Tiranë: Qeveria miratoi paketën ligjore për sekuestrimin e pasurive kriminale

Ministria e drejtesiseNë Tiranë, qeveria miratoi sot paketën ligjore Anti-KÇK, i cili synon sekuestrimin e pasurive të dënuarve për krim të organizuar, pjesëmarrje në organizata e grupe kriminale e terroriste, trafiqe dhe krime të tjera të rënda.

Ministrja e drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha se objekt i paketës së re ligjore janë edhe gjithë personat e akuzuar për krime të rënda, përfshirje në krim të organizuar dhe terrorizëm, por që nuk janë dënuar për shkak të korrupsionit në sistemin e drejtësisë.

“Të gjithë këta individë, qofshin të dënuar apo të akuzuar për kategoritë e krimeve që sapo përmenda, do të duhet të provojnë se banesat, bizneset, tokat, llogaritë bankare, mjetet motorike në posedim të tyre apo edhe të familjareve të tyre, burojnë nga puna dhe jo nga aktiviteti i paligjshëm dhe i pajustifikuar. Barra e provës do të qëndrojë mbi ta për të justifikuar ligjshmërinë e pasurisë se tyre” – tha zonja Gjonaj.

Ministrja Gjonaj tha se paketa e re ligjore prek të gjithë ata, që kanë fshehur pasuritë e paligjshme në emra të palëve të treta, si edhe gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Parlamenti duhet të bëjë ndryshime në në një seri ligjesh.

Opozita e priti me skepticizëm këtë paketë ligjore, duke e quajtur një nismë propagandistike.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi tha në rrjetet sociale se “qeveria Rama nuk ka bërë kurrë luftë kundër krimit, por ka bashkëpunuar me të, ndaj edhe kjo nismë e re do të dështojë, ashtu si dështoi nisma e mëparshme “Forca e ligjit””.

voa

Njeriu kundërshtues

Albin KurtiNjeriu që luftoi për pavarësinë e Kosovës në vitet 90-të, mund të japë një impuls për transformim. Në një portret për Albin Kurtin, gazeta “tageszeitung” thekson, se koha nuk pret për qeverinë e re në Kosovë.

Tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe fitores së partisë së majtë socialdemokrate, Vetëvendosja, kryetari i saj, Albin Kurti ende negocion me partinë konservatore, Lidhja Demokratike, LDK për një qeveri të ardhshme, shkruan gazeta gjermane “taz”- tageszeitung. I mandatuar si kryeministër, Albin Kurti ka kohë deri më 4 shkurt të kurorëzojë bisedimet e koalicionit dhe të prezantojë qeverinë e re, ndryshe kërcënojnë zgjedhjet e reja. Koha nuk pret, për të dyja partitë nuk ka më kthim pas. Sepse shumë shpresa lidhen me këtë koalicion, thekson autori i shkrimit, Erich Rathfelder.

Albin Kurti i lindur në Pristhinë njihet si aktivist e drejtues i lëvizjes studentore në vitet 90-të, shkruan taz. Ai donte sundimin e shtetit ligjor dhe demokracisë në Kosovë, atëherë ende nën Serbinë. Qëndrimin e tij kundër diskriminimit, etno-nacionalizmit e totalitarizmit nga të gjitha anët, ai nuk e ka ndryshuar deri më sot. Tani Kurti kërkon luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit në shoqërinë e Kosovës. Në një kohë që ai del si figurë e çuditshme për kosovarët, shkruan taz, sepse kreu i partisë më të fortë në vend, ende jeton në një apartament të vogël studentor. Për shumë kosovarë, Albin Kurti është deri më sot një njeri radikal.

Kur Kosova u vendos nën administrimin e Unmik-u, që lejonte zgjedhjet, por i diktonte vendimet politike kreut të qeverisë së atëhershme, Hashim Thaçi, Kurti doli radikalisht kundër. Ai themeloi lëvizjen “Vetëvendosje” dhe ngriti zërin kundër paaftësisë dhe korrupsionit brenda misionit të Unmikut. Kur në vitin 2004 u dogjën kishat ortodokse, Kurti u distancua: Nuk dua konfrontim mbi baza nacionaliste, tha ai atëherë, për Kurtin, serbët dhe pakicat e tjera ishin qytetarë të barabartë.

Pas pavarësisë, shkruan taz, Albin Kurti e shndërroi lëvizjen e tij në partinë Vetëvendosje dhe mori pjesë në zgjedhjet e para. Ai nuk luftonte vetëm kundër korrupsionit të partive sunduese të ish-UÇK-së. Sipas Kurtit, fuqitë ndërkombëtare i detyronin për lëshime elitat e atëhershme të UÇK-së në Kosovë edhe për shkak të njohurive që kishin për korrupsionin e tyre, nënvizon Rathfelder. Kurti u shpall herë një nacionalist shqiptar që do bashkimin me Shqipërinë e herë komunist.

Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, partia Vetëvendosje fitoi 29 nga 120 vende në parlament dhe doli partia më e fuqishme. Aktualisht zhvillohen bisedime me LDK që ka 28 vende. 45 vjeçari bashkë me një shumicë parlamentare i ka thënë jo ndërkohë të gjitha planeve për ndarjen e Kosovës mbi baza etnike. Kurti ndërkohë ka paralajmëruar reforma të thella në Kosovë. Lufta kundër korrupsionit qëndron në krye për politikanin e Vetëvendosjes. Pakicës serbe ai i ka premtuar bashkëpunim të gjerë dhe integrim. Kurse nga Serbia ai ka kërkuar kthimin e thesareve kulturore dhe zbardhjen e fatit të shqiptarëve të zhdukur.

Pjesë nga artikulli i “taz” publikuar në 31 janar me titull “Njeriu kundërshtues”

Parlamenti i Kosovës mblidhet të hënën për të votuar qeverinë

parlamenti ksKryesia e parlamentit të Kosovës, vendosi që të hënën me 3 shkurt të mbahet mbledhja për votimin e qeverisë së re të Kosovës. Kësisoj ajo miratoi kërkesën e kryetarit të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që është mandatar për formimin e qeverisë së re.

Zoti Kurti mori më 20 janar, mandatin nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa kërkoi që parlamenti të mblidhet një ditë para skadimit të afatit kushtetues prej 15 ditësh për formimin e qeverisë.

Kërkesa e tij u bë ende pa arritur një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës për formimin e qeverisë, me gjithë negociatat e gjata që filluan menjëherë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit të vitit të kaluar.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, shprehu besimin se deri në mbajtjen e seancës së të hënës mund të arrihet një marrëveshje mes palëve.

Bisedimet po vazhdojnë, nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare. Por, unë jam shumë optimist që marrëveshja do të bëhet dhe që askush nuk do të mund ta ndalë formimin e qeverisë Kurti”, tha zoti Konjufca, i cili u zgjodh në këtë post në mbledhjen e parë të parlamentit më 26 dhjetor.

Zgjedhje e tij që u bë edhe me votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thelloi hendekun ndërmjet saj dhe lëvizjes Vetëvendosje, meqë që nga fillimi i negociatave ishte thënë se ky post do t’i takojë Lidhjes Demokratike, e cila më pas një ofertë të Vetëvendosjes për shtimin e ministrive duke kërkuar postin e kryetarit të parlamentit deri në zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Për të ndodhur kjo, do të duhej që zoti Konjufca të shkarkohet ose të jap dorëheqje.

“Nuk mendoj që në Kosovë është koha e dorëheqjeve, unë mendoj që në Kosovë është koha e emërimeve”, tha të premten zoti Konjufca.

Tani për tani është e paqartë se si mund të rrjedhë procesi i mëtejmë dhe nëse ka ende hapësirë për një marrëveshje dhe kjo ka ngritur mëdyshjet se çfarë mund të ndodhë të hënën nëse mbledhja e parlamentit mbahet pa një pajtim të dy partive dhe nëse zoti Kurti nuk merr votat as për një qeveri të pakicës, një mundësi që mbetet e hapur.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse ai nuk siguron të paktën 61 vota sa duhen për miratimin e qeverisë, atëherë presidenti “emëron kandidatin tjetër për kryeministër”, i cili nga marrja e mandatit do të ketë dhjetë ditë për formimin e qeverisë.

Nëse as kandidati tjetër nuk siguron formimin e qeverisë, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kosova mbajti më 6 tetor të vitit të kaluar zgjedhjet e katërta me radhë që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008. Zgjedhjet pasuan dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr në Hagë në muajin korrik, për t’u marrë në pyetje nga prokuroria e Posaçme që trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

voa

Rruga me gjemba e Ballkanit Perëndimor – A ka fund ajo?

treyeza debatiTryezë debati për zgjerimin e BE

Që kur është bërë e qartë se politika e zgjerimit nuk është funksionale, shtrohet pyetja, nëse do të vlejë formula se „puna shpërblehet“, apo do të mbetemi pafundësisht në vendnumëro?

Që puna e bërë në procesin e zgjerimit të BE shpërblehet, u dëshmua për herë të fundit në rastin e Kroacisë. Por kjo nuk ndodhi gjashtë vite më vonë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. E qartë është se zgjerimi i BE „nuk punon” si dikur, por nëse do të fillojë „të funksionojë” ndonjëherë, është pyetja, së cilës u munduan t‘i japin përgjigje në konferencën e Parlamentit Evropian në Bruksel mbi zgjerimin e BE (28.01.). Eurodeputetë, analistë, zyrtarë, secili nga perspektiva vetjake, vlerësuan „rrugën me gjemba të zgjerimit” të Bashkimit Evropian.

Diplomati sllovak, profesor dhe ish-kryesues i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Eduard Kukan, thotë se zgjerimi i BE ndodhet prej kohësh „në tryezë” dhe në jetën reale, dhe kaq pak është arritur. Ai situatën aktuale në politikën e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor e sheh si ”një pauzë të çuditshme me shumë të panjohura”. ”Nuk ka një strategji të përcaktuar, se si do të ecet më tej. Kjo është shkaktuar prej politikës jokonstante të BE ndaj Ballkanit Perëndimor dhe sinjaleve kontradiktore që vijnë nga Brukseli, gjë që shkakton pasiguri politike në rajon dhe vë në pikëpyetje kredibilitetin e BE”, thotë Kukan.

Ai kujton se viti 2018, i cili u lajmërua „në të gjitha këmbanat” si viti „i përparimeve në procesin e zgjerimit”, në fakt qe fiasko, dhe u pasua me më shumë probleme dhe komplikime në vitin 2019. Ai thekson edhe faktin, se stanjacioni aktual vetëm mund të përkeqësohet, nëse procesi i zgjerimit nuk fillon të lëvizë së shpejti. ”BE duhet të miratojë një vendim përgjithësisht të zbatueshëm, me një pozicionim të qartë, të vendosur dhe unanim për një vullnet obligues politik, që procesi i zgjerimit të vazhdohet deri në finalizimin me sukses të tij. Kjo duhet të jetë baza politike e qëndrueshme e t‘i paraprijë çdo lloj ndryshimi të metodologjisë, ose të përfshihet në dokumentin e reformimit”, thotë Kukan.

“Bombat e fshehura”

Në konferencën në Bruksel Eduard Kukan kritikoi propozimin francez për të ndryshuar metodologjinë e procesit të pranimit, duke vlerësuar se në tërësi ai nuk kontribuon në mënyrë pozitive për procesin e zgjerimit, por vetëm e ngadalëson dhe e bën atë më pak praktik, me potencialin e „bombave të fshehura” që mund të shkatërrojnë të gjithë procesin, nëse eksplodojnë.

Nuk jam dakord me mendimin e presidentit Macron, që së pari të bëhet reforma e BE dhe pastaj zgjerimi. Për çfarë lloj reforme flasim, sa do të zgjasë ajo, dhe kush do ta vlerësojë, se kur është përfunduar?”, pyet Kukan. Ai konkludon se propozimi francez duhet rishikuar, që të miratohet me konsens, me qëllim që të arrihet përmbyllja e procesit të zgjerimit dhe kështu edhe forcimi i të gjithë kontinentit evropian.

Fajon: 2020 mund të jetë një vit i mirë për Ballkanin Perëndimor

Analistët e Qendrës së Kërkimit të Parlamentit Evropian vlerësojnë, se në rastin e një “skenari optimist” për 10 vjet mund të pritet që në BE të anëtarësohen vende të reja.  ”Rajoni është përballur dikur me skenarin apokaliptik të shpërbërjes së ish- Jugosllavisë dhe që të jetë i humbur në shkretëtirë, pa orientim, është edhe më keq”, thotë Branislav Staniçek nga Qendra e Kërkimeve të Parlamentit në Bruksel.

Kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Evropian për Serbinë, Tanja Fajon, mendon se jo gjithçka është kaq e zezë dhe pa orientim. Ajo thotë se ekzistojnë elemente, të cilat nëse përmbushen nga vendet anëtare dhe nga vendet e rajonit, mund të realizojnë që viti 2020 të bëhet një “vit i mirë” për Ballkanin Perëndimor. Së pari Fajon pret metodologjinë e re të zgjerimit, të cilën do ta prezantojë Komisioni Evropian, dhe pastaj “korrigjimin e gabimit” të bërë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. „Shpresoj që viti 2020, duke filluar me këtë dinamikë të re do të jetë pozitiv për Ballkanin Perëndimor, e kjo është për ne përgjegjësi e përbashkët. Na duhet të jemi të mençur, të durueshëm dhe të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, që të arrijmë rezultate”, porosit Fajon. Duke vlerësuar situatën në Ballkanin Perëndimor. Fajon thekson se BE ka gabuar, duke mos hapur negociatat e pranimit me Shkupin dhe Tiranën.

“Edhe para kësaj ne kemi gabuar me Kosovën, e cila i plotësoi kushtet e kërkuara për liberalizimin e vizave dhe ne nuk bëmë asgjë”, theksoi deputetja e Parlamentit Evropian. Ajo shtoi se në vitin që jemi, priten zgjedhje në Serbi, të cilat janë “të rëndësishme për stabilitetin e rajonit” dhe se “nuk ka paqe në të gjithë Ballkanin Perëndimor, nëse nuk ka në Bosnjë-Hercegovinë”.

“Ballkani Perëndimor gjithmonë ka qenë dhe do të jetë pjesë e Evropës dhe me mungesën e një angazhimi të fortë evropian ne rrezikojmë shumë në lidhje me stabilitetin e rajonit”, përfundoi Fajon.Tanja Fajon në konferencën e Brukselit bëri thirrje për një dialog të sinqertë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor dhe përmbushjen e ndërsjellë të angazhimeve të ndërmarra.

Ballkani Perëndimor dhe zgjerimi si brejtësi mbi rrotë

Që për zgjerimin prej vitesh “shumë flitet dhe askund nuk arrihet”, është i mendimit edhe gazetari, analisti dhe shkrimtari Tim Judah. Ai këtë gjendje e ka përshkruar në mënyrë figurative në titullin e raportit të fundit të Iniciativës Evropiane të Stabilitetit, që trajton zgjerimin dhe Ballkanin Perëndimor në tekstin me titull “Brejtësi dhe rrota”.

“Ja, do të kemi tani edhe metodologjinë e re, por nuk është një shkencë e madhe. Të gjithë e dinë se çfarë të bëjnë. Ballkani Perëndimor e di se çfarë duhet të bëjë, dhe BE-ja duhet vetëm ta mbajë premtimin”, thotë Judah. Ai paralajmëron, se ndërsa “flitet dhe negociohet” për strategjitë e zgjerimit, shumë njerëz do të largohen nga rajoni, gjë që sipas tij, është problemi i vërtetë dhe më kryesori, i cili vazhdimisht anashkalohet.

“Flisni për përparim të transportit në Kosovë, formimin e qeverisë në Mostar, por nuk përballemi me faktin, që çështja demografike është më e rëndësishmja për të gjithë rajonin, brenda dhe jashtë BE. Sipas parashikimeve të momentit Bullgaria deri në vitin 2050 do të humbasë 38.6 përqind të popullsisë së saj, Serbia 23.8 përqind, Kroacia 22.4″, paralajmëron Judah.

Përveç brejtësit dhe rrotës politika e zgjerimit në konferencën e Brukselit mori edhe një paralele tjetër metaforike, kur drejtoresha e Bankës Evropiane për Rekonstruksion dhe Zhvillim, Milica Deleviq, përmendi tezën e BE si kishë. “Duhet të jeni të mirë e të silleni ashtu siç ju thonë, por të mirat prej kësaj nuk do t’i shihni në këtë jetë”, u shpreh Deleviq. Ajo u shpreh për rikonstruimin e procesit të pranimit në BE, i cili do t’u sjellë përfitime konkrete qytetarëve të Ballkanit Perëndimor në jetën e tyre të përditshme në etapa, që ndërmerren shumë më përpara hyrjes si anëtarë në bashkësi.

”Duhet ta ristrukturoni procesin,që të siguroni që jo gjithçka të përqendrohet te momenti i anëtarësimit, por se ekzistojnë hapa të ndërmjetëm të rëndësishëm që duhen zgjeruar. Pra nuk jemi duke folur për një „ofertë dytësore” për Ballkanin Perëndimor, por për konkretizim të procesit të pranimit në etapat e hershme”, porositi Deleviq.  Ajo tha se funksionaliteti i zgjerimit nuk varet aq nga metologjia, se sa nga vullneti politik i Ballkanit Perëndimor për reforma, dhe i BE për zgjerim. ”Ky vullnet politik i të dyja palëve nuk ekziston gjithmonë”, përfundoi Deleviq.

dw/Marina Maksimovic

BE dhe SHBA koordinim për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi

BorrelShefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel tha në Prishtinë, se BE-ja nuk është në garë me SHBA-në sa i përket përfshirjes në dialogun Kosovë-Serbi.

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel, tha në Prishtinë se Bashkimi Evropian do të ndërmjetësojë në dialogun Kosovë-Serbi, por pa bërë garë me SHBA-në apo të dërguarin e presidentit Tramp në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Josep Borrel, tha se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë në mënyrë që të arrihet një marrëveshje finale ndërmjet të dyja vendeve. Këto komente shefi i diplomacisë evropiane Joseph Borrel i bëri gjatë një vizite që po realizon në Prishtinë (30.01), të parën në Ballkan që nga marrja e detyrës. Fillimisht Borrel takoi Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për të vazhduar me pas me liderët e subjekteve politike parlamentare.

“Amerikanët kanë shumë plane. Kanë plane për Lindjen e Mesme, Korenë dhe sigurisht edhe për këtu. Por, është një çështje të kesh plan, dhe çështje tjetër të angazhohesh për të pasur sukses. BE-ja ka investuar në Kosovë më shumë se 1 miliardë euro. Nuk po bëj garë me amerikanët, do të punojmë së bashku dhe nuk do të ketë ndasi. Ne nuk jemi këtu të vendosim fajin tek njeri-tjetri. Ne jemi të angazhuar maksimalisht, nuk jemi mjaft të zëshëm por jemi mjaft të përfshirë në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi”, tha Josep Borell. Shefi i diplomacisë evropiane tha se BE-ja nuk dëshiron të përfshihet në bisedat për formimin e qeverisë së Kosovës, por tha se është i rëndësishëm formimi i qeverisë dhe rinisja e dialogut me Serbinë.

“Bashkimi Evropian nuk mund të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor. Për ne është i rëndësishëm stabiliteti dhe siguria dhe nuk mund të lejojmë që ta kemi Ballkanin të ndarë dhe nuk mund të lejojmë që vendet të jenë të ndara nga njëri-tjetri. Kosovarët janë njerëz të lirë të vendosin për fatin e vet dhe është çështje e tyre të formojnë qeverinë e jo për këtë çështje të bisedojnë me ne. Pra është çështje e kosovarëve që të vendosin fatin e vet dhe të vendosin për të ardhmen e tyre dhe natyrisht të rifillojnë dialogun me Serbinë. Unë nuk do të imponoj marrëveshje”, tha Joseph Borrell. Shefi i diplomacisë evropiane, vjen nga Spanja shteti që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe në pyetjen se a mund të ndikojë që pesë shtete të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë një gjë të tillë, ai tha se mund të flas vetëm në cilësinë e përgjegjësit për politikën e jashtme të BE-së dhe siç tha “nuk është detyra e tij që t’i bind pesë shtete të BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovën”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga ana e tij tha se “është jetike për Kosovën që BE-ja të jetë unike në raport me dialogun me Serbinë dhe të ketë koordinim me SHBA-në, që ka rol të pazëvendësueshëm.

“Sa i përket dialogut, jetike është që BE të jetë unike në raport me dialogun Kosovë-Serbi. Por, që të ketë sukses real duhet të ketë koordinim SHBA-BE. Pa këtë bashkëpunim nuk mund të ketë sukses. Roli i SHBA-së është i pa zëvendësueshëm. Ambasadori Richard Grenell ka bërë punë të jashtëzakonshme dhe marrëveshja finale është jetike për Ballkanin Perëndimor”, tha presidenti Hashim Thaçi. Ky i fundit kritikoi Bashkimi Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke thënë se BE-ja po tregohet shumë e padrejtë në raport me Kosovën me mosliberalizimin e vizave, ndonëse Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara.

E Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel, tha se e kupton brengën e kosovarëve për mosliberalizim të vizave, por tha se tash është në dorën e shteteve anëtare që të vendosin në mënyrë individuale.

“Si Komision Evropian e them se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe është koha e duhur që kjo çështje të bëhet. Por, unë nuk mund të premtoj se kur, sepse tash është në dorën e shteteve anëtare”, tha Joseph Borrel.

Shefi i diplomacisë evropiane Joseph Borrel pas Prishtinës viziton edhe Beogradin për të përcjellë mesazhin, se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë me synimin e arritjes së një marrëveshjeje që do të përmirësonte marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve.

dw

Koronavirusi – duhet mbajtur maskë, apo jo?

Koronavirus MaskaAutoritetet në mbarë botën ofruan mesazhe kontradiktore edhe kur u përpoqën të qetësonin panikun e blerjes së maskave që shiheshin si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit që po përhapet me shpejtësi. Disa ekspertë thanë se përdorimi i gabuar i maskave mund të rrisë madje rrezikun nga infeksioni i epidemisë.

Në Hong Kong, njerëzit presin në radhë të gjata jashtë një farmacie që shet maska për fytyrën. Vetë udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, u shfaq me një maskë jeshile në konferencën e saj për shtyp.

Sidoqoftë, në Singapor, qeveria ka publikuar një reklamë të veçantë në gazetën kryesore ku thuhet: “Mos mbaj maskë nëse je mirë”.

Autoritetet në mbarë botën ofruan mesazhe kontradiktore edhe kur u përpoqën të qetësonin panikun e blerjes së maskave që shiheshin si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit që po përhapet me shpejtësi.

Nuk është maska që mbani ajo që ju jep mbrojtjen më të madhe. Është larja e duarve, larja e rregullt e duarve me sapun dhe ujë. Nëse shqetësoheni për rrezikun e përhapjes nga dikush që nuk ka simptoma, ai person nuk do të kollitet, nuk do të tështijë mbi ju. Rreziku për infeksion është në të vërtetë kur prekni diçka që mund të jetë e kontaminuar dhe më pas prekni me dorë fytyrën “, u tha gazetarëve Kenneth Mak, drejtori i shërbimeve shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë së Singaporit.

Disa ekspertë thanë se përdorimi i gabuar i maskave mund të rrisë madje rrezikun nga infeksioni i epidemisë që ka marrë mbi 200 jetë në Kinë dhe po përhapet në mbi 20 vende.

Nëse personi ndjehet i sëmurë, duhet ta veshë maskën. Unë e vesh në tren, por asgjëkundi tjetër“, tha Elisa Torres, banore e Singaporit.

Ndërsa për Beth Taezan, banore e Manilës, frika ishte e dukshme mes turmave të mëdha të njerëzve që dynden pranë depos farmaceutike për maska, e cila është boshatisur.

Është e frikshme. Thanë në lajme se mund të vdesim për shkak të virusit. Duhet të jemi të kujdesshëm“, tha ajo.

Në disa pjesë të Azisë, mbajtja e maskave është e zakonshme kur njerëzit janë të sëmurë ose për t’u ruajtur nga ndotja urbane.

Udhëzimet zyrtare nga Organizata Botërore e Shëndetit dhe Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve nuk përmendin fare mbajtjen e maskës së fytyrës si masë parandaluese kundër virusit. Por, në faqet e tyre të internetit nuk ka ndonjë udhëzim kundër përdorimit të tyre.

Koronavirusi mund të transmetohet nga një person në tjetrin, megjithëse nuk është e qartë se sa lehtë. Shumica e rasteve kanë qenë mes njerëzve në qytetin kinez Wuhan, në vatrën e shpërthimit, mes familjarëve të të infektuarve ose punonjësve të mjekësisë.

Transmetimi mendohet se ndodh përmes kontaktit me një person të infektuar përmes grimcave në ajër nga kollitja ose teshtitja, ose nëse preket një objekt me virus, dhe më pas preket goja, hunda apo sytë.

voa

OBSH e shpall koronavirusin emergjencë globale

WHOOrganizata Botërore e Shëndetit e shpalli emergjencë globale shpërthimin e koronavirusit në Kinë që tashmë ka shkaktuar 170 të vdekur.

Numri i rasteve të konfirmuara është rritur në 7,711, duke përfshirë më shumë se 1,700 raste të reja të mërkurën.

“Rritja e vazhdueshme e rasteve dhe dëshmitë e transmetimit nga njeriu te njeriu jashtë Kinës janë thellësisht shqetësuese,” u tha kreu i OBSH Tedros Adhanom Ghebreyesus gazetarëve në selinë e organizatës në Gjenevë të mërkurën, një ditë pasi ai vizitoi Pekinin. “Megjithëse numri i rasteve jashtë Kinës është relativisht i vogël, ato kanë potencialin e një shpërthimi shumë më të madh.”

Disa vende kanë evakuuar shtetasit e tyre nga Wuhani – qyteti kinez në epiqendrën e shpërthimit. Linjat ajrore ndërkombëtare kanë pezulluar fluturimet direkte për në Kinë.

Tedros tha se 99% e të gjitha rasteve të konfirmuara janë në Kinë. Pesëmbëdhjetë vende të tjera kanë konfirmuar 68 raste. Të 170 vdekjet, me një përjashtim, kanë ndodhur në Wuhan dhe në provincën Hubei.

Numri i rasteve të reja të koronavirusit tani e tejkalon ato të epidemisë SARS 2002-03 që vrau 800 njerëz në të gjithë botën. Tedros vlerësoi reagimin e Pekinit për situatën.

“Përpjekjet e Kinës për të kufizuar shpërthimin në epiqendër kanë qenë thelbësore për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit,” tha ai. “Kina e identifikoi patogjenin në kohë rekord dhe e ndau atë menjëherë, gjë që çoi në zhvillimin e shpejtë të mjeteve diagnostikuese.”

Presidenti Donald Trump u informua për shpërthimin e sëmundjes nga ata që ai i quan “agjensi të mëdha” që punojnë me Kinën.

“Ne do të vazhdojmë të vëzhgojmë zhvillimet. Ne kemi ekspertët më të mirë kudo në botë dhe ata janë në krye të situatës 24/7,” tha presidenti në Twitter.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se po shqyrton kufizime të mëtejshme për linjat ajrore amerikane që fluturojnë për në Kinë, përveç kufizimeve vullnetare nga disa kompani ajrore. Akoma nuk është vendosur nëse do të ketë një ndalim të udhëtimeve.

Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se asnjë prej 195 pasagjerëve amerikanë të evakuuar të mërkurën nga Wuhan nuk treguan simptoma të koronavirus. Ata do të qëndrojnë në një bazë ushtarake amerikane në Kaliforni të paktën deri në fund të javës.

CDC tha që rreziku për amerikanët është i ulët. Agjensia po punon me OBSH për të çuar një ekip amerikan në Kinë sa më shpejt të jetë e mundur.

Lejohet anija italiane

Ministria italiane e shëndetësisë tha se udhëtarët në kroçerën Costa Smeralda nuk kanë koronavirus.

Rreth 6,000 njerëz po mbaheshin në bordin e anijes italiane të enjten ndërsa po kryheshin testime tek dy pasagjerë kinezë që dyshohej se kishin koronavirus.

Zëdhënësi i linjës së lundrimit Costa Crociere i tha agjencisë së lajmeve Reuters se çifti mbërriti në Itali në 25 janar dhe hipi në anije në portin e Savonës po atë ditë. Më pas ata u akuan për ethe dhe vështirësi në frymëmarrje.

Anija vizitoi portin francez të Marsejës, Barcelonës dhe Palma de Mallorca në Spanjë këtë javë para se të hipnin të enjten në Çivitavekia, në veri të Romës.

voa

Tish Daija – Kompozitori shqiptar i vlerave të rralla

Tish DaijaSkena e këngës dhe teatrit, krahas kontributit të gjerë në muzikë, do ta njihte për baletin e parë “Halili dhe Hajria”, apo këngën refren dashurie, si: “Me lule të bukura, due me t’dhurue vashë, një kurorë…”. Spektri i nuancave të muzikës së mirëfilltë shqiptare, do të ishte i zbehtë pa shkëlqimin e notave autentike të kompozitorit Tish Daija.

Daija lindi më 30 janar 1926 në Shkodër, në një familje të thjeshtë. Pa mbushur moshën shkollore, bëhet pjesëtar i “Korit françeskan”, ku nën drejtimin e P. Martin Gjokës dhe Filip Mazrekut, merr mësimet e para muzikore, bashkë me Tonin Harapin, Çesk Zadejën, Lukë Kacajn, Simon Gjonin. Në moshën 10 vjeçare bëhet instrumentist i bandës muzikore “Antoniane”, që drejtohej nga Prenk Jakova.

Tish Daija pianoKrijimtarinë muzikore e filloi nën tingujt e fizarmonikës. Kompozimet e para janë këngët “Çik, o mori çikë”, “Ndal, bre vash”, “Me lule të bukura”, “Bjeri Gajdes Gajdexhi” etj.

Shkollën e mesme e kreu në vitin 1947 në qytetin e lindjes. Më 1956, Tish Daija kreu studimet në konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Gjithashtu, Tish Daija ka dhënë një kontribut themelor në krijimin dhe zhvillimin e muzikës instrumentalo-simfonike, muzikës së dhomës dhe për krijimin e një tradite të çmuar shqiptare të muzikës klasike.

Së bashku me Çesk Zadejën e Tonin Harapin, krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, ku ka dhënë kontributin e tij si pedagog në formimin e disa brezave kompozitorësh, muzikologësh e instrumentistësh.

Mbas studimeve emërohet në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Tish Daija ka qenë udhëheqësi artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore për 18 vjet (1962-1980). Autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, “Bijtë e Peshkatarit” etj.

Ndërroi jetë në moshën 78 vjeçare në 3 tetor 2003

56-vjetori

Halili dhe Hajria, baleti i parë shqiptar

baleti halili-dhe-hajriaHalili dhe Hajria është një vepër baleti tërësisht shqiptare, e para në skenën e baletit shqiptar.

baletIshte 13 janari i vitit 1963, kur kompozitori Tish Daija, baletmaestri Panajot Kanaçi, dirigjenti Mustafa Krantja e një suitë e tërë artistësh, vunë në skenë baletin “Halili dhe Hajria”.

Interpretuesit e parë në rolin e Halilit, kanë qenë Xhemil Simixhi, Kristaq Rada dhe Llaqi Nako dhe në rolin e Hajries: Ganimet Vendresha (Simixhi) Zoica Haxho, ndërsa në rolet e tjera përmenden emrat e Luan Shtinos, Miltiadh Papës, Agron Aliajt, Skënder Jazexhiut, etj.

Në vitin 1983, kjo vepër rivihet në skenë. Krahas emrit të Llaqi Nakos, në rolin e Halilit, radhitet edhe ai i Ilir Kernit, ndërsa në rolet e tjera Albana Sulejmani, Pëllumb Agalliu, Hajdar Shtuni, Ludmill Çakalli, etj.

Më 12 dhjetor 1973 u luajt për të 150-ën herë, ndërsa në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit dhe jashtë saj u luajt mbi 250 herë. Në turnetë në Greqi, Itali, Turqi, Francë, ka pasur sukses të padiskutueshëm. Në Francë është vënë në skenë nga një trupë franceze, më pas edhe në Prishtinë.

Në të dy rastet baletmaestër ka qenë i madhi Panajot Kanaçi.

Konica

Si u shkëmbyen grekët e Anadollit me shqiptarët e Çamërisë

zerva_prifterinjeve_grek_fashisteMarrëveshja turko-greke, 98 vjet më parë në Lozanë të Zvicrës, firmosi shkëmbimin e popullatës. Më 30 janar të vitit 1923, u nënshkrua në Lozanë, marrëveshja e veçantë turko-greke, mbi shkëmbimin e grekëve të Anadollit, me “turqit” (këtu u përfshinë shqiptarët e besimit mysliman, nga Çamëria) e Greqisë. 

Në marrëveshje, përkatësia fetare ishte si kriter për shpërngulje dhe jo përkatësia kombëtare.

Me një dekret, Greqia përvetësoi pronat e shqiptarëve myslimanë dhe jo zyrtarisht i trajtoi si popullsi shkëmbyese, ashtu siç e parashihte Marrëveshja e Lozanës, për turqit e Greqisë.

Sipas marrëveshjes, duke filluar që nga 1 maji i vitit 1923: “…duhet të kryhet shkëmbimi, i detyrueshëm i shtetasve “turq” të besimit ortodoks.

Grekët e vendosur në tokat turke, gjithashtu edhe i shtetasve grekë të besimit mysliman, nga të vendosur në tokat greke.

Të shkëmbyerit duhet të linin vendin e origjinën dhe duhej të fitonin atë të vendit ku shkonin, pa të drejtë kthimi.

Ndërsa, në verë të vitit 1924, procesi i shkëmbimit mori karakter masiv.

shperngulja e shqipetarevePas kësaj në vitin 1938 qeveria e mbretërisë jugosllave ka nënshkruar një konventë me qeverinë e Republikës së Turqisë për emigrimin e popullatës turke (në të vërtet ishte fjala për shpërnguljen e popullsisë shqiptare të konfesionit mysliman), nga pjesa jugore e Serbisë, gjegjësisht nga Kosova dhe trevat tjera shqiptare që shtriheshin në 3 banovina: në banovinën e Zetës, Moravës dhe të Vardarit.

 

KONVENTA:

Mbi rregullat e emigrimit të popullatës turke * (*Fjala është për shpërnguljen e popullsisë shqiptare të konfesionit mysliman) nga regjioni i Serbisë së Jugut në Jugosllavi.

Qeveria e Republikës së Turqisë dhe Qeveria e Madhërisë së Mbretit të Jugosllavisë konstatojnë:

– Emigrimin (shpërnguljen) e myslimanëve nga regjioni i Serbisë së Jugut, dhe

– Njëheri vlerësojnë se kjo popullatë nga ana tjetër, në përgjithësi, i ka humbur të drejtat e regjimit të lirë në Jugosllavi, dhe së bashku janë përcaktuar ta braktisin territorin e Mbretërisë, me dëshirën e tyre legjitime, në mënyrë që t’u bashkohen etnikëve të tyre natyral në Turqi.

Ata shfaqën dëshirën që të nënshkruajnë Konventën sipas së cilës caktohen mënyrat e shpërnguljes si dhe pre-impotencat e tyre përkatëse të:

Madhërisë së tij, Mbretit të Jugosllavisë;

M.

Ekselenca e tij, Zoti Kryetar i Republikës së Turqisë.

M.

Ato do të komunikojnë dhe do t’i përmbushin dëshirat e tyre, sipas mënyrave të caktuara me dispozitat vijuese:

Neni 1.

Me këtë konventë identifikohen shtetasit jugosllavë me fe, kulturë dhe kombësi myslimane dhe që flasin gjuhën turqishte.

Ndërsa, me këtë Konventë nuk identifikohen, personat për të cilët hyrja në Turqi është ndaluar sipas ligjeve dhe rregullave të Turqisë, të cilat janë në fuqi, edhe atë: popullata nomade dhe ajo jevge.

Neni 2.

Regjionet, të cilat i nënshtrohen emigrimit sipas kësaj Konvente, janë si vijon:

1. Rajoni i Banovinës së Vardarit:

Rajoni i Malit Sharr (Prizreni); Gora (Dragashi); Podgora (Suha-Reka); Nerodimja (Ferizaj); Donji Pollog-Pollogu i Ulët (Tetova); Gornji Pollog-Polloga i Sipërm (Gostivari); Galica (Rostusha); Dibra (Dibër); Struga (Strugë); Graçanica (Prishtinë); Kaçaniku (Kaçanik); Gjilani (Gjilan); Presheva (Preshevë); Prespa (Resnja); Poreçi (Juzhni Brod-Makedonski Brod); Prilepi (Prilep); Bitoli (Manastiri); Kavadarci (Kavadari); Marihovo (Manastiri-Marihovë); Negotin Na Vardaru (Negotini i Vardarit); Skopje (Shkupi), Kumanova (Kumanovë); Velesi (Velesi); Ovçe Pole (Ovçe Pole); Radovishte (Radovishta); Strumica (Strumicë); Dojrani (Valandova); Gjevgjelija (Gjevgjelia); Kriva Pallanka (Kriva Pallanka); Kratovo (Kratova); Carevo Sello (Carevo Sello); Malesi (Berovo).

2. Rajoni i Banovinës së Zetës, përfshin:

Pejën (Pejë); Istokun (Istog); Mitrovicën e Kosovës (Mitrovicë e Kosovës); Gjakovën (Gjakovë); Podrimjen (Rahovec).

3. Rajoni i Banovinës së Moravës përfshin:

Llapin (Podujevë); Vuçiternën (Vuçitërnë); Drenicën (Sërbicë).

Qeveria jugosllave do të caktonte se nga cili regjion do të fillonte emigrimi (shpërngulja).

Neni 3.

Numri i familjeve, për të cilat Qeveria turke merr obligimin që t’i pranojë nga regjionet e përmendura në Nenin 2, sipas kushteve të kësaj Konvente, përbëhet prej 40.000 familjesh. Këtu përfshihen familjet e përbashkëta dhe anëtarët e tyre (personat) dhe fëmijët e një gjaku, të cilët në momentin e nënshkrimit të kësaj Konvente, jetojnë në një bashkësi familjare të pandarë dhe nën një kulm të përbashkët.

Neni 4.

Riatdhesimi i këtyre 40.000 familjeve do të realizohet për gjashtë (6) vjet, sipas këtyre proporcioneve:

1. Në vitin 1939 4.000 familje

2. Në vitin 1940 6.000 familje

3. Në vitin 1941 7.000 familje

4. Në vitin 1942 7.000 familje

5. Në vitin 1943 8.000 familje

6. Në vitin 1944 8.000 familje

Nëse ky numër i familjeve nuk mund të realizohet sipas viteve të parapara për shkak të pengesave-vështirësive eventuale, dy palët kontraktuese, do të bëjnë marrëveshje sipas dispozitave përkatëse ligjore mbi numrin e të emigruarve (të shpërngulurve), të cilët do të evakuohen nga njëra anë, dhe do të pranohen nga pala tjetër, tre muaj para fillimit të emigrimit. Por, kuptohet se këto ndryshime eventuale të numrit të të emigruarve (të shpërngulurve) në vit, nuk mund të zgjatet më tepër se një vit gjatë gjashtë (6) viteve të caktuara -të fiksuara për emigrim (për shpërngulje). Koha e emigrimit (shpërnguljes) për çdo vit do të zgjasë (do të fillojë) prej muajit maj deri më 15 tetor, pos kontingjentit të vitit të parë, i cili do të fillojë në fillim të muajit korrik të vitit 1939.

Neni 7.

Qeveria jugosllave duhet t’i paguajë Qeverisë turke shumën prej 500 lirash turke për një familje, ndërsa shuma e tërësishme do të jetë 20.000.000 lira turke për 40.000 familje, në bazë të së cilës shumë, këto familje do të merren në konsiderim. Përkundër kësaj pagese globale, të gjitha pasuritë e patundshme fshatare që u përkasin të shpërngulurve, në pajtim me Nenin 6, mbeten pronë e Qeverisë Jugosllave. Sa i perket pasurisë së tundshme dhe të patundshme fshatare, e cila i takon kombësisë myslimane ose Evkafit (Vakëfit), kuptohet se kjo Konventë nuk i dëmton dispozitat e Ligjit ekzistues, i cili i rregullon ato.

Neni 8.

Qeveria jugosllave më 1. prill dhe më 1. tetor të çdo viti do të kryejë (bëjë) pagesën periodike (semestrale), e cila do të jetë në proporcion me familjet që shpërngulen, të cilat do të evakuohen gjatë vitit, e që mund të zvogëlohet ose të rritet në proporcion me numrin e tyre. Pagesa, shuma e së cilës është caktuar me nenin e mëparshëm (Neni 7) do të bëhet në 12 kiste e ndarë për gjashtë (6) vjet.

Neni 9.

Qeveria jugosllave, secilën pagesë do ta bëjë në këtë mënyrë:

30% në deviza, të cilat duhet t’ia lejojë në dispozicion Qeverisë së Republikës së Turqisë përmes Bankës Popullore të Jugosllavisë;

70% në dinarë, duke i deponuar në Bankën Popullore të Jugosllavisë, në dobi të xhirollogarisë – në favor të Qeverisë së Republikës së Turqisë.

Banka Popullore e Jugosllavisë, për secilën pagesë do ta njoftojë menjëherë Legatën e Turqisë në Beograd, se depozita është bërë në xhirollogarinë e tyre.

Neni 10.

Për shndërrimin e dinarëve në lira turke, Banka Popullore e Jugosllavisë dhe Banka Qendrore e Republikës së Turqisë do të realizojnë, në marrëveshje të përbashkët, sipas kursit të ndërrimit në lira turke, i cili vlen ditën e ndërrimit, përkatësisht në ditën e secilës pagesë.

Neni 11.

Shumat (fondet) e deponuara në Bankën Popullore të Jugosllavisë do të shfrytëzohen nga ana e Qeverisë së Republikës së Turqisë, qoftë në të gjitha format ose pagesat dhe shpenzimet, të cilat do të bëhen në Jugosllavi, qoftë për blerje në tregun jugosllav, përveç mallrave, eksportimi i të cilave është i ndaluar dhe i kushtëzuar me pagesat e tyre në deviza (siç janë): bakri, leshi, prodhimet nga lëkura, prodhimet nga druri i arrës, frutat e vajrave, ullinjtë, gruri dhe misri.

Blerja e të gjitha këtyre mallrave do të realizohet, duke ia destinuar ato Turqisë. Këto mallra do të lirohen nga çdo tatim, taksë ose nga çdo ngarkim tjetër i eksportimit. Kuptohet se, për eksportim nuk do të zbatohen dispozitat e parashikuara në bazë të marrëveshjeve komerciale (tregtare) të lidhura ose që do të lidhen, por ajo do të bëhet në pajtim me dispozitat e kësaj Konvente.

Neni 12.

Personat që do të evakuohen gjatë periudhës së shpërnguljes, të cilët do të shpërngulen sipas listës vjetore, duhet të japin (paraqesin) deklaratë me shkrim para autoriteteve jugosllave në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi shtetasit jugosllavë që është në fuqi, se heqin dorë nga shtetësia Jugosllave me dëshirë. Këta persona do t’i kenë cilësitë dhe do t’i gëzojnë të drejtat e të shpërngulurve sipas ligjeve turke, që nga momenti kur përfaqësuesit e Turqisë, të cilët do të emërohen për këtë çështje, do t’i nënshkruajnë listat vjetore të emigrimit në Turqi.

Neni 13.

Të shpërngulurit, në përgjithësi, do të jenë të lirë t’i likuidojnë ose t’i bartin me vete të gjitha mallrat (e pasurinë) e veta të tundshme të të gjitha llojeve, me të cilat posedojnë (si pronë personale), pastaj shtazët e shpezët nga fermat e tyre, instrumentet, makinat etj. të cilat përdoren në punë bujqësore ose industriale ose për ushtrimin e zejeve e profesioneve të tjera.

Megjithatë, për transportin e mallrave dhe të pasurisë së tyre të tundshme, veglave bujqësore, pastaj nga 4 kafshë të trasha dhe nga 10 kafshë të vogla, duke mos i llogaritur të vegjlit e tyre, vjetët etj.; Qeveria Jugosllave merr përsipër që ato t’i transportojë gratis deri në limanin e zbarkimit të tyre në Selanik.

Për transportin e mallrave, të shpërngulurit gëzojnë zvogëlimin e taksave sipas tarifës në fuqi. Megjithatë, nuk gëzojnë zvogëlimin e taksave për kafshë, si p.sh. gjashtë kafshë të trasha dhe 20 kafshë të imëta (të vogla) duke mos i llogaritur të vegjlit e tyre, për secilën familje që shpërngulet.

Eksportimi i kafshëve bëhet sipas dispozitave të Konventës ekzistuese veterinare dhe në bazë të certifikatës së veterinarit, të cilat do të sigurohen gratis për ata që shpërngulen.

Neni 14

Ata që shpërngulen janë të autorizuar, që në mënyrë të barabartë të importojnë: ekskluzivisht stolitë e tyre personale, pikërisht qaforet ose pjesët e tyre, gjerdanët nga ari, argjendi, të cilat i mbajnë në qafë femrat, si dhe secili nga ata nuk mund të importojnë më shumë se një sosh.

Përkundër kësaj, secili kujdestar i familjes është i autorizuar që lirisht të importojë, në të dalë nga Jugosllavia, shumën prej 2.000 dinarësh, si dhe shumën prej 4.000 dinarësh të shndërruar në kundërvlerë në deviza. brendshëm, pas likuidimit të pasurisë së tyre të tundshme dhe të patundshme në qytet e në fshat, mallrat, eksportimi i të cilave nuk është i kushtëzuar në deviza ose i ndaluar në Jugosllavi si dhe importimi i të cilave nuk është i ndaluar në Turqi. Të gjitha këto mallra do t’i nënshtrohen taksave dhe ngarkesave të tjera të eksportimit dhe të importimit.

Neni 15.

Banka Popullore e Jugosllavisë do të hapë xhiro-llogarinë speciale në emër të Qeverisë së Republikës së Turqisë në Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë, në të cilën secili i shpërngulur do të ketë mundësinë të deponojë të gjitha shumat që i takojnë dhe me të cilat disponon, në pikëpamje të garantimit të transferimit përmes blerjes së mallrave në Jugosllavi, Banka Popullore e Jugosllavisë do ta njoftojë Legatën e Turqisë në Beograd për secilën pagesë të bërë në efektiv, me udhëzim të detalizuar të deponuesit. Këto shuma, kështu të transferuara në Turqi, përmes mallrave të blera në Jugosllavia, do t’u kthehen të interesuarve nga ana e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë.

Neni 16.

Fondet, mallrat, vlerat, mobilet dhe të gjitha objektet e tjera, të cilat u përkasin të miturve dhe anëtarëve të tjerë të familjes, të cilëve ua ka besuar kujdestari i familjes dhe të besuara nga organet kompetente jugosllave, do t’i paguhen ose do t’i lejohen Qeverisë së Republikës së Turqisë, që në të ardhmen do t’i sigurojë administrata dhe mbrojtja e tyre, deri sa të rriten ata, ndërsa shpagimi i tyre do t’i bëhet kryetarit të familjes, i cili e gëzon këtë të drejtë në pajtim me ligjet e Turqisë.

Neni 17.

Të gjithë të rinjtë myslimanë, familjet e të cilëve janë regjistruar në listat vjetore të shpërnguljes, e të cilët ende gjenden në radhët e armatës jugosllave, menjëherë do të lirohen nga shërbimi ushtarak i mëtejmë, dhe në të njëjtën kohë do të shpërngulen së bashku me familjet e tyre. Nën të njëjtat kushte, nuk do të përfshihen, të rinjtë myslimanë turq që jetojnë në regjionet, popullsia e të cilave është caktuar të emigrohet gjatë vitit vijues.

Neni 18.

Nga ana e Qeverisë jugosllave do të emërohet një Komision special, i cili do të angazhohet për hartimin e listës vjetore për të shpërngulurit, duke e detalizuar me të gjitha shënimet e nevojshme mbi kushtet, profesionin dhe zejet e emigrantëve. Listat duhet t’u prezantohen përfaqësuesve të Qeverisë turke, dhe njëherit duhet të zbatohen nga ana e tyre, ato do të shërbejnë si bazë për lejimin e dhënies së pasaportit turk, si dhe për llogaritjen e numrit të familjeve të të shpërngulurve.

Ky Komision jugosllav do të mbajë bashkëpunim të përhershëm me të deleguarit turq, dhe në kërkesë të tyre, duhet t’u ofrojë atyre të gjitha informatat për të cilat ata kanë nevojë.

Neni 19.

Nisja dhe ngarkimi i të shpërngulurve do të bëhet në bazë të pasaportave turke kolektive, të cilat do t’u lejohen atyre nga autoritetet konsullore të Qeverisë së Republikës së Turqisë në Jugosllavi. Pasaportat kolektive turke si dhe të gjitha dokumentet e tjera të nevojshme, të cilat vlejnë si dëshmi, përgatitja e listave vjetore dhe e vizave përkatëse në pasaporta për të dalë nga Jugosllavia, absolutisht do të bëhen gratis.

Neni 20.

Në zonën e lirë të Jugosllavisë, në Selanik, do të konstituohet një komision mikso turko-jugosllav i përbërë nga nëpunësit, të emëruar nga të dy qeveritë, i cili do të angazhohet, në marrëveshje të përbashkët, për të ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme, sipas rrethanave dhe kushteve të ngarkimit dhe të zbarkimit të të shpërngulurve.

Neni 21.

Kjo Konventë hyn në fuqi ditën e ratifikimit të saj nga ana e të dy qeverive.

Njëheri, nënshkruesit, këtë Konventë do ta vërtetojnë me vulat përkatëse.

E hartuar në gjuhën frënge në vitin 1938.

(konica)

Familja që lidh LSDM-në me Alternativën

Familja BilalliDeri para do kohe, Mersel Bilalli, ishte këshilltar i kryeministri Zaev. Vajza e tij – Xheneta Bilalli ishte angazhuar drejtpërdrejtë në aktivitete politike të LSDM-së, ndërsa djali, Amir Bilalli, në Forumin Rinor të partisë Alternativa

Nuk janë të rralla rastet që anëtarë të një familje më të ngushtë mund të anëtarësohen dhe të jenë aktivistë partiakë në më shumë parti politike. Por ama të rralla janë rastet kur nga një familje – njëri anëtar është me një parti shqiptare, e tjetri me një parti maqedonase.

Mersel BilalliMersel Bilalli, ish-këshilltar i Zoran Zaevit

Bëhet fjalë për familjen e ish-deputetit të PPD-së nga Gostivari, Mersel Bilalli, i njohur ndryshe edhe si kryetar i Komisionit për Ndriçimin e ngjarjeve të përgjakshme të Gostivarit në vitin 1997, ku mbetën të vrarë disa shqiptarë të pafajshëm të këtij qyteti, ndërsa qindra të tjerë u keqtrajtuan rëndë fizikisht. Si rezultat i këtij aksioni policoro-ushtarak që në atë kohë u realizua nga LSDM-ja në pushtet, u dënuan me disa vite burg edhe Rufi Osmani, Alajdin Demiri, Refik Dauti, Vebi Bexheti dhe shumë qytetarë të tjerë shqiptarë. Përkundër faktit që në krye të Komisionit ishte caktuar deputeti Mersel Bilalli, në raportin përfundimtar për ndriçimin e këtyre ngjarjeve nuk u zbuluan as vrasësit, por as përgjegjësit për tragjedinë e shqiptarëve në Gostivar. Me fjalë të tjera, raporti i Komisionit hetimor ishte thuajse i njëjti me raportin policor.

Xheneta BilalliXheneta Bilalli, anëtare e LSDM-së

Ai së bashku me vajzën e tij, Xheneta Bilalli, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 ishin ndër shqiptarët më të zëshëm kundër “regjimit” të Gruevskit. Menjëherë pas ardhjes së Zoran Zaevit në krye të Qeverisë, Mersel Bilalli u emërua këshilltar i kryeministrit, ndërsa pas kësaj, vajza e saj u punësua në Galerinë e Arteve të Maqedonisë, ku drejtori është kuadër i BDI-së. Vitin e kaluar, për shkaqe ende të panjohura për opinionin, Mersel Bilalli, u largua nga detyra e këshilltarit të kryeministrit.

AlternativaAmir Bilalli (në të djathtë), anëtar i partisë Alternativa

Për dallim nga babai dhe e motra, djali i Merselit, Amiri – gjithashtu është angazhuar në politikë, mirëpo jo në LSDM, por në Forumin Rinor të partisë Alternativa të Afrim Gashit. Nëse nuk është çështje e moralit politik, atëherë ky është një shembull i mirë i liberalizmit politik brenda një familje shqiptare.

(koha.mk)