Palmer shpjegon përparësitë në detyrën e re: SHBA mbetet e angazhuar në Ballkan

Mathew PalmerMathew Palmer, i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor i tha Zërit të Amerikës se administrata amerikane mbetet e angazhuar në Ballkan. Në një intervistë me korrespondenten e VOA pranë Departamentit amerikan të Shtetit Nike Ching, ai foli mbi përparësitë në detyrën e re si i dërguar i posaçëm, si dhe mbi pritshmëritë e SHBA për Shqipërinë, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Zëri i Amerikës: Cilat janë përparësitë politike në rolin tuaj të ri, duke pasur parasysh se ky është një pozicion i ri, i krijuar nën administratën e tanishme. A ka një rritje të interesit dhe angazhimit amerikan ndaj Ballkanit?

Matthew Palmer: Sigurisht, mendoj se vendimi i Sekretarit të Shtetit për të emëruar një përfaqësues të veçantë për Ballkanin Perëndimor tregon qartë dhe në mënyrë konkrete, angazhimin tonë për rajonin, angazhimin tonë për të qenë partner për rajonin dhe ambicien tonë për të ndihmuar rajonin, të zhvendoset më pranë bashkësisë perëndimore të kombeve. Prandaj, unë e shoh rolin tim si diçka që në fakt më mundëson të ndihmoj vendet e Ballkanit Perëndimor të përmbushin aspiratat e tyre për integrim evropian dhe euro-atlantik. Ne kemi shpresë se kjo fillon me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke u dhënë mundësinë për të hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Ne gjithashtu dëshirojmë të shohim Serbinë dhe Kosovën, të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Dhe, natyrisht, do të donim po ashtu që Bosnja dhe Hercegovina të vazhdojë procesin e reformës dhe të afrohet më shumë në rrugën e saj evropiane dhe euro-atlantike. Është një axhendë e madhe, ka shumë punë për të bërë, por unë jam i përkushtuar të qëndroj në partneritet të ngushtë me rajonin dhe t’i ndihmoj ato vende të ecin përpara.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendët, nxitja e Kosovës dhe Serbisë për të rifilluar bisedimet është një nga përparësitë. Në ç’mënyrë?

Matthew Palmer: Mendoj se gjëja e parë që duhet të bëjmë është të presim derisa Kosova të zhvillojë zgjedhjet më 6 tetor. Pastaj do të ketë një proces të formimit të qeverisë. Ne do ta bëjmë të qartë pritshmërinë tonë se qeveria e ardhshme e Kosovës do të jetë një qeveri pro dialogut, e gatshme të pezullojë tarifat të cilat janë pengesë për rifillimin e procesit të dialogut, e gatshme të formojë një ekip negociator të fuqizuar si dhe e gatshme të angazhohet me Serbinë në tryezën e bisedimeve me seriozitetin e qëllimit për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Shtetet e Bashkuara do të jenë me ta së bashku në çdo hap të këtij procesi, por Kosova duhet të marrë kontrollin e fateve të veta.

Zëri i Amerikës: Cila është pritshmëria juaj për zgjedhjet e 6 tetorit?

Matthew Palmer: Kjo varet në të vërtetë nga populli i Kosovës, por çfarëdo partie politike të dalë në krye, të jetë në gjendje të provojë për të formuar një koalicion, shpresojmë që ajo parti të lëvizë shpejt drejt formimit të qeverisë dhe drejt krijimit të një koalicioni të përkushtuar për të rihapur procesin e dialogut në mënyrë serioze.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendët, pika më e vështirë duket se është, së pari tarifat e Kosovës ndaj importeve serbe dhe së dyti fushata diplomatike e Serbisë për të bllokuar njohjet e Kosovës. Ç’farë do të bënte SHBA? Cilat janë zgjidhjet e mundshme?

Matthew Palmer: Ajo që ne do të dëshironim të shohim është që qeveria e ardhshme e Kosovës të pranojë se përparësia e saj është një marrëveshje normalizimi me Serbinë dhe që pezullimi i tarifave është pjesë e kësaj. Ne kemi shpresë që Serbia do të përgjigjej pas kësaj me disa stimuj nga ana e saj dhe që kjo të përfshinte pezullimin e mundshëm të fushatës për bllokimin e njohjeve. Dhe me këtë si bazë, pra me pezullimin e tarifave dhe fundin e fushatës për bllokimin e njohjeve, palët mund të kthehen në tryezën e bisedimeve në një atmosferë pozitive me vështrimin drejt arritjes së një marrëveshjeje.

Zëri i Amerikës: A do t’i rigjallëroni përpjekjet tuaja për t’i nxitur palët, siç është letra e përbashkët nga ju dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, për t’i kërkuar Kosovës që të heqë tarifën prej 100 për qind, tani që në Shtëpinë e Bardhë do të jetë Këshilltari i ri i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien?

Matthew Palmer: Kur flas në emër të qeverisë amerikane, nuk flas thjesht në emër të Departamentit të Shtetit. Si Përfaqësues Special do të paraqes pozicionet e Shteteve të Bashkuara që përfshin Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes. Ne flasim si qeveri amerikane me një zë të vetëm koherent dhe me një politikë të vetme. Kështu që, kur shkoj në Kosovë dhe takohem me zyrtarë të Kosovës, unë flas në emër të Shteteve të Bashkuara. Kjo presupozon se e gjithë qeveria amerikane qëndron prapa çdo gjëje që unë them.

Zëri i Amerikës: Nëse ngërçi vazhdon, a do të ketë kjo ndikim negativ në mbështetjen e SHBA për të ndihmuar integrimin e Kosovës dhe Serbisë në bashkësinë perëndimore?

Matthew Palmer: Ne mbetemi të përkushtuar për këtë, kjo është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Ne jemi të përgatitur të punojmë në partneritet me Beogradin, në partneritet me Prishtinën, në partneritet me autoritetet serbe, në partneritet me autoritetet në Kosovë për arritjen e këtij qëllimi dhe objektivi. Ne nuk mund ta bëjmë këtë vetë. Janë vetë palët që duhet ta udhëheqin këtë përpjekje. Ne duam një zgjidhje që të jetë në pronësi lokale, që të jetë e qëndrueshme, që të jetë e pranueshme tek të dyja palët. Një zgjidhje të cilën Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët në bashkësinë ndërkombëtare të mund ta mbështesin. Ne jemi partnerë për ta në këtë proces, por janë ata që duhet të jenë në timon.

Zëri i Amerikës: Do të doja ta zhvendosja intervistën te Kina, pasi Kina po zgjeron nismën e saj Një Brez një Rrugë. Disa analistë thonë se investimet kineze në Ballkanin Perëndimor po marrin vrull. A është kjo diçka negative për ju kur ju flisni mbi përparësitë e politikës amerikane? Cili është ndikimi i kësaj në marrëdhëniet e SHBA me rajonin?

Matthew Palmer: Po. Ne e kuptojmë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të prirur të gjejnë marrëveshjet më të mira të mundshme për veten e tyre dhe publikun e tyre, kur përpiqen për projekte të mëdha infrastrukturore. Kjo është normale. Ajo që ne bëjmë është të përpiqemi të sigurojmë që loja të jetë e barabartë për të gjithë. Pra, që kompanitë amerikane, ndërmarrjet perëndimore të jenë në gjendje të konkurrojnë në mënyrë të drejtë për këto mundësi, kur ato shfaqen. Dhe ne po i inkurajojmë qeveritë në Ballkanin Perëndimor të shqyrtojnë në mënyrë të gjerë, nëse disa nga këto marrëveshje me Kinën janë vërtet në interesin e tyre. Dua të them që kemi parë në raste të tjera që lidhen me nismën Një Brez, Një Rrugë një lloj qasjeje grabitqare që i fut vendet në borxhe përmes këtyre programeve, ku shifrat që ofron Kina mund të duken shumë tërheqëse për qeverinë në fjalë, por kostot e mirëmbajtjes, mungesa e krijimit të vendeve të punës që kinezët sjellin bashkë me projektet, dhe më e rëndësishmja, ngarkesa e borxhit që ndikon në aftësinë e këtyre vendeve për të mirëmbajtur të mirat kapitale që ato marrin, në fakt krijojnë kosto afatgjata dhe pasoja që ato nuk i kanë menduar me aq kujdes. Pra, ekzistojnë konsiderata të sigurisë, ekzistojnë konsiderata financiare dhe çështje të marrëdhënies më të gjerë që këto vende do të donin të krijonin me korporata shumëkombëshe, të cilat duhet të faktorizohen në këto vendimmarrje.

Zëri i Amerikës: Sekretari i Shtetit Mike Pompeo shpesh i ka paralajmëruar aleatët në lidhje me rrezikun e përdorimit të firmës kineze HuaWei për rrjetet 5G. Ndërkohë Serbia po intensifikon bashkëpunimin e saj me Huawei-n. Si ua shpjegoni vendeve të tilla si Serbia, të cilat mund t’i shohin si më tërheqëse pajisjet apo paketat financiare kineze?

Matthew Palmer: Ajo që ne u kërkojmë njerëzve të bëjnë është të marrin në konsideratë tërësinë e çështjes. Sigurisht, diçka si infrastruktura e telekomit është çështje e sigurisë kombëtare, po aq sa është një investim financiar nga ana e qeverive në fjalë. Por, a duan ata vërtet të angazhohen për të bërë biznes me një kompani që ka demonstruar se nuk është e sigurt? Ne inkurajojmë Serbinë dhe vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, që ato t’i japin përparësi sigurisë së rrjeteve të tyre, përveç përparësisë që i japin faktit se sa tërheqëse janë paketat financiare që u ofrohen.

Palmer për Shqipërinë: SHBA nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike

Zëri i Amerikës: Të flasim për Shqipërinë. Ndaj kryeministrit të tanishëm ka shumë kritika se është bërë më autokrat. A janë SHBA të shqetësuara në lidhje me shumicën socialiste? Ç’mendim keni për situatën politike në Shqipëri?

Matthew Palmer: Ne do të donim që bllokimi i tanishëm politik në Shqipëri të zgjidhej. Ne kemi një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë aktuale të Shqipërisë ashtu siç kemi pasur një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë e mëparshme. Shtetet e Bashkuara nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike, askund, dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku jam duke u përpjekur të bëj punën time. Ne punojmë me qeveritë që dalin përmes zgjedhjeve demokratike. Ne i kuptojmë dëshirat e opozitës për të parë zbatimin e reformave dhe e mbështesim qëllimin e reformave. OSBE-ja ka bërë rekomandime shumë specifike në lidhje me reformën zgjedhore në Shqipëri. Ne do të dëshironim të shihnim një dialog midis qeverisë dhe opozitës për këto reforma, dhe, kur kjo marrëveshje të arrihet, do të dëshironim që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen mbi këtë bazë. Ndërkohë, është e rëndësishme që Shqipëria të krijojë një Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që ajo të gjykojë mosmarrëveshjet që do të lindnin në sferën politike. Por, mbi të gjitha, dhe kjo është shumë e rëndësishme, populli i Shqipërisë mund të mbështetet tek miqësia dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara. Aleatët tanë, partnerët tanë janë Shqipëria dhe populli shqiptar. Politika është politikë, por marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është e fortë dhe e qëndrueshme.

Zëri i Amerikës: Përsa i përket Maqedonisë së Veriut, cilat janë hapat konkretë me të cilat Shtetet e Bashkuara mund ta ndihmojnë Maqedoninë e Veriut të integrohet në bashkësinë perëndimore?

Matthew Palmer: Ne kemi shumë shpresë që Maqedonia e Veriut do të fillojë negociatat për anëtarësim, pas mbledhjes së Këshillit Evropian më 16 tetor. Ne besojmë se qeveria në Maqedoninë e Veriut e ka kaluar këtë kriter, madje shumë herë. Në fakt, Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave të pranimit me Shkupin për nëntë ose 10 vitet e fundit me radhë. Pra, ne e kemi bërë të qartë këtë qëndrim tek partnerët tanë evropianë. Ne mendojmë se do të ishte jashtëzakonisht e dobishme. Natyrisht, Maqedonia e Veriut, mund ta ndihmonte çështjen e saj duke vazhduar të ndjekë axhendën e reformës, duke zbatuar ligjin e ri për prokurorinë speciale. Konsultimet dhe bisedimet e tyre për këtë çështje në Shkup janë duke vazhduar. Ne do të dëshironim që të bashkëpunonim me qeverinë e Maqedonisë së Veriut në mbështetje të axhendës së reformës dhe dëshirojmë ta ndihmojmë vendin të ecë përpara. Ne gjithashtu kemi shpresë se Maqedonia e Veriut do të ecë përpara në rrugën e NATO-s dhe se mund të shohim që Maqedonia e Veriut të bëhet vendi i 30-të anëtar i NATO-s qysh në dhjetor, nëse gjërat ecin mirë.

Zëri i Amerikës: Ju keni punuar më parë me Këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien. A keni diçka për të ndarë me ne? A shihni se një njoftim i tillë do të jetë një gjë e mirë për politikën e ardhshme të SHBA ndaj Ballkanit Perëndimor?

Matthew Palmer: Robert O’Brien është një profesionist i rrallë. Ai ka qenë një partner i shkëlqyer për mua dhe zyrën time për një numër çështjesh të rëndësishme dhe unë e uroj që u ngrit në postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare. Jam i sigurt se ai do të bëjë një punë të shkëlqyer. Marrëdhënia jonë midis Departamentit të Shtetit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Ballkanin Perëndimor ka qenë gjithmonë shumë e ngushtë dhe bashkëpunuese. Ne i kuptojmë gjërat në të njëjtën mënyrë. Ne punojmë shumë ngushtë në drejtim të formësimit dhe zbatimit të politikës. Unë pres që kjo të vazhdojë nën Këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare.

Zëri i Amerikës: Ju faleminderit.

Greqia nis kërkimet për naftë në detin Jon, pranë Shqipërisë

Repsol-10thAprilMinistria greke e Mjedisit dhe Energjisë ka paraqitur në parlament projektligje për ratifikimin e katër kontratave për dhënien me koncension të së drejtës së eksplorimit dhe shfrytëzimit të hidrokarbureve  në  katër  zona detare të detit Jon dhe të Kretës.

Ratifikimi i kontratave – negociatat  për të cilat zgjatën gati katër vjet – është një votë besimi nga kompanitë e mëdha ndërkombëtare të naftës, që do të investojnë një shumë prej 140 milionë eurosh në kërkime.

Konkretisht, për zonat e detit Jon jepen për ratifikim kontratat e nënshkruara në prillin e këtij viti midis shtetit grek dhe Konsorciumit Repsol-Hellenic Petroleum.

Ndërsa për dy zonat detare pranë Kretës janë dhënë për ratifikim dy kontratat e nënshkruara në qershorin e kaluar midis shtetit grek dhe konsorciumit Total, ExxonMobil dhe Hellenic Petroleum.

Kanë disa muaj që “ExxonMobil ” dhe “Total” , të cilat janë dy prej kompanive më të mëdha botërore të naftës , po eksplorojnë  në disa prej zonave Ekonomike Ekskluzive të Qipros, ku kanë zbuluar  një rezervë gjigante gazi.

Kjo dhënie me koncesion vlerësohet nga Athina zyrtare se do të rrisë rolin e Greqisë në rajon dhe në botë, për sa i përket kërkimit dhe shfrytëzimit të  hidrokarbureve.

Studimet e viteve të fundit vleresojnë gjithashtu se  vlera e rezervave të naftës dhe gazit natyror që pritet të shfrytëzohen gjate dy dekadave në zonat në fjalë, me çmimet aktuale shkojne deri në 3.5 trilion dollarë, prej të cilave një të gjashtën, dmth rreth 600 mld dollarë, do t’a përfitojë shteti grek.

Përfitimi tjetër është fakti i krijimit të qindra mijëra vendeve të punës dhe përforcimi i ekonomisë lokale.

Top Channel

Kosova dhe Serbia përplasen edhe rreth futbollit

Stadiumi Fadil VokriFederata e Futbollit të Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga federatat ndërkombëtare të futbollit, si UEFA dhe FIFA, lidhur me ankesën që u është drejtuar rreth organizimit të garave shtetërore nga Federata serbe, brenda territorit të Kosovës.

Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës thonë se janë në kontakte të vazhdueshme me UEFA-n dhe FIFA-n, dhe i kanë njoftuar këto organizata për veprimet në vazhdimësi të Federatës së Futbollit të Serbisë.

Ekipi “Trepça” nga veriu i Kosovës bën pjesë në kuadër të Ligës së Serbisë në futboll, andaj edhe parashihet që ndeshjet si vendas me ekipet nga Serbia, t’i zhvillojë në territorin e Kosovës. Por, një mundësi të tillë e ka hedhur poshtë Federata e Futbollit e Kosovës, e cila sipas statutit dhe ligjeve në fuqi, është e vetmja që mund të organizojë kampionate e kupa shtetërore të futbollit brenda territorit të Kosovës.

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se Kosova është e vendosur që të mos lejojë që shteti serb të organizojë ndeshje sportive në Kosovë.

“Përgjigje nuk kemi marrë [nga UEFA dhe FIFA]. Kryetari [i FFK-së Agim] Ademi, ka biseduar edhe me anëtarët e komitetit ekzekutiv të UEFA-s dhe FIFA-s, si dhe me presidentin[kryetarin e Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armando] Duka i cili do ta shtroj këtë çështje dhe me zotin[presidentin e UEFA-s, Aleksander] Ceferni”, tha Salihu.

Ai konsideron se ky proces është shndërruar në çështje politike, çka sipas tij, assesi nuk do të duhej të ndodhte.

Federata e Futbollit të Serbisë, në faqen e saj në internet, ka paralajmëruar për datën 25 shtator, zhvillimin e ndeshjes në futboll në Komunën e Zveçanit në mes ekipit të futbollit “Trepça” (nga veriu i Kosovës) dhe ekipit nga Beogradi, ‘Crvena Zvezda’ [Ylli i Kuq].

Salihu tha se tendenca që Federata e Futbollit të Serbisë të organizojë ndeshje sportive edhe në Kosovë, është ndërhyrje dhe provokim i rëndë.

“Ne nuk do të lejojmë në aspektin sportiv që të hyjë politika dhe kjo është direkt ndikim i politikës, sepse ekipet serbe nuk kanë legjitimitet që të luajnë në Kosovë. Është çështje e ndjeshme dhe mendoj se është një sprovë që të reagojnë organet e sigurisë dhe të mos lejojnë që kjo ndeshje të zhvillohet sepse thjesht është provokim i rëndë”, theksoi Salihu.

Autoritetet në Kosovë thonë se nuk do të lejojnë asnjë shtet që të bëjnë organizime e provokime në shtetin e Kosovës.

Ministri në dorëheqje i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Ekrem Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë, se ministria që ai drejton dhe Federata e Futbollit të Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm në lidhje me paralajmërimet për organizim e ndeshjeve të futbollit nga Serbia në Kosovë.

“Organizimet e tilla janë jashtë normave ligjore, pasi që një shtet tjetër nuk mund të organizojë ligë në shtetin tjetër dhe për këtë kemi biseduar edhe me drejtorin e policisë, por paraprakisht duhet të na vi edhe një shkresë. Ne nuk do t’i lejojmë në kufij që të depërtojnë lojtarët brenda Kosovës”, tha Mustafa.

Kryetari i Komisionit të garave të Federatës së Futbollit të Serbisë, Miodrag Jankoviq, ka dhënë të mërkurën për mediat në Serbi disa shpjegime para se të luhen ndeshjet.

“Ne do t’i provojmë të gjitha që ai takim të luhet në terminin e caktuar. Pasi që ‘Trepça’, sipas shortit, është nikoqire e ‘Crvena Zvezda-s’ [Ylli i Kuq], kjo realisht krijon problem të caktuar organizativ. Para së gjithash, lidhur me vet organizimin e takimit e deri te shkuarja e tifozëve të ‘Crvena Zvezda-s’ [Ylli i Kuq] në Zveçan, gjë që në këtë moment është mision i pamundur”, ka thënë Jankoviq për gazetën Veçernje Novosti.

Federata e Futbollit të Serbisë, e cila është organizatore e Ligës dhe Kupës së Serbisë, është duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të nikoqirllëkut dhe rrjedhimisht është e mundur që ‘Crvena Zvezda’ të jetë nikoqire e ‘Trepçës’ në Beograd.

Nga ana tjetër, drejtori i zyrës për Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë një konference për media në Beograd, ka thënë se Prishtina po ushtron presion dhe po provon t’i frikësojë sportistët serbë të Kosovës që ata të mos marrin pjesë në garat e Serbisë.

“Nuk e konsideroj të drejtë sjelljen e Prishtinës, e cila në këtë rast po i shkel parimet elementare të lirisë së lëvizjes. T’ua mohosh njerëzve lirinë e lëvizjes në shekullin 21, në Evropë, është diçka që në kushte normale do të duhej të haste në një dënim të gjerë. Fakti se dikush po kërcënon se do t’ia ndalojë dikujt që të luajë futboll ose që të merren me sport, është në kundërshtim me të gjitha normat e civilizimit”, ka thënë Gjuriq.

Sidoqoftë, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi kohë me parë ua ka dërguar presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino dhe presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin një letër në lidhje me përfshirjen e siç thuhet, “të ashtuquajturit klub Trepça nga Mitrovica e Veriut”, në kategorinë e tretë të futbollit të Serbisë si dhe kërkesën për ndërhyrjen e këtyre dy institucioneve për ndalimin e çdo lloj gare të futbollit të Serbisë në territorin e shtetit të Kosovës.

Po ashtu, është kërkuar që të detyrojnë Federatën serbe që ta ndryshojë statutin e saj, ku Kosovën e paraqet si pjesë të federatës së tyre, e që është në kundërshtim me realitetin dhe statutet e FIFA-s e UEFA-s.

Më 2016, Kosova u bë anëtare, me të drejta të plota e UEFA-s dhe FIFA-s. Liga e Kosovës në Futboll tashmë njihet si një nga ligat evropiane, çka ka mundësuar që ekipet nga Kosova të garojnë për garat evropiane në kuadër të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.

Ndërkaq në nivel shteti, Kombëtarja e Kosovës në futboll, është pjesë e Grupit A, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “EURO 2020”, ku garon me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi.

Telefoni i ri i Huaweit nuk ka qasje në aplikacionet e Google

HuaweiKompania kineze Huawei do të prezantojë telefonin e ri Mate 30 në Mynih të Gjermanisë.

Kjo është pajisja më e re e kësaj kompanie, që kur Shtetet e Bashkuara e përfshinë në listë të zezë, në muajin maj.

Uashingtoni në mënyrë efektive ndaloi firmat amerikane të furnizojnë Huawein, duke pretenduar se firma kineze është një rrezik i sigurisë kombëtare, pasi pajisjet e saj mund të përdoren nga Pekini për të spiunuar, gjë që Huawei e ka mohuar vazhdimisht.

Prodhuesi i dytë më i madh në botë i telefonave të mençu pret që ndalesa e SHBA-së t’i kushtojë 10 miliardë dollarë.

Lansimi i telefonit më të ri të Huaweit është përcjellur me pasiguri nga ana e blerësve, për shkak të pamundësisë që ata të përdorin aplikacione të mështetura nga kompania amerikane Google.

Telefonat e mençur nuk do të jenë në gjendje të shfrytëzojnë shërbimet e Google Mobile për të përdorur Play Store,dhe për të shkarkuar aplikacione si Gmail, Youtube ose Maps.

Në vend të kësaj, Huawei do të ofrojë ndërfaqen e vet që do t’i lejojë përdoruesit të hyjnë në disa aplikacione të Google.

rel

Donald Tusk: Maqedonia e Veriut e ka bërë punën e saj

zaev-tuskKryetari i Këshillit të Evropës Donald Tusk, sot ka qëndruar për vizitë zyrtare në Shkup, ku në agjendën e tij janë takimet me krerët shtetëror.

Pas takimit me kryeministrin e vendit Zoran Zaev, Tusk ka mbajtur konferencë për shtyp prej ku tha se Maqedonia e Veriut ka bërë gjithçka që ka pasur mundësi për anëtarësim në BE, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Maqedonia e Veriut i ka tejkaluar të gjitha pengesat për integrimet euroatlantike. Unë i kam shprehur qëndrimet e mia në korrik, vendi i juaj ka bërë gjithçka që pritej nga ju për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE. Dua të jetë e qartë se nuk ekziston dyshim në Bruksel për përkushtimin duaj për sundimin e së drejtës. Gjithashtu e dimë se qeveria juaj është e vendosur për vazhdimin e punës së Prokurorisë Speciale”.

“Nuk kam dyshime se Maqedonia e Veriut ka cilësi dhe kjo duhet të vlerësohet. Shkupi është vendi më i mirë, prej ku mund t’i ftoj liderët e BE-së për ta bërë punën e tyre, pasi Maqedonia e Veriut e ka bërë punën e saj”, tha mes tjerash Tusk.

Ndërsa Zaev në fjalimin e tij para gazetarëve, tha se Tusk gjatë gjithë mandatit të tij është angazhuar që Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e BE-së.

“Presim që së bashku në tetor të arrijmë qëllimin tonë, nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Them së bashku pasi kjo është sukses edhe për BE-në edhe për ne. Presim që BE të fillojë përgatitjet për të nisur procesin e negociatave me vendin tonë. Nuk kam dyshim se me nisjen e negociatave nisim një udhëtim të transformimit të madh të vendit tonë”, tha mes tjerash Zaev.

Ai u shpreh i bindur se muajin e ardhshëm do të takohet sërish me Donald Tusk, ku siç shtoi, do të ndajnë gëzimin për nisjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE./Telegrafi/

Gjykata e Apelit refuzon ankesat e Grupit të Kumanovës, konfirmon vendimin e shkallës së parë

Gjykata e Apelit në Shkup ka refuzuar ankesat e të akuzuarve në tërësi dhe ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë për rastin e Kumanovës.

Vendimi është sjellë pas tre muajve që kur është mbajtur seanca publike në Gjykatën e Apelit, ku u shqyrtuan ankesat e të akuzuarve për vendimin e shkallës së parë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Me konfirmimin e vendimit të shkallës së dytë, aktgjykimi është i plotfuqishëm.

Këshilli gjyqësor prej pesë anëtarëve të gjykatës së shkallës së dytë solli vendim të vërtetojë në tërësi vendimin e gjykatëses Petkovska nga Gjykata themelore penale.

Ndryshe, Gjykata Themelore Shkupi 1, më 2 nëntor të vitit 2017 shqiptoi shtatë dënime të përjetshme me burg për të akuzuarit e Lagjes së Trimave, 13 të akuzuarve u shqiptoi dënim me burg prej 40 vjetëve, gjashtë të akuzuarit janë të dënuar me nga 20 vjet burg, një i akuzuar u dënua me 18 vjet burg, dy me nga 14 vjet burg, dy me nga 13 vjet burg, ndërsa katër prej tyre për shkak të mungesës së dëshmive u liruan nga akuzat./Telegrafi/

George Sorosi dhe debatet për ndikimin e tij në Shqipëri

SorosXhorxh Soros, është një filantrop i cili ka zgjedhur të investojë për një shoqëri të hapur në Shtetet e Bashkuara dhe mjaft vende të botës dhe ta mbështesë karierën e tij rreth kësaj ideje. Ai krijoji në Amerikë në fund të viteve 60 Fondin Kuant, një prej fondeve më të sukseshme të investimeve më risk. Miliarderi, në fund të viteve 80 çeli zyra të fondacionit në disa vende të Europës lindore, dhe pas rënies së sistemit komunist edhe në Shqipëri.

Mirëpo edhe pse ai ka investuar qindra miliona dollarë në vendet ish-komuniste, në fusha si arsimi, shëndetësia, dhe në mjaft projekte me ndikim për shtresat në nevojë, sot debati është përqendruar në ndikimin e tij politik në këto vende. Në Shqipëri ky debat kulmoi gjatë hartimit dhe miratimit të Reformës në Drejtësi 3 vjet me parë.

“Lidhet drejpërdrejt dhe vetëm me rolin e reformës së drejtësisë dhe me faktin se kjo reformë ka filluar të japë rezultatet e para, sado pikëpyetje dhe problematika që ka patur në ecurinë e vet”- thotë Andi Dobrushi drejtor ekzekutiv i Fondacionit Soros.

“Le të marrim pak reformën në drejtësi. Le të më thotë mua çdo njeri, çfarë do Fondacioni Soros të hartojë strategjinë e reformës në drejtësi. Një qëllim të vetëm ka, për të shëndrruar drejtësinë shqiptare në degë të ekzekutivit të Edi Ramës”- shprehet Sali Berisha, ish Presdient i Shqipërisë.

“Ne nuk kemi ofruar asnjë paketë për Komisionin e Vencias apo për çdo institucion tjetër. Ne kemi asistuar financiarisht parlamentin e Shqipërisë në punën që kanë kryer 60 ekspertët e e emëruar prej tij. Ne kemi investuar 600 mijë dollarë për parlamentin shqiptar praktikisht. Këtu fillon dhe mbaron mbështetja e Fondacionit Soros për Reformën në Drejtësi”- sqaron Andi Dobrushi drejtor ekzekutiv i Fondacionit “Soros”.

Por debati mbi veprimtarinë e Fondacionit Soros në Shqipëri është më i hershëm se Reforma në Drejtësi. Ish-presidenti Berisha përkundrejt rezervave të forta dhe incidentit me dy punonjës të Fondacionit Soros që u shpallën non grada prej tij, me argumentin se ishin kapur nga shërbimet sekrete shqiptare duke iu dhënë informacione shërbimeve serbe, e vlerëson kontributin e Sorosit në fillim të viteve 90.

“Por kjo natyrisht nuk ndërpreu marrëdhëniet midis vendit tonë dhe Xhorxh Soros. Investimi i tij në Shqipëri për ngritjen dhe mbështetjen e shoqërisë civile, ishte shumë i mirpritur nga unë. Unë isha president i një vendi, në atë përiudhë i treti më i varfër në botë. Njerëzit nuk kishin asnjë mundësi të udhëtonin, nuk kishin mundësi të siguronin zyra, dhe e vërteta është së në këtë drejtim Fondacioni Soros, mendoj se ishte burimi kryesor i financimit dhe krijimit të këtyre organizatave”- pohon zoti Berisha.

Xhorxh Soros ndikoi në Shqipëri në fillim të viteve 90-të në mbështetjen dhe organizimin e shoqërisë civile. Por kjo veprimtari u shoqërua nga opinione dhe gjykime të ndryshme shpeshherë dhe të ashpra.

“Pas 4-5 vitesh konstatova se ky ishte një investim pothuajse tërësisht i njëanshëm dhe Xhorxh Soros ngriti një rrjet shoqatash të cilat në 80-90% të tyre ishin leva të ish-partisë komuniste, të partisë socialiste që ndërroi emrin. Ishte një dëmtim palcor i rolit dhe misionit të shoqërisë civile”- shprehet Sali Berisha, ish- Presdient i Shqipërisë.

“Në një kuadër më të gjerë Xhorxh Sorosi është njeri pas politikave progresiste dhe liberale dhe njëkohësisht dhe një nga kontribuesit në vendet postkomuniste. Kështu që dihet që është një antikomunist. Nuk mund të jetë një njeri që investon tek e majta”- shprehet Edlira Gjoni, Drejtuese e Qendrës për Ndikim Publik.

“Në një fondacion që punon për gratë e trafikuara, ti nuk i thua një gruaje a je e majtë apo e djathtë që unë të të shërbej dhe të jap shërbimin tim. Për këtë arsye them që paratë që janë derdhur për shoqërinë civile 80% e tyre kanë shkuar tek ata që kanë patur nevojë për t’i marrë këto shërbime”- thotë Iris Luarasi, aktiviste e të drejtave të grave.

Protagonistë të shoqërisë civile veçojnë meritën e Xhorxh Sorosit në lëvrimin e 130 milion dollarëve në arsim, mjekësi, në ndihmë të komunitetit rom dhe egjiptian, në ndihmë të familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit, duke iu dhënë mbështetje ligjore si dhe mjaft projekte të tjera.

“Gjithashtu nuk duhet të harrojmë se në kohën kur Berisha ishte president, ky njeri financonte ndërtimin e mbi 200 shkollave. Kështu që nuk mund të mohohen investimet që Soros ka bërë, pavarësisht se cila parti ka qenë në pushtet”- thotë Edlira Gjoni, Drejtuese e Qendrës për Ndikim Publik.

“Asgjë si mohohet asgjë. Dhe unë kam bashkëpunuar me Xhorxh Sorosin në dekadën e romëve. Qeveria ime me Organizatën e Kombeve të Bashkuara është angazhuar me interes të veçantë në këtë drejtim”- shprehet Sali Berisha ish Kryeministër i Shqipërisë.

“Problemi që ka lindur në Shqipëri me problemin Soros lidhet kryesisht me programin politik, pra të trajnimit të lidershipit dhë të forcimit të kapaciteteve të partive politike”- shprehet Lavdrim Lita, bashkëthemelues i Qendrës Zëri i Integrimit.

Komponenti politik është dhe fusha gri e gjithë debatit ndaj figurës së Xhorxh Sorosit. Kundërshtarët e tij në Shqipëri shohin tek ai një mbështetës dhe financues të fuqishëm të së majtës dhe eksponentëve të saj.

“Kemi një ç’ekuilibrim të balancës politike në raport me Fondacionin Soros. Kemi një raport 8-2, pra kemi një favorizim e partive politike më bindje të majta dhe lënie mënjanë e PD dhe partive të qendrës së djathtë” – argumenton Lavdrim Lita, bashkëthemelues i Qendrës Zëri i Integrimit.

“Në këtë mes është e vështirë të spekulosh se mbështetja ka qenë 80% për të majtët dhe 20 për të djathtët sepse unë nuk e di se kush është kjo shoqëri civile që është e majtë dhe kush është e djathtë” - sqaron Andi Dobrushi drejtor ekzekutiv i Fondacionit Soros.

“Ai mund të thotë se unë kam financuar edhe qendrën e djathtë, por ato kanë qenë stërpika krahasuar më milionat e milionat, që ai derdhi për financimin e ish pasardhësve të nomenklaturës”- shprehet Sali Berisha ish Kryeministër i Shqipërisë.

“Për rastin e zotit Basha, për çfarë informacioni kam unë, ka patur një marrëveshje mes Univeristetit të Uhtretit dhe Fondacionit Soros për bursa të përbashkëta për studentët shqiptarë. Dhe ka rastisur që dhe zoti Basha ka qenë student në atë kohë dhe ka përfituar prej tyre. Nuk besoj se ka patur një bursë specifike për zotin Basha”- sqaron Andi Dobrushi drejtor ekzekutiv i Fondacionit Soros.

“Unë nuk di të këtë marrë bursë, por edhe sikur të ketë marrë bursë, kjo nuk do të thotë që unë të mbetem skllav i një burse. Po të jetë ashtu dhe nësë do të isha në vendin e tij ja ktheja ato para”- pohon ish Kryeministri Sali Berisha

Fondacioni Soros drejtohet nga një bord, në përbërje të të cilit vit pas viti kanë qenë mjaft përsonalitete të jetës shoqërore dhe politike në Shqipëri. Sot nën dritën e re të diskutimit dhe debatit mbi rolin dhe ndikimin e Xhorxh Soros për një shoqëri të hapur, mjaft emra shigjetohen si tregues, se filantropi ka mbështetur të majtën ekstreme duke sjellë pasoja për vendin.

“Edi Rama vetë ka qenë kryesor në Fondacionin Soros. Linda Rama vetë ka qenë drejtuese e Fondacionit Soros. Erjon Veliaj gjithashtu. Në një aspekt, me paratë e tij është mbjellë fara e korrupsionit e paimagjinueshme. Nuk është se nuk ka ekzistuar korrupsioni, por dhe ka ndikuar”- shprehet Sali Berisha ish Kryeministër i Shqipërisë.

“Në bordin e Fondacionit Soros njerëzit nuk vijnë të bëjnë karrierë dhe nuk e ndërtojnë karrierën e tyre nga bordi i fondacionit përkundrazi të mos harrojmë se në bordin e fondacionit kanë qenë njerëz si Ylli Popa, Ismail Kadareja. Ka patur gjithnjë një balancë në përbërjen e bordit sidomos përsa i përket si bindjeve po ashtu dhe prurjeve dhe ideve”- argumenton Andi Dobrushi drejtor ekzekutiv i Fondacionit Soros.

Ish Kryeministri Sali Berisha thotë për Zërin e Amerikës se takimi i tij i fundit me zotin Soros ishte pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2005.

“Xhorxh Sorosin e kam pritur në 2005-ën. Fitova zgjedhjet dhe ai erdhi për Edi Ramën. E prita në një drekë, diskutova, i përcaktova qëndrimet e mija se unë kam ndërmend të bashkëpunoj më të gjithë pushtetin vendor, dhe natyrisht dhe me kryetarin e bashkisë së Tiranës, kam ndërmend të bashkëpunoj me opozitën. Interesi i tij në këtë takim ishte Edi Rama.”

“Ne kemi punuar dhe bashkëpunuar me të gjitha qeveritë si të majta ashtu dhe të djathta. Mund të jemi konfrontuar madje me to, siç ka qenë rasti i Gërdecit. Raste të tjera janë aktuale. Një çështje e pacientes hemofilike, që është fituar në gjykatë kundër Ministrisë së Drejtësisë. Çështje tjetër është një e sëmurë që vuante nga kanceri dhe që nuk i jepeshin medikamentet nga Ministria e Shëndetësisë. Në Tepelenë përshëmbull kundër ndërtimit të hidrocentraleve. Kemi raste të tjera të ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë. Janë çështje juridike që vazhdojnë”- argumenton Andi Dobrushi drejtor ekzekutiv i Fondacionit Soros.

Lidhur me pyetjen e Zërit të Amerikës se kritikët shprehen se Partia Demokratike po kërkon të gjejë një armik të jashtëm pasi nuk arrin të jetë frymëzuese për mbështetësit e saj, zoti Berisha shprehet se:

“Sot opozita është shumicë dhe do të ishte absurde të mendohej se PD do të preferonte për armik një superspekulant të planetit me një fuqi të jashtzakonshme, sepse përdor paratë për të blerë politikanët dhe politikë, si askush tjetër në botë. Por Partia Demokratike guxon dhe do të guxojë t’i thotë të vërtetat në sy.”

Debati mbi aktivitetin e miliarderit Xhorxh Soros dhe rolin e tij në mbështetje të shoqërisë civile nuk është një çështje thjesht dhe vetëm shqiptare. Filantropi është i atakuar edhe në Amerikë pasi ai mbështet demokratët dhe është kundërshtar i fortë i Presidentit Tramp. Kritika ndaj ideologjisë Soros për një shoqëri të hapur, pati vitet e fundit edhe në disa vende të Europës, veçanërisht në Hungari dhe Maqedoninë e Veriut. Vala e këtij diskutimi ngre pikpyetje mbi këtë figurë komplekse, që u bë i pasur duke investuar fonde më risk, dhe që një pjesë të parave të tij, në ndryshim nga mjaft miliarderë të tjerë, ka zgjedhur t’i shpenzojë për forcimin e atyre që ai e quan shoqëri të hapura.

voa

Erdogani, Putini dhe Rohani diskutojnë për konfliktin në Siri

Putin SiriaKundërshtarët e luftës në një tryezë: Presidenti turk Erdogan ka pritur Presidentin rus Putin dhe homologun e tij iranian Rohani për bisedime për Sirinë. Ankaraja druhet për një valë të re refugjatësh.

Përpjekje për të gjetur një zgjidhje në Siri: Turqia, Rusia dhe Irani po diskutojnë në Ankara situatën katastrofike në kështjellën e kryengritësve Idlib. Përveç kësaj, sipas burimeve turke, në fokusin e Presidentëve Rexhep Tajip Erdogan, Vladimir Putin dhe Hassan Rohani është edhe një kthim vullnetar i refugjatëve në Siri.

Në rajonin e Idlibit jetojnë rreth tre milion vetë. Qeveria e Sirisë kërcënon për sulme të mëtejshme në këtë zonë. Po të ndodhë kjo, qindra mijëra vetë mund të merrnin arratinë për në Turqi dhe prej andej në Evropë. Erdogani dëshiron të parandalojë një përshkallëzim të mëtejshëm të luftimeve. Vendi i tij tashmë ka pranuar më shumë se 3.6 milionë refugjatë sirianë.

Turqia mbështet në Siri grupe të ndryshme kryengritësish. Rusia dhe Irani, nga ana tjetër, janë në anën e Presidentit Sirian Bashar al-Asad. Në të ashtuquajturin proces të Astanas, të tria shtetet kanë zhvilluar negociata që nga viti 2017 për të gjetur një zgjidhje në vendin e përfshirë nga lufta civile – deri tani me pak sukses.

Në shtatorin e vitit të kaluar, Putini dhe Erdogani patën rënë dakord që të krijonin një zonë tampon në Idlib. Edhe atëherë synohej që të parandalohej një ofensivë qeveritare. Sidoqoftë, marrëveshja dështoi, pjesërisht sepse grupi më i fortë kryengritës në rajon, milicia militante islamike “Haiat Tahrir al-Sham (HTS)”, nuk ndihej i lidhur me marrëveshjen

Rohani tani u shpreh për vazhdimin e luftës në kështjellën e kryengritësve. “Në Idlib, terroristët janë ende të pranishëm dhe prandaj është e nevojshme që lufta kundër tyre atje të vazhdojë “, tha Rohani para se të nisej për në Ankara.

Rusia, Turqia dhe Irani gjithashtu po përpiqen të formojnë një komitet kushtetues për Sirinë. Në fund të gushtit, kancelarja Angela Merkel tha në samitin e G7-ës në Biarritz se një proces i tillë politik mund të fillojë së shpejti.

dw

Ushtria amerikane në Gjermani – shifra dhe fakte

USA Patch Barracks

Presidenti amerikan Trump kërcënon se do t’i tërheqë trupat amerikane nga Gjermania. Ai ngrihet kundër një tradite që ekziston prej më shumë se 70 vjetësh. Të dyja shtetet kanë kohë që kanë interesa të përbashkëta.

Për një kohë të gjatë Republika Federale e Gjermanisë ishte një shtet në vijën e parë të frontit. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ajo kufizohej drejtpërdrejt me disa nga shtete komuniste, të sunduara nga ish-Bashkimi Sovjetik në Evropën Lindore. Pas humbjes së luftës nga “Rajhu i Tretë”, Gjermania u bë një pjesë e rëndësishme e strategjisë amerikane të mbrojtjes në Evropë. Në veçanti, gjatë pushtimit nga aleatët pas Luftës së Dytë Botërore, prej vitit 1945 deri në vitin 1955, në Gjermani u stacionuan rreth 400.000 ushtarë të huaj, gjysma e tyre amerikanë.

Prej atëherë numri i trupave ka rënë në mënyrë drastike, por ushtria amerikane vazhdon të jetë e pranishme me një numër të konsiderueshëm trupash në Gjermani, pavarësisht nga mosmarrëveshja aktuale për kostot e stacionimit në Gjermani. Ekziston gjithashtu një numër i madh bazash ushtarake amerikane.

Sot, rëndësia strategjike e Gjermanisë për SHBA pasqyrohet në selinë e “Komandës Evropiane të SHBA” (EUCOM), e vendosur në jugperëndim të Stuttgartit. Ajo është instanca qendrore e koordinimit për të gjitha forcat amerikane në 51 vende kryesisht evropiane.

Detyra e EUCOM-it është mbrojtja edhe ushtarakisht e Shteteve të Bashkuara. Kjo arrihet me anë të një veprimtarie me të cilën qendra e komandës parandalon konfliktet sa më shumë që të jetë e mundur, por në rast dyshimi vepron edhe si parandaluese. Ajo gjithashtu mbështet aleancën e përbashkët të mbrojtjes të NATO-s dhe kundërvepron ndaj kërcënimeve transnacionale. Nën komandën e EUCOM-it janë edhe US Army Europe (Ushtria Amerikane Evropë), US Air Forces (Forcat Ajrore të SHBA) në Evropë dhe US Marine Corps Forces Europe (Forcat Detare të SHBA në Evropë), të gjitha këto kanë degë në Gjermani.

Dimensionet e një dislokimi

Në tërësi, Gjermania strehon rreth 38.600 ushtarë, që është pjesa më e madhe e trupave amerikane në Evropë. Sidoqoftë, shifrat ndryshojnë, pasi trupat zhvendosen vazhdimisht në vende të tjera. Pas Japonisë, Gjermania është vendi ku janë vendosur kontingjentet më të mëdhenj të ushtrisë amerikane në të gjithë botën.

Por shifrat vitet e fundit kanë rënë. Sipas Qeverisë Federale, numri i trupave amerikane të stacionuara në Gjermani, midis viteve 2006 dhe 2018 më shumë se është përgjysmuar: nga 72.400 në 33.250. Shkaku i rënies është situata e ndryshuar e sigurisë globale, së cilës ushtria amerikane i është përgjigjur me zhvendosje trupash.

Marinsa, ushtarë dhe forca ajrore

Sipas shifrave të publikuara nga ushtria amerikane, pesë garnizonet aktualisht kanë rreth 29.000 ushtarë. Këtu përfshihet edhe “Korpusi Detar i Evropës dhe Afrikës” me qendër në Böblingen në jugperëndim të Gjermanisë.

Veç kësaj rreth 9600 ushtarakë të Forcave Ajrore të SHBA janë të stacionuar në vende të ndryshme në Gjermani, siç janë dy bazat e Forcave Ajrore të SHBA, Ramstein dhe Spangdahlem.

Ushtria amerikane në Gjermani: më shumë sesa thjesht trupa

Në objektet ushtarake amerikane janë të punësuar jo vetëm ushtarë, por edhe civilë amerikanë. Për më tepër, shumë ushtarakë sjellin edhe familjet e tyre jashtë shtetit. Në këtë mënyrë, rreth bazave të SHBA janë krijuar komunitete të mëdha civile. Disa prej tyre, siç është baza ajrore e Ramsteinit, janë bërë qytete të vogla. Në to bëjnë pjesë jo vetëm kazerma, aeroporte, terrene trajnimi dhe depo  materialesh, por edhe qendra tregtare, shkolla, shërbime postare dhe polici. Dollari amerikan është monedha kryesore e ligjshme për pagesa.

Edhe baza më e madhe në botë e ushtrisë amerikane është gjithashtu në Gjermani, përkatësisht Bavaria-Garnison pranë Grafenwöhr, në kufi me Republikën Çeke. Me një sipërfaqe prej mbi 390 kilometra katrorë, ajo ua kalon të gjitha bazave të tjera të SHBA. Atje gjithashtu jetojnë më shumë njerëz që jetojnë në çdo institucion tjetër ushtarak amerikan, rreth 4000 ushtarë dhe të afërmit e tyre.

Në baza shpesh punojnë edhe shumë banorë vendas. Kështu, bazat janë gjeneruese stimujsh ekonomikë për komunat gjermane përreth, ndërmarrjet e të cilave ofrojnë mallra dhe shërbime. Kur u mbyllën disa baza, si garnizoni i ushtrisë në Bamberg në vitin 2014, kjo pati një pati pasoja të ndjeshme në ekonominë lokale. Edhe për këtë arsye, shumë gjermanë që punojnë pranë baza ushtarake amerikane shprehen kundër një pakësimi të mundshëm të trupave.

Kritika ndaj bazave

Por SHBA nuk i stacionojnë avionët e tyre vetëm në bazat e veta. Një numër i madh ndodhet edhe në bazat joamerikane të Forcave Ajrore në Gjermani. Përveç kësaj, në bazë të marrëveshjes bërthamore ushtarake të NATO-s, në bazën ajore gjermane në Buchel në Gjermaninë perëndimore janë stacionuar rreth 20 armë bërthamore – një fakt që shumë gjermanë e kritikojnë ashpër.

Po aq i diskutueshëm është edhe fakti që baza e Forcave Ajrore Ramstein përdoret si qendër kontrolli për sulmet me avionë në Jemen dhe në vende të tjera. Edhe kjo i zemëron shumë gjermanë.

Angazhimi financiar i Gjermanisë

Qeveria gjermane, në shtatë vitet e fundit ka vënë në dispozicion të trupave amerikane të stacionuar në vend rreth 243 milion euro si mbështetje. Kjo shumë përfshin pagesa pensioni për ish-punëtorët, si dhe shpenzime për mirëmbajtjen e ndërtesave dhe të tokave.

Për më tepër, qeveria gjermane vuri në dispozicion 480 milion euro të tjera për të mbuluar kostot e ndërtimit të lidhura me NATO-n në Gjermani. Ata shkuan “pothuajse plotësisht” në tokat e ushtrisë amerikane, siç doli në pah nga një përgjigje e Ministrisë së Financave ndaj një pyetjeje parlamentare të Partisë E Majta.

dw

Kur Polonia qe e humbur: Sulmi sovjetik para 80 vjetësh

Stalin

Vetëm 17 ditë pasi nazistët sulmuan Poloninë, në të marshoi edhe fqinji lindor. 17 shtatori 1939 rëndon edhe sot në marrëdhëniet polako-ruse. Pajtim nuk duket të ketë.

“Kur unë pashë, që nga Perëndimi depërtonin gjermanët dhe nga Lindja rusët, mendova, se ky është fundi ynë”, kujtonte 17 shtatorin 1939 dëshmitari i kohës lindur më 1913 Eugeniusz Sajkowski, në një raportim të ARD-së. “Polonia jonë sërish do të mbahet peng për më shumë se 120 vjet. Populli ynë ka humbur.”

Në orën 6 të mëngjesit marshuan mbi 4.000 tanke sovjetike drejt Polonisë. Stalini dërgoi më shumë avionë se sa Rajhu Gjerman. ishte një invazion pa shpallur luftën dhe një luftë jo proporcionale, sepse trupat polake ishin në numër në disavantazh duke qenë të preokupuara me gjermanët. Deri në këtë ditë, mendon historiani polak Zbigniew Woźniczka, mund të kishte së paku shpresë, që lufta për Poloninë nuk do të çonte në një katastrofë totale. Në Varshavë qendronin trupat, ndërsa qytetet e mëdha Lublin, Vilna apo Lemberg ende nuk ishin pushtuar. Nëse fuqitë perëndimore do të jepnin vërtetë ndihmë, a do të mund të ruhej ndoshta një pjesë e Polonisë? Por më 17 shtator mbrojtësve iu hoq edhe filli i fundit i shpresës. Në Lindje nuk pati luftime, dhe kryekomandanti polak Rydz-Śmigły dha urdhërin: “Ne nuk luftojmë kundër bolshevikëve.”

Aq edhe më shumë rëndojnë plagët shpirtërore në sfondin e një “tradhëtie”, të bashkëveprimit të partenerëve jo të barabartë kundër Polonisë dhe festimet e përbashkëta të fitores të sovjetikëve me nazistët. Polonia sërish ra viktimë e fqinjëve të saj. Shpesh bëhet fjalë për ndarjen e kartërt të vendit.

Trashëgimi i Stalinit ka efekt ende sot

“Shepsh pretendohet, se Polonia ka vuajtur më së shumti nën gjermanët”, thotë Zbigniew Woźniczka, hisotrian në Universitetin e Silezisë. Por nuk është kaq e thjeshtë. “Për brezin e asaj kohe në Poloni, që e njihte kohën e ndarjes, armiku më i keq nuk ishte Gjermania, por Rusia. Rusia cariste, kryengritjet e mposhtura, deportimet në Siberi – me marshimin më 17 shtator të gjitha këto u rikthyen.” Ndonëse shume shpejt u kuptua që prej gjermanëve vinte një rrezik vdekjeprurës. Ndërsa horrori i pushtimit nazist dikur mori fund, trashëgimia e Stalinit ka lënë hijet edhe sot. Në Poloni edhe sot janë skeptikë ndaj Rusisë.

Marrëdhëniet “me fqinjin” e madh jo vetëm janë të rënduara prej invazionit më 1939, por edhe vrasja e mijëra oficerëve polakë dhe nëpunësve të tjerë nga shërbimi NKWD, paradhës i KGB-së, më 1940 në Katyn pranë  Smolenskut, që mohohej në Bashkimin Sovjetik deri në kohën e Gorbaçovit, ende nuk është zbardhur, edhe pse Vladimir Putin më 2009 gjatë ceremonisë së 70 vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore, papritur e quajti “Katynin” një krim dhe i propzoi Polonisë zbardhjen bashkarisht të ngjarjes.

Marrëdhënie të kontaminuara

Takimi i Putinit me ish-kryeministrin polak Donald Tusk në varret e Katynit më 7 prill 2010 shumë vëzhgues e quajtën një takim historik. Për një çast pajtimi u duk i mundur. Kjo ishte vizita e parë dhe e fundit qysh atëherë e një përfaqësuesi të lartë të shtetit rus që u shprehu nderimin ofcerëve viktima në vendin e krimit stalinist. Vetëm tri ditë pas kësaj vizite ndodhi rrëzimi i avionit qeveritar polak në Smolensk me 96 pasagjerë në bord, ndër ta edhe presidenti i Polonisë Lech Kaczynski, që ndodhej në udhëtim për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të vrasjeve masive në Katyn.

Kjo fatkeqësi i spostoi sërish koordinatat politike në një aspekt, që është aq emocional sa që politika nuk është në gjendje më të vendosë ekuilibrin. Qendrimi ndaj kësaj ngjarjeje e përçan Poloninë, por po ashtu i kontaminon sërish edhe raportet me Rusisë, që nuk i jep pjesët e mbetura të avionit dhe me këtë favorizon teoritë e komploteve. Kjo madje ia bën të lehtë sot partisë konservatore të djathtë PiS, që të akuzojë Tusk për afrimin e tij asaokohe me Putinin. Me rastin e 80 vjetorit të fillimit të luftës presidentin rus as që nuk e ftuan në Poloni. Televizioni shtetëror e ilustroi këtë vendim me imazhet pa koment të takimit Tusk dhe Putin duke u përqafuar përpara 10 vjetësh.

Smolensk, Katyn, 17 shtator

Katyn, Smolensk – datat kyç të një kapitulli të ndjeshëm të historisë janë të lidhura në mënyrë të pandashme me 17 shtatorin, prej nga zuri fill kjo histori. Për të sulmuar, sulmuan gjermanët, por Bashkimi Sovjetik i Stalinit e mundësoi këtë sulm dhe rëmbeu prenë e tij në një çast kur Polonia ishte goditur thuajse tërësisht. “17 shtatori është simbol i fatkeqësisë së madhe”, thotë historiani  Woźniczka.

Ndërsa pajtimi mes Polonisë dhe Gjermanisë u mundësua edhe nga fakti, se Gjermania e pranoi fajin, ipeshkvët shkëmbenin letra dhe kancelari Willy Brandt u gjunjëzua në Varshavë, çështjet e historisë së përbashkët mes Polonisë dhe Rusisë për dekada të tëra janë lënë me një anë në favor të vëllazërisë së detyrueshme socialiste, janë tabuizuar dhe as pas kthesës nuk janë zbardhur si duhet. Ndaj gjestet më 2010 duket se janë harruar, edhe sot në Rusi shumë pak e dinë, që Bashkimi Sovjetik e goditi pas shpine Poloninë.

Perpjekja për interpretim

Himni i Ushtrisë së Kuqe “Çlirimtarë të Europës” në Poloni heshturazi “vriste veshët” për shkak të gënjeshtrës monstruoze lidhur me paktin Hitler-Stalin. Tek e fundit propagadna dështoi. Më 1953, viti i vdekjes së  Stalinit, sjell në filmin polak përpjekjen për të harmonizuat ngjarjen dhe ideologjinë. Filmi i “Erwin Axers ‘Shtëpia prej kartoni” më 17 shtator paraqet çastin e çlirimit të Polonisë nga shtypësin e saj”, thotë historiani i filmit Piotr Zwierzchowski. Polonia në kohën midis luftrave paraqitet si shteti i dobët, pra një shtëpi prej kartoni – kjo është një përpjekje për takthyer memorien kolektivge në të kundërtën.

Më 2007 kineasti polak Andrzej Wajda 17 shtatorin e trajtoi në një filmin e tij “Masakra e Katynit” – kësaj here në harmoni me kujtimin dhe ndjenjat e dëshmitarëve të kohës si Eugeniusz Sajkowski. Qysh në fillim të filmit hasim në skenën dramatike ku në një urë përballen polakët që arratisesishin prej gjermanëve drejt lindjes dhe bashkëatdhetarët të tyre që arratiseshin prej sovjetikëve drejt perëndimit. Kjo urë është kthyer në një simbol për frikërat e vjetra të ngulitura historiksiht tek Polakët, që qendrojnë në kundërthënie mes njera-tjetrën: nëse duhet pasur më shumë frikë prej fqinjit lijndor apo prej atij perëndimor. Por më 17 shtator 1939 kjo pyetje nuk ishte më e rëndësishme, kur të dy fqinjët bënë paktin dhe përkohësisht Polonia humbi.

 

Gwozdz-Pallokat, Magdalena