Covid 19: prej 761 testeve, kemi 106 raste të reja, 20 viktima dhe 603 persona të shëruar

E heneGjatë 24 orëve të fundit, janë kryer 761 teste dhe 106 raste të reja të Covid-19 u regjistruan në:
  • Shkup – 72 (territori i Shkupit me 617.646 banorë)
  • Gostivar – 6 (111.252 banorë)
  • Prilep – 5 (me 75.132 banorë)
  • Strumica – 5 (me 57.175 banorë
  • Kumanovë – 4 (me 109.228 banorë)
  • Kavadarci – 4 (me 38.741 banorë)
  • Tetovë – 3 (në territorin e Tetovës me 200.678 banorë që dtth.: Komuna e Tetovës me 91.760 banorë, + Komuna e Bogovinës me 30.928 banorë, + Komuna e Zhelinës me 28.044 banorë, + Komuna e Tearcës me 22.916 banorë, + Komuna e Bërvenicës me 16.590 banorë dhe + Komuna e Jegunovcës me 10.440 banorë).
  • Shtip – 2 (me 43.625 banorë)
  • Radovish – 1 (me 29.100 banorë)
  • Manastir – 1 (me 91.983 banorë)
  • Koçani – 1 (me 37.758 banorë)
  • Berovë – 1 (me 12.813 banorë)
  • Resnjë –1 (me 16.313 banorë)
Kanë ndërruar jetë 20 persona, katër pacientë nga Shkupi (85, 63, 86 dhe 77) një nga Kumanova (65) një nga Dibra (68) dy nga Prilepi (75 dhe 81), 2 nga Manastiri (84 dhe 69), 1 nga Ohri (55), 1 nga Kavadarci (81), 3 pacientë nga Gostivari (55, 59 dhe 67), 1 nga Kriva Pallanka (82), 1 nga Krusheva (49), 1 nga Valandova (64) dhe 2 nga Negotina (66 dhe 80).
Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 603 pacientë të rikuperuar nga: -Shkup 230-Kumanovë 24-Dibër 5-Shtip 18-Prilep 51-Tetovë 8-Strugë 30-Veles 20-Manastir 26-Ohër 54-Kavadarci 27-Gostivar 14-Gjevgjeli 11-Strumica 8-Radovish 8-Koçani 10-Probishtip 5 -Demir Hisar 2-Makedonski Brod 2-Pehçeva 7-Berova 4-Vinica 2-Kratova 3-Sveti Nikollë 4-Kërçovë 7-Resnjë 3-Negotina 20
Deri më tani, në vend janë kryer gjithsej 405.108 teste të Covid-19.
Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 84129, numri i pacientëve të rikuperuar është 63532, numri i vdekjeve është 2550 dhe numri i rasteve aktive është 18047.
MaskaKujdes!
Kujdes, jo vetëm nga covid 19, por edhe nga “hulumtuesit e pavarur”, “ekspertët”, “analistët”, “mjekët”, “hoxhallarët”, “misionar”, njerëz të papërgjegjshëm,  injorantët, të cilët komentojnë me hamendje ndaj çdo studimi dhe ndaj çdo mase që ndërmerren nga institucionet përgjegjëse shëndetësore në të gjithë botën, si dhe kujdes edhe nga Televizionet komerciale, portalet e ndryshme, rrjetet sociale, të cilët për të plotësuar programet e tyre, janë në gjendje të emitojnë gjithçka, vetëm e vetëm që të përfitojnë personalisht, pa çarë kokën nëse veprimet e tyre shkaktojnë pasoja.

Besoni vetëm institucionet përgjegjëse shëndetësore dhe jo individët!

Mbani maskën, ashtu si që mbani pantallonat në ambientet e hapura jashtë shtëpisë, në mënyrë që të minimizohet përhapja e infeksionit.

Maska/Barriera mbrojtëse e fytyrës ndihmon në zvogëlimin e përhapjes së infeksionit në komunitet duke minimizuar transmetimin e tij nëpërmjet spërklave nga individë të infektuar.

Ju lutemi mbroni vetveten = ashtu do ti mbroni edhe të afërmit tuaj.

- Besoni #faktet të mos e sfidojmë shkencën, komunitetin e mjekëve, e të ekspertëve të shëndetit publik dhe
- të mbrojmë veten, familjet tona dhe njerëzit që na rrethojnë.
- Secili mund të kontribuojë për kufizimin e përhapjes së #COVID19.

IKShPK: prej 1050 mostrave kemi 169 raste pozitive, 7 të vdekur dhe 313 të shëruar!

MaskaGjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.050 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 169 raste pozitive. Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 81 raste, Vushtrri 10 raste, Fushë-Kosovë 9 raste, Gjilan 7 raste, Lipjan 7 raste, Obiliq 6 raste, Prizren 5 raste, Gjakovë 4 raste, Mitrovicë 4 raste, Podujevë 4 raste, Viti 4 raste, Ferizaj 3 raste, Klinë 3 raste, Pejë 3 raste, Rahovec 3 raste, Suharekë 3 raste, Deçan 2 raste, Istog 2 raste, Kamenicë 2 raste, Partesh 2 raste, Skenderaj 2 raste dhe me nga një rast komunat Junik, Malishevë dhe Novobërdë.
Brenda 24 orëve janë raportuar 7 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Mitrovicë 2 raste (19, 77 vjeç), Pejë 2 raste (75, 76 vjeç), Istog 1 rast (70 vjeç), Prishtinë 1 rast (80 vjeç) dhe Prizren 1 rast (31 vjeç).
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 313 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 42.948 raste, kurse numri i rasteve aktive është 7.835.
Numri total i rasteve pozitive është 52.134 raste nga 188.138 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.351 raste të vdekjes.
IKShPK apelon te të gjithë qytetarët që të vijnë të testohen në SARS-CoV-2 sipas indikacioneve epidemiologjike, në të gjitha Qendrat rajonale të shëndetësisë publike në Kosovë.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!

‘12 miljet në detin Jon’/ Projektligji i parë që miratohet në parlamentin e Greqisë për këtë vit

JonProjektligji i parë në parlament për 2021 ai i 12 miljeve. Me një lëvizje simbolike më shumë kuptime kërkon të fillojë vitin 2021 Athina zyrtare duke sjellë në parlament për të diskutuar dhe miratuar si projektligj të parë për këtë vit, atë të zgjerimit nga 6 deri në 12 milje të ujërave detare në detin Jon.

Lajmin e publikon gazeta “To Vima” e cila duke ju referuar burimeve qeveritare thekson se projektligji në fjalë është një mesazh i qartë dhe i fuqishëm ndaj Ankarasë. Ajo që ende nuk është sqaruar është nëse me fillimin e punimeve të parlamentit në 11 janar, ky projektligj do të ratifikohet me procedurën urgjente.

Hapi i parë për zgjerimin e ujërave detare në këtë zonë është bërë një javë më parë kur është publikuar në fletoren zyrtare të qeverise hyrja në fuqi e dekretit Presidencial për mbylljen e gjireve dhe zbatimin e parimit të vijës së drejtë në këto gjire në rajonin e Detit Jon, të ishujve veriore të tij e deri në Kepin Tainaro në Peloponez.

Në këtë dekret bëhen të qarta koordinatat gjeografike për mbylljen e 39 gjireve dhe limaneve të vogla në Greqinë Perëndimore dhe në shtatë ishujt e mëdhenj të Jonit , në përputhje me nenin 10 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit (UNCLOS), dmth gjiret e hapura deri në 24 milje  detare.

Siç thekson gazeta tjetër “Ta Nea”, këto janë të ashtuquajturat “gjire juridike”, me shembuj tipikë Gjirin e Korfuzit, Gjiri Amvrakikos dhe Gjiri Mesiniakos. Për më tepër, është zbatuar parimi i vijës së drejtë edhe tek 10 pika në përputhje me nenin 7 të UNCLOS që sqaron se ky parim mund të zbatohet edhe në ato zona ku vija bregdetare është e paqëndrueshme me thyerje të relievit të saj apo ka ishuj pranë saj.

Zgjerimi i zonës bregdetare në Detin Jon cilësohet si një hap i rëndësishëm për përcaktimin e kufijve detare mes Greqisë dhe  Shqipërisë, vetëm disa muaj pasi Athina ka nënshkruar marrëveshjet përkatëse me Romën dhe Kajron.

Gjithashtu ky zhvillim i hap rrugën dy vendeve të procedojnë siç kanë rënë dakord me apelim në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, hap që pritet të ndodhë pas zgjedhjeve në Shqipëri, me fillimin e konsultimeve për hartimin e marrëveshjes kornizë që do i paraqitet kësaj gjykate.

Nga ana tjetër diplomacia greke kërkon ta përdorë apelimin bashkë me Shqipërinë në Hagë, si një një model për zgjidhje të mosmarrëveshjeve Greko-Turke, larg tensioneve dhe kërcënimeve.

Top Channel

Ku dallojnë vaksinat e AstraZenecas dhe Pfizerit?

VaksinaTë hënën, 82-vjeçari Brian Pinker u bë personi i parë në Britani që mori vaksinën e AstraZeneca/Oxford.

Më 30 dhjetor, 2020, Britania ishte shteti i parë që miratoi për përdorim vaksinën kundër koronavirusit të kompanisë AstraZeneca dhe Universitetit të Oxford-it – duke shtuar edhe një armë në arsenalin e këtij vendi, në luftën kundër pandemisë, shkruan agjencia e lajmeve Reuters.

Megjithatë, shkencëtarët – si dhe rregullatorët e barnave në Evropë – janë skeptikë, për shkak të konfuzionit të shkaktuar nga rezultatet e studimit të vaksinës të prodhuar nga AstraZeneca që bëri që ekspertët të kishin dyshime mbi të dhënat e publikuara.

Sa është efektive vaksina e AstraZeneca/Oxford?

Efikasiteti i vaksinës AstraZeneca/Oxford në parandalimin e infeksioneve simptomatike ishte 70.4 për qind, krahasuar me 95 për qind efikasitet që është thënë se ka doza e vaksinës së Pfizer/BioNTech dhe vaksinave të tjera të miratuara për përdorim në Britani.

Pas miratimit, autoritetet në Britani thanë se një dozë e vaksinës së AstraZenecas ishte 52.7 për qind efektive, edhe pse këshilluesi mjekësor i Britanisë tha se një dozë e vaksinës së kësaj kompanie, pas tre javësh duhet të tregojë 70 për qind efektivitet.

Rregullatori britanik rekomandon që doza e dytë të merret katër deri në 12 javë pas dozës së parë sepse rreth 80 për qind efektivitet i vaksinës u arrit me një diferencë kohore prej tre muajsh nga doza e parë te e dyta, tha një zyrtar që ka qenë i përfshirë në miratimin e vaksinës.

Vaksina është miratuar nga Agjencia rregullative e Barnave dhe Produkteve Mjekësore e Mbretërisë së Bashkuar.

Konfuzioni rreth efikasitetit të vaksinës erdhi pasi në fund të nëntorit të vitit të kaluar, kompania farmaceutike AstraZeneca pranoi se disa njerëz gjatë provave klinike, aksidentalisht kishin marrë doza të ndryshme.

Ata që morën fillimisht gjysmë dozë të vaksinës, pasuar nga një dozë e plotë, kishin treguar se vaksina kishte efekt të mbrojtjes deri në 90 për qind, tha fillimisht kjo kompani. Ndërkaq, personat që kishin marrë dy doza të plota të vaksinës, ajo kishte ofruar vetëm 62 për qind mbrojtje nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

Megjithatë, Agjencia britanike e Barnave tha se rezultatet e personave që morën pjesë në studim dhe që iu administrua vetëm gjysmë dozë e vaksinës, nuk u morën parasysh gjatë analizave.

“E gjithë kjo është edhe më konfuze sepse realisht janë bërë gabime”, tha për Retuers një zyrtar nga Agjencia Evropiane e Barnave.

“Gabime që rezultuan në të dhënat klinike janë më komplekse për t’u interpretuar sesa ato të (kompanive) Moderna dhe Pfizer. Dhe mbi të gjitha, efikasiteti (i vaksinës së AstraZenecas) është më i ulët”, shtoi ky zyrtar.

Cilat janë dallimet e tjera?

Teknologjia, çmimi dhe ruajtja.

Vaksina e AstraZenecas është “vaksinë e vektorit viral”, ku një virus i dizajnuar për shimpanzetë që të marrin gripin e zakonshëm, i jep udhëzime qelizave të njerëzve të që bëjnë që proteinat të dalin nga sipërfaqja e koronavirusit të ri.

Vaksinat e prodhuara nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna përdorin një teknologji të re, mRNA, që bën që acidi ribonukleik (ARN) të futet brenda pikëzave të yndyrës dhe instrukton qelizat që të krijojnë proteina.

AstraZeneca ka thënë se dozat e vaksinës do të kushtojnë vetëm disa dollarë dhe do të shiten pa përfitim, ndërkaq një dozë e vaksinës së Pfizerit kushton 18.40 dollarë -19.50 dollarë .

Edhe vaksina e Modernas që është krijuar me teknologjinë mRNA është miratuar për përdorim në shtetet e Bashkuara dhe kushton 37 dollarë.

Dozat e vaksinës së AstraZenecas nuk kërkojnë që të ruhen në temperatura shumë të ftohta deri në -70 gradë Celsius, ashtu siç kërkohen të ruhen vaksinat e prodhuara me teknologjinë mRNA nga kompania amerikane Pfizer dhe partneri i tij gjerman BioNTech.

AstraZeneca tashmë ka prodhuar miliona doza të vaksinës. Ato mund të ruhen në frigoriferë standard deri në gjashtë muaj.

Kjo vaksinë po ashtu është më e lirë për t’u prodhuar, duke rritur shpresat për vendet në zhvillim që ende nuk kanë arritur të sigurojnë vaksinat.

A do të miratohet vaksina edhe në shtetet e tjera?

Kur Britania miratoi për përdorim vaksinën e Pfizer/BioNTech në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, kjo bëri që shumë rregullatorë, përfshirë ata në Shtetet e Bashkuara dhe BE të bëjnë të njëjtën gjë.

SHBA-ja ka miratuar edhe vaksinën e Modernas, që është krijuar po ashtu me teknologjinë mRNA. Vaksinat me këtë teknologji përpunojnë kodin gjenetik të virusit.

Vendimi i Britanisë për të miratuar vaksinën e AstraZenecas ka si prioritet vaksinimin e më shumë personave sa më shpejt që të jetë e mundur, përpara se të gjitha përgjigjet lidhur me efikasitetin të jenë në dispozicion.

“Miratimi emergjent nënkupton marrjen e rreziqeve të një efikasiteti më të ulët apo më të shkurtër sesa që mund të arrihet me vaksinat me teknologjinë mRNA”, thotë Claire-Anne Siegrist, që drejton departamentin e vaksinologjisë dhe imunologjisë në Spitalin Universitar të Gjenevës.

Përderisa zyrtarët e Agjencisë Evropiane të Barnave thanë se ka pak gjasa që vaksina e AstraZenecas të miratohet deri në fund të janarit, një zyrtar gjerman për vaksina tha se pret që Evropa të “marrë vendim të shpejt” lidhur me miratimin e kësaj vaksine.

Edhe India e ka miratuar më 2 janar vaksinën e AstraZeneca/Oxford.

Kush do ta marrë vaksinën?

Shërbimi Kombëtar i Shëndetit në Angli nuk do t’i japë mundësi njerëzve që ta zgjedhin vaksinën që do t’iu administrohet kundër koronavirusit.

Por, teksa disa vaksina tashmë janë të qasshme, shtetet duhet të vendosin se kush duhet ta marrë cilën vaksinë, pasi që disa njerëz mund të preferojnë që t’iu administrohet vaksina që ka më shumë efikasitet.

Ekspertët thonë se dallimet në nivelin e efikasitetit janë të rëndësishme, gjë që sipas tyre, do të bëjë që zgjedhja se cila vaksinë të përdoret të jetë e vështirë.

“Në shtetet ku vaksinat edhe me teknologjinë mRNA dhe të AstraZenecas do të jenë të qasshme, kush do të vendosë që një grupi shoqëror t’i administrohet vaksina më pak efektive?”, shprehet Sigrist.

Thomas Mertenes, udhëheqës i Komitetit të Përhershëm të Vaksinave (STIKO), panel në Gjermani që mbikëqyrë përdorimin e vaksinave, i tha Reuters se ky institucion planifikon që ta shqyrtojë këtë çështje “në një të ardhme të afërt”, pasi shpresojnë që të hartojnë një strategji që do të ketë ndikim më të madh me furnizime të kufizuara të vaksinave.

Megjithatë, disa ekspertë thonë se zgjedhja se cilën vaksinë ta përdorin është një luks që shtetet nuk mund ta përballojnë.

“Në këto momente, ne nuk kemi sasi të mjaftueshme të vaksinave për të gjithë personat që kanë nevojë për to”, tha Thomas Klimkait, profesor në Uniersitetin e Bazelit, njëherësh hulumtues që po punon në një projekt të Zvicrës për vaksinën kundër koronavirusit të ri.

“Do të thosha se në këtë moment, çdo vaksinë që ka një efektivitet relativisht të mirë, do të thotë 60 apo 70 për qind efektivitet – duhet të përdoret, pasi të jetë verifikuar siguria e saj”, tha ai.

rel

Itali, 347 vdekje nga koronavirusi të dielën dhe mbi 14 mijë infeksione të reja

ItaliaItalia njoftoi të dielën 347 vdekje të lidhura me koronavirusin nga 364 të shënuara një ditë më parë. Numri i infeksioneve ditore u rrit në 14,245 nga 11,831.

Të shtunën u kryen rreth 102,974 teste, sipas zyrtarëve të lartë shëndetësor të atij vendi, kundrejt 67,174 të zhvilluara një ditë më parë.

Që prej 21 shkurtit Italia ka regjistruar 75,332 vdekje si pasojë e koronavirusit kohë kur shpërtheu pandemia, duke e bërë atë vendin me numrin më të lartë të viktimave në Evropë dhe të pestin në botë. Vendi ka raportuar gjithashtu 2.1 milionë raste infeksionesh që prej fillimit të pandemisë.

Sipas të dhënave të publikuara të dielën aktualisht numri i pacientëve të shtruar në spital me COVID-19 llogaritet në 23,075. 127 persona u shtruan një ditë më parë. 154 të tjerë u shtruan në njësitë e kujdesit intensiv, krahasuar me 134 të shtunën.

Numri aktual i pacientëve në pavionët e kujdesit intensiv u rrit me 14 duke arritur në 2.583 gjithsej.

Ndërsa vala e dytë e pandemisë në Itali po përshpejtohej në gjysmën e parë të nëntorit, shtrimet në spitale pësuan një rritje me rreth 1 mijë shtrime në ditë, ndërsa numri i pacientëve me COVID në njësitë e kujdesit intensiv u rritet me rreth 100 në ditë.

voa

Çfarë dihet për variantin e ri të koronavirusit?

MasaVaranti i ri ka zgjuar shqetësim dhe shumë pikëpyetje. A përhapet më lehtë? A shkakton sëmundje më të rëndë? Si reagon ndaj vaksinës dhe terapive mjekësore? Pyetjet po shtohen po aq shpejt sa vetë variantet e reja të koronavirusit, sidomos varianti i shfaqur për herë të parë në Britani dhe që tani është identifikuar në disa vende të tjera, përfshirë SHBA.

Shkencëtarët thonë se nuk ka arsye për t’u shqetësuar dhe se në përgjithësi variantet e reja nuk duhet të na alarmojnë.

Shqetësimet e kanë burimin tek komentet e kryeministrit britanik para Krishtlindjes se varianti i ri është më ngjitës dhe po përhapej më me shpejtësi në Angli. Të martën, zyrtarët e shëndetësisë në Kolorado thanë se kishin diagnostikuar një individ të prekur nga ky variant. Të mërkurën një rast tjetër u zbulua në Kaliforni.

Ja disa pyetje mbi variantin e ri dhe shpjegime bazuar në ato që dihen deri tani:

Nga e ka origjinën ky variant?

Variante të reja ka pasur që nga momenti që koronavirusi u shfaq për herë të parë në Kinë afro një vit më parë. Viruset pësojnë mutacione, apo shfaqin ndryshime të ndryshme gjatë riprodhimit dhe përhapjes në popullatë.

Pjesa më e madhe e ndryshimeve janë të papërfillshme. “Për shembull ndryshime në një apo dy gërma të kodit gjenetik që nuk ndikojnë tek aftësia e virusit për të sëmurur individin,” thotë Dr. Philip Landrigan, ish-shkencëtar në Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe aktualisht kryesues i programit për shëndetin global në Kolegjin e Bostonit.

Situata bëhet më shqetësuese kur virusi pëson mutacione në proteinat që ka në sipërfaqe dhe që e bëjnë të aftë të mbrohet nga ilaçet apo goditja e sistemit imunitar, ose kur pëson një numër ndryshimesh që e bëjnë të reagojë shumë ndryshe nga virusi origjinal.

Çfarë e bën një variant dominues?

Nëse një variant ekziston në numra të konsiderueshëm dhe fillon të përhapet në një zonë, apo në aktivitete me pjesëmarrje të lartë ku ka përhapje të shumëfishuar, varianti mund të bëhet dominues.

Por mund të ndodhë edhe kur falë një mutacioni, një variant i ri gëzon avantazh që i lejon të përhapet më shpejt se variantet e tjera në qarkullim.

Shkencëtarët vazhdojnë punën studimore për të konfirmuar nëse varianti i diktuar fillimisht në Angli është vërtetë më ngjitës se sa të tjerët. Deri tani ka prova se ky variant është më i fortë në konkurrencë me variantet e tjera, lëviz më shpejt dhe infekton më shumë njerëz, thotë Dr. Landrigan.

Varianti britanik u identifikua fillimisht në shtator, thanë zyrtarët e OBSH-së. Në Afrikën e Jugut është diktuar një variant tjetër që po përhapet në popullatë.

Përse është shqetësues varianti britanik?

Ky variant përmban mbi 20 mutacione, tetë prej të cilave në zgjatimet që i shërbejnë virusit për të penetruar dhe infektuar qelizat e njeriut. Këto zgjatime janë në shenjestër të kurave mjekësore dhe vaksinave kundër koronavirusit.

Dr. Ravi Gupta, virolog në Universitetin e Kembrixhit tha se modeli laboratorik çon në përfundimin se mund të jetë dy herë më ngjitës se variantet që kanë dominuar deri tani në Angli. Dr. Gupta dhe studiues të tjerë publikuan një raport në internet, për të ndarë me kërkues të tjerë rezultatet e punës së tyre, por raporti ende nuk është analizuar zyrtarisht dhe nuk është botuar në ndonjë revirstë shkencore.

A shkakton varianti i ri sëmundje më të rëndë ose rrezik më të lartë nga vdekja?

“Deri tani nuk ka shenja se rrit seriozitetin e sëmundjes apo rrezikun nga vdekja, por janë shqetësime që duhen mbajtur parasysh,” thotë Dr. Landrigan. Me shtimin e numrit të të infektuarve nga varianti i ri, “do të mësojmë shumë shpejt nëse shkakton sëmundje më të rëndë”.

Maria Van Kerkhove, eksperte për epidemitë pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se “informacioni që kemi deri tani tregon se nuk ka ndryshime” në llojin e simptomave apo seriozitetin e sëmundjes.

Si ndikojnë tek kurat mjekësore këto mutacione?

Disa raste në Angli kanë shkaktuar shqetësim se mutacionet në disa variante të reja mund të ulin efektivitetin e ilaçeve që përpiqen të forcojnë reagimin e imunitetit.

Zonja Van Kerkhove thotë se po bëhen studime për të analizuar si ndikohet reagimi imunitar.

Kompania farmaceutike Eli Lilly tha se analizat laboratorike çojnë në përfundimin se ilaçet mbeten plotësisht të efektshme.

Po vaksinat?

Shkencëtarët besojnë se vaksinat që janë miratuar deri tani do të jenë të efektshme edhe kundër variantit të ri, por ende vazhdon puna për ta konfirmuar këtë bindje. Të mërkurën, zyrtarët britanikë theksuan se nuk ka të dhëna që tregojnë se varianti i ri është më rezistent përballë vaksinës.

Vaksinat fuqizojnë reagimin e sistemit imunitar, prandaj pritet që ky efekt të jetë ende i pranishëm, thonë shkencëtarët.

Çfarë duhet të bëjë individi për të ulur rrezikun?

Respektimi i protokolleve mbrojtëse: vënia e maskës, larja e duarve rregullisht dhe shmangia e turmave mbeten masat më të efetkshme mbrojtëse.

“Me pak fjalë, duhet të pengojmë përhapjen e virusit,” tha drejtori i përgjithshëm i OBSH, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Sa më shumë përhapet, aq më shumë mutacione shfaqen”.

voa