Propozohet huamarrje e re për aksin Kërçovë-Ohër

autostrada-oher-kercoveOpozita maqedonase në Kuvend me ngulmë kërkoi të marrë sqarime direkt nga ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski për huamarrjen shtesë për ndërtimin e rrugës Kërçovë-Ohër.

Por, ministri zgjodhi të mos paraqitet në seancën e Komisionin për financa dhe buxhet kurse përfaqësuese e vetme e Qeverisë ishte zv/ministrja e Financave Shiret Elezi. Për shumicën, mungesa e ministrit në debat nuk përbën pengesë për vazhdimin e procedurës.

“Këtë detyrim unë si zv/kryetar dhe shërbimet e kemi plotësuar. Është e drejtë e tij të vendosë nëse do të marrë pjesë ose jo në seancë. Nuk ka pengesë sipas Rregullores që të vazhdojmë me punën”, tha Pançe Minov, nënkryetar i Komisionin për financa.

“Nuk e di pse kështu i amnistoni ministrat të cilat jo vetëm sipas rregullores por janë të obliguar me kërkesë të deputetëve të cilët e kanë kërkuar në komisionin amë për propozim-ligjin të cilin edhe ai e propozon. Deputetët e opozitës kërkojnë dhe insistojnë që ministri për transport dhe lidhje të vijë në Komisionin për financa dhe buxhet sepse kemi pyetje konkrete”, theksoi Liljana Zaturovska, deputete e OBRM-PDUKM-së.

Seanca u shty disa herë për të pritur ministrin Sugarevski i cili gjithsesi zgjodhi të mos paraqitet para deputetëve.

Qeveria propozon huamarrje shtesë për përfundimin e aksit Kërçovë-Ohër i cili sipas Marrëveshjes së parë do të kushtonte mbi 505 milion dollar. Më vonë janë nënshkruar edhe disa Anekse të tjera të marrëveshjes. Për realizimin e aktiviteteve plotësuese të parapara me Aneksin nr.3 janë të nevojshme 179 milion dollar shtesë të cilat do të sigurohen me Marrëveshje për huamarrje për financim plotësues të aksit Kërçovë-Ohër nga Banka kineze për eksport dhe import./Alsat/

Zvarritjet e procesit zgjedhor në Kosovë

zgjedhjetDeri në tri javë mund të zgjasë procesi i rinumërimit të mbi 1400 vendvotimeve në Kosovë. Çertifikimi i rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara në shtator duhet të presë ende.

Procesit të zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë nuk po i shihet fundi, ndonëse KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare, por ishte Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) që ktheu pothuajse gati në fillim procesin e numërimit. Pas ankesave të partive politike për parregullsi në rezultate, një herë mbi 400 vendvotime dhe së fundi mbi 1400 vendvotime, votat duhet të rinumërohen dhe kjo mund ta ndryshojë rezultatin përfundimtar. Ajo nuk mund të ndryshojë renditjen e partisë fituese të zgjedhjeve, por numrin e deputetëve.

Procesi i rinumërimit të 1472 vendvotimeve, filloi më (13.11), dhe ky proces pritet të zgjatë jo më pak se tre javë. Si pasojë çertifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit do të zvarritet deri në fillim të dhjetorit. Këtë e thonë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë procesin e zgjedhjeve, si KDI.

“Nëse merret parasysh dinamika e procesit të rinumërimit nga procesi paraprak që është zhvilluar në dy raundet e rinumërimit, atëherë unë besoj se me dinamikën e njëjtë do t’i duhen QNR të paktën deri në 3 javë për të përfunduar procesi i rinumërimit për këto qendra”, thotë Eugen Cakolli.

Ku mund të ketë ndryshim rezultati?

Në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve mund të sjellë ndryshime një vendim i PZAP-së, që me një vendim shpalli të jashtëligjshme afro 3100 vota të ardhura nga Serbia. Në bazë të sistemit proporcional, mungesa e këtyre votave në rezultatin përfundimtar, mund t’i sigurojë kalimin e pragut dhe hyrjen në parlament koalicionit Nisma-AKR-PD, e cila mund të sigurojë pak mbi 5%, ose gjashtë ulëse në Kuvend që rrjedhimisht e ndërron edhe numrin e ulëseve të partive të tjera. Vetëvendosja nga 32 në 29 deputetë, LDK, nga 29 në 28, PDK nga 26 në 25 dhe AAK nga 14 në 13 deputet, por, kjo do të dihet pasi të rinumërohen kutitë nga vendvotimet dhe të shpallet sërish rezultati përfundimtar, ku nuk do të ketë më të drejtë ankimimi.

Serbia kritike pas vendimit në Prishtinë

Për shpalljen e jashtëligjshme të mbi 3 mijë votave të ardhura nga Serbia, reagoi shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq. “Jo vetëm që nuk u lejohet të jetojnë në vatrën e tyre shekullore, por edhe u mohohet e drejta për të shprehur vullnetin e tyre politik në çfarëdo mënyre”, citojnë mediet në Serbi Marko Gjuriqin. Sipas tij, pasi Lista Srpska doli subjekti politik nga radhët e serbëve më i votuar në Kosovë, “në Prishtinë dolën me idenë që ato të anulohen”, tha Gjuriq. Megjithatë sipas tij, Lista Srpska vazhdon t’i mbajë 10 vendet e rezervuara për ta.

Megjithë zvarritjen e përfundimit të procesit zgjedhor të zgjedhjeve të 6 tetorit, dy partitë që dolën të parat në zgjedhje, lëvizja Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, po vazhdojnë harmonizimin e programeve të tyre për koalicionin e përbashkët qeverisës. Pretendent për postin e kryeministrit është lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti, meqenëse partia e tij doli e para në zgjedhje.

Për krijimin e qeverisë së re të Kosovës duhet pritur çertifikimi i rezultatit të zgjedhjeve. Pastaj bëhet konstituimi i Kuvendit dhe betimi i deputetëve të rinj. Më pas presidenti i Kosovës i kërkon partisë fituese të zgjedhjeve apo koalicionit pas-zgjedhor që duhet formuar me partinë fituese, nominimin e kandidatit të saj për kryeministër, i cili duhet të marrë të paktën 61 vota nga 120 vende në parlament në mënyrë që ta marrë mandatin për krijimin e qeverisë së re.

Pakicat kombëtare kanë 20 vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës, ndërsa, në qeverinë e re të paktën një dikaster qeveritar duhet t’i takojë përfaqësuesve të serbëve të Kosovës. Bazuar në dinamikën e zhvillimeve rreth përmbylljes së procesit zgjedhor, sipas analistëve qeveria e re e Kosovës mund të formohet deri në fund të dhjetorit.

dw

Kushtetuesja, Vorpsi zgjedh të betohet para një noteri

Arta VorpsiThellohet kaosi me emërimet në Gjykatën kushtetuese, e kthyer në një mollë sherri, mes Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe shumicës së majtë qeverisëse. Arta Vorpsi, kandidatja e cila ishte e para në listën për vakancën e shpallur nga Kreu i Shtetit, e që sipas vendimit të botuar në Fletoren zyrtare, është shpallur automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ka bërë një lëvizje të papritur, duke u betuar te një notere.

Përpara noteres Miranda Xhemalçe, ajo ka lexuar formulën e betimit: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia, do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”. Por me vetë aktin e betimit përpara një notereje, zonja Vorpsi, duket se ka bërë një shkelje të hapur, pikërisht të Kushtetutës e cila përcakton në mënyrë fare të qartë në nenin 129 se “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”. Një kopje të betimit të saj, ajo ja ka dërguar dhe Presidenti Meta, ashtu dhe vetë Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se nuk është e qartë se cfarë vlere juridike mund të ketë një akt i tillë.

Presidenti Meta deklaroi mbrëmë se botimi në Fletoren zyrtare sipas tij nuk ka vlerë. “Çdo botim kontrabandë në Fletoren zyrtare padyshim që nuk sjell asnjë detyrim për presidentin e Republikës”, u shpreh zoti Meta, i cili më parë, për të njejtën vakancë emëroi Marsida Xhaferllarin në tejkalim të afatit 30 ditor që i përcakton atij Ligji për Gjykatën Kushtetuese.

Përmes zëdhënësit të tij, zotit Meta reagoi me ironi pas lajmit të betimit të zonjës Vorpsi, duke deklaruar se “nuk pengoj askënd të betohet as te noterja, as te parukierja”.

voa

Si e paraqiti Turqia sulmin në Siri si një përpjekje mbarë-islamike

ErdoganNdërsa Turqia njoftoi muajin e kaluar operacionin e saj ushtarak në Sirinë verilindore, zyrtarët turq thanë se operacioni do të “parandalonte krijimin e një korridori terrori” përgjatë kufirit jugor të Turqisë me Sirinë. Megjithatë, brenda vendit mysliman mesazhi u vesh edhe me një tipar fetar – ofensiva u përshkrua si një luftë islamike ndaj të “pafeve”.

Disa ekspertë dhe vëzhgues të vendit thonë se mesazhi fetar i qeverisë turke është një përzierje e ideologjisë dhe propagandës që synon të promovojë ambicien e Presidentit Erdogan që dëshiron të shihet si udhëheqësi dhe mbrojtësi i botës myslimane.

Ndërsa njoftonte operacionin më 9 tetor, zoti Erdogan shkruajti anglisht në Twitter se operacioni i ushtrisë turke dhe militantëve aleatë sirianë ishte të “neutralizonin rreziqet terroriste” kurde ndaj Turqisë dhe të krijonin një zonë të sigurtë për rikthimin e refugjatëve sirianë. Në mesazhet e tij në gjuhën turke dhe arabe, ai i përshkruajti forcat ushtarake si “heronjtë e Ushtrisë Muhamedane”, një term që e ka prejardhjen nga Perandoria Osmane.

Pas disa ditësh të operacionit, zoti Erdogan e përkufizoi atë në terma fetare në disa fjalime publike, duke pretenduar se synonte mbrojtjen e dinjitetit të “unmah”-s, ose ndryshe, botës myslimane. Gjatë një fjalimi tek takimi i grupit të Partisë për Drejtësisë dhe Zhvillim (APK) më 29 tetor, ai i lavdëroi rebelët sirianë të mbështetur nga Turqia si “xhihadistë që madje intimidojnë dhe vrasin edhe vetë vdekjen”.

Aykan Erdemir, një ish-ligjvënës turk që tashmë punon tek Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se zoti Erdogan, që nga krijimi i partisë AKP në vitin 2001, është munduar t’i paraqitet Perëndimit si një reformator demokratik liberal, ndërsa ka promovuar një ton fetar brenda vendit.

Ripërkufizimi i debateve për politikat laike në kuadrin e retorikës së islamit politik është një nga strategjitë që ka përdorur Erdogani për të forcuar hegjemoninë e tij ideologjike”, thotë zoti Erdemir, duke shtuar se retorika mund të përdoret si një mjet efikas për krijimin e opinionit shoqëror.

Deri më sot, ai ka vazhduar të përdorë zhargonin islamik për të ushqyer besnikët brenda dhe jashtë vendit, ndërsa përdor një retorikë të kuruar për audiencat perëndimore”, i tha zoti Erdemir Zërit të Amerikës.

Më 25 tetor, pas faljes të së premtes në një xhami në Stamboll, zoti Erdogan mbajti një fjalim ku citoi Kuranin dhe u tha besimtarëve se Allahu u premton fitoren myslimanëve dhe i urdhëron ata të bëhen të ashpër ndaj “të pafeve”.

Operacioni në Siri u urdhërua nga Zoti

Justifikimi fetar për ofensivën ndaj forcave të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara nuk u kufizua vetëm tek fjalimet e Erdoganit.

Në mbarë xhamitë e Turqisë, departamenti i çështjeve fetare Diyanet, organizoi falje dhe recitime të kapitullit të Kuranit “Pushtimi”, duke e transmetuar atë me altoparlantë. Mediat kryesore turke, ndër to edhe Agjensia shtetërore Anadolu, transmetojnë klerikë islamikë që u thonë besimtarëve se operacioni në Sirinë verilindore ishte i udhëruar nga Zoti.

Media pro-qeveritare shpërndau dhjetëra postime ku shfaqen myslimanë nga mbarë bota që recitojnë kapitullin “Pushtimi” të Kuranit, në mbështetje të ushtrisë turke.

Abdullah Bozkurt, autor turk dhe drejtor i Rrjetit Kërkimor dhe Monitorues Nordik, i tha Zërit të Amerikës se përdorimi i institucioneve fetare vazhdon ta ndihmojë Erdoganin për mobilizimin e mbështetësve të tij, në veçanti bazën e vendosur fetare që është jetësore për mbijetesën e tij politike.

Zoti Bozkurt thotë se duke përdorur simbolet fetare dhe komunitetet islamike, zoti Erdogan shikon edhe mundësinë të fitojë simpatinë e grupeve të diasporës turke dhe të myslimanëve joturkë në Perëndim.

Ai mendon se kjo e ndihmon të fitojë avantazh dhe të forcojë pozicionin e tij në negociatat me hartuesit e politikave në Perëndim. Kjo është më e dukshme kur Erdogani udhëton drejt kryeqytetit amerikan dhe kryeqyteteve evropiane, ku ai takohet gjithmonë me personalitete myslimane dhe fetare në takime publike për të mbajtur mesazhe me tone fetare”, i tha zoti Bozkurt Zërit të Amerikës.

Michael Rubin, studiues me Institutin Amerikan të Sipërmarrjes, paralajmëron se përdorimi i vazhdueshëm i fesë nga zyrtarët turq për të justifikuar politikat e tyre, mund të krijojë një seri problemesh me të cilat shoqëria turke ndoshta do të përballet për vite të tëra.

Pas 16 vite erdoganizmi, një brez i tërë fëmijësh turq të indoktrinuar në shkolla dhe ushtarakësh e kanë ndryshuar rrënjësisht Turqinë”, thotë zoti Rubin, duke shtuar se strategjia ndoshta do të ndikojë edhe marrëdhëniet e Turqisë me vendet perëndimore që janë të shqetësuara për drejtimin që ka marrë Turqia.

Për ata që e kanë vëzhguar Erdoganin, kjo është shumë shqetësuese”, thotë zoti Rubin. Ai shton se mesazhi mbarë-islamik shpesh përdoret për të nxitur goditjen e Perëndimit, në veçanti kur interesat përputhen gjatë zhvillimeve si në Sirinë verilindore.

Mbjellja e përçarjes

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë kanë kritikuar operacionin e Turqisë ndaj forcave kurde. Presidenti amerikan Donald Trump është zotuar të vendosë sanksione të ashpra dhe Bashkimi Evropian ka kufizuar eksportet e armëve drejt Turqisë, si reagim ndaj ofensivës ushtarake në Siri.

Në përgjigje, zyrtarët turq kanë akuzuar Perëndimin se po komploton të përçajë botën myslimane dhe të shpërndajë konflikt mes vendeve myslimane, për të përfituar nga pasuritë e tyre kombëtare.

Gjatë një konference për shtyp të shtunën në Antalia të Turqisë, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha se operacioni në Siri shmangu një komplot të Perëndimit për të krijuar një “shtet terrori” në Sirinë verilindore, përmes fuqizimit të forcave kurde.

Një grup vendesh të udhëhequra nga Izraeli donin të vendosnin një shtet terrori në Sirinë veriore dhe ne ua prishëm planet”, tha zoti Cavusoglu gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Hadi Soleimanpour, këshilltar në Ministrinë e Jashtme të Iranit dhe sekretar i përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik.

Ministri i Brendshëm turk Suleyman Soylu ka bërë komente të ngjashme kundër Perëndimit, që sipas tij është “zotuar të eliminojë Islamin dhe popujt e tij nga këto vise”.

Max Hoffman, një ekspert për Turqinë në Qendrën për Progresin Amerikan në Uashington, thotë se retorika e zyrtarëve turq për Perëndimin, reflekton një ndryshim thelbësor në pikëpamjet e tyre për influencën e SHBA-së në botë.

Më gjerë, ai dhe rrethi i tij i afërt besojnë se bota është shumëpolare dhe se SHBA-ja është në rënie. Ata duan që Turqia të jetë një fuqi më vete”, thotë zoti Hoffman, duke shtuar se ky perceptim e ka shtyrë zotin Erdogan të përqafojë një përqasje marrje-dhënieje me SHBA-në dhe Evropën, si dhe të kultivojë lidhjet me Iranin, Kinën dhe në veçanti Rusinë.

Ndërsa zoti Erdogan pritet të vazhdojë kultivimin e mbështetjes fetare, zoti Hoffman tha nuk ka gjasa që kjo politikë të shkaktojë “islamizimin e Turqisë”.

Qëllimi i zotit Erdogan për të ngritur një ‘gjeneratë të përkorë’ ndoshta po kthehet kundër, dhe sidoqoftë nuk është realizuar. Por, nëse shoqëria si e tërë duket se është bërë më pak fetare, ekzistojnë patjetër shqetësime në Turqi për pjesë të popullsisë që mund të jenë bërë gjithjnë e më radikale në pikëpamjet e tyre. Personalisht, dyshoj se shoqëria turke do të zhvendoset në këtë drejtim”, i tha zoti Hoffman Zërit të Amerikës.

voa

Tesla e Elons Musk nuk vjen rastësisht në Gjermani

Elon MuskFabrikë e re e Teslas në rrethinat e Berlinit: Me vendimin e Teslas për Gjermaninë, gara se kush do ta ketë hegjemoninë e automjeteve elektrike hapet zyrtarisht pikërisht në vendin, ku u shpik automjeti me motor djegës.

Tipike e Elon Musk: Gati si pa u vënë re, ai jep një lajm të rëndësishëm: ndërtimin e një fabrike të re të Teslas në rrethinat e Berlinit. Le të përfytyrojmë, sikur aeroporti i kryeqytetit, Berlin ka filluar nga puna. Fabrika e re të Teslas mund të ishte ndërtuar edhe në hapësirat e aeroportit të deritanishëm, në Berlin. Por me sa duket katastrofa e ndërtimit të aeroportit të Berlinit është përfolur edhe në nivelet e krerëve të Teslas, se Elon Musk aktiv dhe jo pak i kontestuar, nuk harroi ta hidhte një thumb: me siguri që do të kemi një temp më të shpejtë se planifikuesit e aeroportit, tha ai. Kjo fabrikë, që quhet gigafactory – Elon Musk do gjithmonë gjëra bombastike-, pritet të ndërtohet në Grünheide. Askush nuk e njeh Grünheiden si vend, por ky ndodhet në juglindje të Berlinit në landin e Brandenburgut. Kush mban çelësin e thesarit në Berlin mbetet duarbosh.

Me shpejtësi

Megjithëse Berlini brohoritet, trofenë e ka në dorë Brandenburgu. Por kjo nuk i intereson shumë Elon Musk. Ose ai nuk ka shumë besim tek berlinezët, se janë shumë të shpejtë, pasi edhe Berlini kishte po ashtu hapësira të bollshme në dispozicion për të ndërtuar fabrika, sidomos në pjesën lindore të tij. Musk e ka me nxitim ndërtimin e fabrikës së re: Sepse edhe prodhuesit gjermanë të automjeteve i kanë kuptuar shenjat e kohës, dhe kanë filluar garën e prodhimit të automjeteve elektrike. E me siguri Elona Musk e ka ditur, se Volkswageni për shembull para më shumë se një jave dha sinjalin e ndërtimit të një fabrike për automjetet elektrike në Zvikau, në Saksoni. Prodhuesi më i madh i automjeteve në botë, pas ngritjes së fabrikës në vitin 2021, synon të prodhojë në vit 330.000 automjete elektrike.

Jo vetëm kaq: Edhe dy fabrika të tjera të VW-s në Gjermani kanë filluar me ndryshime në këtë drejtim, ndryshime që prekin edhe fabrikat në Kinë apo SHBA. Nëse prodhuesit gjermanë të automjeteve qesëndisnin dikur Teslën si një markë që do të jetë e madhe, por më vonë një konkurrente serioze, tani situata ka ndryshuar. Tesla ka probleme me prodhimin në seri, dhe tërheq pas vetes një mal gjigand me borxhe. Tani kur me Volkswagenin, krahas Toyotas, ngjitet në skenën e automjeteve elektrike një gjigand i tillë prodhues (megjithëse me vonesë), fillon një konkurrencë e fortë për Teslan. Prandaj vendimin e Teslas për një fabrikë në Gjermani mund ta kuptosh si thirrje për duel.

Vende të reja pune në kohën e duhur

Edhe në segmentin e automjeteve të shtrenjta, ku Tesla është lidere, konkurrenca i vjen këtij koncerni po nga Gjermania. Porsche (me Taycan), Audi (Seria E-Tron ) apo Daimler (Mercedes EQC). Edhe në Kinë, ku Tesla brenda 10 muajsh ngriti një gigafactory-fabrikë të re dhe ku prodhimi ka filluar ka konkurrencë të madhe, Byton, Wey dhe Hongqi janë gati për startim. Me vendimin e Teslas për Gjermaninë, gara për vendin e parë hegjemoninë e automjeteve elektrike hapet zyrtarisht pikërisht në vendin, ku u shpik automjeti me motor djegës.

Megjithëse ka shumë pyetje ende të hapura, ky është para së gjithash një lajm i mirë për njerëzit në rajonin e Brandenburgut: mijëra vende të reja pune do të hapen, një vendim që vjen në kohën e duhur. Sepse në jug të fabrikës së planifikuar, në Lausitz pritet të shkurtohen po ashtu mijëra vende pune, për shkak të vendimit për t’i dhënë fund prodhimit të qymyrit. E që tani kanë filluar bastet: kush do të hapët më parë, Aeroporti i Berlinit apo fabrika e re gjigande e Teslas?

dw

Gjendja e ajrit të ndotur në Maqedoni

Sipas stacioneve matëse të ajrit të ndotur, mëngjesi i sotëm në Maqedoni është me ajër të ndotur.

Stacionet matëse tregojnë se sot Komuna e Qendrës është me ajër më të ndotur, njofton Telegrafi Maqedoni.

Pas Komunës Qendër, vijojnë Rektorati pranë UKIM, Tetova, Kumanova, Strumica dhe Komuna e Gazi Babës.

Dje në mbrëmje , Kumanova, Tetova dhe Strumica ishin me ajër më të ndotur./Telegrafi/

Kina ka bërë plane të mëdha për Greqinë

Porti PiraeusPresidenti kinez Xi Jinping nderon Athinën me një vizitë shtetërore. Mbretëria e Mesme ka filluar të investojë në Greqi. Tani Greqia shpreson të bëjë marrëveshje të reja ekonomike, po mbase edhe më shumë.

Afrim kaq i madh me Kinën shihet rrallë: Javën e kaluar kryeministri konservator i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis vizitoi Mbretërinë e Mesme, i shoqëruar nga një delegacion i madh ekonomik. Greqia festoi prezantimin si vend i ftuar në panairin e eksporteve në Shanghai.

Ndërsa të dielën, (10.11) në Athinë u shtrua qilimi i kuq për presidentin kinez të shtetit, Xi Jinping. Sipas njoftimeve të shtypit, miku kinez ka sjellë me vete 16 marrëveshje ekonomike për t’u nënshkruar në fushën e bujqësisë, telekomunikacionit, inovacioneve, turizmit, kulturës dhe drejtësisë. Po ashtu pritet që dy banka të mëdha kineze, Bank of China si dhe banka International and Commercial Bank of China (ICBC), të hapin filiale në Athinë.

“We are open for business” është motoja e preferuar e kryeministrit grek, Mitsotakis. Kryetari i konservatorëve hiqet si mik i ekonomisë, duke dashur të ulë me 30 përqind taksat mbi sipërmarrjet dhe të nxisë me tempo përshpejtuese, privatizimin e ngecur prej kohësh. Shtypi i afërt me qeverinë e ka tepruar me lajmet për sukseset sipas të cilave, SHBA kanë treguar interes për portin e rëndësishëm strategjik të Aleksandropulit, në afërsi me kufirin turk, ndërsa Izraeli ia ka vënë syrin industrisë greke të armatimeve, dhe koncerni gjerman i energjisë RWE, do që të marrë pjesë te kfurnizuesit grek me energji elektrike, DEH.

Por kësaj here e ka radhën Pekini: “Gjashtë muajt e fundit disa projekte kanë përparuar dukshëm,” thotë Fotis Provatas, kryetari i Dhomës për Bashkëpunimin Greko-Kinez me qendër në Athinë. Një hap i rëndësishëm është hapja e filialeve në Athinë të dy bankave të mëdha nga Kina. Sepse “investitorët nga Kina shkojnë aty ku janë vendosur edhe bankat kineze,” thotë Provatas për Deutsche Wellen.

Pireu – Investime me sinjale ndikuese

Por mundësitë janë edhe më të mëdha. Sot, investimet kineze në Greqi nuk përbëjnë as një përqind të gjithë investimeve kineze në Europë. Si projekt shumë shpresëdhënës shihet porti i kontenierëve në Pire, i cili është në dorë të ndërmarrjes shtetërore kineze të transportit ujor, COSCO, që nga viti 2016. Porti më i madh i Greqisë, do të kthehet në pikë të rëndësishme të transportit me kontenierë në Europë.

Kina kërkon që të rrisë volumin e investimeve por nuk gjen gjithnjë mirëkuptim në Athinë. Sipas informacioneve të gazetës Kathimerini, grekët e kanë refuzuar propozimin për të hapur një kantjer detar për jahtet e mëdhenj, me sa duket për të respektuar konkuruesit lokalë.

Edhe zgjerimi i planifikuar i kapaciteteve për kontanierët ecën ngadalë. Megjithatë: “Invesimet e COSCO-s në Pire janë histori suksesi,” thotë Konstantinos Filis, drejtor studimor në Institutin për marrëdhënie ndërkombëtare të Athinës. Po ashtu e rëndësishme është që, Kina të respektojë rregullat europiane si për shembull ato për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, thotë studiuesi i shkencave politike.

Fotis Provatas shpjegon, se është në interes të Greqisë që të kërkojë respektimin e normave europiane, sepse një vend i vogël si Greqia nuk ka mënyrë tjetër mbrojtjeje ndaj arbitraritetit të më të mëdhenjve. “Në të kaluarën Hungaria u mundua që të anashkalonte rregullat europiane, kur bëri biznes me Kinën dhe pati shumë probleme. Ne duhet të mësojmë nga kjo.” Edhe Filis paralajmëron për rreziqet që ekzistojnë, nëse nuk respektohen normat europiane dhe tregon mirëkuptim për afrim edhe më të ngushtë me Kinën. Greqisë i duhen menjëherë investime të reja dhe para e freskët, shpjegon analisti. Nga Europa është duke u bërë pak në këtë drejtim.

Vizë e artë për Mbrëtërinë e Mesme

Interesante për investorët kinezë është edhe tregu grek i pasurive të patundshme. Për këtë ndihmon biznesi me të ashtuquajturat viza të arta. Qytetarë jo të BE-së, që investojnë 250 mijë euro në pasuritë e patundshme greke, marrin lejeqëndrimi pesëvjeçare në Greqi. Në asnjë vend tjetër të Europës nuk mund të sigurohet liri qarkullimi kaq lirë sa në Greqi. Më shumë se 5 mijë kinezë e kanë shfrytëzuar këtë mundësi, dhe tendenca është në rritje. Një model i ri biznesi? Me gjithë simpatinë për Kinën, Fotis Provatas mbetet skeptik: “Në zhvillimin ekonomik të Greqisë nuk ndikojnë blerjet e pasurive të patundshme, por investimet në fushën e prodhimit.”

dw

Në Kosovë kundërshtohet ashpër “mini-Shengeni ballkanik”

Rama Zaev VucicReagime të ashpra në Kosovë pas takimit të Ohrit. Politikat e mini-Shengenit i largojnë vendet e Ballkanit Perëndimor nga rruga e integrimeve e i çojnë në strofullën euroaziatike të dominuar nga Rusia, thotë Isa Mustafa.

Në Kosovë është kundërshtuar në mënyrë kategorike përfshirja në një iniciativë rajonale, apo siç tashmë po quhet nisma për një “Minishengen Ballkanik”, ku synohet vendosja e një bashkëpunimi më intensiv ekonomik përmes lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave. Takimi i fundit u mbajt me 10.11 në Ohër të Maqedonisë së Veriut, me të gjithë liderët e Ballkanit, por pa praninë e Kosovës. Në këtë inciativë Kosova refuzon të marrë pjesë, duke e cilësuar si një “devijim” të rrugës euroatlantike.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke sqaruar mospjesëmarrjen e tij në takimin e Ohrit, jep argumentet e tij. “Së pari, Kosova, qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale. Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, thotë Presidenti Thaçi në reagimin e tij.

Ai sqaron se Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave, por sipas Presidentit “Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë, në të cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavarur”. “Ne jemi të përkushtuar që të tejkalojmë pengesat aktuale nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjes për njohje reciproke. Vetëm atëherë kur të ndodhë një gjë e tillë, ne do të bëhemi pjesë e iniciativave të tilla rajonale si shtete të barabarta”, thotë në reagimin e tij Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Mini-shengeni i mini-jugosllavëve?

Kundër iniciativës për një “mini-Shengen Ballkanik”, apo siç po interpretohet në Kosovë “Unioni Doganor i Shteteve të Ballkanit”, është shprehur edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, parti kjo që pritet të jetë pjesë e qeverisë së re të Kosovës. Isa Mustafa, ngre pyetjen se “në cilat kuzhina po zihen projektet e Unionit Doganor të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të Tregut të Përbashkët të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe së fundmi të mini-Shengenit ndërmjet këtyre vendeve?!

“Në shikim të parë duken projekte atraktive, por në esencë çojnë në një Jugosllavi të re, me Shqipërinë e pa Kroacinë dhe Slloveninë. Janë ide që nuk i kemi përkrahur sa e kemi drejtuar qeverinë dhe nuk do t’i përkrahim si Lidhje Demokratike e Kosovës, as në pozitë dhe as në opozitë. Ashtu siç nuk përkrahim ndryshimin e kufijve shtetërorë të Kosovës”, thotë Isa Mustafa. Sipas tij, Kosova duhet të aspirojë tregun unik evropian, fillimisht mbi bazën e MSA-së që rregullon edhe doganat dhe të bëhemi pjesë e Marrëveshjes Shengen, ku janë shtetet e BE-së.

“Marrëveshja e mini-Shengenit lindi, kur nuk u realizua projekti i ideuar në Serbi për Unionin Doganor dhe ideja për Unionin Ekonomik të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, për shkak të kundërshtimit të Kosovës dhe të Malit të Zi. Marrëveshje të tilla çojnë në një situatë kur tatimet në kufi, qoftë TVSH-në, tatimin doganor, akcizën do t’i mbledh në pjesën më të madhe Serbia për Kosovën (e cila nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës), sepse kemi kufirin me të gjatë me të, e në pjesët e tjera, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi”, thotë Isa Mustafa. Sipas tij, “politikat e Mini-shengenit i largojnë vendet e Ballkanit Perëndimor nga rruga e integrimeve evropiane dhe i çojnë në strofullën euroaziatike të dominuar nga Rusia”.

Konteksti “mini-Shengeni ballkanik” – kontekst i ri në rajon

Por, si e shohin ekonomistët iniciativën për një “minishengen Ballkanik”, dhe pse me refuzimin e BE-së për çeljen e  negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut po krijohet një realitet i rinë Ballkan. Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, në një editorial të tij, thotë, se po paralajmërohet një qasje nga qendrat e vendimmarrjes “New Deal for the region”, në bllokun e vendeve evropiane që nuk janë formalisht pjesë e BE-së, por, të cilat praktikisht janë pjesë e tregut të përbashkët të BE-së.

“Kjo qasje nënkupton, integrim më të thellë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, akomodim më i mirë me rregullat dhe standardet evropiane, para integrimit të plotë në BE. Në anën tjetër BE-së i jep kohë për reforma të brendshme, ndërsa politikanëve nga vendet anëtare të BE-së, material të mirë për ballafaqim me frymën populiste që është kundër çdo zgjerimi të ri”, shkruan Berat Rukiqi. Por, sipas tij, thelbi i problemit është marrëdhënia aktuale Kosovë-Serbi.

“Problemi fundamental në raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është marrëdhënia aktuale Kosovë-Serbi. Nuk do të ketë sukses asnjë iniciativë e re, asnjë reformë në procesin e zgjerimit, asnjë iniciativë  ekonomike dhe financiare për rajonin, pa zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Integrimi politik dhe ekonomik në rajon është i pamundshëm në rrethanat, kur vendet që synojnë integrimin nuk e njohin njëra tjetrën”, shkruan Berat Rukiqi.

Takimi i Ohrit pjesë e nismës për “mini-Shengen ballkanik”, pason takimin e Novi Sadit në Serbi që u mbajt më 10 tetor. Në takimin e Ohrit morën pjesë pos liderëve të vendeve të Ballkanit (pa Kosovën) edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian, të Këshillit për bashkëpunim rajonal dhe të Bankës Botërore, të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe të Bankës Evropiane e Investimeve. Mbledhja e radhës do të mbahet më 21 dhjetor në Durrës, ku pritet të jetë i pranishëm edhe shefi i ri i diplomacisë Evropiane Joseph Borrell.

dw

Unaza e Re, përplasje mes policisë dhe banorëve

Unaza e rePërplasje të forta në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën e “Astirit” në Tiranë, ku Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, (IKMT) kishte planifikuar nisjen e prishjes së disa godinave, që preken nga projekti i ndërtimit të Unazës së re. Forcat e shumta të policisë u shfaqën në mbështetje të ndërhyrjes së Inspektoriatit, hasën në një kundërshtim të fortë të disa prej banorëve.

Sipas një njoftimi të Policisë së Tiranës “një grup banorësh kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e Policisë. Banorët kanë sulmuar me gurë, sende të forta dhe bomba moltov punonjësit e Policisë, të cilit ishin planizuar me shërbim. Si pasojë e sulmit mbi Policinë janë plagosur 5 punonjës të Policisë nga FNSH-ja, Shqiponjat dhe Patrullat e Përgjithshme, të cilët u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin ushtarak”.

Për të sprapsur banorët që kundërshtojnë ndërhyrjen, policia ka përdorur dhe gazin lotsjellës. Disa banorë mesohet se janë shoqëruar në komisariat. Gjendja më pas është qetësuar dhe nuk janë rregjistruar më përplasje të tjera. “Policia e Shtetit u bën thirrje banorëve të distancohen nga dhuna dhe të mos bien pre e provokimeve, pasi do përballen me pasojat ligjore. Gjithashtu, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që janë prezent tek Unaza e Re, të mos nxisin banorët për të sulmuar forcat e Policisë dhe të shmangin deklaratat disinformuese”, nënvizon deklarata e policisë.

Presidenti Ilir Meta u rreshtua në krah të banorëve. Përmes një postimi në Facebook ai shprehet se është “e papranueshme dhuna e përsëritur sot ndaj banorëve të Unazës së Re, të cilët protestojnë në mbrojtje të shtëpive dhe të pronave të tyre. Arroganca përballë mjerimit dhe traumës që po u shkaktohet këtyre familjeve për muaj të tërë është e patolerueshme”, shkruan Kreu i Shtetit ndërsa i bën thirrje banorëve “të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve dhe palët të ulen menjëherë në dialog”.

Sipas IKMT-së janë 33 ndërtime që parashikohet të prishën në ëtë fazë. Për 21 prej tyre është zbatuar procedura e shpronësimeve ndërsa të tjerat mësohet se janë skualifikuar nga mundësia e legalizimit.

Tensionet në këtë zonë të kryeqytetit vijojnë që prej vitit të shkuar, kur nisën ndërhyrjet e para për ndërtimin e Unazës së re. Projekti u ndërpre, pasi u zbulua se në njërin prej Loteve, kompania fituese DH Albania kishte falsifikuar dokumentat e paraqitura në garë. Më pas, autoritetet ndërshuan dhe projektin, ndërsa zhvilluan një tender të ri.

voa

Tiranë: Gjykata Kushtetuese drejt ringritjes

Gjykata kushtetueseParlamenti shqiptar miratoi 2 anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Pas miratimit vjen edhe reagimi i ambasadorit gjerman, Peter Zingraf në Tiranë. Gjermania përshëndet vendimin e Parlamentit, thekson ai.

Parlamenti miratoi të hënën, (11.11.2019) me votim të fshehtë, me 105 vota të bashkuara të maxhorancës socialiste dhe opozitës së re, dy anëtare të Gjykatës Kushtetuese, (GJK) Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji. Numri i gjykatëseve kushtetuese, të sapo zgjedhura arriti të hënën në 3, kur një tjetër kandidate, Arta Vorpsi, u konsiderua nga Këshilli i Legjislacionit të Parlamentit, e zgjedhur nga lista e Presidentit, edhe pse Meta, nuk u shpreh për atë dhe bllokoi procesin. Sipas Kushtetutës, nga mos shprehja e Presidentit Meta, ajo emërohet „automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese.”

Peter Zingraf: Gjithë aktorët të marrin përgjegjësitë e tyre

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, vlerësoi zgjedhjen nga Parlamenti të dy gjykatëseve të reja të GJK. “Ne përshëndesim vendimin e sotëm të Parlamentit shqiptar. Në rrugën drejt një Gjykate Kushtetuese funksionale është e rëndësishme, që të gjithë aktorët të marrin përgjegjësitë e tyre në emërimin e gjykatësve kushtetues dhe të mos humbasin fokusin. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në përforcimin e drejtësisë dhe shtetit ligjor” theksoi, Ambasadori Zingraf në një deklaratë për mediat. Ai u solli në vëmendje të  aktorëve politikë të Tiranës rezolutën e Bundestagut gjerman për Shqipërinë dhe rëndësinë që ajo i jep “rivendosjes në funksionalitet të Gjykatës Kushtetuese edhe për procesin e përafrimit të Shqipërisë me BE-në.”

BE dhe SHBA: Sa më parë funksionimi i GJK

BE dhe SHBA mirëpritën zgjedhjen nga Parlamenti të dy anëtareve të GJK.

“Presim krijimin e një Gjykate Kushtetuese funksionale, sa më shpejt që të jetë e mundur. Zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon dhe është thelbësor për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Europian,” u shpreh delegacioni i BE në median sociale. Ambasada e SHBA në Tiranë e vlerësoi të hënën Gjykatën Kushtetuese si ” një organ jetësor për llogaridhënien dhe ekuilibrat demokratikë.” “Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur ngritjen e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të ndershëm në Shqipëri, ” bëri me dije ambasada e SHBA në median sociale.

PD – puҫ kushtetues kundër drejtësisë së pavarur nga politika

Partia Demokratike, (PD) që kryeson opozitën jashtë parlamentare, e dënoi zgjedhjen e dy gjykatëseve të reja kushtetuese nga Parlamenti si „puҫ kushtetues kundër Drejtësisë së pavarur nga politika”. Në një deklaratë për mediat, Sekretari i saj i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, e quajti Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, institucioni që selekton kandidatët për anëtarë të GJK, “të kapur nga kryeministri Rama” dhe që “ka shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën pasi eliminoi garën dhe për 4 vendet vakante në GJK paraqiti vetëm 4 kandidatë, të njëjtët emra si për Presidentin edhe për Parlamentin dhe jo 12 siç kërkon Kushtetuta.”

“Puçi kushtetutes i Edi Ramës ndaj një GJK të pavarur nga politika, cënon interesin e qytetarëve shqiptarë për të patur tek Gjykata Kushtetuese një garante të besueshme për mbrojtjen e të drejtave të tyre” theksoi  të hënën, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.

Kur mund të fillojë funksionimi i GJK?

Me zhvillimet e fundit në Parlament, GJK ka 5 anëtarë nga 9 syresh që duhet të ketë për t’i dhënë fund mosfunksionimit të saj që nga qershori 2018. Nga 4 anëtarët, që duhen për funksionimin efikas të GJK , një e zgjedh Presidenti dhe tre Gjykata e Lartë, që pritet të funksionojë në fund të vitit. Ndërkohë edhe numri aktual prej 5 anëtarësh mund të jetë i cënueshëm nga vettingu.

Në mes të muajit të kaluar, Presidenti Meta, dekretoi anëtarin e parë të ri të GJK, prokurorin Besnik Muҫi, që ka kaluar vetëm fazën e parë të vetting-ut. Komisioneri Publik ka adresuar një ankimim kundër tij në Kolegjin e Posaҫëm të Apelimit për mos justifikim të pasurisë. Nëse Kolegji i Posaҫëm i Apelimit pranon ankimimin ajo që pritet të ndodhë është shkarkimi i Besnik Muҫit si anëtar i GJK dhe nxjerrja për 15 vjet jashtë sistemit të drejtësisë.

Tani hapi i radhës është betimi i 3 anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese tek Presidenti Meta. Nëse Gjykata e Lartë fillon funksionimin në fund të vitit dhe ka mundësi të japë 3 kandidaturat e saj për anëtarë të GJK, Shqipëria do ta ketë funksionale këtë gjykatë para majit 2020, kur pritet të mbahet samiti i Zagrebit dhe të rimerret çështja e hapjes së negociatave të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

dw