Koronavirusi/ Qeveria e Maqedonisë së Veriut anulon tubimet publike deri më 6 mars

ShkupiQeveria rekomandon anulimin e të gjitha tubimeve masive publike, si masë për ndalimi për koronavirusin.

Aktualisht këto masa do të vlejnë deri më 6 mars, por mundësia për masa të reja do të ngelet e hapur, varësisht prej rrethanave të krijuara nga koronavirusi. Ngjarjet sportive të caktuara për këtë periudhë nuk anulohen, por do të bëhen pa prezencën e publikut.

Propozimi i Qeverisë ka të bëjë me tubimet më të mëdha publike të cilat janë planifikuar në këtë periudhë, si dhe karnevali i Strumicës, karnevali në Prilep dhe të ngjashme.
Qeveria u rekomandon organizatorëve të ngjarjeve sportive dhe garave në periudhën deri më 6 mars, të bëhen pa prezencën e publikut. I njëjti rekomandim i Qeverisë vlen edhe për të gjitha manifestimet tjera argëtuese dhe kulturore e artistike.

Qeveria u rekomandon të gjithë organizatorëve të ngjarjeve të tjera publike që vendimet e tyre t’i sjellin mbi baza të konsultimeve me Komisionin për sëmundje infektive.Qeveria obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që deri në seancën e ardhshme të dorëzojë informacion se si po zbatohen masat që ka përcaktuar Shtabi i Krizës.
Sipas Alsat, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka informuar se një udhëtarë i cili nga Italia është kthyer në Strumicë, më 22 shkurt, është paraqitur se ka temperaturë të ngritur. Ai ka theksuar se materiali i nevojshëm për analizë është marrë dhe rezultatet e testit për koronavirus priten gjatë ditës.

Në klinikën infektive në Shkup, tashmë po kurohet një person i diagnostifikuar me koronavirus, ndërsa 12 persona janë në izolim për shkak të kontakteve që kanë pasur me persona të prekur nga koronavirusi.

Top Channel

Tiranë: Protesta e presidentit kundër qeverisë

rama metaNjë protestë e pazakontë, mbarëkombëtare është thirrur nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Po sa besueshmëri tek qytetarët ka Presidenti dhe politikani Meta?

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thirrur qytetarët e Shqipërisë, të hënën që vjen, ( 2.03.2020)  të protestojnë para Kryeministrisë dhe të rrëzojnë qeverinë Rama. Ndaj kësaj qeverie Meta drejton akuza të rënda: “grusht shteti përmes sistemit të drejtëssë,” “shkelje e Kushtetutës”, “lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar”. Sa të rënda janë akuzat, aq të larta janë edhe pritshmëritë e Metës nga protesta. Ai  ka deklaruar se në 2 mars pret që dy institucionet kryesore, “qeveria dhe parlamenti t’i kthehen popullit shqiptar.”

Kurse Kryeministri Rama e cilësoi të mërkurën (26.02 protestën e thirrur nga Meta në 2 mars ,”një manifestim të madh të  mos-arsyes njerëzore që nuk parashikohet nga Kushtetuta dhe ligji.”

Konflikti Presidencë – Qeveri dhe Kushtetuta

Ky konflikt u shfaq hapur qershorin e kaluar, kur Presidenti Meta ҫfuqizoi me dekret 30 qershorin si datën e Lokaleve 2019. Maxhoranca socialiste nisi procedurat për shkarkimin e Presidentit Meta pasi  ҫdekretimi i 30 qershorit u konsiderua prej saj  „shkelje e Kushtetutës” dhe „tejkalim i kompetencave kushtetuese “. Procedura e shkarkimit të Metës, i vendosi palët në konflikt interesi në raport me Gjykatën Kushtetuese, (GJK) pasi vetëm kjo Gjykatë do të mund të vendosë përfundimisht shkarkimin ose jo të Metës. GJK në Shqipëri nuk funksionon prej më shumë se dy vitesh dhe emërimi i anëtarëve të saj po ecën mes bllokimesh dhe ngërҫi.

Për të zhbllokuar emërimin, maxhoranca socialiste miratoi së fundmi ndryshime ligjore në procedurën e betimit të anëtarëve të GJK, që i heqin Presidentit të Republikës ekskluzivitetin e betimit të tyre në Presidencë. Nëse Presidenti nuk thërret brenda 10 ditëve kandidaturat e miratuara në Parlament për të bërë betimin në Presidencë, ndryshimet ligjore u japin atyre mundësinë ta bëjnë betimin me shkrim dhe t’ia dërgojnë Presidentit dhe GJK për të filluar menjëherë punën në GJK. Këtë alternativë në procedurën e betimit Meta i konsideron “kapje të GJK dhe grusht shteti nga qeveria”.

Çfarë qëndron pas konfliktit? Cilat janë interesat e palëve?

Aleksandër Çipa, analist i pavarur në Tiranë, thotë për DW se në thelb të konfliktit Presidencë – Qeveri është beteja për Gjykatën Kushtetuese (GJK). “Kjo është një betejë për ndarje të hises të anëtarëve të GJK mes dy palëve në konflikt.  Meta në këtë pikë është në të drejtën e tij kushtetuese. Por me thirrjen e protestës ai po bën një akt politik jo kushtetues. Meta u zgjodh President me votat e kësaj maxhorance socialiste. Aktet e tij populiste kanë bërë që ai të mos jetë më garant i unitetit të kombit dhe nuk i ka lënë vehtes asnjë grimcë dëshmie si president mbi palët. Meta është tani në pozitën e një opozitari radikal në Presidencën e vendit! Në akuzat e tij, përveҫ gjërave ku ka të drejtë, ka paradokse dhe absurditete të pashoqe, si pretendimi për grusht shteti nga një qeveri që është në qeverisje!,” thekson Aleksandër Çipa.

SPAK- një shkak për acarimin e konfliktit.

Përtej konfliktit për anëtarët GJK nuk mungojnë edhe shkaqe të tjera që mund ta kenë ndezur konfliktin mes palëve, sipas Çipës. “Pas tij mund të jetë një mënyrë diabolike e politizimit dhe neutralizimit të veprimtarisë së pritshme të institucioneve të reja të drejtësisë, sidomos të Strukturës së Posaҫme Anti-Korrupsion, (SPAK) që sipas Kushtetutës do të merret me luftën kundër korrupsionit në nivele të larta” thotë për DW, Aleksandër Çipa.

Ilir Meta është një nga 4 politikanët kryesorë, më të suksesshëm në Shqipërinë post-komuniste, që ka zotëruar skenën politike për 28 vjet rrjesht. Por sipas Aleksandër Çipës, “në udhëtimin e tij të gjatë politik ai ka shumë sfida të humbura morale, korrupsion, mëkate qeverisëse, lojëra politike me PD dhe PS dhe me interesat e vendit e të demokracisë. Kauza që ka zgjedhur Meta ka një kornizë të plotë, të drejtë, por ai nuk e ka të plotë besimin nga qytetarët.”

Protesta – show politik, qytetarët mosbesues

Paradokset dhe absurditetet në konfliktin Presidencë – Qeveri tregojnë se në Shqipëri demokracia vazhdon të mbetet e brishtë. Edlira Gjoni, Drejtore Ekzekutive, Qëndra për Ndikim Publik, me seli në Tiranë, thotë për DW se ky konflikt ka në themel kontrollin ndaj institucioneve demokratike dhe të pavarura nga politika. “Ka shumë retorikë politike nga të dyja palët. Përtej retorikës asnjë palë nuk është gati të sakrifikojë në emër të konsolidimit të demokracisë. Pushtetarët duan ta forcojnë edhe më tej kontrollin, ata që kanë humbur pushtetin duan ta marrin,” thotë Edlira Gjoni për DW.

Ndryshe nga pritshmëritë e larta të Presidentit Meta, pjesëmarrja dhe rezultatet e protestës mbarë kombëtare shihen me mosbesim. “Protesta do të jetë një show politik, jo një ngjarjeje që do të sjellë kthese të fortë politike. Ajo e bën edhe më të pavonueshëm procesin e shkarkimit të Presidentit Meta nga Parlamenti, që Meta kërkon ta shpërndajë” thotë Aleksandër Çipa.

Kurse Edlira Gjoni mendon se qytetarët nuk e shikojnë konfliktin Presidencë-Qeveri të lidhur me hallet dhe të përditshmen e tyre. “Protesta e fundit me interes të drejtpërdrejtë qytetar në Shqipëri ka qenë ajo e studentëve, në dhjetor 2018. Nga reagimi publik për 2 Marsin, kuptohet që njerëzit ende nuk janë bindur se kriza politike,dhunimi i Kushtetutës  në emër të të cilave flasin palët, prekin drejtpërsëdrejti nivelin dhe koston e jetës, arsimimin e fëmijëve, punësimin. Qytetarët e thirrur në protestë, nuk bëjnë jetën e pasur e të sigurtë të atyre që janë në pushtet, të atyre që duan të qëndrojnë, apo të atyre që duan të vijnë” thotë për DW , Edlira Gjoni.

Shqipëri, 38 përqind e popullsisë jeton jashtë vendit

popullsiaRënia demografike në Shqipëri vijon që prej 3 dekadash, pas rrëzimit të regjimit komunist. Komponenti kryesor është emigracioni dhe lindshmëria që ka rënë me 65 % që prej vitit 1990. Ndërsa popullsisë së Shqipërisë, për shkak të emigracionit, sot i mungojnë rreth 1 milion e 112 mijë banorë, ose afro 38.8% e popullsisë aktuale.

Zyrtarët nuk e shohin me shqetësim emigracionin, ndërsa thonë se po tentojnë të krijojnë një zonë ekonomike në rajon për lëvizjen e mallrave të kapitaleve dhe njerëzve. Nga ana tjetër ekspertët kanë kritika për mungesën e tregjeve të punës për të rinjtë dhe largimin e të kualifikuarve nga vendi.

Në Shqipëri ka një debat të vazhdueshëm mbi zhvillimet demografike të tre dekadave të fundit. Sipas Instat, popullsia (rezidente) e Shqipërisë është mbi 2 milion e 850 mijë banorë.

Në një raport të OKB-së, publikuar pak kohë më parë, thuhej se sipas parashikimit më pesimist, në vitin 2100 Shqipëria do të ketë 18 % të popullsisë aktuale dhe në parashikimin optimist 66%. Zyrtarët shpjegojnë se parashikimi i OKB-sëka kufizime në saktësi.

“Duhet të kemi një gjë të qartë, që edhe hartuesit e këtij raporti, në hyrje të publikimit shpjegojnë kufizimet që ka ky publikim, i cili bëhet që prej vitit 1960. Në përgjithësi shifrat në nivel global rezultojnë të drejta, për nga pikpamja e projeksionit, kur bëhet fjalë për popullsi që kanë një numër të vogël, siç është rasti për vendin tonë, kanë limitacione të saktësisë”- thotë Milva Ekonomi, Kryetare e Komisionit parlamentar të ekonomisë.

Parashikimet nga Instat për popullsinë shkojnë deri në vitin 2061 dhe skenari i mesëm parashikon që në Shqipëri do të ketë 73% të popullsisë aktuale. Ekspertë të demografisë thonë se nuk ka vend për shqetësime në parashikimet afatgjata.

“Projeksionet bëhen duke patur parasysh nivelin e lindshmërisë në të kaluarën, nivelin e vdekshmërisë në të kaluarën dhe atë të emigracionit. Këto projeksione janë bazuar mbi faktin se kanë mbajtur të njëjtat nivele të këtyre tre fenomeneve. Dhe prandaj këto parashikime dalin me ca shifra të frikshme, jo reale për periudhat afatgjata”- thotë Arjan Gjonçaj, profesor i demografisë në “London School of Economics” në Angli.

Në vitet 70-80 Shqipëria kishte rritjen më të lartë të popullsisë në Europë, me 2% në vit, aktualisht rritja është negative me -0.35%. Popullsia e Shqipërisë është tkurrur me 15% që prej vitit 1989, kur kishte afro 3 milion e 300 mijë banorë. Komponentët që ndikojnë në rritjen ose rënien e popullsisë janë lindjet, vdekjet, imigracioni, dhe emigracioni. Në rastin e Shqipërisë emigracioni është faktori kryesor i tkurrjes.

Në 29 vite për shkak të emigracionit në Shqipëri mungojnë afro 1 milion e 112 mijë banorë ose 38.8 % e popullsisë aktuale . Demografët thonë se Shqipëria zë vendin e parë në Evropë për emigrimin masiv. Drejtori i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale Ilir Gëdeshi, thotë se në një studim u vu re tendenca e largimit të të rinjve dhe personave të kualifikuar.

“Nga studimi ynë rezultoi se dëshirojnë të emigrojnë më shumë nga Shqipëria të punësuarit, personat me arsim të lartë dhe kualifikim të lartë. Ndërsa në 2007 dëshrionin të emigronin të papunët, më të varfrit, të pakualifikuarit dhe të paarsimuarit”.

Zyrtarët i kanë analizuar këto shqetësime në lidhje me largimin e personave të kualifikuar nga vendi dhe kanë këtë qasje mbi situatën.

“Natyrisht që do t’i mungojnë Shqipërisë shqiptarët që kanë mëndje të ndritur, por nga ana tjetër edhe do t’i vijnë njerëz të këtij lloji. Sepse çfarë po kërkojmë ne të realizojmë? Po kërkojmë të bëjmë atë që quhet zona ekonomike rajonale, ku përveç integrimit në BE, edhe vendet e Ballkanit perëndimor të kenë një mundësi të lëvizjes së kapitalit të profesioneve të shërbimeve dhe të mallrave”- u shpreh Milva Ekonomi, Kryetare e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë.

Sipas monitorimit të Qendrës për Studime Ekonomikë dhe Sociale vihet re se emigrimi potencial i të rinjve është i lartë.

“Emigrimi potencial tek studentët që studiojnë në univeristetet publike dhe private në Shqipëri është mjaft i lartë, rreth 79%. Ndërsa po të shohim studentët shqiptarë që aktualisht studiojnë jashtë, 94% e tyre nuk dëshirojnë të kthehen në vend”- thotë zoti Ilir Gëdeshi.

Disa studentë i thanë Zërit të Amerikës se shtysa e tyre drejt Perëndimit është mungesa e tregut të punës kryesisht për degët e reja por dhe korrupsioni në vend.

“Përderisa po jetojmë në një vend ku ka shumë korrupsion, nuk mendoj se e ardhmja për ne studentët është shumë e madhe këtu”, thotë studentja Zeraldina Aliu.

“Dega ku studioj unë, në inxhinierinë ekonomike, është e re, dhe nuk besoj se mund të ketë shumë mundësi pune, pasi të mbaroj studimet”,shprehet Mario Spano, student në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Ekspertët mendojnë se emigrimi do vazhdojë përsa kohë zhvillimi ekonomik dhe social i vendit do të jetë i paqëndrueshëm dhe se këtë e tregojnë dhe shifrat e azilkërkuesveshqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian, rreth 178 mijë në harkun kohor 2010 – 2018 sipas Eurostat.

Kryeministri Edi Rama nuk e sheh me shqetësim rënien demografike dhe emigrimin e shqiptarëve.

“Patjetër që ikja e njerëzve ka problemet e veta, po kush thotë se levizja lidhet me qeverinë nuk kupton asgjë ose është i poshtër. Shqiptarët kanë ikur dhe do ikin, kanë ardhur dhe do vijnë, çfarë duam bunkerin e Enver Hoxhës? Sipas Eurostat në 4 vitet e fundit janë kthyer 155 mijë shqiptarë”.

Një prej shqetësimeve kryesore të ekspertëve lidhet me lindjet të cilat kanë rënë me 65% që prej vitit 1990 kur kishte 82 mijë lindje në vit. Numri i fëmijëve për një grua në moshë riprodhuese është 1.37 dhe që prej 19 vitesh është nën nivelin 2.1 që është kufiri i nevojshëm për të ruajtur popullsinë.

Masat e qeverisë për stimulimin e lindjeve përmes bonusit të bebeve, konsiderohen nga ekspertët të pamjaftueshme.

“Politikat për rritjen e popullsisë duhet të fokusohen kryesisht tek përmirësimi i emancipimit të femrës në Shqipëri, tek përmirësimi i kushteve të punës, i politkave që kanë të bëjnë me barazinë në vendin e punës por dhe në familje”,thotë Arjan Gjonçaj, profesor i demografisë në “London School of Economics” në Angli.

Rënia e lindshmërisë është një shqetësim për të gjitha vendet në BE dhe rajonit të Ballkanit, pasi është nën nivelin 2.1 të ripërtëritjes. Shqipëria ndodhet nën mesataren prej 1.55% të Bashkimit Evropian.

Dukuria tjetër shqetësuese lidhet me shtesën natyrore të popullsisë ose ndryshe raporti mes lindjeve dhe vdekjeve që ka rënë me 89% krahasuar më vitin 1990 kur popullsia rritej me 64 mijë persona në vit. Por edhe pse Shqipëria ka shtesë natyrore pozitive të popullsisë, kjo shtesë nuk dominon mbi emigracionin, ndaj dhe rritja e popullsisë është negative.

Problemi i rënies demografike është një fenomen që ka prekur edhe vendet e Evropës Qendrore dhe Ballkanit. Mjaft udhëheqës të këtyre vendeve janë alamuar dhe kanë shtuar përpjekjet për shtimin e lindjeve dhe nxitjen e politikave të punësimit. Në Shqipëri gjatë këtij viti do të realizohet censusi i tretë, që pas rënies së komunizmit. Dkspertët e shohin si një mundësi për studimin e çështjeve demografike dhe hartimin e politikave të nevojshme në këtë drejtim.

voa

Virusi Korona: Gjermania midis kujdesit dhe panikut

Gazetat GjermaneVirusi Korona është tema numër një në bisedat në Gjermani. Ekspertët paralajmërojnë të mos kalohet në panik.

Çfarë do të thotë epidemia e virusit Korona për Gjermaninë? A do të ndalet së shpejti jeta publike, a do të anulohen aktivitetet e mëdha, siç po bëhet në Zvicër? Virusi i ri është në titujt e të gjitha gazetave gjermane. “Mos kalo në panik” këshillon të paktën gazeta e përditshme “Taz”. Por epidemia përcakton në masë të madhe bisedat mes njerëzve: në autobus dhe në tren, në rrugë, në restorante dhe në vendin e punës.

Qëndrim i arsyeshëm te ekspertët

Relativisht me qetësi reagojnë ata që duhet ta dinë më mirë: Instituti-Robert-Koch, autoriteti më i lartë në Gjermani për sëmundjet infektive, mban konferenca shtypi të përditshme. Lars Schaade, mjek specialist në mikrobiologji dhe nënkryetar i institutit, rendit: 52 infektime njihen deri tani në Gjermani, ka tre zona lokale të përqendrimit. Një në Renaninë Veriore-Vestfatli me një pacient të sëmurë rëndë, një në Baden-Württemberg, një rast të ri në Mynih.

Sa për krahasim: në të gjithë botën janë infektuar me virus deri tani mbi 80.000 vetë, në 52 vende. Dhe, sipas ekspertëve, numri i rasteve të paraportuara është i lartë. Kjo është arsyeja pse Schaade arrin në përfundimin se “për momentin virusi nuk duket të ketë një përhapje të gjerë në Gjermani. Dhe kjo është arsyeja pse rreziku për shëndetin e popullatës është i vogël deri në mesatar”.

Më e rëndësishmja tani: larja e duarve

Schaade edhe njëherë dha këshilla shumë specifike se si duhet të sillet popullata tani: “Përdorni shami që mund t’i flakni, kur kolliteni ose teshtini, hidhini ato. Lani duart, dhe kur kjo nuk është e mundur është mirë të ktheheni pas kur teshtini ose kolliteni dhe teshtini në bërryl. “Për më tepër, prekeni sa më pak të jetë e mundur fytyrën, gjë që një person normal e bën deri në dyqind herë në ditë.

Çfarë ndodh, e pyesin Schaade, në rast të një infektimi? Rreth 85 përqind e rasteve kalojnë si grip i butë, por: “Ka disa raste që përkeqësohen, që përkeqësohen pas rreth nëntë ditëve: këto janë rastet që kanë rrjedhën më të rëndë të sëmundjes. Dhe kur ke një rrjedhë kaq të rëndë të sëmundjes , atëherë mund të duhen tre, katër, ose në raste ekstreme madje edhe gjashtë javë për ta marrë veten, siç përshkruhet në Kinë ”.

Qeveria federale ka reaguar dhe ka ngritur një ekip krizash të cilit i përkasin shumica e dikastereve. Ministri i Brendshëm Horst Seehofer (CSU) dhe Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn (CDU) e kanë diskutuar gjendjen e punëve me kancelaren Angela Merkel. Zëdhënësi i Merkel-it, Steffen Seibert tha të premten: “Kancelarja, për këtë të jeni të sigurtë, do të informohet çdo ditë për përparimin e ngjarjeve, si në aspektin e përhapjes, ashtu edhe për gjendjen e përgatitjeve.”

A duhet të anulohet panairi i turizmit?

Ndërkohë, është shtyrë edhe panairi kryesor botëror i turizmit ITB me mijëra vizitorë nga e gjithë bota, i cili do të fillonte në Berlin të mërkurën e ardhshme. Një temë tjetër do të jetë ndoshta nëse Gjermania ka mjaft kostume speciale dhe maska ​​mbrojtëse, veçanërisht për personelin ndihmës, po të përkeqësohet epidemia. Nuk duket se ato mjaftojnë. Ministri Spahn, pra, po shqyrton, siç tha dje në “Televizionin e Dytë Gjerman” (ZDF), një ndalim eksporti, nëse është e nevojshme.

dw

Ngrohtë, ftohtë, lagështirë? Çfarë u duhet viruseve për mbijetesë

VirusA do të zhduket virusi Korona me rritjen e temperaturave? Virologu Thomas Pietschmann shpjegon, se përse pranvera vërtetë na jep shpresë e përse gratë janë qartësisht në avantazh në luftën kundër sëmundjes prej virusit.

Shpresa është, që në pranverë gjithçka do të bëhet më mirë. Nëse shkon mirë, virusi i ri korona i njohur edhe me emrin SARS-CoV-2, do të ketë të njëjtin fat si edhe virusi i gripit. Pranvera me temperaturat në rritje do t’i jepte fund atij e kësisoj i gjithë ky tension do të kalojë. Sezoni i virusit korona do zbehej po ashtu si edhe vala e gripale, që çdo vit  merr fund me mbarimin e dimrit.

Kaq përsa i përket shpresës. Por nëse virusi SARS-CoV-2 do të ketë të njëjtin mutacion sikurse dëshirohet, këtë nuk mund ta thonë me precizion të saktë as virologët sikurse thekson edhe Thomas Pietschmann “parë rreptësisht dhe për ta thënë sinqerisht nuk mund të parashikohet një gjë e tillë, sepse ne nuk e njohim këtë virus.”

Pietschmann është virolog molekular dhe studion në qendrën për studimet eksperimentale dhe klinike të infeksioneve, e quajtur Twincore, në Hanover. Ai merret me të ashtuquajturat viruse RNA – tek të cilat bën pjesë p.sh. edhe virusi i hepatiti C. Edhe SARS-CoV-2 bën pjesë në këtë grup.

Virus? I panjohur!

“E veçanta në këtë virus është, që njeriu konfrontohet për herë të parë me të. Prej të dhënave, që kemi nga Kina, mund të arrish në konkluzionin, që virusi vetëm një herë ka kaluar nga një kafshë tek njeriu e është përhapur në këtë mënyrë “, thotë Pietschmann.

Me fjalë të tjera ndryshe nga viruset e influencës, me të cilat pothuajse kushdo ka kontaktuar një herë, sistemi ynë i imunitetit nuk është i përgatitur për një sulm prej virusit korona.

Kësaj i shtohet edha fakti, që hemisfersa veriore aktualisht është perfekte për përhapjen e shpejtë të viruseve. Nga njëra anë është temperatura. Viruset aspiratore, pra ato që përhapen përmes aparatit të frymëmarrjes, e kanë shumë të lehtë, kur është ftohtë. “Viruset kanë stabilitet të lartë kur temperaturat janë të ulëta. Ngjashëm si me ushqimet, që në frigorifer qendrojnë më gjatë”, shpjegon Pietschmann.

Ftohtë dhe thatë, ju lutem!

Sa më ngrohtë bëhet, aq më të vështira bëhen kushtet për viruset. “Virusi korona është i rrethuar nga një shtresë ipide, pra yndyrore”, thotë Pietschmann. Kjo shtresë nuk i reziston të nxehtit, ndaj virusi me rritjen e temperaturave do të ngordhë shpejt. “Viruse të tjera, si ai noro janë më të qendrueshëm, sepse ato përbëhen nga proteina dhe molekula trashëguese.”

Për viruse të tjera temperatura luan gjithashtu rol sekondar. Viruse dengue shfaqen kryesisht në rajonet tropikale dhe subtropikale. Kjo nuk ka të bëjë aq me atë që ato preferojnë të nxehtit, por me faktin se zonat e ngrohta janë habitati i mushkonjave që e përçojnë këtë virus. “Rolin kryesor për përhapjen e këtij virusi në këtë rast nuk e luan temperatura, por insekti ose kafsha që e transmeton virusin”, thotë Pietschmann.

Lagështia e ajrit luan gjithashtu rol në përçimin e viruseve të aparatit të frymëmarrjes. Nëse viruset dalin jashtë përmes një teshtime të fortë nga personi që është prekur prej tyre, ato qëndrojnë në ajër. “Në ditët me të fohtë të thatë bulëzat nga frymëmarrja me viruset që mbajnë brenda qëndrojnë më gjatë në ajër, se sa kur ajri është i lagësht”, thotë Pietschmann.

Në këtë mënyrë viruset përhapen shumë shpejt. Sidoqoftë fillimisht ato përhapen në heshtje dhe fshehurazi. Nga kontakti i parë me virusin deri në shfaqjen e simptomave të para mund të kalojnë disa javë. Kohëzgjatja e inkubacionit varet nga tiparet dhe biologjia e virusit.

Kromozimi i dyfishtë X dhe estrogjenet

Temperaturë, dhimbje dhe dridhje janë simptomat tipike të një sëmundjeje virale dhe shenjat që trupi i lufton viruset që kanë depërtuar në të. Se sa e suksesshme është kjo luftë, varet jo vetëm nga mosha dhe gjendja shëndetësore e të infektuarit, por edhe nga seksi. Edhe në rastin e virusit korona shifrat flasin, që femrat kanë shanse më të mira për ta përballuar krahasuar me meshkujt. Kuota e vdekshmërisë tek burrat me 2,8 përqind është dukshëm më e lartë se tek gratë me 1,7 përqind.

“Kjo ka nga njëra anë arsye gjenetike”, thotë Pietschmann, “sepse disa gjene relevante për imunitetin, p.sh. gjenet që janë përgjegjëse të njohin ngacmuesin, janë të koduara në kromozomin X.” Meqënëse femrat kanë dy kromozome X dhe burrat vetëm një atëherë gjinia femërore është në avantazh të jetë më e mbrojtur.

Edhe hormoni femëror estrogjen i ndihmon gratë, që të mbrohen ndaj sëmundjeve virale. “Disa gjene relevante në aspektin imunologjik kanë edhe elementë lidhës për estrogjenet, atje ku aktivizohen këto gjene. Kjo do të thotë, që këto gjene komandohen edhe prej hormoneve”, shpjegon Pietschmann.

Ndoshta sezoni i koronës do të mbyllet me fillimin e pranverës në hemisferën veriore. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ndërkohë është regjistruar një rast me SARS-CoV-2 në Brazil, në hemisferën jugore, ku dimri pritet të fillojë.

dw

Çfarë është COVID-19 dhe si ndikon ai tek organizmi i njeriut

Covid -19Çfarë është COVID-19 ?

COVID-19 është koronavirus, pjesë e një grupi të madhe virusesh që përfshijnë si virozat që shkaktojnë ftohjen e zakonshme, deri tek ato që shkaktojnë sëmundje më të rënda si SARS-i, apo MERS-i.

(SARS – Sindromi Akut i Rrugëve të Frymëmarrjes) :

Vazhdon të Përhapet Sindroma Akute e Rrugëve të Frymëmarrjes ose SARS – 2003-04-01

Zyrtarë të shëndetësisë në mbarë botën po marrin masa kundër përhapjes së shpejtë të një virusi të panjohur. Sëmundja e njohur si Sindroma Akute e Rrugëve të Frymëmarrjes ose SARS ka prekur të mbi 5500 persona përfshi 65 në Shtetet e Bashkuara, dhe ka shkaktuar vdekjen e të paktën 50 vetave.

Mjekët ende nuk e dine me saktesi se Çfare e shkakton kete infeksion. Si masa parandaluese autoritetet kanë mbyllur spitale, shkolla e izoluar apartamente e ndërtesa banimi nga Hong Kongu në Kinë deri në Ontario në Kanada.

Shkencëtarët dhe punonjësit e shëndetësisë në mbarë botën po shqetësohen përditë e më shumë ndërsa njihen me karakteristika të reja të këtij virusi misterios që përhapet me lehtësi.

Dr. Julie Gerberding, drejtore e Qëndrës për Kontrollin e Sëmundjeve thotë: “Kjo epidemi globale vazhdon të përhapet. Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton për 1491 raste infektimi dhe 54 të vdekur, plus 62 raste në Shtetet e Bashkuara. Ne vazhdojmë ta trajtojmë koronavirusin e ri si hipotezë për studimin e këtij rasti. Të dhënat në rritje nga laboratorë ndërkombëtarë e mbështesin këtë hipotezë, por ne gjithashtu po studiojmë edhe viruse të tjera të mundëshme.”

Zyrtarët e shëndetësisë në Ontario të Kanadasë njoftojnë se kanë hasur të paktën 100 raste të prekjes nga virusi i panjohur dhe kanë izoluar tre grupe ku prejradhja e virusit të shpie tek punonjësit e shëndetësisë në klinika e spitale, tek pacientët dhe vizitorët.

Kanadezja e parë që vdiq nga Sindroma Akute e Rrugëve të Frymëmarrjes ishte kthyer nga një vizitë në Hong Kong ku ajo ishte prekur nga sëmundja.

Dr. Gerberding thotë: “Bazuar në hetimet e deritanishme, ne besojmë se mënyra kryesore e përhapjes si virusit është nëpërmjet të shtimës e kollitjes. Por ne besojmë se virusi mudn të përhapet edhe nëpërmjet frymës dhe prekjes së objekteve të kontaktuara nga i sëmuri.”

Kina është vendi më i prekur nga ky virus. Madje, përhapja e virusit ka detyruar zyrtarët e Forumit Ekonomik Botëror të anulojnë takimin e tyre të nivelit të lartë të afaristëve në Kinë që ishte planifikuar për më 14 prill.

Edhe mjeku italian i pari që identifikoi virusin vdiq të dielën. Organizata Botërore e Shëndetësisë shqetësohet veçanërisht rreth Hong Kongut ku çdo ditë njoftohen për dhjetra raste të reja infektimi.

Autoritetet shëndetësore po marrin masa parandaluese. Ata u bëjnë thirrje njerëz të të gjitha moshave të përdorin maska frymëmarrjeje. Vendet publike, sallat, korridoret, stacionet e mbyllura u janë nënshtruar disinfektimeve. Qeveria ka shpallur masën e karantinës 10 ditëshe për çdo person që ka patur kontakte të ngushta me viktimën e infektuar.

Ekspertët thonë se virusi qe shkakton këte infeksion i ngjan viruseve të tjerë të zakonshëm që shkaktojnë grip e të ftohur, por që e ruan fuqinë ngjitëse deri në 10 ditë pas shfaqjes së simptomës së parë.

Qëndra amerikane për kontrollin e Sëmundjeve thotë se kundër sindromës akute të rrugëve te frymëmarrjes deri tani nuk ka patur efekt asnjë ilaç anti virus apo trajtim tjetër.

(MERS – Sindromi i Rrugëve të Frymëmarrjes i Lindjes së Mesme) :

Përgatitjet e spitaleve për sëmundjet pandemike

Mers-CoVSindroma e Rrugëve të Frymëmarrjes të Lindjes së Mesme ose MERS, ka infektuar më shumë se 500 njerëz që kur u identifikua për herë të parë në vitin 2012. Rreth 30 për qind të infektuarve vdesin. Rritja e menjëhershme e numrit të rasteve gjatë muajve të fundit dhe faki që njerëz në Azi, Evropë dhe Amerikën e Veriut janë infektuar me virusin, ka ngritur shqetësime se situata mund të përkeqësohet.

Pandemia e fundit ndodhi në vitin 2009, me virusin e gripit H1N1. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se MERS do kohë që të bëhet pandemike. Shumica e rasteve kanë ndodhur në Arabinë Saudite, mes njerëzve në kontakt të afërt me pacientët me MERS ose me devetë të prekur nga ky virus.

Një virus, megjithatë, mund të ndryshojë në çdo kohë, kështu që zyrtarët e shëndetësisë, si Dr. Lamar Hasbrouck, thonë se shqetësimi është i justifikuar.

“Është një virus i ri. Ka një shkallë shumë të lartë vdekshmërie. Ne kemi nevojë të mësojmë më shumë se sa e lehtë është të përhapet, dhe cilat janë disa nga shenjat dhe simptomat.”

Shumë spitale tashmë kanë plane për të parandaluar përhapjen e virusit. Në spitalin “Johns Hopkins” në Baltimore, kjo është përgjegjësia e Dr. Gabe Kelen për të siguruar që plani do t’i mbrojë të 46 mijë punonjësit e universitet, spitalit dhe klinikave të tij.

“Nuk jam shumë i shqetësuar, por masat po i marrim për t’i paraprirë çdo rreziku”.

Kjo nuk vlen vetëm për sindromën MERS, por për çdolloj sëmundjeje ngjitëse.

“Kur dikush vjen në departamentin e emergjencës me një sëmundje që duket si grip, ne tashmë kemi një protokoll për t’i kontrolluar ata dhe nëse besojmë se kanë një infeksion serioz, i izolojmë, dhe u vëmë një maskë. Kushdo që shkon paskëtaj që të merret me këtë pacient merr disa masa paraprake.”

Mjekët, apo edhe pastruesit, të duhet të veshin mushama, dorashka dhe maska të veçanta.

Disa vite më parë, gjatë pandemisë së gripit H1N1, spitalet ngritën klinika të veçanta jashtë dhomave të urgjencës për të diagnostikuar pacientë të dyshuar se kanë grip. Kjo praktikë do të mund të rivendoset për të parandaluar përhapjen e virusit.

“Sa më shpesh të përhapet, aq më shumë replikohet virusi. Dhe sa më shumë të replikohet dhe në mbartës të ndryshëm, ka më shumë të ngjarë që përbërja gjenetike e tij të ndryshojë.”

Pas përhapjes së sindromës akute të rrugëve të frymëmarrjes, ose SARS, më shumë se një dekadë më parë, bota mësoi se një sëmundje ngjitëse diku, përbën një sfidë shëndetsore për çdo vend, sidomos për shkak të udhëtimit ajror. Vendet mësuan se duhej të ndanin informacion në lidhje me sëmundjet në mënyrë për t’i kontrolluar ato.
Në tetor, Arabia Saudite do të presë miliona myslimanë për një pelegrinazh fetar. Zyrtarët e shëndetësisë në të gjithë botën do të ndjekin me kujdes.

Sa vdekjeprurës është COVID-19 ?

Covid-19 është më vdejkjeprurës se gripi, që nuk është pjesë e grupit të koronavisurëve, por shumë më pak vdekjeprurëse se MERS-i apo SARS-i.

Dr. Anthony Fauci, shefi i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive në Insitutet Kombëtare të Shëndetit (NIH) krahasoi shkallën e vdekshmërisë mes COVID-19, gripit dhe llojeve të tjerë të koronaviruseve.

Vetëm 0.1% (një për çdo një mijë pacientë) e të prekurve nga viruset që shkaktojnë gripin sezonal vdesin si rezultat i komplikacioneve, krahasuar me 2% të atyre që preken nga COVID-19 (dy në çdo 100). Vdekshmëria nga SARS-i ndërkohë shkon nga 9% deri në 10% dhe nga MERS-i, që është më vdekjeprurësi, në rreth 36% e pacientëve.

Dr. Fauci thotë se virusi COVID-19 ngjason shumë me gripin, që përhapet më shpejt se sa u përhap SARS-i, por me një shkallë vdekshmërie më të ulët.

Si transmetohen koronaviruset?

Koronaviruset normalisht transmetohen nga kafshët tek njerëzit. Shpesh këto viruse fillojnë tek lakuriqët. Lakuriqët janë bartës të disa viruseve, përfshi koronaviruset dhe Ebolën, megjithëse këto viruse nuk duket se janë të dëmshëm për ta. Mbi 200 koronaviruse të reja janë indentifikuar tek lakuriqët. Po ashtu mendohet se MERS-i kaloi nga lakuriqët tek devetë dhe pastaj tek njeriu, ndërsa SARS-i nga lakuriqët tek një kafshë (civet) e ngjashme me macen që gjendet në Azi dhe Afrikë.

Përhapja e koronavirusit nga njeriu tek njeriu.

Një pacient amerikan është konfirmuar me koronavirus pavarësisht se pacienti nuk kishte konakt me individë të tjerë të infektuar dhe nuk kishte udhëtuar në vendet ku është përhapur virusi. Nuk dihet se si ky individ u infektua.

Dr. Fauci thotë se ka njerëz që nuk shfaqin simptoma por që e kanë virusin dhe me shumë gjasa, mund të jenë transmetuas të tij edhe pa patur vetë simptoma.Sipas mjekut të njohur, ky lloj transmetimi nuk është përgjegjës për përhapjen e tanishme.Ai shton se “kjo ndodh, por nuk është mënyra kryesore e infektimit.”

Çfarë i bën trupit të njeriut COVID-19?

COVID-19 është një virus i rrugëve të frymëmarrjes, që fillon dhe përfundon në mushkëri. Ka raste kur infeksioni është aq i lehtë, sa që pacienti nuk e di që është i sëmurë. Megjithatë, koronavirusi mund të shkaktojë simptoma që i ngjasojnë gripit: ethe, kollitje dhe gulçim që mund të ktheheht në pneumoni në të dy mushkëritë.

Përse COVID-19 shkakton kaq dëmtime tek mushkëritë?

COVID-19 infekton dhe vret qelizat (cilia), që kanë formën e qimeve në mushkëritë e njeriut, roli i të cilave është të pastrojnë mushkëritë nga viruset dhe poleni. Pa këto qeliza, mushkëritë mund të mbushen me ujë dhe paoastërti të tjera që nuk duhet të jenë aty. COVID-19 po ashtu sulmon qelizat e mukusit. Këto qeliza janë të rendësishme sepse mbajnë lagështinë e duhur në mushkëri që ato të funksionojnë mirë. Qelizat e mukusit i mbrojnë mushkëritë nga bakteria apo viruset.

Kur mushkëritë infektohen, ato paralajmërojnë sistemin imunitar, i cili qelizat imunitare për të luftuar infeksionin. Por në disa raste, këto qeliza imunitare vrasin gjithçka, përfshi indet e shëndetshme. Për këtë arsye shumë pacientë të sëmurë vihen nën oksigjen dhe në raste më të rënda nën ventilim mekanik, për të mundësuar frymëmarrjen.

Përse COVID-19 sulmon organet e tjera?

Mushkëritë e dëmtuara e kanë të vështirë të dërgojnë oksigjenin e duhur në gjak. Meqenëse organet kanë nevojë për oksigjen që të funksionojnë, në rastet kur ai u mungon, organet pushojnë së funksionuari, duke filluar nga mëlçia dhe më pas veshkat.

Përse të moshuarit dhe të prekurit nga sëmundje të tjera kanë më shumë gjasa të vdesin?

Bashkë me mplakjen, sistemi imunitar i njeriut dobësohet. Ata që pinë duhan mund të kenë rrezik më të lartë që të sëmuren ose të vdesin pasi duhani i dëmton mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes. Ata që kanë sëmundje të zemrës, diabet apo sëmundje kronike të mushkërive, e kanë shumë më të vështirë të luftojnë virusin dhe të shërohen nga infeksionet.

voa

Regjistrohet rasti i parë me coronavirus në Maqedoni

Coronavirus-2Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe drejtori i Drejtorisë për shëndet publik në Maqedoni Zharko Karaxhovski kanë dalë në konferencë të jashtëzakonshme për media për të kumtuar rezultatet për dyshimet për praninë e virusit Corona në Maqedoni.

“Kanë arritur rezultatet e para për pacienten e ardhur nga Italia, të cilat janë pozitive. Më lejoni të ju them se nuk ka vend për panik. Janë marrë masat e duhura. Ajo ishte në Itali për disa muaj dhe për disa javë ka qenë e sëmurë. Pasi është futur në Maqedoni, menjëherë është marrë nën kujdes. Jemi duke i ndjekur gjithë protokollet për këtë rast. Do t’i izolojnë të gjithë bashkudhëtarët e saj të cilët kanë ardhur bashkë prej Italie” tha Filipçe, njofton Telegrafi Maqedoni.

Pacientja, sipas Karaxhovskit, është e lindur në vitin 1970 dhe se ka javë që është me simptome të njejta. Ai bëri me dije se nuk ka nevojë për panikë. “Për gjys ore Maqedonia do të jetë në përgatitur që të luftojë këtë ndodhi” tha Karaxhovski.

E sëmura vetë është paraqitur në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup, së bashku me dy pacientë të tjerë. Të gjithë këto kishin ardhur nga Italia. Ajo tani është në karantinë ku do të rrijë minimum 14 ditë. Konferenca e ardhshme për shtyp për këtë rast do të mbahet sonte rreth orës 21:00. /Telegrafi/

Shënohet rasti i parë me korona virus në Maqedoninë e Veriut

Venko FilipceRasti i parë me koronavirus është regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Sipas njoftimeve zyrtare bëhet fjalë për një grua e cila ishte kthyer para dhjetë ditësh nga Italia. Ajo ishte paraqitur në klinikën për sëmundje infektive në Shkup për të kërkuar ndihmë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe u tha gazetarëve se pacientja e moshës 50 vjeçe ishte mjekuar në Itali por atje nuk i kishin bërë test për koronavirus.

“Ajo tashmë dy javë është e sëmurë, por nuk paraqet rrezik për ngjitjen e sëmundjes” tha ministri.

Ndërkaq, dy persona të tjerë të kthyer po ashtu nga Italia të cilët ishin drejtuar në klinikën e Shkupit kanë rezultuar negativë (pa koronavirus).

Autoritetet shëndetësore kanë ndërmarrë masa për parandalimin e këtij virusi, duke përgatitur një spital në qytetin e Shtipit për pranimin e rasteve të prekura. Maqedonia e Veriut nuk ka hapur karantina në dy aeroportet e saj as në pikë-kalimet kufitare për personat të cilët kthehen nga vendet ku janë regjisrtuar raste të vdekjeve nga virusi Kovid 19.

Vetëm në Itali vlerësohet se janë mbi 20 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut të angazhuar me punë.

Pasagjerëve të cilët kthehen në aeroportin e Shkupit dhe të Ohrit u kontrollohet vetëm temperatura me termometër. Ndërkaq, në barnatoret e kryeqytetit pothuaj se nuk kanë mbetur maska mjeksore.

voa

Historia e një adoleshenti Cyborg (organizëm kibernetik)

CyborgDuket e pashmangshme që në këtë epokë të teknologjisë inteligjente, njerëzit do të fillojnë të mendojnë për mënyra për ta bërë teknologjinë pjesë të trupit të tyre. Sot, njerëzit kanë aftësinë të ndryshojnë veten në mënyra të reja dhe të paprecedenta dhe historia e 19-vjeçarit Kai Landre është një provë e gjallë e kësaj të ardhmeje.

“Emri im është Kai Landre dhe unë jam një cyborg”.

Cyborg është termi i shkurtuar për një organizëm kibernetik. Është termi që përdoret për të përshkruar diçka që është gjysëm makinë dhe gjysëm njeri.

Sot, 19-vjeçari Kai Landre ndiqet nga një ekip xhirimi. Po prodhojnë një film në lidhje me cyborg-un adoleshent nga Barcelona.

Landre ka një çip të veçantë që do të ngjitet në kafkën e tij dhe një tjetër – në krahun e tij, që i mundësojnë atij të ndiejë rrezet kozmike që na rrethojnë dhe t’i shndërrojë ato në nota muzikore.

Universiteti Princeton ftoi të riun të vinte në qytetin e Nju Jorkut për të mbajtur një fjalim dhe për të shpjeguar se çfarë do të thotë të jesh një cyborg.

“Unë isha shumë i ngazëllyer që ndodhesha aty, aq i ngazëllyer sa që munda të paraqes sensin kozmik për herë të parë. Unë shkova në Princeton për të paraqitur këtë prototip dhe gjithashtu për të folur për cyborg-ët (organizmat kibernetikë)”, thotë zoti Landre.

Kai Landre ka lindur në vitin 2000 dhe për të, teknologjia e lartë ka qenë gjithmonë shumë më tepër sesa kompjuterat portativë dhe telefonat inteligjentë. Ai u interesua për eksplorimin e hapësirës dhe fizikën kuantike dhe më vonë u dashurua me muzikën.

“Fillova të krijoj muzikë dhe në të vërtetë publikova një album për hapësirën dhe gjithçka të lidhur me të …”, thotë ai.

Një takim me Neil Harbisson – një artist dhe aktivist britaniko-irlandez me origjinë spanjolle – u bë hapi tjetër i rëndësishëm në jetën e Landres.

Që nga lindja, Harbisson nuk mund të dallonte ngjyrat, por pasi ai u bë cyborgu i parë në botë me një antenë të transplantuar në kafkën e tij, ai mësoi të “shihte” ngjyrën – falë një çipi të veçantë që ia “lexon” ngjyrën e objekteve trurit të tij.

Së bashku me disa njerëz me mendime të ngjashme, Harbisson themeloi fondacionin Cyborg.

“… Ata më pyetën nëse doja të krijoja një sens të Cyborg-ut. Dhe thashë po. Pastaj më çuan në laboratorët kibernetikë në katin nëntokë – dhe unë pashë gjithçka që ata kishin krijuar. Dhe bëmë një veprimtari në të cilin Neil propozoi të rikrijonte një grafik të gjithë jetës time, të ndarë sipas viteve që kisha jetuar. Unë vendosa nga një kujtim për çdo vit dhe pastaj do të shihnim nëse ka ndonjë model që përsëritet … “, thotë zoti Landre.

Për momentin Kai ka veshur një prototip të çipit që do të vendoset në kafkën e tij, gjë që do ta bëjë atë personin e parë që do të marrë drejtpërdrejt sinjale nga hapësira, të kthyer në tinguj.

“Është si të dëgjosh një grimcë të lehtë që prek shqisat e mia, tingëllon si ‘bim, bom’. Kështu që funksionon në këtë mënyrë – ky është receptori i rrezeve kozmike. Në këtë çip, gjejmë pjesë të ndryshme. Kjo pjesë është një foto-përsëritës silikoni, që është në thelb një çip që merr grimca të lehta. Dhe ajo që ne bëjmë është të marrim grimcat e dritës atomike që krijohen kur rrezet kozmike bien mbi planetin tonë; paisja i merr këto grimca atomike – një grimcë për secilën rreze – dhe përkthen çdo rreze kozmike nga dendësia e saj energjetike në një notë me intensitet të lartë të ndryshëm… Është gjë e bukur, më pëlqen të jem në gjendje të dëgjoj hapësirën”, thotë ai.

Zoti Landre thotë se është gati për këtë përvojë – ai beson se kjo është pjesë e evolucionit njerëzor, pjesë e eksplorimit të natyrës në vend të pushtimit dhe shkatërrimit të saj.

dw

Qeveritë evropiane përgatisin plane për përhapjen e mundshme të koronavirusit

KoronaQeveritë evropiane po përgatisin planet për të përballuar një epidemi të mundshme të koronavirusit, megjithëse numri i rasteve është ende i vogël krahasuar me Azinë.

Zyrtarët në disa vende e pranojnë se presin që virusi i ri, që ka infektuar të paktën 80 mijë vetë dhe shkaktuar vdekjen e 3 mijëve në gjithë botën, të përhapet dhe thonë se po hartojnë plane për të anuluar aktivitete sportive dhe koncerte, të reduktojnë shërbimet e transportit publik, të vendosin kufizime udhëtimi dhe të mbyllin shkolla.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian vazhdojnë të shpresojnë që vendet anëtare të mos vendosin kontrolle kufitare brenda zonës së Shengenit, por e pranojnë se reagimi i qeverive të vendeve do të varet nga përmasat e krizës së shëndetit publik.

Disa ekspertë të shëndetësisë thonë se është koha për të marrë masat për një pandemi të mundshme dhe dyshojnë se numri i rasteve në Evropë është shumë më i madh nga ai që dihet.

Shërbimet shëndetësore në Britani po planifikojnë të shtojnë analizat për sëmundjen që quhet zyrtarisht COVID-19, duke përfshirë edhe njerëz që nuk kanë udhëtuar në vende me rrezikshmëri të lartë dhe nuk kanë shfaqur simptoma.

Deri tani ka pasur 13 raste të identifikuara në Britani.

Zyrtarët e shëndetësisë thonë se nuk do të ishte befasuese nëse identifikohen raste të reja.

“Sipas parashikimeve aktuale, 2-3% të rasteve me simptoma do të rezulojnë në viktima”, thanë zyrtarët qeveritarë në një raport.

Sipas ekpertëve qeveritarë, përqindja e infeksioneve do të rritej për dy ose tre muaj, nëse virusi fillon të përhapet.

Ndërsa Italia po kthehet në një vatër të re për virusin, shumë vende fqinjë thonë se nuk kanë alternativa të tjera veçse të planifikojnë për një epidemi të mundshme, nëse parandalimi dhe frenimi nuk I ndalin infeksionet.

Ministrat e shëndetësisë nga Franca, Gjermania, Italia dhe Komisioni Evropian shprehën angazhimin për t’i mbajtur kufijtë hapur, në një takim të martën.

“Po flasim për një virus që nuk njeh kufij”, tha Ministri Italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza.

Ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock tha se qeveria e Britanisë nuk ka plane të ndalë fluturimet nga Italia.

“Italia i ndali të gjitha fluturimet nga Kina e megjithatë është tani vendi më i prekur në Evropë”, tha ai.

Por nuk është ende e qartë nëse vendet anëtare janë në një mendje për çështjen e kufirit. Në fillim të muajit, disa vende anëtare këmbëngulën për kufizim të hyrjes në zonën e Shengenit nga udhëtarët nga Kina, por meqenëse disa nga vendet nuk ishin dakord, kjo përpjekje dështoi me argumentin se kufizimet nuk do të kishin kuptim nëse të gjitha vendet nuk vepronin në harmoni.

Disa zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se nëse vende të veçanta fillojnë të vendosin kufizime për lëvizje brenda vendeve të tyre, atëherë është e pashmangshme që me kalimin e kohës disa qeveri të fillojnë të vendosin kontrolle të përkohshme të njëanshme në kufijtë me vendet e tyre.

Vendet evropiane po marrin gjithashtu masa për një epidemi të rëndë të mundshme brenda kufijve të tyre, pavarësisht se çfarë planesh po bëjnë fqinjët e tyre.

Zvicra, Austria, Kroacia dhe Spanja shënuan rastet e para në mes të javës dhe shumica infeksioneve e kanë burimin në Itali, kur mbi 10 qytete në veri të vendit, janë në karantinë për të parandaluar përhapjen.

Përhapja në Itali ku ka mbi 300 raste dhe 12 vetë kanë vdekur, shërbeu si një kambanë alarmi për vendet fqinjë.

Franca dhe Kroacia kanë urdhëruar anulimin e programeve të studimeve jashtë vendit dhe po ndryshojnë oraret e trenave, si edhe po vendosin post-blloqe.

Ekspertët po u bëjnë thirrje qytetarëve t’i shqyrtojnë me kujdes planet e udhëtimit. Nathalie MacDermott, eksperte e sëmundjeve infektive në Kolegjin King në Londër, tha se gjithkush që udhëton në Itali ose vende të tjera të prekura, duhet të pyesë veten: “A jam e përgatitur që nëse vendos të shkoj, kur të kthehem mund të më duhet të vetëizolohem për 14 ditë. A janë punëdhënësi dhe shkoalla e fëmijëve të mi në dijeni dhe a do të jetë e pranueshme për ta?”, thotë ajo.

Kompanitë evroipiane, ashtu si edhe ato amerikane, po hartojnë planet që punonjësit e tyre të punojnë nga shtëpia. Në Azi, një gjë e tillë ka filluar.

Në Japoni javën e kaluar, Ministria e Shëndetësisë i nxiti bizneset që të ofrojnë mundësinë për të punuar nga shtëpia dhe për të shkurtuar orët e punës, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.