NASA lëshon me sukses drejt Marsit sondën robot

sonda robot mars nasaAgjencia amerikane e Hapësirës NASA lëshoi sot me sukses nga Cape Canaveral i Floridës sondën robot Perserverance, një mekanizëm i gjeneratës së ardhshme që do të kërkojë gjurmë të mundshme jete në planetin Mars, fqinjin më të afërt të Tokës.

Sonda është vendosur në majë të raketës së fuqishme Atlas 5 dhe pritet të arrijë platenin e kuq në muajin shkurt. I gjithë misioni ka kushtuar 2,4 miliard dollarë. Sonda robot ka madhësinë e një makine dhe është e pajisur me 6 rrota.

Ajo do të lëshojë në planetin Mars edhe një mini helikopter dhe do të testojë pajisjet për misionet e ardhshme me njerëz në sipërfaqen e planetit.

Sonda Perseverance pritet të ulet në fundin e një krateri 250 metra të thellë të quajtur Jezero, një liqen i dikurshëm me moshë 3,5 miliard vjeçare, që shkencëtarët mendojnë se mund të ketë prova të ekzistencës së jetës mikrobike.

Prej një kohe të gjatë, shkencëtarët kanë debatuar nëse Marsi – dikur një planet shumë më mikpritës sesa është sot – ka patur ndonjëherë jetë.

Që nga zbarkimi i sondës së parë të NASA-s, Mars Sojourner, në vitin 1997, SHBA kanë dërguar edhe dy mjete të tjera robotike, Spirit dhe Opportunity, të cilët kanë eksploruar gjeologjinë e fushave të gjera marsiane dhe kanë zbuluar shenja të formacioneve ujore të periudhave të kaluara.

NASA ka në plan të dërgojnë astronautë në Mars në vitet 2030.

voa

 

SHBA, Kongresi merr në pyetje gjigandët teknologjikë për kontrollin që ushtrojnë në treg

Shefat ekzekutivë të katër kompanive më të mëdha teknologjike të botës Apple, Amazon, Facebook dhe GoogleShefat ekzekutivë të katër kompanive më të mëdha teknologjike të botës Apple, Amazon, Facebook dhe Google u përballën të mërkurën me pyetjet e ligjvënësve, lidhur me mënyrën se si e përdorin fuqinë e konsiderueshme që ato kanë mbi tregun.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Amazon, Jeff Bezos i mbrojti praktikat e biznesit të kompanisë së tij, duke u thënë anëtarëve të Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve se “80% e amerikanëve kanë në përgjithësi përshtytje pozitive” për kompaninë e tij.

Seanca u zhvillua ndërkohë që rregullatorët amerikanë po shqyrtojnë nëse gjigandët e teknologjisë, përmes mbizotërimit në disa tregje, po mbysin konkurrencën dhe po shkelin ligjet anti-trust.

“Aktualisht ka 1.7 milionë biznese të vogla dhe të mëdha që shesin në Amazon. Besimi që blerësit tregojnë ndaj nesh çdo ditë, i ka dhënë mundësinë kompanisë Amazon të hapë më shumë vende pune në Shtetet e Bashkuara dekadën e fundit se çdo vend tjetër”, tha ai.

Por kryetari i nënkomisionit anti-trust, David Cicilline tha në deklaratën e tij hapëse se Amazon dhe gjigandët e tjerë të teknologjisë po përfitojnë nga pozicionet e tyre dominuese në treg, për të eliminuar konkurrentët më të vegjël.

“Shumë nga praktikat e përdorura nga këto kompani kanë pasoja të dëmshme ekonomike. Ato shkurajojnë sipërmarrjen, shkatërrojnë vende pune, ngrenë koston dhe ulin cilësinë”, tha zoti Cicilline.

Krerët e kompanive po pyeten nga ligjvënës të të dyja partive, të cilët prej një viti po hetojnë rreth çështjeve të konkurrencës në këtë fushë.

Seanca ku morën pjesë Tim Cook i kompanisë Apple, Mark Zuckerberg i rrjetit social Facebook, Sundar Pichai i kompanisë Google dhe Bezos, është një shenjë se bëhet fjalë për fatin e bizneseve të tyre, thonë analistët ligjorë.

Vëllimi vjetor i shitjeve të këtyre firmave të marra së bashku është pothuajse sa prodhimi i brendshëm i përgjithshëm i Arabisë Saudite.

Seanca ishte e pashembullt. Asnjëherë më parë nuk ishin shfaqur të gjithë drejtuesit e këtyre kompanive së bashku para ligjvënësve, pavarësisht se përmes videokonferencës për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ishte hera e parë që Jeff Bezos, personi më i pasur në botë, dëshmonte para Kongresit.

Një ndryshim toni në Uashington

Seanca solli gjithashtu në qendër të vëmendjes rregullatorët dhe ligjvënësit, të cilët duhet të hartojnë politika dhe të sigurohen që zbatohet ligji që ndalojnë firmat të përdorin mbizotërimin në treg për të eliminuar konkurrencën. Ata janë kritikuar nga disa ekspertë anti-trust, sipas së cilëve mbikqyrja e qeverisë ndaj këtyre kompanive ka qenë e dobët, veçanërisht krahasuar me kontrollin ndaj tyre në Evropë.

Presidenti Donald Trump, që gjithashtu i ka kritikuar kompanitë, shkruante në Twitter të mërkurën se “nëse Kongresi nuk vendos drejtësi për kompanitë e mëdha teknologjike, gjë që duhet ta kishte bërë vite të shkuara, do ta bëj vetë një gjë të tillë me Urdhër Ezkekutiv”.

Sfida e ligjvënësve

Ligjvënësit nuk mund të marrin masa ndaj kompanive të teknologjisë për shkelje anti-trust ose përpjekje për t’i copëtuar në njësi më të vogla. Por mund t’i ndryshojnë ligjet dhe të ushtrojnë presion ndaj rregullatorëve në Komisionin Federal të Tregëtisë dhe Departmentit të Drejtësisë për të bërë më shumë për zbatimin e rregullave ekzistuese.

Ka njoftime se Departamenti i Drejtësisë ka gjasa të ngrejë padi anti-trust ndaj komanisë Google. Rregullatorët shtetërorë mund të bashkojnë forcat me Departamentin e Drejtësiës ose të depozitojnë padi të veçanta, sipas njoftimeve.

Politikat e hartuara nga ligjvënësit ka gjasa të ndikojnë tek gjigandët e teknologjisë për vite me radhë.

voa

Kongresmeni Gohmert rezulton pozitiv për koronavirus

Kongresmeni GohmertKongresmeni amerikan Loui Gohmert i shtetit të Teksasit thotë se ka rezultuar pozitiv me virusin COVID-19. Republikani Gohmert ishte parë kohët e fundit pa maskë në ndërtesën e Kongresit. Gjatë seancës dëgjimore të Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve me Prokurorin e Përgjithshëm William Barr, zoti Gohmert u vu re që nuk e përdorte maskën mbrojtëse.

Pasi doli lajmi për zotin Gohmert, zoti Barr bëri testin për koronavirusin por Departamenti i Drejtësisë nuk ka njoftuar për rezultatin.

Përmes një videoje, zoti Gohmert tha se kishte bërë një test të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë para se të nisej me Presidentin Donald Trump drejt Teksasit dhe se kishte rezultuar pozitiv me koronavirus. Kongresmeni Gohmert i shtetit të Teksasit, i cili tha se ishte asimptomatik, nuk udhëtoi me presidentin.

Zoti Gohmert tha gjatë një interviste në CNN muajin e kaluar se ndonjëherë ai nuk e mbante maskën sepse po testohej rregullisht. Por në video ai u shpreh, “Kam përdorur maskën më shumë gjatë javës së fundit sesa gjatë katër muajve të fundit. Tani që me sa duket e kam, do të jem shumë më i kujdesshëm për t’u siguruar që nuk infektoj ndonjë tjetër”, tha ai.

Kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, demokrati Jerrold Nadler, e kritikoi ligjvënësin 66 vjeçar dhe republikanët e tjerë për mos përdorimin e maskave. Megjithatë, zoti Nadler postoi një mesazh në Facebook duke i uruar kolegut Gohmert shërim të plotë dhe të shpejtë.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi u citua të ketë thënë për rrjetin televiziv MSNBC se, “Më vjen keq për të”, pasi kishte mësuar se ligjvënësi Gohmert kishte rezultuar pozitiv me koronavirus.

Duke reaguar ndaj njoftimeve se zoti Gohmert kishte testuar pozitiv për koronavirus, udhëheqësi i shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve Steney Hoyer e kritikoi atë dhe shumë republikanë të tjerë se kishin vepruar në mënyrë të papërgjegjshme dhe mos përdorjen vazhdimisht të maskave.

“Shumë republikanë kanë vazhduar të veprojnë jashtëzakonisht në mënyrë të papërgjegjshme, përfshi Louis Gohmert. Loui Gohmert duhet të vetëkarantinohet tani. Ai e bëri testin. Para seancës dëgjimore të martën ai ishte në dhomën e komisionit. Ai e vuri maskën kur u ul në karrigen e tij. Ai hyri në dhomë pa maskë”, ligjvënësi Hoyer u tha gazetarëve.

voa

Detyrim për test corone në Gjermani, por si funksionon ai?

kontrollShqipëri, Kosovë, Serbi, Turqi, SHBA, etj.: Kush do të vijë në Gjermani nga një vend që ndodhet në listën me 130 vende të konsideruara si zona rreziku duhet të testohet për Coronën. Detyrimi hyn në fuqi javën e ardhshme.

Kush duhet të testohet?

Testet e Coronës do jenë të detyrueshëm për të gjithë ata, që duan të hyjnë në Gjerman nga një zonë e konsideruar si zonë rreziku për Coronën. Detyrimi për testim hyn në fuqi javën e ardhshme. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn e refuzoi një detyrim për testim për të gjithë të kthyerit nga pushimet. Testi i Coronës është “një ndërhyrje në personalitet” dhe duhet të justifikohet, ka thënë politikani i CDU-së në disa intervista televizive.

Por nga ana tjetër rezultatet e testeve vullnetare në aeroportin e Frankfurtit tregojnë, se 80% e të testuarve pozitivisht me virusin e Coronës nuk kanë ardhur nga zonat e rrezikut. Bazën ligjore për testet e detyruara e jep ligji për mbrojtjen nga infeksionet. Paragrafi 5 u ndryshua për raste të jashtëzakonshme si në rastin e pandemisë së Coronës. Me këtë federata mund ta bëjë të detyruar kontrollin mjekësor për udhëtarët nga zonat e rrezikuara – për përcaktimin dhe ndalimin e sjelljes së një sëmundjeje të transmentueshme të rrezikshme.

Për të kthyerit nga zonat e rrezikuara që tani ekziston një detyrim 14 ditor karantine, përjashto këtu ata kanë një test negativ të Coronës.

Cilat vende janë zona të rrezikuara?

Rreth 130 vende ka listuar si zona rreziku Instituti Robert Koch: Nga Afganistani deri në Republikën Afrikano-Qendrore. Nga Bashkimi Europian llogaritet tani Luksemburgu. Jashtë BE në këtë listë ndodhen, SHBA, Rusia, Turqia, Izraeli, Maroku, por edhe vendet e  Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina.

Se cili vend kategorizohet si zonë rreziku e vendosin disa ministri federale: ajo e Shëndetësisë, e Jashtme dhe e Punëve të Brendshme. Kriteri më i rëndësishëm: numri i të infektuarve të rinj brenda shtatë ditëve të fundit: Nëse ky numër kalon 50 vetë në 100.000 banorë, atëherë vendi shpallet zonë rreziku.

Në këtë vendim merret në konsideratë edhe nëse bëhet fjalë për vatra të kufizuara të pandemisë apo në sipërfaqe të gjerë, sa të larta janë kapacitetet e testimit dhe se çfarë bën shteti për të zbutur pandeminë. Aktualisht po shikohet, nëse krahas shteteve si zona rreziku të deklarohen të tilla edhe rajone të veçanta. Ministria e Jashtme gjermane aktualisht për shembull nuk i rekomandon udhëtimet në zona të veriut spanjoll si Katalonja, Aragon dhe Navarra, pa e shpallur Spanjën si zonë rreziku.

Si kryhen testet?

Këtu ka ende shumë pika të pasqaruara. Ajo që është e përcaktuar: Në aeroporte dhe porte duhet të ngrihen qendra testimi për të kthyerit nga pushimet në zona rreziku. Pas mbërritjes, qytetarët marrin informacion nga policia federale për këtë. Kush duhet të testohet kuptohet nga policia përmes një karte të mbërritjes, ku udhëtarët kanë shkruar të dhënat personale dhe informacionin për vendin nga vijnë.

Si kryhet konkretisht testimi, kjo është kompetencë e landeve. Që tani ka qendra testimi në aeroportet e Frankfurtit, Köln-Bonnit, Dortmundit, Münster/Osnabrück, Leipzig/Halle, Nürnberg, München. Berlini pritet së shpejti të ketë një qendër të tillë.

Në testet deri tani vullnetare, merren të dhënat personale në qendër dhe numri i telefonit. Rezultatet e testimit personat i marrin më së herëti 24 orë më pas përmes një app-i. Deri sa të bëhen të ditura rezultatet, personat duhet të futen në karantinë, Nëse rezultati është negativ, detyrimi i karantinës bie.

Kryesisht zona rreziku janë vende jashtë Europës në listën e Institutit Robert Koch, prandaj testet bëhen në aeroport apo porte. Ministri i Shëndetësisë, Spahn tha, se ka raste infektimi edhe tek personat që udhëtojnë me makinë apo tren. Në rastin e Luksemburgut është një vend fqinjë i Gjermanisë si zonë rreziku. Por se si do të testohen personat që hyjnë nga këto vend nuk dihet ende.

Kush i paguan testet?

Për udhëtarët nga zonat e rrezikut, testet do duhet të jenë pa pagesë. Federata dhe landet ranë dakord që të mundësohen teste pa pagesë në aeroporte. Me sukses: Që nga njoftimi, se “testet janë pa pagesë, kanë ardhur më shumë persona të testohen”, thotë një punonjës i qendrës së testimit për DW. Por ka edhe kritika për planet për të marrë përsipër shpenzimet e testeve.

Por ministri i Shëndetësisë të landit Renani-Veriore-Vestfali, Karl-Josef Laumann dëshiron t’ua kalojë personave të prekur shpenzimet: “Kush udhëton në një zonë rreziku, duhet të dijë, se çfarë bën, dhe të jetë i vetëdijshëm për pasojat”, tha ai. Edhe partia liberale, FDP është e mendimit që udhëtarët që kanë qenë për pushime në zonat e rrezikuara t’i paguajnë vetë testet e Coronës.

Matthias von Hein/dw

Tiranë: Studim mbi ekstremizmin online në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të Veriut

Erjon TaseAkademia e Studimeve Politike publikoi sot një studim mbi ekstremizmin e dhunshëm, që qarkullon nëpër platformat online në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në raportin e monitorimit thuhet se media sociale në gjuhën shqipe dhe faqe web-i vazhdojnë të përhapin propagandën e ekstremizmit të dhunshëm dhe ndjekësit e tyre u përkasin kryesisht grupmoshave 15-25 vjeç.

“Mesazhe ekstremiste dhe radikalizim në gjuhën shqipe nuk janë hequr apo bllokuar nga rrjetet sociale, edhe pse janë publikuar disa vite më parë” – theksohet në raport.

Monitorimi përfshiu elementët e ekstremizmit të dhunshëm, që qarkullojnë online në gjuhën shqipe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, të cilat kishin rreth 500 njerëz të rekrutuar gjatë konfliktit në Siri dhe Irak gjatë viteve 2014-17.

Drejtuesi i Akademisë së Studimeve Politike, Erjon Tase, thotë se me këtë monitorim kemi parë majën e ajsbergut në hapësirën online, dhe kjo do të thotë se ai rrezik ekzizton,

“Ka propagandë radikalizuese të aksesueshme online, edhe pse kanë kaluar 5-6 vite, dhe shumica e ndjekësve të tyre janë të moshave 15 – 25 – 30 vjeç nga shtresa të varfëra në periferi të qendra të mëdha” – tha ai.

Zoti Tase thotë se nga një studim i mëparshëm mbi mënyrat e rekrutimit të shqiptarëve doli se afro 30 për e komunikimeve ishin propagandë fetare dhe 70 për qind të tjera ishin premtime të rreme për një jetë më të mirë dhe zgjidhjen e halleve të këtyre personave, të pakënaqur nga varfëria, diskriminimi dhe pozicioni i tyre në shoqëri.

Edhe tani kështu vazhdon, duke mbajtur me miqësi dhe pëlqime përmes rrjeteve sociale mbi materiale propagandistike në fb, tuiter, instagram dhe youtube me fjalime, citate, me këngë dhe me lojëra të dhunshme online.

“Interneti i kapërcen kufijtë shtetërorë dhe një material i postuar në shqip është i lexueshëm në gjithë botën nga çdo shqipfolës, të cilët gjenden në shumë shtete e disa kontinente, por një pjesë e madhe e pëlqimeve haptas online dhe shikime apo shkarkime janë nga rajoni Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut. Pjesa tjetër janë të paidentifikueshëm si vendndodhje apo si individë” – thotë zoti Tase.

Studimi thekson se rreziku i shpërndarjes së propagandës ekstremiste dhe radikalizimi online nëpërmjet internetit dhe rrjeteve sociale në gjuhën shqipe vazhdon të jetë i lartë dhe nuk duhet harruar apo lënë pas dore, ndaj nevojiten rregullime të tjera ligjore për të ofruar një hapësirë më të sigurt në internet nga ekstremizmi online.

voa

Zyrtarët amerikanë: Zbulimi rus përhap dizinformim përmes faqeve elektronike në anglisht

info rus
Faqja elektronike, InfoRos

Dy shtetas rusë, të cilët kanë pasur role të rëndësishme në agjencinë e zbulimit të ushtrisë ruse, të njohur me inicialet GRU, janë identifikuar si personat përgjegjës për përpjekjet e dizinformimit që kishin në shenjestër publikun amerikan dhe shtetas të tjerë perëndimorë, thonë zyrtarët amerikanë. Ata komentuan për agjencinë e lajmeve Associated Press me kusht që të mbeteshin anonimë, pasi nuk kishin autorizim për të folur publikisht. Informacioni kishte qenë më parë sekret, por zyrtarët thanë se e kishin klasifikuar si jo-sekret në mënyrë që të diskutohej më hapur kërcënimi nga ky dizinformim. Zyrtarët thanë se po e diskutonin këtë shqetësim për t’u rënë këmbanave të alarmit për disa faqe interneti dhe për të demaskuar atë që zyrtarët amerikanë e cilësojnë si një lidhje e qartë mes këtyre faqeve dhe shërbimeve ruse të zbulimit.

Nga fundi i majit deri në fillim të korrikut, tha një nga zyrtarët, faqet elektronike në fjalë kishin postuar 150 artikuj për përgjigjen ndaj pandemisë, përfshirë raportime që lavdëronin Rusinë dhe denigronin Shtetet e Bashkuara.

Ndër titujt që tërhoqën vëmendjen e zyrtarëve amerikanë ishin “Ndihmat e Rusisë për të luftuar COVID-19 në SHBA krijojnë hapësirë për përmirësim marrëdhëniesh” që krijonte përshtypjen se Rusia kishte ofruar ndihma emergjente dhe substanciale për të luftuar pandeminë në SHBA. Një tjetër titull: “Pekini beson se COVID-19 është armë biologjike,” u bënte jehonë deklaratave të autoriteteve kineze.

Përhapja e dizinformimit, nga Rusia dhe të tjerë, është një shqetësim i pranishëm për autoritetet amerikane ndërkohë që vendi përgatitet për zgjedhjet presidenciale të nëntorit dhe zyrtarët e sigurisë duan të shmangin përsëritjen e skenarit të 2016, kur aktorë që vepronin të nxitur dhe mbështetur nga Rusia ndërmorën një fushatë dizinformimi për të përçarë publikun amerikan dhe për të krijuar një klimë që favorizonte kandidatin Donald Trump në garën me rivalen demokrate Hillary Clinton. Shefi i shërbimeve amerikane të kundërzbulimit paralajmëroi të premten përmes një deklarate se Rusia vazhdon të përdorë aktorë të fshehtë në internet për të avancuar synimet e saj.

Përveç temave politike, problemet që kanë mbërthyer SHBA, si pandemia dhe protestat për drejtësi racore, kanë ofruar një terren të favorshëm për përhapjen e dizinformimit. Vetë Presidenti Trump është kritikuar që ka postuar në llogaritë e tij video me deklarata të pavërteta apo ka mbështetur përdorimin e një ilaçi për koronavirusin, që nuk mbështetet nga komuniteti shkencor si kurë ndaj COVID-19. Facebook dhe Twitter i kanë bllokuar këto video.

Zyrtarët e përshkruajnë dizinformimin rus si një ndër elementët e një përpjekjeje të vazhdueshme për të përhapur konfuzion. Ata nuk thanë nëse faqet elektronike në fjalë janë të lidhura direkt me zgjedhjet e nëntorit, megjithëse disa artikuj të postuar në këto faqe portretizojnë negativisht rivalin e presidentit, Joe Biden dhe u ngjajnë përpjekjeve në 2016 për të acaruar marrëdhëniet racore në SHBA si dhe u fryjnë akuzave për korrupsion kundër disa figurave politike amerikane.

Megjithëse zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar më parë për përhapjen e dizinformimit për pandeminë, të martën ata veçuan një agjenci informimi, InfoRos, e regjistruar në Rusi, e cila operon disa faqe në internet ndër të cilat InfoRos.ru, Infobrics.org dhe OneWorld.press — të cilat, thonë zyrtarët, po përdoren për të avancuar objektiva anti-Perëndimit dhe për të përhapur informata të rreme.

Zyrtarët thonë se këto faqe përhapin variantet e tyre të ngjarjeve në mënyrë të sofistikuar, me qëllime keqdashëse të maskuara mirë, në forma që të kujtojnë pastrimin e parave: artikuj të shkruar në anglishte të pastër, shpesh me një këndvështrim të qartë pro-rus, qarkullojnë nëpër faqe të tjera elektronike për të fshehur burimin e vërtetë dhe për të çorientuar lexuesit për legjitimitetin e informacionit.

Këto faqe elektronike po ashtu u bëjnë jehonë raportimeve të krijuara nga burime të tjera, thonë zyrtarët.

Agjencia e lajmeve Associated Press kontantoi të martën përmes emailit agjencinë InfoRos për të kërkuar reagim, por nuk ka marrë përgjigje.

Përveç koronavirusit, artikujt e qarkulluar në këto faqe përqëndrohen edhe në zhvillimet e brendshme në SHBA, por edhe në tema të tjera globale.

Të martën në faqen InfoRos.ru u postua një artikull me titullin “Kaos në qytetet demokrate amerikane,” ku përshkruhej shqetësimi i Nju Jorkezëve të rritur nën kryebashkiakët Rudy Giuliani dhe Michael Bloomberg, të cilët kishin ndjekur një politikë të qëndrimit të fortë ndaj krimit dhe tani këta qytetarë duhet t’i përshtateshin “jetës në zona urbane me krim të lartë”.

Një tjetër artikull me titull “Kurtha ukrainase për Joe Biden” shkruante se vazhdon të shtjellohet drama që lindi me zbulimin e lidhjeve të djalit të zotit Biden me një kompani energjetike ukrainase.

Zyrtarët ameriakanë kanë identifikuar dy persona që besohet se janë të përfshirë në operimin e këtyre faqeve. Denis Valeryevich Tyurin dhe Aleksandr Gennadyevich Starunskiy kanë pasur më parë role udhëheqëse në agjencinë e zbulimeve në ushtrinë ruse, GRU, në një njësi të kësaj agjencie që merrej me operacione psikologjike. Sipas zyrtarëve, të dy ata vazhdojnë të kenë lidhje me punonjës në këtë agjenci.

Lidhjet e faqeve InfoRos dhe One World me struktura shtetërore ruse kanë tërhequr më parë vëmendjen e analistëve evropianë.

Në 2019, një grup pune i Bashkimit Evropian që studion fushatat e dizinformimit, veçoi One World si “një entitet i ri që i shtohet panteonit të celulave të Moskës për dizinformim”. Grupi i punës vërente se përmbajtja e faqes One World shpesh përsërit axhendën shtetërore ruse për tema si lufta në Siri.

Një raport i publikuar muajin e kaluar nga organizata joqeveritare me seli në Bruksel EU DisinfoLab, analizon lidhjet mes InfoRos dhe One World me shërbimet e zbulimit të ushtrisë ruse. Analistët zbuluan gjurmë teknike që lidhin këto faqe interneti me Rusinë dhe identifikuan gjithashtu lidhje financiare mes InfoRos dhe qeverisë ruse.

“InfoRos po evolon në zonën gri, ku aktivitete normale informimi përziehen me tema më polemizuese dhe veprime të dyshimta që mund të kenë lidhje me operacionet e shtetit rus,” shprehen autorët.

Në llogarinë e tij në Facebook në gjuhën angleze, InfoRos e prezanton veten si “Agjenci informimi: bota e parë nga sytë e Rusisë”.

voa

COVID-19, vaksina eksperimentale e grupit NIH/Moderna hyn në fazën e fundit

vakcinaProva më e madhe deri më sot e një vaksine eksperimentale për COVID-19 filloi të hënën me të parët e një grupi prej gati 30,000 amerikanësh që përveshën mëngët për të marrë vaksinën e krijuar nga qeveria amerikane si pjesë e garës gjithëpërfshirëse globale për të ndaluar shpërthimin e virusit vdekjeprurës.

Testimi në fazën përfundimtare të vaksinës, zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe kompania Moderna Inc., filloi me vullnetarë në qendra të shumta amerikane duke u dhënë një dozë të vërtetë të vaksinës ose thjesht një injektim fallco.

“Po marr pjesë në testim pasi jam një punonjëse e kujdesit shëndetësor në pension dhe i kuptoj mirë sfidat që COVID-19 i ka shkaktuar komunitetit, shtetit dhe gjithë vendit”, thotë pjesëmarrësja Karen Juser.

Juser mori injeksionin në Binghemton të Nju Jorkut.

Do të kalojnë disa muaj përpara se të merren rezultatet, dhe nuk ka asnjë garanci që vaksina përfundimisht do të funksionojë kundër virusit që ka vrarë rreth 650,000 njerëz në të gjithë botën, përfshirë gati 150,000 në SH.B.A.

Shkencëtarët vendosën rekorde të shpejtësisë për zhvillimin e vaksinës me një provë kaq masive vetëm disa muaj pas shfaqjes së koronavirusit. Por ata theksuan se publiku nuk duhet të frikësohet se vaksina nuk është e sigurtë.

“Ky është një moment historik domethënës,” tha drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Francis Collins pasi u dha injeksioni i parë i provës, në 6:45 të mëngjesit në Savana të Xhorxhias. Ajo vjen me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë në krahasim me ritmin e zakonshëm për përgatitjen e vaksinave. Kjo u bë e mundur si rezultat i një përpjekje të gjithanshme që ka filluar që nga janari kur virusi SARS – COV2 u shfaq si një kërcënim në të gjithë botën”.

Pasi vullnetarët të marrin dy doza një muaj larg njëra tjetrës, shkencëtarët do të ndjekin nga afër për të pare se cili grup përjeton më shumë infeksione, ndërsa vazhdojnë rutinën e tyre të përditshme, veçanërisht në zonat ku virusi po përhapet pa kontroll.

Përgjigja me siguri nuk do të vijë deri në nëntor ose dhjetor, paralajmëroi Dr. Anthony Fauci, eksperti i lartë i sëmundjeve infektive.

Ndër shumë pyetje që mund ti përgjigjet studimi: Sa mbrojtje ofron vetëm një dozë në krahasim me dy të tilla që shkencëtarët mendojnë se janë të nevojshme? Nëse vaksina funksionon, a do të mbrojë kundër sëmundjes së rëndë apo do të bllokojë infeksionit tërësisht?

Mos prisni një vaksinë aq të efektshme sa vaksina e fruthit, e cila parandalon rreth 97% të infeksioneve të fruthit, tha Fauci, duke shtuar se ai do të ishte i lumtur me një vaksinë COVID-19 që është 60% efektive.

Disa vaksina të tjera të zhvilluara nga Kina dhe nga Universiteti i Oksfordit në Britani filluan prova më të vogla në fazën përfundimtare në Brazil dhe vende të tjera të goditura në fillim të këtij muaji.

voa

A ka rrezik për infeksion të dytë nga koronavirusi?

test covid19A mund të infektohesh më shumë se një herë nga koronavirusi?

Shkencëtarët nuk kanë një përgjigje të konfirmuar por besojnë se është e mundur.

Ekspertët e shëndetësisë mendojnë se ata që e kanë kaluar COVID-19 do të kenë një lloj imuniteti ndaj sëmundjes. Por shkencëtarët nuk janë të sigurtë se sa efektiv është ky imunitet dhe për sa kohë zgjat.

Ka pasur njoftime se disa persona kanë rezultuar pozitivë për koronavirusin disa javë pasi mendohej se e kishin kaluar. Kjo ka çuar në interpretime se personi mund të jetë infektuar për herë të dytë. Po ashtu një mundësi tjetër është se është i njëjti infeksion, që vazhdon të diktohet edhe pas më shumë se dy javësh.

Shkencëtarët thonë se nuk ka raste të dokumentuara që një person, pasi rezulton për herë të dytë pozitiv, infekton dikë tjetër.

Studimet me viruse të ngjashme tregojnë se një person mund të sëmuret përsëri 3 muaj deri në një vit pas infeksionit të parë. Por është ende herët të thuhet nëse kjo është e vërtetë edhe për koronavirusin.

“Këto janë përfundime shkencore ende të pakonfirmuara”, thotë Dr. Philip Landrigan, drejtor i programit për shërndetin publik në Kolegjin e Bostonit.

Një studim i vogël amerikan, i publikuar javën e kaluar, arriti në përfundimin se antitrupat që luftojnë virusin mund të ekzistojnë vetëm disa muaj në persona që e kaluan lehtë sëmundjen, duke lënë të hapur mundësinë që ata të infektohen përsëri. Por antitrupat nuk janë e vetmja mbrojtje ndaj virusit, pasi ka edhe elementë të tjerë të sistemit imunitar që mund të ofrojnë mbrojtje.

Ka rëndësi të vërtetohet nëse një individ që e ka kaluar sëmundjen mund të infektohet përsëri. Pasi nëse ekziston ky rrezik, ai do të minonte idenë e “pasaportave të imunitetit” për të kthyer njerëzit në punë. Po ashtu ky rrezik do t’u jepte një goditje shpresave që zbulimi i vaksinës do të sillte garanci mbrojtëse afat-gjatë kundër sëmundjes.

voa

108 raste të reja, 2 humbje jete dhe 41 të shëruar në 24 orët e fundit

Mirela CamiMinistria e Shëndetësisë ju informon se në 24 orët e fundit, janë kryer 502 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 108 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 52 raste në Tiranë, 12 në Krujë, 7 në Kukës, 6 në Fier, 5 në Mirditë, 4 në Tropojë, nga 3 raste në Vlorë, Kamëz, Përmet, nga 2 raste në Elbasan, Tepelenë, Memaliaj, nga 1 rast në Kurbin, Korçë, Lezhë, Has, Berat, Pogradec, Prrenjas,

Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në spitalin Covid1, një 68 vjeçare nga Shijaku me disa sëmundje bashkëshoqëruese. Ka humbur jetën në spitalin Covid2 “Shefqet Ndroqi, një 60 vjeçare nga Tirana, pa sëmundje të tjera.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 125 pacientë, 17 janë në terapi intensive dhe 7 pacientë janë të intubuar.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 41 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 2830, që nga fillimi i epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, bareve, restoranteve institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore.

Telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare 127 nëse keni shenja të sëmundjes, dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për informacion rreth Covid19 apo këshillim psikologjik.

  • COVID-19 – Statistika (29 Korrik 2020)
  • Testime totale             40192
  • Raste pozitive             5105
  • Raste të shëruara         2830
  • Raste Aktive               2125
  • Humbje jete                150 (Qarku Tiranë 80, Shkodër 23, Durrës 20, Fier 6, Elbasan 5, Kukës 4, Vlorë 4, Korçë 3, Dibër 2, Lezhë 2, Berat 1)
  • Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
  • Tiranë              1146
  • Durrës             255
  • Shkodër           202
  • Vlorë               105
  • Lezhë              83
  • Fier                  76
  • Korçë              69
  • Kukës              60
  • Elbasan           49
  • Berat               30
  • Gjirokastër      29
  • Dibër               21

Manastirliu në Kuvend: Klubet e natës vatra infeksioni, forcojmë instrumentat ligjor për mbrojtjen e shëndetit publik

Manastirliu“Jemi duke u përgatitur për periudhën e vjeshtë- dimër për menaxhimin e situatës në rast të rritjes së të prekurve nga COVID19”

Duke prezantuar ndryshimet në Aktin Normativ për klubet e natës dhe penalitetet e tyre, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojet Sociale Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se klubet e natës u kthyen në vatra të përhapjes së infeksionit dhe se do të ndërmerret cdo masë që do të vlerësohet e nevojshme për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.

“Vendosja e penaliteteve të shtuara për klubet e natës, diskove apo çdo lloj shërbimi të kësaj natyre të cilat kanë patur detyrimin në fakt që në krye të herës për të mos u hapur, është një masë që ndërmerret për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Sepse ato janë kthyer në vatra potenciale infeksioni. Të rinjtë po bëhen vektorë të shpërndarjes së infeksionit tek moshat e tjera, tek prindërit dhe tek të moshuarit apo tek ata më të dobëtit.  Detyrimi që vendoset tani nëpërmjet këtij Akti Normativ, jo vetëm përcakton rritje të masës së penalitetit por gjithashtu vlerëson një pezullim për një periudhë 1-vjeçare në rastet kur këto subjekte nuk i binden këtij ligji”, tha Manastirliu.

Duke vlerësuar se vendosja dhe miratimi i këtij akti normativ vjen padyshim në kohën e duhur për të forcuar instrumentat ligjore në funksion të zbatimit të masave anti-Covid, Manastirliu tha se po përgatitet plani I masave për vjeshtë-dimrin, në rast të rritjes së numrit të rasteve.

“Ne po marrim masa parandaluese dhe ky akt normativ vjen pikërisht në vijim të masave parandaluese. Por ndërkohë jemi duke u përgatitur për periudhën e vjeshtës dhe për periudhën e dimrit për të menaxhuar situatën, pasi, nëse do të kemi një neglizhim të zbatimit të masave, duhet të parapërgatitemi për një rritje të infeksionit të Covid19. Jemi duke punuar për të fuqizuar akoma më shumë skuadrat lëvizëse tek Urgjenca Kombëtare, në funksion edhe të dhënies së shërbimit në banesë për qytetarët që kanë nevojë apo pë ata të cilët do të kenë nevojë në të ardhmen. Po fuqizojmë kapacitetet tona spitalore universitare edhe ato rajonale. Gjithashtu jemi duke përgatitur skuadrat e rezervës për hapjen e spitaleve Covid 3 dhe Covid4. Ndërkohë që vijojmë të rrisim kapacitetet e testimit”, tha Manastirliu.

Duke vlerësuar se cdo masë shtrënguese nuk është e lehtë, Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se do të merret cdo masë e nevojshme për të ruajtur dhe për t’u kujdesur për shëndetin publik.

Me ndryshmet në Aktin Normativ, mosrespektimi i detyrimit të mbylljes së klubeve të natës, diskove apo shërbimeve të kësaj natyre, dënohet me gjobë 3 000 000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë një vjeçare.

Ndërsa mosrespektimi i detyrimit për ndalimin e muzikës pas orës 20:00 në shërbimet e cdo lloji, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore.