në një fushatë për ngritjen e koalicioneve të reja parazgjedhore.

Ambasada amerikane në Prishtinë tha se vendimi i sotëm i parlamentit paraqet hap të rëndësishëm drejt krijimit të qeverisë së re.

“Një fushatë, në të cilën kandidatët ofrojnë ide të reja për bisedimet me Serbinë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, do të siguronin që Kosova nuk humb më shumë kohë në ngritjen e themeleve për të ardhmen”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një komunikatë se shpërndarja e parlamentit “përshpejton hapat e organizmit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës dhe në mungesë të gatishmërisë së partive politike parlamentare për të krijuar një qeveri të re”.

Tani, theksoi ai, “është në interes të qytetarëve të Kosovës që pas një procesi zgjedhor demokratik të kemi sa më shpejt një qeveri funksionale dhe llogaridhënëse, e cila i përballon sfidat që na presin si shtet dhe shoqëri”, ndërsa paralajmëroi se “së shpejti do të marr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës”.

voa