Kosova dhe Izraeli vendosin marrëdhënie diplomatike, çështja e ambasadorëve më vonë

IzraelTë hënën, më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, formalizojnë marrëdhënie diplomatike. Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi do të nënshkruajnë dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.

“Të udhëhequr nga vullneti i përbashkët për të promovuar dhe forcuar lidhjet miqësore, si dhe për të zgjeruar horizontet e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe bazuar në parimet universale të ligjit ndërkombëtar; duke riafirmuar përkushtimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin e frytshëm në sferën politike, ekonomike, të tregtisë, teknike e kulturore dhe në sfera të tjera të interesit të përbashkët, (Kosova dhe Izraeli) kanë vendosur që të themelojnë marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh”, thuhet në dokumentin të cilin do ta nënshkruajnë kryediplomatët e Kosovës dhe Izraelit.

Ceremonia e nënshkrimit të këtij dokumenti do të nisë në ora 14:30.

Në dokument po ashtu thuhet se aspektet teknike të këtij vendimi, përfshirë edhe akreditimin e ambasadorëve respektivë “do të jenë objekt i diskutimeve të mëtejme përmes kanaleve normale diplomatike”.

Ambasadorja e Kosovës në Izrael pritet të jetë Ines Demiri, e cila më 2020 ishte emëruar e ngarkuar me punë në po këtë shtet.

Ndërkaq, zyrtarët e Ministrisë së Jashtme kanë thënë se kjo ngjarje do të jetë historike, pasi për herë të parë dy shtete vendosin marrëdhënie përmes platformave virtuale.

Njohësit e çështjeve politike, Artan Muhaxhiri dhe Donika Emini, thonë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit do të ndikojë në konsolidimin e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, në procesin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin e saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Ata po ashtu shtojnë se hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, mund të prodhojë reagime.

Njohja reciproke mes Kosovës dhe Izraelit është pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova po ashtu është zotuar se do të hapë misionin e saj diplomatik në Jerusalem, kurse Serbia është zotuar se do ta zhvendosë ambasadën e saj ekzistuese në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem.

Muhaxhiri: Marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, rikthejnë Kosovën në fokus

Artan Muhaxhiri, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se krijimi i raporteve institucionale në mes këtyre dy shteteve, do ta rikthejë në fokus Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.

”Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në rifillimin e një angazhimi të Kosovës dhe për Kosovën në sferën ndërkombëtare, pasi tashmë është e qartë se ekziston një stagnim sa i përket avancimit të Kosovës në aspektin ndërkombëtar. Prandaj, edhe ndërtimi i marrëdhënieve me Kosovën do ta rikthejë në fokus Kosovën dhe do krijojë një potencial të ri, i cili gjithsesi duhet të shfrytëzohet në mënyrë maksimale nga institucionet e Kosovës”, tha Muhaxhiri.

Emini: Njohja nga Izraeli, sinjal për njohje të reja

Edhe Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës CiviKos, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, mund të jetë edhe sinjal për shtete që nuk e kanë njohur Kosovë, të marrin një vendim të tillë, pavarësisht problemeve të brendshme që kanë.

“Krijimi i marrëdhënieve më Izraelin është shumë me rëndësi, për shkak se Izraeli ka tejkaluar problemet e brendshme me Palestinën për ta njohur Kosovën. Kjo normalisht për Kosovën është shumë sepse ky element mund të përdoret edhe nga vendet jonjohëse të Bashkimit Evropian. Ka disa shtete të cilat nuk e njohin Kosovën, me arsyetimin se kanë problem të ngjashme në territorin e tyre, siç është Spanja. Tashmë ky element mund të përdoret nga Kosova, përderisa Izraeli ka tejkaluar Palestinën, Spanja mund të tejkalojë problemin e Katalonisë që nuk krahasohet me Kosovën, për të vendosur marrëdhënie diplomatike apo komunikim diplomatik”, tha Emini.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu pati thënë përmes një letre se këto zhvillimet në mes të Izraelit dhe Kosovën mund të çojnë drejt një epoke të re, në të cilën mund të përfitojnë të dyja palët.

Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, “mund të nxisë reagime”

Administrat e ish-presidentit Donald Trump e njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit më 2017 dhe në maj të vitit 2018 hapi ambasadën amerikane në këtë qytet.

Ky vendim nxiti kritika në mesin e palestinezëve, vendeve me shumicë myslimane dhe shumë shteteve në Evropë, të cilët shprehën shqetësimin se një vendim i tillë do të mund të minonte prospektet për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.

Megjithatë, Donika Emini shprehet se hapja e ambasadës së Kosovë në Jerusalem mund të shkaktojë reagime nga shtetet tjera të botës, por që nuk do mund të ndikojnë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Tash, vendosja e ambasadës në Jerusalem, Kosovës mund t’i kushtojë në marrëdhëniet diplomatike të cilat deri më tani i ka pasur solide me Turqinë, por edhe njohjet që Kosova i ka synuar nga bota arabe, e të cilat nuk i ka pasur. Tashmë është një diplomaci shumë e re e Kosovës, pa traditë, por duhet të dinë shumë mirë se si duhet të navigojnë në situata të tilla. Duke marrë parasysh se jo vetëm stagnimi i njohjeve apo marrëdhëniet me Turqinë, por edhe me Bashkimin Evropian mund të ketë problem, pasi menjëherë ka pasur reagime nga BE- ja për zhvendosjen e ambasadës së Serbisë në Jerusalem dhe ndërtimit të ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, thekson Emini.

Zhvendosja e ambasadës, “vendim i rëndë për Serbinë”

Përveç Kosovës, sipas marrëveshjes së Uashingtonit edhe Serbia do të zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, të cilin Izraeli e konsideron si kryeqytet të shtetit. Megjithatë, deri më tani Serbia nuk ka marrë asnjë veprim për të përmbushur këtë pikë të marrëveshjes.

Ky vendim është jashtëzakonisht i vështirë për shtetin e Serbisë, konsideron Artan Muhaxhiri.

“Ky do të jetë një vendim i vështirë për Serbinë sepse Serbia ka marrëdhënie tradicionalisht shumë të mira me vendet arabe dhe ky vendim do ta dëmtojë raportin e Serbisë me këto vende, duke ditur raportet që ato kanë ndaj shtetit të Izraelit. Pra, edhe ky është një fakt që duhet të shfrytëzohet nga shteti i Kosovës për të dëshmuar hipokrizinë politike të Serbisë, e cila dëshiron që të përfitojë nga të gjitha palët, që shpeshherë duke u shfaqur kontradiktore”, thekson Muhaxhiri.

Lidhur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, të dielën kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, ka thënë se “Kosova si Republikë parlamentare, si shtet sekular, mirëpret njohjen dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit dhe angazhohet për zgjerimin e bashkëpunimit në çdo fushë me interes të ndërsjellë”.

rel

Në pritje të vaksinave në Malin e Zi shtohet numri i të infektuarve me Covid -19

Test Covid-19 Mali i ziMali i Zi me 620.000 banorë qe vendi i fundit që konfirmoi rastin e parë me Covid-19 në mars të vitit të kaluar. Tani prej dy javësh ai renditet në vendin e parë sa i përket numrit aktiv të të sëmurëve për 100.00 banorë.

Për momentin numri aktiv i të infektuarve është 7.332, ndërsa të dhënat thonë se nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 62.202 raste. Numri i personave që kanë humbur betejën me koronavirusin është 802. Qytetet ku shënohet numri më i madh i rasteve janë: Podgorica, Nikshiqi, Bijelo Pole, Budva, Kotori, Herceg Novi; Berane dhe Tivari.  Në Mal të Zi për momentin funksionojnë katër spitale për Covid-19. Në Tivar është spitali i cili mbulon tërë bregdetin e Malit të Zi, në Berane është spitali për pacientët nga veriu dhe krahas tyre është edhe Qendra Klinike Spitalore në Podgoricë dhe spitali i Nikshiqit.

Humbje të mëdha në fushën e turizmit

Mali i Zi varet kryesisht nga ekonomia turistike dhe kjo fushë ka përjetuar humbje të mëdha që llogariten deri në 500 milion euro. Kjo humbje erdhi për shkak se Mali i Zi në fund të qershorit të vitit të kaluar mbylli të gjitha udhëtimet me vatrat e koronavirusit.

Operatorët turistikë, pronarët e hoteleve dhe ata të sektorit privat druajnë se e njëjta gjë mund të përsëritet edhe gjatë sezonit turistik të këtij viti. Pasojat e mbylljes së vendit ndihen në të gjitha fushat dhe ata që po e përjetojnë më së shumti janë vetë qytetarët. Mbi 7000 vetë kanë mbetur pa vende pune dhe profesionet më të prekura janë ato të hotelerisë, të tregtisë, të ndërtimtarisë dhe të komunikacionit.

Qeveria e ish-kryeministrit, Dushko Markoviq miratoi tri paketa ndihmash për ekonominë, por ato ishin të pamjaftueshme për të përballuar krizën e shkaktuar nga pasojat e pandemisë. Edhe pse Mali i Zi një periudhë dy javore gjatë muajit qershor të vitit të kaluar u shpall si corona free destianation, fushata para zgjedhjeve parlamentare dhe thirrjet e kishës serbe ortodokse për protesta dhe liturgji nëpër rrugët e qyteteve bëri që numri i të prekurve me koronavirus të rritet nga dita në ditë. Pas zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit dhe humbjes së pushtetit pas tri dekadash të Partisë  Demokratike të Socialistëve të presidentit Gjukanvoiq dhe partnerëve të koalicionit, partitë qëe fituan zgjedhjet shkarkuan tërësisht anëtarët e Shtabit Nacional për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, shfuqizuan masat e tij, dhe tani vepron një shtab krejtësisht në përbërje të re.

Vaksinat po vonojnë

Ajo që tani është aktuale në Mal të Zi është çështja e vaksinimit dhe siç duket Mali i Zi është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që ende është në bisedime me kompanitë farmaceutike për sigurimin e vaksinave. Ministria e Shëndetësisë akuzon pushtetin e mëparshëm për neglizhencë dhe vonesë. Ministrja e Shëndetësisë, Jelena Boronoviq Bojoviq, thotë se përparësi për Malin e Zi  ka furnizimi përmes programit COVAX, por shteti po zhvillon bisedime të drejtë për drejta me kompanitë ruse dhe kineze. Edhe pse ministrja Bojoviq tha se vaksinat në Mal të Zi ka gjasa të mbërrijnë në fund të janarit respektivisht në fillim të muajit shkurt kjo gjë nuk u realizua. Ministria përkatëse ka refuzuar dy donacione vaksinash me shpjegimin se vaksinat duhet të kenë miratimin nga Agjencia Evropiane e Medikamenteve. Partitë që deri dje ishin në pushtet, thonë se vonesa me furnizim me vaksina është paaftësi e qeverisë së re dhe me skepticizëm shikojnë çdo veprim të saj për të frenuar dhe menaxhuar pasojat e koronavirusit.

Qeveria Krivokapiq miraton paketën IV të ndihmave për qytetarët dhe bizneset

Qeveria e kryeministrit Zdravko Krivokapiq miratoi së fundi paketën IV të ndihmave për ekonominë, bizneset, qytetarët që kanë mbetur pa punë dhe pensionistët me të ardhura minimale. Nga kjo paketë me vlerë 163 milion euro do të përfitojnë rreth 100 mijë qytetarë, respektivisht çdo i pesti banor i Malit të Zi . Sido që të jetë qytetarët e Malit të Zi edhe pse e kanë mirëpritur paketën e fundit  të ndihmave, nuk janë optimistë se ajo mund të përmirësojë situatën ekonomike. Shpresa e vetme mbetet fillimi i vaksinimit, hapja e kufijve dhe rikthimi i turistëve vendas dhe të huaj.

dw

Inflacioni: Rritje masive e çmimeve të ushqimeve në Turqi

Pemeshites IstambullRritja dramatike e çmimeve të artikujve ushqimorë në Turqi po e rëndon gjendjen ekonomike të qytetarëve. Ekspertët bëjnë qeverinë përgjegjëse, por presidenti turk ua vë fajin sipërmarrësve dhe botës së jashtme.

Nuk është gjë e re që ekonomia turke vuan nga kriza. Prej dy vjetësh lira turke ndodhet në rënie. Kundër kësaj gjendjeje në fund të vitit të kaluar presidenti turk ndërmori një veprim me efekt mediatik: Ai kumtoi “epokën e re të ekonomisë” dhe këtë e pasuan largime spektakolare nga funksione të larta. Fillimisht u largua nga detyra kreu i Bankës Qendore, Murat Uysal, pastaj ministri turk i Financave, që është edhe dhëndri i Erdoganit. Zyrtarisht Berat Albayrak është tërhequr për arsye shëndetësore.

Deri tani nuk ndjehet gjë nga fillimi i ri, turbulencat në valutë madje janë përkeqësuar. Madje aty ku e ndjen më shumë populli turk. Tek çmimet e artikujve ushqimorë. Çmimet e tyre janë rritur në masë të paparë muajt e fundit. Sipas të dhënave të indeksit të çmimeve të Zyrës së Statistikave të Turqisë, TÜIK, që publikon raportin vjetor, vitin e kaluar pati një rritje dramatike të nivelit të çmimeve të ushqimeve. Përqindja e inflacionit u rrit në krahasim me vitin e kaluar me 6% duke shkuar në 20,6%.

Erdogan bën të ditur „dënime të ashpra”

Kështu kriza e valutës nuk është më një rrezik abstrakt, ajo është futur në kuzhinat turke. Për artikuj ushqimorë bazë, si perime, fruta, vezë, vaj apo qumësht në tregje kërkohen çmime të kripura. Deri në 25% është rritur çmimi për disa artikuj në javët e fundit. Përqindja e inflacionit për perimet dhe frutat ndërkohë ka arritur një vlerë rekord prej 33,9%.

Presidenti Erdogan në një intervistë pas lutjes të së premtes bëri përgjegjës tregtarët e pakicës për këtë gjendje. Ai bëri të ditur “dënime të ashpra”. Nuk më ka shpëtuar që tek perimet, frutat dhe perimet bishtajore ka dallime të mëdha në çmime. “Ne nuk mund ta tolerojmë më shtypjen e qytetarëve. (…)Bëjeni punën tuaj si duhet dhe mos i mundoni njerëzit”, u shpreh i zemëruar Erdogan dhe bëri të ditur rregullimin më të fortë të tregtisë së artikujve ushqimorë në muajt e ardhshëm. Do të ngrihet një “sistem i hershëm paralajmërimi” për çmimet jashtëzakonisht të larta.

Në të vërtetë në Turqi ka një klimë shumë të mirë për një bujqësi produktive. Megjithatë frutat dhe perimet eksportohen. Kritikët thonë, se për inflacionin në tregun e artikujve ushqimorë në masë të madhe është përgjegjëse vetë qeveria. Qeveria konservatore-islame e AKP-së investoi me vite në mënyrë shumë të njëanshme në sektorin e ndërtimit.

Bujqësia – sektor i humbur?

Studiuesi i shkencave ekonomike, Baris Soydan e lidh rritjen e madhe të çmimeve me neoliberalizmin në ekonominë agrare. “Ka gjithnjë e më pak sipërfaqe për kultivim bujqësor.” Arsyeja është, se ekonomia bujqësore nuk ofron shumë përfitim. “Në dhjetë vitet e fundit sipërfaqet e mëdha bujqësore janë sakrifikuar për ndërtimin për të realizuar projekte të mëdha banimi”, thotë eksperti i ekonomisë.

Komisioni Parlamentar për Ushqimet përpiqet tani të ndihmojë prodhuesit e bujqësisë: përmes uljes së tatimeve, kufizimeve të eksportit dhe garancinë e blerjes.

Fermerët kërkojnë më shumë mbështetje nga shteti

Por kreu i Dhomës së Ekonomisë Bujqësore, (TMMOB), Baki Remzi Suicmez, nuk është i kënaqur me masat e marra. “Në gati të gjitha vendet e industrializuara bujqësia mori mbështetje financiare gjatë pandemisë.” Në Turqi nuk u rrit kjo mbështetje në masën e duhur, kritikon Suicmez, as nuk u ulën kosto e prodhimit dhe as nuk u lehtësuan kushtet e kreditimit.

Kritika vijnë edhe nga ekonomisti, Baris Soydan. “Me udhëzimet që jep Erdogani nuk do të jetë e mundur që të ulen çmimet e artikujve ushqimorë. Se për sa kohë, që kostoja e naftës dhe plehut kimik nuk ulet, do të mbetet presioni për fermerët, se nuk fitojnë sa duhet.” Duhet të zgjidhen probleme më të thella strukturore, që janë pergjegjëse për inflacionin. Por presidenti turk është larg autokritikës. Krahas tregtarëve të ushqimeve, presidenti turk bëri përgjegjëse edhe thatësirën mbarëbotërore dhe pandeminë e Coronës, pasi tregjet kudo në botë janë të trazuara. Në të shkuarën presidenti turk me dëshirë i referohej “forcave të errëta” apo “terroristëve të artikujve ushqimorë” nga jashtë, që me spekulimet e tyre i rrisnin qëllimisht çmimet.

dw