Pse e festojmë Vitin e Ri dhe origjina e tij

Scotland-1Qytetërimet nëpër botë e  kanë festuar fillimin e çdo viti të ri për të paktën katër mijëvjeçarë. Sot, shumica e festimeve të Vitit të Ri fillojnë në 31 Dhjetor (Nata e Vitit të Ri), dita e fundit e kalendarit Gregorian, dhe vazhdojnë deri në orët e para të 1 Janarit (Dita e Vitit të Ri). Traditat e zakonshme përfshijnë pjesëmarrjen në aktivitete festive, ngrënien e ushqimeve speciale të Vitit të Ri, shprehjen e dëshirave për vitin e ri dhe shikimin e shfaqjeve të fishekzjarrëve.

Festimet e hershme të Vitit të Ri

Festimet më të hershme të regjistruara për nder të ardhjes së një viti të ri datojnë rreth 4.000 vite më parë në Babiloninë e lashtë. Për babilonasit, hëna e parë e re pas ekuinoksit pranveror – dita në fund të marsit me një sasi të barabartë të diellit dhe errësirës – paralajmëronte fillimin e një viti të ri. Ata e festonin rastin me një festival masiv fetar të quajtur Akitu (që rrjedh nga fjala sumeriane që ka kuptimin e elbit, i cili korrej në pranverë) që përfshinte një ritual të ndryshëm në secilën prej 11 ditëve të tij. Përveç vitit të ri, Atiku festonte fitoren mitike të perëndisë babilonase të qiellit Marduk mbi perëndeshën e keqe të detit Tiamat, që i shërbente një qëllimi të rëndësishëm politik: Ishte gjatë kësaj kohe që kurorëzohej një mbret i ri ose që mandati hyjnor i sundimtarit aktual rinovohej në mënyrë simbolike.

Për të rirregulluar kalendarin romak, Julius Cezarit iu desh të shtonte 90 ditë shtesë në vitin 46 B.C., kur prezantoi kalendarin e tij të ri Julian. Gjatë antikitetit, civilizimet në mbarë botën zhvilluan kalendarë gjithnjë e më të sofistikuar, duke shoqëruar zakonisht ditën e parë të vitit në një ngjarje bujqësore ose astronomike. Për shembull, në Egjipt, viti fillonte me përmbytjen vjetore të Nilit, e cila përkonte me ngritjen e yllit Sirius. Dita e parë e vitit të ri kinez, ndërkohë, përkonte me hënën e dytë pas solcistit së dimrit.

1 janari bëhet Dita e Vitit të Ri

Kalendari i hershëm romak kishte 10 muaj dhe 304 ditë, me çdo vit të ri që fillonte në ekuinoksin e pranveror; sipas traditës, ai u krijua nga Romulus, themeluesi i Romës, në shekullin e tetë B.C. Një mbret i mëvonshëm, Numa Pompilius, mendohet  se shtoi muajt e Januariusit dhe Februariusit. Gjatë shekujve, kalendari nuk ishte më i sinkronuar me diellin, dhe në 46 B.C. perandori Julius Caesar vendosi ta zgjidhë problemin duke u konsultuar me astronomët dhe matematicienët më të shquar të kohës së tij. Ai prezantoi kalendarin Julian, i cili ngjason me kalendarin modern, që përdorin sot shumica e vendeve të botës.

Si pjesë e reformës së tij, Cezari përcaktoi 1 janarin si ditën e parë të vitit, pjesërisht për të nderuar emrin e muajit: Janus, perëndia romake, dy fytyrat e të cilit e lejonin të shikonte të kaluarën dhe të ardhmen. Romakët festonin duke u flijuar për  Janusin, duke shkëmbyer dhurata me njëri-tjetrin, duke dekoruar shtëpitë e tyre me degë dafine dhe duke marrë pjesë në festa marramendëse. Në Evropën mesjetare, udhëheqësit e krishterë zëvendësuan përkohësisht 1 janarin si ditën e parë të vitit me ditë që kishin më shumë rëndësi fetare, siç janë 25 Dhjetori (përvjetori i lindjes së Jezusit) dhe 25 Marsi (Festa e Shpalljes); Papa Gregori XIII rivendosi 1 janarin si Ditën e Vitit të Ri në 1582.

shekulli

Fjalët e fundit të At Gjergj Fishtës

Gjergj FishtaShkrimtari i madh shqiptar i “Lahutës së Malcisë”, vdiq më 30 dhjetor të vitit 1940 në spitalin civil të Shkodrës. Para disa vitesh janë botuar detaje të rëndësishme të ditëve të fundit të jetës së tij.

Në studimin e Fr. Agustin Gemelli, shkruhet: “At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe kishte përsëritur fjalën “i kryqëzuemi” në latinisht. Ai kishte kërkuar t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”.

Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit, shkruan në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vetë me këto fjalë: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për fe, Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit: “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”.

Ndërsa, italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: “Jo për tjetër, por sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes”.

Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Fillimisht punoi si bari, por shumë shpejt, kur ishte 6 vjeç, zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon mësimet në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.

Krijimtaria artistike

Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim ‘Nobel’, prozator, poet, përkthyes; “Militant i letërsisë shqipe” – cilësuar nga Lasgush Poradeci dhe “Poet kombëtar i shqiptarëve” nga Eqrem Çabej.

Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat, u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.

Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa, vepra tjetër epike “Moisi Golemi dhe Deli Cena” u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve dhe rrethanave kanë bërë që Fishta si epik të quhej “Homer i Shqipërisë”.

Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit, mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.

Fishta arriti të botojë këngët e para të “Lahuta e Malcisë”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Tre vjet më vonë botoi përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit” dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika veset”, më 1913 boton “Mrizi i Zanave”. Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën “Foenix “. Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.

Në tetor 1913 botoi revistën “Hylli i dritës”, ndërsa më 23 tetor 1913 shpalosi flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia. Vetëm pas viteve ’90-të, krijimtaria e Fishtës zuri vendin e merituar në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.

Aktiviteti i tij patriotik

Deri më 1899 Fishta shkruante me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të 1899 ai u bë bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe.

Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai instaloi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”.

U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziasëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike, që boton në revistën “Hylli i dritës”, revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor të 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917) dhe më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, “Komisinë letrare” që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.

Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, dhe politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit të 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar, ku kreu veprimtari të denduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit më 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri dhe vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali, ku ndërkohë krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malësisë” në 1937.

Top Channel

Thaçi fton për herë të tretë Kurtin në takim konsultativ

HashimPresidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka ftuar sërish në takim konsultativ liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në letrën të cilën e kanë publikuar mediat në Kosovë, presidenti Thaçi thotë se “me qëllim të konsultimit për të propozuar kandidatin për kryeministër për formimin e Qeverisë së Kosovës, ju ftoj sërish për takim konsultativ më datën 31 dhjetor 2019 në ora 10”.

Më 27 dhjetor, Thaçi i kishte nisur dy ftesa Kurtit për takim konsultativ, por ky i fundit nuk u paraqit në Zyrën e Presidentit. Në lidhje me ftesën e parë, në Lëvizjen Vetëvendosjen thanë se Kurti nuk ndodhej në Prishtinë, kurse pas ftesës së dytë, ishte vet Kurti ai i cili tha se çështja nuk ishte aq urgjente që agjenda ditore të caktohej aty për aty.

Në bazë të Kushtetutës, presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend, në këtë rast Vetëvendosjen.

Por, më 29 dhjetor, lideri i VV-së, Albin Kurti tha se datën për formimin e qeverisë nuk e përcakton presidenti i vendit, por ajo varet nga partneri i koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Presidenti përcakton datën e konstituimin të kuvendit dhe jo formimit qeverisë. Mua datën ma përcakton LDK, nuk bënë të ketë keqkuptime. Takimet do të ndodhin dhe do të ketë konsultime. Ndërkohë po i intensifikojmë bisedimet”, ka thënë Kurti

Të dyja partitë edhe pas shumë negociatave nuk kanë arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Mirëpo pas deklarimeve të Kurtit, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se LDK-ja nuk cakton data për formimin e qeverisë.

“Datat i cakton subjekti që del i pari në zgjedhje, ai që e merr mandatin për formimin e Qeverisë”, ka shkruar Mustafa.

Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës tashmë kanë paralajmëruar se pas emërimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të gjitha marrëveshjet paraprake do të dështojnë.

Ata kanë paralajmëruar mundësinë për marrëveshje të re lidhur me përgjegjësitë, si dhe për programin qeverisës, por edhe mundësinë që LDK-ja të kalojë në opozitë.

Më 26 dhjetor, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ai është zgjedhur në këtë pozitë në seancën konstituive me 75 vota për, 27 kundër dhe 6 abstenime.​

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor.

Zaev: Ne duhet ta sjellim Europën në Ballkan, në secilin nga vendet tona

ZaevNë intervistën ekskluzive me DW, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev mbron projektin e debatuar të Mini Shengenit mes Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut, dhe flet për kohën kur ishte zemërthyer.

DW: Zoti kryeministër, ju i keni kërkuar partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut të shpjegojnë, se çfarë është e gabuar me projektin Mini Shengen, por ende mbetet e paqartë, pse i futeni kësaj aventure, kur mekanizmat bashkëpunues ekzistojnë, me Marrëveshjen CEFTA, me Procesin e Berlinit dhe iniciativa të tjera ekszistuese, por që nuk janë implementuar. Interesat e kujt qëndrojnë pas këtij procesi?

Zoran Zaev: Esenca e iniciativave të bashkëpunimit rajonal qëndron në kontributin tonë të përbashkët për realizimin e katër lirive të BE edhe në Ballkanin Perëndimor – lëvizja e lirë e njerëzve, e produkteve, e shërbimeve dhe kapitalit në rajonin tonë të përbashkët. Ne jemi të hapur për të gjitha iniciativat që synojnë nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtojnë procesin e integrimit në BE për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky është një process autentik i vendit tonë, Shqipërisë dhe Serbisë, ne u bëjmë shpejt thirrje vendeve të tjera në rajon të na bashkohen.

Iniciativa për bashkëpunim më të thellë rajonal nuk është pronë ekskluzive e askërkujt apo një klub i mbyllur. Ne e kemi thënë nga fillimi, që ajo është e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Nëse shikoni më nga afër deklaratat e mia për këtë iniciativë, do të vëreni, se gjithmonë insistoj në atë që të përshpejtojmë bashkëpunimin. Po, gati të gjitha projektet janë të përfshira në CEFTA dhe Procesin e Berlinit, por ka një dallim të rëndësishëm. Tek CEFTA dhe Procesi i Berlinit, bashkëpunimi ynë është gjithmonë i mbështetur e monitoruar nga një vend anëtar i BE. Në këtë rast, kjo është iniciatovë e jona, autentike dhe imediate për t’i përshpejtuar këto procese. Për shembull: Ne kemi rënë dakord dhe do të punojmë për të siguruar që njerëzit nga vende të treta jashtë rajonit, që duan të hyjnë në Serbi, Maqedoninë Veriore apo Shqipëri kur të kalojnë kufirin nuk kanë pse të kalojnë të gjitha formalitetet doganore në secilin kufi.

Ka shumë potencial të pashfrytëzuar në përshpejtimin e bashkëpunimit rajonal. Ne do të fitojmë më shumë respekt dhe mbështetje nga BE, nëse tregojmë lidership politik dhe përkushtim për nxitjen e bashkëpunimit me forcat tona. Unë besoj, se nxitja e bashkëpunimit rajonal mund të japë një kontribut të rëndësishëm në çensionimin e marrëdhënieve politike në rajon. Duhet të sjellim parimet europiane të bashkëpunimit dhe funksionimit në rajonin tonë. Ne duhet ta sjellim Europën në Ballkan, në secilin nga vendet tona. Kjo është një pjesë integrale e detyrave të shtëpisë që kemi përpara për t’u integruar në BE.

DW: Ju keni folur për rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës, shumë herë në muajt e shkuar. Opozita në vend sërish e kundërshton atë dhe dëshiron ta hedhë poshtë, qeveria e re greke nuk e vlerëson, por do ta respektojë atë. Si e shikoni kuptimin e saj sot?

Marrëveshja e Prespës mbetet një marrëveshje historike mes dy vendeve tona. Çështja e hapur me Greqinë për emrin e vendit tonë ishte pengesë e pakapërcyeshme për integrimin euroatlantik të vendit. Marrëveshja e zhbllokoi perspektivën e anëtarësimit në BE dhe NATO. Ne ndërkohë jemi de facto vend anëtar i NATO-s. Falë Marrëveshjes së Prespës, Maqedonia Veriore dhe Greqia janë tani aleatë në aleancën më të fuqishme ushtarake të sigurisë. Në përputhje me standartet dhe kooperimin mes anëtarëve të NATO-s, Greqia është garantuese dhe mbrojtëse e sigurisë edhe e hapësirës sonë ajrore. Marrëveshja e Prespës është një miqësi afatgjatë, është marrëveshje e një aleance strategjike mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Ajo ka hapur dhe shtuar bashkëpunimin në të gjitha fushat. Greqia ishte një nga investitorët më të mëdhenj të huaj tek ne. Tani interesi është edhe më i madh. Jemi duke hapur pikëkalime të reja kufitare. Bashkëpunimi kufitar në një rajon të ndarë me kufij ka fituar një rëndësi të re. Asnjë nga këto nuk do të ishte e mundur pa Marrëveshjen e Prespës.

DW: A mendoni, se Marrëveshja e Prespës do të mbijetojë, nëse ju humbni pushtetin në zgjedhjet e ardhshme?

Ne nuk do t’i humbasim zgjedhjet. Natyrisht, njerëzit në zgjedhje të lira marrin vendimin e tyre, por unë do të luftoj shumë fort dhe do të bëj të qartë, gjallërisht, ilustrativisht, me të gjithë dramacitetin e mundshëm, se çfarë do të ndodhë, nëse regjimi rikthehet. Çdo gjë që kemi bërë në këto dy vite gjysmë, dhe kemi bërë shumë, do të hidhet poshtë. Ajo që paralajmëron opozita është kërcënimi, se do të anulojë Marrëveshjen e Prespës, që do të thotë, se vendi do të jetë i detyruar të përjashtohet nga NATO. Por një gjë është e qartë: Qytetarët që me shumicë mbështesin integrimin në NATO dhe BE nuk do të lejojnë që vendi të dalë nga rruga për të cilën kanë luftuar gjeneratat.

DW: Samiti i BE në Bruksel solli zhgënjim të madh në të gjithë vendin. U fol, se ju do të largoheshit nga posti, edhe New York Times i thatë, se ishit të goditur keq psikologjikisht. Çfarë ju shkonte nëpër mend atë kohë?

Unë jam Zoran Zaev – një njeri i zakonshëm dhe i thjeshtë. Isha zemërthyer dhe i rënduar, sepse e gjithë narrativa e asaj kohe ishte e mbushur me superlativa ndaj nesh. Ne ishim shembulli më i mirë në Europën Juglindore, me liderët botërore e filluam dhe e përfunduam Marrëveshjen e Prespës. Ne treguam, se në shekullin e 21-të, përtej të gjitha taktivave moderne dhe teknologjive, diplomacisë dhe dialogut, duke krijuar miqësi dhe duke u fokusuar mund të zgjidhen çështje të tilla. Marrëveshja e Prespës është e para në llojin e saj e njohur në botë, që është arritur përmes dialogut dhe diplomacisë, ka disa marrëveshje të tjera, që janë arritur vetëm pas një lufte.

E tani ky ndëshkim është vërtet i dhimbshëm për këdo. Unë besoj, se edhe qytetarët ishin zemërthyer, jo vetëm unë. Ju e patë, se nuk u përgjigja menjëherë, m‘u desh disa kohë për vete, pas kësaj vendosa të vazhdojë të luftoj. Për të vazhduar me reformat, me europianizimin e vendit, të ndryshojmë marrëdhënien dhe përgjegjësinë tonë, produktivitetin dhe dedikimin për gjithçka që duhet të bëjmë, që përfundimisht t’i bindnim ata që kanë rezerva, e në rastin tonë ishte Franca. Jam i kënaqur, se në fund konkluzioni ishte, se ne e kishim plotësuar gjithçka.

Ata thonë, „ne kemi nevojë për kohë”. Në rregull, por nëse nacionalizmi dhe radikalizimi kthehen këtu, ne do të humbasim dekada. Nëse ata duan ta reformojnë BE, le ta bëjnë, por ata nuk mund të ndalin tani, ky është një proces paralel. Ne rregullisht e themi, se nuk duam të bëhemi menjëherë anëtarë të BE, por na duhet të mbajmë lart motivimin për të ndërmarrë hapat e tjerë. Kur të dyja palët, ne dhe BE të jemi gati, atëherë do të bëhemi anëtarë. Edhe nëse kjo do të ndodhë pas  5, 7 apo 10 vitesh, se kur, askush nuk mund ta thotë sot.

Intervistën e zhvilloi Boris Georgievski

 

dw

Erdogani: Lëkundja e fronit të sulltanit

ErdoganPresidenti Erdogan ka forcuar në dekadën që po e lëmë pas pushtetin e tij. Por fundi i dekadës dhe viti 2019 sollën ndryshime serioze, mendon Daniel Derya Bellut.

Kur erdhi në pushtet në vitin 2003, Erdogani konsiderohej si një politikan reformator, i cili donte ta fuste Turqinë në Evropë. Por kritikët e tij edhe asokohe paralajmëronin “për ujkun në kopenë e deleve”. Ai është futur në “trenin e demokracisë” vetëm për t’u larguar në momentin e duhur.

U dëshmua se kritikët kishin të drejtë: Erdogani u largua nga ky tren – menjëherë pas largimit nga pushteti të rivalëve sekularë nga ushtria dhe drejtësia. Më pas ndoqi një rrugë krejt tjetër – në drejtim të sulltanatit. Filloi rrugëtimin në të kaluarën osmane.

Erdogan kthen kohën mbrapsht

Në vitet në vijim nuk mund ta ndalte askush – në mënyrë sovrane ai largonte nga rruga të gjitha pengesat. Protestat në Parkun Gezi, një skandal korruptiv dhe një përpjekje puçi, Erdogan i mbijetoi pa mundime të mëdha. Në qershor të vitit 2018 ai e futi edhe sistemin presidencial në vend, i cili e forcoi pushtetin e tij. Kritikët flasin për “regjim të një njeriu”. Sot sulltani jeton në një pallat me 1000 dhoma në Ankara. Ëndrra e tij është që në vitin 2023, në 100 – vjetorin e themelimit të Turqisë moderne, të nisë një epokë të re turke. Por pak para arritjes së këtij qëllimi, froni i tij ka nisur të lëkundet. Viti 2019 solli ndryshime – ëndrra e tij mund të dështojë.

Kriza ekonomike dhe fillimi i fundit

Pushteti i Erdogant ka nisur të lëkundet në verën e vitit 2018, kur filloi edhe kriza ekonomike. Për të ruajtur ekonominë e kontrolluar nga një kastë politike, ai investonte njëanshëm në ndërtimtari. Ndaj ekonomia turke është pak produktive dhe është futur në një krizë me turbulenca të mëdha monetare. Papunësia – në veçanti e të rinjve – ka arritur rekorde. Ndërkohë që çmimet e ushqimit, në radhë të parë frutave dhe perimeve, janë ngritur tepër.

Në zgjedhjet komunale në mars të këtij viti Erdogani pagoi faturat e para: Ai e humbi pushtetin në metropolet e mëdha. Në veçanti e dhimbshme ishte humbja në Stamboll – qendrën më të madhe ekonomike të Turqisë.

“Ai që humb Stambollin, e ka humbur Turqinë”

Erdogani nuk deshi ta dorëzonte pushtetin në asnjë mënyrë. Ai vuri nën presion komisionin zgjedhor dhe e detyroi t’i përsëritë zgjedhjet. Pa sukses. Një yll tjetër politik doli papritur në skenë – Ekrem Imamoglu.

Socialdemokrati nuk u shqetësua shumë nga përsëritja e zgjedhjeve, ndërsa ndaj urrejtjes së partisë AKP në pushtet iu përgjigj me dashamirësi. Imamoglu fitoi bindshëm edhe zgjedhjet e përsëritura ndaj kandidatit të Erdoganit, Binali Yildirim. Por as kjo nuk ishte goditja e fundit kundër Erdoganit: Imamoglu gëzon mbështetje të madhe. Mendohet se ai mund të fitojë madje edhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Presionet nga jashtë dhe brenda

Humbjet e Erdoganit janë pasojë e strategjisë së tij përçarëse, e cila tani po i hakmerret. Parti të ndryshme opozitare – islamistët, nacionalistët, socialdemokratët dhe liberalët e majtë – krijuan një front të përbashkët kundër Erdoganit, përkundër diferencave të mëdha politike.

Pushteti i Erdoganit po lëkundet edhe brenda partisë së tij. Gati një milion anëtarë janë larguar ndërkohë nga partia e tij AKP. Miqtë e vjetër, si për shembull ish-kryeministri Ahmet Davutoglu, ish-ministri i Financave Ali Babacan apo ish-presidenti Abdullah Gül, kanë themeluar një parti të re. Ata mund të marrin vota shumë të rëndësishme nga zgjedhësit e Erdoganit dhe të dobësojnë krahun e tij konservator.

Erdogani e ka mbajtur pushtetin 16 vjet. Gjatë kësaj periudhe është shndërruar në një lloj sulltani turk. Erdogani dukej si një monark i paprekshëm në fron. Por viti 2019 solli ndryshime të papritura, shumëçka është kthyer kundër sulltanit.

Në vitin 2023 Turqia feston 100 vjetorin e themelimit të shtetit modern – një ditë në të cilën kujtohet heqja e sulltanatit.

dw

Tiranë: Gjykata dënon ish-kryeministrin Berisha. Reagon zyra e tij

Edi RamaGjykata e Tiranës vendosi sot të dënojë për përhapje lajmesh të rreme ish-kryeministrin Sali Berisha dhe të dëmshpërblejë kryeministrin Edi Rama me shumën 500 mijë lekë si person i dëmtuar nga një shkrim në rrjetet sociale.

Zëdhënësja e gjykatës, Alba Nikolla, konfirmoi vendimin që mori sot gjyqtarja Mariana Shegani (Dedi), i cili përfshin edhe “detyrimin e palës së paditur të publikojë përgënjeshtrimin në faqen e tij në “Facebook” në lidhje me deklaratën e tij në atë rrjet social më 15 tetorin e 2018 me titull “Fundi i kakistokracisë së kallam dështakut po troket”, brenda 10 ditëve nga marrja formë të prerë e vendimit”.

Ky shkrim, i cili tashmë është hequr nga faqja e zotit Berisha në Facebook, fliste për takimet e kryeministrit Edi Rama në Berlin, i cili sipas paditësit përmban disa të pavërteta.

Gjyqtarja vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesë padisë dhe detyrimin e palës së paditur të dëmshpërblejë me afro 5 mijë dollarë amerikanë palën paditëse, e cila ishte shprehur për dyfishin e kësaj shume.

Zyra e ish-kryeministrit reagoi të premten në mbrëmje pas interesimit nga “Zëri i Amerikës”, me një deklaratë, ku theksoi se kjo është vazhda e fushatës së kufizimit të fjalës së lirë dhe informacionit në Shqipëri.

“Zoti Rama keqpërdori gjykatat e shantazhuara nga vettingu dhe të etiketuara si KÇK, sot nëpërmjet gjykatës së Tiranës vendosi pranoi pjesërish padinë e tij për cënim nderi dhe dinjiteti. Objekt i shqyrtimit ishte një postim në FB, në të cilin ilustrohej dhe bëhej një koment politik mbi një artikull të publikuar më parë nga media të pavarura” – thuhet në reagimin e zyrë​s së​ ish-kryeministrit Berisha.

Sipas deklarimit nga zyra e zotit Berisha, në postim ngrihej një argument politik dhe ilustroheshin arsyet e ngecjes së procesit të integrimit europian të vendit, për shkak të keqqeverisjes, si dhe bëhej thirrje të lexohej i plotë artikulli i cili përbënte burimin e lajmit.

“U provua në gjykim se artikulli burim i lajmit as ishte përgënjeshtruar ndonjëherë ose të jetë shpallur i pavërtetë dhe as Rama nuk ka ndërmarrë deri më sot asnjë aksion civil ose penal ndaj prodhuesve të lajmit, por vetëm ndaj zotit Berisha të evidentuar qartazi si kundërshtar politik. Pra padia është në mënyrë të qartë politikisht e motivuar. Pranimi i padisë për shkaktim dëmi moral në këtë rast, përbën një rast të paprecedent pasi është kufizim flagrant i të drejtës dhe lirisë së shprehjes, si dhe bie në kundërshtim të hapur me jurisprudencën e Gjykatës së Lartë dhe mbi të gjitha me praktikën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut” – thuhet në reagimin e zyrë​s së​ ish-kryeministrit Berisha.

Ky vendim i gjykatës pritet të publikohet zyrtarisht të hënën, ku të dhënat e protagonistëve janë anonimizuar.

Këtë vendim zoti Berisha mund ta ankimojë në Gjykatën e Apelit brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

voa

Maqedoni, Kuvendi i miratoi ligjet për mbrojtje shëndetësore, për tatimin e të ardhurave personale dhe për shërbim në ushtri

Kuvendi-MKKuvendi sot pasdite në kuadër të seancës së 123-të i miratoi ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve për mbrojtje shëndetësore dhe për tatimin e të ardhurave personale me procedurë të shkurtër, plotësimin e Ligjit për Shërbim në Armatë me procedurë të shkurtër në lexim të dytë, si dhe Propozimi i interpretimit autentik të nenit 161 paragrafi (1) të Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore.

Në diskutimin për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore, opozita akuzoi se ato duhej të silleshin shumë më herët, se pushteti edhe pse kishte premtuar nuk kishte sjellë Ligj të ri për Mbrojtje Shëndetësore, se me këto ndryshime nuk janë përmbushur të gjitha kushtet të cilat i kishin kërkuar specializantët dhe nuk ka filluar ndërtimi i Qendrës së re Klinike.

Deputetët nga shumica në pushtet në akuzat u përgjigjën se shumë dëm i madh i është shkaktuar me këtë ligj i cili paraprakisht është sjellë në kohën e OBRM-PDUKM-së, ndërsa se pushteti tani i ka konsultuar të gjithë të përfshirët dhe prej këtu dalin këto ndryshime thelbësore.

Pas votimit të Propozimit të interpretimit autentik të nenit 161 paragrafi (1) të Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore, seanca ishte ndërprerë, ndërsa vazhdimi i saj, siç ishte theksuar, në mënyrë shtesë do të caktohet. Në kuadër të kësaj seance sot ishin votuar 17 ligje. Paraprakisht, Kuvendi e mbajti seancën e 126-të në të cilën deputetët u prononcuan për 14 ligje./Telegrafi/

Kosovë: Koalicion qeverisës apo krizë politike?

PrishtinaPresidenti i Kosovës Hashim Thaçi ftoi subjektet politike në një takim konsultativ për të caktuar mandatarin për formimin e qeverisë së Kosovës. Albin Kurti nuk e takon Presidentin.

Vetëm një ditë pas konstituimit të parlamentit, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ftoi subjektet politike në një takim konsultativ për të caktuar mandatarin për formimin e qeverisë së Kosovës. Në këtë takim ishte i ftuar edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, por, ky i fundit nuk merr pjesë në këtë takim, me arsyetimin se ndodhet jashtë Prishtinës dhe se ftesa nga Presidenti sipas Vetëvendosjes ka ardhur me vonesë. “Ju ftoj që të merrni pjesë në takim konsultativ për caktimin e mandatit për formimin e qeverisë. Në pajtim me Nenin 84 (14) dhe Nenin 95.1. të Kushtetutës së Kosovës do të ndërmarr hapat e përcaktuar në Kushtetutë për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë”, thuhet në ftesën e Presidentit Thaçi dërguar Albin Kurtit. E ky i fundit në një njoftim nga partia e tij, thotë se për sot e ka të pamundur të marrë pjesë në këtë takim, por, siç thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes “kryetari Kurti do ta njoftojë së shpejti Presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit”.

Reagime pas konstituimit të parlamentit

Pas konstituimit të Parlamentit të Kosovës një ditë më parë, prania ndërkombëtare në Kosovë po kërkon që sa më shpejt të krijohet qeveria e Kosovës dhe të mos humbet kohë. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e  përshëndeti konstituimin e Kuvendit dhe njëkohësisht kërkon formimin sa më të shpejtë të Qeverisë. “Kosova duhet të formojë sa më shpejt Qeverinë e re në mënyrë që të ecë përpara në zhvillimin e saj ekonomik dhe shoqëror, mbi sundimin e ligjit dhe në agjendën e saj evropiane. Ne mirëpresim konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe urojmë Kryetarin dhe Kryesinë e sapozgjedhur. Ne presim formimin e shpejtë të qeverisë, e cila do t’i mundësonte Kosovës të ecë përpara në zhvillimin e saj ekonomik dhe shoqëror, mbi sundimin e ligjit dhe në agjendën e saj evropiane”, thuhet në reagimin e zyrës së BE-së.

Edhe ambasada amerikane e mirëpriti konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ndërsa, kërkon që sa më shpejtë të formohet qeveria e re. “Ne inkurajojmë liderët politikë që të formojnë një qeveri të re menjëherë, e cila është e përkushtuar për të përmbushur mandatin e votuesve. Ne presim që të punojmë me qeverinë e re, në çështjet e lidhura me paqen, drejtësinë dhe mirëqenien”, thuhet mes tjerash në deklaratën e ambasadës amerikane.

Dy subjektet politike lëvizja Vetëvendosja që doli e para në zgjedhje dhe LDK, të cilat që nga përfundimi i zgjedhjeve po bëjnë përpjeke për të arritur një koalicion qeverisës, nuk arritën të merren vesh për formimin e qeverisë. Lëvizja Vetëvndosja si partia e parë e dalë në zgjedhje, brenda afatit prej 15 ditësh nga nominimi nga Presidenti i mandatarit të saj për kryeministër, duhet të paraqesë para Kuvendit përbërjen për qeverinë e Kosovës.

Alternativat e mundshme

Analisti Armend Muja mendon, se situata u komplikua pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit nga Vetëvendosja pa ndonjë marrëveshje me LDK. “Vetëvendosja duhet ta paraqesë në parlament përbërjen qeveritare në rast se ka marrëveshje me LDK-në, gjithnjë sipas supozimeve të mëhershme nëse arrihet koalicioni. Kjo i bie që kryetari i Kuvendit që u zgjodh të enjten, ai vetëm mund të japë dorëheqje dhe mund të zgjidhet një kryetar tjetër i Kuvendit. Kurse, në rast se nuk ka marrëveshje, LDK-ja po premton që do ta votojë qeverinë Kurti dhe atëherë mund të kemi një qeveri të pakicës, në këtë rast, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën në Kosovë. Pra, një qeveri që është e votuar, mirëpo që nuk ka numra të mjaftueshëm në Kuvend”, thotë Armend Muja.

Kurse analisti tjetër politik Naim Rashiti, thotë se deputetët e Kuvendit të Kosovës me zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë, treguan pjekuri politike dhe “votimi i kandidatit të propozuar nga partia fituese është vlerë demokratike dhe duhet të ruhet ky standard”. “Votimi i kandidatit për kryetar të Kuvendit nga ana e LDK-së, pa marrëveshje politike është po ashtu hap shumë i guximshëm dhe i drejtë. Zgjedhja e organeve të kuvendit është obligim kushtetues dhe buron drejtpërdrejt nga procesi zgjedhor. Pra deputetët, implementuan certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve. Tash zgjedhja e qeverisë varet nga krijimi i një shumice parlamentare. Në këtë proces partitë dhe deputetët kanë të drejtë legjitime të negociojnë e kërkojnë në shkëmbim të votës së tyre”, thotë analisti Naim Rashiti.

Zgjedhjet në Kosovë u mbajtën me 6 tetor dhe po bëhen gati tre muaj që akoma nuk po mund të formohet qeveria e re. Në rast se partia fituese nuk mundet që brenda afatit  të parë prej 15 ditësh dhe brenda afatit të dytë prej 10 ditësh ta formojë qeverinë, atëherë vendi shkon në zgjedhje të sërishme të parakohshme.

dw

Ligji mbi fenë në Mal të Zi, kaos në parlament

Parlamenti kaosParlamenti i Malit të Zi, miratoi mes protestash të dhunshme, një ligj për bashkësitë fetare, për të cilin opozita pro serbe druan se mund t’i marrë pronat e Kishës Ortodokse Serbe.

Në përpjekje për te penguar votimin, deputetët pro serb hodhën gaz lotsjellës, u përpoqën të shkulin mikrofonat dhe qëlluan edhe me shishe uji mbi deputetë tjerë.

Policia ndërhyri duke arrestuar 18 deputetët pro serb të cilët ishin kërcënuar me herët se do të përdorin të gjitha mjetet për të penguar votimin e ligjit. Më vonë policia njoftoi se ka lënë të lirë 15 prej tyre.

Derisa po debatohej për ligjin, mijëra veta përfshirë edhe klerikët e Kishës Serbe protestuan në disa qytete të Malit të Zi.

Ligji parasheh hartimin e një regjistri të të gjitha objekteve fetare dhe zonave që dikur ishin pronë e Mbretërisë së Pavarur të Malit të Zi, para se të bëhej pjesë e Mbretërisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, (që më vonë u shndërrua në Jugosllavi) që dominohej nga serbët në vitin 1918. Mbreti i atëhershëm Aleksandër Karaxhorxheviç, më 1919 e zhbëri kishën malazeze dhe krejt pasuria e saj i kaloi Kishës Ortodokse Serbe.

Presidenti pro-perëndimor i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka akuzuar Kishën Ortodokse Serbe se po nxitë politikat pro-serbe brenda vendit dhe po përpiqet të dëmtojë shtetësinë e tij.

Mali i Zi u pavarësua në vitin 2006 dhe në vitin 2017 u bë vend anëtar i NATO-s. Vendi me rreth 620 mijë banorë është favorit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Për shumë politikanë dhe analistë malazez, rrumbullakimi i shtetësisë dhe qenies kombëtare, nënkupton edhe ripërtëritjen e Kishës autoqefale malazeze, pavarësia e së cilës thonë ata, do t’u jepte fund veprimtarive shkatërruese të Kishës Ortodokse Serbe.

voa