Kinë: Numri i të vdekurve nga koronavirus, mbi 1,100

KoronavirusZyrtarët kinezë të shëndetësisë njoftuan të mërkurën se numri i të vdekurve nga koronavirusi ka arritur në më shumë se 1,100.

Shifrat e Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë përfshijnë 97 vdekje të reja dhe gjithsej 44,653 njerëz të konfirmuar si të infektuar që nga shpërthimi i koronavirusit muajin e kaluar. Disa ekspertë kanë hedhur dyshime nëse ky është numri i plotë i rasteve.

Nëse shifrat janë të sakta, kjo mund të linte vend për një farë optimizmi sepse 2,105 rastet e reja të konfirmuara të martën, shënojnë një nivel më të ulët se sa ato të raportuara ditët e mëparshme.

Shumica e rasteve me koronavirus janë brenda Kinës, por ka disa qindra të infektuar në dhjetëra vende të tjera, zakonisht pas udhëtimit nga Kina.

Kina ka izoluar disa zona të banuara për të ndalur përhapjen e virusit.

voa

Opsionet e Turqisë pakësohen në Siri, Rusia mbështet lëvizjen e Asadit

SiriaNjë ofensivë siriane e mbështetur nga Rusia në Idlib i ka sjellë forcat turke në konfrontim të drejtpërdrejtë me trupat e Presidentit Asad. Kjo kërcënon të minojë një marrëveshje të brishtë mes Turqisë dhe Rusisë.

Bisedimet për qetësimin e situatës midis përfaqësuesve të Rusisë dhe Turqisë nuk kanë arritur asnjë marrëveshje, pasi 13 ushtarë u vranë gjatë javës së kaluar kur forcat e Presidentit sirian Bashar Asad vazhduan përpjekjet e tyre për të marrë autostradën strategjike M5 për në Alepo nga kryengritësit, për herë të parë që nga viti 2012. Deri në fund të së martës, ishte e paqartë nëse përpjekjet e qeverisë siriane ishin të suksesshme.

Turqia ka dërguar javën e kaluar qindra automjete ushtarake dhe trupa në pozicionet e saj në Idlib, në një nga konfrontimet më serioze midis Turqisë dhe qeverisë së Sirisë në luftën nëntë vjeçare. Megjithëse Presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan ka kërcënuar se qeveria e Asadit do të paguajë “një çmim shumë të lartë” për ushtarët turq të vrarë, ai mund të mos dëshirojë të rrezikojë një përplasje të drejtpërdrejtë me avionët dhe personelin rus që mbështesin forcat siriane, gjë që mund të çojë në një përshkallëzim edhe më të rrezikshëm.

Rusia dhe Turqia nuk janë “të gatshme të heqin dorë as nga parimi as nga terreni” në Idlib, i tha DW Tobias Schneider, studiues në Institutin e Politikës Publike në Berlin. “Ne mund të shohim një përshkallëzim të vogël siç e pamë në vitin 2015, kur turqit rrëzuan një avion rus, dhe pastaj do të shohim se kush do të tërhiqet së pari,” tha Schneider. “Kjo është e panjohura e madhe tani.”

Soçi 2.0

Pasi Rusia hyri në luftë me mbështetje ajrore për forcat e Asadit në vitin 2015, duke e kthyer dinamikën në favor të regjimit, Turqia mbështeti në vitin 2016 disa grupe kryengritëse, që kërkonin pjesë të veriut të Sirisë. Por një armëpushim i ndërmjetësuar nga qeveritë e Turqisë, Rusisë dhe Iranit në Astana dhe bisedimet e Soçit tani duken të kërcënuara, pasi Kremlini mbështet ofensivën e Asadit në zonat e kontrolluara nga Turqia.

Kjo e vë Turqinë në një pozitë më të dobët, thotë Schneider. Mosmarrëveshjet e Ankarasë me anëtarët e tjerë të NATO-s e kanë zvogëluar mundësinë që Shtetet e Bashkuara ose vendet evropiane të ndihmojnë në rivendosjen e balancës.

Më shumë të ngjarë, tha Schneider, është një vazhdim i “kolapsit të ngadaltë të menaxhuar” të Idlibit, pasi Asadi vazhdon të ndërmarrë fushata periodike më të vogla. Të martën, Zyra e OKB për Koordinimin e Çështjeve Humanitare paralajmëroi se qyteti i Idlibit, vendstrehimi i 280.000 njerëzve, mund të kthehet në varrezë po të vazhdojnë armiqësitë.

Që nga dhjetori, ofensiva ka zhvendosur 700.000 civilë brenda provincës veriore prej 3 milionë banorësh – më shumë se në çdo kohë tjetër gjatë luftës, sipas OKB-së, me shumë vetë që përballen edhe me të ftohtët ekstrem.

Erdogani ka paralajmëruar se po të kalojnë kufirin një numër i madh refugjatësh, ai do të lejojë që shumë të kalojnë në Bashkimin Evropian, në kundërshtim me marrëveshjen e arritur mes BE-së dhe Turqisë në vitin 2016. Në atë rast BE-ja me siguri do të rinegociononte me Turqinë dhe ndoshta do të vendoste sanksione kundër saj, thotë Schneider.

“Në një kohë që askush nuk dëshiron një katastrofë në Idlib, evropianët me të vërtetë e shohin atë si një çështje të sigurisë kufitare dhe të migrimit, dhe janë mjaft të sigurtë në aftësinë e tyre për ta përmbajtur atë problem,” thotë ai. “Ata mendojnë se në thelb mund ta zgjidhin këtë duke dërguar shumë çadra dhe duke e mbyllur kufirin.”

 

Tom Allinson, Imane Mellouk

Palmer: Rusia e do Ballkanin me një element kaosi në të

PalmerI dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha se Rusia dëshiron që ky rajon të jetë “i përçarë, kundër vetes dhe me një element kaosi në të”.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në Sofje, Palmer tha se SHBA-ja është e shqetësuar për qëllimet dhe aktivitetet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

“Nëse i identifikoj disa, do të veçoja përpjekjet e Rusisë për të zvogëluar mbështetjen për Marrëveshjen e Prespës midis Shkupit dhe Athinës. Ato janë shembull i aktivitetit malinj të shtetit rus”, tha Palmer.

Sipas tij, rusët duan që Ballkani Perëndimor të jetë një zonë, ku ata “mund të çojnë poshtë-lart nivelin e tensioneve”.

Me Marrëveshjen e Prespës, Shkupi është dakorduar për ndryshimin emrit të shtetit – nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut – gjë që i ka hapur rrugë përparimit të tij në rrugën e integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, vitin e kaluar, Këshilli Evropian ka dështuar t’i ndajë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë datën e negociatave për anëtarësim në BE.

Por, Palmer, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se shpreson shumë që për këtë çështje të vendoset në muajin mars dhe që përgjigjja të jetë “po”.

“Ne mendojmë se të dyja vendet kualifikohen me meritë. Mendojmë se është një sinjal i rëndësishëm që duhet t’i dërgohet rajonit. Mendojmë se është thelbësore që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të kenë rrugë të qartë evropiane dhe perspektivë evropiane”, tha Palmer.

Ai tha se SHBA-ja ka një vizion për Ballkanin Perëndimor dhe se ai është një vizion pozitiv.

“Një vizion për një rajon në paqe me veten, në paqe me fqinjët, i qëndrueshëm, i begattë dhe i integruar në familjen evropiane të kombeve. Ky nuk është vizioni i Rusisë”, tha Palmer.

Rusia është fajësuar edhe për mbështetjen e një përpjekjeje për grushtshtet në Mal të Zi në vitin 2016.

Rusia mbështet ushtarakisht Serbinë dhe ka lidhje të ngushta me presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar Departamenti amerikan i Mbrojtjes në një raport të parë nga Radio Evropa e Lirë në nëntor të vitit të kaluar.

Palmer është emëruar i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor në gusht të vitit të kaluar.

Pak muaj më vonë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zgjedhur ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Grenell ka realizuar disa vizita në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për t’i shtyrë palët drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Palmer, në një intervistë për një televizion të Serbisë në muajin dhjetor, ka thënë se SHBA-ja dëshiron të shohë normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që do të nënkuptonte njohje të ndërsjellë.

Prishtina dhe Beogradi “duhet të ulen në tryezë, të arrijnë marrëveshje dhe bashkë të përcaktojnë rrugën kah e ardhmja evropiane”, ka thënë atëbotë Palmer.

REL/Përgatiti: Valona Tela

Çfarë parasheh reciprociteti sipas të Drejtës Ndërkombëtare?

Pikekalimi MerdareNgjashëm me taksën doganore prej 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovinës edhe masa e reciprocitetit ndaj Serbisë, të cilën e ka paralajmëruar kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, nuk po hasë në mbështetjen ndërkombëtare.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka thënë se Kosova duhet ta heqë taksën dhe është kundër masave të reciprocitetit.

Zëdhënësi i tij, Dick Custin, tha për Radion Evropa e Lirë se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100 për qind ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, pa reciprocitet.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian ende nuk është deklaruar lidhur me këtë çështje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka paralajmëruar se taksa prej 100 për qind, të cilën qeveria paraprake e kishte vendosur ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, do të hiqet dhe do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit.

“Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë (v.j reciprocitetin). Pres që Serbia të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Si zbatohet reciprociteti?

Njohësit e çështjeve juridike ndërkombëtare në vend vlerësojnë që në rast se Kosova aplikon masa të reciprocitetit ndaj Serbisë, ato nuk janë në kundërshtim me parimet, të cilat janë të pranuara nga e drejta ndërkombëtare.

Sipas tyre, reciprociteti, në të drejtën ndërkombëtare, konsiderohet si një parim i pranuar në mënyrë universale, ku një shtet miraton një sjellje të caktuar simetrike, si përgjigje ndaj një veprimit të ngjashëm, i cili është miratuar nga shteti tjetër.

Vigan Qorolli, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë që përkufizimi më i specializuar i reciprocitetit në kuptimin e të drejtës ndërkombëtare, nënkupton që një shtet i caktuar, i bën koncesion të ndërsjellë epërsive dhe privilegjeve për qëllime të marrëdhënieve tregtare dhe diplomatike shtetit tjetër të caktuar. Por, ky parim i reciprocitetit, sipas tij, vlen edhe në kuptimin negativ.

“Mbi të gjitha, shikuar nga marrëdhëniet ndërkombëtare, reciprociteti është një koncept praktik dhe është veprim ekuivalent dhe i cili varet nga një veprim ose reagim i një shteti tjetër. Për ta shpjeguar në terma praktik dhe jo shumë dogmatik, kjo nënkupton që nëse Serbia, në këtë rast, nuk i lejon shtetasit e Kosovës që të hyjnë brenda territorit të saj me tabela veturash me regjistrim të Republikës së Kosovës, atëherë edhe Kosova i përgjigjet me të njëjtën monedhë, pra, nuk i lejon tabelat me regjistrim të Serbisë që të hyjnë në Republikën e Kosovës”, tha Qorolli.

Ai shtoi se ky raport simetrik vlen edhe në kuptimin ekonomik, në atë doganor dhe në të gjitha fushat tjera.

Parimin e reciprocitetit ngjashëm e shpjegon edhe Iliriana Islami, po ashtu, profesoreshë e të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës. Madje, siç thotë ajo për Radion Evropa e Lirë, masën e reciprocitetit e sheh si të më butë, për shkak se masat e tilla mund të evoluojnë në masa, siç quhen, shpagimi (retorsion) apo të skajshme, siç janë reprezaljet. Megjithatë, sipas saj, për masat e reciprocitetit, të ngjashme siç i ka paralajmëruar Qeveria e Kosovës, në botë nuk krijohen situata dramatike.

“Në botë, ato merren, por nuk trajtohen si ndonjë rast, si diçka që konsiderohet i nivelit që duhet të trajtohet, për shkak se është në vullnetin e dyanshëm të shteteve dhe qeveritë veprojnë në mënyrë të ndërsjellë. Pra, i kundërpërgjigjen veprimeve të një qeverie të caktuar. Kështu që, nuk konsideron si raste që duhet të analizohen në aspektin shkollor. Mirëpo, konsiderohen më shumë si sanksione. E ato trajtohen, kur janë ndërmarrë dhe pse janë ndërmarrë, sepse janë mënyra e vetme që e ‘zbutë’ shtetin apo e arrin një qëllim të caktuar një shtet i caktuar”, tha Islami.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar që Kosova nuk mund të aplikojë masa reciprociteti ndaj Serbisë, për shkak se kjo e fundit nuk e njeh atë si shtet.

Megjithatë, Vuçiq, në vazhdimësi ka kërkuar heqjen e taksës ndaj prodhimeve të Serbisë, si kusht për vazhdimin e dialogut me Kosovën.

Heqjen e taksës e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Profesor Qorolli, vlerëson se heqja e taksës dhe vendosja e reciprocitetit ndaj Serbisë, mund të rezultojë pozitivisht për të dyja vendet.

“Zëvendësimi i taksës me një masë reciprociteti mund të jetë një rrethanë kur do ta avancojë raportin, të themi, tregtar, diplomatik, ekonomik, por edhe ligjor në mes dy shteteve, të cilat në momentin kur e nënshkruajnë marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi, që lidhet me arritjen e një paqeje përfundimtare, atëherë reciprociteti do të ishte një faktor kontribuues për inkurajimin dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale në mes Kosovës dhe Serbisë”, vlerësoi Qorolli.

Profesoresha Islami, thekson që pavarësisht vlerësimeve në Serbi, reciprociteti ndaj saj nga ana e Kosovës do të jetë funksional.

“Funksionon gjithsesi. Përkundër faktit që nuk na ka njohur Serbia, ne veprojmë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën tonë. Kështu që, nëse qeveria i ndërmerr të gjitha veprimet që konsiderohen në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën, si akti më i lartë, atëherë konsiderohen si masa të një shteti që i përgjigjet kundër veprimeve të shtetit tjetër. Kështu që kjo është shumë në rregull me të drejtën ndërkombëtare”, u shpreh Islami.

Kryeministri i Kosovës, Kurti, ka deklaruar që krahas vullnetit të shprehur që ta heqë taksën prej 100 për qind për prodhimet e Serbisë, pret që kjo e fundit të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Më herët, i dërguari i posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka deklaruar ditë më parë që Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, ndërkaq që Serbia duhet të ndërpresë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, në mënyrë që t’i hapet rrugë dialogut të mëtejmë për arritjen e një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy vendeve.

rel

Shkup, parlamenti pritet të miratojë ligjin e debatueshëm për Prokurorinë Publike

Ligji mbi prokurorine publikeQeveria e Maqedonisë së Veriut dhe tetë deputetët e shkëputur më parë nga partia opozitare VMRO-DPMNE kanë bërë të ditur për arritjen e pëlqimit mbi tekstin e propozim ligjit për Prokurorinë Publike, por njoftimet e lëshuara për publikun nga secila prej palëve nuk janë plotësisht në një vijë për sa i përket çështjes së bisedave të pëgjuara telefonike. Grupi i pavarur i tetë deputetëve të dalë nga VMRO-ja thekson se bisedat e përgjuara nuk do të mund të përdoren më në rastet gjyqësore.

Në një komunikatë të lëshuar nga qeveria në Shkup thuhet se “vendimi i porpozim-ligjit (për Prokurorinë) garanton që të gjitha proceset gjyqësore të cilat ishin nën kompetencat e Prokurorisë për luftën ndaj veprave penale (si[ njihej ndryshe Prokuroria e Posaçme) të lidhura me përmbajtet nga përgjimi i paligjshëm i komunikimeve procedohen tek prokuroritë publike që të marrin një përfundim ligjor para gjykatave përkatëse, përmes një procedure profesionale dhe të drejtë të bazuara tek ligjet”. Por, grupi i deputetëve të dalë nga VMRO-DPMNE-ja thotë se Prokuroria publike nuk do të mundet më të mbështetet tek materialet e përgjuara ilegale në një proces gjyqësor. Ky grup ligjvënësish ka propozuar shkatërrimin e materialave të përgjuara në mënyrë joligjore.

Propozim ligji më tej parashikon që prokurori publik i Pokurorisë për krimin e organizuar dhe korrupsionin të zgjidhet nga Këshilli republikan i prokurorëve publik pasi të jetë votuar nga të gjithë prokurorët në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Grupi prej tetë deputetësh, ndërkaq i bën thirje VMRO-së që të paraqesë amendamente konstruktive dhe përmbajtësore në interes të qytetarëve dhe të shtetit ligjor për t’i ndihmuar vendit në proceset euro-atlantike.

Dy partitë më të mëdha maqedonase VMRO-DPMNE-ja e opozitës dhe Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet nuk arritën një konsensus mbi këtë çështje pas debatesh disa javëshe edhe me ndihmën e ekspertëve të fushës. Secila nga partitë rivale akuzonte tjetrën për interesa personale dhe partiake lidhur me ligjin.

Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi, i cili drejton Komisionin parlamentar për çështje evropiane u tha gazetarëve se propozim ligji duhet të kalojë në dy lexime në seancë plenare, teksa shpreson se do të miratohet me konsensus të gjerë edhe nga VMRO-ja.

Ligji duhet të kalojë me dy të tretën e votave në parlamentin prej 120 vendesh.

LSDM-ja kishte vënë kusht që pa miratimin e Ligjit për Prokurorinë nuk do të kishte zgjedhje të parakohshme më 12 prill.

Ndërkohë, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian u kanë sugjeruar, por nuk kanë kushtëzuar që ligji të miratohet nga kjo përbërje parlamentare, para shpërndarjes së parlamentit.

Sipas pritjeve, Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 12 mars duhet ta shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të jetë 12 prilli i këtij viti.

Vendi tashmë ka një qeveri të përkohshme teknike ku bëjnë pjesë edhe dy ministra dhe dy zëvendës-ministra të VMRO-së. Qeveria teknike ka mandat deri ditën e zgjedhjeve dhe ka pë detyrë organizimin dhe mbarëvajtjen e tyre.

voa

Ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar

ParasiteCeremonia e të dielës mbrëma për ndarjen e çmimeve Oscar kishte karakteristikat e saj me një ndarje të barabartë të Çmimeve të Akademisë mes grave dhe burrave. Megjithëse pakicat ishin kryesisht të papërfaqësuara, filmi nga Koreja e Jugut “Parasite” “triumfoi me katër çmime Oscar, përfshi ato për regjisorin dhe filmin më të mirë.

Ishte një natë e shënuar për regjizorin Bong Joon Ho nga Koreja e Jugut, filmi i të cilin “Parasite” fitoi katër çmime Oscar, përfshirë ato për regjisorin dhe filmin më të mirë. “Parasite”, është një komedi e zezë mbi pabarazinë sociale në Korenë e Jugut.

Kineasti e përshëndeti vendimin e Akademisë për të ndryshuar emrin e kategorisë nga filmi më i mirë i huaj në filmin më të mirë ndërkombëtar, duke ofruar më shumë gjithpërfshirje për filmat jo-anglisht folës. Zoti Bong Joon Ho vlerësoi lartë rëndësinë e njohjes së filmit “Parasite” nga Akademia.
Filmi i regjisorit Sam Mendes “1917”, mbi dy ushtarë të Luftës së Parë Botërore në mision për të shpëtuar jetët e 1600 ushtarëve në frontin e luftës, fitoi tre çmime Oscar, përfshi atë për kinematografinë më të mirë.

Brie Larson, Sigourney Weaver dhe Gal Gadot të njohura me rolet e superheronjëve, folën mbi vështirësitë që përballen gratë në Hollivud.

Hildur GuonadottirHildur Guonadottir fitoi çmimin Oscar për muzikën në filmin “Joker” ndërsa inkurajoi gratë të ndjekin pasionin dhe talentin që kanë për muzikën.

Julia Reichert, bashkëregjisore e dokumentarit “American Factory” dhe Carol Dysinger, regjisore e dokumentarit “Learning to Skateboard in a Warzone if you’re a Girl” u nderuan me çmime Oscar.

Brad PittNë kategoritë kryesore të aktrimit, Brad Pitt fitoi çmimin Oscar për aktorin më të mirë në rol mbështetës me filmin “Once Upon a Time in Hollywood” të regjizorit Quentin Tarantino. Gjatë fjalimit për pranimin e çmimit ai bëri një koment politik lidhur me mosthirrjen nga Senati të dëshmitarëve në gjyqin ndaj Presidentit Trump.

“Më thanë se kam vetëm 45 sekonda për të folur, më shumë nga sa Senati i dha zotit John Bolton këtë javë.”

Joaquin PhoenixJoaquin Phoenix fitoi çmimin Oscar për aktorin më të mirë ndërsa dha një mesazh prekës për gjithpërfshirjen.

“Mendoj se në disa raste ne mbështesim kauza të ndryshme, por unë shoh të përbashkëtën. Pavarësisht nëse flasim për pabarazi gjinore,racizëm, të drejtat e homoseksualëve, të drejtat e kafshëve, ne po flasim për padrejtësi.”

Laura DernLaura Dern, e cila fitoi çmimin Oscar për aktoren më të mirë në rol mbështetës me filmin “Marriage Story”, shprehu kritika për mospërfshirjen e grave regjisore nga Akademia.

Renne Zellwegger fitoi çmimin si aktorja më e mirë në interpretimin e aktores dhe këngëtarës së famshme Jury Garland në filmin “Judy”.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Akademisë kësaj radhe

NETFLIX nuk mori aq çmime nga sa pritej.

voa

Eurodeputetët pro propozimeve për reformimin e negociatave të anëtarësimit

Parlamenti EUPropozimet e fundit të Komisionit Europian për reformimin e procesit të anëtarësimit janë përshëndetur nga deputetët e Parlamentit Europian. Ato shihen si urë për çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Deputetët e Parlamentit Europian i kanë mbështetur të mërkurën propozimet e reja të Komisionit Europian për reformën e procesit të zgjerimit të BE me vende të tjera. Kjo reformë u bë e nevojshme pas këmbënguljes së Francës, se para zgjerimit me vende të tjera e çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të kryhet njëherë reforma e procesit nga vetë BE. Propozimet e reja duket se mirëpriten tani nga eurodeputetët.

Eurodeputetja hungareze, Kinga Gal nga grupi i parlamentar i partive popullore (EVP) u shpreh të hënën (10.02) në seancën plenare të Parlamentit Europian në Strasburg, se këto propozime janë një urë për të zgjidhur problemin e negociatave të ngecura me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kurse i ngarkuari i BE-së për zgjerimin, Oliver Varhelyi tha se procesi i negociatave duhet të bëhet më i besueshëm. Eurodeputeti bullgar, Ilhan Kyuchuk nga grupi parlamentar liberal Renew në plenumin e Strasburgut theksoi, se metodologjia e re tani duhet të sjellë dinamikë në procesin e negociatave dhe jo ta bëjë procesin më të komplikuar.

Merkel-Orban: Samiti i BE-së në mars sinjali i hapjes së negociatave

Procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE ishte temë bisedimi edhe në vizitën e kryeministrit hungarez, Viktor Orban me kancelaren Merkel të hënën në Berlin. Merkel dhe Orban përforcuan qëndrimin, se samiti i BE-së në mars duhet të japë sinjalin e hapjes së bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Orban nga ana e tij kërkoi që të përfundojnë bisedimet e anëtarësimit me Serbinë. “Bisedimet me Serbinë duhet të përshpejtohen dhe të përmbyllen” tha Viktor Orban para takimit me kancelaren Merkel. “Vetëm kështu mund të arrihet stabilizimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor.”

Çelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u bllokua në vjeshtën e vitit të kaluar për shkak të vetos franceze. Presidenti francez, Macron kërkoi reformimin e procesit. Tani propozimi i ri i Komisionit parashikon që 35 kapitujt e anëtarësimit të ndahen në gjashtë grupime tematike. Negociatat do duhet të fillohen tek të gjashtë tematikat. Me këtë Komisioni Europian shpreson që të ketë sukses çelja e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut në samitin e BE në Maj në Zagreb.

la/rtrd/dpa

Arrin në mbi 900 numri i vdekjeve nga koronavirusi

KoronavirusNumri i vdekjeve nga koronavirusi në Kinë ka arritur në mbi 900, ndërsa sot për herë të parë që nga shpërthimi i epidemisë, Presidenti kinez Xi Jinping vizitoi një lagje të Pekinit dhe një spital për trajtimin e presonave të prekur nga virusi. Ndërkohë, rritja e rasteve në Britani bëri që qeveria e këtij vendi ta shpallë virusin një “kërcënim serioz” për shëndetin publik.

Zyrtarët kinezë të shëndetit raportuan 97 vdekje të reja të dielën. Kjo e çon në 908 numrin e përgjithshëm të vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi. Sipas zyrtarëve të shëndetësisë janë raportuar 3.062 raste të reja të virusit, duke i dhënë fund prirjes shumë ditëshe të rënies së numrit të rasteve që kishte sjellë shpresat se masat e kontrollit do të funksiononin.

Me një maskë në fytyrë, Presidenti kinez Xi Jinping bëri një paraqitje publike për herë të parë pas shpërthimit të koronavirusit, duke vizituar një lagje dhe një spital në Pekin.

“Duhet të kemi besim. Ne do ta mposhtim këtë epidemi”, tha presidenti kinez.

Britania raportoi të hënën katër raste të reja, duke e sjellë në gjithsej tetë numrin e personave me koronavirus. Ministri britanik i Shëndetësisë Matt Hancock shpalli virusin një kërcënim për publikun për t’i dhënë qeverisë më shumë fuqi për të izoluar të sëmurët në përpjekjen e saj për të shmangur përhapjen e tij të mëtejshme.

Në Japoni, një anije turistike mbetet në karantinë në Yokohama me 66 raste të reja të raportuara të hënën, më shumë sesa dyfishi i numrit të rasteve të njohura në bord.

Anija Diamond Princess (Princesha e Diamantit) u urdhërua të mbetej në karantinë javën e kaluar pasi një pasagjer i saj, i cili zbriti nga anija në Hong Kong rezultoi se ishte prekur nga koronavirusi.

Epiqendra e shpërthimit të koronavirusit është në provincën Hubei të Kinës, ku miliona njerëz vazhdojnë të jenë të izoluar. Në zonat e izoluara njerëzit po ankohen për mungesa ushqimore.

Zyrtari kinez i tregtisë Wang Bin tha të dielën se ka mungesa në logjistikë, rritje të çmimeve dhe mungesë të krahut të punës.

“Është e vështirë që furnizimi i tregut të arrijë nivelet normale,” tha ai.

Aktualisht, ai tha se ka një furnizim pesë-ditor të mishit të derrit dhe vezëve, dhe furnizim tre-ditor të perimeve.

Banka qendrore e Kinës tha se duke filluar nga e hëna do të vinte në dispozicion 300 miliardë juanë (43 miliardë dollarë) për të ndihmuar bizneset e përfshira në luftimin e epidemisë.

Joseph Eisenberg, profesor i epidemiologjisë në Fakultetin e Shëndetit Publik në Universitetin e Miçiganit, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ishte shumë herët për të thënë nëse epidemia ka arritur kulmin për shkak të paqartësisë mbi numrin e rasteve.

“Edhe nëse rastet e raportuara mund të kenë arritur kulmin, ne nuk e dimë se çfarë po ndodh me rastet e paraportuara,” tha ai. “Kjo është veçanërisht një çështje problematike në disa nga zonat më rurale”, tha zoti Eisenberg.

Numri i vdekjeve nga koronavirusi është më i lartë se ai i sindromës së rëndë të frymëmarrjes akute (SARS) që shpërtheu në vitet 2002-03, i cili besohet se ka vrarë 774 njerëz dhe të ketë sëmurë gati 8,100 njerëz në Kinë dhe në Hong Kong.

voa

DW: “Bllokimi i integrimit, papërgjegjshmëri e Macron”/ Parisi në pranverë i hap rrugë Shqipërisë

rama macrone“E papërgjegjshme ishte edhe koha e zgjedhur për kërkesën për reformim të politikës së zgjerimit, dy herë pas shtyrjes nga ana e Macron të vendimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kërkesa bazë ishte – më parë reformë e brendshme e BE e pastaj vazhdim i zgjerimit. E papërgjegjshme ishte edhe kritika e gabuar e Macronit për politikën e deritanishme të zgjerimit, pasojë e injorancës tradicionale franceze në politikën e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, nga e cila Parisi për më shumë se një dekadë ishte tërhequr politikisht”, shkruan ndër të tjera Bodo Weber për ciklin e DW, Europa ime.

Lexoni më poshtë artikullin e plotë:

Më 5. Shkurt Komisioni i ri Europian paraqiti propozimet për reformimin e politikës së zgjerimit të BE, më saktë metodologjinë e negociatave të anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Reforma” u bë e nevojshme, për shkak të bllokimit të plotë të hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, nga presidenti, Emmanuel Macron në samitin e Brukselit në tetor të vitit të shkuar. Nëse u beson përfaqësuesve të qeverisë franceze, mund të flitet me një optimizëm të matur, që Parisi në pranverë do ta hapë rrugën për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ofensivë komunikimi

Dokumenti përmban shumë elementë pozitivë që ndikojnë në rigjallërimin e procesit të zgjerimit. Propozimi i Komisionit përmban konfirmimin dhe mbështetjen më të fortë e të arsyetuar politike për zgjerimin në Ballkan prej shumë vitesh. Aty pranohet disa herë që BE me politikën e zgjerimit ka një mjet të rëndësishëm për forcimin e demokracisë në dorë. Po ashtu aty theksohet kushtëzimi i reformave si mjet qendror i kësaj politike. Për herë të parë përmendet mundësia e sanksionimit në rast të kthimit mbrapa në rrugën e reformave. Komisioni Europian propozon futjen e të ashtuquajturave “vendime të anassjellta të shumicës së cilësuar” për sanksionet. Që do të thotë, se nevojitet një shumicë e vendeve anëtare për të penguar sanksionet, diçka e re deri më tani për një politikë zgjerimi të bazuar në unitet. Në fund, KE sinjalizon një komunikim të drejtpërdrejtë të BE me qytetaret dhe qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbështësit e vërtetë të integrimit europian. Nga ana tjetër i vë para detyrimit qeveritarët të komunikojnë qëllimin strategjik të anëtarësimit të BE tek qytetarët e tyre. Ky komunikim kthehet në kusht të zgjerimit.

Por duhet paralajmëruar nga kaq shumë eufori për propozimet e zgjerimit dhe efektin afatgjatë të tyre. Sepse ky dokument në fund të fundit është një reagim i detyruar për një problem jo ekzistues dhe të kapur madje jo nga ana e duhur: Bllokada e plotë e Macronit për zgjerimin ishte një akt i papërgjeshmërisë politike europiane. E papërgjegjshme ishte edhe koha e zgjedhur për kërkesën për reformim të politikës së zgjerimit, dy herë pas shtyrjes nga ana e Macron të vendimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kërkesa bazë ishte – më parë reformë e brendshme e BE e pastaj vazhdim i zgjerimit. E papërgjegjshme ishte edhe kritika e gabuar e Macronit për politikën e deritanishme të zgjerimit, pasojë e injorancës tradicionale franceze në politikën e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, nga e cila Parisi për më shumë se një dekadë ishte tërhequr politikisht. Një injorancë, që kishtë në bazë edhe mbështetjen e rrezikshme të Macronit për këmbimin e territoreve në negociatat e Brukselit mes Serbisë e Kosovës në vitete 2018/2019. Në një dokument të administratës franceze të përgatitur me nxitim në nëntor, ajo përpiqej të mbushte me përmbajtje politike për ndërhyrjen e njëanshme të Macronit në politikën e zgjerimit, jo me shumë sukses.

Më shumë demokraci se reformë ekonomike

Propozimi i Komisionit tani është përpjekja e qartë për të kthyer mbrapsht pjesërisht elementët problematikë të “non-papers” -dokumentit francez, pjesërisht për t’i dobësuar më shumë. Kështu KE kërkon të shmangë dëmin që i është shkaktuar BE-së në Ballkan duke ruajtur njëkohësisht edhe fytyrën e Macron. Pikërëndesa e reformave ekonomike në propozimin e Parisit u zëvendësua me fokusimin tek demokracia, një nocion që për fat të keq mungonte plotësisht në dokumentin francez. Përmbledhja e propozuar e kapitujve të anëtarësimit nuk do duhet të bazohet më në hapjen me faza të kapitujve. Kjo do të nënkuptonte edhe një ristrukturim të thellë të procesit të anëtarësimit. Futja e impulseve shtesë ekonomike u dobësua ndjeshëm. Më shumë para për qeveritë e Ballkanit Perëndimor dihet se është një mjet pa efekt. Në këto vende ekonomia është gjerësisht nën kontrollin e elitave partiako-shtetërore. Aty dominojnë interesat afatshkurtra të korruptuara të pushtetit përmbi nevojat e ekonomisë popullore. E në fund – as dokumenti francez dhe as propozimi i Komisionit Europian nuk ngrihen mbi analizën e shkaqeve të paefektshmërisë së ndjeshme të politikës së deritanishme të zgjerimit.

Do të hapë Macron rrugën?

Dokumenti i Komisionit Europian nuk prek problemin bazë të politikës së zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor. E ai nuk qëndron tek metodika ekzistuese e procesit të anëtarësimit, apo instrumentave të tij. Prandaj zgjidhja nuk mund të gjendet tek ndryshimi i metodave. Problemi qëndron në mungesën e vullnetit politik të BE, të institucioneve të Brukselit e shteteve anëtare, që t’i venë në veprim me vendosmëri instrumentat e tyre. Macron, megjithë padijen për zgjerimin, e ka prekur këtë problem politik, por nuk i hyri për ta zgjidhur. Dokumenti i ri dhe impulsi i ri i BE do ta bëjnë ndoshta të mundur, që Macron të heqë dorë nga bllokimi i hapjes së negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Por pyetja kryesore është, nëse ky dokument i Komisionit Europian vërtet do të jetë një kthesë në politikën e zgjerimit. Pas kësaj mbetet i pazgjidhur një konflikt tjetër, më themelor- ai mes Gjermanisë dhe Francës për të ardhmen e BE. Pa përgjigje mbeten pyetje të tjera të rëndësishme: çfarë BE-je duam ne, një union politik apo një bashkësi ekonomike? Dhe tjetra – ku mbaron Europa (BE)?

Bodo Weber është studiues (Senior Associate) në Këshillin e Politikës së Demokratizimit në Berlin, “Democratization Policy Council” (DPC).

Top Channel