Vazhdon dialogu i drejtpërdrejt Kosovë – Serbi

EEASPas më shumë se 20 muajsh sot (16.0.20) në Bruksel vazhdon dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve. Problemet mbeten të njëjta, por palët kanë ndryshuar.

Në Bruksel kanë ardhur delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë të prira nga kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ndërmjetës në dialog është Miroslav Lajçak, i ngarkuari i Përfaqësuesit për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell. Ndërsa në Bruksel nuk është fare presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili gjendet rreth 200 kilometra më larg, në Hagë, ku po intervistohet nga prokurorët e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, nën dyshime se ka bërë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian thonë se palët sot do të takohen për herë të parë në këtë konstelacion live, sepse ditën e dielë Hoti dhe Vuçiq kanë pasur bisedën e parë përmes një video-konference. Palët thonë se kanë rënë dakord edhe për agjendën e takimit të sotëm, por ajo nuk është publikuar ende.

„Dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve është kthyer në rrugë të drejtë pas 20 muajsh. Si rezultat i takimit të sotëm, ne u pajtuam për elementet kryesore të procesit dhe agjendës së takimit tonë të radhës që do të mbahet të enjten në Bruksel”, deklaroi Lajçak pas takimit të fundit virtual, të mbajtur ditën e dielë.

Prononcimet e pjesëmarrësve

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel ka bërë të ditur se ai do të prononcohet sot për media para takimeve, ndërsa pas takimeve me palët dhe takimit të parë të përbashkët mes Hotit dhe Vuçiqit, do të flasë ndërmjetësi Mirsolav Lajçak.

Sa u përket palëve, pritet që ato të paraqesin pikëpamjet e tyre, të cilat deri tani janë diametralisht të kundërta. Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, i cili në Bruksel ka mbërritur të mërkurën pasdite, pohon se me palën serbe do të bisedohet për njohjen reciproke dhe normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura.

Njëkohësisht Hoti pohon se në vazhdim të dialogut do të insistojë në hapjen e çështjeve si kthimi i dokumentacionit që i përket Kosovës, sqarimi i fatit të të pagjeturve,  kompensimi i dëmeve të luftës… por pohon se me palën serbe nuk do të flasë për çështjet e brendshme, ndryshimin e kufijevë dhe shkëmbimin e territoreve. Pas video-konferencave të fundit në Paris dhe Bruksel, Hoti tha se Kosova në këtë proces po hyn për vetëm një qëllim – „njohja reciproke dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes të dy vendeve”.

“Jemi të gatshëm të ulemi në çdo tavolinë të dialogut për të mbrojtur shtetësinë e Kosovës dhe për të kërkuar plotësisht normalizim të marrëdhënieve, që vjen vetëm pas njohjes reciproke në mes të dy vendeve. Marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen reciproke, adresimin e çështjes së të pagjeturve, dëmet e luftës, kthimin e dokumenteve kadastrale, rregullimi i marrëdhënieve ekonomike në mes të të dy vendeve dhe lidhjet infrastrukturore”, deklaroi Hoti.

Vuçiq i pakënaqur me bisedimet e para

Ndërsa Aleksandar Vuçiq i ka quajtur si tërësisht të papranueshme kërkesat e fundit të palës kosovare, të paraqitura në takimin virtual me ndërmjetësimin e Lajçakut të dielën, si dhe dy ditë më parë (me 10 korrik) në samitin e organizuar nga presidenti i Francës Macron dhe kancelarja gjermane Merkel.

Vuçiq pohon se bisedimet do të jenë të vështira, por “Serbia është e gatshme të bisedojë për përmirësimin e kushteve të jetës për njerëzit tanë në Kosovë”. Vuçiq edhe më tej pohon se Serbia nuk do ta njohë Kosovën.

Dialogu ishte i ndërperë për rreth 20 muaj për shkak të tarifave 100% të vëna nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ndaj mallrave serbe.

Do të jetë ky takimi i parë i drejtpërdrejtë në vazhdimin e dialogut të filluar në vitin 2011 pa prezencën e presidentit Thaçi, Aktakuza ndaj tij u bë publike vetëm tri ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, të ndërmjetësuar nga Richard Grenell. Takimi është shtyrë, ndërsa Thaçi po përballet që nga dita e hënë me pyetjet e prokurorëve të Gjykatës Speciale

dw

Presidenti Thaçi në ditën e katërt të intervistimit në Hagë

HTHPresidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon për të katërtën ditë me radhë intervistimin në Prokurorinë e Posaçme në Hagë, që trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pas luftës në Kosovë.

Prokuroria e Posaçme më 24 qershor publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Presidenti Thaçi nuk bëri më komente përveç ditën e hënë para se të fillonte intervistimi. Ai i ka mohuar akuzat, ndërsa ka theksuar se është i gatshëm të përballet me atë që ai e quajti sfidë të re dhe se sipas tij askush nuk mund ta rishkruajë historinë Kosovës.

Akuzat e Prokurorisë së Posaçme i janë dorëzuar një gjykatësi të procedurës paraprake i cili duhet të vendosë për konfirmimin apo hedhjen poshtë të tyre.

Gjykata e Posaçme për Kosovën e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua më 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës por me personel ndërkombëtar.

Pretendimet për krime lufte kundër pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dolën në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

voa

COVID-19: Mjekët paralajmërojnë pasoja afatgjata në organizëm

pacient me Covid 19Ende ngelen të paqarta pasojat afatgjate që koronavirusi mund të shkaktojë në organizëm. Informacionet e fundit nga disa mjekë me përvojë në Itali, ngritën shqetësime se pasojat nga pandemia mund të jenë shumë herë më të mëdha sesa ç’u mendua në fillim. Mjekë dhe pacientë nga një prej qyteteve më të prekura në Evropë, rrëfejnë përvojën e tyre.

Sipas disa mjekëve me përvojë në qytetin e Bergamos në Itali, një përqindje e konsiderueshme e të mbijetuarve të COVID-19 po shfaqin simptoma problemesh kronike.

Kjo gjë ka ngritur shqetësime se pasojat e infeksionit janë më të mëdha sesa mendoheshin në fillim.

“Është një sëmundje sistematike që dëmton arterie në të gjithë trupin, gjë që ndikon edhe tek veshkat dhe truri. Kemi vërejtur edhe dëme të tjera akute si dështim të funskionimit të veshkave që kërkon dializë ose goditje në tru dhe më pas infarkt akut të miokardit. Pra kemi vërjetur shumë ndërlikime të shkaktuara nga virusi. Tani po shohim se një përqindje e madhe e të prekurve po shfaqin dëme kronike nga virusi”, tha Dr. Roberto Cosentini, shef i pavionit të urgjencës në spitalin Papa Giovanni.

“Disa nga organet, siç janë mushkëritë, preken më shumë. Por preken edhe truri, lëkura dhe ndonjëherë kemi edhe pezmatim të enëve të gjakut. Pra, nuk është infeksion që lidhet vetëm me frymëmarrjen. Nuk ka mbaruar”, tha Dr. Emanuela Catenacci, neurokirurge në spitalin Kremona.

Bergamo është një nga qytetet më të prekura në Evropë nga pandemia.

Sipas Sky News disa të mbijetuar të virusit kanë probleme me përqëndrim, punë normale dhe aktivitete fizike.

“Për ata që nuk respektojnë rregullat, do të doja të përjetojnë për një javë atë që ndjeva unë, që një javë të ndjehen aq keq sa kam qenë unë. Kështu mbase do të kuptonin se nuk duhet të injorohen paralajmërimet ose rregullat e detyrueshme që duhen zbatuar”, tha Filippo Alvaini, i mbijetuar i COVID-19.

Në përgjithësi shumica e njerëzve të infektuar me COVID-19 e marrin veten brenda pak javësh. Ndërsa ata që përjetojnë simptoma më afatgjate, zakonisht përballen me plogështi, dhimbje koke, ankth dhe dhimbje muskulore, probleme këto që zgjasin për disa javë.

Pacientët që kanë nevojë për kujdes intensiv, përfshirë ata që vihen në aspirator ose dializë, përballen me probleme më serioze. Ata që preken nga pneumonia mund të perjetojnë dhimbje të mushkërive.

Ekzistojnë raporte për enjtje të indit të zemrës, aritmi të zemrës, probleme në funksionimin e veshkave dhe mëlçisë. Megjithatë, është ende herët të dihet nëse këto probleme do të jenë të përhershme për këta pacientë.

voa

LSDM dhe BDI në epërsi bazuar në mbi 90% të votave të numëruara

ZaevPartia maqedonase Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe ajo shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) janë në epërsi nga votimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura të mërkurën në kushte pandemie.

Nga përpunimi i 93.96 për qind të vendvotimeve, LSDM-ja e udhëhequr nga Zoran Zaev ka fituar rreth 321 mijë vota apo 36.12% e pasuar nga VMRO DPMNE e Hristijan Mickovskit me 310 mijë vota apo 34.85%.

Nga partitë shqiptare, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, BDI ka siguruar 101 mijë vota apo 11.3 për qind të votave kurse opozita e drejtuar nga koalicioni Aleanca me Alternativa kanë marrë 76 mijë vota apo 8.52 për qind të votave.

Partia e krahut të majtë “Levica”, ka fituar 37 rreth mijë vota 3.96% për qind të votave, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit rreth 13 mijë vota apo 1.48% për qind.

Në bazë të rezultateve të deritanishme dhe simulimit të tyre në mandate, LSDM ka fituar 46 ulëse në Kuvend, VMRO DPMNE-ja 44, BDI-ja 15, Aleanca me Alternativa 12, “Levica” dhe PDSH nga 1 mandat. Por këto ndarje të mandatave mund të ndryshojnë deri në numërimin përfundimtar të votave.

Kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev shpalli fitoren e partisë së tij duke theksuar se Maqedonia e Veriut tanimë ka të ardhme edhe më të sigurt.

“Ne kemi sukses, njerëzit e mi, me një avantazh prej më shumë se tre mandate ndaj VMRO-DPMNE, me mundësinë edhe për një ose dy mandate tjera. Koalicioni “Mundemi” është fitues i zgjedhjeve në të cilat u konfirmua vullneti i njerëzve. Qytetarët dolën dhe votuan për një të ardhme të sigurt, për unitet dhe solidaritet, për atdhetarizëm, për drejtësi, për një ditë më të mirë dhe një të nesërme më të mirë. Ne i thamë qartë jo rrezikut”, ka deklaruar Zoran Zaev duke i vlerësuar zgjedhjeve si paqësore, të pastra, bazuar në standardet evropiane.

Për dallim nga Zaevi, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski nuk doli para mediave të mërkurën në mbrëmje ndërsa qëndrimin e partisë e bëri të ditur, sekretari i përgjithshëm, Igor Janjushev. Ai tha se VMRO-ja është e kënaqur me rezultatin por jo edhe me procesin zgjedhor për shkak të siç tha parregullsive të shumta. Janushev tha se rezultatet tregojnë se populli dëshiron ndryshimin andaj VMRO do të mbetet në garë për formimin e qeverisë së re.

Me këtë kredibilitet do të hyjmë në garë për sigurimin e shumicës në Kuvend. Beteja ende nuk ka përfunduar”, ka deklaruar Janjushev.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se fitorja e partisë së tij në këto zgjedhje, është fitore e të gjithë shqiptarëve.

“Me këtë fitore të BDI-së kanë fituar shqiptarët dhe nuk ka humbur askush sepse ne u jemi dalë zot të vërtetë ashtu siç kemi qenë edhe më parë. Jemi fitues absolut të zgjedhjeve”, ka deklaruar Ahmeti.

Fitore në disa qytete ka shpallur edhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, por ato kanë akuzuar pushtetin për parregullsi të shumta zgjedhore, në disa fshatra të Shkupit dhe në rajonin e Likovës.

“Përkundër presioneve të shumta dhe frikësimit të votuesve, ne presim fitore nga këto zgjedhje”, ka deklaruar Zijadin Sela.

Në zgjedhje kanë marrë pjesë 15 parti politike dhe koalicione ndërsa nga gjashtë njësitë zgjedhore, do të zgjidhen nga 20 deputetë apo 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Në zgjedhjet që kanë zgjatur deri në orën 21.00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar rreth 51 për qind nga 1.8 milion qytetar me të drejtë vote.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, procesin zgjedhor e ka vlerësuar të rregullt dhe demokratik, me disa parregullsi të vogla që sipas kryetarit të KSHZ-së, nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Mendoj se ne përgjithësi mund të jemi të kënaqur nga pasqyra që kemi për këtë proces zgjedhor”, ka deklaruar kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski.

Procesi zgjedhor u mbikëqyr nga 2,508 vëzhgues vendor dhe 98 të huaj.

Ministria e Punëve të Brendshme, angazhoi rreth 6 mijë forca policore për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. MPB-ja njoftoi se ka pranuar 11 denoncime për prishje të procesit zgjedhor.

Zgjedhjet e së mërkurës ishin zgjedhjet e dhjeta parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Zgjedhjet duhej të mbaheshin më 12 prill, por ato u shtynë për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe deri në mbajtjen e tyre vendi është drejtuar nga një qeveri teknike, pjesë e së cilës ka qenë edhe opozita maqedonase.

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut ishin paralajmëruar nga ish-kryeministri Zoran Zaev, që në dhjetor të vitit 2019 pasi ky vend arriti të marrë datën e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian, pavarësisht zbatimit të marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut.

rel

COVID-19: 132 RASTE TË REJA, 6 TË VDEKUR DHE 83 TË SHËRUAR

IKSHPKInstituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi se më datë 15 korrik 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 486 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 132 raste pozitive.

Numri total i rasteve pozitive është 5.369 raste nga 29.546 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 118 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Më datë 15 korrik 2020, janë shëruar 83 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 2.545 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.706.

Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 47 raste, komuna Ferizaj 16 raste, komuna Mitrovicë 16 raste, komuna Gjilan 12 raste, komuna Podujevë 6 raste, komuna Vushtrri 5 raste, komuna Viti 4 raste, komuna Drenas 4 raste, komuna Fushë Kosovë 4 raste, komuna Pejë 3 raste, komuna Prizren 3 raste, komuna Deçan 2 raste, komuna Kaçanik 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Kamenicë, Klinë, Graçanicë, Kllokot, Mitrovicë e veriut, Obiliq, Rahovec dhe Skenderaj.

Të nderuar qytetarë!
Virusi është kudo! Ju lutemi përmbajuni rekomandimeve! Virusi vret!

Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.

BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!
Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve.

Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve.

Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe maskat!
Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda!
Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm!

Ju lutem të keni kujdes, sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve!

NE PO PUNOJMË PËR JU, ANDAJ NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!

Ju faleminderit për mirëkuptim!

3 humbje jete dhe 99 raste të reja në 24 orët e fundit

Dr. Marjeta DervishiMinistria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 425 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 99 raste pozitive.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 40 raste në Tiranë, nga 6 raste në Fier, Kavajë, nga 5 raste Dibër, Mirditë, nga 4 raste Krujë, Devoll, nga 3 raste Vlorë, Sarandë, Malësi e Madhe, nga 2 raste Durrës, Kurbin, Korçë, Elbasan, Lezhë, Has, Lushnje, Prrenjas, nga 1 rast në Kukës, Berat, Pogradec, Roskovec.

Situata paraqitet serioze në spitalin infektiv, ku në 24 orët e fundit ka humbur jetën një 44 vjeçare nga Tirana, prej 10 ditësh e intubuar dhe pa sëmundje bashkëshoqëruese, perveç obezitetit.
Nuk e kanë fituar betejën edhe dy qytetarë, një 64 vjeçar nga Tirana dhe një 65 vjeçare nga Vlora me sëmundje bashkëshoqëruese.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve.
Në 24 orët e fundit është shtuar numri i pacientëve që kanë nevojë për trajtim spitalor. Me hapjen e Covid2, aktualisht në dy spitalet Covid, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 102 pacientë, 11 pacientë janë në terapi intensive dhe 3 prej tyre janë të intubuar.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 46 qytetarë, duke e çuar në 2137 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Në vendin tonë aktualisht janë 1610 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore.
Kurdo kur është e mundur, rekomandohet puna nga shtëpia.
Rikujtojmë qytetarët se:
Vendosja e maskës në ambientet e mbyllura është e detyrueshme.
Çdo barrierë mbrojtëse, e bërë edhe në kushte shtëpie, ndihmon në kufizimin e përhapjes së infeksionit.
Maska prej tekstili duhet të mbulojë plotësisht hundën dhe gojën gjatë gjithë kohës.
Moszbatimi i kësaj mase është e dënueshme sipas aktit normativ, me masë administrative në shumën 2 mijë lekë të reja për çdo qytetar.
Ministria e Shëndetësisë ju bën thirrje të respektoni vetëizolimin kur jeni të prekur nga Covid19.
Edhe në rast se dyshoni se jeni i prekur apo keni patur kontakte me persona të prekur, duhet te izoloheni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.
Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19.

COVID-19 – Statistika (16 Korrik 2020)
Testime totale 34175
Raste pozitive 3851
Raste të shëruara 2137
Raste Aktive 1610
Humbje jete 104 (Qarku Tiranë 54, Shkodër 17, Durrës 16, Fier 5, Elbasan 5, Vlorë 3, Kukës 1, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 734
Durrës 209
Shkodër 199
Vlorë 104
Lezhë 86
Kukës 55
Korçë 50
Elbasan 46
Fier 42
Berat 40
Dibër 24
Gjirokastër 21

Covid 19: 94 raste të reja, 8 të vdekur dhe 42 persona të shëruar

RMV Ministria e shendetesiseMinistria e Shëndetësisë informon se gjatë 24 orëve të fundit, janë kryer 830 testime dhe janë regjistruar 94 raste të reja të COVID -19 edhe atë në : -Shkup 49 – Gostivar 13 – Sveti Nikole 9 – Shtip 8 – Tetovë 6 – Kumanovë 2 – Strugë 2 – Koçani 2 – Kërçovë 2 – Prilep 1

Gjatë 24 orëve u regjistruan 8 viktima : dy pacientë nga Shkupi, dy pacientë nga Gostivari, një pacientë nga Prilepi, një pacientë nga Struga dhe një pacientë nga Kërçova.

Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 42 pacientë të rikuperuar në: Shkup 27 – Prilep 8 – Veles 3 – Koçan 2 – Shtip 1 – Tetovë 1.

Deri më tani, gjithsejtë janë kryer 81,604 teste për Covid-19.

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 8623, numri i pacientëve të rikuperuar është 4603 numri i atyre që humbën jetën është 401 dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 3619.

Tregoni kujdes me respektimin e rregullave sepse shkujdesja e vërejtur favorizon përhapjen e virusit, i cili po prek çdo moshë, pa dallim, si pasojë, rritja e numrit të të infektuarve.

Përdoreni maskën kudo në ambientet e mbyllura, kur hyni në supermarket, në dyqane, në zyrë dhe në çdo ambient publik ku nuk mund të ruani distancën.

KSHZ jo oficiale: LSDM 46 deputetë, VMRO-DPMNE 44, BDI 15

zgjedhje 2Sipas rezultateve të fundit jozyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, prej 3,421 vendvotimeve të përpunuara nga gjithsejt 3,480 vendvotime, koalicioni i udhëhequr nga LSDM “Mozeme” fitoi 46 vende, ndërsa VMRO-DPMNE dhe koalicioni 44, BDI fitoi 15 vende, Aleanca për Shqiptarët me Alternativa – 12, dhe PDSH 1 vend në Parlament.

Në zgjedhjet e dhjeta parlamentare, të cilat zgjatën për tre ditë në kushtet e tanishme të pandemisë aktuale të koronavirusit, të drejtën e votës e ushtruan rreth 923 mijë qytetarë ose afërsisht 51% e votuesve të regjistruar në Listën e Votuesve.

“Nuk më është rritur paga asnjë qindarkë që nga 2013-a!”/ Paralajmëron Kalo: Me qetësimin e situatës shumë mjekë do të…

18-mars-tritan-kaloMjeku infeksionist, Tritan Kalo, ndërsa sjell në vëmendje vendimin e kryeministrit të Francës për t’i rritur pagën gjithë personelit mjekësor, pyet nëse po mendohet një gjë e tillë edhe për mjekët shqiptarë.

Teksa thekson se ky bonus mujor nuk është zgjidhje afatgjatë, mjeku Kalo deklaron se nuk i është rritur paga asnjë qindarkë që prej 23 Qershorit 2013.

Mesazhi i Kalos:

KOHË KOVIDIANE e përtej tyre…Me rastin e 14 Korrikut, ditës Kombëtare të Francës MIRËNJOHJA e Presidentit Macron vajti për PERSONELIN Mjeksor, i cili në vijën e parë po përballet me sfidën sëmundje-shkaktuese dhe jetë-marrëse të Sars-Cov2/Covid-19….Po dje Kryeministri i vendit nënshkroj me Sindikatën e Personelit Mjeksor një rritje të pagës prej 183 Eurosh në muaj….A PO MENDOHET një gjë e tillë edhe për Personelin tonë Mjeksor, i cili në tërësinë e tij po përballet edhe ai me këtë sfidë mjaft të rrezikshme për vetë jetën e tyre…

BONUSI mujor për një pjesë të stafit te vijës së parë të përballjes me këtë sfidë, që në fakt nuk është i tillë sepse ai taksohet si një shpërblim, NUKU është zgjidhje afatgjatë….PËR RIKUJTESË paga ime NUKU është rritur asnjë qindarkë që prej 23 Qershorit 2013…Të mos harojmë jetët e qindra Mjekëve, Infermjerëve dhe Personelit ndihmës të humbura në këtë betëjë kudo në botë, si dhe ato të dy kolegëve tanë të nderuar këtu në Shqipëri…..HEKURI rrihet sa është ende i nxehtë…

Me qetsimin e situatës në një të ardhme jo shumë të largët, PAK do të mendohet për rritjet e pagave në Shëndetësinë tonë Publike, dhe jam i bindur se shumë Mjekë e Infermjerë do t’a rishohin si optimale largimin nga vendi, sikundër edhe ka ndodhur deri më tash…..MENDONI dhe REAGONI me kohë JU drejtues të këtij vendi, sepse BURIMET NJREZORE CILËSORE nuku janë të pashterëshme në fushën e DHËNIES së PËRKUJDESIT MJEKSOR…..Një REAGIM i tillë nga unë është një e drejtë DEMOKRATIKE…Ditë të mbarë Mantelbardhë, Infermjerë, Farmacistë, Sanitarë, Imazheristë, Barrelmabjtës, Shoferë, Laborantë, etj., dhe PËRKUJDESUNI për çdo çast për jetët tuaja!!!

Kalo

Hapen votimet për zgjedhjet parlamentare

vendvotimiNë Maqedoninë e Veriut në mesnatë hyri në fuqi heshtja elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare pas fushatës 20 ditëshe. Prej pandemisë votimi realizohet në tri ditë dhe me masa sigurie.

Më 13 korrik votojnë personat e infektuar me korona virusin e ri dhe ata që janë të izoluar për shkak të virusit. Një ditë më pas më 14 korrik do të votojnë të sëmurët e tjerë, të burgosurit dhe personat që jetojnë në strehimoret për të moshuar, ndërsa dita kryesore e zgjedhjeve do të jetë të mërkurën më 15 korrik. Vendvotimet do të jenë të hapura deri në orën 21:00 ndryshe nga e kaluara kur janë mbyllur në ora 19:00.

Zgjedhje në kushte specifike

Mbi 1.8 milionë votues janë thirrur të japin votën e tyre për 15 koalicione dhe parti politike që konkurojnë për 120 mandate të parlamentit. Këto janë zgjedhjet më specifike që deri tani janë organizuar në vend duke  marrë parasysh gjendjen me koronavirusin dhe masat që duhet të respektohen, si nga ana e qytetarëve me mbajtje të maskës, mbajtje të distancës, ashtu edhe nga ana e anëtarëve të këshillave zgjedhorë, vëzhguesve dhe gjithë atyre që janë të përfshirë në procesin  votimit.

Të drejtën e votës e shfrytëzojnë edhe personat të prekur nga Covid-19

Komisionet zgjedhore komunale kanë pranuar 716 kërkesa nga persona pozitivë me korona virusin ose në vetizolim për votim, që do të realizohet (13.07) si pjesë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 15 korrik. Këtë proces të votimit po e realizojnë këshilla të veçantë zgjedhorë të përbërë prej tre punonjësve shëndetësorë dhe përfaqësues të partive politike.

Protokoll i veçantë për votim

Votimi i të sëmurëve me Covid-19 dhe personave të cilët janë në vetizolim zhvillohet sipas protokollit të veçantë të konfirmuar shëndetësor për mbrojtje. Të drejtën e votës mund ta realizojnë 716 persona, të cilët u paraqitën në KSHZ. Ata votojnë në shtëpitë e tyre. Këshillat e veçantë zgjedhor, që shkojnë për ta realizuar votimin në shtëpitë e personave të cilët janë pozitiv të Covid-19 dhe janë në izolim shtëpie para nisjes përgatiten me pajisje personale mbrojtëse e cila përbëhet nga: manteli për një përdorim, dorezat për një përdorim, maska mbrojtëse standarde kirurgjike dhe mjete për dezinfektim. Personi i cili voton patjetër e ka të mbajë maskë në pjesën e hundës dhe gojës.Gjatë dhënies së letërnjoftimit, votuesi e zbret maskën për pak kohë për identifikim dhe e mban distancën e rekomanduar nga anëtarët e këshillit zgjedhor. Në të gjithë procesin e votimit duhet të sigurohet distancë e detyrueshme prej 1,0-1,5 metra.

Të martën do të votojnë të sëmurët, të pafuqishmit, të sëmurët kronikë, personat në burgje, ata në shtëpitë e pleqve dhe ata nën arrest shtëpie.

Në këto zgjedhje nuk do të mbahet votimi në diasporë, sepse gjatë paraqitjes e cila ndodhi para shpalljes të gjendjes së jashtëzakonshme nuk u paraqitën numër i mjaftueshëm i votuesve. Megjithatë, mërgimtarët do të mund të votojnë nëse kanë udhëtuar për në vendlindje me dokumentacion të vlefshëm.

dw