Beogradi fajësohet për nxitje tensionesh te serbët e Kosovës

Serbet e KosovesBeogradi zyrtar e ka rritur presionin ndaj qytetarëve serbë të Kosovës që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, ata të votojnë për Listën Serbe, thonë përfaqësuesit e tri subjekteve tjera politike rivale, koalicionit “Liria”, Partisë së Serbëve të Kosovës dhe Partisë së Pavarur Liberale, të cilat i takojnë komunitetit serb të Kosovës.

Për më shumë, sipas tyre, presioni i formave të ndryshme, është duke u ushtruar edhe ndaj përfaqësuesve, aktivistëve dhe simpatizuesve të subjekteve politike serbe, për ta zbehur dhe dobësuar garën e tyre për zgjedhjet e 6 tetorit.

Rada Trajkoviq nga koalicioni “Liria”, thotë për Radion Evropa e Lirë se presioni ndaj qytetarëve serbë të Kosovës është duke u bërë me kërcënimin se do t’i humbin vendet e punës në rast se ata votojnë kandidatë të subjekteve tjera politike serbe dhe jo të Listës Serbe, e cila gjatë 7 vjetëve të fundit ka qenë në pushtet.

Frikësimi i qytetarëve serbë, sipas saj, po bëhet në forma të ndryshme nga Beogradi.

“Fatkeqësisht, për momentin, presioni më i madh mbi serbët është duke ardhur nga Beogradi, nga disa qendra joformale, marrë parasysh që kemi informata që një grup i njerëzve i afërt me mafinë ose vetë mafia, këtë nuk e di, ka depërtuar te Liqeni i Ujmanit (Gazivodës), në Qendrën Ekologjike. Sipas asaj që thonë serbët nga veriu, ardhja e atyre njerëzve është në funksion të frikësimit të serbëve”, thotë Trajkoviq.

Lidhur me pohimet e zonjës Trajkoviq, kërcënimet e mundshme ndaj qytetarëve serbë dhe presionin eventual për të ndikuar në procesin zgjedhor, Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje për ndonjë hetim, por i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “në aspektin policor, e trajton çdo informacion dhe në përputhje me vlerësimet, ndërmerr veprimet e saj ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

Aleksandar Jabllanoviq, lider i Partisë së Serbëve të Kosovës, parti kjo e cila ka fushëveprim më të madh në veri të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se presioni ndaj qytetarëve serbë, i cili ka ekzistuar edhe më herët, tashmë është shtuar para zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Ne, si parti, kemi presion të madh dhe të tmerrshëm këtu në veri, i cili është shkaktuar nga ana e institucioneve të Qeverisë së Serbisë, si dhe nga struktura të caktuara kriminale, të cilat u janë të njohura mirë Policisë së Kosovës dhe përfaqësive diplomatike ndërkombëtare në Kosovë. Përveç pamundësimit të një veprimi normal politik, këtu ekziston një dozë e madhe e frikës dhe kjo frikë është rezultat i kërcënimeve dhe dhunës së pandërprerë të serbëve ndaj serbëve”.

“Kjo është e dirigjuar nga Beogradi me qëllimin që të frikësohen të gjithë serbët që mendojnë ndryshe nga politika zyrtare e saj, si dhe të nënshtrohen dhe dëgjojnë direktivat që vijnë nga Beogradi, e të cilat vijnë më shumë përmes qarqeve që janë më shumë kriminale dhe joformale se sa që janë zyrtare”, thotë Jabllanoviq.

Për presionin ndaj përkrahësve të subjekteve rivale të Listës Serbe, ka folur për Radion Evropa e Lirë edhe Slobodan Petroviq, lider i Partisë së Pavarur Liberale.

“Kemi disa fakte. Ja, pikërisht,një njeri në Shtërpcë është pushuar nga puna. Ai është kryetar i këshilli tonë në Komunën e Shtërpcës. Ai ka punuar atje në shëndetësi dhe është pushuar nga puna nga eprori i tij, për shkak se nuk i është përulur kërkesës së tij që të shpërndajë këshillin e Partisë së Pavarur Liberale dhe që publikisht të dalë dhe ta përkrahë Listën Serbe”, thekson Petroviq.

Pavarësisht tentimeve të Radios Evropa e Lirë për të kontaktuar me përfaqësuesit e Listës Serbe, ata nuk kanë qenë të qasshëm. Por, në një komunikatë të këtij subjekti politik, të lëshuar për media ditën e premte, Lista Serbe i ka cilësuar deklaratat e përfaqësuesve të partive tjera serbe, në paraqitjet e tyre në media, si sulme ndaj mbijetesës së popullit serb në Kosovë.

“Ajo që po bëjnë Rada Trajkoviq, Nenad Nashiq, Slobodan Petroviq dhe Slavisha Petkoviq, duke e sulmuar Listën Serbe dhe institucionet serbe, është sulm i drejtpërdrejtë ndaj mbijetesës së popullit serb. Qëllimi i tyre politik është që të shuhen institucionet serbe në Kosovë, në mënyrë që të hiqen dhjetëra mijëra paga, pensione dhe përfitime sociale, të cilat i financon shteti jonë i Serbisë dhe të fundosen në sistemin e ‘Kosovës së pavarur plotësisht’”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe, e cila është themeluar dhe ka mbështetjen e plotë nga Beogradi zyrtar.

Rreth një javë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka thënë mediave në Serbi se kanë të dhëna dhe informacione, të cilat nuk do të publikohen kurrë, lidhur me presionin që u është bërë subjekteve të caktuara serbe që të dalin në zgjedhje, ta konkurrojnë Listën Serbe, në mënyrë që kjo e fundit të marrë sa më pak vota dhe rrjedhimisht të zvogëlohet ndikimi i Beogradit në politikën e Prishtinës.

“Unë jam i sigurt që populli serb në Kosovë do të zgjedhë të votojë për Listën Serbe, për shkak se kjo është mënyra e vetme që të mbijetojmë dhe mënyra e vetme që të punojmë bashkë dhe të luftojmë për të ardhmen”, ka deklaruar Vuçiq.

Dushan Radakoviq, drejtor ekzekutiv i Qendrës për përfaqësim të kulturës demokratike, në Mitrovicën Veriore, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzistojnë thashetheme nga të gjitha subjektet politike serbe për presion ndaj tyre dhe qytetarëve, por ata deri më tash, në veri të Kosovës nuk kanë të evidencuar ndonjë rast të konfirmuar. Të gjitha këto, sipas tij, paralajmërojnë fushatë zgjedhore me tensione.

“Fushata do të jetë mjaft e keqe, stresuese dhe mjaft radikale. Do të ketë akuza të mëdha nga të gjitha anët. Unë mendoj që cilado parti, qoftë e pakicave, qoftë e shumicës, shqetësimin duhet ta paraqesë në prokurorinë kompetente dhe të hetohet secila akuzë”, thekson Radakoviq.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se ky institucion është duke u marrë me hetime të caktuara mbi raste që cenojnë sigurinë dhe procesin zgjedhor, po ai nuk specifikon ndonjë rast konkret.

“Po, ka pasur diçka. Sigurisht që do të ndërmerren hapat konkretë. Ne jemi duke u marrë me këtë, do të thotë, hetuesia në bashkëpunim me ne, jemi duke punuar në këtë drejtim dhe jemi duke e përcjellë gjendjen. Mirëpo, për emra konkretë dhe për raste konkrete, ende është herët të flasim. Kryesorja është se ne po merremi me këtë”, thotë Hoxha.

Sidoqoftë, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 6 tetor, 4 subjekte politike serbe do të garojnë për 10 ulëse të garantuara për komunitetin pakicë serb në Kuvendin e Kosovës, i cili ka 120 ulëse. Në legjislaturën e kaluar, Lista Serbe ka pasur 9 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

rel

Tiranë: Kriza politike vazhdon

kuvendiAmbasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca ftoi palët politike në Shqipëri të ulen në tryezën e bisedimeve për gjetjen e një kompromisi për daljen nga kriza politike dhe institucionale.

Afrimi i tetorit, kur Këshilli Europian do të marrë vendimin për Shqipërinë lidhur me negociatat e anëtarësimit, ka shtuar thirrjet e BE për uljen e palëve në tryezën e bisedimeve dhe gjetjen e një kompromisi për daljen nga kriza politike dhe institucionale, që vazhdon prej 7 muajsh. Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca ftoi të premten, (13.09.2019), partitë politike të ulen në dialog për të arritur këtë qëllim dhe shtuar shanset e një vendimi pozitiv nga Brukseli. “Kontaktet mes qeverisë dhe aktorëve të tjerë politikë duhet të vazhdojnë në 5 javët në vijim përpara takimit të Brukselit”, tha Soreca të premten pas nënshkrimit me qeverinë Rama të Marrëveshjes financiare IPA ( Instrumenti i Para Anëtarësimit). Soreca sugjeroi reformën zgjedhore si shtysë për të nisur dialogun me opozitën jashtë parlamentit, të cilën e quajti ” diçka specifike”.

Reforma zgjedhore – reformë tjetër kyç për  Shqipërinë

„Reforma zgjedhore është e rëndësishme dhe e nevojshme, pasi do të sillte një gjë të rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë, për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre. Mbi 90 për qind e qytetarëve shqiptarë që i përkasin gjithë spektrit politik të shoqërisë shqiptare dëshirojnë që Shqipëria të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Europian. Prandaj të gjithë politikanët duhet të përfshihen në këtë dialog”, argumentoi Soreca.

Por dialogu për këtë duket i vështirë për momentin, edhe pse reforma zgjedhore është reforma e dytë e rëndësishme, pas Reformës në Drejtësi, edhe pse kryerja e saj do të bëjë të mundur ndarjen nga zgjedhje „atipike, pa pjesëmarrjen e opozitës”, gjë për të cilën të gjitha partitë janë të interesuara. Partitë e vogla opozitare jashtë parlamentit përfshirë edhe LSI kanë dhënë sinjale, se edhe mund të ulen në tryezën e bisedimeve për reformën zgjedhore. Por Partia Demokratike, që kryeson këtë opozitë, nuk jep asnjë shenjë gatishmërie për të filluar dialogun me qeverinë dhe maxhorancën socialiste për këtë reformë. Thirrjeve të BE dhe faktorit ndërkombëtar, ftesës së kryeministrit Rama dhe mazhorancës socialiste për bashkëpunim dhe dialog ajo i përgjigjet me paralajmërimin për rifillimin e protestave antiqeveritare, largimin e kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të parakohshme, si e vetmja rrugë e daljes nga kriza e shkaktuar, që opozita e konsideron të shkaktuar nga lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar dhe manipulimin e zgjedhjeve.

Meta: Dalja nga kriza – ҫmontimi i shtetit të gënjeshtrës

Presidenti Meta, fati politik i të cilit do të varet nga opinioni i Komisionit të Venecias, në fillim të tetorit, nëse ka kryer apo jo veprim anti-kushtetues lidhur me dekretet e tij që shfuqizuan datën 30 qershor si  datën e Lokaleve 2019 dhe dekretuan 13 tetorin, është po kaq i ashpër në kritikat ndaj qeverisjes Rama. Sipas tij dalja nga kriza e thellë politike edhe institucionale do të vijë përmes betejës së gjithë shqiptarëve ”për të çmontuar shtetin e propagandës, të gënjeshtrës që po i merr shpirtin shtetit të së drejtës”, tha ai  të premten në mbrëmje, (13.09) i ftuar në  një televizion lokal.  Procedurat e shkarkimit të tij vazhdojnë, por Meta tha, se “do të japë dorëheqjen, nëse Komisioni i Venecias në opinionin e tij konkludon se ka shkelur Kushtetutën”, pa pritur që të gjykohet nga Gjykata Kushtetuese që pritet të ngrihet. Ndërkohë që dekreti i tij për përsëritje të Lokaleve 2019 mbeti në letër, pasi as që bëhet fjalë për përsëritjen e zgjedhjeve, të fituara nga PS në masën 60 bashki nga 61 që ka gjithsej Shqipëria.

Partia Demokratike mes protestës dhe dialogut

Refuzimi i deritanishëm i dialogut dhe rifillimi i protestave e vendos PD përballë situatash të vështira. Gjasat që t’ia dalë mbanë me protestat e vjeshtës të rrëzojë Ramën janë të pakta. Në protestat kombëtare shkurt-qershor ajo nuk e arriti këtë synim, po ashtu edhe Lokalet 2019 më 30 qershor u zhvilluan. PD ka përballë opozitën e re parlamentare, të gatshme të bashkëpunojë me maxhorancën socialiste për reformën zgjedhore. Qëndrimi jashtë sistemit mbart rreziqe për ekzistencën e partisë më të madhe opozitare në Shqipëri. Lidershipi i saj është i vetëdijshëm për këtë rrezik dhe tani për tani duket i mbetur pezull në zgjedhjen politike: protesta apo dialog dhe marrveshje me Ramën.

dw

Gjenden mbetje plastike në trupat e fëmijëve

femijeEnti Federal i Mjedisit ka gjetur thuajse te të gjithë fëmijët e kontrolluar mbetje plastike. Disa syresh janë të dëmshme për shëndetin. Gjithsej janë kërkuar 15 lëndë plastike te ndryshme te 2500 fëmijë.

Studimi bazohet në analiza të bëra në  periudhën 2003-2017. Rezultati i tyre është alarmues: “Mbeturinat e 11 lëndëve plastike janë gjetur në urinën e 97 përqind fëmijëve. “Kjo, sigurisht, është dramatike. Lëndë të tilla nuk duhet të gjenden në trupat e fëmijëve”, tha zëdhënësja e Grupit Parlamentar të Të Gjelbërve në Bundestag, Bettina Hoffmann. Veç kësaj, lëndë të tilla, që dëmtojnë hormonet,  supozohet të luajnë një  rol nxitës në të ashtuquajturat sëmundjet e civilizimit, siç janë obeziteti, çrregullimet e fertilitetit, kanceri dhe vonesat në zhvillim.

Më të vegjlit janë më të prekurit

Studimi citohet në një përgjigje të qeverisë gjermane ndaj një pyetjeje të grupit parlamentar “Të Gjelbrit” për dëmtimin e popullsisë nga mbetjet kimike. Ai nxjerr në pah se se sa më i lartë të jetë prodhimi i lëndëve plastike, aq më shumë gjenden ato në trupat e fëmijëve, i tha bashkautorja e studimit, Marike Kolossa-Gehring, revistës së përjavshme, DerSpiegel.

Sipas saj, grupmosha më e ndjeshme është ajo e fëmijëve parashkollorë. “Është e papranueshme që çdo i katërti fëmijë – midis moshave tre dhe pesë vjeçare –  të ketë aq shumë mbeturina plastike në trup, sa të mos përjashtohet me siguri rreziku i dëmit nga këto lëndë toksike,” ankohet Hoffmann.

Më shqetësueset janë sidomos nivelet e larta të acidit perfluorooctanoic (PFOA). Ai përdoret, për shembull, për veshjet e aktiviteteve në natyrë. Sipas Agjencisë Federale të Mjedisit, kjo lëndë dëmton fertilitetin dhe mëlçinë. Vitin e ardhshëm, ky acid do të jetë i ndaluar në të gjitha vendet e BE-së.
Familjet më të varfra janë më të prekura 

Në këtë studim, Agjencia Federale e Mjedisit ka pyetur edhe për ambientin në të cilin jetojnë fëmijët, se a jetojnë buzë një rruge me shumë trafik, a pihet duhani në shtëpi, cilat prodhime përdoren më shpesh në jetën e përditshme, për shembull, a përdoren detergjentë të ashpër në pastrim ose zbutës pas larjes së rrobave, çfarë lëndësh përdoren në shtëpi për mbulesa, perde apo qilima. Rezultati: te fëmijët që rriten në familje të varfra janë gjetur më shumë mbetje plastike se te fëmijët me një status të lartë shoqëror.

Nga këndvështrimi i të Gjelbërve, këtu nevojitet ndërhyrja e politikës. Nuk mjafton përpjekja e konsumatorëve të shmangin përdorimin e panevojshëm të plastikës. “Askush nga ne nuk mund të mbrohet vetë nga ky rrezik”, thotë Hoffmann. “Ne nuk e dimë se ku janë këto lëndë. Prandaj politika duhet të marrë përsipër t’i ndalojë këto lëndë në treg.

Edhe pas shume kohe ende ne trup

Se sa e rëndësishme është që lëndë të tilla të dëmshme të hiqen nga qarkullimi, këtë e dëshmon edhe një tjetër rezultat i studimit afatgjat të Entit Federal të Mjedisit. Në trupat e fëmijëve janë gjetur edhe mbeturina plumbi ose të një pesticidi të ndaluar prej shumë kohësh, DDT, megjithëse në periudhën e studimit, 2003-2017,  ndotja me këto lëndë ka qenë shumë e ulët. Por shumë shpesh, derisa këto substanca të zhduken përfundimisht, duhet të kalojnë vite të tëra.

dw

Një studim i ri mbi stërvitjen për të moshuarit

stervitja te moshuaritLarg të luajturit domino, pensionistët e sotshëm kërkojnë më tepër të rinovojnë abonimin në palestër. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, një studim i ri tregon se të moshuarit përfitojnë më shumë prej llojit të ushtrimeve që vetëm pak vite më parë konsideroheshin të rrezikshme për trupat e tyre.

Në kryeqytetin kinez, të moshuarit hedhin poshtë paragjykimin se janë “të vjetër dhe të brishtë”.

“Që kur dola në pension nuk kam me çfarë të merrem, kështu që vij këtu dhe stërvitem”, thotë Yu Songwang, fermer 68-vjeçar në pension.

Yu Songwang është një nga qindra të moshuarit që stërviten në Tempullin e Parajsës, në Pekin.

“Nuk rri në shtëpi, pasi nuk kam ç’të bëj. Bëj një orë not, pastaj ushtroj muskujt, dhe në vazhdim luaj bilardo. Gjëra që më pëlqejnë”, thotë zoti Yu.

Studiuesit thonë se i ka kaluar koha mendimit se stërvitja është e tepërt për trupin e të moshuarve.

“Strategjia më e mirë për t’u mbrojtur nga sëmundjet që kombinohen me vështirësitë e moshës, është përqafimi i një stërvitjeje të rregullt”, thotë dr. Leigh Breen, i Shkollës së Sportit dhe Rehabilitimit Nëpërmjet Stërvitjes, në Universitetin e Birminghamit.

Ushtrimet e rezistencës rrisin masën muskulare dhe densitetin e kockave, dy aspekte të rëndësishme për mirëqenien e trupave të moshuar.

“Kërkuam të zbulojmë nëse muskujt e individëve që kishin qenë tepër aktivë gjatë jetës së tyre, super atletë i quajmë ne, reagonin më mirë ndaj ushtrimeve të rezistencës, krahasuar me të moshuarin e zakonshëm që ka bërë jetë sedentare. Zbuluam se muskujt e tyre reagojnë në mënyrë identike ndaj ushtrimeve të rezistencës”, thotë Dr. Breen.

Ai u sugjeron njerëzve në të 50-tat apo 60-tat që të përfshijnë në javën e tyre, stërvitje force dy deri në tre ditë në javë.

“Konstatuam deri në 20% krijim muskujsh nga stërvitja tek të gjithë të moshuarit që nuk ishin stërvitur më parë”, thotë Dr. Breen.

Dr. Breen thotë se anëtarësimi në palestër është shumë pozitiv, por edhe ushtrimet e thjeshta për uljen e peshës ndikuan për mirë tek të moshuarit.

“Fëmijët janë rritur dhe nipi im shkon në shkollë. Unë jam mbi 80 vjeçe tashmë. Me çfarë të merrem? Stërvitem dhe mundohem mos t’i bezdis fëmijët e mi”, thotë pensionistja 82-vjeçare, Wang Bingxiang.

Studimi i Universitetit të Birminghamit përfshiu grupmoshën e meshkujve 65 – 80 vjeç. Dr. Breen thotë se në vazhdim do të bëjnë një studim të ri për gratë.

voa

Karrige me rrota që vihet në lëvizje me shprehjet e fytyrës

Karrige me rrotaTë lëvizësh me karrige me rrota, duhet të bësh disa manovrime por por një karrige si Wheelie e bën po aq të lehtë sa një ngritje vetullash. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh njofton.

Shprehjet e fytyrës përcjellin emocione të ndryshme, por ka raste kur ato shërbejnë edhe për funksione më praktike. I tillë është rasti i Wheelie-t, një program kompjuterik që u jep mundësi përdoruesve të kontrollojnë karrigen me rrota, përmes shprehjeve të fytyrës.

“Kuadroplegjikët, njerëz të diagnostikuar me ALS apo gjithkush tjetër që nuk mund të kontrollonte një karrige elektrike me rrota me duart e tyre, mund ta kontrollojnë me lëvizje fytyre, si një puthje, një buzëqeshje, një ngritje vetullash”, thotë presidenti i kompanisë HOOBOX Robotics, Paul Pinheiro.

Zhvilluar nga kompania e re braziliane, shërbimi me një çmim 300 dollarë në muaj përdor një kamera Intel “RealSense” për të kapur pika të ndryshme në fytyrën e përdoruesit.

“Programi është shumë, shumë i saktë dhe kap vijat përreth gojës, syve dhe vetullave”.

Një kompjuter i lidhur me karrigen, nxjerr një hartë me tre përmasa të fytyrës, duke diktuar deri në 11 shprehje të ndryshme të fytyrës.

“Teknologjia funksionon pavarësisht nga pozicioni i kokës. Mund ta lëvizësh kameran që të mos ta kesh para fytyrës.”

Është një nivel lirie të lëvizuri për përdoruesit që jo gjithmonë mund ta provojnë këtë ndjesi. Jim Ryan është tetraplegjik dhe zakonisht përdor kokën për të kontrolluar karrigen me rrota.

“Më e rëndësishmja është se mund ta kthej kokën majtas dhe djathtas. Në përgjithësi unë jam i bllokuar, prandaj kjo solli një ndryshim të madh”, thotë Jim Ryan.

Edhe lëvizje fare të vogla, mund të interpretohen disa sekonda para shprehjes së plotë të fyryrës. Ky lloj precizioni kthehet në aftësi për të lëvizur në kohë reale, përmes një doreze robotike që drejton kontrollin e karriges.

Por ka disa shqetësime se teknologjia mund të mos jetë aq praktike.

“Ndonjëherë shprehjet e fytyrës janë të pavullnetshme. Mund të jesh duke ecur rrugës, sheh një reklamë me humor dhe buzëqesh”, thotë Jeshua Aveno, specialist për teknologjinë për invalidët.

Ndoshta duhet një farë kohe për t’u mësuar por zoti Pinheiro beson se përdoruesit përfitojnë konsiderueshëm përsa i takon pavarësisë së tyre.

“Pikërisht këtë siguron Wheelie, jo vetëm lëvizje por veçanërisht pavarësi dhe vetëbesim”.

Dhe kështu, duke u dhënë atyre që nuk lëvizin dot, një arsye për të buzëqeshur.

voa

Tiranë: BE fton partitë politike për dialog

PD PSNë Tiranë, ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreka, ftoi partitë politike të nisin dialogun për tema të rëndësishme të vendit. Ai tha se një temë konkrete dialogu mund të ishte reforma zgjedhore.

Drejtuesi i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadori Luigi Soreca, tha sot se kontaktet mes qeverisë dhe aktorëve të tjerë politikë duhet të vazhdojnë në 5 javët në vijim përpara takimit të Brukselit.

Shqipëria dhe BE nënshkruan sot një marrëveshje IPA për një shumë prej 94 milionë euro, që i akordohen Shqipërisë për fusha si lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, reforma në drejtësi. Kjo tregon edhe një herë, sipas ambasadorit Soreca, angazhimin e BE-së me Shqipërinë, duke dhënë fonde të rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë reformat e saj

“BE – tha zoti Soreca – u ka kërkuar shumë shpesh partive politike shqiptare të përfshihen në dialog dhe të marrin pjesë në dialog, i cili duhet të nisë nga diçka specifike. Ndoshta kjo gjë specifike mund të jetë reforma zgedhore. Reforma zgjedhore është e rëndësishme dhe e nevojshme, pasi do të sillte një gjë të rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë, duke folur për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre. Kjo do të bëhet në mënyrë të drejtë dhe në përputhje me të gjitha standartet ndërkombëtare.Çelja e negociatave do të ndihmonte edhe sa i përket dialogut. Mbi 90 për qind e qytetarëve shqiptarë dëshirojnë që shqipëria të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Europian. Këta 90 për qind i përkasin gjithë spektrit politik të shoqërisë shqiptare. Ndaj edhe gjithë politikanët duhet të përfshihen në këtë dialog” – tha zoti Sroreca.

Por opozita komentoi për “Zërin e Amerikës”, se qeveria është e papërgjegjshme me krizën dhe zhvillon vetëm dialog të pasinqertë për interesa të ditës. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të opozitës, Gazmend Bardhi, tha për “Zërin e Amerikës” pas komenteve të ambasadorit të BE-së se thirrja për dialog nga partnerët është e kuptueshme, e përsëritur dhe shprehje e shqetësimit të tyre mbi situatën në vend.

“Për Partinë Demokratike ka qenë dhe mbetet i papranueshëm një dialog i pasinqertë, që zgjidh situatën momentale, por që nuk ka në fokus interesin afatgjatë të qytetarëve dhe vendosmërinë e tyre për zbatimin në Shqipëri të standardeve euro-atlantike të nevojshme. Deri tani kundërshtarët tanë politikë dhe kryeministri Edi Rama kanë shprehur mungesë përgjegjshmërie për të kuptuar situatën që kanë krijuar në vend dhe shkaqet reale të krizës politike, që janë keqqeverisja dhe bashkëpunimi i politikës me krimin në zgjedhje, që kanë cënuar shtyllën themelore të demokracisë: zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Dialogu i sinqertë mund të nisë vetëm atëherë kur shkaqet e krizës të evidentohen qartë dhe qeveria të pranojë përgjegjësinë për situatën që ka krijuar në vend. Problemet në Shqipëri dhe kriza e thellë institucionale, politike dhe kushtetuese, nuk zgjidhen me reformën zgjedhore, edhe pse kjo e fundit është e nevojshme dhe duhet të realizohet” – tha zoti Bardhi.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka shprehur shpesh vullnetin e saj për dialog me opozitën, edhe pasi ajo u largua në shkurt nga parlamenti.

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, thotë për “Zërin e Amerikës” se shumica dëshiron të komunikojë me opozitën jashtë parlamentare, dhe dora për dialog mbetet përherë e shtrirë drejt saj.

“Shembulli më i mirë i gadishmërisë tonë për dialog me opozitën është fakti se në Komisionin e Reformës i është lënë një karrige bosh edhe Partisë Demokratike për të ushtruar të drejtën e saj, për të bërë propozime. vitin e ardhshëm Shqipëria vitin e ardhshëm merr presidencën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, ndaj reforma zgjedhore dhe ajo gjyqësore janë detyrime” – u shpreh zoti Balla. Ai theksoi se pa depolitizuar komisionet e zgjedhjeve, ne nuk kemi bërë reformë zgjedhore në Shqipëri. Pa hequr partitë politike nga numërimi i votave, ne nuk kemi bërë reformë zgjedhore”. Zoti Balla tha se, krahas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, e vetmja kërkesë e Partisë Socialiste për reformën zgjedhore është mundësimi i votimit për emigrantët shqiptarë.

Megjithë ftesat dhe deklaratat e vazhdueshme, shenjat për dialog mes forcave politike shqiptare ende nuk shihen, dhe opozita ka paralajmëruar një rifillim të protestave në kërkim të zgjedhjeve të parakohshme me një qeveri tranzitore.

voa

BE-ja do të vëzhgojë zgjedhjet në Kosovë

MogheriniBashkimi Evropian do të vëzhgojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë që mbahen më 6 tetor, duke e cilësuar këtë veprim dëshmi të përkushtimit ndaj proceseve demokratike në Kosovë.

Shefja e politikës së Jashtme të BE-së nw largim, Federica Mogherini ka emëruar anëtaren e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, shefe të Misionit Vëzhgues.

Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se “Kosova mbetet përparësi politike për BE-në dhe vendosja e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve konfirmon angazhimin dhe përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të mbështetur procest demokratike në Kosovë”.

Ajo është shprehur e bindur se misioni do të ndihmojë mbajtjen e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse, të besueshme dhe transparente.

“Këto zgjedhje zhvillohen në një periudhë të rëndësishme për Kosovën, e cila duhet të lëvizë vendosmërisht për të përparuar në rrugën evropiane, në reforma dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, citohet të ketë thënë zonja Mogherini.

Zgjedhjet e reja në Kosovë pasuan dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj më 19 korrik pasi u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

Diplomatët perëndimorë po u bëjnë thirrje partive politike që të krijojnë një mjedis të qetë e të sigurt për zgjedhjet e 6 tetorit dhe të shmangen keqpërdorimet e votës dhe frikësimet e kandidatëve dhe votuesve serbë të Kosovës që nuk ishin të rreshtuar me Listën Serbe në zgjedhjet e kaluara.

Diplomatët po ashtu presin formimin e shpejtë të një qeverie të re që do të ishte e gatshme të mënjanojë pengesat për vazhdimin e shpejtë të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

voa

Rama te deputetët gjermanë

Rama MerkelNë prag të vendimit të Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave me Shqipërinë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u raportoi të premten deputetëve të Komisionit të Bashkimit Evropian.

Se çfarë u fol, në  takimet e kryeministrit Edi Rama me kancelaren Angela Merkel dhe  presidentin e Bundestagut, Wolfgang Schäuble këtë nuk e mësuam dot. Ato ishin konfidenciale.  Por simpatia e tyre per kryeministrin shqiptar doli ne pah, kur te dy politikanet gjermane postuan ne faqen e tyre  te internetit nga një foto me dhuratën qe u kishte sjelle kryeministri i Shqiperise: Nga nje kopje te librit per artin e tij,  të cilin ai do ta prezantojë të dielën, më 15.09.2019 në Berlin Art Week, së bashku me bashkautorin, artistin Anri Sala.

Në Komisionin e Bundestagut për Çështje të Bashkimit Evropian u fol për një libër tjetër: raportin e progresit të Komisionit të BE-së për Shqipërinë, që u publikua në fund të majit, e ku, me gjithë rekomandimin për çeljen e negociatave të anëtarësimit, evidentohen një sërë sfidash që Shqipëria ka ende përpara.

Edhe ky takim ishte me dyer të mbyllura, por sipas pjesëmarrësve, kryeministri shqiptar, iu përgjigj pyetjeve të deputetëve gjermanë për sfidat që rezultojnë nga vërejtjet e progresraportit. Për shumë deputetë të CDU/CSU-së shmangja e disa prej këtyre mangësive janë kushte, për çeljen e kapitujve të negociatave. Ato kanë të bëjnë me ndërtimin e një gjyqësori të pavarur, përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar, sidomos atij të drogës dhe realizimi i reformës zgjedhore. Ky ishte konsultimi i fundit i deputetëve në Bundestag, para se të krijonin opinionin për Shqipërinë, të cilin, sipas të gjitha gjasave do ta hedhin në votë në datën 27 shtator.

Christian Petry optimist

Për socialdemokratët dhe të gjelbrit, të cilët e kanë shprehur qysh herët qëndrimin e tyre pro çeljes së negociatave, ky dëgjim nuk solli ndonjë ndryshim në opinion. Deputeti socialdemokrat Christian Petry, i tha Deutsche Welles, se partia  e tij është duke finalizuar kompromisin me kristiandemokratët dhe kristiansocialët. Sipas Petryt “po shtohen gjasat që në datat 26 ose 27 shtator të votojmë për një “Po, me kushte”.

Shefi i komisionit parlamentar për çështje të BE-së, Günter Krichbaum, CDU, një nga politikanët më skeptikë deri tani për çeljen e negociatave me Shqipërinë, nuk u prononcua pas dëgjimit të Ramës në Bundestag. Por një ditë më parë, në një intervistë me DW, ai kishte deklaruar, se nuk e përjashton mundësinë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të ecin në rrugë të ndryshme drejt BE-së.

Nga qarqet e CDU/CSU-së gjithashtu mësohet se dëshira e kancelares Angela Merkel, e cila e thekson vazhdimisht rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor, është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të hyjnë së toku në procesin çeljes së negociatave. Shanset duken të mira që kancelarja kësaj radhe t’ua mbushë mendjen edhe kolegëve më skeptikë të saj që ta shohin Shqipërinë me sy më pozitiv dhe të japin “po”-në e premtuar qysh në qershorin e vitit 2018.

dw

Hulumtimet për asgjesimin e mushkonjave

MushkonjaKlinikat e shëndetit publik në qytete si Rio de Zhanerio njoftojnë për shtimin e rasteve të viruseve të bartura nga mushkonjat. Një lloj mushkonje fajësohet si bartësi kryesor i sëmundjeve. Hulumtuesit në Brazil kanë ndërtuar kurthe për kapjen e mushkonjave para se ato të godasin popullatën.

Mushkonja bartëse të “Gripit të Verdhë” janë shumë të rrezikshme. Një pickim prej tyre mund të shkaktojë sëmundje kërcënuese për jetën si epidemia zika mes të tjerash. Garcia Vergara është mjek.

“Mushkonjat kanë shumë mënyra për t’u fshehur dhe shumuar. Nëse nuk neutralizohen vatrat kryesore në ekosisteme, mushkonjat do të vazhdojnë të egzistojnë.”

Klinikat e shëndetit në Rio de Zhaneiro thonë se dyshojnë në më shumë se një milion raste me ethe tropikale me afro 388 vdekje vetëm në gjysmën e parë të viti 2019. Një shtim ky me 163 përqind nga një vit më parë.

Ivo Carlos është profesor i stomatologjisë në Universitetin e Brazilit. Kur i kishte fëmijët e vegjël, ai filloi të kërkonte mënyra për të bllokuar mushkonjën Aedes që të arrinin tek ata.

“Ky grafik tregon ndjeshmërinë e dritës tek speciet femra që janë bartëse të viruseve të mushkonjave.”

Profesori gjeti një studim në revistën mjekësore për ndjeshmërinë e mushkonjave ndaj dritës. Ai planifikoi të ndërtonte një kurth por kishte nevojë për ndihmë dhe furnizime me mushkonja, duke u drejtuar kështu tek departamenti i kimisë në universitet.

Ai filloi të bashkëpunojë me profesoren Monica Ferreira Moreira që studionte shumimin e mushkonjave dhe efektet e substancave të ndryshme në biologjinë e tyre.

“Realizuam tre eksperimente me intensitete të ndryshme drite dhe ngjyrash. Rezultatet ishin të dukshme. Kurthet me dritë jeshile kapën më shumë mushkonja, 19 nga 20 prej tyre”, -tregon zonja Monica Ferreira Moreira.

Viruset e mushkonjave mund të shkaktojnë dhimbje koke apo të muskujve, enjte dhe skuqje të lëkurës. Ato përbëjnë rrezik të madh për të sapolindurit dhe të moshuarit. Maria Guiomar Lopes tregon se nëna dhe vajza e saj janë të prekura nga një lloj virusi i bartur nga mushkonjat.

“Unë nuk u infektova dhe as babai im. Por nëna dhe vajza ime u prekën nga virusi si dhe shumë fqinjë. Unë nuk u preka dhe mendoj se kurthi i mushkonjave është efektiv.”

Grupi i hulumtuesve mori miratimin për një patentë botërore dhe aktualisht po punon me industrinë lokale për prodhimin e kurthit. Ndërsa mushkonja Aedes është një insekt tropikal, klimat më të ngrohta nënkuptojnë se së shpejti kjo mushkonjë mund të përhapet edhe në zona të tjera që më përpara kanë qënë të paarritshme.

Krichbaum optimist për Maqedoninë e Veriut

KrichbaumVendimi për hapjen ose jo të bisedimeve të pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Europian merret në muajin tetor.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov qëndroi të enjten (12.09) në Berlin ku diskutoi me parlamentarë gjermanë dhe ekspertë të ministrive gjermane dhe Fondacioni Körber, për Marrëveshjen e Prespës dhe reformat që po kryen rajoni. Vizita e tij në Berlin u zhvillua pak javë para se BE të marrë vendimin për fillimin ose jo të bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në fund të vizitës së tij, Deutsche Welle zhvilloi këtë intervistë me parlamentarin kristiandemokrat gjerman, Günter Krichbaum.

Deutsche Welle: Zoti Krichbaum, si kaloi takimi me ministrin maqedonas Dimitrov?

Günther Krichbaum: Unë pata një takim shumë të mirë informues me Ministrin e Jashtëm, Dimitrov. Ne e njohim njëri tjetrin prej vitesh dhe kohët e fundit kemi qenë në kontakt më të ngushtë. Tani që shtrohet pyetja a do të fillojnë bisedimet e pranimit me Maqedoninë Veriore apo jo, kjo pyetje nuk mund të ndahet edhe nga pyetja si do të shkojë puna me Shqipërinë. Ajo që mund të them unë është se në parlamentin gjerman, Bundestag, mendimi për Maqedoninë Veriore është shumë i mirë, Maqedonia Veriore ka imazh pozitiv në Gjermani. Unë mund të flas vetëm për parlamentin gjerman, jo për parlamentet e tjera europiane, aq më pak për Bashkimin Europian, por unë jam i bindur se në muajin tetor Këshilli do të marrë një vendim pozitiv për Maqedoninë Veriore.

Deutsche Welle: Ju pra jeni i bindur se do të ndizet drita jeshile nga Bundestagu? Kur pritet të diskutohet për Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë, në fund të muajit shtator?

Günter Krichbaum: Unë mendoj se përpjekjet që po bën Maqedonia Veriore vlerësohen, sepse me Marrëveshjen e Prespës u arrit të zgjidhet një konflikt shumë vjeçar me Greqinë. Ky sukses vlerësohet. Por nuk duhet harruar që vazhdojnë të ekzistojnë sfida të mëdha përpara, si për shembull reforma e sistemit të drejtësisë, ose që ekonomia duhet të zhvillohet në mënyrë që të tërheqë investimet direkte. Dhe shumë fusha të tjera duhen zhvilluar sipër shembull liria e shtypit dhe gazetaria. Të gjitha këto janë fusha që dihen, dhe ku priten përparime. Ne nuk po flasim për pranim në BE këtë vit, por po flasim për fillimin e bisedimeve të pranimit. Ky do të jetë një proces i gjatë, ku duhet patur shumë durim. Por rruga është e qartë, rrugë në drejtim të Bashkimit Europian. Dhe meqenëse pyetët për segmentin kohor, ne do të zhvillojmë në fund të shtatorit diskutimet në Komisionin e parlamentar të Bundestagut që merret me çështjet europiane, përkatësisht do të marrim vendimin në parlamentin gjerman dhe në muajin tetor do të merret vendimi përfundimtar.

Deutsche Welle: Sa realiste është që nëse në Shqipëri vazhdojnë problemet procesi të zhvillohet i ndarë për Shqipërinë dhe Maqedoninë?

Günther Krichbaum: Siç thashë ne Bundestagun gjerman jemi duke u këshilluar edhe për Shqipërinë,  dhe sa i përket pyetjes suaj për ndarje mund të them se që prej raundit të fundit të zgjerimit të BE, me 10 plus 2 shtete, më 2004 dhe 2007 është parë se është më mirë që vendet të vlerësohen sipas përparimeve që bëjnë vetë, me të ashtuquajturën “principle of own merit”. Prandaj vendet duhen gjykuar për përpjekjet që bëjnë. Për mua është e qartë se mund të bëhet shkëputja e dy vendeve, e megjithatë në fund mund të ndodhë që bisedimet të fillojnë në të njëjtën kohë për të dy vendet. Nuk po flasim për fillimin e bisedimeve për kapitujt e pranimit, se ky është hapi i dytë. Ky principle of own merit, është një princip i BE dhe secili vend vlerësohet për sukseset e veta.

dw