Të infektuarit pa simptoma, faktor në përhapjen e epidemisë

rruget shprazetPo forcohet bindja se koronavirusi përhapet nga individë të infektuar, të cilët nuk kanë simptoma të qarta, gjë që ndërlikon betejën kundër pandemisë.

Një studim i shkencëtarëve në Singapor ka përllogaritur se rreth 10% e infeksioneve janë shkaktuar nga persona të prekur, por që nuk shfaqin simptoma.

Studiuesit zbuluan se këta individë shkaktonin përhapjen e infeksionit, duke u bërë burim i rreth 6% të rasteve në komunitet.

Në përgjigje të studimeve, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ndryshoi përkufizimin e rrezikut të infektimit për amerikanët, duke deklaruar se çdo individ duhet të konsiderohet si bartës i virusit, edhe nëse nuk shfaq simptoma.

Ky fakt e bën epideminë e koronavirusit më të vështirë për t’u vënë nën kontroll se sa epidemi të tjera që kanë goditur sistemin e frymarrjes si SARS në fillim të viteve 2000.

Për pjesën më të madhe të personave të prekur, koronavirusi shkakton simptoma të lehta, si kollë dhe temperature që kalojnë pas dy-tre javësh. Për një numër më të vogël, sidomos për persona të moshuar apo individë me probleme të tjera shëndetësore, COVID-19 mund të sjellë komplikime të rënda deri në vdekje.

voa

Maqedoni e Veriut, arrin në 384 numri i të infektuarve

Klinika infektiveAutoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut po përgatiten për zgjerimin e kapaciteteve për pranimin e personave të prekur nga koronavirusi, numri i të cilëve rritet nga 20 – 30 në ditë. Numri i përgjithshëm i të prekurve të enjten ka arritur në 384. Mjekët infektologë vlerësojnë se piku i COVID-19 në vend do të ndodhë në fund të muajit prill dhe në maj.

Autoritetet shëndetësore në Shkup po përgatisin një spital fushor ngjitur me Klinikën e sëmundjeve infektive në një kohë kur pandemia e koronavirusit po prek për çdo ditë nga mbi njëzet njerëz në Maqedoninë e Veriut. Mjekët vazhdojnë ta konsiderojnë këtë si një periudhë të ngritjes lineare të numrit të të infektuarve që nuk i shkakton ngarkesë sistemit shëndetësor.

Mjeku infektolog Fadil Cana nga Klinika e Sëmundjeve Infektive në Shkup në një bisedë përmes Skype-it me Zërin e Amerikës thotë se gjendja në klinikë aktualisht është e menaxhueshme, por nëse fluksi vazhdon të jetë i këtillë me pacientë të prekur, atëherë klinika do te stërmbushet, thotë ai:

Për momentin në klinikë ka rreth 70 pacientë të hospitalizuar prej të cilëve një numër, varësisht nga gjendja klinike, ndodhen pranë qendrës për trajtim intensiv. Të tjerët kanë komplikime por në një gjendje mesatarisht të rëndë dhe janë hospitalizuar në pavione të tjera të Klinikës”, thotë z. Cana.

Mjekët kanë filluar terapinë me ilaçin kundër malarjes dhe Azitromicinën tek një pjesë e pacientëve të shtruar në klinikë.

“Me ilaçin antimalajes trajtojmë vetëm pacientët për të cilët gjykojmë se e kanë gjendjen e rënduar dhe marrim paraprakisht pëlqimin e vetë atyre pasi të jenë njoftuar me efektet e mundëshme anësore nga trajtimi me atë medikament. Tërë kohën jemi në konsultime me kardiologë. Për çdo ditë pacientit i bëhet një ekzaminim kardiologjik për të parë nëse duhet vazhduar me trajtimin ose jo”, thotë doktor Cana.

Sot mësohet se rreth tridhjetë raste të reja me koronavirus janë paraqitur në vend dhe një numër i konsiderueshëm i tyre të jetë personel mjekësor. Nga ana tjetër, në Dibër, e cila radhitet menjëherë pas Shkupit për nga numri i të infektuarve me koronavirus, për herë të parë në 24 orët e fundit nuk është regjistruar ndonjë rast i ri.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë njofton ata qytetarë të cilët kanë kaluar një perdiudhë prej 14 ditësh në vetëizolim shtëpiak dhe nuk shfaqin simptoma, se ata nuk kanë nevojë të testohen në laboratorë.

Sa i përket masave shtrënguese, përkatësisht orës policore që ditëve të punës fillon nga ora 21 dhe përfundon në 6 të mëngjesit, zakonisht nuk përfillet nga dhjetra qytetarë, të cilët si rezultat ndëshkohen me gjoba që varësisht prej rrethanave, shkon deri në dy mijë euro. Në 24 orët e fundit janë ndaluar 72 persona prej të cilëve 41 janë arrestuar, sipas policisë.

voa

Maqedoni e Veriut: 30 raste të reja me koronavirus

Klinika infektiveNë Maqedoni të Veriut janë regjistruar edhe 30 raste të reja me koronavirusin, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 384, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Raste të reja të vdekjes nuk janë regjistruar dhe numri i përgjithshëm i viktimave mbetet 11.

Në Dibër, qyteti më i goditur me COVID-19, tani tre ditë me radhë nuk janë regjistruar raste të reja, që sipas Ministrisë së Shëndetësisë është sinjal i mirë se masat e qeverisë kanë dhënë rezultatet në këtë zonë ku tani dy javë janë në fuqi masat e izolimit të plotë të qytetit.

Numri më të i madh i të infektuarve është në Shkup, ku janë të regjistruar 192 raste.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, të enjten ka njoftuar përfundimin e punimeve për ngritjen e një spitali mobil në oborrin e Qendrës Klinike Universitare në Shkup, me një kapacitet për të pranuar 130 pacientë.

“Vlerësojmë ky është vendi më i mirë për ngritjen e një spitali të këtillë, meqë është shumë pranë Klinikës Infektive. Por, sinqerisht besoj se nuk do të ketë nevojë që të shfrytëzojnë”, ka theksuar Filipçe duke besuar në kapërcimin e shpejtë të gjendjes me koronavirusin.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për 75 shkelje të orës policore, ku ndaj disa personavejanë ngritur edhe kallëzime penale. Për mosrespektim të masave policore parashihet dënim deri në një vit burg dhe gjobë në para.

URREJTJE ME PASOJA TË MËDHA

flamuri AL KSAs kryeministri i Serbisë mbretërore, Nikolla Pashiqi, as ministri i Sigurimit të Brendshëm Shtetëror – UDB-së së Serbisë dhe Jugosllavisë Komuniste, Aleksandër Rankoviqi e as kryetari i Serbisë pseudodemokratiko-fashiste, Sllobodan Millosheviqi, që aq shumë e kanë dëshiruar zhbërjen e shtetit shqiptar, nuk kanë propaganduar kaq haptas, kaq botërisht, aq urrejtje shoviniste kundër Shqipërisë sa e si po propagandon Masmedia e Prishtinës me disa radio, televizione e portale, e sidomos me televizionin T7 dhe me gazetën portal “Express”.

Kjo urrejtje ndaj Shqipërisë shtetërore nuk është urrejtje as e çastit e as e rastit. Jo. Kjo është urrejtje me motive jo vetëm politike më gjatë e menduar dhe më gjerësisht e organizuar dhe e strukturuar!

Kësaj urrejtjeje të organizuar shoviniste brendakombëtare kundër Shqipërisë, me të punësuar e bashkëpunëtorë, me ide, me mendime, me projekte, me propozime po i kontribuojnë edhe ndonjë institucion e edhe individë të tjerë të këtushëm.

Është naivitet të besohet se këtë urrejtje shoviniste brendakombëtare ndaj shtetit shqiptar, Shqipërisë, nuk e nxisin edhe mjete financiare të brendshme e të jashtme!

Dhe, është e palejueshme të presim gojëmbyllur e të shohim se çfarë pasojash, dhembjesh e plagësh po i sjell kjo urrejtje e propaganduar aq gjatë e aq vendosmërisht njësisë së Kombit shqiptar dhe marrëdhënieve të Dy shteteve shqiptare!

Në qoftë se nuk janë mirëkuptues të kësaj urrejtjeje të propaganduar haptas, botërisht e pa ndërprerje tani e sa kohë kundër Shqipërisë, institucionet e larta politike e shtetërore të Kosovës do të duhej të marrin qëndrim ndaj bartësve të saj siç po marrin shtetet e mëdha të Bashkimit Evropian ndaj propaganduesve të organizuar të fashizmit dhe të nazizmit në jetën e tyre politike, shoqërore e shtetërore.

Heshtja e tyre ndaj saj s’mund të kuptohet ndryshe përpos si pajtim me të!

Rexhep QOSJA

Detaje nga të infektuarit me Covid-19 në Maqedoninë e Veriut

coronavirusi-MKMinistri i Shëndetësisë Venko Filipçe, sot njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit 25 persona janë regjistruar me Covid-19.

Po ashtu në 24 orët e fundit, pesë pacientë janë shëruar dhe të njëjtit do të lëshohen për kurim shtëpiak, ndërsa është regjistruar edhe një viktimë. Filipçe tha se bëhet fjalë për një 65-vjeçare nga Struga, e cila ka pasur edhe probleme tjera shëndetësore, sidomos me zemrën, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Me 25 rastet e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve me Covid-19 ka shkuar në 354. Nga ky numër, deri në ditën e sotme 17 persona janë shëruar, ndërsa 10 të tjerë kanë ndërruar jetë.

Sipas qyteteve më shumë janë regjistruar në – Shkup edhe atë 183 persona, ndërsa më pas në:
– Kumanovë 54
– Dibër 47
– Shtip 15
– Tetovë 13
– Prilep 12
– Strugë 9
– Veles 6
– Manastir 4
– Ohër 3
– Kavadar 2
– Gjevgjeli 2
– Gostivar 1
– Strumicë 1
– Koçan 1.

Sipas grupmoshës, 3.34 përqind e të infektuarve janë prej 0-9 vjeç, 3.65 përqind të moshës 10-19 vjeç, 10.64 përqind të moshës 20-29 vjeç, 22.49 përqind të moshës 30-39 vjeç, 19.15 përqind të moshës 40-49 vjeç, 24.31 përqind të moshës 50-59 vjeç, si përqindja më e madhe (28.24 përqind) janë të moshës mbi 60-vjeçare.

Ndërsa sipas gjinisë, nga numri i përgjithshëm i të infektuarve 46.81 përqind janë meshkuj, kurse 53.19 përqind janë femra.

Ndryshe, përveç të infektuarve në Maqedoninë e Veriut ka edhe persona që ndodhen në vetizolim, numri i të cilëve është 10.414./Telegrafi/

Arrin në 10 numri i viktimave me koronavirus në Maqedoninë e Veriut

FilipceËshtë regjistruar edhe një i vdekur nga koronavirusi në Maqedoninë e Vdekur, duke e çuar në dhjetë numrin e viktimave nga paraqitja e sëmundjes COVID-19 në këtë shtet.

Ministri i Shëndetësisë tha se viktima, një grua 65-vjeçare nga Llabunishta e Strugës, vuante nga disa sëmundje kronike para se të infektohej edhe me kornavirusin e ri.

Të mërkurën janë regjistruar 25 raste të reja ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 354.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se Maqedonia e Veriut ka kapacitete të mjaftueshme për trajtimin e pacientëve me Covid-19. Ai tha piku i pandemisë së virusit pritet të arrihet në fund të muajit prill.

“Kemi situatë dinamike në të gjitha zonat e vendit. Pikun e presim diku nga fundi i muajit prill. Mund të thuhet lirisht se sistemi shëndetësor është i përgatitur të pranojë numër më të madh të pacientëve”, ka deklaruar Filipçe.

Numri i personave të shëruar ka arritur në 17. Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për 46 raste të shkeljes masave të qeverisë për lëvizje gjatë kohës së orës policore./R.E.L

Shtetet e Bashkuara kundër vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitet ndaj Serbisë

flamujt SHBAShtetet e Bashkuara u shprehën të pakënaqura me vendimin e qeverisë në detyrë të Kosovës për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe dhe zëvendësimin e tyre me masa reciproke ndaj Serbisë.

Në një komunikatë të kësaj ambasade thuhet e “Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet të heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja sepse këto politika janë të dëmshme për qytetarët e Kosovës dhe i zënë frymën ekonomsië së Kosovës. Qëndrojmë kundër veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj lëvizjes së mallrave nga Serbia. Këto masa krijojnë më shumë probleme në kohën kur Shtetet e Bashkuara besojnë se marrëveshjet për linjën ajrore, hekurudhore, dhe për autostradë, të arritura mes të dyja palëve, do të rrisin zhvillimin ekonomik kur ato të zbatohen, dhe do të krijojnë kushtet e nevojshme për dialog të suksesshëm”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e Kosovës vendosi të martën heqjen e tarifave ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina si dhe vendosjen shkallë – shkallë të masave reciproke ndaj Serbisë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se “ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor me ç’rast ne do ta bëjmë një vlerësim të gjithëmbarshëm të mbarëvajtjes së këtij vendimi”, tha zoti Kurti, duke theksuar se “me Bosnje e Hercegovinën e heqim tarifën 100 për qind pa asnjë shtesë tjetër”.

Ai tha të mërkurën mes tjerash se zbatimi i masave të reciprocitetit nga autoritetet e Kosovës “do të jenë graduale dhe si përgjigje proporcionale me sjelljen e autoriteteve të Serbisë. Parimi i respektit të ndërsjellë duhet të mbizotërojë, në mënyrë që mos të ketë barriera midis dy shteteve. Qeveria e Republikës së Kosovës ka vullnetin për të zhvilluar e kultivuar marrëdhënie tregtare, me të gjitha shtetet në rajon, pa pengesa të padrejta, mbi bazën e parimeve të pranuara ndërkombëtarisht, në respekt të traktateve ndërkombëtare dhe në respekt të të drejtave themelore të qytetarëve”, theksoi ai.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u shpreh i kënaqur me “vendimin për heqjen e tërësishme të tarifave ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja nga qeveria në detyrë e Kosovës. Ky është një vendim i rëndësishëm. Bashkëpunimi rajonal është thelbësor për lëvizjen e mallrave posaçërisht në kohën e krizës së COVID-19-tës”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe u vendosën në nëntor të vitit 2018 nga qeveria e ish kryeministrit Ramush Haradinaj, në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes agresive të Beogradit ndaj pavarësisë së Kosovës.

Kjo çoi në pezullimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkak të refuzimit të Beogradit që të ulet në tryezën e bisedimeve derisa nuk hiqen tarifat.

Ish kryeministri Haradinaj rezistoi trysninë ndërkombëtarë për heqjen e tyre deri në korrik të vitit 2019 kur dha dorëheqje për t’u paraqitur në Hagë ku u thirr nga prokuroria e posaçme që trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë. Rënia e qeverisë së tij ishte rrjedhojë e përplasjeve edhe të brendshme për shkak të tarifave.

Qeveria e re e Kosovës që doli pas zgjedhjeve të tetorit të vitit 2019, u gjet nën trysni posaçërisht të Shteteve të Bashkuara për heqjen e tërësishme të tarifave të cilat u shprehën të pakënaqura me qëndrimin e zotit Kurti për heqjen e pjesshme të tarifave.

Mospajtimet rreth kësaj çështjeje përfshinë edhe marrëdhëniet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që kulmuan me rrëzimin e qeverisë Kurti më 25 mars.

voa

Si funksionon sistemi imunitar?

Sistemi imunitarSistemi imunitar përballet çdo ditë me sfida të shumta, ndërsa ne nuk e vërejmë fare. Kollitja, teshtimat, temperatura… me të gjitha këto përballet sitemit imunitar.

Sistemi jonë imunitar është tepër kompleks dhe tërë kohën përpiqet të ruajë trupin tonë. Në fakt, ekzistojnë dy sisteme imunitare në trupin e njeriut.

Sistemi i lindur imunitar

Njëri sistem ekziston që nga lindja. Ai është shumë eficientë e i shpejtë dhe kujdeset, për shembull, për gjetjen dhe luftimin e baktereve në një periudhë shumë të shkurtër kohore. Ky sistem nuk është i specializuar për luftë vetëm ndaj baktereve apo armiqve të veçantë, por për një luftë të përgjithshme. Funksionon shumë shpejtë, por ka një efikasitet të kufizuar dhe nuk mund të jetë tepër intensiv në luftën kundër kundërshtarëve të caktuar.

Qelizat mbrojtëse nga grupi i leukociteve janë pjesë e këtij sistemi imunitar. Leukocitet krijohen në gjëndërra dhe palcën e eshtrave.

Leukocitet përmes rrymimeve të gjakut kalojnë në të gjithë trupin e njeriut. Sasia tepër e lartë e leukociteve në gjak do të thotë se në trupin tonë ka ndonjë ndezje apo infektim. Mjeku e sheh këtë pas kontrollit të gjakut dhe e di se duhet të veprojë.

Por para futjes së shkaktarit të sëmundjes në trup, ai duhet të kalojë edhe disa barriera të jashtme. Në radhë të parë lëkurën dhe sistemet mbrojtëse të mukozës në gojë dhe fyt. Ato pengojnë shkaktarët e sëmundjes që të futen në trupin tonë. Ndaj edhe janë pjesë e rëndësishme e sistemit mbrojtës. Materiet kimike, si acidet, enzimet dhe mukoza janë pjesë e këtij sistemi. Edhe ato i pengojnë bakteret apo virusët të futen në trup.

Sistemi i trashëguar imunitar

Nëse përkundër sistemit të lindur imunitar, një shkaktar i sëmundjeve megjithatë depërton në trup, atëherë aktivizohet shkalla e dytë mbrojtëse e trupit. Ky ëshë një sistem më specifik i trashëguar imunitar.

Për aktivizimin e tij kërkohet më shumë kohë – katër deri në shtatë ditë. Ky sistem imunitar është i specializuar kundër antigjeneve të caktuara. Ai regjistron materiet e dëmshme dhe i fut në të ashtuquajturat qelizat e memorizimit, që funksionojnë si një sistem imunitar. Ky sistem mbanë mend bakteret apo virusët të cilët kanë qenë edhe më parë në trup. Nëse ndonjë prej tyre futet sërish në trup, atëherë fillon një proces që ka ndodhur edhe më parë kundër këtij shkaktari. Në këtë sistem janë memorizuar pra mekanizmat mbrojtës, ndaj shtohet edhe efektiviteti dhe shpejtësia e veprimit ndaj shkaktarëve të sëmundjeve apo infektimeve. Ky sistem imunitar e di shumë shpejtë se çfarë duhet të bëjë. Ndaj shumë sëmundje paraqiten vetëm njëherë në jetë.

Limpfocitet T

Tek shkaktërët e sëmundjeve që gjenden në inde, aktivizohen Limpfocitet T, të njohura edhe si Qelizat T. Ato i takojnë grupit të trupave të bardhë në gjak dhe krijohen në palcën e eshtrave. Limpfocitet T mund t’i dallojnë qelizat e huaja nga ato të trupit. Ato e dinë se në cilët kategori renditen qelizat.

Qelizat T shumohen jashtëzakonisht shpejtë në trup dhe janë të specializuara në luftën kundër shkaktarëve të caktuar të sëmundjeve. Një nënlloj i Limpfociteve T janë qelizat vrasëse T. Detyra e tyre është që të gjejnë qelizat e sëmura dhe t’i shkatërrojnë ato. Në këtë betejë përdorin helmet qelizore, të ashtuquajturat Cytotoxine.

Limpfocitet B

Limpfocitet BEdhe Limpfocitet B janë pjesë e gjakut. Ato kanë për obligim që të njohin shkaktarët e sëmundjeve dhe të krijojnë antitrupa në gjak. Edhe ato janë të specializuara në luftën kundër shkaktarëve të caktuar të sëmundjeve. Në këtë betejë krijojnë të ashtuquajturit  B-Zell-Receptorë. Përmes tyre njihen antigjenët e huaja në trup.

Limpfocitet B krijohen në palcën e kockave. Ato mblidhen në nyjet limpfatike dhe në shpretkë. Kur të vijnë në kontakt me antigjene, i lidhin ato me B-Zell-Rezeptor dhe krijohen antitrupa të caktuar – e ashtuquajtura Imunglobulinë.

Edhe një pengesë

Por edhe nëse bakteret dhe virusët, përkundër këtyre mbrojtësve depërtojnë në sistemin imunitar, ato ende nuk e kanë arritur qëllimin e tyre. Phagocitet janë ato që i presin dhe i shkatërrojnë. Në mesin e tyre bëjnë pjesë Makrophagjenet, të cilat gjenden në inde, si dhe Granulocitet, që gjenden në inde dhe gjak.

Sistemi jonë imunitar është pra shumë kompleks. Por nuk është perfekt. Mund të ketë pengesa të shumta në funksionimin e tij. Një prej tyre është sëmundja e sistemit autonom imunitar. Sistemi mbrojtës në këtë rast nuk vepron kundër qelizave të huaja, por kundër disa qelizave të veta në trup dhe shkakton ndezje.

Kështu shkaktohen sëmundjet si Multiple Sklerose, Neurodermitis, sëmundjet reumatike dhe Psoriasis.

dw

Shkencëtarët kinezë zbulojnë “anti-trupa efektivë” kundër COVID-19

Covid 19Një ekip shkencëtarësh kinezë ka izoluar një grup anti-trupash që thotë se janë “tepër të efektshëm” për të bllokuar aftësinë e koronavirusit për të penetruar qelizat e njeriut. Shkencëtarët thonë se ky mekanizëm mund të ofrojë shpresa për të kuruar dhe parandaluar COVID-19.

Zhang Linqi dhe ekipi i tij në Pekin thonë se një ilaç që përmban anti-trupat në fjalë mund të jetë më i efektshëm se sa trajtimet e tjera, si për shembull përdorimi i plazmës me anti-trupat e personave që janë shëruar, pasi përdorimi i plazmës është i kufizuar në bazë të grupit të gjakut.

“Rëndësia e anti-trupave është provuar në mjekësi prej dekadash. Ato përdoren për të kuruar kancerin, apo çrregullime auto-imune si dhe sëmundje ngjitëse. Prandaj kemi shpresa se anti-trupat që kemi zbuluar mund të jenë shumë të efektshëm për pacientët me koronavirus si për mjekimin ashtu edhe për parandalimin e infeksionit,” thotë Dr. Zhang Linqi.

Ekipi shkencor filloi të analizonte anti-trupat që në janar, duke mbledhur mostra gjaku nga pacientë me COVID-19. Ky ekip po punon për t’i kombinuar anti-trupat e zbuluar me anti-trupa të tjerë për të ulur rrezikun e mungesës së efikasitetit nëse koronavirusi shfaq mutacione.

Anti-trupat nuk janë të krahasueshme me rolin e vaksinës, por mund t’u jepen personave në rrezik me qëllim që të mbrohen nga infeksioni. Nëse studimet rezultojnë pozitive, anti-trupat mund të prodhohen në masë për prova me kafshët dhe më pas me njerëz.

voa

Kosova heq tarifën 100% ndaj Serbisë – vendos masa reciprociteti tregtar

AlbinKryeministri i Kosovës në detyrë Albin Kurti, pasi hoqi tarifën 100% ndaj mallrave serbe e vendosi reciprocitet tregtar, tha se ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor kur do të bëhet një vlerësim i gjithëmbarshëm.

Që nga mesnata e së martës Kosova hoqi tarifat 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës, tarifa këto të vendosura që nga nëntori i vitit 2018 nga qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Kryeministri i Kosovës në detyrë Albin Kurti tha se hiqen tarifat dhe fillon vendosja shkallë shkallë e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, por jo ndaj Bosnjes e Hercegovinës.

“Ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor me ç’rast ne do ta bëjmë një vlerësim të gjithëmbarshëm të mbarëvajtjes së këtij vendimi”, tha Albin Kurti, pas një mbledhjeje të qeverisë që u mbajt në orët e vona të ditës së martë.

“Masat e reciprocitetit ose veprimet e ndërsjella janë instrument i marrëdhënieve mes shteteve sovrane dhe i njohur nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Marrëveshja e përgjithshme për tarifat dhe tregti e vitit 1947 e ndryshuar më 1994 është instrument themelues i Organizatës Botërore të Tregtisë dhe kjo njeh parimet themelore të reciprocitetit, mosdiskriminimit dhe shtetit më të favorizuar. Në thelb këto parime shërbejnë për të dhënë një rezultat efikas dhe trajtim të barabartë të politikës tregtare duke eliminuar barrierat në tregti”, tha kryeministri në detyrë Albin Kurti, duke tërhequr vërejtjen se “që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së CEFTA-s, Serbia ka vendosur një mori barrierash tregtare dhe jotarifore ndaj Kosovës duke përfshirë në tranzit edhe barrierat politike”. Vendimi i qeverisë së Kosovës në detyrë për të hequr tarifën 100% ndaj mallrave të Serbisë, nuk është komentuar akoma nga Beogradi zyrtar, mirëpo vendimi u mirëprit menjëherë nga shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

“Jam i lumtur me vendimin për heqjen e tërësishme të tarifave ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja nga qeveria në detyrë e Kosovës. Ky është një vendim i rëndësishëm. Bashkëpunimi rajonal është thelbësor për lëvizjen e mallrave posaçërisht në kohën e krizës së pandemisë COVID-19-tës”, shkroi Borrel në Twitter.

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, që vendosi tarifën 100% për mallrat e Serbisë në vitin 2018, heqjen e tarifës nga Albin Kurti e cilësoi nënshtrim ndaj Serbisë.

“Vendimi i sontëm i Qeverisë në largim është heqje e taksës 100% dhe mbajtje e masave të reciprocitetit që i vendosëm ne dikur, por assesi nuk është reciprociteti i plotë politik, ekonomik e tregtar që e premtoi Kurti dhe e votoi dikur Kuvendi me rezolutë. Me këtë mashtrim, Kurti ia humbi përfundimisht Kosovës kapitalin politik të krijuar me taksën 100%, i cili ishte dizajnuar të përdoret në këmbim të marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Haradinaj në profilin e tij social.

Edhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që deri në shkarkimin e qeverisë Kurti me mocion në parlament ishin partner në koalicion, thonë se edhe kur është vendosur tarifa edhe tash që u hoq, është një veprim politik që nuk i ka sjellë të mira Kosovës. Kështu tha nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

“Sa e di unë edhe herën e parë kur është bërë largimi i taksës për lëndën e parë, ministrat e LDK-së nuk kanë qenë aty. Edhe kësaj here sido që është votu, në parim është bërë veprim politik por me pasoja, pasoja e parë po e merr Qeverinë e dytë me veti, pasi që edhe dorëheqja e Haradinajt ka qenë për shkak të presionit të tarifës dhe mosarritjes me u koordinu me partnerë, por edhe Qeveria Kurti shkoi si pasojë e moskoordinimit me partnerë strategjikë lidhur me tarifën”, deklaroi Lutfi Haziri.

Nga ana tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, duke e komentuar efektet e tarifës thotë se “në aspektin ekonomik tarifa 100% ka arritur disa efekte, sidomos ne fuqizimin e disa ndërmarrjeve prodhuese”, por në anën tjetër sipas tij, “rritja e kostos për lënden e parë ka sjellë ndikime negative për disa prodhues të tjerë”.

“Tarifa si instrument politik ka ndikuar dhe po ndikon në stabilitetin politik të vendit dhe rrjedhimisht kjo është përcjellë me ndikime negative në atraktivitetin e vendit për investime, nga brenda dhe nga jashtë. Jostabiliteti politik krijon rrezik politik dhe rreziku politik është determinante e rëndesishme në vendimet e investitoreve për investime në një vend”, shkruan Berat Rukiqi.

Sidoqoftë, Albin Kurti kryeministër në detyrë, e hoqi tarifën ndaj mallrave të Serbisë në kohën kur vendi po përballet pos me pandeminë Covid-19 edhe me një krizë të thellë politike, pas rrëzimit në parlament të qeveisë Kurti me një mocion mosbesimi.

Hashim Thaçi nisi sot konsultimet me partitë politike

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, nisi sot konsultimet me partitë politike për të arritur një dakordim nëse parlamenti duhet të zgjedhë një qeveri të re apo vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili zhvilloi të mërkurën një takim me Presidentin, tha se pyetjes së presidentit për një qeveri të re i është përgjigjur negativisht. “Bashkë mund të bisedojnë vetëm për zgjedhje të reja”, tha Kurti.

“Pyetjeve dhe përpjekjeve të presidentit që ne të flasim për mundësinë për qeverinë te re për kandidatura të reja u jemi përgjigjur me qëndrimin tonë për të cilin jemi të bindur që është jo vetëm i drejtë por edhe i vetmi në bazë të kushtetutës, nuk mund të kapërcejnë diku tjetër duke mohuar nenin 82 pika 2 të Kushtetutës, që thotë se pas një mocioni të mosbesimit ajo çfarë ngelet është të shkohet në zgjedhje të reja. Të bindur se Kushtetuta nuk krijon mundësinë në kontekstin aktual politik që ne të kemi qeveri të re, pa zgjedhje të reja”, tha Albin Kurti.

Presidenti i Republikës së Kosovës dy ditë më parë pas një takimi që zhvilloi me ambasadorët e QUINT-it, tha se ai “do të vendosë për opsionin më të mirë për të dalë nga kjo situatë”, duke ritheksuar se “Kosova ka nevojë për një qeveri që do të sjellë stabilitet, unitet sa më të madh politik e qytetar, që do të jetë gjithëpërfshirëse dhe e orientimit të qartë euroatlantik”.

112 raste të konfirmuara me Covid-19

Në kohën e krizës politike që gjendet Kosova, me një krizë tjetër mund të përballet shumë shpejt, e ajo është rreth masave për kufizimin e lëvizjes së njërëzve për shkak të mospërhapjes së pandemisë Covid-19. Në Kosovë raste të konfirmuara me Covid-19 janë 112. Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë një vendim të qeverisë e cila një javë më parë vendosi ndalimin e lëvizjes së qytetarëve në rrugë nga ora 17:00h deri në 6:00 të mëngjesit. Gjykata Kushtetuese tha se vendimi i qeverisë është antikushtetues, sepse ndalimin e lëvizjes së lirë të njerëzve mund ta bëjë vetëm Kuvendi i Kosovës.

Megjithatë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për heqjen e kufizimit të lëvizjes së njërëzve, hyn në fuqi nga data 13 prill dhe kjo hapësirë kohore nga njohësit e Kushtetues po cilësohet kohë e mjaftueshme për ta gjetur një zgjidhje ligjore rreth masave kundër përhapjes së virusit.

dw